Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

KRU “Hidroregjioni Jugor” shkyç konsumatorët me borxhe të papaguara

24 December 2025 at 15:44


Inspektoriati i KRU “Hidroregjioni Jugor” në bashkëpunim me njësitë operuese, ka vazhduar sot aksionin e shkyçjeve për konsumatorët që nuk i kanë përmbushur detyrimet financiare ndaj kompanisë.

Gjatë ditës janë realizuar gjithsej 25 shkyçje, nga të cilat 15 në Prizren dhe 10 në Suharekë.

Shkyçjet vijnë pas thirrjeve dhe afateve të përsëritura për pagesë, të cilat nuk janë respektuar nga konsumatorët e prekur.

KRU “Hidroregjioni Jugor” ka bërë të ditur se nuk do të ketë më tolerancë apo falje për konsumatorët që nuk e kryejnë pagesën e obligimeve, duke nënvizuar rëndësinë e respektimit të kontratave dhe sigurimin e furnizimit të pandërprerë me ujë. /Telegrafi/


Abdixhiku: Kur shteti bllokohet,  qytetet si Suhareka mbeten pa investime e përkrahje

22 December 2025 at 22:05


“Kur shteti bllokohet, qytetet si Suhareka mbeten pa investime, projekte dhe përkrahje”, ka deklaruar i pari i LDK-së, njëherësh kandidati për Kryeministër Lumir Abdixhiku, gjatë tubimit në Suharekë.

Ai kritikoi çasjen e qeverisë në detyrë karshi zhvillimit, dhe jo vetëm.

“Viti i fundit ka qenë vit i bllokadës institucionale, ndërsa pesë vitet e fundit kanë qenë vite të humbura për Kosovën. Institucionet janë paralizuar. Vendimmarrja është bllokuar”, tha ai.

Abdixhiku po ashtu potencoi se konfliktet politike dhe shkeljet kushtetuese kanë prodhuar pasiguri.



Nxënësit nga Peqani i Suharekës vizitojnë “Reporting House”, njihen me historinë bashkëkohore të Kosovës

15 December 2025 at 13:28


Nxënësit e Shkollës Fillore dhe të Mesme të Ulët “Dëshmorët e Tivarit” nga fshati Peqan i Komunës së Suharekës kanë realizuar një vizitë edukative në muzeun “Reporting House” në Prishtinë, e organizuar nga organizata EC Ma Ndryshe.

Gjatë kësaj vizite, nxënësit patën mundësinë të njihen nga afër me historinë bashkëkohore të Kosovës përmes gazetarisë, fotografisë dhe artefakteve mediatike që dokumentojnë periudhën 1989–1999, duke përfshirë rezistencën paqësore, luftën e armatosur dhe procesin e çlirimit të vendit.

Siç thuhet në njoftimin e EC Ma Ndryshe, muzeu “Reporting House” trajton gjithashtu shkeljet e të drejtave të njeriut gjatë kësaj periudhe, duke e shndërruar këtë hapësirë kulturore në një vend të rëndësishëm të kujtesës kolektive, drejtësisë dhe edukimit për brezat e rinj.

Për nxënësit nga Peqani, kjo vizitë u vlerësua si një përvojë e rëndësishme mësimore, që ndihmon në kuptimin e rolit të medias dhe artit në ruajtjen e së vërtetës dhe ndërtimin e narrativave të qëndrueshme historike.

Aktiviteti është realizuar në kuadër të projektit “Trashëgimia kulturore për të gjithë: Ruajtja, edukimi, zhvillimi dhe inovacioni”, i cili zbatohet nga EC Ma Ndryshe me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, me synim afrimin e të rinjve me trashëgiminë kulturore dhe historinë e Kosovës. /Telegrafi/


Berisha pyetet për ish-krerët e UÇK-së: Zotëri unë jam kosovar

11 December 2025 at 22:53


Ish-kryeministri i vendit Sali Berisha e tha edhe sonte, 11 dhjetor, përballë gazetarit Blendi Fevziu në “Opinion” se “ai është kosovar” dhe se asnjëherë në jetën e tij nuk ka bërë dallim mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Foli edhe për burgosjen e katër ish-krerëve të UÇK-së.

Sali Berisha: Zotëri, unë jam kosovar, unë nuk mendoj dot…

Pyetje: Si je kosovar?

Sali Berisha: Jam kosovar unë, Tropoja është Kosovë, siç është Mitrovica, Suhareka. Po të më pyesësh mua, unë mendoj sa për Shqipërinë, edhe për Kosovën, nuk kam ndonjë dallim..

Po a ishte i tensionuar raporti i tij me Hashim Thaçin?

“Jo absolutisht! Ka ardhur në zyrë dhe i kam dhënë mbështetje të plotë, kthehu të mitingu, te deklaratat e mia për UÇK-në”, u përgjigj kryedemokrati.

Madje, kujtoi momentin kur një zyrtar britanik i kishte thënë se “ai është komisar i UÇK-së”.

“Jo i them unë, nuk jam komisar. Unë e mbështes luftën dhe lëvizjen. Pse thotë atëherë, shtëpia jote është bërë bazë e tyre? Është bërë bazë prej traditës së familjes time, bindjes time. Ata janë vrarë për Kosovën”, rrëfeu Berisha.

Për katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që ndodhen në Hagë, tha me bindje se “ata janë të pafajshëm”.

“Kur them këtë, unë jam njeri që pranoj plotësisht ligjin e vendit dhe atë ndërkombëtar, por deri sot, nuk kam gjetur asnjë dëshmi të vetme, të faktojë krimet e tyre”, deklaroi kryetari i PD-së.

Deklaroi se pas luftërave të Skënderbeut, lufta e UÇK-së është “faqja më e ndritur e luftërave të shqiptarëve”./Tv Klan

Mbyllen ndeshjet e Kupës së Kosovës, favoritët kalojnë në fazën e 1/8-tës

4 December 2025 at 15:18


Kanë përfunduar gjashtë ndeshjet e ditës së sotme (e enjte) të Kupës së Kosovës, të vlefshme për fazën e 1/16-tës, ku tutje kanë kaluar skuadrat favorite.

Pas ditës së djeshme (e mërkurë), ku fitore morën të gjitha ekipet e Superligës së Kosovës dhe siguruan kualifikimin, edhe gjatë ditës së sotme kanë fituar favoritët.

Fituesi i Kupës së fuqi, Prishtina fitoi në udhëtim te Top Football me rezultat 0-2, duke siguruar kalimin në fazën e 1/8-tës.

Në anën tjetër, Dinamo e Ferizajt mposhti 2 Korrikun në Prishtinë me rezultat 0-3, ndërsa Vushtrria fitoi gjithashtu në udhëtim te Flamurtari me rezultat 0-2.

Me rezultat të njëjtë 0-2 dhe si mysafir fitoi edhe Feronikeli ’74 ndaj Istogut ’03, si dhe Vëllaznimi ndaj KEK-ut.

E vetmja ndeshje e cila nuk u mbyll pas 90 minutave lojë ishte ajo në mes të Lirisë dhe Suharekës, e cila përfundoi me rezultat 1-1 dhe pas vazhdimeve ishin prizrenasit që kaluan tutje pas fitores 2-1.

Gjatë ditës së nesërme (e premte) zhvillohet vetëm ndeshja e fundit e kësaj faze në mes të Kika –Trepça ’89. /Telegrafi/

Kupa e Kosovës: Sot zhvillohen gjashtë ndeshje interesante

4 December 2025 at 08:23


Sot (e enjte) janë në program për t’u zhvilluar gjashtë ndeshje të fazës së 1/16-tës në Kupën e Kosovës në futboll.

Faza e 1/16-tës në Kupën e Kosovës nisi të mërkurën me nëntë ndeshje, ku nuk pati ndonjë befasi dhe favoritët avancuan tutje.

Klubet e Superligës si Drita, Ballkani, Gjilani, Llapi, Dukagjini, Malisheva, Prishtina e Re, Drenica dhe Ferizaj kaluan në fazën e 1/8-tës duke eliminuar kundërshtarët e tyre që ishin të gjithë nga Liga e Parë.

Në anën tjetër, ndeshjet janë më të kombinuara, me Prishtinën që pret TOP Futbollin nga Liga e Dytë, ndërsa çiftet tjera janë nga Liga e Parë.

Liria-Suhareka, Flamurtari-Vushtrria, 2 Korriku-Dinamo, KEK-u-Vëllaznimi dhe Istogu-Feronikeli ’74 do të luajnë sot për një vend në 1/8-tën.

Të gjitha ndeshjet e ditës së sotme janë programuar të fillojnë nga ora 12:30, teksa gjatë ditës së nesërme (e premte) zhvillohet vetëm ndeshja e fundit Kika –Trepça ’89.

Çiftet e sotme në Kupën e Kosovës

2 Korriku –Dinamo

Flamurtari –Vushtrria

Istogu 03 –Feronikeli ‘74

Top Football –Prishtina

KEK-u –Vëllaznimi

Liria –Suhareka

/Telegrafi/

Suhareka në gatishmëri për reshjet e dendura dhe rrezikun e vërshimeve

18 November 2025 at 12:44


Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka njoftuar qytetarët se pas paralajmërimeve të IHMK-së për reshje të dendura shiu dhe rrezik të vërshimeve të shpejta, situata po monitorohet në kohë reale.

Komuna ka vënë në gatishmëri të gjitha ekipet komunale, zjarrfikësit dhe shërbimet e nevojshme për t’u përgjigjur çdo situate emergjente, përcjell Telegrafi.

Qytetarëve u bëhet thirrje për kujdes të shtuar, duke shmangur qarkullimin pranë lumenjve dhe zonave të ulëta, duke raportuar çdo situatë të rrezikshme dhe duke ndjekur njoftimet zyrtare dhe rekomandimet e institucioneve.

Kryetari Muharremaj thekson se ekipet komunale janë në terren dhe në shërbim të qytetarëve, duke garantuar reagim të shpejtë dhe efektiv gjatë kësaj periudhe me reshje intensive. /Telegrafi/


Asfaltimi i rrugës në fshatin Ngucat, aktakuzë ndaj shtatë zyrtarëve nga Suhareka

17 November 2025 at 10:24


Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj shtatë personave për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe mashtrim në prokurim publik, lidhur me një projekt infrastrukture në Komunën e Suharekës.

Të pandehurit B.K., M.B., E.Sh., A.E., B.N. dhe Z.T. akuzohen se më 14 korrik 2019, në cilësinë e personave zyrtarë, kanë tejkaluar kompetencat ose nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre me qëllim të mundësimit të përfitimeve të kundërligjshme për të tjerët, duke i shkaktuar dëm buxhetit të Republikës së Kosovës në shumën prej 24,308 euro. Prokuroria i ngarkon me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, sipas nenit 414 të Kodit Penal, përcjell Telegrafi.

Sipas aktakuzës, B.K., menaxher i kontratës lidhur me asfaltimin e rrugës që lidh fshatin Ngucat, ka marrë pjesë në përpilimin e raportit ku ishin përfshirë të dhëna të pasakta për ndërtimin e një ure metalike, e cila në fakt nuk ishte realizuar. M.B., zyrtar i prokurimit, ka nënshkruar kontratën ku figuron ura metalike dhe ka mundësuar pagesën për të, pavarësisht se punimet nuk ishin kryer. E.Sh., drejtor i shërbimeve publike, nuk i ka përmbushur detyrat për përgatitjen e dokumentacionit teknik dhe projektues, duke lejuar mospërputhje ndërmjet projektit dhe kontratës.

Po ashtu, A.E., si hartues i projektit, sipas aktakuzës, ka përgatitur para-masën dhe para-llogarinë me të dhëna të pasakta, duke ndryshuar përmbajtjen mes projektit dhe kontratës lidhur me ndërtimin e murit mbrojtës dhe urës metalike. Ndërkohë, B.N., monitorues i caktuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, dhe Z.T., mbikëqyrës i përzgjedhur me tender, kanë nënshkruar raportin dhe kanë përgatitur certifikatën e pagesës edhe pse ura e paraparë nuk ishte ndërtuar.

Në një procedim të ndarë, Prokuroria ka ngritur aktakuzë edhe ndaj A.M., përfaqësues i grupit të operatorëve ekonomikë, i cili akuzohet për veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”, pasi ka paraqitur raport ku deklarohej se punimet për ndërtimin e urës metalike në vlerë prej 24,308 euro ishin kryer, pavarësisht se ura nuk ishte ndërtuar.

Prokurori i çështjes ka propozuar që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit. Për personat zyrtarë është kërkuar edhe shqiptimi i dënimit plotësues — ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose shërbimin publik. /Telegrafi/

Mërgimtari nga Suhareka ankohet se nuk u lejua të votojë

9 November 2025 at 10:05


Sali Vata, i cili jeton në Gjermani ka thënë se i është pamundësuar që të ushtrojë të drejtën e votës. Ai ka thënë se këto ditë ka qëndruar për pushime në vendlindjen e tij, Suharekë, dhe se në zgjedhjet e 12 tetorit ka votuar përmes postës. Por, ai e vlerëson të padrejtë që t’i pamundësohet votimi në Kosovë, meqë sipas tij ai është qytetar i këtij vendi.

Sali Vata, i cili jeton në Gjermani ka thënë se i është pamundësuar që të ushtrojë të drejtën e votës. Ai ka thënë se këto ditë ka qëndruar për pushime në vendlindjen e tij, Suharekë, dhe se në zgjedhjet e 12 tetorit ka votuar përmes postës. Por, ai e vlerëson të padrejtë që t’i pamundësohet votimi në Kosovë, meqë sipas tij ai është qytetar i këtij vendi.

Ai ka thënë se nuk ka pasur mundësi të ushtrojë të drejtën e votës, meqë i është thënë se nuk i lejohet që një gjë të tillë ta bëjë në Kosovë.

“Unë jam një mërgimtar, jetoj dhe veproj në Gjermani që 32 vjet, kemi aplikuar në rundin e parë të votojmë me postë, kemi votuar me postë. Tash prej të shtunës jam këtu, posta na ka kthyer para balotazhit tek të martën na ka ardhur, pushimin e kam prej të shtunës, këtu tentova të votojë jam në listën e votuesit, më dërguan në shkollën ‘Bajraktari’ të votojë me kusht, shkuan atje, telefonuan, biseduan, jo thanë nuk lejon sistemi të votosh. Kjo është një pakënaqësi ndaj neve mërgimtarëve, jo për mua si qytetar por kur më bëhet mua si qytetar, si mërgimtar. Tash ne si rasti im, e kam pushimin, ta humbi pushimin vetëm pse kam aplikuar me postë, e para. Dhe e dyta, nuk ka justifikim që mund të ketë parregullsi apo votohet dy herë”, ka thënë ai për KosovaPress.

Ai kërkon që të rregullohet një gjë e tillë, meqë konsideron se është e pamundur të manipulohet.

“Nuk mundesh se t’i duhet ta shtypësh kërkesën që do të aplikosh për t’u regjistruar, duhet ta futesh në postë, është numri i letërnjoftimit, nuk ka mundësi mërgimtari dy herë të votojë, sepse bie në kundërshtim me Kushtetutën, pse mos të mundësohet edhe vota me kusht. Kjo është një padrejtësi, këtu po e ndjejë vetën të mohuar prej të drejtës legjitime për të marrë pjesë në shtetndërtim dhe të mohohet kjo e drejtë.... Le të jetë ky si shembull që të korrigjohet ky gabim katastrofal, se je qytetar i këtij vendi, pse me të heq prej listës, nuk mund të bësh manipulime, unë jam këtu, nuk mund të votojë askush atje”, ka shtuar ai.

Në Suharekë kanë të drejtë vote mbi 69 mijë qytetarë, ndërkaq mbi tre mijë janë jashtë Kosovës.

Gara në Suharekë në këtë balotazh të zgjedhjeve lokale zhvillohet mes Bali Muharremajt të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Ardian Shalës së Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Handikos Suharekë pranon donacion të ri nga bashkatdhetarët në Gjermani

3 November 2025 at 15:21


Shoqata Handikos Suharekë ka pranuar një donacion të ri nga bashkatdhetarët tanë që jetojnë në Gjermani, të cilët vazhdimisht po tregojnë përkushtim ndaj mbështetjes së personave me aftësi të kufizuara në vendlindje.

Donatorët Armend dhe Adem Veselaj nga fshati Reqan i Suharekës, si dhe bashkatdhetari Avni Kurmehaj nga Strellci i Deçanit, me vendbanim në München të Gjermanisë, kanë dhuruar për qendrën: 3 karroca normale, 1 karrocë speciale dhe 9 rolatorë (shetitore).

Ky donacion do të shërbejë për përmirësimin e kushteve të lëvizshmërisë dhe jetës së përditshme të anëtarëve të Handikos Suharekë.

Nga kjo organizatë u shpreh mirënjohje e veçantë për gjestin human dhe mbështetjen e vazhdueshme që këta bashkatdhetarë po tregojnë ndër vite.

“Faleminderit dhe u jemi mirënjohës gjithmonë për kontributin tuaj ndaj qendrës sonë dhe komunitetit të personave me aftësi të kufizuara” – thuhet në njoftimin e Handikos Suharekë. /Telegrafi/


Në Suharekë thirret takim i jashtëzakonshëm pas një rasti të rëndë të dhunës në familje

31 October 2025 at 15:40


Mekanizmi Komunal Kundër Dhunës në Familje në Komunën e Suharekës ka mbajtur një takim të jashtëzakonshëm pas raportimit të një rasti të rëndë të dhunës në familje.

Në takim morën pjesë përfaqësues të institucioneve relevante, përfshirë Policinë e Kosovës, Qendrën për Punë Sociale, Prokurorinë, Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare, Zyrën për Barazi Gjinore dhe organizatat partnere që merren me mbrojtjen e viktimave, përcjell Telegrafi.



Pas shqyrtimit të rastit, anëtarët e mekanizmit kanë rekomanduar reagim të menjëhershëm institucional dhe mbrojtje të viktimës, koordinim të ngushtë ndërinstitucional, ofrim të mbështetjes psikologjike e sociale dhe ndjekje të vazhdueshme të rastit deri në zgjidhjen përfundimtare.

Komuna e Suharekës dhe Mekanizmi Kundër Dhunës në Familje kanë theksuar përkushtimin e tyre në mbrojtjen e viktimave dhe forcimin e reagimit institucional ndaj çdo forme të dhunës në familje. /Telegrafi/

Sukses i madh i Klubit “Puma” nga Suhareka në Kampionatin Ballkanik të Taekwondos

24 October 2025 at 15:36


Klubi i Taekwondos “Puma” nga Suhareka ka shënuar një tjetër sukses të madh në arenën ndërkombëtare, duke marrë pjesë me pesë garuese në Kampionatin Ballkanik të Taekwondos, ku konkuruan gjithsej 750 sportistë nga 12 shtete të Ballkanit.

Garueset e klubit “Puma” përfaqësuan me krenari Republikën e Kosovës dhe qytetin e Suharekës, duke arritur rezultate të shkëlqyera: Valina Fetiu – Vendi i parë (Kampione Ballkanike), Shega Sejdiu – Vendi i tretë, Rina Krasniqi, Olta Krasniqi, Diell Sejdiu, përcjell Telegrafi.

Rrugëtimi i Valina Fetiut, e cila tashmë është Kampione Ballkanike dhe Nënkampione e Europës, u shënua nga një paraqitje mbresëlënëse: ajo kaloi pa kundërshtare në luftën e parë, fitoi me bindje ndaj nënkampiones evropiane nga Bosnja në të dytën, dhe në finale triumfoi ndaj garueses nga Maqedonia e Veriut, duke siguruar medaljen e artë.



Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka përgëzuar garueset për suksesin e arritur, duke theksuar se ky rezultat është dëshmi e përkushtimit të madh të sportisteve, punës profesionale të trajnerëve dhe mbështetjes së vazhdueshme të prindërve.

“Suksesi i vajzave të klubit ‘Puma’ është një shembull frymëzues për të rinjtë tanë dhe një dëshmi se me disiplinë, përkushtim dhe dashuri për sportin mund të arrihen rezultate të jashtëzakonshme,” ka deklaruar kryetari Muharremaj.

Ky arritje e re vendos klubin “Puma” ndër më të suksesshmit në vend dhe e forcon pozitën e Suharekës si një qendër me traditë dhe potencial të madh në sportet luftarake. /Telegrafi/

KRU “Hidroregjioni Jugor” shkyç 13 lidhje ilegale të ujësjellësit në Prizren dhe Suharekë

24 October 2025 at 15:03


Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” njofton se gjatë kësaj jave ekipet inspektuese kanë ndërmarrë aksione në terren, ku janë identifikuar dhe shkyçur gjithsej 13 lidhje ilegale nga rrjeti i ujësjellësit, përcjell Telegrafi.

Sipas njoftimit zyrtar të kompanisë, rastet e evidentuara janë regjistruar në: Prizren – 9 lidhje ilegale, Suharekë – 4 lidhje ilegale.

Nga “Hidroregjioni Jugor” bëhet e ditur se aksionet për zbulimin dhe parandalimin e keqpërdorimeve me ujin do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.



Kompania thekson se ndaj të gjithë personave të përfshirë në raste të tilla do të ndërmerren masat përkatëse ligjore.

“Apelojmë tek të gjithë konsumatorët që të respektojnë rregullat dhe të shmangin veprimet e jashtëligjshme, të cilat dëmtojnë furnizimin e drejtë dhe të rregullt me ujë për qytetarët tanë”, thuhet në komunikatën e kompanisë.

KRU “Hidroregjioni Jugor” falënderon qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e tyre në ruajtjen e një sistemi të drejtë dhe të qëndrueshëm të furnizimit me ujë. /Telegrafi/

Gjoba për personat që hynë me vetura në parkun rekreativ të Suharekës

23 October 2025 at 08:17


Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka reaguar pas një rasti ku disa persona janë futur me automjete në zonën e parkut rekreativ të qytetit, përcjell Telegrafi.

Ai ka bërë të ditur se për personat e përfshirë është njoftuar policia dhe se ndaj tyre do të ndërmerren masa ndëshkuese në përputhje me ligjin.

Muharremaj theksoi se hapësirat publike janë të destinuara për sportistë, fëmijë dhe qytetarë që i shfrytëzojnë sipas rregullave, duke bërë thirrje për respektim të ambienteve të përbashkëta.

Kryetari ka falënderuar qytetarët që raportuan rastin, duke nënvizuar rëndësinë e kujdesit të përbashkët ndaj pronës publike. /Telegrafi/


Kundërvajtjet kapen nga kamerat e sigurisë, gjobat dorëzohen në shtëpi - Suhareka fillon e para

21 October 2025 at 15:36


Policia e Kosovës, edhe drejtoria rajonale në Prizren, edhe më herët ka njoftuar se shpërndarja e gjobave për kundërvajtësit në komunikacion do të bëhet edhe përmes Postës së Kosovës.

Sipas një njoftimi të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se konkretisht, stacioni Policor në Suharekë këtë javë ka filluar dërgimin e gjobave përmes postës për ata që kanë kryer kundërvajtje.

“Është me rëndësi të theksohet se kundërvajtësit janë identifikuar përmes kamerave të sigurisë që ndodhen në qytet dhe monitorohen nga policia. Informojmë edhe një herë qytetarët se jeni të detyruar të zbatoni rregullat e trafikut, me qëllim që së bashku t’i bëjmë rrugët tona më të sigurta dhe më të kalueshme për të gjithë”, thuhet në njoftim.

Po ashtu siç bëhet e ditur në njoftim kundërvajtësit, përveç që mund të ndalohen drejtpërdrejt nga patrullat policore, mund të identifikohen edhe përmes kamerave të sigurisë.

“Nëse keni kryer një kundërvajtje dhe ajo është regjistruar nga kamerat, në bazë të këtij regjistrimi do t’ju shqiptohet gjoba përkatëse, e cila do t’ju dërgohet në shtëpi përmes Postës së Kosovës. Respektoni rregullat në komunikacion – mos rrezikoni veten dhe të tjerët”, thuhet ndër të tjera në njoftim. /Telegrafi/


Institucionet e Suharekës bashkëpunojnë për parandalimin e dhunës në familje

10 October 2025 at 15:17


Në Komunën e Suharekës u zhvillua takimi i tretë i Mekanizmit Kundër Dhunës në Familje për këtë vit, me qëllim forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe rritjen e vetëdijesimit qytetar për parandalimin e dhunës.

Në takim mori pjesë nënkryetarja e komunës, Mhirije Suka, e cila theksoi rëndësinë e koordinimit mes institucioneve për mbrojtjen e viktimave dhe parandalimin e rasteve të dhunës në familje, përcjell Telegrafi.



Koordinatorja e mekanizmit, Habibe Bytyqi, prezantoi analizën e rasteve të raportuara gjatë nëntëmujorit të parë të vitit 2025, duke nënvizuar përkushtimin e institucioneve në trajtimin dhe adresimin e këtyre situatave.

Gjatë diskutimeve u evidentuan mënyra të reja për përmirësimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe për forcimin e vetëdijes qytetare mbi rëndësinë e parandalimit të dhunës në familje. /Telegrafi/

Ardian Shala: Kultura është identiteti dhe pasuria shpirtërore e Suharekës

6 October 2025 at 22:25


Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për komunën e Suharekës, Dr. Ardian Shala, ka theksuar rëndësinë që kultura ka për zhvillimin dhe identitetin e qytetit.

“Kultura është identiteti dhe pasuria shpirtërore e qytetit tonë. Përmes saj ruajmë traditën, krijimtarinë dhe ndërtojmë ura komunikimi me brezat e rinj,” ka shkruar Shala.

Ai ka bërë të ditur se në programin e tij politik, kultura zë një vend të veçantë, duke premtuar mbështetje për institucionet kulturore, festivalet tradicionale dhe moderne, promovimin e trashëgimisë historike, si dhe përfshirjen aktive të të rinjve në art dhe krijimtari.


Ardian Shala: Fuqizimi i grave, prioritet i LDK-së në Suharekë

26 September 2025 at 23:25


Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Suharekës, Dr. Ardian Shala, ka vazhduar sot fushatën elektorale me fokus tek roli i grave në vendimmarrje dhe fuqizimi i tyre në shoqëri.

Në një aktivitet të mbajtur bashkë me deputeten Hykmete Bajrami dhe Forumin e Gruas të LDK-së, Shala ka takuar shumë gra të qytetit, duke diskutuar me to mbi sfidat dhe mundësitë në jetë e biznes.

Deputetja Bajrami theksoi se gratë duhet të kenë rol më të madh në politikë dhe ekonomi, duke bërë apel që qytetarët të mos i mbështesin ata që, siç tha ajo, “keqpërdorin taksat e qytetarëve”.

Shala dhe ekipi i tij vizituan edhe disa biznese në pronësi të grave në Suharekë, mes tyre fabrikën eksportuese Dimali-Tex të znj. Mimoza Kuçi, ku punojnë mbi 60 gra dhe produktet eksportohen në Gjermani, si dhe restorantin Sofër n’Shesh, të znj. Shqiponja Bujari-Berisha, e cila ka sjellë traditën e kuzhinës vendore në zemër të qytetit.

“Suhareka ka gra të guximshme e vizionare, shembuj frymëzues që na motivojnë të punojmë edhe më shumë për fuqizimin e tyre në jetën publike, sociale dhe ekonomike,” ka deklaruar Shala.


Suhareka pret edicionin e 24-të të manifestimit tradicional “Festari”

15 September 2025 at 15:53


Suhareka, 15 shtator 2025 – Komuna e Suharekës do të jetë nikoqire e edicionit të 24-të të manifestimit tradicional “Festari”, që këtë vit do të zhvillohet nga 15 deri më 20 shtator 2025.

Përmes një njoftimi publik, kryetari i komunës, Bali Muharremaj, ka ftuar qytetarët që të marrin pjesë në këtë aktivitet gjithëpërfshirës, ku do të jenë të pranishëm artistë, sportistë, shkrimtarë dhe figura të tjera të njohura nga fusha të ndryshme të jetës publike.

“Nga 15 deri më 20 shtator, Suhareka do të bëhet zemra e festës që na identifikon të gjithëve. Ky edicion i 24-të do të pasurohet me artistë, sportistë dhe shkrimtarë, duke sjellë kulturë, gjallëri dhe një atmosferë unike për qytetin tonë,” ka deklaruar kryetari Muharremaj.

Festari është një nga aktivitetet më të rëndësishme kulturore në Suharekë, që promovon vlerat lokale dhe bashkëpunimin mes qytetarëve dhe artistëve. /Telegrafi/


Fillojnë punimet për stadiumin e ri në Suharekë, investim prej 11 milionë eurosh

By: Kult Plus
3 September 2025 at 18:50

Në Suharekë kanë nisur punimet për ndërtimin e stadiumit të ri të qytetit, një projekt madhor i financuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit me vlerë prej 11 milionë eurosh. Stadiumi pritet të përfundojë brenda dy vitesh dhe do të ketë kapacitet mbi 6,500 ulëse, duke përmbushur kriteret e kategorisë 2 plus të UEFA-s.

Në ceremoninë e hapjes morën pjesë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, si dhe Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, përcjellë KultPlus.

Kryeministri Kurti e cilësoi këtë projekt si një “lajm të madh për Suharekën dhe futbollin e Kosovës”, duke e lidhur me sukseset ndërkombëtare të KF Ballkanit:

“Me këtë investim po lajmë një pjesë të borxhit shtetëror ndaj klubit Ballkani, që me arritjet e tij ka ngritur imazhin e shtetit tonë.”

Nga ana e tij, Ministri Çeku theksoi se ky investim është pjesë e një programi të gjerë për zhvillimin e infrastrukturës sportive në gjithë vendin:

“Tradita sportive e Suharekës dhe rezultatet e jashtëzakonshme të Ballkanit meritojnë këtë projekt të madh.”

Stadiumi i ri do të jetë shtëpia moderne e KF Ballkanit, por edhe një qendër sportive për klubet e tjera të qytetit, duke krijuar kushte të avancuara për zhvillimin e talenteve të rinj./KultPlus.com

❌
❌