Finalizohet faza e katërt e operacionit policor të koduar “Neonët 4”. Shkon në 7 numri i ambienteve të zbuluara dhe të goditura në kuadër të këtij operacioni.
Gjatë këtij operacioni është arrestuar Gjovalin Binaku 22 vjeç, dhe u ndalua shtetasi Robert Vata.
22-vjeçari kishte marrë me qira një banesë në Velipojë dhe e kishte përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike me anë të llambave.
Në pranga ka rënë edhe 1 punonjës i OSHEE-së, ndërsa 2 punonjës të tjerë u proceduan penalisht për shpërdorim detyre, kryer në bashkëpunim.
U sekuestruan 300 bimë të dyshuara narkotike kanabis, një sasi kanabisi, 125 pajisje elektrike që shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike, 4 celularë dhe një përforcues grushti.
Nga kontrollet në një ambient (banesë), në Velipojë, të përshtatur për kultivimin dhe tharjen e bimëve narkotike kanabis, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 308 bimë të dyshuara kanabis, 85 gramë të kësaj lënde të tharë, 122 pajisje elektrike që shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike dhe 4 celularë.
Gjithashtu, nga kontrolli i ushtruar në banesën e shtetasit Robert Vata, u gjetën dhe u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 3 llamba dhe një përforcues grushti.
Vijon puna intensive për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.
Materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë së Shkodrës, për veprime të mëtejshme.