Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Supremja shfuqizon dispozita të Statutit dhe të Rregullores së UP-së

22 December 2025 at 21:50


Gjykata Supreme, ka shfuqizuar dispozita të Statutit dhe të Rregullores së UP-së për shkak të shkeljes së parimit të barazisë dhe meritokracisë.

"Kolegji i Gjykatës Supreme e ka aprovuar si të bazuar padinë e B.P., nga P., e paraqitur kundër të paditurit: Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”. Është shpallur i paligjshëm dhe është shfuqizuar neni 153 paragraf 3 dhe 4 i Statutit të Universitetit të Prishtinës (UP). Është shpallur i paligjshëm dhe është shfuqizuar neni 7 paragraf 6 i Rregullores nr.2/254, për Procedurat Vlerësuese për Angazhimin e Bashkëpunëtorëve të Jashtëm në Universitetin Prishtinë", njofton Supremja.

Gjykata Supreme pas shqyrtimit të nenit 153 paragraf 3 dhe 4 të Statutit të Universitetit të Prishtinës dhe nenit 7 paragraf 6 të Rregullores nr. 2/254, për Procedurat Vlerësuese për Angazhimin e Bashkëpunëtorëve të Jashtëm në Universitetin e Prishtinës, ka konstatuar se dispozitat e sipërcituara janë të paligjshme.

Gjykata vlerëson se këto dispozita vendosin ndalesa absolute dhe automatike për angazhimin e kandidatëve që kanë familjarë të punësuar ose të angazhuar në njësinë akademike përkatëse, pa një vlerësim dhe identifikim konkret të konfliktit të interesit. Kjo qasje shkel parimet e barazisë, meritokracisë, dhe ndalimin e diskriminimit të garantuara me Kushtetutë.

Duke pasur parasysh se Ligji Nr. 04/L-037 për Arsimin e Lartë dhe Ligji Nr. 06/L -011 për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, parashikojnë mekanizma proporcionale dhe të rastit për shmangien e konfliktit të interesit, masat e parashikuara me Statut dhe Rregullore janë jo proporcionale, jo të nevojshme dhe cenojnë të drejtat e individëve për të konkurruar dhe për të ushtruar funksione akademike. Në këtë mënyrë, Gjykata arrin në përfundimin se neni 153 paragraf 3 dhe 4 i Statutit të UP-së dhe neni 7 paragraf 6 i Rregullores nr. 2/254 duhet të shfuqizohen.

Gjykata vlerëson se dispozitat e kontestuara tejkalojnë qëllimin legjitim të parandalimit të konfliktit të interesit dhe nepotizmit, duke vendosur ndalesa të përgjithshme dhe absolute, pa marrë parasysh rrethanat konkrete të rastit.

Gjithashtu, Gjykata vlerëson se këto dispozita bien ndesh me parimin mundësive të barabarta për të gjithë individët për të konkurruar për pozita akademike, si dhe me parimet e meritokracisë dhe transparencës në procesin e angazhimit, të garantuara me nenin 7 të Ligjit Nr. 08/L-197 për Zyrtarët Publik dhe me nenin 2 të Ligjit Nr. 04/L-037 për Arsimin e Lartë. Përjashtimi i automatizuar i kandidatëve për shkak të lidhjeve familjare krijon një diskriminim të drejtpërdrejtë, duke cenuar të drejtën e individit për të ushtruar funksione akademike në mënyrë të barabartë dhe sipas meritës.

"Gjykata thekson se nepotizmi dhe konflikti i interesit nuk janë nocione identike, dhe se ekzistenca e një lidhjeje familjare, në vetvete, nuk përbën automatikisht nepotizëm. Nepotizmi presupozon favorizim të padrejtë në procesin vendimmarrës, ndërsa në rastin konkret, dispozitat e kontestuara parandalojnë në mënyrë paraprake dhe absolute edhe situata në të cilat nuk ekziston asnjë ndikim real apo i mundshëm në procesin e vlerësimit", thuhet në komunikatëne Supremes.

Refuzohet ankesa e Koalicionit Vakat, lidhur me certifikimin e kandidates për deputete Ena Krasniqi

19 December 2025 at 15:27


Kolegji i Gjykatës Supreme e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e subjektit politik, Koalicija Vakat, ndërsa e ka vërtetuar vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), lidhur me certifikimin e kandidates Ena Krasniqi.

Koalicioni Vakat, ka paraqitur ankesë në Gjykatën Supreme të Kosovës, me të cilën e konteston ligjshmërinë e vendimit të PZAP-së, dhe kërkon që të detyrohet KQZ-ja të certifikojë kandidaten Ena Krasniqi, në listën garuese për Zgjedhjet Nacionale, të këtij subjekti politik.

Sipas vlerësimit të Gjykatës Supreme, pretendimi se një kandidat për deputet mund të kandidojë për përfaqësim të një komuniteti për të cilin Kushtetuta dhe Ligji parashohin vende të garantuara, vetëm mbi bazën e origjinës etnike nga ana e nënës, nuk është në përputhje me rendin kushtetues të Republikës së Kosovës dhe me standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e pakicave.

Lejimi i kandidimit për vende të garantuara vetëm mbi bazën e prejardhjes familjare do të binte ndesh si me frymën e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ashtu edhe me standardet e Konventës Kornizë për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare e Këshillit të Evropës, pasi do të rrezikonte keqpërdorimin e masave afirmative dhe do të cenonte përfaqësimin autentik të komuniteteve jo-shumicë.

Një praktikë e tillë do të krijonte precedent të rrezikshëm, duke e shndërruar përkatësinë etnike në mjet të përkohshëm politik, në vend që ta trajtonte si kategori kushtetuese të mbrojtur dhe të lidhur me identitetin real të komuniteteve. Në rastin konkret kandidatja Ena Krasniqi në listën e subjektit politik Koalicija Vakat, nuk ka paraqitur asnjë provë konkrete që do të dëshmonte lidhjen e saj reale me atë komunitet apo kontributin për të mirën e tij. Në mungesë të çdo dëshmie për angazhim të vazhdueshëm shoqëror, kulturor, politik apo institucional në mbrojtje dhe avancim të interesave të atij komuniteti, pretendimi për përfaqësim mbetet thjesht deklarativ dhe pa bazë faktike.

Moslejimi i certifikimit në rastin konkret nuk e privon kandidatin nga e drejta për t’u zgjedhur në kuptimin e përgjithshëm të nenit 45, pasi atij nuk i ndalohet pjesëmarrja në zgjedhje si e tillë, por vetëm i pamundësohet kandidimi në kuadër të një mekanizmi të veçantë kushtetues që është i rezervuar për një kategori të caktuar subjektesh, përkatësisht për anëtarët e komunitetit përkatës. Një dallim i tillë nuk përbën diskriminim dhe as kufizim të pajustifikuar të së drejtës zgjedhore, por është pasojë e drejtpërdrejtë e zbatimit të dispozitave kushtetuese që parashohin masa afirmative për komunitetet jo-shumicë. /Telegrafi/

​KPK mban takim pas vendimit të Supremes mbi shkarkimin e Besim Kelmendit

18 December 2025 at 15:55


Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka mbajtur sot një takim të jashtëzakonshëm, i cili është zhvilluar me dyer të mbyllura.

Me këtë rast, kryesuesi Ardian Hajdaraj njoftoi anëtarët e KPK-së për pranimin e Aktgjykimit të Gjykatës Supreme, e cila e ka shpallur të kundërligjshëm e arbitrar vendimin e KPK-së për shkarkimin e ushtruesit të detyrës së kryeprokurorit Besim Kelmendi, raporton KosovaPress.

Në njoftimin e KPK-së për media thuhet se çështjet të cilat ndërlidhen me zbatimin e këtij aktgjykimi do të trajtohen në takimin e radhës.

Gjykata Supreme të mërkurën e ka shpallur të kundërligjshëm vendimin e KPK-së për shkarkimin e Besim Kelmendit pasi ka konstatuar se nuk kishte kuorum prej gjashtë anëtarësh kur u nxor vendimi.

Shkarkimi i Kelmendit ndodhi një ditë pasi intervistimit të tij në cilësinë e dëshmitarit në Prokurorinë Speciale për hetimin e masakrës në Reçak. Kelmendi ka mohuar raportimet e mediave se ka qenë bashkëpunëtor profesional i gjyqtares serbe Danica Marinkoviq që kishte rastin e masakrës në Reçak. /Telegrafi/


Raporti i IKD-së: Deklarimi i pasurisë – gabimi gjyqësor që hoqi gjithë përgjegjësinë e shkelësve të ligjit

11 December 2025 at 15:01


Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka publikuar sot raportin “Deklarimi i pasurisë – Gabimi gjyqësor që hoqi gjithë përgjegjësinë e shkelësve të ligjit”, ku u paraqiten gjetjet mbi ndikimin e një aktgjykimi të Gjykatës Supreme që, sipas IKD-së, ka krijuar standard të ri dhe ka dekriminalizuar në praktikë veprën penale të mosraportimit apo raportimit të rremë të pasurisë nga zyrtarët publikë.

Gjatë prezantimit të raportit, hulumtuesi i lartë i IKD-së, Gzim Shala, tha se ndonëse mosdeklarimi i pasurisë ishte kriminalizuar që nga viti 2013 dhe ishte ruajtur në Kodin e ri Penal, një aktgjykim i Gjykatës Supreme “faktikisht e ka ndryshuar ligjin”.

Sipas tij, ky vendim ka krijuar “qasje të pabarabartë dhe kundërligjshme”, duke bërë që qindra zyrtarë të dënuar më herët për këtë vepër të gjenden në trajtim të pabarabartë krahasuar me rastet e reja.

Shala theksoi se vendimi i Supremes i është referuar një norme të shfuqizuar, konkretisht nenit 17 të Ligjit të vitit 2011, duke e trajtuar mosdeklarimin e pasurisë si kundërvajtje dhe jo si vepër penale. Ai kujtoi se edhe në kohën kur ligji ishte zbatuar drejt, gjykatat në praktikë e kishin trajtuar këtë vepër me dënime të buta.

Sipas hulumtuesit të lartë të IKD-së, në gjithë këtë situatë, është e qartë se Gjykata Supreme ka nxjerrë një aktgjykim të bazuar në një gabim të rëndë që ka pasur efekt të gjerë negativ në trajtimin e këtyre rasteve. Për këtë arsye, në kuptim të nenit 102.3 të Kushtetutës, Gjykatat duhet të vazhdojnë zbatimin e ligjit dhe jo standardit të Gjykatës Supreme, deri në nxjerrjen e një vendimi të ri nga Gjykata Supreme. Derisa, kjo e fundit duhet të nxjerrë një qëndrim juridik për të qartësuar këtë situatë.

Në tryezën e organizuar nga IKD, pjesëmarrës nga gjyqësori, prokuroria, avokatia dhe agjencitë shtetërore dhanë komente mbi gjetjet e raportit dhe aktgjykimin kontestues të Gjykatës Supreme.

Burim Ademi, gjyqtar në Gjykatën Supreme, deklaroi se një rast i vetëm nuk mund të shërbejë si bazë për ndërtimin e praktikës gjyqësore.

“Praktika gjyqësore nuk mund të ndërtohet mbi një vendim të vetëm. Duhet ta shohim në kontekst të ndryshimeve ligjore. Nuk mund të flasim për një qëndrueshmëri të praktikës vetëm nga një rast”, tha Ademi.

Gjyqtari Ademi tha se është e qartë se dispozitat ligjore që janë shfuqizuar nuk mund të gjejnë zbatim në gjykimin e çështjeve penale nëse ato nuk kanë qenë në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale apo që nuk janë të favorshme në kontekst të veprës penale.

Poashtu ai shtoi se ka raste kur Supremja nga një vendim i caktuar ka pasur një qasje ose e ka ndërruar praktikën gjyqësor kur ka ardhur rasti tjetër për trajtim. Tha se nuk duhet të referohet i gjithë sistemi prokurorial dhe gjyqësor mbi bazën e një rasti konkret të caktuar.
Megjithatë, ai shtoi se rekomandimet e raportit janë të drejta.

Nga ana tjetër, Arianit Salihu, prokuror në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, tha se aktgjykimi i Supremes “ka krijuar standard të ri” dhe se ka efekt domino: “Tani kemi një standard të ri se çfarë konsiderohet pasuri në kuptimin penal dhe si trajtohet ky element. Vendimi i prillit të vitit të kaluar ka ndryshuar krejt qasjen”.

Ai shtoi se pajtohet me raportin e IKD-së.

Gent Beka, gjyqtar në Gjykatën Themelore të Prishtinës, theksoi kompleksitetin e rasteve të deklarimit të pasurisë.

“Është vështirë të ndahet vija administrative nga përgjegjësia penale. Shumë prej rasteve janë të ndërlidhura me raportet e Agjencisë Kundër Korrupsionit, që përfshihen edhe si dëshmitarë”, tha Beka.

Afrim Atashi, drejtor në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit (APK), shprehu shqetësim të madh për kufizimin e kompetencave të institucionit të tij.
“Aktgjykimi i Supremes na ka kufizuar shumë. Edhe pse kallëzimet tona penale hidhen, ne jemi të obliguar nga ligji të vazhdojmë t’i bëjmë ato”, deklaroi Atashi.

Ndërsa Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i IKD-së, kritikoi ndikimin e vendimit në integritetin institucional.

“Kemi kërkuar gjithmonë që gjyqtarët të kenë më shumë vëmendje në rastet e korrupsionit. Por një vendim i vetëm e shkatërron gjithë sistemin e mbikëqyrjes. Një shembull është rasti i ministres Donika Gërvalla. Ministrja iu bërtet gjyqtarëve. Iu kërkon llogari gjyqtarëve dhe në fund del se ministrja është amnistu prej Gjykatës e prej këtij vendimi”, tha Miftaraj

Në tryezë foli edhe avokati Alban Krasniqi, i cili e quajti vendimin e Supremes “të çuditshëm dhe kontrovers dhe se i njëjti nuk mund të jetë i ligjshëm i cili thotë se vepra është e kundërligjshme vetëm kur ka pasuri të paligjshme. Askush nuk deklaron pasuri të paligjshme, prandaj kjo logjikë sipas Krasniqit nuk qëndron.

Raporti i IKD-së flet për pasojat serioze në luftën kundër korrupsionit dhe integritetin publik, për shkak të një standardi të ri gjyqësor që ka ndikuar në tërë sistemin e drejtësisë.

Tryeza shënoi debat të rëndësishëm për sfidat ligjore, standardet gjyqësore dhe nevojën për korrigjimin e gabimeve sistemike në trajtimin e rasteve të deklarimit të pasurisë.

Raportin e publikuar e gjeni në këtë link.

VV ankohet në Supreme rreth vendimit të PZAP-it për qendrat alternative të votimit në diasporë

3 December 2025 at 15:47


Lëvizja Vetëvendosje i është drejtuar Gjykatës Supreme të Republikës me një ankesë kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), i cili ditë më parë kishte miratuar ankesën e Lidhjes Demokratike të Kosovës e cila ishte kundër hapjes së qendrave alternative të votimit për diasporën.

Sipas ankesës, të cilën e ka siguruar Telegrafi, VV kërkon që Gjykata Supreme të anulojë vendimin e PZAP-it Nr. ZP.Anr.3/2025 të datës 1 dhjetor 2025 dhe të rikthejë në fuqi vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të miratuar më 26 nëntor 2025.

Në dokument thuhet se me 26 nëntor, KQZ-ja kishte miratuar vendimin që përcaktonte qendrat e votimit jashtë Kosovës, numrin e vendvotimeve dhe listën e hapësirave ku do të votohej në diasporë.

VV argumenton se Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme parashikon qartë mundësinë e votimit të shtetasve të Kosovës jashtë vendit në disa forma, duke përfshirë votimin fizik në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës ose në hapësirat e tyre, të cilat shndërrohen në qendra votimi sipas kritereve të caktuara nga KQZ.

Tutje, në ankesë theksohet se ligji e definon përfaqësinë diplomatike si ambasadë, konsullatë, mision diplomatik apo mision konsullor të Republikës së Kosovës, ndërsa specifikat e qendrave të votimit jashtë vendit janë përgjegjësi e KQZ-së dhe duhet të caktohen duke u bazuar në mundësimin e pjesëmarrjes së votuesve.

VV thekson se ligji jo vetëm që nuk e ndalon, por përkundrazi krijon bazë të mjaftueshme për KQZ-në që të sigurojë hapësira të përshtatshme për votim jashtë Kosovës. Në ankesë përmenden edhe standardet ndërkombëtare dhe praktikat e vendeve të tjera që, sipas VV-së, mbështesin hapjen e vendvotimeve fizike për diasporën.

Sipas VV-së, KQZ ka vepruar në mënyrë të rregullt duke miratuar listën e propozuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës për vendvotimet në përfaqësitë diplomatike, ndërsa vendimi i PZAP-it vlerësohet si i paligjshëm dhe i bazuar në një keqinterpretim që cenon të drejtën e votës së qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit.

VV kërkon nga Gjykata Supreme që të mbrojë ligjshmërinë dhe të mundësojë ushtrimin e papenguar të së drejtës së votës për diasporën. /Telegrafi/

Supremja hedh poshtë katër ankesa kundër vendimeve të PZAP-së

11 November 2025 at 15:39


Gjykata Supreme e Kosovës ka refuzuar si të pabazuara katër ankesa të paraqitura kundër vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), që lidhen me procesin e shpërndarjes së mandateve në disa komuna të vendit.

Në rastin e parë, me numër lënde AA.nr.108/2025, Gjykata ka refuzuar ankesën e kandidatit për asamblist në Komunën e Prishtinës nga subjekti politik “Lidhja për Prishtinën”, Kreshnik Sopi, e paraqitur kundër vendimit të PZAP-së ZL.Anr.374/2025 të datës 5 nëntor 2025.

Sopi kishte kontestuar mënyrën e aplikimit të kuotës gjinore, duke pretenduar se ajo ishte zbatuar “në mënyrë mekanike” dhe kishte çuar në përjashtimin e një kandidati me më shumë vota.

Megjithatë, Gjykata Supreme vlerësoi se përllogaritja e mandateve nga KQZ dhe PZAP është bërë në përputhje me ligjin dhe me standardet demokratike. “Përfaqësimi gjinor nuk është vetëm kërkesë formale, por detyrim që zbatohet edhe gjatë shpërndarjes së mandateve, për të siguruar përfaqësim efektiv të të dy gjinive”, thuhet në arsyetimin e Gjykatës.

Në rastin e dytë, me numër lënde AA.nr.109/2025, Gjykata Supreme refuzoi ankesën e kandidatit të PDK-së për Asamblenë Komunale të Podujevës, Isuf Osmani, kundër vendimit të PZAP-së ZL.Anr.377/2025. Edhe në këtë rast, kontestohej aplikimi i kuotës gjinore. Gjykata theksoi se ndarja e mandateve është bërë në përputhje me dispozitat ligjore që garantojnë përfaqësimin minimal prej 30% të gjinisë më pak të përfaqësuar.

Në rastin e tretë, me numër lënde AA.nr.110/2025, janë refuzuar si të pathemelta ankesat e kryetarit të Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës (PSHDK), Tush Berisha, dhe kandidates Anduena Culaj, kundër vendimit të PZAP-së ZL.Anr.391/2025 lidhur me shpërndarjen e mandateve në Komunën e Klinës. Gjykata sqaroi se Ligji për Zgjedhjet Lokale nuk përcakton kuotë për përbërjen e kuvendit komunal si tërësi, por vetëm për listat e subjekteve, dhe se shpërndarja e ulëseve varet nga rezultati i votave brenda çdo komune, duke respektuar kuotën minimale gjinore prej 30%.

Ndërsa në rastin e katërt, me numër lënde AA.nr.112/2025, Gjykata Supreme refuzoi ankesën e kandidatit të subjektit “Iniciativa për Mitrovicën e Veriut”, Nedzad Uglanin, kundër vendimit të PZAP-së ZL.Anr.390/2025. Ankuesi kishte kërkuar rivlerësim të vendimit në bazë të numrit të banorëve rezident, por Gjykata konstatoi se PZAP kishte vepruar drejt dhe në përputhje me ligjin, pa bërë diskriminim apo shkelje të së drejtës zgjedhore.

Gjykata Supreme theksoi se në të gjitha rastet janë respektuar parimet themelore të procesit zgjedhor, të përcaktuara me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës, si dhe me dispozitat e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. /Telegrafi/

Refuzohet e pabazuar ankesa e kandidatit për asamblist Blerim Krasniqi

5 November 2025 at 13:59


Kolegji i Gjykatës Supreme e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e parashtruar nga Blerim Krasniqi, kandidat për Asamble Komunale në Komunën e Drenasit nga Nisma Socialdemokrate, paraqitur kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, të datës 29.10.2025.

Pasi PZAP kishte refuzuar si të pabazuar ankesën e Blerim Krasniqit, ky i fundit ka paraqitur ankesë në Gjykatë Supreme, me pretendimin për parregullsi gjatë numërimit në Qendrën Komunale të Numërimit (QKN), për Zgjedhjet Lokale të datës 12 tetor 2025.

"Gjykata Supreme e Kosovës, pas vlerësimit të vendimit të atakuar pretendimeve ankimore dhe atyre në përgjigje në ankesë, si dhe shqyrtimit shkresave tjera të lëndës, gjeti se ankesa është e pabazuar", thuhet në njoftim. /Telegrafi/

Pranohen ankesat e kandidatëve për asamblistë Gentiana Bajrami- Atashi dhe Blerim Krasniqi, prishen vendimet e PZAP-së

27 October 2025 at 15:50


Kolegji i Gjykatës Supreme i ka pranuar ankesat kandidatëve për Asamble Komunale, Gentiana Bajrami Atashi, nga subjekti politik: Lidhja Demokratike e Kosovës, dhe Blerim Krasniqi, nga subjekti politik: Nisma Socialdemokrate, dhe ka prishur vendimet e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa duke kthyer çështjet në PZAP, në rivendosje.

Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se pasi PZAP kishte refuzuar ankesën e parashtruar nga Gentiana Bajrami Atashi, për shkak të mungesës së votave, për Zgjedhjet Lokale në Republikën e Kosovës të mbajtura me datën 12 Tetor 2025, kjo e fundit ka paraqitur ankesë në Gjykatën Supreme, duke kërkuar verifikimin dhe hapjen e kutive të votimit në qendrat ku janë evidentuar mospërputhje.

"Gjykata Supreme e Kosovës, duke u nisur nga gjendja e çështjes nuk e pranoi si të drejtë dhe të ligjshëm qëndrimin e PZAP, lidhur me refuzimin e ankesës së parashtruar nga kandidatja", thuhet në njoftim.

Tutje thuhet se kolegji i Gjykatës Supreme vlerëson se PZAP, me rastin e shqyrtimit të ankesës nuk ka vepruar në pajtim me nenin 117 [Procedurat e PZAP-së] par.4 të Ligjit nr. 08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, ku përcaktohet se: “PZAP-ja mund të urdhëroj rinumërimin e fletëvotimeve në një vendvotim apo qendër votimi si dhe shqyrtimin e materialit votues si pjesë të hetimeve për ankesën e parashtruar”, si dhe nenin 15 [Zhvillimi i Hetimeve të Materialit Zgjedhor] par.3, pika 3.1 të Rregullores 01/2025 për Procedurat e Parashtrimit dhe Vendosjes së Ankesave, ku përcaktohet se: “3. Duke u bazuar në ankesat e paraqitura për shkeljet e supozuara në QNR, QKN, PZAP-i, mund t’i kryej këto hetime: 3.1 hetimi i kutisë së votimit”.

Ngjashëm PZAP kishte refuzuar ankesën e parashtruar nga Blerim Krasniqi, lidhur me parregullsitë gjatë numërimit në Qendrën Komunale të Numërimit për Zgjedhjet Lokale, të mbajtura më datë 12 Tetor 2025. Ky i fundit ka paraqitur ankesë në Gjykatën Supreme, duke kërkuar që e njëjta të miratohet, “bazuar në gjendjen faktike dhe në dispozita ligjore”.

Nga shqyrtimi i shkresave të lëndës, Gjykata Supreme gjeti se PZAP, gabimisht ka vendosur ta refuzojë ankesën e parashtruar, duke argumentuar mes tjerash se “nuk mund të anashkalohet fakti i dëshmive që janë në dosjen e lëndës, sepse në proces zgjedhor dëshmi tjera palët nuk kanë mundësi të sigurojnë, për shkak të pamundësisë së qasjes në Qendrën e Numërimit”.

Kolegji i Gjykatës Supreme konsideron se mes tjerash të metat e evidentuara janë të atij karakteri që e bëjnë të pamundur që Gjykata Supreme të vendos ndryshe, “për faktin se me nenin 117 të LZP-së, është në kompetencë të PZAP-it, që gjatë vendosjes për një ankesë të shqyrtojë dhe hetojë të gjitha dëshmitë relevante, andaj në rastin konkret është dashur që të siguroj dhe hetoj materialin zgjedhor, veçanërisht kutitë e votimit, që nënkupton vërtetimin e dëshmive që paraqesin provë të rëndësishme për të vlerësuar ecurinë e procesit zgjedhor në secilën qendër votimi të pretenduar”.

Në rivendosje, për të dy rastet, PZAP, udhëzohet që të shqyrtojë edhe njëherë pretendimet ankimore të ankuesve, provat e deponuara dhe të procedojë tutje në hetimin e këtyre pretendimeve përkatëse dhe të sigurojë që mos të cenohet integriteti i procesit zgjedhor dhe secila votë të shkojë në destinimin e synuar dhe mos të ketë devijim të vullnetit të qytetarëve. /Telegrafi/

Supremes i kërkohet shfuqizimi i Udhëzimit administrativ për lajmërimin e pensionistëve

27 October 2025 at 14:44


Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike (CSL), ka dorëzuar në Gjykatën Supreme padi për shfuqizimin e Udhëzimit Administrativ (MPMS) për procedurat e lajmërimit, suspendimin nga pagesa dhe kthimin e mjeteve në rastet e keqpërdorimit të pensioneve.

Në një njoftim të CSL-së thuhet se Gjykatës i është kërkuar që në tërësi të shfuqizojë paragrafët 2, 3 dhe 4 të nenit 5 të Udhëzimit Administrativ.

Përmes këtyre dispozitave, thuhet se Udhëzimi Administrativ ka cenuar dhe vazhdon të cenojë potencialisht të drejtat e rreth 180 mijë pensionistëve në Republikën e Kosovës.

Për më shumë lexoni të plotë njoftimin e CSL-sw:

Dorëzohet Padi për shfuqizimin e Udhëzimit Administrativ (MPMS) Nr.05/2015 për procedurat e lajmërimit, suspendimin nga pagesa dhe kthimin e mjeteve në rastet e keqpërdorimit të pensioneve

Të nderuar përfaqësues të mediave,

Ju njoftojmë se Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike (CSL) me datë 23 Tetor 2025, ka dorëzuar në Gjykatën Supreme të Republikës së Kosovës:

𝐏𝐚𝐝𝐢 𝐩ë𝐫 𝐬𝐡𝐟𝐮𝐪𝐢𝐳𝐢𝐦𝐢𝐧 𝐞 𝐔𝐝𝐡ë𝐳𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐀𝐝𝐦𝐢𝐧𝐢𝐬𝐭𝐫𝐚𝐭𝐢𝐯 (𝐌𝐏𝐌𝐒) 𝐍𝐫.𝟎𝟓/𝟐𝟎𝟏𝟓 𝐩ë𝐫 𝐩𝐫𝐨𝐜𝐞𝐝𝐮𝐫𝐚𝐭 𝐞 𝐥𝐚𝐣𝐦ë𝐫𝐢𝐦𝐢𝐭, 𝐬𝐮𝐬𝐩𝐞𝐧𝐝𝐢𝐦𝐢𝐧 𝐧𝐠𝐚 𝐩𝐚𝐠𝐞𝐬𝐚 𝐝𝐡𝐞 𝐤𝐭𝐡𝐢𝐦𝐢𝐧 𝐞 𝐦𝐣𝐞𝐭𝐞𝐯𝐞 𝐧ë 𝐫𝐚𝐬𝐭𝐞𝐭 𝐞 𝐤𝐞𝐪𝐩ë𝐫𝐝𝐨𝐫𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐭ë 𝐩𝐞𝐧𝐬𝐢𝐨𝐧𝐞𝐯𝐞

Me këtë Padi, CSL ka kërkuar nga Gjykata që në tërësi të shfuqizojë paragrafët 2, 3 dhe 4 të Nenit 5 të Udhëzimit Administrativ (MPMS) Nr.05/2015 për procedurat e lajmërimit, suspendimin nga pagesa dhe kthimin e mjeteve në rastet e keqpërdorimit të pensioneve.

Përmes këtyre dispozitave, Udhëzimi Administrativ ka cenuar dhe vazhdon të cenojë potencialisht të drejtat e rreth 180 mijë pensionistëve në Republikën e Kosovës.

Ky cenim i të drejtave ka të bëj me aplikimin e ndërprerjes së pagesës për pensionistët që nuk janë lajmëruar me kohë në Zyrat Rajonale të Pensioneve e rrjedhimisht duke ua mohuar edhe të drejtën për kompensim retroaktiv të pagesave për periudhën kohore sa nuk është kryer procedura e lajmërimit.

Një rregullim (kufizim) i tillë me akt nënligjor cenon të drejtat dhe interesat e ligjshme të pensionisteve sepse kjo nuk është parashikuar me ligj.

Po ashtu, CSL përmes Padisë ka kontestuar ligjshmërinë edhe të 10 dispozitave të tjera të Udhëzimit Administrativ të lartcekur, duke vlerësuar se të njëjtat tejkalojnë autorizimet e Nenit 24 të Ligjit Nr. 04/L-131 për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti.

Qendra për Raste Gjyqësore Strategjike (CSL) pret që Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës konform kompetencave të saj të aprovojë këtë Padi dhe që të shfuqizojë dispozitat e lartcekura.

Vendimmarrja pozitive nga gjykata për këtë rast mund t`i shërbej praktikës administrative dhe gjyqësore që aktet nënligjore të kësaj natyre të mos kalojnë autorizimet ligjore e rrjedhimisht të mos cenojnë të drejtat e qytetarëve, me theks të veçantë kategoritë e ndjeshme siç janë pensionistët. /Telegrafi/



Pranohet ankesa e AAK-së lidhur me procesin e votimit në Junik, hedhet poshtë vendimi i PZAP-it

22 October 2025 at 13:39


Kolegji i Gjykatës Supreme e ka pranuar si të bazuar ankesën e subjektit politik Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), me seli në Junik, dhe ka prishur vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ZL.Anr.217/2025, të datës 15.10.2025. Çështja është kthyer në rivendosje, në PZAP.

Pasi Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa kishte hedhur si të palejuar ankesën e subjektit politik AAK, kjo e fundit ka paraqitur ankesë në Gjykatën Supreme, duke propozuar, mes tjerash që “të shpallen të paligjshme zgjedhjet komunale dhe Komuna e Junikut të shkojë në rivotim për shkak të shkeljeve të cekura në ankesë, të cilat kanë ndikuar në rezultatin zgjedhor”.

Gjykata Supreme e Kosovës, nuk e ka pranuar si të drejtë dhe të ligjshëm qëndrimin e PZAP, lidhur me hedhjen poshtë si të palejuar të ankesës të parashtruar nga subjekti politik Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), me seli në Junik, duke konsideruar se ankesa është dashtë të trajtohet në bazë të meritave dhe jo të hedhet poshtë si e palejuar.

Ndaj, Kolegji i Gjykatës Supreme, përmes aktgjykimit AA.nr.92/2025 ka kërkuar nga PZAP që në rivendosje, t’i evitojë shkeljet e evidentuara ligjore dhe të vendos në mënyrë meritore lidhur me ankesën e subjektit politik AAK. /Telegrafi/

Parregullsi gjatë zgjedhjeve në Kllokot, Supremja i jep dritë jeshile ankesës së kandidatit Arber Emini

21 October 2025 at 15:45


Gjykata Supreme e Kosovës ka njoftuar se ka pranuar si të bazuar ankesën e kandidatit të pavarur për kryetar të Komunës së Kllokotit, Arber Emini, duke prishur vendimin e mëparshëm të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), me numër ZL.Anr.205/2025, të datës 15 tetor 2025.

Me këtë vendim, çështja i kthehet PZAP-it për rivendosje.

Sipas materialeve të shqyrtuara nga Gjykata, Emini kishte dorëzuar ankesë në PZAP më 13 tetor, duke pretenduar se "më 12 tetor 2025, gjatë Zgjedhjeve Lokale në Kllokot, Serbia ka ndërhyrë në sistemin zgjedhor në Komunën e Kllokotit, duke fabrikuar dëshmi mjekësore serbe të strukturave paralele për t’u shfrytëzuar votuesit me asistencë të përdorin këtë vërtetim mjekësor".

Megjithatë, PZAP e kishte hedhur poshtë ankesën e tij, me arsyetimin se ajo nuk kishte të bënte me procesin zgjedhor në ditën e votimit, por me rezultatet preliminare të publikuara nga KQZ-ja.

Gjykata Supreme ka vlerësuar se PZAP ka gabuar në interpretimin e natyrës së ankesës, duke konstatuar se pretendimet e Arber Eminit kanë të bëjnë pikërisht me parregullsi gjatë ditës së votimit, e jo me rezultatet zgjedhore, siç kishte pretenduar PZAP në vendimin e saj.

“PZAP, gabimisht ka vendosur kur e ka hedhur poshtë ankesën e ankuesit, për faktin se nga pretendimet që dalin nga ankesa, i njëjti është ankuar për procesin dhe parregullsitë gjatë ditës së votimit dhe jo kundër rezultateve preliminare të publikuara nga KQZ,” thuhet në vendimin e Gjykatës Supreme.

Për pasojë, Gjykata ka urdhëruar që në rivendosje PZAP të shmangë shkeljet e evidentuara dhe të trajtojë në mënyrë meritore ankesën e kandidatit të pavarur për kryetar të Kllokotit. /Telegrafi/

Refuzohet ankesa e Iniciativës Qytetare për Skenderaj, e ushtruar kundër vendimit të PZAP-së

10 October 2025 at 12:07


Kolegji i Gjykatës Supreme e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e subjektit politik, Iniciativa Qytetare për Skenderaj (Kandidati Sokol Halili), e paraqitur kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ZL.Anr.54/2025, të datës 26.09.2025.

Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se Gjykata Supreme e Kosovës, duke u nisur nga gjendja faktike dhe ligjore e çështjes, e pranon në tërësi si të drejtë dhe të bazuar qëndrimin juridik të PZAP-së, lidhur me dënimin e subjektit politik Iniciativa Qytetare për Skenderaj, për shkak të shkeljes së Kodit të Mirësjelljes për Subjektet Politike, Mbështetësit e tyre dhe Kandidatët, gjatë fushatës zgjedhore për Zgjedhje Lokale në Republikën e Kosovës, që do të mbahen më datë 12 Tetor 2025.

"Kolegji i Gjykatës Supreme konstatoi se në këtë çështje juridike, gjendja faktike është vërtetuar drejt dhe nuk është shkelur ligji në dëm të parashtruesit të ankesës, prandaj, pretendimet ankimore janë refuzuar si të pabazuara", thuhet në njoftim. /Telegrafi/

Bëri 623 shkelje ligjore në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve në Malishevë, Supremja lë në fuqi dënimin me kusht

5 October 2025 at 18:22


Gjykata Supreme me vendimin e 23 korrikut 2025 ka aprovuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë, e ushtruar nga mbrojtësi i të dënuarit Besart Gashi, avokati Besnik Berisha.

Supremja ia hoqi dënimin me 1 mijë euro gjobë dhe ricilësoi veprën penale të “Keqpërdorimit të detyrës zyrtare” nga neni 414, në nenin 422. Mbetet në fuqi dënimi me 15 muaj burgim me kusht.

Gashi ngarkohej se në cilësinë e zyrtarit të Qendrës së Regjistrimit të Automjeteve (QRA) në Malishevë, ka bërë shkelje ligjore në 623 raste të regjistrimeve të automjeteve, duke i shkaktuar dëm në vlerë prej 5 mijë e 700 euro Komunës së Malishevës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykata Themelore në Gjakovë, Gashin e kishte dënuar me 15 muaj burgim dhe 4 mijë euro gjobë, mirëpo Apeli e kishte ndryshuar vendimin e shkallës së parë duke e dënuar Gashin me 15 muaj burgim me kusht dhe 3 mijë euro gjobë.

Kundër këtyre aktgjykimeve ka paraqitur kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë mbrojtësi i të dënuarit Gashi, avokati Besnik Berisha, për shkak të shkeljes së Ligjit Penal dhe shkeljeve të dispozitave të procedurës penale të cilat kanë ndikuar në vendimin gjyqësor. Propozoi që aktgjykimet të ndryshohen ashtu që i dënuari të lirohet nga akuza apo të anulohen dhe çështja t’i kthehet gjykatës së shkallës së parë në rigjykim.

Prokurori i Shtetit me parashtresën e 12 marsit 2025, ka propozuar që kërkesa e mbrojtësit të refuzohet si e pabazuar.

Kolegji i Supremes i përbërë nga Rasim Rasimi-kryetar, Mejreme Memaj e Agim Maliqi-anëtarë, gjeti se kërkesa është pjesërisht e bazuar.

Shkalla e tretë vlerëson se aktgjykimi i shkallës së parë është i qartë dhe konkret, përmban arsye të duhura dhe të drejta mbi të gjitha faktet vendimtare të kësaj çështjeje juridiko- penale.

Sipas Supremes, nga shkresat e lëndës- respektivisht provat e administruara, në mënyrë të padyshimtë rezulton se i dënuari gjatë periudhave të cekura si në dispozitiv të aktgjykimit kishte regjistruar 560 automjete pa pagesë të taksës komunale, 41 raste me parregullsi në kompletimin e dokumentacionit për patentë shofer dhe letërnjoftim, pesë raste me afat të skaduar të kontrollit teknik dhe katër raste me dokumentacion që iu ka munguar libreza e vendit të origjinës së veturës.

Nga përshkrimi i veprimeve inkriminuese, sipas vlerësimit të kësaj Gjykate, rezultojnë qartë veprimet inkriminuese të të dënuarit që konsistojnë në mospërmbushje të detyrave zyrtare, respektivisht mosndërmarrje të veprimeve në kuadër të detyrave apo autorizimeve zyrtare.

“Ndërsa, është evidente se dispozitivi i aktgjykimit le dilema përkitazi me dobinë pasuror të përfituar nga i dënuari, por, kjo nuk e bën aktgjykimin me të meta të atilla që do të kushtëzonin anulimin e tij…”, thuhet në vendim.

Duke i vlerësuar pretendimet në këtë drejtim, Supremja vlerëson se pretendimet e mbrojtjes sa i përket aplikimit të Ligjit Penal përkitazi me veprën penale në pikën I të dispozitivit të aktgjykimit që ka të bëjë me veprën penale të “Keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, par.2 lidhur me pararagrafi 1 të KPRK-së, janë të bazuara.

Kështu, Supremja gjen se nga shkresat e lëndës del se i dënuari Gashi veprimet inkriminuese i ka ndërmarrë gjatë periudhës kohore (22.08.2017-15.12.2020), kurse, nga 610 raste të theksuara në dispozitiv të aktgjykimit përkitazi me regjistrimin e automjeteve, del se vetëm 50 prej tyre janë ndërmarrë brenda periudhës kohore të Kodit Penal i cili ka hyrë në fuqi më 14 prill 2019, kurse rastet tjera janë ndërmarrë gjatë kohës sa ishte në fuqi Kodi Penal i vitit 2013.

“Duke pasur parasysh se vepra penale u ricilësua sipas ligjit penal të vitit 2013 sipas të cilit nuk parashihet dënimi me gjobë, kjo gjykatë i ndryshoj aktgjykimet përkitazi me këtë vepër penale sa i përket vendimit për dënimin me gjobë, ndaj të dënuarit dënimin e shqiptuar me kusht e mori si të vërtetuar, kurse dënimin e shqiptuar me gjobë në shumë prej 1000 € e hoqi”, thuhet në vendim.

Ndërsa, sipas Supremes, nuk janë të bazuar pretendimet e mbrojtësit përkitazi me veprën penale të “Falsifikimit të dokumentit zyrtar”.

Sipas vendimit, është normale që dëshmitari G.M., në dëshminë e tij ka deklaruar se nuk ia kishte kërkuar të dënuarit ndryshimin e dokumentit origjinal- librezën e veturës.

“Është normale që dëshmitari G. M. në dëshminë e tij ka deklaruar se nuk ia kishte kërkuar të dënuarit ndryshimin e dokumentit origjinal-librezën … të veturës …, që në rubrikën e vërejtjes të shënonte se vetura posedon … të …, por, nga dëshmia e tij del qartë se ky dëshmitar veturën e kishte shite menjëherë kurse pronari që e kishte blerë veturën dëshmitari Sh. Sh. bazuar në këtë dokument ia kishte venë veturës … për … e … të pasme”, theksohet më tej në vendim.

Prandaj, Supremja thotë se bazuar në rrethanat e rastit konkret- veçanërisht mbrojtjen e të dënuarit, rezulton qartë se i dënuari ishte i vetëdijshëm se po e ndryshonte dokumentin origjinal, kurse për ekzistimin e kësaj vepre penale është jorelevant fakti nëse kryerësi e kishte bërë me kërkesë të dikujt apo kishte qëllim të realizojë përfitim për vete apo tjetrin apo kishte për qëllim ta përdorë vetë apo që tjetri ta përdorë.

Fillimisht, Themelorja në Gjakovë e kishte dënuar Gashin me burgim prej 15 muaj dhe 4 mijë euro gjobë . Po ashtu, atij i ishte shqiptuar edhe dënimi plotësues ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratë publike ose shërbim publik prej dy vitesh nga plotfuqishmëria e aktgjykimit.

Por, Gjykata e Apelit kishte ndryshuar vendimin e Gjykatës Themelore në Gjakovë , duke e dënuar me 15 muaj burgim me kusht.

Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë thuhet se Besart Gashi, në cilësi të personit zyrtar në Qendrën për Regjistrimin e Automjeteve në Komunën e Malishevës, ka bërë shkelje ligjore në 623 raste të regjistrimeve të automjeteve, duke i shkaktuar dëm në vlerë prej 5 mijë e 700 euro Komunës së Malishevës. /BetimipërDrejtësi/

Gjykata Supreme pranon si të themeltë ankesën e PDK-së e ushtruar kundër vendimit të PZAP-së

29 September 2025 at 15:51


Kolegji i Gjykatës Supreme e ka pranuar si të themeltë ankesën e subjektit politik Partia Demokratike e Kosovës (PDK), dhe ka ndryshuar vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ZL.Anr.49/2025, të datës 23.09.2025, duke vendosur që të: Refuzohet e pathemeltë ankesa e subjekti politik Lëvizja Vetëvendosje (LVV), ZAnr.49/2025 e datës 20.09.2025.

PZAP kishte pranuar si të bazuar ankesën e subjektit politik Lëvizja Vetëvendosje (LVV), ZAnr.49/2025 të datës 20.09.2025 dhe kishte shqiptuar dënim më gjobë në lartësi prej 5.500.00 euro, Subjekti politik Partia Demokratike e Kosovës (PDK).

Kundër këtij vendimi subjekti politik, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka paraqitur ankesë në Gjykatën Supreme. Gjykata pasi ka vlerësuar ligjshmërinë e vendimit të kontestuar, në kuptim të pretendimeve ankimore, përgjigjes në ankesë, dhe pas shqyrtimit edhe të shkresave të lëndës, ka gjetur se ankesa është e bazuar.Për më tepër, bashkëngjitur gjeni linkun e vendimit: https://supreme.gjyqesori-rks.org/wp-content/uploads/verdicts/SUP_AA%20_84_2025_SQ.pdf

Supremja refuzon ankesën e LVV-së kundër PZAP-së për vendimin në rastin e Sami Lushtakut

22 September 2025 at 16:59


Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje ndaj vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa në rastin e Sami Lushtakut.

PZAP e kishte rrëzuar si të pabazuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për “nxitje të urrejtjes” nga Partia Demokratike të Kosovës (PDK), në lidhje me një deklaratë të kandidatit për kryetar të Skenderajt, Sami Lushtaku.

Lushtaku, në emisionin “Jehona Politike” në Klan Kosova, ishte shprehur se: “Unë mendoj që qytetarët e këtij vendi duhet me dalë në rrugë dhe me dalë në protestë dhe duhet me kërku që ata që nuk e respektojnë Kushtetutën, nuk i respektojnë ligjet e Kosovës, nuk e respektojnë Prokurorinë, unë mendoj se ata duhet t’i ngrehim zvarrë nëpër rrugët e Prishtinës”.

LVV u ankua në Gjykatë Supreme ka kontestuar ligjshmërinë e vendimit të PZAP-së, duke kërkuar anulimin e atij vendimi, dhe të urdhërohet PZAP që të shqiptoj gjobë ndaj Sami Lushtakut dhe PDK-së.

Supremja thekson se në përgjigjen e saj në PZAP, PDK kishte thënë se ka shpërndarë udhëzimet për të gjithë anëtarët e saj, duke theksuar rëndësinë e respektimit të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, si masë që të mos përdoret gjuha fyese dhe kërcënuese.

Për deklaratën e Lushtakut, PDK kishte thënë se duhet të shihet si thirrje për veprime qytetarë për të kërkuar respektimin e institucioneve.

PZAP-ja në vendimin e saj ka konstatuar se ankesa është e pabazuar dhe se kjo deklaratë nuk i është drejtuar asnjë personi konkret apo ndonjë subjekti politik dhe mbi këtë arsye nuk ka gjetur shkelje të rregullave zgjedhore në dëm të ndonjë subjekti politik.Po ashtu, ky institucion kishte përmendur si arsye për refuzimin e ankesës edhe nuk janë ofruar dëshmi të qarta dhe bindëse për pretentimet e ankesës.

“Gjykata Supreme e Kosovës, duke u nisur nga kjo gjendje e çështjes, i pranon si të themelta konstatimet faktike dhe qëndrimin juridik të PZAP-it, që ka marrë sipas vendimit të ankimuar lidhur me shkeljet e pretenduara të Subjektit Politik LVV, të përshkruara më sipër, me që vendimi i të njëjtit organ nuk është i kundërligjshëm, është i bazuar në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, përkatësisht, në dispozitat e sipër cituara ligjore” – thuhet mes tjerash në aktgjykimin e Supremes.

Supremja po ashtu, konstaton se ankuesi, në këtë rast LVV nuk ka arritur të vë në dyshim vendimin e PZAP-së.

Aktgjykimin e plotë të Gjykatës Supreme mund ta qasni në këtë vegëz.Zgjedhjet Lokale do të mbahen më 12 tetor 2025.

Në garë për nivelin lokal janë 93 subjekte politike: 32 parti, 2 koalicione, 32 iniciativa qytetare dhe 27 kandidatë të pavarur, të gjitha të certifikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).

Supremja rrëzoi masën e Ministrisë së Bujqësisë, reagon Haradinaj: Padrejtësia nuk kalon

28 July 2025 at 17:19

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Supreme që rrëzoi masën e Ministrisë së Bujqësisë për përgjysmimin e subvencioneve për operatorët me mbi 100 hektarë tokë bujqësore.

Haradinaj e ka quajtur këtë vendim një fitore ndaj diskriminimit institucional, duke theksuar se “e drejta mbrohet me ligj dhe gjykatë”, pavarësisht siç tha ai, tendencave të Ministrisë për t’i dëmtuar investitorët e mëdhenj në sektorin bujqësor.

Ai përmendi në veçanti kompaninë “Stone Castle”, duke thënë se kjo kompani ka triumfuar kundër një padrejtësie që iu shkaktua me dashje nga institucionet.

“Më bën krenar puna e palodhshme dhe fuqia prodhuese e këtyre investitorëve që po e lartësojnë Kosovën në aspekt global me verërat më cilësore në Ballkan e më gjerë,” shkroi Haradinaj në një reagim publik.

“Padrejtësia nuk kalon”, shkroi Haradinaj.

The post Supremja rrëzoi masën e Ministrisë së Bujqësisë, reagon Haradinaj: Padrejtësia nuk kalon appeared first on Telegrafi.

Supremja shfuqizon Rregulloren e re për Koordinatorin kombëtar për luftimin e krimit ekonomik

28 July 2025 at 11:54

Gjykata Supreme e Kosovës e ka shpallur të paligjshme dhe e ka shfuqizuar Rregulloren për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores për themelimin dhe funksionalizimin e Koordinatorit kombëtar për luftimin e krimit ekonomik.

Supremja njofton se ky aktgjykim merr formën e prerë menjëherë pas komunikimit të përmbajtjes dhe arsyetimit të tij palëve.

“Shpallet e paligjshme dhe shfuqizohet Rregullorja nr.04/2025 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Rregullores për Themelimin dhe Funksionalizimin e Koordinatorit Kombëtar për Luftimin e Krimit Ekonomik, e datës 30.04.2025, nr. prot.824/2025, dhe datë 05.05.2025

“Ky aktgjykim merr formën e prerë menjëherë pas komunikimit të përmbajtjes dhe arsyetimit të tij palëve, dhe detyrohet i padituri Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), me seli në Prishtinë, që të njëjtin ta publikojë në mënyrë të njëjtë sikurse të miratimit të saj”, thuhet në vendimin e Supremes.

Vendimi i plotë këtu. /Telegrafi/

The post Supremja shfuqizon Rregulloren e re për Koordinatorin kombëtar për luftimin e krimit ekonomik appeared first on Telegrafi.

AVONET shpreh shqetësim për sulmet ndaj kryeprokurorit Isufaj dhe vendimit të Gjykatës Supreme

16 July 2025 at 16:59

Rrjeti i organizatave joqeveritare AVONET ka reaguar me shqetësim të thellë ndaj, siç e cilëson, sulmit ndaj Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj, si dhe ndaj deklaratave publike të zyrtarëve të lartë qeveritarë për vendimin e Gjykatës Supreme në çështjen e arkave fiskale.

Në një deklaratë publike, AVONET thekson se sulmi ndaj kryeprokurorit Isufaj, në kohën kur ai ka nisur hetime për dyshime mbi keqpërdorime në tenderë publikë dhe menaxhimin e parasë publike, përbën një kërcënim serioz për sistemin e drejtësisë dhe përpjekjet kundër korrupsionit në vend.

“Ky sulm përbën kërcënim serioz ndaj sistemit të drejtësisë, funksionimit të shtetit ligjor dhe përpjekjeve për luftimin e korrupsionit në Kosovë”, thuhet në reagimin e AVONET.

Po ashtu, rrjeti i OJQ-ve dënon deklaratat denigruese të disa zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës në drejtim të vendimit të Gjykatës Supreme për rastin e arkave fiskale, duke i cilësuar ato si cenim të pavarësisë së pushtetit gjyqësor dhe si retorikë të papërgjegjshme me prapavijë politike.

AVONET i ka bërë thirrje Prokurorisë që të nisë menjëherë hetime për çdo kërcënim apo presion ndaj kryeprokurorit dhe prokurorëve të tjerë që hetojnë raste të ndjeshme.

Organizata gjithashtu u ka kërkuar zyrtarëve qeveritarë të përmbahen nga deklaratat që mund të minojnë besimin e publikut ndaj drejtësisë dhe të respektojnë pavarësinë institucionale.

“Lufta kundër korrupsionit nuk mund të zhvillohet pa një sistem të drejtësisë të pavarur dhe të pakorruptueshëm. Çdo tentim për ta frikësuar apo diskredituar atë është sulm direkt ndaj demokracisë dhe interesit qytetar”, përfundon deklarata e AVONET.

The post AVONET shpreh shqetësim për sulmet ndaj kryeprokurorit Isufaj dhe vendimit të Gjykatës Supreme appeared first on Telegrafi.

Supremja vendos kufijtë – shkelja mund të çojë në ndjekje penale

16 July 2025 at 16:32

Krizës së gjatë për formimin e institucioneve në Kosovë së fundmi iu shtua edhe një sfidë e re: vendimi i Gjykatës Supreme që e konsideron nxjerrjen e akteve nënligjore nga ministrat që janë njëkohësisht deputetë, si të kundërligjshme dhe shkelje të dispozitave kushtetuese.

Vendimi i datës 15 korrik lidhet me shfuqizimin e udhëzimit administrativ për shfrytëzimin e pajisjeve fiskale, të nxjerrë nga ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati – i cili është edhe deputet – e që Gjykata Supreme e shpalli të paligjshëm.

Ky aktgjykim u pasua me reagime të ashpra: Qeveria në detyrë e cilësoi si “arbitrar” dhe “të pabazuar në ligj” – duke argumentuar se Ligji për Qeverinë nuk i ndalon shprehimisht ministrat në detyrë të nxjerrin akte nënligjore – ndërsa Gjykata Supreme paralajmëroi se çdo ndërhyrje në vendimet e saj gjyqësore është e papranueshme.

“Ndërhyrja në gjyqësor është e papranueshme”, tha edhe ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav.

Njohësit e çështjeve kushtetuese thonë se vendimi i Supremes është i drejtë dhe i detyrueshëm për zbatim, duke theksuar se çdo mospërfillje e tij mund të përbëjë shkelje penale.

Radio Evropa e Lirë pyeti Qeverinë në detyrë të Kosovës dhe ministrin në detyrë, Murati, se çfarë hapash do të ndërmarrin pas këtij aktgjykimi, por nuk mori përgjigje.

Qeveria nuk dha qëndrim as lidhur me pyetjen nëse po shqyrton mundësinë që ministrat, të cilët janë njëkohësisht edhe deputetë, të ndalin ushtrimin e funksioneve ekzekutive.

Lidhja Demokratike e Kosovës iu drejtua Prokurorisë Speciale më 16 korrik për të kërkuar hetime penale ndaj Qeverisë në detyrë, duke dorëzuar si provë vendimin e Gjykatës Supreme për çështjen e arkave fiskale.

Sipas deputetëve të kësaj partie, Besian Mustafa dhe Alban Zogaj, ky vendim konfirmoi se Qeveria në detyrë ka vepruar në mënyrë të jashtëligjshme pas certifikimit të ministrave si deputetë, më 27 mars.

KDI: Vendimi i Supremes thekson shkeljet dhe hap rrugë për kontestime ligjore

Vullnet Bugaqku nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), i cili përcjell punën e Kuvendit, vlerëson se vendimi i Gjykatës Supreme lidhur me Udhëzimin Administrativ të ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, është i drejtë dhe i plotfuqishëm.

Ai thekson se çdo mosbindje ose mosrespektim i këtij vendimi përbën shkelje penale.

“Konkretisht, në rastin në fjalë, ministri Murati, nëse vazhdon ta mbajë në fuqi – përkundër që Gjykata (Supreme) e ka anuluar ligjshmërinë apo përmbajtjen e këtij Udhëzimi Administrativ – atëherë ai nuk e zbaton këtë aktgjykim të Gjykatës Supreme dhe bën shkelje penale”, thotë Bugaqku për Radion Evropa e Lirë.

Ai thekson se vendimi i Supremes, aktualisht, ka efekt vetëm mbi Udhëzimin Administrativ të ministrit në detyrë, Murati. Të gjitha aktet tjera të ministrave në detyrë, që janë njëkohësisht edhe deputetë, mbesin në fuqi, përderisa nuk janë kontestuar në gjykatë.

Megjithatë, thotë Bugaqku, ky vendim lë të kuptohet se edhe vendimet tjera të ngjashme – të nxjerra nga zyrtarë me funksione të dyfishta – mund të jenë të paligjshme dhe të sfidohen juridikisht.

“Ky vendim i Gjykatës Supreme mund të shërbejë si një precedent i mirë ose si një bazë e mjaftueshme ligjore për të gjitha ato palë që janë të afektuara në kuptimin negativ nga vendimet e zyrtarëve publikë. Pra, ta përdorin këtë aktgjykim të Gjykatës Supreme si provë për t’i kontestuar [vendimet e ngjashme] në gjykata dhe, pastaj, edhe ato të anulohen”, thotë Bugaqku.

Ai shton se vendimi i Gjykatës Supreme e ka sqaruar mirë konfliktin që lind nga ushtrimi i njëkohshëm i funksioneve në ekzekutiv dhe legjislativ nga zyrtarët publikë, por shpreh shqetësimin se ai mund të përdoret nga partitë parlamentare për thellimin e përplasjeve politike.

“Situata e tillë veç i ashpërson dhe i betonizon edhe më tepër qëndrimet e palëve, në këtë rast të partive të mëdha parlamentare, që të mos bashkëpunojnë me njëra-tjetrën”, vlerëson Bugaqku.

Pasojat ligjore në duar të Prokurorisë

Profesori i së Drejtës Kushtetuese, Mazllum Baraliu, vlerëson se vendimi i Supremes për ta shpallur të paligjshëm udhëzimin në fjalë është i drejtë, por thotë se u takon organeve të ndjekjes të vlerësojnë nëse ekzistojnë kushte për nisjen e procedurave penale.

“Madje, edhe vetë ministrat në detyrë… unë besoj se e kanë të qartë se nuk duhet të veprojnë me konflikt interesi, sepse jo vetëm që mund të shkelin dispozita që janë përmendur në aktgjykim, por mund të gjendet edhe bazë juridike që dikush t’i ndjekë. Ajo që i ndjek, është Prokuroria e vendit dhe ne nuk mund të paragjykojmë se a do ta bëjë këtë”, thotë Baraliu për Radion Evropa e Lirë.

Ai shpjegon se Kosova nuk ka sistem gjyqësor që thirret në precedentë, ndaj vendimi i fundit i Gjykatës Supreme nuk zbatohet automatikisht për raste të tjera.

Sipas tij, qytetarët apo bizneset mund të kërkojnë drejtësi nëpërmjet padive, nëse mendojnë se janë dëmtuar nga ndonjë vendim i ministrave në detyrë që mbajnë edhe mandat deputeti.

“Pra, mund të iniciojnë (padi) patjetër, sepse parimi i analogjisë në drejtësi është parim që vlerësohet lart dhe është parim standard funksional”, thotë Baraliu.

Ministrat në detyrë përballen tashmë me së paku 17 kallëzime penale, të ngritura nga LDK-ja.

Kosova vazhdon të mbetet me qeveri në detyrë, pasi, pas zgjedhjeve të shkurtit, Kuvendi nuk ka arritur të konstituohet për shkak të mosmarrëveshjeve të thella politike.

Përpjekja e radhës për konstituim, e 48-a, do të bëhet më 17 korrik.

The post Supremja vendos kufijtë – shkelja mund të çojë në ndjekje penale appeared first on Telegrafi.

 Gruda: Mbajtja e pozitës së ministrit dhe deputetit përbën vepër penale, ftojmë Prokurorinë të zbatojë vendimin e Supremes

16 July 2025 at 14:37

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda tha se vendimi i djeshëm i Gjykatës Supreme, i bazuar në Ligjin për Qeverinë, ka vulosur faktin se mbajtja e funksioneve të dyfishta nga ana e ministrave që njëkohësisht janë edhe deputetë, është e kundërligjshme dhe jokushtetuese.

Gruda, në një konferencë për media tha se pas këtij aktgjykimi, çdo ditë që këta zyrtarë publikë vazhdojnë të mbajnë dy funksione, nënkupton kryerje të veprës penale të moszbatimit të vendimit gjyqësor.

“Dje, Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës e shpalli të paligjshëm Udhëzimin Administrativ nr. 01/2025 për pajisjet elektronike fiskale. Ky vendim u bazua në Ligjin për Qeverinë, i cili e ndalon ushtrimin e funksioneve të dyfishta nga ana e ministrave që janë njëkohësisht edhe deputetë. Në këtë rast, ministri i financave, Hekuran Murati, nuk mund të ushtrojë njëkohësisht funksionin e deputetit dhe ministrit. Ky vendim nuk vlen vetëm për një individ, por për të gjithë ministrat dhe për vetë Kryeministrin Kurti, të cilët aktualisht janë edhe deputetë në Kuvendin e Kosovës.  Gjykata ka vulosur një të vërtetë që ne e kemi theksuar që nga dita e parë: mbajtja e funksioneve të dyfishta është e kundërligjshme dhe jokushtetuese. Kjo është edhe arsyeja që në seancën e parë e kemi kundërshtuar edhe raportin për verifikimin e mandateve të deputetëve”, theksoi ai.

PDK i bën thirrje kryeministrit në detyrë, Albin Kurti dhe ministrave që janë njëkohësisht deputetë që të respektojnë aktgjykimin e Gjykatës Supreme, duke i liruar menjëherë funksionet ekzekutive për t’ua deleguar ato zëvendësve të tyre, si dhe kërkon që ata të ndalin sulmet ndaj gjyqësorit.

“Gjithashtu, i bëjmë thirrje Prokurorisë së Shtetit që të jetë vigjilente dhe të ndërmarrë veprimet e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi gjyqësor, i cili është i menjëhershëm dhe i detyrueshëm. Kosova ka nevojë për sundim të ligjit, jo për shtet të njerëzve mbi ligjin”, tha Gruda.

Tutje, Gruda, ka reaguar ndaj vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë, që sot e kanë refuzuar mocionin për rrëzimin e një pjese të aktakuzës ndaj ish-Presidentit Hashim Thaçi, ish-Kryetarit të PDK-së Kadri Veseli, ish-Kryetarit të Kuvendit Jakup Krasniqi dhe ish-deputetit Rexhep Selimi.

“Partia Demokratike e Kosovës, pa u futur në paragjykime për prapaskenat e këtij vendimi, shpreh keqardhje të thellë, sepse ky ishte një rast i humbur për të forcuar besimin në drejtësinë ndërkombëtare dhe në parimet themelore që ajo duhet të mishërojë: objektivitetin, paanshmërinë dhe të vërtetën. Është e papranueshme që asnjë kërkesë e mbrojtjes nuk merret parasysh, ndërkohë që gjykata dhe prokuroria veprojnë si një trup i vetëm”, tha ai.

Sipas Grudës, vendimet e deritanishme dhe rregullorja e kësaj gjykate dëshmojnë se mbrojtja nuk trajtohet në mënyrë të barabartë me prokurorinë.

“Megjithatë, ne besojmë fuqishëm se drejtësia, sado që vonon, në fund gjithmonë mbështetet mbi të vërtetën. Dhe e vërteta në këtë rast është e pakontestueshme: Ata janë të pafajshëm. Ata janë çlirimtarë. Prandaj, e presim me besim të palëkundur vendimin përfundimtar për lirimin e tyre të plotë dhe të përhershëm”, theksoi deputeti Gruda. /Telegrafi/

 

The post  Gruda: Mbajtja e pozitës së ministrit dhe deputetit përbën vepër penale, ftojmë Prokurorinë të zbatojë vendimin e Supremes appeared first on Telegrafi.

❌
❌