Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se ai do të jetë personi që do të japë fjalën e fundit për një marrëveshje paqeje midis Rusisë dhe Ukrainës.
Në një intervistë me Politico, Trump tha se, pavarësisht çdo gjëje që Zelensky propozon kur të takohen në Mar-a-Lago të dielën, presidenti ukrainas "nuk ka asgjë derisa Trump ta miratojë”.
"Kështu që do të shohim se çfarë ka", tha Trump.
Zelensky tha se plani i tij i ri prej 20 pikash për paqen përfshin një zonë të demilitarizuar të propozuar me një kusht kyç: Rusia do të duhet të tërheqë forcat e saj nga një shtrirje përkatëse toke në Donetsk.
Zyrtarët ukrainas e kanë përshkruar planin si “një përpjekje për të treguar fleksibilitet pa lëshuar territor.
Trump dukej optimist për takimin me Zelenskyn, duke thënë: “Mendoj se do të shkojë mirë me të. Mendoj se do të shkojë mirë me Vladimir Putinin.”
Trump shtoi se “do të flasë me udhëheqësin e Rusisë së shpejti”.
Takimi i së dielës pritet të përqendrohet në garancitë e sigurisë, menaxhimin e centralit bërthamor Zaporizhzhia, plus kontrollin territorial të Donbasit, të cilin Moska e ka pretenduar. /Telegrafi/
Në fjalimin e tij tradicional drejtuar ukrainasve në prag të Krishtlindjeve, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se bashkatdhetarët e tij kanë një dëshirë ndërsa "qiejt hapen" këtë natë - vdekjen e presidentit rus Vladimir Putin.
"Që nga kohërat e lashta, ukrainasit kanë besuar se natën e Krishtlindjeve, qielli hapet. Dhe nëse ua tregoni ëndrrën tuaj, ajo me siguri do të bëhet realitet. Sot, të gjithë ndajmë një ëndërr. Dhe kemi një dëshirë - për të gjithë ne", tha Zelensky.
"U shkatërroftë, mund të mendojë secili prej nesh me vete", deklaroi udhëheqësi ukrainas, duke iu referuar Putinit pa e përmendur emrin e tij.
"Por kur i drejtohemi Zotit, sigurisht, kërkojmë diçka më të madhe", shtoi ai.
"Ne kërkojmë paqe për Ukrainën. Ne luftojmë për të. Dhe lutemi për të. Dhe e meritojmë", tha Zelensky, duke shtuar se ukrainasit dëshirojnë që çdo familje të jetojë në harmoni dhe që çdo fëmijë të gëzohet me dhurata, buzëqeshje dhe besim në mirësi dhe mrekulli.
Që nga nisja e pushtimit të saj në shkallë të plotë në fillim të vitit 2022, Rusia e ka përdorur periudhën e Krishtlindjeve për të nisur sulme të mëdha ndaj Ukrainës në vend që të bjerë dakord për armëpushime.
Më 25 dhjetor 2022, gjatë Krishtlindjeve të para të luftës totale në Ukrainë, Moska nisi një sulm të madh me raketa dhe dronë që synonte infrastrukturën energjetike, i cili shkaktoi ndërprerje të mëdha të energjisë dhe viktima civile. /Telegrafi/
Me ndryshimin e fundit të politikave të administratës Trump në Bosnje dhe Hercegovinë dhe me publikimin e Strategjisë së re të Sigurisë Kombëtare më herët këtë muaj, paqartësia mbi politikën amerikane ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor ka marrë fund. Çështja është nëse Bashkimi Evropian – qendra de facto e gravitetit e botës demokratike të mbetur […]
Nga: Rajan Menon / The Guardian Përkthimi: Telegrafi.com
Konferenca maratonë për shtyp e Vladimir Putinit më 19 dhjetor, një ngjarje e përvjetshme në fund të vitit, nuk ofroi asnjë dëshmi se Rusia mund të braktisë qëllimet të cilat presidenti i vendosi për “operacionin e posaçëm ushtarak” kundër Ukrainës në shkurt të vitit 2022: pushtimin e Donjeckut, Luhanskut, Zaporizhias dhe Hersonit. Si gjithmonë, Putini nuk u duk i shqetësuar nga fakti se, pothuajse katër vjet pas nisjes së luftës, ushtria e tij kishte arritur të pushtonte plotësisht vetëm Luhanskun - ndonëse kishte marrë nën kontroll më shumë se një të tretën e atij rajoni, si dhe Donjeckun, që në vitin 2015.
Qëndrimi i palëkundur i Putinit nuk duhet të jetë befasues. Menjëherë pas pushtimit, Duma e Shtetit të Rusisë miratoi legjislacionin për përfshirjen e këtyre katër rajoneve ukrainase në përbërje të Rusisë - dhe, këtë muaj, ministri i Jashtëm, Sergey Lavrov, dhe zëvendësministri i Jashtëm, Sergei Ryabkov, ripohuan pretendimet territoriale të Putinit.
Paaftësia e Rusisë për të lëvizur nga pozicioni i saj bie në kundërshtim me përpjekjet e dëshpëruara të Donald Trumpit për të arritur një zgjidhje politike deri në Krishtlindje. Për të përmbushur këtë afat të përcaktuar, Trumpi madje përpiqet ta detyrojë Volodymyr Zelenskyyn të dorëzojë pjesët e Donjeckut të cilat Ukraina ende i mban. Edhe pse Zelenskyy refuzoi, ai u tregua i gatshëm të braktiste përpjekjen disavjeçare të Ukrainës për anëtarësim në NATO dhe të pranonte neutralitetin - në këmbim të garancive të fuqishme të sigurisë nga Perëndimi.
Ky ndryshim nga ana e Zelenskyyt nuk do ta zbus Putinin. Shqetësimi i kahershëm - dhe i kuptueshëm - i Rusisë për zgjerimin e NATO-s i paraprin kësaj. Por, lufta e Putinit në vitin 2022 buron nga diçka më e thellë, pasi nuk ka prova që Ukraina ishte më pranë anëtarësimit zyrtar në aleancë në prag të pushtimit të Rusisë - sesa ishte në vitin 2008, kur NATO, në samitin e saj në Bukuresht, deklaroi se Ukraina do të bëhej anëtare në një të ardhme të pacaktuar.
Ashtu si në vitin 2008, vendet e NATO-s mbeten të ndara për kandidaturën e Ukrainës - madje edhe më shumë. Kjo ka rëndësi: neni 10 i traktatit themelues të NATO-s të vitit 1949, kërkon unanimitet për pranimin e anëtarëve të rinj. Kur NATO vërtet dëshiron të rrisë anëtarësinë, ajo vepron me shpejtësi: vëreni pranimin e shpejtë të Finlandës (prill 2023) dhe Suedisë (mars 2024), të cilat aplikuan për anëtarësim në maj 2022. Për të shpjeguar motivimin e Putinit për të pushtuar Ukrainën, duhet të marrim parasysh ankesat e rrënjosura në histori.
Ai ka deklaruar, në mënyrë të përsëritur dhe të zgjatur, se ukrainasit dhe rusët kanë qenë një popull për shekuj të tërë; se ndarja e tyre në dy shtete, pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, ishte një tragjedi; se Jugu dhe Lindja e Ukrainës, të banuara nga një numër i madh rusësh etnikë apo ukrainasish me gjuhë amtare ruse, i përkasin me të drejtë Rusisë. Me pak fjalë, Putini beson se Rusia është plaçkitur.
Megjithatë, në konferencën për shtyp, Putini përgëzoi Trumpin për “sinqeritetin absolut” në nisjen e negociatave për t’i dhënë fund luftës, duke shtuar se Rusia mbetet e angazhuar ndaj tyre dhe do ta ndalojë ofensivën ushtarake për sa kohë që interesat e saj merren seriozisht.
Lëvdatat e Putinit kanë një qëllim - dhe një objektiv të ndjeshëm. Trumpi ka lavdëruar “gjenialitetin” e Putinit. Ai, si Putini, ka fajësuar Ukrainën për nisjen e luftës. Ai kërkon një afrim me Rusinë që përfshin investime të përbashkëta multi-miliardë dollarëshe. Ka mbështetur kërkesën e Putinit që Zelenskyy të mbajë zgjedhje, pavarësisht luftës, për të demonstruar legjitimitetin e tij demokratik. Ai, si Putini, përçmon Evropën dhe do të preferonte një marrëveshje që i lë evropianët (dhe ukrainasit) të anashkaluar. Të gjitha këto janë arsye se përse Putini përpiqet ta josh Trumpin dhe të thellojë përçarjen mes ShBA-së dhe Evropës.
Përkundër qëndrimeve të përbashkëta dhe simpatinë e Trumpit për Rusinë, ai ende nuk ka bërë një marrëveshje që i përshtatet Putinit. Nëse nuk e bën, gjakderdhja do të vazhdojë. Ukraina ka paguar tashmë një çmim të tmerrshëm - dhe kjo nuk është për t’u habitur: ajo është pala shumë më e dobët. E habitshme është humbja masive e ushtrisë ruse - në njerëz dhe pajisje. Ekonomia e Rusisë gjithashtu është nën stres të vazhdueshëm dhe mezi po rritet, megjithëse nuk është në rrezik kolapsi. Por, vuajtjet e rusëve, për të mos përmendur ato të ukrainasve, nuk do të kenë rëndësi për sa kohë që Putini beson se objektivat e tij janë ende të arritshëm - në tryezën e bisedimeve, duke bindur Trumpin të vazhdojë presionin ndaj Zelenskyyt, apo në fushëbetejë.
Ndërkohë, BE-ja ka ndërmarrë një hap të madh që do të ulë gjasat që Rusia të fitojë shpejt në cilindo drejtim, duke siguruar që arkat e Kievit të mos mbeten bosh. Krerët e bllokut kishin shpresuar të përdornin interesin e fituar nga 210 miliardë euro në asete të ngrira ruse për të ndihmuar Ukrainën. Megjithëse ky plan dështoi për shkak të kundërshtimit të hapur të disa shteteve anëtare të BE-së dhe hezitimeve të të tjerëve, BE-ja arriti të gjente një zgjidhje tjetër. Ajo do të marrë hua 90 miliardë euro për të mbështetur Ukrainën për dy vjet - dhe, pa detyrim kthimi përveçse nëse Rusia paguan dëmshpërblime, diçka që askush nuk e pret.
Media u fokusua te mosmarrëveshjet brenda BE-së për asetet e ngrira ruse, por ajo që ka rëndësi vërtet është se një bllok prej 27 shtetesh sovrane, shpesh të vështira për t’u menaxhuar, arriti të sigurojë fondet për të shmangur kolapsin e Ukrainës. Ashtu siç fjalët e Putinit sigurojnë vazhdimin e luftës, edhe veprimet e BE-së bëjnë të njëjtën gjë. Vendimi i BE-së është gjithashtu i rëndësishëm, sepse tregon gatishmërinë e Evropës për të vepruar në mënyrë të pavarur lidhur me luftën, edhe nëse kjo nënkupton largimin nga ShBA-ja.
Në gusht, Trumpi deklaroi se amerikanët nuk kanë ndonjë interes në luftën e Ukrainës, pasi ndodhen larg saj, “përtej një oqeani të madh dhe të bukur”. Evropa nuk e gëzon këtë luks gjeografik. Kjo, së bashku me Strategjinë e re të Sigurisë Kombëtare të Trumpit, e cila e përshkruan kontinentin si një vend të zhytur në probleme dhe për rrjedhojë me rëndësi në venitje për ShBA-në, mund t’i ketë bindur udhëheqësit evropianë të veprojnë më të pavarur.
Duke qenë se Trumpi pezulloi gjithë ndihmën e drejtpërdrejt ushtarake për Kievin, në mars, ndihma vetëm nga Evropa mund të mos mjaftojë për të qenë të sigurt që ukrainasit të arrijnë një paqe të cilën ata e konsiderojnë të drejtë. Por, kjo ka qenë një luftë e mbushur me befasi, dhe më e madhja prej tyre është që ushtria e Ukrainës ende nuk është mposhtur.
Evropa ia ka hedhur Ukrainës një jelek shpëtimi, por nuk duhet të kemi iluzione. Ukraina do të vazhdojë të luftojë me shpinë për muri kundër një armiku që ka më shumë në secilin burim të rëndësishëm për luftën - dhe lideri i të cilit e barazon “kompromisin” me kapitullimin e kundërshtarit. Në mungesë të një ndryshimi të papritur të pozicionit të Rusisë mbi çështjen territoriale, Trumpit do t’i mohohet dhurata e Krishtlindjes të cilën aq shumë e dëshiron. Ndonëse secili në mënyrën e vet, konferenca për shtyp e Putinit dhe paketa e huas së BE-së për Ukrainën, sigurojnë që lufta do të vazhdojë edhe vitin e ardhshëm. /Telegrafi/
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i tha botës se duhet të ushtrojë më shumë presion mbi presidentin rus Vladimir Putin për t'i dhënë fund luftës, pasi tha se forcat e Moskës kishin nisur një sulm "masiv" gjatë natës së të martës me qindra dronë dhe dhjetëra raketa, duke shkaktuar të paktën tre vdekje, përfshirë një vajzë të vogël.
"Ky sulm rus dërgon një sinjal jashtëzakonisht të qartë në lidhje me prioritetet e Rusisë. Një sulm përpara Krishtlindjeve, kur njerëzit duan thjesht të jenë me familjet e tyre, në shtëpi, në siguri", tha Zelensky në një postim në Telegram, fillimisht në gjuhën ukrainase.
"Një sulm i kryer virtualisht në mes të negociatave që synojnë t'i dhënë fund kësaj lufte. Putini nuk mund ta pranojë nevojën për të ndaluar vrasjet. Dhe kjo do të thotë që bota nuk po ushtron mjaftueshëm presion mbi Rusinë. Nevojitet veprim tani. Rusia duhet të detyrohet drejt paqes dhe sigurisë së garantuar", shtoi ai, transmeton Telegrafi.
Një grua vdiq në rajonin e Kievit dhe një person tjetër në Khmelnytskyi. Një vajzë katërvjeçare vdiq në Zhytomyr kur një ndërtesë banimi u godit nga një dron.
Zelensky tha se sulmi goditi infrastrukturën energjetike dhe civile. Ai më parë kishte propozuar një armëpushim për Krishtlindje mbi sulmet energjetike për të mbrojtur civilët në të dyja anët nga ndërprerjet e energjisë dhe shtëpitë e pa ngrohura gjatë muajve të hidhur të dimrit, të cilin Rusia e hodhi poshtë.
Kremlini ka përjashtuar vazhdimisht armëpushimet e përkohshme, duke thënë se Ukraina do të përdorte një pauzë për t'u riorganizuar dhe riarmatosur ndërsa po humbet në fushën e betejës.
Në vend të kësaj, Rusia thotë se dëshiron që një marrëveshje paqeje që i jep fund luftimeve të jetë gjithëpërfshirëse dhe e përhershme.
Gjatë sulmit të fundit rus ndaj Ukrainës, aleati fqinj i NATO-s, Polonia, ngriti në ajër avionë luftarakë.
Polonia gjithashtu vendosi sistemet e mbrojtjes ajrore tokësore dhe të zbulimit me radar në "gjendjen më të lartë të gatishmërisë" për të mbrojtur territorin e NATO-s, tha ushtria e Varshavës.
Më herët gjatë vitit, Polonia rrëzoi ato që i quajti dronë rusë që shkelnin hapësirën e saj ajrore. /Telegrafi/
Politikani gjerman i ekstremit të djathtë, Ringo Mühlmann, ka treguar një interes të jashtëzakonshëm në ekspozimin e informacionit që kundërshtarët e tij politikë thonë se mund të jenë me interes të madh për inteligjencën ruse, shkruan Politico.
Duke përdorur të drejtat që i janë dhënë si ligjvënës për Alternativën për Gjermaninë (AfD) në parlamentin e shtetit lindor gjerman të Turingisë - ku AfD është partia më e fortë - Mühlmann i ka kërkuar vazhdimisht qeverisë rajonale të zbulojë detaje të ndërlikuara mbi tema të tilla si mbrojtja lokale nga dronë dhe transportet perëndimore të armëve në Ukrainë, transmeton Telegrafi.
"Çfarë informacioni ka qeveria e shtetit në lidhje me shkallën e transporteve ushtarake tranzit përmes Turingisë që nga viti 2022 (të ndara sipas vitit, llojit të transportit [rrugor, hekurudhor], numrit të tranziteve dhe ndalesave të njohura)", pyeti Mühlmann me shkrim në shtator.
Një ditë në qershor, Mühlmann - i cili mohon se po bën urdhrat e Rusisë - paraqiti tetë kërkesa në lidhje me dronët dhe aftësitë mbrojtëse të policisë së rajonit nga dronë, të cilët janë përgjegjës për zbulimin dhe mbrojtjen nga dronë që konsiderohen kërcënim spiunazhi.
“Çfarë sistemesh teknike për mbrojtjen nga dronë janë të njohura për policinë e Tyringisë (p.sh., bllokues, lëshues rrjetash, pajisje me pulse elektromagnetike) dhe deri në çfarë mase janë testuar këto për përdorshmërinë e tyre në zbatimin e ligjit”, pyeti Mühlmann.
Pyetje të tilla nga ligjvënësit e AfD-së në parlamentet shtetërore dhe federale, i kanë shtyrë qendrorët gjermanë të akuzojnë ligjvënësit e partisë së ekstremit të djathtë se përdorin vendet e tyre për të provuar të ekspozojnë informacione të ndjeshme që Moska mund të përdorë në luftën e saj kundër Ukrainës, dhe për të ndihmuar në kryerjen e të ashtuquajturës “luftë hibride” kundër Evropës.
“Nuk mund të mos krijohet përshtypja se AfD po punon me një listë detyrash që i janë caktuar nga Kremlini me hetimet e saj”, tha për gazetën gjermane Handelsblatt, Ministri i Brendshëm i Tyringisë, Georg Maier, një anëtar i Partisë Social Demokratike (SPD) të qendrës së majtë.
“Ajo që më bëri përshtypje ishte një interes i jashtëzakonshëm për infrastrukturën kritike dhe autoritetet e sigurisë këtu në Tyringia, veçanërisht se si ato merren me kërcënimet hibride”, tha më pas Maier për Politico.
“Papritmas, çështjet gjeopolitike po luajnë një rol në pyetjet e tyre, ndërsa ne në parlamentin e shtetit të Tyringisë nuk jemi përgjegjës për politikën e jashtme apo politikën e mbrojtjes”, shtoi ai.
Udhëheqësit e AfD-së shpesh marrin qëndrime të favorshme për Kremlinin, duke favorizuar një ripërtëritje të lidhjeve ekonomike dhe importeve të gazit dhe një ndërprerje të ndihmës për armët për Ukrainën.
Megjithatë, kundërshtarët e tyre politikë i kanë akuzuar shpesh ata se veprojnë jo vetëm nga bindja - por me urdhër të Moskës. Ligjvënësja e të Gjelbërve, Irene Mihalic, për shembull, muajin e kaluar e quajti partinë "kalin e Trojës" të presidentit rus Vladimir Putin në Gjermani.
Politikanët e AfD-së mohojnë akuzat se po përdorin fuqinë e tyre parlamentare në rritje, si në nivel kombëtar ashtu edhe në shtetet e Gjermanisë për të provuar t'i kalojnë Kremlinit informacione të ndjeshme.
Tino Chrupalla, një nga udhëheqësit kombëtarë të AfD-së, kundërshtoi me forcë akuzat se partia e tij po përpiqet të zbulojë rrugët e furnizimit me armë në dobi të Kremlinit.
"Qytetarët kanë frikë të ligjshme për atë që shohin dhe përjetojnë në autostrada çdo mbrëmje", tha ai në një emision bisedash muajin e kaluar kur u pyet për pyetjet e Mühlmann.
“Këto janë të gjitha pyetje legjitime nga një anëtar i parlamentit i cili është i shqetësuar dhe që i merr seriozisht shqetësimet dhe nevojat e qytetarëve. Po bëni aludime, gjë që është mjaft e pabesë; po na akuzoni për gjëra që nuk mund t’i provoni kurrë”, shtoi ai.
Mühlmann, një ish-oficer policie, duke folur për Politico, mohoi se po ndjek një listë detyrash “në drejtim të Rusisë”.
Ministrat e qeverisë, ndërsa janë të detyruar t’i përgjigjen çdo hetimi parlamentar, nuk janë të detyruar të zbulojnë informacione të ndjeshme ose të klasifikuara që mund të rrezikojnë sigurinë kombëtare, argumentoi gjithashtu Mühlmann.
“Nuk më takon mua të kufizoj pyetjet e mia, por ministrit t’i japë përgjigjet”, tha ai.
“Nëse në një moment një përgjigje e tillë përbën rrezik ose çon në spiunazh, atëherë spiunazhi nuk është faji im, por i ministrit, sepse ai ka zbuluar informacione që nuk duhej t’i kishte zbuluar”, shtoi ai.
Marc Henrichmann, një ligjvënës konservator dhe kryetar i një komisioni të posaçëm në Bundestagun e Gjermanisë që mbikëqyr shërbimet e inteligjencës së vendit, tha se ndërsa qeveria nuk është e detyruar të zbulojë informacione të klasifikuara ose shumë të ndjeshme në përgjigjet e saj ndaj pyetjeve parlamentare, shërbimet e inteligjencës ruse ende mund të mbledhin njohuri të vlefshme nga vëllimi dhe shumëllojshmëria e pyetjeve të AfD-së. /Telegrafi/
Në Rusi ka vdekur një përfaqësues i industrisë serbe të armatimit.
Nga zyra e tij janë zhdukur dokumente dhe pajisje për ruajtjen e të dhënave, por autoritetet e Moskës heshtin.
Beogradi kërkon sqarime - dhe supozimet mbi këtë rast po vlojnë, shkruan gazeta zvicerane “Tages Anzeiger”.
Pavarësisht nëse bëhet fjalë për helm në çaj, të shtëna në rrugë apo rënie nga dritarja: vdekja e menaxherëve dhe opozitarëve rusë ndjek një rutinë mizore.
Vitet e fundit, karrierat e shumë kritikëve të Kremlinit përfunduan pas aksidenteve të supozuara ose vetëvrasjeve të papritura, prapaskenat e të cilave kryesisht mbetën në errësirë.
Tani, kjo kronikë e zymtë është pasuruar me një episod tjetër.
Radomir Kurtiq, tregtar serb armësh, vdiq në mes të nëntorit në mes të një rruge në Moskë.
Rasti u bë i ditur javën që shkoi, njofton gazeta zvicerane “Tages Anzeiger”.
Rrethanat e vdekjes së tij mbeten të pasqaruara deri më sot, ndërsa thashethemet po vlojnë.
Kurtiq drejtonte përfaqësinë në Moskë të kompanisë shtetërore serbe të armatimit, Jugoimport-SDPR.
Bie në sy fakt se lajmi u përhap fillimisht nga mediat e afërta me qeverinë në Serbi.
Ato flasin për një rast vdekjeje të dyshimtë dhe raportojnë se shërbimet sekrete serbe kanë informuar tashmë presidentin Aleksandar Vuçiq.
Vuçiq deklaroi për televizionin shtetëror RTS se disponon më shumë informacione sesa janë bërë publike deri më tani.
Njëkohësisht, autokrati serb theksoi se nuk dëshiron të marrë pjesë në “përhapjen e dyshimeve dhe teorive konspirative”.
Si Vuçiq, ashtu edhe mediat e Beogradit konfirmuan se një komision hetimor i Jugoimport-SDPR ka inspektuar zyrën e Kurtiqit në Moskë.
Gjatë këtij inspektimi është konstatuar se mungonin dosje dhe pajisje për ruajtjen e të dhënave të kompujterit.
Autoritetet serbe janë veçanërisht të irrituara nga heshtja e palës ruse; deri më tani nuk është dërguar asnjë raport mjeko-ligjor. Kjo rezervë alarmon jo vetëm udhëheqjen politike në Beograd.
Eksperti serb i sigurisë, Nikola Luniq, u shpreh për gazetën “Blic” të Beogradit se bëhet fjalë për një “mesazh brutal politik” të Moskës drejtuar Serbisë.
Në pranverë, shërbimi i inteligjencës së jashtme ruse (SVR) kishte akuzuar të paktën shtatë kompani serbe të armatimit - përfshirë mbi të gjitha Jugoimport-SDPR - se kanë furnizuar Ukrainën me armë dhe municione përmes shteteve të treta në Evropën Perëndimore.
Forcat e armatosura ukrainase duket se kanë marrë qindra mijëra predha dhe miliona fishekë të prodhimit serb që nga sulmi i madh rus në vitin 2022.
Udhëheqja e SVR-së, pasardhëse e KGB-së sovjetike, e akuzoi Serbinë për një “goditje pas shpine”.
Dëshira e prodhuesve serbë të armëve për t'u pasuruar me gjakun e “popujve vëllezër sllavë” i kishte bërë ata të harronin se cilët ishin miqtë e tyre të vërtetë - ky ishte mesazhi nga Moska.
Sipas një raporti të “Financial Times”, Serbia ka përfituar rreth 800 milionë euro vetëm nga dërgesat e armëve për Ukrainën.
Pas kritikave të ashpra nga Moska, Vuçiq bëri një kthesë më 23 qershor dhe deklaroi se Serbia kishte ndaluar të gjitha eksportet e armëve.
Por hulumtimet e rrjetit investigativ ballkanik BIRN si dhe të gazetës izraelite “Haaretz” paraqesin një tablo tjetër.
Sipas raporteve, po atë ditë një aeroplan transporti Boeing-747 u ul në Beograd, për t’u nisur 24 orë më vonë drejt bazës ajrore izraelite Nevatim.
I pyetur se çfarë ngarkese kishte në bord, Vuçiq u përgjigj: “As në ëndërr nuk më shkon ndërmend të tregoj se çfarë është nisur apo çfarë është ulur atje”.
Vetëm në gjysmën e parë të këtij viti, Serbia dërgoi municione në vlerë prej 55,5 milionë eurosh në Izrael; vitin e kaluar vlera ishte 47,9 milionë euro. Që nga viti 2020, eksportet serbe të armëve janë katërfishuar.
Ndër blerësit më të mëdhenj bëjnë pjesë Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabia Saudite, Qiproja dhe SHBA-ja.
Paralelisht me këtë, Serbia investon më shumë në forcat e saj të armatosura se çdo vend tjetër i Ballkanit Perëndimor.
Sipas të dhënave të Institutit të Stokholmit për Kërkimin e Paqes (SIPRI), midis viteve 2020 dhe 2024 Serbia e bleu pjesën më të madhe të armëve nga Kina, e ndjekur nga Rusia dhe Franca.
Radomir Kurtiq, i cili vdiq në Moskë, ishte ndër të tjerash përgjegjës për blerjen e armëve ruse për forcat e armatosura serbe, shkruan gazeta zvicerane “Tages Anzeiger”. /Telegrafi/
Presidenti rus Vladimir Putin është i gatshëm të angazhohet në dialog me homologun e tij francez Emmanuel Macron, nëse ekziston vullnet politik nga të dyja palët. Këtë e bëri të ditur zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov, për agjencinë shtetërore ruse të lajmeve RIA. Deklarata vjen pasi Macron u shpreh se është i hapur për të […]
Shërbimet amerikane të inteligjencës paralajmërojnë se diktatori rus, Vladimir Putin është i fokusuar në pushtimin e gjithë Ukrainës dhe “rikthimin” e vendeve që dikur i përkisnin Bashkimit Sovjetik.
Ndër ta janë shtetet baltike, të cilat tani janë anëtare të NATO-s, shkruan reuters.
Pavarësisht përpjekjeve të negociatorëve për të ndalur luftën, Putin nuk ka asnjë qëllim ta përfundojë atë - në vend të kësaj, ai ëndërron të fitojë territore të reja.
Raportet e inteligjencës kundërshtojnë pohimet e presidentit amerikan, Donald Trump dhe përfaqësuesve të tij, të cilët thonë se Putin dëshiron të përfundojë konfliktin.
Inteligjenca gjithashtu hedh poshtë deklaratat e Putinit se ai nuk paraqet kërcënim për Evropën.
Ndryshe, shefi i inteligjencës ukrainasve, Kyrylo Budanov ka deklaruar se Rusia do ta sulmojë vendet baltike deri në vitin 2027. /Telegrafi/
Presidenti rus, Vladimir Putin duket se po teston durimin e homologut turk, Recep Tayyip Erdogan.
Një UAV i paidentifikuar është rrëzuar në një fushë të zbrazët në distriktin Manyas të Balıkesir-it, Turqi.
Droni është dërguar në Ankara për analizë teknike.
Ndërkohë po hetohet origjina ruse e tij (përfshirë Orlan-10), pas një aksidenti të ngjashëm në İzmit një ditë më parë.
Kujtojmë se edhe gjatë ditës së djeshme ka rënë në shtetin turk një dron i prodhimit rus, raportojnë mediat.
— (@)
Ndryshe, fluturakja është identifikuar si një dron i zbulimit rus Merlin-VR - një platformë ISR (Intelligence, Surveillance, Reconnaissance) me rreze të gjatë dhe me nivel të ulët zhurme.
Ky dron ka aftësinë të mbulojë distanca deri në 600 kilometra dhe ka autonomi fluturimi prej rreth 10 orësh, duke e bërë një mjet të efektshëm për mbledhjen e informacionit në distanca të largëta.
Merlin-VR lëshohet përmes një katapulte dhe rikuperohet duke përdorur një parashutë, gjë që e bën të përshtatshëm për operacione të ndryshme dhe terrene të vështira.
Ai është i pajisur me sensorë elektro-optikë (EO) që mund të mbajnë deri në 7 kilogramë pajisje, duke mundësuar mbikëqyrje dhe mbledhje informacioni me saktësi të lartë.
Që nga viti 2022, ky dron ka pësuar humbje të shumta nga mbrojtja ajrore ukrainase dhe interceptues FPV, duke treguar sfidat që has në mjedise të mbrojtura.
Një dron i tillë ka një vlerë rreth 300 mijë dollarë, gjë që e bën humbjen e tij një kosto të konsiderueshme. /Telegrafi/
Presidenti rus, Vladimir Putin, e nisi paraqitje e tij vjetor duke folur me vetëbesim për pozicionin e Rusisë në fushëbetejë në luftën në Ukrainë dhe nuk dha asnjë sinjal se Moska është e gatshme të bëjë lëshime thelbësore për hir të paqes.
Ngjarja për rezultatet e vitit 2015, e mbajtur më 19 dhjetor përfshin një konferencë për media me pyetje nga qytetarët rusë, por që janë shqyrtuar paraprakisht.
Kjo ngjarje u zhvillua në kohën kur presidenti amerikan, Donald Trump, po shtyn përpara përpjekje diplomatike për të ndërmjetësuar paqen, gati katër vjet pasi Putini nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës.
“Trupat tona po përparojnë përgjatë gjithë vijës së kontaktit. Në disa vende me ritëm më të shpejtë, në të tjera më ngadalë. Por, në të gjitha drejtimet armiku po tërhiqet”, tha Putin vetëm pak minuta pas fillimit të paraqitjes së transmetuar nga televizonet në Moskë, që përcillet brenda dhe jashtë Rusisë për mesazhet që jepen mbi qëllimet e Kremlinit.
Presidenti rus Vladimir Putin, do t’u përgjigjet pyetjeve të gazetarëve dhe qytetarëve sot në konferencën e tij vjetore për shtyp për të rishikuar vitin e kaluar, ndërsa përpjekjet diplomatike intensifikohen për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, shkruajnë mediat e huaja. Putin,i cili ka qenë në pushtet për 25 vjet, e ka mbajtur këtë konferencë […]
Presidenti rus, Vladimir Putinin ka mbajtur fjalimin vjetor televiziv duke u takuar me gazetarët dhe ka akuzuar Ukrainën për “refuzimin e përfundimit të këtij konflikti me mjete paqësore”.
Madje, ai pretendon se qeveria në Kiev “filloi luftën në lindje të Ukrainës” në vitin 2022, duke thënë se Ukraina duhej të kishte lënë “njerëzit të lirë të zgjidhnin mënyrën e jetesës në atë pjesë të Ukrainës”.
“Ata nuk donin t’u lejonin atë atëherë”, shton ai, raporton skynews.
Natyrisht, Rusia nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022 - me qeverinë e Putinit që e quante atë “operacion të veçantë ushtarak”.
Putin’s peace terms laid out in June 2024:
Ukraine must withdraw from all of Donetsk, Luhansk, Kherson, and Zaporizhzhia (full regions).
Give up NATO, accept neutrality and demilitarization, and agree to vague “denazification.”
Duke folur në ngjarjen televizive, Putin thotë se Rusia gjithmonë ka dashur të përfundojë konfliktin “me mjete paqësore” – pavarësisht pushtimit të Rusisë dhe sulmeve mbi qytetet dhe fshatrat e Ukrainës.
Kushtet e paqes së Putinit:
Ukraina duhet të tërhiqet nga të gjitha rajonet e Donetskut, Luhanskut, Khersonit dhe Zaporizhias (të gjithë rajonet).
Duhet të heq dorë nga NATO, të pranojë neutralitetin dhe demilitarizimin, dhe të pajtohet me një “denazifikim” .
Perëndimi duhet të heqë të gjitha sanksionet dhe Krimeja duhet të njihet si territor rus.
Ai gjithashtu pretendon se “armiku po tërhiqet” në të gjitha drejtimet dhe se “iniciativa strategjike” u zhvendos drejt Rusisë kur forcat e saj dëbuan trupat ukrainase nga rajoni rus i Kurskut./Telegrafi/
Zyrtarët amerikanë dhe rusë pritet të takohen në Miami këtë fundjavë, si pjesë e përpjekjeve të administratës Trump për t'i dhënë fund gati katër viteve të luftës midis Kievit dhe Moskës, sipas dy personave të njohur me çështjen, shkruan Politico.
Ndërsa përpjekjet e presidentit Donald Trump për t'i dhënë fund luftimeve kanë dështuar, SHBA-të kanë shtuar presionin mbi Ukrainën për të bërë lëshime që do t'i jepnin fund luftës, transmeton Telegrafi.
Planet mbeten në ndryshim e sipër, por nëse ato zhvillohen këtë fundjavë, administrata do t'ua paraqesë rezultatin e raundit më të fundit të diskutimeve zyrtarëve rusë, të cilët nuk kanë ndryshuar shumë në kërkesat e tyre.
Delegacioni rus pritet të përfshijë kreun e fondit sovran të pasurisë së Rusisë, Kirill Dmitriev, sipas njërit prej personave të njohur me çështjen.
Të dy personave iu dha anonimiteti për të diskutuar planet për raundet e ardhshme të bisedimeve të ndjeshme. I dërguari special i administratës Trump, Steve Witkoff, dhe dhëndri i Trump, Jared Kushner, pritet të përfaqësojnë palën amerikane.
Witkoff dhe Kushner më herët këtë javë zhvilluan bisedime maratonë në Berlin me zyrtarë ukrainas dhe evropianë për të rënë dakord mbi garancitë e sigurisë amerikane për Kievin, lëshimet territoriale dhe çështje të tjera, ndërsa Uashingtoni vazhdoi të ushtronte presion mbi Kievin në përpjekjet e tij për t'i dhënë fund luftës.
SHBA-të kanë ofruar një premtim të ndërsjellë mbrojtjeje të ngjashëm me premtimin që u ka bërë anëtarëve të NATO-s, ndërsa Ukraina është tërhequr nga kërkesa e saj për t'u bashkuar menjëherë me aleancën transatlantike.
Zyrtarët e administratës Trump besojnë se Rusia do të pranojë garancitë perëndimore të sigurisë dhe anëtarësimin e Ukrainës në BE në një marrëveshje përfundimtare.
Por presidenti rus Vladimir Putin të mërkurën nuk dha shenja se ishte tërhequr nga dëshira e tij për t'i dhënë fund ekzistencës së Ukrainës si shtet sovran.
Duke folur me zyrtarë të lartë të mbrojtjes në Moskë, ai tha se Rusia nuk do të tërhiqej nga misioni i saj për të "çliruar tokat e saj historike" dhe parashikoi se "derri" evropian që mbështet Kievin përfundimisht do të humbiste pushtetin.
SHBA-të kanë thënë se presin që së shpejti të mbledhin një grup zyrtarësh ushtarakë që mbështesin Ukrainën në SHBA, për të përcaktuar më tej detajet teknike mbi sigurinë dhe territorin. Bisedimet SHBA-Rusi në Miami dukeshin të ishin një përpjekje e veçantë.
Këshilltari ukrainas i sigurisë kombëtare, Rustem Umerov, pritet gjithashtu të takohet me delegacionin amerikan përpara takimit SHBA-Rusi, tha personi i parë i njohur me çështjen, duke shtuar se planet mbeten të paqarta.
Udhëheqësit evropianë kanë kaluar pjesën më të madhe të dy javëve të fundit duke u përpjekur të hartojnë plane specifike për garancitë e sigurisë për Kievin, duke përfshirë një zonë të çmilitarizuar përgjatë vijave aktuale të frontit dhe premtimet për trupa për trajnimin e forcave ukrainase dhe monitorimin e çdo armëpushimi.
Një zyrtar evropian, i cili gjithashtu mbeti anonim për të diskutuar diplomacinë delikate, tha se trupat e koalicionit ka të ngjarë të ngarkohen me detyrën e operimit të avionëve dhe dronëve për të mbikëqyrur vijat e frontit, ndërsa disa trupa do të stacionohen në Ukrainën perëndimore "për të ndihmuar në rindërtimin e forcave ukrainase - jo për të shërbyer në vijën e frontit". /Telegrafi/
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha të mërkurën se Rusia po përgatitej të zhvillonte një "vit të ri lufte" kundër vendit të tij në vitin 2026, pasi homologu i tij Vladimir Putin tha se Moska "me siguri" do t'i arrinte objektivat e saj.
"Sot, dëgjuam një tjetër sinjal nga Moska se ata po përgatiten ta bëjnë vitin e ardhshëm një vit lufte", tha Zelensky në fjalimin e tij të rregullt në mbrëmje, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Deklarata ishte një reagim ndaj Putinit, i cili më parë tha se Rusia do të arrinte qëllimet e saj në ofensivën e saj në Ukrainë, duke përfshirë kapjen e territoreve ukrainase që i pretendon si të vetat, mes një fluksi diplomacie ndërkombëtare për t'i dhënë fund luftës.
"Qëllimet e operacionit special ushtarak me siguri do të arrihen", tha Putin në një takim me zyrtarë të ministrisë së mbrojtjes në Moskë, duke përdorur formulimin e Kremlinit për luftën gati katërvjeçare.
"Ne do të preferonim ta bënim këtë dhe të eliminonim shkaqet rrënjësore të konfliktit përmes diplomacisë", tha ai, duke u zotuar të merrte tokat ukrainase që Rusia pretendon se i ka aneksuar "me mjete ushtarake" nëse "vendi kundërshtar dhe patronët e tij të huaj refuzojnë të angazhohen në diskutime thelbësore".
Komentet agresive të Putinit vijnë ndërsa Ukraina të hënën përshëndeti "progresin" e bërë në çështjen e garancive të sigurisë në të ardhmen për Kievin, pas dy ditësh bisedimesh me të dërguarit e presidentit të SHBA-së Donald Trump në Berlin.
Por sipas Zelenskyt, mbeten dallime në çështjen se cilat territore Ukraina do të duhej t'i lëshonte Rusisë.
Propozimi fillestar i Uashingtonit - i kritikuar nga Ukraina dhe aleatët e saj si tepër i favorshëm për Rusinë - do të kishte parë që Kievi të tërhiqej nga rajoni i saj lindor i Donetskut dhe Shtetet e Bashkuara të njihnin de facto rajonet e Donetskut, Krimesë dhe Luhanskut si ruse. /Telegrafi/
Presidenti rus Vladimir Putin i quajti udhëheqësit evropianë "derra të vegjël" që donin të përfitonin nga rënia e Rusisë.
Duke folur në një takim vjetor me Ministrinë e Mbrojtjes, presidenti rus fajësoi ish-presidentin e SHBA-së, Joe Biden për nisjen "me vetëdije" të luftës në Ukrainë dhe tha se "derrat e vegjël evropianë" mbështetën menjëherë amerikanët.
Evropa donte të merrte mbrapsht "diçka që ka humbur në periudhat e mëparshme historike dhe të hakmerrej" ndaj Rusisë, tha Putin, duke shtuar se këto plane kanë "dështuar plotësisht", shkruan Politico, përcjell Telegrafi.
"Rusia ka demonstruar qëndrueshmërinë e saj në ekonomi, financa, në situatën e brendshme politike të shoqërisë... dhe në sferën e kapacitetit mbrojtës", ka pretenduar Putin.
Putin tha gjithashtu se Rusia është gati për dialog me Evropën, por kjo nuk do të jetë e mundur me grupin aktual të politikanëve evropianë.
Ai vlerësoi ushtrinë ruse, duke thënë se "askush në botë" nuk ka një ushtri aq të mirë sa ajo e Rusisë dhe se tani ajo është "me përvojë në luftë".
Sipas mediave ruse, ish-presidenti rus Dmitriy Medvedev — tani kreu i Këshillit të Sigurisë së Putinit — përdori fjalët “derra të vegjël” për të përshkruar udhëheqësit perëndimorë në kanalin e tij Telegram në vitin 2022.
Komentet e ashpra të Putinit erdhën ndërsa zyrtarët amerikanë pohuan se bisedimet e mëparshme me Ukrainën në Berlin kishin zgjidhur rreth 90% të çështjeve më të vështira.
Por mbeten dyshime të mëdha nëse udhëheqësi rus është i përgatitur të bëjë kompromis mbi kërkesat e tij gjithëpërfshirëse.
Putini ka këmbëngulur vazhdimisht që Kievi të lëshojë pjesët e mbetura të rajonit lindor të Donbasit që janë ende nën kontrollin e Ukrainës - një kërkesë që Shtëpia e Bardhë herë pas here duket se e mbështet, por që Ukraina e ka refuzuar kategorikisht.
Moska gjithashtu ka kërkuar kufizime të rrepta për ushtrinë e Ukrainës, një ndalim për trupat perëndimore në territorin ukrainas dhe një fund të mbështetjes ushtarake perëndimore.
Udhëheqësi rus të mërkurën mohoi gjithashtu se Moska po planifikonte të pushtonte territorin e NATO-s, duke pretenduar në vend të kësaj se aleanca kishte filluar përgatitjet për një përballje të mundshme ushtarake me Rusinë, me synim vitin 2030. /Telegrafi/
Presidenti rus Vladimir Putin ka përdorur tone të ashpra ndaj udhëheqësve europianë, gjatë një takimi vjetor me Ministrinë ruse të Mbrojtjes, duke deklaruar se objektivat e asaj që Moska e quan “operacion special ushtarak” do të përmbushen “pa kushte”. Putin tha se nëse nuk ka gatishmëri për një diskutim thelbësor, Rusia do të vazhdojë veprimet […]
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka paralajmëruar të mërkurën se Moska do të përpiqet të zgjerojë përparimet e saj në Ukrainë nëse Kievi dhe aleatët e tij perëndimorë refuzojnë kërkesat e Kremlinit në bisedimet e paqes.
Ai po ashtu ka bërë të ditur se do të kërkojë zgjerimin e një “zone sigurie neutrale” atje. Putini ka deklaruar se Rusia do t’i arrijë qëllimet e saj në Ukrainë me mjete diplomatike ose ushtarake.
“Së pari, qëllimet e operacionit ushtarak special padyshim do të arrihen. Ne do të preferonim ta bënim këtë dhe t’i adresonim shkaqet rrënjësore të konfliktit përmes diplomacisë”, ka deklaruar Putini.
“Nëse pala kundërshtare dhe patronët e saj të huaj refuzojnë të angazhohen në diskutime thelbësore, Rusia do të arrijë çlirimin e tokave të saj historike me mjete ushtarake. Detyra e krijimit dhe zgjerimit të një zone sigurie tampon do të trajtohet gjithashtu vazhdimisht”, ka shtuar ai.
Nga rajonet e Ukrainës që Rusia i ka pretenduar si territor të vetin, ajo aktualisht kontrollon Krimenë, rreth 90% të rajonit të Donbasit dhe 75% të Khersonit dhe Zaporizhzhisë.
Për më tepër, Rusia mban disa territore në rajonet ngjitur të Kharkiv, Sumy, Dnipropetrovsk dhe Mykolaiv.
Komentet e Putinit sinjalizuan se Moska do të kërkonte përfitime të mëtejshme në disa nga këto fronte.
Teksa lufta ndodhet në një moment kyç, ndërsa presidenti i SHBA-së, Donald Trump, po përpiqet fort për një marrëveshje të shpejtë paqeje, Putini ka thënë se Rusia po përparon në të gjitha frontet.
Por ministri i tij i Mbrojtjes, Andrei Belousov, e ka pranuar se forcat ukrainase po përpiqeshin të rimerrnin kontrollin e qytetit verilindor të Kupiansk – një përpjekje që ai tha se nuk po korr sukses.
Ukraina ka thënë të mërkurën se kishte marrë 90% të qytetit, të cilin Rusia tha se e kishte pushtuar në nëntor.
Putini po ashtu ka thënë se njerëzit në Evropë po indoktrinoheshin me frikën e një lufte me Rusinë dhe akuzoi udhëheqësit e tyre se po nxisin histeri.
“E kam deklaruar vazhdimisht: kjo është një gënjeshtër, një absurditet, një absurditet i pastër në lidhje me ndonjë kërcënim imagjinar rus ndaj vendeve evropiane. Por kjo po bëhet mjaft qëllimisht”, ka thënë ai.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky beson se nëse Moska refuzon të bjerë dakord me kushtet për përfundimin e armiqësive të përpunuara pas bisedimeve me Shtetet e Bashkuara dhe Evropën, do të jetë koha që Donald Trump të ushtrojë presion serioz ndaj Rusisë.
Presidenti u pyet se çfarë do të ndodhte, sipas tij, nëse Ukraina, Shtetet e Bashkuara dhe Evropa finalizonin marrëveshje të caktuara si rezultat i negociatave, dhe Kremlini i refuzonte ato, transmeton Telegrafi.
"Nëse Putini refuzon gjithçka, do të kemi atë që kemi në aeroplan tani. Turbulenca. Po ndodh vërtet tani", bëri shaka Zelensky.
"Por nuk është aq e rëndë krahasuar me luftën, sigurisht. Dhe krahasuar me atë që do të ndodhte nëse Putini do të shkatërronte çdo mundësi dhe gatishmëri diplomatike nga ana e Ukrainës, Evropës dhe Shteteve të Bashkuara", shtoi ai.
Ai vazhdoi duke thënë se në një rast të tillë, do të ishte logjike që SHBA-të të ushtronin presion të fortë ndaj Rusisë dhe të zgjeronin ndihmën për Ukrainën.
"Mendoj se Amerika do të ushtronte presion përmes sanksioneve dhe do të na siguronte më shumë armë nëse ai refuzon gjithçka. Mendoj se kjo do të ishte një kërkesë e drejtë nga ne për amerikanët. Sepse, sipas mendimit tim, logjika është kjo: nëse amerikanët janë të gatshëm t'i ofrojnë Ukrainës garanci sigurie dhe të zbatojnë garanci të forta nëse Putini i shkel ato, atëherë më tregoni sinqerisht se si ndryshon kjo nga një situatë ku Putini thjesht nuk dëshiron t'i japë fund luftës", tha Zelensky.
"Unë besoj se kjo do të ishte një kërkesë e drejtë nga unë si president dhe nga disa udhëheqës evropianë, që të na japin të paktën një pjesë të këtyre garancive në mënyrë që të mund të mbrohemi kundër Putinit. Mbrojtje ajrore dhe armë me rreze të gjatë veprimi", përfundoi ai. /Telegrafi/
Bisedimet diplomatike të paqes me pasojat më të mëdha të 80 viteve të fundit kanë ecur përpara me një ritëm jashtëzakonisht të ngadaltë. Por oferta e fundit e Ukrainës për të hequr dorë nga përpjekja e saj për t’iu bashkuar NATO-s në këmbim të garancive perëndimore të sigurisë mund ta ndryshojë këtë. Presidenti ukrainas Volodymyr […]