Me ndryshimin e fundit të politikave të administratës Trump në Bosnje dhe Hercegovinë dhe me publikimin e Strategjisë së re të Sigurisë Kombëtare më herët këtë muaj, paqartësia mbi politikën amerikane ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor ka marrë fund. Çështja është nëse Bashkimi Evropian – qendra de facto e gravitetit e botës demokratike të mbetur […]
Udhëtarët në Aeroportin Ndërkombëtar të Sarajevës u përballën me një situatë të pazakontë.
Bëhet fjalë për një ngjarje të ndodhur të hënën, më 22 dhjetor, gjatë kontrollit të sigurisë, kur macja e një pasagjereje u arratis brenda terminalit.
Sipas Aeroportit të Sarajevës, pasagjerja refuzoi fillimisht ta nxirrte kafshën nga kutia e transportit, gjë që është e detyrueshme sipas procedurave të sigurisë.
Duke hequr sanksionet, Shtetet e Bashkuara me shumë gjasa synuan të ulnin paqëndrueshmërinë dhe tensionin në rajon, i cili është ende një pikë e nxehtë - jo të financonin një "shfaqje kukullash".
Kështu shkruan SlobodnaBosnja, sipas të cilit portal, ndërsa zyrtarët e RS teknikisht mund të respektojnë kushtet jozyrtare të SHBA-së për lehtësimin e sanksioneve, do të jetë interesante të shihet se si do të reagojë administrata e Donald Trump kur ata shkelin frymën e këtij rregullimi.
Por, rikujton ky medium, duke cituar një shkrim të revistës amerikane Washington Examiner, presidenti Donald Trump nuk heziton të rivendosë dënime të ashpra kur ndjen se po ndodh manipulim.
“Siç e kemi parë në negociatat tregtare me Kinën, Trump nuk ka shumë ngurrime për rivendosjen e dënimeve të ashpra kur ndjen se po ndodh manipulim", është shkruar në këtë analizë.
Bëhet fjalë për një analizë të Washington Examiner rreth krizës politike në Bosnjë dhe Hercegovinë, në dritën e zgjedhjeve të fundit për presidentin e Republika Srpska, por edhe heqjen e sanksioneve ndaj Milorad Dodik dhe bashkëpunëtorëve të tij.
Siç thuhet më tej në shkrimin e cituar nga SlobodnaBosnja, Republika Srpska mbajti së fundmi zgjedhje dhe, megjithëse ka një president të ri, shefi mbetet i njëjtë: Milorad Dodik.
Dodik, vazhdon analiza, i cili u shpall i papërshtatshëm për post politik nga Përfaqësuesi i Lartë dhe sistemi gjyqësor në BeH, la presidencën në favor të një pasardhësi të zgjedhur me kujdes.
Ajo gjithashtu beson se Dodik e ka ndërtuar karrierën e tij politike mbi nxitjen e konfliktit dhe mosmarrëveshjeve midis RS dhe qeverisë shtetërore të Bosnjës dhe Hercegovinës duke kujtuar se në disa raste, Dodik ka bërë thirrje për referendume për të mbështetur ose shkëputjen e RS ose refuzimin e institucioneve shtetërore.
Ai ka qenë subjekt i disa hetimeve për korrupsion dhe është përballur me akuza për mbështetje të rrjeteve kriminale.
Dodik gjithashtu mburret se takohet "rregullisht" me presidentin rus Vladimir Putin dhe ka përsëritur qëndrimin e Moskës se lufta e saj në Ukrainë është "shumë e justifikuar".
Siç kujtohet më tej në analizë, pavarësisht situatës aktuale, Donald Trump hoqi sanksionet ndaj Dodikut dhe bashkëpunëtorëve të tij në tetor, dhe afërsisht në të njëjtën kohë, në koordinim me qeverinë, Dodiku dha dorëheqjen si president, duke lejuar mbajtjen e zgjedhjeve të reja, ndërsa autoritetet e entitetit shfuqizuan ligjet e miratuara më parë jokushtetuese.
"Kjo situatë e jashtëzakonshme, me sa duket quid-pro-quo, i dha fund muajve të bllokimit midis Dodikut dhe autoriteteve të larta boshnjake për shkak të pushtimit të tij gjithnjë e më të paligjshëm të pushtetit. Sfida, megjithatë, është se problemet e Bosnjës nuk ndalen me Dodikun. Përveç krimeve financiare, ai dhe nacionalistë të tjerë serbë dhe zyrtarë të RS kanë promovuar një axhendë secesionizmi, përçarjeje dhe aleance me Moskën. Kjo përbën si një kërcënim për sigurinë rajonale ashtu edhe një rrezik zgjerimi për Bashkimin Evropian fqinj", paralajmëron teksti.
"Edhe pse zgjedhjet e fundit në RS u mbajtën pa Dodikun, ato u shënuan nga i njëjti nacionalizëm dhe agjitacion që ai mbështet, si dhe nga pjesëmarrja e ulët e votuesve dhe akuzat për 'manipulim masiv të votave'. Rezultati është një vazhdim i status quo-së. Pasardhësi i zgjedhur me kujdes nga Dodiku, Sinisha Karan, zuri vendin e tij. Në fakt, RS ka kryer ‘një transformim rus, në të cilin Dmitry Medvedev ia ngrohu karrigen presidenciale Vladimir Putinit nga viti 2008 deri në vitin 2012 për të shmangur kufizimet e mandatit rus’”.
Dodik madje bëri fushatë me premtimin se kur votuesit të votojnë për Karanin, ata do të 'votojnë për mua dhe politikat që kemi zbatuar deri më tani'", vazhdon analiza e zgjedhjeve të fundit në RS dhe pasojat e tyre të mundshme.
Ajo paralajmëron se pa kontrollet ekonomike të ofruara nga sanksionet e SHBA-së, "disa nacionalistë serbë mund të pritet të intensifikojnë retorikën e tyre të urrejtjes, korrupsionin dhe aktivitetet destabilizuese në të ardhmen". /Telegrafi/
Më 21 dhjetor 2017, gjykata e parë penale ndërkombëtare ad hoc e themeluar nga Kombet e Bashkuara që nga gjykatat e Nurembergut dhe Tokios pas Luftës së Dytë Botërore përfundoi punën e saj. Gjykata Penale Ndërkombëtare për Ish-Jugosllavinë, GJPNJ, e mbajti ceremoninë e saj të mbylljes në Sallën historike të Kalorësve në Hagë, ku morën […]
Gazetari hulumtues kroat, Domagoj Margetiq, ka ngritur dyshime serioze rreth vdekjes së Slavko Aleksiqit, një “vojvodë çetnik” i vetëshpallur dhe ish-komandant i një njësie paramilitare, ku, sipas tij, kishte shërbyer si vullnetar edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Në një deklaratë publike, Margetiq tha se Aleksiqi ishte një nga dëshmitarët më të rëndësishëm lidhur me përfshirjen e dyshuar të Vuçiqit në krime lufte gjatë viteve ’90, përfshirë atë që ai e ka quajtur “Sarajevo Safari” në Sarajevë.
Ai shton se Aleksiqi kishte qenë gjallë dhe në gjendje të mirë shëndetësore deri rreth dhjetë ditë më parë dhe kishte dhënë deklarata publike në mbështetje të Vuçiqit.
Megjithatë, sipas Margetiqit, lajmi për vdekjen e Aleksiqit u shpërnda papritur vetëm pak ditë pasi ai ishte shtruar në Spitalin Ushtarak në Beograd.
“Aleksandar Vuçiq, sipas zakonit të vjetër, po eliminon dëshmitarët. Tani sapo mora vesh se komandanti i tij në Sarajevë ka vdekur ‘magjikisht’ në një spital në Beograd”, tha Margetiq, duke shtuar se, sipas tij, po zhduken dëshmitarët e krimeve të Vuçiqit.
Gazetari pretendon se pas ndërhyrjes së shërbimit sekret serb (BIA), Aleksiqi ishte transferuar për trajtim në Akademinë Mjekësore Ushtarake (VMA) në Beograd, ku, sipas tij, ka ndërruar jetë “në mënyrë të papritur dhe të pashpjegueshme”.
Slavko Aleksiq, udhëheqësi çetnik dhe komandant i formacionit paramilitar “Detashmenti çetnik i Sarajevës së re”, vdiq sot në Trebinje në moshën 69-vjeçare, sipas raportimeve të mediave të Bosnjë e Hercegovinës.
Informacioni mbi vdekjen e tij është konfirmuar nga banorët e Trebinjes. /Telegrafi/
Vdes Slavko Aleksiq, i njohur si vojvoda çetnik dhe simbol i terrorit gjatë rrethimit të Sarajevës.
Slavko Aleksiq, një nga figurat më të kontestuara dhe më të njohura që lidhet me luftën në Bosnjë e Hercegovinë dhe me rrethimin 1425-ditor të Sarajevës, ka vdekur sot në Trebinje.
Ai ishte komandant i formacionit paramilitar “Novosarajevski četnički odred” dhe në opinionin publik të Bosnjës e Hercegovinës emri i tij lidhet fort me snajperët dhe terrorin ushtarak ndaj popullsisë civile gjatë rrethimit të kryeqytetit.
Aleksiq ka lindur më 1956 në fshatin Bogdashiqi dhe ka kaluar një pjesë të madhe të jetës në Sarajevë, ku kishte punuar dhe studiuar, raporton N1.
Që në fund të viteve 1980 ai u përfshi në strukturat nacionaliste, dhe kur shpërtheu lufta mori komandën e njësisë së tij në zonën e Grbavicas.
Forcat nën komandën e tij ishin të vendosura në pozicione nga ku qyteti ishte nën zjarr konstant, dhe shumë dëshmi civilësh dhe raportime i lidhin njësitë e tij me sulmet ndaj popullsisë civile dhe përhapjen e frikës në mesin e banorëve të Sarajevës. Megjithatë, Aleksiq asnjëherë nuk u gjykua para gjykatave vendore apo ndërkombëtare për këto akte.
Pas bombardimeve të NATO-s dhe pas Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit, në vitin 1996 ai udhëhoqi tërheqjen e forcave serbe dhe një pjese të popullsisë nga Grbavica, dhe vazhdoi aktivitetet ideologjike edhe pas luftës.
Emri i tij është rikthyer kohët e fundit në debat publik lidhur me hetimin e njohur si “Sarajevo Safari”, që po zhvillohet në Milano rreth vrasjes së civilëve për qejfi gjatë rrethimit të kryeqytetit boshnjak, ku pjesëmarrës u raportuar se ishte edhe presidenti aktual i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Rrethimi i Sarajevës, që zgjati nga 5 prilli 1992 deri më 29 shkurti 1996, konsiderohet si rrethimi më i gjatë i një kryeqyteti në historinë moderne dhe çoi në vdekjen e mijëra civilëve, përfshirë fëmijë.
Organet ndërkombëtare e kanë cilësuar atë një fushatë të terrorit të organizuar kundër popullsisë civile. /Telegrafi/
Sarajeva edhe këtë mëngjes kryeson listën e kryeqyteteve me ajrin më të ndotur në botë.
Indeksi i cilësisë së ajrit në kryeqtetin e Bosnje-Hercegovinës arrin vlerën 396, raporton klix.ba.
Pas Sarajevës renditet Lahori i Pakistanit, ku indeksi i cilësisë së ajrit është regjistruar 297, ndërsa në Delhin e Indisë 284.
Përqendrimi i grimcave PM2.5 këtë mëngjes në Sarajevë është 53 herë më i lartë se vlera vjetore referuese e përcaktuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Sipas të dhënave të mbledhura nga IQAir, situata më e keqe është regjistruar nga stacioni matës në Saraj Polje, ku është matur vlera 533.
Në Otoka është matur 366, në Bjelave 384, në Ilidža 282, ndërsa pranë Vijeçnicës 170.
Në Sarajevë sot do të mbajë mot kryesisht i vranët. Pasdite pritet një zvogëlim i pjesshëm i vranësirave.
Paradite herë pas here është e mundur shi i lehtë, me temperaturë ditore rreth 9 gradë Celsius. /Telegrafi/
Gazetari hulumtues kroat, Domagoj Margetiq ka akuzuar presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për organizimin e fshehtë të largimit të një dëshmitari kyç të krimeve të luftës nga Bosnja dhe Hercegovina, duke e bërë atë të paarritshëm për drejtësinë ndërkombëtare.
Në një video të publikuar në Facebook, Margetiq deklaron se Vuçiq po përpiqet të “fshijë gjurmët” e përfshirjes së tij të dyshuar në krimet e kryera gjatë rrethimit të Sarajevës në vitet ’90.
Sipas gazetarit kroat, Slavko Aleksiq – një “vojvodë çetnik” i vetëshpallur dhe ish-komandant i njësisë ku presidenti serb dyshohet se kishte shërbyer si vullnetar – është një nga dëshmitarët kryesorë që mund të inkriminojë presidentin serb.
Aleksiq kishte komanduar një njësi që ofronte mbështetje logjistike për të ashtuquajturat “Sarajevo Safari” në Sarajevë, sulme ndaj civilëve gjatë rrethimit të qytetit.
“Slavko Aleksiq është një nga dëshmitarët kryesorë që mund të inkriminojë si Vuçiqin, ashtu edhe pjesëmarrësit e tjerë në këto krime,” thekson Margetiq.
Gazetari shpjegon se Aleksiq kishte jetuar për vite të tëra në fshehtësi në Bosnje-Hercegovinë dhe ishte i disponueshëm për autoritetet gjyqësore vendore dhe ndërkombëtare, por situata ndryshoi rreth dhjetë ditë më parë.
“Me urdhër të drejtpërdrejtë të Aleksandar Vuçiqit, BIA organizoi një operacion për nxjerrjen e fshehtë të Slavko Aleksiqit nga Bosnja dhe Hercegovina”, thotë Margetiq.
Ai shton se Aleksiq është transferuar në Beograd dhe ndodhet në një institucion shëndetësor, me shumë gjasë në Akademinë Mjekësore Ushtarake, për të krijuar një alibi mjekësore që të shmangë ekstradimin dhe marrjen në pyetje.
Margetiq akuzon Vuçiqin se për vite me radhë ka ushtruar ndikim mbi Prokurorinë e Bosnjës dhe Hercegovinës përmes presidentit të Republikës Serbe, Milorad Dodik.
Sipas tij, kryeprokurori Milanko Kajganiq dhe ish-prokurorja e krimeve të luftës, Vedrana Mijoviq, kanë qenë pjesë e këtij mekanizmi.
“Vuçiq ka kontrolluar për vite me radhë rastet e krimeve të luftës në Bosnje përmes njerëzve të tij”, thekson Margetiq.
Ai përmend gjithashtu dekorimin e Mijoviqit nga Vuçiq në Beograd në vitin 2022 dhe pasurinë e pajustifikuar të saj, e cila sipas tij nuk mund të shpjegohet me pagën e një prokuroreje. /Telegrafi/
Në vendin ku si dhjetvjeçar u godit nga snajperi, në tetor të vitit 1992, Elvedin Suliq sot qëndron i qetë, duke menduar për fytyrën e panjohur të personit që qëlloi mbi të dhe mbi qindra fëmijë të tjerë gjatë rrethimit të Sarajevës.
Shkëmbinjtë e mprehtë ishin një nga bazat e snajperistëve të Ushtrisë së Republikës 'Sërpska' në atë kohë, shkruan Evropa e Lirë.
Prej aty, snajperistët kishin pamje të qartë mbi rrugën ku banonte Elvedini në lagjen e vjetër Sedrenik.
“Isha kështu, me shpinën kthyer, duke luajtur me fëmijët. Dëgjova një breshëri të shtënash. Të gjithë fëmijët ikën, të shpërndarë, por unë u qëllova”, kujton Elvedini plagosjen e tij në vitin 1992.
Ai thotë se snajperisti nuk u ndal pas goditjes së parë: “Përpiqej të më eliminonte, të më vriste qëllimisht”.
Hasan Jusoviq, fqinj i Elvedinit dhe shofer taksie, kujton gjithashtu se snajperisti ishte këmbëngulës në planin e tij për ta vrarë fëmijën.
“E tëra çfarë dëgjoja, ishte një rënkim. Thanë, një fëmijë i plagosur”.
Hasani kishte makinë dhe donte ta çonte Elvedinin në spital.
“Të shtënat filluan përsëri, u ktheva, fëmija ishte në ulësen e pasme, i shtrirë, i përgjakur... Gjak kishte në të gjithë ulësen. Nisa makinën me shpejtësi të plotë drejt spitalit. Fëmija ulërinte, por ishte i vetëdijshëm. Xhami i pasmë shpërtheu, më goditi...”, kujton Hasani.
Gjatë pothuajse katër vjetëve të rrethimit të Sarajevës nga Ushtria e Republikës 'Sërpska', çdo i dhjeti fëmijë nga mbi 1.600 që u vranë në qytet, u godit nga snajperi, sipas të dhënave të shoqatave të viktimave dhe vendimeve të gjykatave ndërkombëtare. Mbi 14.000 fëmijë u plagosën.
Elvedini nuk e mori vesh kurrë se kush ishte njeriu që e plagosi.
Asnjë snajperist i Ushtrisë së Republikës Sërpska nuk është ndjekur penalisht, edhe pse, sipas vendimeve të Gjykatës Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë, fushata e snajperëve kishte për qëllim terrorizimin e civilëve në Sarajevë, ku u vranë mbi 11.000 njerëz.
Më shumë se tridhjetë vjet më vonë, mediat në Bosnje dhe Hercegovinë dhe në mbarë botën shkruajnë sërish për vrasjet e qytetarëve të Sarajevës nga snajperët.
Këtë herë, terrori ka marrë edhe një dimension të ri, pas nisjes së hetimeve nga prokuroria në Milano për të ashtuquajturit “turistë snajperistë” dhe “safarët me snajper”.
Hetimi nis para publikimit të librit
Në fillim të nëntorit, mediat italiane raportuan se prokuroria e Milanos kishte hapur një hetim për “snajperistët e fundjavës”, të cilët, sipas denoncimit të shkrimtarit dhe gazetarit Ezio Gavazzeni, paguanin shuma të mëdha për të shkuar në pozicionet e Ushtrisë së Republikës 'Sërpska' rreth Sarajevës dhe për të vrarë civilë me snajperë, kryesisht “për kënaqësinë” e tyre.
Gavazzeni, pas disa përpjekjeve të Radios Evropa e Lirë për ta intervistuar, bëri të ditur se nuk dëshiron të flasë.
Ndërkohë, ai mbajti një konferencë për shtyp në Milano, ku njoftoi se në shkurt do të publikojë një libër mbi “safarët me snajper”.
Ai tregoi se për herë të parë kishte lexuar për shkuarjen e të huajve në luftë në vitin 1995, në një artikull në gazetën “Corriere della Sera”, dhe kishte filluar të shkruante mbi këtë temë.
Megjithatë, ai ndaloi pasi kuptoi se informacioni ishte shumë i pakët.
Situata ndryshoi vetëm në vitin 2022 me dokumentarin “Sarajevo Safari” të regjisorit slloven, Miran Zhupaniç.
Si në film, ashtu dhe në padinë e këtij viti, figurë qendrore është Edib Subashiq - oficer në pension i Ushtrisë së Bosnje dhe Hercegovinës.
Ai shpjegon se shërbimet e inteligjencës së Ushtrisë së Bosnje dhe Hercegovinës morën informacione rreth ardhjeve nga Italia pas arrestimit në vitin 1993 të një vullnetari serb nga qyteti Paraqin, në lagjen Hrasno Bërdo të Sarajevës.
“Atëherë kuptuam se ekzistonte një ‘safari’... që do të thotë se njerëzit paguanin për të qëlluar mbi njerëzit, ndryshe nga mercenarët e zakonshëm. Ne i njoftuam shërbimet e inteligjencës italiane, që ishin pjesë e UNPROFOR-it në Sarajevë në atë kohë. Ua dhamë të dhënat dhe kërkuam hetime. Shumë shpejt, rreth fillimit të vitit 1994, morëm përgjigje se ishte gjetur vendi në Itali nga ku organizohej gjithçka dhe se autoritetet italiane e kishin ndalur këtë aktivitet”, përsëriti Subashiq disa herë për mediat, në nëntor dhe dhjetor, pas nisjes së hetimeve.
Ajo që askush nuk e thotë është përse Italia, menjëherë pas këtyre zbulimeve, nuk nisi hetime dhe nuk i ndëshkoi organizatorët dhe pjesëmarrësit.
Radio Evropa e Lirë kërkoi përgjigje nga agjencitë italiane të inteligjencës, prokuroria në Milano, si dhe nga Ambasada e Italisë në Sarajevë dhe përmes konsullit të përgjithshëm të Bosnje dhe Hercegovinës në Milano, por askush nuk dha koment.
Sipas Gavazzenit, pjesëmarrësit takoheshin në Trieste, përpara se të udhëtonin në Beograd dhe më pas në Sarajevë, drejt pozicioneve të snajperëve, nga ku mund të qëllonin mbi qytetarët.
Nga Aeroporti i Triestes thanë për Radion Evropa e Lirë se nuk kanë të dhëna për fluturimet e viteve ’90.
Edhe nëse ka pasur të tilla, ato janë ruajtur vetëm për dy vjet.
“Gjithçka që lidhet me fluturimet e mbi tridhjetë vjetëve më parë, nuk ekziston më, as në kujtesë. Edhe statistikat e trafikut nga ato vite, që ruhen sot, janë të përgjithshme”, thanë nga Aeroporti i Triestes në përgjigje të pyetjes mbi të dhënat ose dëshmitë për udhëtimet e “turistëve snajperistë”.
Ajo që Gavazzeni nuk e thotë, është nëse dihet identiteti i ndonjërit prej atyre personave që po hetohen nga prokuroria nën dyshimet për “vrasje me qëllim të paramenduar” dhe “motive të ulëta”.
“Safari” para Tribunalit në Hagë
Fjala “safari”, e përdorur për të përshkruar të huajt që qëllonin mbi qytetin e rrethuar për “argëtim”, u përmend për herë të parë në vitin 2003 në Tribunalin e Hagës, gjatë dëshmisë së dëshmitarit të mbrojtur C-017, në gjyqin kundër Sllobodan Millosheviqit, president i atëhershëm i Serbisë, i akuzuar për krime lufte.
Dëshmitari identifikoi Nicholas Ribiqin, i njohur si “Kanada”, pasi vinte nga Kanadaja, dhe tha se ai kishte ardhur për një “safari, për të gjuajtur njerëz”.
Se kur dhe si mbërriti Ribiq në Sarajevë nuk dihet, por dihet se ishte me origjinë nga Bosnje dhe Hercegovina.
Më vonë, ai iu bashkua Njësisë Speciale të Ushtrisë së Republikës 'Sërpska' “Beli Vukovi” (Ujqërit e Bardhë), e formuar në vitin 1993.
“Ndoshta e tërhoqi origjina e tij dhe për këtë iu bashkua ushtrisë serbe... Ai ishte me origjinë nga Bosnje dhe Hercegovina”, thotë Janko Sheshllija, ish-pjesëtar i kësaj njësie, i cili e mohon ekzistencën e turistëve që qëllonin mbi banorët e Sarajevës për para.
Megjithatë, kishte vullnetarë të huaj. Sheshllija thotë se ata kishin ardhur për arsye ideologjike për të luftuar.
“Kishte vullnetarë nga Rusia, Ukraina dhe nga vendet e Lindjes. Madje, ishte edhe një francez, nëse doni shembull konkret, një francez i vërtetë, jo me origjinë serbe”, thotë ai.
Fakti që Ribiq qëndroi më shumë se një fundjavë në Sarajevë, konfirmohet edhe nga pamjet e kapjes së pjesëtarëve të forcave paqeruajtëse të OKB-së si pengje në Pale, si dhe nga një proces gjyqësor që u zhvillua më vonë në Kanada.
Për shkak të lidhjes së paqeruajtësve me shtyllat elektrike, për të parandaluar sulmet e planifikuara të NATO-s mbi pozicionet serbe, Ribiq u dënua në Kanada me tre vjet burg.
Por, nuk ishte vetëm Ribiq me pasaportë kanadeze që ishte në pozicionet serbe mbi Sarajevë.
Emir Ramiq, drejtor i Institutit për Kërkime Gjenocidi në Kanada, thotë për Radion Evropa e Lirë se ka informacione se disa persona ishin të përfshirë.
“Kemi informacione se bëhej fjalë për fundjava, që do të thotë të premten, të shtunën, të dielën... Gjithashtu, kemi informacione se qytetarë kanadezë që aktualisht nuk jetojnë në Kanada, që janë diku tjetër, kanë marrë pjesë në këtë”, thotë Ramiq.
Ai shton se ka informacione se edhe gjyqësori kanadez do të fillojë veprime përgatitore hetimore, në lidhje me këto udhëtime.
Serbë vendas dhe të huaj në Gërbavica
Personi i vetëm i përmendur në kontekstin e “safarit”, Nicholas Ribiq, njihet nga Sllavko Alleksiq, një “vojvodë çetnik” dhe figurë qendrore gjatë luftës në lagjen e okupuar të Sarajevës, Gërbavica, mbi të cilën ndodhej një nga bazat snajperike në Varrezat Hebraike.
Alleksiq drejtonte një njësit paraushtarak të quajtur “Njësiti Çetnik i Sarajevës së Re”, i cili më vonë u integrua në Ushtrinë e Republikës Sërpska.
Kontradiktor edhe pas luftës, ai u dënua për nxitje të urrejtjes kombëtare, racore dhe fetare, për përçarje dhe për jotolerancë.
Alleksiq thotë për Radion Evropa e Lirë se njësia e tij përfshinte të huaj, por jo ata që përmenden sot.
“Kishim rusë, rreth pesëdhjetë... Ata ishin vullnetarë, jo vrasës. Sa u përket këtyre burrave të pasur që vinin... ne nuk pamë askënd, dhe askush nuk kontaktoi komandën tonë ose mua personalisht”, thotë ai.
Ndryshe nga Alleksiqi, në Hagë më 2007 foli John Jordan, një zjarrfikës amerikan, i cili gjatë luftës vizitonte pozicionet e forcave serbe mbi Sarajevë.
Ai tha se aty kishte parë “vrasës safari” të huaj dhe kishte dëgjuar se fëmijët dhe gratë e bukura ishin trofetë më të kërkuar.
Edhe pse nuk e kishte parë asnjërin prej tyre duke qëlluar, ai kishte vëzhguar se si trajtoheshin dhe lëviznin rreth pozicioneve të njohura snajperike.
“Ishte krejt e qartë se personi që udhëhiqej nga njerëzit që e njihnin terrenin, ishte plotësisht i panjohur me vendin, dhe mënyra se si ishte i veshur dhe armët që mbante, më bënë të mendoj se bëhej fjalë për ‘turist gjahu’. Ky është një term që e dëgjova për herë të parë në Bejrut, ku pamë se e njëjta gjë ndodhte rreth linjës së gjelbër”, tha Jordan atëkohë.
Ish-zëdhënësja e Tribunalit të Hagës, Florence Hartmann, thotë për Radion Evropa e Lirë se ata dinin për këtë fenomen, por jo për mënyrën se si organizohej.
“Është jashtëzakonisht e rëndësishme që të fillojë një hetim gjyqësor dhe të zbulohet se kush ishin organizatorët”, thotë ajo.
Vuçiq në fushën e betejës rreth Sarajevës?
Në nëntor, gazetari kroat, Domagoj Margetiq, i përcolli prokurorisë në Milano - e cila po kryen hetime për “snajperistët e fundjavës” - informacione se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka marrë pjesë ose ndihmuar në “turizmin e snajperistëve”.
Margetiq publikoi fotografi, në të cilat Vuçiq ishte i pranishëm në një nga pozicionet serbe në Sarajevë, prej ku, sipas dëshmitarëve, shtetas të huaj dhe forcat serbe qëllonin dhe vrisnin civilë.
Vuçiq i hodhi poshtë akuzat dhe paralajmëroi padi kundër medias që i publikoi këto informacione.
Duke folur për Televizionin Informer, Vuçiq tha se nuk kishte dëgjuar kurrë për një “safari” të tillë.
“... por kjo nuk është e rëndësishme. Unë nuk kisha pushkë. Madje, edhe kur shkova aty dhe pyeta nëse mund të qëndroja me ta, më thanë ‘vogëlush, kthehu, na duhet një gazetar që di anglisht’”, tha Vuçiq.
“A do të qëlloj dikë dhe ta xhirosh?”
Gazetarët dhe fotoreporterët e huaj, gjatë pothuajse gjithë kohës së luftës në Bosnje dhe Hercegovinë, nga viti 1992 deri në fund të vitit 1995, kishin mundësi të qëndronin herë pas here në pozicionet e forcave serbe rreth Sarajevës.
Radio Evropa e Lirë kontaktoi disa prej tyre, por askush nuk dëshmoi se kishte parë ndonjë të huaj që kishte paguar për të shkuar në Sarajevë dhe për të qëlluar.
Peter Kullmann shkoi për herë të parë në Bosnje dhe Hercegovinë në vitin 1992 si fotograf i agjencisë Reuters.
Ai kujton se në dimrin e atij viti, diku rreth Krishtlindjeve, ishte vetë shënjestër e një snajperisti, teksa bashkë me gazetarin e Reutersit, Kurt Schork, po përpiqeshin të largoheshin nga baza e OKB-së në Sarajevë.
“Po ecnim nëpër një parking, kur plumbi i snajperit kaloi mes meje dhe Kurtit, mes kokave tona. Ishte i destinuar për njërin prej nesh, por patëm fat”, kujton ai për Radion Evropa e Lirë.
Më vonë, bashkë me gazetarin e gazetës New York Times, John Burns, Kullmann vizitoi për herë të parë një nga pozicionet snajperike të forcave serbe në Varrezat Hebraike.
Aty, krejt papritur, dëgjoi gjermanishten e tij amtare. Ishin njerëz me prejardhje nga Ballkani, që jetonin dhe punonin në qytete të Gjermanisë.
Ai kujton sidomos ata që vinin nga Shtutgarti - vendlindja e tij - të cilët pas përfundimit të punës të premten, niseshin drejt rrethimit të Sarajevës.
“Vinin në grupe, direkt pas punës. Autobusi i sillte gjatë natës në Sarajevë. Qëndronin dy ditë në vijën e frontit dhe pastaj ktheheshin natën, për të qenë në vendet e punës të hënën në mëngjes. Njiheshin si çetnikët e fundjavës”, thotë Kullmann për Radion Evropa e Lirë.
Ai kujton se ata mbanin armë dhe ishin të gatshëm të qëllonin.
“Ndodhte që dikush prej tyre më pyeste nëse doja të qëllonte, dhe nëse mund të xhiroja me pajisjet e mia. Sigurisht, u thosha jo, mos e bëni... Nuk duhej t’i zemëroje ata njerëz, por duhej të shpikje gjithmonë një arsye pse nuk duhej ta bënin”, kujton Kullmann.
Snajperist i Ushtrisë së Republikës Sërpska në Varrezat Hebraike në Sarajevë. Autori i fotografisë, Peter Kullmann, ia siguroi atë Radios Evropa e Lirë ekskluzivisht për qëllimet e artikullit në lidhje me aktivitetin e snajperistëve në Sarajevë.
Kullmann thotë për Radion Evropa e Lirë se ndaj tij dhe Burnsit qëlluan kur zbritën nga Varrezat Hebraike dhe hynë në Sarajevë.
Kur u kthyen më vonë, pyetën përse automjeti i tyre, i shënuar qartë me “New York Times”, ishte qëlluar menjëherë pas largimit nga pozicionet e snajperistëve.
Ata u përgjigjën: “Qëlluam sepse na dukej argëtuese”.
Fotografi italian, Mario Boccia, që ka vizituar pothuajse të gjitha zonat e luftës në ish-Jugosllavi, përfshirë Bosnje dhe Hercegovinën, tregon se nuk ka hasur turistë lufte nga Italia, sepse do t’i kishte raportuar menjëherë. Por, ka takuar të huaj të tjerë në Bosnje.
“Në Grbavicë kam takuar dhe fotografuar një grek dhe një person që ka thënë se vjen nga SHBA-ja. Të dy ishin të motivuar ideologjikisht dhe nuk e kishin problem të prezantoheshin si luftëtarë të huaj. Amerikani tha se ishte nip i çetnikëve që ishin larguar nga Jugosllavia pas Luftës së Dytë Botërore. Greku e quante veten ‘nazist’ dhe thoshte se luftonte kundër myslimanëve dhe hebrenjve”, thotë Boccia.
“Çfarë lloj njerëzish janë këta?”
“Çfarë lloj njeriu është ai që qëlloi vajzën time 3-vjeçare?”, pyeste më 7 maj, 1992, Rifat Bajroviq, babai i Senidës, e cila u plagos nga një snajper në lagjen Hrasno-Bërdo të Sarajevës, ku një vit më vonë u arrestua një vullnetar serb nga Paraqini.
Sipas deklaratës së tij, “të huajt vinin në Sarajevë për të vrarë njerëz”.
Sikurse Rifati atëkohë, edhe Elvedini sot vazhdon të përballet me pyetje dhe pasojat e këtij akti monstruoz.
“Vij thjesht për ta kuptuar atë ndjenjë që ai e kishte në atë moment. Më së shumti do të doja ta shihja këtu. Do ta pyesja se çfarë po mendonte ndërsa po qëllonte drejt meje... Nuk e di a i vjen keq apo është i kënaqur që unë mbeta gjallë, që shpëtova”.
Prokuroria në Milano pritet të njoftojë publikun për rezultatet e hetimit në mars të vitit 2026. Nëse ngre aktakuzë dhe vërteton fajësinë, kjo do të ishte hera e parë në Evropë që dikush gjykohet për vrasjet e civilëve me snajperë në Sarajevë.
Ndërkohë, drejtësia në Bosnje e Hercegovinë është duke verifikuar pretendimet, por, deri më tani, asnjë snajperist nuk është gjykuar për vrasjet e civilëve, veçanërisht të fëmijëve në Sarajevë.
Rrethimi i Sarajevës zgjati 1.425 ditë. Sulmet ndaj civilëve nga pozicionet e Ushtrisë së Republikës Sërpska ndodhnin kudo dhe në çdo kohë të ditës apo natës, sipas vendimeve të Gjykatës në Hagë.
Stanisllav Galliq, ish-komandant i Korpusit Sarajevë-Romanija, u dënua me burgim të përjetshëm, ndërsa kolegu i tij, Dragomir Millosheviq, mori 29 vjet burg për rolet e tyre në rrethimin e qytetit për 44 muaj.
Dënimet me burgim të përjetshëm të Radovan Karaxhiqit dhe Ratko Mlladiqit lidhen gjithashtu me terrorizimin e civilëve të Sarajevës gjatë luftës.
Në drejtësinë vendase, deri tani janë gjykuar disa persona për krime të kryera në zonat e rrethuara të qytetit.
Pas kthimit nga fronti i luftës në Sarajevë - viti 1994 deri në 1997 - Aleksandar Vuçiq dha shumë deklarata rreth pjesëmarrjes në luftë dhe në rrethimin e Sarajevës.
Këto deklarata shpesh ribotoheshin dhe përcilleshin në revistën zyrtare të radikalëve të Vojislav Sheshelit, “Serbia e Madhe”.
Gazetari kroat Domagoj Margetiq, personi i parë që zbuloi vrasjet për qejf të civilëve në Sarajevë, të njohura si “Sarajevo Safari”, publikoi një tjetër deklaratë të presidentit aktual serb nga viti 1994.
Sipas gazetarit kroat, Vuçiq konfirmon se ka qenë vullnetar ushtarak në Sarajevë, se ka marrë pjesë në përleshje dhe ka luftuar si vullnetar në Grbavica e në varrezat hebraike.
“Pra, se ka qenë pjesëtar i armatosur i njësisë së Aleksiqit pikërisht në pozicionet, në mikrolokacionet ku organizoheshin dhe kryheshin “safarët njerëzorë”, shtoi Margetiq.
Zbulimet e Margetiqit kanë shkaktuar reagime të shumta në rajon, duke rikthyer vëmendjen te aktivitetet paraushtarake gjatë rrethimit të Sarajevës dhe rolin e zyrtarëve të sotëm në ngjarjet e luftës.
Termi “Sarajevo Safari” i referohet pretendimeve se gjatë rrethimit të Sarajevës (1992–1996) disa të ashtuquajtur “turistë snajperistë”, kryesisht të huaj dhe sipas akuzave me pagesë, merrnin pozicione snajperësh në zonat e kontrolluara nga Ushtria e Republikës Serbe (VRS) dhe qëllonin mbi civilë.
Historia u bë e njohur gjerësisht pas publikimit të dokumentarit Sarajevo Safari (2022) të regjisorit Miran Zupanič, i cili sjell dëshmi që sugjerojnë se pas këtij fenomeni të supozuar qëndronte edhe logjistika e ushtrisë së Republikës Serbe.
Pas daljes së filmit dhe rishfaqjes së dëshmive, në nëntor 2025 Prokuroria Publike e Milanos në Itali hapi një hetim për të zbuluar nëse disa shtetas italianë mund të kenë marrë pjesë në këtë formë të pretenduar “sniper-turizmi" dhe në vrasje të kryera gjatë luftës. /Telegrafi/
Pjesëtarët e Forcave të Armatosura të Bosnjës dhe Hercegovinës nga radhët e popullit serb nuk kanë marrë pjesë të martën në akademinë ceremoniale me rastin e 20-vjetorit të Ditës së Forcave të Armatosura të Bosnjës dhe Hercegovinës, e cila u mbajt në Shtëpinë e Forcave të Armatosura në Sarajevë.
Dhe siç është konfirmuar për Klix.ba, përcjell Telegrafi, arsyeja e mungesës së tyre ishte prania e delegacioneve nga konferenca A-5, konkretisht përfaqësuesve të Kosovës.
Sipas mediumit në fjalë, Shefi i Shtabit të Përbashkët Gojko Knezheviq, si dhe zëvendësministri i Mbrojtjes, Aleksandar Goganoviq, nuk morën pjesë në ceremoni.
Në pjesën zyrtare të programit, ministri i Mbrojtjes i Bosnjë e Hercegovinës, Zukan Helez ka thënë se “20 vitet e ekzistencës së Forcave të Armatosura të Bosnjës dhe Hercegovinës përfaqësojnë shembullin më të mirë të reformave të suksesshme pas Dejtonit dhe provën se një shtet i përbashkët mund të funksionojë kur forcimi i institucioneve është një qëllim i përbashkët”.
“Kjo është një histori për guximin, përgjegjësinë dhe besimin në një të ardhme të përbashkët”, ka thënë Helez, duke falënderuar selinë e NATO-s në Sarajevë, EUFOR-in dhe partnerët ndërkombëtarë për mbështetjen e tyre në modernizimin dhe zhvillimin e Forcave të Armatosura të Bosnjës dhe Hercegovinës.
Ndërsa Denis Beçiroviq, anëtar i Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, iu drejtua të pranishmëve dhe theksoi se zhvillimi dy-dekadësh i Forcave të Armatosura ndërtoi besueshmërinë e tyre si brenda vendit ashtu edhe në skenën ndërkombëtare. /Telegrafi/
Novak Stjepanoviq, një serb i Bosnjës i dënuar për krime lufte në vitin 1992, ka shmangur vuajtjen e dënimit me burg në Serbi duke iu bashkuar forcave ruse në Ukrainë, zbulon një hetim i BIRN.
Stjepanoviq, 59 vjeç, u dënua me 13 vjet burg në qershor 2025 për krime kundër civilëve pranë Bratunacit, Bosnjë, duke përfshirë vrasje, tortura, përdhunim, trajtim çnjerëzor dhe vjedhje, përcjell Telegrafi.
Megjithatë, ai ishte larguar tashmë nga Serbia dhe kishte postuar disa foto në internet që e tregonin veten me uniformë ushtarake ruse në Donetskun e pushtuar midis prillit dhe qershorit 2025, duke e deklaruar veten "të destinuar nga Zoti për të luftuar për drejtësi".
Gjykata e Lartë në Beograd konfirmoi se Stjepanoviq nuk ishte i ndaluar të largohej nga vendi gjatë gjyqit të tij.
Ekspertët ligjorë vërejnë se Serbia rrallë vendos paraburgim të menjëhershëm për qytetarët e saj të dënuar për krime lufte, një boshllëk i shfrytëzuar nga Stjepanoviq, i cili ka shtetësi të dyfishtë serbe dhe boshnjake.
Dhe viktimat e krimeve të Stjepanoviq, si Edina Kariq, kanë shprehur dëshpërim për mundësinë e tij për t'iu shmangur drejtësisë.
Kariq dëshmoi gjatë gjyqit se ishte dëshmitare e Stjepanoviq duke përdhunuar një grua 19-vjeçare në vitin 1992.
Stjepanovic u padit për herë të parë për krime lufte nga Bosnja në vitin 2009, gati dy dekada pas veprave të tij penale.
Paditë pasuese, përfshirë ato për dhunë seksuale, u bashkuan dhe u transferuan në Serbi.
Pavarësisht dënimit të shkallës së parë në dhjetor 2024 dhe dënimit të apelit prej 13 vitesh në qershor 2025, Stjepanoviq ishte zhdukur tashmë nga Serbia.
Ai dokumentoi publikisht praninë e tij në Ukrainë, duke ndarë imazhe dhe duke postuar rreth pjesëmarrjes së tij në luftimet rreth Pokrovske, rajoni i Donetskut.
Raportet tregojnë se mercenarët nga Ballkani janë bashkuar prej kohësh me forcat ruse, pavarësisht ndalimeve ligjore të miratuara në Serbi dhe Bosnje në vitin 2014, të cilat kriminalizojnë pjesëmarrjen në konflikte të huaja me dënime deri në 10 vjet në Serbi dhe 8 në Bosnje.
Ky rast nxjerr në pah dështimin sistematik të Serbisë për t'i mbajtur kriminelët e luftës përgjegjës.
Siç thuhet më tej, prokurorët në Bosnjë janë përpjekur të ndjekin hetime të mëtejshme ndaj Stjepanoviq, duke përfshirë vrasjet e gjashtë civilëve në Bratunac, por vonesat administrative dhe bashkëpunimi i paplotë nga autoritetet serbe kanë penguar drejtësinë. /Telegrafi/
Tre dekada pas rrethimit të Sarajevës, prokuroria italiane ka hapur një hetim që më në fund mund të hedhë dritë mbi një nga segmentet më të errëta të luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë “snajperistët e fundjavës” që, sipas dëshmitarëve, paguheshin për të qëlluar mbi civilë.
Një nga të parët që e zbuloi këtë histori ishte Edin Subashiq, ish-oficer i inteligjencës së Ushtrisë së Bosnjë dhe Hercegovinës.
Subashiq për TRT Balkan tregon detajet e rrëfimit - nga momenti kur e zbuloi deri te informacionet e fundit që lidhen me hetimin e prokurorisë italiane.
Gjatë rrethimit të Sarajevës, përveç pozicioneve të zakonshme nga ku vepronin snajperistët serbë, hetimet zbulojnë se zona kodrinore që e rrethonte qytetin ishte shndërruar edhe në terren për një fenomen makabër: të ashtuquajturit “snajperistë të fundjavës”, transmeton Telegrafi.
Sipas dëshmive të mbledhura, këta individë nuk kishin asnjë lidhje me konfliktin në Bosnjë. “Ata vinin nga vende të ndryshme të Evropës – kryesisht nga Italia – vetëm për të qëlluar mbi qytetarët e Sarajevës, duke e kthyer vrasjen në argëtim. Bëhej fjalë për persona të pasur, gjuetarë profesionistë në vendet e tyre, të cilët kërkonin “përjetime adrenaline” në zonën e luftës, duke përfaqësuar një sistem të deformuar vlerash”.
Sipas deklaratës së Edin Subashiqit, prania e tyre u konfirmua pasi një vullnetar serb nga Paracini i Serbisë, i kapur në fund të vitit 1993 në Hrastno Brdo, pranoi se mes vullnetarëve dhe mercenarëve kishte parë edhe italianë të veshur me pajisje të shtrenjta gjuetie dhe të armatosur me snajperë të avancuar. Sipas dëshmisë së tij, një gjuetar nga Milano paguante për të ardhur në Grbavica me qëllim që të qëllonte mbi Sarajevë, duke e cilësuar këtë si “hobi”.
“Hetimet e UNPROFOR-it dhe bashkëpunimi me inteligjencën italiane çuan në identifikimin, në fillim të vitit 1994, të linjave të organizuara të transportit që sillnin këta individë në Bosnjë – përmes furgonëve, autobusëve, fluturimeve drejt Hungarisë e më pas në Serbi, madje edhe me helikopterë ushtarakë deri në Pale. Autoritetet italiane njoftuan se këto rrugë ishin ndërprerë, duke e konsideruar çështjen të mbyllur, ndërsa vëmendja ndërkombëtare mbetej e fokusuar në shumë aspekte të tjera urgjente të luftës”, deklaroi ai.
“Ky episod i errët i rrethimit të Sarajevës mbetet një dëshmi e dhimbshme e degradimit moral që shoqëroi konfliktin, duke ngritur sërish pyetje mbi përmasat e krimeve të kryera ndaj popullsisë civile”, përfundoi ai.
Rasti “Sarajevo Safari” i referohet praktikës së tmerrshme ku qytetarë të pasur të huaj paguanin për mundësinë për të qëlluar mbi civilë – përfshirë gra dhe fëmijë – gjatë rrethimit të qytetit
Të kujtojmë se Prokuroria në Milano hapi një hetim pasi gazetari lokal, Ezio Gavazzeni dorëzoi një padi ligjore lidhur me akuzat se italianë dhe të huaj të tjerë paguanin anëtarët e forcave serbo-boshnjake për të vizituar qytetin dhe për të qëlluar mbi civilët, në atë që disa e quanin “turizëm snajperësh”.
Numri i përgjithshëm i të vrarëve gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë (1992–1995) është rreth 100 mijë të vrarë. /Telegrafi/
Kandidati i SNSD-së, Sinisha Karan shpalli fitoren në zgjedhjet për president të entitetit Republika Srpska, duke iu referuar rezultateve paraprake të partisë.
Sipas të dhënave të publikuara nga SNSD pas përpunimit të 95.61 përqind të qendrave të votimit, Karan kryeson me rreth 8,500 vota në krahasim me kundërshtarin e tij Branko Blanusha nga SDS.
Megjithatë, bëhet fjalë për rezultatet e brendshme të partisë dhe jo për të dhënat zyrtare të Komisionit Qendror Zgjedhor të Bosnjës dhe Hercegovinës.
Karan u bë kandidati i SNSD-së pasi udhëheqësi dhe presidenti i RS-së, Milorad Dodik, u ndalua të kandidonte për poste dhe të mbante poste publike për shkelje të vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë, Christian Schmidt.
Sinisha Karan, ish-ministër i Brendshëm, është aleat i ngushtë dhe zgjedhja personale e Dodikut, i cili mbetet kreu i partisë së tij, Aleanca e Socialdemokratëve të Pavarur (SNSD).
Dodiku u largua nga posti i presidentit të Republikës Sërpska në gusht, pasi u dënua për mosrespektim të vendimeve të përfaqësuesit ndërkombëtar, Christian Schmidt, që e mbikëqyr marrëveshjen e paqes, e cila e ka mbajtur Bosnjën të bashkuar që nga përfundimi i luftës ndëretnike të viteve ‘90.
Zgjedhjet e parakohshme në Republikën Sërpska (RS) - një nga dy entitetet gjysmautonome të Bosnjës, përkrah federatës boshnjakokroate – nënkuptojnë se fituesi do të shërbejë për më pak se një vit, deri në zgjedhjet e përgjithshme në tetor 2026. /Telegrafi/
Gazetari hulumtues kroat, Domagoj Margetiq, ka paraqitur një ankesë në Prokurorinë italiane ndaj presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, lidhur me rastin “Sarajevo Safari”.
Ai kërkon që në Itali të hapet një hetim mbi pretendimet se qytetarë të huaj kanë paguar për të qëlluar mbi civilët gjatë rrethimit të Sarajevës para tre dekadash.
Sonja Biserko, themeluese dhe presidente e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, deklaroi për Antena M se roli i Vuçiqit në këtë çështje është i qartë dhe i pakontestueshëm.
“Është e padiskutueshme që Aleksandar Vuçiq, gjatë ‘safarive njerëzore’ në Sarajevë, qëndroi në varrezat hebraike – një prej pikave më të rrezikshme dhe më të kërkuara në qytet. Ai vetë ka deklaruar se ishte vullnetar dhe se ka kaluar një periudhë kohore atje”, tha Biserko.
Ajo shtoi se këtë e ka konfirmuar edhe Vojislav Sheshel gjatë gjykimit në Hagë dhe se çështja është përmendur disa herë më parë, “por asnjëherë nuk është bërë pyetja drejtpërdrejt – a mund të bëhet president i vendit dikush që mbante pushkë në kodrat e Sarajevës?”
Sipas Biserkos, kjo situatë flet shumë për gjendjen e shoqërisë serbe.
“Bëhet fjalë për një shoqëri që ende nuk është e gatshme të përballet me përgjegjësinë e vet për luftërat e viteve ’90 dhe të distancohet qartë nga aktorët e asaj politike të dëmshme. Sot, një pjesë e konsiderueshme e opinionit publik e sheh Millosheviqin si një mbrojtës të madh të interesave kombëtare serbe”, përfundoi ajo.
“Bëhet fjalë për një shoqëri që ende nuk është e gatshme të përballet me përgjegjësinë e vet për luftërat e viteve ’90 dhe të distancohet qartë nga aktorët e asaj politike të dëmshme. Sot, një pjesë e konsiderueshme e opinionit publik e sheh Millosheviqin si një mbrojtës të madh të interesave kombëtare serbe”, përfundoi ajo.
Rasti “Sarajevo Safari” i referohet praktikës së tmerrshme ku qytetarë të pasur të huaj paguanin për mundësinë për të qëlluar mbi civilë – përfshirë gra dhe fëmijë – gjatë rrethimit të qytetit
Të kujtojmë se Prokuroria në Milano hapi një hetim pasi gazetari lokal, Ezio Gavazzeni dorëzoi një padi ligjore lidhur me akuzat se italianë dhe të huaj të tjerë paguanin anëtarët e forcave serbo-boshnjake për të vizituar qytetin dhe për të qëlluar mbi civilët, në atë që disa e quanin “turizëm snajperësh”, për çka ka raportuar edhe reuters.
Numri i përgjithshëm i të vrarëve gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë (1992–1995) është rreth 100 mijë të vrarë. /Telegrafi/
Rreth temës nëse presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ishte i përfshirë në “safari snajperësh” në Sarajevë gjatë Luftës së Bosnjës, ku të huaj të pasur dyshohet se paguan shuma të mëdha parash për të qëlluar civilët, një shkrim të veçantë e ka bërë edhe mediumi prestigjioz britanik, The Telegraph.
Siç vë në pah ky medium, Vuçiq dyshohet se ka qenë i pranishëm në një nga pozicionet ushtarake mbi qytet nga ku thuhet se të huajt kanë paguar për të qëlluar banorët e tij gjatë rrethimit nga viti 1992 deri në vitin 1996.
Po sipas tij, janë shfaqur gjithashtu video pamje që duket se e tregojnë atë si një të ri duke udhëtuar në një automjet.
Mediumi britanik thotë se pretendimet kundër Vuçiqit - të cilat ai i mohon me forcë - janë bërë nga Domagoj Margetiq, gazetar investigativ kroat, përcjell Telegrafi.
Ai ka paraqitur një ankesë kundër presidentit serb, te prokurorët italianë, të cilët tashmë po hetojnë akuzat se italianët, rusët dhe amerikanët morën pjesë në "safari snajperësh njerëzorë" gjatë konfliktit.
Margetiq tha se “e kam informuar zyrën e prokurorit publik për të gjitha njohuritë e mia në lidhje me lidhjen e Aleksandar Vuçiq me safarit njerëzor në Sarajevën e kohës së luftës”.
“Kam bashkëngjitur të gjitha provat, materialet video, dokumentacionin fotografik, dokumentacionin audio dhe video, si dhe dokumentacionin mediatik të asaj kohe”, shtoi ai.
Në parashtresën e tij, Margetiq theksoi se Vuçiq ishte “anëtar i një njësie paraushtarake, nën kontrollin e Partisë Radikale Serbe nga Serbia, gjatë luftës në vitet 1992 dhe 1993”.
Njësia ishte “e stacionuar në një pozicion lufte... në varrezat hebraike në Sarajevë”, pohoi Margetiq, shkruan më tej The Telegraph – duke shtuar se varrezat u përdorën si pozicion snajperi nga forcat serbe.
Po sipas tij, më shumë se 10 mijë njerëz u vranë nga bombardimet dhe zjarri i snajperëve gjatë rrethimit të qytetit.
Margetiq pohoi më tej se informacioni “e vendos atë pa asnjë dyshim në kohën dhe vendin e këtyre krimeve”.
Ai iu referuar video pamjeve nga viti 1993 të cilat, sipas tij, tregonin Vuçiq duke mbajtur një pushkë në dorë.
Mbështetësit e udhëheqësit serb i kanë hedhur poshtë pretendimet dhe thanë se objekti në pamje ishte një 'tripod' kamerash televizive, të cilin Vuçiq e mbante sepse punonte si gazetar në atë kohë.
Rep. Luna’s pursuit of this matter is heartening. Ideally, it should be coupled w/ a reconsideration of recent US decision to lift sanctions vs Bosnian Serb secessionist Dodik, esp as his regime still glorifies the VRS forces which facilitated these alleged “human safaris”. https://t.co/L259rKYhIX — Jasmin Mujanović (@JasminMuj) November 13, 2025
E Vuçiq ka thënë se objekti ishte një çadër.
Ndryshe, prokurorët në Milano hapën hetimin e tyre pasi morën informacione që pretendonin se italianë të pasur ishin midis të huajve të pasur që paguanin për të qëlluar civilët boshnjakë, me një shpërblim të vendosur për gratë, fëmijët dhe burrat me uniformë.
“Turistët e luftës” dyshohet se u lejuan të qëllonin civilët nga milicitë serbe të Bosnjës nën komandën e Radovan Karaxhiqit.
Mediumi britanik më tej citon Suzana Vasiljeviq, një zëdhënëse të presidentit serb, që i tha The Telegraph se “pretendimet e paraqitura nga gazetari kroat Domagoj Margetiq përfaqësojnë një rast tipik të dezinformimit dashakeq, të ndërtuar me qëllim për të gërryer besueshmërinë institucionale të Republikës së Serbisë dhe presidentit të saj”.
Siç pretendon ajo, “presidenti Vuçiq nuk mori pjesë në aktivitete luftarake, nuk përdori armë dhe nuk pati asnjë rol në asnjë operacion lufte”.
Ajo shtoi se akuzat ishin “të motivuara politikisht” dhe një përpjekje për të “minuar reputacionin ndërkombëtar të Serbisë”.
The Telegraph shton se një dokumentar i quajtur “Sarajevo Safari”, i publikuar në vitin 2022 nga një regjisor slloven, bëri akuza të ngjashme për të huajt në “safarit e luftës”.
Por i pyetur në lidhje me videon e postuar së fundmi që duket se tregon Vuçiq me automjetin, një burim serb tha se vetura nuk i përkiste atij dhe, në çdo rast, “automjete të tilla ishin kudo në zonën e luftës”.
Sidoqoftë, pretendimet se të huajt e pasur udhëtuan në Sarajevë për “safari snajperësh” janë mbështetur edhe nga një ish-diplomat italian.
Michael Giffoni, i cili ishte zëvendëskryetar i misionit diplomatik të Italisë në Sarajevë, pohoi se sapo mbërriti në qytet në vitin 1994, iu tha: "E dini, po organizohen safari. Shumë njerëz të pasur po vijnë këtu - disa janë gjuetarë, të tjerë janë biznesmenë. Ushtria dhe paraushtarakët i çojnë në kodrat [mbi Sarajevë] dhe për këtë paguajnë".
Ndërsa SISMI, një agjenci italiane e inteligjencës, u informua për turizmin e luftës dhe, në bashkëpunim me inteligjencën boshnjake, arriti të ndalonte mbërritjen e italianëve, i tha ai gazetës La Repubblica.
Sipas tij, "agjencia identifikoi se kush po e organizonte të gjithë këtë gjë dhe e mbylli atë".
Megjithatë, autoritetet italiane nuk ishin në gjendje të identifikonin asnjë nga qytetarët e saj që dyshohet se morën pjesë në të shtënat e civilëve.
"Nëse do të kishim pasur një emër, do t'i kishim ndjekur penalisht", citohet të ketë thënë Giffoni.
Ndërkohë, ekspertët e Ballkanit i kanë thënë The Telegraph se akuzat mund të jenë të vërteta, por duhen trajtuar me kujdes.
Dr. Helena Ivanov, nga grupi i ekspertëve Henry Jackson Society, tha se “shumë gjëra të tmerrshme ndodhën gjatë luftës, por pati edhe histori të tmerrshme që rezultuan të mos ishin të vërteta – për shembull, pretendime se ekstremistët myslimanë hodhën foshnje serbe te luanët në një kopsht zoologjik,...”.
“Historitë e rreme mund të qëndrojnë për një kohë të gjatë. Sa herë që ka një pretendim që është vërtet shpërthyes, si ai për safaritë me snajperë, ai duhet t'i nënshtrohet një hetimi të plotë dhe transparent”.
“Nëse ka akuza të besueshme, atëherë ato duhet të hetohen”.
The Telegraph gjithashtu vë në pah faktin se videoja që duket se tregon zotin Vuçiq me automjetin ku gjendej edhe një kafkë u postua nga Prof. Jasmin Mujanoviq, një ekspert dhe autor i Ballkanit.
And here are stills (full footage in link) of Serbia's now President Vucic visiting the VRS positions around Sarajevo, while driving around in a SUV which has a human skull in a UN helmet mounted on the hood. https://t.co/RcIDnTbY3mpic.twitter.com/MbYKAbOp8A — Jasmin Mujanović (@JasminMuj) November 13, 2025
Ai tha se kishte “prova në rritje… duke përfshirë dëshmi nga Gjykata Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë, për ekzistencën e ‘safarive njerëzore’ të kryera nga forcat nacionaliste serbe në emër të turistëve të pasur të huaj”.
Provat duhet të çojnë në hetime “në katër ose pesë vende të ndryshme”, shtoi ai.
Prof. Mujanoviq vlerëson se akuzat ishin “të besueshme”, por paralajmëroi: “Ne gjithmonë duhet të kërkojmë që pretendimet e jashtëzakonshme të kenë prova të jashtëzakonshme”.
“Ato meritojnë të shqyrtohen më tej nga agjencitë policore italiane dhe të tjera ndërkombëtare... Por nëse janë të vërteta, atëherë duhet të ngrihen akuza të forta penale kundër të gjithë atyre që janë të përfshirë”, shtoi ai. /Telegrafi/
Një video e publikuar së fundmi në rrjetet sociale ka shkaktuar tronditje në opinionin publik të Bosnjë-Hercegovinës.
Në pamje shihet Vlado Gjajiq - drejtor i Qendrës Klinike Universitare të Republikës Serbe, deputet i Asamblesë Kombëtare dhe kryetar i degës së SNSD në Banja Llukë – duke biseduar me një person të panjohur, i cili mban në dorë një qese me një substancë të bardhë që ngjan me drogë.
Në video përmenden shuma prej 30 deri në 40 mijë euro, ndërsa dëgjohen edhe referenca ndaj policisë dhe personave të tjerë të përfshirë. Publikimi i videos shkaktoi reagime të menjëhershme politike, raporton klix.ba.
Gjajiq mohon kategorikisht çdo lidhje me narkotikët, duke deklaruar se bëhet fjalë për një “montazh të pastër” dhe një tentativë shantazhi. Ai pretendon se personi në video është “një kriminel i dënuar më parë, që e ka provokuar me qëllim” dhe thotë se është i gatshëm të nënshtrohet edhe testit të poligrafit.
Në anën tjetër, kryetari i Banja Llukës, Drashko Stanivukoviq, deklaroi se personi që shfaqet me qesen e pluhurit është Nenad Radinkoviq, të cilin ai e përshkroi si “kriminel të rrezikshëm dhe recidivist”. Stanivukoviq kërkoi hetim të plotë dhe transparencë nga institucionet.
Reagimi më i ashpër erdhi nga lideri i SNSD, Milorad Dodik, i cili brenda pak orësh e shkarkoi Gjajiqin nga të gjitha funksionet partiake, shkruan klix..ba.
Dodik tha se sjellja e tij në video është “e papranueshme dhe e dëmshme për imazhin e partisë”, duke nënvizuar se SNSD nuk do të tolerojë afërsi me krimin dhe drogën.
Ndërkohë, organet kompetente pritet të shqyrtojnë rrethanat e incidentit dhe të vlerësojnë nëse videoja përbën provë për veprimtari të paligjshme ose për tentim shantazhi. /Telegrafi/
Gazetari hulumtues kroat, Domagoj Margetiq i ka dërguar një kallëzim Zyrës së Prokurorit Publik në Milano lidhur me “Sarajevo safarin”, përkatësisht në lidhje me nisjen e hetimeve në Itali për akuzat se të huajt paguanin për të qëlluar mbi civilët gjatë rrethimit të Sarajevës, para tri dekadash.
“Presidenti i sotëm i Serbisë, në vitet 1992 dhe 1993, ndodhej në Sarajevë si një vullnetar i paligjshëm i luftës. Vuçiq ka qenë, pa dyshim, gjatë viteve 1992 dhe 1993, si vullnetar nga një shtet tjetër (Serbia), pjesëtar i një njësie famëkeqe dhe kriminale vullnetare e paramilitare, nën kontrollin e Partisë Radikale Serbe. Më saktë, ai ishte pjesëtar i njësisë që komandohej nga Slavko Aleksić”, thuhet në njoftim.
Më tej shkruhet se “kjo njësi ishte e stacionuar në Varrezat Hebreje në Sarajevë, ku gjatë viteve 1992 dhe 1993 ndodhej si vullnetar edhe Vuçiq, gjë që është konfirmuar në Hagë nga Vojislav Sheshel dhe shefi i ekipit të tij juridik, Zoran Krasiq”.
“Pikërisht Varrezat Hebreje në Sarajevë ishin një pozicion brenda ‘ofertës turistike’ të tmerrshme të një safarije njerëzore për njerëz të pasur dhe me ndikim nga Italia; dhe njiheshin si një nga lokacionet më luksoze, më të kërkuara dhe më të shtrenjta për ‘gjueti njerëzish’ në Sarajevë, veçanërisht për safari të vrasjes së fëmijëve në krahët e nënave të tyre”, thuhet në kallëzim.
Të kujtojmë se Prokuroria në Milano hapi një hetim pasi gazetari lokal, Ezio Gavazzeni dorëzoi një padi ligjore lidhur me akuzat se italianë dhe të huaj të tjerë paguanin anëtarët e forcave serbo-boshnjake për të vizituar qytetin dhe për të qëlluar mbi civilët, në atë që disa e quanin “turizëm snajperësh”, për çka ka raportuar edhe reuters.
Numri i përgjithshëm i të vrarëve gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë (1992–1995) është rreth 100 mijë të vrarë. /Telegrafi/
Qytetarët e Sarajevës, të cilët humbën fëmijët, nënat, baballarët, vëllezërit e motrat dhe të afërmit e tyre nga zjarri i snajperëve gjatë luftës së viteve 1992-1995 në Bosnjë e Hercegovinë (BeH) e shkaktuar nga sulmet serbe ndaj boshnjakëve, kërkojnë gjetjen e autorëve.
Edhe pse kanë kaluar 30 vjet që nga lufta e Bosnjës, dhimbja e humbjeve të familjeve boshnjake mbetet e freskët.
Banorët e Sarajevës, veçanërisht ata që u vunë në shënjestër nga zjarri i mortajave dhe snajperëve gjatë rrethimit gati tre vjet e gjysmë të kryeqytetit, Sarajevë, u përballën me rrezik vdekjeprurës në çdo hap ndërsa përpiqeshin të vazhdonin jetën e tyre të përditshme.
Nisja e një hetimi në Milano ndaj individëve që udhëtuan nga Italia në Sarajevë gjatë fundjavave duke u paguar shuma të mëdha parash snajperëve serbë për qëllime "argëtimi" dhe më pas qëlluan mbi civilët boshnjakë gjatë luftës së Bosnjës, i ka sjellë përsëri në qendër të vëmendjes këto akuza të tmerrshme, të cilat janë shprehur prej vitesh por që nuk janë ndërmarrë veprime konkrete si dhe ka shkaktuar rritjen e pritshmërive që përgjegjësit të nxirren para drejtësisë.
Rrethimi i Sarajevës, një periudhë me momente të shpeshta dhe të dhimbshme për shkak të terrorit të shkaktuar nga snajperët gjatë luftës së Bosnjës 1992-1995, është rikthyer në qendër të vëmendjes ndërkombëtare 30 vjet pas përfundimit të luftës, falë një hetimi të nisur nga Zyra e prokurorit publik të Milanos.
Qytetarët e Sarajevës kërkojnë etiketimin si "vrasës" dhe "terroristë" të atyre që janë përfshirë në incidentin i cili ka tërhequr vëmendjen ndërkombëtare me tituj si "tur snajperësh në fundjavë" dhe "turizëm lufte".
Fakti që të huajt qëllonin civilë për para gjatë luftës së Bosnjës u paraqit në titullin "Safari snajperësh në Sarajevë" në gazetën boshnjake "Oslobodjenje" më 1 prill 1995.
"Të vrasësh fëmijën e dikujt për argëtim, nuk mund ta kuptoj fare këtë"
Shënjestrimi veçanërisht i fëmijëve të pambrojtur gjatë rrethimit të Sarajevës dhe vrasja e afërsisht 2.000 fëmijëve gjatë rrethimit, ka ekspozuar fytyrën më të errët dhe më çnjerëzore të luftës dhe ka thelluar vënien në pikëpyetje të ndërgjegjes së komunitetit ndërkombëtar prej shumë vitesh.
Fatima Popovac, nëna e Adnan Popovacit, i cili u vra në moshën 6-vjeç nga zjarri i snajperit gjatë luftës, kërkon që vrasësi i djalit të saj të gjendet.
Duke përshkruar vrasjen e djalit të saj Adnanit mes lotësh, Fatima thotë se në atë kohë nuk e dinte se ishte një e shtënë nga snajperi.
Duke shpjeguar se ka qëndruar e fortë pavarësisht gjithçkaje, Fatima tha: "Zoti më ka shpërblyer me një djalë tjetër. Kam një djalë, një vajzë dhe dy nipër e mbesa. Shpresoj për mëshirën e Zotit. Shpresoj që Adnani im të pushojë në parajsë duke pritur nënën e tij".
Ajo tha se dëshiron që vrasësit të gjenden.
"Nuk e di kush i lejoi ta bënin këtë. Si personi që i lejoi ta bënin ashtu edhe personi që e bëri duhet të ndëshkohen. Motra ime mbante dorën e Adnanit dhe mbante vajzën e vogël në krahë. Pra, djali ishte shënjestra. E mendoj, por nuk mund ta kuptoj dot. As nuk mund ta imagjinoj që kjo të jetë në formë njerëzore. Do të doja ta shihja atë përbindësh; si duket, me çfarë ngjason? A nuk ka fare njerëzillëk? Të vrasë fëmijën e dikujt. Një person në përgjithësi, por veçanërisht një fëmijë. Çfarë mund t'i bënte një fëmijë 6-vjeçar dikujt? Për argëtim. Të vrasësh fëmijën e dikujt për argëtim, nuk mund ta kuptoj fare këtë", tha Fatima.
Duke shprehur dëshirën e saj që e vërteta të zbulohej, ajo thekson: "Nuk do t'i dëshiroja të keqen askujt, as personit që vrau fëmijën tim. Unë nuk kam atë lloj shpirti, nuk mendoj ashtu. Mesazhi im i vetëm është ky: Zoti na krijoi dhe ne do të kthehemi tek ai. Me vullnetin e Zotit, Adnani im do të më presë në parajsë".
Fatima kërkoi gjithashtu që Turqia të mbrojë më shumë të drejtat e boshnjakëve në arenën ndërkombëtare.
"Për sa kohë që jam gjallë, do të luftoj për të vërtetën"
Xhemil Hoxhiq, i cili drejton projektin "SniperAlley" që dokumenton krimet e luftës duke mbledhur fotografi të bëra gjatë luftës në Sarajevë, ishte 16-vjeç kur vëllai i tij më i madh, Amel Hoxhiq, u vra nga snajperët.
Ai tha se në media, të gjithë i quajnë ata që qëlluan mbi civilët për para gjatë rrethimit të Sarajevës "turistë" dhe incidentin "safari", por ata duhet të quhen "vrasës" dhe incidenti "terrorizëm".
Hoxhiq thotë se në Itali ka nisur një hetim, por se ata kanë edhe informacione për rusët dhe grekët.
"Shpresoj që, meqenëse kjo çështje është në Itali dhe brenda Bashkimit Evropian, ndoshta diçka do të ndodhë vërtet, diçka do të dalë në dritë. Sepse në gjithë këtë kaos të krijuar gjatë tre ose katër ditëve të fundit, askush nuk po flet për Serbinë. Këta njerëz erdhën në Beograd me ndihmën e qeverisë serbe. Pas tyre është shërbimi sekret, policia dhe aeroporti ushtarak. Pastaj ata transferohen në Bosnjë, ku ka një qeveri tjetër, Republika Sërpska (një nga dy entitetet në Bosnjë e Hercegovinë)", shton ai.
Hoxhiq tha se Evropa praktikon demokracinë brenda vetes, por nuk e sheh Bosnjë e Hercegovinën (BeH) në të njëjtën dritë.
"Realiteti është se presidenti serb (Aleksandar) Vuçiq erdhi në Sarajevë gjatë luftës. Ne kemi fotografi dhe deklarata; e dimë që ai erdhi vërtet. Por, BE-ja e pranon shumë mirë, por ata i shesin armë, mbajnë takime dhe nuk shohin asnjë problem", deklaroi ai.
Më tej Hoxhiq shprehu shpresën e tij se diçka do të dalë nga hetimi në Itali, duke thënë se qytetarët e zakonshëm nuk dinë si t'i kërkojnë të drejtat e tyre. Ai tha se do të vazhdojë luftën e tij dhe nuk do të dorëzohet.
"Për sa kohë që jetoj, për sa kohë që marr frymë, do të luftoj për këtë vend, për të vërtetën. Nuk do të dorëzohem kurrë. Kjo është arsyeja pse ata nuk do të jenë në gjendje të flenë të qetë", u shpreh Hoxhiq.
Snajperët që vrasin njerëz në rrethimin e Sarajevës
Imazhe të reja dolën në vitin 2021 të snajperëve serbë që shënjestronin civilët në Sarajevë gjatë luftës së viteve 1992-1995 në BeH. Imazhet në fjalë u kujtuan boshnjakëve ditët e dhimbshme të së kaluarës.
Sarajeva u sulmua më 6 prill 1992. Gjatë rrethimit 3.5-vjeçar të qytetit, i cili ishte i rrethuar nga trupat serbe dhe bombardohej çdo ditë, u vranë 11.541 civilë, përfshirë 1.601 fëmijë ndërsa objektet historike, kulturore dhe infrastruktura e qytetit u dëmtuan rëndë. /AA/
Tri ditë më parë, në lagjen Oaza të Mostarit u gjet një pajisje shpërthyese e mbetur nga Lufta e Dytë Botërore.
Dhe sipas mediave vendase, përcjell Telegrafi, ekipi i çminimit i Administratës Federale të Mbrojtjes Civile përcaktoi se ishte një bombë aeroplani AN64, me peshë rreth 226 kilogramë.
Bomba ndodhet në një zonë të dendur të populluar dhe përbën rrezik për jetën dhe pronën e popullsisë.
Si rezultat edhe do të fillojë neutralizimi dhe shkatërrimi i saj i sigurt.
Në këtë drejtim, Departamenti i Mbrojtjes Civile dhe Zjarrfikësve i Këshillit Kombëtar ka thënë se do të zbatohen masa sigurie, të tilla si evakuimi i popullsisë brenda një rrezeje prej 150 metrash dhe ndërprerja e të gjitha lëvizjeve brenda një rrezeje prej 300 metrash nga vendi ku u gjet bomba.
Ndërkohë, theksohet se publiku do të informohet për kohën e saktë të fillimit të operacionit të neutralizimit të bombës dhe dinamikën e evakuimit të qytetarëve.
"U kërkojmë qytetarëve të kuptojnë dhe të zbatojnë udhëzimet e shërbimeve kompetente në mënyrë që të sigurohet siguria e të gjithë banorëve", është thënë në një njoftim të autoriteteve. /Telegrafi/