Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Dimiq: Lista Serbe e ka terrorizuar veriun e Kosovës, është e ndikuar nga Vuçiqi, mos e votoni

25 December 2025 at 16:39


Gazetari dhe analisti nga Beogradi, Radomir Dimiq, ka bërë thirrje publike për pjesëmarrje masive në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit, duke u drejtuar qytetarëve të Kosovës pa dallim etnik apo fetar, me theks të veçantë komunitetit serb.

Duke folur në emër të subjektit politik Kosova Multietnike, të cilin e drejton, Dimiq ka theksuar se ky subjekt që nga themelimi angazhohet për kulturë politike demokratike, prosperitet evropian dhe forcimin e Republikës së Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran.

Ai ka vlerësuar se zgjedhjet e ardhshme paraqesin një moment historik për dhënien e një qeverie meritore dhe stabile për shtetin e Kosovës.

Sipas Dimiqit, komuniteti serb në Kosovë ka një përgjegjësi të veçantë historike që të dëshmojë pjekuri politike përmes pjesëmarrjes aktive në zgjedhje dhe kontributit për zgjidhje serioze politike.

Ai ka bërë thirrje që të mos votohet për partitë politike serbe pasi, janë të lidhura me struktura mafioze dhe kriminale në Beograd dhe që, siç u shpreh, ushqejnë urrejtje ndaj Republikës së Kosovës.

Dimiq ka kërkuar largimin e Listës Serbe nga skena politike, duke e cilësuar këtë subjekt si faktor destabilizues dhe ushtrues presioni dhe frikë ndaj popullatës serbe në veri të Kosovës.

Ai ka paralajmëruar kundër manipulimit të qytetarëve dhe përfshirjes së tyre në tensione dhe barrikada, duke theksuar se përfituesit e këtyre situatave, sipas tij, qëndrojnë jashtë Kosovës.

Në deklaratën e tij, Dimiq ka vlerësuar se këto zgjedhje janë një mundësi e fundit që qytetarët lojalë ndaj shtetit të Kosovës të mbështesin forcat demokratike që angazhohen për bashkëjetesë paqësore, siguri dhe zhvillim për të gjithë.

Ai ka theksuar se perspektiva e serbëve të Kosovës, sipas tij, qëndron në ndërtimin e besimit dhe bashkëjetesës brenda Kosovës dhe në orientimin drejt integrimit evropian.

Në fund, Dimiq ka sugjeruar se për serbët e Kosovës një alternativë më e favorshme mund të jetë mbështetja e subjekteve politike që promovojnë stabilitet, siguri dhe zhvillim të përbashkët, duke u distancuar nga, siç i quajti ai, politikat destruktive dhe nacionaliste që vijnë nga Beogradi./Telegrafi.

Vuçiq mbështet Listën Serbe dhe kritikon përfaqësuesit serbë të lidhur me Qeverinë e Kosovës

25 December 2025 at 16:27


Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se përfaqësuesit serbë në Kosovë duhet të fitojnë vendet e tyre në institucione dhe të përfaqësojnë interesat e popullit serb, e jo, siç tha ai, interesat e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Në një deklarim publik, Vuçiq ka bërë thirrje që serbët të përfaqësohen përmes Listës Serbe, duke shprehur mbështetje të hapur për këtë subjekt politik dhe pritjen që ai të fitojë numrin më të madh të mandateve të rezervuara për komunitetin serb. Sipas tij, përfaqësuesit e zgjedhur duhet të veprojnë në interes të popullit serb në Kosovë.

Vuçiq ka përmendur edhe rastin e një kandidati nga Shtërpca, Nikoliçeviq, i cili, sipas tij, është larguar nga lista që ai e quajti “lista e Rashiqit”, duke theksuar se ky veprim përbën një mesazh pozitiv.

Ai tha se e mbështet sinqerisht këtë vendim dhe shpreson në një fitore të rëndësishme për Listën Serbe.

Duke folur për zhvillimet e tjera politike, presidenti serb ka deklaruar se nuk është i njohur me sondazhet e fundit nga Kosova, duke shtuar se pret që ditët në vijim të ketë më shumë kohë për t’u marrë me këto çështje./Telegrafi.

Pretendimet e Vuçiqit: SHBA-ja dhe Turqia po armatosin shqiptarët për të kërcënuar Serbinë

24 December 2025 at 21:35


Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka akuzuar Shqipërinë, Kroacinë dhe Kosovën se po krijojnë një “aleancë ushtarake” që synon rrezikimin e Serbisë.

Deklarata u bë gjatë një fjalimi para ambasadorëve të huaj, ku Vuçiq vuri në pikëpyetje të drejtën e këtyre vendeve për të bashkëpunuar në fushën ushtarake.

Ai tha se tri vendet kanë zgjeruar marrëveshjet e tyre ushtarake edhe me Slloveninë dhe përpiqen të përfshijnë Bullgarinë në këto procese, duke theksuar se qëllimi është rrezikimi i integritetit territorial të Serbisë dhe sulme ndaj popullsisë civile dhe strukturave ushtarako-policore.

“Amerikanët po i armatosin shqiptarët në Kosovë, ashtu si edhe Turqia. Qëllimi është sulm ndaj Serbisë dhe popullsisë serbe,” deklaroi Vuçiq.

Sipas të dhënave të Institutit Ndërkombëtar për Kërkime mbi Paqen në Stokholm (SIPRI), Serbia në vitin 2024 ka shpenzuar 2.2 miliardë dollarë për ushtrinë, që përbëjnë 2.6% të produktit të brendshëm bruto, duke qenë shteti me investimin më të madh ushtarak në rajon.

Incidenti më i rëndë i armatosur kohëve të fundit në rajonin e Ballkanit Perëndimor ndodhi në shtator të vitit 2023 në veri të Kosovës, kur një grup i serbëve të armatosur e sulmoi Policinë e Kosovës në fshatin Banjskë, duke e vrarë një rreshter policor. Tre sulmues mbetën të vrarë gjithashtu.

Politikani nga Kosova dhe biznesmeni Millan Radoiçiq e mori përgjegjësinë për sulmin, dhe prej atëherë ai ndodhet në Serbi, ku nuk është ndjekur penalisht deri më sot.

Vuçiq gjithashtu akuzoi Kosovën dhe fuqitë e mëdha se nuk po respektojnë asgjë nga ajo që është nënshkruar deri tani në kuadër të dialogut të Brukselit ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

Marrëveshja e fundit u arrit pikërisht nga Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në shkurt të vitit 2023.

Zbatimi i asaj marrëveshjeje, për normalizimin e marrëdhënieve fqinjësore, nuk ka filluar kurrë.

Në kundërshtim me marrëveshjen e arritur atëherë, sipas së cilës Serbia do të ndërpriste fushatën për çnjohjen e Kosovës, Vuçiq paralajmëroi se Serbia “do të duhet të vazhdojë punën e vështirë dhe të lodhshme për anulimin e njohjeve”.

Vuçiq: Ka nisur një valë e re e njohjeve të Kosovës

24 December 2025 at 13:42


Aleksandar Vuçiq deklaroi në Konferencën e Ambasadorëve se Serbia mbetet në rrugën evropiane dhe theksoi se Beogradi kishte pritur më shumë mbështetje nga administrata e re amerikane.

Duke folur për përparimet e pritura në marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, presidenti serb tha se “për momentin Serbia nuk ka mundur t’i ndiejë ato, as sa i përket tarifave, as sa i përket sanksioneve ndaj Industrisë së Naftës së Serbisë”.

Ai ka porositur ambasadorët e Serbisë se duhet të përfaqësojnë politikën shtetërore sipas së cilës Kosova është pjesë e Serbisë, duke theksuar se faktorët rajonalë dhe botërorë kanë nisur një valë të re të njohjeve të pavarësisë së Kosovës, raporton N1.

“Ta dini, çfarëdo që t’ju thonë, çfarëdo që të thirren, asnjë marrëveshje nuk e respektojnë as Prishtina, as Bashkimi Evropian, as Shtetet e Bashkuara të Amerikës, madje as ato që na i kanë imponuar - për ne Kosova është pjesë e Serbisë, kështu ka qenë dhe kështu do të jetë”, tha Vuçiq.

“Ne jemi të shtypur pas murit dhe do ta mbrojmë vendin tonë”, u shpreh Vuçiq.

Ndryshe, Kosovën së fundi e ka njohur Bahamet, duke u bërë shteti i 121-të që e njeh pavarësinë e vendit tonë. /Telegrafi/

Kandiq: Serbia po shmang përgjegjësinë shtetërore për krimet e luftës në Kosovë

23 December 2025 at 16:21


Aktivistja e njohur për të drejtat e njeriut dhe themeluesja e Fondit për të Drejtën Humanitare në Beograd, Natasha Kandiq, ka deklaruar se Serbia vazhdon të shmangë një përballje reale me krimet e luftës të kryera gjatë shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, duke refuzuar përgjegjësinë institucionale dhe politike për mijëra viktima.

Në një intervistë për Novosti, Kandiq tha se dështimi i iniciativës rajonale REKOM – Komisioni Rajonal për përcaktimin e fakteve mbi krimet e luftës – është pasojë direkte e mungesës së vullnetit të autoriteteve serbe për të pranuar rolin e shtetit në luftërat në Kroaci, Bosnje e Hercegovinë dhe Kosovë.

Sipas saj, REKOM ishte konceptuar si një mekanizëm zyrtar ndër-shtetëror që do të dokumentonte krimet e luftës, do të regjistronte të gjitha viktimat dhe do të sqaronte rrethanat e vrasjeve dhe zhdukjeve. Megjithatë, përfshirja e përgjegjësisë së institucioneve shtetërore serbe në këto hetime u konsiderua e papranueshme nga strukturat politike në Beograd.

“Dëshmitë e viktimave pranoheshin vetëm në nivel personal, por çdo përpjekje për të përcaktuar përgjegjësinë sistemike të regjimeve dhe institucioneve shtetërore u refuzua,” theksoi Kandiq.

Ajo rikujtoi se Serbia ka qenë e përfshirë drejtpërdrejt ose tërthorazi në disa luftëra në territorin e ish-Jugosllavisë, por asnjëherë nuk ka pranuar përgjegjësi shtetërore për krimet e kryera nga ushtria, policia dhe formacionet paramilitare të lidhura me Beogradin.

Duke folur për drejtësinë tranzicionale, Kandiq vlerësoi se proceset gjyqësore për krime lufte në Serbi janë të kufizuara, selektive dhe nën presion të vazhdueshëm politik. Sipas saj, prokuroria për krime lufte vepron në një ambient ku pushteti politik kontrollon narrativën dhe pengon hetimet që mund të çojnë drejt përgjegjësisë së niveleve të larta shtetërore.

Një nga problemet më serioze, sipas Kandiq, është manipulimi me çështjen e personave të zhdukur. Ajo theksoi se autoritetet serbe posedojnë informacione për varreza masive dhe lokacione të trupave, por refuzojnë t’i bëjnë publike për arsye politike.

“Moszbulimi i varrezave masive nuk është rastësi. Është vendim politik për të shmangur përgjegjësinë për atë që ka ndodhur,” deklaroi ajo.

Pavarësisht kësaj klime, Fondi për të Drejtën Humanitare në Beograd vazhdon dokumentimin e krimeve dhe viktimave, veçanërisht në bashkëpunim me Fondin për të Drejtën Humanitare në Kosovë. Kandiq përmendi edhe botimin e një libri për personat e zhdukur në Kosovë, si përpjekje për të ruajtur kujtesën dhe për t’u dhënë dinjitet viktimave.

Në përfundim, ajo paralajmëroi se pa një përballje të sinqertë të Serbisë me të kaluarën e dhunshme, pa pranimin e krimeve dhe pa përgjegjësi institucionale, rajoni do të mbetet peng i narrativave nacionaliste dhe mohimit, ndërsa viktimat do të vazhdojnë të mbeten pa drejtësi.

Rrethanat e paqarta, 'vlojnë' thashethemet – pse Moska hesht për tregtarin serb të armëve që vdiq në Rusi?

22 December 2025 at 15:51


Në Rusi ka vdekur një përfaqësues i industrisë serbe të armatimit.

Nga zyra e tij janë zhdukur dokumente dhe pajisje për ruajtjen e të dhënave, por autoritetet e Moskës heshtin.

Beogradi kërkon sqarime - dhe supozimet mbi këtë rast po vlojnë, shkruan gazeta zvicerane “Tages Anzeiger”.

Pavarësisht nëse bëhet fjalë për helm në çaj, të shtëna në rrugë apo rënie nga dritarja: vdekja e menaxherëve dhe opozitarëve rusë ndjek një rutinë mizore.

Vitet e fundit, karrierat e shumë kritikëve të Kremlinit përfunduan pas aksidenteve të supozuara ose vetëvrasjeve të papritura, prapaskenat e të cilave kryesisht mbetën në errësirë.

Tani, kjo kronikë e zymtë është pasuruar me një episod tjetër.

Radomir Kurtiq, tregtar serb armësh, vdiq në mes të nëntorit në mes të një rruge në Moskë.

Rasti u bë i ditur javën që shkoi, njofton gazeta zvicerane “Tages Anzeiger”.

Rrethanat e vdekjes së tij mbeten të pasqaruara deri më sot, ndërsa thashethemet po vlojnë.

Kurtiq drejtonte përfaqësinë në Moskë të kompanisë shtetërore serbe të armatimit, Jugoimport-SDPR.

Bie në sy fakt se lajmi u përhap fillimisht nga mediat e afërta me qeverinë në Serbi.

Ato flasin për një rast vdekjeje të dyshimtë dhe raportojnë se shërbimet sekrete serbe kanë informuar tashmë presidentin Aleksandar Vuçiq.

Vuçiq deklaroi për televizionin shtetëror RTS se disponon më shumë informacione sesa janë bërë publike deri më tani.

Njëkohësisht, autokrati serb theksoi se nuk dëshiron të marrë pjesë në “përhapjen e dyshimeve dhe teorive konspirative”.

Si Vuçiq, ashtu edhe mediat e Beogradit konfirmuan se një komision hetimor i Jugoimport-SDPR ka inspektuar zyrën e Kurtiqit në Moskë.

Gjatë këtij inspektimi është konstatuar se mungonin dosje dhe pajisje për ruajtjen e të dhënave të kompujterit.

Autoritetet serbe janë veçanërisht të irrituara nga heshtja e palës ruse; deri më tani nuk është dërguar asnjë raport mjeko-ligjor. Kjo rezervë alarmon jo vetëm udhëheqjen politike në Beograd.

Eksperti serb i sigurisë, Nikola Luniq, u shpreh për gazetën “Blic” të Beogradit se bëhet fjalë për një “mesazh brutal politik” të Moskës drejtuar Serbisë.

Në pranverë, shërbimi i inteligjencës së jashtme ruse (SVR) kishte akuzuar të paktën shtatë kompani serbe të armatimit - përfshirë mbi të gjitha Jugoimport-SDPR - se kanë furnizuar Ukrainën me armë dhe municione përmes shteteve të treta në Evropën Perëndimore.

Forcat e armatosura ukrainase duket se kanë marrë qindra mijëra predha dhe miliona fishekë të prodhimit serb që nga sulmi i madh rus në vitin 2022.

Udhëheqja e SVR-së, pasardhëse e KGB-së sovjetike, e akuzoi Serbinë për një “goditje pas shpine”.

Dëshira e prodhuesve serbë të armëve për t'u pasuruar me gjakun e “popujve vëllezër sllavë” i kishte bërë ata të harronin se cilët ishin miqtë e tyre të vërtetë - ky ishte mesazhi nga Moska.

Sipas një raporti të “Financial Times”, Serbia ka përfituar rreth 800 milionë euro vetëm nga dërgesat e armëve për Ukrainën.

Pas kritikave të ashpra nga Moska, Vuçiq bëri një kthesë më 23 qershor dhe deklaroi se Serbia kishte ndaluar të gjitha eksportet e armëve.

Por hulumtimet e rrjetit investigativ ballkanik BIRN si dhe të gazetës izraelite “Haaretz” paraqesin një tablo tjetër.

Sipas raporteve, po atë ditë një aeroplan transporti Boeing-747 u ul në Beograd, për t’u nisur 24 orë më vonë drejt bazës ajrore izraelite Nevatim.

I pyetur se çfarë ngarkese kishte në bord, Vuçiq u përgjigj: “As në ëndërr nuk më shkon ndërmend të tregoj se çfarë është nisur apo çfarë është ulur atje”.

Vetëm në gjysmën e parë të këtij viti, Serbia dërgoi municione në vlerë prej 55,5 milionë eurosh në Izrael; vitin e kaluar vlera ishte 47,9 milionë euro. Që nga viti 2020, eksportet serbe të armëve janë katërfishuar.

Ndër blerësit më të mëdhenj bëjnë pjesë Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabia Saudite, Qiproja dhe SHBA-ja.

Paralelisht me këtë, Serbia investon më shumë në forcat e saj të armatosura se çdo vend tjetër i Ballkanit Perëndimor.

Sipas të dhënave të Institutit të Stokholmit për Kërkimin e Paqes (SIPRI), midis viteve 2020 dhe 2024 Serbia e bleu pjesën më të madhe të armëve nga Kina, e ndjekur nga Rusia dhe Franca.

Radomir Kurtiq, i cili vdiq në Moskë, ishte ndër të tjerash përgjegjës për blerjen e armëve ruse për forcat e armatosura serbe, shkruan gazeta zvicerane “Tages Anzeiger”. /Telegrafi/

A e vrau BIA dëshmitarin kryesor të Sarajevo Safari? Avokati serb ngre dyshime serioze

19 December 2025 at 22:07


Çedomir Stojkoviq, një avokat nga Beogradi, postoi në rrjetin social X pas lajmit për vdekjen e çetnikut famëkeq serb Slavko Aleksiq.

Në postimin e tij në X, Stojkoviq pretendon se vdekja e Aleksiq është e dyshimtë dhe se është vepër e shërbimit sekret serb, BIA.

“Kjo vdekje lidhet drejtpërdrejt me faktet në rritje rreth organizimit të 'Sarajevo Safari’ logjistikës së asaj organizate", pohon Stojkoviq.

Në pjesën tjetër të njoftimit të tij, ai paraqiti disa fakte që, sipas pikëpamjes së tij për situatën, mbështesin pretendimin e tij, dhe shtoi se BIA kishte kryer më parë veprime të ngjashme, kur Jovica Stanishiq ishte në krye të kësaj agjencie.

“Aleksandar Vuçiq ishte anëtar i njësisë së Slavko Aleksiq”, shtoi Stojkoviq në postim.

“Një vullnetar i kapur i Partisë Radikale Serbe gjatë luftës në BiH dëshmoi se në autobusin nga Beogradi për në Sarajevë (Pale), kishte edhe qytetarë italianë, të cilët morën pjesë në 'Sarajevo Safari’. Ato autobusë u organizuan nga Partia Radikale Serbe, sekretari i përgjithshëm i së cilës ishte Aleksandar Vuçiq, para së gjithash në aspektin e organizimit të logjistikës së atyre vullnetarëve dhe mbërritjes së qytetarëve të huaj", shtoi ai.


Snažno verujem da je smrt Slavka Aleksića, člana Srpske radikalne stranke sa titolom "vojvode", stranke čiji je generalni sekretar bio Aleksandar Vučić koji je pre nego što je to postao bio dobrovoljac u njegovoj jedinici;
- nastupila delovanjem tajne službe Srbije.

Ova smrt u…
— Advokat Čedomir STOJKOVIĆ (@FIGHT_4_RIGHT_S) December 18, 2025


Stojkoviq tha se personalisht besosn se Aleksiq u transferua në Beograd disa ditë më parë për një "vlerësim psikologjik nëse ai mund të bënte aksidentalisht deklarata kompromentuese gjatë një dëshmie të mundshme".

"Ndërtesa e selisë së BIA-s ndodhet vetëm 300 metra larg ndërtesës së Akademisë Mjekësore Ushtarake, ku dyshohet se Aleksiq ishte disa ditë më parë”, shkroi Stojkoviq.

Ai përmendi gjithashtu lidhjet gjithnjë e më të forta midis autoriteteve aktuale të Rusisë dhe Serbisë, pikërisht në këtë kontekst.

“Në një epokë afrimi gjithnjë e më të ngushtë midis Kremlinit dhe regjimit në Beograd, duhet të kihet parasysh se kjo mënyrë për heqjen qafe të njerëzve përdoret kryesisht nga Rusia, për shumë vite vazhdimisht. Duket qartë se teknikat në Serbi u përmirësuan gjithashtu përmes një bashkëpunimi të tillë, sepse një plumb në pjesën e pasme të kokës ngre shumë përgjigje”, vazhdoi avokati.

Në fund, ai shtoi se është e vështirë të besohet se vdekja e Aleksiqit ishte aksidentale, veçanërisht në këtë moment.

“Kur komandanti i një njësie të dyshuar paraushtarake (Aleksiq), vullnetar i të cilit ishte presidenti i shtetit (Vuçiq) ‘vdes’ në momentin e zbulimit të një krimi, nuk ka rastësi në këtë. Ka më shumë të ngjarë që të fitoni një çmim në lotari sesa që një vdekje e tillë të ndodhë në një moment kaq të ndjeshëm nga rastësia e pastër”, deklaroi Stojkoviq në fund të postimit të tij. /Telegrafi/

Nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi: Vuçiq e ka njohur de Facto Kosovën

19 December 2025 at 20:54


Boris Pejoviq, nënkryetar i Parlamentit të Malit të Zi, ka deklaruar se Kosova është njohur në thelb nga vetë presidenti serb Aleksandar Vuçiq.

Pejoviq i bëri këto komente në një përgjigje të ashpër ndaj kryetares së parlamentit serb, Ana Brnabiq , pas akuzave të saj kundër Malit të Zi për njohjen e Kosovës.

“Në fund të fundit, Kosova është njohur në thelb nga presidenti juaj. Merruni me këtë — dhe na lini rehat”, shkroi ai në X.


...kada vam se u okviru poštovanja vladavine prava koju vi potencirate, sada traži da ga i isporučite.
Uostalom, Kosovo vam je suštinski priznao vaš predsjednik, pozabavite se time, a od nas odmorite malo. 2/2
— Boris Pejović (@vpofparliament) December 19, 2025


Përgjigja e Pejoviq pasoi pretendimet e Brnabiq se Mali i Zi shkeli të drejtën ndërkombëtare, Kartën e OKB-së dhe respektin themelor ndaj Serbisë duke njohur Kosovën.

Brnabiq argumentoi gjithashtu se pesë shtete anëtare të BE-së ende nuk e njohin Kosovën , duke nënkuptuar sipas saj se Mali i Zi veproi kundër normave evropiane.

Mosmarrëveshja u përshkallëzua pasi Brnabiq akuzoi Malin e Zi se strehonte dy nga klanet kriminale më të rrezikshme në botë — “Skaljari” dhe “Kavac” — duke pretenduar se ato nuk mund të funksiononin pa mbështetjen e shtetit.

Pejoviq i hodhi poshtë akuzat, duke e akuzuar Brnabiqin për ndryshimin e qëllimshëm të narrativave për të portretizuar Vuçiqin si viktimë .

Ai theksoi se klanet kriminale që ajo përmendi dolën në vitin 2014 dhe se individët e dyshuar për lidhje me këto grupe nuk kanë ndikim mbi qeverinë aktuale të Malit të Zi .

Pejoviq i kujtoi gjithashtu Brnabiqit se të gjithë individët e dyshuar për lehtësimin e mbërritjes së grupit kriminal të Veljko Belivuk nga Serbia në Mal të Zi tashmë janë ndjekur penalisht. /Telegrafi/

Vdekja e papritur e dëshmitarit kryesor të “Sarajevo Safari” - kërkohet autopsi e trupit, dyshohet se u helmua nga BIA e Serbisë

19 December 2025 at 12:50


Gazetari hulumtues kroat, Domagoj Margetiq i ka dërguar një letër urgjente Prokurorisë së Bosnjës dhe Hercegovinës, më saktë Departamentit për Krime Lufte, ku shpreh dyshime serioze mbi rrethanat e vdekjes së papritur të serbit Slavko Aleksiq, ish-komandant i një njësie paraushtarake të lidhur me “Sarajevo Safari” gjatë rrethimit të kryeqytetit boshnjak.

Ai ka kërkuar nga Prokuroria e BeH-së që menjëherë të lëshojë një urdhër që ndalon kremimin ose çdo ndërhyrje mbi trupin e Slavko Aleksiqit, si dhe varrimin e tij.

Ai kërkoi që të lëshohet një urdhër që punonjësit e SIPA-s të transferojnë trupin e Aleksiqit në KCUS për të kryer një autopsi të detajuar dhe specialistike.

Kjo do të përcaktonte veçanërisht nëse ekzistojnë shenja dhune, substanca të dyshimta në organizëm, helmime, ndërhyrje apo diçka e ngjashme, pra të vlerësohen rrethanat e dyshimta të vdekjes.

“Veçanërisht është e nevojshme që trupi të analizohet dhe kontrollohet për substanca të ndjeshme dhe helme që zakonisht përdoren nga shërbimet sekrete ruse, të cilat bashkëpunojnë me BIA-n në Beograd, dhe për llojet e helmeve dhe substancave lehtë mund të informoheni në publikimet e disponueshme për raste të ngjashme që kanë ndodhur më parë në Rusi, Mbretërinë e Bashkuar ose diku tjetër në botë”, theksoi ai.

Duhet kujtuar se Margetiq ka ngritur padi kundër presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Milano, duke pretenduar se ai kishte qenë pjesë e grupit të vrasjes së civilëve për qejfi në kryeqytetin boshnjak.

Në Prokurorinë e Bosnjës dhe Hercegovinës, çështja që lidhet me pretendimet për “Sarajevo Safari”, fenomeni i tmerrshëm sipas të cilit turistët e pasur të huaj supozohet se paguanin për të qëlluar mbi civilët në Sarajevën e rrethuar gjatë luftës 1992-1996, është hapur që në vitin 2022, bazuar në denoncimin e atëhershëm të kryetares së qytetit, Benjamina Kariq. /Telegrafi/

Deputeti serb, Boskoviq: Vuçiq i ka kërkuar KFOR-it të hapë rrugën për grupin e Radoiçiqit që shqiptarët të mos i vrasin

19 December 2025 at 07:58


Deputeti serb, Petar Boskoviq ka mbajtur një fjalim të ashpër në Kuvendin e Serbisë, duke akuzuar drejtpërdrejt pushtetin për bllokimin e integrimit evropian dhe për mungesë të vullnetit politik e sundimit të ligjit.

Sipas Boskoviqit, autoritetet serbe po justifikohen me “kushte teknike të përmbushura” për hapjen e kapitullit të tretë të negociatave me Bashkimin Evropian, ndërsa arsyet reale për bllokadën janë krejtësisht politike.

“As vetë nuk besoni në këto budallallaqe. E dini shumë mirë pse kapitulli nuk është hapur, por nuk doni vërtet të shkoni drejt Evropës”, tha ai.

Duke iu referuar raportit të Komisionit Evropian, Boskoviq theksoi se dokumenti është “i ashpër dhe deri tani më i saktë”, duke nënvizuar se problemet kryesore të Serbisë mbeten vullneti politik dhe sundimi i ligjit.

Në fjalimin e tij, deputeti opozitar përmendi edhe rastin e Banjskës, duke deklaruar se dy vjet pas ngjarjeve, Millan Radoiçiq vazhdon të lëvizë lirshëm në Serbi.

“Radoiçiq shëtitet si të dojë, me vetura të blinduara më të mira se princi saudit dhe me sigurim më të fuqishëm se vetë presidenti Vuçiq,” u shpreh Boskoviq.

Ai theksoi se çështja e Banjskës është një nga temat kryesore që ngrihet nga zyrtarët evropianë në çdo vizitë në Serbi, si dhe ndaj politikanëve serbë gjatë udhëtimeve të tyre në Evropë.

“Pra, si do ta zgjidhni këtë kur nuk ju lejohet as t’i afroheni Radoiçiqit tuaj? Të gjithë jeni të përfshirë - nga drejtori asokohe i BIA-s, përmes Mojsiloviqit dhe anëtarëve të pensionuar të ushtrisë, deri te presidenti i shtetit që iu ka lutur KFOR-it të hapë rrugën për ta, për t’i nxjerrë njerëzit që shqiptarët mos t’i vrasin”, deklaroi ai.

Boskoviq ngriti shqetësime edhe për veprimtari të dyshimta jashtë vendit, duke përmendur përgatitjen e grupeve në Loznicë, përfshirjen në Moldavi dhe shitjen e municioneve në kohën e luftës në Ukrainë. Ai akuzoi qeverinë se politika e jashtme nuk po i shërben interesave të Serbisë, por po e izolon vendin edhe më tej nga Bashkimi Evropian.

Fjalimi i Boskoviqit ka nxitur reagime të shumta në skenën politike serbe, duke rihapur debatin për përgjegjësinë e institucioneve dhe perspektivën evropiane të Serbisë. /Telegrafi/

- YouTube youtu.be

Pas vdekjes së çetnikut Aleksiq, gazetari kroat: Vuçiq eliminoi dëshmitarin kryesor të "Sarajevo Safarit"

18 December 2025 at 18:21


Gazetari hulumtues kroat, Domagoj Margetiq, ka ngritur dyshime serioze rreth vdekjes së Slavko Aleksiqit, një “vojvodë çetnik” i vetëshpallur dhe ish-komandant i një njësie paramilitare, ku, sipas tij, kishte shërbyer si vullnetar edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Në një deklaratë publike, Margetiq tha se Aleksiqi ishte një nga dëshmitarët më të rëndësishëm lidhur me përfshirjen e dyshuar të Vuçiqit në krime lufte gjatë viteve ’90, përfshirë atë që ai e ka quajtur “Sarajevo Safari” në Sarajevë.

Ai shton se Aleksiqi kishte qenë gjallë dhe në gjendje të mirë shëndetësore deri rreth dhjetë ditë më parë dhe kishte dhënë deklarata publike në mbështetje të Vuçiqit.

Megjithatë, sipas Margetiqit, lajmi për vdekjen e Aleksiqit u shpërnda papritur vetëm pak ditë pasi ai ishte shtruar në Spitalin Ushtarak në Beograd.

“Aleksandar Vuçiq, sipas zakonit të vjetër, po eliminon dëshmitarët. Tani sapo mora vesh se komandanti i tij në Sarajevë ka vdekur ‘magjikisht’ në një spital në Beograd”, tha Margetiq, duke shtuar se, sipas tij, po zhduken dëshmitarët e krimeve të Vuçiqit.

Gazetari pretendon se pas ndërhyrjes së shërbimit sekret serb (BIA), Aleksiqi ishte transferuar për trajtim në Akademinë Mjekësore Ushtarake (VMA) në Beograd, ku, sipas tij, ka ndërruar jetë “në mënyrë të papritur dhe të pashpjegueshme”.

Slavko Aleksiq, udhëheqësi çetnik dhe komandant i formacionit paramilitar “Detashmenti çetnik i Sarajevës së re”, vdiq sot në Trebinje në moshën 69-vjeçare, sipas raportimeve të mediave të Bosnjë e Hercegovinës.

Informacioni mbi vdekjen e tij është konfirmuar nga banorët e Trebinjes. /Telegrafi/

"Trump nuk dëshiron ta shohë më Vuçiqin me sy" – analisti serb shpjegon arsyet

17 December 2025 at 22:27


Vendimi i kompanisë së dhëndrit të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për t'u tërhequr nga projekti lukzos është më shumë se provë e qartë se presidenti serb Aleksandar Vuçiq i ka shpërdoruar të gjitha shanset e tij me Uashingtonin.

Kështu së paku vlerëson analisti i politikës së jashtme, Boshko Jakshiq, shkruajnë mediat serbe, përcjell Telegrafi.

Madje Jakshiq beson se në fund të fundit, ''Trump nuk dëshiron ta shohë më Vuçiqin me sy''.

Në këtë drejtim, ai thekson se një tjetër përpjekje e Vuçiqit për të riparuar marrëdhëniet e dëmtuara me Uashingtonin dështoi.

Për Jakshiqin, shpjegimi me të cilin kompania e dhëndrit të Donald Trump e braktisi projektin është jashtëzakonisht i rëndësishëm.

Kujtojmë se njoftimi për tërheqjen e kompanisë së Kushnerit u publikua më 15 dhjetor - në ditën kur Prokuroria për Krim të Organizuar në Serbi ngriti aktakuzë ndaj ministrit serb të Kulturës, Nikolla Sellakoviq, për shkelje ligjore gjatë heqjes së statusit të monumentit kulturor ndaj ndërtesës së Shtabit të Përgjithshëm.

Dhe në një deklaratë me shkrim për Radion Evropa e Lirë, kompania investuese “Affinity Partners” tha se “vizioni ynë për projektin në Beograd ishte të ofronim një dizajn elegant dhe frymëzues, që pasqyronte përparimin e Serbisë”.

“Jemi krenarë për arkitekturën që ka krijuar ekipi ynë. Sepse, projektet me kuptim duhet të bashkojnë, jo të ndajnë, dhe nga respekti për popullin e Serbisë dhe për qytetin e Beogradit, ne po e tërheqim aplikimin tonë dhe po e bëjmë një hap pas në këtë moment”, thuhej në deklaratë.

Dhe Jakshiq nuk ka dyshime se ky mesazh i dërguar nga ana tjetër e Atlantikut përputhet në mënyrë të përkryer me rrjedhat e marrëdhënieve amerikano-serbe në kohët e fundit.

Ai kujton se ata ishin më shumë se të shqetësuar nga sjellja e Vuçiqit në maj të këtij viti, kur ai u përpoq të hynte në konventën republikane në Florida.

Për të kujtuar, presidenti i Serbisë shkoi për një vizitë në SHBA pranverën e kaluar, nga e cila u kthye pa planifikuar pas dy ditësh, dhe siç u njoftua në atë kohë, për arsye shëndetësore.

Sipas raporteve jozyrtare të medias, Vuçiq priste të takohej me Trumpin në takimin e republikanëve në Florida, por kjo nuk ndodhi.

"Përshtypja ime është se Donald Trump nuk dëshiron më ta shohë Aleksandar Vuçiçin me sy. Duket se Vuçiq i ka shpërdoruar shanset e tij me Trumpin, ashtu siç i shpërdoroi ato me Moskën dhe Bashkimin Evropian", thekson Jakshiq.

Ai paralajmëron gjithashtu se amerikanët nuk e falin faktin që Vuçiq u përpoq t'i përfshijë ata në aferat e tij të brendshme të korrupsionit.

Andaj, sipas mendimit të tij, Vuçiq praktikisht ia mbylli derën vetes me Donald Trumpin.

Duke komentuar se si ky episod i fundit në marrëdhëniet serbo-amerikane mund të reflektojë në historinë e sanksioneve amerikane kundër Industrisë Serbe të Naftës, Jakshiç thekson se kjo është vetëm një vazhdim i serisë së aferave që Vuçiq bëri në marrëdhëniet me amerikanët.

Në vendin ku gjendeshin ndërtesat e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Jugosllavisë, të shkatërruara gjatë bombardimeve të NATO-s më 1999, kompania investuese “Affinity Partners” kishte planifikuar një kompleks banimi dhe biznesi me markën Trump.

E Vuçiq tha se për shkak të “gjuetisë së shtrigave” që u bë ndaj investitorit dhe ndërtimit, Serbia humbi një investim të vlefshëm prej së paku 750 milionë eurosh.

Ai fajësoi Prokurorinë dhe “bllokuesit” - siç i quan ai protestuesit antiqeveritarë që protestojnë për më shumë se një vit kundër Qeverisë së udhëhequr nga Partia Përparimtare Serbe.

“Personalisht, do të kujdesem që të gjithë ata që kanë kontribuar në shkaktimin e këtij dëmi, të përgjigjen”, tha presidenti serb.

Ai paralajmëroi se do të “paraqesë personalisht kallëzime penale” kundër “të gjithë atyre që morën pjesë në ‘gjuetinë e shtrigave’ dhe shkatërrimin e investimit”, duke i akuzuar për “dëm ekonomik ndaj Serbisë”.

Ai i hodhi poshtë akuzat për korrupsion në këtë projekt. /Telegrafi/

Serbia nuk do të ketë përfaqësues në Samitin e BE-së - për herë të parë në 14 vitet e fundit

17 December 2025 at 08:38


Serbia sot nuk do të ketë përfaqësues në Samitin Bashkimi Evropian – Ballkani Perëndimor në Bruksel, njoftoi sot presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Ky i fundit tha se “as ai dhe as askush tjetër” nuk do të shkojë në Bruksel, duke theksuar se ka biseduar me shumë liderë evropianë dhe se është mirënjohës për respektin që ndaj Serbisë kanë treguar Ursula von der Leyen (presidentja e Komisionit Evropian) dhe Antonio Costa (president Këshilli i Evropës), raporton nova.rs.

“Për herë të parë në 13 ose 14 vitet e fundit, as unë dhe as dikush tjetër nuk do të shkojmë në atë konferencë ndërqeveritare. Askush nuk do ta përfaqësojë Republikën e Serbisë, kështu që Ballkani Perëndimor do të jetë pa Republikën e Serbisë”, tha presidenti për RTS.

Sipas tij, këtë vendim e merr për hir të qytetarëve të Serbisë, pavarësisht se e di që kjo do të hasë kritika në Bruksel. Ai theksoi se vendimin e ka marrë personalisht dhe se qeveria serbe nuk duhet të përballet me asnjë lloj presioni për këtë çështje.

“Mendoj se në këtë mënyrë po e mbroj Serbinë dhe interesat e saj. Serbia është në anën e vet, sado që kjo të mos u pëlqejë Uashingtonit, Brukselit apo Moskës”, tha Vuçiq, duke shtuar se do të mbeten në rrugën evropiane për aq kohë sa ai është president, ndërsa më pas, shtoi ai, “do të shohim”.

I pyetur për rezervat valutore, Vuçiq theksoi se Serbia nuk ka probleme me kursin e këmbimit, pasi disponon 36 miliardë euro rezerva valutore dhe se mund ta “mbrojë kursin për vite me radhë”.

Ai u bëri thirrje qytetarëve të mos shqetësohen, duke theksuar se nuk ka asnjë problem në këtë drejtim. /Telegrafi/

"Familja Trump, NIS dhe KE-ja" - Vuçiq mori tri goditje të fuqishme brenda një muaji e gjysmë

16 December 2025 at 19:53


Politika e jashtme e Serbisë ka pësuar tre goditje të rënda në vetëm një muaj e gjysmë.

Nga projekti i ndërtimit të një hoteli luksoz në vendin e Shtabit të Përgjithshëm, u tërhoq dhëndri i presidentit amerikan, Donald Trump, Jared Kushner.

Ndërkohë, Rusia thellon krizën me Industrinë e Naftës së Serbisë, pa bërë të ditur nëse dhe kujt do t’i shesë pjesën e saj të pronësisë, për të cilën Amerika ka vendosur sanksione.

As marrëdhëniet me evropianët nuk ecin mirë, dhe kështu Komisioni Evropian në fillim të nëntorit publikoi një raport më të ashpër se kurrë mbi gjendjen në vendin tonë.

Tërheqja e investitorit amerikan

Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan, Donald Trump dhe figura kryesore e një projekti të madh ndërtimi në vendin e ish-godinës së Shtabit të Përgjithshëm në Beograd, u tërhoq nga projekti i hotelit luksoz.

Arsyeja zyrtare e tij ishte se projekti duhet të bashkonte, jo të ndante qytetarët, duke u tërhequr “nga respekti për qytetarët e Serbisë”, raporton nova.rs.

Tërheqja e tij ndodhi njëkohësisht me ngritjen e aktakuzave nga prokuroria ndaj disa zyrtarëve për keqpërdorim të detyrës në lidhje me këtë çështje.

Kriza në Naftën Industriale të Serbisë (NIS)

Marrëdhëniet me partnerët rusë dhe amerikanë mbeten të tensionuara për shkak të detyrimeve dhe sanksioneve që lidhen me aksionet ruse në NIS.

Rusia ende nuk ka sqaruar tek kujt do t’i shesë aksionet, gjë që ka krijuar paqartësi dhe probleme operative. Kjo situatë ka sjellë sulme diplomatike dhe politike ndaj qeverisë së presidentit, Aleksandar Vuçiqit.

Raporti i ashpër i Komisionit Evropian

Komisioni Evropian publikoi një raport shumë të rreptë mbi situatën në Serbi, duke kritikuar sundimin e ligjit, situatën e mediave dhe luftën kundër korrupsionit. Raporti u perceptua si një goditje tjetër diplomatike ndaj qeverisë dhe politikave të saj të brendshme.

Sipas një ish-diplomati, veprimet e fundit të Evropës, SHBA-së dhe Rusisë tregojnë se politika e jashtme e Serbisë është në një rrugë pa dalje. Ai shton se vendit i nevojitet një rifillim i plotë politik dhe zgjedhje të reja, për të sjellë ide dhe mundësi të reja për zhvillimin e vendit. /Telegrafi/

Si po e nxit Vulini "Botën Serbe" përmes referendumit të detyrueshëm në Serbi

14 December 2025 at 18:14


Aleksandar Vulin, president i Bordit Mbikëqyrës të “Srbijagas” dhe themelues i Lëvizjes Socialiste, ka publikuar një tekst ku propozon organizimin e një referendumi për Serbinë, ku qytetarët do të zgjedhin midis integrimit në Bashkimin Evropian ose politikës së ashtuquajtur “Bota Serbe”.

Teksti i tij u publikua në të njëjtën ditë kur presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se mbështet idenë e anëtarësimit të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE njëkohësisht.

Në shkrimin e tij në Veçernje Novosti, Vulin argumenton se integrimi evropian përbën pengesën më të madhe për unitetin dhe interesat e Serbisë, duke iu referuar strategjisë amerikane të mbrojtjes kombëtare, sipas së cilës SHBA-ja favorizon botën e shteteve kombëtare dhe kundërshton organizatat mbikombëtare.

Ai propozon një rishikim të politikës së brendshme dhe të jashtme të Serbisë përmes një referendumi të detyrueshëm, duke e prezantuar atë si zgjedhje mes BE-së dhe “Botës Serbe”.

Vulin përshkruan “Botën Serbe” si një koncept ku serbët formojnë një popull politik të vetëm dhe vendosin së bashku për çështjet kombëtare, duke ruajtur lidhjet me Serbinë pavarësisht vendbanimit. Megjithatë, presidenti Vuçiq është distancuar vazhdimisht nga ideja e “Botës Serbe”, duke deklaruar se politika shtetërore nuk merret me kufijtë e të tjerëve dhe se ky koncept nuk ka ekzistuar si doktrinë zyrtare.

Ekspertë politikë dhe kritikë e konsiderojnë idenë e Vulinit si të parealizueshme dhe të bazuar në retorikë etnocentrike. Nenad Čanak, themelues i LSV, e lidh idenë e referendumeve të detyrueshme me precedentë historikë, duke përmendur referendumin e vitit 1998 për pjesëmarrjen e përfaqësuesve të huaj në Kosovë, që shërbeu për të legjitimuar politika njëanshme të regjimit të Millosheviçit.

Ai thekson gjithashtu lidhjet e ngushta mes ideve të Vulinit dhe doktrinës së Kremlinit, duke argumentuar se retorika e tij shërben për të manipuluar mendimet e qytetarëve dhe për të transferuar përgjegjësinë mbi qytetarët serbë për vendimet politike strategjike.

Sociologia dhe aktivistja Vesna Peshiq e kritikon ashpër iniciativën e Vulinit, duke e cilësuar si një manifestim të politikës agresive dhe etnocentrike që nxit konflikte të reja rajonale, ndërsa përkujton historinë e politikës serbe në vitet 1990 dhe manipulimin e opinionit publik përmes retorikës nacionaliste.

Peshiq thekson se në kontekstin aktual, nuk ka më zgjedhje mes Rusisë dhe BE-së për Serbinë, duke aluduar se politika e Vuçiqit ndaj Moskës ka mbetur e pandryshuar dhe se angazhimi ndaj Bashkimit Evropian ka qenë kryesisht ekonomik, duke mos reflektuar një orientim të qëndrueshëm politik.

Ajo përfundon se sfida kryesore është lufta për demokracinë dhe integrimin evropian, në vend të ripërsëritjes së strategjive të orientuara mbi identitetin etnik dhe politikën e dominimit rajonal.

Ky propozim i Vulinit ka ndezur debat të gjerë në Serbi, duke reflektuar tensionet mes orientimit pro-evropian dhe retorikës nacionaliste që ende mbetet prezente në skenën politike serbe./Telegrafi/

Vuçiq shihet duke i thënë Von der Leyen: Sapo mora një mesazh nga Moska

11 December 2025 at 13:30


Presidenti serb Aleksandar Vuçiq është gjendur në qendër të vëmendjes, pasi kamerat kanë filmuar bisedën e tij të shkurtër me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen në Bruksel mbrëmë.

Me të mbërritur në takim, Vuçiq i tha asaj se "sapo kishte marrë një mesazh nga Moska", të cilit ajo iu përgjigj: "Në rregull, le të presim dhe të shohim".

Regjistrimi u publikua nga gazetarja e Euronesa, Maria Tadeo, transmeton Telegrafi.

Shkëmbimi i shkurtër, por domethënës, tërhoqi shpejt vëmendjen e gazetarëve evropianë, veçanërisht duke pasur parasysh momentin e ndjeshëm në marrëdhëniet midis Bashkimit Evropian dhe Rusisë.

Brukseli e ka kritikuar vazhdimisht Serbinë për mospërputhje me politikën e jashtme të BE-së, veçanërisht ndaj Moskës.

Ende nuk dihet se për çfarë referohej konkretisht mesazhi i Vuçiqit, dhe asnjëra palë nuk ka komentuar zyrtarisht ende për incidentin. /Telegrafi/

The mic is always hot. Serbia’s president Vucic last night «I got a message from Moscow now…» von der Leyen aware of cameras «Let’s…let’s wait till we are…» pic.twitter.com/YoDuGOF44R
— Maria Tadeo (@mariatad) December 11, 2025

Pas Millosheviqit, Vuçiq është politikani më i pasuksesshëm serb

8 December 2025 at 21:09


Partia Qendra e Serbisë (Zemra) njoftoi sot se puna e këtij viti e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, ka pasur për qëllim provokimin e konfliktit civil dhe se dështimi i tij më i madh është dështimi për të zgjidhur krizën aktuale energjetike.

"Askush tjetër nuk mund të kishte urdhëruar banditë të paguar nga një vendbanim i paligjshëm me tendë në qendër të Beogradit, si dhe në të gjithë Serbinë, të sulmonin demonstruesit paqësorë, si dhe gazetarët, kalimtarët dhe deputetët. Askush tjetër nuk mund të kishte urdhëruar përdorimin e armëve zanore më 15 mars ose abuzimin e pamend të policisë ndaj qytetarëve dhe studentëve, si dhe arrestimet dhe ndalimet e pabaza të njerëzve me akuza të pakuptimta", tha Boshko Shindiq, anëtar i Zemra, në një deklaratë me shkrim, transmeton Telegrafi.

Shindiq vlerësoi se vetëm Vuçiç "mund të kishte urdhëruar që zgjedhjet në Mionicë të fitoheshin me çdo kusht duke sjellë turma kriminelësh, me qëllim frikësimin e banorëve të këtij qyteti paqësor".

Ai shtoi se dështimi i vërtetë i politikës së Vuçiçit është se ai dështoi të zgjidhte krizën më të madhe energjetike që nga fillimi i viteve të 90-ta dhe e "vendosi" Serbinë në vendin e fundit në trenin që shkonte drejt Bashkimit Evropian, njoftoi partia Zemra.

Sipas Shindiq, e cila reagoi ndaj deklaratës së Kryetares së Parlamentit, Ana Brnabiq se suksesi më i madh i politikës së Vuçiqit ishte se nuk kishte luftë civile, Vuçiq do të mbahet mend si politikani më i pasuksesshëm që nga presidenti i Republikës Federale të Jugosllavisë, Slobodan Millosheviq. /Telegrafi/

Serwer: Serbia mbetet burimi kryesor i destabilizimit në Ballkan

5 December 2025 at 16:22


Komiteti për Evropën i Komisionit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA mbajti të martën një seancë dëgjimore me temën “Pika e nxehtë: rruga drejt stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”.

Në një analizë të publikuar në Peacefare.net, profesori amerikan Daniel Serwer vlerësoi se, ndonëse rajoni ende nuk është “pikë e nxehtë”, ai shumë lehtë mund të kthehet në të tillë.

Sipas tij, problemi kryesor nuk është mungesa e stabilitetit, por mungesa e ndryshimit politik demokratik, pasi “stabiliteti aktual mbahet përmes korrupsionit, tensioneve etnike dhe autokracisë”.

Gjatë seancës, dëshmitarët dhe anëtarët e Kongresit amerikan u pajtuan se Serbia mbetet një prej faktorëve më të mëdhenj destabilizues në Ballkan, për shkak të korrupsionit të përhapur, qeverisjes gjithnjë e më autokratike, lidhjeve të ngushta ushtarake e tregtare me Kinën si dhe marrëdhënieve të forta politike e ekonomike me Rusinë.

Serwer shtoi se përpjekjet e viteve të fundit për ta orientuar Serbinë drejt Perëndimit kanë dështuar.

Sipas tij, presidenti serb Aleksandar Vuçiq nuk ka asnjë interes të frenojë korrupsionin, të distancohet nga Moska dhe Pekini, apo të garantojë më shumë liri mediatike dhe pavarësi të sistemit të drejtësisë.

Duke folur për situatën në Kosovë, Serwer theksoi se vendi ka nevojë për më shumë sovranitet, jo më pak.

Ai paralajmëroi se statusi i paqartë i Kosovës krijon hapësirë për ndikim rus dhe kinez.

“Mbështetja e pakushtëzuar për Kosovën duhet të jetë prioritet, sidomos përballë presionit serb”, deklaron ai./Telegrafi/

Serbia po vazhdon “t’i forcojnë lidhjet me Rusinë” – pavarësisht kritikave të vazhdueshme nga Bashkimi Evropian

4 December 2025 at 15:55


Pavarësisht kritikave të Bashkimit Evropian për bashkëpunim me Rusinë, Serbia po vazhdon t’i forcojnë lidhjet me shtetin rus.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi sot se ka zhvilluar një bisedë të hapur dhe konstruktive me ambasadorin e Rusisë në Beograd, Aleksandr Botsan-Kharchenko, duke u fokusuar mbi çështjet më të rëndësishme të bashkëpunimit bilateral mes dy vendeve.

Sipas tij, diskutimi ka pasur një theks të veçantë mbi fushën e energjetikës, e cila mbetet një nga sektorët më strategjikë për zhvillimin dhe stabilitetin ekonomik të Serbisë, raporton nova.rs.

“Ne kemi shqyrtuar projekte të përbashkëta që kanë një rëndësi strategjike për vendin tonë, duke përfshirë investime infrastrukturore dhe projekte energjetike që do të kontribuojnë në forcimin e sistemit tonë energjetik. Gjithashtu, diskutuam mundësitë për furnizim të qëndrueshëm me gaz natyror, si dhe për projektet që do të sigurojnë energji të qëndrueshme për qytetarët dhe bizneset”, shkroi ai në Instagram.

Ai gjithashtu theksoi se beson fuqishëm se përmes dialogut të hapur, bashkëpunimit të sinqertë dhe respektimit të interesave të përbashkëta, Serbia dhe Rusia do të vazhdojnë të zhvillojnë marrëdhënie të forta, të cilat garantojnë siguri, stabilitet dhe parashikueshmëri për vendin.

Vuçiq shtoi se këto marrëdhënie nuk ndikojnë vetëm në fushën ekonomike, por janë të rëndësishme edhe për stabilitetin politik dhe të ardhmen e rajonit.

Ai përfundoi duke nënvizuar rëndësinë e ndërtimit të marrëdhënieve të bazuara mbi besim dhe respekt reciprok, të cilat sipas tij janë themeli i një bashkëpunimi afatgjatë dhe të frytshëm mes dy vendeve. /Telegrafi/

Gazetari kroat sjell dëshmi të reja për pjesëmarrjen e Vuçiqit në "Sarajevo Safari"

4 December 2025 at 14:52


Pas kthimit nga fronti i luftës në Sarajevë - viti 1994 deri në 1997 - Aleksandar Vuçiq dha shumë deklarata rreth pjesëmarrjes në luftë dhe në rrethimin e Sarajevës.

Këto deklarata shpesh ribotoheshin dhe përcilleshin në revistën zyrtare të radikalëve të Vojislav Sheshelit, “Serbia e Madhe”.

Gazetari kroat Domagoj Margetiq, personi i parë që zbuloi vrasjet për qejf të civilëve në Sarajevë, të njohura si “Sarajevo Safari”, publikoi një tjetër deklaratë të presidentit aktual serb nga viti 1994.

Sipas gazetarit kroat, Vuçiq konfirmon se ka qenë vullnetar ushtarak në Sarajevë, se ka marrë pjesë në përleshje dhe ka luftuar si vullnetar në Grbavica e në varrezat hebraike.

“Pra, se ka qenë pjesëtar i armatosur i njësisë së Aleksiqit pikërisht në pozicionet, në mikrolokacionet ku organizoheshin dhe kryheshin “safarët njerëzorë”, shtoi Margetiq.

Zbulimet e Margetiqit kanë shkaktuar reagime të shumta në rajon, duke rikthyer vëmendjen te aktivitetet paraushtarake gjatë rrethimit të Sarajevës dhe rolin e zyrtarëve të sotëm në ngjarjet e luftës.


Termi “Sarajevo Safari” i referohet pretendimeve se gjatë rrethimit të Sarajevës (1992–1996) disa të ashtuquajtur “turistë snajperistë”, kryesisht të huaj dhe sipas akuzave me pagesë, merrnin pozicione snajperësh në zonat e kontrolluara nga Ushtria e Republikës Serbe (VRS) dhe qëllonin mbi civilë.

Historia u bë e njohur gjerësisht pas publikimit të dokumentarit Sarajevo Safari (2022) të regjisorit Miran Zupanič, i cili sjell dëshmi që sugjerojnë se pas këtij fenomeni të supozuar qëndronte edhe logjistika e ushtrisë së Republikës Serbe.

Pas daljes së filmit dhe rishfaqjes së dëshmive, në nëntor 2025 Prokuroria Publike e Milanos në Itali hapi një hetim për të zbuluar nëse disa shtetas italianë mund të kenë marrë pjesë në këtë formë të pretenduar “sniper-turizmi" dhe në vrasje të kryera gjatë luftës. /Telegrafi/

❌
❌