Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Refuzohet propozimi i mbrojtjes për t’i dëgjuar nëntë dëshmitarë të rastin “Bansjka”

16 January 2026 at 12:01


Gjykata Themelore në Prishtinë ka refuzuar propozimet e mbrojtjes për dëgjimin e 9 dëshmitarëve të propozuar nga avokatja Jovana Filipoviq, duke vlerësuar se as pretendimet e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) nuk tregojnë se i pandehuri ka pasur rol të drejtpërdrejtë gjatë datave kritike të përshkruara në parashtrimin e mbrojtjes.

Gjykata theksoi se dëshmitarët e propozuar nuk do të ndryshonin vlerësimin mbi fajësinë ose pafajësinë e të pandehurit, i cili sipas aktakuzës akuzohet vetëm për rol ndihmues brenda grupit të akuzuar.

Po ashtu, u refuzuan edhe propozimet e mbrojtjes për nxjerrjen e ekspertizës për krahasimin e uniformave, pasi gjykata vlerësoi se një vlerësim i tillë mund të bëhet direkt nga përmbajtja e fotografive. Në lidhje me pyetjen nëse arma ishte snajper apo pushkë gjuetie, gjykata tha se kjo nuk ka relevancë për të përcaktuar përfshirjen e Dushan Maksimoviq në grupin terrorist.

Kryetari i trupit gjykues, Ngadhënjim Arrni, deklaroi se arsyetimi më i detajuar mbi bazën ligjore dhe arsyeshmërinë e refuzimit të këtyre propozimeve do të përfshihet gjatë përpilimit të aktgjykimit.

Gjithsesi, propozimi i avokates Jovana Filipoviq për dëgjimin e dëshmitarit Millosh Radosajlleviq mbetet i validuar dhe do të mbahet, ashtu siç ishte miratuar paraprakisht nga kjo gjykatë.

Rasti “Banjska”, sërish dy të akuzuarit nuk deklarohen e njëri thotë se nuk është fajtor

(Përditësuar 10.41) Sot ka nisur vazhdimi i gjykimit në rastin “Banjska” në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pas ndryshimit të trupit gjykues.

Rasti që më herët udhëhiqej nga gjyqtari Arben Hoti, tash drejtohet nga gjyqtari Ngadhënjim Arrni si kryetar i trupit gjykues, me anëtarë Rrahman Beqiri dhe Donikë Shala, pas avancimit të Hotit në Gjykatën e Apelit.

Në seancë ishte i pranishëm dëshmitari Millosh Radosajlleviq, i propozuar nga mbrojtja për të dhënë deklarimin e tij. Kryetari Arrni njoftoi se për momentin nuk ka mundësi kohore për të vazhduar me dëshminë, për shkak të ndryshimit të trupit gjykues, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjithashtu u konstatua se aktakuza e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) është lexuar dhe pranuar nga të gjitha palët, pasi mbrojtja dhe prokuroria hoqën dorë nga leximi zyrtar.

Blagoje Spasojeviq dhe Vladimir Toliq thanë se nuk dëshirojnë të deklarohen.

Ndërsa, Dushan Maksimoviq tha se nuk është fajtor për akuzën që ngarkohet.

Avokati Millosh Deleviq, theksoi se aktakuza duhet të përqendrohet në veprimet konkrete të Vladimir Toliq.

Prokurori Naim Abazi tha se shqyrtimi duhet të fillojë rishtazi dhe provat të lexohen për të vazhduar nga faza e mëparshme. Avokatët e të akuzuarve dhe të pandehurit ranë dakord, duke thënë se kjo shmang vonesa dhe siguron efikasitet të procedurës.

Lidhur me propozimin për dëgjimin e nëntë dëshmitarëve të ri nga ana e mbrojtjes, pas analizimit të shkresave, Prokuroria ka kundërshtuar këtë propozim.

Sipas prokurorisë, propozimi i tillë ka mungesë të relevancës dhe individualizimin konkret të provës që janë propozuar.

Prokuroria konsideron se dëshmitarët e propozuar nuk rezultojnë të tregojnë për atë se çfarë ka ndodhur në Bansjkë.

“Dëshmitarët e propozuar synojnë të ndërtojnë një narrativë të përgjithshme të mbrojtjes apo alibi kolektive a ndonjë vlerë të re provuese dhe që është krejtësisht në kundërshtim me provat materiale dhe personale që i kemi dorëzuar në këtë shqyrtim gjyqësor”, ka thënë prokurori Abazi.

Avokatja Jovana Filipoviq kërkoi që dëshmitarja Dragana Antonijeviq të ftohet sërish, pasi ka punuar me Maksimoviq dhe mund të japë informacione, por gjykata konstaton se nuk është arritur ta sigurojë prezencën e saj. Deklarata e saj është konsideruar e lexuar për të mos zvarritur procesin, ndërsa gjykata do të bëjë një përpjekje të re në të ardhmen.

Prokurori njoftoi se nga shqyrtimi i mëparshëm më 17 prill 2025 nuk ka ndryshime në situatën e të akuzuarve, por do të dorëzohen prova të reja materiale me shkrim.

Përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Arianit Koci dhe palët e dëmtuara nuk kanë pasur çfarë të shtojnë, ndërsa avokatët e të akuzuarve mbeten pas fjalës hyrëse.

Gjykata Themelore në Prishtinë pas propozimit të prokurorit special Naim Abazi që gjykimi të vazhhdojë në mungesë, i ishte drejtuar Gjykatës Supreme për të kërkuar opinion nëse në rastin “Banjska” mund të aplikohet gjykimi në mungesë. Por, Supremja, pas shqyrtimit të kërkesës “për dhënie të mendimit juridik përkitazi me nenin 303 par.7 të Kodit Procedurës Penale në rastin “Banjska”, kishte sqaruar se nuk jep mendime juridike për dilemat që ka shkalla e parë gjatë procedimit të rastit.

Kështu, Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendim, me të cilin ka refuzuar propozimin që gjykimi për 42 të akuzuarit tjerë (41 persona fizikë dhe një person juridik) të akuzuar për sulmin terrorist në “Banjskë” të vazhdojë në mungesë. Gjykata po ashtu kishte bërë të ditur që për këta të pandehur është lëshuar letërreshtim ndërkombëtar dhe pritet ndalimi dhe ekstradimi i tyre për zhvillimin e procedurës ndaj tyre.

Seanca e shqyrtimit gjyqësor ndaj të tre akuzuarve në rastin “Banjska”: Vladimir Toliq, Dushan Maksimoviq dhe Blagoje Spasojeviq, u mbajt më 17 prill 2025, në të cilën tre të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm. Ndërsa, prokurori special Naim Abazi, mbrojtja e të akuzuarve dhe pala e dëmtuar, kanë dhënë fjalën hyrëse.

Edhe në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 9 tetor 2024, tre të pandehurit janë deklaruar të pafajshëm.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, me aktvendimin e 6 dhjetorit 2024, i kishte refuzuar si të pabazuara kërkesat për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimet ndaj provave, të paraqitura nga mbrojtësit e të akuzuarve të lartpëmendur kundër aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Kurse, Gjykata e Apelit më 13 mars 2025 njoftoi se ka marrë vendim, me të cilin e ka vërtetuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë me të cilën u konfirmua aktakuza ndaj të akuzuarve në rastin “Bajska”.

Deri tani, të arrestuar dhe nën masën e paraburgimit për këtë rast janë: Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, për të cilët është veçuar procedura penale.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale ngarkon 44 persona fizikë dhe një person juridik “RAD D.O.O”. Listës së të akuzuarve i prin Milan Radoiçiq.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 11 shtator 2024 ka ngritur aktakuzë kundër Milan Radoiçiqit dhe 44 të tjerëve për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit. Të akuzuarit ngarkohen se përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, tentuan ta shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës e t’ia bashkojnë Republikës së Serbisë, me ç’rast si rezultat i dhunës së përdorur ka mbetur i vdekur zyrtari policor Afrim Bunjaku e u rrezikua jeta e zyrtarëve tjerë policorë dhe popullatës civile. Aktakuzën e plotë mund ta gjeni: KËTU.

Në Bajsnkë të Zveçanit, në orët e hershme të 24 shtatorit 2023, ishte vrarë rreshteri Afrim Bunjaku si dhe ishin plagosur dy të tjerë. Pastaj, të vrarë kishin mbetur edhe tre sulmues, kurse të tjerët ishin larguar pasi ishin strehuar për disa orë në Manastirin e Bajnskës. Milan Radoiçiq e kishte marrë përsipër përgjegjësinë për sulmin terrorist. /BetimipërDrejtësisë/

​Sulmi terrorist në Banjskë, të akuzuarit dalin para gjykatores

16 January 2026 at 10:35


Nën masa të larta të sigurisë u sjellë në gjykatore të akuzuarit, Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, të cilët akuzohen për sulmin terrorist në Banjskë në shtatorin e vitit 2023.

Në sallë ndodhen edhe zyrtarët policorë që u lënduan në këtë sulm e që janë Alban Rashiti, Çlirim Shaqiri, Mirsad Kryeziu dhe Sedat Dushi.

Në këtë sulm mbeti i vrarë rreshteri policor, Afrim Bunjaku.

Seancën në rastin Banjska po e udhëheq kryetari i trupit gjykues, Ngadhënjim Arrni. Ndërsa, deri tani këtë gjykim e ka udhëhequr gjyqtari, Arben Hoti por me avancimin e tij në Gjykatën e Apelit Hoti u zëvendësua me Arrnin.

Arrni është edhe kryetar i Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Gjykimi në rastin e sulmin terrorist Bansjka ka nisur rishtazi për shkak të ndryshimit të trupit gjykues, ndërsa edhe sot dy të akuzuarit Blagoje Spasojeviq dhe Vladimir Toliq nuk u deklaruan rreth fajësisë ndërsa, Dushan Maksimoviq tha se nuk është fajtor për veprat të cilat i vihen në barrë me aktakuzën e Prokurorisë. /Kp/

Sulmi në Banjskë, sot seanca gjyqësore ndaj tre të akuzuarve

16 January 2026 at 07:42


Sot mbahet seanca gjyqësore për sulmin në Banjskë ndaj të akuzuarve Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq.

Seanca nis në ora 09:30.

Ndryshe, Prokuroria Speciale, më 11 shtator 2024 ka ngritur aktakuzë kundër Milan Radoiçiqit dhe 44 të tjerëve, për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë të Zveçanit.

Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Kosovës për sulmin e armatosur në Banjkë i ngarkon shumicën e tyre me terrorizëm dhe krime të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.

Deri tani, të arrestuar dhe nën masën e paraburgimit për këtë rast janë: Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq.

Radoiçiq akuzohet, gjithashtu, për lehtësimin dhe financimin e kryerjes së terrorizmit dhe pastrimit të parave, ndërsa i gjithë grupi akuzohet se me përdorim të dhunës dhe armëve të rënda, ka tentuar të ndajë pjesën veriore të Kosovës – ku gjenden komunat me shumicë serbe – dhe ta bashkojë atë me Serbinë.

Aktakuza e përshkruan Radoiçiqin si “udhëheqës të grupit terrorist”.

Në aktakuzë thuhet se më 24 shtator të vitit 2023, pasi bllokoi rrugën për në urën e fshatit me dy kamionë, ai dhe pjesëmarrësit e tjerë u fshehën dhe sulmuan oficerët e Policisë së Kosovës që shkuan për t’i larguar kamionët dhe për të liruar rrugën.

Në sulm mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku, ndërsa u plagosën policët: Alban Rashiti, Çlirim Shaqiri, Mirsad Kryeziu dhe Sedat Dushi.

Sipas aktakuzës, sulmi zgjati deri në orën 15:00, “kur shumica dërrmuese e grupit iku përmes rrugëve malore drejt Republikës së Serbisë”.

Në aktakuzë thuhet se ata ishin “trajnuar profesionalisht” dhe se kishin hyrë në Kosovë në mënyrë të paligjshme nga Serbia, përmes rrugëve malore, me dhjetëra makina, disa prej të cilave të blinduara dhe të ngarkuara me armë të rënda, municione, raketahedhës, eksplozivë, uniforma ushtarake kamufluese dhe pajisje të tjera ushtarake logjistike. /Telegrafi/

Argzon Muçaj emërohet nënkryetar i Gjykatës Themelore në Prishtinë

15 January 2026 at 12:46


Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka caktuar gjyqtarin Argzon Muçaj në pozitën e nënkryetarit të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Sipas njoftimit zyrtar të KGJK-së, vendimi është marrë në vazhdim të mbledhjes së 358-të, bazuar në propozimin e Kryetarit të Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Ky emërim vjen si pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për forcimin e strukturave udhëheqëse të sistemit gjyqësor dhe për të garantuar funksionimin efikas të gjykatës. /Telegrafi/


Nëna e binjakëve që iu vranë gjatë luftës kërkon dënim të përjetshëm për Millosh Pleskoviq

12 January 2026 at 12:20


Nënë Mihrije Daçaj, të cilës iu vranë djemtë binjakë në Prizren gjatë luftës së fundit në Kosovë, ka kërkuar dënim të përjetshëm për Millosh Pleskoviqin.

Këto deklarime ajo i bëri në seancën e Gjykatës së Apelit për shqyrtimin e ankesës ndaj vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, në rastin ndaj Millosh Pleskoviqit, i akuzuar për krime lufte në zonën e Prizrenit.

"Ne kërkojmë dënim për jetë", ka thënë shkurt Mihrija.

Dënim kapital kërkoi edhe avokati mbrojtës, Blend Gjini, i cili tutje theksoi se ankesa e avokates është e pabazë.

"Duke marrë parasysh se kemi të bëjmë me vrasje të civilëve shqiptarë, pasi që edhe përjetimet e vuajtjet janë riprodhuar sërish në seancë, konsiderojmë se shqiptuar nga gjykata e shkallës së parë është i vogël, pasi që ligji, dënimi për këto vepra penale e parasheh deri në 20 vjet, ne kërkojmë nga Gjykata e Apelit që duke marrë parasysh këto rrethana dhe fakte, të akuzuarit t'i shqiptohet një dënim kapital. Andaj, për fund, i propozoj kolegjit të Departamentit Special për Krime lufte që të refuzohet kërkesa e avokates, pasi që një kërkesë e tillë është e pabazë", tha ai. /Kp/

​Anulohet seanca për rastin e Nagip Krasniqit, shkak avancimi i kryetarit të trupit gjykues

12 January 2026 at 12:07


Seanca gjyqësore ndaj ish-kryeshefit ekzekutiv të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK1), Nagip Krasniqi, i cili po akuzohet për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” e cila ishte paraparë për sot nga ora 09:30 është anuluar.

Kjo pasi kryetari i trupit gjykues, Arben Hoti është avancuar në Gjykatën e Apelit.

Anulimin e kësaj seance e ka konfirmuar për Kosovapress, zyrtarja për informim në Gjykatën Themelore të Prishtinës, Mirlinda Gashi e cila tha se për këtë lëndë gjyqësore së shpejti do të caktohet gjyqtari i ri.

“Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se gjykata ka anuluar seancën e caktuar me datë 12.01.2026 në çështjen penale kundër të pandehurit N.K., për shkak të avancimit të kryetarit të trupit gjykues – gjyqtarit Arben Hoti në Gjykatën e Apelit të Kosovës. Lidhur me këtë, lënda në fjalë do të caktohet së shpejti tek gjyqtari bartës, pas së cilës do të procedohet me caktimin e seancës gjyqësore, për çka do të njoftoheni me kohë”, thuhet në përgjigjen e Gashit për KosovaPress.

Sipas aktakuzës Krasniqi në cilësinë e kryeshefit të KEK-ut, duke filluar nga 15 tetori 2021 e në vazhdimësi me qëllim që operatorit ekonomik “Holding Slovenske Elektrane” SE nga Sllovenia t’ia mundësojë tregtimin e energjisë elektrike në Republikën e Kosovës në kundërshtim me Ligjin për Energjinë Elektrike dhe Ligjit për Rregullatorin e Energjisë me dashje aprovon blerjet, nënshkruan kontrata dhe autorizon nënshkrimin e tyre si dhe konfirmon vazhdimin e tregtimit me operatorin në fjalë, ani pse ishte në dijeni se nuk mund të tregtohej energji elektrike me këtë operator derisa ai nuk licencohej apo nuk i njihej licenca nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE).

Në aktakuzë thuhet se, operatorit i ishte mundësuar përfitimi pasuror si dhe shmangia nga pagesat tatimore në Republikën e Kosovës dhe për pasojë dëmtimin në shkallë të madhe të buxhetit të Kosovës apo në vlerë prej 531.920.79 euro. Gjithashtu, thuhet se kjo kishte dëmtuar dhe diskriminuar operatorët tjerë ekonomikë konkurrentë që operonin në tregun e Kosovës që ishin të licencuar dhe i nënshtroheshin obligimeve tatimore.

Ndërsa, dëmi material ndaj KEK-ut, thuhet se është në shkallë të madhe, përkatësisht 3.229.905.00 euro.

Për këtë rast, Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzën më 19.08.2024 ndaj ish-kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Krasniqi ishte arrestuar më 19.04.2023 nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës zyrtare, ushtrim të ndikimit dhe konflikt të interesit.

Krasniqi kishte qëndruar nën masën e paraburgimit që nga 20.04.2023, por ishte liruar pesë muaj më pas, me 15.09.2023.

Arrestimi i Krasniqit ishte bërë me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Ndërsa, ndaj ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi Prokuroria Speciale më 30 dhjetor 2024 ngriti edhe aktakuzën tjetër për “Zbulim të fshehtësisë zyrtare”, dhe “Keqpërdorim të detyrës zyrtare”. /KP/

Edhe dy muaj paraburgim për Fatmir Shehollin, i dyshuar për spiunazh

10 January 2026 at 14:25


Gjykata Themelore e Prishtinës ia ka vazhduar edhe për dy muaj paraburgimin Fatmir Shehollit, i arrestuar për spiunazh.

Lajmin e konfirmoi për Telegrafin, Mirlinda Gashi, zëdhënëse e Gjykatës Themelore të Prishtinës.

“Ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale ndaj të pandehurit F.SH. për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale të Spiunazhit në vazhdimësi, gjyqtari i procedurës paraprake pas shqyrtimit të kërkesës, me datë 09.01.2026 përmes Aktvendimit ka aprovuar kërkesën e PSRK-së, ashtu që të njëjtit iu është vazhduar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 2 muaj”, tha Gashi për Telegrafi.com.

Ndryshe, Fatmir Sheholli u arrestua më 09 tetor 2025. Ai dyshohet se ka vepruar sipas udhëzimeve të zyrtarit të lartë të BIA-s serbe, Bojan Dimiq, duke mbledhur dhe shpërndarë informacion rreth pronave, aktiviteteve biznesore dhe funksionimit të institucioneve në Kosovë.

Në dosjen e Prokurorisë Speciale thuhet se Sheholli ishte i rekrutuar nga BIA dhe kishte ofruar ndihmë të vazhdueshme për këtë shërbim të huaj, duke marrë informacione që më pas i shpërndante edhe në media online në Kosovë. Ai ishte nën hetime nga gushti i vitit 2024 dhe ishte edhe në përgjim fizik.

Gjatë bastisjeve të Policisë së Kosovës më 9 tetor 2025 në banesën e Shehollit janë sekuestruar një numër i pajisjeve elektronike, dokumentacion dhe sende të tjera. /Telegrafi/

Slagjan Trajkoviq dënohet me 10 vjet burgim për krime lufte në Kosovë

26 December 2025 at 11:10


Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit për krime lufte, Slagjan Trajkoviq, duke e dënuar me 10 vjet burim.

Aktgjykimi u shpall të premten nga kryetari i trupit gjykues, Ngadhnjim Arrni dhe anëtarët Arben Hoti dhe Donikë Shala-Abdyli, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Gjykatësi Arrni tha se Trajkoviq është fajtor për pikën C të aktakuzës dhe të njëjtin Gjykata e gjykon me dënim me 10 vjet burgim.

Në dënimin me burgim, të akuzuarit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim. Kjo masë, atij i vazhdohet me aktvendim të veçantë.

Trajkoviq obligohet t’i paguajë edhe shpenzimet e procedurës dhe atë 200 euro për paushallin gjyqësor dhe 100 euro për fondin për kompensimin e viktimave të krimit.

Palët e dëmtuara për realizimin e kërkesës pasurore-juridike udhëzohen në kontest civil.

Sa i përket pikës A, B dhe D të aktakuzës, gjykatësi Arrni tha se nuk është vërtetuar se i akuzuari ka kryer ato veprime inkriminuese për të cilat e ngarkon aktakuza.

Kundër këtij vendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditësh, në Gjykatën e Apelit.

Gjykata Themelore e shpall të paligjshëm vendimin për zgjedhjen e kryetarit të KPM-së

22 December 2025 at 12:26


Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, ka aprovuar padinë e OJQ-së Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), duke e shpallur të paligjshëm vendimin për zgjedhjen e Kryetarit të Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM), të datës 17 janar 2025.

Lajmin e ka bërë të ditur avokati Ardian Bajraktari, i cili ka theksuar se vendimi i gjykatës konfirmon shkeljet ligjore gjatë procesit të vendimmarrjes.

“Sot e pranova vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin është aprovuar padia e IKD-së dhe është deklaruar i paligjshëm vendimi për zgjedhjen e Kryetarit të KPM-së,” ka deklaruar Bajraktari.

Sipas tij, aktgjykimi rikonfirmon rëndësinë e respektimit të ligjit në proceset institucionale.

“Ky vendim konfirmon shkeljet ligjore në procesin vendimmarrës dhe rikonfirmon rëndësinë e respektimit të parimit themelor të ligjshmërisë gjatë marrjes së vendimeve të tilla,” ka shtuar ai.

Vendimi i gjykatës pritet të ketë ndikim në funksionimin dhe vendimmarrjen e ardhshme të Komisionit të Pavarur të Mediave. /Telegrafi/


Në Gjykatë shfaqen video-incizimet e ditës kritike kur u vra Liridona Ademaj

22 December 2025 at 10:34


Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin ndaj Naim Murselit, Kushtrim Kokallës dhe Granit Plavës, po shfaqen video-incizimet e ditës kritike, kur u vra tani e ndjera Liridona Ademaj. Pamjet tregojnë lëvizjet e të akuzuarve në ditën krtike.

Prokurorja Javorka Perlinçeviq tha se fillimisht paraqiten pamjet e 29 nëntorit 2023, nga shtëpia e Naim Murselit, ku shihet teksa ky i fundit del nga shtëpia, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Më pas, tek pompa e derivateve shihet kur vjen Granit Plava, e pas tij Naim Murseli me veturë të tipit “Range Rover”. Kjo pompë gjendet në fshatin Cermjan.

Më pastaj, shihet momenti kur tani e ndjera Ademaj arrin në Bërnicë në shtëpinë e saj.

Në pamje të tjera, u shfaq vetura “Seat” e Granit Plavës dhe më pas ajo “Range Rover” e Naim Murselit. Shihen dy të akuzuarit duke dalë nga vetura, teksa i akuzuari Murseli afrohet tek Plava, i flet diçka dhe më pas shkon në dyqan.

E më pastaj, pamjet tregojnë Murselin duke i dhënë pije energjike Plavës.

Pamjet e tjera tregojnë rrugën “Dalip Alshiqi” në Bërnicë, ku edhe ndodhi vrasja. Aty shihet se si vetura “Range Rover” vjen e para dhe 3 sekonda mv pas në vendin e njëjtë pas asaj veture vjen vetura “Seat”. Pra, arrijnë së bashku nga pompa e derivateve.

Fotografia e 29 nëntorit 2023, e orës 17:49:30, pamje të shkëputura nga kamerat e sigurisë së një shtëpie, tregojnë veturën “Range Rover” të cilën e drejton Murseli. Po ashtu, kamerat e të njëjtës shtëpi kanë kapur edhe veturën e Plavës në vendin e njëjtë pas 7 sekondash. /Telegrafi/

Nis paraqitja e provave në gjykimin ndaj Naim Murselit dhe të tjerëve

22 December 2025 at 09:56


Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin ndaj Naim Murselit, Kushtrim Kokallës dhe Granit Plavës, të hënën seanca po vazhdon me paraqitjen e provave materiale.

Naim Murseli, Granit Plava, Kushtrim Kokalla dhe Tom Dodaj, ngarkohen për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt më 29 nëntor 2023, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Raporti do të përditësohet…

Ndryshe, raporti i Institutit të Psikiatrisë Forenzike të Kosovës ka konstatuar se Naim Murseli, i akuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt, nuk ka pasur çrregullime apo sëmundje mendore në kohën e kryerjes së veprës penale.

Edhe në seancën e 22 shtatorit 2025, ekspertët Shpend Haxhibeqiri dhe Bujar Obërtinca, konstatuan se të akuzuarit Murseli dhe Plava nuk kanë çrregullime mendore.

Në seancën fillestare të mbajtur më 31 janar 2025, Naim Murseli u deklarua i pafajshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij Liridona Ademajt, Granit Plava nuk u deklarua rreth fajësisë, kurse Kushtrim Kokalla tha se nuk deklarohet pa u konsultuar me mbrojtjen. Ndërsa, fajtor u deklarua i akuzuari Tom Dodaj. Ky i fundit, pasi pranoi fajësinë u dënua me 5 vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë më 15 janar 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Naim Murselit, Granit Plavës, Kushtrim Kokallës dhe Tom Dodajt.

“Betimi për Drejtësi” ka siguruar aktakuzën e Prokurorisë, në të cilën thuhet se Murseli, Plava dhe Kokalla ishin dakorduar paraprakisht që vrasja të kryhej nga i akuzuari Plava me marrëveshje që Murseli t’ia paguante atij 30 mijë euro. I gjithë plani për vrasjen e Liridonës, thuhet se u bë nga bashkëshorti i saj, tani i akuzuari Naim Murseli, si pasojë e çrregullimit të raporteve familjare e martesore, ku edhe lindi dëshira e tij për hakmarrje.

Në aktakuzë thuhet se fillimisht plani i ishte shpalosur Kokallës nga Murseli, por ai kishte refuzuar të gjente një mundësi për vrasjen e Liridonës, e më pas Kokalla kishte gjetur Plavën, me të cilin e kishte njoftuar Naimin. E vetë Naim Murseli, thuhet se siguroi armën me 20 fishekë, nga i akuzuari Tom Dodaj, nga i cili e bleu për 280 euro. Me këtë armë, u krye vrasja e tani të ndjerës.

Plani i Naim Murselit për vrasjen e Liridonës, inskenimi i grabitjes e marrëveshja për ta paguar 30 mijë euro dorasin

Sipas aktakuzës, për shkak të raporteve të çrregulluara familjare dhe martesore, gjatë të cilave kanë lindur mllefi dhe dëshira për hakmarrje tek i pandehuri i parë Naim Murseli, ky i fundit ka bërë planin ta largojë tani të ndjerën Liridona nga jeta e tij.

Në aktakuzë thuhet se pas datës 25 qershor 2022, kur është paguar polica e sigurimit jetësor në emër të Liridona Murselit me kompaninë Folksam, në shumën prej 3.000.000 kruna suedeze, me qëllim që pas vrasjes të ketë edhe dobi financiare, Naimi të pandehurit të tretë (Kushtrim Kokalla), ia ka shpalosur planin e likuidimit të bashkëshortes së tij dhe nga ai ka kërkuar të gjejë mundësi për vrasjen e saj.

Aktakuza thotë se fillimisht, Kokalla ka refuzuar e më pas ka gjetur të pandehurin e dytë, Granit Plava, me të cilin e ka njoftuar Naim Murselin dhe që të tre janë dakorduar që Graniti të kryejë vrasjen me marrëveshje që Naimi t’ia paguajë kompensimin në shumën prej 30 mijë euro.

Ndërsa, Naimi më 29 nëntor 2023, thuhet se ka siguruar armën e zjarrit dhe 20 fishekë, të cilat i ka blerë rreth orës 14:00 po të njëjtën ditë nga i pandehuri i katërt Tom Dodaj në shumën prej 280 euro, e të cilën armë ia ka dhënë të pandehurit të dytë- Granit Plavës.

Granit Plava, thuhet se armën në fjalë e ka përdorur për vrasjen e tani të ndjerës Liridona. Vrasje kjo e kryer në të njëjtën ditë në orët e mbrëmjes, në intervalin kohor prej orës 20:11 deri në ora 20:18 në vendin për të cilin është dakorduar me Naimin, duke e inskenuar që të duket si grabitje, ndërsa Naimi në mënyrë dinake me dorën e tij të djathtë ka mbajtur Liridonën në krahun e dorës së saj të majtë, me qëllim që ajo mos t’i shmanget plumbit, për çka Naimi me fëmijët ka dalë nga vetura dhe është larguar nga vendi i ngjarjes.

Me këtë, Naim Murseli akuzohet se në bashkëkryerje me të akuzuarit Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla, ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, par.1., pika 1.3 dhe 1.4 lidhur me nenet 31 dhe 34 të Kodit Penal.

I maskuar e me pistoletë, Granit Plava qëlloi me një plumb në kokë Liridonën

Sipas aktakuzës, më 29 nëntor 2023, në intervalin kohor prej orës 20:11 deri në 20:18 në fshatin Bërnicë në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë, i pandehuri i parë Naim Murseli me veturë në të cilën ka qenë tani e ndjera Liridona dhe fëmijët e tyre të moshës 4 dhe 6 vjeç, pas marrëveshjes paraprake, i ka dhënë shenjë me drita të veturës të pandehurit Plava, për çka ai befas ka dalë përpara veturës me maskë në kokë dhe pistoletë në duar, derisa i pandehuri Murseli, ka ndaluar dhe ka fikur motorin e veturës dhe me dorën e tij e ka mbajtur Liridonën për krahun e dorës së saj të majtë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i pandehuri Granit Plava për kompensim në shumën prej 30 mijë euro, nga afërsia e drejtpërdrejtë përmes dritares gjysmë të hapur nga ana e pasagjerit, ka shtënë një fishek nga pistoleta në drejtim të Liridonës dhe e qëllon në kokë, në pjesën prapa veshit të djathtë, duke i shkaktuar lëndime vdekjeprurëse, ku për pasojë ndërroi jetë në vendin e ngjarjes. Vdekja e saj, sipas raportit të autopsisë erdhi si rezultat i gjakderdhjes së brendshme dhe të jashtme.

Me këtë, Granit Plava akuzohet se në bashkëkryerje me Naim Murselin dhe Kushtrim Kokallën ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, par.1, pika 1.6 lidhur me nenin 31 dhe 34 të Kodit Penal.

Në pikën e tretë të aktakuzës, Granit Plava ngarkohet se nga 29 nëntori 2023 rreth orës 14:00 deri më 1 dhjetor 2023 rreth orës 16:15, ku është kryer bastisja në shtëpinë e tij në Cërmjan, Komuna e Gjakovës, ku është gjetur arma, pa autorizim dhe në kundërshtim me Ligjin për armë, ka poseduar pistoletën së bashku me 19 fishekë, me të cilën ka kryer veprën, e të cilën armë Naimi e ka blerë më 29 nëntor 2023 rreth orës 14:00 nga i pandehuri i katërt Tom Dodaj në shumën prej 280 euro.

Me këtë, Plava akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par.1 të Kodit Penal.

Kushtrim Kokalla njoftoi Granit Plavën me Naim Murselin dhe u dakorduan që Graniti ta kryejë vrasjen për 30 mijë euro

Në aktakuzë thuhet se pasi që i pandehuri i parë Naim Murseli ka kërkuar nga Kushtrim Kokalla që të gjejë mundësi për vrasjen e bashkëshortes së tij- Liridona Murselit dhe i njëjti ka refuzuar, Kushtrimi ka gjetur të pandehurin e dytë Granit Palava me të cilin e ka njoftuar Naimin dhe të tretë janë dakorduar që Graniti ta kryejë vrasjen me marrëveshje që Naimi t’i paguajë kompensim shumën prej 30 mijë euro.

Sipas aktakuzës, Naimi më 29 nëntor 2023 ka siguruar armën dhe 20 fishekë të cilat i ka blerë të njëjtën ditë rreth orës 14:00 nga Tom Dodaj për 280 euro, ia ka dhënë Plavës i cili armën e përmendur e ka përdorur për vrasjen e tani të ndjerës Liridona.

Me këtë, Kushtrim Kokalla akuzohet se në bashkëkryerje me Naim Murselin dhe Granit Plavën ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, par.1, pika 1.13 lidhur me nenet 31 dhe 34 të Kodit Penal.

Kokalla s’e lajmëroi vrasjen, edhe pse Naimi e kishte pranuar në dhomën e hotelit

Kokalla po ashtu akuzohet se edhe pse menjëherë pas kryerjes së vrasjes së tani të ndjerës Liridona ka pasur njohuri që veprën penale e kanë kryer i pandehuri Naim Murseli (i cili këtë e ka pranuar derisa kanë qenë në dhomën e hotelit të njëjtën natë pas vrasjes së kryer) dhe i pandehuri i dytë Granit Plava, i pandehuri Kokalla nuk i ka lajmëruar kryerësit e as veprën penale vrasje për planifikimin e kryerjes së të cilës ka marrë pjesë në mënyrë aktive së bashku me Murselin e Plavën, e të cilin rast organet kompetente fillimisht e kanë hetuar si grabitje deri dy ditë më vonë kur është arrestuar (më 1 dhjetor 2023).

Me këtë, Kushtrim Kokalla akuzohet se ka kryer veprën penale “Moslajmërimi i veprave penale apo kryerësve të tyre” nga neni 378, par.1, pika 1.1 lidhur me nenin 34 të Kodit Penal.

Tom Dodaj ia shiti armën Murselit e Plavës për 280 euro

Aktakuza e Prokurorisë ngarkon Tom Dodajn se më 29 nëntor 2023, rreth orës 14:00, në vendin e tij të punës në Novosellë të Epërme- Komuna e Gjakovës, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, e në kundërshtim me Ligjin në fuqi për armë dhe materiale plasëse, ia ka shitur një armë zjarri- pistoletë të akuzuarve Murseli dhe Plava në shumën prej 280 euro, e cila është përdorur në kryerjen e vrasjes së tani të ndjerës Liridona, vrasje e kryer në të njëjtën ditë në intervalin kohor mes orës 20:11 dhe 20:18 në Bërnicë, në rrugën “Dalip Alshiqi”, Komuna e Prishtinës.

Me këtë, Dodaj akuzohet se ka kryer veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materialeve plasëse nga neni 364, par.1 të Kodit Penal.

Detajet nga deklarimet e të akuzuarve në Prokurori dhe Polici, mund t’i gjeni: KËTU

Rihapet shqyrtimit gjyqësor ndaj ish-shefit të AKI-së Driton Gashi në rastin “Gylenistët”

17 December 2025 at 13:59


Gjykata Themelore në Prishtinë ka rihapur shqyrtimin gjyqësor ndaj ish-shefit të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, Driton Gashi i cili po akuzohet në rastin e njohur si “Gylenistët”.

Në këtë rast, Driton Gashi në cilësinë e shefit të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI), akuzohet se ishte angazhuar drejtpërdrejt në dëbimin e 6 shtetasve turq nga Kosova duke shkelur procedurat ligjore, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Trupi gjykues i kryesuar nga kryetarja Violeta Namani-Hajra dhe anëtarët Arben Hoti dhe Ngadhnjim Arrni, njoftuan se ky trup gjykues ka ardhë në përfundim se bazuar në dispozitat ligjore të parapara në Kodin e Procedurës Penale, rihapet shqyrtimi gjyqësor me qëllim të grumbullimit të provave dhe fakteve tjera, për vërtetim tv plotë dhe të drejtë të çështjes.

Prezent në seancë ishin edhe prokurorja Habibe Salihu-Shamolli dhe mbrojtësi i Gashit, avokati Florent Latifaj. Ndërkaq, mungoi i akuzuari Gashi.

Në këto rrethana, seanca e sotme ku planifikohej të bëhej shpallja e aktgjykimit përfundoi, pasi u rihap shqyrtimi gjyqësor dhe seanca e radhës do të caktohet pas pranimit të provave.

Më 19 korrik 2023, Themelorja e kishte shpallur fajtor ish-shefin e AKI-së, Driton Gashi, duke e dënuar me 4 vite e 8 muaj burgim, derisa Valon Krasniqi dhe Rrahman Sylemani ishin liruar nga akuza.

Por, në dhjetor 2024, Gjykata e Apelit e ka kthyer këtë rast në rigjykim vetëm sa i përket pikës I të dispozitivit ndaj të akuzuarit Driton Gashi, ndërsa ka vërtetuar lirimin nga akuza për dy të akuzuarit tjerë.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 24 shkurt 2021, Driton Gashi akuzohet se si person zyrtar në kohën e kryerjes së veprës penale drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, tutje AKI, prej 23 mars 2018, e deri më 29 mars 2018, në Prishtinë, me qëllim që shtetasit e Republikës së Turqisë, Cihan Ozkan, Yusuf Karabina, Kahraman Demirez, Hasan Hyseyn Demir dhe Mustafa Erden, që kishin leje qëndrim të ligjshëm dhe të drejtën e punës në Kosovë dhe Osman Karakoya që kishte bërë kërkesë për leje qëndrim në Kosovë, e të cilit procedura nuk i kishte përfunduar, t’i dëbojë me forcë kundërligjshëm nga Kosova dhe t’i dorëzojë tek autoriteteve turke.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Driton Gashi akuzohet se keqpërdori detyrën zyrtare, duke mos i përmbushur detyrat zyrtare sipas kompetencës, në atë mënyrë që Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion, më tutje DSHAM, të MPB i rekomandoi revokimin e lejeve të qëndrimit për shtetasit turq Cihan Ozkan, Yusuf Karabina, Kahraman Demirez, Hasan Hyseyn Demir dhe Mustafa Erden dhe mosdhënien e lejes për Osman Karakoya, për arsye se kinse ata paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare, fakt që nuk është provuar fare në procedurë të zbatuar në bazë të ligjit, ndërsa të akuzuarit Rrahman Sylejmani, drejtor i Drejtorisë për Migrim dhe të Huaj në Ministrin e Punëve të Brendshme, tutje DMH, i kishte rekomanduar nxjerrjen e gjashtë urdhrave për dëbimin e të dëmtuarave me forcë nga Republika e Kosovës.

PSRK-ja pretendon se i akuzuari Driton Gashi, për këtë procedurë dhe për dëbimin e të dëmtuarve me forcë nga Republika e Kosovës, nuk e ka njoftuar Presidentin dhe Kryeministrin e Republikës së Kosovës, siç parashihet me Ligjin për AKI dhe as Kryeprokurorin e Shtetit siç parashihet me nenin 25 të Ligjit për AKI, dhe se ka tejkaluar po ashtu kompetencat duke përfshirë AKI, në aranzhimin e udhëtimit, transportin dhe pjesëmarrjen në operacionin e dëbimit që nuk ishin kompetenca të agjencisë që drejtonte, pastaj u angazhuan drejtpërdrejt në aksionin e dëbimit të tyre ani pse kjo nuk ishte në kompetencën e tij.

Me këto veprime, PSRK-ja e ngarkon të akuzuarin Driton Gashi se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1 të KPK-së.

Sipas kësaj aktakuze, Valon Krasniqi akuzohej se si person zyrtar, drejtor në DSHAM në MPB, në periudhën kohore prej 23 mars 2018 deri më 29 mars 2018, keqpërdori detyrën zyrtare duke mos i përmbushur detyrat zyrtare sipas kompetencës, në atë mënyrë që në kundërshtim me 91 të Ligjit për të Huaj, mori vendim për revokimin e lejeve të ligjshme të qëndrimit të të dëmtuarave shtetasve Cihan Ozkan, Yusuf Karabina, Kahraman Demirez, Hasan Husein Demir dhe Mustafa Erden dhe në kundërshtim me nenin 44 të të njëjtit ligj për Osman Karakoya, që ishte në procedurë për marrjen e lejes së qëndrimit, pa u përfunduar ajo me vendim të formës së prerë, mirëpo veproi vetëm duke u bazuar në rekomandimin e të akuzuarit Driton Gashi për revokimin e lejeve të qëndrimit për shtetasit turq dhe pa vërtetuar fare nëse informacionet e AKI plotësojnë kriteret ligjore të përcaktuara me ligj për të vërtetuar se të dëmtuarit paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, po ashtu i akuzuari Valon Krasniqi, përgjegjësitë e tij ligjore për identifikimin e të dëbuarve, sigurimin e fletë-udhëtimeve, sigurimin e kujdesit mjekësor dhe autoritetin për zbatimin e operacionit të dëbimit me forcë të tyre ia kishte kaluar AKI-së dhe Policisë së Kosovës, në këtë mënyrë duke u shkelur të drejtat e të dëmtuarve, të drejtën e qëndrimit dhe punës së ligjshme në Kosovë të dëmtuarve iu ka shkaktuar dëm moral dhe material.

Me këto veprime, PSRK-ja e ngarkonte të akuzuarin Valon Krasniqi se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 të KPK-së të KPK-së.

PSRK-ja e ngarkonte të akuzuarin Rrahman Sylejmani se si person zyrtar, drejtor i DMH, pranë MPB, më 29 mars 2018, në Prishtinë, tejkaloi kompetencat zyrtare në atë mënyrë që nxori gjashtë urdhra për dëbim me forcë të 6 shtetasve të Republikës së Turqisë, të dëmtuarave Cihan Ozkan, Yusuf Karabina, Kahraman Demirez, Hasan Husein Demir dhe Mustafa Erden, që kishin leje qëndrim të ligjshëm qëndrimi dhe pune në Kosovë, dhe Osman Karakoya që ishte në procedurë për marrjen e lejes së qëndrimit dhe punës edhe pse në bazë të nenit 99, par.1 të Ligjit për të Huaj, nuk ishte fare në kompetencë të DMH që drejtonte ai, por në kompetencë të DSHAM.

Ndërsa, thuhet se urdhrat për dëbim me forcë i nxori edhe pse ishin përmbushur asnjë nga kushtet për lëshimin e urdhrit për dëbim me forcë nga neni 97, par. 1 të të njëjtit ligj dhe po ashtu pa e zbatuar procedurën e paraparë në nenin 97, paragrafi 8 i të njëjtit ligj, ndërsa, dëboi me forcë dhe deportojë të dëmtuarin Hasan Husein Gunakan në mënyrë të kundërligjshme edhe pse atij nuk i ishte revokuar fare leja e qëndrimit dhe punës në Kosovë dhe nuk kishte as urdhër për dëbimin e tij, në këtë mënyrë shkeli rënd të drejtat e të dëmtuarve për qëndrim dhe punësim në Kosovë, me ç’rast iu shkaktoi dëm moral dhe material të dëmtuarve.

Me këto veprime, Prokuroria e ngarkonte të akuzuarin Rrahman Sylejmani se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 të KPK-së.

Po ashtu, prokuroria e akuzonte Rrahman Sylejmanin edhe se si person zyrtar, në cilësinë si në piken III- të këtij dispozitivi, gjatë muajit mars 2018 në shkollat “Mehmet Akif”, në Gjakovë dhe Lipjan dhe në shtëpinë në lagjen “Marigona” në Prishtinë, me ndihmën e Policisë së Kosovës, privoi kundërligjshëm nga liria duke i dëbuar dhe deportuar me forcë të dëmtuarit e cekur në dispozitivin III pa ekzistuar asnjë bazë ligjore të paraparë me dispozitat e nenit 29, par.2 dhe 3 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe neni 13, paragrafi 1 i Kodit të Procedurës Penale.

Me këto veprime, PSRK e ngarkonte të akuzuarin Rrahman Sylejmani se ka kryer veprën penale “Privimi i kundërligjshëm i lirisë” nga neni 196, par. lidhur me par. 3 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi/

Ndërpritet seanca në rastin “Banjskë”, dëshmia e Antonjieviqit pranohet të lexohet

17 December 2025 at 13:25


Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në mungesë të dëshmitares, Dragana Antonijeviq u ndërpre seanca ndaj të tre akuzuarve lidhur me sulmin terrorist të 24 shtatorit2023 në fshatin Banjskë të Zveçanit, Vladimir Toliq, Dushan Maksimoviq dhe Blagoje Spasojeviq.

Me propozim të prokurorit, Naim Abazi trupi gjykues vendosi që dëshmia e Antonjieviqit të lexohet.

Ndërsa, për dëshmitarin tjetër, Goran Tanevski u tha se do të tentohet të sigurohet dëshmia e tij përmes Gjykatës së Shkupit.

Po ashtu, trupi gjykues ka vendosur të pranojë propozimin e palës mbrojtëse që në këtë proces gjyqësor të dëgjohet edhe një dëshmitar tjetër i propozuar nga mbrojtja, raporton KP.

Kryetari i trupit gjykues, Arben Hoti tha se dëshmitarja Dragana Antonijeviq sot nuk është prezentë në sallë, por që babai i saj dy herë e ka pranuar ftesën e gjykatës.

“Sipas agjendës kemi planifikuar që të dëgjohet dëshmitarja Dragana Antonijeviq e cila nuk prezanton në seancën e sotme gjyqësore, për të cilën që dy herë radhazi ftesën e ka pranuar babai i saj në adresën me të cilën e ka poseduar gjykata dhe thotë se e njëjta gjendet në Serbi”, tha ai.

Prokurori i Shtetit, Naim Abazi tha se pas refuzimit për pranim të ftesës nga dëshmitarja Antonjieviq dhe në mungesë të arsyeve ligjore për këtë refuzim propozon që dëshmia e saj të lexohet dhe të administrohet si provë e drejtpërdrejtë.

“Meqë dëshmitarja është thirrur rregullisht në këtë shqyrtim gjyqësor, por e njëjta ka refuzuar ta pranojë ftesën, duke shprehur vullnetin e saj për të mos dëshmuar pa paraqitur ndonjë arsye ligjore që do t’a justifikonte këtë refuzim. Prandaj, meqenëse gjykata është në situatë të tillë mendoj se janë plotësuar kushtet…që procesverbalet mbi deklaratat e mëparshme mund të lexohen kur dëshmitarët pa arsye ligjore nuk dëshirojnë të dëshmojnë në këtë shqyrtim gjyqësor. Edhe në aspektin procedural janë plotësuar kushtet për faktin se dëshmitarja ka dhënë deklaratë në Prokurori dhe kjo deklaratë është dokumentuar mbi bazën e procesverbaleve procedurale të kësaj prokurorie dhe gjithashtu janë plotësuar kushtet për t’u zbuluar palës mbrojtëse dhe të dëmtuar… Gjykata ka bërë përpjekje reale për praninë e dëshmitares, por pa sukses. Duke u mbështetur në dispozitat përkatëse, propozoj që deklarata e saj të lexohet dhe të administrohet si provë e drejtpërdrejtë në këtë proces gjyqësor”, tha ai.

Edhe avokatët e të akuzuarve propozuan që dëshmia e dëshmitares të lexohet në këtë seancë, por njëkohësisht u kërkua që ajo të thirret sërish nga gjykata për t’u paraqitur në një seancë tjetër.

Mbrojtësi i të akuzuarit Spasojeviq, avokati Lubomir Pantoviq tha se dëshmia e Antonijeviqit nuk është e rëndësishme dhe nuk ka të bëjë me klientin e tij.

“Deklarata e dëshmitares, Dragana Antonijeviq si provë plotësisht jo relevant posaçërisht në asnjë pjesë nuk ka të bëjë me të mbrojturin tim Blagoje Spasojeviq ajo deklaratë ka të bëjë në kontekstin e përgjithshëm të ngjarjes….Unë nuk e kundërshtoj propozimin e prokurorit special”, tha ai.

Mendim të njëjtë pati edhe mbrojtësja e të akuzuarit, Dushan Maksimoviq, avokatja Jovana Filipoviq, ndërsa, mbrojtësi i Vladimir Toliq, avokati Millosh Deleviq ia la gjykatës të vendos.

Kryetari i trupit gjykues, Arben Hoti, tha se propozimi i prokurorit aprovohet, pasi ka bazueshmëri ligjore.

“Aprovohet propozimi i prokurorit, sepse i njëjti ka bazueshmëri ligjore….. Dëshmitarja edhe pse i është dërguar ftesa, nuk gjendet në Kosovë, por në Serbi. Bazuar në këto shkaqe, lexohet dëshmia e saj”, tha Hoti.

Ndërsa, sa i takon dëshmitarit të fundit të propozuar nga Prokuroria e Shtetit, Goran Tanevski tha se kjo çështje mbetet pezull përkundër që gjykata disa herë ka tentuar të ketë një video-lidhje me të, por për shkak të mungesës së pajisjeve në gjykatën e Shkupit ka qenë e pamundur për momentin.

“Ne e kemi dëshmitarin e fundit të prokurorisë, Goran Tanevski në Republikën e Maqedonisë dhe gjykata disa ditë më herët me radhë ka bërë përpjekje për sigurimin e një video-konferencë me gjykatën e Shkupit, por të cilët janë përgjigjur se nuk kanë pajisje, por kanë lënë mundësinë e hapur se në të ardhmen mund të realizohet një lidhje e tillë me gjykatën në Shkup. Deri këto momente nuk kemi konfirmim, kjo çështje do të rri pezull nuk do të vendosim për të“, tha ai.

Gjatë kësaj seanca u propozua nga mbrojtja dëgjimi i dëshmitarit, Millosh Radosalvoviq. Por, prokurori Abazi e kundërshtoi këtë propozim.

“Meqenëse ky dëshmitar nuk është paraqitur brenda afatit ligjor dhe nuk ka pas njoftim paraprak apo të rregullt procedural për ta njoftuar prokurorin, ky propozim është paraqitur me vonesë dhe pa asnjë arsye duke mos respektuar këto afate ligjore. Mbrojtja nuk mund të përfitoj nga shkeljet e veta procedurale dhe pranimi i këtij propozimi do ta cenonte parimin e barazisë së palëve në procedurë. Dëshmitari është jorelevant për këtë çështje, ndërsa propozimi i mbrojtjes është i paqartë dhe i papranueshëm”, tha ai, raporton KP.

Avokatja e të akuzuarit Dushan Maksimoviq, Jovana Filipoviq, tha se qëndrimi i Prokurorisë së Shtetit nuk qëndron, duke theksuar se dëshmitarët e propozuar nga mbrojtja mund të kenë dijeni relevante për rastin.

“Kjo vërejte e PS-së nuk qëndron, nuk qëndron për faktin se dëshmitarët të cilët janë propozuar mund ta japin dhe kanë dijeni të drejtpërdrejtë dhe jo të drejtpërdrejt në këtë çështje juridike”, tha ajo.

E për këtë propozim, kryetari i trupit gjykues, Arben Hoti, njoftoi se aprovohet propozimi i mbrojtjes që në cilësinë e dëshmitarit të dëgjohet Millosh Radosalvoviq.

Seanca e radhës në rastin e sulmit terrorist Banjska është caktuar për më 16 janar, në orën 09:30.

Seanca e shqyrtimit fillestar gjyqësor ndaj të tre akuzuarve në rastin “Banjska” Vladimir Toliq, Dushan Maksimoviq dhe Blagoje Spasojeviq u mbajt më 17 prill 2025. Po në këtë seancës të tre të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm. Ndaj këtyre tre të akuzuarve Gjykata mori vendin ta veçoj procedurën penale.

Prokuroria Speciale e Kosovës më 11 shtator 2024 ka ngritur aktakuzë kundër Milan Radoiçiq dhe 44 të tjerëve për sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjska të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku, raporton KosovaPress.

Të pandehurit ngarkohen për veprat penale kryerja e veprës terroriste, veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, lehtësimi dhe financimi në kryerjen e terrorizmit dhe shpëlarja e parave.

Mbrojtja kërkon aktgjykim lirues të ish-shefit të AKI-së për rastin “Gylenistët”

11 December 2025 at 13:18


Në Gjykatën Themelore në Prishtinë në seancën e së enjtes është dhënë fjala përfundimtare në gjykimin ndaj ish-shefit të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, Driton Gashi i cili po akuzohet në rastin e njohur si “Gylenistët”. Mbrojtja e të akuzuarit kërkoi aktgjykim lirues, ndërkaq ajo e palës së dëmtuar aktgjykim dënues.

Në këtë rast, Driton Gashi në cilësinë e shefit të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI), akuzohet se ishte angazhuar drejtpërdrejt në dëbimin e 6 shtetasve turq nga Kosova duke shkelur procedurat ligjore, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fjalën përfundimtare para gjykatës e kanë dhënë mbrojtja e palës së dëmtuar dhe mbrojtja e të akuzuarit Gashi. Ndërsa, në seancën e 21 nëntorit 2025, prokurorja Habibe Salihu-Statovci, fjalën përfundimtare e kishte dorëzuar me shkrim.

Mbrojtësit i palëve të dëmtuara, avokatët Leotrim Syla dhe Urim Vokshi fjalën përfundimtare e dorëzuan me shkrim.

Ndërsa, avokati Syla ndër të tjera deklaroi se edhe në këtë shqyrtim gjyqësor është vërtetuar se gjashtë shtetasit turq ishin deportuar me qëllim. Të dy mbrojtësit, kërkuan që i akuzuari të mbahet përgjegjës.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Gashi, avokati Florent Latifaj deklaroi se qëndron pranë fjalës përfundimtare të dhënë në shqyrtimin e kaluar.

Ndërsa, gjatë deklarimit të avokatiti Latifaj seanca u mbyll për publikun përkohësisht, për shkak të elaborimit të pjesëve të seancave që ishin të mbyllura për publikun.

Në fund, avokati Latifaj kërkoi që i mbrojturi i tij të lirohet nga akuza, duke theksuar se “duhet të marrë fund turpërimi që i është bërë institucionit të sigurisë në Kosovë”.

“E nderuar Gjykatë, ju lutem të bazoheni në gjetjet e raportit të AKI-së të përpiluar për këta qytetarë të Republikës së Turqisë. Edhe në aktgjykimet dënuese që i kanë marrë në shtetin e vet për organizim të organizatave terroriste të armatosura. Institucioni i AKI-së e ka kryer punën më përpikëri të madhe dhe në respektim të ligjit dhe nuk ka keqpërdorë autorizim por ka mbrojt interesat e vendit. Propozojmë që pas shqyrtimit të provave të nxjerrni aktgjykim lirues dhe ky turprim që iu ka ba institucionit të sigurisë së Kosovës të merr fund këtu”, tha avokati Latifaj.

Më 19 korrik 2023, Themelorja e kishte shpallur fajtor ish-shefin e AKI-së, Driton Gashi, duke e dënuar me 4 vite e 8 muaj burgim, derisa Valon Krasniqi dhe Rrahman Sylemani ishin liruar nga akuza.

Por, në dhjetor 2024, Gjykata e Apelit e ka kthyer këtë rast në rigjykim vetëm sa i përket pikës I të dispozitivit ndaj të akuzuarit Driton Gashi, ndërsa ka vërtetuar lirimin nga akuza për dy të akuzuarit tjerë.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 24 shkurt 2021, Driton Gashi akuzohet se si person zyrtar në kohën e kryerjes së veprës penale drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, tutje AKI, prej 23 mars 2018, e deri më 29 mars 2018, në Prishtinë, me qëllim që shtetasit e Republikës së Turqisë, Cihan Ozkan, Yusuf Karabina, Kahraman Demirez, Hasan Hyseyn Demir dhe Mustafa Erden, që kishin leje qëndrim të ligjshëm dhe të drejtën e punës në Kosovë dhe Osman Karakoya që kishte bërë kërkesë për leje qëndrim në Kosovë, e të cilit procedura nuk i kishte përfunduar, t’i dëbojë me forcë kundërligjshëm nga Kosova dhe t’i dorëzojë tek autoriteteve turke.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Driton Gashi akuzohet se keqpërdori detyrën zyrtare, duke mos i përmbushur detyrat zyrtare sipas kompetencës, në atë mënyrë që Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion, më tutje DSHAM, të MPB i rekomandoi revokimin e lejeve të qëndrimit për shtetasit turq Cihan Ozkan, Yusuf Karabina, Kahraman Demirez, Hasan Hyseyn Demir dhe Mustafa Erden dhe mosdhënien e lejes për Osman Karakoya, për arsye se kinse ata paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare, fakt që nuk është provuar fare në procedurë të zbatuar në bazë të ligjit, ndërsa të akuzuarit Rrahman Sylejmani, drejtor i Drejtorisë për Migrim dhe të Huaj në Ministrin e Punëve të Brendshme, tutje DMH, i kishte rekomanduar nxjerrjen e gjashtë urdhrave për dëbimin e të dëmtuarave me forcë nga Republika e Kosovës.

PSRK-ja pretendon se i akuzuari Driton Gashi, për këtë procedurë dhe për dëbimin e të dëmtuarve me forcë nga Republika e Kosovës, nuk e ka njoftuar Presidentin dhe Kryeministrin e Republikës së Kosovës, siç parashihet me Ligjin për AKI dhe as Kryeprokurorin e Shtetit siç parashihet me nenin 25 të Ligjit për AKI, dhe se ka tejkaluar po ashtu kompetencat duke përfshirë AKI, në aranzhimin e udhëtimit, transportin dhe pjesëmarrjen në operacionin e dëbimit që nuk ishin kompetenca të agjencisë që drejtonte, pastaj u angazhuan drejtpërdrejt në aksionin e dëbimit të tyre ani pse kjo nuk ishte në kompetencën e tij.

Me këto veprime, PSRK-ja e ngarkon të akuzuarin Driton Gashi se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1 të KPK-së.

Sipas kësaj aktakuze, Valon Krasniqi akuzohej se si person zyrtar, drejtor në DSHAM në MPB, në periudhën kohore prej 23 mars 2018 deri më 29 mars 2018, keqpërdori detyrën zyrtare duke mos i përmbushur detyrat zyrtare sipas kompetencës, në atë mënyrë që në kundërshtim me 91 të Ligjit për të Huaj, mori vendim për revokimin e lejeve të ligjshme të qëndrimit të të dëmtuarave shtetasve Cihan Ozkan, Yusuf Karabina, Kahraman Demirez, Hasan Husein Demir dhe Mustafa Erden dhe në kundërshtim me nenin 44 të të njëjtit ligj për Osman Karakoya, që ishte në procedurë për marrjen e lejes së qëndrimit, pa u përfunduar ajo me vendim të formës së prerë, mirëpo veproi vetëm duke u bazuar në rekomandimin e të akuzuarit Driton Gashi për revokimin e lejeve të qëndrimit për shtetasit turq dhe pa vërtetuar fare nëse informacionet e AKI plotësojnë kriteret ligjore të përcaktuara me ligj për të vërtetuar se të dëmtuarit paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, po ashtu i akuzuari Valon Krasniqi, përgjegjësitë e tij ligjore për identifikimin e të dëbuarve, sigurimin e fletë-udhëtimeve, sigurimin e kujdesit mjekësor dhe autoritetin për zbatimin e operacionit të dëbimit me forcë të tyre ia kishte kaluar AKI-së dhe Policisë së Kosovës, në këtë mënyrë duke u shkelur të drejtat e të dëmtuarve, të drejtën e qëndrimit dhe punës së ligjshme në Kosovë të dëmtuarve iu ka shkaktuar dëm moral dhe material.

Me këto veprime, PSRK-ja e ngarkonte të akuzuarin Valon Krasniqi se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 të KPK-së të KPK-së.

PSRK-ja e ngarkonte të akuzuarin Rrahman Sylejmani se si person zyrtar, drejtor i DMH, pranë MPB, më 29 mars 2018, në Prishtinë, tejkaloi kompetencat zyrtare në atë mënyrë që nxori gjashtë urdhra për dëbim me forcë të 6 shtetasve të Republikës së Turqisë, të dëmtuarave Cihan Ozkan, Yusuf Karabina, Kahraman Demirez, Hasan Husein Demir dhe Mustafa Erden, që kishin leje qëndrim të ligjshëm qëndrimi dhe pune në Kosovë, dhe Osman Karakoya që ishte në procedurë për marrjen e lejes së qëndrimit dhe punës edhe pse në bazë të nenit 99, par.1 të Ligjit për të Huaj, nuk ishte fare në kompetencë të DMH që drejtonte ai, por në kompetencë të DSHAM.

Ndërsa, thuhet se urdhrat për dëbim me forcë i nxori edhe pse ishin përmbushur asnjë nga kushtet për lëshimin e urdhrit për dëbim me forcë nga neni 97, par. 1 të të njëjtit ligj dhe po ashtu pa e zbatuar procedurën e paraparë në nenin 97, paragrafi 8 i të njëjtit ligj, ndërsa, dëboi me forcë dhe deportojë të dëmtuarin Hasan Husein Gunakan në mënyrë të kundërligjshme edhe pse atij nuk i ishte revokuar fare leja e qëndrimit dhe punës në Kosovë dhe nuk kishte as urdhër për dëbimin e tij, në këtë mënyrë shkeli rënd të drejtat e të dëmtuarve për qëndrim dhe punësim në Kosovë, me ç’rast iu shkaktoi dëm moral dhe material të dëmtuarve.

Me këto veprime, Prokuroria e ngarkonte të akuzuarin Rrahman Sylejmani se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 të KPK-së.

Po ashtu, prokuroria e akuzonte Rrahman Sylejmanin edhe se si person zyrtar, në cilësinë si në piken III- të këtij dispozitivi, gjatë muajit mars 2018 në shkollat “Mehmet Akif”, në Gjakovë dhe Lipjan dhe në shtëpinë në lagjen “Marigona” në Prishtinë, me ndihmën e Policisë së Kosovës, privoi kundërligjshëm nga liria duke i dëbuar dhe deportuar me forcë të dëmtuarit e cekur në dispozitivin III pa ekzistuar asnjë bazë ligjore të paraparë me dispozitat e nenit 29, par.2 dhe 3 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe neni 13, paragrafi 1 i Kodit të Procedurës Penale.

Me këto veprime, PSRK e ngarkonte të akuzuarin Rrahman Sylejmani se ka kryer veprën penale “Privimi i kundërligjshëm i lirisë” nga neni 196, par. lidhur me par. 3 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi/

U lirua nga paraburgimi, Beqë Shala mbetet në arrest shtëpiak deri në janar të vitit 2026

27 November 2025 at 10:30


Prokurori Beqë Shala i cili u arrestua në tetor të këtij viti, është liruar nga paraburgimi dhe të njëjtit i është caktuar masa e arrestit shtëpiak.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se është refuzuar kërkesa e Prokurorisë Speciale për vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, dhe se Shala do të vazhdoj të mbetet në arrest shtëpiak edhe për dy muaj.

Kështu ka konfirmuar për Telegrafin zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

“Ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale ndaj të pandehurit B.SH., për shkak të veprës penale Marrja e ryshfetit, Gjykata Themelore në Prishtinë - Departamenti Special ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për vazhdimin e masës së paraburgimit në këtë çështje penale.

Me datë 26.11.2025, gjyqtari i procedurës paraprake përmes Aktvendimit ka refuzuar Kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës PPS.nr. 190/25 të datës 20.11.2025, për vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit B.SH., duke iu zëvendësuar masa e paraburgimit me masën e arrestit shtëpiak, në kohëzgjatje prej 2 (dy) muaj, e cila masë do të llogaritet nga data 26.11.2025 deri më datë 25.01.2026”, ka thënë Gashi.


Ajo ka shtuar se nëse i pandehuri Beqë Shala nuk e respekton këtë Aktvendim, gjykata në pajtim me nenin 181 paragrafi 5 të KPPRK-së, ndaj të pandehurit do të zëvendësoj masën e arrestit shtëpiak me masën e paraburgimit.

Prokurori Shala ishte arrestuar më 27 tetor të këtij viti në vendin e tij të punës nën dyshimin për marrje ryshfeti, dhe ndaj tij ishte caktuar menjëherë masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Më 6 nëntor, Gjykata e Apelit përmes njoftimit bëri të ditur se e kishte lënë në fuqi vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Ndaj vendimit të Themelores për caktim paraburgimit, kishte ushtruar ankesë mbrojtja e Shalës. /Telegrafi/

Për sulm dhe kanosje të gjyqtarit në Drenas dënohet me 6 vite burgim

20 November 2025 at 16:36


Gjykata Themelore e Prishtinës ka shpallur aktgjykim dënues ndaj D. Z., i cili u dënua me 6 vite burg për sulm dhe kanosje ndaj gjyqtarit mbikëqyrës në Drenas, Shefqet Baleci.

Sipas aktakuzës, D. Z. e kishte sulmuar dhe kanosur gjyqtarin Baleci për shkak të veprimeve të tij zyrtare në një rast tjetër, ku i pandehuri ishte dënuar me 6 muaj burg efektiv dhe 300 euro gjobë.

Aktgjykimi u shpall të enjten nga gjyqtarja Valbonë Përlaska. Me vendimin e Gjykatës, i akuzuari u dënua me 5 vite burg për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar” dhe me 2 vite burg për veprën penale “Kanosja”. Gjykata i shqiptoi dënim unik prej 6 vitesh burg.

Në këtë dënim, të akuzuarit i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim. Po ashtu, ai obligohet të paguajë 20 euro paushall gjyqësor dhe 20 euro për fondin e kompensimit të viktimave të krimit. Pala e dëmtuar është udhëzuar të ndjekë kontestin përmes procedurës civile.

Palët kanë të drejtë ankese brenda 30 ditësh.

Në shpalljen e aktgjykimit ishin të pranishëm avokati i palës së dëmtuar, Ibrahim Dobruna, dhe mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Ibrahim Shala. I akuzuari e ndoqi shpalljen përmes video-linkut nga qendra e paraburgimit.

Në seancën e shqyrtimit fillestar më 17 nëntor 2025, Gjykata kishte miratuar pranimin e fajsisë nga ana e D. Z.

Anulohet seanca për spiunazh, urdhërohet ekzaminimi psikiatrik ndaj Bedri Shabanit

20 November 2025 at 08:43


Gjykata Themelore në Prishtinë ka anuluar mbajtjen e seancës gjyqësor ndaj Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit, të cilët akuzohen për spiunazh.

Në njoftimin e bërë nga Gjykata Themelore, thuhet se trupi gjykues ka urdhëruar një ekzaminim lidhur me gjendjen mendore të të pandehurit Bedri Shabani, transmeton Telegrafi.

"Ju njoftojmë se seanca e shqyrtimit gjyqësor në çështjen penale PS.nr.13/2025, ndaj të akuzuarve B.SH. dhe M.Q., për shkak të veprës penale Spiunazhi, e caktuar për datë 20.11.2025 sipas Aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës është anuluar, pasi trupi gjykues në këtë çështje penale ka urdhëruar një ekzaminim lidhur me gjendjen mendore të të pandehurit B.SH., sipas propozimit të mbrojtjes së të pandehurit B.SH", thuhet në njoftim.

Tutje, thuhet se anulimi është bërë nga trupi gjykues dhe bazohet në faktin se është urdhëruar ekzaminimi psikitatrik i të pandehurit B.SH, i cili ekzaminim nuk mund të përfundohet në kohë të shkurtër.

Gjykata njofton se lidhur me caktimin e datës së radhës në këtë çështje penale, palët do të njoftohen paraprakisht, përmes ftesave të gjykatës.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 19 shkurt 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit, të cilët i ngarkon se kanë mbledhur dhe dërguar informacione e dokumente tek BIA serbe lidhur me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, eprorët e pjesëtarët e saj, Policinë, Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë e Inspektoratin Policor të Kosovës, si dhe për ngjarje e objekte specifike, përfshirë edhe një masakër.

Përmes këtyre veprimeve, PSRK thotë se synohej shkaktimi i një konflikti të gjerë ndëretnik në territorin e Republikës së Kosovës, të krijohej një narrativë e pavërtetë që ta ndërlidhë Spitalin Ushtarak të UÇK-së për kinse trafikim organesh dhe të vë në dyshim të vërtetën e masakrës. /Telegrafi/

Arsimtari që akuzohet se hodhi në mbeturina flamurin kombëtar dhe plisin, trupi gjykues refuzon mbylljen e seancës për publikun

14 November 2025 at 12:13


Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, këtë të premte mësimdhënësi Muhamed Hajredinaj është deklaruar i pafajshëm për akuzën se hodhi në shportën e mbeturinave flamurin kombëtar dhe plisin. Po ashtu, palët dhanë fjalët hyrëse në këtë gjykim.

Fillimisht, mbrojtësi i të akuzuarit Hajredinaj, avokati Muhamet Mujaj, propozoi mbylljen e seancës për publikun gjatë tërë procesit gjyqësor, me arsyetimin se ndaj të mbrojturit të tij është zhvilluar “gjyq publik” dhe se në shkresat e lëndës përmenden fëmijë.

Sipas tij, qëllimi i këtij propozimi është të shmanget krijimi i përçarjeve në publik për një rast penal që, sipas mbrojtjes, nuk ka bazë juridike, raporton Betimi për Drejtësi.

Propozimin e mbrojtjes e kundërshtoi prokurori special Bekim Kodraliu, me arsyetimin se vepra penale është kryer publikisht dhe se një nga provat e Prokurorisë është siguruar përmes mediave.

Sipas tij, qëllimi i këtij shqyrtimi gjyqësor është të përmbyllet procesi me konkluzione.

Lidhur me këtë propozim, trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Leon Përlaska, pas marrjes së mendimit të prokurorit, mori aktvendim me të cilin e refuzoi kërkesën për mbylljen e seancës, duke bërë të ditur se Gjykata, sipas detyrës zyrtare, do të vlerësojë ndjeshmërinë e çështjeve gjatë procesit.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Kodraliu, i akuzuari Hajredinaj u deklarua i pafajshëm.

Seanca vazhdoi me fjalët hyrëse të palëve. Prokurori Kodraliu deklaroi se gjatë shqyrtimit gjyqësor do të vërtetohet se i akuzuari ka kryer veprën penale, duke kërkuar që ai të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

“Se i akuzuari ka kryer veprën penale, do të vërtetohet nga dëshmitari okular, drejtori i shkollës F.B., i cili pritet të deklarojë para jush veprimet inkriminuese të të pandehurit: se si kishte përdhosur flamurin kombëtar dhe plisin shqiptar në ditën kur po festohej kjo festë nga gjithë populli shqiptar; veprime të bëra për shkak të pikëpamjeve të tij fetare; se si i kishte hedhur simbolet në shportën e mbeturinave dhe kishte larguar nga ora e mësimit një nxënëse vetëm pse ishte veshur e përgatitur për programin festiv të Ditës së Flamurit”, tha ndër të tjera prokurori Kodraliu.

Ndërsa avokati Mujaj deklaroi se gjatë gjykimit do të vërtetohet se nuk ka pasur asnjë qëllim për përdhosjen e simboleve kombëtare.

“Është e vërtetë se Muhamedi është person fetar, por nuk është e vërtetë të ketë marrë veprime të qëllimshme për të përdhosur identitetin e tij kombëtar”, tha avokati Mujaj.

Sipas planifikimit të Gjykatës, në këtë seancë pritej dëgjimi i dy dëshmitarëve, F.B. dhe M.Sh., por gjyqtari Përlaska njoftoi se ata nuk janë paraqitur.

Dëshmitari F.B. kishte njoftuar përmes policisë se është në një udhëtim zyrtar, pa paraqitur provë. Ndërsa dëshmitarja M.B., edhe pse e ftuar me ftesë të rregullt, nuk e ka arsyetuar mungesën. Për këtë arsye, Gjykata i shqiptoi gjobë prej 50 euro dhe urdhëroi sjelljen e saj me detyrim në seancën e radhës nga Policia e Kosovës.

Gjykata refuzoi edhe propozimin e mbrojtjes për dëgjimin e babait të të akuzuarit, i cili, sipas mbrojtjes, do të dëshmonte për karakterin e tij.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, ngritur më 24 prill 2025, Muhamed Hajredinaj akuzohet se më 27 nëntor 2024, në objektin e Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Xhemail Mustafa” në Prishtinë, në cilësinë e arsimtarit të gjuhës angleze, me qëllim të nxitjes së urrejtjes, përçarjes dhe mosdurimit ndërmjet grupeve kombëtare, etnike dhe fetare, ka hedhur flamurin kuq e zi dhe plisin në shportën e mbeturinave, përkundër kundërshtimeve të nxënësve. Po ashtu, ai akuzohet se ka larguar nga ora e mësimit një nxënëse e cila mbante simbolet për pjesëmarrje në programin festiv të Ditës së Flamurit.

Me këto veprime, Hajredinaj akuzohet për veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mosdurimit” nga neni 141, paragrafi 4 lidhur me paragrafin 3 të Kodit Penal. /Betimi për Drejtësi/

Vazhdon seanca ndaj dy të dyshuarve për spiunazh Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit

13 November 2025 at 09:53


Në Gjykatën Themelore në Prishtinë pritet të mbahet seanca gjyqësore ndaj Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit, të cilët akuzohen për spiunazh.

Dy të dyshuarit tashmë janë sjellë në Gjykatë, transmeton Telegrafi.

Gjykatësi Rrahman Beqiri në hyrje të seancë tha se janë njoftuar që Bedri Shabani ka marrë tretman mjekësor, dhe se i njëjti nuk është mirë me shëndet.

Ndërsa, i akuzuari Bedri Shabani kërkoi që seanca të mos mbahet për shkak të gjendjes së tij shëndetësore.

"Po kam marrë trajtim shëndetësor, por nuk jam mirë me shëndet. Ju kisha lut që kjo seancë mos të mbahet. Jam në mbikëqyrje të mjekëve. Gjendja shëndetësore është e vështirë, dhe jam në mbikëqyrje të mjekëve çdo 30 min", deklaroi ai.

Pas kësaj trupi gjykues vendosi që të shkojnë në konsultime.

Pas konsultimeve, u bë e ditur se seanca të ndërpritet përkohësisht deri në ora 10:30.

Seanca ka vazhduar sërish, ndërsa avokati i Bedri Shabanit, Besnik Berisha, ka kërkuar që seanca të mbahet pa praninë e mediave, kërkesa e tij u aprovua nga trupi gjykues.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 19 shkurt 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit, të cilët i ngarkon se kanë mbledhur dhe dërguar informacione e dokumente tek BIA serbe lidhur me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, eprorët e pjesëtarët e saj, Policinë, Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë e Inspektoratin Policor të Kosovës, si dhe për ngjarje e objekte specifike, përfshirë edhe një masakër.

Përmes këtyre veprimeve, PSRK thotë se synohej shkaktimi i një konflikti të gjerë ndëretnik në territorin e Republikës së Kosovës, të krijohej një narrativë e pavërtetë që ta ndërlidhë Spitalin Ushtarak të UÇK-së për kinse trafikim organesh dhe të vë në dyshim të vërtetën e masakrës. /Telegrafi/



telegrafi.com

Ish-polici Shaqir Lutvija dënohet me 10 vjet burgim për krime lufte – kishte ushtruar trajtim çnjerëzor ndaj shqiptarëve

11 November 2025 at 13:46


Shaqir Lutvija është dënuar me 10 vjet burgim për krime lufta nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Aktgjykimi ndaj Lutvijës është shpallur të martën nga trup gjykues.

Ai është shpallur fajtor për krime lufte, i cili në cilësinë e inspektorit dhe policit në Stacionin Policor në Prizren, individualisht dhe në bashkëkryerje me persona të tjerë të forcave policore serbe, gjatë viteve 1998-1999, ka ushtruar masat represive të vrasjes, arrestimit, rrahjes, maltretimit dhe trajtimit çnjerëzor ndaj civilëve shqiptarë.

Lutvijës do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga 14 tetori 2023 deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.

Ndërkaq, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës mirëpret aktgjykimin fajësues të Gjykatës Themelore në Prishtinë ndaj të akuzuarit për krime lufte, Sh.L.

Sipas aktakuzës së ngritur më 04 shtator 2024, Sh.L., në cilësinë e inspektorit dhe policit në Stacionin Policor në Prizren, individualisht dhe në bashkëkryerje me persona të tjerë të forcave policore serbe, gjatë viteve 1998-1999, ka ushtruar masat represive të vrasjes, arrestimit, rrahjes, maltretimit dhe trajtimit çnjerëzor ndaj civilëve shqiptarë.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës përkushtimin në hetimin dhe ndjekjen penale të krimeve të luftës, me qëllim të garantimit të drejtësisë për viktimat dhe forcimit të sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës. /Telegrafi/


❌
❌