Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar qysh nga ora 12:00 numërimin e votave për kandidatë për deputetë.
Kur janë numëruar mbi 8 për qind e votave, në listën e PDK-së befason Arian Tahiri i cili po radhitet i dyti pas Bedri Hamzës, me plot 6235 vota, derisa i pari i PDK-së ka 12,584 vota.
Partia Demokratike e Kosovës ka paraqitur ankesë në Gjykatën Supreme të Kosovës lidhur me vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), i cili kishte refuzuar kërkesën për përsëritjen e votimit në Mitrovicë.
Zëdhënësja e Gjykatës Supreme të Kosovës, Antigona Uka-Latifi, tha për Telegrafin se ankesa është pranuar sot dhe se brenda një afati prej pesë ditësh pritet të merret vendimi për këtë çështje.
"Lidhur me kërkesën tuaj, ju njoftojmë se ankesa e subjektit politik Partia Demokratike e Kosovës – PDK, e ushtruar kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa - PZAP, është pranuar sot (18.11.2025) në Gjykatë Supreme, përmes postës. Për këtë çështje do të vendoset brenda afatit ligjor, prej pesë ditësh", ka thënë ajo.
Ndryshe, PDK vlerëson se vendimi i PZAP është i gabuar dhe nuk pasqyron realitetin e parregullsive të evidentuara në qendrat e votimit në këtë komunë”, thuhet në njoftim.
Sipas partisë, provat e paraqitura gjatë procesit të ankesës kanë treguar se procesi zgjedhor në Mitrovicë është cenuar dhe vullneti i qytetarëve është manipuluar.
PDK ka kërkuar nga Gjykata Supreme një shqyrtim të plotë të çështjes dhe një vendim që do të garantonte integritetin e procesit zgjedhor dhe respektimin e votës së qytetarëve të Mitrovicës.
Në njoftimin e PDK-së, theksohet se partia do të vazhdojë të ndjekë rrugën ligjore deri në përfundimin e çështjes, për të siguruar korrigjimin e parregullsive dhe për të mbrojtur proceset demokratike në vend.
“Partia Demokratike e Kosovës thekson se do të vazhdojë me vendosmëri rrugën ligjore deri në sqarimin dhe korrigjimin e çdo parregullsie, duke mbrojtur votën e lirë dhe proceset demokratike në vend Në Mitrovicë, vetëm rivotimi u bën drejtësi qytetarëve. Në këtë drejtim, PDK nuk do të ndalet!”, thuhet në njoftim.
Në raundin e dytë të zgjedhjeve, Faton Peci nga Lëvizja Vetëvendosje fitoi shumicën e votave./Telegrafi/
Pas një ndalimi të përkohshëm dhe rifillimit të procesit të verifikimit të votave, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përmbyllur me sukses numërimin dhe verifikimin e të gjitha 105 vendvotimeve në komunën e Mitrovicës së Jugut.
Sipas rezultateve zyrtare, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Peci, ka fituar me 53.44% të votave apo 17,834 vota, duke u pozicionuar përpara kandidatit të Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri, i cili ka marrë 46.56% apo 15,541 vota.
Procesi i verifikimit ka përfshirë shqyrtimin e të gjitha votave për të siguruar saktësinë e rezultateve përfundimtare, pas shqetësimeve të ngritura së fundmi lidhur me disa parregullsi në fletëvotime.
Kujtojmë se procesi i verifikimit të votave në këtë qendër rifilloi të mërkurën me urdhër të Prokurorisë Themelore, pasi ky institucion fillimisht kishte urdhëruar ndërprerjen e përkohshme të këtij procesi.
Rifillimi i numërimit me urdhër të Prokurorisë nisi pasi kompania CETIS që shtypi fletëvotimet shpjegoi se problemi i numërimit ndodhi te njëra nga pllakat e printerëve me ngjyrë.
Zhvillimet nga procesi i verifikimit të votave në Mitrovicë kanë nxitur shumë reagime.
PDK-ja ka kërkuar rivotim në këtë komunë. /Telegrafi/
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryetar të Mitrovicës së Jugut, Arian Tahiri, ka komentuar fyerjet t kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, gjatë një tubimi elektoral të Lëvizjes Vetëvendosje në palestrën “Minatori”.
Kurti kishte përdorur shprehjen “gomë rezervë” për të përshkruar garën e PDK-së, duke argumentuar se partia nuk po garonte me kryetarin aktual, Bedri Hamza, dhe se Tahiri ishte zgjedhja e dytë e partisë.
Tahiri i ka dhënë një përgjigje në Debat Plus.
“Gomë rezervë nuk e di saktë çka e ka menduar. Por, unë kam qenë gomë origjinale. Pari kam ecë vetëm. Dhe kam veç me njerëz të Mitrovicës. Dyert në shtëpitë e njerëzve të mire e të ndershëm në Mitrovicës, i kam hap vet. Kam trokaik vetë, i kam hap vetë. Ndërsa kandidatit të tij, ia ka hapur dyert ky. Ai ka shkuar është ulur si gomë rezervë e tij. Pra ky është realiteti që ka ndodh në fushatë”, ka thënë Tahiri.
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Mitrovicës së Jugut, Arian Tahiri, ka thënë se ka shqetësime serioze për parregullsi në zgjedhjet e balotazhit të mbajtura më 9 nëntor.
Ai tha se në disa vendvotime janë gjetur fletëvotime me numra serikë që nuk përputhen me vendin ku janë hedhur, duke e cilësuar këtë si një fenomen “të organizuar dhe shumë shqetësues”.
Tahiri shtoi se janë evidentuar raste kur fletët që duhej të ishin në një klasë të caktuar përfundonin në vendvotime të tjera, madje kilometra larg nga qendra origjinale.
Sipas tij, këto parregullsi e kanë dëmtuar rëndë integritetin e procesit zgjedhor dhe kanë vënë në pikëpyetje besueshmërinë e rezultatit final.
“Ajo çka jemi duke parë në Mitrovicë, në qëndron e numrit të votave është një fenomen shumë shqetësuese, e pa parë më herët. Një nur i madh i fletëvotimeve janë hasur se kanë dallim tek numri serik, që është pjesa më e rëndësishme e fletëvotimit për integritetin e fletës. Pra ajo që është vota e qytetarit. Ka dhejtra raste, që numri serik nuk përputhen me vendin e votimit.
Secila flet e ka numrin serik, në bazë të klasë që është duke votu qytetari. Dhe patjetër duhet të jetë në atë kuti, në atë klasë. Ka raste që ato fleta që duhet të ishin në klasën 1, përfundojnë diku tjetër, në një shkollë tjetër, me kilometra larg. Si është e mundshme kjo?
Këtu është një organizim i përgjithshëm sepse është një fenom shumë i theksuar gjithandej qytetit të Mitrovicës. Të cilat e kanë dëmtuar procesin zgjedhor, e kanë dëmtuar integritetin e procesit zgjedhor. Dhe rrjedhimisht e kanë humbur besueshmërinë”, ka thënë Tahiri.
Sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), në balotazhin e 9 nëntorit, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Peci, ka fituar me 53,47% të votave (17,837 vota), ndërsa Arian Tahiri nga PDK ka marrë 46,53% (15,522 vota).
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi ka thënë se menjëherë pas njoftimit nga komisionerët në Mitrovicë për shqetësimet rreth integritetit të procesit zgjedhor atje, kanë ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për mbrojtjen e vullnetit të qytetarëve.
Krasniqi përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se PDK do të dorëzojë, brenda afatit ligjor, edhe ankesën e saj zyrtare në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa
“Prej mbrëmë, menjëherë pas njoftimit nga komisionerët tanë në Mitrovicë për shqetësimet rreth integritetit të procesit zgjedhor atje, kemi ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për mbrojtjen e vullnetit të qytetarëve. Shqetësimet e paraqitura janë serioze dhe, si të tilla, po i adresojmë në të gjitha instancat dhe adresat përkatëse. Sot, Partia Demokratike e Kosovës do të dorëzojë, brenda afatit ligjor, edhe ankesën e saj zyrtare në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa”, ka shkruar Krasniqi.
Sipas tij, në ora 12:00, në selinë e partisë do të ketë një konferencë për media për të bërë të ditura detajet dhe veprimet tona lidhur me këtë çështje.
“Ne besojmë se çdo votë është zëri i qytetarit dhe themeli i demokracisë sonë. Prandaj, kur ekzistojnë dyshime apo paqartësi në proces, është e drejtë dhe detyrë ligjore që ato të shqyrtohen me kujdes dhe plotësisht nga institucionet përkatëse. Pa paragjykuar rezultatin përfundimtar, PDK kërkon që çdo procedurë të trajtohet me transparencë, drejtësi dhe në përputhje me ligjin, në mënyrë që besimi i qytetarëve në procesin zgjedhor të mbetet i plotë”, ka thënë ai.
Tutje ai ka shkruar se: “Vota është e shenjtë në demokraci dhe PDK është e vendosur ta mbrojë integritetin e zgjedhjeve dhe vullnetin e vërtetë të votuesve me përgjegjësi, qetësi dhe bindjen e plotë se e vërteta do të dalë në dritë”. /Telegrafi/
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi pas zgjedhjeve të djeshme ka thënë se PDK-ja e ka përmbyllur me sukses një tjetër kapitull të rëndësishëm të jetës demokratike të vendit tonë.
Ai përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se me 187,526 vota, PDK u konfirmua si partia më e votuar në Kosovë.
Tutje ai tha se PDK ka 206 asamblistë të zgjedhur e që sipas tij “mbetëm forca me përfaqësimin më të gjerë lokal në vend”.
“Dhe me gjashtë komuna të fituara, Ferizaj, Prizren, Skenderaj, Vushtrri, Kaçanik dhe Han i Elezit, PDK dëshmoi se suksesi ndërtohet mbi punë me rezultate dhe përfaqësim me dinjitet. Në katër prej ballafaqimeve direkte në balotazh me pushtetin qëndror, ne i fituam tri prej tyre”, ka shkruar Krasniqi.
Siç u shpreh i pari i PDK-së, disa gara kanë qenë më të vështira, madje edhe të pabarabarta.
“Por për ne, çdo përpjekje e ndershme është fitore në vetvete, sepse PDK nuk e mat suksesin vetëm me numra, por me qëndresën, qetësinë dhe përgjegjësinë me të cilat e përfaqëson qytetarin në çdo rrethanë. Sot dua të falënderoj nga zemra të gjithë kandidatët tanë për kryetarë komunash, në çdo qytet të Kosovës, për angazhimin, dinjitetin dhe energjinë që kanë dhënë gjatë këtij procesi. Për shumë prej tyre, koha do të vijë, sepse puna, karakteri dhe përkushtimi që kanë dëshmuar janë garanci për të ardhmen”.
Krasniqi po ashtu ka shprehur mirënjohjen dhe respektin e veçantë për mikun e tij apo siç e quajti “yllin e kësaj fushate, Arian Tahirin në Mitrovicë, i cili, i vetëm përballë tërë aparatit shtetëror, bëri një garë të fortë, dinjitoze dhe të ngushtë deri në fund”. /Telegrafi/
Pas numërimit të votave në Komunë të Mitrovicës, kandidati për kryetar në Mitrovicë nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Arian Tahiri ia ka uruar fitoren kundërkandidatit të tij, Faton Peci nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV).
Tahiri përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka thënë se ishte privilegj të ishte pjesë e një procesi demokratike që dëshmoi pjekurinë e tij politike dhe kulturën e lartë qytetare.
“Qytetarë të Mitrovicës, Ju falënderoj të gjithëve për besimin dhe përkrahjen që më dhatë në garën për Kryetar të Mitrovicës. Ishte një privilegj i madh të jem pjesë e një procesi demokratik që dëshmoi pjekurinë tonë politike dhe kulturën e lartë qytetare. Rezultati i zgjedhjeve është shprehje e vullnetit tuaj dhe ky vullnet do ta ketë gjithmonë respektin tim”, ka shkruar Tahiri, duke shtuar “Urime kundërkandidatit tim për fitoren! I uroj suksese në punën e tij për Mitrovicën”.
Tahiri tha se do të vazhdoj të mbetet në shërbim të Mitrovicës dhe të të gjithë qytetarëve, me ndershmëri e përkushtim. /Telegrafi/
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për komunën e Mitrovicës së Jugut, Arian Tahiri, ka folur pas përfundimit të procesit të votimit dhe publikimit të rezultateve të para preliminare.
Tahiri ka deklaruar se rezultatin e sheh si shprehje të vullnetit të qytetarëve, duke shprehur mirënjohje për përkrahjen që ka marrë gjatë fushatës.
“Unë e kam parë si vullnet të qytetarëve të Mitrovicës, për çka i vlerësoj dhe u shpreh mirënjohje,” tha Tahiri.
Ai bëri të ditur se ende nuk ka pasur komunikim me kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Peci, për shkak të numrit të madh të telefonatave, por theksoi se do ta urojë publikisht.
“Nuk kam pasur komunikim me z. Peci për shkak të telefonatave të shumta, por unë do ta uroj edhe atë dhe qytetarët. Po e uroj edhe përmes këtij emisioni,” shtoi Tahiri.
Sa i përket ankesave të mundshme për procesin zgjedhor, Tahiri tha se ekipet përkatëse janë duke mbledhur të gjitha faktet.
“Pjesën e ankesave dhe të fakteve janë ekipet që janë duke i grumbulluar,” theksoi ai.
Faton Peci ka dalë fitues në zgjedhjet për kryetar të komunës së Mitrovicës së Jugut, duke marrë 53.53% të votave (17,542 vota).
Kurse Arian Tahiri nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka siguruar 46.47% të votave (15,228 vota). /Telegrafi/
Në Kosovë sot është mbajtur raundi i dytë i zgjedhjeve lokale.
Sipas rezultateve të exit-pollit nga UBO Consulting, Arian Tahiri nga PDK, ka fituar Mitrovicën.
Pas kësaj, një reagim e ka bërë Arian Tahiri, duke shkruar se "Qytetarët e Mitrovicës e thanë fjalën e tyre".
"Qytetarët e Mitrovicës e thanë fjalën e tyre. Tani është radha e komisionerëve dhe vëzhguesve që ta numërojnë çdo votë me kujdes e ndershmëri, duke respektuar vullnetin e votuesve mitrovicas", tha ai.
Mes tjerash, ai shkroi "Le të tregojmë maturi, sepse besimi i qytetarëve është më i vlefshëm se çdo rezultat. Faleminderit, Mitrovicë"./Telegrafi/
Sot ka nisur zyrtarisht fushata zgjedhore për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë komunash në Kosovë, që do të zgjasë deri më 9 nëntor, në orën 07:00.
Gjatë ditës, Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka vizituar Mitrovicën për të dhënë mbështetje për kandidatin e PDK-së për kryetar të Mitrovicës, Arian Tahirin.
Gjatë aktivitetit, Krasniqi ka theksuar se Mitrovica është bashkuar për të mbështetur Arian Tahirin, duke u angazhuar për një Mitrovicë që punon, bashkon dhe beson. Ai theksoi se Arian Tahiri tashmë përfaqëson të gjithë qytetarët e Mitrovicës, pa dallim, dhe se ai është një kandidat që ka edukatën dhe vlerat e duhura për të udhëhequr këtë qytet drejt zhvillimit.
“Ariani, me edukatën dhe vlerat e tij, mishëron drejtimin për të cilin ky qytet qëndron. Ai përfaqëson vazhdimësinë e një Kryetari të mirë, si Bedri Hamza, që besimin e qytetarëve e ka të shenjtë - ndërsa punën e ka valutë,” shkruan Krasniqi në Facebook.
Ai gjithashtu ka ftuar të gjithë mitrovicasit që të votojnë për një qytet që zhvillohet dhe që beson, duke u angazhuar për një Mitrovicë që fiton sërish.
Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë nënshkruar sot (3 nëntor) marrëveshjen e koalicionit për balotazhin në Komunën e Mitrovicës.
Qazim Nimani nga AAK kishte konfirmuar për Telegrafin se kjo parti do ta mbështes kandidatin e PDK-së, Arian Tahiri, në garën për kryetar të Mitrovicës, që do të zhvillohet më 9 nëntor, përballë Faton Pecit nga Lëvizja Vetëvendosje – Guxo.
"Po kemi marrëveshje, derisa marrëveshja për koalicion do të nënshkruhet në ora 13:00", tha kreu i AKK-së në Mitrovicë.
Tani është zyrtare marrëveshja mes dy partive, pasi kështu ka bërë të ditur kandidati për kryetar të kësaj komune nga PDK, Arian Tahiri.
"Sot, zyrtarisht edhe AAK-ja i është bashkuar rrugëtimit dhe vizionit tonë për Mitrovicën. Faleminderit kryetarit z. Qazim Nimani dhe strukturave të AAK-së për besimin dhe mbështetjen!Mitrovicën e kemi shtëpi dhe së bashku do ta ndërtojmë kapitullin e ri të bashkëpunimit, punës dhe shpresës.9 nëntori do të jetë dita e bashkimit të qytetarëve, sepse Mitrovica është mbi partitë politike", ka shkruar Tahiri.
Kujtojmë se PDK ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi edhe me LDK-në në Mitrovicë, ndërsa AKR dhe KDTP kanë bërë të ditur mbështetjen e tyre për kandidatin Tahiri në këtë balotazh. /Telegrafi/
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, ka reaguar pas koalicionit mes PDK-së dhe LDK-së në këtë komunë.
Peci, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka thënë shkurt: “Mitrovica ka tregu që nuk thyhet”.
Në zgjedhjet e 12 tetorit, Faton Peci doli i pari me 47.94 për qind, pasuar nga Arian Tahiri me 47.57 për qind, ndërsa Gëzim Plakolli i LDK-së përfundoi i treti me 3.71 për qind.
Dallimi mes Pecit dhe Tahirit ishte 122 vota.
Peci e Tahiri do të përballen më 9 nëntor në balotazh për Mitrovicën e Jugut.
Partia Demokratike e Kosovës ka nënshkruar marrëveshje koalicioni me Lidhjen Demokratike të Kosovës për koalicion në Mitrovicë.
Marrëveshja e koalicionit u nënshkrua nga Arian Tahiri kandidat për kryetar nga PDK dhe Gëzim Plakolli ish kandidat i LDK-së për kryetar.
"Sot e vendosëm Mitrovicën mbi dallimet politike që të punojmë së bashku për një të ardhme më të mirë në qytetin tonë", ka njoftuar Tahiri.
"Qyteti ynë ka nevojë për bashkëpunimin dhe energjinë e çdo qytetari, pavarësisht prejardhjes apo bindjeve politike", shtoi ai.
Të pranishëm në këtë moment ishin edhe përfaqësues të AKR-së, partner koalicioni i PDK-së që para 12 tetorit, si dhe Safet Kamberi, ish nënkryetar i komunës së Mitrovicës dhe ish kandidat i LDK-së në zgjedhjet lokale të vitit 2017.
Veç me LDK-në, PDK ka koalicion edhe me AAK-në, AKR-në dhe KDTP-në karshi Faton Pecit të VV-Guxo.
Komuniteti turk në Mitrovicë ka vendosur ta përkrahë Arian Tahirin për Kryetar të Mitrovicës. Ky është cilësuar nga Tahiri si një hap i rëndësishëm për të ardhmen e Mitrovicës.
Arian Tahiri si Kandidat për Kryetar të Mitrovicës dhe Ergin Kani si Kryetar i Kosova Demokratik Türk Partisi (KDTP) në Mitrovicë, sot e kanë nënshkruar edhe marrëveshjen e koalicionit për zgjedhjet e 9 nëntorit.
Sipas kësaj marrëveshjeje, Kosova Demokratik Türk Partisi (KDTP) në Mitrovicë do ta mbështes Arian Tahirin për Kryetar të Mitrovicës. Për nënshkrimin e marrëveshjes së koalicionit me Kosova Demokratik Türk Partisi (KDTP) në Mitrovicë ka njoftuar edhe vetë Tahiri në llogarinë e tij në rrjete sociale.
“Një hap tjetër i rëndësishëm për të ardhmen e Mitrovicës. Me mikun tim, Ergin Kanin, Kryetar i Kosova Demokratik Türk Partisi (KDTP) në Mitrovicë, sot nënshkruam marrëveshjen e koalicionit dhe mbështetjes për mua në zgjedhjet e 9 nëntorit për Kryetar të Mitrovicës. Koalicioni katërvjeçar do të jetë një angazhim i përbashkët për të siguruar që çdo qytetar i Mitrovicës të ketë mundësi të barabarta dhe një të ardhme më të mirë në qytetin tonë. Faleminderit të gjithë qytetarëve të Mitrovicës për besimin dhe mbështetjen! Mitrovica është shtëpia jonë e përbashkët! ”, ka shkruar Tahiri.
Numërimi i votave me postë në Komunën e Mitrovicës ka përfunduar, por rezultatet tregojnë se kandidatët për kryetar ndahen nga një diferencë shumë e ngushtë votash.
Sipas të dhënave zyrtare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Faton Peci, ka siguruar 47.96 për qind të votave, ndërsa kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Arian Tahiri, ka marrë 47.60 për qind.
Nga ana tjetër, sipas rezultateve preliminare, Arian Tahiri i PDK-së ka dalë përpara me 47.89% të votave, ndërsa Faton Peci i LVV-së ka marrë 47.80 për qind.
Duke u bazuar në këto rezultate, gara për kryetar të Komunës së Mitrovicës do të vazhdojë në balotazh, i cili do të mbahet më 9 nëntor 2025. /Telegrafi/
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur numërimin e votave me postë.
Sipas të dhënave të përditësuara nga KQZ më 18 tetor, nga 75% e votave të numëruara, Faton Peci nga LVV ka marrë 302 vota, ndërsa kundërkandidati i tij, Arian Tahiri nga PDK, ka marrë 175 vota, transmeton Telegrafi.
Numërimi i votave të diasporës ka ndikuar në ndryshimin e renditjes së kandidatëve, ku tashmë Peci renditet i pari, ndërsa Tahiri i dyti.
Në total, Peci ka grumbulluar 15,655 vota, ndërsa Tahiri 15,568.
Pra, Peci kryeson Tahirin me 87 vota deri më tani.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se ka përfunduar numërimi i të gjitha votave të rregullta të hedhura në vendvotimet e komunës së Mitrovicës.
Sipas rezultateve preliminare, gara për kryetar komune është jashtëzakonisht e ngushtë midis kandidatit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Arian Tahiri, i cili ka marrë 47.91% të votave (15,393 vota), dhe kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Peci, me 47.78% (15,353 vota).
Në vendin e tretë renditet Gëzim Plakolli nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 3.57% (1,146 vota), ndërsa Qazim Nimani nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka marrë 0.74% (238 vota).
KQZ ka bërë të ditur se ende nuk janë numëruar votat me kusht, ato të personave me nevoja të veçanta dhe votat e ardhura nga diaspora, të cilat mund të jenë vendimtare për rezultatin përfundimtar në këtë komunë.