Deputeti serb, Petar Boskoviq ka mbajtur një fjalim të ashpër në Kuvendin e Serbisë, duke akuzuar drejtpërdrejt pushtetin për bllokimin e integrimit evropian dhe për mungesë të vullnetit politik e sundimit të ligjit.
Sipas Boskoviqit, autoritetet serbe po justifikohen me “kushte teknike të përmbushura” për hapjen e kapitullit të tretë të negociatave me Bashkimin Evropian, ndërsa arsyet reale për bllokadën janë krejtësisht politike.
“As vetë nuk besoni në këto budallallaqe. E dini shumë mirë pse kapitulli nuk është hapur, por nuk doni vërtet të shkoni drejt Evropës”, tha ai.
Duke iu referuar raportit të Komisionit Evropian, Boskoviq theksoi se dokumenti është “i ashpër dhe deri tani më i saktë”, duke nënvizuar se problemet kryesore të Serbisë mbeten vullneti politik dhe sundimi i ligjit.
Në fjalimin e tij, deputeti opozitar përmendi edhe rastin e Banjskës, duke deklaruar se dy vjet pas ngjarjeve, Millan Radoiçiq vazhdon të lëvizë lirshëm në Serbi.
“Radoiçiq shëtitet si të dojë, me vetura të blinduara më të mira se princi saudit dhe me sigurim më të fuqishëm se vetë presidenti Vuçiq,” u shpreh Boskoviq.
Ai theksoi se çështja e Banjskës është një nga temat kryesore që ngrihet nga zyrtarët evropianë në çdo vizitë në Serbi, si dhe ndaj politikanëve serbë gjatë udhëtimeve të tyre në Evropë.
“Pra, si do ta zgjidhni këtë kur nuk ju lejohet as t’i afroheni Radoiçiqit tuaj? Të gjithë jeni të përfshirë - nga drejtori asokohe i BIA-s, përmes Mojsiloviqit dhe anëtarëve të pensionuar të ushtrisë, deri te presidenti i shtetit që iu ka lutur KFOR-it të hapë rrugën për ta, për t’i nxjerrë njerëzit që shqiptarët mos t’i vrasin”, deklaroi ai.
Boskoviq ngriti shqetësime edhe për veprimtari të dyshimta jashtë vendit, duke përmendur përgatitjen e grupeve në Loznicë, përfshirjen në Moldavi dhe shitjen e municioneve në kohën e luftës në Ukrainë. Ai akuzoi qeverinë se politika e jashtme nuk po i shërben interesave të Serbisë, por po e izolon vendin edhe më tej nga Bashkimi Evropian.
Fjalimi i Boskoviqit ka nxitur reagime të shumta në skenën politike serbe, duke rihapur debatin për përgjegjësinë e institucioneve dhe perspektivën evropiane të Serbisë. /Telegrafi/
Deputetja britanike Alicia Kearns ka reaguar lidhur me heqjen e pjesshme të masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, duke e mirëpritur vendimin.
Ajo theksoi se këto masa nuk duhej të ishin vendosur kurrë ndaj Kosovës.
Kearns kujtoi se Lista Serbe zgjodhi të bojkotojë zgjedhjet komunale, ndërsa paramilitarët e mbështetur nga Serbia kanë plagosur 30 ushtarë të KFOR-it gjatë vitit 2023.
Kearns përmendi gjithashtu sulmin në Banjska, ku një forcë paramilitare e udhëhequr nga ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq – e cila është trajnuar në baza ushtarake serbe dhe ka përdorur armë të ushtrisë serbe, duke vrarë policin Afrim Bunjaku.
Deputetja britanike theksoi se sanksionet ndaj Kosovës kanë qenë të padrejta dhe çdo masë e mbetur duhet të hiqet.
Ajo shtoi se fokusi duhet të jetë sjellja para drejtësisë e Radoiçiq dhe bashkëpunëtorëve të tij, si dhe forcimi i sigurisë së përbashkët në rajon dhe orientimi i Kosovës drejt një të ardhmeje euro-atlantike./Telegrafi/
Whilst the lifting of EU negative measures on Kosovo is welcome, they should never have been issued.
Srpska List chose to boycott municipal elections.
Serbian backed paramilitaries injured thirty KFOR soldiers in 2023.
Dosja voluminoze e Prokurorisë Speciale për rastin e sulmit terrorist në kanalin ‘Ibër- Lepenc’ në Zubin Potok ka vënë në pah edhe të kaluarën e Jovan Viçentijeviqit, i cili po pretendohet deri më tani në bazë të provave dhe materialeve që kanë siguruar institucione vendore e ndërkombëtare që ishte ai që ndezi fitilin e tritolit në mbrëmjen e 29.11.2024.
Dosje elektronike, shtëpiza kompjuteri e telefona ishin marrë e ekzaminuar për t’u trajtuar dhe për të nxjerrë të dhëna e informacione të cilat do të përdoreshin për ngritjen e aktakuzës nga ana e prokurorit special Bekim Kodraliu, në rastin e sulmit terrorist në kanalin ‘Ibër-Lepenc’.
Në dosjen që ishte gjetur nga sekuestrimi i një shtëpize të kompjuterit ishin identifikuar fotografi, video e dokumente të cilat inkriminojnë Jovan Viçentijeviqin edhe në pjesëmarrje të grupeve të dyshimta e madje edhe të shpallura si terroriste në Kosovë.
Në një video që ishte identifikuar, prokuroria hasi në Jovan Viçentijeviqin në një vend malor, i uniformuar dhe i armatosur me kallashnikov e dy zolla.
Zona mbrapa shihej malore ende e panjohur për institucionet e vendit, ndërsa Viçentijeviq shihej derisa manovronte dhe modifikonte një zollë, e cila konsiderohet armë e rrezikshme luftarake.
Madje të njëjtat armë ishin gjetur dhe sekuestruar edhe gjatë kontrollimit të shtëpisë së të pandehurit.
Po ashtu KALLXO.com raportoi edhe se si Jovan Viçentijeviq pretendohet se kishte arritur që të ketë qasje në një dokumentin 66-faqësh konfidencial të KFOR-it e ku përshkruhej situata e sigurisë tek ‘Kroi i Vitakut” në Mitrovicë gjatë vitit 2009.
Fotografi të tjera të cilat përmenden në aktakuzën tashmë të ngritur nga Prokuroria Speciale, tregojnë Viçentijeviq në një ambient të hapur në fushë i veshur në uniformë ushtarake duke manovruar me armë të ndryshme, me dylbi gjatë vëzhgimit në terren.
Fotografi të ngjarjeve të vitit 2011 gjatë sulmeve në pikat kufitare Jarinje e Bërnjak, fotografi të barrikadave, fotografi të ngjarjeve të vitit 2004, fotografi të krerëve të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, emra të shumë shqiptarëve, fotografi të ndryshme të vendeve në Kosovë që kishte vizituar Jovan Viçentijeviq ishin gjetur po ashtu brenda shtëpizës së kompjuterit.
Një fotografi tjetër që ishte gjetur ishte edhe ajo e Jovan Viçentijeviq me disa armë, uniformën ushtarake, anti-plumba me ata të njëjtë që ishin gjetur në rastin e sulmit terrorist në fshatin Banjskë më 24.09.2023.
Një tjetër çështje është edhe ajo e ushtrimeve që Jovan Viçentijeviq i ka përmendur me një grup të gjerë në bazën “Pasulancke Lidave’.
Në bazë të asaj çka pretendohet në aktakuzë, Viçentijeviq kishte theksuar se pas një përfundimi të një trajnimi me datë 23.09.2022, me një autobus në mënyrë të organizuar kanë udhëtuar për në Rashkë, pastaj në Novi Pazar, aty kanë pushuar për një kohë e janë ushqyer e më pas së bashku me Milovan Vlaskoviq, Milosh Orloviq dhe një person tjetër me nofkën “Uço” kanë hyrë brenda një automjeti dhe përmes rrugëve ilegale kishin hyrë në territorin e Kosovës dhe kishin shkuar në Zubin Potok.
Në bazë të dëshmisë gjithmonë, Viçentijeviq kishte thënë se në sulmin dhe luftimet në Banjskë të Zveçanit, me datë 24.09.2023 nga zona e Zubin Potokut kanë marrë pjesë edhe disa persona.
Viçentijeviq kishte përmendur edhe një sulm tjetër që ishte planifikuar që të ndodhte në tetor 2024 por ishte parandaluar nga Milan Radojiqiq, ai që mori përsipër edhe sulmin në Banjskë.
Në kampin për të cilën kishte folur Viçentijeviq kishte thënë edhe se nuk lejohej përdorimi i telefonit, e për këtë kishin leje vetëm dy persona.
Madje ai kishte përmendur edhe se kishte arritur që të identifikonte persona nga Zubin Potoku që kishin marrë pjesë në këtë trajnim, duke specifikuar edhe ish-pjesëtarë të Policisë së Kosovës, që kishin ofruar dorëheqjen e tyre në dhjetor të vitit 2022.
Gjithashtu, një tjetër çështje që kishte thënë Jovan Viçentijeviq ishte edhe për përgjegjësit e “Mbrojtjes Civile”, të cilët kishin përgjegjësi të zonave të ndryshme në veri. Jovani kishte përmendur Millosh Milovanoviq të njohur si “Grizli” nga fshati Varagë si përgjegjës i ‘Mbrojtjes Civile’ të zonës së Zubin Potokut e që i njëjti kishte lidhje me Millan Radojiçiq.
Të gjitha këto të dhëna Jovan Viçentijeviq i kishte thënë gjatë transportimit të tij nga Mitrovica e Veriut për në Prishtinë dhe pastaj gjatë dërgimit të tij në Qendrën e Paraburgimit më 03.1202025.
Ai kishte biseduar me zyrtarët policorë e madje kishte dhënë edhe informacione për veprimtarinë e tij të kundërligjshme e poashtu edhe për persona të tjerë të involvuar.
Në kampin për të cilin e kishte përmendur Jovani, kishin qenë duke kryer ushtrimin dhe duke u trajnuar rreth 120 persona nga veriu i Kosovës, të gjithë të nacionalitetit serb. Në një grup tjetër në përdorimin e eksplozivëve, kishin qenë 12 persona, të cilët janë trajnuar ndaras në të njëjtin kamp.
Sipas Viçentijeviqit, në bisedën e tij me zyrtarët policorë kishte thënë se një grup tjetër nga Leposaviqi në kamp kishin ushtruar dhe ishin trajnuar për përdorimin e minahedhësve.
Jovan Viqentijeviq është njëri nga të dyshuarit kryesor për sulmin terrorist të kryer në nëntor të vitit 2024 në kanalin e ujit të ndërmarrjes “Ibër-Lepenci”.
Ai dyshohet të jetë personi që ndezi fitilin e tritolit që shpërtheu në kanalin e “Ibër- Lepencit”.
I pandehuri sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës kishte njohuri për sistemin e ujësjellësit pasi që figuron se ishte i punësuar në Sistemin Rajonal të Furnizimit me Ujë në Ujman.
Kështu shkruan në aktakuzën e PSRK-së, të ngritur nga prokurori Bekim Kodraliu më datë 09.12.2025.
Më 29.11.2024, një shpërthim i fuqishëm ishte regjistruar në fshatin Varagë të Zubin Potokut.
Shpërthimi ishte regjistruar në kanalin e ujit të “Ibër-Lepencit”, i cili konsiderohet infrastrukturë kritike që shërben për furnizimin me ujë të pijshëm për qytetarët e Kosovës.
Për shpërthimin në këtë kanal ishin përdorur rreth 20 kilogramë eksploziv të llojit TNT.
Në dosjen e prokurorit Kodraliu thuhet se ky lloj i eksplozivit, që shërben për përdorim ushtarak, u vendos në kanal dhe shkaktoi dëme edhe financiare por edhe në ujin e pijshëm për disa zona të cilat furnizoheshin përmes kanalit.
Madje shpërthimi dhe dëmet që shkaktoi rrezikoi furnizimin me ujë edhe të termocentraleve të Korporatës Energjetike të Kosovës, me çka u rrezikua edhe prodhimi i energjisë elektrike në vend.
Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj Jovan Viqentijeviq, Dragisha Viqentijeviq dhe Igor Dimoviqit në lidhje me sulmin terrorist me eksploziv në kanalin e “Ibër-Lepencit” më 29.11.2024.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë, vëllezërit Viqentijeviq janë personat që kanë shpërthyer kanalin e “Ibër- Lepencit” përmes vendosjes së një çante me eksploziv.
Në aktakuzën që ka siguruar KALLXO thuhet se Prokuroria Speciale në bashkëpunim me FBI-në amerikane kishin arritur që të gjenin prova që do të çonin në arrestimin e vëllezërve Viqentijeviq.
Sipas dosjes, në kohën kur ishin arrestuar të dyshuarit ishte marrë për ekzaminim dheu i cili ndodhej në çizmet e të arrestuarve në atë kohë dhe ishte marrë si mostër dheu në oborrin e të dyshuarve. Gjithashtu për krahasim kishin marrë edhe dheun i cili ndodhej pranë kanalit të “Ibër-Lepencit”.
Ngjashmëria e dheut, sipas PSRK, vërteton se të akuzuarit kanë qenë prezentë në vendin ku ka ndodhur shpërthimi dhe ata kanë qenë personat që e kanë shkatërruar një pjesë të kanalit.
Por, ky konstatim vjen nga një institucion ndërkombëtar, më saktësisht konfirmimi i FBI thot se dheu i gjetur në këpucët e të akuzuarve është i njëjti me dheun i cili ishte marrë për ekzaminim në vendin ku kishte ndodhur shpërthimi.
“Dheu i çizmeve të sekuestruara në shtëpinë e vëllezërve Viqenjtijeviq dhe ajo në fshatin Përvlak të kësaj komune më datë 30.11.2024 së bashku me mostrat referente të dheut të siguruara nga ekspertët policorë të Kosovës dhe FBI të marra në vendin e ngjarjes… Nga mostrat qartazi vërehet se në mes të dheut të marrë në çizmet e të pandehurve Jovan dhe Dragisha Viqentijeviq dhe mostrave të dheut të marra në vendin e ngjarjes, më konkretisht në kanalin “Ibër-Lepenc” nuk ka dallueshmëri… çka vërtetohet se të pandehurit kanë kryer aktin terrorist” – thuhet në aktakuzën e Prokurorisë Speciale.
Sipas aktakuzës, Jovan e Dragisha Viqentijeviq akuzohen edhe për armëmbajtje pa leje.
Kurse i akuzuari për spiunazh Jovan Viqentijeviq, sipas Prokurorisë, është pjesë e shërbimit informativ ushtarak të Serbisë, që sipas Prokurorisë ka ndihmuar këtë shërbim duke mbledhur informacione dhe dokumente të klasifikuara që t`i përdorë për aktivitetin e tij të kundërligjshëm në Kosovë.
Në dosjen e PSRK-së përmenden veprimet të cilat ngarkojnë Jovan Viqentijeviqin edhe me veprën penale të spiunazhit.
Gjithmonë sipas dosjes së PSRK-së, Jovan Viqentijeviq nga një kohë e pacaktuar e mëparshme deri më 01.12.2024, ishte pjesë e shërbimit të huaj informativ, në këtë rast të shërbimit informativ ushtarak të Serbisë, me gradën e kolonelit dhe kishte vepruar e ndihmuar këtë shërbim duke mbledhur informacione dhe dokumente të klasifikuara me qëllim që të njëjtat t’i përdorë gjatë aktivitetit të tij të kundërligjshëm në territorin e Kosovës.
Dokumentet e informacionet që pretendohet që kishte mbledhur Jovan Viqentijeviq dyshohet se i kishte ofruar në vizitat e takimet që kishte realizuar në Serbi me pjesëtarët e Shërbimit Informativ Ushtarak të Serbisë duke përdorur spiunazhin.
Dosja përmend edhe një dokument të klasifikuar 66-faqësh të përpiluar nga KFOR-i të cilin i akuzuari tashmë e kishte siguruar nga veprimtaria e spiunazhit. E këto informacione të marra nga KFOR ishin për nevojat operacionale të tyre në terren ndërsa Viqentijeviq në bazë të dosjes kishte vëzhguar ushtarakët e KFOR-it amerikan.
Tutje dosja tregon edhe se si Viqentijeviq kishte fotografuar edhe bazën e Njësive Speciale policore të Kosovës e cila gjendet në Jasenovik në Zubin Potok. Me të gjitha këto të dhëna që kishte marrë dosja shpjegon se i akuzuari tashmë me qëllim të krijimit të një narrative të dëmshme për Kosovën te bashkësia ndërkombëtare me anë të një raporti kishte tentuar të paraqes ekzistimin e një organizate fiktive kinse për çlirimin e trojeve shqiptare e quajtur si “Komiteti Kombëtar dhe Mbrojtja e Trojeve Shqiptare”. Këtë Veqentijeviq sipas dosjes së Prokurorisë e kishte shoqëruar edhe me disa fotografi të eprorëve të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në aktakuzë tashmë, Prokuroria Speciale ka vendosur edhe dëshmi që vërtetonin edhe se si Viqentijeviq ishte i rekrutuar nga shërbimi sekret ushtarak i Serbisë.
Ai në disa dokumente figuron si zyrtar i inteligjencës ushtarake të ushtrisë së Serbisë.
Dosja tregon edhe se si Viqentijeviq kishte përpiluar edhe një dokument duke shpërndarë dezinformata dhe duke nxitur edhe veprime ndaj prezencës së KFOR-it në Kosovë, duke deklaruar se misioni është i njëanshëm në misionin e tij, kinse ka ndihmuar Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës në aktivitetet e tyre në veri.
“Miq, nëse ndonjëri prej jush dyshon për paanshmërinë e KFOR dhe se gjërat ndodhën rastësisht, ja një provë e drejtpërdrejtë se sa naivë jeni. Gjithçka ishte e parapërgatitur dhe e koordinuar me Gjeneralin Biller dhe komandën e KFOR-it. Helikopterë kroat të KFOR-it transportuan policë të ROSU-së në Jarinje dhe mbrapa. Le të jetë një mësim për ne. Dërgoni këto foto të gjithë miqve tuaj veçanërisht të huajve, gazetarë, postojini ne faqet e Facebook-ut. Le të mësojnë sa më shumë njerëz për sfondin e vërtetë të ngjarjeve në veri.”- kështu përshkruhet dokumenti që pretendohet se bëri Viqentijeviq e që tregon edhe veprimet inkriminuese të tij për rolin e vëzhguesit operativ, të fotografimit të masës protestuese dhe vëzhgimit me dylbi.
Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave lidhur me rastin e shpërthimit në kanalin e ‘Ibër-Lepencit’ më 29.11.2024.
Sipas njoftimit të PSRK-së, aktakuza është ngritur ndaj vëllezërve Dragisha e Jovan Viqentijeviq dhe ndaj Igor Dimoviq për veprën penale të spiunazhit, armëmbajtje pa leje dhe rrezikim i rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmitimin e instalimeve dhe pajisjeve publike.
“Pokuroria Speciale e Republikës së Kosovës pas një hetimi të zhvilluar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtoria Kundër Terrorizmit, dhe me partnerët evropianë ka ngritur aktakuzë ndaj J. V., D. V., dhe I. D. për veprat penale “Rrezikimi i rendit kushtetues me shkatërrimin apo dëmtimin e instalimeve dhe pajisjeve publike” nga neni 122 lidhur me veprën penale “Kryerja e veprës terroriste”, “Armëmbajtje pa leje”, dhe ‘Spiunazh.’”- thuhet në njoftimin e PSRK-së.
Ish-kryeinspektori i AKI-së dhe analisti i sigurisë, Burim Ramadani, ka publikuar një reagim ku rikujton zhvillimet që nga arratisja e Milan Radoiçiqit, duke e cilësuar atë “kryeterroristin e mbështetur nga Serbia” dhe duke theksuar se ai nuk ka qenë i lirë në Kosovë që nga fundi i vitit 2018.
Ramadani rikujton se më 23 nëntor 2018, tre javë para votimit për formimin e Ushtrisë së Kosovës, njësitë speciale të Policisë së Kosovës bastisën banesën e Radoiçiqit, por ai kishte ikur pak para aksionit.
“Kurrë më nuk u kthye i lirë në Kosovë. Erdhi, të paktën, dy herë maleve,” shkruan Ramadani.
Sipas tij, ardhja e parë ishte më 4-5 korrik 2022, kur Radojçiq publikoi një video kërcënuese dhe u largua sërish pa u kapur.
Ardhja e dytë, sipas Ramadanit ishte më 24 shtator 2023, kur ai udhëhoqi rreth 90 persona të armatosur në sulmin terrorist në Banjskë, ku u vra polici i Kosovës, Afrim Bunjaku.
“Iku nga aty maleve, nën snajperin e shtetit të Kosovës,” theksoi Ramadani.
Ai shton se, ndonëse shpesh është prezantuar si organizator kryesor i strukturave kriminale në veri, Radoiçiq nuk ka qenë vendimmarrësi i nivelit më të lartë.
“Shefi i tij është Aleksandar Vuçiq, ndërlidhësi me Rusinë është Aleksandar Vulin, ndërsa Milan Radoiçiq është kryeterroristi në terren,” shkruan ai.
Ramadani përkujton gjithashtu se Radoiçiq është vendosur në Listën e Zezë të SHBA-së më 8 dhjetor 2021, ndërsa më 11 shtator 2024 është akuzuar zyrtarisht nga Prokuroria Speciale e Kosovës. /Telegrafi/
Komisionerja Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, ka deklaruar në Bruksel se Serbia ka plotësuar kriteret teknike për hapjen e grupit të tretë të kapitujve negociues, por se progresi i saj drejt BE-së mbetet i kushtëzuar me përmbushjen e detyrimeve politike të parashtruara nga vendet anëtare – në qendër të të cilave është zgjidhja e plotë e rastit “Banjska”.
Në një takim me gazetarë në kuadër të Forumit të Zgjerimit të BE-së, Kos u shpreh se zbatimi i detyrimeve të mbetura është vendimtar.
“Ne po ofrojmë një dorë. Nëse Serbia e përmbush këtë, nëse nuk ka pengesë dhe nëse ka zhvillim pozitiv në fushën e medias së lirë dhe lirisë akademike, atëherë ne do të ecim përpara,” tha ajo.
Ajo theksoi se zgjidhja e rastit të sulmit në Banjskë, miratimi i ligjeve për median, pastrimi i listës së votuesve dhe reformat në REM janë kërkesat kryesore të vendeve anëtare që duhet të përmbushen para çdo hapi të ri në negociata.
Kos shprehu kritika të forta ndaj politikës së dyfishtë të Serbisë, duke thënë se për BE-në është e papranueshme që Beogradi të ruajë orientime paralele drejt Rusisë dhe Bashkimit Evropian, sidomos në kohën kur Rusia po zhvillon luftë në Ukrainë.
Ajo përmendi edhe rastet e dhënies së shtetësisë serbe disa qytetarëve rusë të sanksionuar dhe pjesëmarrjen e ushtrisë serbe në stërvitjen ushtarake ruse “Perëndimi”.
“Nëse merrni pjesë në veprimin e ushtrisë që vret njerëz në Ukrainë, harroni procesin e pranimit… Një vend i tillë nuk mund të bëhet anëtar i BE-së,” tha Kos.
Komisionerja theksoi se liderët serbë duhet të ndalojnë retorikën anti-evropiane dhe të rifitojnë besimin e qytetarëve në procesin e integrimit, pasi sipas saj, publiku sot i beson BE-së më pak se më parë.
Në lidhje me krizën energjetike dhe sanksionet ndaj kompanisë NIS, Kos tha se BE është e gatshme ta ndihmojë Serbinë financiarisht dhe në transformimin e sistemit energjetik, por nënvizoi se shkëputja nga varësia ndaj Rusisë është e pashmangshme.
Kos tha se procesi i zgjerimit po kthehet tek rrënjët e tij – tek ruajtja e paqes dhe stabilitetit në kontinent – duke kujtuar se “dështimi për të integruar Ballkanin Perëndimor në të kaluarën po paguhet sot”.
Ajo paralajmëroi edhe rritjen e fushatave hibride në Evropë dhe tha që strategjia e re “Mburoja Demokratike” synon të mbrojë demokracitë si brenda BE-së, ashtu edhe në vendet kandidate.
Në përfundim, Kos theksoi se Bashkimi Evropian duhet të përgatitet për anëtarë të rinj, por edhe të garantojë se zgjerimi do ta bëjë BE-në më të fortë, jo më të brishtë./Telegrafi/
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Johann Wadephul, me të cilin diskutoi mbi marrëdhëniet bilaterale, proceset integruese dhe zhvillimet e fundit në Kosovë dhe rajon.
Në fillim të takimit, Kurti i uroi mirëseardhje ministrit gjerman dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen e pandërprerë të Gjermanisë ndaj Kosovës. Ai theksoi se partneriteti ndërmjet dy vendeve “është i rrënjosur në vlera të përbashkëta dhe vizion të përbashkët për një Evropë të qëndrueshme, demokratike dhe të sigurt”.
Sipas një komunikate të Qeverisë në detyrë, Kurti nënvizoi rezultatet e qeverisjes gjatë këtij mandati, duke përmendur rritjen ekonomike, forcimin e demokracisë, sundimit të ligjit dhe progresin në luftën kundër korrupsionit, të reflektuar edhe në raportet ndërkombëtare.
Ai ritheksoi se Kosova është e përkushtuar të thellojë bashkëpunimin me Gjermaninë dhe të avancojë drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s. Kurti theksoi se Kosova meriton statusin e vendit kandidat për BE, duke kërkuar që Komisioni Evropian të dorëzojë sa më shpejt pyetësorin e anëtarësimit.
Një pjesë e rëndësishme e diskutimit iu kushtua rolit të diasporës kosovare në Gjermani, duke vlerësuar kontributin e saj në rritjen e bashkëpunimit ekonomik, investimeve dhe forcimin e lidhjeve ndërmjet dy popujve.
Në takim u trajtuan edhe zhvillimet në dialogun Kosovë–Serbi. Kryeministri Kurti rikujtoi se edhe më shumë se dy vjet pas sulmit terrorist në Banjskë, organizatori i dyshuar i këtij sulmi, Millan Radoiçiq, vazhdon të jetë i lirë në Serbi, ndërsa Beogradi zyrtar refuzon ta ekstradojë atë dhe grupin e tij, pavarësisht provave dhe aktakuzës së Prokurorisë së Kosovës. Sipas tij, kjo situatë paraqet ende rrezik për sigurinë e vendit.
Në fund, kryeministri Kurti e falënderoi ministrin Wadephul për vizitën, mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë dhe kontributin e trupave gjermane në kuadër të misionit të KFOR-it për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Kosovë.
Megjithatë, në këtë komunikatë, nuk përmendët asnjë qëndrim i ministrin Wadephul. /Telegrafi/
Rasti i plagosjes e më pas rrëmbimit të Milan Vukashinoviq nga Leposaviqi, i cili u qëllua në shpinë ndodhet në gjendje të rëndë në Qendrën Klinike të Nishit.
Megjithëse incidenti ndodhi në rrethana të paqarta, institucionet serbe refuzojnë të japin informacion zyrtar.
Prokuroria e Lartë Publike në Prokuplje nuk ka dhënë përgjigje për pyetjet e përsëritura të portalit Nova.rs, ndërsa hetimi mbi plagosjen dhe dyshimet e shërbimeve serbe të sigurisë ndaj Vukashinoviqit mbetet i paqartë.
Avokati i familjes, Ivan Niniq, ka denoncuar kërcënime ndaj tij, të cilat sipas tij lidhen me publikimin e informacioneve dhe fotove rreth plagosjes së Vukashinoviqit.
“Kjo është mafia që rrethoi shtetin, u qëlluan 23 plumba, qëlluan një burrë pas shpine! Prokurori në Prokuplje ka heshtur për 13 ditë dhe nuk tregon kush e qëlloi Milan Vukashinoviqin”, shkroi Niniq në rrjetin social X.
Mafija je okovala državu, 23 metka je ispaljeno, pucali u leđa čoveku!
Gospodin TUŽILAC u Prokuplju 13 dana ćuti, nema nameru da kaže ko je pucao na Milana VUKAŠINOVIĆA i šta je preduzeo!
Pas avokatit, kërcënime janë regjistruar edhe ndaj gazetarit Nemanja Saroviq, i cili publikoi një video të bisedës me Vukashinoviqin.
Kërcënimet kanë ardhur kryesisht nga kanali i Telegramit "Corridor", i njohur si i afërt me ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radoiçiq, si dhe nga përdorues të rrjeteve sociale Instagram dhe Facebook.
Rasti i Milan Vukashinoviq vazhdon të mbetet një nga çështjet më të ndjeshme dhe misterioze në Serbi, ndërsa autoritetet heshtin dhe kërcënimet ndaj atyre që ndjekin rastin rritin shqetësimet për sigurinë dhe integritetin e hetimeve.
Autoritetet e Kosovës dyshojnë se u plagos dhe u rrëmbye nga Xhandarmëria serbe, vazhdon të shkaktojë spekulime në publik, pasi autoritetet serbe nuk dhanë asnjë deklaratë - edhe dhjetë ditë pas incidentit.
“Kërcënime të ngjashme, gjithashtu për shkak të publikimit të informacionit në lidhje me plagosjen e Vukashinoviq, iu drejtuan avokatit Ivan Niniq. Saroviq theksoi se ai beson se kërcënimet janë serioze, veçanërisht duke pasur parasysh se kërcënimet e bëra ndaj Oliver Ivanović dhe Milan Vukashinoviq nga i njëjti vend ose një vend i ngjashëm u realizuan dhe se ato rezultuan në vdekjen e Oliver Ivanović dhe plagosjen e rëndë të Milan Vukashinoviq”, tha më tej.
Çfarë ka ndodhur me Milan Vukashinoviqin?
Milan Vukashnoviq nga Leposaviqi u plagos fundjavën e kaluar në rrethana të pashpjegueshme pranë fshatit Jelakce të Kosovës.
Informacioni për plagosjen e Vukashinoviq u publikua në rrjetin social X nga avokati Ivan Niniq, i cili bëri edhe një sërë pyetjesh të pakëndshme në lidhje me këtë të shtënë.
Vukashinoviq u plagos me disa të shtëna në shpinë, dhe siç pretendoi Niniq, persona të veshur me uniforma ushtarake, por pa asnjë shenjë dalluese, në xhipa pa targa dyshohet se ishin të përfshirë në të gjitha ato.
Pasi u plagos, Vukashinoviq u transferua në një spital në Nish dhe dyshohet se ai u josh për në vendin e sulmit duke u ftuar në një takim.
Përmes Telegramit - grupit "Koridor", Serbia vazhdon të përhap lajme të rreme
Avokati Ivan Niniq, në anën tjetër, thotë se nuk e di nëse klienti i tij është akuzuar për ndonjë krim dhe se nuk ka asnjë institucion me të cilin mund të komunikojë, sepse autoritetet serbe nuk japin informacione.
Por, narrativi se Millan Vukashinoviq është “spiun” po përhapet përmes kanaleve në Telegram.
Më 8 nëntor, kanali “Koridor”, i cili ka mbi 10.000 përdorues, shkroi se “çdo spiun do të ndëshkohet”.
Me mesazhin se “një nga spiunët më të mëdhenj dhe më të respektuar është në duart tona”, u publikuan edhe fotografi të postimeve të mëparshme, duke përfshirë një listë të serbëve që dyshohet se bashkëpunojnë me shërbimet e inteligjencës në Kosovë.
Kjo listë përfshin edhe emrin e Milan Vukashinoviqit, me nofkën “Duduk”.
Në shënjestër për shkak të konfliktit me Listën Serbe
Vukashnoviq ishte tashmë në shënjestër të mediave pro-regjimit për shkak të konfliktit të tij me listën serbe.
Është gjithashtu interesante që, pas disa ditësh heshtjeje të institucionit, mediat e regjimit njoftuan sa vijon - anëtarët e Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit në bashkëpunim me organe të tjera shtetërore në zonën e Rashkës arrestuan dy persona nga strukturat e sigurisë me dyshimin për spiunazh.
Mediat e regjimit të Vuçiqit deklaruan se ishte një aksion në të cilin u plagos Milan Vukashinoviq dhe pretenduan se ai u qëllua nga shërbimet e sigurisë ndërsa po përpiqej të arratisej.
Në vitin 2023, Radoiçiq e mori përgjegjësinë për sulmin e armatosur në Banjskë, në veri të Kosovës, ku u vra një polic kosovar. Në përleshjet e armatosura që pasuan, u vranë edhe tre sulmues serbë.
Në kallëzimin penal, avokati Niniq tha se Millan Vukashinoviq kishte “traditë të gjatë të konfliktit personal me Millan Radoiçiqin” dhe se ekzistonin “arsye të justifikuara që i dëmtuari të rrëmbehej dhe të lihej pa jetë në rrethana të paqarta”.
Prokuroria e Lartë në Prokuple nuk dha asnjë deklaratë për këtë rast dhe nuk iu përgjigj as pyetjeve në lidhje me të./Telegrafi/
Rasti i Millan Vukashinoviqit nga Leposaviqi, për të cilin autoritetet e Kosovës dyshojnë se u plagos dhe u rrëmbye nga Xhandarmëria serbe, vazhdon të shkaktojë spekulime në publik, pasi autoritetet serbe nuk dhanë asnjë deklaratë - edhe dhjetë ditë pas incidentit.
Ngjarja ndodhi në një pikëkalim të paregjistruar me Serbinë, në fshatin Jellakcë, në veri të Kosovës.
Publiku, fillimisht, u njoftua nga avokati Ivan Niniq, i cili e përfaqëson familjen Vukashinoviq.
Ai shprehu dyshime se në këtë rast mund të jetë e përfshirë edhe Ushtria e Serbisë.
Në Prokurorinë e Lartë në Prokuple të Serbisë, ai dorëzoi kallëzim penal për vrasje të rëndë në tentativë kundër pjesëtarëve të panjohur të Ushtrisë së Serbisë ose Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, si dhe kundër Millan Radoiçiqit, ish-nënkryetar i Listës Serbe.
Në vitin 2023, Radoiçiq e mori përgjegjësinë për sulmin e armatosur në Banjskë, në veri të Kosovës, ku u vra një polic kosovar. Në përleshjet e armatosura që pasuan, u vranë edhe tre sulmues serbë.
Në kallëzimin penal, avokati Niniq tha se Millan Vukashinoviq kishte “traditë të gjatë të konfliktit personal me Millan Radoiçiqin” dhe se ekzistonin “arsye të justifikuara që i dëmtuari të rrëmbehej dhe të lihej pa jetë në rrethana të paqarta”.
Prokuroria e Lartë në Prokuple nuk dha asnjë deklaratë për këtë rast dhe nuk iu përgjigj as pyetjeve të Radios Evropa e Lirë në lidhje me të.
Kush po e heton rastin?
Zyra e Prokurorit në Mitrovicë i tha Radios Evropa e Lirë se një person i afërt me Vukashinoviqin është marrë në pyetje dhe se rasti po hetohet në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, por se, në këtë fazë të hetimit, nuk mund të zbulohen më shumë detaje.
Avokati Niniq, ndërkohë, postoi në X një fotografi të një makine ‘Lada Niva’ të shkatërruar dhe pretendoi se i përkiste Vukashinoviqit.
Ai i bëri thirrje misionit për sundim të ligjit në Kosovë, EULEX, dhe misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR, që të reagojnë.
Radio Evropa e Lirë kontaktoi EULEX-in dhe KFOR-in për t’i pyetur nëse ishin të informuar për detajet e hetimit për këtë rast.
Përgjigje mori vetëm nga KFOR-i, i cili është përgjegjës për zonën kufitare. Aty thuhet se Policia e Kosovës ka nisur një hetim dhe se po punon ngushtë me disa subjekte, përfshirë KFOR-in.
“Policia e Kosovës i ka koordinuar aktivitetet e saj në anën e Kosovës të vijës kufitare administrative me KFOR-in”, thuhet në përgjigje, ku, po ashtu, theksohet se situata në pikat kufitare Kosovë-Serbi është e qetë.
Policia e Kosovës e informoi publikun për rastin Vukashinoviq më 3 nëntor, duke deklaruar se dëshmitarë okularë janë marrë në pyetje dhe se prej tyre është marrë informacioni se “persona të maskuar kanë hyrë në territorin e Kosovës, kanë plagosur dhe rrëmbyer viktimën dhe më pas e kanë çuar në territorin e Serbisë”.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përsëriti më 11 nëntor se rrëmbimi i dyshuar i qytetarit të Kosovës nga Xhandarmëria serbe është “një provokim i rëndë”.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha më herët se sulmet e Serbisë kanë për qëllim disiplinimin e serbëve.
Pse hesht Serbia?
Dushan Janjiq, nga Forumi i Beogradit për Marrëdhënie Etnike, vlerëson se shteti serb është “ngatërruar” në punët që kryen me grupe paraushtarake ose paramilitare që “po marrin kontrollin”.
“Ata (autoritetet serbe) do të gjejnë dikë për të akuzuar... Shumë njerëz janë akuzuar për spiunazh ose terrorizëm në Serbi. Kjo është një mantër dhe askush nuk beson më në të”, thotë Janjiq për Radion Evropa e Lirë.
Sipas vlerësimit të tij, problem shumë më i madh për Serbinë është se “para-grupe” të ndryshme po rriten dhe se autoritetet e sigurisë nuk mund t’i kontrollojnë ato.
Serbia, më herët, ka akuzuar disa serbë për spiunazh për Kosovën, ndërsa në Kosovë janë duke u zhvilluar disa procese gjyqësore për spiunazh në favor të shërbimeve sekrete serbe.
Akuzat e spiunazhit prapa skenave
Tabloidet serbe, si “Kurir”, raportuan në fund të javës së kaluar se Agjencia për Siguri dhe Informacion e Serbisë (BIA) ka arrestuar në rajonin e Rashkës “spiunë”, që dyshohet se u kanë transmetuar informacione shërbimeve sekrete të Kosovës.
Sipas raportimit, ky veprim ishte rezultat i një hetimi disamujor dhe vazhdim i aksionit të 1 nëntorit, kur u arrestua Millan Vukshinoviq.
Gjithashtu, pretendohet se Vukashinoviq u përpoq të arratisej gjatë arrestimit të tij dhe se shërbimet serbe të sigurisë përdorën armë zjarri.
Vukashinoviqit, sipas këtij raporti, iu dha ndihmë mjekësore pas plagosjes dhe për trajtim u transportua në Qendrën Klinike Spitalore në Nish.
Dyshohet se iu shqiptua edhe masa e paraburgimit, por informacion zyrtar për këtë nuk ka.
Avokati Ivan Niniq, në anën tjetër, thotë se nuk e di nëse klienti i tij është akuzuar për ndonjë krim dhe se nuk ka asnjë institucion me të cilin mund të komunikojë, sepse autoritetet serbe nuk japin informacione.
Por, narrativi se Millan Vukashinoviq është “spiun” po përhapet përmes kanaleve në Telegram.
Më 8 nëntor, kanali “Koridor”, i cili ka mbi 10.000 përdorues, shkroi se “çdo spiun do të ndëshkohet”.
Me mesazhin se “një nga spiunët më të mëdhenj dhe më të respektuar është në duart tona”, u publikuan edhe fotografi të postimeve të mëparshme, duke përfshirë një listë të serbëve që dyshohet se bashkëpunojnë me shërbimet e inteligjencës në Kosovë.
Kjo listë përfshin edhe emrin e Millan Vukashinoviqit, me nofkën “Duduk”.
Radio Evropa e Lirë, bazuar në mjetet për njohje të fytyrës, përcaktoi se Vukashinoviq është i njëjti person që foli publikisht për presionet që iu bënë, më 28 qershor të këtij viti, në një intervistë me gazetarin dhe ish-deputetin serb, Nemanja Sharoviq, për televizionin KTV në Serbi.
Në atë rast, ai tha se serbët ishin larguar nga institucionet e Kosovës në nëntor të vitit 2022, nën presionin e Listës Serbe, dhe pretendoi se ai, personalisht, ka presion dhe se nuk ndihet i sigurt të shkojë në Serbi, sepse nuk dëshiron të japë dorëheqje.
Më pas, në kanalin e Telegramit “Koridor”, Vukashinoviq u quajt “tradhtar” dhe “spiun”.
Më herët, ky kanal ishte i regjistruar si “Brigada e Veriut”. Këtë të fundit, Qeveria e Kosovës e shpalli organizatë terroriste në vitin 2023.
Kush po lufton spiunazhin?
Janjiq thotë se nuk është i befasuar nga incidenti i lidhur me Millan Vukashinoviqin dhe nuk e përjashton mundësinë që, siç shprehet, të kenë qenë të përfshira edhe struktura paraushtarake.
Ai aludon tek anëtarët e një grupi të armatosur serbësh të udhëhequr nga Radoiçiq, të cilët kryen sulmin në Banjskë, në vitin 2023.
Janjiq, gjithashtu, beson se rasti i Vukashinoviqit është i lidhur me “luftën kundër spiunazhit” që përfshin udhëheqësit e njësive paraushtarake, të cilat BIA, sipas tij, “nuk mund t’i kontrollojë”.
“BIA, në fakt, nuk është më një institucion kontrolli, është një kanal përmes të cilit ata kalojnë”, thotë Janjiq dhe shton se Kosova, kohë më parë, “është shndërruar në një përballje të brendshme politike midis serbëve”.
“Ne e dimë se në Kosovë, ndërsa po formohej Lista Serbe [e cila kontrollohet nga Beogradi], nuk ishte kurrë problem të hidhje një koktej molotovi ndaj dikujt, t’i vije flakën makinës së dikujt...”, thekson Janjiq.
Lidhje me agjencitë e sigurisë?
Janjiq thotë se pjesëtarët e ‘grupit Banjska’ ishin “vullnetarë të stërvitjes ushtarake” në Serbi.
Kosova e karakterizoi këtë grup si terrorist dhe tha se me ndihmën e Ushtrisë së Serbisë planifikoi aneksimin e veriut të Kosovës - gjë të cilën Beogradi e mohoi.
Autoritetet kosovare thanë se kanë prova se përgatitjet, stërvitjet dhe ushtrimet e grupit të armatosur janë kryer në bazën “Pasulanske livade” pranë Jagodinës në Serbi dhe në Kopaonik.
Në përgjigje, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, Millan Mojsilloviq, tha se të gjithë qytetarët e moshës 18 deri në 60 vjeç u nënshtrohen stërvitjeve dhe se është “e drejtë dhe detyrim” i qytetarëve që t’i përgjigjen thirrjes për ushtrime ushtarake.
Megjithatë, ai mohoi që Radoiçiq ka marrë pjesë në ushtrimet ushtarake.
Janjiq thotë se, aktualisht, në Serbi nuk dihet se kush janë parapolicët ose paramilitarët.
“Këta janë njerëz që, aktualisht, po bëjnë një punë shumë të rëndësishme, siç e sheh [presidenti serb, Aleksandar] Vuçiq, në mbrojtje të autoritetit të tij”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Në fillim të qershorit, një video që qarkulloi në mediat sociale, tregonte njerëz nga ‘grupi i Banjskës’ në një protestë përpara Presidencës serbe në Beograd.
Duke përdorur mjete për njohjen e fytyrës, Radio Evropa e Lirë arriti të identifikonte Vlladimir Vuçetiqin nga Mitrovica e Veriut - njërin nga 45 personat e akuzuar nga Zyra e Prokurorit të Kosovës për sulmin në Banjskë - si pjesë të grupit. Bazuar në pamjet nga mediat sociale, REL-i identifikoi së paku 11 persona të mbledhur në grupe të ndryshme - të gjithë të veshur me bluza të njëjta, ngjyrë ulliri.
Serbi nga Leposaviqi, Millan Vukashinoviq për të cilin Policia e Kosovës njoftoi më 3 nëntor se dyshohej se ishte plagosur dhe rrëmbyer nga Xhandarmëria e Serbisë në territorin e Leposaviqit, punonte në Byronë Kosovare të Sigurimit në vendkalimin kufitar në Jarinje.
Lidhur me këtë rast, nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë është konfirmuar se hetimet janë në zhvillim.
“Mund të konfirmojmë që është intervistuar një person i afërt me viktimën. Rasti është duke u hetuar në koordinim me Policinë e Kosovës. Në këtë fazë këto janë të dhënat që mund t’i ndajmë me ju”, ka deklaruar për Telegrafin zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni për Telegrafin.
Ndërkohë, avokati Ivan Niniq, që përfaqëson Draganën Vukashinoviq – nënën e Millan Vukashinoviqit nga Leposaviqi – ka dorëzuar një kallëzim penal në Prokurorinë e Lartë Publike në Prokuple të Serbisë për veprën penale të “vrasjes së rëndë në tentativë”.
Sipas kallëzimit, ai është ngritur kundër personave të panjohur, anëtarë të Ushtrisë së Serbisë ose Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, si dhe ndaj Millan Radoiçiqit, ish-nënkryetar i Listës Serbe, i cili kishte marrë përgjegjësinë për sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit në shtator të vitit 2023.
Incidenti dyshohet të ketë ndodhur më 1 nëntor në fshatin Jellakcë, afër Leposaviqit, ku, sipas avokatit Niniq, Millan Vukashinoviq është plagosur nga persona të maskuar dhe më pas është dërguar fillimisht në spitalin e Prokuples e më pas në Qendrën Klinike të Nishit.
Milan Vukashinoviq u plagos dhe u rrëmbye në Leposaviq brenda territorit të Kosovës.
Ish-zëvendësministri Radoica Radomiroviq tha në Debat Plus se terroristi Milan Radoiçiqi është prapa gjithë kësaj.
“Radojçiqi i është drejtuar Vukashinoviqit dhe i ka thënë ‘nëse s’kam arritur për herën parë të vrasë, as tani nuk do të vras. Por do të mbetesh invalid për të jetën'”, ka thënë Radomiroviq.
Sipas Radomiroviq, Vukashinoviqit ishte punonjës i Byrosë Kosovare të Sigurimeve edhe është dërguar me tre xhipa nga persona të maskuar dhe të uniformuar me rroba ushtarake në një spital në Serbi.
“Është dërguar me tre xhipa nga persona të maskuar me uniforma të zeza dhe të gjelbra në spitalin e Prokupljes”, ka thënë Radomiroviq në Debat Plus, teksa ka theksuar se kjo është taktikë e Radojçiqit.
Policia e Kosovës (PK) ka njoftuar se të shtunën kanë marrë informacione se një qytetar serb dyshohet se është plagosur dhe rrëmbyer brenda territorit të Republikës së Kosovës nga xhandarmëria serbe.
E në këtë ngjarje, pretendon se ishte dëshmitar edhe ish-zëvendësministri për Komunitete dhe Kthim në Republikën e Kosovës, Radoica Radomiroviq, i cili për “Betimi për Drejtësi“, ka rrëfyer se si sipas tij ndodhi ngjarja, duke thënë se qytetarin Milan Vukashinoviq e rrëmbeu dhe plagosi grupi i Milan Radoiçiq.
Ai pretendon se e gjithë ngjarja ndodhi kur Vukashinoviq ka shkuar për të blerë mjaltë nga një person i punësuar në Ushtrinë e Serbisë. Tha se Vukashinoviq është pjesë e institucioneve të Kosovës, ndërkaq sipas tij, vitin e kaluar Radoiçiq tentoi ta vriste Milanin duke i vendosur eksploziv nën makinë.
Sipas tij, më 1 nëntor rreth orës 12:00, Vukashinoviq ndodhej me makinën e tij në fshatin Jelakce dhe në vendin e quajtur Lokvica, që ndodhet në Kosovë, por afër kufirit me Serbinë, ai kishte shkuar të blinte mjaltë nga një person me emrin Daki Antiq nga Kurshumlia, i cili është i punësuar në Ushtrinë e Serbisë.
“Atë ditë duhej të merrte mjaltë, si zakonisht. Daki Antiq futej rreth 200 metra në territorin e Kosovës dhe pastaj kthehej në Serbi. Milan zakonisht blinte deri në 5 kg mjaltë. Gjatë mbërritjes në vendin e takimit, nga pylli dolën persona të armatosur, të veshur me uniforma të zeza dhe jeshile, me maska në fytyrë”, ka thënë ai për “Betimi për Drejtësi”.
Sipas tij, Milan Vukashinoviq nuk është ndalur por ka vazhduar të voziste.
“Milan Radoiçiq, i njohur si frikacak, gjithmonë qëllon nga pas dhe kështu bëri edhe këtë herë”, ka thënë ai.
Tutje, sipas Radomiroviq, pas ngjarjes tragjike, grupi terrorist e transportoi Vukashinoviqin në Spitalin e Prokupljes. Tha se me duart e lidhura dhe nga ambulanca, ai ka arrtiur të telefononte nënën e tij dhe t’i thoshte se ishte sulmuar në Kosovë, se ishte plagosur dhe se po e çonin në Spitalin e Nishit.
“Më 02.11, përmes miqve nga Nishi, mësova se Milani ishte në gjendje të rëndë, se i ishte hequr një veshkë, mbështjellësi i zemrës (perikardi) dhe se kishte plumb në shtyllën kurrizore. Gjithashtu, nga miqtë kam mësuar se Radoiçiq ndodhej në Kosovë me pjesëtarë të Agjencisë së Sigurisë Ushtarake të Serbisë, përfshirë një oficer me emrin Sedlar”, ka shtuar ai.
Siç pretendon ai, ata kishin ardhur me tre xhipa pa targa dhe në Prokuplje askush nga policia nuk guxonte të pyeste çfarë po ndodhte.
“Milan Vukashinoviq u dërgua në Spitalin e Nishit, ku e priti drejtori i Qendrës Klinike të Nishit, Zoran Perishiq. Zoran Perishiq ndaloi personelin mjekësor të jepte çdo informacion për gjendjen shëndetësore të Milan Vukashinoviqit, të plagosur dhe të rrëmbyer”, u shpeh ai.
Ai shton se deklaron me përgjegjësi se ka qenë në atë vend- Jelakce, me personin që pretendohet se është rrëmbyer, por asnjëherë nuk kanë hyrë në Serbi. Dhe sipas tij, Milan Vukashinoviq është i punësuar në pikën kufitare Jarinjë, si punonjës i një shoqërie sigurimesh kosovare.
“Milan (Vukashinoviq) nuk i ka lënë institucionet e Kosovës që nga viti 2022 dhe që nga ajo kohë nuk shkon në Serbi. Në vitin 2024, Radoiçiq tentoi ta vriste Milanin duke i vendosur eksploziv nën makinë”, ka shtuar ai.
Vukashinoviq, ka dërguar edhe lokacionin ku pretendon se ndodhi ngjarja dhe thotë se për të gjitha këto ka dhënë deklaratë edhe Policinë e Republikës së Kosovës.
Radomiroviq thotë se ky dhe Vukashinoviqi janë pjesë e partisë Novo Lice Narodna Pravda.
Ndryshe, gjatë ditës, Policia e Kosovës doli me njoftim rreth rastit, duke thënë se dyshohet që rasti ka ndodhur në afërsi të zonës së Leposaviqit, mes kufirit të Kosovës me Serbinë.
“Me datën 01.11.2025, Policia e Kosovës, ka pranuar një informacion se në zonën e Leposaviqit, një person (M. V.), shtetas i Republikës së Kosovës, (i nacionalitetit serb), dyshohet se është plagosur dhe është rrëmbyer brenda territorit të Republikës së Kosovës, nga xhandarmeria serbe. Vendi i ngjarjes ku raportohet se ka ndodhur rasti dyshohet se gjendet brenda territorit të Republikës së Kosovës, pra brenda hapësirës (siç quhet pika zero -0-), në afërsi të zonës së Leposaviqit, në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë, ku për këtë Policia e Kosovës ka njoftuar dhe ka bashkëpunuar me KFOR-in, si përgjegjëse për zonën/brezin kufitar”, thuhet në njoftim.
Nga dëshmitarët, Policia është njoftuar se qytetari ishte plagosur dhe rrëmbyer nga disa persona të maskuar, dhe më pas me një autoambulancë është dërguar drejt Nishit.
“Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, ka ndërmarrë veprimet e saja hetimore, duke intervistuar dëshmitarë të rastit, përmes të cilëve janë siguruar informacione se disa persona të maskuar kishin hyrë në territorin e Republikës së Kosovës, duke e plagosur dhe rrëmbyer viktimën të cilët pastaj e kishin dërguar në territorin e Serbisë, ku sipas dëshmitarëve me një autoambulancë e kanë dërguar në drejtim të qytetit të Nishit në Serbi”, thuhet në njoftim.
Bëhet e ditur se rasti është iniciuar dhe se Policia ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme.
“Policia e Kosovës ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet relevante dhe me organet e drejtësisë, ku në konsultim me prokuroren kompetente të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Departamenti për Krime të Rënda, është iniciuar rasti. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saja ligjore në mënyrë profesionale karshi qytetarëve dhe vendit, duke bashkëpunuar me të gjitha institucionet e sigurisë”, njofton Policia.
Raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Tonino Picula, deklaroi se Serbia nuk do të mund të anëtarësohet në BE pa e njohur Kosovën shtet dhe të heqë dorë nga “bota serbe”.
Në një intervistë për Jutarnji List, eurodeputeti kroat tha se pa normalizim të plotë të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë nuk do të ketë integrim në BE.
Ai shtoi se integrimi i të dyja vendeve në familjen e madhe evropiane është i lidhur ngushtë me dialogun, i cili duhet të përfundojë me një marrëveshje ligjërisht obliguese gjithëpërfshirëse për normalizimin raportesh mes dy shteteve.
Ndonëse dialogu u ripërtëri më 2023, ai tha se “në vend që kapet momentumi, erdhi te një seri e vërtetë të krizave, që më seriozja ishte sulmi i forcave paramilitare serbe në veri të Kosovës”.
Picula tha se sulmi i grupit terrorist me në krye Milan Radoiçiq në Banjska, paraqet cenimin serioz të paqes në Kosovë.
“Ne kemi kërkuar që raportet e Beogradit ndaj sulmuesve në Banjskë të jetë njëri nga kriteret për vlerësimin e plotë situatës në Serbi dhe aftësisë së e Beogradit që të ecë në rrugën evropiane. Edhe Zyra e BE-së në Kosovë, mendoj rishtazi u ka thënë autoriteteve në Beograd, se pret së shpejti arrestimin dhe procedimin e atyre që kryen sulmin në Banjska, e të cilët ndodhen në Serbi. Për fat të keq, Beogradi edhe më tutje injoron kërkesat për trajtimin e kësaj çështjeje. Mendoj se këtu kemi të bëjmë me pengim të procesit gjyqësor që pritet dhe ka shumë gjasë që kjo po ndodh me urdhrin e kreut shtetëror”, tha Picula.
Policia ndalon studentët e Novi Pazarit afër Kosjeriçit, qytetarët reagojnë ndaj trajtimit të tyre nga policia serbe.
"Kur (Milan) Radoiçiq vinte me njerëz të armatosur dhe bllokonte tërë rrugën, asnjë (polic) nuk doli, nuk kishte polic askund për dhjetë ditë. O njerëz, çfarë po ndodh? Çfarë mendojnë ata? Ku janë inspektorët tanë? Po malltretojnë fëmijët sonte", u ankua një qytetar për veprimet e policisë që ndaloi kolonën e studentëve nga Novi Pazar afër Kosjeriçit.
Studentët që nisën nga Novi Pazar u ndaluan tetë kilometra larg Kosjeriçit. Kolona ndaloi para një automjeti policor me sinjalizues ndezur dhe me dy policë civilë, pas së cilës mbërritën edhe dy vetura të njësisë së intervenimit, raporton N1.
Shpejt u shfaqën edhe qytetarë të Kosjeriçit, ndërsa policët pas kontrollit të automjeteve u futën në makinat e intervenimit.
Një qytetare e Kosjeriçit theksoi se policia nuk ia arriti qëllimit për të cilën gjë u përpoqën të bënin sonte.
Studentët më pas vazhduan rrugën drejt Kosjeriçit. Një nga studentët që po ecin drejt Novi Sadit tha se ajo që po ndodh është "një turp i madh".
Kujtojmë se Radoiçiq po kërkohet nga drejtësia në Kosovë për sulmin terrorist në Banjksë të Zveçanit, ku mbeti i vdekur polici kosovar, Afrim Bunjaku.
Ndryshe, studentët dhe qytetarët kanë paralajmëruar një protestë të madhe më 1 nëntor kundër pushtetit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq. /Telegrafi/
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka mbajtur fjalim në sesionin e parë të punimeve të Samitit të 12-të të Procesit të Berlinit, që po zhvillohet në Londër me pjesëmarrjen e liderëve nga vendet e Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor.
Në fjalën e tij, Kurti theksoi rëndësinë e unitetit evropian përballë sfidave të brendshme dhe të jashtme, duke paralajmëruar se autoritarizmi dhe ndikimet ruse e kineze po rrezikojnë stabilitetin e kontinentit. Ai tha se vendet e Ballkanit Perëndimor, edhe pse gjeografikisht janë brenda Evropës, ende mbeten jashtë strukturave të BE-së dhe NATO-s, gjë që krijon, sipas tij, “një boshllëk të rrezikshëm sigurie”.
“Londra mund të ndihmojë shumë duke mbështetur vendet e Ballkanit Perëndimor që duan t’i bashkohen NATO-s, për ta mbyllur këtë boshllëk. Ne kemi qëllime dhe vlera të përbashkëta – dhe asnjë alternativë tjetër përveç anëtarësimit në BE dhe NATO”, tha Kurti.
Samiti i Procesit të Berlinit në Londër
Ai theksoi se Kosova ka shënuar përparim të ndjeshëm në zhvillimin ekonomik dhe qeverisjen e mirë, duke theksuar se vendi ka pasur një mesatare rritjeje ekonomike prej 6% në pesë vitet e fundit dhe është hequr nga lista e shteteve të brishta nga Banka Botërore dhe FMN.
Megjithatë, Kurti paralajmëroi për kërcënimet që vijnë nga Serbia, duke përmendur sulmin terrorist në Banjskë. “Milan Radoiçiq ka pranuar përgjegjësinë, por drejtësia ende nuk është vënë në vend. Pandëshkueshmëria nxit sulme të reja ndaj sovranitetit tonë”, tha ai.
Kryeministri në detyrë përmendi edhe bashkëpunimin ekonomik rajonal, Agjendën e Gjelbër dhe nevojën për më shumë investime për zhvillim të qëndrueshëm. Ai njoftoi për nënshkrimin e marrëveshjes tregtare me vendet e EFTA-s dhe rihapjen e funksionalitetit të CEFTA-s gjatë kryesimit të Kosovës.
Sa i përket migracionit, Kurti tha se Kosova nuk është burim migracioni, por vetëm një pikë tranziti me shifra të ulëta, ndërsa theksoi përkushtimin për të luftuar krimin e organizuar, trafikun e armëve dhe financat e paligjshme në bashkëpunim me Mbretërinë e Bashkuar./Telegrafi/
Raporti i UNMIK-ut i paraqitur të martën në Këshillin e Sigurimit në OKB mbulon periudhën nga 16 marsi deri më 15 shtator.
Ai u bëri thirrje të gjitha institucioneve kompetente në Beograd dhe në Prishtinë t’i ndjekin penalisht përgjegjësit për sulmin në fshatin Banjskë në veri të Kosovës më 2023.
Në shtator të vitit 2023, një grup i armatosur serbësh sulmoi Policinë e Kosovës, duke vrarë një oficer.
Shumica e të pandehurve në Kosovë janë në arrati, dhe Beogradi, i cili po kryen një hetim paralel, nuk ka ngritur aktakuzë kundër ish-nënkryetarit të Listës Serbe, Millan Radoiçiqit, i cili mori publikisht përgjegjësinë për sulmin, as dy vjet pas sulmit.
Ai përmendi si shembuj pozitivë mbajtjen e zgjedhjeve lokale në Kosovë në një atmosferë të drejtë dhe demokratike, si dhe dy takime midis delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Dy takime trepalëshe u mbajtën në Bruksel në qershor dhe shtator, me kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, mbi zbatimin e marrëveshjeve të mëparshme, duke përfshirë Marrëveshjen e Ohrit dhe Deklaratën e majit 2023 për Personat e Zhdukur. Asnjëri takim nuk rezultoi në një rezultat zyrtar.
Shin përsëriti shqetësimet e UNMIK-ut dhe partnerëve ndërkombëtarë në lidhje me mbylljen e institucioneve serbe në komunat ku ky komunitet jeton në shumicë.
“Është thelbësore që autoritetet në Prishtinë të përfshijnë sinqerisht të gjitha komunitetet e prekura përpara se të zbatojnë vendime që ndikojnë në jetën e tyre të përditshme, si dhe të kërkojnë alternativa të vlefshme për të shmangur ose zvogëluar efektet negative”, tha Shin.
Ai tha se UNMIKU mirëpret faktin që autoritetet e Kosovës kanë siguruar që qytetarët e komunitetit serb të kenë qasje të lehtë në dokumentet e Republikës së Kosovës.
Shin përsëriti thirrjen e tij që serbët e Kosovës të kthehen në institucionet e Kosovës.
Qeveria e Kosovës e hoqi plotësisht dinarin serb si mjet pagese dhe mbylli shumicën e institucioneve serbe funksionale, siç janë Posta e Serbisë, Banka e Kursimeve Postare, Organet e Përkohshme Komunale, Qendrat për Punë Sociale, ndërmarrjet publike dhe të tjera.
Shin kujtoi se masa të reja që do të hyjnë në fuqi në Kosovë nga 1 nëntori, sipas të cilave automjetet me targa të huaja nuk do të jenë në gjendje të qarkullojnë në bazë të autorizimit dhe se kushdo që nuk ka dokumente të Kosovës do të duhet të aplikojë për leje qëndrimi.
"Kjo mund të shkaktojë sfida administrative dhe të ndikojë në qasje në të drejtat dhe shërbimet thelbësore, duke përfshirë sigurimin shëndetësor, arsimin dhe punësimin. Kjo ka të bëjë me qytetarët e Kosovës me vendbanim të përhershëm nga komunitetet pakicë, të cilët vazhdojnë të kenë probleme në mbledhjen e dokumentacionit të nevojshëm. Ky është momenti për të kërkuar përsëri alternativa ndaj këtyre sfidave", tha Shin.
Shin shprehu shqetësim në lidhje me arrestimet e njerëzve që shfaqnin "simbole kulturore, kombëtare ose fetare" në Kosovë.
"Duhet të nënvizojmë se duhet të ketë një ekuilibër të kujdesshëm midis mbrojtjes së lirisë së shprehjes dhe parandalimit të promovimit të urrejtjes dhe dhunës", tha Shin.
UNMIK-u ka paralajmëruar për presionet me të cilat përballen përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe gazetarët në Kosovë.
“Shoqata e Gazetarëve të Kosovës ka raportuar sulme ndaj gazetarëve, si dhe kërcënime ndaj pavarësisë së televizionit publik”, tha Shin.
SHBA-ja dhe Britania kërkuan përfundimin e mandatit të UNMIK-ut në Kosovë
Përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë të ulin tensionet, të përmbahen nga masat që do të çonin në përshkallëzim dhe të rikthehen në dialog.
Ai theksoi se nuk ka kërcënime për sigurinë në Kosovë dhe mbështeti mbylljen e misionit.
"Ne i njohim përpjekjet e UNMIK-ut për të zbatuar dialogun dhe reformat ligjore në Kosovë. Kjo është e dobishme, por realiteti është se UNMIK-u është një mision paqeruajtës, pa paqeruajtës, ndërsa 81 për qind e buxhetit të misionit financon pagat e stafit që është i angazhuar në punë që duhet të bëhet nga organizata të tjera. Është koha që këto punë të transferohen nga UNMIK-u te agjencitë që janë më të pajisura për këto detyra", tha përfaqësuesi i SHBA-së.
Misioni i UNMIK-ut u krijua në vitin 1999 me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit.
Ndonëse gjendet në listën e kërkimit të Interpolit dhe është përgjegjës për sulmin terrorist në Banjskë, Milan Radoiçiq mbetet pa aktakuzë të ngritur, me një masë të zgjatur nga Gjykata e Lartë në Beograd, që e ndalon largimin e tij nga Serbia.
Ai vazhdon të jetë i lirë, madje vetë qytetarët serbë kanë filluar të ankohen se po paraqitet si udhëheqës i një grupi që kërcënon e frikëson të gjithë ata që nuk e përkrahin pushtetin.
Ekspertë të sigurisë në Serbi vlerësojnë se kërcënimet që qytetarët i marrin nga ish-kryetari i Listës Serbe tregojnë mungesë të vullnetit institucional për t’u përballur me strukturat kriminale.
Dy vjet pasi mori përgjegjësinë për sulmin e armatosur ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë, Milan Radoiçiq është ende i lirë, ndërkohë që qytetarë të shumtë nëpër Serbi dëshmojnë se ai udhëheq grupe që frikësojnë kundërshtarët e regjimit.
Ish-nënkryetari i Listës Serbe, për të cilin ekziston urdhër-arrest, nuk nguron të marrë pjesë në forma të hapura duke kërcënuar e frikësuar qytetarët që nuk përkrahin politikën aktuale.
Këtë e ka pohuar edhe kryetari i Partisë Demokratike opozitare, Srgjan Millivojeviq, duke nënvizuar se e gjithë kjo ndodh me urdhër të presidentit Aleksandar Vuçiq.
Një iniciativë qytetare nga komuna e vogël Kosjeriqi njoftoi se Radoiçiqi është parë duke kërcënuar qytetarë.
Ekspertë të fushës së sigurisë vënë në pah se kjo tregon mungesë të vullnetit institucional për t’u përballur me strukturat kriminale.
“Pasojat më të rënda të dështimeve të shtetit po i ndiejnë qytetarët e Serbisë, siguria e të cilëve rrezikohet drejtpërdrejt nga ekzistenca e këtij grupi brenda territorit të vendit. Mënyra se si po zhvillohet procedura ndaj grupit të Radoiçiq në Beograd nuk tregon vetëm paaftësinë e institucioneve të drejtësisë, por edhe lë përshtypjen se shteti po i justifikon apo madje po i përvetëson veprimet e këtij grupi”, tha Lluka Jovanoviq, avokat nga Forumi për Siguri dhe Demokracim, raporton RTK.
Prokuroria e Lartë në Beograd ende nuk ka ngritur aktakuzë, megjithëse ai vetë ka pranuar publikisht përgjegjësinë për sulmin terrorist në Banjskë.
“Bashkësia ndërkombëtare ka kujtesë të gjatë. Rasti Radoiçiq mbetet borxh që Serbia nuk do ta mund ta shmangë. Heshtja institucionale sot është grumbullim borxhesh që shteti do të duhet t’i paguajë një ditë”, tha avokati Jovanoviq.
Ndërkohë, organizatat civile dhe ekspertët paralajmërojnë se rritja e ndikimit të grupeve të afërta me pushtetin, si ai që udhëhiqet nga Radoiçiqi, mund të sinjalizojë mobilizim të strukturave të regjimit dhe përgatitje për një fazë të re të përballjes me shoqërinë e pakënaqur.
Angazhimi i shtuar i Milan Radoiçiqit dhe grupit të tij, pas një mungese të përkohshme nga jeta publike në Serbi - që pas pranimit të përgjegjësisë për sulmin terrorist në Banjskë - tregon se regjimi serb ka shpallur një mobilizim të përgjithshëm dhe po përgatitet për një periudhë përshkallëzimi të konflikteve me një shoqëri të rebeluar.
Sipas bashkëbiseduesve të mediumit radar, pushtetit të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq i duhen individë me talent për dhunë, para së gjithash për të ndalur zhvillimin e nismave të gjalla lokale qytetare – pas shembullit të Kralevës dhe më pas edhe të qyteteve të tjera si Zajçari apo Kosjeriçi – dhe për të forcuar strukturën e lëkundur të organizatës së vet.
Për këto punë nevojiten njerëz me përvojë në shkatërrimin total të pluralizmit në një shoqëri, nga njëra anë, dhe në vendosjen e ligjit të omertës (kodi i heshtjes) mes ndjekësve të tyre, nga ana tjetër. E nëse për këtë nevojitet një përfaqësues shembullor, më i miri se ai në veri të Kosovës nuk gjendet – as në përvojat historike të diktaturave narkotike të Amerikës Latine, transmeton Telegrafi.
Gjatë dekadës së kaluar, Milan Radoiçiq - sipas udhëzimeve të Vuçiqit - ka shkatërruar në mënyrë aq të thellë vullnetin e serbëve të Kosovës për t’i rezistuar dhunës dhe ka nxitur “aftësinë e tyre për të besuar” edhe në gënjeshtrën më të hapur, saqë edhe pse kanë kaluar më shumë se tre vjet nga largimi i tij nga Mitrovica e Veriut, në atë qytet ende nuk ekziston asnjë parti opozitare plotësisht e pavarur.
“Sot, ky proces i shantazhit është bërë krejtësisht i automatizuar dhe reduktohet në dhënien ose ndërprerjen e dhënies së të ardhurave personale. Kjo do të thotë, në mënyrë të drejtpërdrejtë, përfshirja ose heqja nga lista për të ardhura personale, por edhe kërcënime nga njerëzit e Radoiçiqit ose nga ata që paraqiten si të tillë“, thotë për Radarin, Radoica Radomiroviq, aktivist politik nga Leposaviqi dhe bartës i listës “Fytyra e Re e Serbisë – Drejtësia Popullore” në zgjedhjet lokale të ardhshme, të caktuara për 12 tetor.
“Nuk duhet harruar që Radoiçiq, për një kohë të gjatë, e kishte nën kontroll të drejtpërdrejtë edhe policinë lokale. Ata njerëz ishin të bindurit e tij dhe i zbatonin çdo urdhër. Edhe pse kjo tani ka ndryshuar, qytetarët ende kanë frikë të thonë diçka kundër Listës Serbe ose pushtetit në Beograd, sepse druajnë se nuk do të mund të shkojnë në Serbi, se do t’i ndalojë BIA dhe do të malltretohen në kufi. Kjo tani është një metodë e re e shantazhit, por që aplikohet vetëm ndaj atyre që vërtet u kundërvihen. Nuk shoh që ndonjë nga iniciativat që janë shfaqur në veri të Kosovës gjatë viteve të fundit të kenë probleme të ngjashme. Këtu tash është e lejuar të jesh opozitë, vetëm për sa kohë nuk përmend dy emra: Aleksandër Vuçiqin dhe Milan Radoiçiqin. Por për mua, pikërisht ata dy janë çelësi i problemit – të tjerët janë vetëm satelitë dhe zbatues të urdhrave“, pohon Radomiroviq.
Bashkëbiseduesi i radarit thekson se bëhet fjalë për një marrëveshje të heshtur dhe të fshehtë mes përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare dhe pushtetit në Beograd, të cilëve u është dhënë një periudhë 10-vjeçare për të bërë çfarë të duan, por brenda atij afati duhet të përmbushin detyrën që iu caktua në prill të vitit 2013, kur u nënshkrua Marrëveshja e Brukselit.
“Ajo marrëveshje u nënshkrua më 19 prill; vetëm katër ditë më vonë Lista Serbe shpalli bojkot të referendumit dhe zgjedhjeve lokale, e pas dhjetë vjetësh u zgjodhën kryetarë bashkie shqiptarë, për t’u ndjekur më pas dhe përkeqësimi në Banjskë. Mendoj se kjo marrëveshje edhe sot e mbron pushtetin aktual nga pasoja. Ajo që po ndodh tani në Serbi është modeli i kopjuar plotësisht i asaj që ne jetuam deri në 2023. Radoiçiqi ka mbrojtjen e policisë në Serbi, ashtu siç e pati këtu, ku pranë vetes mbante një bandë që u shpërblye shumë për atë që bënin - përmes kontratave fiktive ose donacioneve”, deklaroi ai.
“Grupin e tij në Serbi tani e përbëjnë të rinjtë që mori me vete në Banjskë dhe që, besoj, edhe vetë e kuptojnë se janë mashtruar, por ai tani i shantazhon dhe ata nuk kanë ku të shkojnë. Ata nuk janë të lumtur që kanë qenë në Kosjeriç ose në stadiumin e Crvena Zvezda-s, por tani i kanosen dënime të mëdha me burg dhe duhet të bëjnë çfarë u urdhërohet. Me përvojën nga Kosova ai thjesht u transferua në Serbi, dhe fatkeqësisht besoj se atje mund të kryejë edhe dhunë më të madhe se këtu”, paralajmëron Radomiroviq.
Sot media kryesore përmes së cilës transmetohen kërcënimet e grupit të Radoiçiqit është kanali në Telegram “Koridor”, ku pothuajse çdo ditë mund të shihen mesazhe mbështetëse për komandantin nga Banjska, por edhe kërcënime ndaj atyre që nuk e pranojnë autoritetin e tij.
“Në dy vitet e fundit kam marrë qindra mesazhe kërcënuese dhe nuk kam denoncuar asnjë”, vazhdon Radomiroviq, “Mesazhi i fundit drejtuar mua në atë kanal Telegram ishin fotografi të dy pjesëmarrësve të Banjskës, që i njoh personalisht, me nënshkrimin që janë fytyrat që do të shoh të fundit në jetë, që janë, në të vërtetë, atentatorët e mi. Me veprimet e tyre, me dhunën por edhe me vrasjet e paqarta të viteve të mëparshme, atyre u futën njerëzve frikë në kocka. Dimitrije Jovanoviq dhe Oliver Ivanoviq u vranë në të njëjtën datë - kjo tregon fuqinë që mund të zgjedhin ditën kur do ta vrasin dikë, sikur të ishte diçka e thjeshtë. Ata që i kundërshtuan u eliminuan dhe prandaj tani kemi këtë situatë: zgjedhjet janë më të lira, por nuk ka vullnet dhe forcë për të ndryshuar mënyrën e të menduarit”.
Disiplinimi i kundërshtarëve dhe përkrahësve të pushtetit
Megjithatë, ndryshe nga veriu i Kosovës, në Serbinë qendrore ekziston një numër i konsiderueshëm njerëzish jeta e të cilëve nuk varet nga buxheti, dhe një problem i veçantë për pushtetin është mungesa e efikasitetit të “artilerisë mediatike” nga niveli kombëtar kundër nismave qytetare lokale. Për këtë nevojitet dhunë direkte në terren, e cila, sërish, kërkon specialistë që nuk janë nga vetë mjedisi lokal. Pikërisht ashtu siç Milan Radoiçiq në Mitrovicën e Kosovës e kishte drejtuar dhunën kundër njerëzve që nuk ishin fqinjët apo miqtë e tij të vjetër.
Burimet e Radarit tregojnë, megjithatë, se krahas sulmeve ndaj qytetarëve dhe pjesëmarrësve në protesta, prioriteti më i madh aktual i regjimit është ndalimi i shpërbërjes së vetë organizatës së tij — dhe se grupi nga Banjskë dhe vetë Radoiçiq po përdoren gjithashtu për të rivendosur disiplinën e tronditur partiake.
“Kemi një situatë ku anëtarësia në SNS tani është bërë barrë, sidomos në vendbanime të vogla. Kosjeriçi është rast interesant, sepse pushteti i SNS-së atje është formuar me vetëm një deputet më shumë, dhe mendoj se prania e Radoiçiqit atje ka për qëllim forcimin e strukturës së pushtetit partiak që është tronditur rëndë“, thotë për Radarin një burim nga veriu i Kosovës që ka kërkuar të mbetet anonim.
“Pushteti kërkon nga udhëheqësit lokalë më shumë angazhim, dhe kjo shpesh nënkupton përplasje me fqinjët e tyre. Vuçiqin, siç duket, nuk e shqetëson nëse ai ose anëtarët e familjes së tij do të mund të dalin në rrugë pas gjithë kësaj — e vetmja gjë që ka rëndësi është ruajtja e pushtetit, çdo gjë tjetër është dytësore. Por në nivel lokal nuk është aq e thjeshtë, sepse bëhet fjalë për njerëz që takohen çdo ditë në rrugë“, deklaroi ai.
Edhe pse angazhimi i kuadrove nga Kosova ka sjellë disa herë aksione të dhunshme dhe pasoja për pushtetin e Vuçiqit për shkak të rezistencës së qytetarëve, ish-nënkryetari i Listës Serbe - për të cilin Vuçiq kishte deklaruar se nuk e njihte - është angazhuar në mbrojtjen e regjimit që nga protesta e madhe më 15 mars.
Receta kosovare për Serbinë qendrore
“Përveç sigurimit personal që ia ofrojnë ‘Kobrat’ (njësia elitare e ushtrisë serbe), njerëzit e Radoiçiqit prej një kohe të gjatë ndodhen në Parkun e Pionirëve përballë Presidencës. Ata janë linja e parë e mbrojtjes – dhe janë njerëz që nuk mund të blihen, por vetëm të shantazhohen. Këta njerëz, përfshirë edhe vetë Radoiçiqin, nuk përbëjnë kurrfarë barre për këtë pushtet – janë thjesht material harxhues. Sot kemi një situatë ku ata angazhohen në vendbanime të vogla, sipas sistemit ‘Kur të kthehet ushtria në Kosjeriç’. Topin zanor nuk e kanë përdorur kundër policisë së Kosovës që arreston njerëz në protesta, por në Beograd – dhe zbatimi i të njëjtave receta të provuara nga veriu i Kosovës në Serbinë qendrore është po ajo metodologji e tradhtisë“, thotë për Radarin Milivoje Mihajloviq, gazetar dhe njohës i mirë i çështjes së Kosovës.
Ndërkohë që vazhdojnë sulmet ndaj qytetarëve protestues, sipas tij, vendi po futet në borxhe në mënyrë të pamëshirshme, bëhet gjithnjë e më i varur nga ndikimet e huaja dhe po shkatërrohet arsimi.
Kjo është e njëjta recetë, thotë Mihajloviq, sipas të cilit projekti i preferuar i këtij pushteti është “që të gjithë njerëzit normalë të largohen nga vendi, dhe të mbesin vetëm votuesit e SNS-së – ashtu siç në Kosovë nuk ka vend për serbët që kundërshtojnë, apo që thjesht duan një jetë normale”.
Shënimi i turpshëm i përvjetorit të sulmit terrorist në Banjskë me flakadanë në Kalemegdan dhe Petrovaradin tregon dëshpërimin e pushtetit, i cili po përpiqet të ndryshojë narrativin për atë ngjarje, por edhe për ngjarje të tjera pas të cilave u përshpejtua rënia e përkrahjes së tij dhe të shefit të tij — si p.sh. shkaku i shembjes së mbulesës në stacionin hekurudhor në Novi Sad.
Sipas burimeve të Radarit, është shenjë që pas përpjekjes dështuar për të siguruar azil në Federatën Ruse për ish-nënkryetarin e Listës Serbe, ai vetë para një numri të mjaftueshëm njerëzish - që mund t’ua përcillnin Vuçiqit - tha se nuk i shkon në mendje të kërkojë azil në lindje.
Burimet e Radarit theksojnë se kjo mund të jetë njëfarë mesazhi se ai, përmes kontakteve të tij personale, është në gjendje të sigurojë një marrëveshje më të favorshme për vete, pa ndihmën e regjimit. E pushteti, kur bëhet fjalë për të dërguarin e tij për Kosovën, ka dy zgjedhje: ose ta dorëzojë te autoritetet në Prishtinë, ose ta fshehë diku jashtë Serbisë.
Megjithatë, duke pasur parasysh sasinë e madhe të parave, por edhe logjistikën në formë të njerëzve që varen plotësisht prej tij dhe prandaj i janë besnikë, kjo nuk do të shkojë lehtë.
Sidomos duke qenë më se e qartë se ish-nënkryetari i Listës Serbe disponon edhe informacione nga vetë sistemi dhe duket qartë se mund të gjejë ende “postar” që do t’i përcjellin të gjitha lajmet e rëndësishme.
Nga ana tjetër, zhytja e Serbisë në atë lloj diktature të një bande kriminale, për të cilën fliste Oliver Ivanoviq, do të kërkonte një strukturë shumë më të madhe të bandave dhunshme, por edhe të njëjtat metoda të shkatërrimit të strukturës shoqërore përmes dhune ekstreme dhe operacionesh të reja nën flamur të rremë, në të njëjtin model si ajo në Banjskë më shtator 2023, që përfundoi me vdekjen e katër njerëzve.
Të gjithë frikësohen nga një skenar i tillë. Zbatimi i tij me sukses do të nënkuptonte humbje të lirisë dhe jetë në frikë për shumicën dërrmuese të qytetarëve që duan që Serbia të bëhet një shtet normal, demokratik dhe i bazuar në ligj. Dhe parandalimi i një skenari të tillë kërkon rezistencë ndaj bandës kriminale, e cila ka treguar tashmë se nuk i vlen shumë për jetët e të tjerëve. /Telegrafi/
Bashkimi Evropian ka theksuar se pret nga autoritetet serbe të arrestojnë dhe ndjekin penalisht autorët e sulmit terrorist në Banjskë, ndërsa ka shprehur shqetësim për pjesëmarrjen e disave prej tyre në protesta në Serbi.
Një zëdhënës i BE-së ka thënë për televizionin e pavarur serb N1, se si nga ky sulm i rëndë, një polic i Kosovës mbeti i vrarë.
“Dy vjet më parë, sulmi në Banjskë më 24 shtator 2023 nga sulmues të armatosur serb të Kosovës kundër policisë së Kosovës kërcënoi seriozisht sigurinë në rajon. Sulmi i shëmtuar atë ditë la një oficer policie të vdekur dhe dy të plagosur… Ne presim që autoritetet në Serbi të arrestojnë dhe ndjekin penalisht ata që gjenden në Serbi, me akuza të përshtatshme, para një gjykate në Serbi”, tha zëdhënësi i BE-së.
BE-ja u shpreh gjithashtu e shqetësuar për “raportimet mbi pjesëmarrjen e personave të dyshuar si autorë të sulmit në Banjskë gjatë demonstratave” në Serbi.
Sipas N1, në mesin e tyre është identifikuar Vlladimir Vuçetiq nga Mitrovica e Veriut, njëri nga 45 personat e përfshirë në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Kosovës, i cili u pa në një kamp protestues pro-regjimit në qendër të Beogradit.
Në listë mbetet edhe Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpoli dhe i konsideruar përgjegjës për sulmin në Banjskë, i cili, siç raporton N1, së fundmi ka bërë kërcënime ndaj qytetarëve në Kosjeriq.
Zëdhënësi i BE-së kujtoi se në tetor 2023, Përfaqësuesi Special i BE-së në Kosovë kishte përcjellë një kërkesë të autoriteteve kosovare për asistencë juridike në drejtim të Serbisë, por “deri tani nuk është marrë asnjë përgjigje nga autoritetet serbe”.
“Ne presim që Serbia të bashkëpunojë plotësisht përmes kanaleve të asistencës juridike të ndërsjellë. Përfaqësuesja e Lartë e BE-së e ka ngritur personalisht këtë çështje me presidentin Vuçiq dhe do ta rikthejë në agjendë edhe në takimet me liderët e Ballkanit Perëndimor në Nju Jork”, tha BE-ja.
Në Kalanë e Beogradit të martën në mbrëmje u organizua ndezje flakadanësh në nderim të Stefan Nedeljkoviqit, Bojan Mijailoviqit dhe Igor Milenkoviqit, të cilët u vranë gjatë sulmit terrorist në Banjskë, sulm ky terrorist që u udhëheq nga grupi i Milan Radoiçiqit.
Përveç ndezjes së flakadanëve, në muret e Kalasë së Beogradit ishin vendosur flamuj tre ngjyrësh dhe një mesazh "me një çmim të shtrenjtë, nënë, paguhet liria".
Më parë, atyre u ishte bërë homazh edhe në Novi Sad dhe Shabac, raporton N1.
Kujtojmë se sot shënohet përvjetori i dytë i sulmit terrorist në fshatin Banjskë, gjatë të cilit u vra polici i Kosovës, Afrim Bunjaku dhe më pas, në shkëmbim zjarri, u vranë edhe tre serbë.
Sulmi ndodhi kur një patrullë e policisë së Kosovës hasi dy kamionë që kishin bllokuar urën në Banjskë.
Përgjegjësinë për sulmin e mori atëkohë nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, i cili nga autoritetet kosovare akuzohet për terrorizëm.
Radoiçiq u arrestua në Serbinë Qendrore në tetor të vitit 2023 për rastin e Banjskës, por u lirua shpejt, ndërsa i u vu masa e ndalimit për të dalë nga vendi.
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë po zhvillohet proces gjyqësor ndaj tre serbëve që u arrestuan nga policia e Kosovës pas incidentit në Banjskë: Dushan Maksimoviq, Vladimir Toliq dhe Blagoje Spasojeviq, të cilët akuzohen për sulm ndaj rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës, si dhe për terrorizëm.
Ata janë në paraburgim që nga shtatori i vitit 2023, kur u arrestuan menjëherë pas përleshjes së armatosur në fshatin Banjskë.
Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë ndaj 45 personave, përfshirë edhe Milan Radoiçiqin, për terrorizëm dhe vepra të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës.
Radoiçiqi është akuzuar edhe për ndihmë dhe financim të veprimtarisë terroriste, si dhe për pastrim parash. /Telegrafi/
Eksperti i sigurisë, Agim Musliu ka kujtuar dy vjetorin e sulmit në Banjskë ku i vrarë mbeti rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Musliu ka thënë se sot shënohen dy vjet nga sulmi terrorist dhe paramilitar të organizuar nga Serbia kundër Kosovës, që konsiderohet edhe agresioni më i madh shtetëror i Serbisë ndaj sovranitetit të Kosovës që nga përfundimi i luftës.
“Faktet e dokumentuara nga terreni, përgatitja dhe armët e grupit terrorist, hartat, videot dhe materialet e tjera ushtarake si dhe kanali i sigurt për depërtim në Kosovë dëshmojnë se ky sulm ishte një operacion i planifikuar, organizuar dhe i mbështetur nga nivelet më të larta të shtetit serb. Presidenti Aleksandar Vuçiq, qeveria e Serbisë dhe forcat e armatosura të Serbisë ishin të përfshira në mënyrë direkte dhe indirekte në këtë ndërmarrje”, ka shkruar Musliu në një postim në Facebook.
Ai ka theksuar se objektivi final i këtij sulmi ishte krijimi i një zone të kontrolluar nga Beogradi në veri të Kosovës, si hap drejt aneksimit de facto të asaj pjese të territorit.
“Atë ditë edhe ushtria e Serbisë ka qenë në gjendje gatishmërie për të mbështetur terroristët. Edhe pas ekspozimit ndërkombëtar të Milan Radoiçiq si udhëheqës i sulmit, ai vazhdon të gëzojë mbrojtje të plotë nga shteti serb dhe personalisht nga presidenti Vuçiq. Ky fakt shpalos hapur lidhjen organike mes politikës zyrtare të Beogradit dhe strukturave kriminale-paramilitare që përdoren si instrumente të strategjisë shtetërore”, u shpreh Musliu.
Eksperti i sigurisë ka shtuar se përveç që i lirë Radoiçiq po ushtron ndikim në terren në mbështetje të SNS-it si rasti i djeshëm në komunën e Kosjeriqit e deri te ndikimi te Lista Serbe në zgjedhjet lokale në Kosovë.
“Edhe pse fakti i agresionit është i pamohueshëm, reagimi i shteteve perëndimore dhe i institucioneve ndërkombëtare ka qenë i vakët dhe shpesh i kufizuar në deklarata të përgjithshme. Një akt i këtij niveli, i cili përbën shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare dhe të parimeve të sigurisë kolektive, kërkon masa të qarta ndëshkuese ndaj Serbisë, sikurse sanksionet ekonomike, bllokim i procesit integrues dhe sanksionet individuale e futja në listë të zezë të lidershipit politik në Serbi”, ka shkruar Musliu.
Musliu u shpreh tutje se Kosova nuk kërkon asgjë më shumë sesa respektim të sovranitetit të saj dhe mbrojtjen e rendit ndërkombëtar që e garanton atë.
“Ndëshkimi i Serbisë për agresionin e 24 shtatorit nuk është vetëm interes i Kosovës, por një domosdoshmëri për stabilitetin e rajonit dhe kredibilitetin e rendit ndërkombëtar”, tha ai. /Telegrafi/