Në një bashkëbisedim me qytetarët e Junikut, kandidati për kryeministër Albin Kurti, ka përmendur disa nga politika zhvillimore të këtij mandati për Junikun.
Ai tha se Qeveria ka ndarë rreth 8 milionë euro për realizimin e projekteve infrastrukturore, përfshirë rrugët Junik–Gjeravicë, Junik–Rastavicë, rrugën unazore dhe lidhjen rrugore të qytetit me fshatrat Jasiq dhe Gjocaj.
Tutje, Kurti tha se Qeveria ka investuar në turizëm, në ndërtimin e objektit të ri të shkollës fillore, çerdhes, kanaleve të ujitjes dhe stacionit të autobusëve, duke forcuar shërbimet publike dhe mirëqenien e qytetarëve.
Prandaj ai i ftoi qytetarët e Junikut, që të bashkohen, duke votuar numrin 116, për të vazhduar zhvillim tutje të Junikut, e për të shtrirë sigurinë e begatinë në tërë Kosovën. /Telegrafi/
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka dërguar urimet e tij për Krishtlindjet, duke theksuar rëndësinë e festës si një kohë reflektimi dhe mirënjohjeje.
Në një postim, Kurti ka shkruar se Krishtlindja është kremtim dhe reflektim.
"Krishtlindja është kremtim dhe reflektim, urim dhe mirënjohje, besim dhe shpresë", ka shkuar Kurti.
Kreu i Qeverisë në detyrë ka theksuar se në këtë ditë të shënuar besimtarët e krishterë paçin begati .
"Të dashur besimtarë të krishterë, urime këtë datë të shënuar dhe paçi një ditë të gëzuar e të begatë me më të dashurit tuaj. Uroj që mirësia e Zotit t’ju përcjellë gjithmonë dhe dashuria për tjetrin t’ju shtohet përherë”, ka shkruar Kurti.
Ky mesazh nënvizon vlerat e solidaritetit, respektit dhe dashurisë në këtë periudhë festive. /Telegrafi/
Kryeministri në detyrë, dhe kandidati për Kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, ka marrë vendim të ndajë shtesa për pensionistët dhe fëmijët.
Kjo tha Kurti do të ndodhë "pas fitores së bindshme më 28 dhjetor".
Në një deklaratë për Facebook, Kurti tha se edhe pse opozita nuk ka votuar buxhetin, qeveria në detyrë ka bërë të mundur që mbështetja e fundvitit të sigurohet dhe të procedohet para natës së Vitit të Ri.
"Me fitoren tonë, Viti i Ri vjen më herët. Urime festat e fundvitit dhe t’i gëzoni bashkë me familjet tuaja“, u shpreh Kurti.
Në një tubim madhështor, si përherë, u prit në Gjakovë Kryeministri Albin Kurti.
Para qytetarëve të shumtë, ai përmendi disa nga investimet e Qeverisë në këtë mandat për Gjakovën, duke përfshirë ato në shkolla, ambulanca, projekteve për ujë të pijshëm, ngrohjes qendrore, infrastrukturës rrugore, si dhe stadium të qytetit.
Në mandatin e ardhshëm qeverisës, Kurti tha se në Gjakovë do të ndërtohet Fabrika e parë e Municioneve, për të vazhduar në investimet për spitalin e Gjakovës, zonën ekonomike dhe linjën hekurudhore që lidh portin e Durrësit me portin e thatë të Prishtinës, e cila do të kalojë përmes Gjakovës dhe Shkodrës, duke forcuar lidhjet edhe me Shqipërinë.
Nga Gjakova, Kryeministri i ftoi qytetarët që më 28 dhjetor t’i bashkohen festës së fitores së Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe partnerëve të koalicionit. /Telegrafi/
Kryeministri Albin Kurti zhvilloi një takim me profesionistë të fushave të ndryshme në Mitrovicë, ku foli për zotimet e tij dhe vendimet e para që do të miratohen qysh në mbledhjen e parë të qeverisë.
Sipas Kurtit, këto vendime do të ndikojnë direkt në mirëqenien e qytetarëve dhe përfshijnë:
Buxhet rekord prej 4 miliardë euro për vitin 2026.
Ligji i ri për çmime tavan për produktet bazë.
Heqja e kufizimit të punësimit për veteranët e UÇK-së që përfitojnë beneficione.
Paga e 13-të për zyrtarët publikë në fillim të vitit 2026.
Pakoja për Përballje me Inflacionin 2.0 në vlerë 200 milionë euro, që mbështet pensionistët, studentët, fëmijët, punëtorët e sektorit privat dhe qytetarët që kursejnë energjinë elektrike.
Kurti e përshkroi këtë si një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të jetës së qytetarëve dhe një fillim të fuqishëm për punën e qeverisë së re.
Kandidati për kryeministër nga LVV, Albi Kurti, mbajti një takim me qytetarë, mërgimtarë, studentë dhe punëtorë të komunës së Deçanit.
Gjatë takimit u diskutua për çështje të rëndësishme që prekin drejtpërdrejt zhvillimin e kësaj komune.
Ai vlerësoi si shumë të rëndësishme mbështetjen e Deçanit në rrugën drejt fitores së 28 dhjetorit.
Ndër zotimet kyçe që do të ndikojnë drejtpërsëdrejti në infrastrukturë dhe arsimi edhe për qytetarët e kësaj komune, janë ndërtimi i magjistrales së Dukagjinit që do të kalojë edhe nëpër Deçan, si dhe zbatimi i programit të bursave “Mobiliteti për studentë”, program ky i cili do të mbështesë financiarisht studentët në bazë të distancës mes vendbanimit dhe universiteti ku do të studiojnë.
Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka folur sërish për sulmin terrorist në kanalin Ibër–Lepenc më 29 nëntor 2024, për të cilin Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuza ndaj tre shtetasve serbë, dy prej të cilëve pjesëtarë të strukturave ilegale, të lidhur me institucionet e sigurisë së Serbisë.
Kurti ka thënë se i gjithë sulmi kishte për qëllim që Serbia ta paraqesë Kosovën, si përgjegjëse.
“Sulmi në Ibër -Lepenc nuk ishte një akt i izoluar, por një përpjekje e qëllimshme e Serbisë për sabotimin e Republikës së Kosovës në përmasa të gjera. Një element kyç është edhe fakti se ekspertiza ndërkombëtare forenzike konstaton që eksplozivi me të cilin është kryer sulmi terrorist i asaj nate është me origjinë ushtarake. Si aktakuza ashtu edhe të gjeturat e ekspertizës ndërkombëtare forenzike janë në linjë të plotë me vlerësimet fillestare të institucioneve tona të sigurisë të cilat i pata prezantuar një vit më parë në konferencë të jashtëzakonshme për media në Kryeministri", ka shkruar Kurti.
Ai ka shtuar se grafiku në këtë postim tregon qartë se sulmi terrorist i 29 nëntorit 2024 përbën edhe pikën e lakimit në reagimin qytetar në Serbi, i cili po përshkallëzohej me shpejtësi që nga 1 nëntori 2024, pas tragjedisë në Novi Sad, ku humbën jetën 16 persona.
Kurti thotë se regjimi i Aleksandar Vuçiq, i përballur me një valë protestash në rritje që rrezikonin stabilitetin e tij politik, zgjodhi të godasë Kosovën duke tentuar të zhvendos krizën nga Beogradi drejt veriut të Kosovës, duke futur Kosovën në kolaps energjetik dhe të krijonte pasiguri te qytetarët e komunave veriore.
Sulmi ndaj kanalit të ujit në Varagë, Zubin Potok, ka ndikuar në ngurtësimin e reagimit qytetar në Serbi, duke ndalur përshkallëzimin e mëtejmë të protestave, dhe ky duket të ketë qenë qëllimi i dytë i pushtetit në Serbi, thekson Kurti.
Ky grafik dëshmon se Serbia vazhdon të veprojë sipas modeleve të vjetra të prodhimit të krizave, të ngjashme me praktikat e periudhës së Millosheviqit, duke gjeneruar qëllimisht tensione përreth saj për të ruajtur pushtetin e brendshëm. Metodat hibride ruse vazhdojnë të shërbejnë si një “doracak reference” për destabilizimin e Kosovës dhe të gjithë Ballkanit Perëndimor.
Pas agresionit të armatosur në Banjskë më 24 shtator 2023, edhe sulmi ndaj infrastrukturës kritike në Republikën e Kosovës përbën një tjetër akt të kryer nga aktorë shtetërorë të Serbisë, në bashkëpunim me struktura para-shtetërore, përfshirë terroristin Millan Radoiçiq dhe pjesëtarë të tjerë të rrjetit të tij kriminal-terrorist, përkujton Kurti.
“Kosova u bën thirrje partnerëve të saj ndërkombëtarë që këto zhvillime të mos trajtohen si incidente të izoluara sigurie, por të kuptohen si pjesë e një modeli sistematik të destabilizimit të sponsorizuar nga shteti, i cili rrezikon paqen e stabilitetin rajonal, rendin demokratik dhe arkitekturën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor. Përgjegjësia për këto veprime tashmë është sqaruar; nevojiten sa më shpejt hapa konkretë sanksionues, për të parandaluar përsëritjen e tyre”, përfundon Kurti.
Prokuroria Speciale e Kosovës më 9 dhjetor 2024 ka ngritur aktakuzë ndaj vëllezërve Dragisha e Jovan Viqentijeviq, dhe ndaj Igor Dimoviq, të cilët ngarkohen për sulmin e 29 nëntorit 2024 në kanalin e Ibër-Lepencit.
Shpërthimi në kanalin Ibër-Lepenc nga institucionet e Kosovës u vlerësua si akt terrorist dhe i orkestruar nga Serbia. Ibër-Lepenci furnizon me ujë, nga Liqeni i Ujmanit, disa qytete të Kosovës dhe Korporatën Energjetike të Kosovës.
Pas sulmit terrorist, ndërmarrja Ibër-Lepenc ndërpreu ujin për disa orë për termocentralet. Ndërprerje të ujit ka pasur edhe në Mitrovicë, Skenderaj, Vushtrri, Drenas, Fushë-Kosovë dhe Obiliq. Uji arriti në termocentrale vetëm pas mobilizimit dhe ndërhyrjes së shpejtë për sanimin e dëmeve në Ibër-Lepenc./Telegrafi/
“Kosova dhe Serbia duhet të normalizojnë marrëdhëniet.” Kështu u shpreh kryeministri në detyrë i Kosovës Albin Kurti në një intervistë për AFP-në, ndërsa Kosova mban të dielën zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të dytat brenda këtij viti. “Normalizimi i raporteve me një regjim autoritar që nuk të njeh dhe nuk i pranon krimet e kryera gjatë luftës, është mjaft i vështirë”- shtoi ai…
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka bërë të ditur se Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) është pajisur me sistemin raketor antitank gjerman Panzerfaust 3, si pjesë e forcimit të kapaciteteve mbrojtëse të vendit.
“Sistemi raketor antitank gjerman Panzerfaust 3 pjesë e arsenalit mbrojtës së FSK-së”, ka shkruar Kurti në një postim publik.
Ai ka theksuar se kjo blerje është realizuar gjatë mandatit të tij qeverisës dhe përfaqëson një hap të rëndësishëm në modernizimin e mbrojtjes së Kosovës.
“Gjatë mandatit tonë, Ministria e Mbrojtjes, përveç të tjerash, ka realizuar edhe një blerje tjetër të rëndësishme për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Kurti.
Sipas tij, Panzerfaust 3 është një nga sistemet më të avancuara dhe më të besueshme të këtij lloji, i cili përdoret edhe nga ushtritë e vendeve të NATO-s.
Në fund, kryeministri në detyrë ka theksuar rëndësinë e investimeve në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
“Investimi në mbrojtje është investim për paqen, sovranitetin dhe integritetin e Republikës sonë”, ka përfunduar Kurti. /Telegrafi/
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ishte mysafir në shtëpinë e Ilaz Pirevës.
Si bashkëveprimtar i Adem Demaçit, për Kurtin ai mbetet një nga personalitetet më të qëndrueshme të rezistencës kombëtare.
Albanolog i përkushtuar, Pireva luajti rol të rëndësishëm në organizimin e demonstratave studentore të vitit 1968, ku kërkesat për Universitet dhe Vetëvendosje u shndërruan në parullat qendrore të saj, kujtoi Kryeministri.
Ai ishte katër herë i burgosur politik, por nuk u zmbraps asnjëherë nga qëllimi i tij i drejtë në shërbim të Kosovës.
Në postimin e tij në Facebook, Kurti shtoi se Ilaz Pireve shërbeu edhe si kryetar i Komunës së Podujevës pas luftës, poashtu edhe deputet i Kuvendit të Kosovës.
Ai takoi edhe Skënder Muçollin, student dhe aktivist politik në demonstratat e vitit 1968. Sipas Kryeministrit, që të dy, bashkë me shumë studentë të tjerë të asaj kohe, ndërtuan themelet e rrugës së rezistencës, si trashëgimi edhe e brezave pas tyre.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një nga kafenetë e Mitrovicës, takoi disa aktivistë, qytetarë e mërgimtarë.
Ai me ta diskutoi për Trepçën si asetin më të rëndësishëm të vendit dhe një nga investimet kapitale më të mëdha të planifikuar për mandatin e ardhshëm.
Përmes një bashkëpunimi strategjik me një korporatë me përvojë të dëshmuar në industrinë minerare, nga një shtet aleat dhe mik i Kosovës, janë paraparë të ndahen 50 milionë euro, tha Kurti.
Ai gjithashtu i informoi të pranishmit se ky projekt synon skanimin e plotë të pasurive natyrore të vendit, me qëllim që të krijohet një pasqyrë e qartë të potencialit të nëntokës, duke mundësuar shfrytëzimin dhe vurjen në funksion të rritjes ekonomike në vend.
Kandidati për Kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nuk e kupton çka flet.
Kreu i LDK-së në emisionin Pressing në T7 ka thënë se Kurti nuk merr vesh fare për ekonomi, por as për politikë.
“Ai nuk e kupton as çka flet. Ai më së paku kupton, jo vetëm në ekonomi, s’dua ta bëj këtë garë të padrejtë të flas për ekonomi kur kam një edukim shumë më superior në këtë fushë”, ka thënë Abdixhiku.
“Me siguri ai për tela dhe bakër din ma mirë. Ndoshta ai din me lidh telin më mirë se unë, për ekonomi s’merr vesh ai”, ka thënë kryetari i LDK-së.
Kandidati për kryeministër nga LVV, Albin Kurti, ishte në Kodrën e Trimave në Prishtinë, me pëkrahësit e banorët e lagjes.
Përkrahja e tyre e vazhdueshme për Lëvizjen VETËVENDOSJE!, sipas Kurtit është konfirmim i qartë i besimit të tyre në këtë force politike.
Ai theksoi se për herë të parë janë ndarë shtesa për fëmijë dhe për nënat lehona, të cilat do të vazhdojnë të rriten edhe gjatë mandatit të ardhshëm.
Nga 26% në më pak se 11% është ulur papunësia, e janë shtuar 85 mijë vende të reja pune.
Kurti bëri të ditur se pas 28 dhjetorit planifikohet ndërtimi i pesë digave të reja në Firajë, Pollatë, Kuçicë, Dragaçinë dhe Desivojcë, me qëllim sigurimin e ujit të pijes dhe përmirësimin e kushteve të jetesës.
Ndërsa me 10 profile të reja do të zgjerohet mësimi dual, e 20 stadiume të reja do të ndërtohen në 18 komuna, të cilat arrijnë vlerën prej 250 milionë eurosh.
Prandaj, sipas tij, numri 116 është zgjedhja e duhur për qytetarët më 28 dhjetor.
Pak para nisjes së debatit politik, përfaqësuesi i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka deklaruar se kjo parti po krijon hapësirë që kryeministri Albin Kurti të shprehë qëndrimet e tij në një debat të hapur politik.
Haziri tha se fillimisht nuk e kishte planifikuar të ishte pjesë e debatit, por kishte vendosur të bashkohej për të diskutuar dallimet politike mes partive.
“Unë nuk kam pasur qëllim të jem pjesë e debatit, por vendosa të bashkëngjitem për të diskutuar dallimet dhe për të debatuar mbi to,” deklaroi Haziri.
Qëndrim të ngjashëm ka shprehur edhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK).
Nënkryetarja e kësaj partie, Vlora Çitaku, ishte mysafirja e parë që mbërriti në emisionin politik Politiko, pak para nisjes së debatit mes përfaqësuesve të partive politike.
Duke folur për rëndësinë e përballjes politike, Çitaku theksoi se PDK-ja nuk i është shmangur asnjëherë debateve dhe se ato janë thelbësore për funksionimin e demokracisë.
“Debati në demokraci është i domosdoshëm dhe PDK nuk i ikën debateve,” tha Çitaku, duke shtuar se shpreson që edhe kryeministri Albin Kurti të tregojë gatishmëri dhe t’i përgjigjet ftesës për një debat të hapur politik.
Thirrjet nga LDK dhe PDK vijnë në kohën kur debati publik mes partive opozitare dhe kryeministrit Kurti ka munguar, ndërsa kërkesat për transparencë dhe përballje politike po shtohen./Telegrafi.
Kryeminstri në detyrë Albin Kurti ishte pjesë e tubimit të partisë Guxo.
Këto dy parti ishin në bashkëqeverisje në mandatin e kaluar dhe vazhdojnë të jenë edhe në këto zgjedhje.
Kurti tha se ky bashkëpunim që do të vazhdojë, ka për qëllim vazhdimësinë e punëve të mira për vendin dhe qytetarët. Progresi demokratik dhe zhvillimi ekonomik, sipas Kurtit, mbajnë numrin 116.
Prandaj më 28 dhjetor vazhdohet rruga e fitores drejt mandatit të ardhshëm. /Telegrafi/
Kandidati për kryeministër njëheri kryeministër në detyrë, Albin Kurti ishte dje në shtëpinë e familjes Uka, në Dobrajë të Lipjanit.
Krahas mërgimtarëve të tjerë, të cilët nuk po hezitojnë të vijnë për të votuar më 28 dhjetor, edhe familja Uka, të cilët jetojnë në Londër, kanë ardhur këtë javë vetëm për ta mbështetur Lëvizjen VETËVENDOSJE! dhe prijësin e saj.
Kurti tha se mbështetja e tyre do ta bëjë fitoren e 28 dhjetorit edhe më të madhe se atë të 9 shkurtit.
Nga aty, Kurti vazhdoi për në sheshin e qytetit, në Lipjan, ku të shumtë ishin qytetarët që kishin dalë për ta pritur. Shumë nga mërgimtarët që ishin aty, e që ai nuk harroi që t’i falënderojë, kishin ardhur veçanërisht për të votuar. Prandaj Kurti i siguroi ata se festa për vitin që vjen, do të fillojë qysh më 28 dhjetor. /Telegrafi/
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se situata aktuale në veri të Kosovës është rezultat i mungesës së formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, duke theksuar se kjo është arsyeja pse, sipas tij, kryeministri i Kosovës Albin Kurti nuk dëshiron krijimin e tij.
Në një emision televiziv, Vuçiq u shpreh se ndodhet në një “pozicion të papërshtatshëm”, duke kritikuar retorikën e atyre që, siç tha ai, flasin lehtë për luftë dhe ndërhyrje ushtarake.
Ai veçoi atë që i quajti “patriotë të rremë” dhe të djathtë që, sipas tij, diskutojnë nga kafeteritë pa e kuptuar çmimin real të një përshkallëzimi të situatës.
“Duhet dikush ta drejtojë vendin dhe të vlerësojë se deri ku mund të durohet, deri ku shkojnë kërkesat tona. Duhet të përpiqemi t’i zgjidhim gjërat përmes dialogut”, deklaroi Vuçiq.
Sipas tij, formimi i Asociacionit do të sillte kontrollin e plotë të policisë në veri të Kosovës nga serbët lokalë, duke theksuar se kjo është arsyeja kryesore pse Kurti e kundërshton këtë mekanizëm.
“Kur ta kemi Asociacionin, e gjithë policia në veri të Kosovës do të jetë në duart e serbëve, në duart e policëve serbë. Kjo është arsyeja pse Kurti nuk e dëshiron Asociacionin”, tha Vuçiq.
Presidenti serb po ashtu pretendoi se ekzistojnë njerëz që, sipas tij, i gëzohen situatës së krijuar dhe tensioneve aktuale, duke shtuar se është i vetëdijshëm për këto qëndrime./Telegrafi.
Kryeminstri Albin Kurti ishte dje në Gadime dhe Sllovi të Lipjanit, ku u prit me entuziazëm nga dy fshatrat më të mëdha të kësaj komune.
Me banorët dhe mërgimtarët e pranishëm, ai ndau zotimet e tij qeverisëse për mandatin e ardhshëm, të cilat garantojnë shtrirje të mirëqenies përmes rritjes së ekonomisë.
Kryeministri tha se gjatë mandatit të tij, do të ndajë 1 miliard euro çdo vit për investime kapitale.
Me buxhetin më të lartë ndonjëherë, prej 4 miliard eurosh, nuk do të mungojë as përkrahja për prodhuesit.
1 miliard euro për prodhimtari, përfshirë ata që riinvestojnë fitimin.
Kurti tha se mbështetja për të rinjtë dhe studentët po zgjerohet përmes programit të mobilitetit.
Kryeminstri në detyrë Albin Kurti u mirëprit në odën e hoxhë Osman Musliut.
Mes bisedash të ndryshme, hoxhë Osmani i tha Kurtit se zotimi për rindërtimin e xhamisë së Ibrit e gëzoi shumë, sepse kjo xhami përveç rolit fetar, ka edhe rol kombëtar.
Ndërsa Kurti u zotua se nuk do të lëshojnë pe në mandatin e ardhshëm përveç sigurisë e begatisë, edhe për ruajtjen e trashëgimisë kulturore të vendit. /Telegrafi/
Kryeministri Albin Kurti, njëherësh kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidat për kryeministër takoi anëtarët e mbështetësit e IRDK, të cilët i kishte edhe partner koalicioni në këtë qeverisje.
Kurti lëvdoi bashkëpunimin me kryetarin e IRDK, Elbert Krasniqi, duke e quajtur këtë një bashkëpunim të suksesshëm.
Ai potencoi se fitorja e 28 dhjetorit do të jetë e përbashkët, duke vazhduar shtrirjen e sigurisë e jetëgjatësinë e begatisë.