Juventusi publikon video nga stërvitjet, Edon Zhegrova i pandalshëm me gola dhe driblime
Juventusi i është rikthyer menjëherë stërvitjeve pas barazimit ndaj Lazios (2-2), ndeshje në të cilën ylli kosovar Edon Zhegrova zhvilloi të gjithë pjesën e dytë.
Sulmuesi i krahut ishte solid në këtë barazim të “Zonjës së Vjetër”, duke qenë i saktë në pasime, i rrezikshëm në driblime dhe i përfshirë drejtpërdrejt në aksionin nga i cili erdhi goli i parë i Juventusit.
Klubi torinez sot ka publikuar sekuenca nga stërvitja, ku Edon Zhegrova shihet duke shënuar gola, dhënë asiste dhe dribluar kundërshtarët me lehtësi.
Nuk ka munguar as përshkrimi i veçantë nga Juventusi, i cili e ka quajtur “Luani” yllin e Kosovës dhe të bardhezinjve.
Zhegrova ka vuajtur për më shumë minuta në sezonin e tij të parë me Juven, por klubi, nga ana tjetër, ka refuzuar të gjitha ofertat që kanë ardhur për të gjatë afatit kalimtar të dimrit, duke treguar besimin e plotë në potencialin e tij.
Edon Zhegrova te Juventusi u transferua nga Lille, ku kishte qenë një nga lojtarët kryesorë të skuadrës franceze, ndërsa bardhezinjtë paguan një shumë të konsiderueshme për shërbimet e tij, duke e parë atë si një investim afatgjatë për të ardhmen e klubit. /Telegrafi/
