Me vendim të Kryetarit të Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, Mujë Igrishta është emëruar në pozitën e Drejtorit të Inspekcionit Komunal.
Në një postim në Facebook, Igrishta ka theksuar përkushtimin e tij ndaj detyrës.
“Angazhohem që këtë detyrë ta ushtroj me përgjegjësi të plotë para Zotit, me integritet dhe profesionalizëm, në përputhje me legjislacionin në fuqi, dhe në shërbim të interesit publik të qytetarëve, duke garantuar paanshmëri dhe transparencë në çdo veprim”, thuhet në postimin e tij.
Ai gjithashtu shprehu falënderimin për Kryetarin e Komunës për besimin e dhënë: “Shpreh falënderimin dhe mirënjohjen time të thellë për Kryetarin e Komunës, Faton Peci, për besimin e dhënë. Me përkushtim ndaj detyrës dhe bashkëpunim institucional, besoj se do të arrijmë rezultate konkrete në dobi të qytetarëve".
Igrishta përfundoi mesazhin me një premtim simbolik për qytetarët: “Na priftë e mbara e dalshim faqebardhë”. /Telegrafi/
Enis Osmani është emëruar Nënkryetar i Komunës së Mitrovicës së Jugut, duke marrë një rol të ri udhëheqës në qeverisjen lokale. Lajmin e ka bërë të ditur vetë Osmani përmes një postimi në Facebook, ku ka theksuar përgjegjësinë dhe angazhimin e tij për shërbim ndaj qytetarëve.
“Me ndjenjë të lartë të përgjegjësisë, ju njoftoj se jam emëruar Nënkryetar i Komunës së Mitrovicës së Jugut. Ky emërim përfaqëson nderin më të madh të jetës sime dhe njëkohësisht obligimin për t’i shërbyer interesit publik, duke ofruar qeverisje të mirë të bazuar në transparencë dhe llogaridhënie ndaj qytetarit”, ka shkruar Osmani.
Ai ka shprehur mirënjohje të veçantë ndaj Kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, për besimin e dhënë. “Në mënyrë të veçantë, shpreh mirënjohjen time të madhe për mikun tim, Kryetarin e Komunës, Faton Peci, për besimin e dhënë dhe për mundësinë që të punojmë së bashku për realizimin e projekteve zhvillimore për Mitrovicën”, ka theksuar ai.
Osmani ka vlerësuar bashkëpunimin e deritanishëm me kryetarin Peci, duke nënvizuar se ky partneritet është ndërtuar mbi korrektësi dhe sinqeritet për më shumë se një dekadë. Ai ka shprehur bindjen se “vizoni, përvoja dhe lidershipi i tij janë një garancë e fortë për zhvillimin e madh të qytetit”.
Në mesazhin e tij, Nënkryetari i ri ka theksuar se qeverisja e mirë është një kontratë me qytetarët. “Unë besoj se qeverisja e mirë nuk është vetëm përgjegjësi institucionale, por një kontratë me qytetarët për shërbime cilësore komunale dhe për realizimin e projekteve që përmirësojnë mirëqenien e të gjithë qytetarëve”, ka deklaruar Osmani.
Ai ka shtuar se çdo veprim i tij do të udhëhiqet nga interesi publik dhe përgjegjësia për vendimmarrje në dobi të qytetarëve, duke falënderuar njëkohësisht për mbështetjen dhe besimin e treguar. /Telegrafi/
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, ka marrë sot vendim për rrënimin dhe lirimin e hapësirës publike në zonën e Stacionit të Autobusëve në Mitrovicë.
Nga Komuna e Mitrovicës bëhet e ditur se ky vendim është pjesë e angazhimit të vazhdueshëm të kryetarit Peci për mbrojtjen e interesit publik dhe zbatimin e ligjit.
Me këtë rast, ai ka theksuar se institucionet komunale do të vazhdojnë me veprime konkrete për rikthimin e hapësirave publike në shërbim të qytetarëve.
“Aksione të tilla do të vazhdojnë deri në lirimin e plotë të të gjitha hapësirave publike të uzurpuara”, është shprehur kryetari Peci.
Po ashtu, kryetari i Komunës u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos shfrytëzojnë në mënyrë të kundërligjshme hapësirat publike, duke paralajmëruar se çdo shkelje do të trajtohet në përputhje me legjislacionin në fuqi.
“Çdo shfrytëzim i paligjshëm i hapësirave publike do të trajtohet sipas ligjit”, ka theksuar ai.
Komuna e Mitrovicës ka bërë të ditur se do të vazhdojë me masa dhe aksione të ngjashme edhe në zona të tjera të qytetit, me qëllim të ruajtjes së rendit urban dhe interesit të përgjithshëm të qytetarëve. /Telegrafi/
Komuna e Mitrovicës ka njoftuar se nga sot, më 12 janar 2026, ka filluar procesi i aplikimit për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet e fundit, në ekonomitë familjare dhe në biznese.
Sipas njoftimit zyrtar, të gjithë qytetarët e prekur nga vërshimet ftohen që, brenda afatit të përcaktuar, të paraqesin kërkesën e tyre pranë Zyrës Pritëse – Qendrës për Shërbime të Qytetarëve në Komunën e Mitrovicës.
“Qytetarët e dëmtuar nga vërshimet duhet të dorëzojnë aplikacionin me dokumentacionin përkatës, në mënyrë që të realizohet procesi i vlerësimit të dëmeve në terren”, thuhet në njoftimin e komunës.
Dokumentacioni i nevojshëm për aplikim përfshin formularin e aplikimit, të dhënat personale të aplikuesit, kopjen e letërnjoftimit, numrin e anëtarëve të familjes, adresën e objektit të dëmtuar, fotografi që dëshmojnë gjendjen reale të dëmeve, konfirmimin e llogarisë bankare si dhe çdo dokument shtesë që vërteton pronësinë ose dëmin e pësuar.
Afati i fundit për dorëzimin e kërkesave është 26 janari 2026, ndërsa aplikimet pranohen në Zyrën Pritëse të Komunës së Mitrovicës, në katin e parë. /Telegrafi/
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, ka bërë të ditur se po përcjell nga afër punimet për pastrimin e rrugëve në zonat malore të Shalës së Bajgorës, përkundër temperaturave shumë të ulëta.
Sipas Pecit, në fshatin Kovaçicë temperaturat kanë zbritur deri në -14 gradë Celsius, ndërsa ekipet komunale po angazhohen për të siguruar qarkullim sa më normal në rrugë.
Ai theksoi se Komuna po përballet njëkohësisht me sfida të ndryshme në territorin e saj, përfshirë vërshimet në zonat urbane dhe pastrimin e borës në viset malore.
“Në Kovaçicë, ku temperatura në këto momente po shënon -14 gradë, nga afër po e ndjek ecurinë e pastrimit të rrugëve në Shalën e Bajgorës, në këto ditë tejet sfiduese ku në qytet po përballemi me vërshime e në vise malore me pastrimin e borës”, ka deklaruar Peci.
Ai ka shtuar se institucionet komunale mbeten të angazhuara për të qenë pranë qytetarëve në çdo rrethanë. “Në shërbim të qytetarëve në çdo situatë”, ka theksuar kryetari i Mitrovicës.
Komuna e Mitrovicës ka bërë të ditur se ekipet përkatëse janë në terren dhe po vazhdojnë punën për mirëmbajtjen e rrugëve dhe menaxhimin e situatës, në varësi të kushteve atmosferike. /Telegrafi/
Gjendje e rënduar si pasojë e vërshimeve nga reshjet e shiut po vazhdon edhe sot në qytetin e Mitrovicës.
Në lagjen 2 Korriku janë evakuuar 10 familje. Pas pak pritet të evakuohen edhe disa familje në fshatin Lisicë, si dhe një familje në fshatin Kçiq, e cila ka kërkuar ndihmën e zjarrfikësve.
Ndërkohë, reduktimet e ujit janë rikthyer, ndërsa spitali i qytetit po furnizohet me ujë nga Shërbimi i Zjarrfikësve.
Për RTK-në, kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, ka deklaruar se shtabi emergjent është 24 orë në krye të detyrës dhe po identifikon nevojat e qytetarëve në të gjitha zonat.
Peci tha se të gjitha familjet që po evakuohen do të strehohen, ndërsa shprehu pritjen që gjatë ditës të ketë normalizim të situatës, duke iu referuar daljes nga shtrati të lumenjve Sitnica, Ibri dhe Lushta.
Kryeshefi i KRU “Mitrovica”, Bashkim Kurti, i ka thënë RTK-së se para një ore është rikthyer furnizimi me ujë, megjithatë ky ujë nuk rekomandohet për pije, por vetëm për nevoja sanitare.
“Në orën 9:00 ka rifilluar trajtimi i ujit me kapacitete të reduktuara, për shkak të turbullirës ende të lartë, me shpresë që të kthehemi në normalitet pas uljes së saj”, ka thënë Kurti për RTK-në. /Telegrafi/
Pas reshjeve të dendura të shiut, kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, ka qenë në terren për të vlerësuar gjendjen aktuale së bashku me zyrtarë nga Drejtoria për Menaxhimin e Emergjencave.
“Ne si komunë do të jemi pranë qytetarëve dhe me gjithë mekanizmin në dispozicion. Pas vlerësimit të situatës nga terreni, po marrim të gjitha masat e nevojshme për intervenim”, tha Peci në një postim në Facebook.
Ai theksoi se në të ardhmen, çdo projekt i investuar nga Komuna do të planifikohet në mënyrë adekuate për të minimizuar në maksimum rreziqet e tilla potenciale.
“Qytetarët të jenë të qetë, gjendja është nën kontroll dhe drejt përmirësimit”, shtoi kryetari i Mitrovicës.
Komuna e Mitrovicës paralajmëron se do të vazhdojë të monitorojë situatën dhe të ndërhyjë në kohë reale për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe të pronave. /Telegrafi/
Njësia Operative e KRU “Mitrovica” në Mitrovicën e Veriut po vazhdon me punë intensive të mirëmbajtjes në rrjetin e ujësjellësit, duke u fokusuar kryesisht në sanimin e rrjedhjeve dhe defekteve të evidentuara në pjesë të ndryshme të qytetit.
Ekipet teknike të KRU-së po ndërhyjnë në kohë reale për të parandaluar humbjet e ujit dhe për të garantuar furnizim të qëndrueshëm për konsumatorët.
Sipas njoftimit të kompanisë, këto ndërhyrje janë pjesë e përkushtimit të përditshëm për:
Përmirësimin e cilësisë së shërbimeve;
Ruajtjen e ujit të pijes;
Zvogëlimin e humbjeve të ujit;
Rritjen e sigurisë dhe besueshmërisë së rrjetit.
KRU “Mitrovica” Sh.A. thekson se përmes punës së vazhdueshme në terren dhe reagimit të shpejtë ndaj defekteve, qëllimi është të ofrohen shërbime cilësore dhe të besueshme për të gjithë konsumatorët. /Telegrafi/
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, ka njoftuar se objekti i Komunës do të pajiset përfundimisht me ashensor, duke krijuar kushte më të mira të qasjes për personat me nevoja të veçanta.
Përmes një njoftimi publik, Peci theksoi se instalimi i ashensorit do të mundësojë lëvizje më të lehtë dhe më të sigurt për qytetarët që kanë vështirësi në qasje, duke e bërë institucionin komunal më gjithëpërfshirës dhe më të qasshëm për të gjithë.
Ky projekt, sipas tij, është pjesë e angazhimit të Komunës së Mitrovicës për përmirësimin e infrastrukturës publike dhe respektimin e standardeve të qasjes universale.
“Nuk ndalemi”, ka shkruar kryetari Peci, duke sinjalizuar vazhdimin e investimeve dhe projekteve që synojnë rritjen e cilësisë së shërbimeve për qytetarët e Mitrovicës. /Telegrafi/
Në spitalin “Dr. Sami Haxhibeqiri” të Mitrovicës së Jugut, sot më 24.12.2025 është hapur barnatorja qendrore e cila kishte filluar të ndërtohej para një viti.
Kështu ka njoftuar ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia.
Ai tha se kur e morën përgjegjësinë e qeverisjes në kohë pandemie, gjetën një gjendje alarmante në shëndetësi.
“QKUK-ja pa depo të duhur për ruajtjen e vaksinave, Kosova pa depo qendrore të barnave dhe spitalet publike pa kushte adekuate për ruajtjen e tyre”- shkroi ai në rrjetin social Facebook.
Në një përgjigje për KALLXO.com, ushtruesi i detyrës së drejtorit të spitalit, Gëzim Berisha theksoi se deri më tani ka qenë procedurat për t’u pajisur me inventar kjo depo e barnave.
“Deri tash kemi qenë në procedurë për ta blerë inventarin dhe pajisjet që janë brenda, e të cilat i ka blerë ShSKUK-ja. Tash kanë përfunduar procedurat”- tha Berisha.
Më 28.10.2024, Ministria e Shëndetësisë kishte filluar punimet për ndërtimin e Barnatores Qendrore në Spitalin “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë të Jugut.
Ndërsa më 20.11.2024, kjo komunë kishte ndërprerë punimet me arsyetimin se “Ministria nuk kishte marrë leje për ndërtim”.
Po në këtë ditë, Vitia, kishte njoftuar se ky projekt po vazhdon me intensitet dhe se ai do të sigurojë kushte optimale për ruajtjen dhe qëndrueshmërinë e produkteve medicinale.
Mirëpo intensitetin e vazhdimin e punimeve e kishte ndërprerë Drejtoria e Inspeksionit e Komunës së Mitrovicës së Jugut me arsyetimin se nuk është kërkuar leje për këtë ndërtim.
Kështu tha për KALLXO.com ish drejtori i Inspeksionit në këtë Komunë, Valon Brahimi.
“Është objekt që bën pjesë në kategorinë e parë dhe ne në bazë të Ligjit për ndërtim e kemi obligim me e mbikëqyr. Ka qenë vizitë rutinore, kemi hasur që është duke u ndërtuar pa leje ndërtimi dhe i kemi ndërprerë punimet. E kemi obliguar palën që në afat të caktuar me u pajisë me leje pranë Drejtorisë së Urbanizimit”- kishte thënë ai.
Më 16.06.2025, për punimet rreth përfundimit të objektit të depos farmaceutike, Spitali i Mitrovicës, ka shpërblyer me kontratë N.N.P “Hysnia” Vushtrri, në vlerë totale të ofertës, 23 mijë euro e 275 euro e 50 cent.
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, ka pritur në takim Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, me të cilin ka diskutuar për bashkëpunimin dhe projektet zhvillimore me interes për qytetin.
Gjatë takimit, palët u fokusuan në projekte konkrete zhvillimore, me theks të veçantë në investime strategjike që synojnë zhvillim të qëndrueshëm dhe përmirësim të mirëqenies së qytetarëve të Mitrovicës.
“Kemi synim që Mitrovica të jetë në fokus të komunitetit të donatorëve për investime strategjike si asnjëherë më parë”, ka theksuar kryetari Peci, duke ritheksuar angazhimin e tij që qyteti të jetë pjesë aktive e projekteve dhe iniciativave ndërkombëtare.
Nga ana e saj, Komuna e Mitrovicës ka bërë të ditur se mbetet e përkushtuar për forcimin e partneriteteve ndërkombëtare, me qëllim nxitjen e zhvillimit lokal dhe realizimin e projekteve në interes të përgjithshëm publik. /Telegrafi/
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, ka bërë të ditur se çdo të premte do t’i dedikohet qytetarëve për takime të drejtpërdrejta, duke dëgjuar shqetësimet dhe nevojat e tyre.
“Çdo hall dëgjohet dhe, me mundësi financiare e bazë ligjore, do të adresohet”, shkroi Peci, duke theksuar rëndësinë e kontaktit të drejtpërdrejtë me qytetarët, përcjell Telegrafi.
Ai shtoi se këto takime do të jenë të hapura për të gjithë banorët nga çdo lagje, fshat dhe lokalitet i komunës: “Çdo të premte, do t’ia dedikoj secilit qytetar nga secila lagje, secili fshat e secili lokalitet”.
Qytetarët mund të caktojnë termin për takim përmes kabinetit të kryetarit në numrin 038 200 420 00.
Kjo nismë synon të forcojë bashkëpunimin mes pushtetit lokal dhe komunitetit, duke garantuar që nevojat e qytetarëve trajtohen me përgjegjësi dhe transparencë. /Telegrafi/
Mitrovica e Jugut ka vendosur që sektori i Gjendjes Civile të ofrojë shërbime për qytetarët edhe gjatë vikendeve, në periudhën kur mërgata viziton Kosovën në numër të madh.
Kryetari i Komunës, Faton Peci, tha për këtë iniciativë: "Sot mora vendimin për ofrimin e shërbimeve për qytetarët nga Komuna e Mitrovicës edhe gjatë vikendit. Duke marrë parasysh që në këtë periudhë, kur mërgata në numër të madh viziton Kosovën, Sektori i Gjendjes Civile do të jetë në shërbim të tyre edhe gjatë vikendit".
Ai theksoi se vendimi hyn në fuqi nga data 20 dhjetor 2025 dhe do të zgjasë deri më 4 janar 2026, me orar pune nga ora 08:00 deri në 12:00.
"Ky vendim ka për qëllim të lehtësojë shërbimet administrative dhe të sigurojë që qytetarët, veçanërisht ata që vijnë nga diaspora, të kenë qasje të shpejtë dhe të rregullt në shërbimet komunale", thuhet më tej në postimin e Pecit.
Komuna e Mitrovicës së Jugut apelon tek qytetarët që të përfitojnë nga ky shërbim i zgjeruar dhe të respektojnë orarin e caktuar për marrjen e dokumenteve dhe shërbimeve të tjera administrative. /Telegrafi/
Në Mitrovicë është inauguruar ura e re për këmbësorë mbi lumin Ibër, në një ceremoni ku morën pjesë kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, si dhe ushtruesi i detyrës së ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durimishi.
Sipas njoftimit të Komunës, kjo vepër infrastrukturore përfaqëson një investim të rëndësishëm për qytetin, duke rritur sigurinë e këmbësorëve, përmirësuar lidhshmërinë urbane dhe kontribuar në zhvillimin e përgjithshëm të Mitrovicës.
Pas inaugurimit, kryeministri Kurti vizitoi Komunën e Mitrovicës, ku zhvilloi një takim me kryetarin Peci. Me këtë rast, Kurti e uroi Pecin për marrjen e detyrës së re si kryetar i komunës dhe shprehu gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për bashkëpunim të ngushtë institucional në realizimin e projekteve me rëndësi për qytetin.
Gjatë takimit u diskutua për prioritetet zhvillimore të Mitrovicës, projektet infrastrukturore në proces dhe nevojën për koordinim më të madh ndërmjet nivelit lokal dhe atij qendror, me synimin për përmirësimin e shërbimeve publike dhe rritjen e mirëqenies së qytetarëve.
Nga Komuna e Mitrovicës u theksua se do të vazhdojë angazhimi për ndërtimin e partneriteteve të qëndrueshme me institucionet qendrore dhe për realizimin e projekteve që sjellin zhvillim të qëndrueshëm dhe përfitime konkrete për qytetarët. /Telegrafi/
Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, ka bërë të ditur se sot është inauguruar ura e re për këmbësorë mbi lumin Ibër, në prani të Kryeministrit në detyrë të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, dhe ushtruesit të detyrës së ministrit të MMPHI-së, Hysen Durimishi.
Përmes një postimi në Facebook, Peci e ka cilësuar këtë projekt si një vepër të rëndësishme infrastrukturore për qytetin, duke theksuar se ura simbolizon bashkimin dhe zhvillimin urban të Mitrovicës.
“Përfundimisht Mitrovica po merr drejtimin e duhur dhe urat që kanë mision dhe janë sinonim i bashkimit po marrin drejtimin e duhur. Kjo është realizuar falë angazhimit të kryeministrit Kurti”, ka deklaruar Peci.
Ai ka shtuar se pas luftës, Mitrovica për një kohë të gjatë nuk ka pasur vëmendjen e duhur nga institucionet qendrore, ndërsa sipas tij, në katër vjetët e gjysmë të fundit kjo qasje ka ndryshuar dukshëm.
“Fatkeqësisht, për një periudhë të gjatë Mitrovica është parë si problem i mitrovicasve. Ndërsa në këta katër vjet e gjysmë të fundit kemi pasur vëmendje të shtuar dhe konkrete nga institucionet qendrore”, është shprehur kryetari i Mitrovicës së Jugut.
Ura e re për këmbësorë pritet të lehtësojë lëvizjen e qytetarëve dhe të kontribuojë në përmirësimin e lidhjes urbane në qytet. /Telegrafi/
Komuna e Mitrovicës ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm në përmirësimin e shërbimeve shëndetësore dhe sociale për qytetarët e moshuar, duke themeluar Ekipin Mjekësor Geriatrik Mobil.
Vendimi është marrë nga kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, i cili me vendimin e tij të dytë ka funksionalizuar këtë shërbim të ri dhe unik në kuadër të Qendrës së Mjekësisë Familjare.
Për herë të parë në Mitrovicë, një ekip i specializuar geriatrik do të ofrojë shërbime mjekësore të drejtpërdrejta për personat mbi moshën 65 vjeç, veçanërisht për ata që vuajnë nga sëmundje kronike apo kanë kufizime fizike.
Sipas njoftimit të komunës, Ekipi Geriatrik Mobil do të ofrojë trajtim mjekësor, si dhe mbështetje fizike, psikologjike dhe sociale, duke synuar që shërbimet shëndetësore t’u afrohen sa më shumë të moshuarve dhe të kontribuohet në rritjen e cilësisë së jetës së tyre.
Kryetari Peci ka theksuar rëndësinë e këtij projekti, duke vlerësuar kontributin e brezit të moshuar në ndërtimin e qytetit. “
Mundi i tyre janë rrënjët mbi të cilat qëndron qyteti, dhe ne ua kemi borxh minimumin, të kujdesemi për ta”, ka deklaruar ai.
Nga Komuna e Mitrovicës bëhet e ditur se ky shërbim do të vazhdojë të zhvillohet edhe më tej, me synimin për të ndërtuar një sistem më gjithëpërfshirës dhe më të afërt të kujdesit për të moshuarit. /Telegrafi/
Kryetari i Mitrovicës, Faton Peci ka thënë se vendimi i tij i parë si kryetar është themelimi i komisionit për Identifikimin e Nevojave për Fëmijët me Nevoja të Veçanta Arsimore.
Ai në një postim në Facebook shkruan se pasqyra më e mirë e një shoqërie është se si iu qaset këtyre kategorive.
Lexoni të plotë postimin:
Vendimi i parë si kryetar që e mora është themelimi i komisionit për Identifikimin e Nevojave për Fëmijët me Nevoja të Veçanta Arsimore.
Ky komision do identifikojë me saktësi nevojat e nxënësve, me fokus ata me vështirësi në të nxënë dhe me nevoja të veçanta.
Pasqyra më e mirë e një shoqërie është se si iu qaset këtyre kategorive./Telegrafi/
Pas vizitës që ia bëri sot presidentja e vendit, Vjosa Osmani ish bashkpartiakut të saj Faton Peci i cili tashmë udhëheq më Komunën e Mitrovicës, ka reaguar ish-deputeti Avdullah Hoti.
Hoti përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se kur Presidentja zgjedh kë të urojë sipas afërsisë partiake “Zyra e Presidentit shndërrohet në zyrë politike”.
Ai tha se shkuarja në Mitrovicë për ta uruar ish-bashkëthemeluesin e partisë është shkelje e hapur e rolit kushtetues.
“Kjo Presidente nuk përfaqëson unitet, por favorizime dhe përçarje”, ka shkruar ndër të tjera Hoti. /Telegrafi/
Në Qendrën e Kulturës “Rexhep Mitrovica” është mbajtur sot mbledhja inauguruese e Kuvendit Komunal, ku Faton Peci ka dhënë betimin dhe ka marrë zyrtarisht detyrën e kryetarit të Komunës së Mitrovicës për mandatin e ardhshëm katërvjeçar.
Mbledhja është udhëhequr nga anëtari më i vjetër i Kuvendit, Naser Muja, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje. Në këtë seancë kanë bërë betimin solemn edhe 30 anëtarët e rinj të Kuvendit, të zgjedhur në zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025.
Pas betimit, kryetari Peci u shpreh mirënjohës për besimin e dhënë nga qytetarët e Mitrovicës, duke theksuar peshën e madhe të përgjegjësisë që merr përsipër.
“Mitrovica, ky qytet i historisë, krenarisë, rezistencës, vuajtjes e mosdorëzimit, këtë vit ka bërë për mua maksimumin e mundshëm. Përgjegjësia për mua është tepër e lartë. Nga sot dera ime është e hapur për secilin, me apo pa protokoll”, deklaroi Peci.
Ai shtoi se do të punojë “me ndershmëri, me zemër, me durim e me drejtësi”, duke apeluar për dashuri dhe përkushtim ndaj qytetit.
“Na duhet dashni për qytetin, na duhet kujdes, na duhet përkushtim, sepse Mitrovica është jo vetëm qyteti ynë, por edhe zemra e Kosovës”, tha kryetari i ri.
Pas ceremonisë së betimit, është kryer edhe dorëzimi zyrtar i detyrës, ku Faton Peci ka pranuar postin nga ish-kryetari Bedri Hamza, duke shënuar kështu fillimin e mandatit të tij si udhëheqës i Komunës së Mitrovicës.
Në një ceremoni solemne të mbajtur sot në Qendrën e Kulturës “Rexhep Mitrovica”, Faton Peci dha betimin dhe mori zyrtarisht detyrën si Kryetar i Komunës së Mitrovicës për katër vitet e ardhshme.
Mbledhjen inauguruese e udhëhoqi anëtari më i vjetër i Kuvendit, Naser Muja nga Lëvizja Vetëvendosje, ndërsa në këtë seancë u bë edhe betimi i 30 anëtarëve të Kuvendit, të zgjedhur në zgjedhjet lokale të mbajtura më 12 tetor 2025.
Në fjalimin e tij pas betimit, kryetari Peci shprehu mirënjohje për besimin që qytetarët i kanë dhënë dhe theksoi përgjegjësinë e madhe që vjen me këtë detyrë.
Ai theksoi se dera e tij do të jetë e hapur për të gjithë qytetarët, pa dallime apo protokolle, dhe premtoi të punojë me ndershmëri, zemër, durim dhe drejtësi.
“Na duhet dashni për qytetin, na duhet kujdes, na duhet përkushtim, sepse Mitrovica është jo vetëm qyteti ynë, por edhe zemra e Kosovës”, tha Peci, duke theksuar përkushtimin e tij ndaj komunitetit dhe zhvillimit të qytetit.
Ceremonia përfundoi me dorëzimin dhe pranimin e detyrës, ku Faton Peci e mori zyrtarisht drejtimin e komunës nga ish-kryetari Bedri Hamza.
Në këtë mënyrë, Mitrovica fillon një kapitull të ri me udhëheqësin e ri, i cili premton qeverisje të hapur dhe angazhim të drejtpërdrejtë ndaj qytetarëve. /Telegrafi/