Pak para nisjes së debatit politik, përfaqësuesi i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka deklaruar se kjo parti po krijon hapësirë që kryeministri Albin Kurti të shprehë qëndrimet e tij në një debat të hapur politik.
Haziri tha se fillimisht nuk e kishte planifikuar të ishte pjesë e debatit, por kishte vendosur të bashkohej për të diskutuar dallimet politike mes partive.
“Unë nuk kam pasur qëllim të jem pjesë e debatit, por vendosa të bashkëngjitem për të diskutuar dallimet dhe për të debatuar mbi to,” deklaroi Haziri.
Qëndrim të ngjashëm ka shprehur edhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK).
Nënkryetarja e kësaj partie, Vlora Çitaku, ishte mysafirja e parë që mbërriti në emisionin politik Politiko, pak para nisjes së debatit mes përfaqësuesve të partive politike.
Duke folur për rëndësinë e përballjes politike, Çitaku theksoi se PDK-ja nuk i është shmangur asnjëherë debateve dhe se ato janë thelbësore për funksionimin e demokracisë.
“Debati në demokraci është i domosdoshëm dhe PDK nuk i ikën debateve,” tha Çitaku, duke shtuar se shpreson që edhe kryeministri Albin Kurti të tregojë gatishmëri dhe t’i përgjigjet ftesës për një debat të hapur politik.
Thirrjet nga LDK dhe PDK vijnë në kohën kur debati publik mes partive opozitare dhe kryeministrit Kurti ka munguar, ndërsa kërkesat për transparencë dhe përballje politike po shtohen./Telegrafi.
Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku ka kritikuar nënkryetarin e Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, lidhur me qëndrimet e tij gjatë intervistës së mbrëmshme në T7.
Në një postim në rrjetet sociale, Çitaku shkruan se Konjufca “paska folur sikur ta kishte dorëzuar librezën e Vetëvendosjes në hyrje të ‘Pressing’-ut”.
Ajo vë në dukje kontradiktën mes thirrjeve publike për unitet dhe realitetit të veprimeve të tij.
“Në njërën anë dalin me thirrje patetike ‘Mos lësho pe’. Ndërsa, në anën tjetër, Konjufca vetë paska lëshuar pe në gjithçka”, ka shkruar Çitaku.
Çitaku akuzon Konjufcën se ka hequr dorë nga identiteti dhe politika e Vetëvendosjes.
“Madje, e paska lëshuar edhe Vetëvendosjen, gjuhën e saj, arrogancën e saj, dështimet e saj. Pesë vjet në pushtet i paska shndërruar në amnezi politike”, u shpreh ajo.
Ajo gjithashtu sugjeron një qasje më reflektuese për të ardhmen.
“Një këshillë miqësore: në vend të një narrative të re në funksion të zgjedhjeve, filloni duke marrë përgjegjësi për përçarjet dhe linçimet që keni ushqyer”, shkruan Çitaku. /Telegrafi/
Mbrëmë, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka mbajtur një tubim në Zvicër, ku kandidatja për deputete, Edona Llaloshi, e ka nisur aktivitetin me një këngë kushtuar kryetarit të LVV-së, Albin Kurti.
Kjo paraqitje ka nxitur reagime të shumta në opinionin publik dhe nga përfaqësues të subjekteve tjera politike.
Një nga reagimet ka ardhur nga kandidatja për deputete e LDK-së, Sibel Halimi e cila ka kritikuar ashpër mesazhin e këngës dhe simbolikën e përdorur, duke theksuar se romantizimi i dhunës nuk mund të konsiderohet art.
“Romantizimi i dhunës nuk është art. Arti nuk është pushkë, as thirrje për të qëlluar. Arti është ndërgjegje, është pyetje, është dritë që e ndal dorën para dhunës,” ka shkruar Halimi. Ajo ka vënë në pikëpyetje vargun e këngës “Jam Albini, pushkë me qitë”, duke pyetur se “kujt do t’i drejtohen plumbat”.
Sipas saj, “pushka e artistit nuk duhet t’i drejtohet askujt si armë, por padrejtësisë si ide, frikës si sistem dhe heshtjes si bashkëfajësi”, duke shtuar se vendit i duhet “paqja dhe mirëqenia, jo romantizimi i dhunës”.
Halimi ka përfunduar se artistët kanë përgjegjësi të jenë “zë i arsyes, i humanizmit dhe i shpresës”, e jo “jehonë e instinkteve të errëta”.
Reagim ka pasur edhe nga sekretarja e PDK-së, Vlora Çitaku, e cila ka vlerësuar se ajo që u pa në tubimin e LVV-së në Zvicër përbën “një nivel tjetër të marrëzisë”.
“Kur një deputete i kushton këngë liderit në një ngjarje të organizuar nga vet partia, dhe lideri rri aty duke rrahur shuplakë, kjo nuk është më thjesht shije e keqe apo folklor politik. Kjo është përtej marrëzisë. Kjo është e rrezikshme,” ka shkruar Çitaku.
Ajo ka theksuar se problemi nuk lidhet me kualitetin artistik të këngës, por me “mentalitetin që promovon”, duke e cilësuar këtë si të dëmshëm për shëndetin demokratik.
Deri më tani, nga Lëvizja Vetëvendosje nuk ka pasur një reagim zyrtar lidhur me kritikat e ngritura pas këtij tubimi. /Telegrafi/
Deklarata e ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Murati, i cili i atribuoi Qeverisë Kurti meritat për liberalizimin e vizave, ka shkaktuar reagime të ashpra nga ish-deputete të opozitës.
Vlora Çitaku e PDK-së dhe Jehona Lushaku-Sadriu e LDK-së e akuzuan ministrin se po përpiqet t’i mbajë meritat për një proces që, sipas tyre, është zhvilluar prej vitesh dhe pa kontribut të Vetëvendosjes.
Vlora Çitaku deklaroi se “kontributi i vetëm” i Vetëvendosjes në procesin e liberalizimit të vizave ka qenë gazi lotsjellës në Kuvend dhe vonesat shumëvjeçare.
Ajo ironizoi se me këtë qasje, VV “së shpejti do të thotë se ka shpallur edhe pavarësinë e Shqipërisë dhe ka çliruar Kosovën”.
“Dil në barnatore e i sheh qytetarët pa para as për barna. Tako ndonjë pensioner që kursen nga buka për energjinë. Kryeje punën tënde e pastaj krekosu,” i shkroi Çitaku Muratit.
Edhe ish-deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, reagoi ashpër, duke thënë se Murati po krenohet me punën e të tjerëve, ndërsa nuk ka çfarë të tregojë për qeverisjen e Vetëvendosjes.
Ajo kujtoi se VV vite më parë kundërshtoi demarkacionin me Malin e Zi – kushtin e fundit për liberalizimin e vizave – duke shkaktuar, sipas saj, vonesa dhjetëvjeçare. “Radhët për viza kanë qenë faj i juaji”, theksoi Lushaku-Sadriu.
Ajo shtoi se Kosova sot është “në sanksione dhe më e izoluar se kurrë”, duke akuzuar qeverinë për humbjen e mbi 1 miliard eurove asistencë ndërkombëtare. “Sa shkolla, rrugë e projekte do të realizoheshin me ato grante që ju ia humbët Kosovës?”, pyeti ajo.
Reagimet e dy ish-deputeteve pasuan deklaratën e Muratit, i cili tha se liberalizimi i vizave u arrit pavarësisht “izolimit të shtetit nga qeveritë e mëparshme” dhe se Qeveria Kurti ka qenë vendimtare në përmbylljen e procesit.
Debati ka rikthyer polemikat e vjetra për rolin e secilës palë në këtë çështje shumëvjeçare./Telegrafi.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka nisur fushatën e tij për zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit, ndonëse zyrtarisht sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) fushata do të fillojë më 17 dhjetor.
Kurti ishte në një takim me mërgimtarët në kryeqytetin e Norvegjisë, Oslo, ku kritikoi situatën politike në vend dhe, veçanërisht, Partinë Demokratike të Kosovës (PDK).
Ai theksoi se PDK-ja ende dominon në administratën publike, në media dhe në sistemin e drejtësisë, duke vlerësuar se ndryshimi i kryetarit të partisë nuk është një reformë reale.
“Në PDK duhet të ndodhë reforma, me thënë të drejtën nuk ka ndodh reforma, aty po ndodh ndërrimi i fytyrës së kryetarit, por gjithmonë kryetar është dikush që s’është kryetar”, tha Kurti.
Reagimi i PDK-së erdhi nga sekretarja e partisë, Vlora Çitaku.
Ajo tha se kryeministri duhet të fokusohet te ekonomia, integrimi në BE dhe NATO, dhe jo te PDK-ja.
“Mos na e bajë dertin neve, Albin. Ne kryetar e kemi Bedri Hamzën. Shihemi më 28 dhjetor”, tha ajo.
KQZ ka përcaktuar se fushata zgjedhore për këto zgjedhje do të zgjasë vetëm 12 ditë, duke filluar më 17 dhjetor./Telegrafi/
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku ka thënë se Prekazi është kujtim dhe mësim i përhershëm që atdheu duhet dashur pa kushte.
Pas homazheve në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, ajo u shpreh se edhe këtë 28 nëntor po mungojnë liderët e luftës.
“Ngado që të nisemi si komb, nga këtu fillojmë, nga Prekazi legjendar, nga Prekazi i sakrificës, nga Prekazi i heroizmit, nga Prekazi që është një kujtim dhe mësim i përhershëm që atdheu, liria duhet të duhen pa kushte. Atdheu, liria janë parakusht për krijimin e çdo vlere tjetër. Nuk jam këtu si politikane, para se gjithash jam si shqiptare me përulje dhe respekt për sakrificën e komandantit legjendar, Adem Jashari në këtë festë të shumëfishtë. Sigurisht që sot na mungojnë shumë liderët tanë të luftës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniq e Rexhep Selimi. Qoftë ky nëntori i fundit që e shënojmë pa ta”, tha ajo, raporton kp.
Në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, pushojnë trupat e Jasharëve, të vrarë me 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998. 28 nëntori shënon daljen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pavarësinë e Shqipërisë dhe ditëlindjen e komandantit legjendar, Adem Jashari.
Lëvizja Vetëvendosje ka dështuar për herë të dytë të formojë Qeverinë. Pas seancës, në të cilën i mandatuari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, nuk i mori votat e nevojshme për t`u bërë kryeministër, ka reaguar nënkryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.
Haxhiu publikoi një fotografi në Facebook, ku shiheshin deputetët e PDK-së duke votuar kundër formimit të Qeverisë.
Mirëpo Haxhiu e shoqëroi këtë fotografi me një mbishkrim “në harmoni të plotë”, duke aluduar tek deputetët e PDK-së dhe Listës Serbe, të cilëve u takojnë ulëset në Kuvend pikërisht mbrapa deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës.
E ky krahasim ka nxitur reagimet e deputetëve të PDK-së. Altin Krasniqi djali i ish-kryeparlamentarit, Jakup Krasniqi reagoi duke shkruar se ish-ministrja ka barazuar deputetët shqiptarë me ata serb me qëllim që t’i njollosë të gjithë.
“Në rreshtin tim, pranë meje është deputeti Fadil Demaku, të cilit gjatë luftës kundër ushtrisë serbe iu vranë vëllai dhe motra. Është Përparim Gruda, të cilit iu vra babai. Po ashtu janë deputetë që janë bashkëluftëtarë të Adem Jasharit. Ndër ta jam edhe unë, Altin Krasniqi, djali i Jakup Krasniqit, njeriut që gjithë jetën e tij është përndjekur nga regjimi fashist i Serbisë dhe që tash e pesë vite qëndron ballëlartë në bankën e të akuzuarve, pikërisht përballë akuzave të fabrikuara nga Serbia”, ka shkruar Krasniqi.
Ai ka shtuar se me bindje të plotë, them se veprimet e juaja publike e tinëzare janë shumëfish më të koordinuara me politikat fashiste të Serbisë sesa çfarëdo vote kundër kësaj qeverie.
Reagim pati edhe nga Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së dhe deputetja, Vlora Çitaku. Çitaku ka shkruar se për nevojat e “një narracioni të ultë politik” nënkryetarja e Kuvendit deri dje ministre e Drejtësisë, i tha mbesës së Adem Jasharit se është “në koordinim me Listën Serbe”.
“Jo vetëm Sala, por secila deputete dhe secili deputet i PDK-së ka më shumë atribut dhe kontribut për shtetin e Kosovës sesa kjo nënkryetare. Diku kemi gabuar, në fakt, që një profil i tillë ka arritur të mbajë pozita të larta shtetërore, kjo është e dukshme. Por uroj që sot të jetë fillimi i fundit të këtij mentaliteti. E turpshme, për besë”, ka shkruar Çitaku. /Telegrafi/
Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku në një konferencë për media para seancës së orës 11:00 tha se PDK nuk do të marr pjesë në këtë seancë.
Në këtë seancë është paraparë formimi i komisioneve parlamentare, ku do të diskutohet për buxhetin, marrëveshjet ndërkombëtare dhe për financimin e RTK-së.
Përveç kësaj seance në ora 11:00, sot është caktuar seancë edhe në ora 14:00 për votimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Çitaku, në një konferencë për media tha PDK është për mbrojtjen e rendit kushtetues dhe institucionet e Republikës së Kosovës.
“PDK nuk do të jetë pjesë e një seance të paligjshme. Nuk do të bëhemi fasadë për mbulimin e dështimeve të të tjerëve. Sepse kjo seancë nuk është thirrur për qytetarët. Nuk është thirrur për ligjet. As për komisionet. Kjo seancë është thirrur për t’i shpëtuar fajit, fajit të një pushteti që për 10 muaj rresht ka refuzuar të marrë vendime, të ndërtojë dialog, të krijojë shumicë dhe të formojë qeveri. Thirrjet për të shkelur ligjin nuk janë zgjidhje. As për vendin, as për Kuvendin, as për demokracinë tonë. Ato janë derë e hapur për kaos. Janë precedentë të rrezikshëm që dëmtojnë themelet e shtetit ligjor”, ka theksuar ajo.
Çitaku ka thënë se kjo seancë është një skemë e radhës e Qeverisë në ikje për të mbuluar krizën në të cilën po e fusin vendin, si dhe është e paligjshme dhe tërësisht në kundërshtim me rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.
“Prej 10 muajsh, Kosova është mbajtur peng. Prej 10 muajsh, vendi është zhytur në bllokim institucional. Prej 10 muajsh, qytetarët tanë presin qeverinë e re, parlament funksional, komisione pune, e shtet normal. Fatkeqësisht, edhe pas 10 muajsh: asnjërën nuk e kemi. Rrjedhimisht, Republika e Kosovës ka humbur tërësisht vitin 2025. Kosova, qytetarët e Kosovës, nuk e kanë pasur këtë luks. Përkundrazi, ne kemi pasur nevojë për një vit dinamik dhe produktiv si asnjëherë më parë”, ka shtuar ajo.
Ajo ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje, e cila doli e para në zgjedhjet e 9 shkurtit që ka zgjedhur ta përdorë fitoren jo për të qeverisur, por për të zvarritur, për të manipuluar proceset dhe për të konsumuar çdo afat ligjor, në mënyrë që të shmangë përgjegjësinë që ka ndaj qytetarëve.
“E përsëris, kjo seancë që do të mbahet pas pak minutash, është farsë. Është truk politik. Nuk është zgjidhje, është tentim për të mbuluar dështimin. Ajo që po shohim sot është e dukshme: Kur vjen puna për të formuar institucionet: zvarritje, pasiguri dhe manipulim afatesh nga LVV. Por kur vjen puna për t’i ikur përgjegjësisë: nxitim i çuditshëm, madje duke shkelur rendin kushtetues”, ka thënë Çitaku. /Telegrafi/
Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku i është përgjigjur deputetit, Enver Hoxhaj, i cili sot ka kërkuar që të shtyhet konventa për zgjedhjen e kryetarit të ri të partisë.
Çitaku në një përgjigje për Telegrafin ka thënë se në mbledhjen e fundit të Kryesisë, pas dorëheqjes së kryetarit Memli Krasniqi, kryesia vendosi të thërrasë Konventën e Jashtëzakonshme, e cila, bazuar në nenin 35 të Statutit të Partisë, duhet të mbahet brenda pesë ditësh.
“Ne e inkurajojmë dhe e mirëpresim garën e brendshme. Çdo anëtar apo anëtare që i plotëson kriteret e përcaktuara me Statut është i mirëseardhur të kandidojë. Gara do ta bënte Konventën edhe më madhështore”, ka thënë Çitaku.
Tutje bëhet e ditur se më e rëndësishme se gara e brendshme është fitorja jonë në zgjedhjet parlamentare
“Për secilin prej nesh, qofshim në garë ose jo, është thelbësore që në përfundim të këtij procesi të dalim të unifikuar, me vizion të qartë dhe me platformë të fortë për zgjedhjet e përgjithshme që na presin shumë shpejt. Më e rëndësishme se gara e brendshme është fitorja jonë në zgjedhjet parlamentare. Sepse beteja kryesore politike për secilin prej nesh është ajo se kush do të jetë Kryeministri i ardhshëm i Republikës së Kosovës”, ka thënë ndër të tjera Çitaku.
Ndryshe, Enver Hoxhaj, duke theksuar se konventa duhet të shtyhet për të dielën e ardhshëm.
"Konventa e PDK-së për të zgjedhur kryetarin e partisë duhet të shtyhet, sepse një parti serioze nuk mund të mbajë një konventë politike dhe përmbajtësore në një kohë kaq të shkurtër. Kërkoj nga Kryesia e PDK-së shtyrjen e Konventës për të paktën deri të dielën e ardhshme, sepse kështu do u jepej mundësia anëtarësisë dhe delegatëve të njihen me kandidaturat dhe platformat për zhvillimin e partisë dhe për çështje serioze që prekin vendin", tha Hoxhaj.
Sipas tij, kjo do ta rriste cilësinë e kandidaturave dhe konkurrencën ndërmjet platformave, pasi zhvillimet e fundit kanë qenë të befasishme.
"Kjo nguti nuk garanton garë cilësore, as reformimin dhe unitetin e kërkuar e të domosdoshëm për PDK-në në këtë kohë. Në partitë demokratike, më shumë se një kandidaturë është mundësi për delegatët që të zgjedhin lirisht dhe ndihmon në pasurimin e platformave individuale, duke çuar në ndërtimin e një platforme të përbashkët për PDK-në", theksoi ai.
Mes tjerash, ai ka pohuar se "për një vendimmarrje kaq të rëndësishme, kërkoj që procesi zgjedhor të shtyhet, në mënyrë që gara të hapet për të gjithë dhe baza të ketë kohën e duhur për të shprehur vullnetin e saj pa presion dhe pa imponime".
"Dorëheqja e kryetarit, e shoqëruar me preferenca për pasuesin, krijon përshtypjen e skemave të sajuara e të paragjykuara, të cilat nuk e çojnë partinë përpara. Unë jam qartësisht kundër çdo imponimi, kundër çdo tentative për të orientuar garën dhe kundër çdo formule që shpërfill bazën dhe delegatët. PDK-ja ka nevojë për drejtim të ri, jo për skema të vjetra; ka nevojë për vizion të ri, jo për ndërrim rolesh. Ky është momenti për t’i hapur rrugën ndryshimit të vërtetë".
Ndryshe, Memli Krasniqi ka dhënë dorëheqje para disa ditësh, ndërsa deri tani Bedri Hamza ka shpallur kandidaturën e tij për kryetar të PDK-së. /Telegrafi/
Prokuroria Speciale e Kosovës të martën ka dorëzuar aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj katër personave nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare” dhe “Ndihma në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Të pandehurit Rozeta Hajdari, I.L. dhe H.G. akuzohen se gjatë muajve shkurt – mars 2022, kanë keqpërdorur detyrat zyrtare me qëllim përfitimi pasuror për persona të tjerë, duke shkaktuar dëm ndaj buxhetit të Republikës së Kosovës prej 2,912,134.78 euro.
Sipas aktakuzës, ata gjithashtu kanë zbuluar fshehtësinë zyrtare të vendndodhjes së rezervave shtetërore, duke ia vënë këtë informacion në dispozicion të pandehurit R.M.
R.M. akuzohet për ndihmë në kryerjen e këtyre veprave penale, duke ndërmjetësuar, negociuar dhe rekomanduar përzgjedhjen e operatorëve ekonomikë në emër të rezervave shtetërore.
Prokuroria thekson se ky proces është pjesë e hetimeve për veprime që kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme për buxhetin e shtetit dhe përbëjnë shkelje të ligjit për rezervat shtetërore të mallrave.
E lidhur me këtë ka shkruar në Facebook, ministrja në detyrë, Rozeta Hajdari.
Ajo përmes një postimi në Facebook bëri të ditur se është njoftuar nga avokati i saj për dorëzimin e aktakuzës në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
“Çdo gjë është pjesë e një procesi tepër të rëndësishëm për të gjithë ne. Sapo të kem pranuar dokumentin e plotë të aktakuzës do të deklarohem më gjerësisht për media”, ka shkruar Hajdari.
Ajo gjithashtu theksoi se ndihet krenare për punën e saj si ministre në sigurimin e rezervave shtetërore me produkte esenciale gjatë muajve shkurt dhe mars 2022, në kohën më të vështirë për vendin.
Pas lajmit për aktakuzë ndaj ministres në detyrë të Industrisë, Rozeta Hajdari ka reaguar ish ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Deputetja Haxhiu ka deklaruar se hetimet ndaj Hajdarit janë “të ndikuara”, ndërsa aktakuza, sipas saj, është “e motivuar politikisht dhe pa bazë reale”.
“Kjo aktakuzë është e motivuar politikisht, pa asnjë bazë reale dhe dukshëm e qëllimshme. Ministrja ka bërë gjithçka që ka qenë në dorën e saj për të mbrojtur interesin e vendit dhe për të siguruar që Kosova të ketë rezerva shtetërore, ndryshe nga qeveritë e kaluara që kishin lënë vendin pa rezerva. Është e qartë se ekziston një tendencë për të njollosur figurën e saj”, ka shkruar Haxhiu në një reagim publik, përcjell Telegrafi.
Po ashtu, reagime ka pasur edhe nga zyrtarë të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Sekretarja e përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku në një postim në rrjetin social Facebook ka theksuar se të gjitha vendimet janë marrë me aprovimin e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, përcjell Telegrafi.
“Në fakt, Rozeta, sikurse edhe të gjithë kolegët e saj në kabinetin Kurti 2, nuk ka bërë as edhe një hap pa dijeninë dhe aprovimin e A.K. Ka qenë e qartë për këdo që A.K. nuk ka pasur ministra me mandat të plotë e me autoritet vendimmarrës. Ka pasur ndihmës, zbatues të urdhrave të tij”, ka shkruar Çitaku.
Edhe deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka reaguar pas ngritjes së aktakuzës ndaj ministres në detyrë të Industrisë, Rozeta Hajdari, në lidhje me kontraktimin e rezervave shtetërore.
Përmes një postimi në Facebook, Bajrami ka thënë se është befasuar që kryeministri Albin Kurti nuk është përfshirë në aktakuzë, duke e akuzuar atë për lejimin e blerjeve dhe tenderëve sekret me vlera të larta.
“Albini ka marrë vendim me ba blerje sekrete të miellit e vajit. Albini ka leju me u nënshkru mbi 2,400 tenderë sekret, në vlerë prej 270 milionë euro. Albini ka leju ‘mafinë energjetike’ dhe rreth 800 milionë euro import të rrymës. Andaj edhe unë dhe gjithë ata që e duan këtë Republikë kemi probleme me Albin Kurtin! U befasova se si ai nuk qenka pjesë e aktakuzës!”, ka shkruar Bajrami. /Telegrafi/
Pas ngritjes së aktakuzës nga Prokuroria Speciale e Kosovës ndaj ministres në detyrë të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, në lidhje me rastin e rezervave shtetërore, ka reaguar sekretarja e përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku.
Në një postim në rrjetin social Facebook, Çitaku ka theksuar se të gjitha vendimet janë marrë me aprovimin e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, përcjell Telegrafi.
“Në fakt, Rozeta, sikurse edhe të gjithë kolegët e saj në kabinetin Kurti 2, nuk ka bërë as edhe një hap pa dijeninë dhe aprovimin e A.K. Ka qenë e qartë për këdo që A.K. nuk ka pasur ministra me mandat të plotë e me autoritet vendimmarrës. Ka pasur ndihmës, zbatues të urdhrave të tij,” ka shkruar Çitaku.
Prokuroria Speciale më herët ka njoftuar për ngritjen e aktakuzës ndaj ministres në detyrë Hajdari, në lidhje me menaxhimin e rezervave shtetërore, çështje që tashmë është në procedurë gjyqësore. /Telegrafi/
Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, në një konferencë për media ka folur raundin e dytë të zgjedhjeve që po mbahet në 18 komuna.
Çitaku, tha se procesi po zhvillohet qetë, derisa bëri thirrje qytetarëve të dalin në votime, transmeton Telegrafi.
“Kemi pranuar disa ankesa nga disa komuna, ku personat me nevoja të veçanta kanë pasur vështirësi për të votuar. Këto ankesa I kemi drejtuar në KQZ”, tha ajo.
Tutje, ajo tha se kandidatët e tyre janë të përkushtuar për të mirën e qytetarëve, duke bërë thirrje që akterët politikë, sot të tregojnë maturi, duke mos kontribuar në asnjë formë në tensionimin e situatave./Telegrafi/
Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Qeverisë në detyrë për të shpërndarë nga 100 euro për studentët vetëm tre ditë para mbajtjes së zgjedhjeve lokale.
Në një postim në rrjetet sociale, Çitaku e ka cilësuar këtë veprim si “abuzim me taksat e qytetarëve për qëllime elektorale”, duke akuzuar kryeministrin në detyrë dhe njëkohësisht kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, për manipulim me paratë publike në prag të votimeve.
“Ja si duket abuzimi me taksat e qytetarëve të Republikës së Kosovës për nevoja elektorale të kryetarit të LVV-së. Vetëm tre ditë para zgjedhjeve, me paratë e qytetarëve të varfëruar, të cilëve ua ka shtrenjtëuar rrymën për t’i shërbyer mafias energjetike, ai shpërndan nga 100 euro për studentët. Ky nuk është as kujdes social, as mbështetje për rininë. Është mashtrim. Është manipulim. Është papërgjegjësi. Dhe mbi të gjitha, është panik”, ka shkruar Çitaku.
Sipas saj, ky veprim tregon se pushteti aktual është në panik dhe po përdor mjetet publike për të ndikuar tek votuesit në prag të zgjedhjeve.
Pas deklaratës së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili tha se “nuk jep buxhet për kryetarët që nuk dinë të punojnë apo që vjedhin”, ka reaguar ashpër nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku.
Ajo e ka cilësuar këtë deklaratë si “skandaloze” dhe “kërcënim të hapur” ndaj qytetarëve të vendit.
“Çfarë deklarate skandaloze nga Kryetari i VV sonte. Ai kërcënoi hapur qytetarët e Kosovës, duke u thënë se nëse nuk votojnë për vasalët e tij në komuna, ai si Kryeministër nuk do t’i mbështesë. Në fakt, kjo nuk më befasoi. Ashtu ka qeverisur prej ditës së parë: me ndëshkim politik ndaj komunave që nuk udhëhiqen nga partia e tij”, ka shkruar Çitaku në një reagim në Facebook.
Sipas saj, ka komuna të qeverisura nga PDK që kanë përfituar “0 euro” nga buxheti i Kosovës, megjithëse ato janë renditur ndër më të mirat për transparencë dhe menaxhim të mirë financiar.
“Skandaloze ishte shkalla e arrogancës dhe përbuzjes ndaj qytetarëve. A.K, ti fole sonte. Por më 9 nëntor qytetarët do të flasin. Dhe atëherë do ta kuptosh se ky popull as nuk nënshtrohet, as nuk shantazhohet”, ka përfunduar Çitaku.
Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Vlora Çitaku, ka thënë se e vetmja arsye për thirrjen e një seance të re plenare është votimi ose mosvotimi i Qeverisë së re.
Pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit të Kosovës, Çitaku tha se çdo gjë tjetër do të ishte shkelje e ligjit dhe e Kushtetutës.
“Në emër të PDK-së, e kam bërë të qartë se pika e vetme e rendit të ditës që mund të trajtohet është thirrja e seancës për të votuar ose jo Qeverinë e re. Çdo gjë tjetër do të ishte shkelje e ligjit dhe e Kushtetutës. Në atë seancë, liderët politikë do të konfirmojnë nëse ekziston apo jo shumica parlamentare”.
Ajo ka bërë të ditur se kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, do të marrë pjesë në takimin e liderëve politikë, duke theksuar se Kosova nuk ka kohë për të humbur.
“Është e qartë se nuk ka shumicë të re parlamentare. Prandaj, duhet të shkojmë në zgjedhje”, ka shtuar ajo.
Çitaku ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje, duke e akuzuar për tentime që të shtyjë institucionet drejt shkeljes së Kushtetutës.
“Nuk do të lejojmë shkeljen e Kushtetutës. Tash kemi situata absurde – i njëjti person është edhe ministër, edhe deputet. Ligji është i qartë: pa Qeveri të re, nuk mund të trajtohet asnjë temë tjetër. Po më befason ndjenja e papritur e urgjencës për t’i trajtuar këto çështje tani, kur me muaj të tërë Kosova është mbajtur peng", ka theksuar ajo.
Në fund, Çitaku ka theksuar se PDK ka qenë konstruktive gjatë gjithë kësaj periudhe, duke kontribuar në ruajtjen e stabilitetit institucional.
“Pa u kërkuar nga askush, kemi ofruar rrugëdalje dhe kemi votuar kryetarin e Kuvendit. Por përtej vullnetit, duhet seriozitet dhe përgjegjësi. PDK nuk do të marrë asnjë hap që cenon Kushtetutën e Kosovës. Derisa të formohet Qeveria e re dhe komisionet parlamentare, Kuvendi nuk mund të trajtojë asnjë çështje tjetër”, ka përfunduar ajo. /Telegrafi/
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, është përfshirë ditën e premte në një incident fizik me një qytetar. Ky incident ka nxitur disa reagime.
Një reagim mbi situatën e ka bërë edhe nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, transmeton Telegrafi.
Çitaku ka përmendur një rast kur ishte sulmuar me vezë, duke theksuar se ajo kishte gabuar që rastin nuk e kishte iniciuar tek organet përgjegjëse.
Mes tjerash, ajo ka shkruar se "për dekada, eksponentë të VV-së kanë sharë, fyer e kërcënuar. Kanë mbjellë helm e kanë stigmatizuar. Si pasojë, shoqëria jonë është më e polarizuar se kurrë më parë".
Reagimi i plotë:
"Nuk e harroj kurrë, diku para tetë vitesh, isha në Universitetin e Colorados, në një bashkëbisedim për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor.
Isha mysafire e Ambasadorit Christopher Hill, i cili atëkohë shërbente si dekan në Departamentin për Marrëdhënie Ndërkombëtare.
Drejt fundit të diskutimit, një vajzë e re nga Kosova u ngrit, më quajti vrasëse e kriminele ( duke aluduar në rastin Dehari), ndërsa Ambasadorin e akuzoi se po promovonte “vrasësit”.
Në fund, na goditi me vezë.
Nuk mbaj mend ndonjë rast tjetër ku jam ndier më në siklet. M’u desh të arsyetohesha para një audience që kishte ardhur të dëgjonte për Kosovën, për politikën e jashtme dhe aspiratat tona për anëtarësim në BE e NATO.
Gabimi që bëra atëherë ishte se nuk e nisa rastin tek organet gjegjëse, sepse sulmi ndaj Ambasadorit të një vendi është vepër e rëndë, për arsye të imunitetit diplomatik. Zgjodha ta amnistoja.
Por sot e di se rastet e tilla duhet të ndiqen ligjërisht. Dhuna, qoftë fizike apo verbale, nuk duhet as të amnestohet, as të normalizohet.
Për dekada, eksponentë të VV-së kanë sharë, fyer e kërcënuar. Kanë mbjellë helm e kanë stigmatizuar. Si pasojë, shoqëria jonë është më e polarizuar se kurrë më parë.
Pjesë të përgjegjësisë kemi edhe ne, sepse shpesh kemi zgjedhur heshtjen në vend të ligjit, faljen në vend të drejtësisë"./Telegrafi/
Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, deputetja Vlora Çitaku, ka folur rreth përpjekjeve për krijimin e institucioneve të reja.
Ish-ambasadorja është pyetur nëse PDK do të provojë të krijojë një qeveri të re në rast se Kurti do të dështojë, megjithatë ajo është shprehur se është shumë vonë dhe se zgjedhjet janë të pashmangshme.
Çitaku ka thënë se pas shpalljes së rezultateve të 9 shkurtit, PDK kishte pasur takime për këtë çështje, por mungesa e numrave kishte qenë problematika kryesore.
“Ne kemi bërë përpjekje menjëherë pas shpalljes së rezultatit zgjedhor. Kemi pasur takime me liderët për të ndërtuar shumicë parlamentare. Por në atë kohë është bërë e qartë që kemi mungesë numrash. Por tash, është bërë shumë vonë. I ka humbur kuptimi këtij Kuvendi. Që nga muaji shkurt e deri në tetor, e turpshme çfarë shfaqjesh kemi parë”, ka thënë Çitaku në T7.
“Ne duhet të shkojmë në zgjedhje të reja. Zgjedhjet e reja janë të pashmangshme, që të kemi rikonfirmim të vullnetit të qytetarëve”, ka shtuar ajo.
Sekretarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku tha se në një qendër votimi janë arrestuar tre persona për fotografim të votës.
Në një konferencë për media, ajo shtoi se deri më tani procesi zgjedhor po zhvillohet kryesisht mirë dhe ka dalje të qytetarëve.
Ajo deklaroi se vota e sotme është votë për të ardhmen e përbashkët për zhvillim dhe për dinjitet.
“Katër vite janë shumë, katër vite janë një jetë, ku ato vite i udhëheq një ekip që punon me ndershmëri, me vizion dhe dashuri për qytetin. Prandaj vota e sotme është votë për të ardhmen e përbashkët për zhvillim dhe për dinjitet. Ne besojmë tek qytetarët e Kosovës, ne besojmë në demokracinë tonë dhe jemi të bindur se kjo ditë do të përmbyllet me sukses, me pjesëmarrje të lartë dhe me një proces të lirë dhe të drejtë për të gjithë. Pak para se të dilja këtu u njoftova nga dega jonë në Drenas që falë intervenimit të vëzhguesve tanë në një qendër votimi janë arrestuar tre persona për fotografim të votës. Kur të kemi detaje më tej do të ju njoftojmë”, deklaroi ajo.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) u ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin dhe të votojnë.
“Siç e dini Partia Demokratike e Kosovës garon me më së shumti kandidatë në këto zgjedhje lokale. Nga të dhënat që kemi marrë deri më tani nga terreni, procesi zgjedhor po zhvillohet kryesisht mirë dhe ka dalje të qytetarëve. Qytetarët e Kosovës po dalin të votojnë dhe po e marrin në duart e tyre përgjegjësinë për të zgjedhur drejtimin e qeverisjes së tyre lokale. Siç kemi theksuar gjithmonë qeverisja komunale është qeverisja më e rëndësishme për jetën e përditshme të qytetarëve. Me nivelin lokal përcaktohet cilësia e jetës së qytetarëve, mënyra si funksionon komuniteti ynë dhe sa afër është komuna është me nevojat e qytetarëve. Prandaj edhe sot, PDK u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të dalin e të votojnë. Të votojnë me përgjegjësi dhe me bindje e shpresë, të votojnë për të ardhmen që e duan dhe që e meritojnë”, shtoi ajo.
Sipas platformës së KQZ-së, deri tani të drejtën e votës e kanë ushtruar 160 mijë e 421 qytetarë në nivel vendi, apo 7.92% e qytetarëve të Kosovës.
Në Drenas deri tani kanë votuar 4 mijë e 679 qytetarë nga 57 mijë e 342 me të drejtë vote apo 8.16% e votuesve kanë ushtruar të drejtën e tyre në këtë komunë./kp/
Sekretarja e përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, është shprehur e bindur se ish-presidenti Hashim Thaçi do të kthehet në Kosovë në pranverën e vitit 2026.
Duke folur në një aktivitet elektoral të PDK-së në Drenas, Çitaku theksoi se kthimi i Thaçit do të ishte një moment i rëndësishëm jo vetëm për partinë, por edhe për mbështetësit e saj.
“Unë jam ma e bindur se kurrë, se Hashim Thaçi në pranverën e vitit të ardhshëm do të jetë në Kosovë. Do të ishte kënaqësia më e madhe për mu dhe për secilin anëtar të PDK-së që me ia mundësu Hashim Thaçit që me vizitu kryetarin e Drenasit, kryetarin nga PDK, Petrit Hajdarin,” u shpreh Çitaku para simpatizantëve, ndërsa prezantonte kandidatin për kryetar të kësaj komune.
Deklarata e saj erdhi në kuadër të fushatës zgjedhore, ku PDK po prezanton kandidatët e saj në komunat e ndryshme të vendit.
Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka bërë disa kritika në drejtim të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Çitaku përmes një reagimi në Facebook ka shkruar se Kurti po tenton të mashtrojë qytetarët për arsyet e pezullimit të dialogut me Serbinë, transmeton Telegrafi.
"Vendimi për të pezulluar dialogun strategjik bazohet tërësisht në veprimet e qeverisë kujdestare të Kosovës. Çdo sugjerim se kjo lidhet me Serbinë ose aktorë të tjerë të jashtëm është i pasaktë dhe një përpjekje për t’u shmangur nga çështjet thelbësore të përfshira “ - thotë Departamenti i Shtetit. Megjithatë, A.K i jep vetes të drejtë që, në përpjekjen e tij për t’u hedhur hi syve qytetarëve të Kosovës, të mashtrojë publikisht për arsyet e pezullimit të dialogut me Serbinë", ka deklaruar ajo.
Mes tjerash, ajo ka shtuar se "Ai përpiqet të manipulojë opinionin publik për një grusht votash, duke u mbështetur në një populizëm banal, e ndërkohë rrezikon skajshëm raportin e Kosovës me aleatin e saj më të rëndësishëm strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës".
"Nga një ekskursion në SHBA, del e bën deklarata si analist mediokër dhe i papërgjegjshëm i politikës së jashtme amerikane, duke dëmtuar imazhin dhe interesin shtetëror të Kosovës"./Telegrafi/