Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 24 December 2025Main stream

Barnatorja qendrore në spitalin e Mitrovicës hapet një vit pas fillimit të punimeve

24 December 2025 at 15:33


Në spitalin “Dr. Sami Haxhibeqiri” të Mitrovicës së Jugut, sot më 24.12.2025 është hapur barnatorja qendrore e cila kishte filluar të ndërtohej para një viti.

Kështu ka njoftuar ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia.

Ai tha se kur e morën përgjegjësinë e qeverisjes në kohë pandemie, gjetën një gjendje alarmante në shëndetësi.

“QKUK-ja pa depo të duhur për ruajtjen e vaksinave, Kosova pa depo qendrore të barnave dhe spitalet publike pa kushte adekuate për ruajtjen e tyre”- shkroi ai në rrjetin social Facebook.

Në një përgjigje për KALLXO.com, ushtruesi i detyrës së drejtorit të spitalit, Gëzim Berisha theksoi se deri më tani ka qenë procedurat për t’u pajisur me inventar kjo depo e barnave.

“Deri tash kemi qenë në procedurë për ta blerë inventarin dhe pajisjet që janë brenda, e të cilat i ka blerë ShSKUK-ja. Tash kanë përfunduar procedurat”- tha Berisha.

Më 28.10.2024, Ministria e Shëndetësisë kishte filluar punimet për ndërtimin e Barnatores Qendrore në Spitalin “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë të Jugut.

Ndërsa më 20.11.2024, kjo komunë kishte ndërprerë punimet me arsyetimin se “Ministria nuk kishte marrë leje për ndërtim”.

Po në këtë ditë, Vitia, kishte njoftuar se ky projekt po vazhdon me intensitet dhe se ai do të sigurojë kushte optimale për ruajtjen dhe qëndrueshmërinë e produkteve medicinale.

Mirëpo intensitetin e vazhdimin e punimeve e kishte ndërprerë Drejtoria e Inspeksionit e Komunës së Mitrovicës së Jugut me arsyetimin se nuk është kërkuar leje për këtë ndërtim.

Kështu tha për KALLXO.com ish drejtori i Inspeksionit në këtë Komunë, Valon Brahimi.

“Është objekt që bën pjesë në kategorinë e parë dhe ne në bazë të Ligjit për ndërtim e kemi obligim me e mbikëqyr. Ka qenë vizitë rutinore, kemi hasur që është duke u ndërtuar pa leje ndërtimi dhe i kemi ndërprerë punimet. E kemi obliguar palën që në afat të caktuar me u pajisë me leje pranë Drejtorisë së Urbanizimit”- kishte thënë ai.

Më 16.06.2025, për punimet rreth përfundimit të objektit të depos farmaceutike, Spitali i Mitrovicës, ka shpërblyer me kontratë N.N.P “Hysnia” Vushtrri, në vlerë totale të ofertës, 23 mijë euro e 275 euro e 50 cent.

Before yesterdayMain stream

Prattipati: Qeverisje transparente dhe shërbime të barabarta janë pritshmëri e SHBA-së në veri të Kosovës

23 December 2025 at 14:36


E ngarkuara me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati, ka zhvilluar sot një takim me katër kryetarët e sapoinauguruar të komunave veriore: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, si dhe me përfaqësues të shoqërisë civile serbe në veri të Kosovës.

Sipas njoftimit të Ambasadës së SHBA-së, gjatë takimit u theksuan pritshmëritë amerikane për qeverisje transparente dhe efektive, si dhe për ofrimin e shërbimeve të barabarta për të gjitha komunitetet.

“Anu Prattipati nënvizoi pritshmëritë e Shteteve të Bashkuara për qeverisje transparente dhe efektive, si dhe për ofrimin e shërbimeve të drejta dhe të barabarta për të gjithë qytetarët”, thuhet në postimin e Ambasadës amerikane.

Po ashtu, në takim u theksua rëndësia e bashkëpunimit të autoriteteve lokale me institucionet e sigurisë publike, të cilat janë të përkushtuara për t’u shërbyer të gjitha komuniteteve pa dallim.

“Ajo theksoi rëndësinë e angazhimit me institucionet e sigurisë publike, të përkushtuara për t’u shërbyer të gjitha komuniteteve”, thuhet më tej në njoftim.

Ambasada e SHBA-së ka ritheksuar se mbetet e përkushtuar në mbështetjen e qeverisjes demokratike, sundimit të ligjit dhe përfshirjes së qytetarëve në proceset vendimmarrëse, veçanërisht në komunat me ndjeshmëri politike dhe institucionale. /Telegrafi/


KRU Mitrovica u bën thirrje konsumatorëve për shlyerjen e obligimeve financiare

23 December 2025 at 14:25


Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica” u ka bërë thirrje konsumatorëve që, para përfundimit të vitit, të shlyejnë obligimet e tyre financiare për shërbimet e furnizimit me ujë dhe kanalizim.

Sipas njoftimit të KRU Mitrovica, kjo thirrje bëhet me qëllim të mbylljes së vitit financiar dhe garantimit të vazhdimësisë së shërbimeve cilësore për të gjithë konsumatorët.

Kompania thekson se pagesa me kohë e faturave është thelbësore për mirëmbajtjen e rrjetit të ujësjellësit, realizimin e investimeve të nevojshme dhe sigurimin e shërbimeve të qëndrueshme.

“Shlyerja me kohë e obligimeve financiare kontribuon drejtpërdrejt në funksionimin normal të sistemit të furnizimit me ujë dhe kanalizim”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, KRU Mitrovica i ka ftuar qytetarët që pagesat t’i kryejnë sa më parë, me qëllim të shmangies së masave administrative që mund të ndërmerren në rast të mosshlyerjes së obligimeve financiare.

Në fund, kompania ka falënderuar konsumatorët për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin e treguar ndaj institucionit. /Telegrafi/


Nga Trepça njoftojnë se kanë arritur ta rikthejnë në posedim pronë publike mbi 1.35 milion euro

22 December 2025 at 14:23


Ndërmarrja Trepça ka shënuar një fitore të plotë ligjore në mbrojtje të pronës publike, pas një aktgjykimi të Gjykatës Themelore në Mitrovicë.

Me Aktgjykimin C.nr.91/2023, gjykata ka konfirmuar në mënyrë të qartë dhe përfundimtare të drejtën e pronësisë së Trepça, duke urdhëruar njëkohësisht lirimin e menjëhershëm dhe kthimin e pronës në posedim të ligjshëm të ndërmarrjes.

Sipas njoftimit, prona në fjalë kishte qenë e uzurpuar për më shumë se 20 vjet, periudhë gjatë së cilës ishin ndërmarrë edhe veprime për tjetërsimin e saj, në kundërshtim me ligjin dhe interesin publik.

Si rezultat i këtij vendimi gjyqësor, Trepça ka rikthyer në posedim pasuri publike me vlerë mbi 1.35 milion euro.

Nga ndërmarrja vlerësohet se ky aktgjykim përbën një hap të rëndësishëm në forcimin e sundimit të ligjit, mbrojtjen e pronës publike dhe parandalimin e uzurpimeve të kundërligjshme.

Në njoftim është theksuar gjithashtu se ky sukses pasqyron angazhimin profesional dhe të vazhdueshëm të Zyrës Ligjore të Trepça në mbrojtje të interesave të ndërmarrjes dhe pasurisë publike të Republikës së Kosovës. /Telegrafi/


Peci priti ambasadorin britanik, diskutojnë investimet strategjike për Mitrovicën

22 December 2025 at 09:52


Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, ka pritur në takim Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, me të cilin ka diskutuar për bashkëpunimin dhe projektet zhvillimore me interes për qytetin.

Gjatë takimit, palët u fokusuan në projekte konkrete zhvillimore, me theks të veçantë në investime strategjike që synojnë zhvillim të qëndrueshëm dhe përmirësim të mirëqenies së qytetarëve të Mitrovicës.

“Kemi synim që Mitrovica të jetë në fokus të komunitetit të donatorëve për investime strategjike si asnjëherë më parë”, ka theksuar kryetari Peci, duke ritheksuar angazhimin e tij që qyteti të jetë pjesë aktive e projekteve dhe iniciativave ndërkombëtare.

Nga ana e saj, Komuna e Mitrovicës ka bërë të ditur se mbetet e përkushtuar për forcimin e partneriteteve ndërkombëtare, me qëllim nxitjen e zhvillimit lokal dhe realizimin e projekteve në interes të përgjithshëm publik. /Telegrafi/


FFK-ja ndan çmime për më të mirët në futsall, si dhe në futboll te femrat

21 December 2025 at 19:10


Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) ka mbajtur ceremoninë “Laureatët e Vitit”, ku çmimet u ndanë për më të mirët.

Pas paraqitjes së jashtëzakonshme këtë vit, si dhe e fituan titullin kampion – FC Prishtina 01 u shpall klubi më i mirë i vitit 2025.

Ndërsa, ylli i skuadrës Fitim Krasniqi, u shpall “Futbollisti më i mirë për 2025” në futsall.

FFK-ja ndau çmime edhe për kategorinë e femrave, ku “Shpresa e Vitit 2025”, u shpall talentja e 2 Korrikut, Anisa Mehmeti.

Kampionja në fuqi KFF Mitrovica u shpall klubi më i mirë për femra, ndërsa çmimin e futbollistes më të mirë e fitoi Aurora Mulliqi.

Në fund, FFK-ja ndau edhe një çmim gjyqtares Florentina Kallaba për “Arritjet ndërkombëtare 2025”.

Ndërsa, gjyqtari më i mirë i vitit 2025 ishte Alban Shala./Telegrafi

Punime në rrjetin e ujësjellësit dhe kanalizimit, disa lagje të Mitrovicës pa ujë

19 December 2025 at 15:27


KRU “Mitrovica” njofton se gjatë ditëve në vijim do të kryhen punime të planifikuara në rrjetin e ujësjellësit dhe kanalizimit në disa lokacione të qytetit dhe fshatrave përreth.

Punimet në rrjetin e ujësjellësit do të zhvillohen në rrugën “Dëshmorët e Kombit”, fshatrat Stan Tërg, Vërnicë, Shupkofc, Zveçan dhe lagjen “Kroi i Vitakut”.

Ndërkaq, në rrjetin e kanalizimit punimet do të kryhen në rrugët “Besim Nuka”, “Mbretëresha Teuta”, “Asllan Cimili” dhe përsëri në rrugën “Dëshmorët e Kombit”.

KRU “Mitrovica” apelon tek konsumatorët që të jenë të kujdesshëm, pasi furnizimi me ujë të pijshëm mund të ndërpritet përkohësisht në zonat përkatëse gjatë kryerjes së punimeve.

“Ju falënderojmë për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin”, thuhet në njoftimin e KRU-së. /Telegrafi/


Ministri Krasniqi kritikon shkeljet procedurale në kuvendet e komunave veriore

19 December 2025 at 12:41


Ministri në detyrë i Ministrisë për Administrimin e Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka reaguar lidhur me shkeljet procedurale në mbledhjet e kuvendeve të komunave Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok.

Sipas raportimeve të monitorimit të këtyre mbledhjeve, kryetarët e komunave kanë propozuar pika shtesë për rendin e ditës në mënyrë të kundërligjshme, me qëllim të daljes nga Asociacioni i Komunave të Kosovës.

Krasniqi thekson se kjo praktikë bie ndesh me Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale, i cili përcakton se vetëm anëtarët e kuvendit kanë të drejtë të kërkojnë shtimin e pikave gjatë seancës, dhe vetëm për çështje urgjente me rëndësi publike.

“Çdo kërkesë për shtim të pikave duhet të votohet nga shumica e anëtarëve të kuvendit. Në asnjë dispozitë ligjore nuk parashihet e drejta e Kryetarit të Komunës për këtë veprim”, shkroi Krasniqi në Facebook, duke shtuar se vendimet e marra mbi pikat e propozuara në këtë mënyrë konsiderohen të kundërligjshme dhe vënë në pikëpyetje ligjshmërinë e tyre.

Ministri nënvizoi gjithashtu se respektimi i procedurave ligjore është garanci për funksionim demokratik, transparencë dhe sundim të ligjit në nivel lokal. Ai akuzoi Lista Serbe se po përdor këtë iniciativë për të nxitë ndasi dhe tensione, duke i vënë përpara interesat e Serbisë në Kosovë dhe jo ato të komuniteteve lokale.

“Komunitetet në Kosovë kanë interes të integrohen dhe të bashkëpunojnë mes vete për zhvillim ekonomik, siguri dhe besim reciprok, në përputhje me vlerat demokratike dhe proceset integruese drejt Bashkimit Evropian”, theksoi më tej Krasniqi. /Telegrafi/


Peci: Çdo të premte, do t’ia dedikoj secilit qytetar nga secila lagje

19 December 2025 at 10:08


Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, ka bërë të ditur se çdo të premte do t’i dedikohet qytetarëve për takime të drejtpërdrejta, duke dëgjuar shqetësimet dhe nevojat e tyre.

“Çdo hall dëgjohet dhe, me mundësi financiare e bazë ligjore, do të adresohet”, shkroi Peci, duke theksuar rëndësinë e kontaktit të drejtpërdrejtë me qytetarët, përcjell Telegrafi.

Ai shtoi se këto takime do të jenë të hapura për të gjithë banorët nga çdo lagje, fshat dhe lokalitet i komunës: “Çdo të premte, do t’ia dedikoj secilit qytetar nga secila lagje, secili fshat e secili lokalitet”.

Qytetarët mund të caktojnë termin për takim përmes kabinetit të kryetarit në numrin 038 200 420 00.

Kjo nismë synon të forcojë bashkëpunimin mes pushtetit lokal dhe komunitetit, duke garantuar që nevojat e qytetarëve trajtohen me përgjegjësi dhe transparencë. /Telegrafi/


Tërheqja e komunave me shumicë serbe nga Asociacioni i Komunave, Ibrahimi: Presim që ky vendim të ndryshohet

18 December 2025 at 15:16


Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku – komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës – kanë vendosur të tërhiqen nga Asociacioni i Komunave të Kosovës.

Sipas njoftimeve zyrtare, këto komuna synojnë t’i bashkohen një asociacioni të veçuar të komunave me shumicë serbe në vend.

Ky vendim vjen pas rikthimit të pushtetit në katër komunat nga Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve të Kosovës, e mbështetur nga Serbia, pas zgjedhjeve lokale të tetorit.

Në seancën e parë të rregullt të kuvendeve komunale më 18 dhjetor, u zgjodhën kryetarët e rinj të kuvendeve: në Mitrovicë të Veriut – Nemanja Bisevac, në Zveçan – Sërxhan Millosavljeviq, në Leposaviq – Marko Rakiq, dhe në Zubin Potok – Nemanja Jakshiq.

Kryetarët e rinj të këtyre komunave kishin paralajmëruar që në fillim të dhjetorit se do të rishikonin vendimet e marra nga kryetarët e deriatëhershëm shqiptarë.

Në lidhje me këtë vendim, Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, në një prononcim për Telegrafin tha se shpreson që kjo tërheqje të rishikohet, pasi Asociacioni ka për qëllim ngritjen e kapaciteteve të komunave.

“Asociacioni i Komunave të Kosovës është një mekanizëm vullnetar, i cili punon dhe mbron interesat e autoriteteve lokale në Republikën e Kosovës. Me vetë faktin që sot këto katër kuvende komunale nuk po hyjnë në Asociacion, nga aspekti procedural, mirëpo kuvendet komunale janë organet më të larta vendimmarrëse në nivel lokal", tha Ibrahimi.

"Asociacioni ka dyert e hapura për të gjitha komunat e Kosovës, në mënyrë që lobimi, avokimi dhe ngritja e kapaciteteve tona të jenë më efikase dhe më efektive".

Ai shtoi se: "Besojmë që ky vendim shumë shpejt do të ndryshohet, në mënyrë që të gjitha komunat e Republikës së Kosovës të jenë anëtare të Asociacionit dhe të përfitojnë nga përfitimet që ofron. Asociacioni jonë punon për autoritetet lokale, pa marrë parasysh kush i udhëheq ato”.

Nën udhëheqjen e kryetarëve shqiptarë, këto komuna iu bashkuan Asociacionit të Komunave të Kosovës verën e vitit 2023.

Telegrafi ka kontaktuar gjithashtu edhe ministrin në detyrë të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, por deri në kohën e publikimit të lajmit nuk ka marrë përgjigje. /Telegrafi/

Komuna e Mitrovicës merr vendim që shërbimet administrative për qytetarë të realizohen edhe gjatë fundjavës

18 December 2025 at 10:31


Mitrovica e Jugut ka vendosur që sektori i Gjendjes Civile të ofrojë shërbime për qytetarët edhe gjatë vikendeve, në periudhën kur mërgata viziton Kosovën në numër të madh.

Kryetari i Komunës, Faton Peci, tha për këtë iniciativë: "Sot mora vendimin për ofrimin e shërbimeve për qytetarët nga Komuna e Mitrovicës edhe gjatë vikendit. Duke marrë parasysh që në këtë periudhë, kur mërgata në numër të madh viziton Kosovën, Sektori i Gjendjes Civile do të jetë në shërbim të tyre edhe gjatë vikendit".

Ai theksoi se vendimi hyn në fuqi nga data 20 dhjetor 2025 dhe do të zgjasë deri më 4 janar 2026, me orar pune nga ora 08:00 deri në 12:00.

"Ky vendim ka për qëllim të lehtësojë shërbimet administrative dhe të sigurojë që qytetarët, veçanërisht ata që vijnë nga diaspora, të kenë qasje të shpejtë dhe të rregullt në shërbimet komunale", thuhet më tej në postimin e Pecit.

Komuna e Mitrovicës së Jugut apelon tek qytetarët që të përfitojnë nga ky shërbim i zgjeruar dhe të respektojnë orarin e caktuar për marrjen e dokumenteve dhe shërbimeve të tjera administrative. /Telegrafi/


Peci dhe Kurti diskutuan për prioritetet zhvillimore të Mitrovicës pas inaugurimit të urës mbi Ibër

18 December 2025 at 09:31


Në Mitrovicë është inauguruar ura e re për këmbësorë mbi lumin Ibër, në një ceremoni ku morën pjesë kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, si dhe ushtruesi i detyrës së ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durimishi.

Sipas njoftimit të Komunës, kjo vepër infrastrukturore përfaqëson një investim të rëndësishëm për qytetin, duke rritur sigurinë e këmbësorëve, përmirësuar lidhshmërinë urbane dhe kontribuar në zhvillimin e përgjithshëm të Mitrovicës.

Pas inaugurimit, kryeministri Kurti vizitoi Komunën e Mitrovicës, ku zhvilloi një takim me kryetarin Peci. Me këtë rast, Kurti e uroi Pecin për marrjen e detyrës së re si kryetar i komunës dhe shprehu gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për bashkëpunim të ngushtë institucional në realizimin e projekteve me rëndësi për qytetin.

Gjatë takimit u diskutua për prioritetet zhvillimore të Mitrovicës, projektet infrastrukturore në proces dhe nevojën për koordinim më të madh ndërmjet nivelit lokal dhe atij qendror, me synimin për përmirësimin e shërbimeve publike dhe rritjen e mirëqenies së qytetarëve.

Nga Komuna e Mitrovicës u theksua se do të vazhdojë angazhimi për ndërtimin e partneriteteve të qëndrueshme me institucionet qendrore dhe për realizimin e projekteve që sjellin zhvillim të qëndrueshëm dhe përfitime konkrete për qytetarët. /Telegrafi/


Ura e re mbi Ibër, Peci: Investim që lidh qytetin dhe qytetarët

17 December 2025 at 18:37


Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, ka bërë të ditur se sot është inauguruar ura e re për këmbësorë mbi lumin Ibër, në prani të Kryeministrit në detyrë të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, dhe ushtruesit të detyrës së ministrit të MMPHI-së, Hysen Durimishi.

Përmes një postimi në Facebook, Peci e ka cilësuar këtë projekt si një vepër të rëndësishme infrastrukturore për qytetin, duke theksuar se ura simbolizon bashkimin dhe zhvillimin urban të Mitrovicës.

“Përfundimisht Mitrovica po merr drejtimin e duhur dhe urat që kanë mision dhe janë sinonim i bashkimit po marrin drejtimin e duhur. Kjo është realizuar falë angazhimit të kryeministrit Kurti”, ka deklaruar Peci.

Ai ka shtuar se pas luftës, Mitrovica për një kohë të gjatë nuk ka pasur vëmendjen e duhur nga institucionet qendrore, ndërsa sipas tij, në katër vjetët e gjysmë të fundit kjo qasje ka ndryshuar dukshëm.

“Fatkeqësisht, për një periudhë të gjatë Mitrovica është parë si problem i mitrovicasve. Ndërsa në këta katër vjet e gjysmë të fundit kemi pasur vëmendje të shtuar dhe konkrete nga institucionet qendrore”, është shprehur kryetari i Mitrovicës së Jugut.

Ura e re për këmbësorë pritet të lehtësojë lëvizjen e qytetarëve dhe të kontribuojë në përmirësimin e lidhjes urbane në qytet. /Telegrafi/


Kurti: Ura mbi Ibër duhet të jetë përherë e hapur

17 December 2025 at 17:05


Kryeministri në detyrë, Albin Kurti gjatë përurimit të urës së re për këmbësorë mbi lumin Ibër në Mitrovicë, ka deklaruar se në çdo takim me ndërkombëtarët përsërit qëndrimin e tij që ura mbi Ibër duhet të jetë përherë e hapur.

Gjatë përurimit, Kurti tha se nuk ka nevojë që në këtë të jenë pjesëtarët e KFOR-it, por kjo çështje zgjidhet me bashkëbisedim të hapur.

“Në çdo takim e përsërisim qëndrimin tonë që ura mbi Ibër duhet të jetë përherë e hapur. Kemi gjithsej 77 ura mbi lumin Ibër, shumica janë në Kosovë, ka të tilla edhe Mal të Zi e Serbi, e vetmja urë, e cila ka persona të uniformuar sipër saj tërë kohën është ajo ura kryesore mbi Ibër. Besoj që nuk ka nevojë që aty të jenë pjesëtarët e KFOR-it, por ne këtë çështje e zgjedhim veçse me bashkëbisedim të hapur, me dialog të sinqertë dhe besoj se do të vijë edhe dita kur edhe ajo urë do të jetë e hapur.. Urat nuk kanë përkatësi etnike, urat mbi Ibër janë ura të Mitrovicës dhe mitrovicasve pa dallim”, tha Kurti.

Për hapjen e urës së re mbi lumin Ibër për këmbësorët Kurti tha se në këtë mënyrë rritet qarkullimi në Mitrovicë, raporton KosovaPress.

“Të rritet qarkullimi dhe të ketë sa më shumë mobilitet në Mitrovicë, në këtë qytet kaq të rëndësishëm për republikën tonë, andaj falënderoj operatorin ekonomik, ushtruesin e detyrë së ministrit të Mjedisit, Hysen Durmishin, kryetarin e ri Faton Pecin dhe të gjithë qytetarët e Mitrovicës, të cilët kanë kontribuar të vijnë te kjo ditë e bukur që ndodhemi mbi lumin Ibër e këtë urë të re”, tha Kurti.

Ushtruesi i detyrës së ministrit të Infrastrukturës, Hysen Durmishi tha se për gjithsej 54 ditë afat rekordi është realizuar ura e re mbi lumin Ibër për automjete, e nga sot edhe për këmbësorët.

“Më 2 korrik 2025 kemi vënë gurthemelin për urën për automjete, më 26 gusht e kemi përfunduar dhe lëshuar për qarkullim, për gjithsej 54 ditë me afat rekord është realizuar. Këtë hapësirë mbi lumin Ibër do ta shfrytëzojnë të gjithë qytetarët pa dallim jug e veri”, tha Durmishi.

Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Faton Peci tha se përfundimisht qyteti po merr drejtimin e duhur me angazhimin e kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit.

“Përfundimisht Mitrovica po merr drejtimin e duhur dhe urat që kanë mision dhe janë sinonim i bashkimit po marrin drejtimin e duhur, mirëpo kjo është realizuar shkak i angazhimit të kryeministrit Kurti. Nga periudha e pas luftës, fatkeqësisht Mitrovica nga institucionet qendrore, në vazhdimësi është pa si problem i mitrovicasve dhe në këta katër vjet e gjysmë të fundit kemi vëmendjen e institucioneve qendrorë”, tha Peci.

Gurthemeli për urën e re mbi lumin Ibër në Mitrovicë është vendosur më 2 korrik, ndërsa nga sot e gëzojnë qytetarët për automjete dhe kalim.

Komuna e Mitrovicës themelon Ekipin Mjekësor Geriatrik Mobil për kujdesin ndaj të moshuarve

17 December 2025 at 16:08


Komuna e Mitrovicës ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm në përmirësimin e shërbimeve shëndetësore dhe sociale për qytetarët e moshuar, duke themeluar Ekipin Mjekësor Geriatrik Mobil.

Vendimi është marrë nga kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, i cili me vendimin e tij të dytë ka funksionalizuar këtë shërbim të ri dhe unik në kuadër të Qendrës së Mjekësisë Familjare.

Për herë të parë në Mitrovicë, një ekip i specializuar geriatrik do të ofrojë shërbime mjekësore të drejtpërdrejta për personat mbi moshën 65 vjeç, veçanërisht për ata që vuajnë nga sëmundje kronike apo kanë kufizime fizike.

Sipas njoftimit të komunës, Ekipi Geriatrik Mobil do të ofrojë trajtim mjekësor, si dhe mbështetje fizike, psikologjike dhe sociale, duke synuar që shërbimet shëndetësore t’u afrohen sa më shumë të moshuarve dhe të kontribuohet në rritjen e cilësisë së jetës së tyre.

Kryetari Peci ka theksuar rëndësinë e këtij projekti, duke vlerësuar kontributin e brezit të moshuar në ndërtimin e qytetit. “

Mundi i tyre janë rrënjët mbi të cilat qëndron qyteti, dhe ne ua kemi borxh minimumin, të kujdesemi për ta”, ka deklaruar ai.

Nga Komuna e Mitrovicës bëhet e ditur se ky shërbim do të vazhdojë të zhvillohet edhe më tej, me synimin për të ndërtuar një sistem më gjithëpërfshirës dhe më të afërt të kujdesit për të moshuarit. /Telegrafi/


Autobusë që lidhin jugun dhe veriun e Mitrovicës, Hysen Durmishi jep detajet

17 December 2025 at 10:24


Ushtruesi i detyrës së Ministrit në Detyrë të Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka njoftuar shpalljen e thirrjes për aplikim për transportin publik që do të lidhë jugun dhe veriun e Mitrovicës.

“Lajmet e mira për Republikën, e sidomos për Mitrovicën, nuk kanë të ndalur. Sot kemi shpallur thirrjen për aplikim për transportin publik që do ta subvencionojmë, me qëllim që të lidhim edhe më shumë njerëzit dhe ta bashkojmë edhe më fort Jugun me Veriun”, ka shkruar Durmishi.

Durmishi sqaroi gjithashtu rrjetin e linjave.

“Do të ketë linja autobusi nga Mitrovica e Jugut për në Leposaviq e deri në Jarinjë, për në Zubin Potok e deri në Bërnjak, nga Jugu i Mitrovicës për te Kroi i Vitakut dhe në Zhazhë, Bistricë e Cerajë, si dhe nga Mitrovica e Jugut për në Banjskë dhe fshatrat e tjera të Zveçanit, dhe anasjelltas”, tha ai.

Durmishi ka shtuar se kjo është lëvizje e lirë, bashkim i qyteteve e bashkim i njerëzve. /Telegrafi/


KRM “Uniteti” vazhdon pastrimin e rrugëve dhe trotuareve në Mitrovicë

16 December 2025 at 22:24


Punëtorët e Kompanisë Rajonale të Mbeturinave “Uniteti” kanë vazhduar aktivitetet e rregullta për mirëmbajtjen dhe pastrimin e hapësirave publike në qytetin e Mitrovicës.

Sipas njoftimit të kompanisë, gjatë ditës janë realizuar punime për fshirjen dhe pastrimin e rrugëve dhe trotuareve në disa pjesë të qytetit, me qëllim ruajtjen e pastërtisë dhe përmirësimin e mjedisit urban.

Nga KRM “Uniteti” bëjnë të ditur se këto aktivitete do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, në kuadër të angazhimeve të përditshme për ofrimin e shërbimeve sa më cilësore për qytetarët e Mitrovicës. /Telegrafi/


Komuna e Skenderajt shpall konkurs për 120 bursa studentore

16 December 2025 at 20:35


Drejtoria për Arsim në Komunën e Skenderajt ka shpallur zyrtarisht konkursin për ndarjen e bursave për studentët e kësaj komune për vitin akademik 2025/2026.

Konkursi është shpallur duke u bazuar në Nenin 62, paragrafi 3 të Ligjit Nr. 03/L-040 për Vetëqeverisjen Lokale, si dhe në nenin 8 të Rregullores për ndarjen e subvencioneve nr. 01-400/01-0051689/20 të datës 04.12.2020, e miratuar nga Kuvendi Komunal i Skenderajt.

Sipas njoftimit zyrtar, këtë vit është shënuar rritje e numrit të bursave studentore. Për dallim nga vitet e kaluara, kur ndaheshin 100 bursa, këtë vit Komuna e Skenderajt do të ndajë gjithsej 120 bursa për studentët që studiojnë në universitetet publike të Kosovës.

Ky vendim synon të mbështesë më shumë studentë dhe të lehtësojë barrën financiare për familjet e tyre, duke nxitur njëkohësisht arsimimin dhe përkushtimin akademik të të rinjve të komunës. /Telegrafi/


KRU “Mitrovica” nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me GIZ: Rriten kapacitetet institucionale dhe shërbimet për qytetarët

16 December 2025 at 20:10


KRU “Mitrovica” ka njoftuar se dje ka nënshkruar një Marrëveshje Bashkëpunimi me Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt forcimit të kapaciteteve institucionale dhe përmirësimit të shërbimeve për konsumatorët.

Marrëveshja përfshin fusha kyçe, duke përfshirë ndërtimin e kapaciteteve institucionale, trajnime profesionale, avancimin e procedurave dhe rregulloreve të brendshme, zhvillimin e burimeve njerëzore, si dhe ofrimin e mbështetjes ligjore.

Ajo gjithashtu parashikon organizimin e sesioneve informuese dhe aktiviteteve të ndërveprimit me komunitetin, për të rritur transparencën dhe për të përmirësuar komunikimin me palët e interesit.

Ky bashkëpunim konsiderohet një partneritet strategjik që synon zbatimin e praktikave më të mira ndërkombëtare në fushën e shërbimeve publike, duke kontribuar në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve për qytetarët e Mitrovicës. /Telegrafi/


KRU Mitrovica paralajmëron ndërprerje të përkohshme të ujit gjatë punimeve në rrjet

15 December 2025 at 10:49


Kompania Rajonale e Ujësjellësit dhe Kanalizimit Mitrovica ka njoftuar se ekipet e mirëmbajtjes do të kryejnë punime të planifikuara në disa lokacione të qytetit dhe fshatrave përreth.

Punime në rrjetin e ujësjellësit do të zhvillohen në rrugët “Adem Voca”, “Bajo Topulli”, në fshatrat Vërnicë, Shupkofc dhe Kqiç, si dhe në lagjen “Kodra e Minatorëve”.

Ndërkohë, punime në rrjetin e kanalizimit janë planifikuar në rrugët “Mbretëresha Teuta”, “Ali Pashë Tepelena”, lagjen “3 Korriku” dhe fshatin Kqiç i Madh.

KRU Mitrovica bën të ditur se gjatë kohës së punimeve në rrjetin e ujësjellësit mund të ketë ndërprerje të përkohshme të furnizimit me ujë të pijshëm në zonat përkatëse.

Nga kompania kërkojnë mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e qytetarëve për çdo shqetësim të mundshëm gjatë zhvillimit të punimeve. /Telegrafi/


❌
❌