Lista Serbe është tërhequr pas ftesës për seancën konstituive të Mitrovicës së Veriut, pasi dokumenti fillestar nuk përmbante shënimin zyrtar “Republika e Kosovës”.
Ftesa e re për seancën konstituive të Kuvendit të Mitrovicës së Veriut tash mban emrin zyrtar “Republika e Kosovës”, dhe është e shënuar edhe në gjuhën shqipe, raporton Dukagjini.
Megjithatë, më herët kryetari i sapozgjedhur, Milan Radojeviq, dhe partia e tij, Lista Serbe, njoftuan se nuk do ta respektojnë rendin kushtetues të vendit.
Sipas ligjit, çdo dokument zyrtar i institucionit komunal duhet të përmbajë shënimin “Republika e Kosovës” dhe të jetë në të dyja gjuhët zyrtare, shqipe dhe serbe.
Megjithatë, ftesa e parë e dërguar nga kryetari i sapozgjedhur Milan Radojeviq i është drejtuar këshilltarëve vetëm në gjuhën serbe dhe nuk përmend emrin zyrtar të shtetit, duke shkelur kështu Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve dhe standardet kushtetuese për dokumentacionin shtetëror.
Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, që ka rol mbikëqyrës mbi komunat, kishte refuzuar mbajtjen e seancës më 5 dhjetor, duke argumentuar se mungesa e emrit “Republika e Kosovës” në dokumentacion e bën të pavlefshme thirrjen e seancës. /Tv Dukagjini/
Ish-zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Arbër Vokrri ka thënë se nëna e të rrëmbyerit nga shteti i Serbisë në territorin e Kosovës, Dragana Vukashinoviq po kërkon vëmendje institucionale për fatin e birit të saj, Milan Vukashinoviq.
Vokrri përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se përgjegjësit për sigurinë kufitare (KFOR) do të duhej të interesoheshin për rastin.
“Dragana Vukashinoviq, nëna e zyrtarit tonë të rrëmbyer e të plagosur nga terroristët, Milan Vukashinoviq, kërkon vëmendje institucionale për fatin e të birit të saj. Sidomos përgjegjësit për sigurinë kufitare (KFOR) do të duhej të interesoheshin për rastin”, ka shkruar Vokrri.
Tutje Vokrri ka thënë se janë duke vazhduar kërcënimet e terroristëve ndaj serbëve të tjerë për t'i braktisur institucionet e Republikës së Kosovës dhe çfarëdo bashkëpunimi.
Avokati Ivan Niniq, i cili e përfaqëson familjen Vukashinoviq shprehu dyshime se në këtë rast mund të jetë e përfshirë edhe Ushtria e Serbisë.
Në Prokurorinë e Lartë në Prokuple të Serbisë, ai dorëzoi kallëzim penal për vrasje të rëndë në tentativë kundër pjesëtarëve të panjohur të Ushtrisë së Serbisë ose Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, si dhe kundër Millan Radoiçiqit, ish-nënkryetar i Listës Serbe.
Në vitin 2023, Radoiçiq e mori përgjegjësinë për sulmin e armatosur në Banjskë, në veri të Kosovës, ku u vra një polic kosovar. Në përleshjet e armatosura që pasuan, u vranë edhe tre sulmues serbë.
Në kallëzimin penal, avokati Niniq tha se Millan Vukashinoviq kishte “traditë të gjatë të konfliktit personal me Millan Radoiçiqin” dhe se ekzistonin “arsye të justifikuara që i dëmtuari të rrëmbehej dhe të lihej pa jetë në rrethana të paqarta”.
Prokuroria e Lartë në Prokuple nuk dha asnjë deklaratë për këtë rast dhe nuk iu përgjigj as pyetjeve të Radios Evropa e Lirë në lidhje me të. /Telegrafi/
Një grua është arrestuar për shkak se e kishte goditë me mjetë të mprehtë (thikë) në dorë bashkëshortin e saj.
Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur të shtunën rreth orës 22:10, në veri të Mitrovicës.
Tutje bëhet e ditur se si pasojë viktima ka pësuar lëndime trupore dhe ka pranuar tretman mjekësor.
“Është arrestuar e dyshuara femër kosovare, për shkak se e kishte goditë me mjetë të mprehtë – thikë në dorë bashkëshortin e saj, viktimën mashkull kosovar. Si pasojë viktima ka pësuar lëndime trupore dhe ka pranuar tretman mjekësor”, thuhet në raport.
Ndërkaq, e dyshuara pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje. /Telegrafi/
Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona pas një rrahjeje të ndodhur sot në veri të Mitrovicës përkatësisht në rrugën “Milan Shuflaj”.
Sipas njoftimit incidenti ka ndodhur rreth orës 12:50, kur zyrtarët policorë nga Stacioni Policor Mitrovicë Veri, gjatë kryerjes së detyrave të rregullta kanë hasur në një përleshje fizike mes dy personave.
Një prej të dyshuarve, N.B. (39 vjeçar), është arrestuar për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”.
Ai dyshohet se ka sulmuar fizikisht dy persona, baba dhe bir pas një mosmarrëveshje që kishte ndodhur në trafik.
Viktimat kanë marrë trajtim mjekësor dhe janë liruar pas ndërhyrjes mjekësore.
Në lidhje me këtë rast, prokurori kujdestar ka urdhëruar inicimin e procedurës penale dhe ndalimin e të dyshuarit për 48 orë.
Gjithashtu, në stacionin policor është paraqitur edhe vëllai i të dyshuarit, N.B. (46 vjeçar), i cili ka fyer dy viktimat.
Atij i është shqiptuar me një tiketë për prishje të rendit dhe qetësisë publike, sipas ligjit për kundërvajtje.
Policia e Kosovës ka theksuar angazhimin e saj të vazhdueshëm në zbatimin e ligjit dhe arrestimin e personave që kryejnë vepra penale, duke siguruar rendin dhe qetësinë publike në të gjithë territorin e Kosovës. /Telegrafi/
Një person dyshohet se ka sulmuar fizikisht dy persona pas një mosmarrëveshjeje në komunikacion, në veriun e Mitrovicës.
Lajmin për Kosovapress e ka konfirmuar, Erduan Baliqi, shef i planifikimit në kuadër të Operativës Rajonale Mitrovicë Veri të Policisë së Kosovës.
“Pas një mosmarrëveshjeje në komunikacion një person i dyshuar i ka sulmuar dy persona, babë dhe djalë. Një person është arrestuar dhe dy viktimat i kemi sjellë në stacion. Të tre kanë kërkuar tretman mjekësor”, tha Baliqi.
Ai shtoi se policia po vazhdon hetimet për të sqaruar rrethanat e incidentit. Tash për tash nuk raportohet për të arrestuar të mundshëm. /Telegrafi/
Në oborrin e shkollës teknike në Mitrovicë të Veriut janë vendosur mbishkrime nacionaliste serbe dhe propaganduese ndaj Kosovës.
Sipas pamjeve të siguruara nga KosovaPress, në muret e oborrit të shkollës teknike shihen mbishkrime si "Rusët dhe serbët, vëllezër përgjithmonë", "nuk ka dorëzim" dhe "Kosova është Serbi".
KosovaPress ka kontaktuar Policinë e Kosovës dhe Prokurorinë për të marrë përgjigjje lidhur me këtë çështje.
Në lagjen “Kodra e Minatorëve” në Mitrovicë është vënë gurthemeli i objektit të ri të shkollës fillore, projekt ky i financuar nga Qeveria e Kosovës përmes Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.
Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, tha se ky është një ndër projektet më të rëndësishme për komunitetin lokal, që do të mundësojë kushte më të mira për arsimin fillor.
“Gjendemi këtu në inaugurimin e shkollës fillore në Kodrën e Minatorëve, projekt i Qeverisë Kurti dhe Ministrisë së Arsimit.
“Kjo është shkolla e dytë pas asaj në lagjen e Boshnjakëve që e inauguruam më 3 tetor. Projekti pritet të përfundojë brenda 15 muajve dhe do të ketë kapacitet për 350 nxënës. Falënderoj Qeverinë dhe Ministrinë për mbështetjen”, tha Atiq.
Në mungesë të ministres Arbërie Nagavci, në ceremoninë e inaugurimit mori pjesë zëvendësministri Muhedin Nushi, i cili theksoi rëndësinë e investimeve të vazhdueshme në infrastrukturën arsimore.
“Kostoja e këtij projekti është 2.3 milionë euro. Ky është objekti i tretë arsimor në komunën e Mitrovicës së Veriut pas shkollës dhe çerdhes në lagjen e Boshnjakëve. Vetëm gjatë këtij mandati, Ministria e Arsimit ka investuar 162 milionë euro në infrastrukturë arsimore, prej të cilave 73 milionë për ndërtim dhe riparim të shkollave”, u shpreh Nushi.
Ndërsa, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, vlerësoi se investime të tilla po e ndryshojnë imazhin e zonës.
“Rinia jonë jo vetëm që do të ketë kushte më të mira për mësim, por edhe një perspektivë më të sigurt në një ambient të qetë për të gjithë. Jam jashtëzakonisht i lumtur që po vazhdojmë me këto projekte në një zonë që dikur njihej si problematike, e sot është kthyer në një hapësirë prosperuese”, tha Sveçla.
Projekti pritet të përfundojë brenda 15 muajve dhe do të ofrojë kushte moderne për procesin mësimor për qindra nxënës të kësaj lagjeje.
Sot, qytetarë dhe përgjegjësit e mirëmbajtjes së varrezave në veri të Mitrovicës kanë hasur në eshtra që potencialisht mund t’iu përkasin viktimave të luftës.
Kështu ka njoftuar Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur përmes një njoftimi, ku bëri të ditur se informacioni u raportua menjëherë në Policinë e Kosovës, e cila bashkëpunoi me ekipin e përbashkët për verifikimin e vendngjarjes.
“Pas marrjes së informacionit, në vendngjarje ka dalë ekipi i përbashkët i përbërë nga Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur, Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës dhe Instituti i Mjekësisë Ligjore. Ekipi ka bërë verifikimin fillestar, dhe pas konstatimit nga eksperti mjeko ligjor, janë ndërmarrë procedurat për tërheqje”, thuhet në njoftim.
Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur e vlerësoi lart bashkëpunimin e qytetarëve.
"Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur shpreh mirënjohje dhe vlerësim të lartë për bashkëpunimin me qytetarët, që me raportimin e tyre kontribuojnë në ndriçimin e fatit të personave të zhdukur. Ky bashkëpunim mbetet thelbësor për zbardhjen e fatit të çdo personi të zhdukur," tha komisioni në një njoftim.
Këshilltari i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Kushtrim Gara falënderoi gjithashtu qytetarët për përkushtimin dhe ndjeshmërinë e treguar:
"Mirënjohje të veçantë për qytetarët që me kujdes dhe ndjeshmëri kontribuuan në këtë proces. Mbesim të përkushtuar në misionin tonë për gjetjen e më të dashurve të rrëmbyer e zhdukur me forcë gjatë luftës. Mirënjohjen më të thellë për familjet e personave të zhdukur që përkundër dhimbjes dhe ankthit të pritjes në vazhdimësi kanë mbështetur punën e institucioneve të angazhuara në rrugëtimin e përbashkët për të vërtetën dhe drejtësinë," tha Gara. /Telegrafi/
Një person është gjetur pa shenja jetë të hënën rreth orës 15:30 në shtëpinë e tij, në veri të Mitrovicës.
Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se me vendim të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML.
“Mitrovicë Veri 27.10.2025-15:30. Raportohet se në shtëpinë e tij është gjetur pa shenja jete viktima mashkull kosovar. Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raport. /Telegrafi/
Pasi automjetet e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) shkuan gabimisht në veri të Mitrovicës, nga FSK dalin me sqarim.
Sipas shefit të shtabit të zyrës për informim nga FSK-ja, Vëllazërim Qerimi ka thënë gjatë lëvizjes së konvojit të FSK-së nga Istogu për në kazermën e FSK-së në Mitrovicë, pjesëtarët e FSK-së me automjete e kanë ngatërruar drejtimin e lëvizjes.
"Forca Sigurisë së Kosovës sqaron se sot me datë 16.10.2025 në ora 10:30, gjatë lëvizjes së konvojit të FSK-së nga Istogu për në kazermën e FSK-së në Mitrovicë, pjesëtarët e FSK-së me automjete e kanë ngatërruar drejtimin e lëvizjes", tha Qerimi.
Edhe zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani për Telegrafin tha se erdhën gabimisht në veri.
Ai tha se menjëherë janë afruar pjesëtarët e policisë për t’i pyetur se si mund t’i ndihmojnë dhe të njëjtën kanë thënë se e kanë ngatërruar rrugën.
"Diku para orës 11.00 në afërsi të stacionit Policor në Mitrovica Veri janë parkuar disa automjete të FSK-së. Kur atyre iu është afruar Policia, të njëjtit kanë thënë se e kanë ngatërruar rrugën. Policia i ka përcjell nga ai vend deri te Kërshi i Dudës", ka thënë Elshani. /Telegrafi/
Procesi zgjedhor në veri të Mitrovicës po zhvillohet pa ndonjë incident, ndërsa kanë mbetur më pak se dy orë deri në mbylljen e vendvotimeve.
Këtë e ka konfirmuar për Telegrafin zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani.
Elshani ka deklaruar se situata në terren është e qetë dhe nën kontroll të plotë.
“Deri në këto momente nuk kemi raportime për incidente në veri të Mitrovicës. Gjithçka po zhvillohet në mënyrë të qetë”, tha Elshani.
Policia e Kosovës, në bashkëpunim me institucionet tjera të sigurisë, po vazhdon monitorimin e procesit për të garantuar një mbarëvajtje të sigurt të zgjedhjeve deri në përfundim të votimit.
Vendvotimet në të gjithë vendin pritet të mbyllen në orën 19:00. /Telegrafi/
Policia e Kosovës ka njoftuar për një rrëmbim në tentativë.
Rasti ka ndodhur në Zveçan të Vogël.
“Zveçan i Vogël, Mitrovicë Veri 10.10.2025 – 17:58. Ankuesja femër kosovare, ka njoftuar policinë se derisa ka qenë duke ecur në rrugë me nënën e saj dy persona me një veturë e kanë ngacmuar. Policia ka reaguar ku ka identifikuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë, të cilët janë arrestuar”, thuhet në njoftim.
Rasti është cilësuar si rrëmbim në tentativë.
Lidhur me rastin është njoftuar prokurori dhe me vendim të tij është iniciuar rasti, ndërsa të dyshuarit janë dërguar në mbajtje. /Telegrafi/
Një i mitur të mërkurën është shoqëruar në Policinë e Kosovës pasi që është hasur duke mbajtur një bluzë me mbishkrimin “Xhandarmëria dhe simbolet serbe” në veri.
Lajmi është konfirmuar për Telegrafin nga shefi i planifikimit në kuadër të operativit, Erduan Baliqi, i cili tha se mituri është shoqëruar në stacionin policor dhe ndaj tij është shqiptuar një gjobë.
“Të mërkurën patrulla policore kanë ndaluar një të mitur pasi në pjesën e pasme të bluzës kishte të shënuar ‘Xhandarmëria dhe simbolet serbe’, ku i njëjti është shoqëruar në stacionin policor dhe ndaj tij është shqiptuar një tiketë për prishje të rendit dhe qetësisë publike”, ka thënë Baliqi.
Sipas tij, pas shqiptimit të gjobës, i mituri është liruar. /Telegrafi/
Lista serbe sot ka planifikuar organizimin e një "koncerti" në formë të tubimit elektoral në sheshin e Mitrovicës së Veriut, saktësisht te busti i “Car Lazarit” vetëm disa ditë para zgjedhjeve lokale, që mbahen më 12 tetor.
Sipas një publikimi të Listës serbe në rrjetet sociale bëhet e ditur që në këtë "koncert" do të marr pjesë këngëtarja serbe me prirje pro-ruse, Andela Ignjatoviq, e njohur me emrin artistik “Breskvica”.
Ajo njihet për interpretimin e këngës nacionaliste “Foleja e Shqiponjës”, që përmban mesazhe për “rikthimin e Serbisë në Kosovë”.
Telegrafi ka kontaktuar zëvendësdrejtorin e Policisë së Kosovës për rajonin e veriut të Mitrovicës, Veton Elshani i cili konfirmoi mbajtjen e një tubimi nga Lista serbe, por nuk komentoi 'koncertin" ku pritet të marrë pjesë Breskvica.
“Është një tubim elektoral i Listës serbe”, tha shkurt Elshani.
Gjithashtu, për të verifikuar nëse ka marrë leje për mbajtjen e këtij “tubimi”, Telegrafi është përpjekur të kontaktojë kryetaren e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve (KKZ), Ivana Kompiroviq, por nuk ka arritur të marrë përgjigje nga ajo.
Ngjarja organizohet me logon zyrtare të Listës Serbe, e cila në mënyrë të qartë e identifikon këtë event si pjesë të agjendës së saj politike“Breskvica në qytetin tonë – 8 tetor, ora 20:00, Knez Caffe, Mitrovicë e Veriut” si dhe shkruhet se “Biletat mund të merren në zyrat e Listës Serbe”.
Ndryshe, kryetari i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Nenad Rashiq në një deklaratë për Telegrafin tha se ata që shprehin kundërshtime ndaj Listës Serbe po trajtohen si armiqtë më të mëdhenj.
Sipas tij, përveç presioneve politike, serbët po përballen edhe me largime nga puna. /Telegrafi/
Tre persona të mitur janë arrestuar më 30 shtator 2025 nga hetuesit policorë në veri të Mitrovicës, me dyshimin për përfshirje në veprat penale “Lëndim i lehtë trupor” dhe “Kanosje”. Lajmin e ka bërë të ditur Policia e Kosovës.
Të arrestuarit janë identifikuar si: I.D., lindur në vitin 2010, J.S., lindur në vitin 2010 dhe V.M., lindur në vitin 2011.
Arrestimi i tyre ndodhi pas një hetimi të nisur për një rast të raportuar më 28 shtator, ku ankuesi deklaroi se ishte sulmuar fizikisht gjatë lëvizjes në rrugën “Lola Ribar” në veri.
Sipas raportit, personat e dyshuar gjithashtu kishin kanosur nipin e ankuesit, i cili është gjithashtu i mitur.
Pas sulmit, ankuesi ka pranuar trajtim mjekësor për lëndimet e marrë.
Pas arrestimit, të miturit janë intervistuar në përputhje me procedurat ligjore. Me urdhër të prokurorit të shtetit, ata janë liruar, por ndaj tyre janë iniciuar rastet për veprat penale “Lëndim i lehtë trupor” dhe “Kanosje”.
Policia e Kosovës thekson përkushtimin e saj në luftimin e dhunës dhe ruajtjen e sigurisë së qytetarëve. Autoritetet i inkurajojnë qytetarët që të raportojnë çdo rast të ngjashëm për veprime të shpejta ligjore. /Telegrafi/
Qytetarët e Mitrovicës nga janari i vitit 2026, do të kenë në dispozicion një urë të re të dedikuar ekskluzivisht për këmbësorë, projekt ky që pritet të bëhet simbol i ri i qytetit dhe e cila do të lidh edhe më shumë veriun dhe jugun në këtë pjesë të Kosovës.
Punimet për ndërtimin e kësaj ure janë duke avancuar me ritme të qëndrueshme dhe standarde të larta inxhinierike, duke premtuar jo vetëm një rrugë të sigurt për lëvizjen e qytetarëve, por edhe një hapësirë rekreative me elemente unike si ujvarë dekorative dhe pushimore.
Këto detaje i ka treguar për KosovaPress, udhëheqësi i kompanisë punëkryese, Jahir Nimani, i cili tha se në fillim të punimeve kanë hasur në telashe me ujin e lumit Ibër dhe pikat gjeodezike.
“Janari ka me qenë kur do të kalojnë njerëzit…Punët kanë ecur mirë, fillimisht kemi pas problem për shkak se ne jemi duke punuar në mes të lumit Ibër dhe ka probleme me ujin derisa të ngritemi në pjesën më lartë. Kemi pas problem edhe me pikat gjeodezike, kemi pas problem edhe me ato veç i kemi zgjedhur. Ka marrë formën e punës se si duhet të ecë me hapa të shpejt dhe të sigurt në punë. Projektin jemi pikë për pike në atë që shkruan në projekt. Është një urë më e madhe se ajo. Ura tjetër ka qenë me afat të shkurt dhe me dinamik të shpejt, edhe me këtë jemi duke ecur me dinamik shumë mirë“, theksoi ai.
Nimani ka premtuar se ura e re për këmbësor që do të lidh edhe më shumë veriun me jugun e Mitrovicës, do të jetë më e bukura në Ballkanin Perëndimor.
Ai shtoi se kjo urë po ndërtohet me standardet më të larta të punës.
“Kemi bërë bazamentin, shtyllat e pllakës që ka me u vendos pllatoja sipër, jemi duke bërë formën e rrethit atje ku ka me pas digën e ujit për mes pas si ujëvarë dhe me ra uji përfund pllakës. Kjo pjesa ka me qenë disa pushimore me pushuar njerëzit. Atje pjesa në rreth ka me qenë si shëtitore rreth dy metra e gjysmë pllakë në dyja anët anësore. Puna është duke ecur mirë…Kjo urë është e dedikuar vetëm për këmbësor, nuk ka për automjete, është një urë që ka me qenë ura më e bukur në Ballkan…Është duke u ndërtuar me standardet më të larta të punës, jo që jam duke ndërtuar unë, por projektimi por edhe cilësia, hekuri, cilësia e betonit, të gjitha që kanë efektin e vetë, janë me cilësinë më të lartë”, theksoi ai.
Mbi lumin Ibër nga fundi i muajit gusht të këtij viti u lëshua për qarkullim të automjeteve edhe një urë. E qytetarët e kësaj komune tashmë po e shfrytëzojnë këtë urë për qarkullim në të dyja anët e qytetit.
Më 1 korrik të këtij viti nisi ndërtimi i dy urave krah urës kryesore mbi lumin Ibër.
Vlera totale për ndërtimin e tyre është rreth 3 milionë euro. Por, pak pas fillimit të këtyre punimeve, Prokuroria Speciale i ka nisur hetimet për kontratën nën dyshime për keqpërdorim të fondeve publike.
Institucionet përkatëse të Kosovës i filluan ndërtimin e dy urave me gjithë reagimet e bashkësisë ndërkombëtare dhe kundërshtimet nga serbët në veri./KP/
Sot rreth orës 09:20, në Stacionin Policor në Zubin Potok, është paraqitur një person i cili ka raportuar një rast mashtrimi, ku ai është kontaktuar nga një person i panjohur, i cili është prezantuar rrejshëm në emër të zv.drejtorit të DRP Mitrovice Veri nënkolonel, Veton Elshani dhe ka kërkuar ndihmë financiare.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se viktima ka dërguar shumën prej 1.000 euro përmes “Western Union” në Bosnje dhe Hercegovine, pas dërgimit të parave i dyshuari ka ndërprerë komunikimin.
Tutje në njoftim thuhet se në konsultim me Prokurorin e Shtetit, është iniciuar rast në drejtim të veprës penale “Mashtrim”, ndërsa njësitë përkatëse policore po vazhdojnë me hetime.
“Raste të ngjashme me thirrje të rrejshme janë raportuar edhe më parë edhe në qytete tjera të Kosovës si në jug ashtu edhe në veri, ku persona të dyshuar kanë kërkuar mjete financiare në emër të zv.drejtorit, Elshani”, thuhet në njoftim.
Andaj Policia ju bën thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes maksimal dhe të mos bien pre e mashtrimeve telefonike apo përmes mesazheve të dyshimta, të cilat janë raportuar kryesisht nga Bosnja dhe Hercegovina dhe Mali i Zi, apo çfarëdo telefonate të dyshimtë.
“Mos u besoni personave te panjohur te cilët prezantohen rrejshëm si zyrtare policore dhe kërkojnë para. Mos dërgoni mjete financiare përmes kanaleve te pasigurta. Çdo rast të dyshimte raportojeni menjëherë në Policinë e Kosovës”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/
Banorët e lagjes “Lugina e Doktorëve” në Mitrovicë të Veriut kanë filluar të marrin paralajmërime për ndërprerje të energjisë elektrike nga kompania “Elektrosever”. Gjatë muajit shtator, kjo kompani ka dërguar disa njoftime me shkrim tek banorët, duke i informuar se do të përjashtohen nga rrjeti elektrik për shkak të mospagimit të borxheve.
Ndërsa, banorët shprehen se borxhi i faturuar nga “Elektroserver” nuk është i bazuar në marrëveshjen e Brukselit, sipas së cilës për një periudhë tremujore ishte paraparë që të aplikohej një faturë paushalle prej 21 euro e 60 cent. Sipas tyre, “Elektroserver” ka vazhduar të faturojë shumën prej 54 eurosh në muaj deri në maj të këtij viti, kur në shtëpitë e lagjes “Lugina e Doktorëve” janë vendosur njehsorët.
Kryetari i kësaj lagjeje në Mitrovicën e Veriut, Fatmir Shala thotë se që nga muaji shkurt kur u vendos që edhe veriu i Kosovës të paguaj energjinë elektrike të shpenzuar nga kompania “Elektroserver” asnjëherë nuk kanë pranuar fatura.
Për këtë çështje, ai shtoi se qytetarët kanë shkruar të marrin informacione tek kompania, ndërsa atyre u është prezantuar një kontratë ku kërkohet të bëhet pagesa e shumës afërsisht 1 mijë euro.
Shala shton se banorët nuk duan ta paguajnë këtë shumë pasi pagesa e paushallit nuk është bërë ashtu siç ishte paraparë.
“Nuk kanë vendosur njehsorë, nuk na kanë njoftuar dhe nuk na kanë dërguar asnjë lloj fature dhe në maj të këtij viti kanë filluar me i vendosur njehsorët edhe pasi i kanë vendosur njehsorët prapë pas 3-4 muaj nuk na kanë informuar dhe nuk na kanë sjell faturë se sa kemi shpenzuar.....Secili që ka shkua i kanë ofruar një kontratë ta nënshkruajnë prej 900 e sa eurove ku secili ka bërë pyetje se çka është kjo dhe ata i kanë thënë është një paushall nga shkurti i vitit të kaluar 54 euro në muaj që ju duhet të paguani plus harxhimet që janë bërë për tre muaj. Shumica e banorëve e kanë kundërshtuar nuk janë të interesuar ta paguajnë atë paushallë, ose ta bëjnë paushallin siç ka qenë në fillim 21 euro e 60 cent kështu kjo ka mbetur dhe banorët kanë paguar vetëm për ata 3 muaj që kanë shpenzuar”, theksoi ai.
Për banorët e 22 shtëpive të kësaj lagjeje paralajmërimi për ndërprerje nga energjia elektrike po konsiderohet kërcënues dhe i padrejtë. Shala paralajmëron edhe organizmin e protestave për të kundërshtuar këtë veprim.
“Kjo neve po na duket si një lloj kërcënimi se tash po ofrohet sezoni i dimrit e me të shkyçur në sezon dimërore prej energjisë elektrike kjo është a padrejtë....Nëse shkyçemi ekzistojnë forma të tjera si protesta...Në përgjithësi është e njëjtë është diku 800 e diçka euro paushalli në përgjithësi është 90 e diçka euro shpenzime”, deklaroi Shala.
I shqetësuar për paralajmërimin e marr nga kompanie “Elektroserver” për ndërprerje të energjisë elektrike shprehet edhe banori tjetër i lagjes “Lugina e Doktorëve, Musa Myftari.
Ai konsideron se kjo kompani mos-punën e saj po ua faturon këtyre banorëve.
Pagesa e paushallit prej 54 euro në muaj sipas tij është arbitrare dhe me qëllim të përfitimit.
“Na ka arritur një letër e cila është kërcënuese e cila na e përkujtojnë kohën e kaluara. Kërcënuese se fajin e vetë që e kanë që nuk i kanë instaluar orët e rrymës me kohë në vitin 2024 në fror (shkurt) dhe nuk na kanë informuar banorët e lagjes, fajin e tyre na e hedhin neve dhe na kërcënojnë se do të na e ndërprenë rrymën nëse nuk e paguajmë gabimin e tyre...ne jemi këtu të kërcënuar dhe nën shtypje jo vetëm pas luftë, por gjithnjë në shtypje prej faktorëve eksponentëve serb në Beograd.....
Elektroserver ka qenë i detyruar brenda 3 muajve me i instalua orët elektrike në të gjitha shtëpitë e familjeve, por atë këtë punë se kanë bërë. Brukseli ua ka caktua gjatë muajve me pagua banorët një paushall afërisht 20 euro, por këta nuk i kanë kryer këto punë kanë shkuar zhagë e zhagë e derisa kanë ardhur në shtator të vitit 2025 me një letër ku i kërkojnë prej nesh gati 1 mijë euro për secilën familje veç e veç se atë 20 euro e kanë rritur e kanë bërë 54 euro...Nuk e dimë në bazë të çkafit e kanë shumëzuar 20 euro, qysh e kanë caktuar me siguri në mënyrë arbitrare me qëllim të përfitimit”, theksoi ai.
Myftari shprehet i prerë që pagesa do të bëhet vetëm sipas kushteve të marrëveshjes së arritur në Bruksel në muajin shkurt të vitit 2024.
“Ai që e ka sjell nuk është prezantuar asnjë banorit të lagjes....pagesat ne do t’i bëjmë sipas kushteve ligjore të Brukselit që ka qenë maksimumi tre muaj 20 euro dhe sipas orëve që janë instaluar aq sa shpenzojmë do të paguajmë, por nëse gaditshmërinë tonë që ta paguajmë atë që e kemi shpenzuar e keqpërdorin autoritetet e Elektroseverit dhe nga shkyçin prej rrymës atëherë nuk e di se si kemi me reagua”, theksoi ai.
Qytetarët e kësaj lagje për shqetësimet e tyre që tashmë po marrin nga Elektrosever e kanë njoftuar edhe udhëheqësin komunale.
Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Nexhat Ugljanin theksoi për KosovaPress se si Kuvend Komunal do të mbajnë një dëgjim publik i cili është caktuar më 22 shtator, dhe me një letër do t’i njofton institucionet qendrore për shqetësimet e banorëve të lagjes së Luginës së Doktorëve.
Ugljanin theksoi se shqetësime të tilla kanë edhe banorët e lagjeve të tjera të Mitrovicën e Veriut.
“Kemi problem me shkyçjen e rrymës ne kemi shumë raste sociale që faktikisht i kanë borxhet 2-3 mijë euro dhe Elektrosever po kërkon pagesën e 30% të asaj shume dhe prapë qytetari jetë borxh. Elektroseveri ata nuk i kanë kryer obligimet sipas marrëveshjes që kanë pas si përfaqësues të lagjeve dhe nuk i janë përmbajtur marrëveshjes nga fillimi sepse kanë thënë derisa të kryhet montimi i orëve elektronike nëpër lagje do të paguhet 21 euro për familjet dhe 54 euro për bizneset. Por, menjëherë kanë ardhur faturat me shifra marramendëse, ankesat janë edhe nga komuniteti shumicë serb, 5 mijë ankesa janë në kuadër të Elektroseverit, edhe ata e kanë të njëjtin shqetësim”, theksoi ai.
Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut konsideron se qytetarët duhet tu drejtohen institucioneve të drejtësisë për këtë shqetësim.
Sipas tij, letra që tashmë po u dërgohen banorëve dhe po paralajmërohet shkyçja nuk ka as vulë e as nënshkrim.
“Sipas letrës që vjen për shkyçje për 5 ditë për t’i kryer obligimet nuk ekziston as vula, as nënshkrimi as autorizimi edhe ajo është diçka që procesi nuk është kryer sipas marrëveshjeve dhe ai është proces për gjyq e jo për ne si institucione sepse aty qytetari duhet të jetë i mbrojtur ligjshmërisht sepse qytetari nuk i ik pagesës, por faktikisht janë disa obligime që kompania Elektroserver nuk i ka kryer”, deklaroi kryesuesi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së veriut.
Shkyçja e paralajmëruara nga Elektrosever për banorët e komunitetit shqiptar në veri të Mitrovicës po konsiderohet si “luftë hibride” që po e bënë Serbia karshi Kosovës.
Eksperti i sigurisë, Arben Dashevci veprimet e tilla i konsideron të papranueshme dhe të pamundshme.
“Kosova përballet me një luftë të egër hibride në aspektin e jashtëm me Serbinë, këtë e dimë të gjithë dhe normalisht që i shfrytëzon aty ku ka mundësi të shfrytëzoj diçka vetëm që të shkaktoj ndonjë shqetësim, panik, dezinformim, shantazh apo sabotazh ajo do ta bëjë këtë....Dihet situata financiare sociale në Kosovë me çfarë të drejte ka dikush të vijë dhe të kërcënoi në Republikën e Kosovës që ka shtet dhe ka institucione është e papranueshme dhe është absolutisht e pamundur për mendimin tim”, deklaroi Dashevci.
Të hënën banorët e lagjes “Lugina e Doktorëve” kanë dërguar letër me shqetësimet e tyre karshi kërcënimeve të Elektroseverit për ndërprerje të energjisë elektrike tek Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut, po ashtu edhe në adresë të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti si dhe ministrin në detyrë të Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.
Për paralajmërimet për ndërprerje të energjisë elektrike nga Elektrosever karshi banorëve shqiptarë në veri të Kosovë KosovaPress ka dërguar pyetje në adresë të kompanisë Elektrosever, Ministrisë së Ekonomisë, Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), por deri në momentin e publikimit nuk kemi pranuar ndonjë përgjigje.
Kompania Elektroserver mori licencën për të punuar në Kosovë në qershor të vitit 2023. Ndërsa nga fillimi i vitit 2024 kjo kompani ishte paraparë të nis me shpërndarjen e faturave tek konsumatorët. Kjo buroi nga një marrëveshje e arritur në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi. /KosovaPress/
Është raportuar se një tabelë me simbolet shtetërore të Kosovës, e vendosur në objektin e Komunës së Mitrovicës së Veriut, është dëmtuar. Megjithatë, zyrtarët lokalë kanë mohuar këto pretendime, duke sqaruar se tabela është thjesht larguar për t’u vendosur në një lokacion tjetër.
Lajmin për Telegrafin e konfirmoi shefi i kabinetit të kryetarit të Komunës së Mitrovicës Veriore, Visar Syla.
Ai theksoi se tabela nuk është dëmtuar, por është larguar me qëllim vendosjen në një vend tjetër më të përshtatshëm.
“Jo tabela nuk është dëmtuar, e kemi larguar pasi ai është objekti i MPB-së. Nuk e dimë çka do të vendosin MPB-ja aty, por tabela nuk është dëmtuar, e kemi larguar ne”, ka thënë Syla.
Edhe zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut të Mitrovicës, Veton Elshani, konfirmoi për Telegrafin se nuk ka pasur asnjë dëmtim të tabelës, duke shtuar se largimi është bërë nga vetë komuna. /Telegrafi/
Mbrëmë pas orës 21:00 në rrugën “Vasilia Ostrovski” në pjesën veriore të Mitrovicës është identifikuar një grafit kërcënues ndaj kryeministrin në detyrë, Albin Kurti. Lidhur me këtë grafit nuk ka as të arrestuar dhe as të dyshuar, por me urdhër të prokurorit kujdestar është hapur rasti për “kanosje”.
Grafiti i shkruar në gjuhën serbe në shkrimin cirilic në shqip thotë “Me agimin që po lind në Kosovë, Albin Kurti do të jetë i vdekur”.
Rastin për KosovaPress e ka konfirmuar zëvendësdrejtor i Policisë së Kosovës në veri të Kosovës, Veton Elshani i cili tha se shkrimi i njëjtë me pamje grafike ishte vendosur më herët në rrjetin social Telegram.
“Pas orës 21:00 një shkrim është duke u shënuar në një muri që ne e kemi hapur pas konsultimeve me prokurorinë si kanosje. Nuk ka të dyshuar ka pas shkrime edhe në rrjetin social serbe ‘Korridori’ pastaj ka dal edhe në mur është shkruar”, tha ai./kp/