Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Limaj: Secili qytetar ka mundësinë që përmes votës t’i japë shpresë dhe perspektivë Kosovës

28 December 2025 at 14:38


Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka bërë thirrje për pjesëmarrje sa më të gjerë të qytetarëve në Zgjedhjet Parlamentare, duke theksuar rëndësinë e votës për të ardhmen e vendit.

Pas përfundimit të votimit të tij, Limaj deklaroi se dita e sotme përfaqëson një moment kyç për forcimin e institucioneve dhe funksionalitetin e shtetit.

Ai vlerësoi se vendimi i qytetarëve nëpërmjet votës është përcaktues për drejtimin zhvillimor të Kosovës.

“Sot, secili qytetar ka mundësinë që përmes votës së lirë t’i japë shpresë dhe perspektivë zhvillimit të shtetit të Kosovës”, u shpreh Limaj.

Deri në ora 13:00, 11.07 për qind e qytetarëve kanë ushtruar të drejtën për të votuar. /Telegrafi/

Nisma publikon listën me 110 kandidatë për deputetë - Fatmir Limaj bartës i saj

8 December 2025 at 07:35


Nisma publikon listën me 110 kandidatë për deputetë – Fatmir Limaj bartës liste

Nisma Socialdemokrate ka dorëzuar zyrtarisht në KQZ listën me 110 kandidatë për deputetë për zgjedhjet e jashtëzakonshme për Kuvendin e Kosovës, duke u rreshtuar në mesin e subjekteve me listë të plotë zgjedhore.

Listën e udhëheq lideri i partisë, Fatmir Limaj, i cili mban edhe numrin tij.

Pas tij, renditen: Xhevahire Izmaku, Arbëreshë Krasniqi, Mevludin Krasniqi, Endrit Shala, Albullena Balaj Halimaj dhe shumë emra të tjerë të njohur të partisë.

“Lista e kandidatëve për deputetë të NISMA, bashkë drejt fitores!”, ka shkruar Limaj në Facebook.

Lista përfshin kandidatë nga të gjitha rajonet e vendit, figura të njohura të Nismës dhe emra të rinj që synojnë të jenë pjesë e legjislaturës së re.

Sipas listës së publikuar nga vetë subjekti politik, lista kompletohet me emrin Endrit Zabrëgja me numrin 110-të.

Në total, për legjislaturën e re janë dorëzuar 1,181 kandidatë nga të gjitha subjektet politike dhe kandidatët e pavarur. /Telegrafi/

Limaj: Nisma garon e vetme në zgjedhje, bashkimi me PDK-në do të bëhet në Kuvend

7 December 2025 at 21:52


Kryetari i Nismës Socialdemokrate të Kosovës ka konfirmuar sot se partia e tij do të marrë pjesë në zgjedhjet e 28 dhjetorit me një listë prej 110 kandidatëve për deputetë.

Në një konferencë për media, ai tha se përkundër përpjekjeve të shumta për bashkim politik me PDK-në, ky proces nuk ka arritur të finalizohet.

“Siç u kam premtuar qindra bashkëpunëtorëve, ne do të përpiqemi deri në sekondat e fundit për të ofruar një mundësi bashkimi që jep shpresë për ndryshime. Fatkeqësisht, ai bashkim që e keni pritur qytetarë, dhe që ne e kemi ofruar pa kushte, nuk ka ndodhur. Shkaku tani më dihet”, deklaroi Limaj.

Ai theksoi se procesit të bashkimit do t’i kthehen “nga baza”.

Limaj tha se bashkimi politik me PDK-në do të konkretizohet në Kuvendin e Kosovës, përmes bashkimit të grupeve parlamentare.

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, tha se nëse partia e tij e kalon pragun, e për të cilin është i bindur se do të ndodhë, atëherë në Parlamentin e Kosovës do të arrihet bashkimi me grupin parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës.

“Askush nuk na ndal bashkimin në Parlament”, ka thënë Limaj./Telegrafi/

"Ndihem rehat në logon e tyre", Limaj i gatshëm për bashkim pa kushte me PDK-në

4 December 2025 at 22:26


Kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka folur për zgjedhjet e 28 dhjetorit dhe mundësinë e një bashkimi me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), duke theksuar se koha nuk është pengesë, por se gjithçka varet nga vullneti politik.

Limaj tha se ka kërkesa nga elektorati që Nisma të bashkohet me PDK-në.

“Mërgimtarë, por edhe zyrtarë të PDK-së kanë kërkuar që të ndodhë bashkimi. Nga deputetë me përvojë dhe drejtues të luftës është kërkuar nga unë që të bashkohem me PDK-në. Unë nuk kam dashur të injoroj kërkesën e tyre dhe kam shprehur gatishmërinë time”, u shpreh ai.

Ai shtoi se, ndryshe nga raporti me LDK-në, te PDK-ja nuk ka pasur as hezitim e as kushte.

“Te LDK-ja kam hezituar për çështjen e siglës, ndërsa te PDK-ja nuk kam pasur asnjë hezitim. Kemi shprehur gatishmërinë e plotë për të qenë në një listë të përbashkët, sepse unë ndihem rehat nën siglën e PDK-së dhe kemi qenë të gatshëm të bashkohemi pa kushte.”

Limaj theksoi se ka qenë dhe mbetet i gatshëm për një bashkim me PDK-në.

“Për Koalicion LDK-Nisma duhet kohë. Mendoj se për të ndërtuar diçka të përbashkët mes meje dhe PDK-së mjafton një minutë. Kur ka vullnet, duhet vetëm një minutë”, deklaroi ai.

Ndërkohë, kreu i PDK-së, Bedri Hamza, ka deklaruar se për një bashkim me Nismën e Fatmir Limajt nevojitet një kohë më e gjatë dhe një proces zgjedhor i ndryshëm./Telegrafi/

- YouTube youtu.be

Nisma e vetme në zgjedhje, Limaj tregon pse “u prish” koalicioni parazgjedhor me LDK-në

4 December 2025 at 21:01


Kreu i Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka dhënë arsyet e dështimit të një koalicioni parazgjedhor me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Limaj ka thënë se elektoratet e ndryshme të të dy subjekteve politike dhe koha e shkurtër deri në zgjedhje kanë qenë dy nga arsyet kryesore për një mungesë të bashkëpunimit mes NISMA-s e LDK-së.

“Kemi pasur diskutime dhe komunikime të vazhdueshme me Abdixhikun, e kam vlerësuar mënyrën e të menduarit të tij dhe më bën përshtypje mënyra e tij të menduarit. NISMA dhe LDK ka dy elektorate të ndryshme, është kohë e ndryshme, dhe nuk mund të thyejmë barriera të së kaluarës, tani për tani është e pamjaftueshme. Kam qenë i interesuar të jem shumë i ndershëm me ta, kam pasur dyshime se nuk do të mund të jap kontribut në atë koalicion për shak të lëvizjes së elektoratit. Do të gjejmë rrugë të bashkëpunimit paszgjedhor, i vlerësoj ato takime dhe angazhimet e Abdixhikut”, ka thënë Limaj në Debat Plus.

Limaj bëri të ditur se NISMA do të garojë e vetme në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

“Natyrisht partia është e regjistruar. Gjithmonë ka hapësirë, por opsioni i jonë i fundit ka qenë të për shkuar vetëm. Gjithmonë ka hapësirë. Por jemi regjistruar dhe shkojmë vetë në zgjedhje, si opsion i fundit i ynë”, ka thënë Limaj.

Limaj ripërsëriti gatishmërinë për të bashkëpunuar me të gjitha subjektet politike që kërkojnë pjesëmarrjen e tij në çështje që ndikojnë në interesin e përgjithshëm të Kosovës.

“Vazhdoj të mbajt të njëjtin qëndrim. Me interesa e shtetit. Kurdo që më ftojnë, të gjitha këta (LVV, PDK, LDK…) që i përmende, e harrove edhe Ramushin. Kushdo që më fton dhe që ka diçka më thënë për temat nacionale. Dhe kanë interes për ta dëgjuar mendim tim ose mendojnë që duhet të ketë ftesë gjithmonë jam i gatshëm.”, ka thënë Limaj.

- YouTube youtu.be

“Sinjal i keq, e dëmtoi unitetin opozitar”, Haradinaj për Limajn dhe tentim marrëveshjen me LVV-në

1 December 2025 at 22:22


Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka folur për ish-partnerin e koalicionit Fatmir Limaj.

Haradinaj tha se Limaj dha një sinjal i keq, por në fund nuk rezultoi i dëmshëm sepse bashkëpunimi me Vetëvendosjen nuk ndodhi.

“Në fillim u pa si e keqe, por nuk rezultoi e dëmshme sepse nuk ndodhi një bashkëpunim VV-NISMA, por u pa sinjal i keq sepse e dëmtoi unitetin opozitar, por nuk rezultoi me marrëveshje”, ka thënë Haradinaj.

Nisma pa koalicion në zgjedhjet e 28 dhjetorit, analistët e quajnë befasi

1 December 2025 at 20:08


Mbyllja e afatit pa asnjë koalicion nga partitë e mëdha sipas analistëve është tregues se ato i kanë kalkuluar dëmet dhe dobitë nga koalicionet e kaluara, por anën tjetër disa koalicione me parti të vogla ose me individë sipas tyre janë bërë pa asnjë përputhje ideologjike ose programore. Sipas tyre as në listat për deputet, përpos aderimeve ose shumë pak emrave të rinj, nuk pritet të ketë ndryshime substanciale tek asnjë parti politike.

Përpos Lëvizjes Vetëvendosje e cila ka koalicion me Listës GUXO, Alternativën dhe Partinë Shqiptare Demokristiane (PSHDK), partitë tjera të mëdha në zgjedhjet e 28 dhjetorit do të garojnë të vetme, me disa individ ose parti të vogla të cilat janë bërë pjesë e listës për deputetë.

PDK, LDK, AAK e NISMA, si parti politike në zgjedhjet e parakohshme parlamentare llogarisin vetëm në forcat e veta.

Për analistin Muhamet Hajrullahu, fakti se NISMA nuk ka arritur koalicion as me LDK-në e me asnjë parti tjetër, ka qenë befasi.

Të pa natyrshme sipas tij janë edhe koalicionet e Lëvizjes Vetëvendosje me disa parti të vogla, por në anën tjetër edhe bashkimi i Eman Rrahmanit në listën e PDK-së, e Ferid Agani i cili i është bashkuar listës së LDK-së.

“Kjo tregon për mua njëfarë lloj pazari në momentet e fundit pra që nuk janë këto bashkime as me ideologji as bashkime që i lidh shumë njëra me tjetrën, kjo tregon se të gjitha këto subjekte, edhe të voglat, edhe të mëdhatë po tentojnë, ose tentuan që në momentet e fundit të marrin nga pak vota kudo që është e mundshme në Kosovë dhe kjo tregon që ata nuk janë bashkuar për ideologji apo bashkim për interesa nacionale a ku ta di unë por janë interesa të momentit të fundit të cilët mund të përfundojnë ndonjë votë”, ka thënë Muhamet Hajrullahu – analist.

Hajrullahu nuk pret ndryshime në listën për deputet as në këto zgjedhje, ndërsa vlerëson se decentralizimi i të drejtës për të propozuar kandidatët për deputet, në degët nëpër qytete e shpërndanë edhe përgjegjësinë për rezultatet, çfarëdo që janë ato.

Analisti tjetër politik, Bekim Kabashi thotë se partitë politike kanë nxjerrë mësime dhe kanë marrë llogari nga terreni, dhe po tentojnë t’i shmangin bashkëpunimet që nuk i do elektorati dhe strukturat.

Kjo vlen edhe për koalicionet por edhe për listën për deputet.

“Kanë mësu nga gabimet e zgjedhjeve të kaluar, dëmet që i kanë pësu, shembull AAK, është dëmtu nga NISMA sesa që ka përfitu prej saj edhe pse me atë qëllim ka hy në atë koalicion parazgjedhor ngjashëm ka ndodh një problem tjetër me LDK-në, përcaktimi i listës për deputet nga ana e kryetarit, Lumiri edhe pse e ka me statut që ka të drejtë, i ka paraqit problemet e brendshme që nuk kanë qenë të vogla edhe tash ka shku me seanimin e tij problemi që mos me pasë një klimë të tensionume të polirazume brenda subjektit të tij politik dhe ua ka lënë të hapur kryesisë që ta përcaktojë listën”, ka thënë Bekim Kabashi – analist.

Partitë politike kanë afat deri më 7 dhjetor që t’i dorëzojnë në KQZ listat për deputetë me të cilat garojnë në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit./Tv Dukagjini/

- YouTube youtu.be

Ahmeti tregon pse nuk u arrit koalicioni LDK - Nisma

1 December 2025 at 20:05


Gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) vendosi të garojë e vetme në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, duke përfunduar kështu mundësinë e koalicioneve parazgjedhore me parti të tjera.

Sekretari i Përgjithshëm i LDK-së, Imri Ahmeti, tha se Këshilli i Përgjithshëm i ka dhënë kryetarit Lumir Abdixhiku autorizimin për të vazhduar negociatat me parti të tjera për përfshirjen e emrave të mundshëm brenda listës së LDK-së, duke përmendur mundësinë e përfshirjes së Fatmir Limajt.

“Natyrisht që ka pasur negociata, struktura është ajo që ka pasur impaktin më të madh në vendimmarrje. Tani për tani Këshilli i Përgjithshëm i dha autorizim prap kryetarit Abixhiku që të vazhdojë negocimin për hyrje brenda listës për deputetë. Lidhja Demokratike e Kosovës është e vendosur që të shkojë në garë pa koalicione, por brenda listës së Lidhjes Demokratike të Kosovës mund të ketë edhe emra të tjerë".

"Natyrisht që KP i dha autorizim kryetarit që të vazhdojë negociatat, por koalicione nuk do të ketë, sepse ka mbaruar ai afat”, tha Ahmeti pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së.

Ky vendim vjen në një kohë kur partitë politike po finalizojnë listat për zgjedhjet, ndërsa qytetarët presin të njohin ofertën elektorale të secilës parti.

Afati për koalicione parazgjedhore ka përfunduar mbrëmë.

Bisedimet nuk dhanë rezultat për koalicion, Limaj i hyn garës i vetëm për zgjedhjet e 28 dhjetorit

1 December 2025 at 08:24


Nisma Socialdemokrate ka vendosur të garojë e vetme në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 28 dhjetorit, duke i hedhur poshtë të gjitha spekulimet për një bashkëpunim parazgjedhor me subjektet tjera politike.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare të cilat u mbajtën më 9 shkurt, NISMA kishte hyrë në garë në koalicion me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), me të cilin siguruan tri ulëse në Kuvend.

Në këto zgjedhje kryetari i NISMA-s, Fatmir Limaj kishte marrë 25 mijë e 718 vota. Mirëpo pavarësisht bashkimit të forcave në këto zgjedhje, pas shpalljes së rezultateve pati mosmarrëveshje mes Limajt dhe Haradinajt, për shkak që Limaj ishte shprehur i hapur për bashkëpunim me kreun e LVV-së, Albin Kurti.

Madje së fundmi nënkryetari i AAK-së, Daut Haradinaj u shpreh se koalicioni me NISMA-n u shkaktoi dëm.

“Limaj ishte pjesë e koalicionit, njerëzit ndoshta e keqkuptojnë, nuk kemi ne personale as me zotin Kurti, as me Limajn, as me kërkon, por nuk funksionoi ai koalicion. Mendoj që kemi pasur një dëm edhe jemi shumë të interesuam me shku kështu qysh jemi”, tha Haradinaj.

Ndërsa ditëve të fundit ishte përfolur edhe një mundësi e afërt që NISMA të hynte në koalicion me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) për zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Kreu i Nismës, Fatmir Limaj i tha Telegrafit ditë më parë se janë në diskutime me LDK-në për koalicion.

“Jemi në bisedime me LDK-në, sa i përket PDK-së nuk kemi pas ftesë dhe rrjedhimisht nuk ka ndodh asnjë takim”, tha Limaj.

Por një marrëveshje e tillë duket se nuk u konkretizua. Kjo madje u vërtetua nga KQZ, e cila bëri të ditur se Nisma Socialdemokrate ka aplikuar si subjekt i vetëm politik për tu certifikuar për zgjedhjet e dhjetorit.

Nisma pritet të bëjë publike ditëve në vijim listën e plotë të kandidatëve dhe platformën me të cilën synon votën e qytetarëve në zgjedhjet e fundvitit. /Telegrafi/

​Nisma konfirmon pjesëmarrjen në zgjedhjet e 28 dhjetorit

30 November 2025 at 23:42


Deri në orën 23:30 të së dielës, gjithsej 23 subjekte politike, prej të cilave tri koalicione, 17 parti politike, dy iniciativa qytetare dhe një kandidat i pavarur, kanë plotësuar online formularin e certifikimit për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit.

Këtë e ka konfirmuar për KosovaPress zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Në mesin e aplikuesve është edhe Nisma Socialdemokrate, e cila deri pak para afatit ende nuk e kishte dorëzuar formularin.

Afati i fundit për procedurat e subjekteve politike përfundon sonte në orën 23:59.

Koalicionet

Koalicioni “PAI – PDAK – LPB”

– Partia e Ashkalinjëve për Integrim (PAI)

– Partia Demokratike e Ashkanlive të Kosovës (PDAK)

– Lëvizja për Bashkëveprim (LPB)

Koalicioni “Koalicija VAKAT”

– Demokratska Stranka Bošnjaka (DSB)

– Bošnjačka Stranka Kosova (BSK)

– Demokratska Stranka Vatan (DSV)

Koalicioni “Lëvizja VETËVENDOSJE!”

– LVV

– GUXO

– Alternativa

– Partia Shqiptare Demokristiane (PSHDK)

Partitë politike

– LDK

– PDK

– Kosovaki Nevi Romani Partia

– Jedinstvena Goranska Partija

– Za Slobodu Pravdu i Opstanak

– Kosova Demokratik Türk Partisi

– Partia Liberale Egjiptiane

– Partia Rome e Bashkuar e Kosovës

– Socialdemokratska Unija – SDU

– Lista Serbe

– Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës

– Fjala

– Nova Demokratska Stranka – NDS

– Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës (LPRK)

– Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK)

– Kosovski Savez

– Nisma Socialdemokrate

Iniciativat qytetare

– Për Socialdemokratët e Ashkalinjëve

– Iniciativa Qytetare për Kosovë

Kandidati i pavarur

– Nedźmidin Sejdilar

Sipas KQZ-së, deri më 7 dhjetor 2025 të gjitha subjektet politike duhet të dorëzojnë listat e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare./Telegrafi/

Limaj kujton procesin në Hagë: Ishte i gjatë dhe sfidues, akuzat ndaj UÇK-së vazhdojnë

30 November 2025 at 10:14


Sot shënohen 20 vjet nga aktgjykimi lirues i ish-luftëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Fatmir Limaj, nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës.

Në një mesazh për këtë përvjetor, Limaj thekson rëndësinë e drejtësisë ndërkombëtare dhe mbështetjen e popullit gjatë procesit.

“Ballafaqimi ynë gjyqësor në Hagë ishte i gjatë dhe sfidues. Në atë kohë Kosova nuk ishte shtet dhe ne ishim pa asnjë përkujdesje institucionale, pa mbrojtje të organizuar, ashtu siç do të duhej ta kishim në një proces të tillë gjyqësor”, ka shkruar Limaj.

Limaj kujton se aktakuza e tij dhe e bashkëluftëtarëve, Isakut dhe Haredinit, ishte e para ndaj pjesëtarëve të UÇK-së dhe sfidoi për herë të parë e vërteta e luftës çlirimtare në nivelet e drejtësisë ndërkombëtare:

“Edhe ne si individë, edhe e vërteta e luftës sonë çlirimtare, për herë të parë po sfidoheshin në nivelet e drejtësisë ndërkombëtare në Hagë. Në gjithë këtë proces e kishim të vërtetën e UÇK-së dhe mbështetjen e popullit”, u shpreh Limaj.

Ai shpreh shqetësim për sfidat që vazhdojnë edhe sot ndaj UÇK-së dhe thekson nevojën për mbrojtjen e historisë së luftës.

“Akuzat, shpifjet dhe fabrikimet kundër UÇK-së nuk kanë të ndalur edhe pas 20 viteve. Unë jam i bindur që bashkëluftëtarët tanë së shpejti do të kthehen të lirë në Kosovë. Po ashtu, është trishtuese kur sheh tani që Kosova, edhe pse është shtet, po bën fare pak në mbrojtje të historisë dhe së vërtetës së vet, mbi të cilën është ndërtuar ky shtet”, ka shkruar Limaj.

Limaj përfundon mesazhin me një nderim të veçantë për luftën çlirimtare dhe dëshmorët.

“Përjetësisht krenar me luftën tonë çlirimtare; ajo nuk mund të njolloset; ajo është e pastër si loti. Rroftë UÇK-ja! Lavdi dëshmorëve të kombit!”, ka theksuar ai. /Telegrafi/


Nga akuzat te pafajësia - 20 vite nga lirimi i Fatmir Limajt nga Tribunali i Hagës

30 November 2025 at 08:17


Më 30 nëntor 2005, Gjykata e Hagës e shpalli të pafajshëm ish-luftëtarin e UÇK-së, Fatmir Limaj - Çeliku, nga akuzat për krime lufte.

Njëri ndër komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga një proces gjyqësor i gjatë një vit, ishte shpallur i pafajshëm për aktakuzat e ngritura ndaj tij.

Fatmir Limaj aso kohe deputet në legjislacionin e parë të Kuvendit të Kosovës dhe shef i Grupit Parlamentar të PDK-së, u arrestua nga Tribunali i Hagës në shkurt 2003 nën akuzat për krime lufte.

Me 1 dhjetor 2005, Fatmir Limaj arrin në Aeroportin e Prishtinës ku aty ishte pritur nga liderë të lartë politikë.

Në pritje të tij kishin dalë të gjithë bashkë komandantët e UÇK-së, si Hashim Thaçi, Fatmir Limaj, Azem Syla, Sylejman Selimi, Jakupi Krasniqi, Rexhep Selimi, Ramë Buja dhe Agim Çeku, raporton KosovaPress.

Në pritje të tij kishin dalë edhe mijëra qytetarë për të festuar, për atë që ata e kanë quajtur fitore të drejtësisë ndërkombëtare dhe luftës së pastër të UÇK-së. /kp/

Limaj mohon se do të ketë koalicion me PDK-në: Jemi në bisedime me LDK-në

26 November 2025 at 12:37


Këtë javë ka nisur edhe zyrtarisht afati për deklarimin e koalicioneve parazgjedhore për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 dhjetorit.

Në kuadër të kësaj kanë nisur të qarkullojnë edhe informacione për disa koalicione.

Së fundmi është raportuar se NISMA Socialdemokrate pritet të hyjë në koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës.

Por një gjë të tillë e ka mohuar kryetari i këtij subjekti, Fatmir Limaj. Në një prononcim për Telegrafin, Limaj bëri të ditur se është në diskutime me LDK-në.

“Jemi në bisedime me LDK-në, sa i përket PDK-së nuk kemi pas ftesë dhe rrjedhimisht nuk ka ndodh asnjë takim”, tha Limaj.

Ndryshe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë ditë më parë se janë të hapur që të bashkëpunojnë me Nismën, mirëpo duke e përfshirë Limajn dhe bashkëpartiakët e tij në listë të kandidatëve për deputetë të LDK-së. /Telegrafi/

Abdixhiku ftoi Limajn dhe të tjerë në koalicion, ish-deputeti i LDK-së: Ku mbeti djathtizmi e idealet, vendit i duhet një forcë politike e djathtizmit kombëtar

25 November 2025 at 08:58


Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Faton Bislimi ka reaguar sot lidhur me zhvillimet e fundit në LDK, ku një ditë më parë kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku ftoi kryetarin e Nisma-s, Fatmir Limaj dhe kryetarët e disa partive tjerë në koalicion parazgjedhor.

Bislimi në një postim të gjatë në Facebook shkruan se vendimi i Abdixhikut për të garuar bashkë me Limajn në një listë më 28 dhjetor është vulosje apostile e asaj që ka paralajmëruar në letrën e tij të dorëheqjes.

Ish-deputeti i LDK-së shkruan tutje se Kosovës i duhet një forcë politike e djathtizmit autentik kombëtar dhe këtë sipas tij do ta ketë.

Lexoni të plotë postimin e tij:

24 Maj 2023: I paralajmërova; nuk dëgjuan!

19 Nëntor 2023: I ofertova; nuk pranuan!

28 Nëntor 2024: I përkraha; refuzuan!

Dje, më 24 Nëntor 2025, fiks 30 muaj nga 24 Maji 2023, LDK e Lumir Abdixhikut paska hapë dyert për bashkëpunim e koalicion parazgjedhor me të gjithë ata që deri dje ishin ndoshta edhe më shumë sesa oponentë politikë të LDK-së; dyer këto që qëndrojnë të mbyllura për shumë personalitete e figura të çmuara të LDK-së autentike!

Po e përmend 24 Majin 2023, sepse, fatkeqësisht, isha i saktë në paralajmërimin tim se ky lidership i LDK-së ishte në rrugë të gabuar, dhe këtë tanimë e vërtetoi vet Abdixhiku.

Ja vetëm një citat nga letra ime e dorëheqjes nga Kryesia e LDK-së e datës 24 Maj 2023:

"...Por, në mes të heshtjes përballë injorimit të paarsyeshëm, personalizimit të skajshëm, dhe përpjekjes perfide për sforcim të pozitës personale e jo të partisë, kryesisht nga kreu i saj në njërën anë, dhe besimit të palëkundur për një LDK që i qëndron besnike vizionit rugovist, për një LDK që shpërfaqë e praktikon djathtizmit autentik kombëtar si dhe një LDK që e sheh secilin aktivist e aktiviste, të mëparshëm apo të tanishëm, si hisedarë e jo si shërbëtorë të partisë; unë zgjedh këtë të fundit. Zgjedh LDK-në e idealeve dhe pragmatizmit politik, jo atë të interesave personale e grupore; LDK-në e atyre që sakrifikuan e nuk u lodhën asnjëherë së punuari për liri, demokraci e pavarësi, jo atë të lartësimit të përfituesve e tregtarëve politikë; LDK-në e vlerësimit dinjitoz të figurave themeltare e të të rënëve të saj, e jo atë të homazheve falso para varreve të tyre; LDK-në e miqësisë permanente me SHBA-të, jo atë të thirrjes me zë të shterur në këtë miqësi vetëm për poenë politikë; LDK-në e aktivistëve e kontributdhënësëve, jo atë të titullarëve..."

Vendimi i djeshëm i Abdixhikut për të garuar bashkë me Limajn në një listë me 28 Dhjetor është vulosje apostile e asaj që kam paralajmëruar në letrën time të dorëheqjes. Ku mbeti djathtizmi, idealet, vlerësimi i kontributdhënësve? U shuan! E mbi hirin e tyre, u ngritën përfituesit politikë, makinacionet e sforcimit të pozitave të titullarëve!

Injorimit të tyre të paralajmërimit të 24 Majit 2023, iu përgjigja me kurajo e ofertë të sinqertë për t'i dhënë LDK-së mundësi zgjedhjeje në Kuvendin e X Zgjedhor të 19 Nëntorit 2023. Nuk pranuan as garën dhe kështu thyen parimet bazë të demokracisë. Nuk patën as guximin më elementar për të konsideruar ofertën time, ofertë që do ruante dhe zhvillonte LDK-në e vlerave themeltare dhe idealeve kombëtare! Merreni e lexojeni programin e kandidaturës sime dhe më argumentoni se me atë program nuk do rritej e konsolidohej LDK-ja siç i ka hije e siç i duhej Kosovës!?

Edhe njëherë, krejt injorimit e besa edhe linçimit (me sa patën kaçik), iu përgjigja me vetmohim -- assesi për ta, por për LDK-në autentike -- dhe me 28 Nëntor 2024, e tejkalova vetën, dhe i dërgova shkresë kësaj parisë së LDK-së duke shpreh gatishmërinë time për të përkrahur LDK-në në zgjedhjet e Shkurtit 2025! Refuzuan! As përgjigje nuk kthyen!

E tash, ju "patriota e rugovista" që ende besoni në këtë lidership të LDK-së, aman më kurseni nga klishetë e pabaza se "duhet fol brenda shtëpisë për këto çështje e jo në publik," sepse para secilit veprim publik, unë kam shteruar çdo përpjekje përbrenda! Idetë se "tash në prag të zgjedhjeve po e sulmoni LDK" janë sa të pabaza, aq edhe fyese!

Nuk i ikë asnjëherë debatit të argumentuar e as edhe mendimeve ndryshe, por klishetë janë totalisht të pavlera. Për patriotët e rugovistët mirëfilli, vlerësoj se koha s'po na pret e as s'do na falë!

Kosovës i duhet një forcë politike e djathtizmit autentik kombëtar. Dhe, do ta ketë! Duhet!. /Telegrafi/

Abdixhiku kandidat për kryeministër, fton Limajn, PSHDK-në, PD-në e AKR-në për koalicion parazgjedhor

24 November 2025 at 18:34


Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar sot në një konferencë për media se do të jetë kandidat i LDK-së për kryeministër në zgjedhjet e 28 dhjetorit. Ai tha se nominimi i tij është mbështetur plotësisht nga Kryesia e partisë.

“Kryesia e LDK-së e konsideron se përderisa ka kryetar partie, nuk ka nevojë të ketë kandidat tjetër për kryeministër, prandaj më nominoi”, u shpreh Abdixhiku.

Ai bëri të ditur se ka hequr dorë nga përpilimi i listës së kandidatëve për deputetë dhe renditja e tyre, duke theksuar se këtë proces do ta kryejë një grup më i gjerë brenda partisë për të shmangur pakënaqësitë dhe për të siguruar transparencë.

Abdixhiku tha se LDK do të garojë e vetme në zgjedhje, por njëkohësisht është e hapur për bashkëpunim me subjekte të tjera politike.

“Ftoj partitë tjera për t’iu bashkuar LDK-së në një listë të përbashkët elektorale. LDK do të rezervojë një pjesë të listës për partitë që bashkohen, përfshirë zotin Limaj me partinë e tij. Kemi gatishmëri për bashkëpunim edhe me demokristianët, Partinë e Drejtësisë, AKR-në e zotit Pacolli, etj. Jemi të hapur edhe për individë”, deklaroi ai.

Limaj: Zgjedhjet të shpallen më 21 dhjetor, aty ku është Nisma do të jetë kryeministri i ardhshëm

20 November 2025 at 12:07


Fatmir Limaj, kryetar i Nismës Socialdemokrate, ka komentuar vendimin e presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës pas dështimit për formimin e qeverisë nga mandatari Glauk Konjufca.

Limaj ka vlerësuar se ky është një lajm i keq për Kosovën.

“Këto forca politike kanë treguar se nuk kanë kapacitet dhe pjekuri politike për të ndërmarrë marrëveshje për të përmbushur vullnetin e qytetarëve”, ka thënë ai.

Sipas Limajt, shpërndarja e parlamentit reflekton paaftësi, papjekuri dhe mungesë njohurish mbi mënyrën se si ndërtohet shteti.

Ai shprehu shpresën që qytetarët, në zgjedhjet e ardhshme, do të kërkojnë llogari nga përgjegjësit kryesorë për mosformimin e institucioneve.

“Megjithatë, përpjekjet që kemi bërë, Kosova po shkon drejt zgjedhjeve të reja”, tha Limaj, duke theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes dhe përgjegjësisë qytetare në procesin zgjedhor.

Ai ka shtuar se Nisma do të shkojë drejt zgjedhjeve, qoftë përmes një koalicioni me alternativë serioze, qoftë edhe vetë.

“Aty ku është Nisma do të jetë kryeministri i ardhshëm i Kosovës. Data më e mirë është 21 dhjetor dhe presim që në këtë datë të shpallen zgjedhjet”, ka thënë Limaj. /Telegrafi/


Limaj: Nuk e votojmë këtë qeveri, nuk bëhet shteti kështu bre djem

4 November 2025 at 22:19


Kryetari i NISMA-s, Fatmir Limaj, ka thënë se ata nuk do ta votojnë këtë qeveri të propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje.

Limaj tha se VV-ja krejt këto i ka kalkulime elektorale edhe për të dielën (ditën e balotazhit), edhe pas të dielës.

“Duke hequr në njërën anë emrin e z. Konjufca, ju e patë qëndrimin e z. Kurti. Edhe tha kështu: ‘Po e bëj një mandatar me qëllim me i evituar dy palë zgjedhje’, a ishte kështu?”, tha Limaj në Rubikon të Klan Kosovës.

Ai tha se me këto deklarata po tregohet joseriozitet.

“Këta tre muaj po e çojmë Glaukun që mos me i pasë dy palë zgjedhje? A ishte kështu? Që këtu fillon joserioziteti. Që këtu përfundon çdo gjë. Na ka treguar sot qartë. Ne nuk i votojmë, këto agjenda partiake, elektorale, s’kanë absolutisht asgjë në interes shtetëror, që dikush me pauzu, me shku me u kthy. Nuk bohet shteti kshtu, bre djem”, u shpreh Limaj.

NISMA fton presidenten të mos bëhet pjesë e zvarritjeve politike, pas nominimit të Konjufcës për kryeministër

4 November 2025 at 15:02


NISMA Socialdemokrate Ka reaguar pasi kryeministri në detyrë dhe kryetari i LVV-së, Albin Kurti ka bërë të ditur se pas diskutimeve të zgjeruara dhe të thelluara brenda Lëvizjes, mandati i dytë për krijimin e qeverisë do t’i besohet Glauk Konjufcës.

Në reagimin e Nismës thuhet se vendi ndodhet në një ngërç të paprecedentë institucional si rezultat i mungesës së vullnetit politik për marrëveshje dhe vendimmarrje të përgjegjshme, dhe si pasojë e përpjekjeve të vazhdueshme për zgjatjen e pushtetit pa shumicë parlamentare dhe pa legjitimitet politik.

"Sot është e qartë për të gjithë: Kuvendi i Kosovës nuk ka shumicë. Në takimin e fundit me Presidenten e Republikës, të gjitha partitë politike e kanë shprehur qartë dhe zyrtarisht qëndrimin e tyre: në këtë Kuvend nuk ekziston shumicë parlamentare dhe zgjidhja e vetme mbeten zgjedhjet e reja. Si e tillë, kjo situatë kërkon veprim të qartë dhe të shpejtë institucional", vijon reagimi i Nismës.

Tutje, Nisma thotë se presidentja e Republikës ka detyrim kushtetues të respektojë vullnetin e subjekteve politike, vullnet që tashmë është deponuar zyrtarisht.

"NISMA Socialdemokrate fton Presidenten të mos bëhet pjesë e zvarritjeve politike apo interpretimeve arbitrare që rrezikojnë parimet kushtetuese dhe krijojnë tensione të panevojshme. Roli i Presidentes është të garantojë unitetin kushtetues dhe të sigurojë funksionimin demokratik të shtetit, jo ta shtyjë vendin drejt bllokadës".

/Telegrafi/

Limaj: Dy partitë e mëdha mund të bashkohen për një alternativë ndryshe, Nisma është e gatshme të bëhet pjesë e saj

3 November 2025 at 18:04


Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka deklaruar se dy partitë më të mëdha opozitare në vend kanë mundësinë të bashkohen për të ndërtuar një alternativë të re qeverisëse.

Ai tha se Nisma është e gatshme të japë kontributin e saj nëse ekziston një projekt serioz politik.

“Qytetari nuk mjaftohet me thanë ‘po vij me një alternativë ndryshe’. Ai don me pa veprime ndryshe. A po e bashkon këtë zë opozitar që duan një qeveri ndryshe? Çka po bën ti me veprime konkrete me afru këtë bosht ose këtë ekip?”, u shpreh Limaj në emisionin “Frontal”.

Sipas tij, përgjegjësinë për krijimin e një blloku të ri opozitar e mbajnë kryesisht dy partitë e mëdha.

“Dy partitë e mëdha e kanë këtë mundësi. Atyre po ju flas, atyre që duan një qeveri ndryshe. Për me vazhdu njëjtë e kanë LVV-në. Nisma është e gatshme me dhanë kontributin e vet për bashkimin e kësaj vote për një alternativë ndryshe, ama unë duhet me i pa a ka hap serioz e konkret drejt krijimit të një alternative ndryshe,” tha Limaj.

Ai shtoi se Nisma do të mbështesë çdo projekt serioz që synon ndryshim real dhe që qytetarët mund ta shohin si mundësi të besueshme.

“Aty ku është Nisma është kryeministri i ardhshëm i Kosovës”, përfundoi Limaj.

Limaj kritikon Kurtin: Deklarata për buxhetin është ndërhyrje në procesin zgjedhor

2 November 2025 at 08:31


Kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, komentoi deklaratën e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, ku ky i fundit tha që “qytetarët duhet të mendojnë mirë se kujt ia japin votën në balotazh, sepse nuk do të japim buxhet për ata që nuk dinë të punojnë.”

Limaj e cilësoi këtë deklaratë si një ndërhyrje të papranueshme në procesin zgjedhor.

Limaj theksoi se është e paqartë se si Kurti vlerëson se kush qeveris mirë dhe në çfarë baze mund të bëhen këto vlerësime, duke e cilësuar këtë si një tentativë për të ndikuar në zgjedhje.

Ndër tjerash, ai e ftoi Kurtin të përmbahet nga këto deklarata.

“Zoti Kurti, unë dhe të tjerët kemi qenë kritikë të qeverive të kaluara që janë bojkotuar komunat që nuk i kanë takuar partisë që janë në qeveri. Ndërsa, katër vjetët e fundit kjo ka qenë normë e sjelljes. Në të gjitha komunat ku nuk ka qeverisur partia në pushtet, kanë qenë të anashkaluar, kanë bllokuar buxhetet. Kjo e sotit është ndërhyrje e drejtpërdrejtë në procesin zgjedhor", tha Limaj në emisionin “Jehona Politike” në Klan Kosova.

Ai shtoi se komunat janë pjesë e shtetit dhe nuk duhet të diskriminohen sipas përkatësisë politike. Limaj ftoi qytetarët që të votojnë me bindje të thellë dhe pa ndikimin e presioneve të jashtme, duke kërkuar që të trajtohen të gjitha komunat e Kosovës në mënyrë të barabartë. /KlanKosova/

❌
❌