Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Cilat kritere kanë përdorur partitë politike në përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë?

11 December 2025 at 13:08


Për herë të parë, partitë politike kanë shfaqur transparencë për shpenzimet dhe burimet gjatë fushatës zgjedhore, falë raportit “Kostoja e Politikës në Kosovë”, një bashkëpunim nga organizata jo-qeveritare Demokraci Plus (D+) dhe Westminster Foundation for Democracy (WFD).

Albert Krasniqi nga OJQ-ja D+, e cila ka fokus ndërtimin e një shoqërie demokratike në Kosovë, ka shpjeguar se ky raport paraqet një zbulim ndaj kritereve që kanë përdorur partitë politike për procesin e përzgjedhjes së kandidatëve që përfaqësojnë partitë e tyre politike gjatë zgjedhjeve parlamentare të radhës dhe njëkohësisht edhe koston e përdorur gjatë fushatës.

“Qëllimi i raportit ka qenë që të shohim cilat kanë qenë kriteret që partitë politike kanë aplikuar kur kanë hartuar listat e tyre për kandidatët e zgjedhjeve. Qëllimi i dytë ka qenë që të shohim se cila ka qenë kostoja që kandidatët kanë pasur në fushatë zgjedhore, dhe pastaj i treti ka qenë se cilët kanë qenë obligimi që ata kanë marrë pas marrjes së mandatit, nëse kanë pasur kosto shtesë pas kësaj. Kemi zhvilluar intervista gjysmë të strukturuara me 15 kandidatë për deputetë, 10 prej tyre kanë qenë të zgjedhur suksesshëm dhe pesë të cilët kanë qenë kandidatë. Kjo është një mostër shumë e vogël dhe nuk është përfaqësuese, por, qëllimi ka qenë që ta marrim direkt prej kandidatëve, dhe është hera e parë që kanë folur publikisht për shpenzimet dhe burimet gjatë fushatës zgjedhore, në mënyrë që të japin një pasqyrë pak më të përgjithshme se si zhvillohet fushata. Kemi organizuar dy fokus grupe, një me kandidatë të partive polikë dhe një me ekspertë dhe gazetarë që janë marrë me fushatën zgjedhore për t’i verifikuar gjetjet të cilat kanë qenë prej këtij studimi”, tha ai.

Raporti ka marrë mostra për përfaqësuesit e tri parti kryesore politike të Kosovës, ku sipas Krasniqit Lëvizja Vetëvendosjes ka përdorur një prej këtyre kritereve, aspektin gjeografik të përfaqësimit.

“Në Lëvizjen Vetëvendosje, kandidatët na kanë thënë se është marrë parasysh aspekti gjeografik i përfaqësimit, me ndikimin që këta persona kanë në zonat nga të cilat vijnë. Pastaj, ka qenë aftësia polarizuese e kandidatëve, në kuptimin e përfaqësimit të temave qendrore, politike dhe ballafaqimit me rivalët politikë. Pastaj, aktivistë të hershëm dhe ata që kanë pasur një pushtet ekzekutiv kanë pasur përparësi në lista. Afërsia me liderin dhe me strukturat e partisë politike ka qenë një kriter tjetër i pashkruar, por kandidatët e kanë ditur se kjo ka pasur peshë se kush është vendosur në listë dhe pozicionin të cilin kanë pasur. Dhe, figura nga akademia dhe bota e showbizit, persona të cilët kanë përkrahës dhe mund të sjellin vota të reja në subjekte politike”, tha ai.

Ndërkaq, sipas tij, Partia Demokratike e Kosovës ka pasur kriter edhe që të mos kenë aktakuza kandidatët.

“Te Partia Demokratike e Kosovës, ka qenë kriter që të mos kenë aktakuza, të jetë një listë e pastër dhe me integritet. Të jenë figura politike, dhe të jenë profilizuar në fusha të caktuara. Mosha dhe kandidatët që nuk kanë pasur angazhime të më hershme politike, e cila ka qenë një përpjekje për të paraqitu reforma në parti . Pastaj, historiku i kontributit për vendin dhe lidhjet me luftën E UÇK-së, ka qenë diçka që kanë pasur parasysh në hartimin e listës dhe elementi gjeografik për përfaqësim jashtë rajonit të Drenicës, për shkak se janë parë si një parti politike e cila ka një bazë aty”, tha ai.

Në fund, studimi ka treguar se Lidhja Demokratike e Kosovës, ka përdorur këto kritere, ku afërsia me liderin është konsideruar si një përparësi për renditjen në listën e LDK-së.

“Te Lidhja Demokratike e Kosovës, na është thënë që synimi ka qenë ta mbrojnë votën konservative të LDK-së, janë vendosur figura aktiviste të hershme të partisë, politike, profile profesionale, kandidatë të cilët kanë pasur ose kanë krijuar lidhje me komunitetin e biznesit, ose që tregojnë një kuptim për mënyrën se si zhvillohet ekonomia ose ndërmarrësia. Qëllim është që partia të duket një parti e fortë në aspektin ekonomik. Por, edhe afërsia me liderin është konsideruar si një përparësi për renditjen në listën e LDK-së”, tha ai.

Në publikim u fol edhe për kostot e përdorura gjatë fushatës dhe u prekën çështjet e pabarazisë gjinore gjatë shpenzimeve. /KP/

Kryeziu i reagon LVV-së: Nuk mund të trajtohet mërgata sikur të jetë popull tjetër

1 December 2025 at 11:49


Drejtori i KDI-së, Ismet Kryeziu, ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje, pas refuzimit të kërkesës së tyre për të organizuar votimin e mërgatës në vende tjera alternativa.

Kryeziu përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se “nuk mund të trajtohet mërgata sikur të jetë popull tjetër, e as pronë e një partie politike”.

Sipas tij, popullizmi në emër të “respektimit për mërgatën” nuk është asgjë tjetër veçse një veprim politik për të kapur ndonjë votë më shumë.

“Nuk mund të promovosh votimin nga jashtë si përkrahje të një subjekti politik, duke e shkelur ligjin, e pastaj t’i akuzosh si kundër mërgatës ato subjekte dhe institucione që mbështesin organizimin e zgjedhjeve në përputhje me ligjin. Kjo është një qasje që besoj edhe vetë mërgata e refuzon”, ka shkruar Kryeziu.

Ndryshe, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka pranuar ankesën e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), duke e rrëzuar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për hapjen e qendrave të votimit jashtë përfaqësive diplomatike.

Me këtë vendim, PZAP rikthen praktikën që votimi jashtë vendit të zhvillohet vetëm në ambasadat dhe konsullatat e Kosovës, për zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025. /Telegrafi/


​“Gjuha e urrejtjes dhe dezinformimi”, këto parti kanë bërë shkeljet më të mëdha gjatë zgjedhjeve lokale

26 November 2025 at 14:49


152 shkelje të kodit të sjelljes janë evidentuar në rrjetet sociale gjatë zgjedhjeve lokale. Partitë me së shumti shkelje janë Lëvizja Vetëvendosje, Partia Demokratike e Kosovës, Alternativa, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Lista Serbe si dhe Guxo e LDK.

Natyra e shkeljeve është gjuha e urrejtjes, ngacmimi personal, dezinformimi dhe nxitjet për dhunë.

Këto të dhëna u bënë publike të mërkurën nga Demokracia për Zhvillim (D4D) dhe Qendra për Dialog Humanitar (HD).

Drejtoresha ekzekutive në D4D, Rrezarta Delibashzade-Krasniqi, tha se platformat e analizuara janë mediat online dhe rrjetet sociale, përgjatë fushatës zgjedhore dhe parafushatës, transmeton KosovaPress.

Ajo tha se nga gjetjet e tyre kanë identifikuar 152 shkelje të deklaratës së mirësjelljes të nënshkruar nga vetë subjektet politike, mediat dhe organizatat e shoqërisë civile.

“Nga gjetjet tona të monitorimit kemi identifikuar 152 shkelje të deklaratës së mirësjelljes të nënshkruar nga vetë subjektet politike, mediat dhe OJQ-të. Kryesisht këto shkelje janë të bëra nga subjektet politike. Platformat ku janë bërë shkeljet më të mëdha është Facebook me 95 për qind, pastaj TikTok dhe Instagram...Llojet e shkeljeve janë: 66 për qind nga kandidatët për kuvendet komunale, 33 për qind nga ana e mediave, 11 për qind nga analistët politikë dhe 10 për qind nga kandidatët për kryetar komune, si dhe 1 për qind nga subjekti politik. Partitë politike me më së shumti shkelje janë identifikuar në këto 18 komuna: Lëvizja Vetëvendosje, pastaj e përcjellur nga Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Pastaj i kemi me përqindje më të ulët Listën Serbe, LDK-në dhe Guxo”, theksoi ajo.

Ajo tregoi edhe cilat parti kanë qenë më të targetuara për gjuhën e urrejtjes dhe dezinformimin.

“Nëse e marrim nga partitë politike më të targetuara për gjuhën e urrejtjes dhe dezinformimin, në këtë drejtim e para më e targetuara është PDK-ja, pastaj Lëvizja Vetëvendosje, LDK-ja, AAK-ja, Lista Serbe, Guxo dhe të tjera...Natyra e shkeljes del që është gjuha e urrejtjes; 14 për qind është ngacmimi personal që ka qenë mjaft i lartë këtë vit në krahasim me monitorimet e kaluara që i kemi bërë. E kemi dezinformimin, nxitjen për dhunë dhe sulme etnike dhe fetare”, shtoi Delibashzade-Krasniqi.

Në anën tjetër, këshilltari i lartë në Qendrën për Dialog Humanitar, Mark Baskin, tha se rrjetet sociale janë bërë një formë dominuese e komunikimit në Kosovë.

Madje ai tha se 95 për qind e shtëpive kanë qasje në internet, ndërkaq 90 për qind e kosovarëve nga mosha 15–35 vjeç përdorin internetin në përditshmëri.

Për këtë arsye, ai tha se çrregullimet e informacionit, duke përfshirë edhe gjuhën e urrejtjes, përmbajtjen e rreme dhe manipuluese mund ta kërcënojnë demokracinë e Kosovës.

“Dua të nënvizoj dy poenta: E para, rrjetet sociale janë bërë një formë dominuese e komunikimit në Kosovë; kur vëren të dhënat me burime ndërkombëtare ose vendore, 95% e shtëpive në Kosovë kanë një lloj qasjeje në internet, 90% e kosovarëve nga mosha 15–35 vjeç përdorin internetin në përditshmëri, 83% e njerëzve deri në moshën 74-vjeçare përdorin internetin në përditshmëri...Shpërndarja e gjerë në rrjetet sociale e lajmeve të rreme, ekzagjerimi dhe shpifja e informacioneve minojnë kapacitetin e qytetarëve që të bëjnë zgjedhje inteligjente në votime dhe kërkimin e llogarisë nga qeveria. Këto çrregullime të informacionit, duke përfshirë divizionin, gjuhën seksiste dhe të ashpër, gjuhën e urrejtjes, përmbajtje të rreme, përmbajtje të përdredhur dhe manipuluese, mund të kërcënojnë demokracinë e Kosovës, siç mund të kërcënojnë demokracinë e çdo shteti tjetër. Pra, kjo është arsyeja pse jemi përfshirë, sepse mund të çojë deri në konflikt. Gjatë zgjedhjeve lokale të vitit 2025 në Kosovë kemi eksploruar këto dinamika”, tha ai.

Kodi i mirësjelljes është hartuar në vitin 2021, bashkërisht mes subjekteve politike, shoqërisë civile dhe mediave. /KP/

“Më bindën se kanë gjasë t’i bëjnë numrat”, të gjitha zhvillimet pas mandatimit të Glauk Konjufcës për formimin e Qeverisë

5 November 2025 at 07:49


Këshilli i Lëvizjes Vetëvendosje të martën mbajti mbledhje, gjersa pas përfundimit të saj njoftoi se kanë propozuar Glauk Konjufcën për mandatar të dytë për formimin e qeverisë.

Konjufca në një fjalim të mbajtur para anëtarëve të Këshillit të LVV theksoi se pranon këtë nominim dhe është i gatshëm të marrë mandatin për kryeministër.

Sipas tij, kjo përgjegjësi është një thirrje nga detyra publike:

“Këtë e bëj si thirrje nga detyra e cila na shndërron në shërbëtor të interesit publik. LVV-ja e ka definuar këtë interes në dy shtylla në rrethanat aktuale. Shmangia e dy palë zgjedhjeve të mundshme brenda tre muajsh dhe së dyti, votimin e buxhetit për vitin 2026, pa të cilin rrezikohen dimensionet vitale të qytetarëve tanë prej mbi 80 mijë pagave të sektorit publik, pensionet e shtesat e fëmijëve, deri te projektet ekzistenciale për shoqërinë tonë. Do të ishte e pafalshme nëse për shkak të tekave të partive politike e humbim mundësinë e përfitimit të benefitve qindra milionëshe duke u krekosur se po shkojmë në zgjedhje. Edhe dy procese tjera nuk na presin, RTK-ja mbet pa pagat e tyre e po ashtu nuk ka kurrfarë afat shtesë për buxhetin e tri komunave", u shpreh Konjufca.

Çështje të tjera që janë me urgjencë për miratim tha se janë Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian, buxheti për transmetuesin publik të Kosovës dhe buxhetet për tri komuna: Prishtina, Gjilani, Zubin Potoku.

"Partitë e tjera e kanë në dorë nëse duan të bëjmë zgjedhje tani. Por, mua më duket se shpata e gjykimit është më e mprehtë se më parë", tha tutje Konjufca.

E po të martën, presidentja ka takuar në orët e paradites liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe më pas atë të PDK-së, Memli Krasniqi dhe të LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Pas takimeve të zhvilluara, e para e shtetit Vjosa Osmani ka mbajtur një konferencë për media ku njoftoi se ia ka dhënë mandatarin për formimin e Qeverisë së re kandidatit të propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, Glauk Konjufca.

Në një deklaratë për media, Osmani theksoi se Kushtetuta e Kosovës e detyron presidentin të emërojë mandatarin e dytë në rast se përpjekja e parë dështon.

“Kushtetuta nuk thotë ‘mund të emëroj’, por thotë ‘emëron kandidatin tjetër’ në rast se dështon i pari. Gjuha e përdorur në Kushtetutë është obligative, pra e detyron presidenten e vendit ta emërojë mandatarin e dytë,” tha Osmani.

Ajo shtoi se vendimi i saj është në përputhje me tri aktgjykime të Gjykatës Kushtetuese dhe neni 95.4 të Kushtetutës.

“Kushtetuesja nuk thotë mund të emërojë, por emëron nëse dështon i pari. Kushtetua nuk i lë hapësirë presidentes për mos-emërim të kandidatit të dytë atëherë kur ka një mandatar. Gjuha e përdorur në Kushtetutë është obligative, pra e detyron presidenten ta emërojë kandidatin e dytë”, ka thënë ajo.

Osmani theksoi se LVV-ja e ka bindur se ka gjasa që ta formojë ekzekutivin, ndërkaq tha se garanci nuk i ka dhënë sepse nuk kërkohet me Kushtetutë.

Nëse do të kishte dy kandidatë, Osmani tha se asaj do t’i duhej të bindej se kush nga ta ka më shumë gjasa për formimin e ekzekutivit.

“Askund në Kushtetutë dhe aktgjykime nuk kërkohen garanci, kërkohen gjasa dhe ka dallim të madh mes garancisë dhe gjasës. Garancia jepet në Kuvend, kurse gjasat ofrohen në zyrën time. Sikur të ishin dy apo më shumë kandidatë unë duhet ta shihja se kush i ka gjasat më të mëdha. Nga LVV-ja kanë besim të plotë se mund të arrijnë votat e nevojshme, por kjo ju takon atyre që t’i bëjnë votat. Mua më takon që të bindem që kanë gjasa dhe mua më kanë bindur që kanë gjasa”, tha Osmani.

“Askund në Kushtetutë nuk kërkohen garanci, kërkohen gjasa, dhe ka dallim të madh mes garancisë dhe gjasave. Garancia jepet në Kuvend prandaj edhe kërkohen votat aty, ndërsa gjasat ofrohen në zyrën time,” tha Osmani.

Ndërsa, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se kandidati i propozuar nga LVV-ja, Glauk Konjufca, disponon të gjitha votat që Kurti i kishte marrë vetë më 26 tetor në Kuvend, pra 56 vota.

“Konjufca i ka të gjitha votat që i kam pasur unë. Ju e dini që më 26 tetor në Kuvend unë mora 56 vota. Ato i ka sigurt edhe Glauku, ndoshta ka edhe më shumë, por më pak nuk mund të marrë. Maksimumi im është minimum i Glaukut, prandaj le të përpiqemi maksimalisht”, tha Kurti.

Ai shtoi se nuk sheh mundësi për koalicion me partitë tjera për formimin e Qeverisë së re.

Në zgjedhjet e 9 shkurtit, PDK-ja ka fituar 24 ulëse, LDK-ja 20, AAK-ja pesë dhe tre deputetë ka Nisma Socialdemokrate, që në zgjedhje garoi në listë të përbashkët me AAK-në.

Pasi LVV prezantoi mandatarin e dytë pati reagime edhe nga partitë tjera, PDK, LDK e AAK.

Partia Demokratike e Kosovës vlerësoi se vendi ndodhet përpara një momenti vendimtar politik dhe institucional, që kërkon vendime të qarta, të përgjegjshme dhe në përputhje me realitetin politik në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

"Në një situatë ku është e qartë se shumica shqiptare në Kuvend, së bashku me disa deputetë të komuniteteve joshumicë joserbe, kanë shprehur qëndrimin e prerë se nuk kanë votë për një mandatar tjetër nga Lëvizja Vetëvendosje, çdo tentativë për t’ia dhënë sërish mandatin kësaj partie do të përbënte humbje kohe, zvarritje të panevojshme dhe thellim të mungesës së besimit në institucione", thuhet në reagimin e tyre.

Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës ka vlerësuar se asnjë parti politike nuk e zotëron shumicën e nevojshme parlamentare për të formuar qeverinë e re.

LDK-së theksoi tutje se shtyrjet procedurale dhe interpretimet e stisura vetëm sa thellojnë pasigurinë politike dhe dëmtojnë besimin e qytetarëve në institucionet e Republikës.

“LDK-ja apelon për veprim të shpejtë, të përgjegjshëm dhe në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe afatet ligjore. Dalja nga bllokada institucionale nuk mund të kërkohet përmes veprimeve jo-kushtetuese e marrëveshjeve të paqarta, por përmes kthimit te sovrani, te qytetari. Zgjedhjet e reja tashmë janë domosdoshmëri”, thuhet në njoftim.

Lidhur me zhvillimet reagim ka pasur edhe nga lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Ai në një postim në Facebook shkruan se presidentja e vendit nuk ka mandat ta mandatojë askënd për krijimin e qeverisë, pa dëshminë se kandidati i nominuar e ka shumicën e nevojshme.

“Shumica e nevojshme dëshmohet vetëm me nënshkrime të deponuara të deputetëve. Në çdo situatë tjetër presidentja bën shkelje të rëndë kushtetuese. Kandidatura e dytë nga VV për qeveri është veç përpjekje për të vazhduar kapjen e institucioneve të shtetit, në kundërshtim me krejt normat kushtetuese e politike”, tha ai. /Telegrafi/

Çeku: Gllogovica potencial atraksioni për vizitorë

4 November 2025 at 15:45


Në sofër tradicionale e me ushqim të zonës, u prit Hajrulla Çeku në Gllogovicë.

Sipas një njoftimi bëhet e ditur se banorët e pritën me entuziazëm kandidatin për Kryetar të Prishtinës si dhe biseduan me të për mundësitë e zhvillimit ekonomik e turistik të këtij fshati.

Për natyrën e bukur të Gllogovicës, Çeku tha se ka plane konkrete për zhvillim të turizmit, projekte infrastrukturore, që do të mund të tërheqin vizitorë të shumtë. /Telegrafi/

NISMA fton presidenten të mos bëhet pjesë e zvarritjeve politike, pas nominimit të Konjufcës për kryeministër

4 November 2025 at 15:02


NISMA Socialdemokrate Ka reaguar pasi kryeministri në detyrë dhe kryetari i LVV-së, Albin Kurti ka bërë të ditur se pas diskutimeve të zgjeruara dhe të thelluara brenda Lëvizjes, mandati i dytë për krijimin e qeverisë do t’i besohet Glauk Konjufcës.

Në reagimin e Nismës thuhet se vendi ndodhet në një ngërç të paprecedentë institucional si rezultat i mungesës së vullnetit politik për marrëveshje dhe vendimmarrje të përgjegjshme, dhe si pasojë e përpjekjeve të vazhdueshme për zgjatjen e pushtetit pa shumicë parlamentare dhe pa legjitimitet politik.

"Sot është e qartë për të gjithë: Kuvendi i Kosovës nuk ka shumicë. Në takimin e fundit me Presidenten e Republikës, të gjitha partitë politike e kanë shprehur qartë dhe zyrtarisht qëndrimin e tyre: në këtë Kuvend nuk ekziston shumicë parlamentare dhe zgjidhja e vetme mbeten zgjedhjet e reja. Si e tillë, kjo situatë kërkon veprim të qartë dhe të shpejtë institucional", vijon reagimi i Nismës.

Tutje, Nisma thotë se presidentja e Republikës ka detyrim kushtetues të respektojë vullnetin e subjekteve politike, vullnet që tashmë është deponuar zyrtarisht.

"NISMA Socialdemokrate fton Presidenten të mos bëhet pjesë e zvarritjeve politike apo interpretimeve arbitrare që rrezikojnë parimet kushtetuese dhe krijojnë tensione të panevojshme. Roli i Presidentes është të garantojë unitetin kushtetues dhe të sigurojë funksionimin demokratik të shtetit, jo ta shtyjë vendin drejt bllokadës".

/Telegrafi/

Haradinaj: Shumica dëshmohet vetëm me nënshkrime të deputetëve, në çdo situatë tjetër presidentja bën shkelje kushtetuese

4 November 2025 at 13:10


Kryeministri në detyrë dhe kryetari i LVV-së, Albin Kurti ka bërë të ditur se pas diskutimeve të zgjeruara dhe të thelluara brenda Lëvizjes, mandati i dytë për krijimin e qeverisë do t’i besohet Glauk Konjufcës.

Pas këtij lajmi, i menjëhershëm ishte edhe reagimi i liderit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Ai në një postim në Facebook shkruan se presidentja e vendit nuk ka mandat ta mandatojë askënd për krijimin e qeverisë, pa dëshminë se kandidati i nominuar e ka shumicën e nevojshme.

“Afati kushtetues për votimin e qeverisë përfundon nesër dhe presidentja e vendit nuk ka mandat ta mandatojë askënd për krijimin e qeverisë, pa dëshminë se kandidati i nominuar e ka shumicën e nevojshme.

Shumica e nevojshme dëshmohet vetëm me nënshkrime të deponuara të deputetëve. Në çdo situatë tjetër presidentja bën shkelje të rëndë kushtetuese. Kandidatura e dytë nga VV për qeveri është veç përpjekje për të vazhduar kapjen e institucioneve të shtetit, në kundërshtim me krejt normat kushtetuese e politike.

Kjo farsë duhet të marrë fund menjëherë dhe vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme”, shkruan ai. /Telegrafi/


LDK: Asnjë parti nuk ka shumicën për të formuar qeverinë, zgjedhjet e reja janë domosdoshmëri

4 November 2025 at 12:58


Lidhja Demokratike e Kosovës ka vlerësuar se është bërë qartazi e dukshme për opinionin publik dhe për të gjitha subjektet parlamentare se asnjë parti politike nuk e zotëron shumicën e nevojshme parlamentare për të formuar qeverinë e re.

Sipas një postimi në rrjetin social në Facebook të faqes zyrtare të LDK-së thuhet se në këtë rrethanë, shtyrjet procedurale dhe interpretimet e stisura vetëm sa thellojnë pasigurinë politike dhe dëmtojnë besimin e qytetarëve në institucionet e Republikës.

“LDK-ja apelon për veprim të shpejtë, të përgjegjshëm dhe në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe afatet ligjore. Dalja nga bllokada institucionale nuk mund të kërkohet përmes veprimeve jo-kushtetuese e marrëveshjeve të paqarta, por përmes kthimit te sovrani, te qytetari. Zgjedhjet e reja tashmë janë domosdoshmëri”, thuhet në njoftim.

Po ashtu siç bëhet e ditur në njoftim LDK-ja konfirmon përkushtimin e saj të palëkundur ndaj rendit kushtetues, integritetit të procesit demokratik dhe rrugës euro-atlantike të Kosovës.

"Ne do të paraqesim para qytetarëve një program të qartë qeverisës, me zgjidhje të përgjegjshme për ekonominë, sundimin e ligjit dhe mirëqenien sociale. Vendit i duhet legjitimitet i ri dhe institucione që burojnë nga vullneti i lirë i qytetarëve e jo zvarritje, jo pazare dhe as improvizime. LDK-ja bën thirrje të veprohet me pjekuri, të shmanget retorika përçarëse dhe të kontribuohet në një proces të qetë e dinjitoz. Mandati për qeverisje u takon qytetarëve; le ta thonë fjalën e tyre në zgjedhje të lira dhe të drejta”. /Telegrafi/


Mblidhet Këshilli i Lëvizjes Vetëvendosje, kush do të jetë mandatari i dytë?

4 November 2025 at 12:34


Këshilli i Lëvizjes Vetëvendosje po mban sot takim, një ditë para përfundimit të afatit për dërgimin e emrit të mandatarit të dytë për formimin e Qeverisë.

I pranishëm është edhe lideri i LVV-së, Albin Kurti, Albulena Haxhiu e anëtarë tjera.

telegrafi.com

Duke hyrë në selinë e LVV-së është parë edhe Donika Gërvalla nga lëvizja Guxo, etj.

Nënkryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu u pyet për emrin e mandatarit të dytë.

“Pas mbledhjes së Këshillit. Këshilli e vendos”, tha shkurt ajo.Ndryshe, mëngjesin e sotëm u raportua se kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka zhvilluar një takim me presidenten Vjosa Osmani. /Telegrafi/

Reagon AGK: Fushatë e rëndë intimiduese e Faton Pecit kundër TV Dukagjini

29 October 2025 at 11:33


Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), i ka reaguar kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje për komunën e Mitrovicës jugore, Faton Peci i cili ka drejtuar akuza ndaj TV Dukagjini në lidhje me exit poll-in

Sipas AGK-së, kandidati i LVV-së për komunën e Mitrovicës Jugore, Faton Peci ka vazhduar sulmet e ulëta dhe të papranueshme kundër TV Dukagjinit, nëpërmjet një postimi në rrjetet e tij sociale.

“Duke iu kthyer Exit-Pollit të 12 tetorit, Peci e ka quajtur mes tjerash TV Dukagjinin si ‘qendra operative e ndërmarrjes kriminale’. AGK-ja e konsideron komunikimin e Pecit si thellësisht të papërgjegjshëm, dhe akuzë me potencial shumë të rrezikshëm. Është e papranueshme që një politikan si zoti Peci të japë kualifikime kaq të rënda për një media, në kuadër të betejës politike të tij dhe partisë politike që përfaqëson”, thuhet në reagimin e AGK-së.

Po ashtu siç thuhet në reagim AGK-ja kërkon nga Peci dhe Vetëvendosje që urgjentisht të tërheqin akuzat publike ndaj televizionit dhe gazetarëve, pasi që ato shërbejnë si nxitje për sulme të vazhdueshme ndaj tyre.

“Ambienti i mediave për të bërë punën e tyre është vështirësuar shumë, për shkak të retorikës së papranueshme si kjo e zotit Peci. Mediat duhet të lihen të lira të raportojnë në të gjitha fazat e procesit zgjedhor”, thuhet në reagimin e AGK-së. /Telegrafi/


Protesta e veteranëve të UÇK-së nxit tensione të reja midis Kosovës dhe Shqipërisë

16 October 2025 at 16:37

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe partia më e madhe në Kosovë, Vetëvendosje, shkëmbyen akuza të enjten përpara një proteste të veteranëve të UÇK-së që do të mbahet në Tiranë kundër Dhomave të Specializuara të Kosovës me seli në Hagë. Grindja filloi kur Vetëvendosja riafirmoi kundërshtimin e saj ndaj gjykatës së Hagës dhe mbështetjen e […]

The post Protesta e veteranëve të UÇK-së nxit tensione të reja midis Kosovës dhe Shqipërisë appeared first on Reporter.al.

Rama i kundërpërgjigjet ashpër LVV-së: Para 10 vjetësh nuk e njihnit himnin, e jo më pafajësinë e Thaçit - do ta donit përjetësisht në Hagë

16 October 2025 at 10:09


Të premten, më 17 tetor në sheshin “Skënderbej” në Tiranë do të mbahet në orën 17:00 një protestë gjithëkombëtare në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.

E kjo protestë ka nxitur një përplasje verbale mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.

Lëvizja Vetëvendosje të mërkurën në një reagim në Facebook theksoi se ka qenë kundër themelimit të Gjykatës Speciale që nga fillimi dhe kërkon që ata që kanë lobuar për formimin e saj të shprehin pendesë.

Shembull i qartë sipas Vetëvendosjes është kryeministri shqiptar, Edi Rama.

“Para se të protestojnë, këta aktorë dhe politikanë duhet të tregojnë të paktën një minimum pendese për qëndrimet e tyre të gabuara në të kaluarën. Një shembull i qartë është vet Kryeministri aktual i Shqipërisë, Edi Rama, i cili kishte ardhur në Kosovë në vizitë emergjente me helikopter për të bindur palët që të votonin pro themelimit të Gjykatës Speciale”, shkruan LVV.

E pas kësaj deklarate të Lëvizjes Vetëvendosje, sot ka reaguar kryeministri Edi Rama.

Ai në një postim në X shkruan se nuk është në asnjë lloj gare me Lëvizjen Vetëvendosje dhe i vjen keq që Lëvizja i ngatërron marrëdhëniet institucionale të Kosovës me Shqipërinë në çorbën e balotazheve komunale.

“Lëvizja Vetëvendosje më paska kushtuar një çarçaf të gjatë, ku shkruan se përpara 10 vjetësh unë paskam qenë pro kurse ajo paska qenë kundër Gjykatës Speciale… Ndërkohë unë e kam denoncuar farsën ndaj Hashim Thaçit e të tjerëve kurdo e kudo ka qenë rasti a nevoja, ndërsa Lëvizja dihet se sa ka lëvizur në atë drejtim.

Por unë s’jam në asnjë lloj gare me Lëvizjen dhe më vjen keq që Lëvizja i ngatërron marrëdhëniet institucionale të Kosovës me Shqipërinë në çorbën e balotazheve komunale, ndërsa për qëndrimet e para 10 vjetëve - kur ajo nuk njihte as himnin e Kosovës e jo më pafajësinë e Hashim Thaçit, të cilin do ta donte përjetësisht në Hagë - i kujtoj Lëvizjes se Gjykata Speciale u ngrit për trafikun e organeve, jo për të marrë peng Presidentin e Republikës së Kosovës”, shkruan Rama.

Tutje, kryeministri shqiptar shkruan se nuk është as organizator e as folës i protestës gjithëkombëtare “Drejtësi për Çlirimtarët”, por të cilën e mbështet me gjithë zemër.

“....unë as nuk jam organizator e as nuk jam folës i protestës gjithëkombëtare ‘Drejtësi për Çlirimtarët’, të cilën e mbështes megjithë zemër e do t’i bashkohesha si pjesëmarrës i thjeshtë, nëse nuk do të isha i vetëdijshëm se çdo politizim me dashje ose jo i asaj nisme, do të dëmtonte qëllimin dhe popullaritetin e saj”, shkruan Rama. /Telegrafi/


Lëvizja Vetëvendosje më paska kushtuar një çarçaf të gjatë, ku shkruan se përpara 10 vjetësh unë paskam qenë pro kurse ajo paska qenë kundër Gjykatës Speciale… Ndërkohë unë e kam denoncuar farsën ndaj Hashim Thaçit e të tjerëve kurdo e kudo ka qenë rasti a nevoja, ndërsa Lëvizja… pic.twitter.com/uXCOBsYoCf
— Edi Rama (@ediramaal) October 16, 2025

Kurti: Nuk kam nisur ende bisedimet për qeverinë e re, por do të bëjmë një plan konkret

14 October 2025 at 12:14


Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka bërë të ditur se ende nuk ka zhvilluar komunikim me parti të tjera apo deputetë lidhur me formimin e qeverisë së re.

Megjithatë, ai ka paralajmëruar se në ditët në vijim do të ndërmerret një plan konkret për të nisur këtë proces.

Kurti ka sqaruar se këto ditë ka qenë i fokusuar në analizimin e rezultateve të zgjedhjeve dhe në vlerësimin e kontributeve të fushatave nëpër komuna.

Sipas tij, kjo ka qenë arsyeja pse deri tani nuk ka pasur takime politike.

“Tepër shumë punë këto ditë, analiza e rezultateve nga qendrat. Na duhet ta shohim kontributet që kanë pasur fushatat nëpër komuna me rezultatin që kemi arritur, në mënyrë që sa më shpejt të fillojmë me fushatën për balotazhe. Andaj, dje dhe sot nuk kam pasur mundësi të zhvilloj bisedime politike, por jemi duke hartuar një plan edhe për këtë çështje. I kemi mbi 10 ditë përpara nesh”, tha Kurti. /Telegrafi/

Kryetarët e komunave që fituan me përqindjen më të lartë të votave, prin Sami Lushtaku

13 October 2025 at 11:58


Në zgjedhjet lokale, disa kryetarë komunash kanë arritur të sigurojnë mbështetje të madhe qytetare, duke fituar me përqindje të larta të votave në komunat e tyre.

Sipas rezultateve të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), aktualisht kryetari me përqindjen më të lartë të votave është Sami Lushtaku, nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), i cili fitoi në Komunën e Skenderajt me 83.45% të votave, duke lënë prapa të gjithë kandidatët e tjerë në nivel vendi.

Pas tij renditet Ilir Ferati nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), i cili fitoi 58.78% të votave në Komunën e Istogut.

Në vendin e tretë është Agim Aliu nga PDK, që fitoi 56.47% të votave në Ferizaj.

I katërti në këtë listë është Shpejtim Bulliqi nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV) me 53.42% në Podujevë, ndërsa menjëherë pas tij renditet Ekrem Kastrati nga Nisma Socialdemokrate, i cili mori 53.41% të votave në Malishevë.

Lista vazhdon me Ramiz Lladrovcin, kandidat i pavarur në Komunën e Drenasit, i cili fitoi me 52.32% të votave, dhe më pas me Bashkim Ramosajn nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) që fitoi 51.57% në Deçan.

Ndërsa në fund të listës së kryetarëve që fituan me përqindje të larta janë:

Imri Ahmeti (LDK) – Lipjan me 51.15% të votave.

Mehmet Ballazhi (PDK) – Hani i Elezit me 50.94% të votave.

Kadri Rahimaj (LVV) – Kamenicë me 50.56%.

Qemajl Aliu (LVV) – Shtime me 50.47% të votave. /Telegrafi/

Kurti: Nëse ka komunikim të suksesshëm, Qeveria Kurti 3 formohet para afatit më 26 tetor

13 October 2025 at 10:54


Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar sot se nëse arrihet një komunikim i suksesshëm për përbërjen e Qeverisë së re, atëherë nuk do të pritet afati i fundit kohor për formimin e saj, i cili është 26 tetori.

Në një konferencë për media të mbajtur në selinë e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Kurti njoftoi se tashmë ka nisur një numërim mbrapsht drejt krijimit të Qeverisë Kurti 3.

“Unë tregova se kur është afati i fundit për mbajtjen e seancës së fundit, dhe thash që është 26 tetor. Tash po numërojmë teposhtë, dhe vura theksin tek 15 ditshi deri më 26 tetor. Nëse e konsiderojmë që do të kemi komunikim të suksesshëm ne nuk e presim 26 tetorin. komunikimi dhe biseda që do të zhvillojmë janë ato që do ta përbëje qeverinë e re të Republikës, Kurti 3 dhe nuk mund të flas më shumë në këtë fazë”, ka thënë Kurti.

Kurti gjithashtu foli për zgjedhjet lokale në Mitrovicë, duke ngritur shqetësime për atë që e cilësoi si propagandë të organizuar në favor të kandidatit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

“Sa i përket Mitrovicës prej orës 10:00 të mëngjesit është propaganduar maksimalisht se si në Komunën e jugut të Mitrovicës po firon kandidati i PDK-së pa balotazh me fitore të thjesht. Ka pasur huqje dhe këto huqje kanë qenë nga burimet e njëjta dhe kjo do të thotë që ka diçka sipër tyre. Por i përket organeve të drejtësisë dhe sigurisë që ta hulumtojnë dhe jetojnë këtë cenim të integritetit të shtetit, të sigurisë së shtetit përveç votës së lirë të qytetarëve dhe të zgjedhjeve demokratike", ka thënë Kurti. /Telegrafi/

Kurti voton në Prishtinë: Sot vendosim për katër vitet e ardhshme në komunat tona

12 October 2025 at 09:26


Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka ushtruar të drejtën e tij qytetare duke votuar sot në Fakultetin Juridik në Prishtinë, në kuadër të zgjedhjeve lokale për kryetarë dhe asamble komunale.

Pas votimit, Kurti u prononcua shkurt para mediave duke theksuar rëndësinë e kësaj dite për të ardhmen e komuniteteve lokale në Kosovë.

“Sot është një ditë shumë e rëndësishme. Votojmë për të vendosur për katër vitet e ardhshme në komunat tona – për çerdhet, për shkollën, për ujin, për shërbimet, në lagjet e qytetarëve dhe fshatrat ku jetojmë”, tha Kurti.

Ai u bëri thirrje qytetarëve që të mos e neglizhojnë këtë të drejtë dhe përgjegjësi, duke e konsideruar votimin si një akt përfaqësimi të drejtpërdrejt në zgjidhjen e problemeve të përditshme.

“Përveç qytetarë, jemi edhe banorë të komunës. Prandaj ftoj qytetarët pa dallim që ta shfrytëzojnë të drejtën për t’u bërë hisedarë në zgjidhjen e problemeve që kanë, për të plotësuar të drejtat e tyre”, shtoi ai. /Telegrafi/

Çeku voton në Prishtinë: Sot vendosim për katër vitet e ardhshme – dita e zgjedhjeve duhet të jetë ditë feste

12 October 2025 at 08:52


Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për kryetar të Komunës së Prishtinës, Hajrulla Çeku, ka votuar sot në Fakultetin Filologjik në Prishtinë, duke ushtruar të drejtën e tij qytetare në kuadër të zgjedhjeve lokale.

Pas votimit, Çeku dha një prononcim për media ku e cilësoi ditën e zgjedhjeve si një moment të rëndësishëm për demokracinë dhe pjesëmarrjen qytetare.

“Dita e zgjedhjeve duhet të jetë ditë feste dhe besoj që edhe kjo do të jetë e tillë. Pas një fushate të qetë dhe përgjithësisht konstruktive, që realisht u përmbyll në mënyrën më të mirë e më të bukur me fitoren e jashtëzakonshme të Shqipërisë mbrëmë në futboll, sot jemi këtu për ta ushtruar të drejtën tonë demokratike”, deklaroi ai.

Çeku u bëri thirrje qytetarëve të dalin në votim dhe ta shfrytëzojnë këtë të drejtë deri në mbylljen e vendvotimeve.

“Këtë duhet ta bëjnë të gjithë qytetarët pa dallim deri në fund të ditës, sepse sot bashkërisht si qytetarë përcaktojmë katër vitëshin e ardhshëm, drejtimin e qytetit dhe të komunës”, theksoi kandidati i LVV-së.

Ai përmbylli deklaratën e tij me një urim që dita e zgjedhjeve të kalojë pa probleme dhe në të mirë të të gjithë qytetarëve.

“Uroj që gjithçka të shkojë mbarë e mirë sot dhe që përfundimi të jetë i mirë për të gjithë qytetarët”. /Telegrafi/

Do të kemi Zonjë apo Zotëri të Parë të Prishtinës? Njihuni me partnerët e pesë kandidatëve për kryetar të kryeqytetit

11 October 2025 at 11:13


Ndërsa garuesit për Komunën e Prishtinës po zhvillojnë betejën e tyre politike në prag të zgjedhjeve lokale të së dielës, një vëmendje e veçantë po bie edhe mbi partnerët e tyre – njerëzit që qëndrojnë pranë tyre në çdo hap, shpesh duke i mbështetur në heshtje, por me ndikim të dukshëm në imazhin dhe energjinë e tyre publike.

Kush janë ata që mund të bëhen “Zonja e Parë” apo “Zotëriu i Parë” i Prishtinës?

Telegrafi sjell një përmbledhje të shkurtër për secilin prej tyre.

Kristale Ivezaj Rama - bashkëshortja e kryetarit aktual, Përparim Rama (LDK)

Përparim dhe Kristale Rama (Foto: Kristale Rama/Facebook)

E lindur dhe rritur në SHBA me rrënjë shqiptare, Kristale Ivezaj Rama është një emër i lidhur ngushtë me artin, kreativitetin dhe aktivizmin kulturor. Ajo është themeluese e The Balkan Artists' Guild dhe e platformës Even Walls Have Ears, që promovon artistët e Ballkanit dhe krijon ura kulturore nëpërmjet ekspozitave e projekteve ndërkombëtare, sipas të dhënave që gjenden në llogarinë e saj në platformën LinkedIn.

Në një intervistë për Telegrafin në maj të vitit 2024, Kristale pati theksuar ndjenjën e saj të fortë të përkatësisë ndaj kryeqytetit:

“E shoh Prishtinën si një familje të madhe. Si familjen time. Edhe pse nuk jam një zyrtare e zgjedhur, jam e martuar me dhe mbështes personin që mban postin më të lartë në zyrën publike të qytetit, çka më jep një aleancë me publikun. Si banore e Prishtinës, ndjehem gjithashtu pjesë e këtij komuniteti. Ndihem e detyruar të pasuroj qytetin ku jetoj, veçanërisht për fëmijët tanë dhe anëtarët më të cenueshëm të komunitetit”.

Kristale Ivezaj Rama (FOto: UNICEF)

Çifti Rama kanë tre fëmijë – Arra, Tigri dhe Broni, dhe njihen për lidhjen e tyre të fortë familjare dhe për stilin e jetës që shpesh ndërthur artin, arkitekturën dhe humanizmin.

Elmaze “Eli” Gashi - bashkëshortja e Hajrulla Çekut (Lëvizja Vetëvendosje)

Hajrulla Çeku dhe Eli Gashi (Foto: Hajrulla Çeku/Instagram)

Për ndryshe nga bashkëshorti i saj, ministri dhe kandidati për kryetar të Prishtinës Hajrulla Çeku, Eli Gashi është një figurë më e rezervuar në publik. Megjithatë, në fushën profesionale ajo ka një profil mbresëlënës.

Sipas profilit të saj në LinkedIn, ajo është përfaqësuese e Universitetit të Iowa-s në Kosovë, me mbi një dekadë përvojë në reforma arsimore, zhvillim institucional dhe menaxhim të projekteve të financuara nga donatorë ndërkombëtarë. Eli ka udhëhequr një projekt me vlerë 3.9 milionë dollarë të financuar nga USAID, që synonte transformimin e arsimit të lartë në Kosovë përmes lidhjes me sektorin privat.

Hajrulla Çeku dhe Eli Gashi (Foto: Hajrulla Çeku/Instagram)

Me gjithë sukseset e saj profesionale, ajo zgjedh të qëndrojë larg vëmendjes mediatike dhe të përqendrohet në familje.

Çifti Çeku janë prindër të dy vajzave, dhe mbajnë një balancë të kujdesshme mes karrierës dhe jetës familjare, duke e mbështetur njëri-tjetrin në sfidat publike dhe private.

Arizona Bërdynaj - bashkëshortja e Uran Ismailit (PDK)

Uran Ismaili dhe Arizona Bërdynaj (Foto: Arizona Bërdynaj/Instagram)

Energjike dhe moderne, Arizona Bërdynaj është një profesioniste që kombinon përvojën në sektorin publik me atë në teknologji. Sipas të dhënave që figurojnë në profilin e saj në LinkedIn, aktualisht punon si eksperte i strategjisë së shitjeve në industrinë e Tech & Telecom, me eksperiencë të gjatë në menaxhim, inovacion dhe transformim digjital.

Në të kaluarën, ajo ka shërbyer edhe si Shefe e Kabinetit në Ministrinë e Drejtësisë, duke u bërë një nga gratë e reja që kanë ndërtuar karrierë të qëndrueshme në administratë para se të kalonte në sektorin privat.

Arizona Bërdynaj (Foto: Arizona Bërdynaj/Instagram)

Arizona është mjaft aktive në rrjetet sociale, ku shpesh ndan momente nga jeta e saj sportive - veçanërisht nga maratonat e vrapimit, që i ka kthyer në pasion personal.

Së bashku me Uranin, ata janë prindër të dy fëmijëve, Omerit dhe Umës.

Besa Shatri Berisha - bashkëshortja e Bekë Berishës (AAK)

Besa Shatri dhe Bekë Berisha (Foto: Bekë Berisha/Facebook)

Diskrete dhe e përkushtuar në profesionin e saj, Besa Shatri – Berisha është një eksperte e financave me mbi 15 vite përvojë në menaxhim ekonomik, auditim dhe administrim financiar.

Ajo mban postin e Drejtoreshë e Financave në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) dhe njëkohësisht është Këshilltare Financiare në Qendrën për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës, ku kontribuon që nga viti 2013, sipas profilit të saj në LinkedIn.

Besa Shatri Berisha (Foto: LinkedIn)

Në rrjetet sociale, Besa shfaqet rrallë, duke ruajtur profil të ulët publik, por brenda rrethit profesional njihet për qetësinë, përpikmërinë dhe integritetin e saj.

Çifti Bersha janë prindër të dy fëmijëve - Troi dhe Erta, dhe njihet për ekuilibrin mes familjes, privatësisë dhe angazhimit profesional.

Dardan Molliqaj – bashkëshorti i Besa Shahinit (PSD)

Dardan Molliqaj dhe Besa Shahini (Foto: Besa Shahini/Facebook)

Në mesin e kandidatëve për Prishtinën, Besa Shahini është e vetmja grua në garë – dhe në anën e saj qëndron një emër i njohur i politikës kosovare, Dardan Molliqaj.

Molliqaj ka qenë deputet për disa legjislatura dhe ish-anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, përpara se të themelonte Partinë Socialdemokrate, të cilën e udhëheq aktualisht. Ai dhe Besa u martuan në prill të vitit 2019, duke krijuar një nga çiftet më të diskutuar në skenën publike.

Dardan Molliqaj dhe Besa Shahini (Foto: Besa Shahini/Facebook)

Në vitin 2022, çifti u bënë prindër të një vajze të quajtur Ana, ndërsa në daljet e tyre publike shfaqen gjithmonë si partnerë të barabartë, që ndajnë jo vetëm jetë bashkëshortore, por edhe bindje të përbashkëta për vizionin politik e shoqëror të Kosovës.

Zgjedhjet lokale 2025 do të mbahen këtë të diel më 12 tetor (Foto-arkiv: Ridvan Slivova/Telegrafi)

Pavarësisht rezultateve që do të sjellin kutitë e votimit të dielën, është e qartë se gara për Prishtinën këtë vit nuk është vetëm për udhëheqjen e kryeqytetit, por edhe për figurat që qëndrojnë pas kandidatëve. Partnerët e tyre, secili me historinë dhe karrierën e vet të veçantë, i japin një dimension më njerëzor e të përditshëm betejës politike – duke treguar se prapa çdo lideri qëndron një histori dashurie, përkushtimi dhe bashkëpunimi. /Telegrafi/

​Zgjedhja e nënkryetarit nga komuniteti serb, Murati: Nevojiten edhe 5 vota për ta përfunduar këtë sagë

10 October 2025 at 10:22


Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Hekuran Murati tha se në asnjë pikë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese nuk thuhet, sipas tij, që nënkryetari nga pakicat serbe i takon ekskluzivisht Listës Serbe.

Para fillimit të seancës konstituive për zgjedhjen e nënkryetarit të pestë, Murati tha se nevojiten edhe pesë vota për zgjedhjen e Nenad Rashiqit nënkryetar, i cili është kryetar i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.

Ministri në detyrë i Financave tha para gazetarëve se “Gjykata Kushtetuese e ka konstatuar që ndarja e deputetëve nga pakoja nuk ishte shkelje kushtetuese”.

“Gjykata Kushtetuese e ka konstatuar që ndarja e deputetëve nga pakoja nuk ishte shkelje kushtetuese, pra është në përputhje me Kushtetutën. Gjithashtu ka konstatuar që deputeti apo nënkryetari i pestë duhet të vie nga deputetët që janë përfaqësues të komunitetit jo-shumicë serbë. Në asnjë pikë, në asnjë paragraf, në asnjë fjali nuk përmendet që kjo e drejtë i takon ekskluzivisht Listës Serbe. Pra, mund të jetë njeri nga dhjetë deputetët që përfaqësojnë komunitetin serbë, jo-shumicë dhe në anën tjetër ka konstatuar që edhe mekanizmat de-bllokues, siç është rasti i tre tentativave për kandidatë, vlejnë edhe për nënkryetarin, si dhe mekanizmi tjetër de-bllokues ka konstatuar që është në rregull, që është zgjedhja përmes shortit në rast se ka refuzim apo mungesë të propozimit të kandidatëve tjerë”, deklaroi Murati.

Murati tha se deputetit serb, Nenad Rashiq i nevojiten edhe pesë vota për t’u zgjedhur nënkryetar.

“120 deputetëve u takon që të bëjnë çmos, që të votojnë, të votojnë fillimisht për, kundër dhe abstenim dhe të mos shkelin Kushtetutën siç kanë bërë disa deputetë të opozitës në seancën e kaluar si dhe në anën tjetër edhe kur të votojnë, ta kenë parasysh interesin shtetëror në mënyrë që të votohet për një kandidat i cili do të merrte votat. Dhe siç e dimë herën e fundit zotëri Nenad Rashiq kishte marrë 56 vota, krejt çfarë nevojiten janë edhe 5 vota nga 52 deputetët shqiptarë për ta konstituuar Kuvendin dhe për ta përfunduar këtë sagë”, ka shtuar Murati.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës po mblidhen sërish sot në tentimin e gjashtëdhjetë për konstituimin e legjislaturës së nëntë. Të zgjedhurit e popullit para vetes kanë vetëm një pikë në rend të ditës: zgjedhja e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb.

Gjykata Kushtetuese më 8 tetor ka publikuar aktgjykimin e plotë pas ankesës së Listës Serbe lidhur me konstituimin e Kuvendit. Gjykata ka thënë se Kuvendi nuk është konstituuar, ndërsa ka dhënë 12 ditë afat për deputetët që të përfundojnë procesin e konstituimit. Afati prej 12 ditësh ka nisur të rrjedhë prej ditës kur aktgjykimi i plotë u publikua në faqen zyrtare të gjykatës – më 8 tetor. /Kp/Telegrafi/

Zeqiraj premton kënde lodrash moderne për “Rrokaqiellin” në Pejë në qeverisjen Kelmendi

8 October 2025 at 10:36


Kandidati për Asamble, Besnik Zeqiraj ka thënë se një ndër bashkësitë më të mëdha në Komunën e Pejës “Rrokaqielli” ka vetëm një mini-kompleks me disa lodra për fëmijë dhe dy fusha betoni, ku vetëm njëra është e përdorshme.

Me qeverisjen e kandidatit për kryetar të Komunës së Pejës, Taulant Kelmendi, Zeqiraj tha se do të angazhohet si asamblist që kjo bashkësi të ketë dhjetëra lodra moderne.

“Tjetra, bashkë me sallën, fatkeqësisht nuk janë te hapura për fëmijët e lagjes. Por, po i afrohemi ndryshimit! Në Qeverisjen Kelmendi, do të angazhohem maksimalisht si asamblist që Bashkësia Rrokaqielli të ketë dhjetëra kënde lodrash moderne, fusha dhe hapësira sportive, ku fëmijët tanë të luajnë e të gëzohen lirshëm, ashtu siç e meritojnë”, ka shkruar Zeqiraj. /Telegrafi/


❌
❌