TEHERAN – Irani kërcënon SHBA-në: Nëse na sulmoni, do të godasim bazat tuaja në Lindjen e Mesme
TEHERAN, 7 shkurt /ATSH/- Irani do të godasë bazat amerikane në Lindjen e Mesme nëse sulmohet nga forcat amerikane të grumbulluara në rajon, tha sot ministri i jashtëm iranian, Abbas Araqchi – duke këmbëngulur se kjo nuk duhej parë si një sulm ndaj vendeve që i strehojnë ato, sipas “Reuters”.
Ministri i Jashtëm, Abbas Araqchi foli për televizionin Al Jazeera të Katarit një ditë pasi Teherani dhe Uashingtoni u zotuan të vazhdojnë bisedimet indirekte për çështjen bërthamore, pas asaj që të dyja palët e përshkruan si diskutime pozitive, dje në Oman.
Ndërsa Araqchi tha se ende nuk është caktuar një datë për raundin e ardhshëm të negociatave, presidenti amerikan Donald Trump tha se ato mund të zhvillohen në fillim të javës së ardhshme.
“Ne dhe Uashingtoni besojmë se duhet të mbahet së shpejti,” tha Araqchi.
Trump ka kërcënuar të godasë Iranin pas një grumbullimi të marinës amerikane në rajon, duke kërkuar që Teherani të heqë dorë nga pasurimi i uraniumit, si dhe të ndalojë ndërtimin e raketave balistike dhe mbështetjen për grupet e armatosura në rajon.
Teherani ka mohuar prej kohësh çdo synim për të përdorur prodhimin e karburantit bërthamor për armë.
Ndërsa të dyja palët kanë treguar gatishmëri për të ringjallur diplomacinë mbi mosmarrëveshjen e gjatë bërthamore të Teheranit me Perëndimin, Araqchi refuzoi ta zgjerojë temën e bisedimeve.
“Çdo dialog kërkon heqjen dorë nga kërcënimet dhe presioni. Teherani diskuton vetëm çështjen e tij bërthamore… Ne nuk diskutojmë asnjë çështje tjetër me SHBA-në”, tha ai.
Qershorin e kaluar, SHBA-ja bombardoi objektet bërthamore iraniane, duke u bashkuar në fazën e fundit të një fushate bombardimesh 12-ditore nga Izraeli. Teherani ka thënë që atëherë se ka ndalur aktivitetin e pasurimit të uraniumit.
Reagimi i tij në atë kohë përfshiu një sulm me raketa ndaj një baze amerikane në Katar, i cili ruan marrëdhënie të mira si me Teheranin ashtu edhe me Uashingtonin.
“Në rast të një sulmi të ri amerikan, pasojat mund të jenë të ngjashme”, tha Araqchi.
“Nuk do të ishte e mundur të sulmohej toka amerikane, por ne do të synojmë bazat e tyre në rajon”, tha ai.
“Ne nuk do të sulmojmë vendet fqinje; përkundrazi, do të synojmë bazat amerikane të vendosura në to. Ka një dallim të madh mes të dyjave”, shtoi ai.
Irani thotë se kërkon njohjen e të drejtës së tij për të pasuruar uraniumin dhe se vendosja e programit të tij raketor në tryezën e negociatave do ta linte të pambrojtur ndaj sulmeve izraelite. //a.i/
The post TEHERAN – Irani kërcënon SHBA-në: Nëse na sulmoni, do të godasim bazat tuaja në Lindjen e Mesme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.