Procesi i votimit në komunat veriore deri në këto momente ka kaluar pa incidente, derisa janë ndaluar hyrjet ilegale nga Serbia për të votuar.
Veton Elshani, zëvendësdrejtor i rajonit të veriut i ka thënë KosovaPress-it, se që nga orët e hershme të mëngjesit, kur është bërë hapja e vendvotimeve në veri të vendit, nuk kemi iniciuar asnjë rast për hetim deri në këtë moment.
“Kemi pasur disa raste të verifikimeve të ndryshme që i kemi bërë, si në Zubin Potok, Leposaviq, Soçanicë dhe në qytete të tjera, mirëpo nuk kemi ndonjë rast për ta theksuar. Jemi në kontakt të vazhdueshëm me KQZ-në dhe me Prokurorinë e Shtetit”, tha ai, derisa ka treguar për masat që kanë marrë për të mos hyrë ilegalisht nga Serbia për të votuar.
“Më herët, gjatë zgjedhjeve të kaluara, kemi pasur informacione se njerëzit po vinin përmes rrugëve ilegale, konkretisht nga ura e Bërnjakut, kalonin tek ne dhe më pas vazhdonin në veri të vendit. Këtë e kemi ndaluar edhe atëherë, por e kemi ndaluar edhe tani paraprakisht. Kjo ka qenë arsyeja pse janë marrë këto masa. Po ashtu, kemi pasur koordinim me Policinë Kufitare, pasi aty janë edhe barkat, si dhe me KFOR-in. Nuk kemi pasur raste për të ndaluar dikë, pasi ata persona janë kthyer nga ajo rrugë”, tha ai.
Elshani komentoi edhe votimin e organizuar të Listës Serbe.
“Në orët e mëngjesit kemi pasur edhe një votim të organizuar, të ashtuquajtur, nga sheshi “Car Lazari” e më pas drejt qendrave të votimit. Kjo ka ndodhur edhe në komunat e tjera të veriut të vendit dhe ka qenë një praktikë e përsëritur edhe herëve të kaluara. Për këtë e kemi njoftuar KQZ-në dhe Prokurorinë e Shtetit, por nuk kemi pasur rast për të hapur”, tha ai.
Ai shtoi se ekziston një plan i përgjithshëm në nivel të Kosovës lidhur me zgjedhjet që po mbahen sot dhe se ata janë pjesë e atij plani, por me disa specifika për shkak se janë zonë kufitare me Serbinë.
Ai shtoi se në veri ka shumë rrugë ilegale dhe të gjitha janë të mbuluara nga ana e Policisë Kufitare, ndërsa dje edhe nga njësitë e KFOR-it, në kuadër të bashkëpunimit të përbashkët që kemi.
Sipas tij, deri tani nuk ka ndodhur asnjë incident në veri. /kp/
Eksperti i sigurisë, Agim Musliu, ka deklaruar se Lista Serbe ka shkelur hapur Rregulloren Zgjedhore Nr. 07/2024 gjatë ditës së votimit, duke vepruar në kundërshtim me rregullat e heshtjes zgjedhore.
Sipas Musliut, pas një fushate të ashpër kundër partive të tjera që përfaqësojnë komunitetin serb, e cila sipas tij është zhvilluar nën ndikimin e drejtpërdrejtë të Serbisë dhe strukturave të lidhura me Milan Radojçiqin, sot në Mitrovicën e Veriut po vërehen shkelje serioze të ligjit zgjedhor.
Ai ka theksuar se Rregullorja Zgjedhore Nr. 07/2024, konkretisht Neni 8, përcakton qartë veprimet e ndaluara gjatë heshtjes zgjedhore.
Sipas këtij neni, nga momenti i hapjes së qendrave të votimit deri në mbylljen e tyre, subjekteve politike dhe përfaqësuesve të tyre u ndalohet mbajtja e takimeve me qëllim fushate apo grumbullimi i zyrtarëve dhe simpatizantëve në afërsi të qendrave të votimit.
“Lista Serbe po fton simpatizantët që të grumbullohen para zyrave të saj në Mitrovicën e Veriut dhe në komuna të tjera, pikërisht në ditën kur kanë filluar votimet dhe kur heshtja zgjedhore është zyrtarisht në fuqi”, ka deklaruar Musliu.
Sipas tij, këto veprime përbëjnë shkelje të drejtpërdrejtë të rregullores zgjedhore dhe kërkojnë reagim institucional.
Ai ka bërë thirrje që institucionet relevante, përfshirë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Prokurorinë e Shtetit dhe Policinë e Kosovës, të ndërmarrin masa ligjore ndaj këtyre shkeljeve.
Musliu ka rikujtuar gjithashtu se Lista Serbe edhe gjatë fushatës zgjedhore është ndëshkuar financiarisht, duke u dënuar me 30 mijë euro, pas një ankese të paraqitur nga një subjekt tjetër politik serb në veri të vendit për shkelje të ligjit. /Telegrafi/
Në orët e pasditës të së martës, Policia e Kosovës ka regjistruar dy raste të kontrabandës në komunën e Leposaviqit, konkretisht në fshatrat Zernovshek dhe Gnjezhdane.
Lajmin e konfirmoi Veton Elshani, zëvëndësdrejtor i Drejtorisë Rajonale Mitrovicë-Veri të Policisë së Kosovës.
Ai bëri të ditur se gjatë aksioneve janë identifikuar pije alkoolike dhe joalkoolike, si dhe mbi 20 mijë euro ‘cash’.
Sipas Elshanit, rasti i parë është trajtuar nga Policia Kufitare, ndërsa i dyti nga Policia e Rendit.
“Pijet alkoolike dhe tri automjete janë konfiskuar, ndërsa tek rasti i Policisë së Rendit Publik një person pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt,” tha ai.
Policia vazhdon hetimet për zbardhjen e plotë të të dy rasteve dhe theksuan rëndësinë e bashkëpunimit të qytetarëve për parandalimin e kontrabandës në zonat e veriut./Telegrafi.
Përkundër rreth 500 dorëheqjeve të zyrtarëve nga komuniteti serb, numri i përgjithshëm i pjesëtarëve të forcave të rendit në katër komunat në veri, sipas Policisë së Kosovës, është pothuajse i njëjtë me atë të para dorëheqjeve. Vetëm në Mitrovicë të Veriut, Zvecan, Zubin Potok e Leposaviq, nëpërmjet konkurseve janë punësuar rreth 150 policë të rinj serbë. Ekspertë të sigurisë thonë se për të mos lejuar ndikime nga Serbia, punësimet e pjesëtarëve nga komuniteti serb, sikur edhe të tjerëve, duhet të bëhen vetëm me konkurs.
Tre vjet më parë, duke zbatuar urdhra politik, në formë të organizuar rreth 500 zyrtarë policorë nga komuniteti serb në veri zhveshën uniformat me flamurin e shtetit të Kosovës.
Menjëherë, për të mos lejuar vakum ishin angazhuar me zyrtarë policorë shqiptar dhe të komuniteteve tjera, por edhe serbë nga komunat tjera që u risistemuan në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.
Pasi tha se numri i përgjithshëm i policëve të angazhuar në këtë pjesë të vendit është pothuajse i njëjtë me atë të para dorëheqjeve, në një përgjigje për TV Dukagjini, Policia tregoi se vetëm në veri “përmes konkurseve të rregullta janë punësuar rreth 150 zyrtarë të rinj nga komuniteti serb”
“Nga Nëntori i vitit 2022 e deri më tani përmes konkurseve të rregullta janë punësuar rreth 150 zyrtarë të rinj nga komuniteti Serb, të angazhuar në pjesën veriore të vendit”, thuhet në njoftimin nga Policia e Kosovës
Por, numri i serbëve që u bënë pjesë e Policisë në tërë Kosovën, pas Nëntorit 2022, është më i madh.
“Që prej dorëheqjeve kolektive të policëve serbë në veri të Kosovës në Nëntor të vitit 2022, 208 policë, kadetë të rinj nga komuniteti serb i janë bashkuar Policisë së Kosovës”, ka deklaruar Albin Kurti, kryeministër në detyrë
Koloneli në pension Refki Morina thotë se dorëheqjet ishin politike dhe të parevokueshme, ndërkaq shpjegoi se rregullativa nuk lejon kthimin e askujt dhe “se punësimi në Policinë e Kosovës mund të bëhet vetëm nëpërmjet konkursit, duke verifikuar të kaluarën penale”.
“Më parë kanë punësuar njerëz edhe të Rojave të Urës në Policinë e Kosovës, por ata në një mënyrë ose një tjetër më shumë kanë punuar për Serbinë sesa për shtetin e Kosovës, andaj një gjë e tillë nuk mund të ndodhë në Policinë e Kosovës. Është konkursi i rregullt. Në konkursin e rregullt kanë të drejtë të paraqiten të gjitha nacionalitet, shqiptarë, serbë, romë, të gjitha nacionalitetet që jetojnë në Kosovë”, ka thënë Refki Morina, kolonel në pension i Policisë së Kosovës.
Edhe pse Serbia mund të përpiqet të përdorë marrëveshjen e ratifikuar në Kuvend më 2013, për integrimin e strukturave paralele, eksperti Drizan Shala tha se, për të mos lejuar ndikime nga jashtë, nuk duhet lejuar kthimin e ish-zyrtarëve.
“Ne do të duhej të analizojmë mangësitë e asaj marrëveshje, do të duhej ta atakojmë në formën juridike për t’ia pamundësuar që këto struktura që kishin dhënë dorëheqje dhe kishin sabotuar institucionet e Republikës së Kosovës mos të kenë fare mundësi që të kthehen në sistemin e sigurisë së Republikës së Kosovës… Të shpallet konkurs i ri duke inkorporuar qytetarë të ri të komunitetit serb në kuadër strukturave të sigurisë për të minimizuar mundësinë e influencimit, mundësinë e sabotazhit dhe mundësinë e spiunazhit brenda strukturave të sigurisë në Republikën e Kosovës”, ka thënë Drizan Shala, ekspert i Sigurisë.
Ish-policët dhe ish-zyrtarë tjerë shtetëror nga komuniteti serbë ishin dorëhequr në bashkërendim me Listën Serbe, e cila kishte tërhequr kryetarët nga radhët e saj në katër komunat në veri, duke thënë se vendimi për largim nga institucionet do të zbatohet deri në formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe./Tv Dukagjini/
Policia e Kosovës ka ndërhyrë sot në palestrën sportive në Mitrovicën e Veriut, duke ndaluar zyrtarët komunalë që të largojnë karriget me ngjyra që simbolizojnë qytetin e Mitrovicës dhe t’i zëvendësojnë ato me karrige që përfaqësojnë flamurin e Serbisë.
Sipas KosovaPress, nga brenda palestrës sportive është siguruar një fotografi ku shihen zyrtarë të Policisë së Kosovës të pranishëm në ambientet e objektit.
Në pamjet e siguruara nga salla e sportit është parë edhe Igor Simiq, përfaqësues i Listës Serbe.
Ekipi i KosovaPress ndodhet në vendin e ngjarjes dhe po i përcjell nga afër zhvillimet, ndërsa publiku do të informohet në kohë reale për çdo të re lidhur me këtë rast.
Deri në këto momente, Policia e Kosovës nuk ka dhënë detaje zyrtare lidhur me arsyet e ndërhyrjes apo rrethanat që kanë çuar në këtë situatë.
Për tri javë radhazi, vetura të tipeve të ndryshme, kamionë e automjete të vogla janë xhiruar deri sa kalojnë përgjatë një rruge e cila është skaj Banjskës.
Në Zubin Potok, ekipi arriti që të identifikojë disa prej veturave të cilat përdornin rrugë ilegale për të transportuar mallra të ndryshme nga Serbia për në Kosovë.
Rruga që shihet edhe në pamjet e transmetuara në emisionin e Kallxo Pernime më 14.12.2025, është vështirë e kalueshme, sidomos në periudhat kur ka të reshura bore e shiu.
Grupe të cilat konsiderohen të rrezikshme janë duke vazhduar sërish të mbajnë primatin e kontrabandimit në pjesën e veriut të vendit.
Pjesëtarë të grupeve janë kapur herë pas here nga Policia e Kosovës duke kryer veprimtari ilegale.
Pamjet të cilat i kemi transmetuar sonte, tregojnë edhe kohën, veturat, rrugën të cilën përshkojnë veturat të ndryshme skaj Banjskës, mes Leposaviqit e Zubin Potokut.
Në zonën të cilën ekipi i Kallxo Pernime ka hulumtuar për disa javë, i cili njihet si “Junak” një zonë malore po përdorej për të kontrabanduar mallra nga Serbia në Kosovë. Kontrabanda kryesisht bëhej me gjëra ushqimore e tekstil.
Kamerat e ekipit të vendosura për të mbikëqyrur rrugën që do të përdorej, filmoi edhe automjete të ndryshme të cilat kalonin përgjatë rrugës drejtë Serbisë dhe më pas të njëjtat shiheshin duke u kthyer në Kosovë.
Madje në disa raste, kamerat kanë filmuar edhe kolona të makinave të ndryshme jo vetëm një apo dy të tilla. Madje në gjithë xhirimet që ka ekipi i Kallxo Pernime, nata e cila pati më së shumti qarkullim të kontrabandës ishte ajo e një nate para se të betoheshin kryetarët e komunave në veri të vendit.
Kontrabanduesit e dyshuar përdornin natën si kohë e cila u mundësonte atyre të dalin më lehtë dhe pa u identifikuar në Serbi dhe të ktheheshin të mbushur me mallra ilegale pa dokumentacion në Kosovë.
Koha në të cilën kishte më së shumti qarkullim ishte 20:00 – 22:00.
Më 27 nëntor 2025, kamerat e ekipit kapen pamjet e para të veturave që shfrytëzonin rrugën e vështirë për të kaluar ilegalisht në Serbi për kontrabandë.
Rruga në të cilën po kalonin kontrabandistët ishte duke u punuar nga kompani të kontraktuara nga institucionet në Kosovë.
Por, ndonëse ishte duke u punuar, rruga kohë pas kohe bëhej vështirë e kalueshme për makina të cilat nuk kanë fuqi të ngjiten deri në majën e saj, aty ku edhe ekipi kishte vendosur kamerat.
Pamjet që ka siguruar KALLXO të javëve të kaluara, i ka dërguar edhe në Policinë e Kosovës. Hulumtimi të cilin realizoi ekipi rezultoi me arrestime mbrëmjen e 11 dhjetorit 2025. Gjashtë persona u arrestuan nën dyshimin për kontrabandë me mallra në zonën ku ekipi i kishte vendosur kamerat.
Në lidhje me këtë situatë, zëvendësdejtori rajonal në veri, Veton Elshani tha se kryesisht kontrabandistët përdornin mjete të ndryshme të vogla e të mëdha për të bartur mallra kryesisht ushqim e tekstil.
“Bartet sa nxë ai mjet transportues. Nëse është kamionetë bart gjëra ushqimor. Nëse haset ndonjë xhip i madh me një kepet të madh, bagazh atëherë është kryesisht me barna dhe ushqim. Por nëse krahasojmë vitin 2022 qarkullimi është më i vogël”- tha Elshani.
Ai shtoi se kontrabandistët shikojnë cilat rrugë janë më të lehta dhe të qarkullueshme, bëjnë vëzhgimin pastaj zhvillojnë kontrabandën.
“Kemi pasur mjaft raste kur ne i kemi ndaluar këta persona, por nuk do të thot që është ndaluar përgjithmonë. Ka ende gjëra ushqimore, barna, mish, gjëra të shtrenjta”- shton tutje Elshani.
Sipas tij, përveç dy pikave zyrtare kufitare ajo në Bërnjak e Jarinje, në pjesën e veriut të vendit janë identifikuar 64 rrugë ilegale në të kaluarën, shtatë prej tyre të cilat janë të asfaltuara e të tjerat të qarkullueshme.
Në anën tjetër personat të cilët janë arrestuar nga policia për kontrabandë janë kryesisht me të kaluar kriminale.
“Kemi njerëz që i njohim si pjesë të grupit. Ka pasur persona që kanë qenë në burg, në paraburgim, kanë dalë i kemi nxënë prapë të njëjtit. Mbrëmë i kemi ndalu disa persona, dy prej tyre janë largu. Kemi sekuestruar edhe mallra e tekstil. Automjetet janë sekuestruar”- shton tutje Elshani.
“Shumica janë me të kaluar … sepse janë përsëritës të veprimtarisë penale”- thotë Elshani.
Elshani përfundon duke thënë se policia po vazhdon mbikëqyrjen e sigurisë por nuk mohon se mund të ketë edhe kryerje të veprimtarisë penale prej personave të ndryshëm.
“Forma ka ndryshuar e kontrabandës. Rrugët ekzistojnë dhe për këtë arsye duhet me qenë në mbikëqyrje vazhdimisht. Rrugët ende përdoren, por ne jemi në kontroll të kufirit jo 100 %. Kurrë nuk është 100 %, mirëpo mundohemi të jemi çdo kund. Deri më tani kemi qenë mjaftë të suksesshëm, por nuk do të thot që ne do të ndalemi në punën tonë- e as kriminelët në rrugën e tyre”- shtoi ai.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se operacionet e ndërmarra në pjesën veriore të vendit kanë qenë tërësisht ligjore, parimore dhe të domosdoshme për mbrojtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës.
Ai ka vënë theks të veçantë te roli i institucioneve të sigurisë, duke thënë se organet e rendit dhe inteligjencës kanë kryer “punë të shkëlqyeshme”, duke garantuar zbatimin e sundimit të ligjit në zonat e prekura.
Sipas Kurtit, rezultatet e arritura janë të prekshme dhe të rëndësishme për shtetin.
“Janë mbyllur 29 nga 37 rrugët ilegale, janë eliminuar strukturat paralele të Serbisë, janë larguar kriminelët e mëdhenj dhe është vendosur rend dhe ligj në 16% të territorit,” tha ai.
Kryeministri në detyrë shtoi se, megjithëse operacionet nuk janë nisur me llogaritjen nëse “ia vlen barra qiranë”, sot mund të thuhet se veprimet kanë qenë të justifikuara dhe të domosdoshme.
“Pavarësisht kritikave, ajo që Kosova ka fituar si shtet është shumë më e madhe dhe më e vlefshme sesa çdo gjë tjetër,” theksoi Kurti gjatë intervistës në Kanal10./Telegrafi.
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Avio Orav, mirëpriti sot dorëzimin e qetë të pushtetit lokal në katër komunat veriore, gjatë një takimi që mbajti në Zveçan me kryetarët e rinj të komunave.
Ai theksoi rëndësinë e respektimit të ligjit dhe procesit demokratik në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
Ambasadori Orav gjithashtu nënvizoi nevojën për një bashkëpunim konstruktiv midis autoriteteve qendrore dhe lokale.
“Mbështetja e BE-së për komunitetet jo-shumicë është e palëkundur, dhe bashkëpunimi konstruktiv midis autoriteteve lokale dhe qendrore është thelbësor për stabilitetin dhe zhvillimin e qëndrueshëm,” tha Orav./Telegrafi/
Politikani serb Nikolla Sanduloviq ka reaguar pas betimit të kryetarëve të komunave me shumicë serbe, duke theksuar se ata kanë pranuar institucionet dhe ligjet e shtetit të pavarur të Kosovës.
Sipas tij, të gjithë dhjetë kryetarët e komunave serbe në Kosovë, në të cilat u rizgjedhin nën presionin e Listës Serbe dhe në një atmosferë frike e shantazhi, kanë dhënë betimin e tyre ndaj shtetit të Kosovës, me himnin e Kosovës dhe para figurës së Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani.
Sanduloviq thekson gjithashtu se dokumentet u dhanë në dy gjuhë, “në serbisht dhe shqip, që të mos kishte pretendime më pas se dikush po mbron gjuhën, zakonet dhe kulturën serbe në Kosovë".
Në postimin e tij, politikani serb ngre një pyetje retorike për ata që nuk e pranojnë pavarësinë e Kosovës.
“Çfarë tjetër është e paqartë në konkluzionin se Kosova është shtet i pavarur dhe se serbët në autoritetet e tyre komunale e njohin si të tillë?”, ka shkruar ai.
Gjithashtu, Sanduloviq kritikon politikanët serbë jashtë Kosovës duke shtuar se “Çfarë pastaj doni nga Serbia, Mali i Zi, Maqedonia, Kroacia dhe Bosnja e Hercegovina? Heshtje aty… ashtu siç ju është drejtuar tashmë shefi juaj Aleksandar Vuçiq”.
Sipas Sanduloviqit, fakti që kryetarët e komunave serbe kanë dhënë betimin e tyre dhe janë angazhuar të respektojnë ligjet e Kosovës është një provë e qartë se institucionet lokale serbe funksionojnë brenda strukturave të shtetit të pavarur./Telegrafi/
Bashkimi Evropian (BE) në Kosovë përshëndeti zhvillimin pa probleme të ceremonisë së betimit për kryetarët e rinj dhe përbërjet e reja të kuvendeve komunale në katër komunat e veriut të Kosovës.
Ky moment është parë si një “hap i rëndësishëm drejt angazhimit konstruktiv në të ardhmen”.
“Sot kuvendet komunale dhe kryetarët e komunave morën detyrën në 20 komuna të 🇽🇰 pas zgjedhjeve lokale gjithëpërfshirëse. BE-ja në Kosovë mirëpret dorëzimin pa probleme të qeverisjes komunale, duke përfshirë edhe 4 komunat veriore. Ky është një hap i rëndësishëm drejt angazhimit konstruktiv në të ardhmen”, thuhet në postim. /Telegrafi/
Mes tensionesh e protestash pranuan detyrën. Kryetarët e komunave në veri të Kosovës pritet ta dorëzojnë atë nesër, më 5 dhjetor 2025.
Kryetari i Zveçanit, Ilir Peci, dhe ai i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, në një rrëfim për KALLXO.com tregojnë se a e kanë menduar dorëheqjen, cilat kanë qenë sfidat dhe si po i lënë sot komunat që kanë udhëhequr.
Ilir Peci, i cili për më shumë se dy vite ishte në krye në Zveçanit, tha se u përball me kërcënime për ta lëshuar objektin dhe për të dhënë dorëheqje.
E këtë të dytën thot se as nuk e ka çuar ndërmend.
“Asnjëherë nuk më ka interesuar frika që më ka ardhur vazhdimisht nga Lista Serbe. Disa herë para gazetarëve të Beogradit unë ua kam shpjeguar se me kërcënime mua nuk mundeni me më largu. Po vazhdimisht, për ato gjithmonë kanë qenë të njoftuar edhe Policia, gjithmonë jam thirrur në atë se me kërcënime nuk mund të më largoni, derisa është shteti im, kam ardhur në mënyrë ligjore dhe i respektoj ligjet e Republikës së Kosovës”, u shpreh Peci.
Krahasuar me gjendjen si e gjeti Komunën, e për ca kohë vazhdoi qeverisjen pa drejtorë e zyrtarë në përpjekje për t’i plotësuar këto kuadro, kryetari në largim thot se kanë arritur goxha mirë të punojnë në këtë Komunë.
Kremtimin e përvjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë në seancën e parë solemne e kujton si momentin më të sikletshëm gjatë qeverisjes së tij.
“Për herën e parë në veri të Kosovës është mbajtur kuvendi dhe është festuar dita e 28 Nëntorit. Në vitin e kaluar në sallën e Kuvendit në katin e tretë, ku kanë qenë përmbi ndoshta 300 vetë dhe asnjëherë nuk më është larguar nga mendja duke e ditur situatën në të cilën jemi këtu deri e kam përfunduar fjalimin tim”, potencoi ai.
Kujtojmë se në orët e para të ditës më 24.09.2023, një njësi policore e cila ishte në patrullim në zonën e Zveçant njoftoi se dy kamionë ishin vendosur në urën që të çon brenda fshatit Banjskë.
Rreshteri policor Afrim Bunjaku së bashku me dy kolegë të tij i ishin përgjigjur rastit, me ç’rast deri sa ishte afruar te kamionët e vendosur për të parë se çfarë po ndodhte kishte shpërthyer një mjet shpërthyes.
Rreshteri Afrim Bunjaku ishte vrarë në sulm më 24.09.2023 ndërsa dy kolegët e tij, njëri ishte plagosur e tjetri ishte lënduar.
E shpërthimi që ndodhi më 29.11.2024 në kanalin e ujit të ndërmarrjes “Ibër-Lepenci”, në fshatin Varagë të komunës së Zubin Potokut ashtu siç ishte cilësuar nga Qeveria e Kosovës si “sulm terrorist”, njësoj e quajti edhe kryetari në largim i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri.
“Ishte një sulm terrorist siç jam shprehur qysh në natën e parë, qyshse kur ka ndodhur ishte sulm shqetësues dhe i rëndë, shumë i dëmshëm. Mirëpo ja që prej atëherë duket se janë marrë disa të dyshuar, mekanizmi i sigurisë ka punuar dhe është duke punuar për zbulimin e rastit”- tha Zeqiri.Në mesin e vështirësive, si sfidë më të madhe Zeqiri e cilëson siç e quan ai, kundërshtimin nga grupet kriminale.“Pra sulmuan, organizuan aq protesta të fuqishme, sulmuan organet e rendit, na pengojshin në administratë, sulmojshin organet e KFOR-it”, potencoi ai.
Se faza e fillimit kur mori detyrën ishte sfiduese e thotë Zeqiri, duke theksuar se me gjithë angazhimin maksimal siç thot ai të ekipit e po ashtu falë organeve të sigurisë, vitin e parë u arrit që të stabilizohet gjendja.
“Të krijohen kushtet për normalitet, për shërbime normale, që të hyjnë në funksion edhe zyrat në shërbim të qytetarit”, tha më tej ai.
Se kanë përfunduar të gjitha përgatitjet për nesër e thanë dy kryetarët që i përkasin Partisë Demokratike të Kosovës.
“Natyrisht që jemi në gjendje gatishmërie se kurdo që të marrin mandatin e plotfuqishëm dhe të bëjmë pranimin–dorëzimin, pra t’u urojmë edhe detyrat. Unë jam i gatshëm, do të thotë, për mua është me rëndësi është të zhvillohen procedurat e duhura”, potencoi Izmir Zeqiri.
Për KALLXO.com për t’i rrëfyer përvojat e tyre nuk pranuan të flasin Erden Atiq, kryetar në largim i Mitrovicës së Veriut dhe Lulzim Hetemi i Komunës së Leposaviqit.
Nesër, më 05.12.2025, në zyrat e komunave në veri të Kosovës pritet të kthehen kryetarët nga komuniteti serb, të cilët fituan në zgjedhjet e fundit lokale.
Betimin si kryetar komune, përveç kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, i cili u betua në objektin e Komunës, tre kryetarët e tjerë, i Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, nuk u betuan në objektet e komunave, por në shkolla dhe zyre të bashkësisë komunale.
Në një komunikatë zyrtare, në ditën e betimit Policia e Kosovës kishte thënë se pesë policë u lënduan, katër vetura të Policisë u dëmtuan, njëra prej të cilave u dogj.
Ndërsa, sipas forcave të rendit, ishin dëgjuar edhe të shtëna nga armë zjarri.Në mënyrë krejtësisht të pazakontë, nën përcjellje të Policisë e mes tensionesh, kryetarët në Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok, pasditen e së premtes së 26 majit 2023 u futën në zyrat e punës.
Më 29 maj, në orët e hershme të mëngjesit, qytetarë serbë ishin mbledhur sërish pranë objekteve komunale në tre komunat e veriut të vendit.
Ata do të kundërshtonin sërish futjen e kryetarëve shqiptarë në objektet e komunave.
Në veri prezencën e kishte shtuar misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR.
Derisa kundërshtimi i serbëve lokalë vazhdonte në veri të vendit, ambasadorët e vendeve europiane dhe ai i SHBA-së kishin nisur përpjekjet për ta bindur kryeministrin Kurti që veprimet përmes policisë të ndalonin dhe situata të qetësohej.
Përpjekjet e ndërkombëtarëve nuk patën sukses të hënën.Gjatë të njëjtës ditë kishin ndodhur përplasje mes protestuesve që Policia e Kosovës i quajti grupe kriminale, dhe ushtarëve të KFOR-it.
Për pasojë, rreth 30 ushtarë të misionit të NATO-s u lënduan, në mesin e tyre italianë dhe hungarezë. Më vonë, tre nga ushtarët u konfirmua se ishin të plagosur nga arma e zjarrit. /Kallxo.com/
Në orën 11:00 pritet të fillojë seanca konstitutive e kuvendeve komunale në katër komunat veriore.
Në Mitrovicën e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok mbahen sot seancat konstitutive, ku kryetarët e rinj të cilët vijnë nga Lista Serbe do të marrin zyrtarisht detyrat.
Millan Radojeviq në Mitrovicë të Veriut, Zoran Todiq në Leposaviq, Dragisha Milloviq në Zveçan dhe Millosh Peroviq në Zubin Potok. /Kp/
Nesër në orën 11 do të bëhet betimi i kryetarëve ne katër komunat veriore të Kosovës. Kështu pushteti nga shqiptarët do të rikthehet tek kryetarët e Listës Serbe. Televizioni ka siguruar fotografitë që tregojnë se në Kuvendet komunale janë vendosur flamujt shtetëror të Republikës së Kosovës dhe fotografia e Presidentes së shtetit. Ministria e Pushtetit Lokal ka krijuar ekipe për monitorimin e seancave inauguruese, në rast se nuk zhvillohen në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës, paralajmërojnë se do të shpallen të paligjshme.
Kryetarët e katër komunave veriore të Kosovës, të gjithë anëtarë të Listës Serbe, të premten nga ora 11:00, do t’i pranojnë detyrat zyrtarisht, por para flamurit shtetëror të Republikës, e në prapavijë me fotografinë e Presidentes së Shtetit.
Fotografitë të cilat i ka siguruar TV Dukagjini, tregojnë përgatitjet që janë bërë në njërin prej Kuvendeve Komunale.
Se a do të kryejnë betimin dhe a do ta respektojnë shtetin dhe ligjet e Kosovës, kryetarët serbë, kjo do të kuptohet nesër.
Ministri në detyrë Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi për TV Dukagjinin ka deklaruar se sikurse komunat tjera, edhe kryetarët e rinj të Mitrovicës Veriore, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut janë të detyruara ta respektojnë ligjin dhe Kushtetutën gjatë kalimit të pushtetit tek ta.
Dy-gjuhësia, simbolet shtetërore, e ftesat zyrtare në harmoni me ligjin, sipas Krasniqit janë treguar se inaugurimi do zhvillohet normalisht, në të kundërtën, paralajmëron edhe masa.
“MAPL ka krijuar ekipe për monitorimin e seancave inauguruese, të cilat do të jenë të pranishme fizikisht në të gjitha mbledhjet për të siguruar respektimin e të gjitha procedurave kushtetuese dhe ligjore. Në çdo rast kur konstatohet mos-respektim i këtyre procedurave, MAPL do t’i shpallë të paligjshme dhe jolegjitime seancat përkatëse, sipas legjislacionit në fuqi të Republikës së Kosovës”, ka thënë Krasniqi.
Një ndër kryetarët që nesër e përfundojnë shërbimin është Izmir Zeqiri i cili postin e të parit të Zubin Potokut, do të ia përcjellë personalisht pasuesit, Millosh Peroviq.
“Po prej orës 11 fillon seanca, seancë solemne ku duhet të jepet betimi edhe i asamblistëve edhe i kryetarit në ardhje, dhe më pastaj është fuqiplotë me mandat. Unë jam i gatshëm t’i urojë, t’i zhvillojmë edhe ato procedurat protokolare pranim dorëzimin, të fillojë qysh nesër, pasi ai të e marr mandatin dhe natyrisht unë jam i gatshëm pse jo edhe të ia uroj”, ka thënë Zeqiri.
Zeqiri thotë se në rast se kryetari i ri tenton që seancën ta mbajë jashtë institucioneve zyrtare, ai personalisht nuk do të marr pjesë dhe nuk do të ia ofrojë mundësinë që të zhvendoset puna e Kuvendit dhe të bëhet punë ilegale.
Në Mitrovicën Veriore, Erden Atiqi i Vetëvendosjes do të ia bartë detyrën Milan Radojevicit të Listës Serbe. Në Zveçan, Ilir Peci i PDK-së, ia lëshon vendin, Dragisha Miloviqit, ndërkaq në vend të Lulzim Hetemit të Lëvizjes Vetëvendosje, në karrigen e kryetarit të Leposaviqit, po ashtu nga Lista Serbe, rikthehet prapë, Zoran Todiq.
Kompania lokale e autobusëve nga Mitrovica e Veriut, e njohur me emrin “JO Travel”, është përballur me një sërë pengesash biznesi në muajt e fundit, të cilat, sipas pronarit Goran Antiq, nuk janë rezultat i kushteve të tregut, por i pikëpamjeve të tij të shprehura publikisht kundër Listës Serbe dhe autoriteteve në Serbi.
Sipërmarrësi Antiq, deklaron se presionet manifestohen përmes barrierave të ndryshme administrative, logjistike dhe të sigurisë që nuk i kishte më parë.
Midis tyre, siç thekson ai, janë kontrollet e papritura, vështirësitë në marrjen e lejeve, por edhe raportet dhe vizitat e shpeshta inspektuese që “si rregull nuk zbulojnë asnjë parregullsi, por shërbejnë si një formë frikësimi”.
“Që nga momenti që thashë publikisht atë që mendoj për situatën politike dhe sjelljen e strukturave të caktuara, puna ime është bërë pothuajse e pamundur. Është sikur dikush do të më detyrojë të hesht ose ta mbyll kompaninë”, tha për veritasinfo Goran Antiq.
Nga ana tjetër, disa qytetarë dhe aktivistë civilë deklarojnë se raste të tilla nuk janë të izoluara dhe se ato janë një shembull i një problemi më të gjerë në të cilin sipërmarrësit në veri të Kosovës vuajnë pasojat e bindjeve të tyre politike ose qëndrimit kritik ndaj strukturave lokale.
“Kjo ndikon në klimën e biznesit, por edhe në ndjenjën e lirisë. Njerëzit kanë frikë të flasin publikisht, sepse shohin se çfarë u ndodh atyre që guxojnë të kritikojnë”, tha Ivan Pantiq nga Zveçan.
Ndërsa pronari i “JO Travel” thotë se nuk do të heqë dorë nga biznesi dhe as nuk do të tërheqë pozicionet e tij, ai pret që institucionet dhe organizatat ndërkombëtare t’i kushtojnë më shumë vëmendje presioneve mbi biznesmenët vendas.
“Nuk kam nevojë për privilegjin e askujt — vetëm të më lënë të punoj”, përfundoi ai.
Investitori dhe biznesmeni kontrovers Rados Petroviq, i njohur për marrëdhënie të ngushta me strukturat politike të Beogradit dhe për shpërblimin e tij me tenderë të mëdhenj publikë në Mitrovicën e Veriut, po përballet me drejtësinë pasi Inspektorati i Ndërtimit në Kragujevc ka ngritur kallëzim penal ndaj kompanisë së tij “RP Invest 1980”.
Kjo kompani u bë qendër e vëmendjes pasi në kantierin e saj ndodhi shembja e një muri mbajtës dhe një pjese të rrugës pranë Qendrës së Ekselencës, ndonëse punimet atje ishin zyrtarisht të ndaluara.
Autoritetet konfirmuan se kantieri ishte mbyllur që më 21 nëntor për shkak të ndërtimit pa leje, por pavarësisht kësaj, punimet kishin vazhduar në kundërshtim të plotë me vendimin e inspektoratit.
Përveç praktikave të diskutueshme të ndërtimit, Petroviqi dhe kompania e tij janë të lidhura me dhjetëra projekte milionëshe në komunat veriore të Kosovës, të financuara nga buxheti i Serbisë. edhe pse në regjistrat zyrtarë “RP Invest 1980” figuron në pronësi të Jelena Petroviqit, revista NIN ka raportuar prej vitesh se kompania drejtohet në të vërtetë nga bashkëshorti i saj, Radosh Petroviqi, i cili ka qenë i lidhur me disa kompani ndërtimi përfshirë “RP Euro Invest” dhe subjekte të tjera që kanë dominuar tenderët publikë në Mitrovicën e Veriut dhe në Serbi.
Vetëm përmes projekteve në veri të Kosovës, këto kompani raportohet të kenë ndërtuar mbi 1.000 njësi banimi dhe të kenë përfituar kontrata të mëdha, duke përfshirë komplekset për serbët e kthyer, infrastrukturë rrugore dhe objekte publike. Këto projekte e kanë bërë RP Invest një nga kompanitë më të favorizuara në zonat e kontrolluara nga Beogradi.
Rritja financiare e kompanisë ka qenë po aq e pazakontë: nga vetëm 11 milionë dinarë në vitin e parë të regjistrimit në Serbi, kompania ka arritur në mbi 1.86 miliardë dinarë të ardhura në vitin 2024, duke ngritur dyshime për mënyrën dhe burimet e zgjerimit të saj të shpejtë.
Për më tepër, figura e Radosh Petroviqit është përmendur shpesh në ngjarje të ndjeshme politike e të sigurisë në veriun e Kosovës.
Në pamjet e publikuara nga mediat në maj të vitit 2023, gjatë ditës kur forcat e KFOR-it u sulmuan në Zveçan, ai është identifikuar mes personave të pranishëm në vendngjarje, çka ka shtuar pyetjet për rolin dhe lidhjet e tij në strukturat e organizuara në veri të Kosovës./KosovaPress.
Policia në Mitrovicë të Veriut po i kthen prapa veturat të cilat me simbole shtetërore e kombëtare po tentojnë të lëvizin në këtë pjesë të qytetit, në ditën e përvjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, më 28.11.2025.
KALLXO.com ka siguruar pamje nga udhëkryqi në “Lagjen e Boshnjakëve”.
Petrit Fejza, shef i Operativës Rajonale të Policisë, tha për KALLXO.com se organet e rendit nuk po i lejojnë personat me flamuj të parakalojnë në veri të vendit me qëllim të ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike.
“Flamujt nuk janë të ndaluar me ligj, përkundrazi festa është zyrtare mirëpo ne në kapacitetin tonë si institucion i zbatimit të ligjit që për qëllim e ka ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike jemi duke marrë masa që mos me ardhë deri te nevoja për me ndërhy”- potencoi Fejza.
Ndërsa, në Mitrovicë të Jugut ka atmosferë festive, me flamuj të vendosur në hapësira publike e qarkullim të qytetarëve me flamuj kombëtarë, të Kosovës e të UÇK-së.Ndryshe, program festiv e homazhe u bënë në Kullën e Isë Boletinit në fshatin Boletin të komunës së Zveçanit, ku të pranishëm ishin edhe kryekuvendari Dimal Basha, zyrtarë të tjerë të institucioneve qendrore e lokale.
Shqiptarët sot kremtojnë 113-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.
Lista Serbe është tërhequr pas ftesës për seancën konstituive të Mitrovicës së Veriut, pasi dokumenti fillestar nuk përmbante shënimin zyrtar “Republika e Kosovës”.
Ftesa e re për seancën konstituive të Kuvendit të Mitrovicës së Veriut tash mban emrin zyrtar “Republika e Kosovës”, dhe është e shënuar edhe në gjuhën shqipe, raporton Dukagjini.
Megjithatë, më herët kryetari i sapozgjedhur, Milan Radojeviq, dhe partia e tij, Lista Serbe, njoftuan se nuk do ta respektojnë rendin kushtetues të vendit.
Sipas ligjit, çdo dokument zyrtar i institucionit komunal duhet të përmbajë shënimin “Republika e Kosovës” dhe të jetë në të dyja gjuhët zyrtare, shqipe dhe serbe.
Megjithatë, ftesa e parë e dërguar nga kryetari i sapozgjedhur Milan Radojeviq i është drejtuar këshilltarëve vetëm në gjuhën serbe dhe nuk përmend emrin zyrtar të shtetit, duke shkelur kështu Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve dhe standardet kushtetuese për dokumentacionin shtetëror.
Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, që ka rol mbikëqyrës mbi komunat, kishte refuzuar mbajtjen e seancës më 5 dhjetor, duke argumentuar se mungesa e emrit “Republika e Kosovës” në dokumentacion e bën të pavlefshme thirrjen e seancës. /Tv Dukagjini/
Autoritetet e Kosovës, gati qe dy vjet e kanë ndaluar zyrtarisht përdorimin e dinarit serb në vendin tonë, por në veri dhe në zonat tjera të vendit kjo valutë vazhdon të qarkullojë pa asnjë pengesë nga bizneset dhe qytetarët. Ani se bankat komerciale nuk e pranojnë më, dyqanet dhe qytetarët e përdorin ende – disa hapur e të tjerët më të kujdesshëm.
Ekipi i KosovaPress gjatë një hulumtimi në komunat veriore, ka hasur se përveç euros, në pagesat e përditshme, edhe dinari mbetet opsion për tregtarët dhe qytetarët në atë pjesë.
Për këtë dukuri antikushtetuese, profesorë universitar vlerësojnë se përdorimi i dinarit cenon integritetin politik dhe ekonomik të vendit, krijon para jashtë kontrollit të BQK-së, shkakton jostabilitet dhe nxit kriminalitet.
Po ashtu, vlerësohet se përdorimi i dinarit serb në veri por edhe në zonat tjera të vendit, i shkakton dëme buxhetit të shtetit të Kosovës miliona euro, pasi shitjet që bëhen përmes kësaj valute nuk deklarohen në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK).
Derisa Kushtetuta e Kosovës përcakton euron si valutë zyrtare, ekspertët vlerësojnë si shumë të dëmshëm në aspektin ekonomik dhe antikushtetues e ilegal përdorimin e dinarit.
Banka Qendrore e Kosovës, kishte vendosur me një rregullore se, nga 1 shkurti 2024, valuta e vetme e lejuar për transaksione të pagesave me para të gatshme në Kosovë do të jetë vetëm euro.
Por, në veri të Kosovës, dinari nuk është thjesht një monedhë e ndaluar – ai vazhdon të lëviz në duart e qytetarëve. Nga dyqanet e vogla te tregjet lokale, pagesat me dinar dhe euro jetojnë njëkohësisht, duke treguar se nuk ka zbatim rregulloreve dhe ligjeve në fuqi.
Ndërsa, në Zubin Potok, derisa kalon nga dyqani në dyqan, këmbimi nga euro në dinar duket i natyrshëm; procedurat janë të thjeshta dhe qytetarët e përdorin këtë pa vështirësi. Kjo mund të shihet nga videot e realizuara nga KosovaPress, ku vetë ekipi i ynë bën një këmbim nga euro në dinar.
Përveç kësaj, në këtë komunë, në të gjitha dyqanet, çmimet e produkteve ushqimore, higjienike e të tjera janë të shkruara vetëm në dinar, jo në euro.
Në Zveçan, ka vërejtur që tregtarët vazhdojnë të pranojnë pagesa me dinarë pa asnjë hezitim. Këtë siç mund ta shihni edhe në video, edhe këtu e ka bërë vetë ekipi i KosovaPress-it në një dyqan të kësaj komune. Kështu një shitëse pranoi pagesën në dinar pothuajse në mënyrë normale. Kjo dukuri duket se çdo ditë funksionon në mënyrë të kundërligjshme në atë pjesë.
Ja çka mendojnë qytetarët për qarkullimin e dinarit
Ndërsa ecim mes dyqaneve të vogla në Leposaviq, qytetarët tregojnë se mund të paguhet si me euro, ashtu edhe me dinar. Megjithatë, për transaksionet e vogla dhe blerjet e përditshme, dinari mbetet më i përdorur.
Edhe një qytetar tjetër thekson se në lokalet e shitjes dhe dyqanet, pagesa me dinar është normale. Sipas tij, qytetarët paguajnë pa u penguar dhe dinari është pjesë e zakonshme e përditshmërisë.
Në një nga dyqanet në Leposaviq, bashkëbisedimi mes qytetarit dhe shitëses tregon se pagesa me dinar vazhdon të kryhet lehtë dhe pa telashe.
Edhe në Mitrovicë të Veriut, dyqanet pranojnë si euro, ashtu edhe dinar. Një banor shpjegon se të dyja valutat pranohen lehtë, dhe nuk ka dallim se me cilën paguan klienti.
Çka thonë nga BQK-ja për dinarin?
Ndërsa, nga Banka Qendrore e Kosovës nuk kanë treguar përse kjo dukuri antiligjore ende po lejohet, përveç se thonë se BQK po i zbaton plotësisht rregulloret për operacionet me para të gatshme në sektorin financiar, duke siguruar furnizimin me para në ekonomi dhe duke dhënë autorizime për institucionet financiare.
“Në këtë kuadër, Rregullorja për Operacione me Para të Gatshme po zbatohet plotësisht sa i përket sektorit financiar, përfshirë furnizimin me para në ekonomi nga vetë BQK-ja dhe autorizimet që ajo jep për institucionet financiare”, thonë nga BQK në një përgjigje me shkrim.
Më tej zyrtarë të BQK-së thonë po ashtu se kanë zgjeruar dukshëm qasjen në shërbimet financiare në komunat veriore.
“BQK përmes masave të saj ka rritur qasjen në financa në komunat në veri të vendit, duke bërë që nga 4 zyra bankare të kemi sot 12, nga 17 institucione financiare në total të jenë 49, ndërsa vet bankat kanë lehtësuar dhe krijuar kushte për tërheqje në bankomatet/ATM e tyre në euro pavarësisht nga valuta që një qytetar ka në llogarinë e tij jashtë vendit”- thuhet në përgjigjen e tyre.
Po ashtu BQK thotë se bankat nuk kanë mbetur pas – tërheqjet nga ATM-të në euro janë bërë më të lehta, pavarësisht se çfarë valute ka një qytetar në llogarinë e tij jashtë vendit.
Madje, këmbimi valutor është bërë pjesë e përditshmërisë, sipas ofertave që ofrojnë institucionet.
“Gjithashtu, ofrohet edhe këmbimi valutor për valutat të cilat institucionet i ofrojnë dhe ka interesim nga qytetaret, kjo gjë është plotësisht e lejuar me Rregulloren në fjalë”- bën të ditur BQK-ja.
E nga Policia e Kosovës dhe Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve nuk kanë kthyer përgjigje për pyetjet që i janë dërguar nga KosovaPress, lidhur me rastet e sekuestrimit dhe zbatimin e vendimit për ndalimin e përdorimit të dinarit serb në komunat veriore të Kosovës.
Edhe rastet e fundit të sigurisë tregojnë sesi paratë e gatshme, përfshirë dinarin, vazhdojnë të jenë pjesë e përditshmërisë në veri. Më 1 nëntor, dy persona u arrestuan në Mitrovicë të Veriut për një vjedhje në një lokal, ku u sekuestrua një shumë parash, shumica e të cilave siç shihen në fotografinë e publikuar nga Policia, ishin dinar serb.
Njëjtë ndodhi një muaj më parë edhe në Podujevë. Policia e Kosovës njoftoi për sekuestrimin e një shume të dinarëve në këtë komunë.
“Podujevë / 13.10.2025 – 21:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar për shkak se nga njësiti policor në një lokal është hasur duke organizuar lojëra të fatit. Si prova materiale se në atë lokal janë zhvilluar lojëra fati janë sekuestruar: 85 euro para të gatshme, 1000 dinarë dhe pajisje të ndryshme elektronike që mundësojnë zhvillim e kësaj veprimtarie të kundërligjshme. I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës.
Profesori në Fakultetin Ekonomik, Nagip Skënderi thekson se përdorimi i dinarit cenon integritetin politik dhe ekonomik të vendit, krijon para jashtë kontrollit të BQK-së, shkakton jostabilitet dhe nxit kriminalitet.
Sipas Skenderit, qarkullimi i dinarit në tregun e Kosovës bie ndesh me rregulloren e BQK-së dhe dëmton sistemin ekonomik, sepse paratë që hyjnë në vend mbesin jashtë mbikëqyrjes së institucioneve. Ai vlerëson se një praktikë e tillë jo vetëm dobëson stabilitetin politik dhe financiar të Kosovës, por edhe krijon terren për veprimtari kriminale dhe ndikime të jashtme, duke cenuar integritetin ekonomik e shtetëror.
“Mendojmë që aplikimi i valutave, pas asaj që është zyrtare, euro, sipas rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, në aplikimin e tregjeve monetare të Kosovës, respektivisht edhe në tregun e lirë, është një dëm i madh që i shkaktohet ekonomisë së vendit, sepse të gjitha këto para hyjnë jashtë kontrollit të Bankës Qendrore të Kosovës dhe mekanizmave të tjerë financiarë dhe janë pjesë të cilave ndjellin në vetvete jo vetëm jostabilitet politik, por edhe, respektivisht, cenim të integritetit politik dhe ekonomik të vendit tonë. Nga ana tjetër, ato janë edhe burim i kriminalitetit dhe punëve të pista të ekonomisë, të cilat grupet e caktuara të interesit në veri i përdorin këtë vetëm si pretekst për mbrojtjen e serbëve dhe pakicës së saj në veri të Mitrovicës”, thekson Skenderi.
Profesori Skenderi thekson se në pjesën veriore ende qarkullon dinari, sidomos për pagesat që Serbia u jep qytetarëve përmes pagave paralele dhe pensioneve. Kjo përzierje e euros me dinarin, sipas tij, krijon përfitime të dyfishta për popullatën lokale dhe e vështirëson fushëveprimin e institucioneve të Kosovës. Ai shton se presioni ndërkombëtar për të lejuar përdorimin e dinarit e komplikon edhe më shumë situatën, prandaj kërkon që ndalimi i kësaj valute të zbatohet në mënyrë të rreptë nga mekanizmat ligjorë dhe kontrollues të shtetit.
“Megjithatë, në veri kemi sot e asaj dite veprimin e tregut që punojnë me dinarin serb, sidomos në raste të cilat pagat e të punësuarve në veri, dmth pagat paralele edhe të Institucioneve të Republikës së Kosovës edhe Institucioneve të Serbisë, janë ato që paguhen në dinar për pensione, të punësuarit dhe të gjitha të tjera. Në treg, tash normalisht që kemi një ballafaqim të euros dhe dinarit, mirëpo interesi i popullatës për të marrë dy pagat, tek konteksti edhe dinarin serb që kanë pranuar edhe euro që kanë pranuar si të themi si benefit ekonomik që ata marrin, kjo ngadalëson veprimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të tejkaluar këtë problem respektivisht për të zgjidhur, sepse në këtë kontekst kemi edhe presionin ndërkombëtar që me çdo kusht bëjnë presion tek institucionet dhe qeveria e Kosovës që mos ta ndalojë një veprim të tillë, dmth të përdorimit të dinarit serb në Kosovë. Kjo do të ishte në mbrojtje të interesave të pakicës serbe dhe bashkëjetesës këtu, kështu që nuk korrespondohet ky fakt. Prandaj konsiderojmë që institucionet e Kosovës duhet të ishin jo vetëm në atë aspektin formal, kur në vitin e kaluar morën iniciativë për ndalimin e përdorimit, por edhe përmes mekanizmave institucionalë e kanë të qartë përmes inspektorëve, policisë dhe kështu më rrallë të ndalohet në mënyrë të rreptë përdorimi i kësaj valute, sepse Kosova cilësohet jo vetëm vend politik në sanimin e integritetit, por edhe i sjell dëme ekonomike të pariparueshme që ka të bëjë me kriminalitetin dhe format e tjera të krimit të organizuar”, thotë ai.
Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës, e cila ndalon përdorimin e valutave të tjera përveç euros, hyri në fuqi më 1 shkurt 2024, ndërsa periudha tranzitore për zbatimin e saj përfundoi më 13 maj të atij viti.
Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, me nenin 11 përcaktohet se Republika e Kosovës ka një valutë të vetme. s
“Në Republikën e Kosovës si mjet i vlefshëm pagese përdoret një valutë e vetme”, thuhet në nenin 11 të Kushtetutës së Kosovës.
Ndasia midis komunitetit serb dhe atij shqiptar në Kosovë vazhdon të jetë e thellë, ndërsa marrëdhëniet ndërmjet tyre rëndohen edhe më shumë nga mosbesimi i madh, sipas një hulumtimi të organizatës joqeveritare Qendra për Veprime Shoqërore (CASA).
Hulumtimi me titullin “Raporti mbi indeksin e besimit për gjendjen e marrëdhënieve ndëretnike në Kosovë”, u prezantua më 13 nëntor në Prishtinë.
Në këtë hulumtim u anketuan 800 veta, 500 nga komuniteti shqiptar dhe 300 nga ai serb.
Hulumtimi bazohet në perceptimet e serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë për njëri-tjetrin, faktorët kryesorë që ndikojnë në marrëdhëniet e tyre dhe perspektivat për përmirësimin e tyre.
Më shumë se gjysma e të anketuarve nga komuniteti serb, mbi 51 për qind, besojnë se marrëdhëniet midis serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë do të përkeqësohen më tej, ndërsa rreth 28 për qind e shqiptarëve mendojnë të njëjtën gjë.
Studimi tregoi gjithashtu se të dy komunitetet – mbi 70 për qind e të anketuarve – besojnë se tensionet politike midis Beogradit dhe Prishtinës kontribuojnë në përplasjet ndëretnike.
Po ashtu, 79.6 për qind e të anketuarve shqiptarë e konsiderojnë Qeverinë e Serbisë si nxitëse të tensioneve, ndërsa 74.5 për qind e serbëve mendojnë se për këtë është përgjegjëse Qeveria e Kosovës.
Kur bëhet fjalë për faktorët që do të ndihmonin paqen dhe stabilitetin, mbi 62 për qind e serbëve besojnë se kjo do të ishte autonomia e tyre, ndërsa mbi 44 për qind e shqiptarëve mendojnë se zgjidhja është integrimi i serbëve në shoqërinë kosovare.
Miodrag Marinkoviq, drejtor i CASA-s, vlerësoi se rezultatet e indeksit të besimit tregojnë se marrëdhëniet etnike midis serbëve dhe shqiptarëve janë të dëmtuara, dhe për këtë, në masë të madhe, përgjegjës janë politikanët nga Kosova dhe Serbia.
Ai theksoi se “politika populiste” që ndjekin të dyja palët ndikon negativisht në bashkëjetesë, në jetën e njerëzve të zakonshëm, në përditshmërinë e tyre dhe në procesin e pajtimit.
“Çlirimi nga frika dhe iluzionet është rruga drejt bashkëjetesës”
Visar Ymeri, drejtor ekzekutiv i Institutit Musine Kokalari në Prishtinë, gjatë një diskutimi në panel tha se komunitetet shqiptare dhe serbe në Kosovë përballen me dy problemet më të mëdha në lidhje me bashkëpunimin dhe bashkëjetesën: “jetojnë në frikë dhe në iluzion të ndërsjellë”.
“Sipas tij, iluzioni te shqiptarët e Kosovës bazohet në idenë se Kosova është shtet shqiptar, që u përket shqiptarëve, ndërsa te serbët ekziston iluzioni se Kosova do të kthehet në kuadër të Serbisë. Nuk po flas për të gjithë shqiptarët apo serbët, por për sa kohë që ekzistojnë këto dy iluzione, situata nuk do të qetësohet kurrë”, tha ai.
Ai shtoi se ekziston një frikë e vazhdueshme mes këtyre komuniteteve – shqiptarët kanë frikë se Serbia mund të sulmojë Kosovën, ndërsa serbët se vendimet e autoriteteve kosovare mund t’i rrezikojnë.
Marigona Shabiu, drejtoreshë ekzekutive e Iniciativës së të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – YIHR Kosova, theksoi se sulmi në Banjskë në vitin 2023 ndikoi ndjeshëm në polarizimin e shoqërisë në Kosovë, por edhe “veprimet e njëanshme të Qeverisë së Kosovës”, të cilat, sipas saj, kanë cenuar komunitetet joshumicë pasi nuk u është ofruar një zgjidhje alternative.
Në sulmin e armatosur të serbëve në Banjskë, në veri të Kosovës, u vra një polic kosovar, ndërsa më pas edhe tre sulmues. Përgjegjësinë për sulmin e mori përsipër Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë, e cila mbështetet nga Beogradi.
Nga ana tjetër, autoritetet e Prishtinës, që nga tërheqja e serbëve nga institucionet e Kosovës në nëntor 2022, kanë punuar aktivisht për vendosjen e kontrollit shtetëror në veri të Kosovës, përmes mbylljes së institucioneve të Serbisë, ndalimit të dinarit serb, targave serbe e masave të ngjashme.
Komuniteti ndërkombëtar ka kritikuar shumicën e këtyre hapave, pasi shumë serbë në veri marrin paga nga buxheti i Serbisë dhe gëzojnë të drejta përmes sistemit institucional serb.
Darko Dimitrijeviq, kryeredaktor i Radios Goraždevac, konsideron se për përkeqësimin e marrëdhënieve etnike përgjegjës janë kryesisht Beogradi dhe Prishtina, pasi vazhdimisht e fajësojnë njëri-tjetrin për gjendjen e keqe në shoqëri.
“Ai narrativ toksik, ajo komunikim toksik, po vëzhgohet me shumë indiferencë nga bashkësia ndërkombëtare”, tha ai, duke shtuar se për këtë arsye edhe ajo mban një pjesë të përgjegjësisë.
Kosova dhe Serbia që nga viti 2011 zhvillojnë dialog për normalizimin e marrëdhënieve, gjatë të cilit janë nënshkruar dhjetëra marrëveshje, por shumë prej tyre nuk janë zbatuar në kurrë.
Po ashtu, dialogu politik është bllokuar që nga viti 2023, pasi Kosova kërkon përgjegjësi për sulmin e armatosur në Banjskë.
Serbia ka mohuar çdo përfshirje në këtë sulm, por refuzon ta dorëzojë Radoiçiqin dhe të tjerët në Kosovë, ndaj të cilëve është ngritur aktakuzë për terrorizëm./REL
Ish-zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Arbër Vokrri ka thënë se nëna e të rrëmbyerit nga shteti i Serbisë në territorin e Kosovës, Dragana Vukashinoviq po kërkon vëmendje institucionale për fatin e birit të saj, Milan Vukashinoviq.
Vokrri përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se përgjegjësit për sigurinë kufitare (KFOR) do të duhej të interesoheshin për rastin.
“Dragana Vukashinoviq, nëna e zyrtarit tonë të rrëmbyer e të plagosur nga terroristët, Milan Vukashinoviq, kërkon vëmendje institucionale për fatin e të birit të saj. Sidomos përgjegjësit për sigurinë kufitare (KFOR) do të duhej të interesoheshin për rastin”, ka shkruar Vokrri.
Tutje Vokrri ka thënë se janë duke vazhduar kërcënimet e terroristëve ndaj serbëve të tjerë për t'i braktisur institucionet e Republikës së Kosovës dhe çfarëdo bashkëpunimi.
Avokati Ivan Niniq, i cili e përfaqëson familjen Vukashinoviq shprehu dyshime se në këtë rast mund të jetë e përfshirë edhe Ushtria e Serbisë.
Në Prokurorinë e Lartë në Prokuple të Serbisë, ai dorëzoi kallëzim penal për vrasje të rëndë në tentativë kundër pjesëtarëve të panjohur të Ushtrisë së Serbisë ose Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, si dhe kundër Millan Radoiçiqit, ish-nënkryetar i Listës Serbe.
Në vitin 2023, Radoiçiq e mori përgjegjësinë për sulmin e armatosur në Banjskë, në veri të Kosovës, ku u vra një polic kosovar. Në përleshjet e armatosura që pasuan, u vranë edhe tre sulmues serbë.
Në kallëzimin penal, avokati Niniq tha se Millan Vukashinoviq kishte “traditë të gjatë të konfliktit personal me Millan Radoiçiqin” dhe se ekzistonin “arsye të justifikuara që i dëmtuari të rrëmbehej dhe të lihej pa jetë në rrethana të paqarta”.
Prokuroria e Lartë në Prokuple nuk dha asnjë deklaratë për këtë rast dhe nuk iu përgjigj as pyetjeve të Radios Evropa e Lirë në lidhje me të. /Telegrafi/