Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 22 December 2025Main stream

Rruga Unazore në Junik po finalizohet

22 December 2025 at 08:06


Kryetari i Komunës së Junikut, Ruzhdi Shehu, ka vizituar punimet që po zhvillohen në rrugët “Shyt Idrizi” dhe “Ali Salihu”, në lagjen Berishë, duke theksuar se këto segmente janë pjesë kyçe e projektit për ndërtimin e Rrugës Unazore.

“Nuk ka vikend kur bëhet fjalë për transformimin e Junikut tonë. Sot isha në terren për të parë nga afër ecurinë e punimeve në rrugët ‘Shyt Idrizi’ dhe ‘Ali Salihu’, të cilat janë hallka të rëndësishme që po na çojnë drejt finalizimit të projektit madhor – ndërtimit të Rrugës Unazore”, ka deklaruar Shehu.

Ai ka theksuar se institucionet komunale janë të vendosura që punimet të vazhdojnë pa ndërprerje deri në përfundimin e plotë të projektit.

“Jemi të vendosur që të mos ndalemi asnjë ditë derisa të përfundojmë çdo detaj. Unaza e qytetit po bëhet realitet”, ka shtuar kryetari i Junikut.

Sipas Komunës së Junikut, realizimi i Rrugës Unazore do të ndikojë në përmirësimin e qarkullimit rrugor, lehtësimin e trafikut dhe zhvillimin urban të qytetit, ndërsa punimet pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim. /Telegrafi/


Before yesterdayMain stream

Hetim i vdekjes në Junik, një e moshuar humb jetën - tjetra në gjendje të rëndë

18 December 2025 at 10:26


Një rast i rëndë është raportuar pasditen e së martës në Junik, ku dy femra të moshuara janë gjetur pa vetëdije në një shtëpi.

Sipas raportit nga Policia e Kosovës, rasti ka ndodhur më 17 dhjetor 2025 rreth orës 15:30.

Pas pranimit të njoftimit, në vendin e ngjarjes ka dalë ekipi mjekësor, i cili ka konstatuar se njëra nga viktimat ishte pa shenja jete, ndërsa e moshuara tjetër është dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), në gjendje të rëndë shëndetësore.

Në vendin e ngjarjes kanë intervenuar edhe njësitë përkatëse të Policisë së Kosovës, si dhe prokurori i shtetit. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion.

Rasti është iniciuar si “hetim i vdekjes” dhe po trajtohet nga organet kompetente për të sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes. /Telegrafi/

Komuna e Junikut u bën thirrje qytetarëve të shlyejnë obligimet për tatimin në pronë

18 December 2025 at 09:49


Komuna e Junikut u ka bërë thirrje të gjithë tatimpaguesve që kanë obligime të papaguara për Tatimin në Pronë të Paluajtshme, që të kryejnë pagesat sa më parë, me qëllim shmangien e ndëshkimeve financiare.

Sipas njoftimit të Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Zyra e Tatimit në Pronë, thirrja bazohet në Ligjin Nr. 06/L-005 për Tatimin në Pronën e Paluajtshme, konkretisht në nenin 26, që i jep komunës autoritetin dhe kompetencën për mbledhjen e detyrimeve tatimore të papaguara që tejkalojnë shumën prej 10 eurosh.

Nga komuna bëhet e ditur se tatimpaguesit që nuk i kryejnë obligimet në kohë do të përballen me interes ndëshkimor prej 0.65 për qind për çdo muaj vonesë.

Po ashtu, në rast të mospagesës, Komuna e Junikut paralajmëron se do të zbatojë Manualin për Zbatimin e Mbledhjes së Detyrimeve Tatimore të Papaguara për Tatimin në Pronë, të miratuar nga Ministria e Financave – Departamenti i Tatimit në Pronë.

Ky manual parasheh një sërë masash, përfshirë dërgimin e letërkujtesave, njoftimin përfundimtar, marrjen e vendimit për ekzekutimin e mbledhjes së detyrueshme, si dhe kontratat për pagesë me këste.

Në fund të njoftimit, Komuna e Junikut falënderon qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin, duke i inkurajuar ata që të respektojnë obligimet ligjore për tatimin në pronë.


Juniku miraton buxhetin komunal për vitin 2026

12 December 2025 at 08:34


Kuvendi Komunal i Junikut ka miratuar sot, në një mbledhje të jashtëzakonshme, buxhetin e komunës për vitin 2026, duke finalizuar kështu procesin shumëvjeçar të planifikimit financiar dhe zhvillimor të kësaj legjislature.

Kryesuesi i Kuvendit, Shpejtim Gacaferi, u shpreh mirënjohës ndaj të gjithë asamblistëve për bashkëpunimin dhe angazhimin e tyre gjatë viteve të fundit.

Ai theksoi se kontributi i secilit ka qenë i rëndësishëm për avancimin e proceseve komunale dhe për përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve.

Gacaferi gjithashtu u uroi suksese anëtarëve të Kuvendit në angazhimet e tyre të ardhshme, duke falënderuar për përkushtimin e vazhdueshëm në shërbim të komunës së Junikut. /Telegrafi/


Komuna e Junikut njofton për ndërprerje të përkohshme të qarkullimit në rrugën Junik–Moronicë për shkak të punimeve infrastrukturore

13 November 2025 at 08:53


Komuna e Junikut ka njoftuar se sot, më 13 nëntor 2025, nga ora 08:00 deri në ora 12:00, do të ketë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit në segmentin e rrugës Junik–Moronicë, për shkak të punimeve që po zhvillohen në kuadër të projektit “Përmirësimi i infrastrukturës lokale për rritjen e potencialit turistik në Komunën e Junikut”.

Sipas njoftimit, gjatë kësaj kohe do të realizohet procesi i betonimit të mureve mbajtëse përgjatë rrugës, i cili kërkon qasje të drejtpërdrejtë nga rruga kryesore.

Komuna ka kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve për kufizimin e përkohshëm të qarkullimit, duke theksuar se këto punime janë pjesë e përpjekjeve për përmirësimin e infrastrukturës lokale dhe zhvillimin e mëtejshëm të potencialit turistik të zonës. /Telegrafi/


Numërohen të gjitha votat, Ruzhdi Shehu i LDK-së fiton bindshëm në Junik

9 November 2025 at 20:31


Në komunën e Junikut, kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ruzhdi Shehu, ka siguruar fitore të qartë ndaj rivalit nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Agron Kuçi në ruandin e dytë të zgjedhjeve lokale.

Sipas rezultateve preliminare të publikuara nga KQZ pas numërimit të 100% të vendvotimeve , Shehu ka marrë 55.92% të votave, që përkthehet në 1,426 vota, ndërsa Kuçi ka fituar 44.08%, ose 1,124 vota.

Në këtë mënyrë, LDK ka arritur të ruajë epërsinë në Junik, duke siguruar një fitore të qetë dhe të pastër, me një pjesëmarrje prej 52.57% nga gjithsej 4,851 votues të regjistruar.

Rezultatet e publikuara përfshijnë vetëm votat e rregullta në vendvotime dhe nuk përfshijnë ende ato me kushte apo për personat me nevoja të veçanta. /Telegrafi/

telegrafi.com


Reduktime të përkohshme të furnizimit me ujë në Junik

3 November 2025 at 11:33


Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidrodrini” Sh.A., Njësia Operative në Junik, ka njoftuar se për shkak të rënies së nivelit të ujit në burime, nga sot do të fillojë zbatimi i reduktimeve të furnizimit me ujë të pijshëm.

Sipas njoftimit zyrtar, reduktimet do të aplikohen çdo ditë nga ora 13:00 deri në ora 17:00, deri në një njoftim të ri nga kompania, njofton Telegrafi.

KRU “Hidrodrini” kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për këtë masë të përkohshme, duke theksuar se masa është e domosdoshme për të siguruar menaxhim të qëndrueshëm të rezervave ujore.

“Orari mbetet në fuqi deri në njoftimin e radhës”, thuhet në komunikatën e Zyrës për Media të KRU “Hidrodrini”. /Telegrafi/

Asamblisti më i votuar i LVV-së në Junik kundërshton koalicionin me AAK-në

29 October 2025 at 21:21


Disa ditë para se ta nënshkruajë marrëveshjen për koalicion me AAK-në, pretendohet se kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Junikut, Jetmir Tofaj, në shtëpinë e tij e kishte bërë për hajër koalicionin me LDK-në.

Kjo thuhet, jo vetëm nga kandidati i LDK-së, dhe kryetari aktual, Ruzhdi Shehu, i cili ishte mysafiri kryesor, por edhe nga vetë asamblisti më i votuar i Lëvizjes Vetëvendosje në Junik, Lulzim Gacaferi.

Gacaferi që ishte i pranishëm në këtë takim madje kishte dakordim edhe për ndarjen e drejtorive, dhe më pas është çuditur me marrëveshjen qe erdhi me AAK-në, të cilën e kundërshton.

Sipas tij, pajtimi i kryesisë së Degës ne Junik marr me një bisedë të shpejtë online përmes Zoom-it nga Tefaj, dhe thotë se atë ditë janë gjendur para aktit të kryer në një takim me nivelin qendror të partisë, ku ishin të pranishme disa figura të rëndësishme.

“Ka qenë kryetari aktual i Junikut Shehu, dhe djali i tij Visari, në fakt aty është diskutu për shumë gjëra rreth komunës së Junikut dhe qeverisjes së përbashkët, në fakt ashtu siç e ka traditë Junikasi, aty është bërë koalicioni duke i përzgjedhur kryetari i nderuar edhe drejtoritë të cilat ai i ka paraparë që ne LVV t’i menaxhojmë në këtë rast duke e marr edhe kryesyesin, aty është bërë edhe për hajër po ua them edhe e ngriti dorën se kur të ja jepi dorën Agron Kuçit dhe Aleancës tha do ta këpusë këtë dorë tha nuk do t’i japë votë kurrë, kandidati i Vetëvendosjes, po kandidati i Vetëvendosjes”, ka deklaruar Gacaferi.

Në balotazh Gacaferi thotë se nuk do ta mbështesë marrëveshjen e partisë.

“Ne do të mbesim ata që thash, neutral, qytetarët e Junikut e dijnë se kë duhet me e votu, e dijnë se kë kanë me sjellë në komunën tonë kështu që ne po presim ta shikojmë se si rrjedhin gjërat, po”, ka deklaruar Lulzim Gacaferi – Asamblist i Vetëvendosjes.

Edhe Ruzhdi Shehu i LDK-së kishte menduar se marrëveshja me Vetëvendosjen ishte punë e kryer, pa e paramenduar se pak ditë më vonë do ta ketë kundërshtare bashkë me AAK-në.

“Megjithë ato kërkesat ne jemi ra në parim jemi patju pastaj pas qëndrimit tjetër ne kemi pritur vetëm me nënshkru zyrtarisht me bo nënshkrimin e marrëveshjes, ajo nuk ka ndodhur, sigurisht ato janë arsyet e tij nuk e di”, ka deklaruar Ruzhdi Shehu – Kandidat i LDK-së për kryetar të Junikut.

Që ka pasur takim me LDK-në e konfirmoi edhe vetë Jetmir Tofaj por e mohoi se ka pasur marrëveshje, duke thënë se ka pasur takime me të dyja palët, dhe se në pajtim me nivelin lokal dhe qendror të partisë, ka vendosur që ta nënshkruaj koalicionin me AAK-në.

“Po jam takuar me të dyja palët që i bie që jam taku me akterët e AAK-së dhe LDK-së, po nuk ka pasur asnjëherë një marrëveshje sepse kjo ka qenë fazë e negociatave dhe marrjes së ofertave gjë që është normale në sistemin tonë demokratik, por vendimi pastaj meret në nivelet e kryesisë së degës”, ka deklaruar Jetmir Tofaj – Kandidat i LVV-së për kryetar të Junikut.

Edhe AAK nuk është kursyer nga kritikat sepse kanë shprehur qëndrime e akuza shumë të ashpra e radikale ndaj Vetëvendosjes, dhe kryetarit Albin Kurti.

Bartësi i stafetës së koalicionit, Agron Kuçi, tha se marrëveshja është bërë me dijeninë e udhëheqësisë së nivelit të lartë, për interes të qytetarëve dhe në përputhje me statutin e partisë.

“Unë i kam njoftu, për objektivin tonë, për zhvillimet në komunë të Junikut për mundësinë e koalicionit qeverisës dhe jo vetëm kryetarin Haradinaj por edhe kryesinë, Këshillin Drejtues, i kam njoftu me këto zhvillime. A kishte kundërshtim? Jo, jo as nuk ka pasur kundërshtim as pro as kundër kështu që i kemi njoftu, nuk ka pasur dicka tjetër”, ka deklaruar Agron Kuçi – Kandidat pët kryetar të Junikut, koalicioni AAK-VV.

Në raundin e parë më 12 tetor, i pari në garë në Junik ka dal Ruzhdi Shehu i LDK-së./RTVDukagjini.

Refuzohet ankesa e AAK-së lidhur me procesin e votimit në Junik

29 October 2025 at 15:33


Kolegji i Gjykatës Supreme ka refuzuar si të pathemeltë ankesën e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), e cila ishte parashtruar kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) lidhur me zgjedhjet komunale të 12 tetorit 2025 në Komunën e Junikut.

AAK, e cila kishte paraqitur ankesë në Gjykatën Supreme, kërkonte anulimin e këtyre zgjedhjeve, si dhe pastrimin e listave të votuesve duke i larguar ata që ishin regjistruar si banorë të Junikut në tri muajt e fundit para zgjedhjeve.

Po ashtu, ata kërkonin që Komuna e Junikut të shkojë në rivotim.

PZAP kishte refuzuar më parë ankesën e AAK-së, duke e konsideruar si të pabazuar.

Pas kësaj, AAK kërkoi që Gjykata Supreme të ndërhynte, por kjo kërkesë u refuzua nga Kolegji i Gjykatës Supreme, i cili e konsideroi ankesën si të pabazuar dhe të paqartë.

Sipas aktvendimit të Gjykatës Supreme, pretendimet e AAK-së lidhur me ndryshimin e vendbanimeve dhe regjistrimin e votuesve të rinj mund të shqyrtohen nga Prokuroria për hetime të mundshme, por nuk janë konsideruar si parregullsi që lidhen me procesin e votimit.

Ky vendim përmbyll ankesat që janë ngritur pas zgjedhjeve të 12 tetorit, duke mbyllur çështjen e kontestuar për procesin e votimit në Junik.

Vendimin e plotë e gjeni KËTU. /Telegrafi/


AAK dhe LVV i bashkojnë forcat për balotazhin për kryetar të Junikut

28 October 2025 at 23:10


Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kanë arritur marrëveshje bashkëpunimi për Komunën e Junikut, me ç’rast LVV do ta mbështesë kandidatin e AAK-së, Agron Kuçi, në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale.

Në balotazhin e 9 nëntorit për të parin e Junikut do të përballen kandidati i AAK-së, Agron Kuçi, dhe ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ruzhdi Shehu.

Lajmin për marrëveshjen e konfirmoi Jetmir Tofaj, kandidati i LVV-së për kryetar të Junikut, i cili përmes një postimi në Facebook tha se vendimi është marrë pas një “vlerësimi të kujdesshëm politik dhe institucional”.

“Ky vendim është rezultat i një vlerësimi të kujdesshëm politik dhe institucional, me qëllim që të sigurojmë një qeverisje stabile, të përgjegjshme dhe në interes të qytetarëve të Junikut”, shkroi Tofaj.

Sipas tij, ky bashkëpunim siguron shumicën në Kuvendin Komunal të Junikut, duke mundësuar stabilitet politik dhe zbatim të projekteve zhvillimore në interes të qytetarëve.

“Ky koalicion bazohet në mirëkuptim të ndërsjellë dhe në vizionin e përbashkët për zhvillimin e Junikut. Bashkë do të vazhdojmë të punojmë për një Junik më të zhvilluar, më të drejtë dhe më të bashkuar”, theksoi Tofaj.

Pranohet ankesa e AAK-së lidhur me procesin e votimit në Junik, hedhet poshtë vendimi i PZAP-it

22 October 2025 at 13:39


Kolegji i Gjykatës Supreme e ka pranuar si të bazuar ankesën e subjektit politik Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), me seli në Junik, dhe ka prishur vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ZL.Anr.217/2025, të datës 15.10.2025. Çështja është kthyer në rivendosje, në PZAP.

Pasi Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa kishte hedhur si të palejuar ankesën e subjektit politik AAK, kjo e fundit ka paraqitur ankesë në Gjykatën Supreme, duke propozuar, mes tjerash që “të shpallen të paligjshme zgjedhjet komunale dhe Komuna e Junikut të shkojë në rivotim për shkak të shkeljeve të cekura në ankesë, të cilat kanë ndikuar në rezultatin zgjedhor”.

Gjykata Supreme e Kosovës, nuk e ka pranuar si të drejtë dhe të ligjshëm qëndrimin e PZAP, lidhur me hedhjen poshtë si të palejuar të ankesës të parashtruar nga subjekti politik Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), me seli në Junik, duke konsideruar se ankesa është dashtë të trajtohet në bazë të meritave dhe jo të hedhet poshtë si e palejuar.

Ndaj, Kolegji i Gjykatës Supreme, përmes aktgjykimit AA.nr.92/2025 ka kërkuar nga PZAP që në rivendosje, t’i evitojë shkeljet e evidentuara ligjore dhe të vendos në mënyrë meritore lidhur me ankesën e subjektit politik AAK. /Telegrafi/

Juniku drejt balotazhit pas numërimit të votave nga diaspora

18 October 2025 at 17:13


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke publikuar votat me postë.

Nga rezultatet e deri tanishme, edhe komuna e Junikut do të jetë në balotazh.

Për dallim nga votat nga vendvotimet dhe ato me post, votat me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta ende s’janë numëruar.

Rezultatet në Junik (votat në vendvotime në Kosovë + votat me post):

Ruzhdi Shehu (LDK) 1,770 vota apo 48.86 %

Agron Kuçi (AAK) 1,413 vota apo 38.99 %

Jetmir Tofaj (VV) 423 vota apo 11.68 %

Fatos Shala (PDK) 16 vota

LDK: Zgjedhjet në Junik ishin të rregullta, akuzat e AAK-së janë të pabazuara

16 October 2025 at 21:36


Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dega në Junik ka reaguar lidhur me deklaratat e përfaqësuesve të AAK-së pas zgjedhjeve lokale të 12 tetorit 2025.

Sipas LDK-së, zgjedhjet në Junik janë zhvilluar pa incidente dhe në mënyrë të rregullt, dhe rezultatet preliminare tregojnë se LDK është partia e parë, duke pritur numërimin e votave të diasporës, votave me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta.

Komunikata thekson se AAK po zhvillon një fushatë shpifëse për të justifikuar humbjen e tyre në Junik, duke akuzuar rritjen e numrit të votuesve dhe pjesëmarrjen e personave me mbiemra “të panjohur” në zgjedhje.

LDK sqaron se ndryshimi i numrit të votuesve është një proces normal, i mbështetur nga Agjencia e Regjistrimit Civil dhe KQZ, dhe se qytetarët kanë të drejtë të përditësojnë vendbanimet e tyre sipas ligjit.

Për më tepër, LDK thekson se akuzat për mbiemrat “të huaj” janë të pabazuara, duke përmendur se shumë prej tyre janë banorë të vendosur në Junik që nga paslufta dhe se edhe familjarët e kandidatëve të AAK-së kanë mbiemra atipik.

Po ashtu, PZAP ka refuzuar ankesën e AAK-së si të palejuar, duke konfirmuar ligjshmërinë e procesit zgjedhor.

LDK i bën thirrje qytetarëve të mos ndikohen nga provokimet dhe shpifjet e AAK-së dhe nënvizon se pas certifikimit të rezultateve nga KQZ, LDK do të shpallet fituese në Junik pa balotazh.


Votues nga komuna të tjera në Junik? Prokuroria autorizon nisjen e hetimeve pas pretendimeve nga AAK-ja

16 October 2025 at 10:12


Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka reaguar pas dyshimeve për manipulime në procesin zgjedhor në Junik.

Deputeti i kësaj partie Daut Haradinaj bëri të ditur se në këtë komunë kanë votuar edhe qytetarë të komunave tjera, duke kërkuar hetim nga Prokuroria.

Lidhur me këto pretendime, Telegrafi ka pyetur Prokurorinë Themelore në Pejë nëse ka ndërmarrë ndonjë veprim hetimor.

Zëdhënësi i kësaj prokurorie, Shkodran Nikçi ka bërë të ditur se kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore të Pejës ka ndërmarrë veprime zyrtare.

“Me të pranuar informatat lidhur me pretendimet se kanë votuar persona që nuk janë banorë të komunës se Junikut, Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore të Pejës, znj Lumturije Vuçetaj ka përpiluar shënim zyrtar dhe ka autorizuar prokurorin nga Departamenti i Krimeve të Rënda për ndërmarrjen e te gjitha veprimeve të nevojshme”, ka thënë Nikçi për Telegrafin.

Ndryshe edhe anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga radhët e AAK-së, Muharrem Nitaj, ka reaguar për këtë rast.

Sipas Nitajt, bëhet fjalë për qindra raste që “nuk mund të arsyetohen me asnjë kriter”, ndërsa disa komuna tashmë e kanë ngritur alarmin për këtë dukuri.

“Rasti më eklatant duket të jetë komuna e vogël e Junikut. Kandidati për kryetar i kësaj komune, Agron Kuqi, në një ankesë drejtuar KQZ-së, flet për rritje të pazakontë të numrit të votuesve nga persona që nuk kanë as adresë, as mbiemër, as vende pune e as ndonjë lidhje tjetër me këtë komunë”, ka shkruar Nitaj. /Telegrafi/

Daut Haradinaj: Prokuroria të hetojë procesin zgjedhor në Junik, aty votuan edhe qytetarë të komunave tjera

15 October 2025 at 14:23


Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, ka reaguar pas dyshimeve për manipulime në procesin zgjedhor në Junik, duke kërkuar hetim urgjent nga organet e drejtësisë.

“Prokuroria ta hetojë procesin zgjedhor në Junik, në këtë komunë votuan edhe qytetarë të komunave tjera!, ka deklaruar Haradinaj.

Ai ka shtuar se Juniku, si një zonë zgjedhore ka shumë qytetarë nga qytetet tjera të cilët në mënyrë shumë të organizuar janë regjistruar si votues të Junikut.

“Kjo përbën vepër penale dhe si e tillë duhet urgjentisht të hetohet”, ka shkruar Haradinaj.

Deputeti i AAK-së ka kërkuar gjithashtu që “KQZ ta publikojë listën zgjedhore të kësaj komune, pasi kjo është shumë e qartë si skemë e dominimit numerik kriminal”. /Telegrafi/

AAK akuzon për parregullsi zgjedhore në Junik, paralajmëron ankesa në PZAP

12 October 2025 at 21:52


Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), dega në Junik, ka reaguar pas përfundimit të procesit të votimit, duke shprehur shqetësimin për siç i quan “parregullsi të shumta” të evidentuara gjatë ditës së zgjedhjeve në këtë komunë.

Në një komunikatë për media, AAK pretendon se që nga hapja e qendrave të votimit janë vërejtur shkelje të rënda brenda dhe jashtë perimetrit të tyre, për të cilat, sipas partisë, janë njoftuar menjëherë Policia e Kosovës dhe institucionet përkatëse.

Sipas AAK-së, një nga shqetësimet më serioze është keqpërdorimi i pozitës zyrtare nga disa zyrtarë komunalë dhe zyrtarë të qendrës për pajisje me dokumente personale në Junik.

Sipas deklaratës, këta zyrtarë kanë realizuar “bartje të organizuar të vendbanimit për qindra persona që nuk kanë qenë kurrë banorë të Junikut”.

“Ky veprim është manipulim politik dhe shkelje e qartë ligjore, me qëllim për të përmbysur vullnetin e qytetarëve të Junikut”, thuhet në deklaratë.

AAK e quan këtë veprim një tentativë për të grabitur fitoren përmes mashtrimit dhe presionit institucional, duke shtuar se një gjë e tillë rrezikon të komprometojë jo vetëm rezultatin zgjedhor, por edhe besimin e qytetarëve në procesin demokratik.

Partia ka paralajmëruar se do të paraqesë ankesa zyrtare me prova pranë Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) dhe ka kërkuar veprim të menjëhershëm nga institucionet përgjegjëse për të ndaluar, siç thuhet, “keqpërdorimin e pushtetit lokal”.

“Juniku meriton drejtësi zgjedhore, jo shantazh dhe abuzim me dokumente,” përfundon komunikata. /Telegrafi/


Numërohen 100% e votave në Junik, LDK në epërsi - pritet balotazh me AAK-në

12 October 2025 at 21:45


Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Ruzhdi Shehu, ka dalë i pari në zgjedhjet për kryetar të Komunës së Junikut, me 47.91% të votave të fituara, sipas rezultateve të publikuara nga KQZ pas numërimit të plotë të votave në të gjitha vendvotimet, 7 prej tyre.

Shehu ka siguruar 1,193 vota, duke lënë pas kandidatin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Agron Kuçi, i cili ka marrë 40.68% ose 1,013 vota.

Në vendin e tretë renditet kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Jetmir Tofaj, me 11.29% të votave (281 vota), ndërsa kandidati i PDK-së, Fatos Shala, ka marrë vetëm 0.12% (3 vota).

Me asnjë kandidat që nuk arrin 50%+1 të votave, Junikuin e pret një raund i dytë zgjedhor (balotazh) ndërmjet dy kandidatëve kryesorë: Ruzhdi Shehu (LDK) dhe Agron Kuçi (AAK), në rast se votat me postë nuk e përmbysin rezultatin.

Pjesëmarrja në votime ka qenë 51.38%, me 2,490 votues nga 4,846 të regjistruar që kanë hedhur votën e tyre në këtë komunë perëndimore të Kosovës. /Telegrafi/

Agron Kuçi falënderon qytetarët e Junikut: Fitorja do të jetë e juaja​

11 October 2025 at 18:25


Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) për kryetar të Junikut, Agron Kuçi, ka falënderuar qytetarët për përkrahjen e dhënë gjatë fushatës zgjedhore, duke theksuar se besimi i tyre ka qenë forca kryesore e këtij rrugëtimi.

“Faleminderit Junik, fitorja është e juaja!”, ka shkruar Kuçi në një mesazh drejtuar bashkëqytetarëve të tij, duke vlerësuar mbështetjen, përkushtimin dhe vendosmërinë e tyre për ndryshim.

Ai ka përgëzuar diasporën junikase për rolin e saj të rëndësishëm gjatë fushatës, duke e quajtur “zërin e Junikut në botë dhe krenarinë e përbashkët të qytetit”.

Në mesazhin e tij, Kuçi ka theksuar se fushata e tij është zhvilluar me dinjitet e pa presione ekonomike, duke vënë në pah se “AAK-ja nuk ka pasuri për të blerë njerëz, por ka zemër për t’i fituar”.

Ai ka përmendur gjithashtu përpjekjet për ta frikësuar gjatë fushatës, por ka theksuar se këto nuk e kanë ndalur në rrugën drejt “të vërtetës dhe dashurisë për Junikun”.

Në fund, Kuçi u ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin masivisht në votime më 12 tetor dhe të ruajnë qetësinë gjatë procesit.
“Mos bini në grackën e provokimeve. Juniku meriton proces të ndershëm, të qetë e demokratik. Fitorja është e jona, por përgjegjësia është e secilit prej nesh”, ka përfunduar ai.


AAK mban tubim të madh në Junik

10 October 2025 at 21:08


Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka organizuar një tubim të madh në Junik, ku kandidati për kryetar të komunës, Agron Kuçi, prezantoi programin e tij zgjedhor dhe takoi qytetarët.

Tubimi u shënua nga një pjesëmarrje e konsiderueshme e qytetarëve, ndërsa lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, përgëzoi organizimin dhe shprehjen e interesit qytetar, duke u shprehur i bindur në fitore pa balotazh me 12 tetor.

Në ngjarje mori pjesë edhe kampioni botëror i boksit, Haxhi Krasniqi, i cili shprehu mbështetje për kandidatin e AAK-së.

"Me entuziazëm dhe besim te madh për fitore, përmes këtij tubimi masovik Juniku i dha mbështetje të madhe Agron Kuçit, duke rikonfirmuar edhe këtë herë se fitorja e Aleancës është e pakontestueshme që në raundin e parë", ka njoftuar dega e AAK-së në Junik.


LDK dhe PDK nënshkruajnë marrëveshje për bashkëqeverisje në Junik – kandidati i PDK-së tërhiqet nga gara dhe mbështet Ruzhdi Shehun

10 October 2025 at 19:55


Kryetari i Komunës së Junikut, Ruzhdi Shehu, ka njoftuar se dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe ajo e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Junik kanë nënshkruar një marrëveshje për bashkëpunim politik dhe bashkëqeverisje për mandatin 2025–2029.

Përmes një postimi në “Facebook”, Shehu ka bërë të ditur se kandidati i PDK-së për kryetar të Junikut është tërhequr nga gara dhe ka vendosur ta mbështesë zyrtarisht atë si kandidat të LDK-së për kryetar komune.

Sipas marrëveshjes, strukturat e PDK-së dhe elektorati i saj do të mobilizohen për të mbështetur kandidatin e LDK-së në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

“Shehu e ka cilësuar këtë marrëveshje si një hap të guximshëm dhe në dobi të qytetarëve të Junikut. ‘Ky bashkim është shembulli më i mirë se si politika mund të shërbejë si urë bashkimi, jo ndarjeje’, ka shkruar ai, duke shtuar se kjo është politikë e së ardhmes – bashkë për qytetarët e Junikut.”

Në postimin e tij, Shehu ka falënderuar strukturat e PDK-së për “aktin e përgjegjshëm dhe të guximshëm” dhe ka theksuar se ky bashkim e bën të pashmangshme fitoren e LDK-së pa balotazh.

Në fund, ai ka ftuar edhe kundëkandidatët tjerë që të tërhiqen nga gara dhe të bashkohen me vizionin e përbashkët për zhvillimin, mirëqenien dhe dinjitetin e Junikut.

“Të dielën, le ta vulosim këtë bashkim historik me votën tonë. Juniku do të ecë përpara më fuqishëm se kurrë”, ka përfunduar Shehu.


❌
❌