Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 25 December 2025Main stream

Policia izraelite arreston palestinezin e veshur si Babadimër

25 December 2025 at 14:37


Policia izraelite ka ka arrestuar një burrë palestinez të veshur si Babagjyshi i Vitit të Ri.

Një DJ dhe një shitës ambulant u arrestuan gjithashtu, dhe oficerët sekuestruan pajisje, raporton The Guardian.

Pamjet e incidentit tregojnë policinë duke i rrëzuar burrat në tokë dhe duke i prangosur para turmës.

Policia izraelite thotë se burri, i veshur si Babagjyshi i Krishtlindjeve, i rezistoi arrestimit dhe sulmoi një oficer policie.

Qendra Mossawa, një organizatë për të drejtat e njeriut që mbron të drejtat e qytetarëve palestinezë të Izraelit, akuzoi policinë për përdorim të forcës së tepërt.

- YouTube www.youtube.com

Ata gjithashtu thonë se bastisja në sallën e muzikës u krye pa një urdhër ligjor.

Ndryshe, arrestimet në Haifa vijnë ndërsa palestinezët festojnë Krishtlindjet në të gjithë Bregun Perëndimor të pushtuar dhe Gazën, duke u përballur me kufizime të vazhdueshme të vendosura nga forcat izraelite.

Në Betlehem, festimet u mbajtën për herë të parë këtë vit që nga fillimi i luftës në Gaza. /Telegrafi/

Before yesterdayMain stream

Historia e një nëne nga Gaza që lindi 2 fëmijë gjatë luftës: Nuk mund ta harroj tmerrin

22 December 2025 at 15:29


Hadeel Al Gherbawi ishte 26 vjeç dhe shtatë muajshe shtatzënë kur filloi lufta në Gaza në tetor 2023.

Në kushte të paimagjinueshme urie, frike dhe zhvendosjeje të vazhdueshme, kjo grua e re jo vetëm që lindi djalin e saj Jawad, por gjithashtu mbeti përsëri shtatzënë dhe lindi një djalë të dytë, Fares.

Historia e saj është një dëshmi e tmerreve me të cilat përballen nënat dhe gratë shtatzëna në Gazën e shkatërruar nga lufta, shkruan The Guardian.

Përpara luftës, Hadeel u përgatit me shumë kujdes për ardhjen në jetë të djalit të saj të parë.

Për shkak të shtatzënisë me rrezik të lartë, ajo vizitonte mjekun dy herë në muaj, bënte rregullisht ekografi dhe merrte vitamina.

"Më pëlqejnë detajet", tha ajo.

Duke jetuar në lindje të qytetit të Gazës, pranë kufirit me Izraelin, ajo vendosi t'u bashkohej prindërve të saj në perëndim që ditën e parë të konfliktit.

"Mendova se do të zgjaste vetëm disa ditë dhe do të kthehesha”, tha ajo.

Që atëherë, familja e saj është zhvendosur 13 herë dhe shtëpia që ndante me burrin e saj u shkatërrua.

Në fund të tetorit, rreth pesë javë para datës së lindjes, Hadeel e gjeti veten pranë një sulmi masiv izraelit në një pallat apartamentesh.

"Ndihej si një tërmet", kujton ajo.

Ajo iku në Spitalin al-Shifa, ku njerëzit e zhvendosur mbushnin çdo cep dhe përdorimi i banjës ishte pothuajse i pamundur.

"Nuk mund ta harroj tmerrin e asaj nate", kujton palestinezja.

"Nuk mund ta duroja erën. Isha shtatzënë. Ndihesha keq. Zoti i mëshiroftë ata që u vranë", shtoi ajo.

Hadeel dhe burri i saj vendosën se ishte më e sigurt të shkonin në jug për të lindur.

Në kampet e zhvendosjes, përdorimi i banjës mbetej një makth.

E frikësuar se nuk do të gjente dot transport nëse lindja do të shkonte natyrshëm, ajo u kërkoi mjekëve në Spitalin Nasser në Khan Younis t'i shkaktonin lindjen.

Ndërsa po lindte, një ndërtesë aty pranë u godit.

Në panik dhe kaos, ajo i kërkoi nënës së saj të kujdesej për të.

Ajo përshkruan ndjesinë e "frikës, frikës së padurueshme".

Pasi lindi Jawad, ajo u zhvendos në një apartament me qira, duke fjetur në një dhomë me 30 persona.

Gherbawi nuk mundi të gjente qetësues dhimbjesh për qepjet dhe e duroi dhimbjen në heshtje natën që të mos i zgjonte të tjerët.

Ajo beson se vuante edhe nga depresioni pas lindjes.

"Fytyra ime ishte e zbehtë, isha e dobët, e brishtë dhe flokët po më binin", tha ajo.

Disa muaj më vonë, ata u zhvendosën në një tendë.

"Ishte hera e parë që jetoja në një tendë. Rërë, insekte”, tha gruaja.

Ajo ishte vazhdimisht e shqetësuar se mos Jawad pickohej nga diçka dhe shpesh zgjohej natën për të kontrolluar nëse ai ishte gjallë, pasi dëgjonte histori për foshnje që ngrinin për vdekje.

Pastaj, kur Jawad ishte nëntë muajsh, Hadeel zbuloi se ishte përsëri shtatzënë.

"Në fillim u shokova dhe u mërzita. Si do të sjell një fëmijë tjetër në këtë botë ndërsa jetoj në një tendë", tha ajo.

Armëpushimi në janar 2025 solli një shkëndijë të shkurtër shprese.

Megjithëse ishte në tremujorin e parë të shtatzënisë, ajo këmbënguli të kthehej në veri drejt apartamentit të saj.

Ajo dhe burri i saj kaluan një natë të ftohtë në rrugë duke pritur që të hapej pika e kontrollit.

Më në fund arritën të ktheheshin në shtëpi.

Ata kaluan gjashtë javë atje, por më 18 mars, Izraeli e theu armëpushimin dhe ata u detyruan të iknin përsëri.

Shtëpia e tyre u shkatërrua më vonë.

Shtatzënia e dytë ishte shumë më e vështirë.

Uria, thotë ajo, ishte më e keqja. Kishte ditë kur ajo hante vetëm një kastravec.

I thyhej zemra kur shihte djalin e saj duke duke qarë për ushqim.

Sa herë që kishte ushqim, ajo i jepte pjesën e saj.

"Sulmet, mungesa e sigurisë, mungesa e privatësisë, të jetuarit në një tendë - të gjitha ishin të vështira, por uria ishte gjëja më e vështirë", tha ajo.

"Flije dhe qaje sepse ishe i uritur dhe nuk gjeje asgjë për të ngrënë”, shtoi Gherbawi.

Ndërsa afrohej data e lindjes, ajo u kthye në shtëpinë e prindërve të saj, pranë një spitali.

Një natë, ajo pati dhimbje lindjeje. Duke mos dashur t'i zgjonte të tjerët, ajo thirri një ambulancë përpara se të zgjonte nënën e saj.

Me dhimbje lindjeje që i ndodhnin çdo pesë minuta, ajo zbriti pesë kate sepse ndërtesa nuk kishte energji elektrike për ashensorin.

Disa minuta më vonë, në ambulancë, ajo lindi një djalë, Fares.

Fares peshonte vetëm 2 kilogramë, gjë që Hadeel ia atribuon urisë.

Kishte gjak në shtratin e saj në spital. Infermierja i tha se nuk kishte anestezi dhe se do të duhej ta qepte pa të.

Ajo thotë se "dhimbja ishte e padurueshme".

Meqenëse spitali kishte nevojë për një shtrat, e rraskapitur dhe me dhimbje, Hadeel duhej të ulej në një karrige.

Gjetja e transportit për t'u kthyer ishte e vështirë.

Më në fund gjetën një autobus që i çoi për një pjesë të rrugës. Pesë orë pas lindjes, Hadeel u kthye në apartamentin e prindërve të saj dhe u ngjit pesë kate deri në apartamentin e saj. /Telegrafi/

Një tjetër foshnjë vdes nga i ftohti ekstrem në Gaza

18 December 2025 at 11:48


Një tjetër foshnje palestineze ka vdekur në Rripin e Gazës pas ekspozimit ndaj motit ekstrem të ftohtë.

Këtë e ka bërë të ditur Ministria e Shëndetësisë e Gazës, ndërsa një valë e fortë e të ftohtit vazhdon të marrë jetë njerëzish mes kushteve të këqija të jetesës.

Në një deklaratë, ministria tha se Saeed Asaad Abideen, foshnjë njëmuajsh, vdiq si pasojë e rënies të ndjeshme të temperaturave.

Vdekja e tij e çoi në 13 numrin e personave që kanë vdekur pasi u shtruan në spitale për shkak të valës së fundit të të ftohtit dhe kushteve ekstreme të motit në të gjithë Gazën.

Të mërkurën, Mbrojtja Civile e Gazës paralajmëroi se një valë e fortë e të ftohtit kërcënon jetën e fëmijëve.

Shumë familje palestineze nuk kanë strehim dhe ngrohje të përshtatshme për shkak të kushteve humanitare që po përkeqësohen për shkak të luftës. /AA/

Izraeli vret komandantin e lartë të Hamasit në Gaza

13 December 2025 at 19:40


Izraeli tha se vrau një komandant të lartë të Hamasit në një sulm ndaj një automjeti brenda Gazës.

Në një deklaratë, ushtria izraelite tha se kishte “goditur një terrorist kyç të Hamasit” në qytetin e Gazës.

Zëdhënësi i Mbrojtjes Civile të drejtuar nga Hamasi, Mahmoud Basal, tha se katër persona u vranë në sulm.

Sipas tij, shumë kalimtarë u plagosën nga shpërthimi.

Burime lokale thanë se sulmi mund të ketë synuar Raed Saad, një komandant të lartë në krahun e armatosur të Hamasit, Brigadat Qassam.

Saadi besohet të jetë anëtar i këshillit të sapoformuar ushtarak prej pesë anëtarësh, i krijuar që nga hyrja në fuqi e armëpushimit në tetor.

Ai konsiderohet si një nga komandantët më të shquar të Qassam dhe udhëhoqi disa brigada gjatë sulmeve të Hamasit më 7 tetor ndaj komuniteteve izraelite në lindje të qytetit të Gazës.

Izraeli është përpjekur ta vrasë atë në disa raste.

Një nga përpjekjet më të dukshme ishte gjatë një operacioni të papritur izraelit në Qytetin e Gazës në mars të vitit 2024, kur forcat izraelite thuhet se kërkuan ta arrestonin ose ta vrisnin atë.

Burimet në atë kohë thanë se Saadi kishte qenë brenda kompleksit të synuar, por arriti të arratisej pak momente para bastisjes.

Ai është konsideruar prej kohësh si një nga figurat më të kërkuara të Hamasit në Izrael, me përpjekjet izraelite për ta vrarë atë që kanë zgjatur më shumë se dy dekada. /Telegrafi/

Stuhitë në Gaza vrasin 14 palestinezë, përfshirë 3 fëmijë

13 December 2025 at 17:30


Kushtet e këqija të motit gjatë 72 orëve të fundit në Gaza kanë lënë 14 persona të vdekur, përfshirë tre fëmijë, ka njoftuar drejtori i përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë me seli në Gaza, Munir Al-Boursh.

Gjatë dy viteve të fundit, shumë palestinezë nuk kishin zgjidhje tjetër veçse të zhvendoseshin në tenda dhe strehimore të përkohshme mes luftës shkatërruese që e la pjesën më të madhe të enklavës në rrënoja.

Tendat u përmbytën me ujë dhe palestinezët mbetën “duke ecur nëpër ujëra të zeza, baltë dhe mbeturina pa strehë të duhur”, sipas grupit të ndihmës Oxfam, i cili tha se kushtet e vështira janë një “rezultat i drejtpërdrejtë i pengimit sistematik të ndihmës”.

Palestinezët kërkuan ndihmë mes motit të ftohtë dhe shiut që i ka lënë sendet e tyre të lagura dhe të shkatërruara.

“Dysheku, batanija, gjithçka, madje edhe rrobat, janë lagur me ujë. … Më sillni një dyshek. Më sillni një tendë. Ju lutem, për hir të Zotit, më ndihmoni”, tha Um Mustafa.

Ajo tha se ushqimi i vetëm që i kishte mbetur, një qese me miell dhe oriz, u prish pasi u lagën me ujë duke e lënë në panik në mes të natës.

“Dola duke u bërtitur fqinjëve, duke u kërkuar ndihmë”, tha ajo.

“Të gjithë fëmijët e mi u lagën nga uji i shiut”, shtoi Mustafa. /Telegrafi/

Zbulohen të dhëna sekrete - Biden kishte pezulluar përkohësisht bashkëpunimin ushtarak me Izraelin për shkak të Gazës

13 December 2025 at 11:55


Zyrtarët e inteligjencës amerikane nën administratën e presidentit Joe Biden ndaluan përkohësisht ndarjen e disa informacioneve të caktuara me Izraelin për shkak të shqetësimeve mbi mënyrën se si Izraeli po e çonte përpara luftën në Gaza. Kjo ndodhi në gjysmën e dytë të vitit 2024.

Përfshihej pezullimi i transmetimit të drejtpërdrejtë të pamjeve nga një dron amerikan që Izraeli përdorte për të ndjekur pengjet dhe militantët e Hamasit, si dhe kufizime në përdorimin e disa inteligjencave në vendimet për objektivat ushtarake.

Kjo u bë për shkak të shqetësimeve mbi viktimat civile në Gaza dhe raporteve për trajtim të keq të të burgosurve palestinezë nga agjencia izraelite Shin Bet. Ligji amerikan kërkon sigurime që inteligjenca e ndarë të përdoret në përputhje me ligjin e luftës, raporton Reuters.

Edhe pse ndarja e inteligjencës vazhdoi në përgjithësi, ndalimi i përkohshëm ndaj një aleati të ngushtë gjatë kohës së luftës ishte i pazakontë dhe theksonte tensionet. Më vonë inteligjenca u rifillua pasi Izraeli dha sigurimet e kërkuara.

Pas sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023, administrata Biden kishte zgjeruar bashkëpunimin e inteligjencës me Izraelin, përfshirë mbikëqyrjen me dronë. Por, raportimet për trajtim të keq të të burgosurve dhe viktimat civile çuan më pas në rishikime të brendshme dhe konsiderime për reduktime të tjera në ndarjen e inteligjencës.

Megjithëse analistët e inteligjencës amerikane ngritën shqetësime serioze lidhur me mundësinë e krimeve të luftës, avokatët e administratës vendosën që Izraeli nuk kishte shkelur ligjin ndërkombëtar.

U diskutua edhe përfundimi formal i ndarjes së inteligjencës së zgjeruar, por presidenti Biden vendosi për ta shmangur këtë, duke thënë se një administratë e ardhshme mund ta rifillojë atë. /Telegrafi/

Kurti: Anija me ndihma nga Kosova niset nga Turqia drejt Gazës, kjo u bë e mundur pas marrëveshjes së paqes nën udhëheqjen e Trumpit

13 December 2025 at 11:49


Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka bërë të ditur se ka marr njoftimin se anija e ngarkuar me ndihmën humanitare të Qeverisë së Republikës së Kosovës, e dedikuar për popullin e Gazës, është nisur nga porti i Mersinit në Turqi drejt Gazës.

Kurti në një postim në Facebook shkruan se edhe pse Qeveria e Republikës së Kosovës e ka marrë këtë vendim që në janar, realizimi i tij u bë i mundur vetëm pas marrëveshjes së fundit të paqes, të arritur nën udhëheqjen e Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Lexoni të plotë postimin:

Sapo morëm njoftimin se anija e ngarkuar me ndihmën humanitare të Qeverisë së Republikës së Kosovës, e dedikuar për popullin e Gazës, është nisur nga porti i Mersinit në Turqi. Dërgesa jonë humanitare, me vlerë prej 500 mijë euro, përfshin tenda, pako ushqimore, batanije dhe 158 mijë racione të ushqimit të ngrohtë për banorët në nevojë atje.

Edhe pse Qeveria e Republikës së Kosovës e ka marrë këtë vendim që në janar, realizimi i tij u bë i mundur vetëm pas marrëveshjes së fundit të paqes, të arritur nën udhëheqjen e Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Kjo ndihmë humanitare përfaqëson angazhimin e Republikës së Kosovës si pjesë e solidaritetit ndërkombëtar dhe përkushtimin tonë për të mbështetur popullatën civile që po përballet me vështirësi tejet të mëdha në Gaza. Na gëzon fakti që jemi qeveria e parë e Republikës së Kosovës që arrijmë të ofrojmë një mbështetje të tillë për banorët e Gazës. Shpresojmë që ajo të kontribuojë, qoftë edhe në mënyrë modeste, në lehtësimin e vuajtjeve dhe në përpjekjet për paqe, siguri dhe stabilitet për të gjithë.

Me këtë rast, dua të shpreh mirënjohjen time të thellë për Republikën e Turqisë dhe Gjysmëhënën e Kuqe Turke, për bashkëpunimin e ngushtë dhe ndihmën në realizimin e këtij operacioni humanitar. /Telegrafi/





Foshnja 8-muajshe vdes nga i ftohti në Gaza, mijëra familje në rrezik si pasojë e motit të keq

11 December 2025 at 15:17


Një foshnjë palestineze tetëmuajshe ndërroi jetë sot nga i ftohti i ashpër në qytetin Khan Younis në jug të Rripit të Gazës, mes kushteve të përkeqësuara të dimrit me të cilat po përballen familjet e zhvendosura pas dy vitesh luftë.

Foshnja, e identifikuar si Rahaf Abu Jazar, vdiq pasi temperaturat ranë ndjeshëm në zonë ndërsa familjet po strehohen në tenda të improvizuara.

Duke konfirmuar vdekjen, kreu i Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, Munir al-Bursh paralajmëroi se më shumë fëmijë, të moshuar dhe të sëmurë mund të humbin jetën nga i ftohti.

"Temperaturat e ulëta po i shkatërrojnë fëmijët, të moshuarit dhe të sëmurët", tha ai, duke përshkruar raste me dridhje të forta, humbje të temperaturës trupore, përkeqësim të frymëmarrjes dhe rrezik vdekjeje.

Ai tha se lagështia dhe uji i ndenjur brenda tendave krijojnë një mjedis për pneumoni dhe infeksione respiratore ndërsa të sëmurët nuk po arrijnë të gjejnë ilaçe apo kujdes mjekësor.

Mbrojtja Civile e Gazës tha se tërë kampet janë përmbytur nga uji i shiut, përfshirë zonat në Al-Mawasi në Khan Younis, Al-Bassa dhe Al-Baraka në Deir al-Balah, zonën e Tregut Qendror në Nuseirat si dhe lagjet Yarmouk dhe Al-Mina.

Sipas të dhënave të mëparshme, Gazës i nevojiten 300 mijë tenda dhe njësi banimi për të përmbushur nevojat më bazike të strehimit, pasi Izraeli shkatërroi infrastrukturën gjatë dy viteve të luftës.

OKB-ja vlerëson se kostoja e rindërtimit të Gazës arrin në rreth 70 miliardë dollarë. /AA/

Negociatat e armëpushimit në Gaza në një moment kritik?

7 December 2025 at 08:10


Negociatat për një marrëveshje armëpushimi të qëndrueshme për Gazën janë në një "moment kritik", ka njoftuar kryeministri i Katarit, i cili ka luajtur një rol kyç në ndërmjetësimin e marrëveshjes.

Sheiku Mohammed bin Abdulrahman tha se një armëpushim përfundimtar mund të ndodhë vetëm me një tërheqje të plotë të trupave izraelite nga enklava e rrethuar.

Bëhet e ditur se faza e parë e një marrëveshjeje për armëpushim u arrit në tetor, por dhuna në Gaza nuk është ndalur.

Vetëm të shtunën, thuhet se u vranë shtatë persona.

Autoritetet lokale shëndetësore palestineze thanë se viktimat ishin nga Beit Lahiya, Jabalia dhe Zeitoun në Gazën veriore dhe përfshinin një grua 70-vjeçare e cila u vra nga një sulm me dron.

Ndryshe, armëpushimi i shumëpritur - dhe i dyti pasi një marrëveshje e parë u prish në fillim të këtij viti - filloi më 11 tetor pasi Izraeli dhe Hamasi ranë dakord për fazën e parë të planit të paqes prej 20 pikash të Donald Trump .

Pavarësisht akuzave nga të dyja palët për shkelje, bisedimet mbi fazën tjetër të marrëveshjes së armëpushimit filluan pothuajse dy javë më parë , me zyrtarë turq, katarianë dhe egjiptianë që u takuan në Kajro për të diskutuar pjesën e dytë të marrëveshjes, duke përfshirë vendosjen e një force dhe organi stabilizues për të qeverisur Gazën dhe për të mbikëqyrur rindërtimin.

Që nga fillimi i armëpushimit, Hamasi ka kthyer të 20 pengjet e gjalla dhe 27 trupa në këmbim të rreth 2,000 të ndaluarve dhe të burgosurve të dënuar palestinezë. /Telegrafi/

"Ka shpresë", për herë të parë pas luftës, Palestina ndez dritat e Krishtlindjeve

6 December 2025 at 18:40


Për dy vjet gjatë luftës në Gaza, të gjitha festimet publike për Krishtlindje u anuluan në Betlehem në Bregun Perëndimor të pushtuar - ku të krishterët besojnë se lindi Jezusi.

Por pas armëpushimit të kohëve të fundit, qyteti i shenjtë vendosi që këtë vit festimet të ktheheshin, siç simbolizohet nga ndezja e pemës tradicionale gjigante të Krishtlindjeve përpara Kishës historike të Lindjes.

"Kanë qenë dy vite të këqija heshtjeje; pa Krishtlindje", tha kryetari i bashkisë së Betlehemit, Maher Canawati.

"Ne të gjithë jetojmë këtu nga turizmi dhe turizmi kishte rënë në zero."

Kryebashkiaku pranon se ideja e rifillimit të festimeve nuk ishte pa polemika, ndërsa vuajtjet vazhdojnë në Gaza - përfshirë edhe ata në komunitetin e saj të vogël të krishterë, shumë prej të cilëve kanë të afërm në Betlehem.

"Disa mund të thonë se nuk është e përshtatshme dhe të tjerë thonë se është e përshtatshme", tha ai.

"Por thellë në zemrën time, ndjeva se kjo ishte gjëja e duhur për të bërë sepse Krishtlindjet nuk duhet të ndalen ose anulohen kurrë. Kjo është drita e shpresës për ne."

Vendasit - si të krishterë ashtu edhe myslimanë - pozojnë për selfie para pemës me stoli të kuqe dhe të arta në Sheshin Manger.

Atyre u bashkohen një grusht turistësh të huaj. Drita me ngjyra të ndezura tani ndriçojnë rrugët.

“Jemi shumë të lumtur që e kemi pemën, gjëja e parë, dhe që shohim të huaj në Betlehem dhe që jemi në gjendje të festojmë Krishtlindjet në frymën e saj të vërtetë", tha një banore.

"Këtu filloi gjithçka, kështu që këtu mund t'i dërgojmë botës mesazhin se çfarë duhet të jetë në të vërtetë Krishtlindja. Dhe këtë vit, nëse Krishtlindja është paqësore, atëherë shpresoj se do të sjellë një mesazh të mirë për të gjithë botën."

"Po përgatitemi për Krishtlindje pas një prej periudhave më të vështira si palestinezë dhe si të krishterë", tha Alaa Salameh, pronar i Afteem, një restorant familjar me dekada të tëra, të ardhurat e të cilit kanë rënë ndjeshëm.

Me tensionet ende të larta në të gjithë rajonin, njerëzit në Betlehem thonë se po luten për paqe dhe shpresojnë që turistët të kthehen në vendin ku besohet se filluan Krishtlindjet. /Telegrafi/

"Besimi te Zoti më mbajti gjallë", palestinezi rrëfen rrëmbimin dhe rrahjen brutale nga izraelitët

5 December 2025 at 20:50


Një burrë palestinez nga Bregu Perëndimor i pushtuar tha se u rrëmbye, u rrah dhe u mor në pyetje për orë të tëra nga kolonët e paligjshëm izraelitë përpara se të hidhej në anë të rrugës dhe të lihej pa ndjenja, mes paralajmërimeve në rritje për dhunën e kolonëve në territor.

I shtrirë në një shtrat spitali në Ramallah, 28-vjeçari Owais Hammam foli me mavijosje të dukshme në fytyrë dhe trup, duke thënë se kolonët e rrethuan ndërsa ai po lutej gjatë një shëtitjeje pranë fshatit të tij Bani Harith në perëndim të Ramallah-ut.

“Shkova për një shëtitje të shkurtër pranë një burimi në zonën al-Risan dhe, ndërsa po falja namazin, u habita nga një grup kolonësh të paligjshëm që po afroheshin me shpejtësi. Ata më rrethuan nga të gjitha drejtimet dhe filluan të më godisnin në trup”, i tha ai Anadolut.

Ai tha se kolonët e çuan atë në një mal kur ai nuk mundi më të qëndronte në këmbë, ku sulmi u intensifikua.

"Pasi më rrahën, më çuan dhe më rrëmbyen në majë të malit. Atje, vazhduan rrahjet, fyerjet, poshtërimi dhe degradimi pa pushim."
Hammami tha se përfundimisht humbi ndjenjat nga rrahjet.

Ai tha se kolonët ia lidhën duart, e rrahën me kondakë pushkësh, e zvarritën përtokë dhe e qëlluan me gurë, duke shtuar se disa ishin ushtarë të maskuar si kolonë.

"Më morën në pyetje ndërsa më rrihnin, më fyenin fenë dhe më godisnin në të gjithë trupin derisa gjaku më rridhte nga të gjitha anët."

Pavarësisht dhunës, ai tha se besonte se do të mbijetonte.

"Besimi im te Zoti ishte i fortë se Ai do të më siguronte një rrugëdalje - dhe kjo është ajo që ndodhi."

Ai tha se kolonët e paligjshëm e futën në një automjet në agim dhe nganë nëpër rrugë të ndryshme përpara se ta braktisnin.

“Në mëngjes, më futën në automjet, bënë një xhiro përreth, pastaj më hodhën mënjanë dhe u larguan… Shkova direkt në spital.”

Babai i tij, Hammam, tha se familja u panikua kur Owais u zhduk përpara se të merrte një telefonatë nga inteligjenca izraelite duke pretenduar se kolonët e kishin ndaluar atë.

"Ata telefonuan dhe thanë se kolonët e paligjshëm e kishin kapur ndërsa po ecte në mal."

“Djali im u rrah brutalisht nga kolonët e paligjshëm në majë të malit. Pastaj ushtria e mori dhe vazhdoi ta rrihte e torturonte deri në mëngjesin tjetër. Ai po agjëronte dhe nuk i lejuan as një gllënjkë ujë”, tha ai.

Oficeri më vonë telefonoi përsëri, duke thënë se Owais i ishte dorëzuar Autoritetit Palestinez, duke e këshilluar familjen që "të ruhej dhe ta mbante larg zonës".

Babai falënderoi Zotin që djali i tij u kthye gjallë.

Ai shtoi se Owais është nën mbikëqyrje mjekësore. /AA/

Izraeli sërish bombardoi Gazën, vriten të paktën gjashtë persona

3 December 2025 at 21:59


Ushtria izraelite (IDF) konfirmon se ka kryer një sulm ajror në Khan Younis, në jug të Gazës.

Ushtria njoftoi se ka pasur në shënjestër një operativ të Hamasit në përgjigje të një sulmi ndaj trupave më herët gjatë ditës.

“Më herët sot, organizata terroriste Hamas kreu një shkelje të hapur të marrëveshjes së armëpushimit, gjatë së cilës terroristët sulmuan trupat e IDF të vendosur në zonën e Rafahut”, thotë ushtria.

Israel bombs Gaza, killing six people. pic.twitter.com/VQfU8ZAslX
— Clash Report (@clashreport) December 3, 2025

Pesë ushtarë u plagosën në sulm, përfshirë një rëndë, raporton timesofisrael.

Në përgjigje të shkeljes së armëpushimit, IDF thotë se “goditi një terrorist të Hamasit në Rripin e Gazës jugore”.

Ushtria nuk jep detaje të tjera mbi identitetin e objektivit. Mediat palestineze raportuan se të paktën gjashtë persona u vranë gjatë sulmit. /Telegrafi/

Me ndihmën e Erdoganit, vajza nga Gaza ribashkohet me nënën në Turqi pas dy vitesh

1 December 2025 at 07:40


Meryem Yilmaz Jarada, 14-vjeçe, nga Gaza, e cila u dërgua në Ankara me urdhër të presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, pasi bëri një thirrje në rrjetet sociale për të parë nënën e saj, e cila ka marrë trajtim në Turqi për dy vjet, po përjeton gëzimin e ribashkimit me të.

Jarada, nxënëse e shkollës së mesme, me nënë turke dhe baba palestinez, lindi në Gaza, nën bllokadën izraelite.

Nëna e Meryemes u soll në Ankara për trajtim për një tumor në tru vetëm dy muaj para sulmeve të nisura nga Izraeli në tetor 2023.

E ndarë nga nëna gjatë trajtimit të saj dhe duke luftuar për të mbijetuar nën bombardime me babanë dhe vëllezërit e motrat, 14-vjeçarja dhe familja e saj bënë përpjekje të shumta për të shkuar në Turqi, por pa sukses.

Meryem, e cila kishte ëndërruar për ditën kur do të ribashkohej me nënën e saj për dy vjet, kohët e fundit postoi një video në rrjete sociale duke i bërë thirrje për ndihmë presidentit Recep Tayyip Erdogan.

Dhe thirrja e Meryemes nuk mbeti pa përgjigje.

Duke ndjekur udhëzimet e presidentit Erdogan, autoritetet turke ndërmorën veprime dhe siguruan që vajza dhe vëllezërit e motrat e saj të dërgoheshin në Turqi.

Duke vënë në dukje se ata u përballën me sfida të shumta në Gaza, nga uria te siguria, Meryem tha: "Nga njëra anë kishte luftë dhe, nga ana tjetër, mungesa e nënës sime... Sigurisht, gjithçka ishte shumë e vështirë, por falë Zotit, Zoti na ndihmoi dhe më në fund arritëm të vinim në Turqi dhe të ribashkoheshim me nënën." /AA/

Mbi 70 mijë palestinezë të vrarë pas nisjes së luftës Izrael-Hamas

29 November 2025 at 22:51


Ministria e Shëndetësisë në Rripin e Gazës, e udhëhequr nga lëvizja palestineze Hamas, njoftoi sot se më shumë se 70 mijë njerëz janë vrarë në territoret palestineze që nga fillimi i luftës së shkaktuar nga sulmi i Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023.

Ky bilanc i ri vjen një muaj e gjysmë pas arritjes së një armëpushimi të brishtë me ndërmjetësimin e SHBA-ve. Të dyja palët akuzojnë njëra-tjetrën për shkelje të tij.

Ministria njofton se numri total i viktimave të lidhura me konfliktin ka arritur në 70,100 dhe se 354 palestinezë janë vrarë nga zjarrin izraelit që nga fillimi i armëpushimit më 10 tetor. Ministria shtoi se në 48 orët e fundit kanë mbërritur dy trupa në spitalet e Gazës, nga të cilët njëri është nxjerrë nga rrënojat, ndërsa lufta ka shkatërruar territorin.

Sulmi i 7 tetorit ka shkaktuar vdekjen e 1,221 personave në anën izraelite, kryesisht civilë, sipas të dhënave që AFP ka mbledhur nga burime zyrtare.

Në total, 251 persona janë rrëmbyer gjatë sulmeve të Hamasit dhe janë dërguar në Gaza, raporton france24.

Si pjesë e armëpushimit, Hamas liroi 20 të burgosur të gjallë që ende i mbante dhe ktheu trupat e 26 nga 28 të burgosurve të vdekur.

Përkundrazi, Izraeli liroi rreth 2,000 të burgosur palestinezë dhe ktheu trupat e qindra palestinezëve të vdekur. /Telegrafi/

Izraeli vret dy palestinezë, pavarësisht se ata dukej se po dorëzoheshin

28 November 2025 at 12:12


Forcat izraelite vranë dy burra palestinezë në Bregun Perëndimor, pasi ata dukeshin sikur po dorëzoheshin.

Palestinezët thanë se vrasjet, të cilat u filmuan dhe u shfaqën në dy kanale televizive arabe, u kryen "me gjakftohtësi".

Në video, burrat shihen duke dalë nga një ndërtesë dhe duke u shtrirë përtokë përpara forcave izraelite në qytetin verior të Bregut Perëndimor, Jenin.

Të dy burrat ngritën bluzat dhe mbajtën duart lart, me sa duket për të treguar se nuk mbanin armë ose eksplozivë.

Ushtarët më pas u shfaqën për t'i urdhëruar burrat të ktheheshin brenda ndërtesës përpara se të qëlloheshin.

Një gazetar i Reuters në zonë i pa burrat të largoheshin nga ndërtesa, duke u dukur sikur po dorëzoheshin, dhe më vonë, pasi dëgjuan të shtëna, pa forcat izraelite duke qëndruar pranë asaj që dukej të ishte një trup i pajetë.

Burrat u identifikuan si al Muntasir Abdullah, 26 vjeç, dhe Yousef Asasa, 37 vjeç, nga autoritetet palestineze.

- YouTube www.youtube.com

Çfarë ka thënë Izraeli për incidentin?

Një deklaratë e përbashkët midis Forcave të Mbrojtjes Izraelite dhe policisë izraelite tha: "Më herët gjatë një operacioni të Policisë Kufitare Izraelite dhe IDF-së në zonën e Jeninit, forcat vepruan për të kapur individë të kërkuar që kishin kryer aktivitete terroriste, duke përfshirë hedhjen e eksplozivëve dhe të shtënat ndaj forcave të sigurisë."

"Individët e kërkuar ishin të lidhur me një rrjet terroristësh në zonën e Jeninit”, shton deklarata.

"Forcat hynë në zonë, rrethuan strukturën në të cilën ndodheshin të dyshuarit dhe filluan një procedurë dorëzimi që zgjati disa orë. Pas përdorimit të mjeteve inxhinierike në strukturë, dy të dyshuarit dolën.”

"Pas daljes së tyre, u qëllua me armë drejt të dyshuarve.”

"Incidenti është duke u shqyrtuar nga komandantët në terren dhe do t'u transferohet organeve përkatëse profesionale."

Por palestinezët dhe grupet e të drejtave të njeriut thonë se hetimet izraelite në incidente të tilla japin pak rezultate, me trupat izraelite që rrallë ndiqen penalisht. /Telegrafi/

Ushtria izraelite nis një operacion të madh në Bregun Perëndimor

26 November 2025 at 08:55


Ushtria izraelite njoftoi sot nisjen e një “operacioni të madh” kundër grupeve të armatosura palestineze në veri të Bregut Perëndimor të okupuar.

“Gjatë natës së së mërkurës, forcat [izraelite] filluan operacionet si pjesë e një operacioni të madh kundër terrorizmit në rajonin verior” të Bregut Perëndimor, thuhet në deklaratën e ushtrisë izraelite.

Forcat izraelite “nuk do të lejojnë që terrorizmi të marrë rrënjë atje”, shtoi ushtria.

Izraeli e ka okupuar Bregun Perëndimor që nga viti 1967.

Ushtria izraelite sqaroi për AFP-në se nuk bëhet fjalë për vazhdimin e “operacionit kundër terrorizmit” të nisur në janar 2025, i cili ishte kryesisht i fokusuar te kampet e refugjatëve palestinezë në rajon, por për “një operacion të ri”. Nuk dha detaje të mëtejshme.

Overnight, the IDF, ISA, and Israel Border Police began operating as part of a broad counterterrorism operation in the area of northern Samaria.

IDF and ISA forces will not allow terrorism to take root in the area and are acting proactively to thwart it.
— Israel Defense Forces (@IDF) November 26, 2025

Dhuna në Bregun Perëndimor shpërtheu pas fillimit të luftës në Gaza, e shkaktuar nga sulmi i përgjakshëm i lëvizjes islamiste palestineze Hamas ndaj jugut të Izraelit më 7 tetor 2023.

Që prej 7 tetorit, më shumë se një mijë palestinezë – përfshirë shumë luftëtarë, por edhe shumë civilë – janë vrarë nga ushtria izraelite ose kolonët, sipas të dhënave të AFP-së të bazuara në të dhënat e Autoritetit Palestinez.

Ndërkohë, sipas të dhënave zyrtare izraelite, të paktën 43 izraelitë, përfshirë civilë dhe ushtarë, janë vrarë në sulme palestineze ose gjatë bastisjeve ushtarake izraelite.

Dhuna në Bregun Perëndimor ka vazhduar me intensitet të pandërprerë që nga 10 tetori, kur hyri në fuqi armëpushimi në Gaza. /Telegrafi/

❌CEASEFIRE VIOLATION: A terrorist was identified crossing the yellow line and approaching IDF troops in northern Gaza, posing an immediate threat.

Following identification, troops fired and eliminated the terrorist.
— Israel Defense Forces (@IDF) November 25, 2025

Uria në Gaza vazhdon, mungojnë ushqimet bazë

24 November 2025 at 11:40


Hudhra zien në tenxhere të mëdha metalike.

Kuzhinierët shtojnë domate dhe speca dhe e përziejnë me lugë gjigante.

Ajo që po përgatitet nuk është vetëm drekë, është një litar shpëtimi.

Ndihma Amerikane për Refugjatët e Lindjes së Afërt (Anera) hapi këtë kuzhinë komunitare në al-Zawayda në Gazën qendrore pas fillimit të armëpushimit gjashtë javë më parë.

Organizata humanitare amerikane ka edhe një kuzhinë tjetër në al-Mawasi në jug të Rripit të Gazës.

Në atë kohë, dy muaj pas fillimit të bllokadës izraelite, e cila pengonte hyrjen e të gjitha ushqimeve dhe mallrave të tjera, rezervat po pakësoheshin.

Tani, me më shumë ushqim të lejuar të hyjë, situata është përmirësuar.

Por Sami Matar i Anera thotë se kuzhinat e tyre nuk janë në gjendje të sigurojnë proteina thelbësore si mishi.

Çdo ditë, Anera ushqen me një vakt të ngrohtë më shumë se 20,000 njerëz.

"Ne po u shërbejmë më shumë se 4,000 familjeve krahasuar me vetëm 900 familje gjashtë muaj më parë."

Qasja në ushqim ka qenë një shqetësim i vazhdueshëm që nga fillimi i luftës në tetor 2023, me Izraelin që kufizon rëndë furnizimet e lejuara përmes kalimeve të Gazës.

Kjo e ka përkeqësuar situatën e rëndë humanitare.

Uria u konfirmua në Qytetin e Gazës në gusht dhe parashikohet të përhapet në zona të tjera të Rripit.

Ndërkohë, OKB-ja vazhdon të bëjë thirrje që të lejohet hyrja e më shumë ndihmave.

Izraeli ka lejuar qindra kamionë me ndihma humanitare të hyjnë në Gaza çdo ditë që nga fillimi i armëpushimit.

Por, ndërsa Anera po arrin të sigurojë më shumë ushqim, të sjellë në Gaza nga partneri i saj, organizata humanitare amerikane World Central Kitchen, ende mungojnë përbërës thelbësorë.

"Ne jemi të kufizuar kryesisht në gatimin e vetëm tre llojeve të vakteve në javë: oriz, makarona dhe thjerrëza", tha Matar.

"Ne punojmë shumë për të përfshirë perime si speca të ëmbël, qepë dhe patate. Kjo na mundëson të përmirësojmë shijen dhe vlerën ushqyese."

"Ne kemi nevojë që ushqimi të jetë më i larmishëm, për të siguruar perime të freskëta dhe proteina thelbësore si mishi dhe pula", vazhdon ai.

"Këto produkte thelbësore nuk lejohen të hyjnë në Gaza."

Për momentin, mishi importohet vetëm nga shitësit komercialë dhe është shumë i shtrenjtë për t’u blerë.

Që nga armëpushimi, Anera ka shërbyer vetëm një herë një vakt me mish, i cili vinte nga konservat.

Anera thotë se kuzhinave të saj u mungojnë gjithashtu enët, me të cilat do të ishte më e pastër të gatuanin.

Ndryshe, javën e kaluar OKB tha se numri i përditshëm i vakteve të shpërndara në Gaza përmes një rrjeti kuzhinash, të drejtuara nga organizata të ndryshme, ka arritur në 1.4 milion - nga më pak se një milion vakte vetëm një muaj më parë.

Popullsia totale e Rripit është mbi dy milionë.

Agjencitë e ndihmës po i bëjnë presion Izraelit që të hapë të pesë pikat e kalimit kufitar në Gaza; aktualisht vetëm tre janë në funksion.

Ata gjithashtu duan që të lehtësohen kufizimet në operacionet e disa organizatave humanitare të themeluara - të shkaktuara nga problemet e regjistrimit izraelit - në mënyrë që ato të mund të sjellin furnizimet e tyre.

Për momentin, Programi Botëror i Ushqimit (WFP) i OKB-së raporton se një e katërta e familjeve në Gaza po hanë vetëm një vakt në ditë.

Thuhet se çmimet e produkteve bazë si perimet, vaji i lulediellit dhe mielli kanë rënë në tregjet lokale, megjithëse ato mbeten shumë më të larta se dy vjet më parë, para luftës.

Pasi Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi planin e Trumpit për Gazën, njerëzit po presin të shohin se çfarë do të ndodhë më pas.

Ata e dinë se armëpushimi midis Izraelit dhe Hamasit mbetet i paqëndrueshëm, por kanë nevojë të madhe që ai të zbatohet. /Telegrafi/

Ushtria izraelite vret një komandant të Hamasit në Gaza

23 November 2025 at 13:01


Ushtria izraelite tha se kishte vrarë një komandant të Hamasit në Gaza, ndërsa Izraeli dhe grupi militant palestinez vazhduan të shkëmbenin akuza për shkelje të armëpushimit.

Njoftimi identifikoi komandantin si Alaa Al-Hadidi, shefi i furnizimit të Hamasit dhe një nga komandantët e prodhimit ushtarak.

Ai thuhet se u vra në një nga sulmet në Rripin e Gazës të shtunën.

Hamasi nuk ka lëshuar një deklaratë mbi vrasjen e supozuar të komandantit.


🔴ELIMINATED: Alaa' Haddadeh, the Head of Supply in Hamas’ Production Headquarters.

Following the violation of the ceasefire agreement, the IDF and the ISA targeted Hamas terrorists in precise strikes across Gaza.

Haddadeh was a central source of knowledge for supply and… pic.twitter.com/CtoQf2jcQR
— Israel Defense Forces (@IDF) November 23, 2025


Ndryshe, ushtria izraelite kreu sulme ajrore në Gaza të shtunën.

Pesë anëtarë të lartë të Hamasit u vranë në sulm.

Autoritetet shëndetësore të Gazës raportuan se edhe të paktën 20 palestinezë u vranë në sulmet ajrore izraelite. /Telegrafi/

Izraeli rifillon sulmet në Gaza, armëpushimi në pikëpyetje

22 November 2025 at 16:22


Izraeli thotë se ka filluar të godasë objektivat e Hamasit në Gaza, duke vrarë të paktën nëntë persona, pas asaj që e quajti një "shkelje flagrante të marrëveshjes së armëpushimit".

Autoritetet lokale shëndetësore në Gaza thanë se kishte pasur tre sulme ajrore të ndara, njëri prej të cilave goditi një veturë në lagjen e dendur të populluar Rimal, duke vrarë pesë persona dhe duke plagosur disa të tjerë.

Menjëherë pas sulmit ndaj veturës, forcat ajrore izraelite goditën dy objektiva të tjerë në Rripin qendror të Gazës.

Të paktën katër persona vdiqën kur dy shtëpi u goditën me bombë në qytetin Deir Al-Balah dhe në kampin Nuseirat.

Ushtria izraelite tha se kishte pasur një “shkelje flagrante të marrëveshjes së armëpushimit”.

Ajo pretendoi se një person i armatosur kishte kaluar në territorin e mbajtur nga Izraeli pasi kishte shfrytëzuar "rrugën humanitare në zonën përmes së cilës ndihma hyn në Gazën jugore".

Një zyrtar i Hamasit i hodhi poshtë akuzat e ushtrisë izraelite si të pabaza, duke i quajtur ato një "justifikim për të vrarë", duke shtuar se grupi palestinez ishte i përkushtuar ndaj marrëveshjes së armëpushimit.

Ndryshe, sulmet ajrore izraelite janë një provë e mëtejshme e një armëpushimi të brishtë me Hamasin, i cili ka qenë në fuqi që nga 10 tetori pas luftës dyvjeçare në Gaza.

Izraeli tërhoqi trupat e tij dhe fluksi i ndihmave në territor është rritur.

Por dhuna nuk është ndalur plotësisht.

Autoritetet shëndetësore palestineze thonë se forcat izraelite kanë vrarë 316 persona në sulmet në Gaza që nga armëpushimi.

Ndërkohë, Izraeli thotë se tre ushtarë të tij janë vrarë që nga fillimi i armëpushimit dhe ka sulmuar dhjetëra militantë. /Telegrafi/

Izraeli vazhdon të zgjerojë vendbanimet ilegale në Bregun Perëndimor

21 November 2025 at 17:56


Izraeli planifikon të pushtojë një pjesë të madhe historike të Bregut Perëndimor, sipas një dokumenti qeveritar, ndërsa kolonët gjatë natës ngritën një vendbanim të ri ilegal, megjithëse vendi po përballet me presion për të frenuar dhunën e kolonëve në territorin palestinez.

Administrata civile e Izraelit ka njoftuar se synon të merr pjesë të mëdha të Sebastisë, vendbanim i rëndësishëm arkeologjik në Bregun Perëndimor.

Peace Now, organizatë që monitoron vendbanimet, tha se kjo pjesë përfshin rreth 450 ari, që përbën marrjen më të madhe nga Izraeli të tokës me rëndësi arkeologjike.

Lëvizja vjen ndërsa kolonët izraelitë festonin krijimin e një vendbanimi të ri, të paautorizuar, pranë Betlehemit, dhe një avokat palestinez tha se një aktivist nga Bregu Perëndimor ishte arrestuar dhe shtruar në spital.

Ndërkohë, Human Rights Watch tha se Izraeli mund të ketë kryer krime lufte kur këtë vit dëboi me forcë 32 mijë palestinezë nga tre kampe refugjatësh në Bregun Perëndimor.

Urdhri izraelit i publikuar më 12 nëntor rendit parcelat e tokës që synon të konfiskojë në zonën e Sebastisë. Peace Now, që ia dha dokumentin AP-së, tha se siti arkeologjik popullor, ku rriten mijëra ullinj, u përket palestinezëve.

Izraeli në vitin 2023 njoftoi planet për ta kthyer atë pjesë në një atraksion turistik. Gërmimet tashmë kanë filluar dhe qeveria ka ndarë më shumë se 9,24 milionë dollarë për zhvillimin e vendbanimit, sipas Peace Now dhe një organizate tjetër për të drejtat e njeriut.

Urdhri u jep palestinezëve 14 ditë kohë për të paraqitur ankesë kundër këtij vendimi.

Pjesa më e madhe e tokës historike që Izraeli kishte marrë më herët kishte një sipërfaqe prej 70 ari në Susya, një fshat në jug të Bregut Perëndimor, thotë Peace Now. /Telegrafi/

❌
❌