Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Nisma publikon listën me 110 kandidatë për deputetë - Fatmir Limaj bartës i saj

8 December 2025 at 07:35


Nisma publikon listën me 110 kandidatë për deputetë – Fatmir Limaj bartës liste

Nisma Socialdemokrate ka dorëzuar zyrtarisht në KQZ listën me 110 kandidatë për deputetë për zgjedhjet e jashtëzakonshme për Kuvendin e Kosovës, duke u rreshtuar në mesin e subjekteve me listë të plotë zgjedhore.

Listën e udhëheq lideri i partisë, Fatmir Limaj, i cili mban edhe numrin tij.

Pas tij, renditen: Xhevahire Izmaku, Arbëreshë Krasniqi, Mevludin Krasniqi, Endrit Shala, Albullena Balaj Halimaj dhe shumë emra të tjerë të njohur të partisë.

“Lista e kandidatëve për deputetë të NISMA, bashkë drejt fitores!”, ka shkruar Limaj në Facebook.

Lista përfshin kandidatë nga të gjitha rajonet e vendit, figura të njohura të Nismës dhe emra të rinj që synojnë të jenë pjesë e legjislaturës së re.

Sipas listës së publikuar nga vetë subjekti politik, lista kompletohet me emrin Endrit Zabrëgja me numrin 110-të.

Në total, për legjislaturën e re janë dorëzuar 1,181 kandidatë nga të gjitha subjektet politike dhe kandidatët e pavarur. /Telegrafi/

Limaj: Nisma garon e vetme në zgjedhje, bashkimi me PDK-në do të bëhet në Kuvend

7 December 2025 at 21:52


Kryetari i Nismës Socialdemokrate të Kosovës ka konfirmuar sot se partia e tij do të marrë pjesë në zgjedhjet e 28 dhjetorit me një listë prej 110 kandidatëve për deputetë.

Në një konferencë për media, ai tha se përkundër përpjekjeve të shumta për bashkim politik me PDK-në, ky proces nuk ka arritur të finalizohet.

“Siç u kam premtuar qindra bashkëpunëtorëve, ne do të përpiqemi deri në sekondat e fundit për të ofruar një mundësi bashkimi që jep shpresë për ndryshime. Fatkeqësisht, ai bashkim që e keni pritur qytetarë, dhe që ne e kemi ofruar pa kushte, nuk ka ndodhur. Shkaku tani më dihet”, deklaroi Limaj.

Ai theksoi se procesit të bashkimit do t’i kthehen “nga baza”.

Limaj tha se bashkimi politik me PDK-në do të konkretizohet në Kuvendin e Kosovës, përmes bashkimit të grupeve parlamentare.

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, tha se nëse partia e tij e kalon pragun, e për të cilin është i bindur se do të ndodhë, atëherë në Parlamentin e Kosovës do të arrihet bashkimi me grupin parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës.

“Askush nuk na ndal bashkimin në Parlament”, ka thënë Limaj./Telegrafi/

Zyrtarizohen numrat në fletëvotim - vijnë reagimet e para nga partitë

7 December 2025 at 14:51


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot ka përfunduar procesin e hedhjes së shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim për zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Sipas shortit të hedhur ku morën pjesë përfaqësuesit e subjekteve politike, Lëvizja Vetëvendosje do të garoj me numrin 116, Partia Demokratike e Kosovës me numrin 130, Lidhja Demokratike e Kosovës me numrin 123, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me numrin 129 dhe Nisma Socialdemokrate me numrin 122.

Menjëherë pas zyrtarizimit të këtyre numrave kanë ardhur edhe reagimet e para nga subjektet e lartpërmendura.



Lëvizja Vetëvendosje ka shkruar se “116 është numri i fitores edhe më të madhe që na duhet dhe e synojmë me ndihmën e të gjithë qytetarëve”.

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza ka shkruar se 130 është numri i bashkimit për Kosovën.

“Është numri i stabilitetit, normalitetit dhe zhvillimit ekonomik. Është numri i drejtimit të sigurt dhe rrugës evropiane për vendin tonë. 130 është numri i fitores!”, ka shkruar Hamza.


Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka shkruar se slogani i LDK-së është “Zgjedh shpresën! 123 është numri ynë”.



Ndërkaq reagimi i kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj ishte i thjeshtë. “129 krah teje” ka shkruar Haradinaj.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme mbahen pasi për partitë politike të Kosovës ishte e pamundshme që të arrinin konsensus për të ecur përpara, pas rezultatit të zgjedhjeve të 9 shkurtit, meqë asnjëra parti nuk arriti t’i siguronte numrat e nevojshëm për të qeverisur e vetme./Telegrafi/

Nisma e vetme në zgjedhje, Limaj tregon pse “u prish” koalicioni parazgjedhor me LDK-në

4 December 2025 at 21:01


Kreu i Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka dhënë arsyet e dështimit të një koalicioni parazgjedhor me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Limaj ka thënë se elektoratet e ndryshme të të dy subjekteve politike dhe koha e shkurtër deri në zgjedhje kanë qenë dy nga arsyet kryesore për një mungesë të bashkëpunimit mes NISMA-s e LDK-së.

“Kemi pasur diskutime dhe komunikime të vazhdueshme me Abdixhikun, e kam vlerësuar mënyrën e të menduarit të tij dhe më bën përshtypje mënyra e tij të menduarit. NISMA dhe LDK ka dy elektorate të ndryshme, është kohë e ndryshme, dhe nuk mund të thyejmë barriera të së kaluarës, tani për tani është e pamjaftueshme. Kam qenë i interesuar të jem shumë i ndershëm me ta, kam pasur dyshime se nuk do të mund të jap kontribut në atë koalicion për shak të lëvizjes së elektoratit. Do të gjejmë rrugë të bashkëpunimit paszgjedhor, i vlerësoj ato takime dhe angazhimet e Abdixhikut”, ka thënë Limaj në Debat Plus.

Limaj bëri të ditur se NISMA do të garojë e vetme në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

“Natyrisht partia është e regjistruar. Gjithmonë ka hapësirë, por opsioni i jonë i fundit ka qenë të për shkuar vetëm. Gjithmonë ka hapësirë. Por jemi regjistruar dhe shkojmë vetë në zgjedhje, si opsion i fundit i ynë”, ka thënë Limaj.

Limaj ripërsëriti gatishmërinë për të bashkëpunuar me të gjitha subjektet politike që kërkojnë pjesëmarrjen e tij në çështje që ndikojnë në interesin e përgjithshëm të Kosovës.

“Vazhdoj të mbajt të njëjtin qëndrim. Me interesa e shtetit. Kurdo që më ftojnë, të gjitha këta (LVV, PDK, LDK…) që i përmende, e harrove edhe Ramushin. Kushdo që më fton dhe që ka diçka më thënë për temat nacionale. Dhe kanë interes për ta dëgjuar mendim tim ose mendojnë që duhet të ketë ftesë gjithmonë jam i gatshëm.”, ka thënë Limaj.

- YouTube youtu.be

NISMA e PDK, Izmaku: Nuk ka marrëveshje për bashkim, NISMA do të ecë përpara e pavarur nën lidershipin e Limajt

4 December 2025 at 12:10



Xhevahire Izmaku nga Nisma Socialdemokrate ka thënë sot se nuk ka marrëveshje bashkimi me Partinë Demokratike të Kosovës dhe se Nisma do të ecë e pavarur.

Izmaku në një postim në Facebook shkruan se Nisma vazhdon rrugën me kryetarin e tyre, Fatmir Limaj.

Lexoni të plotë postimin:

Të dashur qytetarë, anëtarë, simpatizantë, votues dhe aktivistë të NISMA Socialdemokrate të Republikës së Kosovës,

Shumë prej jush më keni shkruar ditëve të fundit, duke pyetur për një bashkim të mundshëm me subjektin me të cilin kemi ndarë vlera të përbashkëta ndër vite.

Sot dua t’ju them me qartësi: ajo marrëveshje nuk ndodhi.

Por një gjë mbetet e pathyeshme:

Nisma do të ecë përpara, e pavarur, e përkushtuar dhe e mbështetur tek njerëzit që e besuan këtë rrugë dekada me radhë, nën lidershipin e provuar të Fatmir Limajt.

Ne do të vazhdojmë t’i shërbejmë vendit me vlera që i përgjigjen realisht nevojave të qytetarëve.

Për ne, politika nuk është krenari e tepruar, as arrogancë;

politika është përgjegjësi, shërbim dhe përkushtim i përditshëm.

Ky është momenti ynë për t’u mobilizuar, për të qëndruar bashkë dhe për t’i treguar vendit se ka forcë politike që punon me dinjitet, me sinqeritet dhe me vizion të qartë.

Gara fillon.

Nisma vazhdon rrugën me ju nën udhëheqjen e dëshmuar të liderit tonë Fatmir Limaj!

Na priftë e mbara!. /Telegrafi/

Nisma certifikohet për pjesëmarrje në zgjedhjet e 28 dhjetorit

3 December 2025 at 14:10


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka votuar sot për certifikimin e subjektit politik Nisma, e cila ka plotësuar të gjitha kriteret e nevojshme për pjesëmarrje në zgjedhjet e 30 nëntorit.

Sipas Zyrës për Regjistrimin e Subjekteve Politike dhe Certifikim, Nisma ka dorëzuar listën e nënshkrimeve të mbështetësve, ka paguar taksën e certifikimit dhe nuk ka asnjë gjobë të papaguar nga PZAP apo KQZ.

“Lidhur me këtë, Zyra rekomandon që të certifikohet ky subjekt për pjesëmarrje në zgjedhje,” u tha në mbledhjen e KQZ-së.

Rekomandimi u miratua nga anëtarët e KQZ-së me 10 vota për, duke i hapur rrugë pjesëmarrjes së Nismës në procesin zgjedhor. /Telegrafi/

Mushkolaj: NISMA ende mund t’i bashkohet LDK-së para zgjedhjeve

1 December 2025 at 22:10


Analisti Imer Mushkolaj duke komentuar koalicionet parazgjedhore të subjekteve politike, ka thënë se ende ka kohë që NISMA Socialdemokrate e Fatmir Limajt të bëhet bashkë me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK).

Ai tutje ka thënë se kohëve të fundit bisedat e dëgjuara kanë qenë LDK–NISMA.

“S’kam dëgjuar për PDK–NISMA, dhe është demantuar prej drejtuesve të PDK-së që ka pasur biseda të tilla, të paktën zyrtarisht. Nuk ka pas biseda as me të Vetëvendosjes, të paktën aq sa është bërë e ditur. Kështu që mbetet LDK–NISMA, pavarësisht që është regjistrua mbrëmë si parti që merr pjesë e vetme në zgjedhje, fare lehtë mundet me ndodh me u bë pjesë e listës së LDK-së dhe me u tërheq prej garës si parti e vetme”, ka deklaruar Mushkolaj në Debat Plus.

Mbyllja e afatit pa asnjë koalicion nga partitë e mëdha sipas analistëve është tregues se ato i kanë kalkuluar dëmet dhe dobitë nga koalicionet e kaluara, por anën tjetër disa koalicione me parti të vogla ose me individë sipas tyre janë bërë pa asnjë përputhje ideologjike ose programore. Sipas tyre ...

Mushkolaj tutje ka thënë se Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) koalicioni me NISMA-n e ka dëmtuar në zgjedhjet e shkurtit.

“Këtë nuk po e themi kështu, por këtë e pranojnë edhe zyrtarët e Aleancës, të paktën në bisedat që i kam pas me ta, por edhe me njerëzit që e votojnë AAK-n. Dhe jo rastësisht z. Haradinaj, kryetar i AAK-së, në njëfarë forme e ka një bindje që mundet me kalu pragun edhe tash që do të konkurrojë i vetëm në zgjedhje, edhe besoj që kjo do të ndodhë”, ka thënë ai.

- YouTube youtu.be

Nisma pa koalicion në zgjedhjet e 28 dhjetorit, analistët e quajnë befasi

1 December 2025 at 20:08


Mbyllja e afatit pa asnjë koalicion nga partitë e mëdha sipas analistëve është tregues se ato i kanë kalkuluar dëmet dhe dobitë nga koalicionet e kaluara, por anën tjetër disa koalicione me parti të vogla ose me individë sipas tyre janë bërë pa asnjë përputhje ideologjike ose programore. Sipas tyre as në listat për deputet, përpos aderimeve ose shumë pak emrave të rinj, nuk pritet të ketë ndryshime substanciale tek asnjë parti politike.

Përpos Lëvizjes Vetëvendosje e cila ka koalicion me Listës GUXO, Alternativën dhe Partinë Shqiptare Demokristiane (PSHDK), partitë tjera të mëdha në zgjedhjet e 28 dhjetorit do të garojnë të vetme, me disa individ ose parti të vogla të cilat janë bërë pjesë e listës për deputetë.

PDK, LDK, AAK e NISMA, si parti politike në zgjedhjet e parakohshme parlamentare llogarisin vetëm në forcat e veta.

Për analistin Muhamet Hajrullahu, fakti se NISMA nuk ka arritur koalicion as me LDK-në e me asnjë parti tjetër, ka qenë befasi.

Të pa natyrshme sipas tij janë edhe koalicionet e Lëvizjes Vetëvendosje me disa parti të vogla, por në anën tjetër edhe bashkimi i Eman Rrahmanit në listën e PDK-së, e Ferid Agani i cili i është bashkuar listës së LDK-së.

“Kjo tregon për mua njëfarë lloj pazari në momentet e fundit pra që nuk janë këto bashkime as me ideologji as bashkime që i lidh shumë njëra me tjetrën, kjo tregon se të gjitha këto subjekte, edhe të voglat, edhe të mëdhatë po tentojnë, ose tentuan që në momentet e fundit të marrin nga pak vota kudo që është e mundshme në Kosovë dhe kjo tregon që ata nuk janë bashkuar për ideologji apo bashkim për interesa nacionale a ku ta di unë por janë interesa të momentit të fundit të cilët mund të përfundojnë ndonjë votë”, ka thënë Muhamet Hajrullahu – analist.

Hajrullahu nuk pret ndryshime në listën për deputet as në këto zgjedhje, ndërsa vlerëson se decentralizimi i të drejtës për të propozuar kandidatët për deputet, në degët nëpër qytete e shpërndanë edhe përgjegjësinë për rezultatet, çfarëdo që janë ato.

Analisti tjetër politik, Bekim Kabashi thotë se partitë politike kanë nxjerrë mësime dhe kanë marrë llogari nga terreni, dhe po tentojnë t’i shmangin bashkëpunimet që nuk i do elektorati dhe strukturat.

Kjo vlen edhe për koalicionet por edhe për listën për deputet.

“Kanë mësu nga gabimet e zgjedhjeve të kaluar, dëmet që i kanë pësu, shembull AAK, është dëmtu nga NISMA sesa që ka përfitu prej saj edhe pse me atë qëllim ka hy në atë koalicion parazgjedhor ngjashëm ka ndodh një problem tjetër me LDK-në, përcaktimi i listës për deputet nga ana e kryetarit, Lumiri edhe pse e ka me statut që ka të drejtë, i ka paraqit problemet e brendshme që nuk kanë qenë të vogla edhe tash ka shku me seanimin e tij problemi që mos me pasë një klimë të tensionume të polirazume brenda subjektit të tij politik dhe ua ka lënë të hapur kryesisë që ta përcaktojë listën”, ka thënë Bekim Kabashi – analist.

Partitë politike kanë afat deri më 7 dhjetor që t’i dorëzojnë në KQZ listat për deputetë me të cilat garojnë në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit./Tv Dukagjini/

- YouTube youtu.be

Ahmeti tregon pse nuk u arrit koalicioni LDK - Nisma

1 December 2025 at 20:05


Gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) vendosi të garojë e vetme në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, duke përfunduar kështu mundësinë e koalicioneve parazgjedhore me parti të tjera.

Sekretari i Përgjithshëm i LDK-së, Imri Ahmeti, tha se Këshilli i Përgjithshëm i ka dhënë kryetarit Lumir Abdixhiku autorizimin për të vazhduar negociatat me parti të tjera për përfshirjen e emrave të mundshëm brenda listës së LDK-së, duke përmendur mundësinë e përfshirjes së Fatmir Limajt.

“Natyrisht që ka pasur negociata, struktura është ajo që ka pasur impaktin më të madh në vendimmarrje. Tani për tani Këshilli i Përgjithshëm i dha autorizim prap kryetarit Abixhiku që të vazhdojë negocimin për hyrje brenda listës për deputetë. Lidhja Demokratike e Kosovës është e vendosur që të shkojë në garë pa koalicione, por brenda listës së Lidhjes Demokratike të Kosovës mund të ketë edhe emra të tjerë".

"Natyrisht që KP i dha autorizim kryetarit që të vazhdojë negociatat, por koalicione nuk do të ketë, sepse ka mbaruar ai afat”, tha Ahmeti pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së.

Ky vendim vjen në një kohë kur partitë politike po finalizojnë listat për zgjedhjet, ndërsa qytetarët presin të njohin ofertën elektorale të secilës parti.

Afati për koalicione parazgjedhore ka përfunduar mbrëmë.

Bisedimet nuk dhanë rezultat për koalicion, Limaj i hyn garës i vetëm për zgjedhjet e 28 dhjetorit

1 December 2025 at 08:24


Nisma Socialdemokrate ka vendosur të garojë e vetme në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 28 dhjetorit, duke i hedhur poshtë të gjitha spekulimet për një bashkëpunim parazgjedhor me subjektet tjera politike.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare të cilat u mbajtën më 9 shkurt, NISMA kishte hyrë në garë në koalicion me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), me të cilin siguruan tri ulëse në Kuvend.

Në këto zgjedhje kryetari i NISMA-s, Fatmir Limaj kishte marrë 25 mijë e 718 vota. Mirëpo pavarësisht bashkimit të forcave në këto zgjedhje, pas shpalljes së rezultateve pati mosmarrëveshje mes Limajt dhe Haradinajt, për shkak që Limaj ishte shprehur i hapur për bashkëpunim me kreun e LVV-së, Albin Kurti.

Madje së fundmi nënkryetari i AAK-së, Daut Haradinaj u shpreh se koalicioni me NISMA-n u shkaktoi dëm.

“Limaj ishte pjesë e koalicionit, njerëzit ndoshta e keqkuptojnë, nuk kemi ne personale as me zotin Kurti, as me Limajn, as me kërkon, por nuk funksionoi ai koalicion. Mendoj që kemi pasur një dëm edhe jemi shumë të interesuam me shku kështu qysh jemi”, tha Haradinaj.

Ndërsa ditëve të fundit ishte përfolur edhe një mundësi e afërt që NISMA të hynte në koalicion me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) për zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Kreu i Nismës, Fatmir Limaj i tha Telegrafit ditë më parë se janë në diskutime me LDK-në për koalicion.

“Jemi në bisedime me LDK-në, sa i përket PDK-së nuk kemi pas ftesë dhe rrjedhimisht nuk ka ndodh asnjë takim”, tha Limaj.

Por një marrëveshje e tillë duket se nuk u konkretizua. Kjo madje u vërtetua nga KQZ, e cila bëri të ditur se Nisma Socialdemokrate ka aplikuar si subjekt i vetëm politik për tu certifikuar për zgjedhjet e dhjetorit.

Nisma pritet të bëjë publike ditëve në vijim listën e plotë të kandidatëve dhe platformën me të cilën synon votën e qytetarëve në zgjedhjet e fundvitit. /Telegrafi/

​Nisma konfirmon pjesëmarrjen në zgjedhjet e 28 dhjetorit

30 November 2025 at 23:42


Deri në orën 23:30 të së dielës, gjithsej 23 subjekte politike, prej të cilave tri koalicione, 17 parti politike, dy iniciativa qytetare dhe një kandidat i pavarur, kanë plotësuar online formularin e certifikimit për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit.

Këtë e ka konfirmuar për KosovaPress zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Në mesin e aplikuesve është edhe Nisma Socialdemokrate, e cila deri pak para afatit ende nuk e kishte dorëzuar formularin.

Afati i fundit për procedurat e subjekteve politike përfundon sonte në orën 23:59.

Koalicionet

Koalicioni “PAI – PDAK – LPB”

– Partia e Ashkalinjëve për Integrim (PAI)

– Partia Demokratike e Ashkanlive të Kosovës (PDAK)

– Lëvizja për Bashkëveprim (LPB)

Koalicioni “Koalicija VAKAT”

– Demokratska Stranka Bošnjaka (DSB)

– Bošnjačka Stranka Kosova (BSK)

– Demokratska Stranka Vatan (DSV)

Koalicioni “Lëvizja VETËVENDOSJE!”

– LVV

– GUXO

– Alternativa

– Partia Shqiptare Demokristiane (PSHDK)

Partitë politike

– LDK

– PDK

– Kosovaki Nevi Romani Partia

– Jedinstvena Goranska Partija

– Za Slobodu Pravdu i Opstanak

– Kosova Demokratik Türk Partisi

– Partia Liberale Egjiptiane

– Partia Rome e Bashkuar e Kosovës

– Socialdemokratska Unija – SDU

– Lista Serbe

– Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës

– Fjala

– Nova Demokratska Stranka – NDS

– Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës (LPRK)

– Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK)

– Kosovski Savez

– Nisma Socialdemokrate

Iniciativat qytetare

– Për Socialdemokratët e Ashkalinjëve

– Iniciativa Qytetare për Kosovë

Kandidati i pavarur

– Nedźmidin Sejdilar

Sipas KQZ-së, deri më 7 dhjetor 2025 të gjitha subjektet politike duhet të dorëzojnë listat e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare./Telegrafi/

LDK–Nisma drejt marrëveshjes? Kica-Xhelili: Vendimi final shumë shpejt

27 November 2025 at 21:19


Mundësia e një koalicioni parazgjedhor ndërmjet Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate po bëhet gjithnjë e më shumë temë diskutimi, teksa zgjedhjet e 28 dhjetorit po afrohen.

Nënkryetarja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, në Debat Plus, konfirmoi se bisedimet me Nismën po zhvillohen, por vendimi përfundimtar ende nuk është marrë.

Sipas saj, LDK-ja ka qenë e hapur për dialog me partitë më të vogla, përfshirë Nismën.

“Ne kemi qenë të hapur që të diskutojmë me partitë me të vogla. Dhe ideja ka qenë që diskutimi me to të jetë një iniciativë e një dialogu më shumë parimor sesa i konfirmuar. Dhe rrjedhimisht të gjitha kompetenca me këto negociata, si kryesi dhe kryesi e ngushtë ia kemi dhënë kryetarit Abdixhiku. Të them të drejtën nuk është se jam involvuar shumë këto ditë. Mirëpo nuk kam ndonjë konfirmim final nëse do të jetë pjesë e listës ose jo. Shumë shpejt do a kuptoni nëse do të jetë pjesë e listë ose jo. Konfirmim final nuk kam për momentin”, ka thënë Kica-Xhelili.

- YouTube youtu.be

Limaj mohon se do të ketë koalicion me PDK-në: Jemi në bisedime me LDK-në

26 November 2025 at 12:37


Këtë javë ka nisur edhe zyrtarisht afati për deklarimin e koalicioneve parazgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 dhjetorit.

Në kuadër të kësaj kanë nisur të qarkullojnë edhe informacione për disa koalicione.

Së fundmi është raportuar se NISMA Socialdemokrate pritet të hyjë në koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës.

Por një gjë të tillë e ka mohuar kryetari i këtij subjekti, Fatmir Limaj. Në një prononcim për Telegrafin, Limaj bëri të ditur se është në diskutime me LDK-në.

“Jemi në bisedime me LDK-në, sa i përket PDK-së nuk kemi pas ftesë dhe rrjedhimisht nuk ka ndodh asnjë takim”, tha Limaj.

Ndryshe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë ditë më parë se janë të hapur që të bashkëpunojnë me Nismën, mirëpo duke e përfshirë Limajn dhe bashkëpartiakët e tij në listë të kandidatëve për deputetë të LDK-së. /Telegrafi/

Limaj: Zgjedhjet të shpallen më 21 dhjetor, aty ku është Nisma do të jetë kryeministri i ardhshëm

20 November 2025 at 12:07


Fatmir Limaj, kryetar i Nismës Socialdemokrate, ka komentuar vendimin e presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës pas dështimit për formimin e qeverisë nga mandatari Glauk Konjufca.

Limaj ka vlerësuar se ky është një lajm i keq për Kosovën.

“Këto forca politike kanë treguar se nuk kanë kapacitet dhe pjekuri politike për të ndërmarrë marrëveshje për të përmbushur vullnetin e qytetarëve”, ka thënë ai.

Sipas Limajt, shpërndarja e parlamentit reflekton paaftësi, papjekuri dhe mungesë njohurish mbi mënyrën se si ndërtohet shteti.

Ai shprehu shpresën që qytetarët, në zgjedhjet e ardhshme, do të kërkojnë llogari nga përgjegjësit kryesorë për mosformimin e institucioneve.

“Megjithatë, përpjekjet që kemi bërë, Kosova po shkon drejt zgjedhjeve të reja”, tha Limaj, duke theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes dhe përgjegjësisë qytetare në procesin zgjedhor.

Ai ka shtuar se Nisma do të shkojë drejt zgjedhjeve, qoftë përmes një koalicioni me alternativë serioze, qoftë edhe vetë.

“Aty ku është Nisma do të jetë kryeministri i ardhshëm i Kosovës. Data më e mirë është 21 dhjetor dhe presim që në këtë datë të shpallen zgjedhjet”, ka thënë Limaj. /Telegrafi/


Partitë në takim te Osmani, shumica preferojnë 21 dhjetorin për mbajtjen e zgjedhjeve

20 November 2025 at 10:54


Tashmë në Presidencën e Kosovës ka nisur takimi i ftuar nga presidentja Vjosa Osmani me partitë parlamentare për të diskutuar për caktimin e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Para fillimit të takimit, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza ka thënë se preferojnë datën 21 dhjetor.

Edhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj tha se për ta datat e preferuara për mbajtjen e zgjedhjeve janë 21 dhjetori ose 11 janari.

Edhe kryetari i Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka thënë se preferojnë datën 21 dhjetor.

Ndërkaq kryetari i LVV-së, Albin Kurti nuk ka treguar se cilën datë preferon për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Ai ka thënë se për këtë po mbahet takimi në Presidencë. /Telegrafi/

Osmani mbledh partitë për caktimin e zgjedhjeve - LVV, LDK dhe Nisma konfirmojnë pjesëmarrjen

19 November 2025 at 23:17


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka ftuar nesër në një takim të përbashkët konsultativ partitë politike parlamentare, ku do të diskutohet për caktimin e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Takimi do të mbahet në orën 10:30, dhe tashmë pranimin e ftesave për këtë takim e kanë konfirmuar pothuajse të gjitha partitë.

Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila tha për Telegrafin se e ka marrë ftesën dhe se do të marr pjesë në takim.

“Po e kam marrë ftesën nga Presidentja dhe do të marrë pjesë në takimin e ftuar”, ka thënë Kusari-Lila.

Në takim nga LDK do të marrë pjesë kryetari i këtij subjekti, Lumir Abixhiku.

“Po na ka ftuar presidentja në takim për caktimin e datës së zgjedhjeve, takimi nis nga ora 10:30 dhe pjesë e tij do të jetë kryetari Abdixhiku”, ka thënë për Telegrafin zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa.

Ndërkaq edhe nga Nisma Socialdemokrate kanë konfirmuar për Telegrafin se do të marrin pjesë.

“Po kemi pranuar ftesën dhe do të marrë pjesë z.Limaj”, ka thënë Albert Maxhuni nga Nisma.

Nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës deri në këto momente nuk u janë përgjigjur pyetjes së Telegrafit nëse do të marrin pjesë në takim.

Ky zhvillim vjen pas seancës së sotme në Kuvend, ku i mandatuari i LVV-së për formimin e Qeverisë, Glauk Konjufca, nuk arriti t’i sigurojë votat e nevojshme për të marrë postin e kryeministrit.

Kjo ishte përpjekja e dytë e Vetëvendosjes për të formuar Qeverinë, pas dështimit të mandatarit të parë, Albin Kurti, më 26 tetor./Telegrafi/

Qeveri Konjufca apo zgjedhje të reja? NISMA tregon nëse ka pasur takim

17 November 2025 at 09:08


Pas emërimit të Glauk Konjufcës si mandatar për formimin e qeverisë nga Presidentja e Kosovës, po afrohet përfundimi i afatit kushtetues prej 15 ditësh për thirrjen e seancës së Kuvendit për votimin e kabinetit të ri qeverisës.

Afati përfundon të mërkurën, ndërsa deri më tani nuk është bërë e ditur nëse do të ftohet një seancë për votimin e qeverisë, gjë që krijon pasiguri mbi të ardhmen e procesit politik.

Situata ka ngjallur reagime nga partitë politike, duke përfshirë NISMA Socialdemokrate.

Albert Maxhuni nga ky subjekt në një prononcim për Telegrafin, ka theksuar se kryetari i kësaj partie Fatmir Limaj, nuk është ftuar në ndonjë takim nga mandatari Glauk Konjufca për të diskutuar rreth formimit të qeverisë.

Ai tha se NISMA ka bërë të qartë qëndrimin e saj që vendi duhet të shkoj në zgjedhje.

"Nuk jemi ftuar, ne e kemi bërë të qartë qëndrimin tonë me kohë: është koha me shku në zgjedhje. Ka pas dakordim edhe në takim me presidenten nga të gjitha subjektet politike shqiptare, përveç LVV-së e cila ka kërkuar kohë, por nuk ka pasur vullnet nga subjektet tjera politike për me pas mandatar të dytë dhe mendoj se nuk është dashur me pas mandatar të dytë fare për shkak se nuk ka shumicë”, tha Maxhuni.

Sa i përket mundësisë së thirrjes së seancës së Kuvendit këto ditë, Maxhuni tha se nuk kanë marrë ende ftesë nga administrata e Kuvendit.

“ Siç e dini, të mërkurën përfundon koha e përcaktuar për seancë, nuk kemi marrë ftesë ende nga administrata e Kuvendit, kështu që mbetet të shihet çfarë do të ndodh këto ditë", u shpreh ai.

Ndryshe, e vetmja parti që tha se është kontaktuar në këtë fazë nga Vetëvendosja, ishte Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, një përpjekje kjo për të koordinuar takime lidhur me votimin e qeverisë.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se ka refuzuar t'i takojë zyrtarët e Vetëvendosjes, sikundër që do të refuzonte edhe nëse do të merrte propozime konkrete për bashkëpunim në qeverisje.

Haradinaj konsideron, se "zgjedhjet e parakohshme janë rrugëdalja e vetme nga ngërçi politik".

Dy partitë e tjera, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), thonë se nuk janë kontaktuar fare nga Vetëvendosja dhe nuk duan të bashkëpunojnë me këtë parti.

Sikundër edhe ato kanë kërkuar që vendi të shkoj në zgjedhje të reja.

Marrë parasysh këto deklarata, procesi politik mbetet i paqartë. Tani mbetet të shihet nëse Kuvendi do të thërrasë seancën e votimit brenda afatit kushtetues, ose nëse vendi do të përballet me zgjedhje të reja. /Telegrafi/

Nisma përkrah Shaqir Totajn për kryetar të Prizrenit

7 November 2025 at 21:09


Në një takim miqësor, Kryetari i Prizrenit dhe kandidati për një mandat të dytë, Shaqir Totaj, u takua me ish-kandidaten për kryetare nga Nisma Socialdemokrate, znj. Albulena Balaj-Halimaj.

Gjatë bashkëbisedimit, Totaj theksoi rëndësinë e bashkëpunimit dhe të përfshirjes së të gjitha energjive pozitive për të ardhmen e qytetit.

“Me znj. Albulena Balaj-Halimaj ndamë të njëjtin qëllim – zhvillimin e Prizrenit. Vlerësoj gatishmërinë e saj për të kontribuar në këtë rrugëtim të përbashkët. Bashkimi i vizioneve dhe i përvojave tona është garanci për një Prizren edhe më të zhvilluar,” – tha Totaj.

Ai shtoi se ky bashkëpunim është dëshmi se përtej dallimeve politike, qëllimi i përbashkët duhet të jetë përparimi i qytetit.

“Kjo është fryma që na udhëheq – bashkimi për punë të mira, për rezultate konkrete dhe për fitoren që i takon qytetarëve tanë më 9 nëntor,” – theksoi Totaj.

Takimi u mbyll me zotimin për të vazhduar bashkëpunimin dhe për të çuar përpara projektet që synojnë mirëqenien e qytetarëve dhe zhvillimin e Prizrenit.

NISMA fton presidenten të mos bëhet pjesë e zvarritjeve politike, pas nominimit të Konjufcës për kryeministër

4 November 2025 at 15:02


NISMA Socialdemokrate Ka reaguar pasi kryeministri në detyrë dhe kryetari i LVV-së, Albin Kurti ka bërë të ditur se pas diskutimeve të zgjeruara dhe të thelluara brenda Lëvizjes, mandati i dytë për krijimin e qeverisë do t’i besohet Glauk Konjufcës.

Në reagimin e Nismës thuhet se vendi ndodhet në një ngërç të paprecedentë institucional si rezultat i mungesës së vullnetit politik për marrëveshje dhe vendimmarrje të përgjegjshme, dhe si pasojë e përpjekjeve të vazhdueshme për zgjatjen e pushtetit pa shumicë parlamentare dhe pa legjitimitet politik.

"Sot është e qartë për të gjithë: Kuvendi i Kosovës nuk ka shumicë. Në takimin e fundit me Presidenten e Republikës, të gjitha partitë politike e kanë shprehur qartë dhe zyrtarisht qëndrimin e tyre: në këtë Kuvend nuk ekziston shumicë parlamentare dhe zgjidhja e vetme mbeten zgjedhjet e reja. Si e tillë, kjo situatë kërkon veprim të qartë dhe të shpejtë institucional", vijon reagimi i Nismës.

Tutje, Nisma thotë se presidentja e Republikës ka detyrim kushtetues të respektojë vullnetin e subjekteve politike, vullnet që tashmë është deponuar zyrtarisht.

"NISMA Socialdemokrate fton Presidenten të mos bëhet pjesë e zvarritjeve politike apo interpretimeve arbitrare që rrezikojnë parimet kushtetuese dhe krijojnë tensione të panevojshme. Roli i Presidentes është të garantojë unitetin kushtetues dhe të sigurojë funksionimin demokratik të shtetit, jo ta shtyjë vendin drejt bllokadës".

/Telegrafi/

Pranohen ankesat e kandidatëve për asamblistë Gentiana Bajrami- Atashi dhe Blerim Krasniqi, prishen vendimet e PZAP-së

27 October 2025 at 15:50


Kolegji i Gjykatës Supreme i ka pranuar ankesat kandidatëve për Asamble Komunale, Gentiana Bajrami Atashi, nga subjekti politik: Lidhja Demokratike e Kosovës, dhe Blerim Krasniqi, nga subjekti politik: Nisma Socialdemokrate, dhe ka prishur vendimet e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa duke kthyer çështjet në PZAP, në rivendosje.

Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se pasi PZAP kishte refuzuar ankesën e parashtruar nga Gentiana Bajrami Atashi, për shkak të mungesës së votave, për Zgjedhjet Lokale në Republikën e Kosovës të mbajtura me datën 12 Tetor 2025, kjo e fundit ka paraqitur ankesë në Gjykatën Supreme, duke kërkuar verifikimin dhe hapjen e kutive të votimit në qendrat ku janë evidentuar mospërputhje.

"Gjykata Supreme e Kosovës, duke u nisur nga gjendja e çështjes nuk e pranoi si të drejtë dhe të ligjshëm qëndrimin e PZAP, lidhur me refuzimin e ankesës së parashtruar nga kandidatja", thuhet në njoftim.

Tutje thuhet se kolegji i Gjykatës Supreme vlerëson se PZAP, me rastin e shqyrtimit të ankesës nuk ka vepruar në pajtim me nenin 117 [Procedurat e PZAP-së] par.4 të Ligjit nr. 08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, ku përcaktohet se: “PZAP-ja mund të urdhëroj rinumërimin e fletëvotimeve në një vendvotim apo qendër votimi si dhe shqyrtimin e materialit votues si pjesë të hetimeve për ankesën e parashtruar”, si dhe nenin 15 [Zhvillimi i Hetimeve të Materialit Zgjedhor] par.3, pika 3.1 të Rregullores 01/2025 për Procedurat e Parashtrimit dhe Vendosjes së Ankesave, ku përcaktohet se: “3. Duke u bazuar në ankesat e paraqitura për shkeljet e supozuara në QNR, QKN, PZAP-i, mund t’i kryej këto hetime: 3.1 hetimi i kutisë së votimit”.

Ngjashëm PZAP kishte refuzuar ankesën e parashtruar nga Blerim Krasniqi, lidhur me parregullsitë gjatë numërimit në Qendrën Komunale të Numërimit për Zgjedhjet Lokale, të mbajtura më datë 12 Tetor 2025. Ky i fundit ka paraqitur ankesë në Gjykatën Supreme, duke kërkuar që e njëjta të miratohet, “bazuar në gjendjen faktike dhe në dispozita ligjore”.

Nga shqyrtimi i shkresave të lëndës, Gjykata Supreme gjeti se PZAP, gabimisht ka vendosur ta refuzojë ankesën e parashtruar, duke argumentuar mes tjerash se “nuk mund të anashkalohet fakti i dëshmive që janë në dosjen e lëndës, sepse në proces zgjedhor dëshmi tjera palët nuk kanë mundësi të sigurojnë, për shkak të pamundësisë së qasjes në Qendrën e Numërimit”.

Kolegji i Gjykatës Supreme konsideron se mes tjerash të metat e evidentuara janë të atij karakteri që e bëjnë të pamundur që Gjykata Supreme të vendos ndryshe, “për faktin se me nenin 117 të LZP-së, është në kompetencë të PZAP-it, që gjatë vendosjes për një ankesë të shqyrtojë dhe hetojë të gjitha dëshmitë relevante, andaj në rastin konkret është dashur që të siguroj dhe hetoj materialin zgjedhor, veçanërisht kutitë e votimit, që nënkupton vërtetimin e dëshmive që paraqesin provë të rëndësishme për të vlerësuar ecurinë e procesit zgjedhor në secilën qendër votimi të pretenduar”.

Në rivendosje, për të dy rastet, PZAP, udhëzohet që të shqyrtojë edhe njëherë pretendimet ankimore të ankuesve, provat e deponuara dhe të procedojë tutje në hetimin e këtyre pretendimeve përkatëse dhe të sigurojë që mos të cenohet integriteti i procesit zgjedhor dhe secila votë të shkojë në destinimin e synuar dhe mos të ketë devijim të vullnetit të qytetarëve. /Telegrafi/

❌
❌