Avokati Arianit Koci ka bërë të ditur se bashkatdhetari, i cili ishte arrestuar nga autoritetet serbe për shkak të një embleme të UÇK-së në veturën e tij, është liruar dhe tashmë është në rrugë e sipër për t’u kthyer në Kosovë.
Sipas Kocit, identiteti i të liruarit nuk është bërë publik, ndërsa ai ishte ndaluar nga autoritetet serbe gjatë kalimit tranzit nëpër Serbi.
Avokati ka ritheksuar se arrestimi ishte i pajustifikueshëm dhe ka përsëritur apelin drejtuar bashkatdhetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar, duke shmangur kalimin nëpër Serbi me emblema apo simbole të UÇK-së në veturat e tyre, pasi veprime të tilla mund të çojnë në ndalim apo arrestim nga autoritetet serbe.
Gjatë vitit 2025 janë shtuar rastet e arrestimeve dhe një rrëmbim i shtetasve të Kosovës nga autoritetet serbe, shumica e të cilëve dyshohen për “krime lufte” ose “shkelje të rendit kushtetues të Serbisë”.
Vëzhguesit e shohin valën e arrestimeve si pasojë të ndërprerjes së dialogut Kosovë-Serbi dhe mungesës së bashkëpunimit ndërmjet sistemeve të drejtësisë.
Për autoritetet e Kosovës, ndalimet nën dyshime të tilla në Serbi janë arbitrare dhe të padrejta.
Gjykata Supreme e ka kthyer në rivendosje çështjen e paraburgimit për të akuzuarin për krime lufte në Malishevë, Ramadan Morina, dhe ka anuluar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe aktvendimi i Gjykatës së Apelit për paraburgim ndaj tij.
Megjithëkëtë Supremja ka vendosur që Morina të qëndrojë në paraburgim derisa Gjykata Themelore të marrë vendim për këtë çështje në rivendosje.
Më 6 nëntor Themelorja ia kishe vazhduar paraburgimin Morinës për dy muaj, ndërkohë që Apeli, e kishte vërtetuar këtë vendim më 2 dhjetor.
Kundër këtyre aktvendimeve, kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë ka paraqitur mbrojtësi i të pandehurit Ramadan Morina, avokati Arianit Koci. Ai ka pretenduar se ka shkelje të dispozitave të procedurës penale që kanë ndikuar në ligjshmërinë e vendimit gjyqësor dhe ka propozuar që masa e paraburgimit t’i zëvendësohet me një masë më të butë.
Sipas pretendimeve të Kocit, kërkesa për vazhdimin e masës së paraburgimit nuk i është dorëzuar konform nenit 188 paragrafi 2 të Kodit të Procedurës Penale (KPP).
“Sipas vlerësimit të kësaj gjykate, pretendimet e mbrojtësit të pandehurit janë të bazuara. Siç del nga shkresat e lëndës, mbrojtësi i të pandehurit, edhe më herët ka parashtruar pretendimin se kërkesa për vazhdimin e masës së paraburgimit nuk i është dorëzuar konform nenit 188 paragrafi 2 të KPP-së”, thuhet në vendimin e Supremes.
Prokuroria Speciale të enjten ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit Ramadan Morina, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”.
Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se sipas aktakuzës, më 31 mars 1999, në fshatin Burim të Komunës së Malishevës, Morina, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë në vrasjen e 34 civilëve shqiptarë.
Më 21 dhjetor 2017, gjykata e parë penale ndërkombëtare ad hoc e themeluar nga Kombet e Bashkuara që nga gjykatat e Nurembergut dhe Tokios pas Luftës së Dytë Botërore përfundoi punën e saj. Gjykata Penale Ndërkombëtare për Ish-Jugosllavinë, GJPNJ, e mbajti ceremoninë e saj të mbylljes në Sallën historike të Kalorësve në Hagë, ku morën […]
Pasi vizitoi ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, në mjediset e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama e përshkroi gjykatën e krimeve të luftës si “teatër të turpit të drejtësisë ndërkombëtare”. Rama, i cili shpesh e ka kritikuar gjykatën e Hagës, e sulmoi atë përsëri në Facebook, duke […]
Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë të enjten kundër Ramadan Morinës nën dyshimin për nën dyshimin për krime lufte kundër popullatës civile gjatë vitit 1999 në Kosovë. Morina, i cili u arrestua në gusht, akuzohet se mori pjesë në masakrimin e 34 civilëve shqiptarë në mars të vitit 1999 në fshatin Burim të Malishevës, […]
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj R.M., nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”.
Sipas aktakuzës, më 31 mars 1999, në fshatin Burim të Komunës së Malishevës, i pandehuri R.M., në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, dyshohet se ka marrë pjesë në vrasjen e 34 civilëve shqiptarë.
Po ashtu, R.M. akuzohet për pjesëmarrje në shkatërrimin e pronës, dëbimin masiv të popullsisë civile dhe plaçkitjen e pasurisë së rreth 1.000 qytetarëve, të cilët nuk ishin të përfshirë në luftë.
I pandehuri ndodhet aktualisht nën masën e paraburgimit deri në një vendim tjetër të gjykatës, ndërsa çështja i është përcjellë për trajtim Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Prokuroria Speciale ka theksuar se mbetet e përkushtuar në ndjekjen penale të krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, me synimin për të siguruar drejtësi për viktimat dhe për të vendosur përgjegjësi penale për kryerësit, në përputhje me standardet ndërkombëtare. /Telegrafi/
Eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi, në emisionin Five në RTV Dukagjini ka folur lidhur me pjesëmarrjen e paramilitarëve serbë në luftën në Ukrainë, të cilët kanë deklaruar se sapo të përfundojnë atje do të kthehen në Ballkan.
Lidhur me këtë çështje, edhe mediumi britanik The Telegraph ka raportuar se këta pjesëtarë po përgatiten për një luftë të madhe në Ballkan.
Ibishi ka thënë se paralajmërimet për një destabilizim të mundshëm në Ballkan duhet të merren seriozisht.
“Mercenarët serbë kanë marrë pjesë në shumë luftime, jo vetëm në këtë rast në invadimin e palës ruse në Ukrainë, por edhe në Afrikë, në disa vende ku mercenarët serbë kanë marrë pjesë dhe kanë kryer krime lufte”, ka thënë Ibishi.
“Në raport me paralajmërimet e mundshme për destabilizimin e Ballkanit duhet marrë seriozisht dhe duhet me kujdes t’i përcjellim, ngase këto grupe janë parë edhe në afërsi të Kosovës”, ka deklaruar ai.
Edhe ish-inspektori i AKI-së, avokati Shkelzen Sopjani ka thënë se pas pjesëmarrjes së paramilitarëve serbë në luftën në Ukrainë qëndrojnë Rusia dhe strukturat e saj të inteligjencës, të cilat, sipas tij, janë të pranishme në mënyrë të theksuar në rajon, veçanërisht në Serbi.
“Po sigurisht se prapa kësaj është Rusia dhe strukturat inteligjente të Rusisë, sepse ato janë goxha shumë prezent në rajon, sidomos në Serbi”, ka thënë Sopjani, duke përmendur qytetin e Nishit si qendër kyçe të aktivitetit rus.
Ai ka theksuar se e ashtuquajtura “qendër humanitare” ruse në Nish, në realitet, ka funksion të inteligjencës.
“Realisht ajo është një qendër e inteligjencës, një fusion center për aktivitete të spiunazhit dhe koordinimit”, ka deklaruar ai.
Sipas Sopjanit, një pjesë e strukturave të sigurisë së Serbisë janë të lidhura ngushtë me shërbimet ruse.
“Një pjesë e madhe e tyre janë shumë besnikë ndaj strukturave të sigurisë ruse dhe në terren veprojnë më shumë si vazhdim i FSB-së sesa si shërbim i pavarur”, është shprehur ai.
Megjithatë, Sopjani ka vlerësuar se për momentin nuk sheh rrezik të menjëhershëm për një luftë të madhe në Ballkan.
“Nuk shoh rrezik eminent për një konflikt të përmasave të gjera në Ballkan për momentin”, ka thënë ai, duke shtuar se në rast të ndonjë përshkallëzimi, Bosnja dhe Hercegovina mbetet më e ekspozuar sesa Kosova.
Ai ka theksuar se Kosova është më pak e rrezikuar, kryesisht për shkak të homogjenitetit të popullsisë dhe pranisë së faktorëve ndërkombëtarë të sigurisë në rajon.
Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur të hënën aktakuzë kundër dy të dyshuarve për krime lufte kundër popullsisë civile gjatë luftës së viteve 1998-’99 në Kosovë. Të pandehurit, të identifikuar vetëm si A.Z dhe B.D., janë të paarritshëm për institucionet kosovare të drejtësisë, prandaj prokuroria ka kërkuar që ata të gjykohen në mungesë. Të dyshuarit […]
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka dorëzuar një aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj A.Z dhe B.D., për veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”.
Sipas njoftimit në aktakuzë thuhet se i pandehuri A.Z., në cilësinë e inspektorit në Stacionin Policor në Prizren, ndërsa B.D., në cilësinë e policit në të njëjtin stacion, gjatë viteve 1998-1999 individualisht dhe në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore serbe, kanë ndërmarrë një fushatë arrestimesh ndaj popullsisë civile në komunat e Rahovecit dhe Suharekës.
"Në mesin e të arrestuarëve ishin R.J., M.K., E.G., S.E., V.V., Q.K., U.K., H.G., S.G., H.Sh dhe A.Z, të cilët gjatë procesit të marrjes në pyetje, sipas aktakuzës, janë rrahur me mjete të forta dhe metoda të tjera të trajtimit çnjerëzor, ku si pasojë R.J kishte vdekur, ndërsa personat e tjerë kishin pësuar lëndime serioze trupore" thuhet në njoftim.
Tutje bëhet e ditur se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, bazuar në nenet 234 dhe 303 të Kodit të Procedurës Penale, i ka propozuar Gjykatës që të mbajë gjykimin në mungesë, pasi të pandehurit A.Z dhe B.D.janë të paarritshëm për organet e drejtësisë. /Telegrafi/
Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj një personi, i cili dyshohet se ka kryer veprën “krim i luftës kundër popullatës civile” në komunën e Istogut. T.P., sipas aktakuzës, gjatë periudhës së luftës në Kosovë në fshatin Cerrcë dhe fshatrat përreth në Istog, së bashku me pjesëtarë të tjerë të forcave serbe, “ka kryer […]
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka njoftuar sot se ka ngritur aktakuzë ndaj personit me inicialet D.N., i cili akuzohet për veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”, lidhur me ngjarjet e vitit 1999 në komunën e Gjilanit.
Sipas aktakuzës, D.N., në periudhën mars–prill 1999, në cilësinë e komandantit të nënstacionit në Zhegër, nuk ka ndërmarrë masa për të parandaluar plaçkitjet, dëbimin dhe vrasjen e 29 civilëve shqiptarë.
Prokuroria thotë se i pandehuri ishte në dijeni se më 30 mars 1999 forcat policore dhe ushtarake serbe, nën komandën e tij, kishin rrethuar fshatin Zhegër, ndërsa më 27 mars 1999 ishte sulmuar fshati Llashticë.
Gjithashtu, D.N., së bashku me komandantin e Stacionit të Policisë në Gjilan, dyshohet se kanë urdhëruar tjetërsimin e vendit të ngjarjes, me qëllim të zhdukjes së gjurmëve të krimeve të kryera.
Pavarësisht se ishte njoftuar me shkrim nga personat e dëmtuar, i pandehuri nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim për parandalimin, ndalimin apo raportimin e krimeve. Sipas aktakuzës, ai madje ishte larguar nga vendi i ngjarjes, duke mos përmbushur obligimet e tij komanduese.
Prokuroria Speciale është në pritje të konfirmimit të aktakuzës nga gjykata kompetente./Telegrafi/
Në seancën e së mërkurës, më 12.11.2025, në gjykimin e të akuzuarit për krime lufte, Sllagjan Trajkoviq, ka dhënë dëshminë Sylejman Mustafa.
I pandehuri Sllagjan Trajkoviq nga Prokuroria Speciale e Kosovës po akuzohet se në periudhën kohore 1998-1999, në fshatin Reznik dhe fshatrat përreth të komunës së Vushtrrisë, individualisht dhe në bashkëkryerje me persona të tjerë, si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe ka kontribuar në vrasje, bastisje, rrahje, maltretim, arrestime, torturë, trajtim në mënyrë mizore dhe çnjerëzore, mbajtje në kushte skllavërie, dëbim dhe deportim të mijëra civilëve shqiptarë.
Dëshmitari Sylejman Mustafa rrëfeu para Gjykatës përjetimet e tij gjatë kohës së luftës si dhe momentet kur i ishin vrarë të dy prindërit.
Dëshmitari Mustafa tha se gjatë kohës së luftës kishte pasur shumë refugjatë të strehuar në shtëpinë e tij, në mesin e tyre më shumë kishte pasur gra dhe fëmijë.
Dëshmitari tha se më 27 mars të vitit 1999, në mëngjes të kësaj dite, pasi e kishte përcjellë mikun e tij, duke u kthyer i kishte parë disa persona duke e goditur një person, dhe pas kësaj nga frika ishte fshehur.
“Kur kam qenë duke u kthy prej mikut që e kam përcjellë pasi që i kam pa këta duke i sjellë njerit, ai thojke: ‘Oh kuku nane!’. Këta shajshin me fjalët: “Shqiptarët terroristë’. Dhe unë kur i kam pa ashtu, atëherë kam hy nër çeshme, se po të më kishin hetu ma kishin bo edhe mua ashtu” – tha dëshmitari.
Dëshmitari tutje tha se personi që ishte goditur nga këta persona kishte qenë i moshuar dhe kishte vdekur.
“E kishin mbytë plakun, ai kish vdekë. Viktimën e kam ni kah pisket, me pa nuk e kam pa. Viktimën e kam pa masi e kanë mbytë” – tha dëshmitari.
Më tej dëshmitari tha se në mesin e atyre personave që e kishin goditur plakun kishte qenë edhe vetë i akuzuari, Sllagjan Trajkoviq.
“I kam pa personat që e kanë goditë. Në mesin e tyre ka qenë edhe Sllagjani, këtë e kam njoftë prej fëmijërisë… Po, e ka goditë edhe Sllagjani, e ka goditë me kondak të automatit” – tha më tej dëshmitari.
Sylejman Mustafa tha se në çdo aksion që ishte ndërmarrë kishte qenë i përfshirë edhe vetë i akuzuari Sllagjan Trajkoviq.
Lidhur me të akuzuarin dëshmitari tha se e njeh shumë mirë. “Ty të kam njoftë si ‘paren e kuqe’” – iu drejtua dëshmitari të akuzuarit.
Dëshmitari tutje rrëfeu edhe momentet kur prindërit e tij ishin vrarë.
Gjatë deklarimit të tij, dëshmitar u përlot kur rrëfeu se si ishte vrarë nëna e tij në prezencë të tre fëmijëve të vegjël.
“Nanën ma kanë vra në prezencë të tre fëmijëve të vegjël, e kanë vra edhe e kanë pështy për së vdekuri e ia shajshin nanën e shqiptarit. Jemi shku poshtë te baba, e kanë shti mrena babën, e kanë vra, tri pushkë i kam ni, e kanë kallë shtëpinë, e kam pshtu babën pa u kallë kufoma, e kam varrosë babën në oborr ka nejtë 2-3 muaj në oborr” – rrëfeu dëshmitari.
“Kanë ba çka nuk ban njeri hiç” – tha në fund të dëshmisë dëshmitari Sylejman Mustafa.
Pas dëshmisë së dëshmitarit Sylejman Mustafa, vërejtje për dëshminë e dëshmitarit pati i akuzuari Sllagjan Trajkoviq.
Sipas të akuzuarit Trajkoviq deklaratat e dëshmitarit Sylejman Mustafa nuk përputhen me njëra-tjetrën.
Më pas i akuzuari kërkoi nga trupi gjykues që të sigurohen deklaratat e dëshmitarit Sylejman Mustafa të dhëna në UNMIK dhe në EULEX.
Tutje, trupi gjykues refuzoi propozimin e mbrojtësit të të akuzuarit Trajkoviq, avokatit Bogdan Llaziq, që në cilësi të dëshmitarit të dëgjohet Safet Bezhani, me arsyetimin se trupi gjykues në seancat e kaluara ka refuzuar këtë propozim dhe se arsyetimi i refuzimit të këtij propozimi është i njëjtë.
Ndërsa lidhur me dëshmitarin Rexhep Pllanaku, gjyqtari Ngadhnjim Arrni bëri të ditur se Gjykata i ka ndërmarrë të gjitha veprimet për sigurimin e tij, përmes urdhëresës që e kanë dërguar në stacionin policor në Vushtrri, mirëpo të njëjtit kanë thënë se ai nuk gjendet në atë regjion dhe nuk kanë të dhëna dhe ku mund të sigurohet i njëjti.
Më tej, Gjykata obligoi Prokurorinë Speciale dhe mbrojtjen e të akuzuarit Trajkoviq se në qoftë se ka propozime të tjera për plotësim të provave materiale të ia përcjellin Gjykatës në afat prej 7 ditësh në formë elektronike apo me shkrim.
Tutje, trupi gjykues aprovoi propozimin e avokatit Llaziq për anulimin e seancës të paraparë të mbahet nesër, më 13.11.2025.
Seancat e radhës lidhur me këtë çështje gjyqësore janë caktuar të mbahen gjatë muajit dhjetor 2025.
Ky rast po trajtohet në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës nga trupi gjykues i përbërë nga Ngadhnjim Arrni (kryetar i trupit gjykues), Arben Hoti dhe Donika Shala-Avdyli (anëtarë).
Sipas dosjes së Prokurorisë Speciale, i pandehuri Sllagjan Trajkoviq dyshohet se gjatë kohës së luftës në Kosovë, në periudhën kohore 1998-1999, në fshatin Reznik dhe fshatrat përreth të komunës së Vushtrrisë, individualisht dhe në bashkëkryerje me persona të tjerë, si pjesëmarrës i forcave policore dhe ushtarake serbe ka kontribuar në vrasje, bastisje, rrahje, maltretim, arrestime, torturë, trajtim në mënyrë mizore dhe çnjerëzore, mbajtje në kushte skllavërie, dëbim dhe deportim të mijëra civilëve shqiptarë.
Po ashtu, ai dyshohet edhe për masat e plaçkitjes, djegies dhe shkatërrimit të shtëpive të popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar që nuk kanë marrë pjesë drejtpërdrejt në konflikt.
“Duke shkelur kështu rëndë rregullat e të drejtës ndërkombëtare gjatë kohës së luftës, katër Konventat e Gjenevës të vitit 1949 dhe protokollet shtesë”- thuhet në dosjen e Prokurorisë.
Gjykimet për krimet e luftës
Për masakrat dhe krimet e tjera të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë nga forcat serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998/1999 ishin gjykuar, e disa edhe dënuar, ish-udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur dhe të Serbisë.
Ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq ishte akuzuar për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit, të kryera nga forcat serbe e jugosllave në Kosovë. Millosheviq ishte akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të kryera edhe në luftërat në Bosnjë dhe Hercegovinë, si dhe në Kroaci.
Gjykimi i tij në Gjykatën ndërkombëtare penale për ish-Jugosllavinë (ICTY), me seli në Hagë, nuk kishte marrë epilog pasi Millosheviq kishte vdekur më 11.03.2006 në qeli teksa po mbahej në paraburgim.
Millan Millutinoviq, ish-kryetari i Serbisë, ishte liruar nga akuzat për krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë.
Nikolla Shainoviq, zëvendëskryeministër i Republikës Federale të Jugosllavisë, ishte dënuar me 18 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.
Dragolub Ojdaniq, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 15 vjet burg për krime kundër njerëzimit.
Nebojsha Pavkoviq, ish-komandanti i Armatës së Tretë të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 22 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.
Vlladimir Llazareviq, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 14 vjet burg për krime kundër njerëzimit.
Sreten Llukiq, ish-shefi i stafit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për Kosovë, ishte dënuar me 20 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.
Aktgjykimin të plotë, në gjuhën angleze, e gjeni këtu, raporton Kallxo.
Gjykata Themelore në Prishtinë - Departamenti Special, ka bërë të ditur se ka caktuar seancën e shqyrtimit fillestar në çështjen penale e cila ka për objekt shqyrtimin e aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës se Kosovës kundër të pandehurve Ljubomir Çimburoviq, Predrag Bradiq dhe Milivoje Iviq, për shkak të veprës penale Krimet e Luftës kundër popullsisë civile.
Sipas propozimit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, gjykimi në këtë çështje do të zhvillohet në mungesë të të pandehurve, për shkak se te njëjtit kanë qenë te pa arritshëm deri në momentin e ngritjes se aktakuzës.
“Për këtë arsye, përmes kësaj komunikate ju bëhet thirrje të pandehurve, Ljubomir Çimburoviq, Predrag Bradiq dhe Milivoje Iviq që të paraqiten dhe të dorëzohen para organeve të ndjekjes së Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu, u bëhet thirrje të gjithë personave që posedojnë informacione relevante lidhur me vendndodhjen e të akuzuarve, që t’i komunikojnë këto informacione Policisë së Kosovës apo organeve tjera kompetente.
Njoftohen te pandehurit dhe gjithë opinioni publik se seanca do te mbahet ne Gjykatën Themelore ne Prishtinë, Pallati i drejtësisë Hajvali, Objekti D , Kati I, salla nr.27, me datë 22.12.2025 nga ora 09:30, nga Kryetari i Trupit Gjykues Leon Përlaska.
Lidhur me këtë çështje penale, Aktakuza dhe ftesat për seancë janë të publikuara në ëeb – faqe të gjykatës dhe në Gazetën Zyrtare. Gjykata Themelore në Prishtinë do të vazhdojë të informojë opinionin publik për zhvillimet e mëtejshme lidhur me këtë çështje penale. /Telegrafi/
“Hero që luftoi për Serbinë”, e jo kriminel lufte.
Kështu e kanë përshkruar autoritetet në Serbi gjeneralin Nebojsha Pavkoviq, i cili mbërriti në Beograd me avion qeveritar pas lirimit të parakohshëm nga burgu për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore.
Nga instancat më të larta shtetërore u dërgua ky mesazh për publikun, por nuk u përmendën krimet ndaj shqiptarëve të Kosovës, për të cilat ai është dënuar.
“Mendoj se ky nuk është mesazhi që duhet ta dërgojë udhëheqja shtetërore e Serbisë. Në këtë mënyrë nuk ndërtohen marrëdhënie të mira fqinjësore”, tha për Radion Evropa e Lirë, Sofija Todoroviq nga nisma joqeveritare Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR).
Pavkoviq, ish-komandant i Ushtrisë së Tretë të Jugosllavisë, është dënuar me vendim të formës së prerë me 22 vjet burgim, për krime kundër shqiptarëve në Kosovë më 1999. Lajmin për lirimin e tij të parakohshëm e bëri publik presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 26 shtator nga Nju Jorku, ku po merrte pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Ai iu tha gazetarëve se Qeveria e Serbisë kishte paraqitur kërkesën për lirimin e Pavkoviqit me kërkesë të tij, për shkak të “gjendjes jashtëzakonisht të rëndë shëndetësore”.
“Dhe pastaj mund të shkojmë ta marrim gjeneralin Pavkoviq, që ta shohë diellin e Serbisë së lirë, për të cilën aq shumë u përpoq, heroikisht në vitin 1999”, deklaroi Vuçiq.
Mediat proqeveritare raportuan se presidenti i Serbisë kishte biseduar me telefon me Pavkoviqin para nisjes së tij nga burgu në Finlandë, ku po vuante dënimin.
Pas uljes në aeroportin e Beogradit, Pavkoviq u transferua në Akademinë Ushtarako-Mjekësore.
Sofija Todoroviq nga YIHR tha se lirimi i parakohshëm për arsye shëndetësore nuk është procedurë e pazakontë dhe se është në përputhje me të drejtat e njeriut.
Megjithatë, ajo shtoi se problematike është mënyra se si zyrtarët e një shteti i trajtojnë njerëzit e dënuar për shkelje masive të të drejtave të njeriut.
“Dhe mënyra se si kthimin e tyre në vend e shfrytëzojnë për të propaganduar politika të dëmshme, të cilat kanë treguar se nuk i afrojnë shoqëritë në rajon”, tha ajo.
Në vitin 2009, Pavkoviq u shpall fajtor për të gjitha pikat e aktakuzës dhe u dënua për deportime, zhvendosje të detyruara, vrasje dhe persekutime të civilëve shqiptarë nga Kosova gjatë gjysmës së parë të vitit 1999.
Vendimi i shkallës së parë u konfirmua në vitin 2014.
Së bashku me të u dënuan edhe ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Jugosllavisë, Dragolub Ojdaniq, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës, Vlladimir Llazareviq, gjenerali i policisë Sreten Llukiq dhe ish-nënkryetari i Qeverisë së RFJ-së, Nikolla Shainoviq.
I akuzuari i parë, Sllobodan Millosheviq, vdiq në paraburgim, ndërsa ish-presidenti i Serbisë, Millan Millutinoviq, u shpall i pafajshëm.
Çfarë thotë gjykata?
Mekanizmi Ndërkombëtar Rezidual për Gjykatat Penale në Hagë, trashëgimtar i Tribunalit të Hagës, në vendimin e tij ka theksuar se ekzistojnë “arsye bindëse humanitare” për lirimin e parakohshëm të Pavkoviqit, me disa kushte të caktuara.
Vendimi bazohet në pesë raporte mjekësore, të cilat përmbajnë të dhëna mbi gjendjen shëndetësore të Pavkoviqit, përfshirë diagnozat, prognozat dhe opsionet e trajtimit.
Në vendim përcaktohet se deri në përfundim të dënimit, Pavkoviqi duhet t'i respektojë disa kushte: të mos ketë kontakte me mediat, të mos paraqitet publikisht dhe të mos angazhohet politikisht.
Sipas dispozitave të marrëveshjes, Pavkoviq nuk lejohet as të japë deklarata “me të cilat mohohen krimet që janë në juridiksionin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë, respektivisht të Mekanizmit, dhe që janë kryer gjatë konflikteve në ish-Jugosllavi”, as të shprehë publikisht, drejtpërdrejt ose tërthorazi, mbështetje apo t'i lavdërojë të dënuarit e tjerë të Hagës.
Mbrojtja e tij kishte paraqitur në mes të gushtit një kërkesë urgjente për lirimin e parakohshëm, duke theksuar se atij duhet t’i mundësohet të kalojë pjesën e mbetur të jetës pranë familjarëve që mund t’i ofrojnë kujdesin e nevojshëm.
“Shëndeti fizik i Pavkoviqit deri në këtë moment është përkeqësuar aq shumë, sa paraqet rrezik për jetën”, thuhet në dokument.
Gjendja shëndetësore e të dënuarit merret parasysh gjatë vendimmarrjes për lirimin e parakohshëm.
Mbrojtja kishte kërkuar lirimin edhe pasi Pavkoviqi kishte vuajtur dy të tretat e dënimit, por në vitin 2022 kjo kërkesë ishte refuzuar, me arsyetimin për “rëndësinë e madhe të krimeve të tij dhe mungesën e rehabilitimit”.
Çfarë thonë në Kosovë?
Nga Qeveria dhe Presidenca e Kosovës, deri në publikimin e këtij teksti, nuk kanë kthyer përgjigje në pyetjet e Radios Evropa e Lirë lidhur me lirimin e Nebojsha Pavkoviqit.
Behxhet Shala nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Kosovë, vlerësoi për Radion Evropa e Lirë se familjet e viktimave nuk do ta pranojnë vendimin e Tribunalit të Hagës, ashtu siç nuk kanë qenë të kënaqura as me gjatësinë e dënimit.
“Ne jemi kundër standardeve të dyfishta. Çdokush që shpallet fajtor për krime lufte, pavarësisht përkatësisë kombëtare ose fetare, duhet të marrë një dënim të merituar. Edhe gjatë lirimeve të përkohshme duhet të zbatohen e respektohen të njëjtat parime”, tha ai.
Shala shtoi se një numër i të dënuarve për krime lufte kanë pritur pleqërinë e thellë në burg ose kanë vdekur atje, prandaj “nuk duhet të ketë standarde të dyfishta”.
Ai është i bindur se angazhimi i shtetit të Serbisë nuk ka ndikuar në vendimin e gjykatës dhe se arsyetimin përfundimtar mund ta japë vetëm Tribunali i Hagës.
Qëndrimi i pushtetit ndaj krimeve në Kosovë
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në dhjetor të vitit 2021 deklaroi se krime lufte janë kryer nga të dyja palët dhe se për këtë “nuk ka dyshim”.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve shqiptarë në Tiranë, ai tha se kriminelët e luftës duhet të gjykohen dhe ndëshkohen, por sipas tij “gjërat nuk mund të shihen njëanshëm”.
“Kur ju thoni ‘ju serbët keni kryer disa krime’, atëherë edhe unë mund të përmend dhjetëra krime që ka kryer e ashtuquajtura UÇK kundër civilëve serbë në Kosovë, për të cilat ju nuk flisni”, tha Vuçiq.
Ai e quajti Masakrën e Reçakut – kur forcat serbe ekzekutuan 45 civilë shqiptarë më 15 janar 1999 – një “krim të fabrikuar”.
Jovana Kollariq nga Fondi për të Drejtën Humanitare tha për Radion Evropa e Lirë se Partia Progresive Serbe (SNS), që nga ardhja në pushtet më 2012, ka ndërtuar legjitimitetin e saj mbi një qasje revizioniste ndaj së kaluarës.
“Dhe mbi krijimin e një narrative, siç e definonte Aleksandar Vulin, se ‘ka kaluar koha e turpit dhe ka ardhur koha e krenarisë së qetë’. Por ajo krenari nuk është aspak e qetë, ajo përbëhet nga mohimi i krimeve të luftës dhe mohimi i fakteve të vërtetuara nga gjykatat”, shtoi ajo.
Kollariq theksoi se ka pasur periudha kur në Serbi është krijuar hapësirë, të paktën pjesërisht, për të folur mbi atë çfarë ka ndodhur dhe kur mohimi nuk vinte aq hapur nga instancat më të larta të shtetit.
Ajo solli si shembull ekspozitën e vitit 2013 në Beograd, që trajtonte krimin e kryer nga formacioni paramilitar “Shqiponjat” ndaj familjes Bogujevci në Podujevë, në vitin 1999.
Vizitorët në ekspozitë u udhëhoqën nga tre anëtarë të familjes, të mbijetuar nga masakra, ndërsa mori pjesë edhe atëherë kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq. Policia largoi rreth 50 persona që protestonin jashtë galerisë.
Ndërkohë, përpara Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë po gjykohen edhe ish-udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Gjatë luftës në Kosovë u vranë ose u zhdukën rreth 13.000 persona, ndërsa ende vazhdon kërkimi për gati 1.600 të tjerë.
Gjenerali serb, Nebojsha Pavkoviç, i dënuar për krime lufte kundër shqiptarëve në Kosovë, është liruar nga burgu në Finlandë dhe ka shkuar në Serbi, bëri të ditur kryeministri serb, Gjuro Macut, më 28 shtator. Pavkoviç, ish-komandant i Ushtrisë së Tretë të Jugosllavisë, me vendim të formës së prerë ishte dënuar me 22 vjet burgim për […]
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi të premten në Nju Jork se Mekanizmi në Hagë ka vendosur që, për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore, të lirojë para kohe gjeneralin serb, Nebojsha Pavkoviq. Pavkoviq, ish-komandant i Ushtrisë Jugosllave, është dënuar me 22 vjet burgim për krime kundër shqiptarëve në Kosovë në vitin 1999. Vendimi ndaj […]
Prokuroria e Specializuar në Hagë, ka ftuar qindra dëshmitarë kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, të cilët po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Ndërsa, pa folur drejtpërdrejtë për ndonjërin nga të akuzuarit, kishte edhe viktima të tërthorta që dëshmonin për fatin e familjareve të tyre me pretendimin se fajtor ishin anëtarët e UÇK-së, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Ajo se çfarë dua të dijë është ajo se çfarë i ka ndodhur bashkëshortit tim dhe do të ishte mirë që të paktën të gjenim qoftë edhe një kockë të vetme në mënyrë të tillë që t’i bënim një varr dhe të kisha një vend ku më në fund mund ta qaja atë”, ka thënë dëshmitarja e Prokurorisë, Stamena Jeliq.
Jeliq kishte thënë në Hagë se deklarata e saj për MUP-in serb përmban gjëra që ajo vetë nuk i ka thënë ndonjëherë.
Ndërsa, Predrag Dediq kishte deklaruar se KFOR-i e kishte vullnetin që të ia sillnin djalin në shtëpi, por, sipas tij nuk e lejuan UÇK-ja.
“Besoj që Stefani donte të ma sillte djalin por me gjasa UÇK-ja kishte më ndikim në atë fushë se sa ai. Unë besoj që UÇK-ja ishin përgjegjës. ata ishin ata që komandonin edhe pse KFOR-i e kishte detyrën për të mbrojtur vendin. besoj që ai nuk e bënte dot sepse nuk e lan, nuk e lejuan”, ka thënë Dediq.
Agim Idrizi, dëshmitar i Prokurorisë në Hagë, ishte ftuar me pretendimin se gjatë vitit 1999, ishte ndaluar nga disa anëtarë të UÇK-së. Para ndalimit, sipas përmbledhjes së Prokurorisë, dëshmitari ka shitur drunjë për disa policë serbë. Pretendohet se Idrizi ka mbështetur UÇK-në por se nuk është kyçur asnjëherë në të.
Idrizi, në sallën e gjyqit kishte mohuar se ka qenë polic i institucioneve serbe apo roje pylli.
“Nëse dikush mundet me gjetë emrin tem që kam punu polic, qysh kam ni këtu dokumente shkruan, se unë se kam ditë deri tash ai është hasmi më i madhi që e ka shkru emrin tem, ka shkru Agim Idrizi është polic edhe është roje pyllit këto nuk janë të vërteta”, ka thënë Idrizi.
Ai ishte shprehur se këtë ia kanë bërë armiqtë e tij, Enver Axhami dhe Habib Koka, duke shtuar se kanë qenë në bela me ta për tokë. Ndërsa, gjatë largimit të tij nga salla ai ishte shprehur i revoltuar.
“Këta janë shkaktar edhe unë jam sot këtu për qata kom ardhë qetu… Dje menjëherë ma kishin shkru tradhtar i kombit, marre duhet me iu ardhë, tradhtar i kombit a din kujna i thojnë , me kanë bo rezil me kanë bo, këta ma kanë pru punën me ardhë qetu, dikush duhet me pagu jetën teme…”, tha Idrizi.
Në sallën e gjyqit Idrizi foli edhe për vjedhje lopësh.
“Muzatin, kjo krejt Kaçaniku e dinë, Sulë Agjami me Isen Agjamin, ai është polic një ma i vogli, vllau i Sulës, në Prishtinë, ish polic Nijazbi, këta i kanë vjedhë lopët në Komunë të Kaçanikut, hupshin lopët pa shenjë edhe mu ma kanë vjedhë muzatin, një lopë, kurrë në Polici nuk e kam lajmëruar”, tha Idrizi.
Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar të mërkurën një muaj paraburgim për një shtetas serb të arrestuar dy ditë më parë në kufirin juglindor me Serbinë, nën dyshimin se kishte kryer krime lufte kundër popullsisë civile gjatë luftës së viteve 1998-’99 në Kosovë. Gjykata tha se e pranoi kërkesën e prokurorëve për të dyshuarin, të […]
Autoritetet kosovare kanë arrestuar të hënën një të dyshuar në kufirin juglindor me Serbinë, nën dyshimin se ai kishte kryer krime lufte kundër popullsisë civile gjatë luftës së viteve 1998-’99 në Kosovë. Prokuroria Speciale tha në një komunikatë se i dyshuari, i identifikuar vetëm si D.N., u arrestua në pikëkalimin kufitar Dheu i Bardhë. Prokurorët […]
Prokuroria Speciale ka arrestuar D.N për krime lufte kundër popullatës civile në kohën e luftës në Kosovë.
D.N, sipas njoftimit të Prokurorisë, është arrestuar në pikëkalimin kufitar te Dheu i Bardhë në kufi me Serbinë.
Sipas njoftimit të PSRK-së, D.N dyshohet ai ka kryer krime lufte në Kosovë nga 13 prilli deri më 30 prill 1999.
Veprimet inkriminuese, sipas PSRK-së, janë marrë në bashkëkryerje me pjesëtarë të forcave policore dhe ushtarake Serbe, ku kanë marrë pjesë në vrasjen e 25 civilëve shqiptarë në Komunën e Gjilanit.
PSRK ka njoftuar se brenda afatit ligjor do të paraqesin kërkesë për caktimin e paraburgimit ndaj të dyshuarit.
“I dyshuari D.N., është arrestuar në pikëkalimin kufitar Dheu i Bardhë, në kufi me Serbinë. D.N., dyshohet se gjatë luftës në Kosovë, në periudhën nga 13 prilli deri më 30 prill 1999, në bashkëkryerje me pjesëtarë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë në vrasjen e 25 civilëve shqiptarë në Komunën e Gjilanit. Brenda afatit të paraparë ligjor, Prokuroria Speciale do të paraqesë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamenti Special”- thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale më 15.09.2025.
Gjykimet për krimet e luftës në Kosovë
Për masakrat dhe krimet e tjera të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë nga forcat serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998/1999 ishin gjykuar, e disa edhe dënuar, ish-udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur dhe të Serbisë.
Ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq ishte akuzuar për “krime lufte” dhe për “krime kundër njerëzimit”, të kryera nga forcat serbe e jugosllave në Kosovë. Millosheviq ishte akuzuar për “krime lufte” dhe “krime kundër njerëzimit”, të kryera edhe në luftërat në Bosnjë dhe Hercegovinë, si dhe në Kroaci.
Millan Millutinoviq, ish-Kryetari i Serbisë, ishte liruar nga akuzat për “krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë”.
Nikolla Shainoviq, Zëvendëskryeministër i Republikës Federale të Jugosllavisë, ishte dënuar me 18 vjet burg për “krime kundër njerëzimit” dhe “shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës”.
Dragolub Ojdaniq, ish-Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 15 vjet burg për “krime kundër njerëzimit”.
Nebojsha Pavkoviq, ish-Komandanti i Armatës së Tretë të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 22 vjet burg për “krime kundër njerëzimit” dhe “shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës”.
Vlladimir Llazareviq, ish-Komandanti i Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 14 vjet burg për “krime kundër njerëzimit”.
Sreten Llukiq, ish-Shefi i stafit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për Kosovë, ishte dënuar me 20 vjet burg për “krime kundër njerëzimit” dhe “shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës”.
Aktgjykimin të plotë, në gjuhën angleze, e gjeni në këtë link.