Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përmbyllur procesin e zgjedhjeve lokale 2025. KQZ në mbledhjen e sotme ka certifikuar rezultatin e fundit nga këto zgjedhje dhe që i takon Kuvendit Komunal të Istogut.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përmbyllur procesin e zgjedhjeve lokale 2025. KQZ në mbledhjen e sotme ka certifikuar rezultatin e fundit nga këto zgjedhje dhe që i takon Kuvendit Komunal të Istogut.
Më herët, më 21 nëntor 2025, KQZ kishte certifikuar rezultatet përfundimtare për 37 kuvendet komunale Deçan, Gjakovë, Drenas, Gjilan, Dragash, Kaçanik, Klinë, Fushë-Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Leposaviq, Lipjan, Novobërdë, Obiliq, Rahovec, Pejë, Prishtinë, Podujevë, Prizren, Skenderaj, Shtime, Shtërpcë, Suharekë, Ferizaj, Viti, Vushtrri, Zubin Potok, Zveçan, Malishevë, Junik, Mamushë, Hani i Elezit, Graçanicë, Ranillug, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut.
Në këtë vendim të KQZ-së, nuk përfshihej rezultati i zgjedhjeve për Kuvendin Komunal të Istogut, pasi ende nuk ishte përmbyllur vendimmarrja lidhur me ankesën e një kandidati për anëtar të këtij Kuvendi Komunal. Ndërkaq, rezultatet e zgjedhjeve për kryetarë të komunave janë certifikuar në dy mbledhje të ndryshme, raporton KosovaPress.
Fillimisht, më 3 nëntor, KQZ ka certifikuar rezultatet e raundit të parë të zgjedhjeve për kryetarë të 35 komunave, ndërkaq më 8 nëntor rezultatet e tri komunave të tjera. Nga numri i përgjithshëm i komunave, në 20 prej tyre fituesit janë zgjedhur në raundin e parë, si: Deçan, Drenas, Kamenicë, Leposaviq, Lipjan, Novobërdë, Obiliq, Podujevë, Skenderaj, Shtime, Shtërpcë, Ferizaj, Zubin Potok, Zveçan, Malishevë, Hani i Elezit, Graçanicë, Ranillug, Partesh dhe Mitrovicë e Veriut.
Rezultatet e raundit të dytë të zgjedhjeve për kryetarë të komunave, janë certifikuar më 27 nëntor për 18 komuna: Gjakovë, Gjilan, Dragash, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Mitrovicë e Jugut, Obiliq, Rahovec, Pejë, Prishtinë, Prizren, Suharekë, Viti, Vushtrri, Junik, Mamushë dhe Kllokot.
Gjykata Supreme e Kosovës ka finalizuar shqyrtimin e të gjitha ankesave administrative të paraqitura kundër vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) gjatë procesit të Zgjedhjeve Lokale 2025.
Sipas njoftimit, gjithsej 42 ankesa janë trajtuar nga kandidatët për kryetarë komunash, kandidatët për asamble komunale, subjektet politike si dhe qytetarët me të drejtë vote. Prej tyre, 7 ankesa janë pranuar si të bazuara, 32 janë refuzuar si të pabazuara, ndërsa 2 ankesa janë hedhur si të papranueshme.
Vendimi i fundit i këtij procesi u mor sot, në lëndën që kishte paraqitur kandidati për asamblist në komunën e Istogut, Avni Gashi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). Me aktgjykimin AA.nr.126/2025, Gjykata Supreme e ka refuzuar këtë ankesë si të pabazuar.
Për shkak të natyrës së ngjashme të çështjeve, dy ankesa – AA.nr.116/2025 dhe AA.nr.117/2025 – janë bashkuar dhe janë trajtuar përmes një vendimi të vetëm, nën shenjën AA.nr.116/2025. Kjo ka bërë që nga 43 ankesa të pranuara fillimisht, numri përfundimtar i vendimeve të jetë 42.
Gjykata Supreme theksoi se të gjitha vendimet janë marrë brenda afateve ligjore dhe se është garantuar zbatimi i drejtë i ligjit dhe trajtimi i barabartë i të gjithë ankuesve në këtë proces zgjedhor.
Vendimet janë publikuar në faqen zyrtare të Gjykatës Supreme. /Telegrafi/
Partia Demokratike e Kosovës ka zyrtarizuar koalicionin parazgjedhor me Listën për Familje.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, në konferencën për media tha se "ky koalicion është i qëndrueshëm".
"Bashkërisht do të kemi sukses. Është vlerë e shtuar të gjithë kandidatët që do të jenë në listën e përbashkët", theksoi ai.
Ndërsa, Eman Rrahmani tha se kanë arritur dakoordim të plotë me PDK-në për të gjitha pikat.
"Vendi ka nevojë që ne t'i bashkojmë forcat. Falënderoj Hamzën, dhe ne kemi vendosur që rrugëtimin tonë për këto zgjedhje ta vazhdojmë me PDK-në", tha Rrahmani.
Ai shtoi tutje që shpresojnë të kenë sukses në zgjedhjet parlamentare 2025./Telegrafi/
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka certifikuar rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve lokale për Kuvendet Komunale, të mbajtura më 12 tetor.
Gjatë mbledhjes, e cila nisi nga ora 15:00, kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi ka bërë të ditur për secilin komunë se nga sa ulëse fitoi secila parti që mori pjesë në zgjedhje.
Radoniqi po ashtu theksoi se vetëm rezultatet për Kuvendin Komunal në Istog nuk mund t’i certifikojnë për shkak se “Gjykata Supreme ka prish një vendim të PZAP-së dhe është kthyer në rivendosje në PZAP, andaj Istogu është larguar nga pika për certifikim të rezultatit”. /Telegrafi/
Në episodin e radhës të “Përballje Podcast” në Telegrafi.com, analistët politikë Besa Luzha dhe Melazim Koci vlerësuan se Kosova ka kaluar një vit të humbur në plan politik e institucional, me pasoja për ekonominë, imazhin ndërkombëtar dhe raportet me aleatët kryesorë.
Ata paralajmëruan se zgjedhjet e reja nuk mjaftojnë vetëm të mbahen, nëse nuk shoqërohen me kompromis, ulje tensionesh dhe ndryshim të gjuhës politike.
Duke folur për bllokadën institucionale, Besa Luzha e përshkroi këtë periudhë si dështim të klasës politike për të ndërtuar marrëveshje minimale për funksionimin e institucioneve.
“Kemi një vit të humbur pothuajse, prej shkurtit, prej nëntë shkurtit. Do të rrimë, sigurisht, deri te nëntë shkurti tjetër, deri sa të vjen formimi i institucioneve të reja,” tha ajo, në “Përballje Podcast” me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu, duke shtuar se partitë i kanë dhënë prioritet garës për vota dhe ripozicionimit para zgjedhjeve lokale që ishin, në vend se zgjidhjes së krizës.
Sipas saj, në një situatë normale “ajo çka është esenciale në demokraci, kompromisi edhe marrëveshja do të sillnin institucionet, qoftë edhe të përkohshme”, përfshirë edhe mundësinë e një qeverie teknike, siç ishte propozuar gjatë vitit.
Luzha kritikoi mungesën e vullnetit politik për kompromis.
“Partitë nuk jepnin as përpjekjen më të vogël për ta zgjidhë situatën, ndërsa polarizimi dhe përçarja janë thelluar dhe do të reflektohen edhe pas zgjedhjeve të reja, ku sërish do të ketë nevojë për koalicione”, ka shtuar ajo.
Ndërsa, Melazim Koci, duke analizuar epilogun e dështimit për formimin e qeverisë, theksoi tre faktorë kryesorë që sipas tij e bënë të pamundur arritjen e shumicës pas zgjedhjeve të muajit shkurt.
Ai kujton përjashtimin e votave të Listës Serbe për shkak të zhvillimeve në veri, por shton se ky nuk ishte faktori i vetëm. I dyti lidhet me tema tjera por edhe me zgjedhjen e presidentes/presidentit.
“Secili ka kalkulu përse ta marr pataten e nxehtë në dorë nëse pas nëntë muajve dhe të humbi, të humbas të rrezikoj, meqë kërkesa e parë e ndërkombëtarëve do të ishte dërgimi i draftit në Gjykatën Kushtetuese një hap me kosto të lartë elektorale për cilëndo parti që do ta mbante Qeverinë”, ka deklaruar ai.
Si faktor të tretë, Koci e konsideroi mungesën e vullnetit për bashkëqeverisje nga ana e kryeministrit në detyrë.
“Mendoj që zoti Kurti nuk ka dashur bashkëqeverisje, ka dashur ose Qeveritë e Vetëvendosjes me pakicat jo-serbe, ose shkojnë në opozitë”, ka deklaruar ai.
Të dy analistët theksuan se gjithë kjo periudhë është shndërruar në një fushatë të zgjatur.
“Në këta tetë muaj, nëntë muaj ne praktikisht kemi, kjo ka qenë fusha zgjedhore praktikisht,” tha Koci, duke vlerësuar se debati në Kuvend është përdorur vetëm për të fajësuar palën tjetër para opinionit.
Në pjesën e dytë të bisedës, vëmendja u zhvendos te zgjedhjet e ardhshme dhe çfarë mund të sjellin ato.
Për Melazim Kocin, zgjedhjet mund të hapin rrugën e zgjidhjes, por edhe të rrezikut.
“Mendoj se gjasat janë më të mëdha që pas këtyre zgjedhjeve të ketë zgjidhje, sepse thjesht edhe subjektet politike do ta kuptojnë që në të kundërtën e dërgojnë Kosovën në humnerë,” tha ai, duke kujtuar se brenda një viti vendi ka shkuar drejt katër palë zgjedhjeve (të përgjithshme dhe lokale).
Ai e pa si sinjal pozitiv deklarimin e Bedri Hamzës se PDK “nuk do të ketë vija të kuqe”, por paralajmëroi se pas zgjedhjeve nuk do të mjaftojnë më 61 vota.
“Tani pas këtyre zgjedhjeve nuk duhen gjashtëdhjetë e një vota, por duhen tetëdhjetë, sepse në pako do të jetë edhe zgjedhja e presidentes”, ka shtuar ai.
Sipas Kocit, kjo e bën edhe më të domosdoshëm kompromisin dhe koalicionet, edhe kur mund të duken “të panatyrshme”, për shkak të ndarjes së posteve kryesore shtetërore.
Foto: Pjetër Monreca
Thirrje për ulje tensionesh, heqje të gjuhës së urrejtjes dhe kthim te bashkëpunimi
Të dy analistët u ndalën gjatë te gjuha politike dhe tensionet mes subjekteve, duke e parë këtë si sfidë të rrezikshme edhe për sigurinë, edhe për demokracinë.
Koci tha se është bë imperativ në këtë moment që Kosova, që subjektet politike t’i ulin tensionit duke paralajmëruar se vendi është “në tehun e luftës hibride të Serbisë”, ku rrjetet sociale dhe dezinformimi mund të shfrytëzohen lehtësisht në një atmosferë akuzash si “agjentë serbë” apo “njerëzit e Serbisë”.
Luzha, nga ana tjetër, theksoi se vlerat mbi të cilat duhet të ndërtohet politika janë të kundërta me këtë klimë.
“Parime, vlera janë, bashkëpunimi, dashamirësia, komunikimi, mirësjellja, vlerat. Ato janë domethënë të mira, jo bërtitma, urrejtja, nxitja e përçarja. Nuk i sjellin dobi askujt”, u shpreh ajo.
Në mesazhin e fundit, ajo apeloi që pas këtij “epilogu të vitit” të kërkohet një rrugë tjetër, të vendosen në tavolinë temat që bashkojnë dhe jo ato që thellojnë ndarjet.
Luzha kërkoi që bashkimi dhe bashkëpunimi të mos anatemohet më, por të shihet si domosdoshmëri. /Telegrafi/
Gjykata Supreme e Kosovës ka pranuar si të bazuar ankesën e kandidatit për asamblist në Komunën e Istogut, Avni Gashi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), duke e kthyer çështjen për rivendosje në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).
Gashi ishte ankuar fillimisht në PZAP, duke kërkuar rinumërimin e votave dhe verifikimin e materialit zgjedhor në disa vendvotime të caktuara, mirëpo ankesa e tij ishte refuzuar si e pabazuar më 14 nëntor. Pas këtij vendimi, ai iu drejtua Gjykatës Supreme.
Supremja konstatoi se PZAP nuk ka vepruar në përputhje me vërejtjet e mëparshme të gjykatës dhe nuk ka respektuar nenin 117 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, i cili i jep PZAP-së kompetencë për të urdhëruar rinumërimin e votave dhe shqyrtimin e materialit zgjedhor si pjesë e hetimeve.
Sipas Gjykatës Supreme, rinumërimi i votave në vendvotimet e identifikuara në ankesë është i domosdoshëm për të garantuar saktësinë e rezultatit zgjedhor dhe integritetin e procesit, në pajtim me parimin e besueshmërisë së zgjedhjeve të sanksionuar në nenin 45 të Kushtetutës.
PZAP tani obligohet që, në rivendosje, të shqyrtojë përsëri të gjitha pretendimet e ankuesit, provat e dorëzuara dhe udhëzimet e Gjykatës Supreme, duke siguruar që çdo votë të numërohet drejt dhe të mos devijohet vullneti i qytetarëve./Telegrafi/
Kolegji i Gjykatës Supreme e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e kandidatit të pavarur për kryetar në Komunën e Kllokotit, Arbër Emini, e paraqitur kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, ZL.A.nr.433/2025, të datës 12.11.2025.
Pas vendimit të PZAP-së, e cila kishte hedhur si të palejuar ankesën e parashtruar nga Arbër Emini, ky i fundit, ka paraqitur ankesë në Gjykatën Supreme, me të cilën i konteston rezultatet e përgjithshme të zgjedhjeve, duke pretenduar se është shkelur Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe legjislacioni zgjedhor gjatë procesit të votimit të raundit të dytë të zgjedhjeve lokale për Kryetar Komune në Kllokot.
"Gjykata Supreme e Kosovës e vlerësoi ligjshmërinë e vendimit të kontestuar, në kuptim të pretendimeve ankimore, përgjigjes në ankesë, dhe pas shqyrtimit edhe të shkresave të lëndës, gjeti se ankesa është e pabazuar", thuhet në njoftim.
Gjykata Supreme e pranon në tërësi si të drejtë dhe të bazuar qëndrimin juridik të PZAP-së, lidhur me hedhjen si të palejuar të ankesës së Arbër Emini. /Telegrafi/
Partia Demokratike e Kosovës ka paraqitur ankesë në Gjykatën Supreme të Kosovës lidhur me vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), i cili kishte refuzuar kërkesën për përsëritjen e votimit në Mitrovicë.
Zëdhënësja e Gjykatës Supreme të Kosovës, Antigona Uka-Latifi, tha për Telegrafin se ankesa është pranuar sot dhe se brenda një afati prej pesë ditësh pritet të merret vendimi për këtë çështje.
"Lidhur me kërkesën tuaj, ju njoftojmë se ankesa e subjektit politik Partia Demokratike e Kosovës – PDK, e ushtruar kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa - PZAP, është pranuar sot (18.11.2025) në Gjykatë Supreme, përmes postës. Për këtë çështje do të vendoset brenda afatit ligjor, prej pesë ditësh", ka thënë ajo.
Ndryshe, PDK vlerëson se vendimi i PZAP është i gabuar dhe nuk pasqyron realitetin e parregullsive të evidentuara në qendrat e votimit në këtë komunë”, thuhet në njoftim.
Sipas partisë, provat e paraqitura gjatë procesit të ankesës kanë treguar se procesi zgjedhor në Mitrovicë është cenuar dhe vullneti i qytetarëve është manipuluar.
PDK ka kërkuar nga Gjykata Supreme një shqyrtim të plotë të çështjes dhe një vendim që do të garantonte integritetin e procesit zgjedhor dhe respektimin e votës së qytetarëve të Mitrovicës.
Në njoftimin e PDK-së, theksohet se partia do të vazhdojë të ndjekë rrugën ligjore deri në përfundimin e çështjes, për të siguruar korrigjimin e parregullsive dhe për të mbrojtur proceset demokratike në vend.
“Partia Demokratike e Kosovës thekson se do të vazhdojë me vendosmëri rrugën ligjore deri në sqarimin dhe korrigjimin e çdo parregullsie, duke mbrojtur votën e lirë dhe proceset demokratike në vend Në Mitrovicë, vetëm rivotimi u bën drejtësi qytetarëve. Në këtë drejtim, PDK nuk do të ndalet!”, thuhet në njoftim.
Në raundin e dytë të zgjedhjeve, Faton Peci nga Lëvizja Vetëvendosje fitoi shumicën e votave./Telegrafi/
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka sqaruar se shpallja e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve lokale dhe certifikimi i tyre përfshin disa hapa të rëndësishëm, duke përfshirë verifikimin e rezultateve në Qendrat Komunale të Numërimit (QKN), numërimin në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) të fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës, votimi me kusht dhe votimi i personave me nevoja të veçanta.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha për Telegrafin se shpallja e rezultateve përfundimtare nuk e përmbyll procesin zgjedhor.
“Subjektet politike dhe kandidatët kanë të drejtë ankese ndaj rezultatit, fillimisht në PZAP dhe më pas, çështja mund të shkojë deri në Gjykatën Supreme. KQZ është e obliguar të presë këto vendime, t’i zbatojë ato dhe vetëm pas kësaj të procedojë me certifikimin e rezultateve", tha Elezi.
Sipas Elezit, deri më tani KQZ ka përmbyllur aktivitetet në QKN dhe ka numëruar fletëvotimet në QNR, përfshirë pjesën më të madhe të fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës.
Megjithatë, KQZ është ende në pritje të ardhjes së 10 pakove me fletëvotime të tërhequra nga kutia postare në Kanbera të Australisë.
Në lidhje me mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, Elezi theksoi se KQZ nuk ka mjete buxhetore të planifikuara për një proces të tillë që nuk ishte parashikuar.
"Nëse do të ketë zgjedhje të parakohshme, KQZ-ja do të përgatisë me kohë kërkesën buxhetore dhe do ta përcjellë për miratim në Qeverinë e Kosovës. Kjo ka ndodhur edhe në raste të tjera kur kemi pasur zgjedhje të parakohshme apo në një vit jo-zgjedhor”, tha Elezi. /Telegrafi/
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka dorëzuar sot ankesë në Gjykatën Supreme të Kosovës, kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), i cili refuzoi kërkesën për përsëritjen e votimit në Komunën e Mitrovicës.
PDK e konsideron të gabuar këtë vendim, duke theksuar se ai nuk reflekton realitetin e parregullsive të evidentuara gjatë procesit zgjedhor në këtë komunë.
“Sot, Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar përmes postës zyrtare ankesën në Gjykatën Supreme të Republikës së Kosovës, duke kundërshtuar vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), i cili refuzoi kërkesën për përsëritjen e votimit në Mitrovicë. PDK vlerëson se vendimi i PZAP është i gabuar dhe nuk pasqyron realitetin e parregullsive të evidentuara në qendrat e votimit në këtë komunë”, thuhet në njoftim.
Sipas partisë, provat e paraqitura gjatë procesit të ankesës kanë treguar se procesi zgjedhor në Mitrovicë është cenuar dhe vullneti i qytetarëve është manipuluar.
PDK ka kërkuar nga Gjykata Supreme një shqyrtim të plotë të çështjes dhe një vendim që do të garantonte integritetin e procesit zgjedhor dhe respektimin e votës së qytetarëve të Mitrovicës.
Në njoftimin e PDK-së, theksohet se partia do të vazhdojë të ndjekë rrugën ligjore deri në përfundimin e çështjes, për të siguruar korrigjimin e parregullsive dhe për të mbrojtur proceset demokratike në vend.
“Partia Demokratike e Kosovës thekson se do të vazhdojë me vendosmëri rrugën ligjore deri në sqarimin dhe korrigjimin e çdo parregullsie, duke mbrojtur votën e lirë dhe proceset demokratike në vend Në Mitrovicë, vetëm rivotimi u bën drejtësi qytetarëve. Në këtë drejtim, PDK nuk do të ndalet!”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/
Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vazhdon procesi i vlerësimit të pakove me fletëvotime të ardhura nga votimi me postë jashtë Kosovës, që i përkasin raundit të dytë të zgjedhjeve për kryetarë të 18 komunave.
Deri të premten në orën 10:00, janë shqyrtuar mbi 9,800 pako, nga të cilat më shumë se 7,240 janë aprovuar, ndërsa rreth 2,570 janë refuzuar.
Kështu ka konfirmuar për Telegrafin, Valmir Elezi, zëdhënës i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
"Arsyeja më e shprehur se përse janë refuzuar këto pako është sepse në 2,500 raste mungon dëftesa e regjistrimit, një dokument me të dhëna unike, që votuesi i regjistruar e pranon nga KQZ", tha ai.
Elezi shtoi tutje se më 11 dhe 12 nëntor, nga kutitë postare të KQZ-së në 22 shtete të ndryshme të botës, është bërë tërheqja e 13,084 pakove të supozuara me fletëvotime, të cilat i takojnë votimit me postë jashtë Kosovës në raundin e dytë të zgjedhjeve për Kryetarë të 18 komunave. Deri më tani, pjesa më e madhe e tyre janë sjellur në Kosovë.
"Në fund të këtij procesi të vlerësimit, do të publikojmë të dhënat për numrin e pakove me fletëvotime të supozuara, të cilat do të numërohen në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve", theksoi ai.
Raundi i dytë i zgjedhjeve lokale është mbajtur më 9 nëntor. /Telegrafi/
Në episodin e ri të “Përballje Podcast”, në Telegrafi.com, gazetari dhe shkrimtari Enver Robelli sjell një analizë të thellë për zhvillimet politike në Kosovë, rajon e botë.
Ky podcast përkrahet nga kompania e derivateveEXFIS.
Ai flet edhe për dialogun Kosovë – Serbi, qasjen e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara në vazhdimin e dialogut dhe rolin e diasporës në relacion me Kosovën.
Duke folur për situatën politike, ngërçin politik e pa institucione të reja pas zgjedhjeve të muajit shkurt e këtyre lokale, Robelli tha se vendi është futur në një cikël bllokues për shkak të mungesës së kompromisit dhe dominimit të interesave personale të politikanëve.
“Vendi ka mbet peng i ego-ve të politikanëve të ndryshëm, të cilët kanë ambicie që ta dërgojnë njëri-tjetrin në zgjedhje me akuzën se ky është fajtori”, ka deklaruar ai në “Përballje Podcast” me kryeredaktorin e Telegrafit, Muhamet Hajrullahu.
Sipas tij, polarizimi i brendshëm ka sjellë stagnim në një kohë kur bota po ecën me ritme të shpejta.
“Bota po ndryshon me hapa te mëdhenj, jo vetëm me inteligjencë artificiale e me zhvillim teknologjik, por me orientime të reja gjeostrategjike, Ukraina e zhvillimet në lindje të afërt e politikanët e Kosovës sillen sikur kjo s’ka të bëjë me neve”, ka deklaruar Robelli.
Robelli foli edhe për raportet me Bashkimin Evropian dhe masat e vendosura ndaj Kosovës dhe temat kryesore kanë mbetur në tavolinë.
“Pyetja kryesore mbetet dhe duhet pasur guxim ose e bën Asociacionin, ose s’e bën. Edhe qeveria e ardhshme prapë do të ballafaqohet me të njëjtën pyetje”, ka potencuar ai.
Robelli shtoi se modeli i marrëveshjes së Ohrit, i paraprirë nga mospasja e nënshkrimit zyrtar nga Serbia, e bën procesin shumë të vështirë për t’u zbatuar pasi Vuçiq është larguar nga tavolina.
Foto: Ridvan Slivova
Nga përvojat e tij në Zvicër dhe kontaktet me diasporën, Robelli tha se perceptimi nga jashtë është më pak emocional, por më i ashpër në vlerësim sepse njerëzit nuk kthehen pas 20-30 vjet qëndrim në një qytet e shtet tjetër ku janë sistemuar të jetojnë.
“Njerëzit po votojnë me këmbë, e në anën tjetër po largohen vazhdimisht nga Kosova. E dhembshme, por e vërtetë”, ka deklaruar ai.
Robelli tha se Kosova duhet ta ketë modelin e Kroacisë për përfaqësimin e diasporës në Kuvendin e Kosovës.
“Nuk ka shtetësi të klasit të parë dhe të dytë. Kush e ka pasaportën e Kosovës, mund të votojë. Do të ishte mirë të kopjohet modeli kroat, diaspora të ketë dy ose tre deputetë që përfaqësojnë interesat e saj”, ka deklaruar ai.
Robelli flet dhe për tema tjera rajonale e zhvillimet gjeopolitike. /Telegrafi/
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se gjatë ditës së martë dhe të mërkurë janë tërhequr mbi 13,000 pako të supozuara me fletëvotime nga kutitë postare të KQZ-së në 22 shtete të ndryshme të botës. Këto pako i përkasin votimit me postë jashtë Kosovës për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë të 18 komunave.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha për Telegrafin, se të enjten në mesditë ka filluar procesi i vlerësimit dhe verifikimit të këtyre pakove, me qëllim që të përcaktohet nëse ato janë dërguar nga shtetas të Kosovës të regjistruar si votues jashtë vendit.
"Pra, procesit të vlerësimit do t’i nënshtrohen 13,000 pako dhe në fund do të kemi më shumë detaje. KQZ i referohet këtyre pakove si “pako të supozuara me fletëvotime” sepse në këtë fazë nuk mund ta dijmë me saktësi nëse brenda tyre ka fletëvotime dhe nëse të njëjtat janë dorëzuar nga votuesit e regjistruar", theksoi ai.
Tutje, Elezi shtoi se gjatë periudhës së regjistrimit (23 korrik – 29 gusht 2025) numri i shtetasve të regjistruar për të votuar përmes postës në raundin e dytë të zgjedhjeve për Kryetarë të 18 komunave ishte: 29,725 votues.
Raundi i dytë i zgjedhjeve u mbajt në 18 komuna./Telegrafi/
Pas përfundimit të procesit të numërimit dhe verifikimit të votave në Mitrovicë të Jugut, janë gjetur 75 fletëvotime me probleme në numrin serik.
Lajmin e bëri të ditur Bajram Hajdari, kryetar i Komisionit Komunal Zgjedhor dhe menaxher i Qendrës Komunale të Numërimit.
“Sipas një verifikimi paraprak, janë 75 fletëvotime që i takojnë të dy kandidatëve dhe kanë të bëjnë me gabime teknike. Një pjesë e tyre është kopjuar në prani të Policisë dhe më pas dorëzuar, ndërsa tani çështja i takon organeve kompetente,” tha Hajdari.
Ai shtoi se nuk ka informacion për fletëvotime të pavulosura, por nëse janë vërejtur, ato janë vendosur në zarfin përkatës. Pas përfundimit të procesit, materialet zgjedhore po përgatiten për t’u dërguar në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) në Fushë-Kosovë.
Nga ana tjetër, Ilir Gashi, anëtar i PDK-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), deklaroi se procesi ka defekte të shumta që shkelin rregulloren zgjedhore dhe sugjeroi që Mitrovica e Jugut duhet të shkojë në rivotim. “Pothuajse në të gjitha vendvotimet ka defekte që bien ndesh me rregulloren zgjedhore. Do të bëjmë një analizë dhe një komision hetimor për të verifikuar origjinalitetin e fletëvotimeve,” tha Gashi, duke shtuar se çështja duhet të kalojë edhe në duart e organeve të drejtësisë për të rikthyer besimin e qytetarëve në procesin zgjedhor.
Tre ditë pas përfundimit të garës zgjedhore, fletëvotimet me numra serikë të ndryshëm që u gjetën në disa kuti, ngritën pretendimet e PDK-së dhe partnerëve të saj për parregullsi. PDK ka pretenduar se disa fletëvotime që duhej të ishin në vendvotime të tjera janë gjetur në qendra të ndryshme votimi.
Nga ana tjetër, Sami Kurteshi nga Lëvizja Vetëvendosje në KQZ nuk dha deklarata për media.
Ditën e parë të numërimit, më 10 nëntor 2025, Prokuroria e Mitrovicës urdhëroi ndalimin e procesit për shkak të pretendimeve të para. Një ditë më vonë, KQZ publikoi një sqarim nga kompania CETIS, sipas të cilit problemi kishte të bënte me gabime teknike në shtypjen e fletëvotimeve. CETIS pranoi përgjegjësinë dhe theksoi se fletëvotimet përmbajnë elemente sigurie që e bëjnë të pamundur falsifikimin e tyre.
Pas sqarimeve të KQZ-së, Prokuroria lëshoi urdhër për rifillimin e numërimit të votave. Megjithatë, përfaqësuesit e PDK-së kanë dorëzuar ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, duke kërkuar rivotim për Mitrovicën e Jugut.
Pas rifillimit të numërimit, komisionerët e partive kanë raportuar për parregullsi të reja gjatë numërimit të votave të balotazhit të mbajtur më 9 nëntor 2025 për kryetar të komunës.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka mbajtur mbledhjen e 79-të për këtë vit, nën kryesimin e Kreshnik Radoniqit, ku u morën vendime të rëndësishme në lidhje me procesin zgjedhor të raundit të dytë.
Në fillim të mbledhjes, kryesuesi Radoniqi njoftoi se gjatë ditës KQZ-ja ka pranuar një raport nga kompania që ka shtypur fletëvotimet për të gjitha komunat, raport i cili saktëson të gjitha gabimet e evidentuara në dengjet e fletëvotimeve të printuara. Sipas raportit, disa nga gabimet janë vërejtur në dy votat e fundit të dengjeve, të cilat kishin numra të ndryshëm të vendvotimeve ose ishin të zbrazëta.
Radoniqi tha se ky raport do të jetë pjesë përbërëse e raportit zyrtar që do të përgatisë vetë Komisioni i Zgjedhjeve.
Po ashtu, KQZ mori vendim për themelimin e një komisioni të veçantë për vlerësimin dhe verifikimin e fletëvotimeve si dhe përputhshmërinë e numrit të tyre në vendvotime, për zgjedhjet e raundit të dytë për kryetarë të komunave Mitrovicë e Jugut dhe Gjakovë.
Ky komision do ta zhvillojë punën e tij në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), pas pranimit të materialeve nga Komisionet Komunale të Zgjedhjeve (KKZ).
Sipas KQZ-së, puna e këtij komisioni do të shërbejë gjithashtu për të përgatitur përgjigjen për Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), lidhur me ankesat për zgjedhjet në komunën e Mitrovicës së Jugut.
Pas një ndalimi të përkohshëm dhe rifillimit të procesit të verifikimit të votave, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përmbyllur me sukses numërimin dhe verifikimin e të gjitha 105 vendvotimeve në komunën e Mitrovicës së Jugut.
Sipas rezultateve zyrtare, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Peci, ka fituar me 53.44% të votave apo 17,834 vota, duke u pozicionuar përpara kandidatit të Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri, i cili ka marrë 46.56% apo 15,541 vota.
Procesi i verifikimit ka përfshirë shqyrtimin e të gjitha votave për të siguruar saktësinë e rezultateve përfundimtare, pas shqetësimeve të ngritura së fundmi lidhur me disa parregullsi në fletëvotime.
Kujtojmë se procesi i verifikimit të votave në këtë qendër rifilloi të mërkurën me urdhër të Prokurorisë Themelore, pasi ky institucion fillimisht kishte urdhëruar ndërprerjen e përkohshme të këtij procesi.
Rifillimi i numërimit me urdhër të Prokurorisë nisi pasi kompania CETIS që shtypi fletëvotimet shpjegoi se problemi i numërimit ndodhi te njëra nga pllakat e printerëve me ngjyrë.
Zhvillimet nga procesi i verifikimit të votave në Mitrovicë kanë nxitur shumë reagime.
PDK-ja ka kërkuar rivotim në këtë komunë. /Telegrafi/
Situata e krijuar me fletëvotimet në Mitrovicë, ka shkaktuar huti tek qytetarët.
Sipas sqarimeve të ofruara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) dhe kompania sllovene Cetis, gabimet e konstatuara në fletëvotime është thënë se nuk kanë pasur ndikim në procesin e votimit.
Bekim Salihu, analist i politikave në Institutin GAP ka thënë se votimi ka qenë i rregullt.
"Nga të gjitha sqarimet që janë ofruar nga KQZ-ja dhe nga kompania sllovene ‘Cetis’ lidhur me fletëvotimet e Mitrovicës së Jugut, rezulton se gabimet në fletëvotim nuk kanë rezultuar me gabime në votim. Votimi ka qenë i rregullt, por disa nga fletëvotimet nuk kanë qenë brenda standardit”, ka shkruar Salhiu.
Ai ka shtuar se qytetari nuk është instanca që i verifikon standardet e fletëvotimit.
“Qytetari e jep votën sipas vullnetit të tij/saj dhe ky vullnet është brenda kutive të votimit. Vota duket se as nuk është cenuar, as kontrabanduar dhe as tjetërsuar”, u shpreh ai.
Ndryshe, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se po vazhdojnë aktivitetet në kuadër të procesit të verifikimit të votave në Qendrën Komunale të Numërimit (QKN) në Mitrovicën e Jugut.
“Deri në orën 09:00 të mëngjesit të së mërkurës, janë verifikuar rezultatet e 75 vendvotimeve nga gjithsej 105, ndërsa procesi pritet të përfundojë gjatë ditës së sotme”, ka njoftuar KQZ. /Telegrafi/
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se po vazhdojnë aktivitetet në kuadër të procesit të verifikimit dhe rinumërimit të rezultateve të raundit të dytë të zgjedhjeve për kryetarë komunash.
Sipas njoftimit të KQZ-së, në Qendrën Komunale të Numërimit (QKN) në Mitrovicën e Jugut është duke vazhduar procesi i verifikimit të rezultateve.
“Deri në orën 09:00 të mëngjesit të së mërkurës, janë verifikuar rezultatet e 75 vendvotimeve nga gjithsej 105, ndërsa procesi pritet të përfundojë gjatë ditës së sotme”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.
Një ditë më herët, të martën, është përmbyllur verifikimi i rezultateve në 17 Qendra Komunale të Numërimit, përfshirë komunat: Junik, Mamushë, Kllokot, Obiliq, Klinë, Vushtrri, Dragash, Rahovec, Gjakovë, Gjilan, Fushë Kosovë, Suharekë, Kaçanik, Prishtinë, Viti, Prizren dhe Pejë.
Ndërkohë, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) po vazhdon rinumërimi i 41 vendvotimeve me kërkesë të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).
Ky proces ka filluar një ditë më parë, dhe deri në orën 09:00 të së mërkurës janë rinumëruar 10 vendvotime.
KQZ njofton se rezultatet pas verifikimit publikohen në platformën zyrtare. /Telegrafi/
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se deri sonte në orën 20:00 është përmbyllur procesi i verifikimit të rezultateve të raundit të dytë të zgjedhjeve lokale në 17 qendra komunale të numërimit.
Sipas KQZ-së, komuna e vetme ku procesi ende nuk ka përfunduar është Mitrovica e Jugut, ku verifikimi pritet të mbyllet gjatë ditës së nesërme.
“Deri në orën 20:00 të së martës është përmbyllur verifikimi i rezultateve në 17 Qendra Komunale të Numërimit: Junik, Mamushë, Kllokot, Obiliq, Klinë, Vushtrri, Dragash, Rahovec, Gjakovë, Gjilan, Fushë Kosovë, Suharekë, Kaçanik, Prishtinë, Viti, Prizren dhe Pejë. Aktualisht procesi vazhdon vetëm në QKN e Mitrovicës së Jugut dhe pritet të përfundojë gjatë ditës së mërkurë”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.
Ndërkohë, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) është duke u zhvilluar rinumërimi i 41 vendvotimeve me kërkesë të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).
Sipas njoftimit, vendvotimet që po rinumërohen i përkasin zgjedhjeve për Kuvendin Komunal të Drenasit.
Një numër i qytetarëve ka ardhur tek Qendra e Numërimit në Mitrovicë të Jugut, të cilët kanë tentuar të afrohen afër QNK-së, por Policia e Kosovës nuk i ka lejuar, duke kërkuar nga ata që të largohen nga kjo pjesë.
Qytetarët i kanë thënë KosovaPress-it prapa kamerave se kanë ardhur vetëm të shikojnë se si është gjendja.
Gëzim Stavileci, ish-drejtor i administratës në Komunën e Mitrovicës së Jugut, u bëri thirrje qytetarëve të largohen dhe mos të bëjnë presion.
Kurse, qytetarët brohorasin “Duam rivotim”, “Duam drejtësi”, “Hajnat në burg”, ndërsa më pas janë larguar.
Përndryshe, në Qendrën e Numërimit në Mitrovicë po vazhdon rinumërimi i votave, pas vendimit të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë.
Aty ishte ndërprerë rinumërimi për shkak të dyshimit për keqpërdorim të votave.