Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Rama do të vendos taksë për të gjitha automjetet që nuk janë të Prishtinës

2 January 2026 at 23:21


Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, në një intervistë për RTV21 ka folur për projektet dhe ndryshimet që pritet të bëhen në kryeqytet gjatë vitit 2026.

Ai theksoi se Komuna po shqyrton masa të reja për menaxhimin e trafikut dhe qarkullimit të automjeteve, përfshirë edhe vendosjen e një pagese për hyrjen në qytet.

“Kush hyn me veturë në Prishtinë do ta paguajë 1 euro. Tash i kemi në përfundim këto ditë edhe emërimin, edhe finalizimin e projektit për unazën e brendshme. Jemi duke analizuar edhe mundësinë për një taksë për të gjitha automjetet që nuk janë të Prishtinës, pra për makinat që vijnë nga jashtë dhe hyjnë në Prishtinë.”, tha ndër tjera Rama.

​Rama kërkon koalicion të gjerë lokal: Projektet e Prishtinës kërkojnë bashkëpunim

1 January 2026 at 15:20


Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka ftuar publikisht Lëvizjen Vetëvendosje, PDK-në, AAK-në dhe Lidhjen e Prishtinës për krijimin e një koalicioni të gjerë në nivel lokal, duke thënë se kryeqyteti ka projekte të gatshme dhe ka nevojë për bashkëpunim përballë sfidave të mëdha.

Në një intervistë për KosovaPress, Rama ka theksuar nevojën për bashkëpunim mes partive në nivel lokal në mënyrë që të çojnë përpara projektet. Vëmendje të veçantë i kushtoi nevojës për Policinë e kryeqytetit.

“Unë kam kërkuar publikisht po them që të bëjmë një koalicion të gjerë edhe këtu e ftoj edhe Lëvizjen Vetëvendosje, edhe Partinë Demokratike të Kosovës, edhe AAK-në, edhe Lidhjen e Prishtinës edhe të gjithë, sepse kemi një periudhë kohore katërvjeçare ku kemi sfida të mëdha që të përgatitemi për lojërat mesdhetare edhe mundemi po them me bërë shumë punë të mëdha. Kemi vizion, kemi mision, të gjitha projektet i kemi të gatshme, vetëm na duhet një koordinim i mirëfilltë, një bashkëpunim i mirëfilltë për me lulëzuar kryeqytetin. E nuk kam dyshim që do të mrijmë ta bëjmë një koalicion të gjerë. Nuk kemi bërë diskutime për detale”, ka thënë Rama.

2025-ta sipas Ramës ishte vit sfidues me bllokada nga niveli qendror për projekte dhe buxhet.

Një nga sfidat kryesore, sipas tij, ka qenë menaxhimi i projekteve infrastrukturore, sidomos ato që lidhen me zhvillimin e urbanizmit dhe përmirësimin e kushteve të jetesës.

Ndërkohë, për unazën e jashtme të kryeqytetit, Rama tha se duhet të zhbllokohet sa më shpejt pasi që ndihmon edhe për lojërat mesdhetare të 2030.

“Ka qenë një vit sfidues, kemi pasur bllokada të ndryshme, përkundër faktit që kemi pasur bllokada të projekteve, po ashtu të gjithë buxhetit. Mirëpo në fund, për fat të mirë, e kemi zhbllokuar buxhetin edhe kemi mundur me i kryer të gjitha obligimet tona financiare ndaj operatorëve.. Unaza e brendshme tashmë ka përfunduar dhe do të futet në përdorim këto ditët me radhë. Ndërsa unaza e jashtme duhet të fillojë sa më shpejt sepse e dimë që i kemi lojërat mesdhetare të vitit 2030, për të cilat duhet të bëhemi gati. Projekti më madhor i kryeqytetit është unaza e kryeqytetit. E dini që e kemi projektin gati tash e katër vite, po ka qenë edhe ai i bllokuar nga qeveria. Kemi pasur edhe kryeministrin që ka dhënë deklarata vetë që duhet ta zhbllokojmë procesin, duhet të fillojë brenda dy- tre muajsh që ta ndërtojmë unazën”, ka thënë Rama.

Një tjetër projekt i madh që është përmendur nga Rama, pas përfundimit të sheshit George Bush është ndërtimi i sheshit deri tek rrethi me flamur që do të lidhen me xhaminë e madhe që është në ndërtim. Ky projekt, sipas kryetarit Rama, ka për qëllim përmirësimin e cilësisë së ajrit, krijimin e hapësirave publike të sigurta dhe promovimin e aktiviteteve kulturore dhe sociale për të gjitha grupmoshat.

Sheshi George Bush që ka qenë i premtuar se do të përfundoj në nëntor të 2025, Rama ka thënë se ende është i bllokuar procesi dhe shpreson se mund të përfundojë brenda 12 muajsh nëse zhbllokohet brenda një muaji.

“Atë e kemi në plan dhe atë do ta vazhdojmë. Kjo është një proces i zhbllokimit të trafikut në kryeqytet, i përmirësimit të cilësisë së ajrit, i përmirësimit të jetës së njerëzve në kryeqytet, pra i krijimit të hapësirave publike që kërkojnë më shumë siguri edhe një krijimi të një teatri publik i ndërlidhur me ekspozita, gastronomi, muze, hapësira publike për të gjitha demografitë, prej fëmijëve deri tek të moshuarit. Sapo të përfundojë sheshi George Bush do të fillojmë edhe me fazën e dytë deri tek posta atje, deri tek xhamia e madhe tash që ndërtohet, sepse edhe kur të përfundon xhamia e madhe, ka me qenë një fluks i madh i qytetarëve jo vetëm nga Prishtina po nga e gjithë Kosova edhe i duhet patjetër që të ketë një vendosje të mirëfilltë urbane, në kontekst urban që kjo ndërlidhet edhe me sheshin të cilin e kemi propozuar... Nëse zhbllokohen proceset që unë jam shumë optimist që do t'i zhbllokojmë për ndoshta as për brenda dy- tre javësh apo një muaji, uroj që kjo të ndodhë. Atëherë, sheshi mundet me përfundu brenda 12 muajsh”, ka shtuar ai.

E për Spitalin e Prishtinës, që ka pasur të përfundojë në vitin 2023, Rama ka thënë se edhe pse kanë siguruar fonde prej 75 milionë euro nga qeveria e shtetit të Katarit, Ministria e Punëve të Brendshme nuk e ka dorëzuar projektin për të marrë këto fonde.

“E kemi parcelën e ndarë, e kemi projektin e përfunduar të cilin tash është nën menaxhim të Ministrisë të Punëve të Brendshme. Ne kemi kërkuar që të na japin këtë projekt sepse ne vetë kemi punuar me ekipet përkundër faktit që nuk ka qenë në menaxhim tonin, por në menaxhim të Ministrisë së Administratës e cila ka kaluar pastaj, se është një projekt prej vitit 2019, i cili ka mbetur në sirtarë si fizibilitet. Ne e kemi zhvilluar deri në arkitekturë detale edhe po ashtu kemi siguruar fonde nga qeveria e shtetit të Katarit, mirëpo ja që është refuzuar, domethënë nuk na e kanë dorëzuar projektin për me e dërguar atje që t'i marrim fondet, ende e kemi këtë mundësi... Puro politike, domethënë 75 milionë të cilët janë destinuar, se janë premtuar nga shteti i Katarit, kishin me qenë pare falë, grant. Po ja që ministri i kësaj ministrie ka vendosur që mos na e jep këtë projekt, mos ta dorëzojë projektin”, ka thënë Rama.

Një tjetër sektor ku Komuna e Prishtinës, sipas Ramës ka investuar shumë gjatë vitit 2025, është arsimi dhe kujdesi për fëmijët.

Rama ka theksuar se janë ndërtuar shkolla dhe çerdhe të reja, ndërkohë që ka vazhduar mbështetja për familjet me të ardhura të ulëta, përmes subvencioneve për regjistrimin e fëmijëve në çerdhe private.

“Ne kemi ndërtuar faktikisht katër çerdhe, kemi ndërtuar tre shkolla, tash i kemi po them në ndërtim e sipër edhe shtatë të tjera plus pesë shtesë. Pra ne vetëm se kemi ndërtuar një numër të madh të shkollave dhe çerdheve, më shumë se kurrë më parë. Nëse i bën bashkë më shumë se qeveria në të gjithë shtetin faktikisht. Janë tash edhe në proces e sipër edhe në bazë të planit zhvillimor komunal e kemi përcaktuar që 3.5 për qind të secilit zhvillim në kryeqytet i kthehen komunës për komunitet. Ne kemi edhe programin tjetër ku i kemi subvencionuar familjet të cilat kanë marrë 500 euro në muaj apo më pak, me subvencion 70 euro në muaj për fëmijët e tyre për me i çuar edhe nëpër çerdhe private nëse nuk munden me i çuar nëpër çerdhe publike”, është shprehur Rama.

Rama ka theksuar se për të siguruar një menaxhim më të mirë të sigurisë dhe një përgjigje më të shpejtë ndaj situatave emergjente, Prishtina ka nevojë për një forcë policore të pavarur, që do të menaxhohet direkt nga Komuna.

“Policia e Kryeqytetit është edhe sfida tjetër me radhë, e cila është ka qenë e bllokuar prej Ministrisë së Punëve të Brendshme. Pra kryeqytetit i duhet Policia e Kryeqytetit, i duhet direktivat e drejtpërdrejta prej kryetarit të kryeqytetit. Kjo nuk është pranuar, as nuk është lejuar prej Ministrisë së Punëve të Brendshme. Tash që përgatitemi për lojërat mesdhetare 2030, ne patjetër duhet ta kemi Policinë e Kryeqytetit”, ka thënë ai.

Rama ka folur edhe për trafikun urban të Prishtinës që do t’i shtohen edhe 100 autobusë të rijnë dhe dy tramvajë elektrikë që do të lidhin Fushë Kosovën me lagjen Bregu i Diellit deri në qershor të vitit 2026.

Kryetari i Prishtinës ka përmendur edhe TRIP-in, trafikun e ri të Prishtinës që ka ndërlidhur trafikun urban publik me sektorin privat me një biletë të ndërlidhur, ndërkohë do të shtohet edhe TRIM-i transporti i ri metropolitan që do të ndërlidhë komunat përreth si Obiliqin, Fushë Kosovën, Podujevën, Lipjanin, Graçanicën dhe Drenasin.

Për vitin 2026, Komuna e Prishtinës ka planifikuar një buxhet prej 151 milionë eurosh, që do të përdoret për projekte të rëndësishme, përfshirë ndërtimin e stadiumit të ri dhe arenës multifunksionale, si dhe përgatitjet për Lojërat Olimpike të vitit 2030. Ky investim ka për qëllim modernizimin e infrastrukturës dhe ngritjen e nivelit të jetesës për qytetarët e Prishtinës./KP/

​Rënie e LDK-së në zgjedhje, Rama përjashton synimin për drejtimin e partisë

1 January 2026 at 13:14


Kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama është befasuar nga rezultati i Lidhjes Demokratike të Kosovës gjatë zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit, e cila mori 52 mijë vota më pak nëse krahasohen me dy palë zgjedhje parlamentare të mbajtura këtë vit.

Sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lidhja Demokratike e Kosovës ka 13.57 përqind apo 119 mijë e 201 vota, një rënie e madhe në krahasim me zgjedhjet e 9 shkurtit ku ka pasur 18.27 përqind, apo pesë ulëse më pak në Kuvendin e Kosovës.

Në intervistën për KosovaPress, Rama thotë se LDK dhe partitë opozitare duhet të reflektojnë dhe të rishikojnë arsyen pse ka ndodhur kjo rënie e tyre, të kenë një program i cili u mundëson ringritjen sepse sipas tij duhet të ketë një opozitë të fortë.

Derisa kryetari aktual i LDK-së, Lumir Abdixhiku në një konferencë për media nuk ka përjashtuar mundësinë e dorëheqjes, Rama ka mohuar se synon drejtimin e partisë.

Rama ka shtuar se LDK-ja ka njerëz të cilën mund ta kryejnë këtë detyrë nëse Abdixhiku vendos të largohet nga pozita.

“Nuk është e vërtetë, unë jam kryetar i kryeqytetit e kam një mandat katër vjeçar, ky është fokusi im, të transformoj kryeqytetin, kjo është vota e qytetarëve dhe unë do të jem këtu për kryeqytetin për të mirën e gjithë vendit. LDK-ja ka njerëz përbrenda partisë të cilët munden me kry këtë detyrë nëse po them, kryetari i tanishëm vendos që të lëshojë udhë dikujt tjetër... Nuk jam i interesuar, nuk kam interes... Dashnia ime është që t'iu ndihmoj të gjithë qytetarëve të kryeqytetit përtej ngjyrosjeve partiake dhe normal që do t'i ndihmoj kushdo që ka nevojë për ndihmë”, thotë ai.

Për raportet me lidershipin aktual të LDK-së, Rama thotë se ka ndihmuar atë në zgjedhjet lokale dhe në mënyrë të njëjtë ka ndihmuar në zgjedhjet nacionale të 9 shkurtit dhe 28 dhjetorit, ani pse thekson se nuk është anëtaë i LDK-së.

“Kam raporte të mira me të gjithë sepse po them edhe Lidhja Demokratike më ka ndihmuar gjatë procesit të zgjedhjeve lokale. Unë po ashtu i kam ndihmuar edhe në shkurt edhe tash Lidhjes Demokratike, pra është një bashkëpunim i mirëfilltë, i shëndoshë ku edhe Lidhja Demokratike mendon përtej partisë, ka ftuar njerëz si unë që nuk jam anëtar i Lidhjes Demokratike dhe kemi punuar mirë për me çuar proceset e kryeqytetit përpara. Të njëjtën kohë po them edhe unë, përkundër faktit që nuk jam anëtar, i kam ndihmuar ose jam munduar me i ndihmu partisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës që të ecë përpara sepse kanë me të vërtetë një program të mirëfilltë në të gjitha sferat. Edhe po ashtu e kemi pasur një kontratë prej 1.5 miliardësh për kryeqytetin në rast se e kishim pasur në qeverisje Lidhjen Demokratike”, ka thënë Rama.

I pari i Prishtinës uron për qeverisjen e re që të jetë më bashkëpunuese e jo siç thotë ai, bllokuese e sabotuese.

“Ishte me të vërtetë befasuese, por përkundër faktit po them, çdo gjë ka shkuar në rregull edhe kjo tregon që kemi një ngritje ashtu shoqërore të vlerave demokratike në të gjithë Kosovën, që është një çështje super pozitive dhe uroj çfarëdo qeverisje që të ketë, që të jetë pro bashkëpunimit, jobllokuese, sabotuese. Nuk na duhet kjo mendësia bllokuese, sabotuese, duhet të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin për të ngritur vlerat tona të përbashkëta për vendin tonë. Prandaj edhe partitë opozitare duhet të reflektojnë edhe me e ditë pse ka ndodhur ajo, e të kenë një program i cili ju mundëson ringritjen dhe ju mundëson një opozitë të mirëfilltë sepse duhet të ketë një opozitë të fortë. Pozita me një opozitë të fortë e çon vendin përpara më mirë e më shpejt”, ka thënë Rama.

Zgjedhjet e 28 dhjetorit sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, i ka fituar Lëvizja Vetëvendosje me në krye Albin Kurtin me 49.34 përqind apo 433 mijë e 394 vota. /KP/

"Shtylla e sigurisë", Rama vizitoi Policinë e Kosovës para ndërrimit të motmoteve

1 January 2026 at 12:52


Para ndërrimit të motmoteve, kryetari i Prishtinës, Perparim Rama së bashku me bashkëshorten Kristalen, Tigrin dhe Drejtorin për Siguri dhe Emergjenca në Kryeqytet, vizituan Policinë e Kosovës.

Gjatë vizitës, Rama vlerësoi profesionalizmin, përkushtimin dhe përgjegjësinë e lartë të punonjësve policorë, të cilët çdo ditë kontribuojnë në ruajtjen e sigurisë, rendit publik dhe besimit qytetar.

“Policia e Kosovës përfaqëson shtyllën themelore të sigurisë dhe rendit publik. Me respekt dhe mirënjohje të thellë, vlerësojmë punën e palodhshme, guximin dhe sakrificën e zyrtarëve policorë, të cilët me integritet dhe dinjitet kontribuojnë në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit,” tha Rama.

Ai gjithashtu shtoi se angazhimi i vazhdueshëm i policisë mbetet i çmuar dhe i domosdoshëm për funksionimin e një shoqërie të sigurt dhe demokratike.

Në përfundim të vizitës, Perparim Rama uroi qytetarët për një vit të ri të lumtur dhe të shëndetshëm. /Telegrafi/


Rama vlerëson Abdixhikun edhe pas rezultatit të dobët të LDK-së: Shembull i lidershipit demokratik

29 December 2025 at 10:14


Kryetari i Prishtinës, Perparim Rama ka reaguar pas rezultatit zgjedhor të LDK-së, ku ka vlerësuar punën e kryetarit Lumir Abdixhiku, duke e cilësuar atë si një shembull të lidershipit të përgjegjshëm dhe të orientuar nga standardet demokratike.

“Lumir Abdixhiku përfaqëson një model të lidershipit të përgjegjshëm. Ai udhëhoqi një proces të thellë reformues brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), duke e orientuar partinë drejt standardeve programore, profesionale dhe morale që i shërbejnë interesit publik dhe jo kalkulimeve afatshkurtra politike”, ka shkruar Rama në një postim në Facebook.

Ai shtoi se Abdixhiku ka investuar në një ekip kompetent dhe program substancial.

“Investimi i tij në një program substancial dhe në një ekip përfaqësues dhe kompetent është një deklaratë e qartë se politika duhet të ndërtohet mbi ide, vlera dhe kapacitete reale”, tha Rama.

Rama vlerësoi gjithashtu qasjen e Abdixhikut ndaj kundërshtarëve politikë.

“Lumiri, me vetëdije të plotë politike, refuzoi të bëhet pjesë e diskursit fyes dhe përçarës që ka dëmtuar për vite me radhë kulturën politike në vend. Ai refuzoi nënçmimin e kundërshtarëve politikë, duke zgjedhur maturinë, respektin institucional dhe gjuhën e përgjegjshme si mjete të konkurrencës demokratike”, ka theksuar tutje kryetari i Prishtinës.

Sipas Ramës, vizioni dhe integriteti i Abdixhikut u dëshmuan edhe përmes zgjedhjes së njerëzve jashtë partisë për të shërbyer qytetarëve.

“Ky është një standard që e afron politikën me shtetin dhe jo me interesin e ngushtë partiak dhe është për t’u marrë shembull”, tha Rama.

Rama përfundoi postimin duke theksuar respektin e Abdixhikut për rezultatet dhe rregullat demokratike.

“Me dinjitet institucional e udhëhoqi procesin dhe me po aq dinjitet mbrëmë e pranoi rezultatin, duke treguar respekt për rregullat demokratike dhe për vullnetin e qytetarëve. Kjo qasje dëshmon vizionin, pjekurinë dhe progresin e tij si politikan. Ky është modeli i lidershipit që ndërton dhe që bashkon shoqërinë, dhe që i duhet vendit edhe në të ardhmen”, u shpreh Rama. /Telegrafi/


Rama bën thirrje të votohet Ermal Sadiku: Mbështetja për të, mbështetje për inovacionin dhe të ardhmen e Kosovës

27 December 2025 at 21:51


Kryetari i Komunës së Prishtinës, Perparim Rama, ka shprehur mbështetjen e tij për Ermal Sadikun, kandidat i LDK-së për deputet në Kuvendin e Kosovës, duke theksuar rëndësinë e inovacionit, dijes dhe teknologjisë për të ardhmen e vendit.

Rama vlerësoi eksperiencën e Sadikut në industrinë e teknologjisë, duke theksuar se kjo përvojë i jep atij njohuritë e nevojshme për të udhëhequr transformimin digjital të Kosovës.

“E ardhmja e Kosovës ndërtohet me inovacion, dije dhe teknologji. Ermal Sadiku, përveç se zotëron këto tre dimensione, ka edhe vullnetin për ta realizuar këtë përmes besimit të qytetarëve,” tha Rama.

Ai shtoi se vizioni i Sadikut për një Kosovë të mençur përfshin institucione transparente, shëndetësi moderne dhe arsim efikas.

Rama nënvizoi gjithashtu se vullneti i Sadikut për të shërbyer transformimit digjital duhet të bashkëpunohet me përkushtimin e qytetarëve për t’i besuar këtë sfidë.

“Mbështetja për Ermal Sadikun është mbështetje për inovacionin, dijen dhe të ardhmen e Kosovës,” përfundoi Rama, duke bërë thirrje për besimin dhe përkrahjen qytetare në këtë garë zgjedhore.


Dafina Zeqiri nderohet me "Hyjneshën në Fron" nga kryetari i Prishtinës Përparim Rama

25 December 2025 at 13:29


Dafina Zeqiri është nderuar me "Hyjneshën në Fron" nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.

Përmes një postimi në Facebook, i pari i kryeqytetit ka thënë se artistja përfaqëson jo vetëm kryeqytetin, por të gjithë shqiptarët.

“Dafina Zeqiri është më shumë se një artiste e suksesshme. Ajo është za i fortë i brezit të saj, që përmes muzikës flet për liri personale, fuqizim të grave dhe guxim për të qenë vetvetja. Dafina e ka përdorur talentin e saj jo veç për hite, por edhe per mesazh per kauze. Ka fol për respektin, dinjitetin dhe të drejtat e njeriut, duke tregua se suksesi pa qëndrim nuk ka vlerë dhe se arti mundet me ndryshu jeten e njerzve”.

“Sot, me shumë kënaqësi, i dhuruam Hyjneshën në Fron një artisteje që përfaqëson jo vetëm kryeqytetin, por krejt shqiptarët. Dafina eshte origjinale dhe me energjinë e saj, ajo vazhdon me frymëzu mijëra të tjerë që të besojnë në veten e tyre dhe të ndjekin ëndrrat pa compromise”, ka shkruar Rama.

Ndarja e këtij vlerësimi vjen në sinkron me koncertet e Dafina Zeqirit, të cilat do të mbahen më 25 dhe 26 qershor në Prishtinë.

Artistja po vjen me një koncert madhështor të titulluar “Supernova”.

Rama reagon për vdekjen e Shemit: Gjurma që la në historinë e muzikës shqiptare do të mbetet e pashlyeshme

22 December 2025 at 18:03


Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka shprehur ngushëllime pas vdekjes së Shemit të grupit "Ilirët".

I njëjti ishte 64-vjeçar, teksa siç u tha ndërroi jetë nga sulmi në zemër.

Një reagim për të e ka bërë edhe Rama, i cili thekson se kjo është një humbje e madhe dhe se gjurma që la në historinë e muzikës shqiptare do të mbetet e pashlyeshme.

Postimi i plotë i Ramës (pa ndërhyrje):

"Me dhimbje morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Shemsi Krasniqit, zërit të paharruar të grupit legjendar Ilirët.

Shemi ishte artist që nuk i përkiste vetëm skenës, por edhe shpirtit të një kohe, një brezi dhe një qyteti të tërë.

Ishte imazh i gjallë i kryeqytetit në vitet kur muzika rock ishte zë rebelimi, shprese dhe lirie.

Ngushëllime të sinqerta familjes, miqve dhe gjithë adhuruesve të muzikës së tij.

Humbja është e madhe, por gjurma që la në historinë e muzikës shqiptare dhe në kujtesën e kryeqytetit do të mbetet e pashlyeshme". /Telegrafi/

Komuna e Prishtinës mbështet të moshuarit përmes donacioneve në bashkëpunim me BIK-un dhe shoqatën “Bereqeti”

22 December 2025 at 13:44


Kryetari i Kryeqytetit ka bërë të ditur se Komuna e Prishtinës po vazhdon bashkëpunimin me Bashkësinë Islame të Prishtinës dhe Shoqatën Bamirëse “Bereqeti”, në kuadër të përkujdesjes sociale për qytetarët, veçanërisht për të moshuarit.

Sipas tij, përmes një donacioni që përfshin mbështetje materiale për personat e moshuar, institucionet dhe organizatat partnere po dëshmojnë rëndësinë e solidaritetit dhe ndihmës reciproke, sidomos gjatë kësaj periudhe.

Kryetari ka falënderuar edhe Shtëpinë e të Moshuarve për bashkëpunimin dhe energjinë pozitive, duke theksuar se angazhimi i përbashkët e bën këtë partneritet edhe më të fuqishëm në shërbim të qytetarëve. /Telegrafi/


Prishtina inauguron “Deep Space 8K”, hapësirë për teknologji dhe krijimtari

19 December 2025 at 08:00


Kryeqyteti i Kosovës ka inauguruar “Deep Space 8K”, një hapësirë inovative që sjell për herë të parë në Prishtinë një përvojë të avancuar teknologjike dhe kreative. Lajmi është bërë i ditur nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, përmes një postimi në rrjetet sociale.

Sipas Ramës, “Deep Space 8K” përfaqëson një dimension të ri për kryeqytetin, jo vetëm si platformë për të parë të ardhmen, por si hapësirë ku ajo përjetohet, krijohet dhe ndërtohet në të tashmen. Ai theksoi se kjo nismë dëshmon ambicien e Prishtinës për të mos ndjekur trendet globale, por për t’i krijuar ato.

Kjo hapësirë synon ta shndërrojë dijen në përvojë konkrete, duke e afruar teknologjinë me njerëzit dhe duke u dhënë formë reale ideve dhe imagjinatës. “Deep Space 8K” pritet të shërbejë si ambient frymëzues për të rinjtë, krijuesit dhe inovatorët, duke nxitur zhvillimin e ideve që e pozicionojnë Prishtinën përtej kufijve tradicionalë.

Realizimi i këtij projekti është bërë i mundur përmes bashkëpunimit me Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) dhe organizatën ndërkombëtare Ars Electronica.

Kryetari Rama theksoi se ky partneritet është dëshmi e përkushtimit për ta zhvilluar kryeqytetin përmes dijes, teknologjisë dhe krijimtarisë. /Telegrafi/


Rritja e efiçiencës energjetike në kryeqytet, Rama nënshkruan investimin prej 6 milionë euro

17 December 2025 at 11:06


Kryetari i Prishtinës, Perparim Rama, njoftoi sot nënshkrimin e kontratës për një investim prej 6 milionë eurosh, që synon rritjen e efiçiencës energjetike në 20 ndërtesa publike në kryeqytet.

Sipas Ramës, me mbështetjen e BERZH-it dhe Bashkimit Evropian, investimi do të përfshijë shkolla, çerdhe dhe Qendra të Mjekësisë Familjare, duke siguruar kushte më të mira, kursim energjie dhe standarde evropiane.

“Ky është një hap i rëndësishëm drejt një Kryeqyteti më të qëndrueshëm dhe më të mirë për qytetarët tanë”, ka shkruar Rama.

Projekti synon përmirësimin e infrastrukturës publike dhe promovimin e qëndrueshmërisë energjetike në qytet, duke e afruar Prishtinën me standardet moderne europiane. /Telegrafi/

Rama: Prishtina pjesë aktive e dialogut evropian për të ardhmen urbane

16 December 2025 at 22:15


Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se Kryeqyteti po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje në forume ndërkombëtare ku diskutohen politikat urbane dhe vizioni për qytetet e së ardhmes.

Përmes një postimi në Facebook, Rama njoftoi se javën e kaluar i është drejtuar asamblesë së Shoqatës së Politikës së Jashtme dhe Shoqatës së Kombeve të Bashkuara të Austrisë, në një takim të nivelit të lartë kushtuar përgjegjësisë dhe zhvillimit urban. Diskutimi, sipas tij, është moderuar nga ish-kancelari i Austrisë, Wolfgang Schüssel.

Ai theksoi se para një audience të përbërë nga diplomatë dhe vendimmarrës të lartë ndërkombëtarë, përfshirë edhe ish-zëvendëssekretaren e përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Angela Kane, ka prezantuar rrugëtimin e transformimit urban të Prishtinës, duke e cilësuar Kryeqytetin si shembull të një qyteti që po ndryshon me vizion, guxim dhe përgjegjësi publike.

Sipas Ramës, pjesëmarrja e Prishtinës në këto forume nuk është simbolike, por dëshmi se Kryeqyteti është shndërruar në një pjesë aktive të dialogut evropian mbi zhvillimin, përfshirjen dhe qëndrueshmërinë urbane, ndërsa përvoja e tij po trajtohet si model diskutimi për qytetet që synojnë avancimin.

Në fund, kryetari i Prishtinës shprehu mirënjohje për organizatorët e ngjarjes, në veçanti për Sekretarin e Përgjithshëm të UNA-Austria, Bernd Hermann, për ftesën dhe mundësinë e krijimit të një dialogu të nivelit të lartë që, sipas tij, e vendos Kryeqytetin në qendër të diskutimeve për të ardhmen e qyteteve. /Telegrafi/


Stadium i ri, 24 sporte dhe përgatitje intensive – Përparim Rama jep detajet kyçe për “Prishtina 2030”

16 December 2025 at 11:34


Kryetari i Komunës së Prishtinës Përparim Rama, në një intervistë për KosovaPress, ka theksuar rëndësinë monumentale të organizimit të Lojërave Mesdhetare në vitin 2030, duke detajuar punën e vazhdueshme, projektet infrastrukturore dhe sfidat e përgatitjeve.

Takimi i fundit me Komitetin Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG) shënon një hap kyç në finalizimin e planifikimit për këtë ngjarje historike.

I pari i Komunës së Prishtinës ka shtuar se Lojërat Mesdhetare 2030, të cilat do të mbahen në Prishtinë, përfaqësojnë një ngjarje madhore që tejkalon rëndësinë lokale dhe paraqesin një mundësi të artë për t'u shfaqur para botës.

“E dini që jemi duke bërë punë të njëpasnjëshme për përgatitje për Lojërat Mesdhetare të vitit 2030, pra “Prishtina 2030”, një event monumental faktikisht jo vetëm për kryeqytetin, por për të gjithë Kosovën, ku kemi mundësinë me i tregu krejt botës çfarë nikoqir të mrekullueshëm jemi, edhe për këtë arsye është me rëndësi që të përgatitemi për këto lojëra", theksoi Rama.

- YouTube www.youtube.com

Tutje, Rama ka folur edhe për përfundimet e punës së fundit të konsultimit, duke detajuar numrin e lojërave të ndryshme që do të inkuadrohen dhe rëndësinë e bashkëpunimit me Shqipërinë për disiplinat specifike.

"Po i diskutojmë mundësitë e inkuadrimit të lojërave të ndryshme, pra flitet këtu diku rreth 22 deri 24 lojëra të ndryshme, të cilat do të ndodhin në kryeqytet dhe në pjesë të ndryshme të Kosovës, e po ashtu e dimë që për sailing, pra për lundrim, e kemi edhe Durrësin si pjesë të propozimeve për Lojërat Mesdhetare në kryeqytet në vitin 2030. Pra janë të gjitha këto diskutimet, prezantimet edhe vendimmarrjet për përgatitje për Lojërat Mesdhetare të vitit 2030", deklaroi ai.

I pari i Komunës së Prishtinës ka shtuar se, megjithëse fillimisht pati një periudhë më të ngadaltë të punës, tashmë proceset po ecin me hapa të shpejtë dhe ai shpreh bindjen e plotë se nuk do të ketë asnjë problem në përgatitjen e eventit në afatin e caktuar.

"Po them kemi pasur ndoshta pak ashtu një proces pak të zbehur gjatë dy viteve të para, por tash i kemi të gjitha frontet e hapura, po ecim me hapa të shpejtë edhe jam shumë optimist që nuk do të kemi asnjë problem për përgatitje për Lojërat Mesdhetare të vitit 2030", bëri të ditur Rama.

Tutje, kryetari ka folur edhe për planet infrastrukturore, veçanërisht për stadiumin e ri që do të ndërtohet në kuadër të Fshatit Olimpik. Ai thekson se ky stadium plotëson kushtet për të qenë edhe stadiumi kombëtar i vendit.

"Unë mund të flas për stadiumin e ri të Prishtinës, të cilin e kemi pjesë të masterplanit në Fshatin Olimpik edhe këtë jemi duke e shtyrë përpara. Ky normal që mundet të jetë edhe stadiumi kombëtar i vendit sepse po e kemi planifikuar me një kapacitet prej 25 mijë ulëseve, edhe këtë po e shtyjmë përpara. Ky i duhet kryeqytetit dhe normal që mund të përdoret edhe si stadium kombëtar, nëse po them qeveria edhe pajtohet edhe vendosë që të bashkëpunojnë me ne dhe ta shtyjmë këtë proces përpara...Nëse vendosin që stadiumi kombëtar të jetë diku tjetër, normalisht edhe ajo është e mirëseardhur sepse sa më shumë që të zhvillojmë kapacitet infrastrukturor për të gjithë Kosovën, aq më mirë për secilin qytetar, për secilin qytet dhe për vendin tonë", deklaroi në fund Rama.

Lojërat Mesdhetare 2030 përbëjnë ngjarjen më të madhe sportive që ka marrë ndonjëherë Kosova përsipër, një provë e rëndësishme e kapacitetit organizativ të shtetit dhe një mundësi unike për të investuar në infrastrukturë moderne, zhvillim sportiv dhe promovim ndërkombëtar.

Zëvendës-Shefja e Misionit të SHBA-së i konfirmon Ramës mbështetjen për zhvillimin e Prishtinës

15 December 2025 at 11:50


Kryetari i Prishtinës, Perparim Rama, ka pritur sot në takim Anu Prattipati, Zëvendës-Shefe e Misionit në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë.

Gjatë vizitës, Prattipati përcolli urimet për mandatin e ri të kryetarit dhe riafirmoi mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së për zhvillimin e kryeqytetit.

Në postimin e tij në Facebook, Rama theksoi se bashkëpunimi me SHBA-në mbetet një nga shtyllat më të rëndësishme të zhvillimit, stabilitetit dhe vizionit afatgjatë të Prishtinës.

“Ky partneritet përfaqëson shumë më tepër sesa bashkëpunim institucional, ai është një aleancë vlerash, e ndërtuar mbi demokracinë, besimin reciprok dhe vizionin e përbashkët për të ardhmen”, shkroi Rama.

Takimi u zhvillua në Odën e Kryeqytetit dhe u fokusua në forcimin e marrëdhënieve ndërinstitucionale dhe bashkëpunimin për projekte të zhvillimit të gjithanshëm të Prishtinës. /Telegrafi/


Ashensori i ri në Breg të Diellit, Rama premton vazhdim të instalimeve në kryeqytet

11 December 2025 at 10:25


Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se në lagjen Bregu i Diellit është instaluar një ashensor i ri, si pjesë e projekteve të infrastrukturës urbane të kryeqytetit.

Në postimin e tij në Facebook, Rama theksoi se ky është vetëm një nga instalimet që po realizohen, ndërsa projektet do të vazhdojnë edhe në lagje të tjera.

“Në Breg të Diellit instaluam ashensorin e ri. Sipas planit do të vazhdojmë edhe me lagjet tjera të kryeqytetit”, ka shkruar kryetari Rama.

Komuna paralajmëron se investimet në infrastrukturë do të vijojnë me qëllim të rritjes së qasjes dhe lehtësimit të lëvizjes për qytetarët. /Telegrafi/


Përparim Rama betohet për mandatin e dytë si kryetar i Prishtinës

9 December 2025 at 10:46


Kryetari i ri i Prishtinës, Përparim Rama, u betua të martën para asamblistëve të rinj gjatë mbledhjes inauguruese të Kuvendit Komunal.

Në ceremoninë solemne, Rama premtoi se do të ushtrojë detyrat e tij në krye të kryeqytetit me ndershmëri, besnikëri, në mënyrë të paanshme dhe në përputhje me ligjin.

“Bazuar në nenin 57 të Ligjit për Qeverisje Lokale, me rastin e zgjedhjes si kryetar i komunës, bëj betimin para anëtarëve të Kuvendit të Komunës si më poshtë: Unë, Përparim Rama, betohem se do t’i kryej detyrat dhe do t’i ushtroj kompetencat si Kryetar i Komunës së Prishtinës me nder dhe besnikëri, në përputhje me ligjin, për një jetë të qetë dhe të dinjitetshme për të gjithë”, deklaroi Rama, raporton Telegrafi.

Ky është mandati i tij i dytë si kryetar i Prishtinës.

Kuvendi Komunal i Prishtinës përbëhet nga 51 asamblistë. Sipas rezultateve të raundit të parë të zgjedhjeve lokale më 12 tetor, LDK-ja ka 15 përfaqësues, PDK-ja dhe LVV-ja nga 12, AAK-ja 5, “Lidhja për Prishtinën” 4, ndërsa Lista GUXO, PSD-ja dhe Nisma kanë nga një asamblist. /Telegrafi/

Vazhdon rinovimi i Pallatit të Rinisë në Prishtinë, pas përfundimit të punimeve në kulm

8 December 2025 at 08:07


Rikonstruksioni i Pallatit të Rinisë në Prishtinë po ecën me ritëm të mirë, ndërsa komuna ka njoftuar se pas sanimit të plotë të kulmit, punimet kanë hyrë në fazën e re të rinovimit të fasadës dhe zëvendësimit të xhamave.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se ekipi punues është duke vazhduar me intensitet të shtuar në këtë projekt, i cili synon të rikthejë funksionalitetin dhe pamjen moderne të një prej objekteve ikonike të kryeqytetit.

Rama ka uruar punë të mbarë për ekipet që po e realizojnë projektin, duke theksuar rëndësinë e rinovimit të Pallatit të Rinisë si hapësirë kulturore, sportive dhe shoqërore për të gjithë qytetarët.

Punimet pritet të përmirësojnë dukshëm sigurinë dhe estetikën e objektit, ndërsa fazat e tjera të projektit pritet të zhvillohen në vazhdimësi. /Telegrafi/


Rama takime në Washington: Prishtina e gatshme për investime amerikane, sfidë mbetet bllokimi i buxhetit

6 December 2025 at 17:49


Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka zhvilluar sot një takim të rëndësishëm me Jeremy Long, zëvendësdrejtor në Zyrën për Çështjet e Evropës Qendrore në Departamentin Amerikan të Shtetit.

Rama bëri të ditur se në takim ka prezantuar vizionin e Prishtinës për katër vitet e ardhshme, duke vënë theksin te sfidat aktuale që, sipas tij, po shkakton Qeveria e Kosovës përmes bllokimit të vazhdueshëm të buxhetit të kryeqytetit.

Ai tha se bisedimet u fokusuan edhe te mundësitë për tërheqjen e investimeve amerikane, veçanërisht në kuadër të përgatitjeve për Lojërat Mesdhetare 2030.

Sipas Ramës, energjetika alternative dhe projektet e mëdha zhvillimore përbëjnë fusha ku bashkëpunimi me investitorët amerikanë mund të sjellë përfitime konkrete.

Rama njoftoi gjithashtu se së shpejti komuna do të organizojë një konferencë të posaçme për të prezantuar mundësitë e reja të investimeve në Prishtinë, me synimin për të krijuar partneritete të reja ndërkombëtare.

Rama pret në takim nënkampionin e botës në karate, Islam Selmani

3 December 2025 at 10:07


Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka pritur në Odën e Kryeqytetit karateistin kosovar Islam Selmani, i cili u shpall nënkampion bote në Kampionatin Botëror të Karatesë që po mbahet në Kajro.

Rama u shpreh “super krenar” për arritjen historike të sportistit, duke e përgëzuar për suksesin dhe përfaqësimin dinjitoz të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Islam Selmani arriti medaljen e argjendtë në kategorinë deri në 60 kilogramë, pasi në finalen e madhe u përball me turkun Eray Samdan, një prej karateistëve më të suksesshëm në botë.



Pas një dueli të fortë, Selmani u rendit i dyti, duke shënuar një rezultat që hyn në historinë e sportit kosovar.

Ditë më parë, ai kishte siguruar kualifikimin në finale pas një fitoreje bindëse 9:1 ndaj sportistit uzbek, Mekhriddin Turakhonov.

Me këtë arritje, Selmani bëhet karateisti i parë nga Kosova që fiton medalje të argjendtë në një Kampionat Botëror, duke e ngritur lart emrin e vendit dhe duke dëshmuar potencialin e jashtëzakonshëm të sportistëve të rinj.

Kryetari Rama theksoi se të rinj të tillë po e bëjnë Kosovën krenare çdo ditë. /Telegrafi/

Ministria alokon mjetet financiare për Trafikun Urban, Murati akuzon Ramën për shpërndarje të dezinformatave

2 December 2025 at 15:36


Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka bërë të ditur se janë alokuar mjetet financiare në vlerë prej 2.7 milionë eurosh për kategorinë e mallrave dhe shërbimeve, fond që i dedikohet pagesës së operatorëve të transportit publik në Prishtinë.

Sipas tij, kjo shumë është proceduar veçmas nga pjesa tjetër e projektit prej 25.9 milionë eurosh për investime kapitale, pasi këto të fundit kërkojnë kohë më të gjatë për finalizim.

Murati ka sqaruar se vendimi i Komunës së Prishtinës, i marrë të enjten mbrëma për përdorimin e të hyrave vetanake, duhej të kalonte më parë verifikimin e ligjshmërisë nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), si dhe nga Ministria e Financave, duke qenë se bëhet fjalë për çështje buxhetore. Ai theksoi se ky proces është kryer dje “në afat rekord”, ashtu siç u ishte premtuar përfaqësuesve të sindikatave të transportit publik.

Ministri rikujtoi se procedurat nuk kanë mundur të zhvillohen më herët për shkak se e premtja dhe fundjava nuk kanë qenë ditë pune, ndërsa sot Departamenti i Buxhetit ka qëndruar në komunikim të vazhdueshëm me zyrtarët financiarë të Komunës së Prishtinës, të cilët – sipas tij – kanë qenë të informuar për çdo hap të procesit.

Murati kritikoi deklaratat e Komunës së Prishtinës, të cilat ai i cilësoi “të pavërteta”, duke shtuar se pretendimet për bllokim të mjeteve nga ana e ministrisë nuk qëndrojnë.

Ai ka shprehur pritjen që Komuna t’i ketë vlerësuar saktë obligimet financiare ndaj operatorëve të transportit publik, meqë ka ndarë vetëm 2.7 milionë euro për këtë kategori, dhe që këto mjete të shfrytëzohen për të shlyer borxhet dhe për ta përmbyllur, siç tha, “farsën e bllokadës së pretenduar”. /Telegrafi/


❌
❌