Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas njohjes së Kosovës nga Bahamas, duke e cilësuar këtë si një dëshmi të forcës dhe konsolidimit të shtetësisë së vendit në arenën ndërkombëtare.
Në postimin e tij, Haradinaj ka theksuar se kjo njohje, e 121-ta për Kosovën, tregon qartë se rruga euroatlantike e vendit është e drejtë dhe e pakthyeshme.
Ai ka shtuar se Kosova ka nisur një proces avancimi ndërkombëtar dhe se nuk ekziston forcë që mund ta kthejë këtë proces pas.
“Kosova do të vazhdojë të ngritë flamurin e saj si shtet i pavarur, sovran dhe partner serioz për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në rajon dhe më gjerë,” ka shkruar Haradinaj, duke uruar qytetarët për këtë zhvillim të rëndësishëm diplomatik.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka hapur sonte në Prishtinë zyrtarisht fushatën për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, në të cilën është shpalosur vizioni dhe programi qeverisës i kësaj partie.
Kryetari Ramush Haradinaj tha se pikat kryesore të programit zgjedhor të AAK-së për zgjedhjet e dhjetorit janë rritja e pagave e pensioneve dhe siguria.
Ai tha se do të ketë mbështetje për sektorin privat, kthim të investimeve, politika më të favorshme fiskale dhe fuqizim të grave në biznes dhe punësim.
Në fjalën e tij, Haradinaj theksoi se pagat dhe pensionet do të dyfishohen dhe se AAK do të qëndrojë pranë familjeve, pensionistëve, punëtorëve të sektorëve të ndryshëm dhe kategorive që kanë kontribuar për vendin.
“Shtylla e dytë e programit tonë që do ta mbajmë është rritja ekonomike. Ne do ta aktivizojmë potencialin që ka Kosova për rritjen ekonomike dhe kthimin e investimeve në vend, kthimin e buxhetit të paraparë për Kosovën dhe politika fiskale të favorshme për bërjen biznes. Do t’i mbështesim bizneset e reja, do t’i mbështesim gratë në biznes dhe në gjetje pune dhe asnjëherë nuk do të ndalemi ta mbështesim fuqizimin e gruas”, tha Haradinaj.
Haradinaj tha se Kosova ka rrugën e qartë për përparim drejt anëtarësimit të saj në NATO si një aleat i besueshëm.
“Siguria shtylla jonë e tretë buron nga ne e bëjmë sigurinë ne të gjithë bashkë krah njeri tjetrit institucionet tona të sigurisë ushtria policia të gjitha institucionet e siguresë e bëjnë sigurinë, por ne e dimë se kemi mundësi e kemi besimin e kemi rrugën e trasuar ashtu siç kemi bërë ushtrinë mund të anëtarësohemi në NATO, jemi aleatë të besueshëm dhe do të anëtarësohemi në NATO”, tha ai.
Ai gjithashtu bëri thirrje që më 28 dhjetor qytetarët të votojnë për listën e AAK-së numër 129.
Kreu i AAK-së, Ramush Haradianj ka folur për nënën e tij, duke theksuar se është e natyrshme të ketë emocione që lidhen me prindin.
Ai ndër tjerash tha se gjatë luftës nuk e ka lëshuar asnjëherë frontin, duke nënvizuar se ka varrosur me duar të tij shumë nga shokët e tij.
“Po e kam nënën gjallë, çka ka faj nëna ime që është gjallë? Është më se e thjeshtë, unë vëllezërit s’i kam, e kam nënën gjallë, a duhet me u bë pengesë kjo? Ose nëse eventualisht me më ballafaqu me emocionet e nënës, unë tash po u dashka me u sjell si guri, si jo njerëzor”.
“Unë nuk e them këta që me i mohu të tjerët ose me u veçu, po kam qenë luftëtar i luftës, nuk e kam leshu në asnjë orë fronin e luftës. I kam pa t’u m’u vra plot, e me duar të mia i kam shti në dhe plot, unë asnjëherë nuk mundohem mos me pa përpara. I kam kry punët që më presin nëse ma jep votuesi votën”, tha Haradinaj në Rubikon të Klan Kosovës.
Haradinaj gjithashtu theksoi se Kosova është një popull me vlera dhe se shumë studiues të huaj e kanë lavdëruar këtë karakteristikë të popullit shqiptar.
7 vjet më parë në Kuvendit e Kosovës, u votuan tri ligje që mundësojnë transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri. Ish kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj e ka quajtur ndër vendimet më të rëndësishme, e ish gjeneralët e FSK-së e kujtojn si ditën më të lumtur të tyre.“Urime ushtarë të atdheut prej sot gaditu…”.
Është data 14 dhjetor i vitit 2018, dita kur 106 deputetë të Kuvendit të Kosovës i dhanë dritën jeshile, trasformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, në ushtri, duke votuar tri projektligje me të cilat niste transformimi në një periudhë 10 vjeçare.
Këtë të dielë janë bërë 7 vjet nga kjo ditë, e Forca e Sigurisë së Kosovës tashmë ka hyrë në vitet vendimtare të transformimit të saj.
Gjatë asaj kohe kryeministër i Kosovës ishte Ramush Haradinaj, e cili në përvjetorin e 7-të tha se ka qenë ndër vendimet më të rëndësishme shtetformuese të pasluftës, duke ndarë në facebook, pjesë ta fjalimit të tij vite më parë.
Ish-gjenerali i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Afrim Veseli ka kujtuar momentet e asaj dite që mbetet gjithmonë në kujtesen e tij.
“Nuk mund ta harroj asnjëherë gjatë tërë jetës sime, kur etërit e luftës për liri Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Ramush Haradinaj erdhën atë natë dhe mbajtën cermoninë në Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës, që nga ajo natë u shëndrrua në minitri të mbtojtjes, pra i gjithë ky rrugëtim u kapitalizua me ndryshimet ligjore duke i falenderuar atë kohë ish kryeministrit Ramush Haradinaj…”, ka deklaruar Veseli.
Por ai po thotë se duhet mbështetur edhe më shumë ushtrinë.
“Gjatë gjithë këtyre viteve që nga ajo datë Forca e Sigurisë së Kosovës ka pasur një progres të jashtëzakonshëm duke iu falenderuar pjestarëve të FSK-së, që me përkushtimin më të madh kanë arritur ti ngritin kapacitetet e Forcës së Sigurisë së Kosovës që ajo sa më shpejtë të bëhet operacionale sipas këtij plani zhvillimore 10 vjecar, se cfarë duhet bëhet që ushtria jonë të forcohet për ushtrinë tonë cdo herë cdo vit duhet të ndahen kapacitete financiare..”, ka theksuar ai.
Ushtarët e Kosovës, tashmë kanë tejkaluar të gjitha parashikimet në progresin e bërë gjatë këtyre viteve, thotë njohësi i sigurisë Avni Islami.
“Sot shtatë vite forca e sigurisë së Kosovës ka marr epitetin e plotë e ushtisë së Kosovës pra si rezultat i punës dhe sakrificës së UÇK-së, TMK-së dhe sot e kemi forcat e armatosuara të Kosovës, pra FSK-në e cila deri më sot ka arrritur një shkallë të lartë të profesionalizmit dhe logjistikës dhe të gjitha parashikimet janë tejkaluar në avancimin dhe kompletimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe unë bvesoj që vitet në vijim dhe tash kur bota po vlonë nga strategjitë e tyre armatimine tyre të njëjtën rrugë do shkojë edhe FSk-ja…”, ka theksuar Avni Islami – Njohës i sigurisë.
Forca e Sigurisë së Kosovës u themelua më 2009 në bazë të Planit të Ahtisaarit, dokument i cili edhe çoi drejt pavarësimit të Kosovës.
Pas përfundimit të luftës në Kosovës, në marrëveshje me NATO-n u formuan trupat mbrojtës të Kosovës, si forcë për emergjenca e që më pas u shëndrruan në Forcën e Sigurisë së Kosovës./Tv Dukagjini/
Në përvjetorin e 7-të të formimit të Ushtrisë së Kosovës, Ramush Haradinaj ka kujtuar një nga vendimet më të rëndësishme shtetformuese të pasluftës, duke theksuar se krijimi i Ushtrisë ishte një akt historik i marrë nga Qeveria Haradinaj me bekimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Erdhëm në paqe, në rresht me ushtritë e paqes. Shtatë vite guxim, shtatë vite krenari, shtatë vite Ushtria e Kosovës krah nesh”, ka shkruar Haradinaj.
Ai ka nënvizuar se Ushtria e Kosovës lindi nga sakrifica e madhe e luftës çlirimtare, nga gjaku i derdhur i dëshmorëve dhe nga amaneti i atyre që nuk u kthyen kurrë, por që i lanë Kosovës lirinë dhe përgjegjësinë për ta mbrojtur atë.
“Sot kemi ushtri. Sot kemi shtet më të sigurt. Sot kemi Kosovë më të fortë”, ka përfunduar Haradinaj, duke e cilësuar formimin e Ushtrisë si një hap që vulosi sovranitetin dhe sigurinë e Republikës së Kosovës. /Telegrafi/
Kandidati i AAK-së për kryeministër, Ramush Haradinaj, ka reaguar në Ditën Botërore Kundër Korrupsionit.
Haradinaj tha se premtimet e qeverisë për luftimin e korrupsionit nuk janë përmbushur dhe se pesë vjet qeverisje nuk kanë sjellë asnjë person të dënuar për korrupsion, ndërsa sipas tij, aferat e reja zbulohen pothuajse çdo ditë.
“Kanë kaluar pesë vjet dhe askush nuk është në burg, por po aq pesë vjet ka që nuk ka ditë pa dalë ndonjë aferë korruptive,” deklaroi Haradinaj.
Ai shtoi se shkalla e korrupsionit është aq e lartë saqë “Dubrava nuk ka kate të mjaftueshme për këta të korruptuar”, duke paralajmëruar se “dita e llogaridhënies do të vijë”./Telegrafi/
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka vlerësuar lartë rolin historik të diasporës në mbështetje të Kosovës, duke e cilësuar atë si një forcë të pandashme nga vendi.
Në deklaratën e tij, Haradinaj tha se diaspora ka qenë shtylla kryesore e Kosovës që nga vitet e rezistencës paqësore.
“Në kohën e rezistencës paqësore, ata ishin hambari i Kosovës, mbështetja jonë ekonomike dhe morale”, ka shkruar Haradinaj.
Ai theksoi se kontributi i diasporës ishte vendimtar edhe gjatë luftës.
“Gjatë luftës, diaspora ishte aktivisht e angazhuar, duke u bërë pjesë përbërëse e luftës për liri dhe logjistikës së UÇK-së”, tha Haradinaj.
Sipas Haradinajt, zëri i diasporës në arenën ndërkombëtare ishte i pazëvendësueshëm.
“Vëllezërit dhe motrat nga diaspora ishin zëri ynë në botë për të treguar vuajtjet dhe padrejtësitë ndaj Kosovës”, u shpreh i pari i AAK-së
Ai shtoi se mbështetja e tyre ka vazhduar pa ndërprerje edhe pas përfundimit të konfliktit.
“Pas luftës, diaspora ka qenë bashkë me ne në çdo hap të rindërtimit dhe zhvillimit të vendit. Diaspora dhe Kosova janë NJË, të pandashme!”, u shpreh Haradinaj. /Telegrafi/
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka publikuar listën e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet parlamentare të zgjedhjeve të 28 dhjetorit.
Kryetari i kësaj partie, Ramush Haradinaj, ka thënë se Kosova sot ka nevojë për njerëz që i qëndrojnë vendit në krah, në çdo rrethanë.
Ai ka sqaruar së për një pjesë të renditjes së kandidatëve ka qenë kriter numri i votave nga zgjedhjet e fundit.
“Kosova sot ka nevojë për njerëz që i qëndrojnë vendit në krah, në çdo rrethanë. Ashtu siç edhe qytetari i Kosovës ka nevojë për përfaqësues të guximshëm dhe të pakompromis në mbrojtje të interesit publik. Sa i përket radhitjes në listë, në bazë të vendimit të Këshillit Drejtues, 1/3 të kandidatëve u janë vendosur numrat duke pasur si kriter votën nga zgjedhjet e kaluara parlamentare, ndërsa për 2/3 te kandidatëve në listë është tërhequr shorti”, ka shkruar Haradinaj.
Ish-deputeti i PDK-së, Ardian Kastrati, ka kaluar në radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili e prezantoi Kastratin përmes një video-adresimi në Facebook.
Sipas Haradinajt, Ardian Kastrati do të jetë kandidat për deputet në listën e AAK-së.
“Ardian Kastrati, nga sot krah nesh! Profesor i shkencave politike dhe një figurë e formuar në akademi, institucione dhe diplomaci. Nga Lëvizja Studentore ’97–’98 e deri te përfaqësimi në Kuvendin e Kosovës u dallua si një ndër figurat më të zëshme, më aktive dhe i palëkundur në qëndrimet e tij”, shkroi Haradinaj.
Ai shtoi se ardhja e Kastratit në AAK është pjesë e një vizioni më të gjerë: “Mirësevjen Ardian, po bashkohemi sepse jemi të vendosur dhe të qartë se çka duam për Kosovën tonë: zhvillim, siguri dhe integrim.”
Me këtë lëvizje politike, AAK-ja forcon listën e saj zgjedhore me një tjetër figurë të njohur nga fusha e politikës dhe akademisë.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka mirëpritur në radhët e AAK-së Dr. Gentian Lilën, neurolog i dalluar dhe një nga profesionistët më të përkushtuar në vend.
“Dr. Genti, i njohur për shërbimin e tij të palodhur ndaj qytetarëve, vjen nga një familje me traditë të gjatë në mjekësi dhe humanizëm. Ai është biri i Dr. Rifat Lilës, i cili me përkushtim të jashtëzakonshëm i ka shërbyer Gjakovës, Prishtinës dhe mbarë Kosovës, duke qenë gjithmonë krah i fortë i popullit dhe i vendit”, është shprehur Haradinaj.
Haradinaj ka bërë të ditur se me Dr. Gentin do të garojnë së bashku në proceset e ardhshme politike, me synimin për t’i dhënë Kosovës një energji të re dhe një drejtim të fortë përpara. /Telegrafi/
Zafir Berisha ka bërë të ditur se në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit do të jetë pjesë e listës së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Lajmin e ka konfirmuar përmes një postimi në Facebook, ku shfaqet duke shtrënguar duart me kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj.
Berisha tha se në këtë garë zgjedhore po hyn me motivin për të kontribuar në luftimin e “të keqes që ka kapluar Kosovën”, duke e cilësuar qeverisjen aktuale si mashtruese dhe të dëmshme për vendin.
“Me Ramush Haradinajn na lidh e kaluara për liri, por edhe përgjegjësia që kemi ndaj vendit nga i cili nuk heqim dorë. Prandaj rreshtimin tim në këtë betejë e shoh si vazhdimësi të përpjekjeve tona dhe të të gjithë atyre që e duan Kosovën seriozisht dhe pa mashtrime”, shkroi ai.
Në postimin e tij, Berisha kritikoi ashpër kandidatin e PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, duke e quajtur “kandidat kukull” dhe duke akuzuar figurat brenda partisë se po e përdorin atë për interesa të tyre.
“E di që kam shumë miq e bashkëpunëtor që kanë pritur të jap kontributin tim krah Bedri Hamzës. Por dua t’ju them hapur, Bedriu në këtë garë është vetëm një kandidat kukull në duarët e ‘pionerëve’ pa libreza të PDK… Unë nuk kam mund të jam pjesë e asaj loje”, ka shkruar ai.
Berisha theksoi se angazhimi i tij politik është për Kosovën dhe jo për “skenarë të dështuar” apo për “figurina politike që tunden sipas interesit të dikujt tjetër”.
Me këtë rreshtim, AAK-ja përforcon listën e saj për zgjedhjet e 28 dhjetorit, duke shtuar një figurë të njohur të spektrit politik kosovar.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka nominuar kreun e partisë, Ramush Haradinaj, kandidat për kryeministër të Kosovës në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit. Haradinaj do të jetë edhe bartës i listës për zgjedhjet e dhjetorit, teksa partia e tij do të garojë me sloganin “Krah teje”. Ai bëri të ditur përmes një postimi […]
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka nominuar kreun e partisë, Ramush Haradinaj, kandidat për kryeministër të Kosovës në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit. Haradinaj do të jetë edhe bartës i listës për zgjedhjet e dhjetorit, teksa partia e tij do të garojë me sloganin “Krah teje”. Ai bëri të ditur përmes një postimi në Facebook se në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të AAK-së është…
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, është nominuar sot nga Këshilli i Përgjithshëm i AAK-së kandidat për Kryeministër dhe bartës i listës zgjedhore për zgjedhjet e përgjithshme të 28 dhjetorit. Në të njëjtën mbledhje, Këshilli ka miratuar edhe listën me 110 kandidatë për deputetë, të përzgjedhur sipas parimit të gjithpërfshirjes rajonale, profesionale dhe gjinore.
AAK ka bërë publik edhe sloganin e fushatës për këto zgjedhje, “Krah Teje”, si dhe ka miratuar programin zgjedhor të ndërtuar mbi tri shtylla kryesore: qëndrueshmëria dhe trashëgimia, mirëqenia dhe zhvillimi ekonomik, dhe siguria dhe integrimi euro-atlantik.
Haradinaj ka deklaruar se kombinimi i lidershipit të guximshëm e vizionar të Aleancës, lista e gjerë përfaqësuese dhe programi i qartë i zhvillimit ekonomik, përbëjnë themelet e ofertës që AAK i paraqet qytetarëve në zgjedhjet parlamentare.
Në programin ekonomik, Aleanca parasheh rritje ekonomike vjetore prej 7%, si dhe rritje të GDP-së nga 12 në 14 miliardë euro brenda mandatit katërvjeçar. Po ashtu, buxheti i shtetit synohet të rritet nga 3.3 miliardë euro në vitin 2025, në 4 miliardë euro në vitin 2026, për të arritur në 6.1 miliardë euro në fund të mandatit.
Sipas Haradinajt, kjo politikë buxhetore garanton stabilitet financiar dhe krijon hapësirë që pagat dhe pensionet të rriten që në vitin 2026 me 31%, duke arritur një pagë mesatare prej 1,100 eurosh dhe pension prej 500 eurosh, varësisht nga kategoritë. Ai ka bërë të ditur se pagat dhe pensionet do të harmonizohen çdo vit me zhvillimin ekonomik dhe inflacionin.
Një rritje të theksuar e parashikon Aleanca edhe në kategorinë e investimeve kapitale, e cila do të shënojë rritje prej 61% në vitin e parë të mandatit dhe do të arrijë në 240% deri në vitin 2029.
Haradinaj ka theksuar se AAK hyn në zgjedhje me qëllimin e rikthimit të normalitetit në vend, forcimit të zhvillimit ekonomik dhe mirëqenies, avancimit drejt anëtarësimit në NATO dhe BE, si dhe rikthimit të partneritetit strategjik me aleatët perëndimorë, të prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Krah Teje për Kosovën tonë të përbashkët. Na priftë e mbara!”, ka përmbyllur Haradinaj.
Ramush Haradinaj ka prezantuar sot kandidaturën e Yll Bogajt për deputet në zgjedhjet qendrore të 28 dhjetorit.
Haradinaj, u shpreh se Ylli është ndër figurat më të njohura dhe më besnike të Aleancës.
“Yll Bogaj e kam të lehtë ta prezantoj, nuk ka askush në Aleancë që nuk e din kontributin e Yllit në shtëpinë tonë politike. Ka qëndruar me dinjitet edhe kur nuk ishim më së miri, edhe kur ishim shumë mirë.”
Haradinaj kujtoi se për Yllin, Prishtina ka qenë gjithnjë pika e nisjes së angazhimit politik.
“Prishtina është pikënisja e Yllit qysh në fillimet e tij, kur ishte ndër të rinjtë që kuptuan qartazi rolin e aktivizimit politik; u zgjodh dy herë asamblist, ndër më të votuarit në listën tonë për Prishtinën.”
Ai theksoi edhe rëndësinë e angazhimit të Yllit në listën e Aleancës për zgjedhjet qendrore.
“Sot i bashkohet listës së njerëzve të mirë e punëtorë të Aleancës, njerëz që Kosovën e kanë shtëpi të vetme dhe për të cilën nuk lodhen së punuari kurrë”, përfundoi Haradinaj.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka njoftuar sot se ekspert i sigurisë dhe juristi Dardan Krasniqi i është bashkuar ekipit të tij politik.
Haradinaj e ka pritur Krasniqin në takim, duke theksuar përvojën e tij të gjatë në fushën e sigurisë dhe angazhimin e tij në çështjet kombëtare.
Sipas Haradinajt, Dardan Krasniqi ka një të kaluar të pasur si pjesëtar i tri luftërave çlirimtare: Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), UÇPMB-së dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (UÇK). Ai është vlerësuar për guximin dhe aftësinë e tij organizative gjatë periudhës së luftës.
Krasniqi, i cili ka mbi 25 vjet përvojë në politikë dhe siguri, ka qenë polici dhe drejtuesi i parë i Policisë së Kosovës në Malishevë.
Ai vjen nga një familje me traditë patriotike; nëna e tij ishte mësuese, ndërsa babai kolonel i TMK-së dhe një nga themeluesit e celulave të para të UÇK-së.
Haradinaj tha se gjatë gjithë angazhimit të tij – fillimisht si çlirimtar, më pas në polici dhe së voni si aktivist dhe anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes – Krasniqi ka ndjekur dy synime të pandryshuara: çështjen kombëtare dhe politikën e sigurisë si bazë për forcimin e shtetit dhe shoqërisë.
Sipas kryetarit të AAK-së, bashkimi i tij me Aleancën është një sinjal motivues për shumë ekspertë, patriotë dhe qytetarë, të cilët, siç thotë ai, "po e gjejnë rrugën drejt AAK-së si rruga e Kosovës për të ecur përpara".
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka folur për ish-partnerin e koalicionit Fatmir Limaj.
Haradinaj tha se Limaj dha një sinjal i keq, por në fund nuk rezultoi i dëmshëm sepse bashkëpunimi me Vetëvendosjen nuk ndodhi.
“Në fillim u pa si e keqe, por nuk rezultoi e dëmshme sepse nuk ndodhi një bashkëpunim VV-NISMA, por u pa sinjal i keq sepse e dëmtoi unitetin opozitar, por nuk rezultoi me marrëveshje”, ka thënë Haradinaj.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka uruar vëllain e komandantit legjendar Adem Jashari, Rifat Jasharin për ditëlindjen e tij.
Në mesazhin e tij, Haradinaj ka shprehur dëshirën që Jashari të kalojë edhe shumë vite të tjera të shëndetshme dhe të lumtura.
“Të uroj edhe shumë vite të tjera, gjithmonë pranë nipërve e mbesave, me shëndet dhe mbarësi!”, ka shkruar Haradinaj.
Ky urim vjen si shenjë e respektit dhe mirënjohjes për figurën e njohur të Rifat Jasharit, dhe kontributin që familja Jashari ka dhënë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. /Telegrafi/
Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka publikuar sot në llogarinë e tij zyrtare në Facebook një video arkivore, të realizuar shumë vite më parë nga regjisori Blerim Gjoci – një material që aso kohe kishte shërbyer si kampanjë sensibilizuese në mbështetje të Haradinajt, i cili po përballej me gjykim në Hagë.
Videoja përmbledhëse, e cila u shpërnda gjerësisht në atë periudhë, kishte mbledhur rreth vetes disa nga artistët më të njohur të estradës shqiptare. Mes tyre shihen emra të tillë si Dafina Zeqiri, Getoar Selimi, Tuna, Vesa Luma, Jehona Sopi, Ramadan Krasniqi, Labinot Tahiri, Shpat Kasapi e shumë të tjerë. Të gjithë ata, në një zë, i thoshin “Jo” padrejtësisë, duke kërkuar lirinë dhe drejtësinë për Haradinajn.
Ajo që e bën edhe më domethënëse rikthimin e kësaj videoje është fakti se pjesë e saj është edhe aktorja Adriana Matoshi, e cila sot është kolege e Haradinajt në Kuvendin e Kosovës, ku shërben si deputete e Lëvizjes Vetëvendosje për mandatin e dytë. Aso kohe artiste që ngrinte zërin për drejtësi – sot ligjvënëse që punon brenda institucioneve.
Në mesin e artistëve që shprehnin mbështetjen e hapur ishte edhe i ndjeri Shpat Kasapi, i cili u nda nga jeta tri ditë më parë. Siç duket, pikërisht humbja e këngëtarit ka qenë një nga arsyet që e ka shtyrë Haradinajn ta rikthejë këtë video pas shumë vitesh, si një formë nderimi dhe rikujtimi për kontributin e tij.
Në shoqërim të videos, Haradinaj ka shkruar: “Populli shqiptar, të gjitha shtresat e tij pa dallim, besuan! Mirënjohje e përjetshme të gjithë atyre që ngritën zërin dhe i thanë JO padrejtësisë. I mbaj në kujtesë e zemër njerëzit e vullnetit të mirë që përmes kampanjave të ndryshme u bashkuan rreth kauzës për dritë, drejtësi e liri”.
Pamjet historike përfshijnë edhe fytyra të tjera të njohura të artit e politikës së sotme. Në video shfaqet këngëtari dhe ish-deputeti i AKR-së, Labinot Tahiri, si dhe këngëtarja Adelina Thaçi, e cila së fundi është bashkuar me radhët e LDK-së.
Rikthimi i kësaj videoje ka ngjallur emocione të forta në publik, duke kujtuar një periudhë të tensionuar të historisë së re të Kosovës – por edhe momentet e unitetit të rrallë mes artistëve dhe qytetarëve në kërkim të drejtësisë. /Telegrafi/
Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka përkujtuar sot përvjetorin e shpalljes së tij të pafajshëm nga Gjykata e Hagës, duke e cilësuar këtë datë si një prej më të rëndësishmeve në jetën dhe veprimtarinë e tij.
Haradinaj thotë se e kujton aktvendimin e pafajësisë si një fitore jo vetëm për të, por për të gjithë luftën çlirimtare, transmeton Telegrafi,
"Sot shënoj një ditë që për mua ka gjithmonë një peshë të veçantë, përvjetorin e lirisë sime dhe vulosjen përfundimtare të së drejtës së luftës sonë çlirimtare. Më 17 nëntor 2004, edhe pse luftëtar i lirisë në tokën time, u ftova për herë të parë nga Gjykata e Hagës. Ajo ditë shënoi fillimin e një rrugëtimi të gjatë ligjor, i cili zgjati deri më 29 nëntor 2012. Edhe pse u shpalla i pafajshëm në gjykimin e parë, vite më pas u ftova në rigjykim, për ta vërtetuar edhe një herë të vërtetën tonë. Sot, 13 vite më pas, e kujtoj atë aktvendim të pafajësisë si një fitore jo vetëm për mua, por për të gjithë luftën tonë çlirimtare", ka shkruar ai.
Mes tjerash, Haradinaj thotë se " lufta ime për të vërtetën zgjati po aq sa lufta për liri, dhe në të dyja këto beteja dola fitimtar".
"Gjatë çdo hapi, në çdo vendim e në çdo veprim timin, jam kujdesur që Kosovës t’i sjell vetëm fitore dhe nder. Asnjëherë nuk kam lëvizur nga kjo detyrë, as në luftë e as në paqe. Falënderoj gjithë ata që nuk humbën besimin në mua dhe në pafajësinë time e mu gjenden pranë në të gjitha mënyrat"./Telegrafi/