Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 22 December 2025Main stream

Real Madridi mbyll derën për Haalandin, besim i plotë te Mbappe

22 December 2025 at 14:23


Pavarësisht lidhjeve të shumta ndër vite mes Erling Haaland dhe Real Madridit, sulmuesi norvegjez aktualisht nuk është në planet e klubit madrilen.

Sipas informacioneve të gazetarit Ekrem Konur, drejtuesit e “Los Blancos” besojnë se nevojat sulmuese të skuadrës janë të mbuluara plotësisht nga Kylian Mbappe.

Prej disa sezonesh, media pranë Real Madridit e kanë përmendur vazhdimisht emrin e Haalandit si një objektiv të mundshëm për “Santiago Bernabeu”.

Megjithatë, situata aktuale tregon se klubi nuk ka interes konkret për të ndërmarrë hapa drejt sulmuesit të Manchester Cityt.

Nga ana sportive, Mbappe po kalon një sezon mbresëlënës.

Sulmuesi francez ka realizuar 29 gola dhe ka dhënë 5 asistime në 24 ndeshje zyrtare.

Ndërkohë, Haaland ka shënuar 25 gola dhe ka regjistruar 4 asistime në 23 paraqitje me Manchester Cityn, statistika që konfirmojnë formën e lartë të të dy lojtarëve.

Përtej aspektit sportiv, transferimi i Haalandit do të ishte jashtëzakonisht i vështirë.

Norvegjezi ka kontratë me Man Cityn deri në qershor të vitit 2034 dhe klubi anglez nuk ka ndërmend të lehtësojë largimin e tij.

Edhe pse është përfolur për ekzistencën e një klauzole lirimi, as lojtari dhe as klubi nuk e kanë konfirmuar zyrtarisht një mekanizëm të tillë.

Në këto rrethana, një kalim i Haalandit te Real Madridi duket shumë larg realitetit, të paktën në të ardhmen e afërt. /Telegrafi/

Lojtari i Barcelonës që refuzon të largohet

22 December 2025 at 11:40


Barcelona ka arritur të sigurojë vazhdimësinë e një prej talenteve të rinj më premtues, pasi Roony Bardghji ka vendosur të qëndrojë në klub dhe të luftojë për një vend në ekipin e parë, pavarësisht interesimit konkret nga disa klube të Ligës Premier.

Në një periudhë kur afati kalimtar është veçanërisht aktiv, anësori ka qenë i qartë në qëndrimin e tij dhe nuk ka pranuar të dëgjojë oferta që do ta largonin nga objektivi kryesor: të ketë sukses me fanellën e Barcelonës.

Lojtari beson se ky është momenti i duhur për të bërë hapin e radhës në karrierë brenda Camp Nou, duke konkurruar në nivelin më të lartë dhe duke u zhvilluar çdo ditë përmes punës dhe disiplinës.

Gjatë javëve të fundit, Bardghji ka marrë oferta nga disa klube angleze, mes tyre Crystal Palace, Everton, Nottingham Forest dhe Sunderland, të cilat i garantonin më shumë minuta dhe një rol të rëndësishëm afatshkurtër.

Nga ana e Barcelonës, vendimi i lojtarit është pritur shumë pozitivisht.

Drejtoria sportive dhe stafi teknik e konsiderojnë thelbësore që talentet e rinj të besojnë te projekti i klubit dhe të mos kërkojnë largime të parakohshme përballë ofertave të para të mëdha.

Qëndrimi i Bardghjit përputhet plotësisht me strategjinë e klubit për të ndërtuar të ardhmen mbi zhvillimin e brendshëm të lojtarëve të rinj.

Në këtë fazë, transferimi nuk është pjesë e planeve të futbollistit dhe as të rrethit të tij, të cilët kanë bërë të qartë se prioritet mbetet konkurrimi brenda Barcelonës.

Klubi do të vazhdojë të ndjekë nga afër progresin e tij, me performancën, përshtatjen taktike dhe qëndrimin profesional që do të jenë faktorët vendimtarë për rolin e tij gjatë sezonit.

Vendimi i Roony Bardghjit për të qëndruar dërgon një mesazh të fortë në treg: Barcelona vazhdon të jetë një destinacion shumë tërheqës për talentet e rinj, edhe përballë ofertave të rëndësishme nga jashtë.

Për momentin, e ardhmja e tij e afërt mbetet e lidhur me Camp Nou, ku synon të fitojë hap pas hapi vendin e tij dhe të ndërtojë karrierën në një nga klubet më të mëdha në botë. /Telegrafi/

Lëndimi i Isakut rikthen bisedimet për transferimin e Semenyos

22 December 2025 at 09:37


Liverpooli mund të zhvendosë fokusin te sulmuesi i Bournemouth, Antoine Semenyo, nëse dëmtimi i Alexander Isak rezulton më serioz nga sa pritej.

Sipas raportimeve, “The Reds” po shqyrtojnë aktivizimin e klauzolës së lirimit të Semenyos si një zgjidhje të mundshme në afatin kalimtar të janarit.

Isak, 26 vjeç, pritet të mungojë për një periudhë të gjatë pas një dëmtimi në pjesën e poshtme të këmbës, duke e shtyrë Liverpoolin të kërkojë përforcime në repartin ofensiv.

Në këtë kontekst, Semenyo, 25 vjeç, shihet si një opsion konkret.

Sulmuesi ganez ka një klauzolë lirimi prej 65 milionë eurosh në kontratën me Bournemouth, e vlefshme vetëm gjatë dy javëve të para të janarit.

Kjo klauzolë do t’i mundësonte Liverpoolit ta siguronte lojtarin me një çmim të fiksuar, pa hyrë në një garë ofertash me klube të tjera.

Shpejtësia dhe aftësia për të shënuar gola e bëjnë Semenyon një profil tërheqës për skuadrën e drejtuar nga Arne Slot.

Presioni mbi thellësinë sulmuese të Liverpoolit rritet edhe më shumë për shkak të mungesës së pritshme të Mohamed Salah, i cili do të angazhohet në Kupën e Kombeve të Afrikës.

Ndërsa Hugo Ekitike pritet të udhëheqë sulmin në qendër, Slot mund të veprojë shpejt për të forcuar krahët e sulmit, nëse mungesa e Isak zgjatet më tej. /Telegrafi/

Gjiganti italian avancon në bisedime me Joshua Zirkzeen

22 December 2025 at 09:20


E ardhmja e Joshua Zirkzee mund të jetë larg “Old Trafford”. Sulmuesi i Manchester United po lidhet gjithnjë e më fort me një kalim në Serie A, teksa Roma ka intensifikuar përpjekjet për ta transferuar atë.

Sipas Fabrizio Romano, klubi verdhekuq ka avancuar në bisedimet me Zirkzee për kushtet personale të kontratës. Holandezi shihet si objektivi kryesor për repartin ofensiv dhe është i gatshëm të shqyrtojë këtë opsion, me synimin për të fituar më shumë minuta loje.

Megjithatë, realizimi i transferimit varet nga qëndrimi i Manchester United.

I pakënaqur me hapësirat, Zirkzee në janar largohet nga Man Utd I pakënaqur me hapësirat, Zirkzee në janar largohet nga Man Utd

Ende nuk ka një marrëveshje mes klubeve dhe vendimi final pritet të merret vetëm pasi Amad Diallo dhe Bryan Mbeumo të rikthehen nga Kupa e Kombeve të Afrikës.

Zirkzee ka regjistruar 10 paraqitje në Ligën Premier këtë sezon, por ka qenë titullar vetëm në tri ndeshje, duke realizuar një gol. /Telegrafi/

Paz i përgjigjet pyetjeve nëse do të rikthehet te Real Madridi

22 December 2025 at 08:06


Nico Paz ka folur së fundmi për spekulimet gjithnjë e më të shumta lidhur me një rikthim të mundshëm te Real Madridi gjatë verës së ardhshme.

Mesfushori sulmues argjentinas nuk u aktivizua këtë fundjavë, pasi ndeshja e Serie A mes Comos dhe AC Milanit u shty për shkak të angazhimeve të kuqezinjve në Superkupën e Italisë.

Paz, i cili monitorohet nga afër nga Real Madridi sipas kushteve të marrëveshjes me Comon, shfrytëzoi kohën e lirë për të ndjekur një ndeshje të një kategorie më të ulët në Qendrën Sportive “La Castellina”.

Në një prononcim për Sportitalia, 20-vjeçari minimizoi zërat për të ardhmen e tij:

"Nuk po mendoj për këtë, jam i fokusuar vetëm te të luajturit", deklaroi Paz.

"Po përpiqem të jap maksimumin tim", tha ylli i ri argjentinas.

Paz po kalon një formë shumë të mirë me Comon dhe, sipas mediave, ndodhet gjithashtu në radarin e Interit, Tottenham Hotspur dhe Manchester United.

Ai mund të bëjë hapin drejt një klubi tjetër të madh, në rast se Real Madridi vendos të mos e rikthejë në “Santiago Bernabeu”. /Telegrafi/

AC Milan e refuzon yllin e Arsenalit

21 December 2025 at 22:43


Sulmuesi i Arsenalit, Gabriel Jesus, i është ofruar gjigantit italian AC Milani për afatin kalimtar dimëror.

Klubi kuqezi po shqyrton disa opsione për pozitën e sulmuesit qendror, ndërsa Niclas Fullkrug i West Hamit po shihet gjithnjë e më pranë një transferimi te Milani.

Sipas gazetarit italian Gianluigi Longari, Jesus i është afruar gjithashtu “Rossonerëve”. Megjithatë, ai nuk e ka bindur plotësisht drejtuesit e klubit italian, kryesisht për shkak të gjendjes së tij fizike dhe dyshimeve që lidhen me rikthimin në formën optimale.

Sulmuesi brazilian vjen pas një viti shumë të vështirë, të cilin e humbi pothuajse tërësisht për shkak të një lëndimi serioz në gju. Ai u rikthye në fushë vetëm në muajin dhjetor, duke regjistruar deri tani vetëm tri paraqitje.

Për momentin, Milani mbetet i rezervuar ndaj kësaj mundësie dhe po vazhdon të analizojë alternativa të tjera për repartin ofensivë, ndërsa e ardhmja e Gabriel Jesus te Arsenali mbetet e paqartë.

Jesus shihet vetëm si alternativë te “Topçinjtë”, ndërsa dëshiron të rizhvillojë sa më shumë minuta për ta fituar një vend në listën e Carlo Ancelottit në Kupën e Botës./Telegrafi

Yesterday — 21 December 2025Main stream

Luftë gjigantësh në Angli: Man Utd gati 100 milionë euro për objektivin e Arsenalit

21 December 2025 at 21:42


Manchester United po përgatitet për një lëvizje të madhe në tregun e transferimeve, me synimin për ta rindërtuar skuadrën për të ardhmen dhe jo vetëm për zgjidhje afatshkurtra.

Trajneri Ruben Amorim dëshiron të formojë një ekip konkurrues për vitet e ardhshme, me theks të veçantë te futbollistët ofensivë që mund të rriten dhe të marrin role udhëheqëse në dekadën e ardhshme.

“Djajtë e Kuq” kanë qenë aktivë këtë verë, duke përforcuar repartin ofensivë me emra si Bryan Mbeumo, Matheus Cunha dhe Benjamin Sesko. Megjithatë, ambiciet e klubit nuk ndalen me kaq.

Tani, Manchester United ka vënë në shënjestër një futbollist që po monitorohet prej kohësh edhe nga Arsenali, i cili e sheh atë si një zgjidhje afatgjatë për sulmin. Sidoqoftë, klubi nga “Old Trafford” është i gatshëm të veprojë me vendosmëri dhe ta lërë pas rivalin e brendshëm me një ofertë që pritet të tronditë Evropën.

Sipas raportimeve nga Fichajes dhe gazetari Ben Jacobs, Manchester United është i gatshëm të ofrojë deri në 100 milionë euro për ta siguruar shërbimin e Kenan Yildiz nga Juventusi.

🚨 Manchester United are showing strong interest in Juventus forward Kenan Yıldız, with any potential deal expected to cost in the region of €90M–€100M.

(Source: @JacobsBen) pic.twitter.com/xt3vKgAK3R
— Transfer News Live (@DeadlineDayLive) December 18, 2025

Sulmuesi 20-vjeçar i “Zonjës së Vjetër” ka qenë një nga lojtarët më të spikatur të Serie A këtë sezon, duke udhëhequr skuadrën si për gola ashtu edhe për asistime. Paraqitjet e tij të shkëlqyera kanë bërë që shumëkush ta krahasojë ngritjen e Yildiz me atë të një legjende të Juventusit dhe futbollit botëror, Cristiano Ronaldos.

Yildiz po tregon vazhdimësi të lartë në Itali, duke shënuar gjashtë gola dhe duke dhuruar gjashtë asistime në 21 paraqitje në të gjitha garat këtë sezon.

Me kontratë të vlefshme deri në vitin 2029, Juventusi nuk ka asnjë detyrim ta shesë talentin turk. Megjithatë, një ofertë prej 100 milionë eurosh mund të hapë debate serioze brenda klubit torinez./Telegrafi

Arsenali do të shesë një nga yjet e tij kryesorë në janar?

21 December 2025 at 16:49


Lajme tronditëse kanë përfshirë qarqet e futbollit anglez, me Arsenalin që, sipas raportimeve, është i gatshëm të shesë një nga lojtarët e tij kryesorë, Gabriel Martinellin, gjatë afatit kalimtar të janarit.

Nëse këto thashetheme rezultojnë të vërteta, bëhet fjalë për një nga transferimet më të bujshme të afatit të dimrit.

Sipas mediave angleze, trajneri Mikel Arteta ka marrë vendim për të nxjerrë në shitje anësorin brazilian. Gazetari turk Sercan Hamzaoglu shkon edhe më tej, duke deklaruar se Martinelli tashmë i është ofruar gjigantit turk, Fenerbahce.

“Arsenali vendosi ta shesë Gabriel Martinellin dhe ai iu ofrua Fenerbahces. Është një lojtar i shtrenjtë,” ka pohuar Hamzaoğlu, duke shtuar: “Nuk e di nëse Fenerbahçe do ta pranojë një transferim të tillë, por ai iu ofrua atyre”.

Shkëlqim në Ligën e Kampionëve

Ky lajm vjen si një surprizë e madhe, veçanërisht duke pasur parasysh formën e Martinellit në Ligën e Kampionëve. Edhe pse ai ka qenë titullar vetëm në pesë ndeshje të Ligës Premier këtë sezon, braziliani ka shënuar gol në pesë paraqitje radhazi në garën elitare evropiane, duke u bërë lojtari i parë në historinë e Arsenalit që arrin një statistikë të tillë.

Nëse skenari i shitjes bëhet realitet, pritet që shumë klube të mëdha evropiane – padyshim më të fuqishme financiarisht se Fenerbahçe – të hyjnë në garë për shërbimet e tij.

Bayern Munich, që edhe më herët ka shfaqur interes për sulmuesin brazilian, përmendet tashmë si një nga klubet e interesuara.

Një kthesë e papritur në raportin me Artetën?

Situata duket edhe më e pazakontë duke qenë se Arteta e ka vlerësuar vazhdimisht Martinellin në deklaratat e tij publike, duke e cilësuar si një lojtar shumë të rëndësishëm për skemën e Arsenalit.

Për këtë arsye, lindin pikëpyetje se çfarë mund të ketë ndodhur në marrëdhënien mes trajnerit dhe lojtarit për të çuar drejt një vendimi kaq drastik.

Martinelli ka kontratë me Arsenalin deri në verën e vitit 2027, ndërsa largimi i tij do të përbënte një goditje të madhe për tifozët, sidomos në një sezon ku “Topçinjtë” synojnë titullin në Angli dhe sukses në Evropë, objektiva që kërkojnë maksimumin e cilësisë në skuadër.

Sipas “Transfermarkt”, vlera e kartonit të brazilianit aktualisht vlerësohet në 45 milionë euro. /Telegrafi/

Milani në bisedime për transferimin e mbrojtësit të Dortmundit

21 December 2025 at 14:25


Milani ka ndërmarrë hapa konkretë për të eksploruar një transferim të mundshëm të mbrojtësit qendror të Borussia Dortmund, Niklas Sule, ndërsa diskutimet po vazhdojnë prapa skenave.

Sipas gazetarit Nicolo Schira, javën e kaluar është zhvilluar një takim mes drejtuesve të Rossonerëve dhe avokatit Francesco Romano, i cili ka qenë i përfshirë edhe në marrëveshje të tjera të Milanit, si ato të Jasharit dhe Okaforit.

Takimi kishte në fokus situatën kontraktuale dhe të ardhmen e qendërmbrojtësit gjerman.

Raportohet se Sule është i hapur ndaj një sfide të re në Serie A dhe e sheh Milanin si një destinacion shumë tërheqës.

Mbrojtësi 28-vjeçar thuhet se kërkon një kontratë afatgjatë, e cila do të zgjasë të paktën deri në vitin 2028.

Ndërkohë, Milani po analizon fizibilitetin financiar dhe sportiv të këtij operacioni, teksa synon të përforcojë repartin defensivë me një lojtar me përvojë ndërkombëtare dhe profil të lartë për sezonet e ardhshme. /Telegrafi/

Real Madridi i bashkohet Barcelonës, interesohen për Wesleyn

21 December 2025 at 11:34


Real Madridi tashmë po përgatitet për afatet e ardhshme të transferimeve dhe një emër i ri ka dalë në radarin e gjigantëve spanjollë.

Sipas raportimeve të talkSPORT, madrilenët po e monitorojnë nga afër mbrojtësin e krahut të Romës, Wesley Franca, si një zgjidhje e mundshme afatgjatë në mbrojtje.

Braziliani 22-vjeçar ka lënë mbresa që nga mbërritja e tij në Serie A, duke u përshtatur shpejt me kërkesat fizike dhe taktike të ligës.

Në vetëm 13 paraqitje këtë sezon, Wesley ka kontribuar me tre gola dhe është bërë një figurë kyçe në ecurinë pozitive të Romës.


Performancat e tij vijnë pas një rritjeje të vazhdueshme që nisi te Flamengo, ku u dallua gjatë Kupës së Botës për Klube, përpara se të transferohej në Evropë dhe të debutojë me kombëtaren e Brazilit.

Edhe Barcelona po e ndjek me vëmendje progresin e tij, por interesi i Real Madridit është i nxitur nga pasiguria në mbrojtësin e djathtë.

Me Trent Alexander-Arnold që po vuante nga lëndimet dhe Dani Carvajal që po i afrohet fundit të karrierës së tij, Wesley shihet si një profil që ia vlen të monitorohet nga afër nga madrilenët. /Telegrafi/

Barcelona i vendos yjet e Man Cityt dhe Interit si objektivat kryesorë të afatit kalimtar

20 December 2025 at 23:25


Barcelona janë të vendosur të nënshkruajnë një qendërmbrojtës të ri titullar verën e ardhshme, ndërsa synojnë të zëvendësojnë Inigo Martinezin, i cili tashmë ka lënë klubin.

Gerard Martin ka performuar mirë në këtë pozicion gjatë javëve të fundit, por ai nuk shihet si zgjidhja afatgjatë për një sektor të fushës ku katalanasit kanë pasur probleme gjatë sezonit aktual.

Një numër objektivash janë identifikuar gjatë muajve të fundit, me shpresën e Barcelonës për të bërë një transferim të rëndësishëm pavarësisht nga vështirësitë financiare të dokumentuara mirë të klubit.

Nico Schlotterbeck dhe Marc Guehi shihet si mundësi të tregut, por nuk janë opsionet ideale për klubin.

Sipas raportimeve të Mundo Deportivo, Barcelona preferon Alessandro Bastoni dhe Josko Gvardiol si objektivat kryesore për afatin kalimtar veror, me mundësinë për të nënshkruar me një nga ta, nëse rregulli 1:1 i La Ligës rikthehet para përfundimit të sezonit aktual.

Raporti shton se Barcelona dëshiron të nënshkruajë një qendërmbrojtës që luan me këmbë të majtë, i cili gjithashtu mund të luajë në si mbrojtës i majtë kur kërkohet, në mënyrë të ngjashme me mënyrën se si është përdorur Martin kohët e fundit.

Gvardiol dhe Bastoni janë kandidatët që i përshtaten këtij profili në mënyrë perfekte, dhe me të dy lojtarët që kanë kontratë deri në 2028, mund të ketë një mundësi për të arritur një marrëveshje më të lirë nëse nuk rinovohet kontrata me Manchester City ose Inter përpara verës së ardhshme.

Gvardiol dhe Bastoni janë dy opsione të shkëlqyera, megjithatë ekziston një mundësi reale që të jenë jashtë shtrirjes së buxhetit të klubit katalanas./Telegrafi/

Before yesterdayMain stream

Rivali i Besiktasit shpreh interesim për Milot Rashicën – synojnë një lëvizje gjatë janarit

20 December 2025 at 19:55


Milot Rashica mund të jetë një nga emrat që pritet të lëvizë në Superligën e Turqisë gjatë afatit kalimtar të janarit.

Sipas raportimeve të mediave turke, Trabzonspori ka shfaqur interes konkret për sulmuesin e krahut të djathtë të Besiktasit.

Klubi nga Trabzoni po kërkon përforcime në repartin ofensiv, me theks të veçantë në krahun e djathtë, dhe profili i Rashicës shihet si një zgjidhje e përshtatshme për nevojat e skuadrës.

Nëse ky transferim realizohet, Rashica do të kishte mundësinë të ribashkohej me Ernest Muçin, me të cilin ka ndarë fushën më parë te Besiktasi.

Muçi, reprezentues i Shqipërisë, është aktualisht pjesë e Trabzonsporit në formë huazimi, me marrëveshje të vlefshme deri në fund të sezonit 2025/26.

Sulmuesi kosovar, i cili është 29 vjeç, ka kontratë me Besiktasin deri në verën e vitit 2027, ndërsa në klubin nga Stambolli u transferua në vitin 2023 nga Norëich City për shumën prej 5 milionë eurosh.

Gjatë periudhës së tij te Besiktashi, Rashica ka qenë pjesë e rëndësishme e skuadrës, duke regjistruar 98 paraqitje në të gjitha garat, me 11 gola dhe 21 asistime.

Ai ka kontribuar gjithashtu në fitimin e dy trofeve me fanellën bardhezi./Telegrafi/

Jo vetëm Fullkrug, Milanit i ofrohet mundësia ta transferojë edhe yllin e Arsenalit

20 December 2025 at 17:11


Gabriel Jesus po kërkon një eksperiencë të re pas rënies së rolit të tij te Arsenali, ndaj rrethi i tij ia ka ofruar shërbimet Milanit, i cili po e shqyrton këtë ide.

Gjatë këtij muaji ishte sugjeruar tashmë se braziliani ndodhej në radarët e kuqezinjve, mes disa skuadrave të tjera të Serie A që janë në kërkim të një sulmuesi.

Historia e tij me dëmtimet ka dekurajuar shumë prej tyre, por përfaqësuesit e lojtarit besojnë se futbolli italian mund të jetë hapi i radhës dhe po e shtyjnë veçanërisht drejt Milanit.

Ndërkohë, Niclas Fullkrug është tashmë në rrugë drejt ‘San Siros’ nga West Ham United, ndaj stafi i Max Allegrit duhet ta vlerësojë situatën dhe pritet ta diskutojë sërish pas pushimit të Krishtlindjeve.

Milani kishte nevojë urgjente për një qendërsulmues pas humbjes së Santiago Gimenez për disa muaj për shkak të një operacioni në kyçin e këmbës dhe Fullkrug i përshtatet këtij profili.

Kjo, megjithatë, nuk do të thotë se kuqezinjtë nuk do të kërkojnë alternativa të tjera, veçanërisht duke pasur parasysh se ish-sulmuesi i Chelseat, Christopher Nkunku, ka zhgënjyer deri tani këtë sezon.

Ajo që tashmë është konfirmuar nga gazetari Gianluigi Longari është se agjentët e sulmuesit brazilian kanë ofruar shërbimet e tij te ‘Rossonerët’./Telegrafi/

Bayern Munich ofron 50 milionë euro për transferimin e lojtarit kryesor të Man Utd

20 December 2025 at 16:54


E ardhmja e Bruno Fernandes është sërish në qendër të tregut europian. Mesfushori portugez, kapiten dhe lider absolut i Manchester United, mund të jetë duke jetuar muajt e tij të fundit në ‘Old Trafford’, pas disa sezonesh ku ka mbajtur një peshë të madhe mbi supe në një projekt të shënuar nga paqëndrueshmëria.

Në moshën 31-vjeçare, portugezi ndodhet përballë një momenti kyç në karrierën e tij, me mundësinë për të ndryshuar ambient dhe për t’u bashkuar me një projekt sportiv shumë më të qëndrueshëm dhe ambicioz.

Prej kohësh, Bruno Fernandes është në axhendën e Bayern Munich. Klubi bavarez e ka ndjekur nga afër zhvillimin e tij dhe, pas muajsh analizash të brendshme, duket i vendosur të hedhë hapin përfundimtar.

Në Gjermani flitet për një ofertë rreth 50 milionë euro, një shifër e konsiderueshme duke pasur parasysh moshën e lojtarit, por e justifikuar nga paraqitjet, lidershipi dhe përvoja e tij në nivelin më të lartë.

Interesimi i Bayern Munich për Bruno Fernandes nuk është i ri. Në ‘Allianz Arena’, profili i tij është vlerësuar prej disa sezonesh, duke qenë të vetëdijshëm se ai është një mesfushor i kompletuar, me aftësi shënimi, vizion loje dhe karakter konkurrues.

Largimi i mundshëm i disa lojtarëve kyç nga mesfusha e Bayernit ka përshpejtuar nevojën për të shtuar një lider të dëshmuar.

Në Gjermani besohet se Bruno Fernandes do të përshtatej në mënyrë perfekte me stilin e lojës së tyre.

Aftësia e tij për të luajtur mes linjave, saktësia në pasimin final dhe rrezikshmëria e vazhdueshme nga distanca mesatare do t’i ofronin zgjidhje të menjëhershme një skuadre të mësuar të dominojë ndeshjet.

Për më tepër, përvoja e tij në garat europiane përbën një faktor diferencues për një klub që gjithmonë synon të shkojë larg në Ligën e Kampionëve./Telegrafi/

Zyrtare: Thiago Silva rikthehet në Evropë, nënshkruan me gjigantin portugez

20 December 2025 at 16:32


Ish-mbrojtësi i Milanit dhe Chelseat, Thiago Silva, nuk do të rikthehet te klubet e tij të mëparshme, pasi këtë pasdite ka nënshkruar zyrtarisht me Porton.

41-vjeçari mbetet i vendosur të marrë pjesë në Kupën e Botës 2026 dhe beson se mund ta bindë përzgjedhësin e Brazilit, Carlo Ancelotti, nëse aktivizohet në një kampionat europian.

Për këtë arsye, ai i dha fund kontratës së tij me Fluminense dhe u përfol për një rikthim të mundshëm te disa nga ish-klubet e tij, konkretisht Milan ose Chelsea.

Megjithatë, asnjëra palë nuk e ndoqi seriozisht këtë ide dhe këto spekulime tashmë mund të mbyllen, pasi Thiago Silva është zyrtarizuar si lojtar i Portos.

Ky transferim përbën gjithashtu një lloj rikthimi, edhe pse ai kishte qenë pjesë e Portos vetëm për gjashtë muaj në vitin 2005.

𝐇𝐄𝐑𝐄 𝐖𝐄 𝐆𝐎ⵑⵑ 💙👀

Ladies and Gentlemen, an announcement from Mr. 𝐓𝐇𝐈𝐀𝐆𝐎 𝐒𝐈𝐋𝐕𝐀

🤝 @fabrizioromano @tsilva3 #SeguimosJuntos pic.twitter.com/YJgDUJQOKX
— FC Porto (@FCPorto) December 20, 2025

Zyrtarizimi u bë në mënyrë disi të pazakontë në platformën X, përmes një videoje ku shfaqej edhe eksperti i njohur i afatit kalimtar, Fabrizio Romano.

Vetë lojtari u shfaq me fanellën e Portos dhe konfirmoi se ishte “shumë i lumtur dhe i nderuar për këtë mundësi”.

Ai falënderoi trajnerin italian Francesco Farioli, i cili këtë sezon është në krye të Portos.

Kontrata e Thiago Silvës është e vlefshme deri në qershor 2026, me opsion për t’u zgjatur edhe deri në qershor 2027./Telegrafi/

Real Madridi do të përforcoj mbrojtjen në janar, përgatit një transferim 50 milionë eurosh për yllin e Ligës Premier

20 December 2025 at 11:24


Micky Van de Ven është shfaqur si një pretendent i fortë për nënshkrimin e Real Madridit vetëm disa javë para hapjes së afatit kalimtar dimëror. Klubi, i cili nuk njihet për lëvizje të mëdha në janar, po shqyrton një përjashtim këtë herë për të forcuar një mbrojtje që po gjeneron dyshime gjithnjë e më të mëdha në lidhje me formën e saj aktuale dhe, veçanërisht, të ardhmen e saj të afërt.

Drejtori sportiv dhe Xabi Alonso janë plotësisht dakord. Të dy bien dakord se skuadra ka nevojë për rregullime dhe se mbrojtja është zona më e ndjeshme, veçanërisht duke pasur parasysh largimet e konfirmuara dhe pasiguritë rreth disa lojtarëve kyç.

Afati i transferimeve dimërore po merr një formë të ndryshme në Bernabeu. Largimi i Endrick drejt Olympique Lyonnais dhe mungesa e përkohshme e Brahim Diaz për shkak të Kupës së Kombeve të Afrikës kanë zvogëluar opsionet sulmuese, por është mbrojtja që po tërheq gjithë vëmendjen.

Largimi i David Alabas është praktikisht një çështje e kryer dhe e ardhmja e Antonio Rudiger përtej këtij sezoni është e pasigurt. Në këtë kontekst, Real Madridi e kupton se nuk mund të presë deri në verë nëse lind një mundësi strategjike.

Sipas DefensaCentral, emri i Micky Van de Ven përshtatet në mënyrë të përkryer me modelin që Xabi Alonso dëshiron të zbatojë. Qendërmbrojtësi holandez zotëron karakteristika shumë të vlerësuara te Valdebebas: i ri, lidership konkurrues dhe një profil teknik që i përshtatet një skuadre dominuese.

Një lojtar që luan me këmbën e majtë, i shpejtë në ndërprerje dhe me një aftësi të jashtëzakonshme për ta nxjerrë topin nga mbrapa, mbrojtësi i Tottenham ofron diçka që aktualisht i mungon skuadrës së Real Madridit. Forca e tij fizike i lejon atij të mbulojë hapësira të mëdha, një aset kyç për një ekip që tenton të mbrohet lart në fushë.

Për më tepër, Micky Van de Ven është tashmë një lojtar i rregullt si në klubin e tij ashtu edhe në ekipin kombëtar holandez, gjë që përforcon statusin e tij si një qendërmbrojtës i provuar pavarësisht se është vetëm 24 vjeç. /Telegrafi/

Chelsea e do yllin e Man Utd, por ai favorizon kalimin te Napoli

20 December 2025 at 10:43


Mesfushori i Manchester Unitedit, Kobbie Mainoo e ka të qartë se ku do ta vazhdojë karrierën nëse largohet nga Old Trafford gjatë afatit kalimtar dimëror.

Mungesa e paraqitjeve si titullar në Ligën Premier nga Mainoo e ka shtyrë atë të marrë në konsideratë një transferim në janar.

Vëllai i tij kohët e fundit bëri bujë në mediat sociale duke pozuar në Old Trafford me një bluzë "Free Kobbie Mainoo", e cila u bë shpejt virale.

Sipas gazetarit të njohur Ben Jacobs, Chelseat i pëlqen Mainoo, por preferenca e tij numër një është të shkojë te Napoli në formë huazimi.

Manchester United është i hapur për një shitje të përhershme, me një tarifë rreth 40-50 milionë funte në varësi të strukturës.

Megjithatë, mesfushori i ri duket i etur për të siguruar kohë të rregullt loje në Serie A me Napolin, duke i dhënë përparësi zhvillimit mbi një transferim të menjëhershëm të përhershëm.

I diplomuari i akademisë së United është i frustruar nga mundësitë e kufizuara në ekipin e parë këtë sezon, pasi ka bërë 12 paraqitje për gjithsej 302 minuta dhe ka dhënë një asistim. /Telegrafi/

Gjiganti spanjoll vendos Gvardiolin dhe Bastonin si objektiva kryesor për mbrojtje

20 December 2025 at 09:30


Barcelona vazhdon të punojë në planet e saj të tregut të transferimeve për sezonin e ardhshëm. Është ende shumë herët për të finalizuar ndonjë nënshkrim, por është e qartë se disa nga nevojat e ekipit tashmë po bëhen të dukshme.

Një nga këto nevoja, duke pasur parasysh gjendjen aktuale të skuadrës, është përforcimi i mbrojtjes qendrore.

Sipas gazetës Mundo Deportivo, Barcelona ka shtuar Josko Gvardiol të Manchester Cityt dhe Alessandro Bastonin e Interit si objektivat kryesorë mbrojtës për verën e vitit 2026.

Me kontratën e Andreas Christensen që skadon në verë dhe Ronald Araujo që po vuan nga probleme të shëndetit mendor, Barça është e etur të forcojë mbrojtjen.

Gjigantët katalunas janë të sigurt se do të regjistrojnë lojtarë sipas rregullit 1:1 FFP, por Bastoni dhe Gvardiol mund të jenë objektiva të shtrenjtë.

Të dy janë ndër qendërmbrojtësit më të mirë në Evropë dhe vlerësohen shumë nga klubet e tyre përkatëse, ku të dy mund të kushtojnë mbi 100 milionë euro.

Bastoni dhe Gvardiol gjithashtu i përshtaten stilit të lojës së Hansi Flick për shkak të lojës së tyre me top dhe aftësive teknike. /Telegrafi/

Man Utd po kryeson garën për transferimin e top sulmuesit të Ligës Premier

19 December 2025 at 21:58


Manchester United është një nga katër klubet që kanë hapur zyrtarisht bisedime me Antoine Semenyo për një transferim në afatin dimëror me vlerë 65 milionë eurosh, por për të siguruar shërbimet e sulmuesit të krahut, duhet të mbyllë marrëveshjen me Bournemouth deri më 10 janar.

Sipas The i Paper, edhe pse shifra është përcaktuar në 60 milionë euro plus 5 milionë të tjera në bonuse, do të nevojiten negociata mbi kushtet e pagesës, të cilat nuk janë të përfshira në klauzolë.

Bournemouth mund të kërkojë një pjesë të konsiderueshme të shumës të paguhet paraprakisht për të financuar blerjen e zëvendësuesit të Semenyos dhe gjithçka mund të varet nga cili prej katër favoritëve në garë është i gatshëm të ofrojë marrëveshjen më të favorshme.

Bournemouth kishte shpresuar ta bindte lojtarin të qëndronte, por The i Paper mëson se klubi tashmë është pajtuar me largimin e tij, për shkak të një “tregu të çmendur” që është krijuar rreth 25-vjeçarit.

Nuk është aspak surprizë që bisedimet kanë nisur tashmë, pasi klauzola e përfshirë në kontratën që Semenyo nënshkroi gjatë verës skadon pas vetëm 10 ditësh nga hapja e afatit kalimtar.

Ideja pas kësaj klauzole ishte t’i jepej Bournemouthit mundësia për të siguruar një zëvendësues përpara fundit të muajit.

Manchester United, Manchester City, Tottenhami dhe Liverpooli kanë zhvilluar të gjithë bisedime me Semenyon lidhur me kushtet personale dhe për t’i paraqitur planet e tyre për reprezentuesin e Ganës./Telegrafi/

Milani ka dy emra në listën e ngushtë për ta zëvendësuar Maignan në rast largimi

19 December 2025 at 16:56


Hapat e ardhshëm të Milan janë shqyrtuar nga eksperti i tregut të futbollit Niccolo Ceccarini, me fokus të veçantë te pozicioni i portierit për shkak të vonesës në zgjatjen e kontratës së Mike Maignan, e cila skadon në vitin 2026.

Ceccarini raporton se nuk ka përparim në rinovimin e Maignan, gjë që ka nxitur drejtuesit e Milan që të eksplorojnë alternativa.

Dy emra të rinj janë shfaqur: Robin Risser (2004) nga Lens dhe Berke Ozer (2000) nga Lille.

Të dy këta portierë të rinj janë të konsoliduar në Ligue 1 të Francës dhe konsiderohen figura të besueshme për klubet e tyre.

Interesimi ndaj tyre mbetet ende në fazë fillestare dhe shihet kryesisht si një investim perspektivë.

Situata e Maignan te Milan mbetet e paqartë dhe e ndjeshme, me zhvillime të ndryshme gjatë sezonit dhe me interes të klubeve të mëdha europiane.

Maignan ka kontratë me Milan deri në korrik 2026 dhe deri tani nuk ka marrëveshje zyrtare të rinovimit mes palëve.

‘Rossonerët’ kanë bërë oferta për të zgjatur kontratën e tij, përfshirë propozime me paga të rritura (rreth 5 milionë euro neto në sezon), por bisedimet janë ndaluar për momentin dhe akoma nuk është arritur një marrëveshje./Telegrafi/

❌
❌