Veprimet e BE-së, po aq sa fjalët e Putinit, mundësojnë vazhdimin e luftës në Ukrainë
Nga: Rajan Menon / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com
Konferenca maratonë për shtyp e Vladimir Putinit më 19 dhjetor, një ngjarje e përvjetshme në fund të vitit, nuk ofroi asnjë dëshmi se Rusia mund të braktisë qëllimet të cilat presidenti i vendosi për “operacionin e posaçëm ushtarak” kundër Ukrainës në shkurt të vitit 2022: pushtimin e Donjeckut, Luhanskut, Zaporizhias dhe Hersonit. Si gjithmonë, Putini nuk u duk i shqetësuar nga fakti se, pothuajse katër vjet pas nisjes së luftës, ushtria e tij kishte arritur të pushtonte plotësisht vetëm Luhanskun - ndonëse kishte marrë nën kontroll më shumë se një të tretën e atij rajoni, si dhe Donjeckun, që në vitin 2015.
Qëndrimi i palëkundur i Putinit nuk duhet të jetë befasues. Menjëherë pas pushtimit, Duma e Shtetit të Rusisë miratoi legjislacionin për përfshirjen e këtyre katër rajoneve ukrainase në përbërje të Rusisë - dhe, këtë muaj, ministri i Jashtëm, Sergey Lavrov, dhe zëvendësministri i Jashtëm, Sergei Ryabkov, ripohuan pretendimet territoriale të Putinit.
Paaftësia e Rusisë për të lëvizur nga pozicioni i saj bie në kundërshtim me përpjekjet e dëshpëruara të Donald Trumpit për të arritur një zgjidhje politike deri në Krishtlindje. Për të përmbushur këtë afat të përcaktuar, Trumpi madje përpiqet ta detyrojë Volodymyr Zelenskyyn të dorëzojë pjesët e Donjeckut të cilat Ukraina ende i mban. Edhe pse Zelenskyy refuzoi, ai u tregua i gatshëm të braktiste përpjekjen disavjeçare të Ukrainës për anëtarësim në NATO dhe të pranonte neutralitetin - në këmbim të garancive të fuqishme të sigurisë nga Perëndimi.
Ky ndryshim nga ana e Zelenskyyt nuk do ta zbus Putinin. Shqetësimi i kahershëm - dhe i kuptueshëm - i Rusisë për zgjerimin e NATO-s i paraprin kësaj. Por, lufta e Putinit në vitin 2022 buron nga diçka më e thellë, pasi nuk ka prova që Ukraina ishte më pranë anëtarësimit zyrtar në aleancë në prag të pushtimit të Rusisë - sesa ishte në vitin 2008, kur NATO, në samitin e saj në Bukuresht, deklaroi se Ukraina do të bëhej anëtare në një të ardhme të pacaktuar.
Ashtu si në vitin 2008, vendet e NATO-s mbeten të ndara për kandidaturën e Ukrainës - madje edhe më shumë. Kjo ka rëndësi: neni 10 i traktatit themelues të NATO-s të vitit 1949, kërkon unanimitet për pranimin e anëtarëve të rinj. Kur NATO vërtet dëshiron të rrisë anëtarësinë, ajo vepron me shpejtësi: vëreni pranimin e shpejtë të Finlandës (prill 2023) dhe Suedisë (mars 2024), të cilat aplikuan për anëtarësim në maj 2022. Për të shpjeguar motivimin e Putinit për të pushtuar Ukrainën, duhet të marrim parasysh ankesat e rrënjosura në histori.
Ai ka deklaruar, në mënyrë të përsëritur dhe të zgjatur, se ukrainasit dhe rusët kanë qenë një popull për shekuj të tërë; se ndarja e tyre në dy shtete, pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, ishte një tragjedi; se Jugu dhe Lindja e Ukrainës, të banuara nga një numër i madh rusësh etnikë apo ukrainasish me gjuhë amtare ruse, i përkasin me të drejtë Rusisë. Me pak fjalë, Putini beson se Rusia është plaçkitur.
Megjithatë, në konferencën për shtyp, Putini përgëzoi Trumpin për “sinqeritetin absolut” në nisjen e negociatave për t’i dhënë fund luftës, duke shtuar se Rusia mbetet e angazhuar ndaj tyre dhe do ta ndalojë ofensivën ushtarake për sa kohë që interesat e saj merren seriozisht.
Lëvdatat e Putinit kanë një qëllim - dhe një objektiv të ndjeshëm. Trumpi ka lavdëruar “gjenialitetin” e Putinit. Ai, si Putini, ka fajësuar Ukrainën për nisjen e luftës. Ai kërkon një afrim me Rusinë që përfshin investime të përbashkëta multi-miliardë dollarëshe. Ka mbështetur kërkesën e Putinit që Zelenskyy të mbajë zgjedhje, pavarësisht luftës, për të demonstruar legjitimitetin e tij demokratik. Ai, si Putini, përçmon Evropën dhe do të preferonte një marrëveshje që i lë evropianët (dhe ukrainasit) të anashkaluar. Të gjitha këto janë arsye se përse Putini përpiqet ta josh Trumpin dhe të thellojë përçarjen mes ShBA-së dhe Evropës.
Përkundër qëndrimeve të përbashkëta dhe simpatinë e Trumpit për Rusinë, ai ende nuk ka bërë një marrëveshje që i përshtatet Putinit. Nëse nuk e bën, gjakderdhja do të vazhdojë. Ukraina ka paguar tashmë një çmim të tmerrshëm - dhe kjo nuk është për t’u habitur: ajo është pala shumë më e dobët. E habitshme është humbja masive e ushtrisë ruse - në njerëz dhe pajisje. Ekonomia e Rusisë gjithashtu është nën stres të vazhdueshëm dhe mezi po rritet, megjithëse nuk është në rrezik kolapsi. Por, vuajtjet e rusëve, për të mos përmendur ato të ukrainasve, nuk do të kenë rëndësi për sa kohë që Putini beson se objektivat e tij janë ende të arritshëm - në tryezën e bisedimeve, duke bindur Trumpin të vazhdojë presionin ndaj Zelenskyyt, apo në fushëbetejë.
Ndërkohë, BE-ja ka ndërmarrë një hap të madh që do të ulë gjasat që Rusia të fitojë shpejt në cilindo drejtim, duke siguruar që arkat e Kievit të mos mbeten bosh. Krerët e bllokut kishin shpresuar të përdornin interesin e fituar nga 210 miliardë euro në asete të ngrira ruse për të ndihmuar Ukrainën. Megjithëse ky plan dështoi për shkak të kundërshtimit të hapur të disa shteteve anëtare të BE-së dhe hezitimeve të të tjerëve, BE-ja arriti të gjente një zgjidhje tjetër. Ajo do të marrë hua 90 miliardë euro për të mbështetur Ukrainën për dy vjet - dhe, pa detyrim kthimi përveçse nëse Rusia paguan dëmshpërblime, diçka që askush nuk e pret.
Media u fokusua te mosmarrëveshjet brenda BE-së për asetet e ngrira ruse, por ajo që ka rëndësi vërtet është se një bllok prej 27 shtetesh sovrane, shpesh të vështira për t’u menaxhuar, arriti të sigurojë fondet për të shmangur kolapsin e Ukrainës. Ashtu siç fjalët e Putinit sigurojnë vazhdimin e luftës, edhe veprimet e BE-së bëjnë të njëjtën gjë. Vendimi i BE-së është gjithashtu i rëndësishëm, sepse tregon gatishmërinë e Evropës për të vepruar në mënyrë të pavarur lidhur me luftën, edhe nëse kjo nënkupton largimin nga ShBA-ja.
Në gusht, Trumpi deklaroi se amerikanët nuk kanë ndonjë interes në luftën e Ukrainës, pasi ndodhen larg saj, “përtej një oqeani të madh dhe të bukur”. Evropa nuk e gëzon këtë luks gjeografik. Kjo, së bashku me Strategjinë e re të Sigurisë Kombëtare të Trumpit, e cila e përshkruan kontinentin si një vend të zhytur në probleme dhe për rrjedhojë me rëndësi në venitje për ShBA-në, mund t’i ketë bindur udhëheqësit evropianë të veprojnë më të pavarur.
Duke qenë se Trumpi pezulloi gjithë ndihmën e drejtpërdrejt ushtarake për Kievin, në mars, ndihma vetëm nga Evropa mund të mos mjaftojë për të qenë të sigurt që ukrainasit të arrijnë një paqe të cilën ata e konsiderojnë të drejtë. Por, kjo ka qenë një luftë e mbushur me befasi, dhe më e madhja prej tyre është që ushtria e Ukrainës ende nuk është mposhtur.
Evropa ia ka hedhur Ukrainës një jelek shpëtimi, por nuk duhet të kemi iluzione. Ukraina do të vazhdojë të luftojë me shpinë për muri kundër një armiku që ka më shumë në secilin burim të rëndësishëm për luftën - dhe lideri i të cilit e barazon “kompromisin” me kapitullimin e kundërshtarit. Në mungesë të një ndryshimi të papritur të pozicionit të Rusisë mbi çështjen territoriale, Trumpit do t’i mohohet dhurata e Krishtlindjes të cilën aq shumë e dëshiron. Ndonëse secili në mënyrën e vet, konferenca për shtyp e Putinit dhe paketa e huas së BE-së për Ukrainën, sigurojnë që lufta do të vazhdojë edhe vitin e ardhshëm. /Telegrafi/
