Sot u zhvillua mbledhja e parë e qeverisjes komunale në Vushtrri, ku kryetari Ferit Idrizi prezantoi përbërjen e re të kabinetit qeverisës, duke theksuar se ekipi do të punojë me përgjegjësi, transparencë dhe vizion të qartë për realizimin e projekteve dhe premtimeve për qytetarët.
“Jam i lumtur që katër vitet e ardhshme do të punoj bashkë me këtë ekip ekspertësh të përzgjedhur me kujdes, profesionalizëm dhe përkushtim për t’i shërbyer qytetarëve të komunës tonë. Mandati i ri është vazhdimësi e punëve të mira dhe projekteve të mëdha”, ka shkruar Idrizi.
Kabineti i ri qeverisës përbëhet nga:
Shpëtim Zhegrova – Nënkryetar i Komunës;
Bujar Shatrolli – Shef i Kabinetit të Kryetarit;
Hyrie Uka-Hoxha – Drejtoreshë e Administratës;
Naile Bekteshi – Drejtoreshë e Arsimit;
Medina Bunjaku – Drejtoreshë për Kulturë, Rini dhe Sport;
Drilon Jusufi – Drejtor për Urbanizëm dhe Mbrojtje të Mjedisit;
Remzi Ahmeti – Drejtor për Inspektime;
Lorik Maxhuni – Drejtor për Shëndetësi dhe Përkujdesje Sociale;
Ilmi Azemi – Drejtor i Prokurimit;
Isuf Jashari – Drejtor për Buxhet, Financa dhe Thesar;
Benjamin Shala – Drejtor për Shërbime Publike;
Maliq Ferizi – Drejtor për Zhvillim Ekonomik dhe Investime Kapitale;
Agron Përçuku – Drejtor për Diasporë;
Isa Hajrizi – Drejtor për Mbrojtje dhe Shpëtim;
Bedri Dobra – Drejtor për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë;
Besim Shyti – Drejtor për Bujqësi dhe Zhvillim Rural.
Kryetari Idrizi u shpreh se ekipi i ri do të punojë me përkushtim për të avancuar projektet e komunës dhe për t’i shërbyer komunitetit me efikasitet.
“Na priftë e mbara!”, përfundoi ai, duke uruar fillimin e mandateve të reja me sukses. /Telegrafi/
Reshjet e dendura të shiut gjatë ditëve të fundit kanë shkaktuar vërshime në disa zona të vendit, duke sjellë dëme materiale në disa komuna.
Megjithatë, ndryshe nga vitet e kaluara kur Komuna e Vushtrrisë ishte ndër më të goditurat, këtë herë ka pasur më pak raportime për vërshime në këtë komunë.
Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, në një prononcim për Telegrafin ka thënë se situata aktuale është rezultat i ndërhyrjeve të vazhdueshme që janë bërë gjatë mandatit të tij në shtretërit e lumenjve, përroskave dhe kanaleve kulluese.
Sipas Idrizit, në fillim të mandatit gjendja e këtyre shtretërve nuk ka qenë e mirë, pasi për një periudhë të gjatë nuk ishte bërë pothuajse asnjë mirëmbajtje.
“Në fillim të mandatit, gjendja e shtretërve të lumenjve, por edhe e përroskave dhe kanaleve kulluese në të gjithë territorin e Komunës së Vushtrrisë nuk ka qenë e mirë. Për një periudhë të gjatë nuk është bërë pothuajse asgjë për mirëmbajtjen e tyre, gjë që ka sjellë bllokimin e shtretërve me dhe, mbeturina dhe shkurre. Si pasojë e kësaj gjendjeje, Komuna e Vushtrrisë ndër vite është përballur vazhdimisht me vërshime, duke rrezikuar pronën, infrastrukturën publike dhe sigurinë e qytetarëve, veçanërisht vërshimet e vitit 2021 që shkaktuan dëme milionëshe”, ka thënë Idrizi.
Ai theksoi se menjëherë pas marrjes së mandatit, ndër prioritetet kryesore të komunës ka qenë identifikimi i zonave më problematike dhe ndërhyrja konkrete në to.
“Fillimisht është bërë identifikimi i zonave më problematike, e më pas kemi filluar me ndërhyrje konkrete, ku është bërë pastrimi, zgjerimi dhe në disa raste edhe betonimi i shtretërve të lumenjve. Po ashtu, është bërë hapja dhe zgjerimi i përroskave në të gjithë territorin e Komunës së Vushtrrisë, si dhe janë trajtuar kanalet kulluese që më herët kanë qenë të bllokuara”, tha Idrizi.
Ai bëri të ditur se “janë trajtuar shtretërit e lumenjve Silnica, Tërstena, Podranqa, lumin që kalon nëpër fshatin Smrekonicë, lumin që vjen nga Sllakoci e kalon nëpër fshatrat Ceceli, Ropicë, Samadrexhë, Maxhunaj deri në lumin Silnica, por edhe lumenj të tjerë që kalojnë nëpër territorin e komunës".
Sipas tij, janë pastruar përroskat në fshatrat Stanoc i Epërm, Novolan, Pantinë, Akrashticë, Vërnicë, Bukosh, Druar, Dumnicë, etj, ndërkaq gjithashtu është bërë edhe hapja e kanaleve kulluese në tërë territorin e Komunës së Vushtrrisë”.
Idrizi tha se kjo punë e vazhdueshme ka ndikuar drejtpërdrejt në zvogëlimin e rrezikut nga vërshimet në komunë.
“Gjendja aktuale është dukshëm më e qëndrueshme dhe më e menaxhueshme krahasuar me periudhat e mëparshme. Në shumicën e zonave janë reduktuar rreziqet nga vërshimet, falë ndërhyrjeve të realizuara dhe monitorimit të vazhdueshëm të situatës në terren. Megjithatë, mbetemi të vetëdijshëm se kjo është një çështje që kërkon angazhim të përhershëm, prandaj do të vazhdojmë me investime, mirëmbajtje të rregullt dhe masa parandaluese për të garantuar siguri afatgjate për qytetarët tanë”, tha ndër të tjera Idrizi. /Telegrafi/
Në episodin më të ri të podcastit “Arena e Yjeve” vjen analiza nga gazetarët e Telegrafit për shortin e Kupës së Kosovës dhe kampionatin kosovar. Ky episod realizohet me mbështetjen e sponsorëve zyrtarë Golden Eagle , Air Munichdhe Exfis.
Gazetari Romak Zeqiri ka dhënë një analizë të detajuar për tri përballjet më të forta të radhës në Kupën e Kosovës, duke theksuar se asnjëra prej tyre nuk ka favorit të qartë dhe se balanca mes skuadrave është totale.
Sipas tij, të gjitha këto përballje duhet të vlerësohen me përqindje të barabarta për secilën skuadër.
Zeqiri është ndalur veçanërisht te dueli mes Dritës dhe Llapit, ku në letër kampionët në fuqi të Superligës mund të konsiderohen favoritë, por realiteti i Kupës është ndryshe.
“Vushtrria-Vëllaznimi, Drita-Llapi, Prishtina-Ballkani janë tri super përballje, që nuk mundesh me parashiku asnjërën që është 51% favorit kundër 49%”.
“Unë këto tri përballje i shoh, i vlerësoj me përqindje 50-50 domethënë se janë gjashtë ekipe shumë të barabarta me njëra-tjetrën, edhe Drita thamë që është kampion në fuqi i Superligës, mund të jetë një favorit në letër, por Llapi në Kupë shndërrohet në një ekip shumë të fortë dhe që është vështirë me e mposhtë”.
“E ka treguar viteve të fundit duke i fituar dy Kupa të Kosovës, edhe nëse e ka eliminu dikush, e ka eliminuar me shumë mund”.
“Kështu që Drita përkundër që e ka terrenin vendas, do ta ketë shumë të vështirë ta fitojë këtë ndeshje”, ka thënë gazetari Romak Zeqiri.
Episodin e plotë me gazetarët e Telegrafit mund ta ndiqni edhe në kanalin zyrtar të Telegrafit në Youtube./Telegrafi/
Sot (e mërkurë) është hedhur shorti për fazën e 1/8-tës në Kupën e Kosovës, ku janë mësuar tashmë tetë çiftet që kërkojnë një vend në çerekfinale.
Në ambientet e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) është hedhur shorti i Kupës së Kosovës, i cili ka prodhuar duele të zjarrta, me dy super-derbi që spikasin menjëherë.
Prishtina – Ballkani është dueli që tërheq vëmendjen më të madhe. Fituesit në fuqi të Kupës, Prishtina përballet me Ballkanin që kërkon rikthimin te ky trofe të cilin e fitoi para dy sezonesh pikërisht në një përballje ndaj kryeqytetasve.
Atmosfera pritet të jetë elektrizuese ndaj këtyre dy rivalëve të viteve të fundit dhe ky takim lehtësisht mund të konsiderohet si finale e parakohshme.
Po aq i nxehtë është edhe dueli Drita-Llapi, një përballje që tradicionalisht sjell tension, emocione dhe shumë rivalitet. Drita është e ndërtuar tash e sa vite për trofe, ndërsa Llapi ka bërë hapa të rëndësishëm përpara dhe në Kupë shpesh ka ditur të befasojë duke fituar trofeun.
Ky cilësohet si një duel i hapur, ku gjithçka mund të ndodhë.
Në sfidat tjera ka gjithashtu përballje të forta, por edhe short të favorshëm për disa skuadra, si Gjilani që vjen nga Superliga kundër Lirisë nga Liga e Parë dhe Trepça ’89-Malisheva.
Shorti ka caktuar edhe dy përballje mes ekipeve nga Superliga si Drenica-Ferizaj dhe Dukagjini-Prishtina e Re dhe dy përballje tjera nga Liga e Parë si Feronikeli 74’-Dinamo dhe Vushtrria-Vëllaznimi.
Faza e 1/8-tës premton spektakël dhe shumë emocion, kështu që tifozët mezi presin t’i shohin këto përballje në pjesën e parë të sezonit pranveror.
Sot (e premte) janë kompletuar tashmë 16 skuadrat që do të luajnë në fazën e 1/8-tës në Kupën e Botës për edicionin 2025/26.
Gjatë ditës së sotme është zhvilluar ndeshja e fundit e fazës së 1/16-tës, ku Trepça ’89 ka mposhtur Kikën me rezultat 4-2 duke siguruar kalimin në fazën e 1/8-tës.
Me kualifikimin e mitrovicasve janë kompletuar tashmë të 16-të ekipet që do të luajnë në fazën e ardhshme, e cila pritet të luhet disa ditë para nisjes së sezonit pranveror.
Nga Superliga e Kosovës, kalimin në fazën e 1/8-tës e kanë siguruar të gjitha skuadrat, duke filluar nga Drita, Prishtina, Ballkani, Drenica, Dukagjini, Gjilani, Llapi, Malisheva, Prishtina e Re dhe Ferizaj.
Në anën tjetër, nga Liga e Parë kanë kaluar tutje edhe Liria, Feronikeli ’74, Vushtrria, Vëllaznimi dhe Dinamo e Ferizajt. /Telegrafi/
Kanë përfunduar gjashtë ndeshjet e ditës së sotme (e enjte) të Kupës së Kosovës, të vlefshme për fazën e 1/16-tës, ku tutje kanë kaluar skuadrat favorite.
Pas ditës së djeshme (e mërkurë), ku fitore morën të gjitha ekipet e Superligës së Kosovës dhe siguruan kualifikimin, edhe gjatë ditës së sotme kanë fituar favoritët.
Fituesi i Kupës së fuqi, Prishtina fitoi në udhëtim te Top Football me rezultat 0-2, duke siguruar kalimin në fazën e 1/8-tës.
Në anën tjetër, Dinamo e Ferizajt mposhti 2 Korrikun në Prishtinë me rezultat 0-3, ndërsa Vushtrria fitoi gjithashtu në udhëtim te Flamurtari me rezultat 0-2.
Me rezultat të njëjtë 0-2 dhe si mysafir fitoi edhe Feronikeli ’74 ndaj Istogut ’03, si dhe Vëllaznimi ndaj KEK-ut.
E vetmja ndeshje e cila nuk u mbyll pas 90 minutave lojë ishte ajo në mes të Lirisë dhe Suharekës, e cila përfundoi me rezultat 1-1 dhe pas vazhdimeve ishin prizrenasit që kaluan tutje pas fitores 2-1.
Gjatë ditës së nesërme (e premte) zhvillohet vetëm ndeshja e fundit e kësaj faze në mes të Kika –Trepça ’89. /Telegrafi/
Sot (e enjte) janë në program për t’u zhvilluar gjashtë ndeshje të fazës së 1/16-tës në Kupën e Kosovës në futboll.
Faza e 1/16-tës në Kupën e Kosovës nisi të mërkurën me nëntë ndeshje, ku nuk pati ndonjë befasi dhe favoritët avancuan tutje.
Klubet e Superligës si Drita, Ballkani, Gjilani, Llapi, Dukagjini, Malisheva, Prishtina e Re, Drenica dhe Ferizaj kaluan në fazën e 1/8-tës duke eliminuar kundërshtarët e tyre që ishin të gjithë nga Liga e Parë.
Në anën tjetër, ndeshjet janë më të kombinuara, me Prishtinën që pret TOP Futbollin nga Liga e Dytë, ndërsa çiftet tjera janë nga Liga e Parë.
Liria-Suhareka, Flamurtari-Vushtrria, 2 Korriku-Dinamo, KEK-u-Vëllaznimi dhe Istogu-Feronikeli ’74 do të luajnë sot për një vend në 1/8-tën.
Të gjitha ndeshjet e ditës së sotme janë programuar të fillojnë nga ora 12:30, teksa gjatë ditës së nesërme (e premte) zhvillohet vetëm ndeshja e fundit Kika –Trepça ’89.
Zgjedhjet lokale të mbajtura më 12 tetor në Kosovë përcaktuan disa kryetarë që në raundin e parë, ndërsa 18 komuna u detyruan të shkonin në balotazh për të zgjedhur liderin komunal që do t’i drejtojë për katër vitet e ardhshme. Në raundin e dytë, më 9 nëntor, u përcaktuan emrat e kryetarëve tjerë, duke i hapur rrugë certifikimit të rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).
Në një intervistë për Telegrafin, Drejtori Ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, sqaroi kur pritet që kryetarët e sapozgjedhur të marrin zyrtarisht detyrën.
“Kryetarët e rinj marrin detyrën brenda 15 ditësh nga certifikimi i rezultateve nga KQZ. Procesi nuk lidhet me datën e zgjedhjes, por me datën e certifikimit, sepse vetëm pas certifikimit fillon afati ligjor për konstituimin e institucioneve komunale", tha ai.
“Hapi final është mbledhja e parë (mbledhja konstituive) e Kuvendit Komunal, ku kryetari i ri e jep betimin dhe fillon mandatin”, shtoi Ibrahimi.
Ai theksoi: “Ligji për Vetëqeverisjen Lokale (03/L-040) i ka të përcaktuara rregullat për thirrjen e takimit të parë konstituiv, pra kush e thërret dhe procedurat tjera deri në dhënien e betimit. Mbledhja e parë e thirret brenda 15 ditësh nga certifikimi. Hapi i fundit para marrjes së detyrës është betimi i kryetarit të ri në mbledhjen konstituive”.
Sipas drejtorit të AKK-së, ky afat mund të zgjatet vetëm në dy situata.
“Po, afati mund të zgjatet në dy situata: Nëse certifikimi i KQZ vonohet për shkak të ankesave dhe rinumërimeve; Nëse mbledhja konstituive nuk ka kuorum dhe duhet thirrur e dyta. Jashtë këtyre rasteve, afatet janë fikse dhe nuk mund të ndryshohen", bëri të ditur Ibrahimi.
Ai foli edhe për situatën në Prishtinë, Gjilan dhe Zubin Potok, të cilat nuk kanë arritur të miratojnë buxhetin në kohë dhe përballen me krizë financiare.
“Në këto raste Komunat shpenzojnë vetëm për pagat dhe shërbimet më bazike, pa mundësi për investime të reja. Asnjë projekt kapital i ri nuk mund të nisë, duke shkaktuar vonesa në infrastrukturë, arsim, mjedis dhe shërbime të qytetit. Furnizimet e reja, kontraktimet dhe shërbimet teknike vonohen ose pezullohen. Komunat operojnë në një gjendje të ‘bllokadës buxhetore’”, potencoi drejtori i AKK-së.
Ibrahimi shtoi më tej se ka një zgjidhje të përkohshme për këto komuna: “Ekziston mekanizmi i 1/12 së buxhetit të vitit paraprak, që lejon komunat të funksionojnë minimalisht deri në miratimin e buxhetit të ri. Por ky mekanizëm: nuk lejon projekte kapitale të reja, nuk lejon kontrata shumëvjeçare, dhe është vetëm një zgjidhje provizore, jo zhvillimore”.
I pyetur për rrezikun që ndërmarrjet komunale apo shërbimet bazike të preken nëse situata zgjat, Ibrahimi deklaroi se ndërmarrjet mund të hyjnë në mungesë likuiditeti.
“Rreziku është shumë i madh: Ndërmarrjet publike që varen nga subvencionet komunale mund të hyjnë në mungesë likuiditeti. Shërbimet si pastrimi, ndriçimi publik, transporti, çerdhet dhe mirëmbajtja e qytetit mund të pësojnë ndërprerje. Projektet e nisura mund të mbeten pa pagesa dhe kontraktorët mund të ndalin punimet”.
“Nëse situata zgjatet deri në mars 2026, pra nëse Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk miraton buxhetin për 2026, vendi përballet me një krizë të plotë financiare, pra edhe komunat do përballen me të njëjtën situatë", tha Ibrahimi.
I pyetur se si po ndikon situata tek komunat ku përmbaruesit kanë tërhequr mjetet e konsiderueshme nga buxheti i tyre shkaku i Kontratave Kolektive (siç është rasti i fundit me Komunën e Vushtrrisë, ku i është ndërprerë ndriçimi publik), drejtori i AKK-së tha se komunat janë dëmtuar shumë.
“Sipas vlerësimeve tona, komunat janë dëmtuar: me qindra miliona euro përgjatë viteve, me bllokime të llogarive bankare, me pagesa të detyruara që rrjedhin nga kontrata për të cilat komunat nuk kanë qenë fare palë nënshkruese", bëri të ditur Ibrahimi.
Nga kjo situatë e krijuar, sipas tij, komunat po përballen edhe me vonesa në projekte kapitale, furnizime, paga apo kontrata të tjera. “Bazuar në raportimet që komunat i kanë dërguar te AKK: projekte kapitale janë shtyrë ose pezulluar, furnizimet dhe kontratat e reja janë në pritje, pagesat ndaj kontraktorëve po vonohen, komunat me përmbarime po funksionojnë me shumë vështirësi. Për pagat nuk ka rrezik të menjëhershëm, por nëse procesi zgjatet përtej marsit 2026, edhe kjo linjë mund të preket", deklaroi ai.
Në fund, Ibrahimi tha se duhet ndryshuar Ligji për Financat e Pushtetit Lokal, në mënyrë që komunat të mos përballen me bllokada buxhetore.
“Po, ne kemi theksuar qartë se: Ligji për Financat e Pushtetit Lokal dhe Ligji për Menaxhimin e financave Publike duhet të ndryshohen për të shmangur bllokadat buxhetore. Afatet duhet të jenë më fleksibël dhe të lidhura drejtpërdrejt me certifikimin, në mënyrë që komunat të mos mbesin për muaj të tërë pa buxhet. Sistemi aktual i ndëshkon komunat pa fajin e tyre dhe pengon zhvillimin lokal”, përfundoi drejtori i AKK-së. /Telegrafi/
Komuna e Vushtrrisë ka njoftuar qytetarët se ditëve të fundit disa zona të qytetit janë përballur me shkyçje të ndriçimit publik nga ana e KEDS-it, si pasojë e pamundësisë për të kryer pagesat e faturave të energjisë elektrike.
Sipas njoftimit, situata ka ardhur si rezultat i përmbarimit të mjeteve komunale në kuadër të zbatimit të Kontratës Kolektive, e cila ka rënduar ndjeshëm buxhetin e komunës.
Vetëm gjatë vitit 2025, Komunës së Vushtrrisë i janë përmbaruar mbi 3.5 milionë euro, që përfaqëson më shumë se 50 për qind të buxhetit vjetor të investimeve kapitale, përcjell Telegrafi.
Sipas kryetarit të komunës, Ferit Idrizi, kjo ka pamundësuar kryerjen e pagesave të rregullta ndaj KEDS-it për ndriçimin publik.
Ai ka bërë të ditur se komuna po ndërmerr të gjitha hapat e nevojshëm për normalizimin e situatës. Në këtë kuadër, është thirrur një seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal, me qëllim të miratimit të tejkalimit të të hyrave vetanake dhe destinimit të një pjese të tyre për pagesën e faturave të energjisë elektrike.
“Kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve dhe shpresojmë që shumë shpejt situata të kthehet në normalitet”, thuhet në njoftimin e kryetarit Idrizi.
Komuna ka siguruar qytetarët se po punon për zgjidhjen e menjëhershme të problemit dhe parandalimin e shkyçjeve të mëtejshme. /Telegrafi/
Disa kryetarë të komunave që nuk arritën të fitonin në raundin e parë të Zgjedhjeve Lokale në Kosovë, u detyruan të përgatiteshin për balotazh, mirëpo edhe kësaj radhe u zhgënjyen.
Duke e ditur se gara do të jetë e ashpër në raundin e dytë, vendosën që të bënin koalicione lokale, në mënyrë që të dilnin triumfues, por që nuk ia dolën.
Rasti është në komuna si, Gjilani, Mitrovica, Fushë Kosova, Vushtrria, Juniku e Dragashi, raporton Telegrafi.
Në Anamoravë, LDK që drejtohej nga kandidati Arbër Ismajli, bashkoi forcat me PDK-në, për t’u përballur me Alban Hysenin e LVV-së, mirëpo nuk ia dolën.
Hyseni ia doli të fitonte sërish si kryetar i Gjilanit për të dytën herë radhazi, duke marrë 61,06 për qind apo 22,269 vota.
Ndërsa, Ismajli me këtë koalicion të madh, ia doli të merrte vetëm 14,203 vota apo përkthyer në përqindje 38,94.
Garë e ashpër ishte edhe në Mitrovicë, ku kandidati për kryetar Arian Tahiri nga radhët e PDK-së u bë bashkë me LDK-në, AAK-në dhe AKR-në, përballë Faton Pecit të Lëvizjes Vetëvendosje.
Mirëpo, Peci ia doli të bënte ballë këtij koalicion të gjerë, duke fituar plotë 17,837 vota apo 53,47 për qind, ndërsa Tahiri mori 46,53 për qind apo 15,522 vota.
Në Fushë Kosovë pas pas më shumë se dy dekadash, LDK e humbë bastionin e saj, por kësaj radhe në vend të Burim Berishës ishte Besnik Osmani.
Osmani u fut në koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës, Nismën Socialdemokaret dhe Partinë Liberale Egjiptiane.
Me gjithëkëtë nuk ia doli të triumfonte përballë Valon Prebrezës së LVV-së, që mori 10,583 vota apo 54,99 për qind, derisa Osmani me partitë në koalicion morën 8,664 vota apo 45,01 për qind.
Në Vushtrri koalicionet sollën edhe përplasje në nivelin qendror, pasi Xhafer Tahiri i LDK-së iu bashkua Sylejman Mehollit të Lëvizjes Vetëvendosje për të garuar kundër Ferit Idrizit të PDK-së.
Ndonëse Lumir Abdixhiku së bashku me kryesinë e LDK-së nuk e miratuan këtë koalicion, Tahiri vendosi të mbështeste Mehollin, por morën vetëm 45,73 për qind apo 12,158 vota.
Në anën tjetër, Idrizi i PDK-së mori mbi dy mijë vota më shumë, apo 14,427 sosh – përkthyer në përqindje 54,27, shkruan Telegrafi.
Në Junik, Agron Kuçi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës mori mbështetjen e Jetmir Tofajt nga Lëvizja Vetëvendosje, për të garuar kundër Ruzhdi Shehut të LDK-së.
Por, Shehu si i vetëm ia doli të ngadhënjente me 55,92 për qind apo 1,426 vota, ndërsa koalicioni mori vetëm 44,08 për qind apo 1,124 vota.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka dalë fituese në zgjedhjet komunale në Vushtrri, sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).
Kandidati i PDK-së, Ferit Idrizi ka marrë 54.27% të votave, që përkthehet në 14,427 vota, ndërsa kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Sylejman Meholli, ka marrë 45.73% ose 12,158 vota.
Sipas të dhënave të KQZ-së, janë 97 nga 97 vendvotime të përpunuara, pra 100% e qendrave të votimit, ndërsa pjesëmarrja në zgjedhje ka qenë 34.47%, nga gjithsej 77,119 qytetarë me të drejtë vote, prej të cilëve kanë votuar 26,585 persona.
Këto rezultate janë paraprake dhe nuk përfshijnë votat me kusht, votat e personave me nevoja të veçanta dhe ato të ardhura me postë.
Fitorja e PDK-së në Vushtrri shënon një vazhdim të mbështetjes së kësaj partie në këtë komunë të rëndësishme në veri të Kosovës. /Telegrafi/
Me vetëm 19 vjet, Rrezon Gashi është bërë një nga emrat më të spikatur të futbollit kosovar, duke luajtur rregullisht për klubin lider të Ligës së Parë, Vushtrria.
Mesfushori i talentuar njihet për vizionin e lojës, pasimet e sakta, driblimet e shpejta dhe gjuajtjet e forta, aftësi që e kanë bërë të spikatur në kampionat dhe të ftohet nga Kosova U20. Së fundi, Gashi shënoi një gol të bukur me kokë në miqësoren ndaj Katarit.
Në një intervistë për Telegrafin, Gashi tregoi pse zgjodhi të vazhdojë karrierën tek Vushtrria, ku janë në pozitën e parë në Ligën e Parë.
“Isha në kontakte me disa skuadra nga Superliga dhe Liga e Parë. Gjithsesi nuk e pata vështirë të përcaktohem për Vushtrrinë, duke marrë parasysh organizimin e mirë të klubit, tifozët e zjarrtë dhe synimin për t’u kthyer në Superligë, por edhe kushtet që më janë ofruar”, deklaroi fillimisht Gashi.
Ai është tashmë një titullar i rregullt dhe ndihmon skuadrën me gola dhe asiste. Ai shprehet i kënaqur me punën nën drejtimin e Armend Dallkut.
“Normalisht si çdo i ri pata nevojë për pak kohë për t’u përshtatur, por tash ndihem shumë mirë. Sigurisht që është kënaqësi të shënosh gola e të asistosh, por për mua rendësi ka suksesi i skuadrës. Jam shumë i kënaqur edhe me trajnerin Dallku dhe besimin që ka tek unë”, nënvizoi ai.
Lidhur me eksperiencën e lojës në Ligën e Parë në moshën e tij të re, Gashi thekson se ky rang garash është shumë cilësor.
“Liga e Parë sivjet është shumë e fortë, shumica e skuadrave janë ish-anëtare të Superligës dhe disa kanë fituar tituj. Të luash këtu nuk është aspak e lehtë, por është kënaqësi të ndjekësh rivalitetin dhe interesimin e tifozëve për ndeshjet”, ka thënë ai.
Për ftesën te Kosova U20 nga Bekim Isufi, mesfushori tregon emocionin e veçantë, ndërsa nuk ndalet deri sa t'i arrijë synimet.
“Është ndjesi e shkëlqyeshme. Jam i kënaqur me paraqitjet ndaj Katarit dhe shpresoj ta kem arsyetuar ftesën e përzgjedhësit Isufi. Synimi im është të ftohem më vonë edhe nga Kombëtarja U21 dhe Kombëtarja A”, pohoi Gashi.
Kur pyetet për të ardhmen dhe interesimin e klubeve të huaja, Gashi është i qartë, duke menduar njëherë vetëm te objektivat me Vushtrrinë.
“Secili i ri ëndërron të luajë në skuadra të mëdha evropiane, edhe unë synoj të tillë, por aktualisht jam i përqendruar vetëm te Vushtrria. Do ta jap maksimumin në çdo moment për të arritur qëllimin tonë, inkuadrimin në Superligë. Për momentin fokusi im është këtu, pastaj do të shohim çfarë sjell e ardhmja”, përfundoi mesfushori i talentuar.
Rrezon Gashi duket se po e ndjek hap pas hapi rrugën drejt një karriere të suksesshme, duke kombinuar talentin me profesionalizmin dhe përkushtimin ndaj ekipit dhe Kombëtares së Kosovës. /Telegrafi/
Një person është arrestuar pasi gjatë kontrollit në tri lokacione të ndryshme janë gjetur dhe konfiskuar si prova materiale disa armë.
Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se rasti ka ndodhur të martën në Vushtrri, Klinë dhe Carrabreg të Deçanit.
Tutje bëhet e ditur se janë konfiskuar dy pistoleta, një pushkë gjuetie, një armë e gjatë, një makinë për punimin e kartëmonedhave, dy telefona celular, një USB, një fotrollë arme, një kapelë bejsbolli, 208 copë fishekë të kalibrave të ndryshëm dhe dy optika.
“Lidhur me rastin është raportuar se është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, ndërsa gjatë kontrollit në tri lokacione të ndryshme, janë gjetur dhe konfiskuar si prova materiale; dy pistoleta, një pushkë gjuetie, një armë e gjatë, një makinë për punimin e kartëmonedhave, dy telefona celular, një USB, një fotrollë arme, një kapelë bejsbolli, 208 copë fishekë të kalibrave të ndryshëm dhe dy optika”, thuhet në raport. /Telegrafi/
Në kuadër të projektit “Move Safe+: Forcimi i Lëvizshmërisë së Qëndrueshme Urbane në Evropën Juglindore, Lindore dhe Azinë Qendrore”, Komuna e Vushtrrisë, në bashkëpunim me UN-Habitat Kosova, organizoi sot punëtorinë e parë njëditore për hartimin e Planit të Mobilitetit të Qëndrueshëm Urban për qytetin.
Në hapje të punëtorisë, kryetari i Komunës, Ferit Idrizi, theksoi rëndësinë e këtij procesi gjithëpërfshirës, që synon ta bëjë Vushtrrinë një qytet më të qasshëm, më të sigurt dhe më të gjelbër për të gjithë qytetarët. “Përmes Planit të Mobilitetit synojmë ndërtimin e një lëvizshmërie të qëndrueshme në Vushtrri, pra ta bëjmë lëvizjen në qytetin tonë më të lehtë, më të sigurt dhe me një ambient tërësisht të gjelbër”, deklaroi Idrizi.
Në punëtori morën pjesë përfaqësues nga UN-Habitat, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Instituti Kombëtar i Planifikimit Hapësinor, Fakulteti Teknik i Universitetit të Prishtinës, Policia, Bashkësia Islame, HANDIKOS Vushtrri, operatorë transporti, autoshkolla, organizata joqeveritare lokale dhe palë të tjera të interesit.
Ky aktivitet shënon hapin e parë drejt zhvillimit të një sistemi të qëndrueshëm urban për qytetin, i cili synon përmirësimin e cilësisë së lëvizshmërisë, sigurisë dhe ambientit për qytetarët e Vushtrrisë. /Telegrafi/
Gjykata Themelore në Mitrovicë ka caktuar një muaj arrest shtëpiak, për A.V, mjekun nga Vushtrria që dyshohet për marrje ryshfeti.
Sipas një postimi në rrjetin social në Facebook bëhet e ditur se sipas Aktvendimit të Gjykatës Themelore në Mitrovicë - Departamenti për Krime të Rënda, të pandehurit A.V. kjo masë është caktuar për shkak të dyshimit të bazuar se i pandehuri ka kryer veprën penale “Marrje e ryshfetit
“Gjykata Themelore në Mitrovicë - Departamenti për Krime të Rënda e ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë - Departamenti për Krime të Rënda, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit A.V., dhe ndaj tij është caktuar masa e arrestit shtëpiak, në kohëzgjatje prej një muaji. Sipas Aktvendimit të Gjykatës Themelore në Mitrovicë - Departamenti për Krime të Rënda, të pandehurit A.V. kjo masë është caktuar për shkak të dyshimit të bazuar se i pandehuri ka kryer veprën penale “Marrje e ryshfetit”, nga neni 421 paragrafi 1 të 164 paragrafi 1 të KPRK-së”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/
Një person ka raportuar se kishte dëgjuar një krisme dhe më pas ka parë që vetura e tij ishte djegur.
Në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur të dielën rreth orës 03:00, në Vushtrri.
Tutje bëhet e ditur se lidhur me rastin në afërsi të vendit të ngjarjes është gjetur një bidon me lëndë djegëse-benzinë.
“Është raportuar raportuar se gjatë natës ankuesi mashkull kosovar ka dëgjuar një krismë dhe pastaj ka parë se vetura e tij ishte duke u djegur. Lidhur me rastin në afërsi të vendit te ngjarjes është gjetur një bidon me lëndë djegëse-benzinë. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në raport. /Telegrafi/
Tre persona janë arrestuar të mërkurën nën dyshimin për veprën penale organizim te skemave piramidale dhe bixhoz të paligjshëm në Vushtrri.
Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se gjatë kontrollit, në cilësi të provave materiale janë gjetur dhe sekuestruar, tre telefona, një shumë e parave prej 525 euro, tiketa dhe dëshmi tjera relevante.
“Në orët e pasdites së datës 24 shtator 2025, policia në Vushtrri, kanë arrestuar tre persona të dyshuar për veprën penale ‘Organizim i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm’. Arrestimi i tre të dyshuarve është bërë mbi dyshime të arsyeshme dhe provave të siguruara se brenda një lokali po zhvillonin veprimtari te kundërligjshme të lojërave të fatit. Gjatë kontrollit, në cilësi të provave materiale janë gjetur dhe sekuestruar, tre telefona, një shumë e parave prej 525 euro, tiketa dhe dëshmi tjera relevante”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq siç thuhet në njoftim, pas intervistimit me aktvendimit të prokurorit të rastit, tre të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Ndaj tyre është iniciuar rast për veprën penale ”Organizim i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm. /Telegrafi/
Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, ka bërë homazhe sot pranë varrit të heroit polic Afrim Bunjaku, në dyvjetorin e rënies së tij gjatë sulmit terrorist në Banjskë.
Idrizi gjithashtu vizitoi familjen Bunjaku, duke shprehur mirënjohjen dhe respektin e qytetit për sakrificën e policit që mbrojti rendin dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës.
“Heroi ynë do të mbetet përjetësisht shembull i trimërisë dhe përkushtimit ndaj atdheut. Lavdi e përjetshme Afrim Bunjakut”, tha Idrizi, duke e cilësuar rënien e tij jo vetëm si humbje për familjen, por edhe si plagë të përbashkët për gjithë Kosovën, përcjell Telegrafi.
Ai theksoi se Bunjaku ishte qytetar dhe baba i ndershëm, i cili me guxim u përball me një sulm të organizuar ushtarakisht dhe të mbështetur nga Serbia.
Në këtë përvjetor, Komuna e Vushtrrisë i ka përkujtuar qytetarët se 24 shtatori do të mbetet përgjithmonë në kujtesën e tyre si ditë e dhimbjes dhe krenarisë. /Telegrafi/
Komuna e Vushtrrisë ka përkujtuar sot tre dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – Bislim Imeri, Muhamet Idrizi dhe Hamit Hyseni – në 27-vjetorin e rënies së tyre.
Në nderim të sakrificës së tyre për lirinë e vendit, kryetari i Komunës, Ferit Idrizi, ka theksuar se kujtimi dhe veprimtaria e dëshmorëve mbeten udhërrëfyes për gjeneratat e reja, transmeton Telegrafi.
Dëshmorët Bislim Imeri dhe Hamit Hyseni ishin pjesëtarë të Brigadës 142 në Zonën Operative të Shalës, ndërsa dëshmori Muhamet Idrizi ka luftuar në kuadër të Brigadës 114 në Zonën Operative të Drenicës.
“Lavdi e përjetshme për dëshmorët e kombit Bislim Imeri, Muhamet Idrizi dhe Hamit Hyseni”, është mesazhi i Idrizit në këtë përvjetor. /Telegrafi/
Ka përfunduar xhiro e shtatë në Ligën e Parë të Kosovës, me dy derbi që ishin në program për t'u zhvilluar.
Vëllaznimi dhe Trepça '89 u përballen në stadiumin 'Liman Gegaj' në Malishevë, ku në fund rezultati ishte baras 1-1
. Derbi tjetër i xhiros u zhvillua në Prizren, me Lirinë dhe Feronikelin '74 që luajtën baras 0-0.
Tefik Çanga ka mposhtur Vushtrrinë me rezultat 2-1, derisa Dinamo mori fitoren e parë nën drejtimin e Leotrim Krasniqit pasi mposhti Istogun 2-0. Trepça ka fituar me rikthim 2-3 në udhëtim te Kika, derisa Vjosa mposhti 3-0 KEK-un.
Vëllaznimi vazhdon të jetë lider pas shtatë xhirove me 17 pikë të grumbulluara, derisa befasia është Tefik Çanga që ndodhet në pozitën e dytë.
Dinamo është e treta me 15 pikë, derisa nga 14 pikë kanë Trepça dhe Feronikeli '74.
Në fund të tabelës është 2 Korriku pa pikë pas shtatë ndeshjeve. /Telegrafi/