Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 15 January 2026Main stream

Totaj: Kujtesa për gjenocidin dhe Masakrën e Reçakut obligim brezash dhe thirrje për drejtësi

15 January 2026 at 15:01


Me rastin e Ditës së Përkujtimit të Gjenocidit serb ndaj Shqiptarëve në Kosovë, që përkon edhe me përvjetorin e Masakrës së Reçakut të vitit 1999, kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka nderuar martirët e kombit dhe ka bërë thirrje për drejtësi për krimet e kryera gjatë luftës.

Në një postim në Facebook, Totaj ka theksuar se kjo ditë përfaqëson një moment reflektimi të thellë dhe respekti për sakrificën sublime të atyre që dhanë jetën për lirinë e Kosovës.

Ai ka theksuar rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike si obligim institucional dhe kombëtar.

“Kujtesa për këtë tragjedi të madhe kombëtare duhet të përcillet brez pas brezi, si obligim për ta nderuar shtetin tonë, i cili u krijua me sakrifica të mëdha”, ka shkruar Totaj.

Kryetari i Prizrenit ka nënvizuar se përkujtimi i Masakrës së Reçakut dhe gjenocidit të kryer ndaj shqiptarëve në Kosovë është i lidhur ngushtë me aspiratën për drejtësi dhe paqe të qëndrueshme.

“Në Ditën e Përkujtimit të Gjenocidit serb ndaj Shqiptarëve në Kosovë, sot përulemi me dhembje dhe krenari para sakrificës së martirëve të kombit”, ka deklaruar ai.

Në përfundim të mesazhit të tij, Totaj ka shprehur shpresën se drejtësia për krimet e luftës do të vihet sa më parë në vend, duke nderuar të gjithë të rënët për lirinë e atdheut.

“Me shpresën se drejtësia do të vihet sa më parë në vend për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, lavdi e përjetshme të gjithë atyre që dhanë jetën për lirinë e atdheut!”, ka përfunduar Totaj. /Telegrafi/


Shaqir Totaj emëron dy drejtorë të rinj në Komunën e Prizrenit

15 January 2026 at 08:29


Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka njoftuar për emërime të reja në strukturat drejtuese të ekzekutivit komunal.

Përmes një postimi në Facebook, Totaj bëri të ditur se Ajlin Shishko është emëruar në pozitën e Drejtoreshës së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ndërsa Florent Ukaj është emëruar Drejtor i Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor.

“Sot emërova Ajlin Shishkon në pozitën e Drejtoreshës së Kulturës, Rinisë dhe Sportit si dhe Florent Ukajn në pozitën e Drejtorit të Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor”, ka shkruar Totaj.

Ai ka paralajmëruar se procesi i emërimeve do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, me synim kompletimin e plotë të ekzekutivit komunal.

“Nesër vazhdojmë me emërime të tjera, me qëllim të kompletimit të ekzekutivit të Komunës së Prizrenit”, ka shtuar kryetari Totaj. /Telegrafi/


Before yesterdayMain stream

Totaj emëron Samra Ilijazin në pozitën e Drejtoreshë së Inspektorateve në Prizren

13 January 2026 at 09:24


Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka njoftuar se ka emëruar Samra Ilijazin në pozitën e Drejtoreshës së Inspektorateve.

Përmes një postimi në Facebook, Totaj bëri të ditur se ky emërim është pjesë e procesit për kompletimin e ekzekutivit komunal.

“Kam emëruar Samra Ilijazin në pozitën e Drejtoreshës së Inspektorateve, derisa cikli i emërimeve për kompletimin e ekzekutivit pritet të përmbyllet së shpejti”, ka shkruar Totaj.

Ai theksoi se qëllimi i këtij procesi është vazhdimi i punës me angazhim, profesionalizëm dhe përkushtim në realizimin e projekteve dhe obligimeve institucionale për qytetin e Prizrenit.

“Synimi ynë është që të vazhdojmë me angazhim, profesionalizëm dhe përkushtim në realizimin e punëve për Prizrenin”, u shpreh kryetari Totaj.

Sipas tij, kompletimi i strukturës ekzekutive do të krijojë kushtet për një funksionim më efikas të institucioneve komunale në shërbim të qytetarëve. /Telegrafi/


Adem Morina dhe Sencar Karamuço marrin drejtimin e dy drejtorive në Prizren

8 January 2026 at 12:47


Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka njoftuar sot emërimet e dy drejtuesve të rinj në kabinetin komunal.

“Emërova sot Adem Morinën në pozitën e Drejtorit të Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik, ndërsa Sencar Karamuçon Drejtor të Kadastrës dhe Gjeodezisë”, tha kryetari Totaj në postimin e tij në Facebook.

Ai gjithashtu bëri me dije se procesi i emërimeve për kompletimin e ekzekutivit do të përmbyllet së shpejti, duke siguruar vazhdimësinë e punës në interes të qytetarëve.

“Cikli i emërimeve për kompletimin e ekzekutivit pritet të përmbyllet së shpejti, në mënyrë që të vazhdohet me angazhim dhe përkushtim në realizimin e punëve të mira për Prizrenin tonë”, shtoi Totaj.

Ky hap vjen si pjesë e përpjekjeve të komunës për të përforcuar strukturat drejtuese dhe për të garantuar realizimin e projekteve zhvillimore në qytet. /Telegrafi/


Totaj nis emërimet në qeverisjen lokale të Prizrenit, emërohen dy drejtorë

6 January 2026 at 14:07


Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka njoftuar se sot ka nisur cikli i emërimeve për qeverisjen lokale, duke filluar me kabinetin e tij, me të cilin do të vazhdojë punën edhe gjatë këtij mandati.

“Sot, nisëm ciklin e emërimeve për qeverisjen lokale, duke filluar me kabinetin tim, me të cilin do të vazhdoj punën edhe në këtë mandat, me të njëjtin përkushtim dhe përgjegjësi”, ka shkruar Totaj.

Ai bëri të ditur se janë emëruar edhe dy drejtorë komunalë. Sipas tij, Drejtor i Shërbimeve Publike është emëruar Islam Ukaj, ndërsa Drejtoreshë e Arsimit dhe Shkencës është emëruar Luljeta Veselaj Gutaj.

“Po ashtu, janë emëruar edhe dy drejtorë: Drejtor i Shërbimeve Publike është emëruar Islam Ukaj, ndërsa Drejtoreshë e Arsimit dhe Shkencës, Luljeta Veselaj Gutaj”, thuhet më tej në postimin e kryetarit të Prizrenit.

Totaj ka paralajmëruar se procesi i kompletimit të ekzekutivit do të vazhdojë edhe në ditët në vijim me emërime të tjera.

“Në ditët në vijim do të vazhdojmë me kompletimin e ekzekutivit përmes emërimeve të tjera”, u shpreh ai.

Në fund, kryetari Totaj theksoi se qeverisja lokale në Prizren do të vazhdojë edhe në mandatin e dytë me përkushtim ndaj interesit publik dhe mirëqenies së qytetarëve.

“Me përkushtimin tashmë të dëshmuar, do ta vazhdojmë edhe mandatin e dytë të qeverisjes lokale në Komunën e Prizrenit, në shërbim të interesit publik dhe për mirëqenien e qytetarëve”, përfundoi Totaj. /Telegrafi/


Prizreni hap “Dimrin Kulturor” me atmosferë festive dhe shtëpiza druri

12 December 2025 at 11:14


Me muzikë dhe aktivitete festive, mbrëmë në Prizren u shënua hapja e edicionit të ri të “Dimrit Kulturor”, i cili do të ofrojë argëtim dhe kulturë për qytetarët dhe vizitorët deri më 5 janar 2026.

Shtëpizat e drurit, të dekoruara me stil dhe të shoqëruara me ofertat e gastronomëve lokalë, kanë krijuar një destinacion ideal për festat e fundvitit.

Atmosferën festive e përforcon edhe prania e bashkatdhetarëve që rikthehen në qytet për të kaluar festat me familjet e tyre, duke i dhënë Prizrenit energji të ngrohtë dhe dinamizëm të veçantë.

Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, ka ftuar të gjithë qytetarët dhe vizitorët të shijojnë këtë periudhë festive dhe të bashkohen në aktivitete, duke e bërë “Dimrin Kulturor 2026” një përvojë të paharrueshme për të gjithë. /Telegrafi/


Prizreni shpallet “Qyteti Evropian i Sportit 2026”

11 December 2025 at 21:27


Prizreni po rritet dhe zhvillohet çdo vit e më shumë, dhe sot qyteti kulturor i Kosovës u kurorëzua zyrtarisht si “Qyteti Evropian i Sportit 2026”, një titull që sipas autoriteteve qytetare e meriton plotësisht.

Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, tha se viti 2026 do të jetë jashtëzakonisht dinamik dhe atraktiv, veçanërisht për mijëra turistë dhe sportdashës që vizitojnë qytetin.

Në fjalimin e tij në Parlamentin Evropian, Totaj theksoi se Prizreni është një qytet shumëdimensional, i gjallë dhe mikpritës.

Ky titull vjen si rezultat i përkushtimit të qytetit për zhvillim sportiv, promovim të turizmit dhe organizim të ngjarjeve që fuqizojnë imazhin e Prizrenit në nivel ndërkombëtar.

Totaj shprehu krenarinë e tij për qytetin, duke e cilësuar këtë nderim si një arritje të rëndësishme për komunitetin dhe vizitorët./Telegrafi/

Shaqir Totaj betohet për mandatin e dytë si Kryetar i Prizrenit

10 December 2025 at 10:52


Në mbledhjen konstituive të Kuvendit të Komunës së Prizrenit, Kryetari Shaqir Totaj u betua për mandatin e tij të dytë, duke premtuar se do t’i përmbushë detyrat dhe do të ushtrojë kompetencat e tij me nder, besnikëri dhe paanshmëri, me qëllim krijimin e kushteve për një jetë më të qetë dhe më cilësore për të gjithë qytetarët e komunës.

Në fjalën e tij, Totaj falënderoi qytetarët për besimin dhe mbështetjen e dhënë, duke theksuar se angazhimi i tij do të jetë për të gjithë pa dallim, raporton Telegrafi.

“Zotohem se së bashku do ta bëjmë Prizrenin edhe më funksional, edhe më të bukur, ashtu siç e meriton, përmes bashkëpunimit të drejtpërdrejtë me qytetarin”, tha ai.

Në të njëjtën seancë, u betuan edhe asambleistët e rinj, të cilëve Kryetari Totaj u uroi suksese në mandatin e tyre, duke theksuar nevojën për bashkëpunim në proceset që do të përmirësojnë jetën e qytetarëve në të gjithë komunën. /Telegrafi/

Kryetari Totaj pret delegacionin e KfW-së, diskutohet për projekte të ujërave të zeza dhe menaxhimin e mbeturinave

3 December 2025 at 14:25


Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka pritur sot një delegacion nga Banka Gjermane për Zhvillim – KfW, i përbërë nga Georg Grüner, Menaxher i Projekteve për Infrastrukturën Komunale në Kosovë, Uwe Arras, Inxhinier i Lartë, dhe Premtim Islami, Specialist i Infrastrukturës Komunale nga zyra e KfW-së në Prishtinë.

Gjatë takimit u diskutua për koordinimin e projekteve në sektorin e ujërave të zeza dhe për mundësitë e avancimit të shërbimeve infrastrukturore për qytetarët e Prizrenit.

Një nga temat kryesore ishte projekti për rehabilitimin dhe modernizimin e deponisë së mbeturinave në Landovicë, i cili përfshin nxjerrjen e gazit dhe trajtimin e ujërave të ndotura. Projekti aktualisht ndodhet në fazën e dizajnimit.

Kryetari Totaj shprehu mbështetjen e komunës për realizimin e këtyre investimeve, duke theksuar se përmirësimi i shërbimeve publike mbetet prioritet.
“Komuna e Prizrenit do ta vazhdojë mbështetjen për ndërmarrjet publike, me synim krijimin e një mjedisi më të pastër dhe më të shëndetshëm për të gjithë qytetarët”, deklaroi ai. /Telegrafi/


Rrëshqitje dheu në Lubinjë të Poshtme, Komuna e Prizrenit merr masa urgjente

26 November 2025 at 11:31


Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, mbajti sot një takim urgjent me Shtabin Emergjent Komunal lidhur me situatën e krijuar nga rrëshqitja e dheut në fshatin Lubinjë të Poshtme.

Gjatë takimit, u miratuan masat e menjëhershme për garantimin e sigurisë së banorëve të zonës.

"U bëjmë thirrje qytetarëve që t’i ndjekin udhëzimet e ekipeve të emergjencës deri në normalizimin e plotë të situatës", u shpreh Totaj.

Autoritetet komunale po mbajnë situatën nën monitorim dhe sigurojnë ndërhyrje të shpejta nëse nevoja shtohet. /Telegrafi/


Reshje të dendura në Prizren, Komuna vendos të gjitha ekipet në gatishmëri

18 November 2025 at 11:09


Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka njoftuar qytetarët se pas paralajmërimeve të IHMK-së për reshje të dendura shiu dhe rrezik të vërshimeve të shpejta, Komuna ka aktivizuar Shtabin Emergjent.

Shtabi monitoron situatën në kohë reale dhe ka vënë në gatishmëri të gjitha ekipet komunale, zjarrfikësit, shërbimet teknike dhe Njësinë e Mbrojtjes dhe Shpëtimit.

Qytetarëve u bëhet thirrje për kujdes të shtuar, veçanërisht:

të shmangin qarkullimin pranë lumenjve dhe zonave të ulëta;

të raportojnë çdo situatë të rrezikshme;

të ndjekin njoftimet zyrtare dhe rekomandimet e institucioneve.

Kryetari Totaj thekson se ekipet janë në terren dhe në shërbim të qytetarëve, duke apeluar për vëmendje, kujdes dhe solidaritet për tejkalimin e situatës. /Telegrafi/


Nisin punimet për ndërtimin e Tregut të Gjelbër dhe parkingut nëntokësor në Prizren

13 November 2025 at 10:20


Në Prizren kanë filluar punimet për ndërtimin e Tregut të Gjelbër dhe parkingut nëntokësor pranë Gjimnazit “Gjon Buzuku”, një nga projektet e premtuara gjatë fushatës nga kryetari i Komunës, Shaqir Totaj.

Sipas njoftimit të kryetarit Totaj, aktualisht po zhvillohen punime intensive në terren, ku janë duke u vendosur kabllot e energjisë elektrike nëntokë dhe po zëvendësohen gypat e ujësjellësit nga asbesti me gypa të rinj, të cilët plotësojnë standardet moderne të sigurisë, përcjell Telegrafi.

Gjithashtu, po vendoset sistemi i ri i kanalizimit, ndërsa rruga ekzistuese do të shtrohet me kalldrëm për të lehtësuar lëvizjen e qytetarëve dhe për t’i dhënë zonës një pamje më funksionale dhe estetike.

Ky projekt konsiderohet si një nga investimet më të rëndësishme infrastrukturore në qendër të Prizrenit, që pritet të përmirësojë qasjen, higjienën dhe funksionalitetin urban të qytetit. /Telegrafi/


Rezultatet e UBO Consulting - Totaj fiton edhe një mandat në Prizren

9 November 2025 at 19:01


Sipas të dhënave preliminare nga exit poll-i i UBO Consulting, në Prizren, kandidati i PDK-së, Shaqir Totaj ka fituar edhe një mandat tjetër.

Totaj ka marrë rreth 56.8 % të votave.

Kurse kandidati i LVV-së, Artan Abrashi ka marrë 43.2% të votave.

Valon Feka nga UBO Consulting në RTV Dukagjini ka theksuar se margjina e gabimit është 2%.

UBO Consulting thekson se këto janë rezultate preliminare të bazuara në sondazhin e realizuar brenda qendrave të votimit dhe rezultatet zyrtare do të shpallen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. /Telegrafi/

LDK në Prizren fton votuesit e saj të votojnë të dielën për kryetarin Shaqir Totaj

8 November 2025 at 21:00



Në prag të ditës së zgjedhjeve për rundin e dytë në Prizren, Lidhja Demokratike e Kosovës ka bërë thirrje për mobilizim të plotë të strukturave dhe mbështetësve të saj, në përkrahje të kandidatit për kryetar të Prizrenit, Shaqir Totaj, në kuadër të marrëveshjes së bashkëqeverisjes LDK–PDK.

“Nesër është dita vendimtare për ta dëshmuar angazhimin tonë në kuadër të marrëveshjes së bashkëqeverisjes LDK–PDK, dhe për ta mbështetur z. Totaj për kryetar të Prizrenit,” thuhet në njoftimin e LDK-së.

Subjekti ka kërkuar nga të gjitha strukturat që të jenë të pranishme dhe aktive gjatë gjithë ditës së zgjedhjeve.“Ju lusim që gjatë ditës së nesërme të aktivizoheni maksimalisht, të kontaktoni kryesitë e nëndegëve dhe përkrahësit tanë, dhe të sigurohemi që çdo votë e jona të jetë e pranishme dhe e numëruar,” theksohet në njoftim.

Në fund, LDK ka përcjellë një mesazh të qartë për unitet dhe bashkëpunim:“Ky është momenti për angazhim dhe për fitore të përbashkët. Fitore✌️”

Totaj mesazh falënderimi qytetarëve të Prizrenit, kërkon besimin edhe për një mandat

8 November 2025 at 19:27


Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, u është drejtuar qytetarëve me një video-mesazh falënderimi në prag të hapjes së kutive të votimit, duke shprehur mirënjohjen e tij për përkrahjen e treguar gjatë gjithë fushatës dhe në rundin e parë të zgjedhjeve.

“Të dashur qytetarë, tani kur po afrohet momenti i hapjes së kutive të votimit, po ju drejtohem me këtë video-mesazh falënderimi për secilën derë të ngrohtë që më keni hapur, çdo dorë të shtrënguar dhe për besimin në rundin e parë,” ka thënë Totaj.

Ai ka theksuar se gara ende nuk ka përfunduar dhe ka bërë thirrje për pjesëmarrje masive në votim më 9 nëntor.

“Por gara ende s’ka përfunduar, prandaj ju ftoj të gjithëve pa dallim që të dalim edhe njëherë të dielën masovisht për të votuar për një Prizren që punon 24 orë, që zhvillohet dhe që nuk kthehet prapa,” ka shtuar ai. N

ë fund të mesazhit, Kryetari Totaj ka falënderuar edhe njëherë qytetarët për besimin e dhënë, duke uruar që procesi zgjedhor të përmbyllet me sukses. “Ju faleminderit dhe na priftë e mbara!” ka përfunduar ai.


Nisma përkrah Shaqir Totajn për kryetar të Prizrenit

7 November 2025 at 21:09


Në një takim miqësor, Kryetari i Prizrenit dhe kandidati për një mandat të dytë, Shaqir Totaj, u takua me ish-kandidaten për kryetare nga Nisma Socialdemokrate, znj. Albulena Balaj-Halimaj.

Gjatë bashkëbisedimit, Totaj theksoi rëndësinë e bashkëpunimit dhe të përfshirjes së të gjitha energjive pozitive për të ardhmen e qytetit.

“Me znj. Albulena Balaj-Halimaj ndamë të njëjtin qëllim – zhvillimin e Prizrenit. Vlerësoj gatishmërinë e saj për të kontribuar në këtë rrugëtim të përbashkët. Bashkimi i vizioneve dhe i përvojave tona është garanci për një Prizren edhe më të zhvilluar,” – tha Totaj.

Ai shtoi se ky bashkëpunim është dëshmi se përtej dallimeve politike, qëllimi i përbashkët duhet të jetë përparimi i qytetit.

“Kjo është fryma që na udhëheq – bashkimi për punë të mira, për rezultate konkrete dhe për fitoren që i takon qytetarëve tanë më 9 nëntor,” – theksoi Totaj.

Takimi u mbyll me zotimin për të vazhduar bashkëpunimin dhe për të çuar përpara projektet që synojnë mirëqenien e qytetarëve dhe zhvillimin e Prizrenit.

Totaj: Hasjanët dhe furraxhitë janë krenaria e Prizrenit – me punë dhe dinjitet do t’i japim përgjigjen më të mirë

5 November 2025 at 22:07


Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka reaguar pas një deklarate përçmuese që, sipas tij, është bërë nga një ish-partner koalicioni, duke vlerësuar se fyerje të tilla ndaj traditave të ndershme punëtore janë në kundërshtim me shpirtin e qytetit të Prizrenit.

“E dëgjova një ish-partner tonin të koalicionit, edhe në mënyrë përqeshëse, me tallje, me hajgare, thotë: ‘Ky është hasjan, furraxhi e ka pasë babën...’ — njëfarë lloj nënçmimi. Mirëpo, ne këtu shumica absolute jemi furraxhi, edhe janë shumë të tjerë që janë furraxhi.

Ajo është një traditë e jona familjare, regjionale, ajo traditë neve na ka bë të suksesshëm në biznes,” ka deklaruar Totaj.

Ai shtoi se puna, përkushtimi dhe vlerat që përfaqësojnë hasjanët dhe furraxhitë janë themeli i zhvillimit të Prizrenit.

“Prandaj konsideroj se me votë do t’i japim përgjigjen ma të mirë të mundshme, që furraxhitë edhe hasjanët, përveç që dinë me punu, dinë me fitu vet, dinë me mbajtë vet familjen edhe veten, dinë edhe politikisht me u organizu, edhe dinë me identifiku se cilët duhen me udhëheqë këtë qytet edhe katër vitet e ardhshme,” tha Totaj.

Në fund, ai theksoi se fushata e tij do të vazhdojë të bazohet në punë konkrete, respekt dhe unitet qytetar, jo në ndasi apo fyerje.

Totaj në debat: Për Prizrenin kemi mendësi zhvillimi, jo bllokimi

4 November 2025 at 22:15


Kryetari aktual i Prizrenit dhe kandidati për një mandat të dytë, Shaqir Totaj, në debatin e sontëm të balotazhit tha se investimet që janë bërë në përmirësimin e jetës së qytetarëve tregojnë një mendësi zhvillimore dhe jo bllokuese apo hetuese.

Ai reagoi ndaj deklaratave të kundërkandidatit Artan Abrashi, duke thënë se ka përpjekje nga ana e tij për t’i përvetësuar projektet dhe punët e realizuara nga qeverisja komunale.

“Është një tentim interesant për me i përvetësu projektet që i ka kry qeverisja komunale. Kjo tregon mendësinë e Lëvizjes Vetëvendosje që mohon çdo gjë, nuk njeh asnjë rezultat e tenton me kriju mjegull dhe huti”, tha Totaj.

Sipas tij, rezultatet e raundit të parë kanë treguar se qytetarët dinë të vlerësojnë punën e bërë dhe se në raundin e dytë kjo do të konfirmohet sërish.

Totaj theksoi se qeverisja e mirë do të vazhdojë me përmbushjen e premtimeve të reja dhe të projekteve që nuk kanë përfunduar ende.

Totaj: Vlerat që unë i përfaqësoj mundësojnë zhvillim për Prizrenin edhe 4 vjet

4 November 2025 at 20:47


Kryetari aktual i Prizrenit dhe kandidati për një mandat të dytë, Shaqir Totaj, në debatin e sotëm të balotazhit tha se qytetarët duhet t’i japin edhe një mandat për ta çuar përpara punën e nisur.

Totaj theksoi se qeverisja e tij ka pasur performancë të lartë dhe është vlerësuar pozitivisht edhe nga raportet ndërkombëtare për transparencë.

Ai përmendi se Komuna e Prizrenit ka fituar edhe “Grantin e Performancës” si dëshmi e menaxhimit të mirë institucional.

“Sistemi i vlerave që unë përfaqësoj mundëson zhvillim, ka frymë ekipore dhe bashkëpunim pa dallime politike apo komunitare. Kjo qasje është bazë e fortë për të vazhduar në mandatin e ardhshëm”, tha Totaj.

Duke folur për prioritetet e katër viteve të ardhshme, ai përmendi adresimin e çështjes së parkingjeve, furnizimin e qëndrueshëm me ujë, ngritjen e ngrohtores së qytetit dhe ndërtimin e një kolektori të dytë të ujërave të zeza.

Totaj mirëpret deputetin Veton Berisha në Prizren për bashkëpunim në projekte zhvillimore

4 November 2025 at 17:57


Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka zhvilluar një takim miqësor me deputetin dhe kryetarin e Partisë Liberale Egjiptiane të Kosovës, Veton Berisha.

Takimi u zhvillua në një atmosferë bashkëpunuese dhe u fokusua në mundësitë për angazhim të përbashkët në projekte që synojnë zhvillimin e komunës dhe përmirësimin e mirëqenies së komuniteteve.

“Patëm një bisedë shumë të këndshme me deputetin Veton Berisha, ku diskutuam për mundësitë e bashkëpunimit dhe angazhimet e përbashkëta që na presin në të ardhmen,” tha Kryetari Totaj.

Ai theksoi se Komuna e Prizrenit është e hapur për bashkëpunim me të gjitha subjektet politike dhe përfaqësuesit e komuniteteve, me qëllim ndërtimin e një qyteti gjithëpërfshirës dhe të barabartë për të gjithë.

“Prizreni është qytet i diversitetit, dhe ne do të vazhdojmë të punojmë që çdo komunitet të ndihet i përfaqësuar dhe i respektuar,” shtoi Totaj.

Në përfundim të takimit, të dy palët u shprehën të gatshëm për të konkretizuar idetë e diskutuara në projekte që sjellin përfitime të ndërsjella për qytetarët e Prizrenit.

❌
❌