Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 2 January 2026Main stream

Presidenti i Venezuelës Maduro: I gatshëm për bisedime me SHBA

By: Fax Web
2 January 2026 at 09:31

Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, deklaroi se është i gatshëm të zhvillojë bisedime me Shtetet e Bashkuara për çështje si trafiku i drogës, nafta dhe migracioni, pas rritjes së tensioneve mes dy vendeve.

Sipas mediave te huaja, Maduro tha se është i hapur për dialog “kurdo dhe kudo”. Ai shmangu komentet e drejtpërdrejta mbi pretendimet e presidentit amerikan Donald Trump për një sulm amerikan ndaj një strukture ankorimi në Venezuelë,  gjë që thuhet se u krye nga CIA.

Deklaratat vijnë ndërsa SHBA ka intensifikuar operacionet kundër anijeve që dyshohen për trafik droge në rajon dhe ka ndërmarrë masa ndaj tankerëve të naftës të lidhur me Venezuelën. Uashingtoni i ka justifikuar këto veprime si pjesë e luftës kundër trafikut të narkotikëve.

Në total, ka pasur më shumë se 30 sulme ndaj anijeve si pjesë e “luftës kundër drogës” të administratës Trump, me më shumë se 110 persona të vrarë që kur SHBA-të kryen sulmin e parë ndaj një anijeje në ujërat ndërkombëtare më 2 shtator.
Before yesterdayMain stream

BERLIN – Aleatët e Zelensky mbështetje përpara bisedimeve me Trump në Florida

28 December 2025 at 14:21

BERLIN, 28 dhjetor /ATSH-DPA/ – Përpara takimit të tij me presidentin amerikan Donald Trump, presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky ka marrë garanci mbështetjeje nga liderët perëndimorë.

Zelensky zhvilloi mbrëmë një video-konferencë me disa liderë të  vendeve evropiane dhe Kanadaja, si edhe me përfaqësues të lartë të Komisionit Evropian dhe NATO-s.

Një zëdhënës i qeverisë gjermane tha se liderët i dhanë Zelenskyt “mbështetjen e tyre të plotë dhe theksuan angazhimin për të bashkëpunuar ngushtë me SHBA-në për të arritur një paqe të qëndrueshme dhe të drejtë në Ukrainë”.

Sipas zëdhënësit, kancelari gjerman Friedrich Merz e thirri konferencën me kërkesë të Zelenskyt.

Sipas burimeve nga “Pallati Elize”, presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi se evropianët duhet të jenë plotësisht të përfshirë në diskutimet për paqe, Macron pritet të organizojë një tjetër takim të “Koalicionit të të Gatshmëve”, një grup vendesh që kanë premtuar mbështetje të fortë për Kievin, në Paris në janar.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila gjithashtu mori pjesë në videokonferencë, shkroi në platformën X se të gjitha përpjekjet synojnë “objektivin tonë të përbashkët, një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme që ruan sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës”.

Evropa po e ndjek me vëmendje zhvillimin, ndërsa Zelensky, i cili u takua  me kryeministrin kanadez Mark Carney në Halifax, po udhëton drejt Floridës për bisedimet me Trump në Palm Beach të dielën.

Shtëpia e Bardhë njoftoi se takimi dypalësh në Mar-a-Lago do të zhvillohet në orën  (19:00 (sipas orës tone) dy orë më herët nga sa ishte planifikuar fillimisht. Arsyeja e ndryshimit të orarit nuk u bë e ditur.  /Ad.Ab./

The post BERLIN – Aleatët e Zelensky mbështetje përpara bisedimeve me Trump në Florida appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

RUSI – Moska: Përparim i kujdesshëm në negociatat me SHBA-në për Ukrainën

26 December 2025 at 09:46

MOSKË, 26 dhjetor /ATSH-DPA/ – Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova tha gjatë një konference për shtyp se ka përparim të ngadaltë, por të qëndrueshëm në bisedimet me Shtetet e Bashkuara për përfundimin e luftës në Ukrainë.

“Në procesin negociues për zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë, ku kam parasysh procesin negociues me Shtetet e Bashkuara, mund të vërehet përparim i ngadaltë, por i sigurt,” u citua të ketë thënë Zakharova.

Vetë Ukraina u përmend pak, pavarësisht se po i reziston pushtimit rus prej gati katër vitesh.

Në vend të kësaj, Zakharova kërkoi të thellojë përçarjen mes Uashingtonit dhe aleatëve të tij evropianë të përfshirë në përpjekjet për paqe.

Ajo u bëri thirrje homologëve amerikanë që “t’i kundërshtojnë në mënyrë aktive përpjekjet e vendeve të Evropës Perëndimore për të sabotuar dhe zhbërë përparimin e arritur në procesin negociues për Ukrainën”.

Pas shpalljes së një plani paqeje me 28 pika, i cili u kritikua gjerësisht si një “listë dëshirash ruse”, udhëheqësit evropianë iu bashkuan Ukrainës në procesin negociues, me synimin për të parandaluar rezultate që mund të minonin rëndë stabilitetin e ardhshëm të Kievit.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka paraqitur më pas publikisht një kundërpropozim me 20 pika, i cili aktualisht është në diskutim.

Megjithatë, Rusia ende nuk ka paraqitur një qëndrim zyrtar dhe nuk është tërhequr nga kërkesat e saj maksimaliste.

Sa i përket një plani të mundshëm paqeje, Zakharova përsëriti gatishmërinë e pretenduar të Moskës për të negociuar një marrëveshje mossulmimi me një vend evropian ose me NATO-n.

“Rusia është e gatshme të formulojë angazhime përkatëse në formën e një dokumenti të shkruar, juridikisht detyrues”, tha Zakharova.

Presidenti rus Vladimir Putin e kishte ofruar më parë një marrëveshje të tillë dhe kishte hedhur poshtë pretendimet se Rusia mund të sulmonte një vend të NATO-s si “të pakuptimta”./  /Ad.Ab./  a.jor.

The post RUSI – Moska: Përparim i kujdesshëm në negociatat me SHBA-në për Ukrainën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KIEV – Zelensky kërkon të konsultohet me Evropën pas bisedimeve në SHBA

21 December 2025 at 15:13

KIEV, 21 dhjetor /ATSH-DPA/- Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky foli sot në favor të një takimi të ri me aleatët evropianë pas bisedimeve midis delegacionit ukrainas dhe palës amerikane në Miami, ndërsa përpjekjet diplomatike vazhdojnë për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë.

“Ekziston një ndjenjë e përbashkët se pas punës së ekipit tonë diplomatik në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tani duhet të zhvillojmë konsultime me partnerët evropianë në një rreth më të gjerë”, shkroi Zelensky në X pasi zhvilloi një bisedë telefonike me kryeministrin norvegjez, Jonas Gahr Store.

“Delegacioni ukrainas në Florida ka punuar me negociatorët amerikanë dhe ka patur progres të shpejtë”, shkroi Zelensky.

Ai foli për negociata “konstruktive”, por nuk dha asnjë detaj dhe falënderoi Norvegjinë për mbështetjen e saj.

Pas bisedimeve midis negociatorëve nga SHBA-ja, Evropa dhe Ukraina në Berlin të dielën e kaluar dhe të hënën, negociatat për një zgjidhje paqeje hynë në një raund të ri në Florida këtë fundjavë.

Negociatorët amerikanë donin t’ua transmetonin rezultatet nga Berlini përfaqësuesve rusë.

Në një deklaratë fillestare, negociatori i Moskës, Kirill Dmitriev foli për diskutime konstruktive. //a.i/

The post KIEV – Zelensky kërkon të konsultohet me Evropën pas bisedimeve në SHBA appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Miami pret raundin e ri të bisedimeve të paqes Rusi-Ukrainë

20 December 2025 at 17:01

BERLIN, 20 dhjetor /ATSH-DPA/ – Negociatat për një zgjidhje paqësore për luftën e Rusisë kundër Ukrainës, pas pothuajse katër vitesh që nga pushtimi i Moskës, hyjnë sot në raundin e tyre të radhës.

Pas bisedimeve midis vendeve kryesore evropiane, Shteteve të Bashkuara dhe Ukrainës në Berlin, të dielën dhe të hënën e kaluar, negociatorët amerikanë tani duan të diskutojnë rezultatet me përfaqësuesit rusë në Miami, Florida.

Disa ditë më parë, një zyrtar i lartë amerikan njoftoi se ata donin të takoheshin në grupe pune.

Pritet që të jenë të pranishëm edhe përfaqësues ushtarakë.

Shtetet e Bashkuara e shohin veten si ndërmjetës në konflikt.

Presidentë të qeverisë ukrainase dhe evropiane priten gjithashtu në Florida.

Media amerikane ka raportuar se është planifikuar një takim me përfaqësuesin special të presidentit të SHBA-së Donald Trump për Ukrainën, Steve Witkoff, në të cilin pritet të marrin pjesë edhe përfaqësues nga Mbretëria e Bashkuar dhe Franca.

Negociatat përqendrohen në dy çështje kryesore: garancitë e sigurisë dhe çështjet territoriale.

Sipas të gjitha palëve, është bërë përparim në garancitë e planifikuara në rast të një armëpushimi.

Evropianët bënë një ofertë për të krijuar një “forcë shumëkombëshe” me mbështetjen e SHBA-së për të siguruar sigurinë në tokë, në det dhe në tokë në Ukrainë.

Nga ana e tij, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky duket se është pajtuar me faktin se pranimi i vendit të tij në NATO është aktualisht jorealist.

Çështja më e vështirë deri në fund ka të ngjarë të mbetet çështja territoriale.

Një nga kërkesat kryesore të Rusisë për një armëpushim është që Ukraina të dorëzojë qytetet në rajonin lindor të Donetskut që janë strategjikisht të rëndësishme për mbrojtjen e vendit dhe të cilat Rusia ende nuk ka qenë në gjendje t’i kapë.

Zelensky hedh poshtë atë që ai e quan dhurata për “shtetin agresor” dhe i referohet kushtetutës së vendit, e cila nuk lejon lëshimin e territoreve./ a.jor.

The post FOKUS – Miami pret raundin e ri të bisedimeve të paqes Rusi-Ukrainë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Evropianët bashkohen me ukrainasit dhe amerikanët për bisedime

19 December 2025 at 22:55

MIAMI (SHBA), 19 dhjetor /ATSH-AFP/ – Aleatët evropianë të Ukrainës po marrin pjesë në një takim tjetër në Shtetet e Bashkuara, ndërsa presidenti Donald Trump bën presion për një plan për t’i dhënë fund konfliktit me Rusinë.

I dërguari amerikan Steve Witkoff dhe dhëndri i presidentit, Jared Kushner, po organizojnë bisedime në Miami që do të përfshijnë negociatorin ukrainas, Rustem Umerov dhe përfaqësues nga Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania.

Bisedimet diplomatike që synojnë t’i japin fund konfliktit, i cili pritet të hyjë në vitin e tij të pestë në shkurt, janë përshpejtuar në javët e fundit pas publikimit të një plani nga administrata Trump, por ende nuk kanë rezultuar në një armëpushim.

Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio tha të premten se Uashingtoni nuk do të imponojë asgjë.

“Ne nuk mund ta detyrojmë Ukrainën të arrijë një marrëveshje. Ne nuk mund ta detyrojmë Rusinë të arrijë një marrëveshje”, tha ai.

Sipas një zyrtari të Shtëpisë së Bardhë, pala amerikane është planifikuar të takohet veçmas me delegacionin rus në Florida këtë fundjavë, ndërsa përpjekjet diplomatike intensifikohen./ a.jor.

The post FOKUS – Evropianët bashkohen me ukrainasit dhe amerikanët për bisedime appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KOMENT – “Politico”: Negociatat për paqen në Ukrainë kanë 90% të çështjeve të zgjidhura

16 December 2025 at 07:35

BERLIN, 16 dhjetor/ATSH/ – Negociatorët që po punojnë për të arritur një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë dolën dje nga dita e dytë e negociatave të nivelit të lartë në Berlin me disa shenja optimizmi për përpjekjet e udhëhequra nga SHBA për të mbyllur konfliktin, sipas “Politico”.

Raporti i përparimit

Zyrtarët amerikanë po mbështesin garancitë e ashtuquajtura “si Neni 5” për Ukrainën, duke ofruar angazhimin më të fortë dhe më të qartë për sigurinë që administrata e presidentit Donald Trump ka propozuar ndonjëherë, por kjo shoqërohet me një ultimatum të nënkuptuar: Merrni këtë tani, sepse faza e ardhshme nuk do të jetë kaq bujare.

“Këto garanci nuk do të jenë gjithmonë në tryezë. Ato janë në dispozicion tani, nëse arrihet një përfundim i mirë”, tha një zyrtar i lartë amerikan.

Zyrtarët amerikanë presin që Rusia të pranojë këtë marrëveshje dhe të lejojë Ukrainën të bashkohet me Bashkimin Evropian, megjithatë kjo mund të jetë një vlerësim i tepruar optimist, duke pasur parasysh refuzimin e Kremlinit për të bërë lëshime në bisedimet për paqe deri tani.

Pyetja kryesore

Moska ende nuk ka dhënë një reagim për detajet e fundit të planit të paqes, dhe nuk dihet kur zyrtarët amerikanë planifikojnë t’ia paraqesin atë Kremlinit, megjithatë zyrtarët amerikanë thanë se do të presin derisa presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy t’i përgjigjet propozimit.

Çfarë po thonë ata?

Kancelari gjerman Friedrich Merz u tha gazetarëve se “garancitë ligjore dhe materiale për sigurinë që SHBA-ja ka vendosur në tryezë këtu në Berlin janë të jashtëzakonshme.”

Rustem Umerov, një nga ndihmësit kryesorë të Zelenskyy-t, tha në X se “negociatat Ukrainë-SHBA kanë qenë konstruktive dhe produktive, me përparim real të arritur”. Umerov shprehu mirënjohje të madhe ndaj Trump dhe delegacionit amerikan, duke paralajmëruar gjithashtu kundër “zhurmës dhe spekulimeve anonime në media” dhe të mos binden nga “thashethemet dhe provokimet”, megjithëse nuk specifikoi për çfarë po fliste.

Hapat e ardhshëm

Zyrtarët amerikanë gjithashtu planifikojnë të organizojnë grupe pune, ndoshta në Majami këtë fundjavë, ku zyrtarët ushtarakë do të shqyrtojnë hartat për të zgjidhur çështjet e mbetura territoriale.

“Ne besojmë se kemi zgjidhur rreth 90 për qind të çështjeve midis Ukrainës dhe Rusisë, por ka disa gjëra të tjera që duhet të përpunohen”, tha një zyrtar amerikan

Paqe për Krishtlindje?

I pyetur nëse negociatat mund të përfundojnë deri në Krishtlindje, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se përpjekja për të parashikuar një afat të mundshëm për një marrëveshje paqeje është një ”detyrim i pashpresë”./ /Ad.Ab./ a.jor.

The post KOMENT – “Politico”: Negociatat për paqen në Ukrainë kanë 90% të çështjeve të zgjidhura appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BERLIN – Zelensky: Asetet e ngrira ruse të përdoren për mbrojtjen e Ukrainës

15 December 2025 at 17:36

BERLIN, 15 dhjetor /ATSH-AFP / – Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky bëri thirrje që asetet e ngrira ruse të përdoren plotësisht për mbrojtjen e Ukrainës ndaj Rusisë, në një moment kur Evropës i ushtrohet presion për të vendosur nëse do të përdoren apo jo dhjetëra miliarda euro asetet e ngrira ruse në Evropë.

“Këto fonde duhet të shërbejnë realisht dhe plotësisht për mbrojtjen kundër agresionit të Rusisë. Është e drejtë, është e arsyeshme dhe duhet të jetë e realizueshme”, theksoi presidenti ukrainas në Berlin gjatë forumit ekonomik.

Zelensky foli sot për bisedime jo të lehta, por produktive me përfaqësuesit amerikanë në Berlin mbi një mundësi të zgjidhjes së konfliktit me Rusinë.

“Këto biseda nuk janë kurrë të lehta, për të qenë i sinqertë me ju. Por biseda ishte produktive, me shumë detaje, vërtet shumë”, tha Zelensky gjatë një forumi ekonomik gjermano-ukrainas.

Një zyrtar i lartë amerikan, që foli me kusht anonimati, tha se bisedimet e zhvilluara me Ukrainën, të dielën dhe të hënën, kanë qenë ”vërtet, vërtet pozitive”.

Ai shtoi se përfaqësuesit amerikanë kanë pasur gjithsej rreth tetë orë bisedime në dy ditë me presidentin Zelensky dhe shprehu bindjen se janë “në rrugën e paqes”./   /Ad.Ab./

The post BERLIN – Zelensky: Asetet e ngrira ruse të përdoren për mbrojtjen e Ukrainës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BERLIN – Negociatorët amerikanë kërkojnë që Ukraina të heqë dorë nga kontrolli i Donbasit.

15 December 2025 at 17:00

BERLIN, 15 dhjetor /ATSH-AFP/ – Negociatorët amerikanë ende kërkojnë që Ukraina të heqë dorë nga pjesa e rajonit të Donbasit që kontrollohet nga Kievi, gjatë raundit të fundit të bisedimeve në Berlin, tha sot një zyrtar i lartë i informuar mbi diskutimet.

“Vladimir Putin dëshiron territore. Amerikanët thonë se Ukraina duhet të tërhiqet, gjë që Kievi e refuzon”, tha ky burim.

“Është mjaft e habitshme që amerikanët po mbajnë qëndrimin e rusëve për këtë çështje”, shtoi burimi.

Zemra industriale ukrainase e Donbasit përfshin rajonin e Luganskut, pothuajse tërësisht nën kontrollin e Moskës, dhe rajonin e Donetskut, gati 20% e të cilit kontrollohet nga ushtria ukrainase.

Sipas një sondazhi të publikuar sot, 75% e ukrainasve kundërshtojnë braktisjen e këtij territori.

Përtej konsideratave territoriale, ky është seksioni më i mbrojtur i frontit, i përbërë nga një unazë qytetesh të fortifikuara dhe qindra kilometra llogore dhe fusha minash.

Një zyrtar i lartë ukrainas tha gjithashtu se një takim i ri do të zhvillohej sot midis presidentit Volodymyr Zelensky dhe negociatorëve amerikanë, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, në ditën e dytë të këtyre bisedimeve në Berlin.

Ndërsa Witkoff kishte siguruar dje në mbrëmje në X se janë bërë shumë përparime gjatë ciklit të parë të bisedimeve në Berlin, zyrtari ukrainas u tregua shumë më i kujdesshëm./ /Ad.Ab./

The post BERLIN – Negociatorët amerikanë kërkojnë që Ukraina të heqë dorë nga kontrolli i Donbasit. appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

NJU DELHI – Putin: Bisedimet me SHBA-në për Ukrainën të ndërlikuara

4 December 2025 at 20:22

NJU DELHI, 4 dhjetor /ATSH/- Presidenti rus, Vladimir Putin deklaroi sot se negociatat e vazhdueshme me Shtetet e Bashkuara për Ukrainën janë të ndërlikuara dhe për to duhet  angazhim.

Në një intervistë të transmetuar nga një kanal televiziv indian, Putin tha se ”është një detyrë komplekse dhe një mision i vështirë që presidenti Donald Trump i ka vënë vetes”.

“Arritja e një konsensusi mes palëve në konflikt nuk është e lehtë, por unë besoj se presidenti Trump po punon sinqerisht drejt kësaj”, vazhdoi ai, përpara se të shtonte se “mendoj se duhet të angazhohemi në këtë përpjekje në vend që ta pengojmë atë”.

Presidenti rus, Vladimir Putin mbërriti sot në Indi për një vizitë dyditore shtetërore, gjatë së cilës do të zhvillojë bisedime me kryeministrin indian Narendra Modi.

Kjo është vizita e tij e parë në vendin më të populluar në botë që nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia në shkurt 2022.

Sipas raportimeve të medieve që citojnë qeverinë indiane, pas një darke private me Modin menjëherë pas mbërritjes, të dy  liderët do të takohen sërish nesër për samitin e 23-të Indi-Rusi.

Bisedimet pritet të fokusohen në marrëdhëniet dypalëshe, përfshirë tregtinë dhe energjinë.

India është një nga blerëset më të mëdha të naftës ruse./  /Ad.Ab./

The post NJU DELHI – Putin: Bisedimet me SHBA-në për Ukrainën të ndërlikuara appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MOSKË – Putin dhe Witkoff fillojnë bisedimet për përfundimin e luftës në Ukrainë

2 December 2025 at 18:26

MOSKË, 2 dhjetor /ATSH-DPA/ – Kanë nisur bisedimet në Moskë mes presidentit rus, Vladimir Putin dhe Steve Witkoff ,i  dërguari special i presidentit amerikan Trump, sipas agjencisë ruse të lajmeve TASS.

Në takim po merr pjesë gjithashtu Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, me qëllim diskutimin e planeve për një përfundim të mundshëm të luftës në Ukrainë.

Witkoff dhe Kushner ishin përfshirë më parë në negociata me zyrtarë ukrainas mbi një plan paqeje 28-pikësh të mbështetur nga SHBA-ja, i cili fillimisht u kritikua nga Kievi dhe aleatët e tij evropianë për favorizimin e madh të Rusisë.

Por ndryshimet në këtë propozim, të negociuara me përfaqësuesit ukrainas gjatë javës së fundit, ka të ngjarë të mos pranohen nga Moska.

Përpara takimeve të sotëm në kryeqytetin rus, Putin deklaroi se ndryshimet evropiane ishin të synuara për të bllokuar procesin e paqes, sipas agjencisë ruse të lajmeve Interfax./  /Ad.Ab./

The post MOSKË – Putin dhe Witkoff fillojnë bisedimet për përfundimin e luftës në Ukrainë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Rubio: Ende shumë punë për dhënien fund të konfliktit ruso-ukrainas

1 December 2025 at 08:41

UASHINGTON, 1 dhjetor /ATSH-DPA/ – Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio tha se ende ka shumë punë përpara për negociatorët që kërkojnë t’i japin fund luftës së Rusisë kundër Ukrainës, pas disa orësh bisedimesh me përfaqësuesit ukrainas në Florida.

Në pamjet e shpërndara nga gazetarët në median sociale, Rubio tha se kishte qenë “një seancë shumë produktive dhe e dobishme” në të cilën, sipas tij, ishte bërë “përparim shtesë”.

Megjithatë, ai paralajmëroi se “ka më shumë punë për t’u bërë”.

Rubio tha se çështja ishte e ndërlikuar, me shumë pjesë në lojë, dhe se pala ruse ende duhej të përfshihej.

Rubio riafirmoi se kjo do të ndodhte në ditët në vijim, kur Steve Witkoff, i dërguari special i presidentit Donald Trump, të vizitojë Moskën.

Kreu i delegacionit ukrainas, Rustem Umerov, e karakterizoi takimin si “produktiv dhe të suksesshëm”.

“Ne folëm për të ardhmen e Ukrainës, për gjithçka që është e rëndësishme për Ukrainën dhe popullin ukrainas”, tha ai.

“Shtetet e Bashkuara po na mbështesin shumë”, theksoi Umerov.

As ai dhe as Rubio nuk dhanë detaje specifike mbi përmbajtjen e bisedimeve.

Një plan amerikan me 28 pika për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë u bë publik së fundmi, por u kritikua nga shumë si një “listë dëshirash ruse”.

Evropianët dhe ukrainasit më vonë e ripërpunuan planin me përfaqësuesit e SHBA-së, megjithëse disa pika mbeten të diskutueshme.

Rusia, ndërsa kohët e fundit është angazhuar në bisedime paqeje, ka vazhduar të sulmojë Ukrainën./ a.jor.

The post SHBA – Rubio: Ende shumë punë për dhënien fund të konfliktit ruso-ukrainas appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Integrimi i Shqipërisë, Athina gati për “OQI DAY 2”? Greqia bëhet gati për “rezistencë” ndaj Shqipërisë

By: xhir jeta
24 November 2025 at 15:06

Athina po bëhet gati për përballjen politike me Tiranën pas përmbylljes se negociatave teknike të anëtarësimit në 2027. Shefi i diplomacisë greke Jorgos Gerapetritis ka hartuar një plan të ri veprimi për marrëdhëniet me qeverinë shqiptare, që përmban disa nga cështjet më të ndjeshme të axhendës dy palëshe si kufinjtë detarë, lidhshmëria dhe bashkëpunimi infrastrukturor –energjitik dhe procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Udhërrëfyesi që do ti paraqitet ministres së jashtme Spiropali më 16 dhjetor në Athinë, rikthen bisedimet për cështjet e pazgjidhura mes dy shteteve, me në krye kufinjtë detare.

Në 2020, Shqipëria dhe Greqia ranë dakort që paraqisnin mosmarrëveshjen për delimitimin e zonave ekonomike detare në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, por ende kjo cështje ka mbëtur pezull.

Në vizitën e tij të fundit në Athinë në qershor të 2025, ish ministri I jashtëm Igli Hasani tha se qeveria shqiptare mbetet e hapur dhe plotësisht e angazhuar për promovimin e dialogut për të gjitha çështjet dypalëshe që janë pezull. Në mënyrë që ato të adresohen në përputhje me rregullat ndërkombëtare.

Ndërsa në Athinë konsiderohet se situata rajonale, veçanërisht projektet energjetike të Adriatikut dhe Mesdheut, po i japin çështjes një shtysë të re për zgjidhje.

Plani i ri I veprimit I kushton një vemendje të posacme integrimit europian të Shqipërisë.  Ministri i jashtëm grek Gerapetritis i ka paraqitur homologëve në Bruksel qëllimin e vendit të tij për të ndërmarrë, në kuadër të presidencës greke, një iniciative që do të përshpejtonte rrugën e shteteve ballkanike drejt familjes europiane.

Athina merr presidencën e Bashkimit Europian në gjashtë mujorin e dytë të 2027, që përkon me objektivat e qeverisë shqiptare për mbylljen e të gjithë grupkapitujve të anëtarësimit, ose thënë ndryshe, mbylljen teknike të negociatave.  Me pas topi do të jetë në fushen e Italisë, e cila do të udheheqe procesin e zgjerimit, në gjysmën e parë të 2028, kur me gjasë do të nisin edhe bisedimet politike të Shqipërisë me shtetet anëtare për të marrë mbështetjen e parlamenteve respektive.

Dhe këtu, hyn në lojë Roma dhe kryeministrja Meloni, e cila ka deklaruar se nese cështjet e mbetura pezull me Athinën do bëhen pengesë për anëtarësimin e Tiranës në familjen europiane, italia do te negocioje. Dhe te negociatat politike, ku vendet anetare diskutojne dhe ceshtjet individuale qe kane me shqiperine, rritet rreziku I nje tjeter rezistence te athines, qe mund te kthehen  edhe ne kushte te saj para se ajo te miratoje futjen e shqiperise ne bashkimin europian./abcnews.al

EGJIPT – Delegacioni i Hamasit mbërrin në Kajro për bisedime mes përshkallëzimit të situatës

23 November 2025 at 14:35

KAJRO, 23 nëntor /ATSH-DPA/- Një delegacion nga grupi islamist palestinez Hamas ka mbërritur në Kajro për bisedime pas një përshkallëzimi të dhunës në Rripin e Gazës, sipas burimeve egjiptiane.

Khalil al-Haya, zyrtari më i lartë i Hamasit jashtë vendit, thuhet se po kryeson delegacionin. Bisedimet janë planifikuar me ndërmjetësues, përfshirë Egjiptin, Katarin dhe SHBA-në në konfliktin midis Izraelit dhe Hamasit.

Diskutimet thuhet se do të përqendrohen në përshkallëzimin e fundit pavarësisht armëpushimit që hyri në fuqi më 10 tetor, si dhe në kalimin në fazën e dytë të planit të paqes në Gaza nga presidenti i SHBA-së Donald Trump.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së gjithashtu votoi së fundmi në favor të një rezolute të paraqitur nga SHBA-të për të siguruar planin.

Incidentet e dhunshme të përsëritura në Rripin e Gazës kanë ngritur shqetësime në lidhje me vazhdimin e armëpushimit.

“Të paktën 22 persona u vranë dje në sulmet izraelite”, sipas autoritetit shëndetësor në Gaza, të cilin e kontrollon Hamasi.

Ushtria izraelite deklaroi se këto ishin përgjigje ndaj shkeljeve palestineze të armëpushimit dhe sulmeve ndaj trupave të saj që ende kontrollojnë më shumë se gjysmën e Gazës.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha gjatë mbledhjes javore të kabinetit në Jerusalem se Izraeli do të bënte gjithçka për të parandaluar një rikthim të Hamasit dhe milicisë Hezbollah të mbështetur nga Irani.//a.i/

The post EGJIPT – Delegacioni i Hamasit mbërrin në Kajro për bisedime mes përshkallëzimit të situatës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KIEV – Zelensky synon rifillmin e bisedimeve me Rusinë

18 November 2025 at 22:07

KIEV, 18 nëntor /ATSH-DPA/ –  Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se shpreson të avancojë përpjekjet për ringjalljen e negociatave me Rusinë gjatë vizitës që do të zhvillojë nesër në Turqi.

“Po përgatitemi të rifillojmë negociatat dhe kemi hartuar zgjidhje që do t’ua propozojmë partnerëve tanë”, shkroi Zelensky në X, pa dhënë detaje të tjera.

“Sjellja e fundit të luftës sa më afër që të jetë e mundur është prioriteti kryesor i Ukrainës”, theksoi ai.

Zelensky nuk specifikoi nëse i referohej bisedimeve të drejtpërdrejta me Moskën.

Ai tha se Kievi po punon gjithashtu për rifillimin e shkëmbimit të të burgosurve..

Ish-ministri  ukrainas i Mbrojtjes, Rustem Umerov, tha më pare se ishte diskutuar një marrëveshje për shkëmbimin e 1 200 të burgosurve nga secila palë.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi se Rusia nuk po merr pjesë në asnjë bisedim në Turqi.

Ai tha se Moska do të vlerësojë propozimet e presidentit Zelensky për të parë nëse Ukraina është vërtet e gatshme për negociata.

Turqia ka vepruar shpesh si ndërmjetëse dhe vend pritës për diskutime gjatë më shumë se tre viteve e gjysmë të luftës në Ukrainë./   /Ad.Ab./

 

The post KIEV – Zelensky synon rifillmin e bisedimeve me Rusinë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BE: Bisedimet e paqes varen nga vendimi i Ukrainës

22 October 2025 at 16:32

Bashkimi Evropian përsëriti sot se çdo negociatë paqeje në lidhje me luftën në Ukrainë duhet të vendoset nga vetë Kievi.

“Pozicioni ynë është i qartë. Ne mbështesim të gjitha përpjekjet drejt paqes dhe ajo që kemi parë gjatë gjithë kohës është se Ukraina dëshiron paqe. Evropa dëshiron paqe. SHBA-ja do paqe”, tha zëdhënësja e Komisionit Evropian, Anitta Hipper në një konferencë për media në Bruksel.

“Kjo është arsyeja pse ne po e mirëpresim iniciativën e presidentit Trump për të arritur, më në fund këtë qëllim”, shtoi ajo.

Një samit i planifikuar midis presidentit amerikan Donald Trump dhe homologut të tij rus Vladimir Putin, që planifikohet të mbahet brenda dy javësh në Budapest, nuk parashihet të realizohet në të ardhmen e afërt, sipas Shtëpisë së Bardhë. Vendimi për takimin u mor gjatë një bisede telefonike midis dy udhëheqësve më 16 tetor.

Përderisa Rusia insiston në adresimin e shkaqeve rrënjësore të konfliktit të Ukrainës para një armëpushimi, udhëheqësit evropianë thonë se linja aktuale e kontaktit duhet të jetë pika fillestare e negociatave. Trump mirëpriti idenë e ndërprerjes së konfliktit në linjën aktuale të kontaktit.

Hipper akuzoi Rusinë se vazhdon të zgjedhë “gjuhën e luftës”, duke përsëritur mbështetjen e bllokut për Kievin si financiarisht ashtu edhe ushtarakisht. “Ne mund të sigurohemi që Ukraina të mbetet e fortë gjatë, pas dhe para çdo armëpushimi”, tha ajo duke shtuar se blloku këtë javë po përgatit paketën e 19-të të sanksioneve kundër Rusisë.

“Kur bëhet fjalë për negociatat, i takon Ukrainës të vendosë dhe ne po e mbështesim plotësisht Ukrainën dhe presidentin Zelensky në këtë thirrje”, theksoi ajo. Hipper tha se BE-ja po rrit përpjekjet për të trajtuar të ashtuquajturën “flota hije” e Rusisë që përdoret për të anashkaluar sanksionet e naftës.

Ajo shtoi se blloku po “shqyrton praktikat më të mira” dhe po koordinohet me vendet anëtare dhe partnerët ndërkombëtarë, përfshirë Task Forcën G7, për të përmirësuar monitorimin dhe zbatimin.

“Ne kemi emëruar një koordinator në këtë drejtim për të na mbështetur gjatë gjithë kohës”, shtoi ajo.

Për t’iu kundërvënë sanksioneve perëndimore për shkak të luftës në Ukrainë, thuhet se Rusia ka zhvilluar të ashtuquajturën “flota hije”, një rrjet cisternash nafte për të anashkaluar sanksionet ndërkombëtare dhe për të ruajtur shitjet globale të naftës.

FOKUS – Asnjë përparim thelbësor pas ditës së dytë të bisedimeve mbi luftën në Gaza

7 October 2025 at 22:40

KAJRO, 7 tetor /ATSH-DPA/ – Dita e dytë e negociatave në Sharm el-Sheikh, që synojnë t’i jepnin fund luftës në Gaza përfundoi sot pa ndonjë përparim të dukshshëm, sipas burimeve egjiptiane të sigurisë.

Bisedimet po zhvillohen me pjesëmarrjen e Katarit dhe nën ndërmjetësimin egjiptian.

Një zyrtar i lartë i sigurisë, i njohur me diskutimet, tha se “situata mbetet e pandryshuar krahasuar me ditën e parë”.

Burimi tha se delegacioni i Hamasit vazhdon të kërkojë garanci të forta se Izraeli nuk do të rifillojë operacionet ushtarake pas lirimit të pengjeve, duke këmbëngulur se lufta duhet të ndalet plotësisht para çdo shkëmbimi.

Sipas transmetuesit egjiptian ”Al Qahera News”, listat e të burgosurve që Hamasi po kërkon lirimin përfshijnë figura të shquara palestineze si Marwan Barghouti, Ahmed Saadat, Hassan Salameh, Abbas al-Sayed dhe të tjerë.

Hamasi ka bërë gjithashtu thirrje për sqarim të mekanizmave dhe procedurave të nevojshme për të zbatuar planin e Trump, duke përfshirë garancitë se Izraeli nuk do të kthehet në agresion kundër Gazës.

Burimi egjiptian shtoi se delegacioni izraelit deri më tani ka refuzuar të marrë ndonjë angazhim në lidhje me garanci të tilla ose të diskutojë ndalimin e luftës para shkëmbimit.

Zyrtari tha se delegacioni amerikan, i kryesuar nga Steven Witkoff, pritet t’i bashkohet nesër bisedimeve, me ndërmjetësuesit që shpresojnë se pjesëmarrja amerikane do të ndihmojë në presionin ndaj palës izraelite për të treguar fleksibilitet në pikat kryesore të diskutueshme – veçanërisht kërkesën për garanci kundër një konflikti të ripërtërirë sapo të lirohen pengjet./ a.jor.

The post FOKUS – Asnjë përparim thelbësor pas ditës së dytë të bisedimeve mbi luftën në Gaza appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KORE E JUGUT – Kim: Gati për bisedime me SHBA-në, por jo për çarmatimim bërthamor

22 September 2025 at 13:02

SEUL, 22 shtator /ATSH-DPA /– Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, deklaroi se është i gatshëm të ulet në tryezë me Shtetet e Bashkuara, por vetëm nëse Uashingtoni heq dorë nga kërkesa për çarmatim  bërthamor të Phenianit.

Lajmi u bë i ditur sot nga media shtetërore koreano-veriore.

“Nëse Shtetet e Bashkuara heqin dorë nga obsesioni absurd për të na denuklearizuar dhe kërkojnë bashkëjetesë të vërtetë paqësore, nuk ka arsye pse të mos ulemi për bisedime”, tha Kim në një fjalim dje para parlamentit .

Kim kujtoi gjithashtu marrëdhëniet me ish-presidentin amerikan Donald Trump, duke thënë se kishte “kujtime të mira” prej tyre, sipas agjencisë KCNA.

Megjithatë, ai theksoi se Pheniani nuk do të heqë kurrë dorë nga arsenali bërthamor dhe nuk do të dorëzohet përballë presionit të sanksioneve. “Bota e di mirë se çfarë bën Amerika pasi detyron një vend të çarmatoset”, shtoi ai.

Gjatë mandatit të parë, presidenti Trump ndoqi një politikë të pazakontë ndaj Koresë së Veriut, duke u takuar disa herë me Kim me synimin për të arritur çarmatosjen bërthamore.

Kohët e fundit, Trump e ka përshkruar marrëdhënien me udhëheqësin koreano-verior si “shumë të mirë” dhe ka shprehur interes për një tjetër takim.

Ndërkohë, administrata amerikane mbetet e vendosur në qëllimin për një çarmatim të plotë bërthamore të Koresë së Veriut. Pheniani, nga ana e tij, vazhdon testet raketore dhe përparimin në programin bërthamor, pavarësisht sanksioneve të ashpra ndërkombëtare. /Ad.Ab./

The post KORE E JUGUT – Kim: Gati për bisedime me SHBA-në, por jo për çarmatimim bërthamor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SIRI – Al -Sharaa: Vazhdojnë bisedimet për marrëveshje sigurie me Izraelin

13 September 2025 at 11:28

KAJRO, 13 shtator /ATSH-DPA/ – Presidenti i përkohshëm sirian, Ahmed al Sharaa, ka konfirmuar se janë duke vazhduar negociatat për një marrëveshje sigurie me Izraelin, i cili ka kryer disa sulme ndaj fqinjit të shkatërruar nga lufta që prej rrëzimit të ish-udhëheqësit Bashar al-Assad në dhjetor.

Izraeli dhe Siria, të cilat zyrtarisht janë në gjendje lufte që nga viti 1948, kishin nënshkruar në vitin 1974 një marrëveshje çarmatosjeje pas luftës së vitit 1973, që krijoi një zonë tampon në Lartësitë e Golanit nën mbikëqyrjen e OKB-së për të ndarë forcat izraelite dhe siriane.

“Pas rënies së regjimit, Izraeli është tërhequr nga marrëveshja e vitit 1974, megjithëse Siria që nga momenti i parë demonstroi angazhimin ndaj saj”, tha al-Sharaa në një intervistë televizive.

“Negociatat për një marrëveshje sigurie vazhdojnë, në mënyrë që Izraeli të kthehet në pozicionin që mbante para 8 dhjetorit”, shtoi ai, duke iu referuar ditës kur u rrëzua al-Assad.

“Negociatat nuk kanë përfunduar ende”, theksoi Al Sharaa.

Muajin e kaluar, Izraeli dhe Siria zhvilluan bisedime të drejtpërdrejta në Paris, me ndërmjetësimin e SHBA-së.

Lartësitë e Golanit, të pushtuara nga Izraeli në vitin 1967 dhe të aneksuara në vitin 1981, mbeten një pikë qendrore mosmarrëveshjeje, pasi aneksimi nuk njihet ndërkombëtarisht.

Pas rrëzimit të al-Assad, Izraeli vendosi trupa shtesë në zonë dhe ka shtuar sulmet ajrore në Siri, duke deklaruar se synon të parandalojë që armët siriane të bien në duart e ekstremistëve. /Ad.Ab./

The post SIRI – Al -Sharaa: Vazhdojnë bisedimet për marrëveshje sigurie me Izraelin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA vendosi tarifa 50% për importet nga India, Modi njofton bisedime me Putin dhe Xi Jinping

By: V K
30 August 2025 at 08:55

Kryeministri indian Narendra Modi, tha të enjten se do të zhvillojë bisedime me presidentin rus Vladimir Putin dhe presidentin kinez Xi Jinping në Tianjin të Kinës.

Modi do të vizitojë Kinën të shtunën për takimin e 25-të të Këshillit të Krerëve të Shteteve të samitit të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (SCO).

Në një postim në X, Modi tha se India ka luajtur “një rol aktiv dhe konstruktiv” në SCO.

“India do të vazhdojë të punojë me anëtarët e SCO-së për të adresuar sfida të ndryshme të përbashkëta”, tha ai.

“Unë gjithashtu do të takohem me Presidentin Xi Jinping, Presidentin Putin dhe udhëheqës të tjerë gjatë Samitit”.

SCO është një bllok ndërkombëtar sigurie që u krijua në vitin 2001 nga Kina, Rusia, Taxhikistani, Kirgistani, Kazakistani dhe Uzbekistani.

India dhe Pakistani u bënë anëtarë të plotë në korrik 2023. Grupi tani ka 10 anëtarë, përfshirë Iranin dhe Bjellorusinë.

Vizita e Modit në Kinë, vjen në një kohë kur marrëdhëniet Indi-SHBA janë të tensionuara, për shkak të tarifave prej 50% të Uashingtonit mbi importet indiane.

SHBA-të i vendosën Indisë tarifa prej 25% në fillim të gushtit, pasi bisedimet për një marrëveshje tregtare dështuan.

Një tjetër tarifë prej 25% iu vendos Nju Delhit si penalizim këtë javë, pasi India refuzoi të ndalonte blerjen e naftës ruse.

Marrëdhëniet e Nju Delhit me Pekinin, kanë qenë në përmirësim që nga tetori i vitit 2024, kur Modi dhe Xi zhvilluan bisedime në kuadër të samitit të BRICS në Kazan.

Marrëdhëniet u tendosën pas një përplasjeje kufitare në vitin 2020 që mori jetën e ushtarëve nga të dyja palët.

Kina ka mbështetur fuqimisht Indinë lidhur me tarifat e SHBA-së. “SHBA-të kanë vendosur tarifa deri në 50% ndaj Indisë dhe po kërcënojnë të vendosin më shumë”, tha javën e kaluar ambasadori i Kinës në Nju Delhi, Xu Feihong. Kina e kundërshton me vendosmëri këtë. Përballë akteve të tilla, heshtja ose kompromisi vetëm sa e trimëron ngacmuesin. Kina do të qëndrojë fort në krah të Indisë”.

Zyrtarë të lartë nga Moska, Pekini dhe Nju Delhi, kanë folur gjithashtu për ringjalljen e formatit trepalësh Rusi-Indi-Kinë (RIC), sipas të cilit takohen ministrat e jashtëm të tre vendeve.

The post SHBA vendosi tarifa 50% për importet nga India, Modi njofton bisedime me Putin dhe Xi Jinping appeared first on Albeu.com.

❌
❌