Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati ka thënë se me rritjen e pagës minimale në 500 euro, nga viti i ardhshëm me Qeverinë Kurti rriten edhe shtesat për nënat lehona në 500 euro muaj.
Sipas një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se 6 muaj nga 500 euro, secila nënë lehonë e papunë do të marrë 3,000 euro nga shteti.
“Shto këtu edhe shtesat mujore të fëmijëve që do të rriten, 12x90 euro, që i bjen 1,080 euro. Pra veç në vitin e parë, mbi 4 mijë euro mbështetje për nënat e reja. Ndërsa shtesat për fëmijë vazhdojnë nga 1,080 euro në vit, deri në moshën 16 vjeçare. Në total pra, për secilin fëmijë, shteti jep mbi 20 mijë euro që nga lindja e deri në moshën 16 vjeçare. Kur ka pasur këso Qeverie më përpara? Mos lësho pe”, ka shkruar Murati. /Telegrafi/
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar ndaj kërkesave të Lumir Abdixhikut dhe Bedri Hamzës për heqjen e masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës.
Murati i ka akuzuar ata se me mos-votimin e Planit të Rritjes së BE-së në vlerë 882 milionë euro, po tentojnë të paraqiten si të shqetësuar për vendin, ndërkohë që veprimet e tyre kanë dëm të drejtpërdrejtë për qytetarët.
“Bedri Hamza e Lumir Abdixhiku, të njëjtit që nuk e votuan Planin e Rritjes së BE-së, i paskan shkru letrë BE-së duke kërkuar gjoja heqjen e masave Kosovës. Tek tash kur e panë që mos-votimi do të ketë pasoja në humbje të votave, po bëhen gjoja po brengosen për shtetin. Ju me mos-votimin tuaj ia mohuat ekonomisë së vendit 882 milionë euro”, ka shkruar Murati, shkruan Telegrafi.
Ndërkohë, Lumir Abdixhiku ka dërguar një letër Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, duke kërkuar heqjen e menjëhershme të masave.
Ai ka theksuar se vazhdimi i tyre është i pajustifikuar dhe nuk pasqyron zhvillimet institucionale në vend, duke shtuar se “pushteti lokal në komunat veriore tashmë është transferuar dhe janë përmbushur kriteret e BE-së”.
Po ashtu, Bedri Hamza, kryetar i PDK-së, gjatë një takimi me Ambasadorin e Francës në Kosovë, Olivier Guerot, ka bërë të ditur se letrën e tij për heqjen e sanksioneve e kishte përcjellë tek kabineti i Presidentit Macron. Hamza tha se “populli i Kosovës e meriton mbështetjen, pavarësisht se kush është në qeveri” dhe shtoi se prioritet do të jetë rikthimi te bashkëpunimi ekonomik dhe diplomatik me aleatët. /Telegrafi/
Deklarata e ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, i cili i atribuoi Qeverisë Kurti meritat për liberalizimin e vizave, ka shkaktuar reagime të ashpra nga ish-deputete të opozitës.
Vlora Çitaku e PDK-së dhe Jehona Lushaku-Sadriu e LDK-së e akuzuan ministrin se po përpiqet t’i mbajë meritat për një proces që, sipas tyre, është zhvilluar prej vitesh dhe pa kontribut të Vetëvendosjes.
Vlora Çitaku deklaroi se “kontributi i vetëm” i Vetëvendosjes në procesin e liberalizimit të vizave ka qenë gazi lotsjellës në Kuvend dhe vonesat shumëvjeçare.
Ajo ironizoi se me këtë qasje, VV “së shpejti do të thotë se ka shpallur edhe pavarësinë e Shqipërisë dhe ka çliruar Kosovën”.
“Dil në barnatore e i sheh qytetarët pa para as për barna. Tako ndonjë pensioner që kursen nga buka për energjinë. Kryeje punën tënde e pastaj krekosu,” i shkroi Çitaku Muratit.
Edhe ish-deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, reagoi ashpër, duke thënë se Murati po krenohet me punën e të tjerëve, ndërsa nuk ka çfarë të tregojë për qeverisjen e Vetëvendosjes.
Ajo kujtoi se VV vite më parë kundërshtoi demarkacionin me Malin e Zi – kushtin e fundit për liberalizimin e vizave – duke shkaktuar, sipas saj, vonesa dhjetëvjeçare. “Radhët për viza kanë qenë faj i juaji”, theksoi Lushaku-Sadriu.
Ajo shtoi se Kosova sot është “në sanksione dhe më e izoluar se kurrë”, duke akuzuar qeverinë për humbjen e mbi 1 miliard eurove asistencë ndërkombëtare. “Sa shkolla, rrugë e projekte do të realizoheshin me ato grante që ju ia humbët Kosovës?”, pyeti ajo.
Reagimet e dy ish-deputeteve pasuan deklaratën e Muratit, i cili tha se liberalizimi i vizave u arrit pavarësisht “izolimit të shtetit nga qeveritë e mëparshme” dhe se Qeveria Kurti ka qenë vendimtare në përmbylljen e procesit.
Debati ka rikthyer polemikat e vjetra për rolin e secilës palë në këtë çështje shumëvjeçare./Telegrafi.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, në një postim të fundit në rrjetet sociale deklaroi se një prej vendimeve të para të partisë së tij do të jetë rritja e pagave dhe pensioneve në vend.
Ai theksoi se qytetarët kërkojnë parashikueshmëri dhe qëndrueshmëri në këtë drejtim, duke theksuar nevojën që pagat dhe pensionet të jenë të përhershme dhe të paguhen në kontinuitet, jo vetëm si ndihma të njëhershme.
“Qytetarët duan parashikueshmëri dhe qëndrueshmëri. Prandaj, prej vendimeve të para ka me qenë rritja e pagave, rritja e pensioneve për të gjitha kategoritë”, tha Hamza.
Mirëpo, ky postim ka nxitur një reagim të menjëhershëm nga Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati. Në reagimin e tij, Murati thekson se për të rritur pagat dhe pensionet, është i nevojshëm miratimi i buxhetit, raporton Telegrafi.
Ai kujtoi se as PDK-ja nuk e ka votuar Ligjin e Buxhetit për vitin 2026, duke rrezikuar stabilitetin financiar të shtetit.
“Është e papranueshme që pavarësisht se Bedri Hamza ka qenë ministër i Financave, PDK-ja nuk reflektoi dhe nuk e votoi buxhetin, duke e lënë shtetin pranë kolapsit financiar. Për të realizuar çdo rritje pagash dhe pensionesh, buxheti duhet të jetë i miratuar”, shkroi Murati. /Telegrafi/
Profesori i ekonomisë, Shkumbin Misini, ka kritikuar deklaratat e ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, lidhur me numrin e bizneseve të reja të regjistruara në Kosovë gjatë këtij viti.
Murati ka deklaruar se deri në fund të tetorit janë regjistruar mbi 11 mijë ndërmarrje të reja, ndërsa shifra mund të tejkalojë 13 mijë deri në fund të vitit. Por, sipas profesorit Misini, ky indikator nuk përfaqëson gjendjen e vërtetë të ekonomisë.
Në emisionin FIVE në TV Dukagjini, Misini u shpreh kritik ndaj ministrit:
“Këtu flet publikisht ministri i Financave, që është mediokër në ekonomi. Nuk ka lidhje me ekonomi. Nuk paraqet shëndet ekonomik hapja e bizneseve të reja.”
Ai theksoi se Qeveria Kurti nuk ka performuar mirë në rritjen e punësimit:
“Nëse e qet hapjen e bizneseve të reja, le ta paraqet pasqyrën e punësimit nga viti 2020 deri në 2025. Qeverisja e tij rritjen e punësimit e ka vetëm 1 për qind.”
Misini shtoi se shumë biznese të reja hapen vetëm për të përfituar subvencione nga shteti, shpesh duke punësuar anëtarë të familjes:
“Hapen për shkak të kërkesave, sidomos për subvencionim. Është shumë lehtë të hapet një biznes, por shumë vështirë të mbyllet. Ky le të tregon se në këto 11 mijë biznese, sa është numri i të punësuarve.”
Ai e përshkroi prezantimin e Muratit si pjesë të fushatës zgjedhore, duke theksuar se hapja e biznesit nuk është tregues i mjaftueshëm për të vlerësuar shëndetin ekonomik të vendit.
Në fund, profesori kërkoi që Qeveria të publikojë të dhënat reale mbi punësimin dhe performancën ekonomike gjatë mandatit të saj.
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka bërë të ditur se janë alokuar mjetet financiare në vlerë prej 2.7 milionë eurosh për kategorinë e mallrave dhe shërbimeve, fond që i dedikohet pagesës së operatorëve të transportit publik në Prishtinë.
Sipas tij, kjo shumë është proceduar veçmas nga pjesa tjetër e projektit prej 25.9 milionë eurosh për investime kapitale, pasi këto të fundit kërkojnë kohë më të gjatë për finalizim.
Murati ka sqaruar se vendimi i Komunës së Prishtinës, i marrë të enjten mbrëma për përdorimin e të hyrave vetanake, duhej të kalonte më parë verifikimin e ligjshmërisë nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), si dhe nga Ministria e Financave, duke qenë se bëhet fjalë për çështje buxhetore. Ai theksoi se ky proces është kryer dje “në afat rekord”, ashtu siç u ishte premtuar përfaqësuesve të sindikatave të transportit publik.
Ministri rikujtoi se procedurat nuk kanë mundur të zhvillohen më herët për shkak se e premtja dhe fundjava nuk kanë qenë ditë pune, ndërsa sot Departamenti i Buxhetit ka qëndruar në komunikim të vazhdueshëm me zyrtarët financiarë të Komunës së Prishtinës, të cilët – sipas tij – kanë qenë të informuar për çdo hap të procesit.
Murati kritikoi deklaratat e Komunës së Prishtinës, të cilat ai i cilësoi “të pavërteta”, duke shtuar se pretendimet për bllokim të mjeteve nga ana e ministrisë nuk qëndrojnë.
Ai ka shprehur pritjen që Komuna t’i ketë vlerësuar saktë obligimet financiare ndaj operatorëve të transportit publik, meqë ka ndarë vetëm 2.7 milionë euro për këtë kategori, dhe që këto mjete të shfrytëzohen për të shlyer borxhet dhe për ta përmbyllur, siç tha, “farsën e bllokadës së pretenduar”. /Telegrafi/
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar ashpër ndaj Ministrisë së Financave dhe ministrit në detyrë, Hekuran Murati, duke e akuzuar për bllokim të qëllimshëm të mjeteve financiare që, sipas tij, po pengojnë pagesën e punëtorëve të “Trafikut Urban” dhe operatorëve privatë të transportit publik.
Rama tha se shërbimet në kryeqytet janë ndërprerë dhe punëtorët kanë mbetur pa paga, ndërsa komuna, sipas tij, është në pritje të transferimit të fondeve nga ministria. Ai rikujtoi se javën e kaluar Asambleja komunale votoi bartjen e mjeteve, ndonëse këto obligime – siç theksoi ai – kanë mundur të mbulohen nga të hyrat vetanake prej 35 milionë eurosh dhe nga grantet qeveritare të cilat, sipas tij, nuk kërkojnë votim, por vetëm miratim nga ministri, përcjell Telegrafi.
Kryetari përmendi se komuna ka qenë e detyruar të përdorë gjithçka të mundshme për të siguruar pagat e punëtorëve, përfshirë edhe thirrjen e një seance të jashtëzakonshme, ku u votuan 25 milionë euro nga të hyrat e vitit 2024. Ai kujtoi se këto mjete ishin bllokuar tri herë radhazi nga asamblistët e Vetëvendosjes, të cilët më pas – siç tha – dolën publikisht duke pretenduar se “e shpëtuan kryeqytetin”.
“Qytetarët e dinë se, nëse buxheti nuk do të ishte bllokuar më herët, nuk do të kishte nevojë për ‘çbllokim’,” tha Rama, duke shtuar se në fund i falënderon të gjithë ata që votuan në interes publik.
Ai i drejtoi ministrit Murati një sërë pyetjesh, duke kërkuar sqarime pse mjetet ende nuk janë lëshuar, nëse po krijohet qëllimisht një krizë tjetër për përfitime politike, apo nëse – siç u shpreh – po praktikohet “mbajtja peng e mjeteve publike për interesa ditore”.
Reagimi i Ramës vjen në kohën kur kryeqyteti po përballet me ndërprerje të shërbimeve të transportit publik dhe me paralajmërime për radikalizim të veprimeve nga punëtorët. /Telegrafi/
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka bërë të ditur se numri i ndërmarrjeve të reja të regjistruara në Kosovë tashmë ka kaluar shifrën prej 11 mijë deri në fund të muajit tetor.
Sipas Muratit, në bazë të trendit aktual deri në fund të vitit kjo shifër pritet të tejkalojë 13 mijë biznese, duke vendosur një rekord të të gjitha kohërave në vend.
Ministri theksoi se kjo rritje është “tregues i shëndetit të mirë të ekonomisë, e cila po rritet vazhdimisht”, duke nënvizuar perspektivat pozitive për zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të reja të punës. /Telegrafi/
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar pas vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), i cili pranoi ankesën e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe anuloi qendrat alternative të votimit jashtë Kosovës, duke lejuar votimin vetëm në përfaqësitë diplomatike.
Murati, përmes një postimi në Facebook, e akuzoi LDK-në se po vepron kundër interesit të diasporës dhe po pengon pjesëmarrjen e tyre në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
“A din dikush me tregu pse LDK-ja është kaq kundër diasporës?”, shkroi ai, duke shtuar se Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës kishte ofruar hapësira shtesë për votim, përveç ambasadave e konsullatave, për ta afruar procesin me votuesit jashtë vendit.
Sipas Muratit, këto hapësira shtesë do ta lehtësonin procesin e votimit, por LDK-ja ka kundërshtuar këtë përmes ankesës në PZAP, e cila u miratua.
“LDK paraqet ankesë në PZAP për të kundërshtuar këtë lehtësim për diasporën. PZAP e miraton ankesën e LDK-së. Me deklarata LDK-ja e kërkon votën e diasporës, ama me vepra po shihet që po bën çmos që ta pengojë”, theksoi Murati./Telegrafi/
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati ka reaguar sërish për mosvotimin e disa prej dokumenteve kryesore financiare në Kuvend, duke e cilësuar veprimin e ish-opozitës si tentim për bllokim të shtetit.
Përmes një postimi, Murati ka thënë se opozita ka refuzuar të votojë 4 miliardë euro buxhet për vitin 2026, 1 miliard euro marrëveshje ndërkombëtare, buxhetin e tri komunave për vitin 2025 dhe buxhetin e RTK-së.
Sipas ministrit në detyrë partitë opozitare nuk kanë pasur vërejtje për përmbajtjen e dokumenteve financiare, por kanë synuar që siç thotë ai, “duke e bllokuar shtetin e duke i lënë qytetarët pa paga, faji do t’i mbetej Albin Kurtit”.
Murati u shpreh se ky veprim “destruktiv” nuk do të harrohet nga qytetarët.
“Qytetarët do ta mbajnë mend këtë veprim të partive opozitare dhe do t’ua tregojnë vendin me votë më 28 dhjetor”, ka shkruar ai. /Telegrafi/
Nënkryetari i Prishtinës, Shkëmb Manaj, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, i cili tha se Lëvizja Vetëvendosje ka bërë të mundur bartjen e të hyrave vetanake në Kuvendin Komunal të Prishtinës.
Manaj e akuzoi Muratin për “gënjeshtra”, duke thënë se VV kishte bllokuar procesin për muaj të tërë.
“Hekuran Murati po gënjen prapë! Tri herë ka dështuar bartja e mjeteve prej vitit 2024 në vitin 2025 për shkak të Vetëvendosjes, e cila kishte bllokuar Kuvendin Komunal”, tha Manaj.
Ai shtoi se në emër të kryetarit Përparim Rama kishte thirrur tri seanca të jashtëzakonshme – më 21 maj, 12 qershor dhe 27 qershor 2025 – por të gjitha kishin dështuar për shkak të mungesës së votave nga Vetëvendosja.
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar pas votimit të bartjes së të hyrave vetanake në Kuvendin Komunal të Prishtinës, duke theksuar se këtë hap e kanë mundësuar asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje.
Murati tha se Lëvizja Vetëvendosje në Kuvendin Komunal ka bërë atë që, sipas tij, nuk u realizua nga Lumir Abdixhiku dhe LDK-ja në Kuvendin e Kosovës.
“Sot, asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje e votuan bartjen e të hyrave vetanake në Kuvendin Komunal të Prishtinës. Pra, atë që nuk e bëri Lumir Abdixhiku dhe LDK-ja në Kuvendin e Republikës së Kosovës, e bëri Lëvizja Vetëvendosje në Kuvendin Komunal, për të zhbllokuar pagesat për shërbimet esenciale publike,” shkroi Murati.
Ai shtoi se për Lëvizjen Vetëvendosje, interesat e qytetarëve mbeten prioritet i vazhdueshëm.
“Siç është vërtetuar tash e sa herë, për Lëvizjen Vetëvendosje interesat e qytetarëve çdoherë kanë prioritet,” theksoi ai./Telegrafi/
Asambleja e Kryeqytetit ka miratuar të hyrat komunale për vitin 2024, të cilat kapin vlerën prej 28 milionë euro.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, e ka vlerësuar këtë vendim si të rëndësishëm për stabilitetin financiar të komunës, por njëkohësisht ka bërë thirrje që Ministria e Financave të zhbllokojë fondet që ende nuk janë alokuar.
Rama tha se ministri në detyrë duhet ta mbajë premtimin për alokimin e mjeteve të votuara, ndërsa theksoi se 35 milionë euro shtesë – 25 milionë nga të hyrat vetanake dhe 10 milionë nga një grant qeveritar – vazhdojnë të mbesin të bllokuara pa asnjë pengesë procedurale.
“Uroj që ministri në detyrë ta mbajë fjalën për alokimin e mjeteve të votuara sot. Ndërsa 25 milionë të hyrat vetanake dhe 10 milionë grant qeveritar, gjithsej 35 milionë euro, ende mbahen të bllokuara dhe nuk kërkojnë asnjë procedurë në Asamble, por vetëm vullnetin e ministrit për miratim”, deklaroi ai.
Sipas Ramës, zhbllokimi i këtyre fondeve është i domosdoshëm për zbatimin e projekteve kapitale dhe vazhdimin e shërbimeve esenciale për qytetarët.
Pas deklaratës së kryetarit Rama, ka reaguar ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati.
Ai tha se asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë mundësuar bartjen e të hyrave vetanake në Kuvendin Komunal, duke bërë, sipas tij, atë që nuk u realizua në Kuvendin e Kosovës nga Lumir Abdixhiku dhe LDK-ja.
“Sot, asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje e votuan bartjen e të hyrave vetanake në Kuvendin Komunal të Prishtinës. Pra, atë që nuk e bëri Lumir Abdixhiku dhe LDK-ja në Kuvendin e Republikës së Kosovës, e bëri Lëvizja Vetëvendosje në Kuvendin Komunal, për të zhbllokuar pagesat për shërbimet esenciale publike,” shkroi Murati.
Ai shtoi se për Lëvizjen Vetëvendosje, interesat e qytetarëve mbesin prioritet i padiskutueshëm.
“Siç është vërtetuar tash e sa herë, për Lëvizjen Vetëvendosje interesat e qytetarëve çdoherë kanë prioritet,” theksoi Murati./Telegrafi/
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, pas mbledhjes së sotme të Qeverisë, ka folur në një konferencë për media lidhur me situatën e krijuar në Komunën e Prishtinës rreth çështjes së buxhetit.
Ai tha se problemi me të cilin po përballet komuna është plotësisht i vetëshkaktuar dhe nuk ka të bëjë aspak me ndonjë bllokadë nga ana e Qeverisë së Kosovës.
Sipas tij, Komuna e Prishtinës ka pasur buxhet të alokuar për kategorinë mallra dhe shërbime, ndërsa tejkalimi i buxhetit nga ana e komunës ka krijuar detyrime pa mbulesë duke e shkelur kështu Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike.
“Është e qartë se komuna, respektivisht kryetari i Komunës së Prishtinës ka hyrë në obligime pa pasur mbulesë buxhetore. Kjo është shkelje e drejtpërdrejtë e ligjit dhe për këtë duhet të jepet llogari. Nuk ka pasur asnjë bllokadë nga Qeveria buxheti ka qenë i alokuar, por është tejkaluar në kundërshtim me rregullat,” tha Murati.
Ai mirëpriti faktin që sot Kuvendi Komunal i Prishtinës do të mbaj një seancë të jashtëzakonshme për miratimin e alokimit të të hyrave vetanake, në mënyrë që të shfrytëzohen për pagesën e faturave të mbetura.
Murati gjithashtu uroi që në këtë seancë siç tha ai “t’i jepet fund farsës së propaganduar se komuna është bllokuar nga qeveria”.
Murati shtoi se atë që nuk e bëri LDK-ja dhe Lumir Abdixhiku në Kuvendin e Kosovës, po e bënë sot Vetëvendosje në Kuvendin Komunal.
“Këtu kemi pasur të bëjmë me një fushatë të LDK-së. E njëjta parti, kur ishte seanca për ta votuar buxhetin në Kuvendin e Kosovës, nuk e bëri. Atë që nuk e bëri Lumir Abdixhiku dhe LDK-ja në Kuvend për buxhetin e Prishtinës, sot po e bën LVV në kuvendin komunal, duke ofruar votë mbështetëse pavarësisht ofendimeve e fyerjeve”, tha Murati. /Telegrafi/
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka njoftuar se sot janë ekzekutuar shtesat për mbi 400 mijë fëmijë, me rritjen prej 50 për qind, të cilën Qeveria e Kosovës e kishte paralajmëruar më herët.
Murati tha se gjatë ditës, të gjitha familjet përfituese do të marrin pagesat në llogaritë e tyre.
"Shtesat për mbi 400 mijë fëmijë tashmë janë ekzekutuar me rritjen prej 50%, dhe sot gjatë ditës të gjitha familjet përfituese do t’i kenë në llogari. Vazhdojmë me punë të mira. Qeveria për Familjen", tha ai.
Ndryshe, Qeveria mori vendim për rritjen e shtesave për fëmijë muajin e kaluar./Telegrafi/
Shërbimi i autobusëve të Trafikut Urban në Prishtinë, të hënën (24 nëntor), ka protestuar para Komunës së Prishtinës duke kërkuar ekzekutimin e pagave për muajin tetor, sigurimeve dhe karburantit, pasi, sipas tyre, ndërmarrja ka arritur në një pikë kritike financiare. Punëtorët thanë se situata ka degraduar deri në atë masë sa kompania nuk mund të sigurojë as minimumin e nevojshëm për të vazhduar operimin.
Të premten e javës së kaluar, ministri i Financave, Hekuran Murati, kishte deklaruar se Qeveria ka alokuar mjete financiare për Komunën e Prishtinës, të parapara fillimisht për muajin dhjetor, në mënyrë që të kryhen disa borxhe që komuna ka ndaj ndërmarrjeve të ndryshme, përfshirë edhe Trafikun Urban.
I pyetur nga Telegrafi nëse Ministria e Financave i ka alokuar këto mjete, ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv të Trafikut Urban, Qendrim Vitija, konfirmoi se të premten është pranuar një shumë financiare.
“Ministria e Financave të premten (21 nëntor) e ka lëshuar një shumë monetare në llogari të Komunës së Prishtinës. Realisht, në takimet që kemi pasur me kryetarin Përparim Rama, na ka njoftuar se Ministria e Financave ka liruar 3.2 milionë euro për Komunën e Prishtinës”, deklaroi Vitija.
“Në kuadër të kësaj, vetëm Trafiku Urban deri në muajin tetor ka pasur fatura të dorëzuara në Komunën e Prishtinës në vlerë rreth 2.7 milionë euro. Që i bie që 2.7 milionë euro Komuna e Prishtinës ka obligime ndaj Trafikut Urban”, shtoi ai.
Sipas Vitisë, shuma që komuna ka alokuar në llogarinë e Trafikut Urban nuk mjafton për rifillimin e punës. “Dje, më datë 24 nëntor, nga Komuna e Prishtinës në llogari të Trafikut Urban është derdhur shuma në vlerë rreth 680 mijë euro. Ne me këto mjete tani po paguajmë pagën e muajit tetor të punonjësve, ndërsa pjesa tjetër e mbetur nuk është e mjaftueshme me rifillua punën", tha ai.
Vitija theksoi se situata nuk mund të stabilizohet pa shlyerjen e të gjitha obligimeve që komuna ka ndaj ndërmarrjes. “Ne po presim edhe pagesën e faturave tjera nga Komuna e Prishtinës, respektivisht pas zhbllokimit të mjeteve nga Ministria e Financave. Kemi obligime të mëdha ndaj furnitorëve. Furnitori më i madh që Trafiku Urban ka është furnitori i naftës, edhe më tani ne kemi obligime ndaj tij rreth një milion euro. Kështu që pa i pagua komuna një pjesë të konsiderueshme të mjeteve, ne nuk mund ta rifillojmë punën,” u shpreh më tej ai.
Drejtori në detyrë foli edhe për masat që po ndërmerr për menaxhimin e situatës. “Jam duke marrë të gjitha masat për me i menaxhu punonjësit, mirëpo sindikatat e Trafikut Urban – që janë dy në ndërmarrje, sindikatat dhe shoqatat e transportit të operatorëve privatë – kanë organizuar protesta, të cilave edhe unë normal i bashkëngjitem deri në realizimin e objektivave tona që i kemi, realisht deri në realizimin e pagesës edhe obligimeve që i ka komuna ndaj Trafikut Urban dhe operatorëve të sektorit privat,” tha Vitija.
Për krizën në Trafikun Urban reagoi edhe ish-kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, duke thënë: “Nuk mundesh me liru nga pagesa në fushatë, e pas tri ditëve me mbetë pa para”. Vitija, ndërkohë, sqaroi modelin aktual të financimit dhe arsyet pse ndërmarrja nuk varet drejtpërdrejt nga të hyrat e biletave.
“Komuna e Prishtinës me Trafikun Urban e ka një kontratë për shërbime publike, të njëjtën kontratë e ka edhe me sektorin privat. Trafiku Urban dhe sektori privat kompensohen nga Komuna e Prishtinës për kilometrat e kaluara. Në këtë rast, Komuna i ka llogari të gjitha lirimet, kategoritë e liruara nga pagesa dhe i kanë kalkuluar në këtë çmim. Realisht, as Trafiku Urban, as sektori privat direkt nuk janë të lidhur nga të hyrat e biletave, sepse kompensohen nga komuna për kilometrat e kaluara. Të hyrat nga biletat, si të Trafikut Urban ashtu edhe të sektorit privat, indirekt kalojnë në llogari të komunës”, sqaroi ai.
Situata në Trafikun Urban mbetet e rënduar, dhe sipas Vitisë, pa u alokuar mjetet e tjera në llogarinë e ndërmarrjes nga Komuna e Prishtinës, rifillimi i punës mbetet i pamundur. /Telegrafi/
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka akuzuar Lidhjen Demokratike të Kosovës se, në mungesë të kauzave të vërteta politike, po del kundër interesave të qytetarëve dhe po e përdor kryeqytetin për fushatë elektorale.
Në një konferencë për media, Murati tha se kryetari Përparim Rama po tenton të fajësojë Qeverinë dhe Ministrinë e Financave për problemet në sektorin e transportit urban, duke shtuar se situata aktuale është pasojë e vendimeve të papërgjegjshme të komunës.
Murati bëri të ditur se ka takuar përfaqësuesit e transportuesve që protestuan para Komunës së Prishtinës dhe Qeverisë, duke theksuar se problemet janë shkaktuar nga vetë komuna:
“Problemi i parë është se ky problem është i vetëshkaktuar, pasi ka pasur vendime elektorale për t’i larguar nga pagesa shumicën e qytetarëve, duke e ngarkuar barrën mbi Komunën e Prishtinës, e cila as nuk e kishte buxhetin e miratuar”, tha ai.
Sipas tij, pos trafikut urban, komuna ka futur në vështirësi edhe operatorët privatë të transportit.
“Problemi i dytë është se komuna nuk e ka miratuar buxhetin, dhe as buxheti i shtetit nuk u votua në Kuvend, sepse edhe LDK-ja mungoi. Ky mosvotim e bëri problemin e Prishtinës të pariparueshëm”, shtoi Murati.
Ai e quajti situatën e krijuar një fushatë elektorale të Abdixhikut në kurriz të qytetarëve, duke thënë se kryeqyteti është detyruar të punojë me vetëm 1/12 e buxhetit emergjent.
“LDK-ja, në mungesë të kauzave të vërteta politike, ka vendosur të sabotojë, të marrë peng qytetarët e Prishtinës dhe të mbajë peng qytetin. Nga premtimet për transformim të trafikut urban, tani kemi kaluar në ‘bankrotim’. Po shihet qartë se kjo propagandë po bëhet për kalkulime politike, duke u mohuar qytetarëve shërbime publike vetëm që të fajësohet Qeveria apo Ministria e Financave”, deklaroi Murati./Telegrafi/
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, iu bashkua sot protestës së punëtorëve të Trafikut Urban, duke bërë thirrje të hapur për zgjidhje të menjëhershme nga Qeveria e Kosovës.
Në reagimin e tij, Rama iu drejtua kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe ministrit të Financave, Hekuran Murati.
"Albin, Hekuran, mos rrini në zyra e në xhipa. Hajde takohemi dhe e bëjmë zgjidhjen për punëtorët dhe qytetarët e Prishtinës! Sot iu bashkova protestës sepse jam dhe do të jem gjithmonë me punëtorët dhe qytetarët e kryeqytetit. Prej një viti kërkojmë zhbllokimin e buxhetit, ndërsa ai vazhdon të mbahet padrejtësisht peng për interesa politike. Jam me ju punëtorë dhe do të qëndroj në krahun tuaj deri në zgjidhjen e këtij problemi dhe kthimin e shërbimeve që qytetarët meritojnë!", ka shkruar Rama, përcjell Telegrafi.
Rama theksoi rëndësinë e pagesës së pagave të punëtorëve dhe rifillimit të shërbimeve për qytetarët.
"Punëtorët po i presin pagat që u takojnë. Qytetarët po i presin shërbimet që u takojnë. Kryeqyteti po e pret buxhetin që i takon! Mos bëni politikë me nevojat bazike të qytetarëve. Është e pandershme dhe jonjerëzore", thuhet më tej në reagimin e tij
Ky reagim vjen në një moment kur qytetarët e Prishtinës po përballen me ndërprerjen e shërbimeve të transportit urban, për shkak të krizës financiare që ka bllokuar pagesat e punëtorëve dhe funksionimin e disa linjave të autobusëve. /Telegrafi/
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, dhe ministri në detyrë i Financave nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, janë përplasur publikisht lidhur me bllokimin e buxhetit komunal të Prishtinës.
Debati mes tyre ka përfshirë edhe mesazhe politike për zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Abdixhiku ka akuzuar Vetëvendosjen për pengimin e buxhetit, duke theksuar se qytetarët e Prishtinës kanë dhënë mesazhin e tyre qartë dhe se ata do ta përsërisin këtë edhe më 28 dhjetor.
Ai ka shtuar se gjatë një viti Kryeqyteti është mbajtur pa buxhet, duke e konsideruar këtë një “sekt popullist që shkatërrimin e vendit e ka mision”.
“Prishtinën e bllokuan. Dhe Prishtina foli e para, foli qartë. LDK-në e riktheu si parti të parë; bllokuesit i la larg… Teksa shpërndanin vitra për votë, pa ligj e pa legjitimitet, për Prishtinë, Kryeqytetin e vendit të vet, vazhduan ta mbajnë për plot një vjet. Koha e tyre po mbaron,” ka shkruar Abdixhiku në Facebook.
Nga ana e tij, Murati ka kundërshtuar Abdixhikun, duke akuzuar LDK-në për moskalimin e buxhetit në Kuvend.
Sipas Muratit, nëse buxheti do të ishte miratuar në seancën e fundit, Komuna e Prishtinës nuk do të kishte asnjë problem me financat.
“Lumir Abdixhiku, tregoju qytetarëve të Komunës së Prishtinës pse nuk e votuat buxhetin për vitin 2025! Ju vendosët që betejën politike ta bëni në kurriz të qytetarëve duke mos e votuar buxhetin,” ka shkruar Murati./Telegrafi/
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar pas deklaratave të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, i cili akuzoi Qeverinë për bllokimin e të hyrave vetanake dhe rrezikimin e shërbimeve esenciale në kryeqytet.
Në një postim Murati ka thënë se Thesari e ka alokuar buxhetin e muajit dhjetor për Komunën e Prishtinës që të premten pasdite, madje para kohe me qëllim që të mund të paguheshin faturat urgjente, si ajo e energjisë elektrike.
Sipas tij, pavarësisht se buxheti ishte i gatshëm, stafi i Komunës së Prishtinës nuk i ka kryer pagesat.
“Nga Thesari më njoftuan se stafi i Komunës e kishte përfunduar orarin dhe nuk kishte kryer asnjë pagesë, me arsyetimin: ‘i kryejmë të hënën’.”, shkroi Murati.
Ministri në detyrë tha se ishte i habitur me këtë vendim, duke theksuar se sjellja e komunës nuk përputhej me urgjencën që kishte paraqitur Rama kur kërkoi alokimin e parakohshëm të buxhetit.
Sipas Muratit, arsyeja që komunës “i duhej” vonesa ishte politike.
“Në vend se të paguanin faturat, Përparim Rama dhe nënkryetarët e tij zgjodhën të bëjnë propagandë anti-qeveri gjatë fundjavës. Po t’i paguanin faturat të premten, nuk do të mund të vazhdonin propagandën të shtunën e të dielën”, tha Murati.
Ai gjithashtu akuzoi drejtuesit e LDK-së për mospërkrahje të qëllimshme në Kuvend.
“Kjo e sqaron edhe pse Lumir Abdixhiku dhe deputetët e LDK-së nuk e votuan buxhetin për Prishtinën. Në mungesë të kauzave reale, nuk po i kursejnë as qytetarët e kryeqytetit”, u shpreh Murati.
Ky reagim i ministrit Murati vjen në kohën kur Rama paralajmëroi krizë serioze të shërbimeve publike në Prishtinë, përfshirë ndërprerjen e transportit publik, për shkak të mungesës së mjeteve të alokuara.
Qeveria, ndërkohë, e hedh poshtë kategorikisht akuzën për bllokadë, duke e konsideruar situatën si pasojë të keqmenaxhimit komunal. /Telegrafi/