Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 10 February 2026Main stream

Rasti në shkollën “Pavarësia”, ROSCAP dënon dhunën në shkolla dhe kërkon masa urgjente për sigurinë e nxënësve dhe mësimdhënësve

10 February 2026 at 21:53


Rrjeti i OSHC-ve të Arsimit Parauniversitar (ROSCAP) ka reaguar pas incidentit të ndodhur në një shkollë në Prishtinë, ku një mësimdhënës dyshohet se ka përdorur dhunë fizike ndaj një nxënësi, ndërsa disa nxënës kanë sulmuar mësimdhënësin.

ROSCAP ka dënuar çdo formë dhune në shkolla, duke e cilësuar rastin si tregues të nevojës urgjente për krijimin e një mjedisi më të sigurt dhe mbështetës për nxënësit dhe mësimdhënësit.

“Ky incident është një tregues i qartë për nevojën urgjente për të krijuar një mjedis më të sigurt dhe mbështetës në shkolla, ku nxënësit dhe mësimdhënësit mund të punojnë dhe të mësojnë pa frikë nga dhuna”, thuhet në deklaratën e ROSCAP-it.

Organizata u ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse, përfshirë Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, drejtoritë komunale të arsimit dhe organet e tjera relevante, që të rrisin masat e sigurisë në shkolla, përfshirë instalimin e kamerave, trajnimin e stafit për menaxhimin e situatave të tensionuara dhe forcimin e pranisë së sigurisë fizike.

ROSCAP ka kërkuar gjithashtu krijimin e mundësive për trajnim dhe mbështetje psikologjike për nxënësit dhe mësimdhënësit, forcimin e politikave të mbrojtjes së nxënësve dhe stafit shkollor, si dhe përmirësimin e mbështetjes për nxënësit në rrezik.

“Është koha që të ndërmerren hapa të menjëhershëm dhe konkretë për të parandaluar dhe ndaluar dhunën në shkolla, në mënyrë që çdo nxënës dhe mësimdhënës të ndjehet i sigurt në mjedisin shkollor”, theksohet në deklaratë.

ROSCAP ka theksuar rëndësinë e respektimit të standardeve të të drejtave të njeriut në arsim dhe ka bërë thirrje për veprim të përbashkët të të gjithë akterëve për të mbrojtur mirëqenien dhe sigurinë e nxënësve dhe stafit arsimor. /Telegrafi/

Mësimdhënësit e shkollës “Pavarësia” sot mbajnë protestë dy orëshe

10 February 2026 at 08:21


Shoqata Sindikale e ShFMU “Pavarësia”, Këshilli Drejtues i Shkollës dhe Këshilli i Prindërve kanë bërë të ditur se sot më 10.02.2026, në ora 08:00, të gjithë mësimdhënësit do të jenë të pranishëm në shkollë, por në dy orët e para mësimore nuk do të zhvillohet mësim, pasi do të mbahet protestë.

Shkolla njofton tutje se procesi mësimor do të vazhdojë rregullisht pas përfundimit të dy orëve të para, përkatësisht nga ora e tretë, sipas orarit të rregullt, ndërkaq ndërrimi i pasdites do ta zhvillojë procesin edukativo-arsimor normalisht, sipas orarit të paraparë.

“Qëllimi i kësaj proteste është reagimi kundër veprimeve delikuente të nxënësve në procesin edukativo-arsimor, duke përfshirë dhunën fizike, fyerjet, ofendimet dhe sharjet ndaj mësimdhënësve. Këto veprime cenojnë rëndë autoritetin profesional, sigurinë dhe dinjitetin e mësimdhënësit, si dhe dëmtojnë mbarëvajtjen e procesit mësimor”, thuhet në njoftim.

Shkolla tutje thekson se ky nuk është një rast i izoluar, por një fenomen shqetësues që po shfaqet në shumë shkolla.

“Përmes kësaj proteste synojmë të ngrisim zërin kundër këtij fenomeni dhe të kërkojmë angazhim serioz institucional dhe shoqëror për ta parandaluar dhe trajtuar me përgjegjësi”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, lidhur me këtë ka reaguar edhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK).

SBASHK ka shprehur shqetësimin e thellë për sulmin fizik ndaj një mësimdhënësi në Shkollën “Pavarësia” në Prishtinë, si dhe për rastet e përsëritura të ofendimeve dhe sulmeve verbale ndaj mësimdhënësve nga nxënësit dhe në disa raste, nga prindërit.

SBASHK thekson se këto incidente nuk mund të trajtohen si raste të izoluara, pasi dhuna dhe mosrespektimi ndaj mësimdhënësve cenojnë rëndë dinjitetin e profesionit dhe sigurinë e procesit edukativo-arsimor.

Si mbështetje për të kërkuar reagim të menjëhershëm dhe masa konkrete nga institucionet përkatëse, SBASHK përkrahu grevën dy-orëshe të organizuar nga Sindikata e Shkollës “Pavarësia”, që do të zhvillohet më 10 shkurt 2026. /Telegrafi/

SBASHK mbështet grevën dy-orëshe në “Pavarësia”: Dënojmë sulmin ndaj mësimdhënësit

9 February 2026 at 23:58


Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) ka shprehur shqetësimin e thellë për sulmin fizik ndaj një mësimdhënësi në Shkollën “Pavarësia” në Prishtinë, si dhe për rastet e përsëritura të ofendimeve dhe sulmeve verbale ndaj mësimdhënësve nga nxënësit dhe, në disa raste, nga prindërit.

SBASHK thekson se këto incidente nuk mund të trajtohen si raste të izoluara, pasi dhuna dhe mosrespektimi ndaj mësimdhënësve cenojnë rëndë dinjitetin e profesionit dhe sigurinë e procesit edukativo-arsimor.

Si mbështetje për të kërkuar reagim të menjëhershëm dhe masa konkrete nga institucionet përkatëse, SBASHK përkrahu grevën dy-orëshe të organizuar nga Sindikata e Shkollës “Pavarësia”, që do të zhvillohet më 10 shkurt 2026.

Në reagimin e saj, SBASHK kërkon: Hetim të shpejtë dhe të drejtë të rastit nga organet e sigurisë, daljen në dritë të fakteve të vërteta dhe marrjen e masave ndaj nxënësve ose personave përgjegjës si dhe përgjegjësi institucionale nga menaxhmenti i shkollës dhe Drejtoria e Arsimit, duke zbatuar rregulloret disiplinore për parandalimin e incidenteve të ngjashme.

SBASHK paralajmëron se, në mungesë të reagimit të menjëhershëm, mund të shqyrtojë ndërprerjen e mësimit edhe në shkollat e tjera të Prishtinës për të garantuar një mjedis të sigurt dhe të respektueshëm për mësimdhënësit dhe nxënësit./Telegrafi/


Before yesterdayMain stream

Incidenti fizik, nesër protestë dy-orëshe në shkollën “Pavarësia”

9 February 2026 at 22:34


Shoqata Sindikale e ShFMU “Pavarësia”, Këshilli Drejtues i Shkollës dhe Këshilli i Prindërve njoftojnë se të martën, më 10 shkurt 2026, në orën 08:00, të gjithë mësimdhënësit do të jenë të pranishëm në shkollë për të mbajtur një protestë dy-orëshe.

Dy orët e para të mësimit nuk do të zhvillohen, ndërsa procesi mësimor do të rifillojë rregullisht nga ora e tretë, sipas orarit të zakonshëm. Ndërrimi i pasdites do të zhvillojë mësimin normalisht.

Siç thuhet në një deklaratë të përbashkët të Shoqatës Sindikale të ShFMU “Pavarësia”, Këshillit Drejtues të Shkollës dhe Këshillit të Prindërve, protesta organizohet si reagim ndaj veprimeve të papranueshme të disa nxënësve gjatë procesit edukativo-arsimor, përfshirë dhunën fizike, fyerjet, sharjet dhe ofendimet ndaj mësimdhënësve.

Siç theksohet në deklaratë, këto veprime cenojnë autoritetin, sigurinë dhe dinjitetin e mësimdhënësve, si dhe dëmtojnë mbarëvajtjen e procesit mësimor.

Organizatorët nënvizojnë se fenomeni nuk është i izoluar, por po shfaqet në shumë shkolla, dhe përmes kësaj proteste synohet të kërkohet angazhim serioz institucional dhe shoqëror për ta parandaluar dhe trajtuar me përgjegjësi.


Incidenti në shkollën e Prishtinës, ndalohet për 48 orë mësimdhënësi

9 February 2026 at 15:52


Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, ka konfirmuar për Telegrafin se është lëshuar urdhër për ndalimin 48-orësh të arsimtarit që dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj një nxënësi në shkollën “Pavarësia” në Prishtinë.

“Po, është lëshuar urdhri për ndalim për 48 orë”, ka deklaruar Gashi.

Rasti ka tërhequr vëmendje të madhe publike pas publikimit të pamjeve në rrjete sociale, ku arsimtari shihet duke e goditur nxënësin, ndërsa në një moment vërehet edhe reagimi i nxënësit ndaj tij.

Autoritetet kompetente kanë nisur procedurat hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të incidentit, ndërsa pritet që ndaj të dyshuarit të ndërmerren veprime të mëtejshme ligjore në përputhje me rezultatet e hetimit. /Telegrafi/

IKShPK: Uji nga Liqeni i Badocit i sigurt për pije

9 February 2026 at 15:34


Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar se nga monitorimet e fundit të cilësisë së ujit të pijshëm në zonën e furnizimit PR03 nga Ujësjellësi i Badocit është vërejtur ulje e dukshme e vlerave të turbullirës.

Sipas IKShPK-së, analizat laboratorike të kryera gjatë tri ditëve të fundit tregojnë se vlerat e turbullirës, si dhe të gjithë parametrat e tjerë bakteriologjikë dhe fiziko-kimikë, janë brenda kritereve të përcaktuara me Udhëzimin Administrativ nr. 10/2021 për cilësinë e ujit të destinuar për konsum nga njeriu.

Bazuar në këto rezultate dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi, IKShPK ka bërë të ditur se uji në zonën e furnizimit PR03 nga Liqeni i Badocit është i sigurt për pije.

Instituti ka theksuar se, në bashkëpunim me institucionet përkatëse, do të vazhdojë monitorimin e rregullt dhe të vazhdueshëm të cilësisë së ujit, duke garantuar transparencë dhe informim të saktë për qytetarët lidhur me sigurinë e furnizimit me ujë të pijshëm. /Telegrafi/


Mësimdhënësi ushtron dhunë fizike ndaj një nxënësi në shkollën “Pavarësia” në Prishtinë

9 February 2026 at 14:20


Një rast i dhunës fizike brenda ambienteve të shkollës “Pavarësia” në Prishtinë është bërë publik përmes pamjeve që ka siguruar Kallxo.com, ku shihet një mësimdhënës duke goditur një nxënës.

Ndërkohë, drejtori i shkollës “Pavarësia”, Halil Bruhaje, e ka konfirmuar ekzistencën e rastit më 9 shkurt 2026 përmes telefonit, duke theksuar se në momentin e incidentit nuk ka qenë prezent në shkollë.

Lidhur me këtë rast, Telegrafi ka kontaktuar Policinë e Kosovës për Rajonin e Prishtinës dhe është në pritje të një përgjigjeje zyrtare nëse rasti është duke u trajtuar dhe cilat janë veprimet e ndërmarra.

Po ashtu, janë kontaktuar edhe Drejtoria Komunale e Arsimit në Prishtinë dhe Ministria e Arsimit për të marrë qëndrime zyrtare lidhur me rastin, ndërsa përgjigjet e tyre priten.

Telegrafi do t’iu mbajë të informuar për zhvillimet e mëtejshme, sapo të ketë konfirmime zyrtare nga institucionet përkatëse. /Telegrafi/


Drejtoria e Inspektoratit vazhdon aksionin për lirimin e hapësirave publike në Fushë Kosovë

9 February 2026 at 13:32


Drejtoria për Inspektorat në komunën e Fushë Kosovës njofton se aksioni për lirimin e hapësirave publike po vazhdon në terren, me qëllim garantimin e rendit, sigurisë dhe shfrytëzimit të barabartë të tyre nga të gjithë qytetarët.

Inspektorët komunalë po ndërhyjnë për largimin e pengesave, uzurpimeve dhe vendosjeve pa leje që pengojnë qarkullimin dhe përdorimin normal të hapësirave të përbashkëta.

Sipas Drejtorisë, hapësirat publike janë pronë e përbashkët dhe duhet të jenë të lira, funksionale dhe të qasshme për të gjithë, pa përjashtim.

Drejtoria e Inspektoratit thekson se aksioni do të vazhdojë edhe në ditët e ardhshme, duke vepruar në përputhje me ligjin dhe duke ruajtur interesin e komunitetit.

Njëkohësisht, qytetarët dhe bizneset ftohen të respektojnë rregullat dhe të mos vendosin pengesa apo struktura pa autorizim në hapësirat publike, në mënyrë që të ruhet qarkullimi dhe funksionaliteti i tyre për të gjithë. /Telegrafi/


Policia arreston tre të dyshuar për vjedhje të rëndë në Prishtinë

9 February 2026 at 12:12


Njësitet e Stacionit Policor Veriu në Prishtinë kanë arrestuar tre persona të dyshuar për vjedhje të rëndë, pas një pune intensive hetimore dhe operacionale.

Rasti kishte ndodhur më 2 shkurt 2026 në fshatin Marec të Prishtinës, ndërsa arrestimi i personave të dyshuar është realizuar më 7 shkurt 2026.

Të dyshuarit janë: E.G., 18 vjeç; R.G., 18 vjeç; L.P., 19 vjeç.

Sipas Policisë së Kosovës, personat e arrestuar janë dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit të shtetit, ndërsa hetuesit po vazhdojnë të kryejnë të gjitha veprimet hetimore dhe procedurale të nevojshme për zbardhjen e plotë të rastit. /Telegrafi/


Banorët e “Kodrës së Trimave” ankohen për mungesë të ujit të pijshëm, KRU Prishtina: Operojmë me kapacitet minimal

9 February 2026 at 12:02


Banorët e lagjes “Kodra e Trimave” në Prishtinë kanë ngritur shqetësimin për mungesën dhe reduktimet e vazhdueshme të ujit të pijshëm, problem që, sipas tyre, po vazhdon prej disa muajsh dhe po vështirëson jetën e përditshme në këtë zonë.

Në disa ankesa që ka pranuar Telegrafi, banorët theksojnë se uji është një nevojë jetike, e domosdoshme për çdo aktivitet ditor, dhe mungesa e tij po ndikon drejtpërdrejt si në familjet rezidente ashtu edhe në bizneset që veprojnë në lagje.

Ata kërkojnë që çështja të trajtohet me prioritet dhe të bëhet rregullimi i furnizimit me ujë të pijshëm, duke siguruar qasje të pandërprerë 24 orë në ditë.

Sipas tyre, ky problem nuk është i izoluar vetëm në “Kodrën e Trimave”, por është i pranishëm edhe në lagje dhe fshatra të tjera të Kryeqytetit.

Lidhur me këtë situatë, Telegrafi ka kontaktuar edhe me zëdhënësen e KRU Prishtina, Arjeta Mjeku, e cila ka sqaruar se aktualisht kompania është duke operuar me kapacitet të reduktuar.

“Për shkak të turbullirave, aktualisht jemi duke operuar me kapacitet minimal. Ekipet tona janë duke monitoruar situatën dhe po punojnë për stabilizimin e saj, me qëllim rikthimin e funksionimit normal në kohën më të shkurtër të mundshme”, tha Mjeku.

Ajo ka shtuar se gjendja është shkaktuar si pasojë e vërshimeve dhe rritjes së shpejtë të nivelit të ujit në liqene.

“Ka ende turbullirë, çka po ndikon drejtpërdrejt në procesin e furnizimit”, ka theksuar zëdhënësja e KRU Prishtina.

Ndërkohë, banorët shprehen në pritje të një zgjidhjeje sa më të shpejtë, duke kërkuar ndërhyrje konkrete për stabilizimin e furnizimit me ujë të pijshëm. /Telegrafi/

Gjobiten 15 shitës ilegalë për shitje të rrezikshme të mishit në tregun e automjeteve në Prishtinë

8 February 2026 at 11:45


Inspektorati i Komunës së Prishtinës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUVK), ka ndërmarrë një aksion të gjerë që në orët e hershme të mëngjesit për largimin e shitësve ambulantë nga hapësira publike në tregun e automjeteve që mbahet çdo të diel, duke gjobitur 15 shitës ilegal, që shesin shpezë dhe bagëti të vogla.

AUVK së bashku me drejtorinë e Inspektoratit të komunës së Prishtinës, e kanë cilësuar një veprim të tillë rrezik serioz për shëndetin publik, ku shitësit ilegal në mënyrë brutale therin shpezët dhe i shesin në atë mënyrë.

Drejtori i Inspektoratit, Bekim Brestovci tha se kjo pjesë e hapësirës publike nuk është e destinuar për shitje të tilla, ku edhe ka mundur të shpërndahen infeksione të ndryshme.

Brestovci ka bërë të ditur se kjo hapësirë nga sot, në asnjë formë nuk do të jetë e destinuar për treg siç ka qenë çdo të diel.

“Inspekcioni i kryeqytetit po punon me një plan operativ në zhdukjen e disa dukurive negative të cilat i kemi në kryeqytet. Njëra prej tyre natyrisht është edhe shfrytëzimi i kësaj hapësire publike, ndryshe që njihet rruga mbrapa tregut të automjeteve.. Bëhet fjalë për një rrugë, për një hapësirë publike e cila në asnjë formë nuk është e destinuar për shitje të tilla. Kemi pasur edhe një gjendje tepër katastrofike, sepse përveç që është bërë shitja e shpezëve dhe bagëtive të vogla, këtu njëkohësisht është bërë edhe therja e tyre, gjë që ka çuar natyrisht pastaj edhe në një pamje tepër të keqe, po edhe të një dukurie e cila mund të kishte pasur edhe shpërndarje të infeksioneve të ndryshme”, tha Brestovci.

Ai shtoi se kjo hapësirë tani e tutje në asnjë formë, në asnjë mënyrë dhe në asnjë periudhë kohore më nuk do të jetë e destinuar për treg, siç është përdorur deri më tani.

“Këta duhet t'i drejtohen komunës, është Drejtoria e Shërbimeve Publike, pastaj drejtori kompetente e cila merret me destinimin dhe dhënien në shfrytëzim të hapësirave publike”, tha ai.

Ndërkohë, kryeinspektori i Inspektoratit, Alban Ymeri tha se janë shqiptuar 15 gjoba me shumë 100 euro, për ata që nuk iu janë përfillur urdhrit të inspektorëve.

Ymeri bëri të ditur se aksioni do të vazhdojë, deri në momentin që shitësit ilegal vetëdijesohen.

“Kemi inspektuar komplet hapësirat këtu përreth tregut, ku të gjithë shitësit të cilët kanë tentuar të shesin ilegalisht janë larguar. Ndaj të njëjtëve është marrë edhe masa ndëshkuese konform rregulloreve dhe ligjeve në fuqi. Aksioni është duke vazhduar, derisa të vetëdijesohen gjithë shitësit ilegalë.. Diku rreth 15 gjoba janë shqiptuar deri tani nga ana e inspektoratit tonë. Shumica e kanë mirëpritur vendimin tonë dhe kanë filluar të largohen, ndërsa ata që nuk i janë përfillur urdhrit e inspektorëve, është marrë masa ndaj tyre, 100 euro, për secilin që është has duke tregtuar ilegalisht”, tha Ymeri.

Nga ana e AVUK-ut, shefi i zyrës për informim, Muharrem Shahini shtoi se blerja e shpezëve nga qytetarët në atë mënyrë janë të dëmshme për shëndetin, të pakontrolluara dhe anti-higjenike.

Shahini theksoi se ky aksion nuk do të vlej vetëm për Komunën e Prishtinës por në të gjitha komunat e vendit.

“Në mënyrën më brutale mund të them, theren, shiten, keqtrajtohen në këtë pjesë të qytetit të Prishtinës. Me këtë rast ne e kemi marrë edhe këtë, këtë vendim. Si agjencion dhe si institucion i cili kujdeset për shëndetin e qytetarëve të Kosovës sa i përket konsumimit të ushqimeve, mishrave dhe gjitha ushqimeve të tjera, atëherë ne edhe e kemi konstatuar që është e dëmshme për shëndetin. Njëkohësisht janë të pakontrolluara, mënyra se si theren, mënyra se si trajtohen është jo vetëm brutale po është anti-higjienike”, shtoi Shahini.

Shahini shtoi se me shitjen në një ambient të hapur mish apo ushqime të tjera është e palejueshme.

“Kjo nuk vlen vetëm për komunën e Prishtinës, ky aksion do të zgjerohet edhe në komuna të tjera dhe nuk do të lejohet në mënyrë absolute qytetarët të konsumojnë ushqimin nëpër tregje të tilla”, tha ai.

Shitësit ilegal, që kishin ardhur nga komuna të ndryshme të Kosovës, nuk ishin të pajtimit që t’u mos u lejohet të shesin produktet e tyre.

Të njëjtit si shenjë proteste qëndruan në rrugë, para Policisë së Kosovës.

Përndryshe, sipas Brestovcit, për dhënie të shfrytëzimit të hapësirave publike, shitësit ilegal duhet t’i drejtohen drejtorisë së Shërbimeve Publike

​Tensione te tregu i automjeteve në Prishtinë, shitësit ilegal tentojnë ta bllokojnë rrugën

8 February 2026 at 08:28


Situatë e tensionuar në mes zyrtarëve të Policisë së Kosovës dhe shitësve ilegal ka ndodhur në hapësirat përreth tregut të automjeteve në Prishtinës, pasi shitësit tentojnë ta bllokojnë rrugën si protestë që nuk po u lejohet të shesin asgjë tjetër përveç pjesëve të automjeteve në treg.

Komuna e Prishtinës, përkatësisht Inspektorati i Kryeqytetit, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe inspektorët e AVUK-ut, që nga ora 05:00 po zhvillojnë një aksion të përbashkët në terren, në lokacionin e tregut të automjeteve dhe në hapësirat përreth.

Arsyeja e këtij aksioni është që të mos bllokohet hapësira publike dhe të mos shiten shpezët ilegalisht.

Shitësit të cilëve nuk po u lejohet të shesin sot në këtë treg që mbahet gjithmonë të dielave, janë ankuar që t’u lejohet të shesin, pasi që kanë ardhur nga qytete të ndryshme.

Ata po qëndrojnë para Policisë së Kosovës si shenjë proteste./KP/

"Sheshi, nënkalimi, ishulli i Arbërisë", ku fokusohen investimet në buxhetin e Prishtinës për 2026

7 February 2026 at 22:51


Pjesa më e madhe e buxhetit të Prishtinës për sivjet do të jetë e orientuar kah investimet kapitale. Dokumenti që nxiti diskutime të ndryshme gjatë seancës së djeshme të jashtëzakonshme, megjithatë nuk përmban projektin kryesor të cilin e ka premtuar kryetari Përparim Rama. Sivjet është planifikuar rritje e buxhetit për drejtorinë e Administratës, veprim që sipas monitoruesve, është taktikë e shpeshtë e komunave. Kurse buxheti i është zvogëluar drejtorisë për mirëqenie sociale.

Buxheti i Kryeqytetit për vitin 2026, i miratuar një ditë më parë në Kuvendin Komunal, nxiti debat mbi formën e shpërndarjes së mjeteve financiare.

Pjesa më e madhe e buxhetit që peshon mbi 151 milionë euro, është ndarë për investime kapitale.

Për këtë kategori do të jenë në dispozicion 53 milionë eurove, 23 milionë prej të cilave janë grant i përgjithshëm.

Në total në këtë kategori janë paraparë 41 projekte.

7 milionë euro janë të ndara për sheshin “Xhorxh Bush”, ndërsa 1.6 milionë euro janë ndarë për nënkalimin në rrugën “Agim Ramadani”, dhe mbi 2.1 milionë janë ndarë edhe për ishullin e Arbërisë.

Unaza e jashtme e kryeqytetit, projekti kryesor me të cilin Përparim Rama bëri fushatë para dy mandateve të tij, nuk është përfshirë fare në buxhet.

Arsyet e mos përfshirjes së këtij projekti nuk i ka sqaruar komuna.

2 milionë euro janë ndarë për rrugën “A” dhe kolektorin atje, mbi 700 mijë euro më pak sesa në buxhetin e vitit të kaluar.

Premtim tjetër i Ramës ishte edhe digjitalizimi nëpër shkolla, e për një qendër të tillë, për punë, inovacion dhe qasje digjitale komuna ka ndarë nga burimet vetanake 100 mijë euro.

Krahasuar me vitin e kaluar, ngritje të ndjeshme ka shënuar Drejtoria e Administratës, e cila sivjet do të ketë buxhet prej 4 milionë e 483 mijë, nga 3.8 milionë euro sa kishte vitin e kaluar.

E, kjo rritje e buxhetit për administratën, sipas monitoruesve të punës së komunave, është një taktikë që komunat e përdorin shpesh.

“Po ndodhë për t’i ikur matjeve të shpenzimeve që i bën Zyra e Kryetarit. Në të kaluarën kemi parë që janë publikuar vazhdimisht shpenzimet e kryetarit, sa ka shpenzuar në dreka zyrtare, udhëtime, reprezentacion dhe tash për t’i ikur fokusit shpenzimeve direkte të kryetarit, kanë vendosur që, praktikë edhe një pjesë e komunave tjera që buxheti të fokusohet në një kod buxhetor që shpenzohet nga Drejtoria e Administratës”, ka thënë Shemsi Jashari – monitorues i komunave.

Zvogëlim i buxhetit është vërejtur tek Drejtoria e Mirëqenies Sociale.

Këtë vit, për të janë ndarë 430 mijë e 500 euro, nga mbi 480 mijë sa ishin vitin e kaluar.

Sa i përket objekteve të reja arsimore, Komuna ka paraparë ndërtimin e vetëm një shkolle dhe një çerdheje.

Kjo e fundit parashihet të ndërtohet mes Hajvalisë dhe Barilevës në vlerë të 150 mijë euro, ndërsa shkolla në në lagjen “Kalabria”, e cila planifikohet të kushtojë. 100 mijë euro.

E, sipas Jasharit, kjo tregon se Rama nuk i ka prioritet premtimet e tij gjatë mandateve.

“Mungesa e investimit në çerdhe shkakton problematikë te familjet e enkas te familjet e reja që e kanë të domosdoshme dërgimin e fëmijëve në çerdhe. Të flitet për mësimin tërëditor në Prishtinë e në anën tjetër të mos sigurohet infrastrukturë shtesë është në shpërputhje njëra me tjetrën dhe mendoj që nuk do ketë mësim-tërëditor sukses nëse nuk ka investime. Duket se shumica e premtime të bukura gjatë fushatës nuk po reflektohen në këtë buxhet”, ka thënë Shemsi Jashari – monitorues i komunave.

Buxheti u miratua të premten me 33 vota për, 8 kundër dhe asnjë abstenim, me VV që kundërshtoi atë me arsyetimin se ndarja e mjeteve lë vend për dyshime për keqpërdorim.

Propozimin e mbështetën edhe PDK-ja, Lidhja Për Prishtinën dhe Nisma Socialdemokrate./Tv Dukagjini/

- YouTube youtu.be

Rama: Miratimi i buxhetit 2026 dëshmon funksionimin e demokracisë në Prishtinë

6 February 2026 at 15:32


Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pas miratimit të buxhetit të Kryeqytetit për vitin 2026, duke e cilësuar këtë vendim si dëshmi të lidershipit politik dhe funksionimit të demokracisë lokale.

“MIRATOHET BUXHETI I KRYEQYTETIT PËR VITIN 2026”, ka shkruar Rama në një postim në Facebook, duke shprehur mirënjohje për asamblistët që, sipas tij, dëshmuan përgjegjësi publike dhe pjekuri politike.

Ai ka falënderuar edhe qytetarët e Prishtinës, duke theksuar se me votën e tyre kanë zgjedhur përfaqësues që e kuptojnë mandatin si detyrim për shërbim publik dhe vendimmarrje të përgjegjshme. “Miratimi i buxhetit të Kryeqytetit është imazhi më i qartë se si funksionon demokracia kur asambleistët janë aty për të ndërtuar e jo për të bllokuar, për të marrë përgjegjësi e jo për të sabotuar”, ka theksuar Rama.

Sipas tij, ky vendim përfaqëson ndarjen mes politikës së së kaluarës dhe qeverisjes aktuale. “Kjo është diferenca mes politikës së së kaluarës, që e mbante qytetin peng, dhe qeverisjes që zgjedh të ecë përpara me vizion, guxim dhe vendimmarrje”, ka shkruar ai.

Rama ka theksuar se çlirimi i institucioneve nga kultura e bllokadës hap rrugën për planifikim serioz dhe investime strategjike. “Sot, si Kryeqytet, kemi kënaqësinë dhe përgjegjësinë politike të flasim për zhvillim urban, mirëqenie dhe të ardhme, e jo për sabotime, kriza artificiale dhe interesa të ngushta partiake”, ka deklaruar ai.

Në fund, kryetari i Prishtinës ka vlerësuar se buxheti i miratuar shkon përtej një dokumenti financiar. “Ky buxhet nuk është thjesht një dokument financiar. Është deklaratë politike. Është mesazh i qartë se Prishtina ka zgjedhur qeverisjen demokratike, përgjegjësinë, të ardhmen”, ka përfunduar Rama. /Telegrafi/


Komuna e Obiliqit subvencionon prodhuesit e qumështit me 8 cent për litër

6 February 2026 at 15:07


Kryetari i Komunës së Obiliqit, Halil Thaçi, ka njoftuar se ka nënshkruar vendimin për subvencionimin e prodhuesve të qumështit në këtë komunë për periudhën 2026–2029.

“Sot kam nënshkruar vendimin për subvencionimin e prodhuesve të qumështit në Komunën e Obiliqit me 8 cent për çdo litër, për periudhën 2026–2029”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Ai ka theksuar se kjo masë përfaqëson një angazhim konkret dhe afatgjatë për fermerët lokalë. “Ky është angazhim konkret dhe afatgjatë për fermerët tanë”, ka deklaruar kryetari i Obiliqit.

Thaçi ka shtuar se sektori i bujqësisë mbetet prioritet për qeverisjen komunale. “Fermeri është shtyllë e ekonomisë sonë dhe do ta ketë gjithmonë përkrahjen time”, ka përfunduar ai. /Telegrafi/


Punëtorët e “Trafikut Urban” paralajmërojnë grevë

6 February 2026 at 12:39


Punëtorët e Ndërmarrjes Publike “Trafiku Urban” në Prishtinë kanë paralajmëruar hyrjen në grevë nga data 13 shkurt 2026, nëse deri atëherë nuk marrin përgjigje institucionale lidhur me kërkesat e tyre.

Sipas njoftimit zyrtar të dorëzuar menaxhmentit të ndërmarrjes, punëtorët bëjnë të ditur se më 26 janar 2026 kanë dorëzuar paralajmërimin paraprak për grevë, por deri më 6 shkurt nuk kanë pranuar asnjë përgjigje nga organet kompetente.

Në dokument thuhet se vendimi për grevë bazohet në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Ligjin për Grevat, ndërsa theksohet se do të respektohet minimumi i procesit të punës, në mënyrë që të mos cenohen interesat publike dhe siguria e qytetarëve.

Punëtorët e “Trafikut Urban” kanë bërë të ditur se greva do të organizohet në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi dhe se ky njoftim konsiderohet paralajmërim përfundimtar ligjor. /Telegrafi/

KRM Pastrimi apelon: Mos i digjni kontejnerët

6 February 2026 at 12:31


Kompania Rajonale e Menaxhimit të Mbeturinave, KRM Pastrimi, ka bërë apel te qytetarët për kujdes në hedhjen e mbeturinave në kontejnerët e qytetit.

“Mos hedhni mjete që mund të shkaktojnë ndezjen e zjarrit dhe djegien e kontejnerëve. Dijeni që kontejnerët i blejmë me paratë publike të qytetarëve”, thuhet në njoftimin e KRM Pastrimi.

Në njoftim gjithashtu shfaqet një fotografi e një kontejneri duke u djegur në rrugën “Agim Ramadani”, duke rikujtuar se pronën publike duhet ta ruajmë të gjithë së bashku.

KRM Pastrimi fton qytetarët të jenë të kujdesshëm dhe të kontribuojnë në ruajtjen e pastrisë dhe sigurisë në hapësirat publike. /Telegrafi/


Kuvendi i Prishtinës miraton buxhetin për vitin 2026, VV refuzon votimin

6 February 2026 at 11:56


Kuvendi Komunal i Prishtinës ka miratuar buxhetin për vitin fiskal 2026, me shumicë votash nga anëtarët e tij - buxhet ky që kalon mbi 150 milionë euro.

Gjatë seancës, 33 asamblistë votuan për miratimin e buxhetit, ndërsa tetë votuan kundër.

Buxheti i këtij viti u tha është projektuar për të adresuar nevojat operative të komunës, investimet kapitale dhe projektet zhvillimore të kryeqytetit.

Sipas të dhënave të prezantuara nga Drejtorja e Financave, Valbona Makolli, shuma totale e buxhetit është e ndarë në pesë kategori kryesore: paga dhe mëditje, mallra dhe shërbime, shpenzime komunale, subvencione dhe transferime, si dhe investime kapitale.

Makolli ka theksuar se investimet kapitale përfshijnë projekte të mëdha zhvillimore që kanë për qëllim transformimin e infrastrukturës dhe shërbimeve komunale në të gjitha lagjet e Prishtinës.

Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje kishte bërë të ditur paraprakisht se nuk do të mbështeste miratimin e buxhetit, duke e cilësuar si problematik në disa aspekte dhe duke kërkuar më shumë transparencë dhe llogaridhënie për përdorimin e mjeteve financiare.

Përfaqësues të kësaj partie theksuan se buxheti nuk përfaqëson vizionin e tyre për zhvillimin e kryeqytetit dhe se disa projekte kapitale të përfshira janë objekt shqyrtimi ligjor.

Partitë tjera politike, përfshirë Lidhjen Demokratike të Kosovës, PDK-në dhe Nismën, shprehën mbështetje për miratimin e buxhetit, duke e vlerësuar atë si një mjet për sigurimin e stabilitetit financiar dhe zhvillimin e projekteve të rëndësishme për qytetarët.

Miratimi i buxhetit të vitit 2026 shënon një hap përpara në planifikimin financiar të komunës, ndërsa diskutimet për mënyrën e ndarjes së mjeteve dhe prioritetet zhvillimore pritet të vazhdojnë gjatë implementimit të tij.

Në këtë seancë u vu re mungesa e kryetarit të komunës, për të cilën anëtarët e Kuvendit nuk dhanë sqarime, por kjo nuk ndikoi në procesin e votimit.

Në përfundim, buxheti 2026 hyri në fuqi menjëherë pas miratimit dhe pritet të nisë zbatimi i projekteve të planifikuara në të gjitha sektorët e komunës. /Telegrafi/

Makolli prezantoi buxhetin e kryeqytetit, LDK, PDK dhe partitë tjera po e mbështesin - VV kundër

6 February 2026 at 11:37


Në një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal të Prishtinës, pa praninë e kryetarit, po diskutohet miratimi i buxhetit për vitin fiskal 2026.

Në seancë, përfaqësues të partive politike prezantuan qëndrimet e tyre lidhur me ndarjen e mjeteve financiare dhe prioritetet zhvillimore të kryeqytetit.

Drejtoresha për Financa, Valbona Makolli, ka prezantuar strukturën e buxhetit, duke kërkuar aprovimin e tij në tërësi.

Sipas saj, buxheti është i ndarë në pesë kategori ekonomike: paga dhe mëditje 48.3 milionë euro, mallra dhe shërbime 32 milionë, shpenzime komunale 3.5 milionë, subvencione dhe transferime 6.8 milionë, dhe investime kapitale 60.8 milionë euro.

Makolli theksoi se investimet kapitale janë të bazuara në projekte të mëdha, ndërsa shpenzimet operative lidhen drejtpërdrejt me jetën e qytetarëve, duke e prezantuar buxhetin si një instrument për transformimin e kryeqytetit.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), PDK-ja dhe Nisma shprehën mbështetje për buxhetin, duke theksuar stabilitetin dhe zhvillimin e qytetit. Ndërkaq, Lëvizja Vetëvendosje deklaroi se nuk do ta votojë këtë buxhet, duke e cilësuar problematik dhe të papranueshëm në disa aspekte.

Seanca po zhvillohet ndërkohë që tensionet politike rreth ndarjes së mjeteve dhe prioriteteve zhvillimore të kryeqytetit mbeten të larta. /Telegrafi/

VV nuk mbështet buxhetin e Prishtinës, Sveçla kritikon PDK-në dhe projektet problematike

6 February 2026 at 11:26


Gëzim Sveçla nga Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se subjekti i tij politik nuk do të votojë buxhetin e kryeqytetit, duke e vlerësuar si një paraqitje të gabuar të suksesit në qeverisjen komunale.

“Po na kërkohet t’i votojmë 150 milionë euro pa pikë llogaridhënie”, tha Sveçla, duke shtuar se tri projekte kryesore të buxhetit janë problematike dhe aktualisht në trajtim nga organet e drejtësisë, raporton Telegrafi.

Ai përmendi Sheshin “Xhorxh Bush”, lidhjen e Arbërisë me Qendrën dhe tunelin në rrugën “Agim Ramadani”.

Sveçla kritikoi gjithashtu PDK-në, duke theksuar se ky buxhet më shumë i shërben interesave të saj sesa vetë LDK-së.

Qëndrimi i VV-së vjen ndërkohë që Kuvendi i Prishtinës po diskuton miratimin e buxhetit për vitin aktual, ndërsa debate të forta janë duke u zhvilluar për legjitimitetin dhe përmbajtjen e disa projekteve kapitale. /Telegrafi/

- YouTube www.youtube.com

❌
❌