KRU “Hidromorava” njofton qytetarët dhe konsumatorët në zonat Berivojcë dhe Lagjja Iliria të qytetit të Kamenicës se furnizimi me ujë të pijshëm është ndërprerë për shkak të mungesës së energjisë elektrike nga KEDS-i.
Sipas njoftimit të KRU “Hidromorava”, ndërprerja është e pamundur të shmanget deri në ripërtëritjen e energjisë elektrike, çka ndikon drejtpërdrejt në punën e pompave të ujit dhe furnizimin normal të qytetarëve.
Kompania apelon tek konsumatorët për mirëkuptim dhe kujdes gjatë kësaj periudhe dhe siguron se do të ndërmerren të gjitha masat e nevojshme për të rikthyer furnizimin me ujë sa më shpejt të jetë e mundur.
Qytetarët do të njoftohen menjëherë pas normalizimit të situatës. /Telegrafi/
E plotësuar: Qytetarët sot po protestojnë kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike, ndërkaq gjatë protestës është arrestuar një nga protestuesit.
“Një popull nuk i nënshtrohet KEDS-it”, protesta kundër shtrenjtimit të rrymës
“Nuk sakrifikojmë na për KEDS”, “Rryma nuk është luks”, “Një popull nuk i nënshtrohet KEDS-it”, janë mbishkrimet në pankarta që qytetarët mbajnë në duar gjatë protestës për të kundërshtuar mundësinë e rritjes së çmimit të energjisë para objektit të KEDS-it.
Protestuesit në shenjë revolte kanë gjuajtur tymosës në drejtim të objektit të KEDS-it.
Ndërkaq kjo protestë është organizuar nga një grup aktivistësh nga Kolektivi Feminist dhe Përpjekja kundër paralajmërimeve për rritje të çmimit të energjisë elektrike.
Më poshtë Telegrafi ju sjellë fotografi të protestës të shkrepura nga fotoreporteri, Ridvan Slivova. /Telegrafi/
Ndonëse energjia elektrike është shtrenjtuar disa herë brenda një periudhe të shkurtër kohore, qytetarët e Kosovës vazhdojnë të përballen me mungesa të vazhdueshme të furnizimit me rrymë.
Që nga viti 2021, në Kosovë energjia elektrike është shtrenjtuar të paktën tri herë. Zyra e Rregullatorit për Energji Elektrike (ZRRE) ka bërë të ditur se aktualisht ndodhet në proces të shqyrtimit të kërkesave të operatorëve energjetikë për një shtrenjtim tjetër të rrymës.
Operatorët energjetikë kanë kërkuar që çmimi i energjisë elektrike të rritet për së paku edhe 21 për qind, ende pa kaluar një vit nga shtrenjtimi prej 16.1 për qind i miratuar në prill të vitit 2025.
Edhe pse ende nuk dihet epilogu i këtij procesi, paralajmërimet për një rritje të re të çmimit të rrymës kanë nxitur shqetësim dhe frikë te qytetarët, të cilët thonë se tashmë po përballen me fatura të papërballueshme, ndërkohë që mungesat e energjisë elektrike vazhdojnë.
Në lagjen Fidanishte të Pejës, mungesa e energjisë elektrike ka hyrë në ditën e katërt. Një qytetare ka bërë të ditur se kjo situatë po ua vështirëson ndjeshëm funksionimin e përditshëm banorëve të kësaj zone.
“Ne, banorët e lagjes Fidanishte në Pejë, kemi katër ditë që jemi pa energji elektrike dhe kjo po na e vështirëson shumë funksionimin ditor në shtëpitë tona”, ka deklaruar qytetarja.
Ajo ka shtuar se deri më tani nuk është ndërmarrë asnjë veprim për zgjidhjen e situatës, ndërsa gjendja është përkeqësuar edhe më tej.
“Nuk është ndërmarrë asnjë veprim lidhur me këtë situatë dhe, sikur të mos mjaftonte kjo, që nga dita e djeshme jemi edhe pa furnizim me ujë”, shtoi ajo.
Telegrafi ka tentuar të kontaktojë edhe me KRU Hidrodrini për të marrë një qëndrim zyrtar lidhur me këtë problem, por deri në momentin e publikimit të lajmit nuk ka pranuar përgjigje. /Telegrafi/
Spitali i Mitrovicës ka bërë të ditur se pas sanimit të defektit në furnizimin me energji elektrike nga Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS), është rikthyer furnizimi i rregullt me rrymë në të gjitha repartet e këtij institucioni shëndetësor.
Sipas njoftimit të spitalit, defekti kishte ndodhur në trafon e qytetit, në të cilën është i lidhur Spitali i Mitrovicës, çka kishte shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike në disa reparte.
Megjithatë, gjatë gjithë kohës së ndërprerjes, shërbimet vitale kanë funksionuar normalisht përmes gjeneratorëve, duke garantuar vazhdimësinë e shërbimeve esenciale dhe sigurinë e pacientëve.
Nga ky institucion shëndetësor bëhet e ditur se ekipet e KEDS-it kanë qenë në terren dhe kanë punuar intensivisht për sanimin e defektit, ndërsa pas ndërhyrjes teknike është bërë e mundur rikthimi i furnizimit të rregullt me energji elektrike.
Spitali i Mitrovicës ka falënderuar stafin mjekësor dhe teknik për angazhimin gjatë kësaj situate, si dhe qytetarët për mirëkuptimin, duke theksuar se shërbimet shëndetësore janë duke u ofruar pa asnjë pengesë. /Telegrafi/
Spitali i Mitrovicës ka njoftuar se për shkak të një defekti në furnizimin me energji elektrike në trafon e qytetit, në të cilën është i lidhur ky institucion shëndetësor, aktualisht disa reparte janë pa rrymë.
Sipas njoftimit, pjesët vitale të spitalit janë të furnizuara me energji elektrike përmes gjeneratorëve, duke siguruar vazhdimësinë e shërbimeve esenciale për pacientët.
Nga Spitali i Mitrovicës bëhet e ditur se ekipet e KEDS-it ndodhen në terren dhe janë duke punuar për sanimin e defektit, ndërsa rikthimi i furnizimit të rregullt me energji elektrike pritet të realizohet shumë shpejt. /Telegrafi/
Një grup aktivistësh, Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist dhe organizata "Përpjekja", kanë bërë thirrje për protestë kundër paralajmërimeve për rritje të çmimit të energjisë elektrike.
Sipas njoftimit për media, protesta do të mbahet sot, duke filluar nga ora 13:00 pranë ndërtesës së KEDS-it, ndërsa do të përfundojë para Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Organizatorët e protestës kanë deklaruar se që nga viti 2022 faturat e energjisë elektrike janë shtrenjtuar në baza vjetore, duke theksuar se kërkesat e KEDS-it për rritje çmimesh po aprovohen nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) në dëm të qytetarëve.
Sipas tyre, qytetarët nuk po paguajnë vetëm koston reale të energjisë, por edhe humbjet dhe keqmenaxhimin e kompanisë, ndërkohë që përballen me ndërprerje të shpeshta të rrymës, mungesë ngrohjeje dhe rritje të vazhdueshme të kostos së jetesës.
Aktivistët përmendin rritjen prej 16.1 për qind të çmimit të energjisë elektrike vitin e kaluar, duke paralajmëruar se sivjet po diskutohet një rritje tjetër rreth 20 për qind, të cilën e cilësojnë si të papranueshme.
Organizatorët kanë ftuar të gjithë qytetarët e Kosovës që t’u bashkohen në protestë, duke theksuar se vetëm përmes reagimit qytetar mund të ndalet, siç thonë ata, “hajnia shumëvjeçare” dhe të mbrohet interesi publik.
Sipas një llogaritje jo-zyrtare, një familje që shpenzon 800 kilovatë orë energji elektrike për një muaj, me 60% të konsumit me tarifë ditore dhe 40% me atë të natës, me tarifat e propozuara do të paguante rreth 13 euro më shumë se sa aktualisht.
Aprovimi eventual i propozimit për ngritje lineare të tarifave të energjisë elektrike për 21.3%, sipas një llogaritje jo-zyrtare të televizionit, do të bënte që tarifa e lartë apo ditore për konsumin mujor deri në 800 kilovatë orë të shkonte nga 9.05 në 10.97 centë për kilovatë orë.
Ndërkaq, tarifa e ulët apo e natës në këtë bllok konsumi do të ngrihej në 4.70 centë për kilovatë orë nga 3.88 sa është aktualisht.
Për konsumin mujor të energjisë elektrike mbi 800 kilovatë orë apo bllokun e dytë, tarifa e lartë do të shkonte në 18.71 centë për kilovatë orë nga 15.43 sa është aktualisht.
Tarifa e ulët apo e natës, ndërkaq, do të shkonte nga 7.28 në 9.55 centë për kilovatë orë.
Në shembullin e parë, një familje që do të regjistronte konsum mujor të energjisë elektrike në vlerë 800 kilovatë, të ndarë 60% me tarifën e lartë apo ditës dhe 40% të ulët apo natës, me tarifat e reja do duhej të paguante rreth 13 euro më shumë se sa me ato aktuale.
Për këtë nivel konsumi, në raportin 60 me 40, aktualisht fatura është 60 euro, ndërkaq me tarifat e propozuara do të ishte 73 euro.
Në shembullin e dytë, një familje që do të regjistronte konsum mujor të energjisë elektrike 1200 kilovatë orë, në raportin 60 me 40, do të merrte faturë rreth 26 euro më të lartë se sa me tarifat në fuqi.
Derisa aktualisht, për këtë nivel konsumi, me këtë raport, fatura është 112 euro, me tarifat e propozuara do të ishte 138 euro.
Në këto llogaritje jo-zyrtare nuk përfshihen elemente, si: tarifa fikse, ajo për burimet e ripërtërishme të energjisë etj.
Sido që të jetë, deri në këtë fazë gjithçka mbetet në nivel propozimi pasi vendimi përfundimtar për tarifat, nga Zyra e Rregulluarit për Energji, do të merret vetëm pas shqyrtimit të aplikimeve dhe diskutimit publik, që pritet të vendoset deri në fund të marsit./Tv Dukagjini/
Kompania furnizuese me energji elektrike KESCO ka kërkuar që çmimi i energjisë për vitin 2026 të rritet për 21.3 për qind.
Kërkesa është dorëzuar në Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE), e cila do të vendosë nëse do ta aprovojë apo jo këtë propozim.
Sipas dokumenteve të aplikimit për të hyrat maksimale, pas marrjes në konsideratë të shpenzimeve të pritshme, kërkesa e Furnizuesit të Shërbimit Universal (FSHU) për vitin 2026 arrin në 528.78 milionë euro.
Për krahasim, të hyrat e lejuara për vitin 2025 kanë qenë rreth 435 milionë euro. Nëse rritja aprovohet, kjo do të jetë hera e tretë në katër vitet e fundit që çmimi i energjisë elektrike rritet.
Ndërkohë, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një vizite të enjten në Qendrën e Inovacionit të Kosovës, derisa ishte duke folur për kursimin e energjisë, tha se qytetarët pëlqejnë të kenë temperatura të larta brenda apartamenteve.
“Duhet me menaxhu faktin që po ngrohemi shumë me rrymë. Përveç që ngrohemi me rrymë, ne ngrohemi shumë me rrymë. Temperaturat nëpër dhoma i kemi dukshëm më të larta se sa që është normale. Kena qejf nxehtë”, tha Kurti.
Ai gjithashtu shtoi se menaxhimi i konsumit, sidomos për ngrohjen, është i rëndësishëm dhe se rritja ekonomike do të kërkojë përdorim më të madh të energjisë./Telegrafi.
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj paralajmërimeve për rritjen e çmimit të energjisë elektrike, duke e cilësuar këtë proces si përfitim për, siç tha ajo, “mafinë energjetike”, në kurriz të qytetarëve.
Në një reagim publik, Bajrami ka deklaruar se rritja e fitimeve të tregtarëve të energjisë po bëhet duke u zbrazur xhepat e qytetarëve, ndërsa kërkesa e fundit e KESCO-s për rritje të çmimit të energjisë, sipas saj, nuk është as e vetmja dhe as përfundimtare.
Ajo ka theksuar se kërkesa për rritje çmimi, sipas informatave të saj, kanë bërë edhe operatorë të tjerë të sektorit energjetik, përfshirë KEDS-in, KOSTT-in dhe KEK-un.
Deputetja e LDK-së ka rikujtuar edhe premtimin e kryeministrit Albin Kurti para ardhjes në pushtet, kur, sipas saj, ai kishte deklaruar se energjia do të lirohej, pasi Kosova, siç ishte thënë atëherë, qëndron mbi burime të mëdha energjetike.
Bajrami ka paralajmëruar se çdo rritje e çmimit të energjisë elektrike ka efekt zinxhir në ekonomi, duke ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e çmimeve të të gjitha produkteve bazë.
Sipas saj, rritja e çmimit të energjisë ka gjithmonë efekt multiplikues dhe gjithmonë negativ për qytetarët dhe ekonominë në përgjithësi.
Në reagimin e saj, Bajrami ka kritikuar edhe politikat sociale të Qeverisë, duke deklaruar se ndihmat financiare si 100 euro në kohë zgjedhjesh, shtesat për lehona, fëmijë, të moshuar dhe studentë, nuk janë rezultat i zhvillimit ekonomik, por pasojë e varfërimit të qytetarëve.
Në fund, deputetja e LDK-së ka bërë thirrje që qytetarët të reagojnë kundër çdo vendimi që ajo e cilëson si të padrejtë nga institucionet publike dhe Qeveria./Telegrafi.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka adresuar kritika ndaj qeverisë në detyrë për keqmenaxhim në sektorin e energjisë.
Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Visar Azemi, tha në konferencë për media të enjten se rikthimi i reduktimeve të rrymës është një dëshmi e qartë për një gjë të tillë.
Sipas tij, qeveria, siç e quajti ai, e territ nuk ka investuar asnjë cent në shtimin e kapaciteteve të reja të energjisë, derisa ka shpenzuar më shumë se 1 miliard euro përgjatë tërë mandatit të saj për import të energjisë elektrike.
“Rikthimi i reduktimeve të energjisë elektrike është dëshmi e qartë se keqmenaxhimi dhe menaxhimi skandaloz i këtij sektori të energjisë në Kosovë ka ndodhur këto ditët e fundit. Kjo qeveri e territ nuk ka investuar asnjë cent në shtimin e kapaciteteve të reja energjetike, ndërkohë ka shpenzuar më shumë sesa 1 miliard euro përgjatë tërë mandatit të saj për import të energjisë elektrike nga shtete të tjera. Për të ardhur në këtë situatë absurde ka vetëm dy shpjegime të mundshme. Ose kemi të bëjmë me paaftësi dhe keqmenaxhim të plotë në qeverisje, ose kemi të bëjmë me kapje të sektorit të energjisë dhe hajni të organizuar nga mafia energjetike në krye me Martin Berishaj dhe Vuk Hamoviqin”, tha ai.
Azemi përmendi edhe emërimin e Trim Tërnavës si kryeshef i KOSTT-it, duke thënë se i njëjti është nip i ministrit në detyrë të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.
“Emërimi i nipit të deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Ejup Maqedonci, flet më së miri për kapjen e institucioneve energjetike në vend. Kjo është hallka e fundit në sektorin e energjisë që tashmë ka rënë komplet në duart e pushtetit. Sa për dijeni, ky që sot është emëruar drejtor i KOSTT-it është bashkëpronar i një kompanie private të energjisë”, theksoi Azemi.
Në anën tjetër, ai paralajmëroi se gjatë muajit mars mund të ketë sërish shtrenjtim të tarifave të energjisë elektrike, si pasojë e importit të madh gjatë vitit të kaluar.
“Unë alarmova se në mars do të kemi prapë ngritje të çmimit të energjisë elektrike, pasi vendi ynë ka qenë i varur nga importet e shtrenjta të energjisë elektrike dhe rrjedhimisht ato do të pasqyrohen në tarifat e ardhshme. Unë kisha me i bë thirrje operatorëve ekonomikë, por edhe ZRrE-së, që ta kenë parasysh gjendjen ekonomike dhe sociale të qytetarëve të Kosovës. Kjo gjendje është rënduar dhe faturat e energjisë elektrike janë të papërballueshme për familjarët dhe bizneset”, përfundoi Azemi. /KP/
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se Njësia B2 ka përfunduar me sukses procesin e sanimeve dhe ekzaminimeve të pajisjeve kryesore, në përputhje me planin dhe dinamikën e parashikuar.
Sipas njoftimit të KEK-ut, njësia është startuar me sukses dhe është sinkronizuar me rrjetin elektroenergjetik rreth orës 20:26, duke garantuar vazhdimësinë e prodhimit dhe stabilitetin e sistemit.
“Ky rezultat dëshmon përkushtimin e KEK sh.a. për operim të sigurt, efikas dhe të qëndrueshëm të kapaciteteve prodhuese, si dhe aftësinë e ekipeve teknike dhe menaxhuese për të kryer ndërhyrje preventive dhe riparime të domosdoshme në kohë optimale”, thuhet në komunikatën e KEK-ut.
KEK ka falënderuar stafin teknik dhe punonjësit për profesionalizmin dhe përkushtimin e treguar, duke theksuar se falë punës së tyre, rifillimi i operimit të Njësisë B2 u realizua pa vonesa dhe në përputhje me standardet më të larta operacionale.
Ndërkohë, të martën në mëngjes, një pjesë e vendit u përball me reduktime të energjisë elektrike.
Kompania për Distribuim të Energjisë Elektrike (KESCO) njoftoi se reduktimet u rikthyen për shkak të kushteve të vështira dimërore, temperaturave të ulëta dhe rritjes së konsiderueshme të konsumit të energjisë për ngrohje.
Lidhja e Bizneseve të Kosovës ka shprehur shqetësim të thellë për situatën e rënduar të furnizimit me energji elektrike në vend.
Ndërprerjet e shpeshta dhe pa paralajmërim po godasin drejtpërdrejt sektorin prodhues, duke shkaktuar humbje të mëdha për bizneset në mbarë Kosovën.
Në ditët e fundit, përfaqësuesit e Lidhjes kanë marrë ankesa të shumta nga komuniteti i biznesit. Vizitat në terren, përfshirë regjionin e Pejës, kanë konfirmuar një gjendje alarmante: ndërprerjet e vazhdueshme po dëmtojnë pajisjet, pengojnë planifikimin normal të prodhimit dhe ndikojnë negativisht në ekonominë e vendit.
“Është e papranueshme që në vitin 2026 qytete të tëra të mbeten pa furnizim me energji elektrike për orë të tëra, duke dëmtuar rëndë ekonominë dhe jetën e përditshme të qytetarëve. Akoma më shqetësuese është fakti se qytetarët dhe bizneset po paguajnë energji gjithnjë e më të shtrenjtë, ndërkohë që furnizimi mbetet i pasigurt dhe i paqëndrueshëm”, thuhet në njoftimin e Lidhjes.
Lidhja e Bizneseve të Kosovës i kërkon institucioneve përgjegjëse të marrin masa urgjente për stabilizimin e furnizimit me energji elektrike, të sigurojnë transparencë dhe paralajmërim paraprak për çdo ndërprerje, si dhe të mbrojnë sektorin prodhues, i cili është shtyllë e zhvillimit ekonomik dhe e punësimit në vend.
“Bizneset e Kosovës nuk mund dhe nuk duhet të mbajnë barrën e keqmenaxhimit energjetik”, deklaroi kryetari i Lidhjes, Besart Dreshaj.
KEDS ka njoftuar qytetarët për ndërprerjen e përkohshme të furnizimit me energji elektrike në zonat e Drenasit, Malishevës dhe Rahovecit si pasojë e reshjeve të dendura të shiut dhe rrezikut të krijuar në nënstacionin Drenas 220/10 kV.
Sipas KEDS: “Uji ka depërtuar në nënstacion, duke paraqitur rrezik serioz për funksionimin e sigurt të rrjetit elektrik”.
Autoritetet përkatëse, përfshirë Policinë dhe Zjarrfikësit, janë njoftuar dhe janë në koordinim të vazhdueshëm për menaxhimin e situatës.
KEDS gjithashtu njofton se, për shkak të vërshimeve, gjendja mbetet jo stabile edhe në komunat e Malishevës dhe Rahovecit.
“Për arsye sigurie është bërë ndalja e furnizimit me energji elektrike deri në stabilizimin e situatës”, bëhet e ditur në njoftim.
Ekipet e KEDS janë në terren dhe po punojnë intensivisht për rikthimin e furnizimit sapo të krijohen kushtet e sigurta.
“Ju falënderojmë për mirëkuptimin dhe do t’ju mbajmë të informuar me njoftime të tjera”, shtohet në komunikatë. /Telegrafi/
Bashkësi të mëdha territoriale dhe disa lagje të qytetit të Pejës tash e katër ditë po përballen me mungesë të energjisë elektrike.
Në Bashkësinë Territoriale “Karagaçi”, lagje të tëra kanë mbetur pa energji elektrike për katër ditë me radhë, duke e pritur kështu edhe ndërrimin e moteve në errësirë.
Ndërkohë, në lagjen “Tabhane”, në rrugë si “Fatmir Uka”, banorët po furnizohen me energji elektrike vetëm nga një fazë, çka ka nxjerrë jashtë funksionit sistemet e ngrohjes dhe pajisjet shtëpiake.
Banorët dhe komuniteti lokal kanë deklaruar për “RADIO 1” se kompania KEDS nuk po u përgjigjet kërkesave dhe thirrjeve të tyre, as në Pejë e as në qendrën e saj në Prishtinë.
Shishen me bezninë e mban afër vetes për t’u siguruar që gjeneratori të mos fiket.
E kur atë e mbush, gjeneratorin shpesh edhe e shkëmbejnë me fqinjët, që të gjithë të mund t’a përdorin energjinë elektrike për pak kohë.
Kështu po ia dalin banorët e fshatit Revuq të Podujevës pas përballjes me reduktimet e ashpra të energjisë elektrike.
‘’Na vjen shumë keq, jemi tubu i gjithë fshati, na duhet një e ardhme më e mirë ja me e lëshu fshatin të gjithë. Për Vit të Ri s’kemi pas, veç një fazë ka pas e edhe ajo s’i ka plotësu. Veç u dufke me dal qytet, as me mërgimtarë s’kemi fol, as programe televizive s’kem mujt me pa’’, ka thënë Idriz Mustafa – Banor i fshatit Revuq.
E kërkesat e tyre, po hasin në vesh të shurdhër.
‘’Ne kemi bë dy herë kërkesë për me rregullu, nënshkrime po kurrfar1% zgjidhje s’ka pas për neve. Kemi mbet në gjendje të rëndë. Kërkesa jonë ka qenë me pas një trafo që ky fshati ynë të ketë rrymë 220 qysh është normal. Qe 10 herë e kemi thirrë. Na thotë kryhet puna, kërkush nuk vjen me ndreq. Kemi mbet pa rrymë, asnjë pajisje s’funksionon’’, ka thënë Idriz Mustafa – Banor i fshatit Revuq.
Me probleme të po të njëjtës natyrë po përballet edhe fshati Balloc i kësaj komune, tash e thuajse dy javë.
‘’Është shumë problem marrë parasysh që tash na kanë ardh edhe mërgimtarët. Në fshatin tone, në këtë lagje nuk ka energji elektrike. Kemi të sëmutë rëndë që janë me oksigjen. Është situate alarmante dhe e papërballueshmne. Me KEDS-in, qe 10 ditë kemi adresu ankesa, asnjë ditë s’na kanë jep përgjigje të detajune, veç s’po e përballojnë kabllot’’, ka thënë Besmir Jaha – Përfaqësues i fshatit Balloc.
Por KEDS e mohon të mos ketë intervenuar e madje, edhe mungesën aktuale të rrymës.
“Ju njoftojmë se nuk ka pasur reduktime. Mirëpo, si pasojë e ngarkesës së lartë në këto fshatra, ka pasur djegie të siguresave të Tensionit te ulet dhe reagim të ndërprerësit ne kete tension. Ekipet tona çdo herë kanë intervenuar duke rregulluar prishjet që janë shkaktuar. Reduktim apo kufizim të furnizimit me energji elektrike nuk ka pasur”, ka thënë Bleona Dallaveraj – Zëdhënëse e KEDS.
Në ndërkohë, me reduktime të ashpra janë përballur edhe Komuna e Malishevës, Mamushës e Prizrenit.
Në ndërrimin e mot-moteve, fishekzjarret pritet të jenë të vetmet elemente që do ndriçojnë disa nga rajonet.
Kjo pasi vala e reduktimeve të ashpra të energjisë elektrike pritet të jetë prezente edhe më 31 dhjetor.
E këtë e ka konfirmuar edhe KEDS duke shtuar se ka rritur numrin e njësive intervenuese në terren.
Ju njoftojmë se janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme paraprake, si nga aspekti organizativ, teknik dhe logjistik në mënyrë që natën e ndërrimit të mot moteve të ketë furnizim stabil me energji elektrike, përkundër rritjes së lartë të konsumit dhe ngarkesës në rrjet në nivele të papara, krahasuar me vitet e kaluara.
Pra, ne kemi ndërmarrë dhe po ndërmarrim veprime në mënyrë që sistemi i shpërndarjes të përballojë këtë konsum të lartë, duke angazhuar, afro 500 punëtorë në terren dhe jo vetëm, në rast të ndonjë avarie të mundshme për intervenim të menjëhershëm.
Parashihet të ketë furnizim te rregullt me energji përkundër gjithë konsumit të lartë.
Vendet më të afektuara mund të jenë: Prizreni, Dragashi, Rahoveci, Shtimja, Xërxa, Malisheva, Theranda dhe Lipjan, si rrjedhojë e mungesës së kapaciteteve nga ana e transmisionit.
Dje me datën 29 dhjetor, ne ora 23:00 është arritur piku më i lartë në nivelin e shpërndarjes me një vlerë prej 1418më, e cila e tregon një rritje prej 7.5% nëse e krahasojmë me vitin e kaluar.
Për ekspert të energjisë, situata tregon një keqmenaxhim të kapaciteteve.
”Ramja e temperaturave dhe ardhja e diasporës në Kosovë ka bërë që kërkesa për energji elektrike të rritet duke shfaqur kështu anomalitë e rrjetit, mungesën e investimeve, kapaciteteve duke detyruar operatorët e rrjetit, KEDS dhe KOSTT të bëjnë ndërprerje të shpeshta të energjisë elektrike. Kapaciteti gjenerues i Kosovës maksimal është diku 850 megavat/orë kur janë të gjitha kapacitetet gjeneruese të A dhe B në funksion ndërsa kërkesa maksimale në kohë të pikut arrin diku tek 1500 megavat/orë. Ky dallim duhet mbuluar nga importi që vijnë nga vendet e rajonit ç’ka tregon shkallë të lartë të vartësisë energjetike por edhe një keqmenaxhim enorm që është bërë në këtë sistem”, ka thënë Adhurim Haxhimusa – Ekspert i energjisë.
Mes të tjerash, Haxhimusa vlerëson se situata të kësaj natyre rrisin nevojën për investime urgjente.
”Furnizimi stabil me energji elektrike kërkon kapacitete të reja gjeneruese të transmisionit dhe distribucionit. Ato sigurojnë ramjen e humbjeve qpftë komerciale, qoftë teknike, duke e ditë që 20 përqind e energjisë elektrike e cila prodhohet në Kosovë, humbet. Është e domosdoshme që të bëjmë një modernizim të sistemit elektroenergjetik, trafo dhe kabllo e njesorë të ri”, ka thënë Adhurim Haxhimusa – Ekspert i energjisë.
Sipas KEDS-it, zonat më të prekura javët e fundit nga reduktimet kanë qenë Gjilani, Rahoveci, Vitia, Gjakova, Prizreni, Malisheva, Suhareka dhe Mitrovica.
Komuna e Junikut ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me reduktimet e shpeshta të energjisë elektrike që, sipas saj, po aplikohen nga KEDS në këtë komunë, duke theksuar se këto ndërprerje po shkaktojnë vështirësi serioze për qytetarët, bizneset dhe institucionet publike.
Në reagimin e saj, komuna vlerëson se mungesa e vazhdueshme e energjisë elektrike po ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e jetës së banorëve dhe po pengon zhvillimin ekonomik lokal.
Veçanërisht shqetësuese, sipas komunës, është koha kur po ndodhin reduktimet, përkatësisht gjatë periudhës së festave dhe pushimeve, kur bashkatdhetarë të shumtë po qëndrojnë pranë familjeve të tyre në Junik.
“Në vend që të kalojnë kohë të qetë dhe të sigurt me të afërmit, bashkatdhetarët po përballen me mungesë të energjisë elektrike, gjë që ndikon negativisht në rehatinë dhe cilësinë e jetës”, thuhet në reagim.
Komuna e Junikut thekson gjithashtu se kjo komunë renditet ndër komunat me nivelin më të lartë të parapagimit të faturave të energjisë elektrike, duke dëshmuar përkushtimin e qytetarëve për përmbushjen e obligimeve ndaj furnizuesit. Sipas komunës, aplikimi i reduktimeve në një komunë me këtë nivel kontributi financiar konsiderohet i padrejtë dhe i papranueshëm.
Në këtë drejtim, Komuna e Junikut ka adresuar disa kërkesa ndaj KEDS-it, duke kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të reduktimeve të paarsyeshme, sigurimin e furnizimit të pandërprerë me energji elektrike, veçanërisht gjatë periudhave festive, si dhe rritjen e transparencës dhe respektimin e dinjitetit të qytetarëve në menaxhimin e energjisë elektrike. /Telegrafi/
Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka deklaruar se Qeveria e Kosovës nuk është palë në proceset e blerjes së energjisë elektrike, duke theksuar se këtë e bëjnë vetëm operatorët privatë të licencuar si KEDS dhe KESCO.
Sipas saj, përgjegjësitë për licencimin dhe mbikëqyrjen e tregut të energjisë i takojnë institucioneve të pavarura dhe jo ekzekutivit. Ajo ka theksuar se qeveria nuk posedon kontrata tregtimi të energjisë dhe se këto dokumente i kanë në posedim vetëm kompanitë private dhe Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), përcjell Telegrafi.
“Ne si qeveri nuk jemi përgjegjës për licensimin e kompanive as për mbikëqyrjen e tregut të energjisë elektrike. Dhe nuk posedojmë kontrata të tregtimit të energjisë të kompanive, mirëpo këto i kanë vetëm kompanitë dhe ZRRE”, ka deklaruar ministrja.
Rizvanolli ka bërë të ditur se, për hir të informimit publik, qeveria ka kontaktuar të gjitha palët relevante lidhur me pretendimet për import energjie nga kompania EFT.
Sipas saj, as ndërmarrjet publike, e as ato private, nuk kanë pasur kontrata me këtë kompani gjatë mandatit të qeverisë aktuale.
“KOSTT dhe KEK kanë konfirmuar që gjatë qeverisjes sonë nuk kanë pasur asnjë kontratë me EFT-në. Për më tepër edhe kompanitë private KESCO dhe KEDS kanë konfirmuar të njëjtën – që nuk kanë pasur kontratë me EFT gjatë këtyre viteve të qeverisjes sonë”, ka shtuar Rizvanolli.
Për më tepër Rizvanolli tha: “Përkundër kësaj, për të mbështetur gënjeshtrën se kinse po importohet energji nga EFT, në publik janë plasur disa rezultate të ankandeve. Këto janë paraqitur sikur të ishin dëshmi të blerjeve nga operatorët në Kosovë, e që në fakt nuk janë”. /Telegrafi/
Konsumatorët e disa fshatrave në Ferizaj dhe Kaçanik do të përballen përkohësisht me mungesë ose vështirësi në furnizimin me ujë të pijshëm.
Kjo situatë vjen si pasojë e reduktimeve të energjisë elektrike të ndërmarra nga KEDS.
Pa ujë do të mbesin vendbanimet që furnizohen përmes stacioneve të pompimit, përfshirë pjesë të Elezajt, Gërlicës, Qardakut – Kaçaniku i Vjetër, si dhe Rakajn, Varoshin, Bibajn, Fshatin e Vjetër dhe Komogllavën, si dhe disa segmente të magjistraleve Ferizaj–Kaçanik dhe Prishtinë–Ferizaj.
Nga KRU “Bifurkacioni” u bëjnë thirrje qytetarëve për mirëkuptim, duke sqaruar se ndërprerja është jashtë kontrollit të tyre. Furnizimi me ujë do të rifillojë menjëherë sapo të rikthehet energjia elektrike.
“Kërkojmë falje për shqetësimin dhe falënderojmë qytetarët për mirëkuptim”, thuhet në njoftim./Telegrafi/
Komuna e Vushtrrisë ka njoftuar qytetarët se ditëve të fundit disa zona të qytetit janë përballur me shkyçje të ndriçimit publik nga ana e KEDS-it, si pasojë e pamundësisë për të kryer pagesat e faturave të energjisë elektrike.
Sipas njoftimit, situata ka ardhur si rezultat i përmbarimit të mjeteve komunale në kuadër të zbatimit të Kontratës Kolektive, e cila ka rënduar ndjeshëm buxhetin e komunës.
Vetëm gjatë vitit 2025, Komunës së Vushtrrisë i janë përmbaruar mbi 3.5 milionë euro, që përfaqëson më shumë se 50 për qind të buxhetit vjetor të investimeve kapitale, përcjell Telegrafi.
Sipas kryetarit të komunës, Ferit Idrizi, kjo ka pamundësuar kryerjen e pagesave të rregullta ndaj KEDS-it për ndriçimin publik.
Ai ka bërë të ditur se komuna po ndërmerr të gjitha hapat e nevojshëm për normalizimin e situatës. Në këtë kuadër, është thirrur një seancë e jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal, me qëllim të miratimit të tejkalimit të të hyrave vetanake dhe destinimit të një pjese të tyre për pagesën e faturave të energjisë elektrike.
“Kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve dhe shpresojmë që shumë shpejt situata të kthehet në normalitet”, thuhet në njoftimin e kryetarit Idrizi.
Komuna ka siguruar qytetarët se po punon për zgjidhjen e menjëhershme të problemit dhe parandalimin e shkyçjeve të mëtejshme. /Telegrafi/