Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) ka reaguar me rastin e Ditës së Veteranëve të UÇK-së, duke bërë thirrje për reflektim shtetëror, respekt institucional dhe përulje ndaj sakrificës së atyre që e sollën lirinë.
Në reagimin e publikuar në Facebook, OVL-UÇK ka kritikuar qeverinë për mosdhënien e pensioneve meritorë veteranëve dhe për trajtim të nënçmuar të tyre.
“Për pesë vite me radhë, ky pushtet e la luftëtarin e UÇK-së pa pension meritor, duke e nënçmuar dinjitetin e atij që rrezikoi jetën për liri. Kjo u bë me vetëdije dhe me hile politike, në bashkëpunim me Listën Serbe”, thuhet në reagim.
Organizata ka përmendur gjithashtu tolerimin e deklaratave fyese dhe përçmuese ndaj veteranëve, si dhe trajtimin e tyre si barrë, pa mbrojtje shtetërore.
Sipas OVL-UÇK, u tha publikisht se “më mirë të paguheshin mercenarët, sesa ata që e çliruan vendin”, duke e quajtur këtë politikë të qëllimshme dhe të organizuar kundër UÇK-së.
OVL-UÇK ka theksuar se edhe në këtë Ditë të Veteranëve, institucionet nuk kanë zhvilluar asnjë aktivitet simbolik, asnjë vizitë te varret e dëshmorëve, duke e cilësuar këtë heshtje si një qëndrim politik që tregon përpjekjen e shtetit për të “shkëputur lidhjen me luftën që e solli në jetë”.
“Kosova nuk ka lindur nga neutraliteti, as nga administrata, as nga konferencat, por nga gjaku i dëshmorëve dhe sakrifica e veteranëve të UÇK-së”./Telegrafi.
Kosova ka përmbyllur të dielën procesin e votimit për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ndërsa vëmendja tashmë është përqendruar te formimi i institucioneve të reja.
Lidhur me këtë proces, është deklaruar edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë.
Në një përgjigje për Telegrafin, një zëdhënës i ambasadës ka thënë se SHBA-ja pret të bashkëpunojë me qeverinë e ardhshme të Kosovës.
“Ne mezi presim të punojmë me qeverinë e ardhshme mbi prioritetet e përbashkëta të paqes rajonale, stabilitetit dhe prosperitetit të ndërsjellë ekonomik”, ka deklaruar zëdhënësi i Ambasadës së SHBA-së.
Sipas rezultateve preliminare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), Lëvizja Vetëvendosje është renditur e para me 49.34 për qind të votave, apo 433 mijë e 394 vota.
Në vendin e dytë është Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 20.98 për qind, apo 184 mijë e 318 vota, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka siguruar 13.57 për qind të votave, përkatësisht 119 mijë e 201 vota.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka arritur ta kalojë pragun zgjedhor me 5.66 për qind, apo 49 mijë e 698 vota.
Këto zgjedhje janë të katërtat brenda vitit 2025.
Dy herë u votua për Kuvendin e Kosovës, pasi nga zgjedhjet e 9 shkurtit nuk u arrit formimi i institucioneve të reja, ndërsa dy herë të tjera qytetarët votuan në zgjedhjet lokale, në rundin e parë dhe atë të balotazhit.
Pas një bllokade totale njëvjeçare, më në fund vendi po duket se po shkon drejt një zgjidhjeje.
Zgjedhjet përfunduan, qytetarët votuan dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve publikoi në kohë rekord rezultatet e para preliminare.
Vetëm 2–3 orë pas përfundimit të votimit, Kosova kishte tashmë rezultatet fillestare, çka përbën një shembull të organizimit të mirë, procesit demokratik dhe një dite zgjedhore pa incidente serioze që do ta cenonin integritetin e procesit.
Por, çfarë sollën rezultatet e djeshme dhe cila është situata politike?
Qytetarët ia dhanë Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje edhe një mandat për të qeverisur.
Me 56 deputetë nga LVV, GUXO, Alternativa dhe PShDK, Kurtit i duhen vetëm edhe 5 vota nga komunitetet jo-shumicë për të formuar qeverinë. Nëse këto vota sigurohen pa Duda Baljen dhe Adem Hoxhën, si në të kaluarën, Kurti mund të arrijë deri në 64 vota, duke krijuar qeverinë pa partitë opozitare të deritashme, PDK, LDK dhe AAK.
Në muajin shkurt, Kurti kishte 42% dhe 48 deputetë, ndërsa sipas rezultateve të së dielës, që ende nuk janë finale, ai del me 56 deputetë, pra 6 më shumë.
Partia Demokratike e Kosovës, e cila në shkurt kishte 24 deputetë, tani pritet të ketë 23, me Bedri Hamzën në krye të partisë.
LDK-ja, nën drejtimin e Lumir Abdixhikut, shënon një rënie të konsiderueshme nga 20 deputetë në shkurt, tani pritet të ketë 15.
Ndërkohë, AAK, e cila në shkurt kishte 8 deputetë së bashku me NISMA-n e Fatmir Limajt, tani pritet të ketë 6 deputetë, dy më pak, dhe pa NISMA-n në Kuvend.
Tani, pas një bllokade njëvjeçare, çfarë na pret?
Është koha për përgjegjësi, punë dhe përkushtim. Kosovën e presin shumë tema të rëndësishme, por fokusi kryesor në vitin 2026 duhet të jetë ekonomia – ekonomia dhe ekonomia.
Kur flasim për ekonomi, flasim për Buxhetin 2026, i cili duhet të miratohet urgjentisht; për ligjet e reja që e presin Kuvendin e Kosovës; dhe për marrëveshjet ndërkombëtare që presin miratim dhe zbatim praktik.
Një tjetër test real për Qeverinë Kurti 3 do të jetë zgjedhja e Presidentit të ri të Kosovës në pranverë. Ky proces nuk duhet ta çojë vendin në zgjedhje të reja. Kërkohen marrëveshje, kompromis dhe pjekuri politike.
Kosova nuk ka më nevojë për “sallta politike”. Është koha për përgjegjësi dhe pjekuri politike.
Koha për qeverisje të mirë në arsim, shëndetësi, ekonomi, politikë të jashtme, e jo për ankesa dhe bllokada.
Pavarësisht pasigurive dhe luhatjeve në tregjet financiare globale, Trusti Pensional i Kosovës pritet ta mbyllë vitin 2025 në pozitivisht.
Kështu ka deklaruar Emanuel Bajra, kryesues i Bordit të Trustit, në “Përballje Podcast”, duke theksuar se fondi është ndërtuar për t’i përballuar pikërisht periudhat e paqëndrueshme në tregje.
Bajra sqaroi se fondi pensional nuk duhet parë si investim afatshkurtër dhe se rëniet ditore apo mujore nuk e përcaktojnë të ardhmen financiare të kontribuuesve.
“Fondi pensional nuk është investim për sot e nesër. Është investim për pensionimin. Luhatjet e sotme nuk e rrezikojnë të ardhmen e kontribuuesve”, tha ai shkruan Telegrafi.
Sipas Bajrës, gjatë vitit 2025 Trusti është përballur me disa luhatje në tregje, por falë menaxhimit aktiv dhe diversifikimit të investimeve ka arritur t’i absorbojë goditjet pa rrezikuar stabilitetin e fondit.
“Ne i kemi përballuar luhatjet shumë mirë. Kemi alokuar dhe rialokuar kapitalin aty ku kemi parë rënie dhe aty ku kemi parë mundësi për kthim”, theksoi Bajra.
Ai shtoi se strategjia e investimeve është ndërtuar mbi parimin e sigurisë maksimale për kontribuuesit, duke mos e ekspozuar fondin ndaj rrezikut të panevojshëm, por duke shfrytëzuar mundësitë që krijohen në tregjet globale.
“Natyra e fondeve pensionale nuk është si e investitorëve privatë. Ajo kërkon durim dhe planifikim afatgjatë”, u shpreh ai.
Bajra theksoi se Trusti ka investuar në mënyrë të diversifikuar, përfshirë edhe në sektorin e mbrojtjes, me qëllim të ruajtjes së vlerës dhe rritjes graduale të kthimit.
Në fund, Bajra e cilësoi fondin pensional të Kosovës si një arritje institucionale, duke vënë në pah disiplinën e kontribuuesve dhe menaxhimin profesional ndër vite.
“Kosova sot ka një fond pensional gati katër miliardë eurosh. Kjo është storie suksesi dhe meritë e kontribuuesve dhe e menaxhimit institucional”, përfundoi Bajra./Telegrafi/.
Qeveria në detyrë e Kosovës ka ndarë 50 mijë euro ndihmë financiare për veprimtarin e çështjes kombëtare në mërgatë, Hafiz Gagica, i cili po përballet me një sëmundje të rëndë që kërkon trajtim të kushtueshëm mjekësor.
Vendimi u miratua në mbledhjen e Qeverisë, ku kryeministri në detyrë, Albin Kurti, theksoi se Gagica ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në vitet ’90 në organizimin politik të diasporës shqiptare dhe në mbështetjen e institucioneve të pavarura të Kosovës. Sipas Kurtit, gjendja shëndetësore e tij kërkon kujdes të veçantë dhe shpenzime që familja nuk ka mundësi t’i përballojë.
Në mbështetje të këtij vendimi, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, vlerësoi rolin jetik të Hafiz Gagicës në proceset që çuan drejt lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Ajo theksoi se Gagica “ka të drejtë të presë solidaritetin e institucioneve të Kosovës, të njëjtin solidaritet që ai e tregoi pa hezitim për Kosovën në kohën e kërcënimit më të madh”.
Gërvalla rikujtoi se gjatë viteve ’90-ta, Gagica ishte një nga figurat kyçe në organizimin dhe forcimin e sistemit paralel të Kosovës në arsim, shëndetësi dhe furnizim ushqimor, në kohën e represionit të ushtruar nga Serbia. Sipas saj, ai ishte bartës kryesor i organizimit të mërgatës shqiptare në Gjermani dhe Evropë, duke shërbyer si urë lidhëse mes Kosovës dhe shteteve evropiane.
Një rol i veçantë, sipas Gërvallës, ishte edhe organizimi i vizitave dhe udhëtimeve të ish-presidentit Ibrahim Rugova dhe delegacioneve të tjera kosovare në Gjermani, Zvicër, SHBA dhe vende të tjera evropiane, përmes qendrës së veprimtarisë që Gagica drejtonte në Shtutgart.
Ajo përmendi gjithashtu angazhimin e tij në organizimin e protestave dhe demonstratave të shqiptarëve në Gjermani, duke veçuar tubimin e vitit 1998 në Bonn, ku rreth 100 mijë pjesëmarrës kërkuan lirinë e Kosovës dhe ndaljen e shtypjes serbe, një nga protestat më të mëdha të organizuara ndonjëherë nga një komunitet jo-gjerman në Republikën Federale të Gjermanisë.
Hafiz Gagica ka shërbyer si kryetar i LDK-së për diasporë dhe ishte një nga bashkëpunëtorët më të afërt të ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova. /Telegrafi/
Qeveria në detyrë e Kosovës ka vendosur regjimin e vizave për qytetarët e Republikës së Fixhit.
Ky vendim u mor gjatë mbledhjes së sotme të Ekzekutivit dhe është pjesë e harmonizimit të politikës së vizave të Kosovës me Bashkimin Evropian.
“Kosova ka regjim pa viza me 17 shtete që ndodhen në listën e vendeve të BE-së. Për të siguruar një menaxhim të rregullt të emigracionit, Republika e Kosovës synon harmonizimin e plotë të politikës së saj me atë të BE-së, duke filluar nga viti 2025”, tha Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.
Vendosja e regjimit të vizave është pjesë e përpjekjeve për të siguruar kontroll të rregullt të emigracionit dhe për të ruajtur standardet e Bashkimit Evropian në këtë fushë. /Telegrafi/
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë të ditur nisjen e procesit për ngritjen e një memoriali për familjen Jashari dhe Epopenë e UÇK-së në bashkinë Hora e Arbëreshëve në Itali.
Ky projekt do të realizohet si donacion i Qeverisë së Kosovës për komunitetin arbëresh në Itali dhe synon të përkujtojë kontributin historik dhe sakrificën e familjes Jashari për lirinë e vendit.
“Dy pika tjera me rëndësi sot te të ndryshmet janë: vendimi në lidhje me Memorialin e Familjes Jashari dhe Epopenë e UÇK-së në Bashkinë Hora e Arbëreshëve në Itali dhe ndarja e mjeteve për Bursën e Mobilitet për Studentë”, tha Kurti në mbledhjen e Qeverisë.
“Para një muaji e kam mirëpritur në kryeministri, Kryetarin e Bashkisë Hora e Arbëreshëve, Rosario Petta”.
“Ndër temat që kishim diskutuar dhe për të cilat ishim pajtuar, ishte edhe memorializimi i veprës dhe kujtimit të heroizmit të kryekomandantit tonë Adem Jashari dhe familjes së tij epike në këtë komunë arbëreshe në Itali”.
Kurti shtoi më tej se: “Sot do të themelojmë Komisionin Profesional për përzgjedhjen e artistit apo grupit të artistëve për ngritjen e Memorialit për Familjen Jashari dhe Epopenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hora e Arbëreshëve. Memoriali do të jetë donacion i Qeverisë së Republikës së Kosovës për arbëreshët në Itali”. /Telegrafi/
Qeveria në detyrë e Kosovës ka mirëpritur vendimin e Bashkimit Evropian për të hequr masat e vendosura ndaj Kosovës, të cilat sipas saj ishin të padrejta që në fillim.
Sipas Qeverisë, institucionet e vendit nuk ishin shkaktare të eskalimit të situatës në katër komunat e veriut, ndërsa deeskalimi i situatës është meritë e tyre.
“Ndërkohë, Republika e Kosovës dhe institucionet e saj u bënë cak i sulmeve terroriste, përfshirë incidentin në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator 2023, ku humbi jetën rreshteri policor Afrim Bunjaku, dhe sulmin mbi kanalin Ibër-Lepenc në Varagë të Zubin Potokut më 29 nëntor 2024. Për këto raste tashmë janë ngritur aktakuza”, u tha në mbledhjen e Qeverisë.
Qeveria gjithashtu ka bërë të ditur se çdo përpjekje për të cenuar sundimin e ligjit do të kishte pasojat e veta, ndërsa stabiliteti dhe funksionimi i institucioneve në veri është rezultat i respektimit të ligjit dhe rendit publik.
Qeveria u shpreh se pavarësisht vështirësive, ka mbetur e përkushtuar ndaj integrimit evropian dhe përmbushjes së kritereve për anëtarësim.
Sipas Qeverisë, masat financiare më të mëdha nuk u vunë nga Bashkimi Evropian, por nga opozita parlamentare, e cila pengoi votimin e Planit të Rritjes së BE-së dhe marrëveshjeve me Bankën Botërore, me një vlerë totale mbi 1 miliard euro.
Përveç kësaj, Qeveria ka njoftuar edhe vendime të tjera: konfirmimin e zbatimit të vendimeve dhe protokolleve të CEFTA-s, themelimin e Komisionit Profesional për ngritjen e Memorialit të Familjes Jashari dhe Epopenë e UÇK-së në Bashkinë Hora e Arbëreshëve në Itali, si dhe ndarjen e 1.65 milionë eurove për grupin e parë të studentëve përfitues të Programit të Bursës së Mobilitetit.
“Ky memorial do të jetë donacion i Qeverisë për arbëreshët në Itali, ndërsa bursat synojnë të zvogëlojnë pabarazitë dhe të krijojnë mundësi për studentët nga zonat më të largëta”, thuhet në komunikatë.
Në përmbyllje, Qeveria uroi mirëseardhjen e bashkatdhetarëve në vendlindje dhe siguroi se institucionet, duke nisur nga policët kufitarë, do të jenë të gatshëm për mikpritje dhe shërbim për qytetarët. /Telegrafi/
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti sot në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës tha se mirëpresin vendimin e Bashkimit Evropian për t’i hequr masat e vëna ndaj Kosovës.
Ai para kabinetit qeveritar tha se këto masa ishin të padrejta që në ditën kur ishin vendosur pasi Kosova nuk ishte shkaktare të eskalimit të situatë së sigurisë në katër komunat në veri të vendit.
“Ne e mirëpresim vendimin e BE-së për t’i hequr masat që i ishin vendosur Kosovës. Ato ishin të padrejta që në ditën e parë...”, tha ai.
Sipas kryeministrit në detyrë, derisa Kosova nuk ishin shkaktare e ekslaimit të situatës së sigurisë në veri, de-eskalimi ishte mëritë e institucioneve të Kosovës.
Ai tutje kujtoi se vendi ishte cak i sulmeve terroriste. “Kosova dhe institucionet e saj u bën cak i sulmeve terroriste, si në Banjskë dhe në kanalin e Ibër Lepencit”, tha ai, raporton Telegrafi.
Kurti theksoi se përkundër masave që ishin vënë, Kosova nuk ishte e hidhëruar me BE-në.
“Megjithatë nuk kemi qenë të hidhëruar me BE-në. Kemi mbetur të përkushtuar për integrim evropian për përmbushjen e kritereve për anëtarësim dhe për të vazhduar si aleate e vlerave demokratike”, tha ai.
Kurti përmendi mos miratimin e Planit të Rritjes në Kuvend, gjersa tha se Kosova masat më të mëdha i ka vuajtur nga ‘opozita parlamentare’.
“...Por, më duhet të them edhe diçka se Republika e Kosovës masat më të mëdha financiare nuk i ka vuajtur nga Bashkimi Evropian, por nga opozita parlamentare. Në muajin e kaluar përkundër insistimit tonë kuvendi u shpërnda pa u votuar Plani i Rritjes me vlerë prej 880 milionë euro dhe tri marrëveshjet me Bankën Botërore me vlerë mbi 120 milionë euro në mungesë vullneti dhe votës së opozitës. Andaj, uroj dhe shpresoj që pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit dhe konstituimit të Kuvendit edhe opozita e tanishme t’ia heq masat Kosovës”, tha ai. /Telegrafi/
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë tha të mërkurën se pas zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit në Kosovë synon të punojë ngushtë me Qeverinë e re të zgjedhur “për t’i avancuar prioritetet e përbashkëta”.
Një zëdhënës i Ambasadës amerikane në Prishtinë tha në disa përgjigje me shkrim për REL-in se shpreson që “partneriteti ynë të thellohet me Qeverinë e Kosovës”, përfshirë edhe rinisjen e Dialogut të planifikuar Strategjik.
“Kjo do të kërkojë veprim për të avancuar agjendën tonë të përbashkët për paqe rajonale, stabilitet dhe prosperitet të ndërsjellë ekonomik”, tha zëdhënësi i Ambasadës amerikane.
Ky qëndrim i Ambasadës vjen pas deklaratave të bëra nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti gjatë një interviste në televizionin lokal Kanal 10 se raportet mes dy vendeve janë shumë të mira dhe mospajtimet kryesore gjithmonë kanë qenë lidhur me Serbinë dhe strukturat e saj, dhe asnjëherë për çështje bilaterale.
Më 11 dhjetor, Kurti tha, po ashtu, se sa u përket mbrojtjes dhe sigurisë, raportet “kurrë nuk kanë qenë më të mira”.
Megjithatë, në shtator të këtij viti, SHBA-ja njoftoi për pezullim për një kohë të pacaktuar të Dialogut të planifikuar Strategjik me Kosovën, për shkak të shqetësimeve lidhur me veprimet e Qeverisë në detyrë.
Nga Ambasada amerikane po ashtu thanë se janë të “zhgënjyer nga veprimet” e Kurtit, duke theksuar se qëndrimet e tij kanë rritur paqëndrueshmërinë dhe pasigurinë në Kosovë.
Dialogu ishte planifikuar që të forconte raportet ekonomike dhe diplomatike, por veprimet e Kurtit u panë si sfida për përparim.
Disa analistë politikë patën komentuar atëbotë se pezullimi ishte paralajmërim se mbështetja ndërkombëtare për Kurtin dhe Qeverinë e tij po zbehet.
Kurti fillimisht kishte pranuar se ekzistonin disa dallime me SHBA-në, por raportet me Uashingtonin nuk ishin prishur. Më pas, më 28 shtator tha se arsyeja e pezullimit të Dialogut të planifikuar Strategjik ishte për shkak të sundimit të ligjit në veri të Kosovës, “i cili rezultoi të ishte kundër strukturave ilegale serbe dhe këtu nuk mund të bëj kompromise”.
Dialogu Strategjik, që SHBA-ja zhvillon me shtete të tjera, përfshin diskutime të nivelit të lartë mes dy vendeve që zhvillohen ose në Uashington, ose në vendin përkatës, mbi një gamë të gjerë temash si mbrojtja, siguria, mjedisi, energjia, bashkëpunimi ekonomik, e të tjera.
Shtetet e Bashkuara i kanë ndarë mbi 2 miliardë dollarë për Kosovën prej vitit 1998. Uashingtoni konsiderohet si partneri më i rëndësishëm i Kosovës dhe mbështetja e tij vlerësohet jetike për vendin.
Viteve të fundit, Kurti, që është në pushtet që nga fitorja në zgjedhje më 2021, është kritikuar disa herë nga faktori ndërkombëtar për shkak të disa vendimeve në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, që kishin të bënin me zëvendësimin e targave serbe me ato të Kosovës, heqjen nga përdorimi i dinarit serb dhe mbylljen e institucioneve serbe.
Ai ka thënë se këto veprime janë në kuadër të shtrirjes së sundimit të ligjit në veri, duke theksuar se ato janë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e vendit.
Megjithatë, SHBA-ja dhe qendrat evropiane i kanë cilësuar shpesh këto si veprime të njëanshme dhe të pakoordinuara.
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin në detyrë të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, mirëpriti zëvendëspresidentin Ekzekutiv të prodhuesit të njohur amerikan të industrisë ushtarake AM General, John Chadbourne dhe Drejtorin për Zhvillimin e Biznesit Ndërkombëtar në këtë kompani, Juan Hernandez.
Sipas një njoftimi për media thuhet se Ministria e Mbrojtjes dhe AM General dje kanë nënshkruar një kontratë kornizë 3-vjeçare që përfshin blerjen, nga ana e Kosovës, të sistemeve moderne të artilerisë mobile HUMVEE Hawkeye 105mm Mobile Howitzer (MHS).
"Në kontratë gjithashtu përfshihen pjesë rezervë, mirëmbajtja, si dhe trajnimi për operim dhe mirëmbajtje. Përveç HUMVEE Hawkeye-ve, si pjesë e kësaj kontrate, FSK-ja do të pajiset gjithashtu me ambulanca, automjete për komandim dhe kontroll, si dhe automjete të tjera mbështetëse, të cilat mundësojnë funksionalizimin e një baterie të plotë artilerie dhe krijimin e kapaciteteve të zjarrit direkt dhe indirekt për Forcën e Sigurisë së Kosovës".
Kurti e cilësoi si hap shumë të rëndësishëm marrëveshjen e nënshkruar dje për ngritjen e kapaciteteve mbrojtëse të Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke theksuar se këto sisteme të reja janë në kuadër të investimeve të vazhdueshme dhe në rritje, që janë bërë viteve të fundit në fushën e mbrojtjes, në bashkëpunim me vende partnere të Republikës së Kosovës dhe anëtare të NATO-s.
Zëvendëspresidenti Ekzekutiv, Chadbourne u shpreh i lumtur për arritjen e marrëveshjes për furnizimin e FSK-së me HUMVEE Hawkeye, duke e cilësuar atë si dëshmi të angazhimit të tyre për të ofruar zgjidhje të avancuara për nevojat moderne ushtarake.
Bashkë diskutuan edhe për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit, duke përfshirë këtu edhe mundësinë për bashkëprodhim. /Telegrafi/
Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka nënshkruar sot vendimin për caktimin e masave mbrojtëse për produktet e naftës të përdorshme në transport, me qëllim mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin e konkurrencës së drejtë në tregun vendor.
Në një postim në Facebook, Hajdari shkruan: "Ky vendim është rezultat i mbikëqyrjes së vazhdueshme të tregut të naftës, përmes evidencave të përditshme të Doganës së Kosovës dhe raporteve nga Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, ku është evidentuar se ndryshimet e çmimeve furnizuese shpesh pasqyrohen në rritje të menjëhershme të çmimeve të shitjes, ndërsa nuk ndodh një reflektim proporcional në ulje kur çmimet furnizuese bien".
Sipas vendimit, marzha tregtare maksimale është përcaktuar si vijon:
Shitja me shumicë: deri në 2 eurocent për litër
Shitja me pakicë: deri në 12 eurocent për litër
Hajdari thekson më tej: "Përmes këtij vendimi të sotëm, që hyn në fuqi një ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare, parashihet mbikëqyrje e shtuar inspektuese nga Inspektorati i Tregut në bashkëpunim me Doganën dhe Administratën Tatimore. Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, çdo herë, me punë e veprime të guximshme për të mbrojtur konsumatorët dhe për të promovuar konkurrencën e drejtë në tregun e Republikës së Kosovës".
Vendimi vjen pas shqetësimeve të ngritura nga ndryshimet e shpejta të çmimeve të derivateve, duke synuar që tregu vendor të jetë më transparent dhe i balancuar për konsumatorët dhe bizneset. /Telegrafi/
Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka bërë të ditur se ndihma humanitare e ndarë nga Qeveria e Republikës së Kosovës për popullin e Gazës ka mbërritur në destinacion dhe ka filluar menjëherë shpërndarja e saj.
“Dje pasdite morëm konfirmimin se ndihma humanitare e ndarë nga Qeveria e Republikës së Kosovës, e dedikuar për popullin e Gazës ka mbërritur në Gaza dhe menjëherë ka nisur shpërndarja për familjet në nevojë, përmes partnerëve humanitarë në terren”, ka shkruar Gërvalla.
Sipas saj, dërgesa humanitare është në vlerë prej 500 mijë euro dhe përfshin tenda, pako ushqimore, batanije si dhe 158 mijë racione të ushqimit të ngrohtë.
“E dimë që asgjë nuk e zëvendëson humbjen dhe dhimbjen atje. Por shpresojmë që kjo ndihmë modeste t’u japë sadopak mbështetje e lehtësim familjeve, sidomos fëmijëve dhe të moshuarve, në ditë kur edhe gjërat më bazike mungojnë”, ka theksuar ajo.
Gërvalla ka shprehur gjithashtu mirënjohje për bashkëpunimin ndërkombëtar që e bëri të mundur këtë operacion humanitar.
“Shpreh mirënjohjen time të sinqertë për Republikën e Turqisë dhe Gjysmëhënën e Kuqe Turke për bashkëpunimin dhe mbështetjen që e bënë të mundur këtë operacion humanitar”, ka përfunduar Gërvalla. /Telegrafi/
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka bërë të ditur se ka marr njoftimin se anija e ngarkuar me ndihmën humanitare të Qeverisë së Republikës së Kosovës, e dedikuar për popullin e Gazës, është nisur nga porti i Mersinit në Turqi drejt Gazës.
Kurti në një postim në Facebook shkruan se edhe pse Qeveria e Republikës së Kosovës e ka marrë këtë vendim që në janar, realizimi i tij u bë i mundur vetëm pas marrëveshjes së fundit të paqes, të arritur nën udhëheqjen e Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
Lexoni të plotë postimin:
Sapo morëm njoftimin se anija e ngarkuar me ndihmën humanitare të Qeverisë së Republikës së Kosovës, e dedikuar për popullin e Gazës, është nisur nga porti i Mersinit në Turqi. Dërgesa jonë humanitare, me vlerë prej 500 mijë euro, përfshin tenda, pako ushqimore, batanije dhe 158 mijë racione të ushqimit të ngrohtë për banorët në nevojë atje.
Edhe pse Qeveria e Republikës së Kosovës e ka marrë këtë vendim që në janar, realizimi i tij u bë i mundur vetëm pas marrëveshjes së fundit të paqes, të arritur nën udhëheqjen e Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.
Kjo ndihmë humanitare përfaqëson angazhimin e Republikës së Kosovës si pjesë e solidaritetit ndërkombëtar dhe përkushtimin tonë për të mbështetur popullatën civile që po përballet me vështirësi tejet të mëdha në Gaza. Na gëzon fakti që jemi qeveria e parë e Republikës së Kosovës që arrijmë të ofrojmë një mbështetje të tillë për banorët e Gazës. Shpresojmë që ajo të kontribuojë, qoftë edhe në mënyrë modeste, në lehtësimin e vuajtjeve dhe në përpjekjet për paqe, siguri dhe stabilitet për të gjithë.
Me këtë rast, dua të shpreh mirënjohjen time të thellë për Republikën e Turqisë dhe Gjysmëhënën e Kuqe Turke, për bashkëpunimin e ngushtë dhe ndihmën në realizimin e këtij operacioni humanitar. /Telegrafi/
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Ministren në detyrë të Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe Ministrin në detyrë të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, pritën sot në Qeveri studentë përfitues të skemave të ndryshme të bursave, përfshirë bursat për studime jashtë vendit në nivelet Bachelor, Master dhe Doktoratë, si dhe përfituesit e bursave të komuniteteve.
Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se gjatë takimit, Kurti uroi studentët për suksesin e arritur dhe nënvizoi rëndësinë e mbështetjes së të rinjve që synojnë shkollimin në institucionet më prestigjioze ndërkombëtare.
"Ai theksoi se investimi në arsim cilësor mbetet një ndër prioritetet kryesore të Qeverisë, duke shprehur besimin se këta të rinj do të jenë kontribues të rëndësishëm në zhvillimin profesional dhe shoqëror të vendit pas përfundimit të studimeve", thuhet në njoftim.
Ndërsa ministrja Nagavci vlerësoi angazhimin dhe përkushtimin e studentëve fitues të bursave, duke theksuar se skemat mbështetëse për studentët përfaqësojnë investim të drejtpërdrejtë në kapitalin njerëzor të Kosovës.
"Në vijim rikujtoi se gjatë pesë viteve të fundit MAShTI ka zgjeruar ndjeshëm skemat e bursave, si për studentët brenda vendit ashtu edhe për ata që studiojnë jashtë dhe theksoi përkushtimin për të vazhduar punën drejt rritjes së cilësisë në arsim dhe zgjerimit të mundësive për studentët"
Studentët përfitues shprehën mirënjohjen për mbështetjen e ofruar dhe vlerësuan mundësinë për të ndjekur studimet në universitete brenda dhe jashtë vendit. Ata theksuan se do t’i vënë njohuritë e fituara në shërbim të avancimit të Kosovës.
Qeveria e Kosovës dhe MAShTI rikonfirmuan përkushtimin për të vazhduar politikat mbështetëse që u mundësojnë të rinjve të vendit të përfitojnë nga arsimi cilësor në vend dhe jashtë tij, si dhe të kontribuojnë në zhvillimin e mëtejmë të shtetit. /Telegrafi/
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka thënë se nga muaji i ardhshëm paga minimale bëhet 425 euro bruto nga 350 euro sa është tash.
Këtë e bëri të ditur Kurti përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ku ndër të tjera ka shkruar se nga 1 korriku fillon zbatimi i fazës së dytë ku paga minimale bëhet 500 euro.
Kurti tha se rreth 150 mijë punëtorë të sektorit privat do të përfitojnë nga kjo rritje.
“Pagën minimale e gjetëm 130/170 euro, të pandryshuar për më shumë një dekadë, dhe brenda një mandati po e rrisim për të tretën herë”, ka shkruar Kurti. /Telegrafi/
Ekonomisti dhe profesori Muhamet Mustafa nga Instituti Riinvest ka paraqitur një listë të qartë rekomandimesh strategjike për rimëkëmbjen ekonomike të Kosovës, duke theksuar se vendi mund të ketë përparim të qëndrueshëm vetëm nëse ndërmerren reforma të thella dhe të bazuara në analizë profesionale.
Mustafa në “Përballje Podcast” tha se Kosova ka nevojë për një qasje të re dhe një model të ri ekonomik të ndërtuar nga ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë, të cilët mund të krijojnë një strategji afatgjatë të rritjes.
“Modeli aktual i rritjes i bazuar në konsum dhe importe, e ka kufizuar përparimin ekonomik të vendit”, ka deklaruar ai.
Ai nënvizoi se ekonomia nuk mund të vazhdojë të mbështetet në konsumin e brendshëm dhe remitancat, por duhet të krijojë mekanizma zhvillimorë më të qëndrueshëm.
Sipas Mustafës, zhvillimi ekonomik i Kosovës varet drejtpërdrejt nga investimet në kapitalin njerëzor, të cilin ai e cilësoi si “themelin e çdo zhvillimi të qëndrueshëm”.
Profesori Mustafa kërkoi rritje të financimit për kërkim shkencor, lidhje të universiteteve me ekonominë reale, stimulim të inovacionit dhe teknologjisë rritje të kapaciteteve profesionale.
Ekonomisti tha se Kosova investon shumë më pak se vendet e rajonit në kërkim dhe zhvillim, gjë që e pengon konkurrueshmërinë dhe modernizimin e ekonomisë.
Sipas tij, qeveria duhet të sjellë buxhete funksionale dhe realiste e të marrë vendime të mbështetura në analiza.
Ai theksoi se qeverisja ekonomike nuk mund të funksionojë përmes improvizimit, por përmes planifikimit të strukturuar dhe monitorimit të rregullt të performancës.
Një ndër rekomandimet kryesore të Mustafës është zhvendosja e prioritetit drejt industrisë përpunuese, të cilën ai e sheh si potencialin më të madh të rritjes.
“Nëse ne e stimulojmë prodhimin vendor, zvogëlojmë importin dhe krijojmë eksport, atëherë rritja rritet në mënyrë natyrore.”
Ai theksoi se zhvillimi i një baze të fortë industriale do të ndikonte drejtpërdrejt në balancën tregtare, punësim dhe stabilitet ekonomik.
Mustafa paralajmëroi se situatat e vazhdueshme të bllokadave politike dhe zvarritjet institucionale e dëmtojnë seriozisht ekonominë e vendit.
Ai shprehu shqetësim se Kosova mund të humbasë fonde të rëndësishme nga Bashkimi Evropian nëse nuk formohet shpejt qeveria e re pas zgjedhjeve.
Ai tha se stabiliteti politik është parakusht për çdo reformë ekonomike dhe për tërheqjen e investimeve të huaja./Telegrafi/.
Fabrika e parë e municioneve do të ndërtohet në Jahoc të Gjakovës, me prodhimin e parë të planifikuar për fundin e vitit 2026.
Ekspertët amerikanë e shohin këtë si një hap të duhur për forcimin e sigurisë. Por, paralelisht, ngrihen edhe pyetje mbi kapacitetet reale të Kosovës, sfidat teknike dhe implikimet rajonale që mund t’i sjellë kjo nismë.
Koloneli në pension i Ushtrisë amerikane, Ray Wojck ka thënë se një nga gjërat pozitive për Kosovën falë pranisë shumëvjeçare të misionit të NATO-s, KFOR është marrëdhënia e ngushtë dhe bashkëpunimi i vazhdueshëm me aleatët.
“Kosova e ka diskutuar këtë nismë veçanërisht me ShBA-në dhe Mbretërinë e Bashkuar, dy nga aleatët e saj më të afërt të cilët janë shumë mbështetës për të”, ka thënë ai.
Ndërsa, Argyro Kartsonaki nga Instituti për kërkime të paqes dhe politikat e sigurisë pajtohet se është logjike që një shtet i vogël të përpiqet të forcoj sigurinë e vet, por paralajmëron se këto veprime mund të përceptohen si kërcënim nga fqinjët.
“Kjo nuk do t’i ndryshoj dinamikat e sigurisë në Ballkan. Ajo që mund të bëj është që t’i ushqejë narrativat, t’i jap dhe një element propagandës dhe diskurseve populiste të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq”, tha ajo. /REL/
Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka mbajtur mbledhje elektronike në të cilën ka marrë dy vendime.
Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se gjatë kësaj mbledhje është marrë vendimi për ndarjen e 141,680 euro për realizimin e projekteve përmes marrëveshjeve me trupat e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Ndërsa në vendimin e dytë kanë miratuar kërkesën e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, për kursime dhe ndarje.
“Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka mbajtur mbledhje elektronike në të cilën ka: Ndarë 141,680 euro për realizimin e projekteve përmes marrëveshjeve me trupat e Organizatës së Kombeve të Bashkuara; Miratuar kërkesën e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, për kursime dhe ndarje”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/
Në episodin e radhës të “Përballje Podcast” në Telegrafi.com, profesori dhe ekonomisti Muhamet Mustafa nga Instituti RIINVEST ka folur për gjendjen e ekonomisë së Kosovës, sfidat kryesore dhe domosdoshmërinë e reformave urgjente.
Mustafa tha se Kosova po përballet me një vit të vështirë, të shoqëruar me pasiguri politike, zgjedhje të njëpasnjëshme dhe mungesë funksionaliteti institucional, çka ka ndikuar drejtpërdrejt në ekonomi.
Sipas tij, vendimmarrja ekonomike në Kosovë nuk po bëhet në bazë të evidencës.
Profesori vuri theksin tek problemi më i madh strukturor në vendimmarrjen qeveritare, mungesën e analizave profesionale para marrjes së vendimeve.
“Ajo që i mungon politikës sonë dhe qeverisjes ekonomike është mungesa e vendimmarrjes në bazë të evidencës. Te ne masat merren dhe pastaj shikohet çka po ndodh – kjo është e pafalshme”, ka deklaruar Mustafa në “Përballje Podcast” me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu.
Ai përmendi shembullin e liberalizimit të tregut të energjisë, ku sipas tij as ZRRE-ja, as Qeveria nuk kanë pasur një analizë të qartë të ndikimit financiar.
Katër sektorët që tregojnë gjendjen e ekonomisë
Mustafa i ndau sfidat ekonomike në katër sektorë kryesorë, duke theksuar se secili prej tyre po përballet me probleme serioze.
Sektori real sipas tij, prodhimi vendor dhe bizneset nuk janë në gjendje të mirë.
“Situata në sektorin real, aty ku prodhohet vlera, nuk është në rregull. As konsumatorët nuk kanë pritje optimiste, as bizneset”, ka deklaruar Mustafa.
Ai e cilësoi rritjen ekonomike aktuale “rritje me inercion” dhe jo rezultat i politikave zhvillimore.
Në sektorin e jashtëm Mustafa paralajmëroi se deficiti tregtar po thellohet vazhdimisht dhe investimet e huaja janë të fokusuara në patundshmëri, jo në ekonomi prodhuese.
“Deficiti tregtar po thellohet dhe mbulueshmëria e importit me eksport po zvogëlohet”.
Profesori sqaroi se sistemi financiar (bankat dhe kreditimi) janë nën presion dhe kreditimi është ngadalësuar ndjeshëm.
“Ka stres të dukshëm në likuiditet dhe dhënia e kredive është shtrënguar”, ka thënë ai.
Ekonomisti Muhamet Mustafa me kryeredaktorin e Telegrafit, Muhamet Hajrullahu në "Përballje Podcast"Foto: Ridvan Slivova
Bizneset, sipas tij, po detyrohen të përdorin më shumë overdraft, një tjetër indikator i stresit financiar.
Si pikë të katërt ai përmendi buxhetin e Kosovës. Mustafa kritikoi orientimin e buxhetit të shtetit, duke thënë se ai është deformuar në dëm të investimeve kapitale dhe sektorëve kyç.
“Struktura e buxhetit është ndryshuar në dëm të investimeve kapitale, arsimit dhe shëndetësisë. Paratë janë aty, por investimet nuk realizohen. Kjo është keqqeverisje. Modeli i rritjes ekonomike është i gabuar – duhet rindërtuar”, ka thënë ai.
Mustafa tha se rritja e Kosovës mbështetet në konsum dhe importe, një model që sipas tij e dëmton ekonominë në afatgjatë.
“Ky model i rritjes, i bazuar në konsum dhe importe, e ka kursy zhvillimin ekonomik të vendit.”
Ai kërkoi që pas zgjedhjeve të vitit 2026, qeveria e re të ndërtojë një model të ri ekonomik të bazuar në prodhim, inovacion dhe investim në faktor njeri.
Mustafa dha rekomandime se ku ku duhet të fokusohet Kosova në ekonomi në vitin 2026
“Rindërtimi i modelit ekonomik nga ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë. Investime të mëdha në arsim, kërkime shkencore dhe inovacion. Qeverisje e bazuar në evidencë dhe jo në improvizim. Rritje e prodhimit vendor dhe eksportit. Stabilitet politik dhe formim i shpejtë i qeverisë”, ka shtuar Mustafa transmeton Telegrafi.
Foto: Ridvan Slivova
Mustafa tha se Kosova duhet të hyjë në vitin 2026 me një qasje të re.
“Vëmendja duhet të rikthehet në ekonomi, zhvillim, edukim dhe inovacion – jo në bllokada politike.”
Ai paralajmëroi se vonesat në formimin e qeverisë rrezikojnë humbjen e qindra milionë eurove nga fondet evropiane. /Telegrafi/