HISTORI – Mulaomeroviç kameramani boshnjak që dokumentoi vrasjet në Kosovë
TIRANË, 30 janar /ATSH/ – Si kameraman në Bosnjë-Hercegovinë, Sulejman Mulaomeroviç dokumentoi rrethimin e Sarajevës nga fillimi deri në fund, por, për të, rënia e përgjakshme e Jugosllavisë filloi dy vjet më pas, në një fshat në verilindje të Kosovës, shkruan faqja balkaninsight.com.
Në kohën kur Mulaomeroviç mori telefonatën për të shkuar në Kosovë, në fund të janarit 1990, Jugosllavia socialiste tashmë po shkonte drejt humnerës mes një kapjeje të pushtetit nga Slobodan Millosheviçi i Serbisë dhe thirrjeve në rritje për pavarësi në Slloveni dhe Kroaci.
Në vitin 1989, Millosheviçi revokoi autonominë e Kosovës me shumicë shqiptare dhe i përjashtoi shqiptarët nga vendet e punës në sektorin publik. Shpërthyen protesta dhe u përballën me një përgjigje brutale nga policia serbe.
“Përpara gjykatës në Prishtinë, mijëra njerëz brohorisnin për demokracinë duke kërkuar heqjen e gjendjes së jashtëzakonshme njëvjeçare, lirimin e të burgosurve politikë dhe fundin e gjyqeve politike”, kujtoi Mulaomeroviç, 72 vjeç, në një intervistë nga shtëpia e tij në Sarajevë.
Mulaomeroviç ishte kameraman për Radio Televizionin e Sarajevës. Në Bosnjën e tij të lindjes, thirrjet për pavarësi po shtoheshin gjithashtu, dhe trazirat në Kosovë u morën si provë e mëtejshme e rritjes së armiqësisë së Serbisë nën Milosheviçin.
Më 1 shkurt 1990, pasi filmuan në Prishtinë, Mulaomeroviç dhe ekipi i tij morën vesh për një protestë tjetër në Podujevë, në veri të Prishtinës.
Gjatë rrugës, ata u përplasën me tanke dhe automjete policie në fshatin bujqësor Lupc i Poshtëm dhe qindra protestues.
Policia e lejoi makinën e tyre të kalonte, por me paralajmërimin “Kini kujdes dhe mos filmoni”.
Megjithatë, kur policia filloi të hidhte gaz lotsjellës, Mulaomeroviç gjeti një vend të sigurt për të filmuar.
“Së pari, milicët qëlluan granata gazi lotsjellës drejt turmës. Pastaj u urdhëruan demonstruesve të shtriheshin dhe qëlluan mbi kokat e tyre me një mitraloz,” tha ai.
“Gazi lotsjellës arriti tek unë dhe unë nuk munda të shihja, por kamera ishte fiksuar dhe vazhdoi të filmonte. Dëgjova britma dhe të shtëna me armë. Pastaj pashë njerëz që mbanin një vajzë. Ajo ishte qëlluar nga zjarri i mitralozëve nga një kolonë militantësh serb”, shton ai.
Ylfete Humolli ishte 16 vjeçe dhe kishte lënë shkollën për t’u bashkuar me protestën me vëllanë e saj më të vogël, Mentorin, atëherë 14 vjeç.
Sipas Mulaomeroviçit, ajo u qëllua dy herë në kokë.
“Mbaj mend se ajo mbante veshur një xhaketë gri”, tha ai.
Duke parë pamjet që kishte kapur, Mulaomerovic vuri re një makinë policie dhe dy oficerë, të cilët kishin ngritur armët dhe kishin qëlluar drejt turmës.
“Policët kishin dalë nga automjeti dhe kishin qëlluar drejt demonstruesve”, tha ai.
“Atëherë ishte e qartë se të shtënat fatale erdhën prej tyre”, shton fotografi.
Dhjetëra njerëz vdiqën në trazirat pas heqjes së autonomisë së Kosovës nga Milosheviçi.
Por, vdekja e Humollit ishte veçanërisht rrëqethëse.
Atë pasdite, Mulaomerovic dhe kolegët e tij shkuan për të montuar pamjet në Radio Televizionin e Prishtinës, i cili në atë kohë ende transmetohej në shqip, dhe morën sinjalin për të transmetuar në TV Sarajevo.
“Ndërsa po montonim, një redaktor në TV Prishtina vendosi të transmetonte materialin. Në të njëjtën kohë, një ekip nga ZDF i Gjermanisë ofroi një shumë të madhe parash për pamjet filmike, por ne refuzuam”, thotë ai.
Pamjet filmike patën një ndikim të menjëhershëm.
“Media ndërkombëtare raportonte se policia kishte hapur zjarr ndaj fëmijëve”, tha Mulaomeroviç.
Gjatë dy muajve të ardhshëm, Serbia vendosi masa më represive, duke përfshirë një shtetrrethim natën, dhe, në korrik 1990, mbylli me forcë Radio Televizionin e Prishtinës, duke pushuar nga puna të gjithë punonjësit e tij shqiptarë.
Pamjet filmike të tij u transmetuan në Sarajevë, Prishtinë, Lubjanë dhe Zagreb.
“Pastaj kuptova diçka”, tha Mulaomeroviç.
“Atë ditë filloi lufta”, shton ai./ /os/
The post HISTORI – Mulaomeroviç kameramani boshnjak që dokumentoi vrasjet në Kosovë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.
