Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Endrit Morina bëhet me skuadër të re pas largimit të Drita

16 January 2026 at 21:02


Futbollisti i talentuar Endrit Morina, është bërë shpejtë me skuadër të re pas përfundimit të bashkëpunimit të tij me Dritën.

Sot (e premte) gjatë ditës, klubi gjilanas kishte bërë me dije se kanë ndërperë bashkëpunimin me Morinën, i cili ishte bërë pjesë e tyre nga Feronikeli ’74.

Sidoqoftë, ai nuk është vonuar për të gjetur një ambient të ri dhe tashmë ka gjetur ‘folenë’ e re.

Sipas burimeve të Telegrafit, Morina ka arritur marrëveshje me Prishtinën e Re dhe pritet që aty ta vazhdojë karrierën.

Prishtina e Re së fundmi ka ndarë rrugët me disa futbollistë dhe tashëm Morina pritet të jetë goditja e tyre e janarit.

24-vjeçari më parë ka luajtur edhe në Zvicër, ku ka veshur fanellat e Xamax dhe Biel-Bienne

Pas 19 xhirove të zhvilluara deri më tani në elitën e futbollit kosovar, Prishtina e Re renditet e fundit me 15 pikë të grumbulluara./Telegrafi/

Zyrtare: Axel Gnapi transferohet nga Llapi te klubi rus

16 January 2026 at 14:11


Klubi nga Podujeva, Llapi ka njoftuar zyrtarisht shitjen e sulmuesit Axel Gnapi te klubi rus, FC Fakel Voronezh, i cili bën pjesë në nivelin e dytë të futbollit rus.

Gjatë ditës së sotme (e premte), Llapi ka njoftuar marrëveshjen e transferimit të Gnapit te rusët e Fakel Voronezh.

“KF Llapi njofton opinionin dhe tifozët se ka arritur marrëveshje me klubin FC Fakel Voronezh për transferimin e sulmuesit, Axel Gnapi”, thuhet fillimisht në njoftimin e Llapit.

“Pas interesimit të vazhdueshëm të klubit rus, KF Llapi ka rënë dakord për kushtet e ofruara dhe ka vendosur ta lirojë futbollistin”.

“KF Llapi e vlerëson maksimalisht angazhimin dhe profesionalizmin e treguar nga Gnapi gjatë këtyre muajve dhe i uron atij shumë suksese në vazhdim të karrierës së tij profesionale”, mbyllet njoftimi pa specifikuar shifrat e transferimit.

Ndryshe, Gnapi iu bashkua Llapit në korrik të vitit të kaluar nga FC Prishtina, ndërsa gjatë qëndrimit të tij te klubi llapjan u paraqit në 15 ndeshje kampionale, ku realizoi 7 gola dhe regjistroi 4 asistime.

Në anën tjetër, Fakel Voronezh zë vendin e parë në Ligën e Dytë Ruse, pasi pas 21 xhirove të zhvilluara ka mbledhur plotë 48 pikë dhe është pretendenti kryesor për t’u ngjitur në Superligë. /Telegrafi/

Standings provided by Sofascore

Zyrtare: Benato Bekima Claude, përforcimi i ri i Ferzajt

13 January 2026 at 21:15


FC Ferizaj ka njoftuar nënshkrimin e Benato Bekima Claude, sulmuesi 19-vjeçar nga FC Riga, i cili do të jetë pjesë e skuadrës bardhë e kaltër.

Lojtari është gjithashtu pjesë e Kombëtares U21 të Kamerunit, dhe pritet të kontribuojë në repartin ofensiv të klubit.

Klubi thekson se Bekima është një shtesë për të përforcuar skuadrën dhe për të dhënë mundësi zhvillimi për talentet e reja.

“Besojmë se do të përshtatet mirë në ekip dhe do të ndihmojë skuadrën gjatë pjesës së mbetur të sezonit”, thuhet në njoftimin zyrtar.


FC Ferizaj në i uroj mirëseardhjen dhe i uron një start të suksesshëm me fanellën bardhë e kaltër. /Telegrafi/

Zyrtare: Aron Babaj kalon nga Prishtina e Re te Milani

13 January 2026 at 13:30


Klubi italian, Milani ka njoftuar zyrtarisht transferimin e mesfushorit të ri kosovar, Aron Babaj, i cili së fundmi ishte pjesë e ekipit Prishtina e Re.

Nga Kosova në Itali. Nga Superliga e Kosovës në Serie A. Nga Prishtina e Re te klubi i madh evropian, Milani.

Një histori e bukur është zyrtarizuar sot (e martë) me kalimin e 16-vjeçarit Aron Babaj te Rossonerët.

Është vet faqja zyrtare e klubit italian, e cila ka njoftuar se mesfushori i lindur në vitin 2009 ka nënshkruar një kontratë me klubin Rossoner.

“AC Milan ka kënaqësinë të njoftojë blerjen e Aron Babajt, i cili do të jetë pjesë e Projektit të së Ardhmes së Milanit, një iniciativë e dedikuar për rritjen dhe zhvillimin e talenteve të reja”.

“Mesfushori i lindur në vitin 2009 ka zgjedhur të bashkohet me Rossonerët”, thuhet në njoftimin e klubit kuqezi.

Ndryshe, Babaj është pjesë e ekipit kombëtar të Kosovës U-17 dhe është djali i ish-futbollist të njohur, Shpëtim Babaj. /Telegrafi/

Zyrtare: Prishtina prezanton mbrojtësin maqedonas Stefan Naumceski

11 January 2026 at 17:44


FC Prishtina ka bërë një goditje të rëndësishme në afatin e dimrit duke prezantuar Stefan Naumceski, mbrojtësin 25-vjeçar maqedonas, si përforcimin e ri për fazën pranverore të sezonit.

Naumceski ka një karrierë të zhvilluar në disa klube elitare të Maqedonisë, duke përfshirë Vardarin, Tikveshin, dhe më së fundmi ishte pjesë e ekipit Brera, ku luajti 15 ndeshje, shënoi 3 gola dhe regjistroi një asistim.

Ai gjithashtu ka përfaqësuar të gjitha grupmoshat e kombëtares së Maqedonisë së Veriut.

Klubi nga kryeqyteti ka pasur nevojë për përforcime në mbrojtje, duke qenë se kjo ishte pika më e dobët e skuadrës gjatë gjysmës së parë të sezonit. Me këtë transferim, Prishtina synon të forcojë linjën e mbrojtjes për të nisur pranverën në garë për titull.


Aktualisht, Prishtina ndodhet në vendin e dytë me 30 pikë, tri më pak se lideri Ballkani, dhe do të nisë fazën pranverore me objektivin për të afruar diferencën dhe për të luftuar për kreun e Superligës. /Telegrafi/

Zyrtare: Llapi përforcon mbrojtjen me Ahmed Domazet

10 January 2026 at 13:24


KF Llapi ka zyrtarizuar përforcimin më të ri në repartin defensiv, duke arritur marrëveshje me qendërmbrojtësin Ahmed Domazet, i cili nga tani do të jetë pjesë e skuadrës bardhekaltër.

Domazet është formuar te ekipi i Strugës, ndërsa gjatë karrierës së tij ka qenë pjesë edhe e disa klubeve në Maqedoninë e Veriut, përfshirë Karaormanin, Ohrin dhe Vardarskin, ku ka fituar përvojë të rëndësishme në futbollin vendor.

Me mbrojtësin është nënshkruar kontratë njëvjeçare, me mundësi vazhdimi edhe për një sezon tjetër, në përputhje me objektivat dhe projektin sportiv të klubit.

Njoftimi i plotë i Llapit:

KF Llapi njofton se ka arritur marrëveshje me futbollistin Ahmed Domazet, i cili i bashkohet klubit tonë si përforcim në repartin defensiv.

Qendërmbrojtësi i fomuar në ekipin e Strugës, gjatë karrierës së tij ka qenë pjesë edhe e skuadrave të Maqedonisë së Veriut si Karaormani, Ohri dhe Vardarski, duke fituar përvojë të vlefshme në futbollin vendor.

Me Ahmed Domazet është nënshkruar kontratë njëvjeçare, me mundësi vazhdimi edhe për sezonin e dytë, në përputhje me objektivat dhe projektin sportiv të klubit.

Domazet vjen te Llapi si një futbollist me potencial zhvillimi, duke shtuar opsionet dhe konkurrencën në fazën mbrojtëse të skuadrës sonë për vazhdimin e sezonit.

KF Llapi i uron mirëseardhje Ahmedit dhe shumë suksese me fanellën bardhekaltër./Telegrafi/

Vëllau binjak i futbollistes së njohur Riola Xhemajli mund të zbarkojë së shpejti te Malisheva

10 January 2026 at 13:02


Malisheva po përgatitet që së shpejti të bëjë një goditje të madhe në afatin kalimtar të transferimeve.

Siç ka mësuar Telegrafi, drejtuesit e klubit janë shumë afër arritjes së një marrëveshjeje me futbollistin e talentuar Rion Xhemaili.

Xhemaili, 22-vjeçar, i lindur dhe i rritur në Zvicër, është vëllau binjak i futbollistes së njohur Riola Xhemaili, e cila tashmë përfaqëson Zvicrën në kategorinë e femrave dhe aktualisht është pjesë e gjigantit holandez PSV Eindhoven.

Rioni është produkt i akademisë së Baselit, atje ku kishte kaluar në moshë shumë të hershme nga Solothurni. Për Baselin ai luajti nga grupmoshat U17 deri tek ato U21.

Rion dhe Riola Xhemaili

Për Xhemailin, sipas burimeve të afërta me lojtarin, interesim kanë shprehur disa klube të njohura kosovare, por është Malisheva ajo që ka bërë një hap tutje në negociata dhe se tashmë lojtari ka disa ditë që ka filluar stërvitjet me ta.

Futbollisti i talentuar aktualisht është pjesë e FC Langenthal, një klub në kantonin e Bernit që bën gara në ligën e katërt të futbollit zviceran.

Xhemaili njihet si një futbollist me driblime vdekjeprurëse dhe këmbëshpejtë, por një lëndim i pësuar i ka penguar vazhdimësinë dhe ai tashmë e sheh Superligën e Kosovës si vendin e duhur për të rikthyer formën.

Kujtojmë se Malisheva aktualisht renditet e pesta në Superligën e Kosovës me 27 pikë të grumbulluara dhe transferimi i Xhemailit do të ishte një ndihmesë e madhe drejt arritjes së objektivave./Telegrafi/

Zyrtare: Udoyen Akpan përforcon Gjilanin

9 January 2026 at 21:31


SC Gjilani ka zyrtarizuar transferimin më të ri në skuadër, duke nënshkruar me futbollistin Udoyen Akpan, i cili i bashkohet ekipit nga Drenica.

Sulmuesi 26-vjeçar vjen me një përvojë të konsiderueshme ndërkombëtare, të fituar gjatë karrierës së tij në disa kampionate evropiane.

Me origjinë nga Liverpooli, Akpan ka qenë pjesë e disa klubeve në Angli, ndërsa ka luajtur gjithashtu në Qipro, Uells, Maltë dhe Itali, duke ndërtuar një profil të gjerë dhe të pasur futbollistik.

Afrimi i Akpanit shihet si një përforcim i rëndësishëm për repartin ofensiv të skuadrës, teksa Gjilani synon të rrisë konkurrencën dhe cilësinë në vazhdim të sezonit.

Njoftimi i plotë i Gjilanit:

SC Gjilani ka kënaqësinë të bëjë të ditur afrimin më të ri në skuadër, futbollistin Udoyen Akpan.

Akpan i bashkohet ekipit tonë nga FC Drenica, duke sjellë me vete një përvojë të pasur të fituar në disa kampionate evropiane.

Sulmuesi 26 vjeçar është me origjinë nga Liverpool, teksa gjatë rrugëtimit të tij profesional, ai ka qenë pjesë e klubeve në Angli, si dhe ka luajtur në Qipro, Uells, Maltë dhe Itali, çka e bën një futbollist me bagazh të rëndësishëm ndërkombëtar.

SC Gjilani i uron mirëseardhje Udoyen Akpanit dhe shpreh besimin se kontributi i tij do të jetë i rëndësishëm për skuadrën në vazhdim të sezonit./Telegrafi/

Zyrtare: Fjoart Jonuzi përforcon Drenicën

8 January 2026 at 21:20


FC Drenica ka bërë të ditur arritjen e marrëveshjes me mesfushorin e Fjoart Jonuzi, i cili edhe më parë ka luajtur në futbollin e Kosovës.

Kuqezinjtë nga Skenderaj nuk i kanë ndalur përforcimet, pasi fillimisht prezantuan brazilianin, Victor Da Silva, ndërsa pas tij Jonuzin.

29-vjeçari vjen nga kampionati shqiptar, ku së fundmi luante për Dinamo City, dhe pritet të sjellë eksperiencë dhe stabilitet në mesfushën e skuadrës.


Jonuzi ka një karrierë të pasur me eksperiencë në klube elitare si KF Tirana, KF Vllaznia, FK Kukësi, SC Gjilani dhe KF Laçi, duke kontribuar në shumë projekte dhe suksese të skuadrave ku ka luajtur.

Klubi e përshkruan Jonuzin si një element kyç për mesfushën dhe një “motor” të rëndësishëm për arritjen e objektivave të sezonit. /Telegrafi/

Zyrtare: Victor Da Silva përforcon sulmin e FC Drenicës

8 January 2026 at 17:52


FC Drenica ka zyrtarizuar afrimin e sulmuesit brazilian Victor Da Silva, i cili nga sot është pjesë e skuadrës kuq e zi.

31-vjeçari vjen në stadiumin “Bajram Aliu” si një përforcim i rëndësishëm për repartin ofensiv, me synimin për të rritur konkurrencën dhe efikasitetin në sulm.

Da Silva ka një karrierë të pasur ndërkombëtare. Së fundmi ai ishte pjesë e FK Partizanit në kategorinë superiore, ndërsa më herët është formuar dhe ka luajtur në futbollin italian te Chievo Verona dhe Brescia.


Ai ka pasur paraqitje të suksesshme edhe në rajon me Vllazninë e Shkodrës, si dhe në arenën aziatike me klubin Nasaf Qarshi.

Drejtuesit e klubit besojnë se përvoja dhe cilësitë e sulmuesit brazilian do të jenë një vlerë e shtuar për ekipin në objektivat e tij sportive gjatë sezonit.

FC Drenica i uron mirëseardhje Victor Da Silvës dhe shumë suksese me fanellën kuq e zi. /Telegrafi/

FC Drenica apelon për ndihmë: Reshjet e shiut shkaktojnë dëme të mëdha në stadium

7 January 2026 at 22:49


Klubi i Futbollit Drenica ka bërë një thirrje publike për ndihmë dhe solidaritet, pas dëmeve të mëdha që reshjet e fundit të shiut kanë shkaktuar në fushën e stadiumit të klubit, duke e bërë atë të papërdorshme për zhvillimin e ndeshjeve dhe stërvitjeve.

Sipas njoftimit të klubit, gjatë muajve të fundit janë bërë investime të konsiderueshme në përmirësimin e fushës së stadiumit, me shumë mund, përkushtim dhe sakrificë, me synimin që infrastruktura sportive t’i përgjigjet standardeve dhe nevojave të lojtarëve, klubit dhe gjithë qytetit.

Megjithatë, brenda pak orësh, reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar dëme serioze, duke shkatërruar punën e ndërtuar me aq përkushtim.

Klubi ka publikuar edhe video që tregojnë gjendjen e fushës para investimeve, pas përfundimit të punimeve dhe pas dëmeve të shkaktuara nga kjo fatkeqësi natyrore, duke theksuar se pamjet flasin qartë për situatën e rëndë aktuale.

FC Drenica i është drejtuar me respekt institucioneve të Republikës së Kosovës, në veçanti Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, si dhe institucioneve të tjera relevante, duke kërkuar përkrahje urgjente për sanimin e dëmeve dhe rikthimin e stadiumit në funksion.

Sipas klubit, ndihma institucionale është jetike për vazhdimin e garave në kampionat dhe pa këtë përkrahje ekziston rreziku real që rrugëtimi sportiv i klubit të vihet në pikëpyetje.

Njëkohësisht, FC Drenica ka bërë thirrje për solidaritet edhe ndaj komunitetit sportiv, tifozëve dhe gjithë dashamirëve të futbollit, duke theksuar se klubi është më shumë se një ekip futbolli – është pjesë e historisë, e rinisë dhe e identitetit sportiv të rajonit.

“Me ndihmën e të gjithëve, shpresojmë të ngrihemi sërish dhe t’u ofrojmë lojtarëve tanë kushtet që i meritojnë. Kërkojmë përkrahje që infrastruktura të përmirësohet në mënyrë të qëndrueshme, për të tashmen dhe të ardhmen, për fëmijët tanë dhe brezat që vijnë”, thuhet në thirrjen e klubit.

FC Drenica thekson se kjo thirrje është një apel për ruajtjen dhe zhvillimin e sportit në Kosovë, duke përmbyllur mesazhin me sloganin: “Drenica është e Kosovës!”. /Telegrafi/

FC Drita inauguron kampin stërvitor – investim strategjik për të rinjtë dhe të ardhmen e klubit

6 January 2026 at 20:57


Një ditë historike për FC Drita dhe futbollin gjilanas, u shënua me inaugurimin e kampit të ri stërvitor të klubit, një hap i madh drejt zhvillimit të të rinjve dhe forcimit të të ardhmes sportive të qytetit.

Ceremonia zyrtare u zhvillua me pjesëmarrjen e figurave kryesore të klubit, përfshirë presidentin Valon Murseli, drejtorin Feti Murseli, drejtorin dportiv Valon Zymberi, si dhe kryetarin e FFK-së Agim Ademi dhe kryetarin e Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni.

Ngjarja mbështetej edhe nga drejtues të klubit, media, tifozë dhe dashamirë të shumtë të FC Dritës.


Kampi nuk përfaqëson vetëm një investim infrastrukturor, por një platformë zhvillimi për talentet e reja dhe një bazë të fortë për arritje sportive.

Ai dëshmon angazhimin e klubit për të ndërtuar të ardhmen me profesionalizëm, vizion dhe hapa të sigurt.

Me këtë projekt, FC Drita synon të rrisë kapacitetet e lojtarëve të rinj, të forcojë suksesin në nivel klubesh dhe të kontribuojë në zhvillimin e futbollit në Gjilan dhe më gjerë. /Telegrafi/

Reinaldo, Besnik Krasniqi dhe Achraf Hakimi - mbrojtësi i Dritës në listë me emra të njohur të futbollit

6 January 2026 at 20:10


Federata Ndërkombëtare e Historisë dhe Statistikave të Futbollit (IFFHS) ka publikuar të martën listën e mbrojtësve me më shumë gola për vitin 2025.

Në krye të kësaj liste qëndron braziliani Reinaldo, mbrojtës i majtë i klubit brazilian Mirassol, me 14 gola të shënuar.

Pas tij, me nga 11 gola, janë Achraf Hakimi i Paris Saint-Germain dhe Besnik Krasniqi i Dritës. Tetë nga 11 golat e Krasniqit janë realizuar nga penalltia, duke treguar precizitetin dhe rolin vendimtar që ai ka te skuadra.

Krasniqi, 35-vjeçari i cili është shtyllë e ekipit të Dritës dhe kapiten i saj, ka kontribuar jo vetëm në kampionat, ku Drita u shpall kampion, por edhe në garat evropiane.

Ai luajti me Dritën në Ligën e Konferencës, ku ekipi arriti deri në play-off, duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në mbrojtje dhe në realizimin e golave vendimtarë.

Në këtë klasifikim janë marrë parasysh vetëm lojtarët nga 100 ligat më të mira të botës, ku Krasniqi ka lënë pas edhe mbrojtës të njohur si Nicolás Otamendi i Benficas dhe Argjentinës.

Zyrtare: Llapi dhe Muhamed Useini ndajnë rrugët me marrëveshje të dyanshme

3 January 2026 at 13:10


KF Llapi ka njoftuar zyrtarisht për përfundimin e bashkëpunimit me futbollistin Muhamed Useini, pas një viti e gjysmë bashkëpunimi mes palëve.

Sipas komunikatës së klubit, marrëveshja për ndarjen e rrugëve është arritur me mirëkuptim të plotë dhe respekt të ndërsjellë, duke mbyllur kështu një kapitull pozitiv për të dyja palët.

Llapi e ka falënderuar publikisht Muhamed Useinin për gjithçka që ka dhënë për fanellën e klubit dhe i ka uruar shumë suksese në vazhdim të karrierës së tij sportive.

Njoftimi i plotë i Llapit:

KF Llapi njofton se, pas një viti e gjysmë bashkëpunimi të shkëlqyeshëm, ka arritur marrëveshje të dyanshme me futbollistin Muhamed Useini për përfundimin e bashkëpunimit.

Gjatë kësaj periudhe, Useini u dëshmua si një sportist i jashtëzakonshëm, duke dhënë kontribut të çmuar për klubin, si brenda ashtu edhe jashtë fushës. Ai u veçua për sjelljen korrekte, përkushtimin maksimal dhe profesionalizmin e lartë, duke qenë gjithmonë në shërbim të ekipit dhe objektivave të klubit.

Me respekt dhe mirëkuptim të ndërsjellë, palët kanë vendosur të ndajnë rrugët, duke mbyllur një kapitull pozitiv të bashkëpunimit të tyre.

KF Llapi e falënderon Muhamed Useinin për gjithçka që ka dhënë për klubin dhe i uron shumë suksese në vazhdim të karrierës së tij sportive./Telegrafi/

Zyrtare: Kushtrim Shabani i bashkohet Ferizajt

31 December 2025 at 17:45


Ferizaj ka konfirmuar arritjen e marrëveshjes me mesfushorin Kushtrim Shabani, duke forcuar repartin e mesfushës së skuadrës bardhekaltër.

Shabani, i cili më parë ka qenë pjesë e Gjilanit, ka luajtur së fundmi për Llapin, ku ka treguar eksperiencë dhe stabilitet në lojën e tij.

Me këtë transferim, Ferizaj synon të shtojë cilësi dhe siguri në mesfushë për sezonin aktual.

Njoftimi i plotë i Ferizajt:

FC Ferizaj ka kënaqësinë të njoftojë arritjen e marrëveshjes me mesfushorin Kushtrim Shabani.

Kushtrimi ka qenë më herët pjesë e SC Gjilanit, ndërsa së fundmi ka luajtur për KF Llapi.

Ai sjell me vete eksperiencë, stabilitet dhe cilësi në repartin e mesfushës.

I urojmë mirëseardhje Shabanit në Ferizaj dhe shumë suksese me fanellën bardhekaltë./Telegrafi/

SC Gjilani me fondacionin e klubit gjithmonë në shërbim të komunitetit - ndahen donacione për tri qendra

29 December 2025 at 20:24


Fondacioni i SC GjilaniT po vazhdon të dëshmojë se sporti është shumë më tepër se garë dhe emocione në fushë.

Me një frymë solidariteti dhe përgjegjësie shoqërore, Fondacioni ka mbështetur financiarisht Qendrën e Kujdesit Ditor “Pema”, Shoqatën “Handikos” dhe Shoqatën e të Verbërve në Gjilan, me nga 2 mijë euro secilën.

Kjo iniciativë humane u realizua falë përkrahjes së vazhdueshme dhe të pakursyer të partnerëve të çmuar të klubit – si El Bau, Demiri Gartenbau GmbH dhe Autovillage AG – të cilët qëndrojnë pranë SC Gjilanit jo vetëm në rrugëtimin sportiv, por edhe në misione me vlerë të lartë shoqërore.


Përfaqësuesit e klubit, së bashku me disa nga futbollistët dhe anëtarë të stafit teknik, vizituan nga afër këto tri institucione, ku u dorëzuan mjete simbolike financiare dhe dhurata modeste, si shenjë respekti, përkrahjeje dhe përkushtimi ndaj atyre që kanë më së shumti nevojë.

Fondacioni SC Gjilani mbetet i përkushtuar që edhe në të ardhmen të zgjerojë veprimtarinë e tij humanitare, duke mbështetur iniciativa dhe organizata që kontribuojnë drejtpërdrejt në mirëqenien dhe forcimin e komunitetit tonë./Telegrafi/

Prishtina ndanë rrugët me Gentrit Salihun

29 December 2025 at 14:28


Prishtina ka ndarë rrugët me mesfushorin Gentrit Salihun.

22-vjeçari ka qenë pjesë e skuadrës në dy vitet e fundit, teksa ka ndërprerë kontratën me marrëveshje me klubin.

Gjatë qëndrimit në kryeqytet, Salihu ka pasur 35 ndeshje zyrtare ku ka shënuar edhe një gol dhe ka dhuruar dy asistime.

Njoftimi i plotë nga FC Prishtina:

FC Prishtina njofton se bashkëpunimi me mesfushorin Gentrit Salihu ka përfunduar me mirëkuptim të ndërsjellë.

Mesfushori, 22 vjeçar Gentrit Salihu, ishte pjesë e klubit për një sezon e gjysmë, gjatë së cilës periudhë ka regjistruar gjithsej 35 paraqitje zyrtare.

Me fanellën bardh e kaltër, ai kontribuoi me 1 gol dhe 2 asistime, duke qenë gjithashtu pjesë e ekipit që triumfoi në Kupën e Kosovës 2025.Gentrit Salihu u rikthye te FC Prishtina në korrik të vitit 2024, pasi më herët kishte qenë pjesë e klubit duke u formuar te ekipi U19.

FC Prishtina e falënderon Gentrit Salihun për angazhimin, profesionalizmin dhe kontributin e dhënë gjatë kohës së kaluar në klub, duke i uruar shumë suksese në vazhdimin e karrierës së tij profesionale. /Telegrafi/

Formacioni i vitit 2025 në Superligën e Kosovës - Drita dominon me gjashtë futbollistë

29 December 2025 at 13:37


Futbolli për vitin 2025 në Kosovë ka marrë fund dhe tanimë skuadrat janë në pushim të merituar pas angazhimit 12 mujor.

Drita është kampione e Kosovës të shpallur në maj për sezonin 2024/25, derisa në stinorin e ri 2025/26, në pozitën e parë e ka mbyllur Ballkani dhe dimëron si lider.

Redaksia e Telegrafi Sport vazhdon të zgjedh formacionin e vitit si gjithmonë dhe këtë e ka bërë edhe për vitin 2025, duke përzgjedhur 11 futbollistë që kanë lënë gjurmë gjatë 12 muajve në futbollin kosovar.

Përkundër se ka pasur konkurrencë të madhe në të gjitha pozitat, Telegrafi Sport ka zgjedhur 11 futbollistë që kanë dhënë kontribut të madh për skuadrat e tyre, kanë pasur arritje personale dhe ato ekipore.

Portieri:

Faton Maloku ka qenë fantastik këtë vit me Dritën. Maloku në vitin 2025 zhvilloi 47 ndeshje, ku ruajti 17 herë portën e paprekur si dhe ishte vendimtar për Dritën edhe kur siguruan play-offin e Ligës së Konferencës për herë të parë në histori.

34-vjeçari ishte disa herë edhe i grumbulluar me Kombëtaren e Kosovës.

Mbrojtja:

Në krahun e djathtë të mbrojtjes është Besnik Kransiqi, i cili vazhdon të shkëlqejë përkundër moshës. 35-vjeçari ishte i jashtëzakonshëm gjatë vitit 2025 ku në 48 ndeshje në të gjitha garat ka shënuar 11 gola dhe ka asistuar në nëntë të tjerë.

Qendra e mbrojtjes përbëhet nga Egzon Bejtullai i Dritës dhe Ardian Limani i Prishtinës. Bejtullai ka qenë një “Mur i pakalueshëm”, ku zhvilloi 50 paraqitje në të gjitha garat si dhe dhuroi dy gola e pesë asistime.

Partner i Bejtullait është Ardian Limani, që ka qenë lojtari që ka shkëlqyer te Prishtina gjatë gjithë vitit. Limani zhvilloi 39 paraqitje në të gjitha garat, duke shënuar katër gola dhe duke dhuruar 3 asistime, ku njëri nga ta ishte në finalen e Kupës së Kosovës, e ku Prishtina arriti të fitonte trofeun.

Mbrojtja kompletohet me anësorin kongolez të Dritës, Raddy Ovouka i cili ishte i pakalueshëm në mbrojtje e i pandalshëm në sulm. 26-vjeçari zhvilloi 50 ndeshje në të gjitha garat, duke shënuar dy gola dhe duke dhuruar tetë asistime.

Mesfusha:

Albert Dabiqaj është në qendër të mesfushës falë një viti fantastik ku shkëlqeu si në kampionat ashtu edhe në Evropë. Këtë edicion për “Intelektualët”, “Dabi” zhvilloi plot 53 paraqitje, ku kontribuoi me shtatë gola e dy asistime.

Së bashku me Dabiqajn në mesfushë është Etnik Brruti, i cili ishte lojtari kryesor i Malishevës. 21-vjeçari ishte motor në mesfushën e Malishevës, derisa në 38 ndeshje gjatë vitit 2025 kontribuoi me katër gola e gjashtë asistime.


telegrafi.com

Në krahun e djathtë të mesfushës është talenti i Llapit, Arianit Hasani që ishte edhe zbulimi i këtij sezoni. Pavarësisht se vetëm 21 vjeçar, Hasani zhvilloi 31 paraqitje si dhe shënoi pesë gola e dhuroi shtatë asistime.


Ndërkohë në të majtë të mesfushës është Almir Kryeziu i Ballkanit, i cili mbajti ritmin gjatë gjithë sezonit. 27-vjeçari në 30 ndeshje të zhvilluara në të gjitha garat ka shënuar 8 gola dhe ka dhuruar 9 asistime.


Sulmi:

Në qendër të sulmit janë dyshja Arb Manaj i Dritës dhe Senad Jarovic i Gjilanit.

Duke zhvilluar plot 48 ndeshje, ku shënoi 15 gola dhe 8 asistime, Manaj arriti edhe një rekord fantastik për të realizuar gol në çdo kompeticion që ka luajtur Drita, pra në Ligën e Kampionëve, Ligën e Evropës, Ligën e Konferencës dhe Superligë.


“Ndeshje e vështirë, ritmi më i madh në Evropë se në Superligë”, Arb Manaj flet pas barazimit ndaj Omonoian telegrafi.com

Përkrah lojtarit më të mirë të viti 2025 në Kosovë, është Senad Jarovic i Gjilanit. Në Superligën e Kosovës përgjatë vitit 2025, Jarovic shënoi plot 14 gola dhe dhuroi 10 asistime gjatë 37 paraqitjeve.


Senad Jarovic 2024/05/Senad-Jarovic.jpg telegrafi.com

Trajneri i Vitit:

Trajneri më i mirë i vitit 2025 në Kosovë është padyshim Zekirija Ramadani i Dritës. Shkupjani u shpall kampion me Dritën, derisa arriti ta fus në grupe të Ligës së Konferencës, madje edhe kaloi në fazën 'Play-Off'. /Telegrafi/

Brruti drejt largimit nga Malisheva, kërkohet nga skuadra rumune

29 December 2025 at 10:08


Ekipi rumun, Cluj, ka shfaqur interes për të transferuar Etnik Brrutin, si zëvendësues të Lindon Emërllahut, i cili u shit për 2 milionë euro te Polissya në Ukrainë.

Megjithatë, Malisheva nuk do ta lërë lehtë Brrutin. Klubi kërkon të paktën 800 mijë euro për mesfushorin 21-vjeçar dhe dëshiron gjithashtu të ruajë 15% të kartonit të tij në rast rishitjeje.

Kontrata e Brrutit me Malishevën skadon në qershor të vitit 2026, ndaj klubi nuk dëshiron ta humbasë lojtarin pa kompensim.

Brruti ishte gjithashtu në qendër të vëmendjes ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë disa muaj më parë, kur vendosi të vishte fanellën e Shqipërisë, duke lënë pas Kosovën U21, ku aktivizohej më parë.

21-vjeçari këtë edicion është futbollisti kryesor i Malishevës, pasi ka shënuar katër gola dhe ka asistuar në tre të tjerë në 17 ndeshje të zhvilluara. /Telegrafi/

FC Prishtina përforcohet me top talentin që shkëlqeu në Ligën e Parë

28 December 2025 at 17:16


Klubi i Prishtinës është përforcuar me mesfushorin ofansiv Arjol Bllaca.

Bllaca shkëlqeu në Ligë të Parë te Ramiz Sadiku, skuadër që iu bashkua shkaku i minutazhës së ulët te Ballkani ndërsa tani ka bërë hapin e madh.

Ai synon të zë vend në skuadrën e Prishtinës, të cilët po synojnë ta fitojnë titullin kampion.

“Mirë se vjen Arjol”, shkroi ndër të tjera Prishtina duke publikuar një video të lojtarit.

Mbetet të shihet nëse Bllaca do të arrijë ta vazhdojë formën që kishte te Ramiz Sadiku, skuadër ku brenda këtij edicioni vjeshtor shënoi mbi 10 gola./Telegrafi/

❌
❌