Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 11 February 2026Main stream

Një goditje e madhe për planet e Barcelonës për Rashfordin

11 February 2026 at 16:45


Barcelona ka marrë vendimin për të tentuar transferimin përfundimtar të Marcus Rashford, por marrëveshja varet nga një kusht i panegociueshëm.

Manchester United nuk ka ndërmend të ulë asnjë euro nga çmimi i vendosur prej 30 milionë eurosh, i cili është përfshirë si opsion blerjeje në marrëveshjen e huazimit të verës së kaluar.

Në “Old Trafford” kjo shumë konsiderohet e arsyeshme për tregun aktual, ndërsa katalanasit kishin shpresuar për një zbritje.

Rashford, 28 vjeç, ka gjetur te Barcelona një mundësi ideale për të ringjallur karrierën e tij.

Edhe pse përshtatja në La Liga nuk ishte e menjëhershme për shkak të ndryshimeve taktike, ai ka treguar progres të dukshëm.

Trajneri Hansi Flick ka shprehur publikisht besimin tek sulmuesi anglez, duke i dhënë minuta të konsiderueshme dhe një rol të rëndësishëm në skuadër.

Statistikat e konfirmojnë ndikimin e tij, Rashford ka grumbulluar 1.970 minuta dhe renditet i katërti për nga koha e aktivizimit në ekip, duke lënë pas edhe disa titullarë të zakonshëm.

Edhe pse nuk është sulmuesi me mesataren më të lartë të golave, ai mban shifra me dy shifra dhe kontribon ndjeshëm në fazën ofensive dhe presionin e lartë.

Megjithatë, pengesa kryesore mbetet aspekti financiar, Manchester United është i vendosur të mos negociojë çmimin, duke theksuar se 30 milionë euro janë një shumë e përballueshme për një lojtar me eksperiencë ndërkombëtare dhe reputacion në Ligën Premier.

Nëse Barcelona dëshiron ta mbajë përfundimisht, do të duhet të aktivizojë klauzolën brenda afatit të caktuar.

E ardhmja e Rashford do të përcaktohet më 1 korrik.

Nëse klubi katalanas nuk e shfrytëzon opsionin e blerjes, lojtari do të rikthehet automatikisht në Mançester.

Drejtuesit e Barcelonës po analizojnë skenarët financiarë, por vendimi final do të varet nga mundësia për të përballuar shumën fikse prej 30 milionë eurosh. /Telegrafi/

Man Utd refuzon të ulë kërkesat për Rashford

11 February 2026 at 14:35


Dëshira e Barcelonës për ta mbajtur Marcus Rashfordin edhe pas përfundimit të sezonit është gjithnjë e më e qartë, por një transferim i përhershëm nuk do të vijë me zbritje.

Manchester United ka vendosur të mos negociojë poshtë çmimit të rënë dakord.

Sipas “SPORT”, klubi anglez nuk ka ndërmend të ulë opsionin e blerjes prej 30 milionë eurosh, i përfshirë në marrëveshjen e huazimit.

Barcelona shpresonte të përfitonte nga situata financiare për të negociuar një tarifë më të ulët, por drejtuesit në “Old Trafford” janë të vendosur ta mbajnë çmimin aktual, duke e konsideruar atë të drejtë për profilin e lojtarit.

Rashford ka bindur nën drejtimin e Hansi Flick, duke u bërë një pjesë e rëndësishme e rotacionit ofensiv. Ajo që nisi si një zgjidhje afatshkurtër, tashmë po shihet si një investim afatgjatë nga katalanasit. Deri tani këtë sezon, sulmuesi ka regjistruar 34 paraqitje në të gjitha garat, me 10 gola dhe 10 asistime – statistika që vetëm sa e forcojnë idenë e një marrëveshjeje të përhershme.

Megjithatë, për ta mbajtur në “Camp Nou”, Barcelona do të duhet të paguajë plot 30 milionë euro. United nuk është gati të bëjë kompromis. /Telegrafi/

De Zerbi favorit për gjigantin e Ligës Premier

11 February 2026 at 10:24


Roberto De Zerbi është gati të përfundojë një kapitull që premtonte shumë më tepër sesa dha në fakt.

Në Marseille, tashmë pranohet se trajneri italian nuk do të vazhdojë në stolin e ekipit pas një sezoni që ka lënë shumë dyshime.

Eleminimi nga Liga e Kampionëve dhe pamundësia për të ndjekur ritmin e liderit kanë përshpejtuar një vendim që dukej i pashmangshëm.

De Zerbi erdhi te Olympique de Marseille me reputacionin e një trajneri modern dhe me stil të qartë loje, por rezultatet nuk e kanë shoqëruar në momentet kyçe të sezonit.

Eleminimi i hershëm në Ligën e Kampionëve ishte goditja e parë e madhe, ndërsa performanca e paqëndrueshme në Ligue 1 ndaj Paris Saint-Germain ka shtuar frustrimin tek drejtuesit dhe tifozët.

Manchester United shihet si destinacioni më i mundshëm për sezonin 26/27.

Në ‘Old Trafford’, ai konsiderohet si profili ideal për të udhëhequr një rindërtim të thellë.

Aftësia e tij për të implementuar një stil të njohshëm loje, për të punuar me talentin e ri dhe karakteri ambicioz e bëjnë atë zgjedhjen e duhur për klubin.

Mësohet se De Zerbi është prioritet i brendshëm në strukturën sportive të United.

Për trajnerin italian, një aventurë në Ligën Premier do të ishte një sfidë e madhe dhe mundësi për të rivendosur kredencialet pas eksperiencës së trazuar në Francë.

Man Utd kërkon një trajner me personalitet të fortë dhe vizion të qartë për të rikthyer stabilitet në projektin e tyre, dhe De Zerbi shihet si kandidati ideal për të arritur këtë qëllim. /Telegrafi/

Bëhet viral reagimi i tifozit të Man United pasi kuptoi se do të vazhdojë të mbetet i paqethur

10 February 2026 at 23:51


Reagimi i menjëhershëm i tifozit të Man United që nuk ka prerë flokët në më shumë se një vit, është bërë viral pasi ‘Djajtë e Kuq’ nuk ia dolën të fitojnë ndaj West Hamit.

Që nga emërimi i Michael Carrick si pasardhës i Ruben Amorimit, Djajtë e Kuq kanë qenë në një formë të shkëlqyer. United kanë mundur skuadra të mëdha si Manchester City, Arsenal, Fulham dhe Tottenham Hotspur në javët e fundit.

Të martën në mbrëmje, ata mbërritën në London Stadium me synimin për të regjistruar pesë fitore radhazi ndaj Ëest Ham, që po kalon një periudhë të vështirë.

Një tifoz i United, Frank Ilett, ishte shumë i interesuar për këtë ndeshje për shkak të një sfide madhështore që kishte nisur më shumë se një vit më parë.

Ilett, i njohur si “The United Strand”, kishte vendosur të mos prerë flokët derisa United të fitonte pesë ndeshje radhazi.

Të martën ishte momenti vendimtar: nëse United do të fitonte, ai do të bënte një prerje flokësh; nëse do të barazonte apo humbiste, sfida do të rivendosej përsëri.

Pas një pjesë të parë të kujdesshme që përfundoi 0-0, West Ham kaloi në avantazh në minutën e 50-të me një gol të Tomas Soucek.

Në kohën shtesë, Benjamin Sesko shënoi për të barazuar rezultatin në 1-1 dhe për të shpëtuar një pikë për Djajtë e Kuq.

❌💇🏽♂️ ¡El corte de pelo de ‘TheUnitedStrand’ tendrá que esperar!

👉🏼 El viral aficionado del Manchester United, Frank Ilett, seguirá con el pelo largo tras el empate de su equipo.

🫣 Así ha sido su reacción al gol del West Ham. pic.twitter.com/yO9AdBRyTl
— El Chiringuito TV (@elchiringuitotv) February 10, 2026

Për “The United Strand”, sfida u rivendos sërish dhe tani i duhen përsëri pesë fitore radhazi për të marrë atë prerje flokësh të pritur me padurim.

Në fund të ndeshjes, ai qëndroi ulur në karrige, i shokuar dhe pa fjalë. Më pas ai përshëndeti miqtë e tij dhe tha: “Ishte një ndeshje e çuditshme. Zemërthyer”.

Kujtojmë se pesë ndeshjet e ardhshme të United janë kundër Everton, Crystal Palace, Newcastle United, Aston Villa dhe Bournemouth./Telegrafi/

West Hami ndërpren serinë pozitive të rezultateve të Man United

10 February 2026 at 23:12


Manchester United ka luajtur baras me rezultat 1-1 në udhëtim ndaj West Hamit në kuadër të javës së 26-të në elitën e futbollit anglez.

Rastin e parë serioz vendasit e patën në minutën e 13-të me anë të Crysencio Summerville, por goditjen e tij të bukur e priti për mrekulli Senne Lammens.

Në minutën e 23-të West Hami pati një tjetër rast të mirë shënimi, por goditjen e Aaron Ëan-Bissaka e bllokuan mbrojtësit kundërshtar.

Vendasit ia dolën të realizojnë golin e epërsisë në minutën e 50-të përmes Tomas Soucek që realizoi për 1-0 pas asistimit nga Jarrod Bowen.

Mysafirët menduan se barazuan rezultatin në minutën e 63-të kur Casemiro dërgoi topin në rrjetë për 1-1, por goli u anulua nga VAR-i për pozicion jashtë loje.

Në minutën e 76-të Benjamin Sesko pati një gjuajtje të bukur me kokë, por portieri vendas bëri një pritje të mrekullueshme për t’ia mohuar golin.

Ishte pikërisht sulmuesi slloven ai i cili realizoi në minutat shtesë të takimit për të barazuar rezultatin në 1-1 pas një krosimi të bukur nga Bryan Mbeumo.

Pas këtij barazimi Unitedi ngjitet në pozitën e katërt në tabelë dhe ka 45 pikë të grumbulluara./Telegrafi/

Standings provided by Sofascore

Before yesterdayMain stream

11 ish-lojtarë të Manchester United që ndoshta nuk e dini, por ata ende luajnë futboll profesional

10 February 2026 at 17:33


Manchester United ka kaluar shumë ndryshime gjatë dekadës së fundit, me reputacionin në fushë që ka pësuar ulje dhe me shumë lojtarë që kanë ardhur dhe ikur nga "Old Trafford".

Pas fitimit të Ligës Premier në 2013 dhe largimit të Sir Alex Ferguson, klubi ka luftuar për të rikthyer ditët e lavdisë, duke parë shumë emra të njohur të largohen dhe të ndryshojnë rrugët e karrierës së tyre.

Megjithatë, disa ish-lojtarë të Red Devils ende vazhdojnë të luajnë profesionalisht, madje edhe në nivele të ndryshme, dhe GIVEMESPORT ka përgatitur një “formacion startues” për ish-yjet që mund të kishin rënë në harresë nga tifozët.

Portier

Sergio Romero – Ish-portieri argjentinas u bashkua me Man Utd nga Sampdoria nën drejtimin e Louis Van Gaal dhe ishte zëvendësuesi i David De Geas për gjashtë vite, duke përfshirë finales Ligës së Evropës kundër Ajax.

Pas një rikthimi në Itali me Venezia dhe një periudhe te Boca Juniors, tani Romero luan për Argentinos Juniors në elitën e futbollit argjentinas, në moshën 38-vjeçare.


Mbrojtja

Chris Smalling – I menduar si pasardhësi i Rio Ferdinand te qendra e mbrojtjes, nuk arriti nivelet e pritshme për shkak të lëndimeve. Tani luan në Arabinë Saudite me Al Fayha, në moshën 36-vjeçare.

Marcos Rojo – Ish-lojtari i Argjentinës dhe i njohur për stilin e tij të ashpër, pas largimit nga Evropa tani luan për Racing Club në Argjentinë.

Alexander Buttner – Lojtari holandez, që shënoi edhe në sezonin e fundit të Ferguson, tani luan për Vitesse në Eredivisie.

Guillermo Varela – I njohur për asistimin e golit të debutimit të Marcus Rashford kundër Arsenal, pas periudhave huazimi luan aktualisht për Flamengo në Brazil.



Mesfusha

Juan Mata – Lojtari spanjoll, fitues i Kupës së Botës, bëri 285 paraqitje për Man United, duke shënuar 51 gola. Pas Man Utd ka luajtur në Turqi, Japoni dhe aktualisht në Australi me Melbourne Victory.

Shinji Kagawa – Pas dy viteve në Old Trafford, u rikthye në Japoni dhe tani luan për Cerezo Osaka.

Ravel Morrison – Një talent i madh që nuk u zhvillua plotësisht për shkak të problemeve jashtë fushës, tani luan në ligën e dytë të Emirateve të Bashkuara me Arabian Falcons, në moshën 32-vjeçare.


Sulmuesit

Bebe – I njohur për rrugëtimin nga “Homeless World Cup” te Champions League, pas disa viteve në La Liga, aktualisht luan për UD Ibiza.

Federico Macheda – Shënoi golat që ndihmuan Man United të fitonte titullin në 2009, pas shumë klubeve tani luan për Asteras Tripolis në Greqi, në moshën 34-vjeçare.

Nani – Ish-anësori portugez u pensionua në 2024, por në moshën 39-vjeçare u rikthye për të luajtur te Aktobe në Kazakistan.

Formacioni

/Telegrafi/

Si sfida virale e një tifozi të Man United me flokët u bë pasqyrë e paqëndrueshmërisë së “Djajve të Kuq” për pothuajse dy vite – tani ai ka një pyetje

10 February 2026 at 00:01


Premtimet janë të vështira për t’u mbajtur, por një tifoz i Manchester United ka respektuar marrëveshjen e tij virale për më shumë se një vit – dhe duket se është gati ta çojë deri në fund, për mirë a për keq…

Tashmë, me shumë gjasë keni dëgjuar për tifozin e pafat të Manchester United që u betua se nuk do t’i priste flokët derisa “Djajtë e Kuq” të fitonin pesë ndeshje radhazi.

Ai vështirë se mund ta kishte imagjinuar ndikimin që ky premtim do të kishte në kulturën e tifozëve të futbollit – apo edhe në jetën e tij personale – me miliona ndjekës në rrjetet sociale dhe me emrat më të mëdhenj të sportit që tashmë e dinë kush është.

Ja gjithçka që duhet të dini për The United Strand – udhëtimin viral “me flokë” të një tifozi drejt famës në botën e futbollit.

Çfarë është sfida e flokëve “The United Strand”?

The United Strand është emri i një fenomeni online që lindi pas një deklarate publike të bërë nga tifozi i përkushtuar i Manchester United, Frank Ilett.

I lodhur nga paqëndrueshmëria e vazhdueshme e ekipit të tij të zemrës, Ilett u betua në tetor të vitit 2024 se nuk do t’i priste flokët derisa Man United të fitonte pesë ndeshje rresht. As ai dhe as ndjekësit e tij nuk e menduan se, 16 muaj më vonë, sfida do të ishte ende në fuqi.

Flokët e tij, që u rritën në një afro gjithnjë e më të madh, u kthyen në një shaka të vazhdueshme mes tifozëve, një “barometër flokësh” që tregonte paqëndrueshmërinë e Man United. Media vendase dhe ndërkombëtare e trajtuan këtë fenomen si një simbol të kulturës së tifozëve.

“Filloi thjesht si një shaka. Mendova se do të ishte diçka argëtuese, për të sjellë pak humor në një periudhë shumë të dhimbshme për tifozët e Manchester United”, deklaroi Ilett për Sky Sports.

Megjithatë, jo të gjithë e morën me sportivitet. Në shtator të vitit 2025, Ilett u sulmua fizikisht nga një tifoz tjetër gjatë fitores 2-1 të United ndaj Chelseat në “Old Trafford”.

“Qëllimi im kurrë nuk ishte të nxirrja në pah të metat e Man United, por të përhapja pozitivitet dhe humor”, këmbënguli ai.

Kur nisi sfida e flokëve?

Sfida The United Strand nisi zyrtarisht më 5 tetor 2024. Që prej asaj dite, flokët e Ilett kanë “mbijetuar” nën drejtimin e tre trajnerëve të ndryshëm të Manchester United: Erik ten Hag, Ruben Amorim dhe tani Michael Carrick.

Deri më 9 shkurt 2026, sfida kishte zgjatur 492 ditë – pra një vit, katër muaj dhe shtatë ditë.

Kur do të përfundojë sfida?

Përgjigjja është e thjeshtë në teori: kur Manchester United të fitojë pesë ndeshje radhazi.

Pas fitores ndaj Tottenhamit më 7 shkurt, që ishte fitorja e katërt rresht, ekziston mundësia që sfida të marrë fund nëse Man United fiton edhe ndaj West Hamit më 10 shkurt 2026.

Madje, është konfirmuar edhe një video “watchalong”, ndërsa Ilett u shpreh optimist.

“Carrick është në timon, këto flokë po ikin shumë shpejt. West Ham është i radhës, katër nga pesë të kryera – për herë të parë që nga nisja e sfidës. Këtë herë po ndodh! Faleminderit Carrick!”, deklaroi ai.

Madje ai ka propozuar gjatë ditës, katër stile flokësh që tifozët mund të votojnë. Shumica e votave, apo 67 përqind mendojnë që ai duhet të kthehej në tullac.

Kur e fitoi për herë të fundit Man United pesë ndeshje radhazi?

Pavarësisht talljeve nga tifozët e Aston Villas, të cilët arritën 11 fitore radhazi në sezonin 2025/26, një seri prej pesë fitoresh nuk është e lehtë as për ekipet më të mira në Ligën Premier.

Duhet të kthehemi në shkurt 2024 për herën e fundit kur Manchester United arriti pesë fitore rresht.

Seria filloi me fitoren ndaj Newport County në FA Cup dhe vazhdoi me fitore ndaj Wolves, West Ham, Aston Villa dhe Luton Town. /Telegrafi/

Kërkohet nga Man City, Utd e Arsenali – Sandro Tonali preferon gjigantin italian

9 February 2026 at 21:45


Mesfushori i Newcastle United, Sandro Tonali, është i hapur për një rikthim në Itali para afatit kalimtar të verës, sipas “GiveMeSport”.

25-vjeçari, i cili iu bashkua Newcastle nga AC Milan, së fundmi është lidhur me një largim të mundshëm nga “St James’ Park”. Agjenti i tij kishte kontaktuar Arsenalin në ditën e fundit të afatit kalimtar për një marrëveshje të mundshme për reprezentuesin italian.

Tonali mund të jetë në qendër të një beteje transferimesh në Liga Premier ku përfshihen Arsenal, Manchester United dhe Manchester City. Megjithatë, rikthimi në Serie A mbetet një mundësi e fortë, me Juventusin që është i interesuar për mesfushorin. Thuhet se italiani është i gatshëm të kthehet në Itali për arsye personale.


Newcastle besohet se e vlerëson mesfushorin të paktën 80 milionë funte, ndërsa disa raporte sugjerojnë se mund të duhen mbi 100 milionë funte që klubi të hyjë në negociata.

Edhe pse interesimi nga klubet e mëdha të Ligës Premier nuk përjashtohet, preferenca e Tonalit duket të jetë një kalim te Juventusi nëse paraqitet mundësia.

“Magpies” janë në pozitë të fortë negociuese, pasi Tonali ka kontratë deri në vitin 2029 dhe ekziston edhe opsioni për një vit shtesë./Telegrafi

Konkurrenca mes klubeve për Sandro Tonalin po rritet

9 February 2026 at 12:30


Manchester United është shtuar së fundmi në garën për të siguruar shërbimet e mesfushorit italian, Sandro Tonali.

25-vjeçari duket i gatshëm të largohet nga Newcastle në përfundim të sezonit.

Agjenti i tij, Giuseppe Riso, ka deklaruar se: “Newcastle po e ka të vështirë të lërë të lirë Tonalin, dhe ai dëshiron të ndihmojë klubin të kualifikohet për Ligën e Kampionëve. Negociatat për transferimin do të zhvillohen më vonë”.

“Do të shohim si përfundon sezoni dhe pastaj do të vendosim për hapat e ardhshëm. Nuk ka një preferencë tani; është ende herët. Në verë do të vlerësojmë situatën dhe do të marrim vendimin”.

Këto komente kanë ndezur interesin e disa klubeve të mëdha evropiane.

Së fundmi, media britanike The Telegraph raporton se Manchester United po shfaq një interes të rritur për mesfushorin italian, i cili mund të përforcojë ndjeshëm repartin e mesfushës së klubit në planet e ardhshme.

Newcastle, nga ana tjetër, ruan qetësinë, Tonali ka kontratë deri në qershor të vitit 2028 dhe në rast se klubi do të shqyrtojë një transferim, pritet të kërkojë rreth 100 milionë euro, një shumë që është përballuar së fundmi në Ligën Premier për mesfushorë si Enzo Fernandez, Moises Caicedo dhe Declan Rice.

Përveç Tonalit, Manchester United po monitoron edhe disa kandidatë të tjerë për mesfushën, përfshirë Elliot Anderson (Nottingham Forest, 25), Adam Wharton (Crystal Palace, 22) dhe Carlos Baleba (Brighton, 22). /Telegrafi/

E zbulon Neville: Man Utd kanë filluar kërkimet për trajnerin e ri

9 February 2026 at 10:52


Manchester United ka filluar procesin e identifikimit të trajnerit të tyre të ardhshëm të përhershëm, sipas legjendës së klubit Gary Neville, edhe pse trajneri i përkohshëm Michael Carrick vazhdon nisjen e tij perfekte.

Neville zbuloi në podkastin e tij se ai i pyeti drejtpërdrejt zyrtarët e United për qëndrimin e tyre: "Ata thanë 'ne në fakt kemi filluar procesin tonë tani për të filluar kërkimin për një menaxher tjetër'."

Klubi theksoi se nuk do të nxitohen për të marrë një vendim, pavarësisht rezultateve gjatë muajve të ardhshëm, duke preferuar të presin deri në fund të sezonit përpara se të finalizojnë ndonjë emërim.

Carrick, i emëruar si trajner i përkohshëm pas shkarkimit të Ruben Amorim muajin e kaluar, ka fituar të katër ndeshjet e Premier Ligës si trajner, duke mposhtur Manchester Cityn, Arsenalin, Fulhamin dhe Tottenhamin, për ta çuar Unitedin në vendin e katërt.

telegrafi.com

Neville vuri në dukje se nëse Carrick shpreh interes për rolin me kohë të plotë, "ai do të hynte në një proces" si çdo kandidat tjetër, megjithëse mund të zgjedhë të mos marrë pjesë.

Rivalët e mundshëm mund të përfshijnë Thomas Tuchel, Julian Nagelsmann, Eddie Howe, Luis Enrique dhe Carlo Ancelotti.

Bruno Fernandes e vlerësoi Carrickun për rikthimin e lirisë dhe përgjegjësisë në skuadër, duke thënë pas fitores ndaj Tottenhamit.

"Ai është shumë i mirë me fjalët dhe mendoj se ende e kujton kur i thashë herën e fundit se ishte trajneri ynë, për ndeshjen tonë të fundit, dhe isha i sigurt se Michael mund të ishte një trajner i shkëlqyer – tani ai po e tregon këtë".

Vetë Carrick ka mbetur i përqendruar në të tashmen, duke u thënë gazetarëve. "Jam plotësisht i vetëdijshëm për rolin që po luaj këtu dhe përgjegjësinë që kam. Ne duam të kemi sukses dhe dua që klubi të ketë sukses përtej fundit të sezonit – nëse jam unë, nëse është dikush tjetër."

Man Utd i interesuar në yllin e madh të Juventusit

9 February 2026 at 10:37


Gjithmonë në kërkim të mundësive që ofron tregu, Manchester United po shqyrton disa opsione për të përforcuar projektin e tij.

Sipas raportimeve, klubi i Ligës Premier po vë një sy të veçantë mbi Manuel Locatelli, mesfushorin e Juventusit.

Michael Carrick ka marrë drejtimin e ekipit dhe ka rikthyer buzëqeshjen dhe besimin te Man Utd që nga ardhja e tij.

Nuk ka dyshim se trajneri do të bëjë çdo gjë për të rikthyer fuqinë e plotë të këtij klubi të madh.

Në lidhje me përforcimet, është e qartë se po punon për opsione të reja për mesfushën e tij.

Sipas CalcioMercato, drejtuesit e United po ndjekin me shumë interes performancat e Manuel Locatelli (28 vjeç).

Në kontratë me Juventusin deri në qershor 2028, Locatelli ka shkëlqyer këtë sezon, duke tërhequr vëmendjen e Manchester United.

Madje, raportohet se klubi anglez mund të bëjë një ofertë të rëndësishme për të siguruar shërbimet e tij gjatë afatit kalimtar së verës.

Nga ana e tyre, drejtuesit e Juventusit nuk kanë ndërmend ta lënë të largohet një lojtar që e konsiderojnë "thelbësor".

Ata po përgatitin strategji për të siguruar vazhdimësinë e tij në Torino, megjithatë, ‘Djajtë e Kuq’ janë gati të bëjnë gjithçka për të sjellë mesfushorin në ‘Old Trafford’. /Telegrafi/

Barcelona po përgatitë ofertë për mbrojtësin e Manchester United

8 February 2026 at 15:55


Barcelona po planifikon të transferojë një qendërmbrojtës të ri gjatë verës, me synimin për të përforcuar një repart që ka shfaqur paqëndrueshmëri këtë sezon.

Drejtuesit katalanas kanë identifikuar disa alternativa në muajt e fundit dhe një emër i ri është shtuar së fundmi në listën e dëshirave.

Ideja e klubit është të afrojë një qendërmbrojtës me këmbë të majtë, veçanërisht pas largimit të Inigo Martinez drejt Al-Nassr verën e kaluar. Barcelona është lidhur me profile si Nico Schlotterbeck dhe Goncalo Inacio, por sipas raportimeve, një marrëveshje për Lisandro Martinez mund të jetë më e realizueshme.

Interesi për mbrojtësin argjentinas nuk është i ri. Barcelona e kishte ndjekur atë edhe gjatë periudhës së tij te Ajax, ndërsa sipas CaughtOffside, katalanasit po shqyrtojnë seriozisht një lëvizje për ta transferuar nga Manchester United këtë verë. Edhe pse klubi anglez ka rezerva për shitjen e 26-vjeçarit, burime pranë Barcelonës besojnë se një ofertë rreth 55 milionë euro mund të mjaftojë për të arritur një marrëveshje.

Martinez vlerësohet për aftësinë e tij me topin në këmbë dhe për ndërtimin e lojës nga prapavija, elemente që përputhen me filozofinë e Barcelonës. Megjithatë, mbeten pikëpyetje lidhur me aspektin fizik dhe gjatësinë e tij, veçanërisht në duelet ajrore. Nga ana tjetër, fakti që La Liga konsiderohet më pak fizike se Premier Liga mund ta favorizojë përshtatjen e tij në futbollin spanjoll.

Vendimi përfundimtar pritet të varet nga zhvillimet e merkatos dhe hapësira financiare e klubit, por Lisandro Martinez duket se është një nga opsionet më serioze për të forcuar mbrojtjen katalanase në sezonin e ardhshëm. /Telegrafi/

Zbulohet lojtari ‘sekret’ i cili iu ofrua Man Unitedit në janar, por klubi refuzoi transferimin e tij

7 February 2026 at 23:50


Manchester United thuhet se iu ofrua mundësia për të transferuar një ish-mesfushor të Ligës Premier gjatë afatit kalimtar të janarit, por marrëveshja nuk u realizua.

“Djajtë e Kuq” nuk afruan asnjë lojtar gjatë merkatos së dimrit, pasi verën e kaluar kishin transferuar Benjamin Sesko, Bryan Mbeumo, Matheus Cunha dhe Senne Lammens.

Megjithatë, Manchester United pritet të kërkojë përforcime në mesfushë në të ardhmen e afërt, veçanërisht për të zëvendësuar Casemiron, i cili do të largohet nga klubi pas skadimit të kontratës së tij në fund të sezonit 2025/26.

Disa emra janë lidhur vazhdimisht me një transferim të mundshëm në “Old Trafford”, përfshirë Elliot Anderson të Nottingham Forest, Carlos Baleba të Brighton dhe Adam Wharton të Crystal Palace.

Megjithatë, United mund të kishte pritur që një tjetër lojtar me përvojë në Ligën Premier të bashkohej me skuadrën që në janar, pasi një mundësi konkrete iu ishte ofruar klubit anglez.

Sipas gazetarit të njohur Fabrizio Romano, ish-mesfushori i Leicester City dhe aktualisht pjesë e Besiktas, Wilfred Ndidi, iu ofrua Manchester Unitedit si një “opsion me kosto të ulët” gjatë afatit të dimrit, ndërsa lojtari ishte i interesuar për këtë lëvizje.

“Në aspektin e transferimeve, mund t’ju them se Wilfred Ndidi, ish-mesfushori i Leicester dhe tani te Besiktas, iu ofrua Manchester Unitedit”, deklaroi Romano në podcastin Here We Go këtë javë.

“Ishte një opsion me kosto të ulët dhe lojtari ishte shumë i interesuar për transferimin, por United vendosi menjëherë të mos vazhdojë tutje”.

“Ata patën mundësinë të realizonin një marrëveshje të tillë, por zgjodhën të mos e bëjnë”, përfundoi ai.

Ndidi ka një përvojë të madhe në Ligën Premier, ku ka luajtur për Leicester City mes viteve 2017 dhe 2025, duke regjistruar gjithsej 303 paraqitje me fanellën e “Dhelprave”./Telegrafi/

Te Man Utd të “dashuruar” me Michael Carrick, Fernandes: Ka sjellë diçka të veçantë në skuadër

7 February 2026 at 17:30


Bruno Fernandes beson se Michael Carrick ka sjellë “diçka të veçantë” te Manchester United pas fitores 2-0 ndaj Tottenhamit të shtunën.

United regjistroi fitoren e katërt radhazi në Ligën Premier nën drejtimin e Carrick, pasi ndeshja në “Old Trafford” mori kthesë të hershme kur Cristian Romero u ndëshkua me karton të kuq për një ndërhyrje të ashpër ndaj Casemiros pas vetëm 29 minutash lojë.

Bryan Mbeumo kaloi vendasit në epërsi para pushimit, duke finalizuar një skemë të zgjuar nga goditja e shkurtër e këndit, ndërsa Fernandes vulosi tri pikët kur devijoi në rrjetë krosimin e Diogo Dalotit në këndin e poshtëm të djathtë.

Djajtë e Kuq tani janë në serinë e tyre më të gjatë të fitoreve në elitë që nga shkurti i vitit 2024, si dhe në një ecuri prej tetë ndeshjesh pa humbje – diçka që nuk e kishin arritur që nga shkurti i vitit 2022.

Fernandes, i cili regjistroi kontributin e tij të 200-të në gola për United në paraqitjen e 314-të në të gjitha garat, nuk i kurseu lavdërimet për Carrick.

“Ky është futbolli. Ai ndryshon nga një ndeshje në tjetrën. Carrick erdhi me idetë e duhura, duke u dhënë lojtarëve përgjegjësi dhe liri në fushë”, deklaroi ai për TNT Sports.

“Është shumë mirë. Isha i sigurt se do të ishte një trajner i madh dhe ai po e tregon këtë. Shpresojmë që mund ta ndihmojmë edhe më shumë”.

“Të gjithë e kuptojnë presionin e të luajturit për këtë klub, të gjithë i dinë pritshmëritë që e rrethojnë. Ai e di çfarë do të thotë për këtë klub të fitojë. Kjo i shton diçka të veçantë ekipit”.

“Kemi pasur momente kur nuk kemi qenë të mirë, por tifozët kanë qenë sërish kështu. Energjia është ndryshe sepse fitojmë, gjithçka duket më e ndritshme”.

Duke folur për BBC, portugezi shtoi se skuadra duhet të mbetet e përqendruar për të mos humbur ritmin pozitiv.

“Është shumë e rëndësishme për ne të ruajmë fokusin dhe të mos e teprojmë tani. Kjo është shumë mirë dhe shumë bukur, por duhet të vazhdojmë.

“Nëse nuk fiton ndeshjen tjetër dhe tjetrën pas saj, rikthehesh në të njëjtin vend ku nuk ndihesh rehat, humb besimin dhe e ke të vështirë të besosh në gjithçka që ke bërë deri tani.

“Deri më tani kemi bërë shumë mirë duke realizuar gjithçka që Michael dhe stafi kanë kërkuar nga ne, dhe kemi qenë shumë të guximshëm duke marrë përgjegjësi në disa momente të lojës për të luajtur dhe për të bërë gjithçka që duhet për të fituar ndeshjen.

“Fokusi kryesor është ndeshja e radhës. Janë katër fitore radhazi. Kjo është e bukur, por tani duhet ta bëjmë pesë”./Telegrafi

Manchester United merr fitoren e katër radhazi, mposht edhe Tottenhamin

7 February 2026 at 15:28


Manchester Unitedi ka fituar ndaj Tottenham Hotspur me rezultat 2-0 në ndeshjen e vlefshme për javën e 25-të në Ligën Premier.

Ekipi i Micheal Carrick ka marrë edhe fitoren e katërt radhazi në kampionat duke treguar forcën e tyre dhe synimin për të mbyllur kampionatin sa më lartë në tabelë.

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë më të mirë të vendasve, të cilët përveç raste shënuan edhe një gol, kjo edhe për faktin se shfrytëzuan diferencën numerike, pasi mysafirët luajtën pa Cristian Romeron nga minuta e 29-të shkaku i kartonit të kuq.

Goli i vetëm në këtë pjesë erdhi në minutën e 38-të të ndeshjes me anë të Bryan Mbeumo, i cili shënoi për 1-0 pas asistimit të Kobbie Mainoo.

Advantage United at the break 👊 pic.twitter.com/BN4RHIJFMZ
— Manchester United (@ManUtd) February 7, 2026

Në pjesën e dytë, Unitedi menaxhoi mirë lojën, krijoi edhe raste tjera, teksa në fund shënoi edhe golin e sigurisë.

Goli i vetëm në 45 minutat e dytë erdhi në minutën e 81-të me anë të kapitenit Bruno Fernandes, i cili vulosi fitore me rezultat 2-0.

Three points in the bag! 💼✅ pic.twitter.com/dCmV14cFBv
— Manchester United (@ManUtd) February 7, 2026

Pas kësaj fitore, Unitedi e sheh veten në pozitën e katërt me 44 pikë, ndërsa Tottenham renditet i 14-ti me 29 pikë.

Në ndeshjen e ardhshme, Djajtë e Kuq luajnë në udhëtim te West Hami, teksa Spurs e presin Newcastle United. /Telegrafi/

A mund të ëndërrojë Barcelona të nënshkruajë me Haaland?

6 February 2026 at 13:32


Ëndrra e Barcelonës për të sjellë Erling Haaland në ‘Camp Nou’ nuk është shuar ende.

Edhe pse kalimi i kohës dhe situata ekonomike duket se e largojnë këtë mundësi, klubi katalanas ruan shpresën për të realizuar një nga goditjet më të mëdha të afatit kalimtar.

Barcelona ka ndjekur me vëmendje karrierën e Haaland që herët, madje para se sulmuesi norvegjez të bëhej një nga emrat më të spikatur në futbollin elitar.

Megjithatë, ai ka zgjedhur rrugë të tjera dhe sot konsiderohet një nga sulmuesit më domethënës në botë.

Tani, në moshën 25-vjeçare, Haaland mund të përballet me një vendim kyç në karrierën e tij.

Pavarësisht suksesit të tij te Manchester City, e ardhmja e tij vazhdon të ngjallë spekulime.

Barcelona beson se rrethana të caktuara mund ta vendosin Haaland në një rrugë drejt ‘Camp Nou’, dhe vera e ardhshme mund të shënojë një pikë kthese.

Realiteti financiar i Barcelonës është i njohur: çdo transferim i madh kërkon planifikim të kujdesshëm, shitje të mëdha dhe manovra të zgjuara ekonomike.

Çmimi i Haaland, paga e tij dhe kushtet që kërkon City e bëjnë këtë operacion jashtëzakonisht kompleks., edhe pse duket një sfidë thuajse e pamundur, klubi nuk përjashton mundësinë e tij nëse lind një shans.

Man City nuk do ta lëshojë lojtarin e tij kryesor lehtësisht, dhe nëse ndodh një ofertë, ajo do të jetë astronomike.

Për më tepër, konkurrenca është e fortë, me klube me fuqi financiare shumë më të madhe gati për të bërë ofertë.

Barcelona e di që nuk mund të luftojë vetëm me para, prandaj strategjia fokusohet te bindja e lojtarit.

Klubi synon ta bindë Haaland se Camp Nou është vendi ideal për të ndërtuar një legjendë të re.

Për këtë, Barça duhet të ofrojë një projekt sportiv bindës, ambicioz dhe afatgjatë: një ekip konkurrues, një rol kryesor për Haaland dhe mundësinë për t’u bërë fytyra e ofensivës së një institucioni historik.

Pas suksesit në Angli, sfida për të triumfuar në një ligë tjetër mund të shërbejë si motiv shtesë.

Në këtë moment, transferimi i Haaland është më shumë një ëndërr sesa një operacion realist.

Por në futbollin modern, lëvizjet e mëdha fillojnë me bindjen e lojtarit.

Barcelona e ka të qartë: për të pasur një shans për Haaland, fillimisht duhet të fitojë besimin e tij. /Telegrafi/

Koha fluturon: Djali i Rooneyt merr ofertën maksimale dhe është në prag të kontratës me klubin e madh

6 February 2026 at 08:51


Kai Rooney, djali 16-vjeçar i legjendës më të madhe të Manchester United të dekadave të fundit, Wayne Rooney, na dëshmon se koha "fluturon" sepse ai është një hap më afër skenës së madhe.

Kai Rooney është talenti më i madh i Djajve të Kuq dhe së shpejti do ta shohim në skenën e madhe, pasi atij i është ofruar një kontratë e re në Old Trafford pasi i ka impresionuar të gjithë në klubin e famshëm anglez vitet e fundit.

Sipas lajmeve nga Anglia, Manchester United i ofroi Kait një kontratë me vlerë 60,000 euro në vit, që për një adoleshent dhe një të ri që luan në akademi, jo në futbollin e seniorëve, është në të vërtetë një mega-kontratë dhe një bursë maksimale për moshën e tij.

EXCLUSIVE: Wayne Rooney’s son Kai offered major new deal by Man Utd
https://t.co/p3ZGCOjdAl
— The Sun Football ⚽ (@TheSunFootball) February 5, 2026

Një kontratë e re i është ofruar gjithashtu Jacey Carrick, djalit të Michael Carrick, i cili aktualisht është menaxher i përkohshëm i ekipit të parë.

Rooney i ri duhet të nënshkruajë një kontratë të re gjatë verës, kur të përfundojë detyrat e tij në shkollën e mesme, dhe më pas të presë debutimin e tij në ekipin e parë të Manchester United sezonin e ardhshëm.

Kai Rooney luajti për herë të parë nën dritat e Old Trafford muajin e kaluar, stadiumi ku babai i tij u bë një legjendë e gjallë. Ishte Kupa FA për të Rinj dhe Kai luajti para 20,000 tifozëve. Ai u inkuadrua nga ish-shoku i ekipit të babait të tij, Darren Fletcher.

Hyrja e anëtarit më të ri të familjes së famshme të United shkaktoi një ndjesi mes 20,000 tifozëve që brohoritën në unison "Rooney, Rooney", ndoshta duke paralajmëruar një karrierë të shkëlqyer përpara.

Ndryshe, oferta prej 60,000 eurosh, e cila mbërriti në adresën e Rooneyt, është bursa më e madhe e mundshme për lojtarët nën moshën 16 vjeç, kështu që United tregoi me këtë veprim se çfarë talenti e konsideron të riun Kai. /Telegrafi/

Barcelona vendos në shitje yllin e skuadrës– tre gjigantët anglez ‘trokasin në derë’

5 February 2026 at 22:39


Barcelona raportohet se po shqyrton mundësinë e shitjes së një lojtari kyç, teksa tri klube të mëdha të Ligës Premier janë duke “monitoruar” situatën e yllit në prag të afatit kalimtar të verës.

Klubi katalanas aktualisht kryeson La Ligën me një pikë avantazh ndaj rivalëve të përjetshëm, Real Madridit, me edhe 16 ndeshje të mbetura deri në fund të sezonit.

Skuadra e drejtuar nga Hansi Flick ka qenë në formë të shkëlqyer në repartin ofensiv, duke shënuar 60 gola në kampionat deri tani këtë sezon, me Ferran Torres, Lamine Yamal, Robert Lewandowski, Raphinha, Dani Olmo dhe Marcus Rashford që kanë dhënë kontributin e tyre.

Megjithatë, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për repartin mbrojtës, pasi Barcelona ka pësuar mesatarisht më shumë se një gol për ndeshje në La Liga.

Pavarësisht se ka zhvilluar 34 paraqitje në të gjitha garat këtë sezon, e ardhmja e mbrojtësit francez Jules Kounde mbetet e paqartë, për shkak të shqetësimeve të raportuara lidhur me nivelin e tij të qëndrueshmërisë dhe udhëheqjes në fushë.

27-vjeçari, i cili ka kontratë me Barcelonën deri në qershor të vitit 2030, ka hasur vështirësi javët e fundit dhe, sipas mediumit spanjoll Fichajes, është një nga disa lojtarët që po vëzhgohen nga afër nga klubi.

Një transferim i mundshëm mund të ndikohet edhe nga problemet e vazhdueshme financiare të klubit, me Kounde që shihet si një aset i vlefshëm, largimi i të cilit mund të sjellë përfitime të konsiderueshme financiare.

Sipas Fichajes, vlera e kartonit të mbrojtësit llogaritet rreth 56 milionë euro, një çmim që mund të tundonte disa klube të paraqesin oferta gjatë verës.

Megjithatë, thuhet gjithashtu se kjo shifër mund të rritet deri në rreth 70 milionë euro në rast të një lufte ofertash mes klubeve angleze.

Manchester United, Chelsea dhe Liverpool raportohet se po ndjekin nga afër situatën e lojtarit, duke qenë të impresionuar nga aftësia e tij për të luajtur si qendërmbrojtës ashtu edhe si mbrojtës i djathtë.

Ndërkohë, edhe Bayern Munich po e mban nën vëzhgim Kounden, pasi profili i tij përputhet me kërkesat e klubit gjerman, falë përvojës dhe qëndrueshmërisë fizike që ai ofron./Telegrafi/

Zbulohet plani befasues i Rashfordit nëse Barcelona vendos të mos e transferojë atë

4 February 2026 at 15:11


Marcus Rashford tashmë ka përgatitur një plan rezervë në rast se Barcelona nuk vendos ta blejë në mënyrë permanente këtë verë.

Edhe pse ende i kontraktuar me klubin e tij të fëmijërisë, Rashford nuk ka luajtur për Manchester United që nga dhjetori i vitit 2024, në Ligën e Evropës kundër Viktoria Plzen.

Reprezentuesi i Anglisë u përjashtua nga skuadra nga ish-trajneri Ruben Amorim, duke kaluar gjysmën e dytë të sezonit të kaluar te Aston Villa para se të bashkohej me Barcelonën në verë.

nga ardhja në Kataloni, 28-vjeçari ka pasur një sezon produktiv, duke shënuar dhe asistuar mbi dhjetë gola, përfshirë pesë gola në Ligën e Kampionëve këtë sezon.

Huazimi i Rashford te Barcelona përfshinte një opsion blerjeje me një tarifë relativisht konservative prej 26 milionë eurosh, që duket si një marrëveshje e favorshme nga jashtë.

Pavarësisht tarifës së ulët, drejtori sportiv i Barcelonës, Deco, ka konfirmuar se klubi nuk do të aktivizojë klauzolën para verës për shkak të vështirësive financiare.

Sipas The Mirror, Rashford ka bërë shumë të qartë se preferon të qëndrojë te Nou Camp, por ka një plan rezervë në rast se marrëveshja dështon.


Raporti thotë se Rashford nuk ka interes të kthehet në Manchester, pavarësisht përmirësimit të situatës së klubit nën drejtimin e Michael Carrick, dhe është i gatshëm të rinegociojë pagën për të qëndruar në Spanjë.

Nëse një transferim te gjigantët katalanas nuk realizohet, Rashford do të shikojë mundësi të tjera, në vend se të kthehet te klubi i tij i fëmijërisë.

Edhe pse klubi duket i paqartë për angazhimin ndaj Rashford në këtë fazë, trajneri Hansi Flick ka insistuar se është i kënaqur me sulmuesin, por ka pranuar se dëshiron më shumë gola./Telegrafi/

Vendimi i Hansi Flick në lidhje me Rashford

4 February 2026 at 13:20


Edhe pse sezoni është ende në zhvillim, drejtuesit e Barcelonës kanë nisur të mendojnë për planifikimin e afatit kalimtar veror.

Një nga vendimet kryesore që po analizohet është e ardhmja e Marcus Rashford, i cili ka treguar performanca premtuese gjatë huazimit nga Manchester United.

Trajneri Hansi Flick ka dhënë një vlerësim të qartë mbi rëndësinë e sulmuesit për projektin afatmesëm.

Rashford ka arritur të marrë protagonizëm në skuadër, duke ofruar alternativa në disa pozicione të sulmit.

Shpejtësia dhe aftësia e tij për të krijuar hapësira për shokët e skuadrës janë elementë të çmuar në strategjinë taktike të Barcelonës.

Përveç golave, ndikimi i tij në dinamika dhe rotacionin ofensiv vlerësohet lart nga stafi teknik.

Hansi Flick është promovuesi kryesor i vazhdimësisë së Rashford.

Trajneri gjerman beson se me një përgatitje të plotë para sezonit dhe adaptim më të madh në mjedisin e ri, sulmuesi mund të arrijë një nivel më të lartë performancash.

Përveç potencialit të tij sportiv, stafi vlerëson sjelljen profesionale dhe angazhimin e futbollistit në përditshmërinë e klubit.

Megjithatë, vendimi për blerjen përfundimtare të Rashford nuk është marrë ende, Barcelona duhet të marrë parasysh kufizimet financiare, por shuma e përcaktuar prej 35 milionë eurosh shihet si e përballueshme nëse performanca e lojtarit mbetet ose përmirësohet.

Klubi është optimist se statistikat dhe ndikimi i tij në fushë mund të rriten me më shumë vazhdimësi dhe mirëkuptim me shokët e skuadrës.

Në përfundim, linja e përgjithshme brenda klubit tregon se opinioni i trajnerit do të jetë vendimtar.

Nëse nuk ndodhin zhvillime të papritura, e ardhmja e Marcus Rashford duket e lidhur me ‘Camp Nou’ përtej sezonit aktual, duke e konfirmuar si një pjesë të rëndësishme të projektit sportiv të Barcelonës. /Telegrafi/

❌
❌