Sulmi terrorist në Banjskë dhe incidentet kundër trupave të KFOR-it në Zveçan janë konsideruar të papranueshme nga NATO.
Si përgjigje, aleanca ka vendosur të përforcojë misionin e KFOR-it në veri me 1000 trupa shtesë dhe ka shtuar aktivitetet patrulluese pranë vijës kufitare administrative.
Kështu tha për Tëvë1, komandanti i KFOR-it në Kosovë Ozkan Ulutash.
Ai në “Këndin e Debatit” tha se KFOR-i po zhvillon patrullime të përbashkëta me Policinë e Kosovës në veri, si dhe patrullime të sinkronizuara me forcat e armatosura të Serbisë nëpër AVN.
Ai tha se situata po monitorohet nga afër dhe nuk janë vërejtur indikatorë që sugjerojnë ndonjë aktivitet të shtuar rreth AVN-së.
“Sulmi në Banjskë dhe sulmi kundër trupave të KFOR-it në Zveçan janë të papranueshme. NATO u përgjigj menjëherë. KFOR-i u përforcua me 1000 trupa shtesë, dhe KFOR-i shtoi aktivitete patrulluese pranë vijës kufitare administrative. Përfshirë patrullimet e përbashkëta me Policinë e Kosovës në veriun e Kosovës si dhe patrullimet e sinkronizuara mes KFOR-it dhe forcave të armatosura të Serbisë nëpër AVN. Ne nga afër kemi monitoruar situatën dhe nuk kemi parë ndonjë indikatorë që do të sugjeronte për ndonjë aktivitet të shtuar rreth AVN-së. Siç është thënë ne jemi në kontakt të rregullt në nivele të ndryshme me përfaqësuesit e organizatave të sigurisë në Kosovë dhe forcave të armatosura në Serbi”, deklaroi ai.
Ndërkohë, tha se për dy vite NATO vazhdimisht ka kërkuar llogaridhënie dhe që sulmuesit të sillen para drejtësisë.
“Ne presim nga autoritetet serbe të bashkëpunojnë në këtë aspekt”, shtoi Ulutash.
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në mungesë të dëshmitares, Dragana Antonijeviq u ndërpre seanca ndaj të tre akuzuarve lidhur me sulmin terrorist të 24 shtatorit2023 në fshatin Banjskë të Zveçanit, Vladimir Toliq, Dushan Maksimoviq dhe Blagoje Spasojeviq.
Me propozim të prokurorit, Naim Abazi trupi gjykues vendosi që dëshmia e Antonjieviqit të lexohet.
Ndërsa, për dëshmitarin tjetër, Goran Tanevski u tha se do të tentohet të sigurohet dëshmia e tij përmes Gjykatës së Shkupit.
Po ashtu, trupi gjykues ka vendosur të pranojë propozimin e palës mbrojtëse që në këtë proces gjyqësor të dëgjohet edhe një dëshmitar tjetër i propozuar nga mbrojtja, raporton KP.
Kryetari i trupit gjykues, Arben Hoti tha se dëshmitarja Dragana Antonijeviq sot nuk është prezentë në sallë, por që babai i saj dy herë e ka pranuar ftesën e gjykatës.
“Sipas agjendës kemi planifikuar që të dëgjohet dëshmitarja Dragana Antonijeviq e cila nuk prezanton në seancën e sotme gjyqësore, për të cilën që dy herë radhazi ftesën e ka pranuar babai i saj në adresën me të cilën e ka poseduar gjykata dhe thotë se e njëjta gjendet në Serbi”, tha ai.
Prokurori i Shtetit, Naim Abazi tha se pas refuzimit për pranim të ftesës nga dëshmitarja Antonjieviq dhe në mungesë të arsyeve ligjore për këtë refuzim propozon që dëshmia e saj të lexohet dhe të administrohet si provë e drejtpërdrejtë.
“Meqë dëshmitarja është thirrur rregullisht në këtë shqyrtim gjyqësor, por e njëjta ka refuzuar ta pranojë ftesën, duke shprehur vullnetin e saj për të mos dëshmuar pa paraqitur ndonjë arsye ligjore që do t’a justifikonte këtë refuzim. Prandaj, meqenëse gjykata është në situatë të tillë mendoj se janë plotësuar kushtet…që procesverbalet mbi deklaratat e mëparshme mund të lexohen kur dëshmitarët pa arsye ligjore nuk dëshirojnë të dëshmojnë në këtë shqyrtim gjyqësor. Edhe në aspektin procedural janë plotësuar kushtet për faktin se dëshmitarja ka dhënë deklaratë në Prokurori dhe kjo deklaratë është dokumentuar mbi bazën e procesverbaleve procedurale të kësaj prokurorie dhe gjithashtu janë plotësuar kushtet për t’u zbuluar palës mbrojtëse dhe të dëmtuar… Gjykata ka bërë përpjekje reale për praninë e dëshmitares, por pa sukses. Duke u mbështetur në dispozitat përkatëse, propozoj që deklarata e saj të lexohet dhe të administrohet si provë e drejtpërdrejtë në këtë proces gjyqësor”, tha ai.
Edhe avokatët e të akuzuarve propozuan që dëshmia e dëshmitares të lexohet në këtë seancë, por njëkohësisht u kërkua që ajo të thirret sërish nga gjykata për t’u paraqitur në një seancë tjetër.
Mbrojtësi i të akuzuarit Spasojeviq, avokati Lubomir Pantoviq tha se dëshmia e Antonijeviqit nuk është e rëndësishme dhe nuk ka të bëjë me klientin e tij.
“Deklarata e dëshmitares, Dragana Antonijeviq si provë plotësisht jo relevant posaçërisht në asnjë pjesë nuk ka të bëjë me të mbrojturin tim Blagoje Spasojeviq ajo deklaratë ka të bëjë në kontekstin e përgjithshëm të ngjarjes….Unë nuk e kundërshtoj propozimin e prokurorit special”, tha ai.
Mendim të njëjtë pati edhe mbrojtësja e të akuzuarit, Dushan Maksimoviq, avokatja Jovana Filipoviq, ndërsa, mbrojtësi i Vladimir Toliq, avokati Millosh Deleviq ia la gjykatës të vendos.
Kryetari i trupit gjykues, Arben Hoti, tha se propozimi i prokurorit aprovohet, pasi ka bazueshmëri ligjore.
“Aprovohet propozimi i prokurorit, sepse i njëjti ka bazueshmëri ligjore….. Dëshmitarja edhe pse i është dërguar ftesa, nuk gjendet në Kosovë, por në Serbi. Bazuar në këto shkaqe, lexohet dëshmia e saj”, tha Hoti.
Ndërsa, sa i takon dëshmitarit të fundit të propozuar nga Prokuroria e Shtetit, Goran Tanevski tha se kjo çështje mbetet pezull përkundër që gjykata disa herë ka tentuar të ketë një video-lidhje me të, por për shkak të mungesës së pajisjeve në gjykatën e Shkupit ka qenë e pamundur për momentin.
“Ne e kemi dëshmitarin e fundit të prokurorisë, Goran Tanevski në Republikën e Maqedonisë dhe gjykata disa ditë më herët me radhë ka bërë përpjekje për sigurimin e një video-konferencë me gjykatën e Shkupit, por të cilët janë përgjigjur se nuk kanë pajisje, por kanë lënë mundësinë e hapur se në të ardhmen mund të realizohet një lidhje e tillë me gjykatën në Shkup. Deri këto momente nuk kemi konfirmim, kjo çështje do të rri pezull nuk do të vendosim për të“, tha ai.
Gjatë kësaj seanca u propozua nga mbrojtja dëgjimi i dëshmitarit, Millosh Radosalvoviq. Por, prokurori Abazi e kundërshtoi këtë propozim.
“Meqenëse ky dëshmitar nuk është paraqitur brenda afatit ligjor dhe nuk ka pas njoftim paraprak apo të rregullt procedural për ta njoftuar prokurorin, ky propozim është paraqitur me vonesë dhe pa asnjë arsye duke mos respektuar këto afate ligjore. Mbrojtja nuk mund të përfitoj nga shkeljet e veta procedurale dhe pranimi i këtij propozimi do ta cenonte parimin e barazisë së palëve në procedurë. Dëshmitari është jorelevant për këtë çështje, ndërsa propozimi i mbrojtjes është i paqartë dhe i papranueshëm”, tha ai, raporton KP.
Avokatja e të akuzuarit Dushan Maksimoviq, Jovana Filipoviq, tha se qëndrimi i Prokurorisë së Shtetit nuk qëndron, duke theksuar se dëshmitarët e propozuar nga mbrojtja mund të kenë dijeni relevante për rastin.
“Kjo vërejte e PS-së nuk qëndron, nuk qëndron për faktin se dëshmitarët të cilët janë propozuar mund ta japin dhe kanë dijeni të drejtpërdrejtë dhe jo të drejtpërdrejt në këtë çështje juridike”, tha ajo.
E për këtë propozim, kryetari i trupit gjykues, Arben Hoti, njoftoi se aprovohet propozimi i mbrojtjes që në cilësinë e dëshmitarit të dëgjohet Millosh Radosalvoviq.
Seanca e radhës në rastin e sulmit terrorist Banjska është caktuar për më 16 janar, në orën 09:30.
Seanca e shqyrtimit fillestar gjyqësor ndaj të tre akuzuarve në rastin “Banjska” Vladimir Toliq, Dushan Maksimoviq dhe Blagoje Spasojeviq u mbajt më 17 prill 2025. Po në këtë seancës të tre të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm. Ndaj këtyre tre të akuzuarve Gjykata mori vendin ta veçoj procedurën penale.
Prokuroria Speciale e Kosovës më 11 shtator 2024 ka ngritur aktakuzë kundër Milan Radoiçiq dhe 44 të tjerëve për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjska të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku, raporton KosovaPress.
Të pandehurit ngarkohen për veprat penale kryerja e veprës terroriste, veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, lehtësimi dhe financimi në kryerjen e terrorizmit dhe shpëlarja e parave.
Për tri javë radhazi, vetura të tipeve të ndryshme, kamionë e automjete të vogla janë xhiruar deri sa kalojnë përgjatë një rruge e cila është skaj Banjskës.
Në Zubin Potok, ekipi arriti që të identifikojë disa prej veturave të cilat përdornin rrugë ilegale për të transportuar mallra të ndryshme nga Serbia për në Kosovë.
Rruga që shihet edhe në pamjet e transmetuara në emisionin e Kallxo Pernime më 14.12.2025, është vështirë e kalueshme, sidomos në periudhat kur ka të reshura bore e shiu.
Grupe të cilat konsiderohen të rrezikshme janë duke vazhduar sërish të mbajnë primatin e kontrabandimit në pjesën e veriut të vendit.
Pjesëtarë të grupeve janë kapur herë pas here nga Policia e Kosovës duke kryer veprimtari ilegale.
Pamjet të cilat i kemi transmetuar sonte, tregojnë edhe kohën, veturat, rrugën të cilën përshkojnë veturat të ndryshme skaj Banjskës, mes Leposaviqit e Zubin Potokut.
Në zonën të cilën ekipi i Kallxo Pernime ka hulumtuar për disa javë, i cili njihet si “Junak” një zonë malore po përdorej për të kontrabanduar mallra nga Serbia në Kosovë. Kontrabanda kryesisht bëhej me gjëra ushqimore e tekstil.
Kamerat e ekipit të vendosura për të mbikëqyrur rrugën që do të përdorej, filmoi edhe automjete të ndryshme të cilat kalonin përgjatë rrugës drejtë Serbisë dhe më pas të njëjtat shiheshin duke u kthyer në Kosovë.
Madje në disa raste, kamerat kanë filmuar edhe kolona të makinave të ndryshme jo vetëm një apo dy të tilla. Madje në gjithë xhirimet që ka ekipi i Kallxo Pernime, nata e cila pati më së shumti qarkullim të kontrabandës ishte ajo e një nate para se të betoheshin kryetarët e komunave në veri të vendit.
Kontrabanduesit e dyshuar përdornin natën si kohë e cila u mundësonte atyre të dalin më lehtë dhe pa u identifikuar në Serbi dhe të ktheheshin të mbushur me mallra ilegale pa dokumentacion në Kosovë.
Koha në të cilën kishte më së shumti qarkullim ishte 20:00 – 22:00.
Më 27 nëntor 2025, kamerat e ekipit kapen pamjet e para të veturave që shfrytëzonin rrugën e vështirë për të kaluar ilegalisht në Serbi për kontrabandë.
Rruga në të cilën po kalonin kontrabandistët ishte duke u punuar nga kompani të kontraktuara nga institucionet në Kosovë.
Por, ndonëse ishte duke u punuar, rruga kohë pas kohe bëhej vështirë e kalueshme për makina të cilat nuk kanë fuqi të ngjiten deri në majën e saj, aty ku edhe ekipi kishte vendosur kamerat.
Pamjet që ka siguruar KALLXO të javëve të kaluara, i ka dërguar edhe në Policinë e Kosovës. Hulumtimi të cilin realizoi ekipi rezultoi me arrestime mbrëmjen e 11 dhjetorit 2025. Gjashtë persona u arrestuan nën dyshimin për kontrabandë me mallra në zonën ku ekipi i kishte vendosur kamerat.
Në lidhje me këtë situatë, zëvendësdejtori rajonal në veri, Veton Elshani tha se kryesisht kontrabandistët përdornin mjete të ndryshme të vogla e të mëdha për të bartur mallra kryesisht ushqim e tekstil.
“Bartet sa nxë ai mjet transportues. Nëse është kamionetë bart gjëra ushqimor. Nëse haset ndonjë xhip i madh me një kepet të madh, bagazh atëherë është kryesisht me barna dhe ushqim. Por nëse krahasojmë vitin 2022 qarkullimi është më i vogël”- tha Elshani.
Ai shtoi se kontrabandistët shikojnë cilat rrugë janë më të lehta dhe të qarkullueshme, bëjnë vëzhgimin pastaj zhvillojnë kontrabandën.
“Kemi pasur mjaft raste kur ne i kemi ndaluar këta persona, por nuk do të thot që është ndaluar përgjithmonë. Ka ende gjëra ushqimore, barna, mish, gjëra të shtrenjta”- shton tutje Elshani.
Sipas tij, përveç dy pikave zyrtare kufitare ajo në Bërnjak e Jarinje, në pjesën e veriut të vendit janë identifikuar 64 rrugë ilegale në të kaluarën, shtatë prej tyre të cilat janë të asfaltuara e të tjerat të qarkullueshme.
Në anën tjetër personat të cilët janë arrestuar nga policia për kontrabandë janë kryesisht me të kaluar kriminale.
“Kemi njerëz që i njohim si pjesë të grupit. Ka pasur persona që kanë qenë në burg, në paraburgim, kanë dalë i kemi nxënë prapë të njëjtit. Mbrëmë i kemi ndalu disa persona, dy prej tyre janë largu. Kemi sekuestruar edhe mallra e tekstil. Automjetet janë sekuestruar”- shton tutje Elshani.
“Shumica janë me të kaluar … sepse janë përsëritës të veprimtarisë penale”- thotë Elshani.
Elshani përfundon duke thënë se policia po vazhdon mbikëqyrjen e sigurisë por nuk mohon se mund të ketë edhe kryerje të veprimtarisë penale prej personave të ndryshëm.
“Forma ka ndryshuar e kontrabandës. Rrugët ekzistojnë dhe për këtë arsye duhet me qenë në mbikëqyrje vazhdimisht. Rrugët ende përdoren, por ne jemi në kontroll të kufirit jo 100 %. Kurrë nuk është 100 %, mirëpo mundohemi të jemi çdo kund. Deri më tani kemi qenë mjaftë të suksesshëm, por nuk do të thot që ne do të ndalemi në punën tonë- e as kriminelët në rrugën e tyre”- shtoi ai.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim kongresistët amerikanë Michael Turner dhe Donald Norcross , me të cilët ka diskutuar zhvillimet e fundit politike dhe të sigurisë në vend, si dhe mundësitë për forcimin e mëtejmë të partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Gjatë takimit, Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen e saj për bashkëpunimin e ngushtë me Kongresistin Turner dhe ekipin e tij gjatë Sesionit të Asamblesë Parlamentare të NATO-s në Dayton, si dhe për mbështetjen e vazhdueshme bipartizane të SHBA-ve për Kosovën. Ajo theksoi se kontributi amerikan ka qenë vendimtar në rrugëtimin drejt lirisë, pavarësisë dhe ndërtimit të institucioneve demokratike.
Presidentja nënvizoi se Kosova mbetet vendi më pro-amerikan në botë dhe është e përkushtuar plotësisht ndaj reformave të brendshme, bashkëpunimit rajonal dhe thellimit të partneritetit me Shtetet e Bashkuara. Ajo përmendi edhe bashkëpunimin me administratën e Presidentit Trump në fusha me interes të përbashkët.
Ndër temat kryesore të diskutimit ishte edhe anëtarësimi i Kosovës në NATO, të cilin Osmani e cilësoi si një imperativ strategjik për sigurinë e Ballkanit Perëndimor dhe të gjithë Evropës. Ajo rikujtoi se ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës tashmë shërbejnë krah për krah me trupat amerikane në misione jashtë vendit, ndërsa Kosova ka rritur buxhetin e mbrojtjes në 2% të GDP-së, me synim dyfishimin brenda pak vitesh.
Në aspektin e sigurisë së brendshme dhe kërcënimeve rajonale, Osmani vlerësoi punën profesionale të institucioneve të sigurisë dhe theksoi rëndësinë e pranisë së vazhdueshme amerikane në kuadër të misionit të KFOR-it, të cilën e quajti garanci të paqes për Kosovën dhe rajonin.
Presidentja ngriti edhe çështjen e agresionit në Banjskë, duke theksuar se Serbia edhe pas më shumë se dy vjetësh vazhdon t’i mbrojë organizatorët dhe autorët e sulmit, përfshirë Milan Radojqiqin, të cilët nuk janë dorëzuar drejtësisë. Ajo tha se llogaridhënia për këtë akt dhe për sulmet ndaj ushtarëve të KFOR-it është thelbësore për stabilitetin rajonal dhe parandalimin e rrezikut nga veprime të ngjashme.
Ish-zyrtari policor i Kosovës, Arbnor Spahiu, i cili ishte arrestuar muaj më parë nga autoritetet serbe, është liruar sot dhe tashmë ka arritur në Republikën e Kosovës.
Lajmin e ka bërë të ditur avokati Arianit Koci si dhe familjarët e Arbnorit.
“Sot, pas muajsh të gjatë ankthi, pas një padrejtësie të rëndë - Arbnor Spahiu është i lirë. E kam thënë që në ditën e parë: do të kthehet. Nuk ishe lehtë, por ia dolëm”, ka shkruar Koci.
E lirimin e tij e ka konfirmuar edhe familjari i tij, Shkëlzen Spahiu përmes një postimi në rrjetet sociale. “Arbnor Spahiu sapo ka shkelur tokën e Republikës së Kosovës. Ju falënderojmë në emër të familjes për përkrahjen që na keni dhënë në këto ditë të vështira. Arbnori është mirë me shëndet. Urojmë që ky të jetë rasti i fundit për shtetasit tanë”, ka shkruar ai.
Spahiu u arrestua në qershor të këtij viti nga policia serbe në pikën kufitare ndërmjet Hungarisë dhe Serbisë për kinse kryerje të veprës penale “vrasje e rëndë”, në fshatin Banjskë të Zveçanit.
Në orën 09:30, në Gjykatën Themelore të Prishtinës, do të mbahet seanca e radhës gjyqësore në rastin “Banjska”, ku të akuzuar janë Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq.
Të tre po përballen me akuza të rënda që lidhen me ngjarjet e 24 shtatorit 2023, kur një grup i armatosur serb sulmoi Policinë e Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit, ku i vrarë mbeti rreshteri i policisë, Afrim Bunjaku.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, të pandehurit dyshohet se kanë qenë pjesë e grupit të organizuar që mori pjesë në sulmin e armatosur, i cili kishte për qëllim destabilizimin e situatës së sigurisë në veri të vendit.
Prokuroria ka paraqitur një sërë provash materiale dhe dëshmish që lidhen me rolin e secilit prej të akuzuarve në ngjarjet tragjike të asaj dite.
Ndryshe në seancën e fundit në Gjykatën Themelore në Prishtinë, e cila dështoi, ëshmitarja Dragana Antonijeviq nuk ishte paraqitur në gjykatë.
Ajo kishte deklaruar se ndodhet në Serbi. Për këtë dëshmitare, gjykata konsideroi se nuk ka arsyetuar mungesën.
Gjykata do të marrë vendim nëse dëshmitarja do të shoqërohet nga organet e policisë ose do t’i dërgohet ftesa përsëri.
“Për këtë dëshmitare nuk ka arritur që ta arsyetojë mungesën. Gjykata ndërkohë do të presë që ta arsyetojë këtë mungesë në bazë të dokumentacionit apo dëshmive të besueshme, dhe pas saj do të merret vendim nëse e njëjta do të shoqërohet përmes organeve të policisë. Në këto kushte nuk do të mund të vazhdojmë seancën”, kishte deklaruar kryetari i trupit gjykues, Arben Hoti.
Ky proces gjyqësor ka zgjuar interes të madh publik dhe ndërkombëtar, duke qenë se ngjarja e Banjskës konsiderohet një nga incidentet më të rënda të sigurisë në Kosovën e pasluftës.
Përveç humbjes së jetës së një zyrtari policor, sulmi u pasua me tensione të larta politike dhe diplomatike mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe me thirrje të shumta nga faktori ndërkombëtar për zbardhjen e plotë të rastit dhe vënien e fajtorëve para drejtësisë. /Telegrafi/
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, gjatë fjalës së tij në Samitin e Londrës, paralajmëroi se Kosova përballet ende me kërcënime serioze ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial. Duke iu referuar sulmit të armatosur në Banjskë, Kurti tha se akti terrorist nuk mund të injorohet dhe kërkoi drejtësi për ngjarjen. “Milan Radoiçiq ka pranuar përgjegjësinë, […]
Raporti i UNMIK-ut i paraqitur të martën në Këshillin e Sigurimit në OKB mbulon periudhën nga 16 marsi deri më 15 shtator.
Ai u bëri thirrje të gjitha institucioneve kompetente në Beograd dhe në Prishtinë t’i ndjekin penalisht përgjegjësit për sulmin në fshatin Banjskë në veri të Kosovës më 2023.
Në shtator të vitit 2023, një grup i armatosur serbësh sulmoi Policinë e Kosovës, duke vrarë një oficer.
Shumica e të pandehurve në Kosovë janë në arrati, dhe Beogradi, i cili po kryen një hetim paralel, nuk ka ngritur aktakuzë kundër ish-nënkryetarit të Listës Serbe, Millan Radoiçiqit, i cili mori publikisht përgjegjësinë për sulmin, as dy vjet pas sulmit.
Ai përmendi si shembuj pozitivë mbajtjen e zgjedhjeve lokale në Kosovë në një atmosferë të drejtë dhe demokratike, si dhe dy takime midis delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Dy takime trepalëshe u mbajtën në Bruksel në qershor dhe shtator, me kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, mbi zbatimin e marrëveshjeve të mëparshme, duke përfshirë Marrëveshjen e Ohrit dhe Deklaratën e majit 2023 për Personat e Zhdukur. Asnjëri takim nuk rezultoi në një rezultat zyrtar.
Shin përsëriti shqetësimet e UNMIK-ut dhe partnerëve ndërkombëtarë në lidhje me mbylljen e institucioneve serbe në komunat ku ky komunitet jeton në shumicë.
“Është thelbësore që autoritetet në Prishtinë të përfshijnë sinqerisht të gjitha komunitetet e prekura përpara se të zbatojnë vendime që ndikojnë në jetën e tyre të përditshme, si dhe të kërkojnë alternativa të vlefshme për të shmangur ose zvogëluar efektet negative”, tha Shin.
Ai tha se UNMIKU mirëpret faktin që autoritetet e Kosovës kanë siguruar që qytetarët e komunitetit serb të kenë qasje të lehtë në dokumentet e Republikës së Kosovës.
Shin përsëriti thirrjen e tij që serbët e Kosovës të kthehen në institucionet e Kosovës.
Qeveria e Kosovës e hoqi plotësisht dinarin serb si mjet pagese dhe mbylli shumicën e institucioneve serbe funksionale, siç janë Posta e Serbisë, Banka e Kursimeve Postare, Organet e Përkohshme Komunale, Qendrat për Punë Sociale, ndërmarrjet publike dhe të tjera.
Shin kujtoi se masa të reja që do të hyjnë në fuqi në Kosovë nga 1 nëntori, sipas të cilave automjetet me targa të huaja nuk do të jenë në gjendje të qarkullojnë në bazë të autorizimit dhe se kushdo që nuk ka dokumente të Kosovës do të duhet të aplikojë për leje qëndrimi.
"Kjo mund të shkaktojë sfida administrative dhe të ndikojë në qasje në të drejtat dhe shërbimet thelbësore, duke përfshirë sigurimin shëndetësor, arsimin dhe punësimin. Kjo ka të bëjë me qytetarët e Kosovës me vendbanim të përhershëm nga komunitetet pakicë, të cilët vazhdojnë të kenë probleme në mbledhjen e dokumentacionit të nevojshëm. Ky është momenti për të kërkuar përsëri alternativa ndaj këtyre sfidave", tha Shin.
Shin shprehu shqetësim në lidhje me arrestimet e njerëzve që shfaqnin "simbole kulturore, kombëtare ose fetare" në Kosovë.
"Duhet të nënvizojmë se duhet të ketë një ekuilibër të kujdesshëm midis mbrojtjes së lirisë së shprehjes dhe parandalimit të promovimit të urrejtjes dhe dhunës", tha Shin.
UNMIK-u ka paralajmëruar për presionet me të cilat përballen përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe gazetarët në Kosovë.
“Shoqata e Gazetarëve të Kosovës ka raportuar sulme ndaj gazetarëve, si dhe kërcënime ndaj pavarësisë së televizionit publik”, tha Shin.
SHBA-ja dhe Britania kërkuan përfundimin e mandatit të UNMIK-ut në Kosovë
Përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë të ulin tensionet, të përmbahen nga masat që do të çonin në përshkallëzim dhe të rikthehen në dialog.
Ai theksoi se nuk ka kërcënime për sigurinë në Kosovë dhe mbështeti mbylljen e misionit.
"Ne i njohim përpjekjet e UNMIK-ut për të zbatuar dialogun dhe reformat ligjore në Kosovë. Kjo është e dobishme, por realiteti është se UNMIK-u është një mision paqeruajtës, pa paqeruajtës, ndërsa 81 për qind e buxhetit të misionit financon pagat e stafit që është i angazhuar në punë që duhet të bëhet nga organizata të tjera. Është koha që këto punë të transferohen nga UNMIK-u te agjencitë që janë më të pajisura për këto detyra", tha përfaqësuesi i SHBA-së.
Misioni i UNMIK-ut u krijua në vitin 1999 me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit.
Me parullat “Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar”, “Arbnon Spahiu nuk është vetëm, jemi të gjithë bashkë” është mbajtur një protestë në Prishtinë me kërkesën kryesore: lirimin nga paraburgimi në Serbi për ish-policin Arbnor Spahiu.
Spahiu u arrestua në qershor të këtij viti nga autoritetet serbe në pikën kufitare ndërmjet Hungarisë dhe Serbisë dhe akuzohet nga autoritetet serbe për kryerjen e veprës penale “vrasje e rëndë”, në fshatin Banjskë të Zveçanit. Sipas organizatores se protestës Erëza Zeqiri, Spahiu po mbahet padrejtësisht në burg në Serbi.
“Padrejtësia nuk mund të mbulohet me heshtje, ne jemi këtu për të ngritur zërin e Arbnorit, për të thënë me vendosmëri se liria e tij është e drejtë themelore dhe se askush nuk mund të mbahet peng i padrejtësisë”, ka thënë organizatorja e protestës, Ereza Zeqiri.
Protestuesit i janë drejtuar me thirrje institucioneve vendore, atyre ndërkombëtare, Bashkimit Evropian, Kombeve të Bashkuara dhe organizatave të të drejtave të njeriut, që të marrin përgjegjësinë për të garantuar të drejtat themelore të një qytetari që padrejtësisht po mbahet i burgosur.
Spahiu po mbahet në qytetin verior të Serbisë, Suboticë, që nga 9 qershori kur Gjykata e Lartë e Suboticës urdhëroi paraburgosjen e tij.
Ish-pjesëtari i Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës Arbnor Spahiu, dyshohet për kryerjen e veprës penale “vrasje e rëndë” në Banjskë, pjesa veriore e Kosovës, ku një grup i serbëve të armatosur sulmoj policinë e Kosovës në shtator 2023, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.
Të mërkurën e 24 shtatorit janë bërë dy vjet nga sulmi terrorist në fshatin Banjskë të Zveçanit, ku një grup i armatosur i udhëhequr nga ish-politikani Millan Radoiçiq sulmoi Policinë e Kosovës.
Mëngjesin e 24 shtatorit 2023, gjatë përleshjes, mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës Afrim Bunjaku, u plagos polici Alban Rashiti dhe u lëndua një tjetër zyrtar policor.
Sulmi u dënua ashpër nga krerët e shtetit dhe përfaqësuesit ndërkombëtarë, të cilët kërkuan që autorët të dalin para drejtësisë.
“Ky akt terrorist është një sulm i drejtpërdrejtë kundër rendit dhe sigurisë së Republikës së Kosovës,” kishin deklaruar zyrtarët e lartë të shtetit në atë kohë.
Videon me pamjet e publikuara nga Tëvë1 mund ta ndiqni më poshtë:
Bashkimi Evropian ka përsëritur thirrjen që autorët për sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit të përballen me drejtësinë. “Ne presim që autoritetet në Serbi të arrestojnë dhe ndjekin penalisht ata që gjenden në Serbi me akuza përkatëse para një gjykate në Serbi”, tha Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë në një përgjigje dërguar Radios Evropa e Lirë në dyvjetorin e sulmit në Banjskë.
Ambasada e Francës në Kosovë ka ripërsëritur thirrjen që autorët e sulmit të Banjskës të dalin para drejtësisë.
Thirrja e Francës erdhi në përvjetorin e dytë të këtij sulmi ku vdiq polici Afrim Bunjaku.
“Dy vjet pas sulmit kriminal në Banjskë i cili mori jetën e rreshterit Afrim Bunjaku, mendimet tona janë me familjen e tij. Franca vazhdon të bëjë thirrje që autorët e këtij sulmi vdekjeprurës të sillen para drejtësisë”thuhet në postimin e kësaj ambasade.
Në këtë përvjetor edhe ambasada gjermane dhe ajo britanike kërkuan që autorët e sulmit të para dy vjetëve të përballen me drejtësinë.
Udhëheqësit e Kosovës i kanë kërkuar bashkësisë ndërkombëtare t’i bëjë trysni Serbisë për ta dorëzuar të dyshuarin kryesor Millan Radoiçiqin dhe të akuzuarit e tjerë për sulmin e armatosur në veri të vendit, në dyvjetorin e vrasjes së rreshterit policor Afrim Bunjaku. Bunjaku u vra më 24 shtator 2023 gjatë një sulmi që një grup […]
PRISHTINË, 24 shtator/ATSH/ Ambasada gjermane në Kosovë e ka quajtur të papranueshëm faktin që përgjegjësit për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit ende nuk janë vënë para dretësisë. Ambasada përmendi se ai i cili mori përgjegjësinë për sulmin – Millan Radoiçiq, vazhdon të jetojë i lirë në Serbi.
“Është e domosdoshme që llogaridhënia dhe drejtësia të zbatohen pa asnjë vonesë të mëtejshme”, tha Ambasada përmes një reagimi në Facebook të mërkurën, në dy vjetorin e sulmit terrorist.
Më 24 shtator të vitit 2023, një grup serbësh të armatosur, në krye me terroristin Millan Radoiçiq, sulmuan Policinë e Kosovës. Aty mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, dhe u plagosën të tjerë.
Forcat speciale qëlluan për vdekje tre serbë, ndërkohë që pjesëtarë të grupit terrorist u larguan drejt Serbisë përmes rrugëve malore.
Grupi prej rreth 50 personave që udhëhiqej nga kryeterroristi, Milan Radoiçiq – i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe i kërkuar edhe nga institucionet vendore si i përfshirë në vrasje – me veshje ushtarake ishte vendosur në Manastirin e Banjskës e përreth tij.
Gati një vit pas sulmit, Prokuroria Speciale më 11 shtator ka ngritur aktakuzë, ku në mesin e të akuzuarve kryesor është Radoiçiq, si udhëheqës i grupit. Sipas aktakuzës ata kanë kryer veprën penale “Kryerja e veprës terroriste” dhe veprën penale “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”. Disa nga ata akuzohen edhe për financim të grupit, e shpëlarje të parasë.
Serbia ende nuk ka dorëzuar kriminelët e Banjskës, përkundër kërkesave të vazhdueshme të autoriteteve vendore dhe të disa aleatëve ndërkombëtarë.
Millan Radoiçiq ishte nënkryetar i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë e cila mbështetet nga Beogradi zyrtar. /Kosovapress/
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku në dyvjetorin e vrasjes së heroit Afrim Bunjaku theksoi se sakrifica e tij mbetet një kujtesë e gjallë për sfidat me të cilat përballet Kosova, por edhe për vendosmërinë tonë për të mos u dorëzuar përballë dhunës dhe përpjekjeve për destabilizim
Abdixhiku në një postim në Facebook shkruan se Afrim Bunjaku, u vra nga pjesëtarë të një grupi terrorist të sponsorizuar e komanduar nga Serbia, derisa po ushtronte punën, duke dëshmuar se shërbimi ndaj atdheut është mbi çdo gjë personale.
“Sot, shënohen dy vite nga rënia në detyrë e policit të Republikës së Kosovës, heroit, Afrim Bunjaku, i cili humbi jetën duke mbrojtur sigurinë dhe sovranitetin e vendit tonë.
Afrim Bunjaku, u vra nga pjestarë të një grupi terrorist të sponzorizuar e komanduar nga Serbia, derisa po ushtronte punën, duke dëshmuar se shërbimi ndaj atdheut është mbi çdo gjë personale. Por, Afrim Bunjaku nuk ishte vetëm një polic në krye të detyrës. Ishte një njeri me vlera të mëdha, që zgjodhi të qëndrojë deri në fund për parimet e lirisë, drejtësisë dhe rendit demokratik”, tha ai.
Abdixhiku shtoi se sakrifica e tij mbetet një kujtesë e gjallë për sfidat me të cilat përballet Kosova, por edhe për vendosmërinë tonë për të mos u dorëzuar përballë dhunës dhe përpjekjeve për destabilizim.
“Përgjegjësia për këtë akt kriminal i takon jo vetëm autorëve të drejtpërdrejtë, por edhe atyre që e ideuan dhe e nxitën, e të cilët duhet të mbahen përgjegjës para drejtësisë. Afrim Bunjaku është mishërim i asaj ç’do të thotë t’i shërbesh shtetit me nder. Ai jeton në kujtimin tonë kolektiv si një nga heronjtë më të devotshëm të këtij vendi. Nderim i përjetshëm për jetën dhe veprën e tij!”, shkruan ai. /Telegrafi/
Sindikata e Policisë së Kosovës e ka kujtuar rreshterin Afrim Bunjaku, në dy vjetorin e rënies heroike të tij.
“Ai ra në krye të detyrës, duke mbrojtur ligjin, sigurinë dhe jetën e qytetarëve tanë. Sakrifica e tij mbetet përjetësisht dëshmi e trimërisë dhe përkushtimit të policëve tanë ndaj vendit dhe popullit”, tha Sindikata përmes një reagimi në Facebook derisa shprehu ngushëllime familjes, kolegëve dhe gjithë qytetarëve të Kosovës.
“Kujtimi dhe vepra e tij do të mbeten gjithmonë në zemrat tona”.
Më 24 shtator të vitit 2023, një grup serbësh të armatosur, në krye me terroristin Millan Radoiçiq, sulmuan Policinë e Kosovës. Aty mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, dhe u plagosën të tjerë.
Forcat speciale qëlluan për vdekje tre serbë, ndërkohë që pjesëtarë të grupit terrorist u larguan drejt Serbisë përmes rrugëve malore.
Gati një vit pas sulmit, Prokuroria Speciale më 11 shtator ka ngritur aktakuzë, ku në mesin e të akuzuarve kryesor është Radoiçiq, si udhëheqës i grupit.
Sipas aktakuzës ata kanë kryer veprën penale “Kryerja e veprës terroriste” dhe veprën penale “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”. Disa nga ata akuzohen edhe për financim të grupit, e shpëlarje të parasë.
Serbia ende nuk ka dorëzuar kriminelët e Banjskës, përkundër kërkesave të vazhdueshme të autoriteteve vendore dhe të disa aleatëve ndërkombëtarë. /Telegrafi/
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka kujtuar rreshterin Afrim Bunjaku i cili ra heroikisht në sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit.
“Dy vite më parë, në Banjskë, ra heroikisht në krye të detyrës rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, i vrarë nga terroristët serbë. Afrimi mbetet testament i guximit dhe përkushtimit për mbrojtjen e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Krasniqi.
Ai ka shtuar se sakrifica e Bunjakut është e gdhendur në historinë tonë kombëtare dhe do të kujtohet përherë si shembull i nderit dhe i besës ndaj atdheut.
“Por, dy vite pas këtij akti terrorist, drejtësia ende nuk është vendosur. Kriminelët e strehuar e të mbajtur të paprekur në Serbi duhet të dorëzohen dhe të përgjigjen përpara ligjit, sepse vetëm kështu nderohet sakrifica e Afrimit dhe sigurohet e ardhmja e Kosovës.
Lavdi e përjetshme Heroit Afrim Bunjaku! Lavdi të gjithë të rënëve për Kosovën!”, ka shkruar Krasniqi. /Telegrafi/
Në dyvjetorin e sulmit terrorist në Banjskë, sot është nderuar rreshteri Afrim Bunjaku i cili ra heroikisht gjatë këtij sulmi.
Familjarë, zyrtarë të lartë shtetërorë, pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe qytetarë të shumtë vendosen kurora lulesh tek varri i rreshterit.
Në ceremoninë e homazheve, një moment prekës preku të gjithë të pranishmit, ku djali i heroit Bunjaku nuk i mbajti lotët pas vendosjes së luleve pranë varrit të babait të tij.
Ai shihet teksa ngushëllohet nga të pranishmit dhe zëdhënësi i policisë së Kosovës, Baki Kelani.
Figura e Afrim Bunjakut mbetet simbol i sakrificës dhe guximit në mbrojtje të rendit kushtetues, jetës dhe sigurisë së qytetarëve të Republikës së Kosovës. /Telegrafi/
Sot janë bërë dy vjet nga sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit, ndërsa vazhdon të jetë i lirë Milan Radoiçiq, i cili ka marr përgjegjësinë për këtë sulm.
Në dyvjetorin e këtij sulmi ka reaguar edhe Ambasada gjermane në Prishtinë.
“Dy vjet që nga sulmi i tmerrshëm në Banjskë, megjithatë, udhëheqësi i vetëshpallur i sulmit, Radoiçiq, vazhdon të jetojë i lirë në Serbi.
Dy vjet që nga vrasja e oficerit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku dhe pavarësisht garancive të ndryshme se autorët do të mbahen përgjegjës, ende nuk është vënë drejtësi.
Kjo pandëshkueshmëri e dukshme është e papranueshme. Është e domosdoshme që llogaridhënia dhe drejtësia të zbatohen pa asnjë vonesë të mëtejshme”, thuhet në postimin e Ambasadës. /Telegrafi/
Eksperti i sigurisë, Agim Musliu ka kujtuar dy vjetorin e sulmit në Banjskë ku i vrarë mbeti rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Musliu ka thënë se sot shënohen dy vjet nga sulmi terrorist dhe paramilitar të organizuar nga Serbia kundër Kosovës, që konsiderohet edhe agresioni më i madh shtetëror i Serbisë ndaj sovranitetit të Kosovës që nga përfundimi i luftës.
“Faktet e dokumentuara nga terreni, përgatitja dhe armët e grupit terrorist, hartat, videot dhe materialet e tjera ushtarake si dhe kanali i sigurt për depërtim në Kosovë dëshmojnë se ky sulm ishte një operacion i planifikuar, organizuar dhe i mbështetur nga nivelet më të larta të shtetit serb. Presidenti Aleksandar Vuçiq, qeveria e Serbisë dhe forcat e armatosura të Serbisë ishin të përfshira në mënyrë direkte dhe indirekte në këtë ndërmarrje”, ka shkruar Musliu në një postim në Facebook.
Ai ka theksuar se objektivi final i këtij sulmi ishte krijimi i një zone të kontrolluar nga Beogradi në veri të Kosovës, si hap drejt aneksimit de facto të asaj pjese të territorit.
“Atë ditë edhe ushtria e Serbisë ka qenë në gjendje gatishmërie për të mbështetur terroristët. Edhe pas ekspozimit ndërkombëtar të Milan Radoiçiq si udhëheqës i sulmit, ai vazhdon të gëzojë mbrojtje të plotë nga shteti serb dhe personalisht nga presidenti Vuçiq. Ky fakt shpalos hapur lidhjen organike mes politikës zyrtare të Beogradit dhe strukturave kriminale-paramilitare që përdoren si instrumente të strategjisë shtetërore”, u shpreh Musliu.
Eksperti i sigurisë ka shtuar se përveç që i lirë Radoiçiq po ushtron ndikim në terren në mbështetje të SNS-it si rasti i djeshëm në komunën e Kosjeriqit e deri te ndikimi te Lista Serbe në zgjedhjet lokale në Kosovë.
“Edhe pse fakti i agresionit është i pamohueshëm, reagimi i shteteve perëndimore dhe i institucioneve ndërkombëtare ka qenë i vakët dhe shpesh i kufizuar në deklarata të përgjithshme. Një akt i këtij niveli, i cili përbën shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare dhe të parimeve të sigurisë kolektive, kërkon masa të qarta ndëshkuese ndaj Serbisë, sikurse sanksionet ekonomike, bllokim i procesit integrues dhe sanksionet individuale e futja në listë të zezë të lidershipit politik në Serbi”, ka shkruar Musliu.
Musliu u shpreh tutje se Kosova nuk kërkon asgjë më shumë sesa respektim të sovranitetit të saj dhe mbrojtjen e rendit ndërkombëtar që e garanton atë.
“Ndëshkimi i Serbisë për agresionin e 24 shtatorit nuk është vetëm interes i Kosovës, por një domosdoshmëri për stabilitetin e rajonit dhe kredibilitetin e rendit ndërkombëtar”, tha ai. /Telegrafi/