Albi Mall Superliga e Kosovës është futur në xhirot e fundit, të cilat do të jenë vendimtare për objektivat e skuadrave.
Xhiro e 33-të është xhiro ku mund të vendoset çdo gjë, kampioni, skuadrat që bien dhe ato që dalin në Evropë.
Ndeshja e parë e xhiros së 33-të luhet të mërkurën (nesër) ku do të jetë derbi kryeqytetas mes Prishtinës së Re dhe Prishtinës në Hajvali nga ora 15:00.
Të shtunën në program janë dy sfida, ku vëmendja është në Gjilan me Dritën që pret Ballkanin.
Kampioni në fuqi i Kosovës ka tetë pikë dhe fitorja në këtë takim i shpall gjilanasit edhe matematikisht kampion.
Sfidë shumë e rëndësishme të shtunën nga ora 16:00 zhvillohet edhe mes Drenicës dhe Gjilanit në Skenderaj.
Ndërkohë të dielën në program janë dy sfida të tjera nga ora 16:00.
Llapi është nikoqir i Dukagjinit, derisa Ferizaj pret Malishevën. /Telegrafi/
Federata e Futbollit e Kosovës, në bashkëpunim me sponsorin zyrtar të Superligës, Albi Mall, vazhdon ndarjen e çmimit tradicional “Ylli i Javës”, i cili i dedikohet futbollistit të KF Llapit, Arbnor Ramadani futbollistit më të dalluar të javës së tridhjetë e dytë në elitën e futbollit kosovar.
Vlerësimi është bërë nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit.
Pas pranimit të këtij çmimi, Arbnor Ramadani u shpreh i lumtur për vlerësimin, duke theksuar rëndësinë e ekipit dhe fokusin për ndeshjet e radhës.
“E kemi pasur një ndeshje ndaj një kundërshtari shumë të fortë si Ballkani. Nuk kemi pasur shumë kohë për përgatitje, por kemi hyrë në fushë pa pasur çfarë të humbim, duke dhënë maksimumin për të marrë një rezultat pozitiv".
"Fondi i lojtarëve në klubin tonë është mjaft i pasur dhe besoj se pozita ku gjendemi aktualisht nuk është reale. Megjithatë, disa rezultate të dobëta radhazi na kanë sjellë në këtë situatë".
"Do të japim maksimumin për të dalë nga kjo gjendje dhe për të shmangur barazhin.Fillimisht dua ta falënderoj Federatën e Futbollit të Kosovës për këtë vlerësim. Ky çmim i dedikohet të gjithë bashkëlojtarëve, sepse pa ta nuk do të ishte e mundur të shpallesha ‘Ylli i Javës’.Tani jemi të fokusuar 100% në ndeshjet e radhës dhe shpresojmë të vazhdojmë me rezultate pozitive." tha ai për faqen zyrtare të FFK-së.
Janë mbyllur të gjitha ndeshjet e javës së 32-të në Superligën e Kosovës, ku nuk munguan befasitë, pasi mysafirët regjistruan katër fitore, ndërsa vendasit nuk morën asnjë.
Drita fitoi ndaj Prishtinës së Re, me golin e shënuar nga pika e bardhë, ku i saktë ishte Besnik Krasniqi.
Malisheva e mposhti në fund Prishtinën, me golin e shënuar nga Altin Aliu, fitore që e afron skuadrën e Bylbyl Sokolit me Evropën.
Gjilani dhe Ferizaj barazuan 1-1 në një ndeshje me shumë vendime të VAR-it. Senad Jaroviq shënoi për Gjilanin, ndërsa Benato Bekima Claudee e mbajti në garë për mbijetesë Ferizajn me golin e barazimit.
Fitore mori edhe Drenica, që mposhti Dukagjinin si mysafire, me një gol të vonë të Fjoart Jonuzit.
Llapi regjistroi një nga fitoret më të rëndësishme të edicionit, duke mposhtur Ballkanin me golin e Arbnor Ramadanit.
Renditja, Drita drejt titullit, Malisheva drejt Evropës
Kanë mbetur edhe katër xhiro deri në fund, ku secila pikë ka vlerë, ndërsa klubet po luftojnë për objektiva.
Drita tani është shumë pranë titullit. Ekipi nga Gjilani kryeson me 63 pikë, tetë më shumë se Ballkani i vendit të dytë (55), i cili pas humbjes nga Llapi e ka vështirësuar ndjeshëm misionin për të kthyer trofeun.
Në vendin e tretë është Malisheva me 52 pikë, duke e forcuar pozitën për garat evropiane, ndërsa Prishtina dhe Gjilani janë në ndjekje me nga 45 pikë, duke e mbajtur të hapur garën për pozitat e kreut.
Në mesin e tabelës, Dukagjini dhe Drenica kanë nga 41 pikë, duke marrë frymë më lirë në luftën për mbijetesë, por tani Llapi po ju vjen nga pas.
Llapi ka arritur të ngjitet në vendin e tetë me 39 pikë dhe e ka rritur shpresën për t’u larguar nga zona e barazhit.
Ferizaj mbetet i parafundit me 34 pikë dhe vazhdon të jetë në rrezik serioz, ndërsa Prishtina e Re është e fundit me 28 pikë, me pak gjasa për mbijetesë.
Me vetëm katër xhiro të mbetura, çdo pikë pritet të jetë vendimtare si në garën për titull, ashtu edhe në betejën për mbijetesë. /Telegrafi/
Në kuadër të javës së 32-të të Superligës së Kosovës, Ballkani u përball me Llapin në Suharekë, ndërsa mysafirët regjistruan një fitore të madhe minimale.
Pjesa e parë u karakterizua me disa raste nga të dyja skuadrat, por rrjetat mbetën të paprekura.
Në pjesën e dytë, Ballkani rriti presionin dhe krijoi mundësi të njëpasnjëshme, por portieri Marjan Coric ishte vendimtar, duke i ndalur të gjitha tentimet e vendasve.
Goli i vetëm i ndeshjes u shënua në minutën e 75-të, kur Llapi shfrytëzoi një dalje të rrezikshme dhe Arbor Ramadani realizoi një gol fantastik për 0-1.
Në minutat e mbetura, Ballkani provoi gjithçka, duke hedhur edhe më shumë sulmues në fushë, por nuk arriti të barazojë.
Ndeshja pati edhe tensione, ku një anëtar i stafit të Llapit u ndëshkua me karton të kuq.
Krejt në kohën shtesë, Ballkani kërkoi penallti, por gjyqtari Genc Nuza, pasi shkoi në VAR, nuk vendosi për pikën e bardhë.
Pas kësaj humbjeje, Ballkani duket se është larg garës për titull, pasi ka 55 pikë, tetë më pak se Drita lidere me 63. Ndërkohë, Llapi ngjitet në vendin e tetë me 36 pikë, pozitë që dërgon në barazh. /Telegrafi/
Edhe tri përballje interesante do të zhvillohen të dielën në kuadër të xhiros së 32-të në Superligën e Kosovës.
Vëmendja do të jetë padyshim në Suharekë, ku Ballkani do të përballet me Llapin, pavarësisht që skuadrat kanë objektiva të ndryshëm këtë edicion.
Të dy klubet kërkojnë vetëm fitore meqenëse Ballkani mbetet në garë për titull, derisa Llapi po lufton për mbijetesë.
Në anën tjetër, Dukagjini do të jetë nikoqir i Drenicës. Skuadra nga Klina po kalon një formë fantastike prandaj dëshiron të vazhdojë me të njëjtin ritëm, derisa klubi nga Skënderaj ka nevojë për fitore me ëndrrën që të qëndrojë në elitë.
Përballja e tretë është gjithashtu mes Gjilanit dhe Ferizajt. Vendasit po kërkojnë një pozitë që të shpie në Evropë andaj assesi s’bën të gabojnë derisa Ferizaj po synon t’i shpëtojë rënies.
Të gjitha takimet do të nisin nga ora 15:00./Telegrafi/
Llapi ka shënuar fitore të rëndësishme ndaj Prishtinës së Re me rezultat të thellë 4-0, në kuadër të javës së 31-të të Superligës së Kosovës.
Duke e ditur rëndësinë e pikëve, llapjanët e nisën furishëm takimin dhe gjetën shpejt epërsinë. Në minutën e 6-të, mesfushori Arbnor Ramadani shënoi për 1-0. Pavarësisht rasteve të tjera, pjesa e parë u mbyll me këtë rezultat.
Në pjesën e dytë, Prishtina e Re mbeti me një lojtar më pak, pasi mbrojtësi Endrit Morina u ndëshkua me karton të kuq në minutën e 53-të, çka ia lehtësoi edhe më shumë punën vendasve.
Vetëm pak më vonë, Arianit Hasani e dyfishoi epërsinë për 2-0, ndërsa në minutën e 85-të Erio Sadriu realizoi për 3-0, duke e siguruar fitoren.
Në sekondat e fundit, Fiton Ademi shënoi edhe golin e katërt për rezultatin përfundimtar 4-0.
Pas kësaj fitoreje, Llapi ka 36 pikë në pozitën e tetë, që dërgon në barazh, ndërsa Prishtina e Re me 28 pikë mbetet e fundit në tabelë. /Telegrafi/
Llapi dhe Prishtina e Re kanë publikuar tashmë formacionet zyrtare për ndeshjen e vlefshme për javën e 31-të në Albi Mall Superligën e Kosovës.
Llapjanët janë nikoqir të prishtinasve në ndeshjen që pritet të zhvillohet në stadiumin Zahir Pajaziti, me fillim nga ora 15:00.
Ekipi i Tahir Batatinës vjen në këtë ndeshje nga dy humbje dhe një barazim, kështu që synon t’i kthehet fitores për të mbajtur gjallë shpresat për mbijetesë.
Në anën tjetër, ekipi i Qëndrim Kidës vjen nga një barazim dhe një humbje, por gjithashtu synon tri pikë për të mbetur në garë për pozitën e barazhit apo mbijetesë, pasi një humbje thuajse do t’ia pamundësonte qëndrimin në ligë.
Trajnerët e të dyja skuadrave kanë vendosur të startojnë me formacionet më të mira të mundshme.
Federata e Futbollit e Kosovës ka dalë të dielën me një deklaratë zyrtare, pas rikthimit të dyshimeve për kurdisje të rezultateve në futbollin kosovar, çështje që zakonisht aktualizohet në xhirot e fundit të kampionatit.
Tema u rihap pas komenteve publike të zyrtarëve të Ballkanit dhe Llapit në rrjete sociale, ku u hodhën akuza për manipulim. Bali Kabashi, vëllai i presidentit të FC Ballkanit, Arsim Kabashit, shkroi se ndeshja mes Dritës dhe Llapit është e kurdisur dhe “dihet se kush fiton”, duke aluduar në fitoren e Dritës. Më pas reagoi edhe Amrush Batatina, vëllai i presidentit të KF Llapit, Beqir Batatinës.
Ai e akuzoi Ballkanin për kurdisje ndeshjes, duke e përfshirë edhe KF Malishevën.
Në reagimin e saj, FFK – përmes Komisionit të Integritetit të Garave dhe Komisionit të Garave – theksoi se monitorimi bëhet vazhdimisht në të gjitha ndeshjet e kampionatit, jo vetëm në këtë xhiro. Federata bëri të ditur se, përveç mekanizmave të saj të brendshëm, ekziston edhe një organizatë e kontraktuar nga UEFA që analizon ndeshjet për çështje që lidhen me integritetin.
FFK sqaroi se për çdo ndeshje angazhohen përfaqësues të Komisionit të Integritetit me qëllim të mbikëqyrjes dhe raportimit të çdo situate që mund ta cenojë garën.
"Sa i përket deklaratave publike të zyrtarëve të klubeve, Federata njoftoi se do t’i trajtojë ato me “seriozitet të plotë” dhe se, në përputhje me rregulloret në fuqi, do të iniciojë procedura disiplinore. Po ashtu, u tha se në këtë proces do të përfshihen edhe institucionet relevante, përfshirë Policinë e Kosovës dhe organet e tjera brenda Këshillit Kombëtar për Parandalimin dhe Sanksionimin e Dhunës dhe Dukurive Negative në Ngjarjet Sportive", të cilat, sipas FFK-së, tashmë janë të njoftuara.
Federata theksoi gjithashtu se është në komunikim të vazhdueshëm me mekanizmat e UEFA-s dhe se ndeshjet në fjalë “kanë qenë dhe mbeten të monitoruara”.
Në deklaratë, FFK bëri thirrje që çdo pretendim publik të shoqërohet me fakte dhe dëshmi konkrete, duke paralajmëruar se vetëm mbi bazën e provave mund të merren masa konkrete dhe të zhvillohen procese të drejta.
FFK garantoi se çdo individ apo klub që vërtetohet se ka qenë i përfshirë në manipulim të ndeshjeve do të përballet me masa të rrepta disiplinore, deri në përjashtim nga garat, në përputhje me rregulloret e FFK-së dhe normativat e UEFA-s e FIFA-s.
Në fund, Federata rikujtoi se klubet pretendente për pjesëmarrje në garat ndërkombëtare janë nën monitorim të vazhdueshëm, pasi UEFA nuk lejon pjesëmarrjen e ekipeve që cenojnë integritetin e ndeshjeve, ndërsa ftoi çdo person që posedon informata të besueshme t’i paraqesë ato në organet kompetente, përfshirë Prokurorinë e Shtetit. /Telegrafi/
Ferizaj ka siguruar kualifikimin në finalen e Kupës së Kosovës, duke ruajtur rezultatin në ndeshjen kthyese gjysmëfinale ndaj Llapit dhe duke përfituar nga fitorja e ndeshjes së parë.
Ndeshja e kthimit, e zhvilluar në Ferizaj, u shoqërua me tensione dhe u ndërpre për më shumë se dhjetë minuta. Takimi u ndal në minutën e 55-të, pasi nga tribunat u hodhën gjësende në fushë.
Nga gjuajtjet e shikuesve u godit mbrojtësi i Llapit, Ilir Blakqori. Në momentin e ndërprerjes, rezultati ishte 0-0.
Ndeshja rifilloi vetëm pasi shikuesit u larguan plotësisht nga stadiumi. Pas 18 minutash shtesë, Ferizaj krijoi më shumë raste dhe ishte afër golit, por rezultati nuk ndryshoi.
Ferizaj arriti ta ruajë rezultatin deri në fund dhe, falë epërsisë nga ndeshja e parë (2-1), siguroi kalimin në finalen e madhe të Kupës së Kosovës. /Telegrafi/
Ferizaj dhe Llapi kanë publikuar tashmë formacionet zyrtare të ndeshjes së dytë gjysmëfinale të Kupës së Kosovës.
Ferizajasit janë nikoqir të llapjanëve në ndeshjen e cila pritet të zhvillohet në stadiumin e qytetit nga ora 15:00.
Vendasit vijnë në këtë ndeshje me një epërsi minimale pas fitores 2-1 në Podujevë në ndeshjen e parë dhe duan ta konfirmojnë vendin e tyre në finalen e madhe.
Megjithatë, mysafirët e Tahir Batatinës luajnë për “gjithçka ose asgjë” dhe do të tentojnë deri në fund rikthimin e madh dhe kualifikimin në finalen e Kupës së Kosovës.
Të dy skuadrat kanë vendosur të startojnë me formacionet më të mira të mundshme, përkundër disa mungesave.
Është mbyllur pa fitues derbi ndërmjet Llapit dhe Prishtinës në kuadër të xhiros së 29-të në Superligën e Kosovës.
Pavarësisht rasteve të shumta nga dy skuadrat, si dhe aksioneve të vazhdueshme – epilogu përfundimtar rezultoi të jetë 0-0.
Llapi në përgjithësi kishte tentimet më të mira megjithatë u vërejt mjaftë shumë mungesa e Muhamet Hysenit, pasi iu mungoi finalizimi i tyre.
Altin Gjokaj gjithashtu vlen të vlerësohet lartë pasi e shpëtoi skuadrën “bardhëkaltër” disa herë, ku me pritje fantastike ua mohoi golin vendasve.
Prishtina ndërkohë u këndell vonë për të rrezikuar më shumë në 10-minutëshin e fundit, ku edhe kërkuan një penallti si dhe ishin afër të realizonin përmes Ardian Mujës, megjithatë goditja e këtij të fundit përfundoi jashtë portës.
Kësisoj, Prishtina zë pozitën e tretë me 44 pikë ndërsa Llapi renditet në vendin e shtatë me 33 sosh./Telegrafi/
Llapi dhe Prishtina do të takohen me fillim nga ora 15:00 në stadiumin ‘Zahir Pajaziti’ në Podujevë në kuadër të xhiros së 29-të në elitën e futbollit kosovar.
Llapjanët të cilët këtë sezon kanë pasur një formë tejet të luhatshme, kërkojnë fitoren para publikut të tyre pas disfatës së fundit po ashtu në shtëpi, ndaj Drenicës me rezultat 1-0.
Prishtina në anën tjetër vjen në këtë ndeshje pas dy barazimeve radhazi dhe synon t’i jap fund kësaj forme me një fitore.
Në takimin e fundit mes këtyre dy skuadrave, Prishtina kishte marrë fitore të thellë me rezultat 4-1 në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Të dy trajnerët, Tahir Batatina dhe Alban Dragusha kanë vendosur ta nisin ndeshjen me lojtarët më të mirë në dispozicion:
Albi Mall Superliga e Kosovës rikthehet sërish këtë vikend, ku sipas programit do të zhvillohen ndeshjet e xhiros së 29-të.
Dy duelet e para që do të luhen sot (e shtunë) në kuadër të kësaj xhiroje janë Ferizaj-Prishtina e Re dhe Llapi-Prishtina.
Në takimin e parë tri pikët janë jetike për të dyja skuadrat, të cilat këtë edicion po luftojnë për të siguruar mbijetesën.
Përballja e fundit mes tyre kishte përfunduar me rezultat minimal 1-0 në favor të Prishtinës së Re.
Në anën tjetër derbi mes Llapit dhe Prishtinës po ashtu ka rëndësi të madhe për dy taborret.
Llapjanët të cilët këtë sezon kanë pasur një formë tejet të luhatshme, kërkojnë fitoren para publikut të tyre pas disfatës së fundit po ashtu në shtëpi, ndaj Drenicës me rezultat 1-0.
Prishtina në anën tjetër vjen në këtë ndeshje pas dy barazimeve radhazi dhe synon t’i jap fund kësaj forme me një fitore.
Në takimin e fundit mes këtyre dy skuadrave, Prishtina kishte marrë fitore të thellë me rezultat 4-1 në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Të dyja këto ndeshje pritet të nisin me fillim nga ora 15:00./Telegrafi/