Në Komunën e Deçanit kanë nisur punimet për instalimin e një sistemi modern të ngrohjes me biomasë druri (ashkla druri) në Ndërmarrjen Publike Lokale “Higjiena”.
Lajmi është bërë i ditur nga kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, i cili ka theksuar se projekti po realizohet në bashkëpunim me Fondacionin CNVP dhe kompaninë implementuese. Sipas tij, ky sistem synon të shërbejë si model i qëndrueshëm për ngrohjen e objekteve publike në komunë.
Kryetari Ramosaj ka theksuar se Deçani, me mbi 16 mijë e 700 hektarë pyje, ka potencial të madh për shfrytëzimin e mbetjeve nga pastrimi dhe rrallimi i pyjeve, duke i shndërruar ato në burim energjie të pastër dhe me kosto më të ulët.
Sipas tij, ky investim paraqet një hap konkret drejt rritjes së efikasitetit energjetik, mbrojtjes së mjedisit dhe zhvillimit ekonomik lokal, duke kontribuar në një Deçan më të gjelbër dhe më të qëndrueshëm për qytetarët. /Telegrafi/
Policia e Kosovës ka pranuar dy raste të veçanta të personave të zhdukur në komunat e Deçanit dhe Klinës, të raportuara brenda ditëve të fundit.
Një qytetar nga Deçani më ka njoftuar policinë se nëna e tij është larguar nga shtëpia më 2 dhjetor dhe nuk është kthyer më. Ai ka deklaruar se nuk ka informacione për vendndodhjen e saj që nga momenti i largimit. Policia ka nisur hetimet për të gjetur personin e zhdukur.
Në një rast tjetër ka ndodhur në Klinë. Një burrë ka raportuar se bashkëshortja e tij është larguar nga shtëpia dhe nuk është kthyer.
Edhe në këtë rast, policia ka filluar procedurat hetimore për të zbardhur rrethanat e zhdukjes dhe për të gjetur personin në fjalë.
Hetimet për të dy rastet janë duke vazhduar. /Telegrafi/
Drejtoria për Buxhet dhe Financa e Komunës së Deçanit ka bërë thirrje të gjithë tatimpaguesve që ende nuk e kanë kryer pagesën e tatimit mbi pronën e paluajtshme, që ta realizojnë atë deri më 31 dhjetor 2025.
Sipas Ligjit Nr. 06/L-005 për Tatimin në Pronë të Paluajtshme, pagesat e kryera pas këtij afati do të shoqërohen me penalitete, përkatësisht një gjobë prej 10 për qind mbi shumën e tatimit të papaguar, si dhe një interes prej 0.65 për qind për secilin muaj vonesë.
Drejtoria për Buxhet dhe Financa nënvizon se mosrealizimi i pagesave brenda afatit do të çojë në aplikimin e masave ndëshkuese, të cilat mund të ndikojnë në përballimin e detyrimeve fiskale ndaj komunës, përcjell Telegrafi.
Tatimpaguesit janë të ftuar që të kryejnë pagesat brenda afatit për të shmangur penalitetet dhe për të kontribuar në realizimin e buxhetit komunal.
Për informacione të mëtejshme, qytetarët mund të kontaktojnë zyrat e Drejtorisë për Buxhet dhe Financa të Komunës së Deçanit. /Telegrafi/
Në moshën 82-vjeçare ka ndërruar jetë Mehmet Bojkaj, kryetari i parë i komunës së Deçanit.
Lajmin e ka bërë të ditur Rasim Selmanaj, ish-kryetar i Deçanit dhe anëtar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, i cili e ka përshkruar Bojkajn si një atdhetar të shquar, politikan të matur dhe një figurë që ka bashkuar popullin në kohë të vështira.
“Mehmet Bojkaj ishte kryetar komune në periudha sfiduese, por nuk u dorëzua. Ai e kreu misionin e tij historik me nder, duke mbetur një figurë e respektuar ndër breza dhe në kujtesën historike. Nderim për jetën dhe veprën e tij! Ngushëllime”, ka shkruar Selmanaj.
Mehmet Bojkaj do të mbahet mend për kontributin e tij në zhvillimin e komunës së Deçanit dhe rolin e tij të rëndësishëm në jetën publike të qytetit. /Telegrafi/
Ekipet e Njësisë Operative të KRU “Hidrodrini” në Deçan, të mbështetura edhe nga sektori i kanalizimit në Pejë, kanë kryer sot një aksion pastrimi dhe debllokimi në pusetat dhe rrjetin e kanalizimit në disa zona kyçe të qytetit.
Ky intervenim është pjesë e angazhimeve të rregullta për mirëmbajtjen e sistemit të kanalizimit, me qëllim parandalimin e bllokimeve që shkaktohen nga mbeturinat dhe materialet e papërshtatshme që shpesh përfundojnë në këtë rrjet, përcjell Telegrafi.
Gjatë punimeve, ekipet kanë hasur në objekte të ngurta, mbeturina dhe materiale ushqimore të hedhura në mënyrë të pakontrolluar, të cilat dëmtojnë funksionimin e sistemit dhe shkaktojnë probleme të përsëritura.
Kompania apelon tek qytetarët që të shmangin hedhjen e materialeve të tilla në kanalizim dhe të kontribuojnë në ruajtjen e infrastrukturës publike, në mënyrë që të sigurohen shërbime më cilësore dhe funksionale për të gjithë. /Telegrafi/
Kuvendi Komunal i Deçanit ka mbajtur seancë solemne në prag të festës së 28 Nëntorit. Me çmimin “Mirënjohje Qyteti” janë nderuar Hate Rexhaj dhe Feride Hajdinaj për kontributin dhe kujdesin ndaj ushtarëve gjatë kohës së luftës në Kosovë.
Kuvendi Komunal i Deçanit ka mbajtur seancë solemne në prag të festës së 28 Nëntorit. Me çmimin “Mirënjohje Qyteti” janë nderuar Hate Rexhaj dhe Feride Hajdinaj për kontributin dhe kujdesin ndaj ushtarëve gjatë kohës së luftës në Kosovë.
Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj tha se 28 Nëntori është ditë madhështore dhe historike.
“Në vigjilje të një date që është madhështore, është historike na kujton vitin e largët 1444 që është Skënderbeu, e vitit 1912 që është Ismail Qemali dhe ngritja e flamurit në Vlorë, vitin 1955 që është ditëlindja e komandantit legjendar Adem Jashari e po ashtu sot 28 vite më herët në një aksion të policisë të paramilitarëve serbë, të cilët ishin nisur në drejtim të heroit të kombit Abedin Rexhaj, rrugës në këtë destinacion hasin në një organizim të befasishëm nga komandanti legjendar Adem Jashari, në Llaushë ku në shenjë hakmarrjeje gjuhet edhe mbi shkollë edhe mbi civil, me ç’rast vdes mësuesi Halit Geci, e që me datën 28 në varrimin e mësuesit bëhet edhe dalja publike e UÇK-së nga tre gjeneralë, ku tash njëri është hero i kombit, Mujë Krasniqi, Rexhep Selimi i cili qëndron padrejtësisht në Hagë dhe gjenerali Daut Haradinaj”, ka thënë Ramosaj.
Në këtë seancë solemne janë nderuar me çmimin “Mirënjohje Qyteti” dy nëna shqiptare, Hate Rexhaj dhe Feride Hajdinaj për kontributin dhe kujdesin e ushtarëve gjatë kohës së luftës në Kosovë.
Hate Rexhaj ka falënderuar Komunën e Deçanit për këtë mirënjohje.
“Ju faleminderit për vlerësimin dhe mirënjohjen që po më bëni, në veçanti me rastin e kësaj feste të shumëfishtë të kombit shqiptar, siç janë Dita e Flamurit, po ashtu dhe ditëlindja e komandantit legjendar Adem Jashari, dhe dita e daljes publike të UÇK-së. Lavdi dëshmorëve, respekt dhe mirënjohje për të gjithë ata djem dhe vajza që luftuan për Kosovën dhe për lirinë e kombit. Ju dua shumë, ju jeni gjithçka për mua”, tha ajo.
Në seancë solemne foli Edhe Feride Hajdinaj, e cila u nderua me mirënjohje nga Komuna e Deçanit.
“Ju uroj Ditën e Flamurit, ju uroj ditëlindjen e komandantit legjendar Adem Jashari, rroftë Ushtria Çlirimtare e Kosovës, lavdi dëshmoreve të kombit”, tha ajo.
Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Deçanit, Hajdar Sutaj tha se kontributi i tyre është jetësor dhe i pamatshëm.
“Është nder i veçantë për Kuvendin e Komunës, për Kryetarin e Komunës, zotëri Bashkim Ramosaj që sot të ndajë çmimin ‘Mirënjohje qyteti’ për dy gra fisnike, që me veprën e tyre e nderuan jo vetëm vetën dhe familjet e tyre, por gjithë Kosovën dhe kombin shqiptar. Zonjën Hate Rexhaj, e quajtur ‘tezja e UÇK-së’, një grua e urtë e cila u bë nënë, motër mikpritëse për ushtarët e UÇK-së, shtëpia e saj u bë shtëpi e luftës, strehë e sigurt, vend shprese, vend ku luftëtarët gjenin ushqimin, fjalë të mira, ngrohtësi dhe forcë shpirtërore, kontributi i saj ka qenë aq i madh sa ata që e përjetuan luftën e quanin me dashuri ‘Tezja e UÇK-së’, një emër që flet vet për atë se kush ishte dhe çka përfaqësonte ajo. Zonjën Feride Hajdinaj, një bijë tipike shqiptare e cila me përkushtim të jashtëzakonshëm u angazhua për të ndihmuar luftëtarët, duke dëshmuar se zemra e gruas shqiptare është po aq luftarake sa arma në duart e djemve tanë. Me veprimet e saj të heshtura, por jashtëzakonisht domethënëse ajo u bë bashkëluftëtare në çdo kuptim të fjalës, duke u kujdesur me ushqim, pastrim, ngrohtësi dhe duke mbështetur dhe duke i dhënë UÇK-së atë që lufta kërkonte më së shumti, humanizimin dhe përkushtim të sinqertë”, tha ai në seancë solemne.
Në disa sekuenca të shkurtra, janë shfaqur disa luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të njësisë “Shqiponjat e zeza” teksa flasin për “tezen e UÇK-së”.
Ish-doktoresha e UÇK-së dhe deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj ka folur për kontributin e çmuar të Feride Hajdinaj, e cila u nderuar me çmimin “Mirënjohje Qyteti”.
“Unë isha pjesë e UÇK-së, isha pjesë edhe e brigadës 138 ‘Agim Ramadani’, te nëna Feride kam qëndruar shumë, kjo ishte edhe organizatore e një sulmi të parë mbi forcat serbe, kishte edhe familjarët në UÇK, ishin djemtë e nënës Feride, ishte burri i nënës Feride që ishin ushtarë të UÇK-së dhe gjithë ajo rrethinë që i kemi sot miq dhe që i nderojmë që e ruajnë këtë miqësi ”, ka thënë ajo.
Dalja e parë publike e UÇK-së u bë në varrimin e mësuesit Halit Geci. Ai u vra nga forcat serbe të cilët gjuajtën në drejtim të shkollës së fshatit, pa asnjë provokim.
Më 28 Nëntor të vitit 1912 është shpallur Pavarësia e Shqipërisë. Po ashtu, kjo ditë është ditëlindja e komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari. /KP/
Pas reshjeve të dendura dhe erërave të forta që kanë goditur mbrëmë Komunën e Deçanit, disa institucione shkollore kanë përjetuar ndërprerje të energjisë elektrike dhe dëmtime në infrastrukturë.
Drejtori i Arsimit në Komunën e Deçanit, Besnik Hulaj, ka njoftuar se ekipet kompetente janë në terren dhe po punojnë intensivisht për rikthimin e gjendjes në normalitet.
“Janë shkaktuar dëmtime në infrastrukturë, si dhe mungesë e energjisë elektrike në disa institucione shkollore. Ekipet kompetente janë në terren dhe po punohet intensivisht që gjendja të kthehet sa më shpejt në normalitet. Faleminderit për mirëkuptimin", ka shkruar Hulaj në llogarinë e tij në Facebook.
Autoritetet lokale apelojnë tek qytetarët për kujdes dhe mirëkuptim deri në përfundimin e punimeve për normalizimin e situatës. /Telegrafi/
Një person është arrestuar pasi që i njëjti nën ndikim të alkoolit dyshohet se ka sulmuar fizikisht dy gra.
Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur të enjten rreth orës 11:45 në Deçan.
Po ashtu siç bëhet e ditur në raport lidhur me rastin njëra nga viktimat ka përdorur sprej në drejtim të dyshuarit.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti nën ndikim të alkoolit dyshohet se ka sulmuar fizikisht dy viktimat femra kosovare. Lidhur me rastin njëra nga viktimat ka përdorur sprej në drejtim të të dyshuarit”, thuhet në raport.
Ndërkaq, me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa ndaj viktimës iniciohet rasti mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës si dhe përdorim i armës, spreji konfiskohet dhe e njëjta lirohet në procedurë të rregullt. /Telegrafi/
Një vjedhje e rëndë ka ndodhur në fshatin Carrabreg të Deçanit, të mërkurën rreth orës 15:00 deri në ora 18:00.
Rasti bëhet i ditur në raportin policor të Kosovës.
“Ankuesi mashkull kosovar, ka njoftuar policinë se persona të panjohur kanë depërtuar përmes një dritares në shtëpinë e tij dhe prej aty kanë vjedhur një kasafortë në cilën kishte pasur një shumë të madhe parash dhe stoli ari”, thuhet në raport.
Komuna e Deçanit ka ndarë 217 bursa komunale për studentët meritorë, duke shënuar kështu numrin më të lartë të përfituesve deri më sot. Secili student do të përfitojë nga 400 euro, si mbështetje për vazhdimin e studimeve.
Sipas njoftimit të komunës, ky rezultat paraqet një arritje të rëndësishme dhe dëshmon angazhimin e institucioneve lokale dhe kryetarit Bashkim Ramosaj për të investuar në të rinjtë dhe arsimin e tyre. Komuna thekson se procesi i ndarjes së bursave është zhvilluar me përgjegjësi dhe transparencë të plotë.
Investimi në arsim dhe krijimi i kushteve më të mira për studentët, sipas komunës, mbetet një nga prioritetet kryesore të qeverisjes lokale.
Komuna ka uruar të gjithë studentët përfitues, duke u dëshiruar suksese në rrugëtimin e tyre akademik.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka njoftuar se gjatë datave 18–19 nëntor 2025 pritet të ketë reshje shiu në gjithë vendin, ndërsa në disa zona reshjet do të jenë të intensitetit të lartë, duke rritur rrezikun e vërshimeve të shpejta.
Në njoftimin zyrtar, IHMK thekson se reshjet e cilat kanë filluar të shfaqen gradualisht do të përfshijnë tërë territorin e Kosovës, ndërsa zonat e rrezikuara më shumë janë ato me karakteristikë lumore dhe malore, përfshirë basenet e Drinit të Bardhë, Bistricës së Prizrenit, Mirusha, Toplluhës, Erenikut dhe Bistricës së Deçanit, përcjell Telegrafi.
Instituti njofton se reshjet mund të tejkalojnë sasinë prej 40 l/m² brenda 24 orëve, duke shkaktuar rrezik të përmbytjeve, vështirësi në qarkullim, dëmtime të tokave bujqësore, rrëshqitje dheu e balte, si dhe rrezik potencial për jetën e njerëzve dhe kafshëve.
IHMK apelon qytetarët dhe institucionet që të jenë të kujdesshëm dhe të ndërmarrin masat e nevojshme mbrojtëse, ndërsa thekson se situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme përmes të dhënave nga rrjeti i stacioneve hidrometeorologjike. /Telegrafi/
Sonte në Llukë të Epërme të Deçanit u organizua për vitin e dytë radhazi “Darka e Lamës”.
Në këtë festë të përvitshme në njërën nga odat e mëdha bujare morën pjesë me plisa të bardhë e shqiponja në kokë kryetari i Deçanit Bashkim Ramosaj, zyrtarë komunalë, deputet të AAK-së, banorë të fshatit dhe nga diaspora.
Deputetja e AAK-së Time Kadrijaj tha se shpreson që kjo darkë e begatë të kremtohet edhe në pjesë të tjera me qëllim të ruajtjes dhe kultivimit të traditës shqiptare.
Darka e Lamës është një festë tradicionale e kulturës shqiptare që kremtohet në fillim të vjeshtës, pas përfundimit të korrjes dhe mbledhjes së të lashtave.
Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona pasi gjatë kontrollit në trup dhe në veturë u janë gjetur armë e narkotikë.
Rasti ka ndodhur në rrugën “Rrustem Bruqi” në Deçan, të enjten në ora 12:05.
“Janë arrestuar tre të dyshuar meshkuj kosovarë për shkak se gjatë kontrollit në trup dhe veturën me të cilën kanë qenë duke udhëtuar u janë gjetur dhe konfiskuar: dy pistoleta, pesë fishekë, dy thika, një shufër metali, një sprej, një grinder paisje për bluarjen e narkotikëve, tri qese të vogla me substanca të dyshuara narkotike të llojit marihuanë pesha e të cilave nuk është matur, një palë dorëza dhe një emblemë metali”, thuhet në raportin policor.
Tre të dyshuarit pas intervistimit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje. /Telegrafi/
Një person është arrestuar pasi gjatë kontrollit në tri lokacione të ndryshme janë gjetur dhe konfiskuar si prova materiale disa armë.
Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se rasti ka ndodhur të martën në Vushtrri, Klinë dhe Carrabreg të Deçanit.
Tutje bëhet e ditur se janë konfiskuar dy pistoleta, një pushkë gjuetie, një armë e gjatë, një makinë për punimin e kartëmonedhave, dy telefona celular, një USB, një fotrollë arme, një kapelë bejsbolli, 208 copë fishekë të kalibrave të ndryshëm dhe dy optika.
“Lidhur me rastin është raportuar se është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, ndërsa gjatë kontrollit në tri lokacione të ndryshme, janë gjetur dhe konfiskuar si prova materiale; dy pistoleta, një pushkë gjuetie, një armë e gjatë, një makinë për punimin e kartëmonedhave, dy telefona celular, një USB, një fotrollë arme, një kapelë bejsbolli, 208 copë fishekë të kalibrave të ndryshëm dhe dy optika”, thuhet në raport. /Telegrafi/
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka bërë të ditur se ka përfunduar restaurimi i kullës së familjes Geci në fshatin Pozhar të Deçanit, një ndër objektet karakteristike të trashëgimisë sonë kulturore.
Ky projekt është pjesë e angazhimeve të MKRS-së për ruajtjen dhe mbrojtjen e aseteve të trashëgimisë kulturore, me synim që monumentet historike të vendit të mbeten dëshmi të identitetit dhe trashëgimisë kombëtare për brezat e ardhshëm.
Nga MKRS është theksuar se përmes këtyre investimeve po sigurohet që objektet me vlera të veçanta arkitektonike dhe historike të restaurohen me kujdes profesional, duke respektuar origjinalitetin e tyre dhe rëndësinë që kanë në historinë lokale dhe kombëtare. /Telegrafi/
Shoqata e Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës ka ndërprerë operacionet e kërkimit në fshatrat pranë kufirit të gjelbër Shqipëri–Kosovë për 26-vjeçarin Florjan Tabaku nga fshati Viçidol i Tropojës, i shpallur i zhdukur më 20 tetor 2025 nga familjarët e tij. Vendimi është marrë pasi, sipas informacioneve të pranuara nga autoritetet kosovare, i riu është parë duke hipur në një autobus që udhëtonte drejt zonës së Rastavicës në Deçan të Kosovës.
Këtë e ka konfirmuar për mediat Kosovare kryetari i ShKShMK-së, Deni Hameli. “Ai ka zbritur poshtë malit. Bazuar në pamjet e kamerave kemi arritur ta konstatojmë se bëhet fjalë për të njëjtin person. Prandaj, tani kjo është punë e policisë dhe hetuesisë që të merren me rastin”, deklaroi Hameli.
Që nga momenti kur familjarët raportuan humbjen e 26-vjeçarit në Policinë e Tropojës, në kërkim janë angazhuar Shoqata e Kërkim-Shpëtimit, Bashkia Tropojë, Policia e Shtetit, vullnetarë të zonës, si edhe Policia e Kosovës.
Operacioni i gjerë u zhvillua në terrenin malor mes fshatrave Mulliq, Kamenicë, Qafë-Morinë e deri në Kasaj të Tropojës, ku morën pjesë edhe Forcat e Armatosura të Shqipërisë dhe të Kosovës, përfshirë edhe një helikopter kërkim-shpëtimi.
Nga ana tjetër, familja e Florjan Tabakut vijon të kërkojë për të riun, i cili, edhe pse dyshohet se ka zbritur poshtë malit, nuk është kthyer ende në shtëpi. Sipas familjarëve, ai është me aftësi të kufizuara dhe mund të ketë nevojë për ndihmë.
Sipas të dhënave të Prefekturës së Kukësit, në kërkime nga Tropoja morën pjesë rreth 30 punonjës të Bashkisë Tropojë dhe rreth 20 familjarë e vullnetarë nga zonat përreth. Kërkimet janë përqendruar kryesisht në territorin shqiptar, në zonat malore ku dyshohej se mund të ishte ndalur i humburi.
Ditët e fundit kërkimet janë zhvendosur në territorin e Kosovës, ku Policia e Kosovës po verifikon pamjet e kamerave të sigurisë në disa fshatra kufitare dhe përgjatë rrugës që lidh zonën e humbjes me drejtimin e Junikut e Gjakovës.
Kërkimet janë zhvilluar në kushte të vështira për shkak të reshjeve të dendura të shiut dhe terrenit malor, por bashkëpunimi ndërinstitucional mes autoriteteve të dy shteteve ka vijuar me shpresën për gjetjen sa më shpejt të 26-vjeçarit. /A2 Televizion/
Një person ka raportuar se djali i tij ka dalë nga shtëpia dhe nuk dihet vendndodhja e tij.
Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se rasti ka ndodhur të hënën rreth orës 19:00 në fshatin Baballoq, në Deçan.
Tutje thuhet se rasti është në hetime.
“Ankuesi mashkull kosovar, ka raportuar se djali i tij ka dalë nga shtëpia dhe nuk dihet vendndodhja e tij. Rasti në hetime”, thuhet në raport. /Telegrafi/
Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë, ka lëshuar një kërkesë për bashkëpunim me qytetarët për të ndihmuar në lokalizimin dhe arrestimin e një personi të kërkuar, me autorizimin e Prokurorisë Themelore në Pejë.
Personi i kërkuar është: Ujkan (Luan) Lataj, i lindur më 2 gusht 2001, nga fshati Carrabreg – Deçan.
Ai dyshohet për kryerjen e veprës penale grabitje.
Policia e Kosovës bën apel te qytetarët e Republikës së Kosovës që të kenë informacion mbi vendndodhjen e personit të dyshuar të kontaktojnë menjëherë Policinë ose stacionin më të afërt policor.
Në Komunën e Deçanit, kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Bashkim Ramosaj, ka siguruar një fitore të qartë në zgjedhjet për kryetar komune.
Sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), të publikuara në orën 23:19 të 12 tetorit 2025, janë numëruar të gjitha 50 vendvotimet (100%), ndërsa Ramosaj prin me 51.57% të votave (7,866 vota).
Në vendin e dytë renditet kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Jeton Mushkolaj, me 21.12% (3,222 vota), ndërsa e treta është kandidatja e Partisë Socialdemokrate (PSD), Natyra Kuçi, me 11.73% (1,789 vota).
Pas tyre vijnë Shkumbin Demaliaj nga Iniciativa Demokracia me 9.28% (1,415 vota), Faton Selmanaj nga Lëvizja Vetëvendosje me 5.09% (777 vota) dhe Jetmir Prekalla nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 0.97% (148 vota).
Sipas të dhënave të KQZ-së, në Deçan kanë votuar 15,253 qytetarë nga 41,444 të regjistruar, që përbën 36.80% pjesëmarrje në votime./Telegrafi/
Bashkim Ramosaj, kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) për kryetar të Komunës së Deçanit, ka falënderuar qytetarët për një fitore që e quan historike dhe shpreh mirënjohjen e tij për besimin dhe përkrahjen e dhënë.
Në një postim në rrjetet sociale, Ramosaj thekson se kjo fitore është jo vetëm e tij, por e gjithë qytetarëve të Deçanit, familjeve, të rinjve dhe të rejave që besuan në ndryshim dhe në një qeverisje të ndershme.
“Historia u shkrua, FALEMINDERIT DEÇANAS! Fitore historike, fitore e kulturës politike, e vlerësimit të punës e ndershmërisë. Ky është Deçani e këta janë deçanasit! Ju dëshmuat se besimi, dashuria dhe puna e ndershme fitojnë gjithmonë”, tha Ramosaj.
Ai shtoi se kjo fitore është një privilegj dhe përgjegjësi e madhe për të dhe bashkëpunëtorët e tij, duke paralajmëruar punë edhe më të mëdha për të ardhmen e komunës.
“Deçani fitoi përsëri! Fitoi Aleanca! Fituam të gjithë ne, qytetarë! Nuk kam fjalë për këtë privilegj e besim, FALEMINDERIT nga zemra deçanas, bashkë na presin punë edhe më të mëdha!”, përfundoi ai. /Telegrafi/