Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 3 January 2026Main stream

Rama do të vendos taksë për të gjitha automjetet që nuk janë të Prishtinës

2 January 2026 at 23:21


Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, në një intervistë për RTV21 ka folur për projektet dhe ndryshimet që pritet të bëhen në kryeqytet gjatë vitit 2026.

Ai theksoi se Komuna po shqyrton masa të reja për menaxhimin e trafikut dhe qarkullimit të automjeteve, përfshirë edhe vendosjen e një pagese për hyrjen në qytet.

“Kush hyn me veturë në Prishtinë do ta paguajë 1 euro. Tash i kemi në përfundim këto ditë edhe emërimin, edhe finalizimin e projektit për unazën e brendshme. Jemi duke analizuar edhe mundësinë për një taksë për të gjitha automjetet që nuk janë të Prishtinës, pra për makinat që vijnë nga jashtë dhe hyjnë në Prishtinë.”, tha ndër tjera Rama.

Before yesterdayMain stream

​Rama kërkon koalicion të gjerë lokal: Projektet e Prishtinës kërkojnë bashkëpunim

1 January 2026 at 15:20


Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka ftuar publikisht Lëvizjen Vetëvendosje, PDK-në, AAK-në dhe Lidhjen e Prishtinës për krijimin e një koalicioni të gjerë në nivel lokal, duke thënë se kryeqyteti ka projekte të gatshme dhe ka nevojë për bashkëpunim përballë sfidave të mëdha.

Në një intervistë për KosovaPress, Rama ka theksuar nevojën për bashkëpunim mes partive në nivel lokal në mënyrë që të çojnë përpara projektet. Vëmendje të veçantë i kushtoi nevojës për Policinë e kryeqytetit.

“Unë kam kërkuar publikisht po them që të bëjmë një koalicion të gjerë edhe këtu e ftoj edhe Lëvizjen Vetëvendosje, edhe Partinë Demokratike të Kosovës, edhe AAK-në, edhe Lidhjen e Prishtinës edhe të gjithë, sepse kemi një periudhë kohore katërvjeçare ku kemi sfida të mëdha që të përgatitemi për lojërat mesdhetare edhe mundemi po them me bërë shumë punë të mëdha. Kemi vizion, kemi mision, të gjitha projektet i kemi të gatshme, vetëm na duhet një koordinim i mirëfilltë, një bashkëpunim i mirëfilltë për me lulëzuar kryeqytetin. E nuk kam dyshim që do të mrijmë ta bëjmë një koalicion të gjerë. Nuk kemi bërë diskutime për detale”, ka thënë Rama.

2025-ta sipas Ramës ishte vit sfidues me bllokada nga niveli qendror për projekte dhe buxhet.

Një nga sfidat kryesore, sipas tij, ka qenë menaxhimi i projekteve infrastrukturore, sidomos ato që lidhen me zhvillimin e urbanizmit dhe përmirësimin e kushteve të jetesës.

Ndërkohë, për unazën e jashtme të kryeqytetit, Rama tha se duhet të zhbllokohet sa më shpejt pasi që ndihmon edhe për lojërat mesdhetare të 2030.

“Ka qenë një vit sfidues, kemi pasur bllokada të ndryshme, përkundër faktit që kemi pasur bllokada të projekteve, po ashtu të gjithë buxhetit. Mirëpo në fund, për fat të mirë, e kemi zhbllokuar buxhetin edhe kemi mundur me i kryer të gjitha obligimet tona financiare ndaj operatorëve.. Unaza e brendshme tashmë ka përfunduar dhe do të futet në përdorim këto ditët me radhë. Ndërsa unaza e jashtme duhet të fillojë sa më shpejt sepse e dimë që i kemi lojërat mesdhetare të vitit 2030, për të cilat duhet të bëhemi gati. Projekti më madhor i kryeqytetit është unaza e kryeqytetit. E dini që e kemi projektin gati tash e katër vite, po ka qenë edhe ai i bllokuar nga qeveria. Kemi pasur edhe kryeministrin që ka dhënë deklarata vetë që duhet ta zhbllokojmë procesin, duhet të fillojë brenda dy- tre muajsh që ta ndërtojmë unazën”, ka thënë Rama.

Një tjetër projekt i madh që është përmendur nga Rama, pas përfundimit të sheshit George Bush është ndërtimi i sheshit deri tek rrethi me flamur që do të lidhen me xhaminë e madhe që është në ndërtim. Ky projekt, sipas kryetarit Rama, ka për qëllim përmirësimin e cilësisë së ajrit, krijimin e hapësirave publike të sigurta dhe promovimin e aktiviteteve kulturore dhe sociale për të gjitha grupmoshat.

Sheshi George Bush që ka qenë i premtuar se do të përfundoj në nëntor të 2025, Rama ka thënë se ende është i bllokuar procesi dhe shpreson se mund të përfundojë brenda 12 muajsh nëse zhbllokohet brenda një muaji.

“Atë e kemi në plan dhe atë do ta vazhdojmë. Kjo është një proces i zhbllokimit të trafikut në kryeqytet, i përmirësimit të cilësisë së ajrit, i përmirësimit të jetës së njerëzve në kryeqytet, pra i krijimit të hapësirave publike që kërkojnë më shumë siguri edhe një krijimi të një teatri publik i ndërlidhur me ekspozita, gastronomi, muze, hapësira publike për të gjitha demografitë, prej fëmijëve deri tek të moshuarit. Sapo të përfundojë sheshi George Bush do të fillojmë edhe me fazën e dytë deri tek posta atje, deri tek xhamia e madhe tash që ndërtohet, sepse edhe kur të përfundon xhamia e madhe, ka me qenë një fluks i madh i qytetarëve jo vetëm nga Prishtina po nga e gjithë Kosova edhe i duhet patjetër që të ketë një vendosje të mirëfilltë urbane, në kontekst urban që kjo ndërlidhet edhe me sheshin të cilin e kemi propozuar... Nëse zhbllokohen proceset që unë jam shumë optimist që do t'i zhbllokojmë për ndoshta as për brenda dy- tre javësh apo një muaji, uroj që kjo të ndodhë. Atëherë, sheshi mundet me përfundu brenda 12 muajsh”, ka shtuar ai.

E për Spitalin e Prishtinës, që ka pasur të përfundojë në vitin 2023, Rama ka thënë se edhe pse kanë siguruar fonde prej 75 milionë euro nga qeveria e shtetit të Katarit, Ministria e Punëve të Brendshme nuk e ka dorëzuar projektin për të marrë këto fonde.

“E kemi parcelën e ndarë, e kemi projektin e përfunduar të cilin tash është nën menaxhim të Ministrisë të Punëve të Brendshme. Ne kemi kërkuar që të na japin këtë projekt sepse ne vetë kemi punuar me ekipet përkundër faktit që nuk ka qenë në menaxhim tonin, por në menaxhim të Ministrisë së Administratës e cila ka kaluar pastaj, se është një projekt prej vitit 2019, i cili ka mbetur në sirtarë si fizibilitet. Ne e kemi zhvilluar deri në arkitekturë detale edhe po ashtu kemi siguruar fonde nga qeveria e shtetit të Katarit, mirëpo ja që është refuzuar, domethënë nuk na e kanë dorëzuar projektin për me e dërguar atje që t'i marrim fondet, ende e kemi këtë mundësi... Puro politike, domethënë 75 milionë të cilët janë destinuar, se janë premtuar nga shteti i Katarit, kishin me qenë pare falë, grant. Po ja që ministri i kësaj ministrie ka vendosur që mos na e jep këtë projekt, mos ta dorëzojë projektin”, ka thënë Rama.

Një tjetër sektor ku Komuna e Prishtinës, sipas Ramës ka investuar shumë gjatë vitit 2025, është arsimi dhe kujdesi për fëmijët.

Rama ka theksuar se janë ndërtuar shkolla dhe çerdhe të reja, ndërkohë që ka vazhduar mbështetja për familjet me të ardhura të ulëta, përmes subvencioneve për regjistrimin e fëmijëve në çerdhe private.

“Ne kemi ndërtuar faktikisht katër çerdhe, kemi ndërtuar tre shkolla, tash i kemi po them në ndërtim e sipër edhe shtatë të tjera plus pesë shtesë. Pra ne vetëm se kemi ndërtuar një numër të madh të shkollave dhe çerdheve, më shumë se kurrë më parë. Nëse i bën bashkë më shumë se qeveria në të gjithë shtetin faktikisht. Janë tash edhe në proces e sipër edhe në bazë të planit zhvillimor komunal e kemi përcaktuar që 3.5 për qind të secilit zhvillim në kryeqytet i kthehen komunës për komunitet. Ne kemi edhe programin tjetër ku i kemi subvencionuar familjet të cilat kanë marrë 500 euro në muaj apo më pak, me subvencion 70 euro në muaj për fëmijët e tyre për me i çuar edhe nëpër çerdhe private nëse nuk munden me i çuar nëpër çerdhe publike”, është shprehur Rama.

Rama ka theksuar se për të siguruar një menaxhim më të mirë të sigurisë dhe një përgjigje më të shpejtë ndaj situatave emergjente, Prishtina ka nevojë për një forcë policore të pavarur, që do të menaxhohet direkt nga Komuna.

“Policia e Kryeqytetit është edhe sfida tjetër me radhë, e cila është ka qenë e bllokuar prej Ministrisë së Punëve të Brendshme. Pra kryeqytetit i duhet Policia e Kryeqytetit, i duhet direktivat e drejtpërdrejta prej kryetarit të kryeqytetit. Kjo nuk është pranuar, as nuk është lejuar prej Ministrisë së Punëve të Brendshme. Tash që përgatitemi për lojërat mesdhetare 2030, ne patjetër duhet ta kemi Policinë e Kryeqytetit”, ka thënë ai.

Rama ka folur edhe për trafikun urban të Prishtinës që do t’i shtohen edhe 100 autobusë të rijnë dhe dy tramvajë elektrikë që do të lidhin Fushë Kosovën me lagjen Bregu i Diellit deri në qershor të vitit 2026.

Kryetari i Prishtinës ka përmendur edhe TRIP-in, trafikun e ri të Prishtinës që ka ndërlidhur trafikun urban publik me sektorin privat me një biletë të ndërlidhur, ndërkohë do të shtohet edhe TRIM-i transporti i ri metropolitan që do të ndërlidhë komunat përreth si Obiliqin, Fushë Kosovën, Podujevën, Lipjanin, Graçanicën dhe Drenasin.

Për vitin 2026, Komuna e Prishtinës ka planifikuar një buxhet prej 151 milionë eurosh, që do të përdoret për projekte të rëndësishme, përfshirë ndërtimin e stadiumit të ri dhe arenës multifunksionale, si dhe përgatitjet për Lojërat Olimpike të vitit 2030. Ky investim ka për qëllim modernizimin e infrastrukturës dhe ngritjen e nivelit të jetesës për qytetarët e Prishtinës./KP/

Prishtina feston sonte ndërrimin e viteve, aktivitetet nisin nga ora 18:00

31 December 2025 at 15:09


Në kryeqytet sonte shënohet ndërrimi i viteve me një program festiv të organizuar nga Komuna e Prishtinës.

Sipas njoftimit zyrtar, aktivitetet festive nisin nga ora 18:00 dhe do të zgjasin deri pas mesnatës, duke ofruar muzikë live dhe performanca artistike për qytetarët që do të festojnë Vitin e Ri në shesh.

Qytetarët janë ftuar të marrin pjesë në numërimin tradicional për ndërrimin e viteve pak para mesnatës, i cili do të shoqërohet me shfaqje fishekzjarresh.

“Nën organizimin e Kryetarit të Kryeqytetit, Përparim Rama, kjo mbrëmje vjen si një festë për të gjithë qytetarët – me muzikë, gëzim dhe energji pozitive për ta nisur vitin e ri së bashku”, thuhet në njoftimin e Komunës.

Sipas agjendës së publikuar, programi përfshin nisjen e aktiviteteve me DJ nga ora 18:00, ndërsa nga ora 23:30 deri në 00:30 do të performojnë Jehona Lumi & Band. Pas mesnatës, në orën 00:40, skena do t’i takojë Dren Abazit dhe Zig Zag Orchestra.

Komuna e Prishtinës u ka uruar mirëseardhje të gjithë qytetarëve dhe ka ftuar ata që të bëhen pjesë e festës së ndërrimit të viteve në kryeqytet.


Komuna e Prishtinës vendos t’i japë në shfrytëzim 5288 prona për vitin 2026

30 December 2025 at 13:32


Me 31 vota për, 14 kundër dhe asnjë abstenim ka kaluar në kuvendin komunal të Prishtinës në një seancë të jashtëzakonshme, lista e veçantë për pronat e paluajtshme të dhëna në shfrytëzim për 2026, ani pse kishte diskutime të shumta rreth saj si mangësi si dokumentacion.

Drejtori i Pronës në komunën e Prishtinës, Brahim Mehmetaj tha se ky dokument është i rëndësishëm për zhvillim ekonomik, social dhe urban të komunës së Prishtinës, i cili sipas tij është hartuar në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe parimin e transparencës së interesit publik dhe menaxhimit të pronës së kryeqytetit.

“Një dokument i rëndësisë së veçantë për zhvillim ekonomik, social dhe urban të komunës sonë. Kjo listë është hartuar në përputhje me legjislacionin në fuqi si dhe me parimin e transparencës, interesit publik dhe menaxhimit të pronës së kryeqytetit. Qëllimi kryesor është që pronat komunale të mos mbesin të pashfrytëzuara, por të vie në funksion të zhvillimit, krijimit të vendeve të reja të punës dhe rritjes së të hyrave për kryeqytetin. Pronat e përfshira në këtë listë janë analizuar me kujdes në aspektin juridik, urbanistik dhe ekonomik. Shfrytëzimi i tyre do të bëhet përmes procedurave të hapura, konkurruese dhe transparente duke garantuar ruajtjen e pronësisë dhe interesit publik”, tha Mehmetaj, raporton Kp.

Asamblistja nga Lëvizja Vetëvendosje, Nora Kelmendi kishte kritika për listën e veçantë e cila sipas saj është e mangët dhe gjithashtu ka nene të gabuara.

Në dokumentacionin e dërguar Kelmendi tha se mungon lista e përgjithshme e pronave të paluajtshme të komunës, e cila sipas ligjit duhet të dërgohet nga kryetari për miratim paraprak nga Kuvendi komunal.

“Kemi një listë siç po shihet problemi nuk është ideja e shfrytëzimit, por tek mënyra, procedura dhe mungesa e dokumentacionit të domosdoshëm ligjor. Në dokumentacionin e dërguar nga ekzekutivi përmes postës elektronike mungon lista e përgjithshme e pronave të paluajtshme të komunës, e cila sipas ligjit duhet të dërgohet nga kryetari për miratim paraprak nga kuvendi komunal. Para vetës kemi vetëm një listë të veçantë, e cila në vetvete është e mangët. Keni përshkruar edhe nene të gabuara që nuk po çuditem fare sepse edhe pas katër viteve ju ende bëni gabime të tilla amatereske”, tha Kelmendi.

Shefja e grupit të asamblistëve të PSD-së, Besa Shahini kishte pesë kërkesa për kryetarin e komunës, Përparim Rama si parakusht për të votuar listën e dërguar.

“Pesë kërkesa konkrete të cilat janë parakusht për të votuar këtë listë që e keni dërguar. E para është dhënia në qira ose shfrytëzimin e pronave publike, një arsyetim për ekonominë dhe qëllimin pse po i jepni këto prona. Kryetari është i obliguar të raportoj çdo gjashtë muaj për pronat që janë dhënë në shfrytëzim. E treta komuna e Prishtinës nuk e ka rregulloren që i kërkohet për dhënien në shfrytëzim në periudhë më pak se një vit. E katërta plani i veprimit për të adresuar komentet e auditorit dhe e pesta Prishtina e ka një problem shumë serioz me mbrojtjen e pronës publike çdo ditë zaptohen dhe është e pamundur për ta mbrojtur nëse refuzoni për ta ndërtuar regjistrin e përgjithshëm për të ditur se ku janë pronat publike të komunës”, shtoi Shahini.

Edhe Gëzim Sveçla nga LVV-ja tha se në një listë me 5 mijë e 288 prona pa kompletim të dokumentacionit, nuk dihet se kush është pronari, kush i shfrytëzon e as destinimi i tyre.

“Na sjell një listë me 5 mijë e 288 prona, në një seancë të jashtëzakonshme dhe me kërkua me votu të njëjtin pa kompletim të dokumentacionit paraprak nuk është në rregull. Asamblistët nuk janë makineri votash, nuk mundem me votu prona që nuk dihet kush është pronari, kush i shfrytëzon as cili është destinimi i tyre. Kjo mund të shërbej pastaj për shumë veprime tjera të jashtëligjshme, mund të ketë qytetarë qe këto prona tashmë i kanë në shfrytëzim dhe miratimi i një liste të tillë është një lloj shantazhi ndaj tyre”, tha Sveçla.

Jeta Rafuna nga LDK-ja ka kërkuar që ta votojnë këtë listë sepse sipas saj krijon mundësi për ekonomi, mbështetje e iniciativa lokale si dhe për rritjen e të hyrave vetanake të komunës.

“Lista që po shqyrtojmë sot janë rezultat i procesit funksional, me qëllim që këto prona të bien në funksion të interesit publik që të mos mbesin të pashfrytëzuara. Krijon mundësi për qëllim ekonomik, për mbështetjen e iniciativa lokale si dhe për rritjen e të hyrave vetanake të komunës, të cilat më pas kthehen në shërbime për qytetarët tanë. Miratimi i këtij vendimi sot i hap rrugë planifikimit me kohë për 2026 dhe siguron një proces të rregullt të barabartë dhe transparent”, shtoi Rafuna.

Nënkalimi në Kodrën e Trimave i nënshtrohet pastrimit gjeneral

26 December 2025 at 14:46


Drejtori i Mobilitetit, Donat Lushaku, ka njoftuar se sot po zhvillohet procesi i dezinfektimit të hapësirës në Nënkalimin te Xhamia e Llapit, në lagjen Kodra e Trimave, me përdorimin e mjeteve të parapara higjienike.

Sipas njoftimit, gjatë ditës së nesërme është planifikuar pastrimi gjeneral i nënkalimit me cisternë, me qëllim të përmirësimit të kushteve të higjienës dhe sigurisë për qytetarët.

Lushaku ka apeluar tek banorët që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes në këtë hapësirë dhe, nëse është e mundur, të shmangin përdorimin e nënkalimit deri në përfundimin e plotë të punimeve të pastrimit.

Institucionet komunale kanë theksuar se këto veprime po ndërmerren në kuadër të mirëmbajtjes së rregullt të infrastrukturës urbane dhe për garantimin e një ambienti më të sigurt për këmbësorët. /Telegrafi/


Aktakuzë ndaj ish-kryetarit të Komunës së Prishtinës, dyshohet se nuk deklaroi mbi 172 mijë euro

23 December 2025 at 15:10


Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj Sh.A., për veprën penale “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”.

Kjo u bë e ditur përmes një postimi në rrjetin social në Facebook nga faqja zyrtare e Sistemit Prokurorial.

Ndër të tjera në njoftim thuhet se i pandehuri akuzohet se, nga viti 2018 e në vazhdimësi deri në vitin 2022, në cilësinë e Kryetarit të Komunës së Prishtinës, me dashje ka paraqitur deklarata të pasakta të pasurisë, përkatësisht duke mos deklaruar deponimet në para të gatshme, të realizuara personalisht gjatë viteve përkatëse.

"Sipas aktakuzës, shuma e përgjithshme e mjeteve të padeklaruara arrin vlerën prej 172,600.00 euro. Rasti i është dërguar për shqyrtim Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti Special", thuhet në njoftim. /Telegrafi/





Komuna e Prishtinës mbështet të moshuarit përmes donacioneve në bashkëpunim me BIK-un dhe shoqatën “Bereqeti”

22 December 2025 at 13:44


Kryetari i Kryeqytetit ka bërë të ditur se Komuna e Prishtinës po vazhdon bashkëpunimin me Bashkësinë Islame të Prishtinës dhe Shoqatën Bamirëse “Bereqeti”, në kuadër të përkujdesjes sociale për qytetarët, veçanërisht për të moshuarit.

Sipas tij, përmes një donacioni që përfshin mbështetje materiale për personat e moshuar, institucionet dhe organizatat partnere po dëshmojnë rëndësinë e solidaritetit dhe ndihmës reciproke, sidomos gjatë kësaj periudhe.

Kryetari ka falënderuar edhe Shtëpinë e të Moshuarve për bashkëpunimin dhe energjinë pozitive, duke theksuar se angazhimi i përbashkët e bën këtë partneritet edhe më të fuqishëm në shërbim të qytetarëve. /Telegrafi/


Mbyllje e pjesshme e rrugës “Muharrem Fejza” në Prishtinë për shkak të punimeve

19 December 2025 at 10:19


Për shkak të punimeve që po zhvillohen për lidhjen e rrugës “Skënder Çeku” me rrugën “Muharrem Fejza”, Komuna e Prishtinës njofton se rruga “Muharrem Fejza” do të mbyllet përkohësisht dhe pjesërisht.

Sipas njoftimit, qarkullimi do të menaxhohet në mënyrë të kontrolluar përmes një shiriti rrugor, me qëllim të sigurimit të rrjedhës sa më të rregullt të trafikut.

Mbyllja e përkohshme do të fillojë më 19 dhjetor 2025, ora 20:00, dhe do të zgjasë deri më 21 dhjetor 2025, ora 20:00.

Komuna falënderon qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin gjatë kësaj periudhe. /Telegrafi/

Prishtina inauguron “Deep Space 8K”, hapësirë për teknologji dhe krijimtari

19 December 2025 at 08:00


Kryeqyteti i Kosovës ka inauguruar “Deep Space 8K”, një hapësirë inovative që sjell për herë të parë në Prishtinë një përvojë të avancuar teknologjike dhe kreative. Lajmi është bërë i ditur nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, përmes një postimi në rrjetet sociale.

Sipas Ramës, “Deep Space 8K” përfaqëson një dimension të ri për kryeqytetin, jo vetëm si platformë për të parë të ardhmen, por si hapësirë ku ajo përjetohet, krijohet dhe ndërtohet në të tashmen. Ai theksoi se kjo nismë dëshmon ambicien e Prishtinës për të mos ndjekur trendet globale, por për t’i krijuar ato.

Kjo hapësirë synon ta shndërrojë dijen në përvojë konkrete, duke e afruar teknologjinë me njerëzit dhe duke u dhënë formë reale ideve dhe imagjinatës. “Deep Space 8K” pritet të shërbejë si ambient frymëzues për të rinjtë, krijuesit dhe inovatorët, duke nxitur zhvillimin e ideve që e pozicionojnë Prishtinën përtej kufijve tradicionalë.

Realizimi i këtij projekti është bërë i mundur përmes bashkëpunimit me Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) dhe organizatën ndërkombëtare Ars Electronica.

Kryetari Rama theksoi se ky partneritet është dëshmi e përkushtimit për ta zhvilluar kryeqytetin përmes dijes, teknologjisë dhe krijimtarisë. /Telegrafi/


Rama: Prishtina pjesë aktive e dialogut evropian për të ardhmen urbane

16 December 2025 at 22:15


Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se Kryeqyteti po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje në forume ndërkombëtare ku diskutohen politikat urbane dhe vizioni për qytetet e së ardhmes.

Përmes një postimi në Facebook, Rama njoftoi se javën e kaluar i është drejtuar asamblesë së Shoqatës së Politikës së Jashtme dhe Shoqatës së Kombeve të Bashkuara të Austrisë, në një takim të nivelit të lartë kushtuar përgjegjësisë dhe zhvillimit urban. Diskutimi, sipas tij, është moderuar nga ish-kancelari i Austrisë, Wolfgang Schüssel.

Ai theksoi se para një audience të përbërë nga diplomatë dhe vendimmarrës të lartë ndërkombëtarë, përfshirë edhe ish-zëvendëssekretaren e përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Angela Kane, ka prezantuar rrugëtimin e transformimit urban të Prishtinës, duke e cilësuar Kryeqytetin si shembull të një qyteti që po ndryshon me vizion, guxim dhe përgjegjësi publike.

Sipas Ramës, pjesëmarrja e Prishtinës në këto forume nuk është simbolike, por dëshmi se Kryeqyteti është shndërruar në një pjesë aktive të dialogut evropian mbi zhvillimin, përfshirjen dhe qëndrueshmërinë urbane, ndërsa përvoja e tij po trajtohet si model diskutimi për qytetet që synojnë avancimin.

Në fund, kryetari i Prishtinës shprehu mirënjohje për organizatorët e ngjarjes, në veçanti për Sekretarin e Përgjithshëm të UNA-Austria, Bernd Hermann, për ftesën dhe mundësinë e krijimit të një dialogu të nivelit të lartë që, sipas tij, e vendos Kryeqytetin në qendër të diskutimeve për të ardhmen e qyteteve. /Telegrafi/


Zëvendës-Shefja e Misionit të SHBA-së i konfirmon Ramës mbështetjen për zhvillimin e Prishtinës

15 December 2025 at 11:50


Kryetari i Prishtinës, Perparim Rama, ka pritur sot në takim Anu Prattipati, Zëvendës-Shefe e Misionit në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë.

Gjatë vizitës, Prattipati përcolli urimet për mandatin e ri të kryetarit dhe riafirmoi mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së për zhvillimin e kryeqytetit.

Në postimin e tij në Facebook, Rama theksoi se bashkëpunimi me SHBA-në mbetet një nga shtyllat më të rëndësishme të zhvillimit, stabilitetit dhe vizionit afatgjatë të Prishtinës.

“Ky partneritet përfaqëson shumë më tepër sesa bashkëpunim institucional, ai është një aleancë vlerash, e ndërtuar mbi demokracinë, besimin reciprok dhe vizionin e përbashkët për të ardhmen”, shkroi Rama.

Takimi u zhvillua në Odën e Kryeqytetit dhe u fokusua në forcimin e marrëdhënieve ndërinstitucionale dhe bashkëpunimin për projekte të zhvillimit të gjithanshëm të Prishtinës. /Telegrafi/


Ashensori i ri në Breg të Diellit, Rama premton vazhdim të instalimeve në kryeqytet

11 December 2025 at 10:25


Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se në lagjen Bregu i Diellit është instaluar një ashensor i ri, si pjesë e projekteve të infrastrukturës urbane të kryeqytetit.

Në postimin e tij në Facebook, Rama theksoi se ky është vetëm një nga instalimet që po realizohen, ndërsa projektet do të vazhdojnë edhe në lagje të tjera.

“Në Breg të Diellit instaluam ashensorin e ri. Sipas planit do të vazhdojmë edhe me lagjet tjera të kryeqytetit”, ka shkruar kryetari Rama.

Komuna paralajmëron se investimet në infrastrukturë do të vijojnë me qëllim të rritjes së qasjes dhe lehtësimit të lëvizjes për qytetarët. /Telegrafi/


Fehmi Kupina rizgjidhet Kryesues i Kuvendit Komunal të Prishtinës

9 December 2025 at 11:45


Fehmi Kupina është rizgjedhur sot Kryesues i Kuvendit Komunal të Prishtinës. Ai mbante të njëjtin post edhe gjatë mandatit të kaluar.

Kupina, i cili më parë ishte pjesë e LDK-së, kishte dhënë dorëheqje për të themeluar partinë e re “Lidhja për Prishtinën”.

Kjo parti arriti të sigurojë katër vende në Kuvendin Komunal, ndërsa Kupina u nominua për të vazhduar drejtimin e Kuvendit.

Në votimin e sotëm, Kupina mori 31 vota pro, katër kundër dhe dy abstenime, duke konfirmuar kështu rizgjedhjen e tij në këtë post, raporton Telegrafi.

Ai falënderoi anëtarët për besimin e dhënë dhe premtoi angazhim të plotë për funksionim të drejtë dhe efikas të Kuvendit.

“Është nder i madh të marr këtë detyrë, të cilën e marr me përgjegjësi. Garantoj për funksionim të drejtë, efikas dhe të hapur për të gjithë”, tha Kupina pas rizgjedhjes. /Telegrafi/

VV-ja "uron" Ramën për “koalicionin LDK-PDK-AAK-Nisma-PSD” në Kuvendin e Prishtinës

9 December 2025 at 11:08


Gjatë seancës solemne të Kuvendit Komunal të Prishtinës, një asamblist i Lëvizjes Vetëvendosje i dorëzoi kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, një shënim ku e uronte për “koalicionin mes LDK-së, PDK-së, AAK-së, Nismës dhe PSD-së”.

Ngjarja zgjoi vëmendjen në sallë, ndërsa mbishkrimi më pas u hoq nga një asamblist i LDK-së.

Me largimin e mbishkrimit, reagoi asamblisti i VV-së, Egzon Azemi, që tha: "Ne duke iu uruar kryetarit Rama detyrën e sapo marrë, vendosëm një urim ku shkruante 'urime koalicioni mes LDK-së, PDK-së, AAK-së, Nismës dhe PSD-së', se ka edhe shumë, por nuk e di pse po iu pengon ky urim, pasi e larguat letrën”.

Ky incident i vogël ka ngjallur reagime të ndryshme në Kuvend, duke vënë në pah tensionet dhe humorin në ditën e inaugurimit të mandatit të ri të kryetarit Rama. /Telegrafi/

Përparim Rama betohet për mandatin e dytë si kryetar i Prishtinës

9 December 2025 at 10:46


Kryetari i ri i Prishtinës, Përparim Rama, u betua të martën para asamblistëve të rinj gjatë mbledhjes inauguruese të Kuvendit Komunal.

Në ceremoninë solemne, Rama premtoi se do të ushtrojë detyrat e tij në krye të kryeqytetit me ndershmëri, besnikëri, në mënyrë të paanshme dhe në përputhje me ligjin.

“Bazuar në nenin 57 të Ligjit për Qeverisje Lokale, me rastin e zgjedhjes si kryetar i komunës, bëj betimin para anëtarëve të Kuvendit të Komunës si më poshtë: Unë, Përparim Rama, betohem se do t’i kryej detyrat dhe do t’i ushtroj kompetencat si Kryetar i Komunës së Prishtinës me nder dhe besnikëri, në përputhje me ligjin, për një jetë të qetë dhe të dinjitetshme për të gjithë”, deklaroi Rama, raporton Telegrafi.

Ky është mandati i tij i dytë si kryetar i Prishtinës.

Kuvendi Komunal i Prishtinës përbëhet nga 51 asamblistë. Sipas rezultateve të raundit të parë të zgjedhjeve lokale më 12 tetor, LDK-ja ka 15 përfaqësues, PDK-ja dhe LVV-ja nga 12, AAK-ja 5, “Lidhja për Prishtinën” 4, ndërsa Lista GUXO, PSD-ja dhe Nisma kanë nga një asamblist. /Telegrafi/

Mbeturina jashtë kontejnerëve, ‘Pastrimi’ pastron zonën e degraduar

9 December 2025 at 08:03


Ekipet e Kompanisë Rajonale “Pastrimi” kanë ndërhyrë sot në një lokacion të mbingarkuar me mbeturina të hedhura jashtë kontejnerëve, duke rikthyer hapësirën në gjendje të rregullt pas një aksioni pastrimi.

Sipas kompanisë, para intervenimit zona paraqiste rrezik për mjedisin dhe shëndetin publik, për shkak të sasive të mëdha të mbeturinave të depozituara në mënyrë të pakontrolluar.



Pas aksionit, hapësira është pastruar plotësisht dhe është rivendosur rendi higjienik.

KRM “Pastrimi” ka apeluar qytetarët që të mos hedhin mbeturina jashtë kontejnerëve dhe të kontribuojnë për një ambient më të pastër.

“Së bashku e mbajmë Prishtinën të pastër”, thuhet në njoftimin e kompanisë. /Telegrafi/


Rama takime në Washington: Prishtina e gatshme për investime amerikane, sfidë mbetet bllokimi i buxhetit

6 December 2025 at 17:49


Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka zhvilluar sot një takim të rëndësishëm me Jeremy Long, zëvendësdrejtor në Zyrën për Çështjet e Evropës Qendrore në Departamentin Amerikan të Shtetit.

Rama bëri të ditur se në takim ka prezantuar vizionin e Prishtinës për katër vitet e ardhshme, duke vënë theksin te sfidat aktuale që, sipas tij, po shkakton Qeveria e Kosovës përmes bllokimit të vazhdueshëm të buxhetit të kryeqytetit.

Ai tha se bisedimet u fokusuan edhe te mundësitë për tërheqjen e investimeve amerikane, veçanërisht në kuadër të përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare 2030.

Sipas Ramës, energjetika alternative dhe projektet e mëdha zhvillimore përbëjnë fusha ku bashkëpunimi me investitorët amerikanë mund të sjellë përfitime konkrete.

Rama njoftoi gjithashtu se së shpejti komuna do të organizojë një konferencë të posaçme për të prezantuar mundësitë e reja të investimeve në Prishtinë, me synimin për të krijuar partneritete të reja ndërkombëtare.

KRM “Pastrimi” largon mbeturinat inerte në lagjen Emshir

5 December 2025 at 15:23


Ekipet operacionale të KRM “Pastrimi” kanë ndërhyrë sot në lagjen Emshir, përgjatë Rrugës “Nebih Gashi”, duke larguar mbeturinat inerte dhe ato vëllimore të hedhura jashtë hapësirave të parapara për deponim.

Punëtorët e kompanisë, me kamionët dhe ngarkuesit funksionalë, kanë kryer pastrimin e plotë të zonës, si pjesë e mirëmbajtjes së rregullt në lagjet që mbulohen me shërbim.

Me këtë intervenim është rikthyer pastërtia dhe rendi në hapësirën publike, e cila ishte e ngarkuar me mbetje të hedhura në mënyrë të pakontrolluar.

Kompania ka falënderuar ekipet në terren për punën e tyre të përditshme dhe njëkohësisht ka apeluar te qytetarët që të mos hedhin mbeturina inerte nëpër lagje.

Sipas KRM “Pastrimi”, këto mbetje duhet të dorëzohen vetëm në pikat dhe përmes procedurave të parapara nga kompania.

“Pastërtia e qytetit është përgjegjësi e përbashkët”, theksohet në njoftim. /Telegrafi/


Stërvitje ushtarake e FSK-së në Koliq dhe Badovc – çfarë duhet të dini

5 December 2025 at 11:40


Komuna e Prishtinës njofton qytetarët se Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) do të zhvillojë stërvitje ushtarake në fshatin Koliq dhe zonën e Badovcit më 12 dhe 13 dhjetor 2025, sipas planit të rregullt stërvitor.

Gjatë këtyre ditëve, qytetarët do të vërejnë lëvizje të këmbësorisë dhe automjeteve ushtarake në terren, por autoritetet theksojnë se nuk ka arsye për shqetësim, pasi aktiviteti zhvillohet në kuadër të planit të stërvitjeve rutinore.

Komuna falënderon qytetarët për mirëkuptim dhe u kërkon të jenë të vëmendshëm, duke mos u shqetësuar për aktivitetin ushtarak të planifikuar. /Telegrafi/


DKA e Prishtinës nënshkruan dy marrëveshje për forcimin e privatësisë dixhitale, mirëqenies mendore dhe zhvillimit të talenteve në shkolla

4 December 2025 at 13:27


Drejtoria e Arsimit në Prishtinë ka nënshkruar dy marrëveshje të rëndësishme bashkëpunimi që synojnë rritjen e cilësisë së arsimit dhe krijimin e mundësive të reja për nxënësit e kryeqytetit.

Marrëveshjet janë formalizuar nën udhëheqjen e drejtorit të DKA-së, Samir Shahini, me Institutin për Teknologji dhe Shoqëri si dhe me Kosova Global Talent Center.

Sipas DKA-së, këto partneritete do të fokusohen në tre fusha kryesore: forcimin e privatësisë dixhitale, përmirësimin e mirëqenies mendore të nxënësve, dhe zhvillimin e talenteve përmes programeve bashkëkohore, përcjell Telegrafi.

Përmes këtyre bashkëpunimeve, nxënësve do t’u ofrohen mundësi të reja për trajnim, mentorim dhe pjesëmarrje në gara vendore e ndërkombëtare.

Po ashtu, mbështetje e njëjtë do t’u sigurohet edhe mësimdhënësve, me qëllim që puna e tyre e përditshme të jetë sa më efektive në përgatitjen e nxënësve për të ardhmen.

DKA e Prishtinës ka theksuar se këto marrëveshje hapin rrugën për projekte të reja dhe përmirësime të qëndrueshme në sistemin arsimor të kryeqytetit. /Telegrafi/


❌
❌