Petrit Hajdari ka njoftuar se ka vendosur të lirojë drejtimin e degës së PDK-së në Drenas dhe se kontributin e tij do ta fokusojë në kryesinë qendrore të partisë.
Në një postim në Facebook, Hajdari ka vlerësuar rezultatin e degës së PDK-së në Drenas në zgjedhjet e fundit nacionale, duke thënë se ajo ka dalë “dega më e fuqishme e PDK-së”.
“Në Degën e PDK-së në Drenas kemi korrur sukses të jashtëzakonshëm në zgjedhjet e fundit nacionale, duke dalë dega më e fuqishme e PDK-së”, ka shkruar ai.
Hajdari ka thënë se vendimi për t’u tërhequr nga drejtimi i degës vjen, siç është shprehur, “duke mos dashur t’i bëhem pengesë proceseve të nevojshme”, dhe se është marrë me kërkesë të kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza.
“Megjithatë, duke mos dashur t'i bëhem pengesë proceseve të nevojshme, me kërkesë të kryetarit të PDK-së Bedri Hamza, kam vendosur sot ta liroj degën e PDK-së në Drenas dhe ta fokusoj kontributin në kryesinë qendrore”, ka deklaruar Hajdari.
Ai ka theksuar se po e lë degën me mbi 18 mijë vota dhe se do të vazhdojë të kontribuojë për PDK-në pavarësisht pozitës.
“E lë degën me mbi 18 mijë vota dhe me krenarinë e performancës… Vazhdoj të jem i përkushtuar për të kontribuar për PDK-në e për vendin, pavarësisht nga cila pozitë”, ka shkruar ai.
Në postimin e tij, Hajdari ka falënderuar ish-kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi, për besimin dhe bashkëpunimin, ndërsa Bedri Hamzës i ka uruar sukses në zgjedhjet e radhës.
“E falenderoj thellësisht ish-kryetarin Memli Krasniqi për besimin e bashkëpunimin dhe kryetarit Hamza i uroj suksese në zgjedhjet e radhës, ku ofroj kontributin e angazhimin tim”, ka shkruar ai.
Po ashtu, ai ka shprehur mirënjohje për asamblistët, shtabin dhe kryesinë e degës, si dhe për kandidatët për deputetë nga Drenasi.
“Jam jo vetëm mirënjohës por edhe krenar për punën që kemi bërë bashkë”, ka thënë Hajdari.
Në fund, Hajdari ka shprehur pritjen që pozita që po e liron të merret nga, siç ka thënë, “një figurë e pakorruptuar, përbashkuese e jopërçarëse”, duke shtuar se “Drenasit i nevojitet unifikim”.
“Shpresoj që pozitën që po e liroj unë, ta marrë një figurë e pakorruptuar, përbashkuese e jopërçarëse. Drenasit i nevojitet unifikim”, ka shkruar ai.
Hajdari ka thënë se do ta vazhdojë kontributin e tij me bindjen se “e mira e PDK-së është e mira e vendit”. /Telegrafi/
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka bërë homazhe në fshatërat Poklek, Çikatovë të Vjetër dhe Krajkovë të Drenasit, në nderim të dëshmorëve dhe martirëve të rënë gjatë luftës në Kosovë.
Ajo theksoi rëndësinë e kujtesës historike dhe domosdoshmërinë e vënies së drejtësisë për krimet e kryera nga Serbia.
“Ne sapo nderuam një figurë të çmuar të kombit tonë, Sokol Elshani. Dëshmori Sokol Elshani rrjedh nga një familje patriotike e atdhetare që kanë kontribuar gjithmonë në çështjen kombëtare dhe për Republikën e Kosovës. Angazhimin e tij e kishte nisur shumë herët; madje, në demonstratat e vitit ’90, ai u sulmua dhe u plagos rëndë nga forcat serbe. Sot nderojmë jetën dhe veprën e tij. Po ashtu, ishim në Çikatovë dhe Poklek për të nderuar martirët, të cilët u masakruan dhe u dogjën. Në Çikatovë të Vjetër, pasi u vranë, ata u dërguan në Rashkë të Serbisë. Masakra e Poklekut është dëshmi e gjenocidit serb në Kosovë, ku 53 civilë u vranë, prej tyre 23 ishin fëmijë. Ndërsa në Çikatovë të Vjetër, 24 civilë të paarmatosur u vranë dhe trupat e tyre u dërguan në Serbi me qëllim që të fshihej krimi gjenocidal”, tha Haxhiu.
Ajo vlerësoi se brezat e rinj janë me fat që kanë shembuj të tillë të sakrificës për atdheun, duke theksuar se kujtimi i dëshmorëve dhe martirëve duhet të shërbejë si frymëzim për përkushtim ndaj vendit.
Haxhiu po ashtu nënvizoi rëndësinë e funksionimit të institucioneve të drejtësisë në trajtimin e krimeve të luftës. Sipas saj, ndonëse kanë kaluar 27 vjet dhe procesi mbetet sfidues, institucionet janë të angazhuara për të adresuar përgjegjësit. Ajo përmendi rritjen e kapaciteteve në polici dhe prokurori, si dhe themelimin e institutit për krimet e luftës, duke theksuar se këto krime nuk falen dhe se drejtësia është e domosdoshme.
Në fund, ajo theksoi se kërkesa më e dhimbshme që dëgjohet në përvjetorë dhe përkujtime është ajo e familjarëve për drejtësi, duke shtuar se institucionet do të angazhohen maksimalisht për ta përmbushur këtë kërkesë. /kp/
Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë një operacioni hetimor janë gjetur mbetje mortore në fshatin Negrovc të Drenasit, për të cilat dyshohet se i përkasin një personi të zhdukur gjatë luftës së viteve 1998–1999.
Sipas njoftimit, më 16 prill 2026, njësitë përkatëse kanë realizuar veprime të gërmimit dhe eksumimit në lokacionin e varrezave të dëshmorëve në këtë fshat, ku janë hasur eshtra që dyshohet se i përkasin së paku një personi.
Autoritetet bëjnë të ditur se ekziston dyshimi se bëhet fjalë për një person të zhdukur gjatë periudhës së luftës në Kosovë.
Mbetjet mortore janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për ekzaminim mjeko-ligjor, me qëllim të identifikimit dhe sqarimit të rrethanave të rastit.
Hetimet lidhur me këtë çështje janë në vazhdim. /Telegrafi/
Sot bëhen 27 vjet nga masakra në fshatin Poklek i Vjetër dhe Çikatovë të Vjetër komuna e Drenasit, ku ushtria serbe ka masakruar dhe i ka vrarë, pastaj edhe i ka djegur kufomat e 77 shqiptarëve civilë të paarmatosur, duke filluar prej foshnjave gjashtëmuajshe e deri te pleqtë 75 vjeçar.
Aty pësuan fëmijë, të rinj, të reja, burra dhe pleq që u vranë, u masakruan dhe disa prej tyre u dogjën. Edhe pas dy dekadash, askush nga urdhërdhënësit dhe ekzekutorët nuk u ndëshkua nga drejtësia.
Vetëm në fshatin Poklek i Vjetër, ushtria barbare serbe ka masakruar dhe i ka vrarë, pastaj edhe i ka djegur kufomat e 53 shqiptarëve civil të parmatosur, duke filluar prej foshnjave gjashtëmuajshe e deri te pleqtë 75 vjeçar.
Sipas dëshmitarëve të shumtë, masakra e Poklekut ka patur këtë rrjedhë:
Më 17 prill, diku rreth orës pesë të mëngjesit, familjet Muqolli,Caraku e Elshani, janë nisur të shkojnë prej Poklekut të Vjetër për në Drenas, ku ishte e tubuar dhe po mbahej peng popullata e fshatrave përreth Drenasit. Diku 1,5 Km larg fshatit, ka ardhur një picgauer me policë serb dhe i kaurdhëruar ata të kthehen nëpër shtëpia. Ata janë kthyer sepse janë kërcënuar, madje përanash është gjuajtur edhe me armë. Kur familjarët janë kthyer nëpër shtëpi, aty kanë ardhur, dy policë me shirita të zi në kokë. Në oborr e kanë vrarë qenin, pastaj e kanë thirrur Sinanin jashtë dhe me të kanë folur diç në gjuhën serbe. Pas kësaj këta dy policë kanë shkuar në oborrin e shkollës së fshatit, tek policët e tjerë që ndodheshin atje. Në ndërkohë Sinani është kthyer dhe u ka treguar familjeve se atë e kanë pyetur, “a ka këtu terroristë “?Në këtë gjendje ankthi e terrori, familjarët janë mbajtur tërë ditën deri rreth orës 17 e 30, atëherë ka ardhur njëri nga ata policët dhe në dhomën e shtëpisë së Sinanit, ku kanë qenë të grumbulluar të gjitha familjet, fëmijë, gra e pleq, polici e ka hedhur një bombë e cila nuk ka eksploduar. Pas kësaj polici ka hedhur edhe bombën tjetër, e cila ka rënë dhe ka eksploduar në prehrin e Miradije Rifat Muqollit (55). Menjëherë pas kësaj polici ka zbrazur mbi të gjithë ata që kanë qëlluar në dhomë, shtatë karikator të automatikut. Krimineli që kishte kryer masakrën, kishte hyrë në dhomë dhe me këmbë i kishte rrotulluar kufomat, se mos rastësisht dikush kishte mbetur i gjallë. Në ndërkohë, Elhemja e plagosur ka kërcyer nga dritarja e dhomës së masakrës dhe ka ikur. Pas dy orë e gjysmë të masakrës ka ikur edhe Lumnija me vajzën e vogël katër vjeçe, duke lënë të plagosur lehtë Eminen me Fatosin e vogël dy vjeçar. Më vonë sakoja e Emines është gjetur në bunarin e shtëpisë. Pas tri orësh, që kur është kryer masakra, policia është kthyer dhe e ka djegur dhomën me të gjitha kufomat që ishin në të. Natën e dytë të masakrës, kemi shkuar në shtëpi dhe aty kemi gjetur eshtrat e të masakruarve, kur kemi shkuar një ditë më vonë, më nuk kemi mundur të shohim as eshtra njerëzish. Tashmë nuk ishte djegur vetëm dhoma e koridori, por e tërë shtëpia.
Lista e plotë e masakrës në Poklekut të Vjetër më 17 prill 1999
1.Sinan Rexhep Muqolli (52), Poklek i Vjetër
2.Elheme Rifat Muqolli (50), Poklek i Vjetër
3.Emine Sinan Muqolli (22), Poklek i Vjetër
4.Elife Sinan Muqolli (18), Poklek i Vjetër
5.Sherife Sinan Muqolli (17), Poklek i Vjetër
6.Hafije Sinan Muqolli (10), Poklek i Vjetër
7.Feride Selman Muqolli (33), Poklek i Vjetër
8.Shehide Fadil Muqolli (13), Poklek i Vjetër
9.Naser Fadil Muqolli (12), Poklek i Vjetër
10.. Ylber Fadil Muqolli (10), Poklek i Vjetër
11.. Egzon Fadil Muqolli (4), Poklek i Vjetër
12.. Hyle Selman Muqolli (22), Poklek i Vjetër
13.. Florentina Qamil Muqolli (3), Poklek i Vjetër
14.. Lirie Qamil Muqolli (gjashtëmuajshe), Poklek i Vjetër
15.. Mehreme Muqolli (58), Poklek i Vjetër
16.. Bahrije Halil Muqolli (24), Poklek i Vjetër
17.. Naime Halil Muqolli (22), Poklek i Vjetër
18.. Hidajete Nebih Muqolli (33), Poklek i Vjetër
19.. Menduhie Liman Muqolli (11), Poklek i Vjetër
20.. Mirsad Liman Muqolli ( Poklek i Vjetër
21.. Mergim Liman Muqolli (5), Poklek i Vjetër
22.. Bahtije Halil Caraku (34), nga Dobrosheci
23.. Besart Ejup Caraku (13), nga Dobrosheci
24.. Hasan Ejup Caraku (12), nga Dobrosheci
25.. Kunata e Bahtije Halil Carakut- nuk i dihet emri (45),
26.. Miradije Rifat Muqolli (55), Poklek i Vjetër
27.. Zarife Rrahman Muqolli (23), Poklek i Vjetër
28.. Arife Rrahman Muqolli (20), Poklek i Vjetër
29.. Florije Salih Muqolli (23), Poklek i Vjetër
30.. Eronita Xhavit Muqolli (4), Poklek i Vjetër
31.. Fatos Xhavit Muqolli (1,5), Poklek i Vjetër
32.. Shemsije Muqolli (42), Poklek i Vjetër
33.. Vezire Ilmi Muqolli (20), Poklek i Vjetër
34.. Fatmire Ilmi Muqolli (17), Poklek i Vjetër
35.. Rexhep Ilmi Muqolli (12), Poklek i Vjetër
36.. Agron Ilmi Muqolli (10), Poklek i Vjetër
37.. Albulena Ilmi Muqolli (5), Poklek i Vjetër
38.. Nexhmije Ramadan Muqolli (25), Poklek i Vjetër
39.. Hasime Ramadan Muqolli (37), Poklek i Vjetër
40.. Avdullah Fehmi Muqolli (12), Poklek i Vjetër
41.. Shehrije Xhemail Muqolli (27), Poklek i Vjetër
42.. Vahide Mehdi Muqolli (4), Poklek i Vjetër
43.. Dy djem të Mehdiut, njëri 10 muj, Tjetri dy vjeçar,
Poklek i Vjetër
44.. Ymer Elshani (55), Poklek i Vjetër
45.. Nafije Elshani (50), Poklek i Vjetër
46.. Shukrije Elshani (37), dhe katër djemët e Ymer
Elshanit, prej 22 vjeç e më të rinjë
47.. Kimete Fadil Muqolli (20), Poklek i Vjetër
48.. Lindita Skender Hoxha (25), nga Korrotica e Epërme
Nxënësit e Gjimnazit “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” kanë finalizuar me sukses projektin “Promovimi i Vlerave Humane (PVH)”, i realizuar në bashkëpunim me Kryqin e Kuq të Kosovës dhe me mbështetjen e Drejtorisë Komunale të Arsimit në Drenas.
Përmbyllja e projektit u shënua me organizimin e një klase verore, e cila u vlerësua si një nga komponentët kryesorë të kësaj nisme edukative. Në kuadër të projektit është realizuar edhe renovimi i hapësirës së klasës verore, duke krijuar kushte më të përshtatshme për zhvillimin e aktiviteteve mësimore dhe edukative, me mbështetjen e kompanisë “Al Trade”.
Procesi është udhëhequr nga desiminatorët, profesori Ilir Demaku dhe profesoresha Ermira Demiqi, të cilët kanë koordinuar punën me nxënësit përgjatë gjithë fazës së realizimit.
Në ceremoninë përmbyllëse morën pjesë drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit, Muhamet Gjoka, drejtori i shkollës Naim Doberdolani, përfaqësuesi i kompanisë “Al Trade” Artan Ramaj, si dhe përfaqësues të Kryqit të Kuq të Kosovës nga niveli qendror dhe dega në Drenas.
Gjatë këtij aktiviteti, u vlerësua rëndësia e projektit në zhvillimin e vlerave humane dhe vetëdijesimit të nxënësve, ndërsa u theksua bashkëpunimi ndërinstitucional si faktor kyç në realizimin e tij.
Përfaqësuesit e pranishëm shprehën mirënjohje për kontributin e të gjithë pjesëmarrësve, me theks të veçantë për kompaninë “Al Trade”, e cila u vlerësua për mbështetjen në përmirësimin e infrastrukturës shkollore dhe për angazhimin në përgjegjësi sociale ndaj arsimit. /Telegrafi/
Një person ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra gjatë një aksidenti mes një kamioni dhe një veture që ndodhi mëngjesin e së hënës në fshatin Baincë të Drenasit.
Lajmin për Telegrafin e konfirmoi zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, duke shtuar se aksidenti ndodhi rreth orës 09:40.
“Sot rreth orës 09:40, kemi pranuar informatën se në Baincë të Drenasit, ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale. Në këtë aksident kanë qenë të përfshira dy automjete (një kamion dhe një veturë). Si pasojë e aksidentit një person ka mbetur i vdekur”, ka thënë Ahmeti.
Policia po vazhdon hetimet për të sqaruar rrethanat e ngjarjes. /Telegrafi/
Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare QKMF "Dr Hafir Shala" është pajisur me një shtrat modern për lindje dhe një inkubator transportues për foshnje, përmes një donacioni që synon përmirësimin e shërbimeve shëndetësore për nënat dhe të porsalindurit në komunën e Drenasit.
Sipas Komunës së Drenasit, pajisjet e reja pritet të ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e cilësisë dhe sigurisë së kujdesit shëndetësor për pacientët në këtë institucion.
Donatorët u pritën nga nënkryetari i komunës, Arben Shala, drejtoresha e Shëndetësisë, Klatrina Qerkinaj, drejtori i QKMF-së, Ismet Bogiqi, si dhe nga stafi i institucionit shëndetësor, të cilët shprehën mirënjohje për kontributin në përmirësimin e shërbimeve për qytetarët.
Ky donacion është mundësuar nga Action for Mothers and Children përmes menaxherit Fitim Sadiku, si dhe nga Cycle of Kosovo Children, e përfaqësuar nga Agim Bilalli, organizata që kanë kontribuar vazhdimisht në përmirësimin e shëndetit të nënave dhe fëmijëve.
Në emër të komunës, nënkryetari Shala ka falënderuar donatorët për mbështetjen e ofruar.
“Mbështetje të tilla përbëjnë një dëshmi të qartë të bashkëpunimit të suksesshëm ndërmjet institucioneve publike dhe organizatave që kanë në fokus mirëqenien dhe shëndetin e qytetarëve”, ka theksuar ai. /Telegrafi/
Sipas ekspertëve, ndotja e ajrit kontribuon drejtpërdrejt në sëmundjet kardiovaskulare, të frymëmarrjes dhe në rritjen e vdekshmërisë së parakohshme.
Raporti tregon se qyteti më i ndotur mbetet Prishtinë, ndërsa nivele të larta të grimcave PM10 dhe PM2.5 janë regjistruar edhe në Drenas, Mitrovicë, Hani i Elezit, Obiliq dhe Gjilan.
Sipas të dhënave nga 12 stacionet automatike të monitorimit të ajrit të Institutit Hidrometeorologjik, tejkalime të vlerave maksimale ditore janë konstatuar vazhdimisht, veçanërisht gjatë muajve të ftohtë, kur shtohet përdorimi i ngrohjes.
Ekspertët e IKSHPK-së paralajmërojnë se nëse nuk ndërmerren masa urgjente, ndikimi në shëndetin e qytetarëve do të jetë shqetësues, duke përfshirë rritjen e sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë nga sëmundjet kardiovaskulare dhe respiratore.
Për të adresuar këtë problem, IKSHPK ka propozuar një seri masash për qeverinë dhe komunat, duke përfshirë: miratimin e standardeve të cilësisë së ajrit sipas udhëzimeve të BE-së, zhvillimin e Programit Kombëtar për përmirësimin e ajrit, implementimin e planeve lokale të veprimit për qytetet më të ndotura, programe kombëtare për reduktimin e aerondotjes dhe masa të tjera në nivelin urban dhe industrial.
Instituti ka renditur gjithashtu tetë masa specifike prioritare:
Kontroll teknik rigoroz i automjeteve
Mirëmbajtja e rrugëve dhe menaxhimi i mbeturinave të ngurta
Monitorim i vazhdueshëm i filtrave të termocentraleve
Ndalimi i përdorimit të thëngjillit për ngrohje në amvisëri dhe industri të vogla
Përdorimi i transportit publik në vend të automjeteve private
Krijimi i një sistemi të integruar të informatave për emergjencat
Ndalimi i duhanpirjes në ambiente publike dhe të punës
Ngritja e zonave gjelbëruese mes zonave industriale dhe të banimit
Sipas IKSHPK-së, tejkalime të vazhdueshme të grimcave PM10 janë regjistruar gjatë muajve janar, shkurt, nëntor dhe dhjetor të vitit 2025 në pothuajse të gjitha stacionet e monitorimit, duke vënë në pah nevojën urgjente për ndërhyrje sistematike.
Raporti i IKSHPK-së rikujton se përmirësimi i cilësisë së ajrit nuk është vetëm çështje mjedisore, por një prioritet i drejtpërdrejtë për shëndetin dhe mirëqenien e qytetarëve të Kosovës. /Telegrafi/
Komuna e Drenas ka njoftuar qytetarët se, pas vërshimeve të fundit, është siguruar një dehumidifikues ajri për tharjen e hapësirave të prekura nga lagështia.
Sipas njoftimit, pajisja është vënë në dispozicion nga Kryqi i Kuq i Kosovës – dega në Drenas, dhe mund të merret çdo ditë pune në zyrat e kësaj dege.
Shfrytëzimi i dehumidifikuesit është pa pagesë dhe mund të përdoret për aq kohë sa është e nevojshme, në varësi të gjendjes së objekteve të dëmtuara.
Autoritetet lokale kanë ftuar të gjithë qytetarët që kanë pësuar dëme nga lagështia që të paraqiten dhe ta shfrytëzojnë këtë mundësi në funksion të rikthimit të kushteve normale në banesat e tyre. /Telegrafi/
Një person është arrestuar nën dyshimin se ka kryer veprën “Materialet me përmbajtje të shfrytëzimit dhe keqtrajtimit seksual të fëmijëve”, në Drenas.
Sipas raportit 24 orësh të Policisë bëhet e ditur se si prova materiale janë konfizkuar dy telefona dhe i dyshuari është dërguar në mbajtje.
“Drenas 26.02.2026 – 11:30. Është arrestuar një i dyshuar mashkull kosovar, nën dyshimin se ka kryer veprën e lartcekur. Si prova materiale janë konfiskuar dy telefona celular dhe me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje
Komuna e Drenasit ka përfituar një ndërmarrje publike, duke u larguar kështu nga operatorët privat.
“EKO Drenasi” Sh.A, do të ofrojë mirëmbajtjen e hapësirave dhe ndërtesave publike.
“Nga njësia përkatëse është bërë e ditur se kushtet janë plotësuar dhe kjo ndërmarrje do të bëjë mirëmbajtjen e hapësirave publike dhe shërbime të tjera komunale”, tha ministrja Artane Rizvanolli.
Kështu, në mbledhjen e Qeverisë u miratua themelimi i kompanisë komunale “EKO Drenasi”. /Telegrafi/
Një person është arrestuar në Drenas, nën dyshimin për sulm ndaj personit zyrtar, pasi gjatë trajtimit mjekësor ka sulmuar fizikisht një doktor.
Sipas informacioneve zyrtare, i dyshuari, mashkull kosovar, fillimisht ishte përfshirë në një rast të dhunës në familje dhe kishte kërkuar trajtim mjekësor.
Gjatë qëndrimit në institucionin shëndetësor, ai dyshohet se ka sulmuar fizikisht mjekun kujdestar, viktimën femër kosovare.
Me vendim të prokurorit të shtetit, i dyshuari është ndaluar dhe dërguar në mbajtje, ndërsa rasti është duke u trajtuar në procedurë hetimore. /Telegrafi/
Policia e Kosovës ka njoftuar se një personi në Drenas i janë vjedhur mbi 5 mijë euro nga vetura, gjersa një tjetri në një fshat të Lipjanit i është vjedhur vetura në oborrin e shtëpisë.
Të dy rastet kanë ndodhur të premten.
Drenas 13.02.2026 – 18:25. Ankuesi mashkull kosovar, ka informuar se persona të pa njohur nga vetura i kanë vjedhur 5300 euro, një telefon mobil, si dhe disa dokumente personale të tij dhe të viktimës femër kosovare. Rasti është duke u hetuar.
Fsh. Smallush, Lipjan 13.02.2026 – 12:00. Viktima mashkull kosovar, ka raportuar se nga persona të panjohur i është vjedhur vetura e tij, me targa vendore, e cila kishte qenë e parkuar në oborrin e shtëpisë së tij. Rasti është duke u hetuar. /Telegrafi/
Prokuroria Themelore në Prishtinë, përmes Departamentit për Krime të Rënda, njofton se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion, ka nisur nga dita e sotme intervistimi i anëtarëve në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) për komunën e Drenasit.
Veprimet po kryhen pas autorizimit nga Prokuroria dhe në kuadër të hetimeve intensive, lidhur me dyshimet për keqpërdorime gjatë procesit të numërimit të votave të kandidateve të subjekteve politike.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, në koordinim me Policinë e Kosovës, po ndërmerr të gjitha veprimet ligjore dhe hetimore me qëllim të zbardhjes së plotë të rrethanave që lidhen me rastin.
Opinionit publik do t’i bëhet i ditur çdo zhvillim i mëtejshëm në këtë proces nga ana e Prokurorisë. /Telegrafi/
Policia e Kosovës ka njoftuar për një person të humbur në Drenas.
Rasti është raportuar më 6 shkurt.
“Drenas 05.02.2026 – 12:00. Më 06.02.2026 ankuesi mashkull kosovar, ka raportuar se vajza e tij, është larguar nga shtëpia dhe nuk kanë njohuri për vend-ndodhjen e saj”, thuhet në raport.
Një person është sulmuar fizikisht në fshatin Arllat të Drenasit.
Rasti ka ndodhur të mërkurën, në ora 13:10, ndërsa Policia ka arrestuar dy të dyshuarit.
“Më 29.01.2026 janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë pasi që të njëjtit pas një mosmarrëveshje me datën e lartcekur dyshohet se e kanë sulmuar fizikisht viktimën mashkull kosovar i cili ka pranuar tretman mjekësor”, thuhet në raport.
Nga njëri prej të dyshuarve është konfiskuar një mjet i mprehtë-thikë.
Me vendim të prokurorit dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje. /Telegrafi/
Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave ka njoftuar se gjatë vërshimeve të fundit kanë intervenuar në 196 raste, nga të cilat janë evakuuar 42 persona. Kjo agjenci ka theksuar se çdo lum është i degraduar dhe duhet të mirëmbahet, derisa ka dhënë edhe rekomandime të detajuara.
Drejtori ekzekutiv i Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave, Shefki Abdullahu gjatë konferencës për media lidhur me situatën e krijuar nga vërshimet e fundit të muajit janar, si dhe për veprimet dhe angazhimet e agjencisë.
“Vërshimet kanë përfshirë disa komuna, i kemi potencuar më së shumti ato komuna të cilat kanë qenë vërshimet më të theksuara dhe këtu janë Malishevë, Gjakovë, Klinë, Junik, Drenas, Skenderaj, Mitrovicë, Suharekë, Gjilan dhe Prishtinë. Ekipet e specializuara të AME-së, njësitë profesionale të zjarrfikësve dhe shpëtimit, Forca e Sigurisë së Kosovës, Policia e Kosovës dhe Shoqata e Kosovës për Kërkim-Shpëtim, kanë realizuar intervenime të shumta duke përfshirë thithje të ujit me pompa të kapacitetit të lartë te objektet me rëndësi të veçantë si KEK-ut, të cilat i posedon AME-ja, kurse njëkohësisht edhe njësitë profesionale të zjarrfikësve dhe shpëtimit, të cilat kanë pompat edhe njësitë e tyre... kemi pasur numri i rasteve të koordinuara kanë qenë 1070 raste. Numri i intervenimeve në vërshime ka qenë 196, thithja e ujit me pompa të kapacitetit të lartë 24, intervenime teknike 63, persona të evakuuar kanë qenë 42”, tha ai.
Ai shtoi se kanë vendosur barriera kundër vërshimeve dhe thasëve në Mitrovicë, në veçanti në lagjen te Ura e Ibrit.
Abdullahu theksoi se mungesa e mirëmbajtjes së lumenjve, deformimi i shtretërve pas luftës dhe hedhja e mbeturinave, kanë rritur ndjeshëm rrezikun e vërshimeve në shumë komuna të Kosovës.
"Hartat e lumenjve të cilët rrezikojnë do t’i kemi në raport, do t’i dërgojmë dhe do t’i keni të gjitha detajet, sepse të gjithë lumenjtë në Kosovë vërshojnë komunat të cilat shpeshherë edhe po përsëriten, domethënë janë plotësisht këta lumenj të cilët nuk janë përmbajtur, nuk janë mirëmbajtur apo shtrati i tyre është deformuar në mënyrë të egër pas luftës, do të thotë rëra që kanë nxjerrë të gjitha ato kompani, por edhe hedhja e mbeturinave në lumenj të lirë, kështu që kanë shkaktuar… çdo lum është i degraduar dhe duhet të mirëmbahet, të pastrohet, është primare që të sigurohet jeta e qytetarëve, ambienti, prona, ku njëkohësisht edhe për gjallesat, për secilin, duhet t’i kemi ato lumenj, që ne si i kemi pikërisht për këto arsye të ndotjes dhe të degradimit të lumenjve", theksoi Abdullahu.
“Nga analiza dhe mësimet e nxjerra, kemi nxjerrë rekomandime. Pastrimi dhe mirëmbajtja e rregullt e shtretërve të lumenjve, monitorimi i vazhdueshëm i zonave me rrezik të lartë, hartimi dhe zbatimi i planeve lokale për menaxhimin e rrezikut nga fatkeqësitë natyrore, ndarja e qartë e përgjegjësive ndërmjet nivelit lokal dhe atij qendror, ndalimi i ndërtimeve në zonat e rrezikuara nga vërshimet dhe forcimi i inspektimeve ndërtimore, rritja e kapaciteteve të reagimit në emergjencë përmes trajnimeve të rregullta dhe pajisjeve adekuate të strukturave lokale, vetëdijesimi i qytetarëve për rreziqet dhe fatkeqësitë natyrore dhe forcimi i sistemit për paralajmërim të hershëm”, tha ai. /KP/
Drejtoria për Urbanizëm dhe Mbrojtje të Mjedisit në Komunën e Drenasit ka njoftuar se është zgjatur afati për paraqitjen e kërkesave për legalizimin e objekteve të ndërtuara pa leje ndërtimore.
Sipas njoftimit, vendimi është marrë në mbështetje të një vendimi të Ministrisë së Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, me të cilin afati për dorëzimin e aplikacioneve për procesin e legalizimit është zgjatur për dymbëdhjetë muaj.
Me këtë vendim, qytetarëve të Komunës së Drenasit u mundësohet vazhdimi i paraqitjes së kërkesave për trajtimin administrativ të objekteve të ndërtuara pa leje, brenda periudhës së re të përcaktuar.
Aplikimet për legalizim bëhen pranë Drejtorisë për Urbanizëm dhe Mbrojtje të Mjedisit në Komunën e Drenasit, në përputhje me procedurat dhe dokumentacionin e paraparë me legjislacionin në fuqi.
Nga komuna u bëhet thirrje të gjithë qytetarëve që i plotësojnë kushtet ligjore që ta shfrytëzojnë këtë mundësi dhe të aplikojnë brenda afatit të caktuar. /Telegrafi/