Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

“Integriteti i listave zgjedhore”, IKD tregon përqindjen e kandidatëve për deputetë të përfshirë në raste penale

20 December 2025 at 11:47


Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka publikuar raportin lidhur me analizimin e listave të kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit 2025, të cilët janë përfshirë në raste penale.

IKD thekson se ka avokuar vazhdimisht për dekriminalizimin e politikës, në kuptimin që personat të cilët përfshihen në raste penale, edhe nëse nuk kanë ndalesa specifike ligjore, të mos jenë pjesë e listave zgjedhore dhe bartës të funksioneve të caktuara publike.

“Përfshirja në raste penale konsiston qoftë në aktakuza aktive apo dënime të formës së prerë. Siç është theksuar vazhdimisht, kërkesa për mos kandidim të personave të cilët përfshihen në raste penale nuk nënkupton cenim të parimit të prezumimit të pafajësisë por se synon të dërgojë një mesazh pozitiv, në kuptim të vlerësimit të integritetit.

Në bazë të ligjit për zgjedhjet e drejta për të kandiduar për deputetë në zgjedhjet parlamentare iu kufizohet vetëm personave të cilët janë dënuar me vendim të formës së prerë me një vit burgim e më shumë në tre vitet e fundit. Përkundër, kësaj IKD me qëllim të forcimit të integritetit institucional të Kuvendit të Kosovës dhe integritetit personal të përfaqësuesve të popullit në vazhdimësi ka lobuar që partitë politike të pastrojnë listat e deputetëve edhe nga persona të cilët kanë potencialisht probleme me ligjin në kuptim të dyshimeve për përfshirje në vepra penale, aktakuza, apo dënime të shqiptuara nga gjykatat por që nuk hyjnë në kuadër të kufizimit ligjor”, thuhet në komunikatën e IKD-së.

Instituti i Kosovës për Drejtësi rikujton se për këto zgjedhje janë certifikuar 24 subjekte politike, ndërsa pjesë e tyre janë 1,179 kandidatë për deputetë.

“Duke mos cenuar parimin e prezumimit të pafajësisë, sikurse edhe në ciklet e tjera zgjedhore, edhe në këtë rast, IKD bazuar në të dhënat e saj nga monitorimi i proceseve gjyqësore, në këtë raport ka paraqitur kandidatët për deputetë që janë përfshirë në raste penale. Kandidatë të tillë cilësohen të gjithë kandidatët e identifikuar të cilët kanë aktakuza aktive apo dënime penale të formës së prerë.

Raporti thekson se sipas të dhënave të monitorimit të IKD, nga 1,179 kandidatët për deputetë, 28 prej tyre apo 2.37% janë persona të cilët janë përfshirë në raste penale. Prej tyre, janë gjithsej 19 kandidatë për deputetë të cilët kanë aktakuza aktive. Ndërkaq, ky raport ka identifikuar edhe gjithsej 12 kandidatë për deputetë të cilët në të kaluarën janë dënuar me vendim të formës së prerë. Derisa, nga këta 28 kandidatë, për 3 prej tyre është gjetur se përveç që janë të dënuar me vendim me vendim të formës së prerë kanë edhe aktakuza aktive. Derisa, në këtë raport potencialisht mund të ketë edhe raste të rehabilitimit ligjor por që subjektet politike nuk kanë ofruar informacion”, thuhet në njoftim.

IKD gjen se sipas subjekteve politike, numri më i lartë i kandidatëve që janë përfshirë në raste penale vjen nga LVV, që ka kandiduar gjithsej 13 persona, të cilët janë evidentuar se janë përfshirë në raste penale.

Shprehur në përqindje, rezulton se 11.81% e listës së kandidatëve të LVV për deputetë përbëhet nga persona të cilët janë përfshirë në raste penale.

Ky rangim pasohet nga AAK, e cila ka përfshirë në listën e saj gjithsej gjashtë kandidatë të cilët janë përfshirë në raste penale, duke bërë që 5.45% e listës së saj të deputetëve të përbëhet nga persona të cilët janë përfshirë në raste penale.

Më pas vjen Nisma Social Demokrate me tre kandidatë (2.72%), PDK me dy kandidatë (1.81%), Lista Serbe me dy kandidatë (6.06%), KDTP me një kandidat (6.25%) dhe LDK me një kandidat (0.9%).

“Sa i përket veprave penale në të cilat janë të përfshirë kandidatët, dominojnë veprat penale nga kapitulli i korrupsionit zyrtar dhe veprat penale kundër detyrës zyrtare dhe vepra penale ‘Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm’.

Nëse i referohemi gjetjeve të monitorimit dhe hulumtimit të IKD në lidhje me kandidatët të cilët janë përfshirë në raste penale, rezulton se krahasimisht me zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, është pësuar regres në të gjitha pikat e vlerësimit. Regres është shënuar në raport me numrin e kandidatëve për deputetë të cilët përfshihen në raste penale, numrin e kandidatëve me dënime penale dhe numrin e subjekteve politike që në listat e tyre kanë përfshirë persona të përfshirë në raste penale”, thuhet në njoftimin e IKD-së. /Telegrafi/

SPERTK u bën thirrje partive politike të adresojnë çështjet e hapura të RTK-së para zgjedhjeve

19 December 2025 at 15:10


Në prag të zgjedhjeve nacionale, Sindikata e Punëtorëve të Radiotelevizionit të Kosovës – SPERTK u drejtohet partive politike që synojnë përfaqësim në Legjislaturën e 10-të të Kuvendit të Republikës së Kosovës, për t’ua rikujtuar përgjegjësitë institucionale dhe ligjore ndaj transmetuesit publik.

Përmes një reagimi për media bëhet e ditur se SPERTK rikujton se Ligji i ri për RTK-në ende nuk është miratuar.

“Ndërsa çështjet thelbësore që lidhen me: rregullimin e pronës së RTK-së, sigurimin e financimit të pavarur dhe të qëndrueshëm, mbesin të hapura dhe kërkojnë adresim serioz nga legjislatura e ardhshme”, thuhet në reagim.

Tutje në reagim bëhet e ditur se deri në miratimin e një zgjidhjeje të re ligjore, vazhdon të zbatohet forma aktuale e financimit, sipas së cilës 0.7% e buxhetit nacional ndahet për RTK-në, si bazë për funksionimin e transmetuesit publik.

Ndryshe, SPERTK vlerëson se është paralajmëruar aplikimi i pagesës së 13-të për punëtorët e sektorit publik në Republikën e Kosovës, dhe thekson se kjo e drejtë duhet patjetër të aplikohet edhe për punëtorët e RTK-së, pa përjashtime dhe pa standarde të dyfishta.

Ndërron jetë kandidati për deputet në Kuvendin e Kosovës

16 December 2025 at 08:31


Ka ndërruar jetë kandidati për deputet në Kuvendin e Kosovës pjesë e listës zgjedhore të Partisë Liberale Egjiptiane, Bastri Dubova.

Lajmin e bëri të ditur përmes një postimi në rrjetin social në Facebook, kryetari i kësaj partie, Veton Berisha.

Berisha në emër të Partisë Liberale Egjiptiane, i ka shprehur ngushëllime familjarëve për ndarjen nga jeta të Bastri Dubova.

“Në emër të Partisë Liberale Egjiptiane, shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta për ndarjen nga jeta të z.Bastri Dubova , aktivist kombëtarë, anëtar i Lëvizjes Egjiptiane, anëtar i Partisë Liberale Egjiptiane, si dhe pjesë e listës së kandidatëve për deputet në zgjedhjet e 28 dhjetorit! Bastri Dubova është shpallur Qytetar nderi në Komunën e Obiliqit nga kryetari i kësaj komune. z. Xhafer Gashi, falë punës dhe angazhimit të tij rreth në të mirë të qytetarëve të Obiliqit! Mikun tonë do ta kujtojmë përgjithmonë si një aktivist i palodhur, burrë fisnik e bujar”, ka shkruar Berisha. /Telegrafi/


​Këta deputetë kanë aplikuar për pagë kalimtare në Kuvend, privilegje të tilla kërkohet të largohen

12 December 2025 at 13:24


Në bazë të Ligjit për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit, ligjvënësve kosovarë u takon të marrin pagë kalimtare për 12 muaj pasi ta kryejnë mandatin, me kusht që nuk kanë të hyra të tjera gjatë kësaj kohe.

Një gjë të tillë, pas shpërndarjes së legjislaturës së nëntë e kanë shfrytëzuar 67 deputetë, ani pse të njëjtit sipas shoqërisë civile nuk e kanë kryer asnjë punë gjatë kësaj periudhe. Privilegje të tilla nga monitorues të punës së Kuvendit po konsiderohen si të tepërta, derisa kërkojnë që të njëjtat të largohen dhe ligji të ndryshohet. Paga bazë e një deputeti është 1 mijë e 913 euro.

Në bazë të përgjigjes së Kuvendit të Kosovës për KosovaPress, del në pah se 27 deputetë të koalicionit Lëvizja Vetëvendosje, Guxo dhe Alternativa kanë aplikuar për pagën kalimtare nga gjithsej 48 deputetë që ka pasur ky koalicion.

Në Partinë Demokratike të Kosovës kanë aplikuar 14 deputetë për pagë kalimtare nga gjithsej 24 deputetë sa ishin në legjislaturën e kaluar.

Kurse 12 ish-deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë aplikuar për pagë kalimtare nga gjithsej 20 sa ka pasur. Në AAK kanë aplikuar katër deputetë për pagë kalimtare nga pesë sosh sa kanë qenë. Ndërkaq në Nisma Socialdemokrate vetëm deputetja Arbëresha Krasniqi ka aplikuar për pagë kalimtare, kurse ish-deputetët Fatmir Limaj dhe Xhevahire Izmaku nuk kanë aplikuar në bazë të të dhënave të Kuvendit. Nga komunitetet jo-serbe kanë aplikuar shtatë deputetë, kurse nga radhët e komunitetit serb ka aplikuar për pagë kalimtare vetëm një deputet nga legjislatura e kaluar.

Deputetët e legjislaturës së nëntë janë betuar më 19 prill të vitit 2025, ndërkaq konstituimi i Kuvendit ka ndodhur pas gjashtë muajsh më 10 tetor, si pasojë e krizës politike. Pasi LVV-ja si partia e parë në zgjedhjet e 9 shkurtit dështoi dy herë të formojë qeverinë, Kuvendi u shpërnda më 20 nëntor dhe tashmë janë shpallur zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen më 28 dhjetor.

Nga Lëvizja Vetëvendosje për pagën kalimtare kanë aplikuar këta deputetë të legjislaturës së kaluar: Glauk Konjufca, Ilir Kërçeli, Adriana Matoshi, Arbër Rexhaj, Arbëresha Kryeziu-Hyseni, Arjeta Rexhepi, Arjeta Fejza, Armend Muja, Artan Abrashi, Adelina Grainca, Avni Dehari, Bajram Mavriqi, Drita Pajaziti, Driton Hyseni, Fatmire Kollçaku, Fitim Haziri, Fitore Pacolli, Fjolla Ujkani, Jeta Statovci, Labinot Demi-Murtezi, Mefail Bajqinovci, Mimoza Kusari-Lila, Nezir Kraki, Salih Zyba, Saranda Bogujevci, Shqipe Mehmeti-Selimi, Valon Hoti dhe Valon Ramadani.

Në anën tjetër, nga Partia Demokratike e Kosovës për pagë kalimtare kanë aplikuar ish-deputetët: Abelard Tahiri, Altin Krasniqi, Arbnore Salihu, Ariana Musliu-Shoshi, Artan Behrami, Eliza Hoxha, Elmi Reçica, Ganimete Musliu, Kosovare Murseli, Memli Krasniqi, Nait Hasani, Rashit Qalaj, Rrahman Rama dhe Sala Jashari.

Edhe ish-deputetë të Lidhjes Demokratike kanë aplikuar për pagë kalimtare: Alban Zogaj, Arben Gashi, Arjeta Abazi, Armend Zemaj, Besian Mustafa, Doarsa Kica-Xhelili, Hykmete Bajrami, Hysen Çekaj, Jehona Lushaku-Sadriu, Krenar Xhaferi, Lutfi Haziri dhe Paris Guri.

Te Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës këta ish-deputetë kanë aplikuar për pagën kalimtare: Bekë Berisha, Time Kadrijaj, Lahi Brahimaj dhe Daut Haradinaj, ndërsa nuk ka aplikuar ish-deputeti, njëherësh kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj. Kurse te Nisma Socialdemokrate ka aplikuar vetëm ish-deputetja Arbëresha Krasniqi, kurse Fatmir Limaj dhe Xhevahire Izmaku nuk kanë aplikuar.

Për pagën kalimtare kanë aplikuar edhe deputetët nga komunitetet jo-serbe, të cilët janë: Adem Hoxha, Albert Kinolli, Artan Asllani, Duda Balje, Fidan Jilta, Rasim Demiri dhe Veton Berisha. Kurse nga komuniteti serb ka aplikuar vetëm ish-deputeti Branislav Nikoliq.

E këto privilegje të deputetëve, hulumtuesi në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Melos Kolshi, thotë se janë të rregulluara me ligj, mirëpo sipas tij paga kalimtare duhet t’i jepet me meritë një deputeti e jo siç ka ndodhur në legjislaturën e kaluar kur të njëjtit refuzojnë të konstituojnë Kuvendin.

Sipas tij, deputetët e legjislaturës së kaluar nuk e kanë merituar as pagën bazë e aq më pak pagën kalimtare për 12 muaj.

“Këto secila prej tyre janë rregullime ligjore të cilat kur janë hartuar ligjet si të tilla nuk është menduar që deputetët do të refuzojnë të vetë konstituohen. Po ashtu edhe partia më e madhe refuzon apo bën përpjekje për të mos formuar qeverinë. Një gjë e tillë nuk është menduar nga hartuesit e ligjit dhe problemet e tilla... Paga kalimtare kur të jepet t’i jepet një deputeti me meritë dhe jo një deputeti siç ka ndodhur në legjislaturën e nëntë kur nuk ka merituar as pagën bazë që e merr përveç pagës kalimtare. Paga që e merr nga buxheti i Kosovës duhet të shpërblehet me punë dhe ndershmëri”, thekson ai.

Përkitazi me këtë, Kolshi thotë se duke parë zhvillimet në legjislaturën e kaluar, ligji duhet të rishikohet dhe t’i përshtatet edhe rrethanave të tilla ku Kuvendi për 1 vit mund të mos jetë funksional.

“Duke parë këto zhvillime që kanë ndodhur në legjislaturën e nëntë, nuk besoj se ka ndonjë arsyetim logjik që të arsyetohet paga kalimtare dhe t’iu jepet deputetëve të kësaj legjislature, duke pasur parasysh mospunën e tyre. Një gjë e tillë patjetër që duhet të rishikohet dhe vlerësohet e mandej të hartohet një ligj apo disa ndryshime ligjore që do të jenë përkitazi me të drejtat dhe përgjegjësitë e deputetit dhe jo mospunën e tij”, deklaron Kolshi.

Pas shpërndarjes së legjislaturës së nëntë, i vetmi organ që e ruan vijimësinë e punës së Kuvendit deri në konstituimin e legjislaturës së re është Kryesia e Kuvendit. /Kp/

Publikohet raporti “Kostoja e Politikës në Kosovë”, mesatarja për t'u bërë deputet shkon mbi 12 mijë euro

12 December 2025 at 12:04


Democracy Plus (D+) dhe Westminster Foundation for Democracy (WFD) kanë publikuar raportin “Kostoja e Politikës në Kosovë”, i cili shqyrton ndikimin e kostove financiare në pjesëmarrjen politike dhe konkurrencën zgjedhore gjatë zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025.

Sipas raportit, kostoja e kandidimit për një vend në Parlament paraqet një barrierë të konsiderueshme për shumë qytetarë.

Mesatarja e shpenzimeve për kandidat ishte 9,463 euro, ndërsa kandidatët e zgjedhur shpenzuan mesatarisht 12,150 euro, krahasuar me 4,090 euro të shpenzuara nga ata që nuk arritën të zgjidhen.

Këto të dhëna tregojnë një lidhje të qartë midis shpenzimeve financiare dhe suksesit elektoral.

Raporti thekson se kostoja e lartë e pjesëmarrjes mund të kufizojë konkurencën dhe të ndikojë në përfaqësimin e qytetarëve, duke i dhënë përparësi atyre me mundësi më të mëdha financiare.

Raporti i plotë mund të gjendet këtu: https://dplus.org/.../kostoja-e-politikes-ne-kosove/21070. /Telegrafi/


Matoshi i reagon Lushtakut: O nuk e ka me mu Samiu, ju kanë ndal terminalet, tenderët

5 December 2025 at 12:08


Ish deputetja e Kuvendit të Kosovës, Adriana Matoshi i ka reaguar kryetarit të Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku i cili ka përdorur një gjuhë seksiste karshi saj.

Matoshi përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se Lushtaku është më mirë të shkoj në prokurori e të deklaroj tokën e padeklaruar që siç tha “se ke deklaru kurrë prej vitit 2001”.

“Ju kanë ndalë terminalet, ju kanë ndal tenderat. E ka mujt Ramizi në Drenicë. E ka mujt Albini në Mitrovicë. E kanë mujt burrat, tash u kap me gra. Sami, nuk me tut mu e as nuk nuk lidhna për kërpeshi unë, qysh i sheh ti gratë. Ma mirë o mirë me shku në Prokurori me kallxu për qato 7 ari tokë që si kishe deklaru kurrë prej 2001, e tash i paske marrë 630 mijë euro banesa? Problemi i Kosovës janë qeto dallavere Sami, jo gratë”, ka shkruar Matoshi. /Telegrafi/


SPERTK i drejtohet Kuvendit: Siguroni financimin e pavarur për RTK-në

3 December 2025 at 09:41


Sindikata e Punëtorëve të RTK-së (SPERTK) i drejtohet legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës me kërkesën që të sigurojë më në fund financimin e pavarur dhe të qëndrueshëm për transmetuesin publik.

Sipas një njoftimi për media thuhet se modelet e financimit ekzistojnë dhe miratimi i ligjit të ri për RTK-në është urgjent, po ashtu edhe ndërtimi i pronës së re të institucionit.

“RTK prej 26 vitesh funksionon në pasiguri të vazhdueshme. Në vitin 2021, nga buxheti i saj u shkëputën edhe 2.2 milionë euro, duke e lënë transmetuesin publik me financimin më të ulët në rajon. Kjo gjendje është e padrejtë për punëtorët dhe e dëmshme për shërbimin publik”, thuhet në njoftim.

“SPERTK kërkon që: Para miratimit të buxhetit nacional, për RTK-në të vendoset rritja 0.7% në përputhje me rritjen vjetore të buxhetit të shtetit. Të miratohet ligji i ri që garanton financim të pavarur dhe funksionim normal të institucionit. Të fillojë procesi i ndërtimit të objektit të ri të RTK-së, i vonuar prej shumë vitesh”, thuhet në njoftim.

Tutje bëhet e ditur se SPERTK do t’i paraqesë legjislaturës së re dhe organeve të ardhshme drejtuese kërkesat për rritje pagash dhe avancim të kontratës kolektive.

“Ne do të presim deri në formimin e plotë të Kuvendit, Bordit dhe menaxhmentit. Nëse këto çështje – veçanërisht rritja e menjëhershme e pagave – nuk trajtohen, SPERTK do të nisë masat sindikale pa vonesë. Rikujtojmë se RTK aktualisht funksionon pa Bord, pa Drejtor të Përgjithshëm, pa Kryeredaktor dhe me shumë pozita të mbajtura nga ushtrues detyre. Për këtë arsye, është e domosdoshme që legjislatura e re dhe Bordi i ardhshëm të shqyrtojnë me kujdes çdo kontratë dhe çdo shpenzim të buxhetit të RTK-së”.

Siç thuhet në njoftim RTK është pasuri publike.

“Stabiliteti i saj është interes i qytetarëve dhe detyrim i institucioneve. SPERTK do të vazhdojë të mbrojë punëtorët dhe të kërkojë kushte të drejta e të qëndrueshme për ta”. /Telegrafi/


Një milion e 515 mijë euro për deputetët pa asnjë ligj të miratuar, askush s’hoqi dorë nga paga

28 November 2025 at 19:30


Mbi 7 muaj mandat, asnjë ligj i miratuar, rreth 1860 euro mesatarisht pagë për çdo muaj, rreth 13 mijë euro mesatarisht për secilin deputet - kjo është vlera e parave që përfituan 120 deputetët të cilët nuk e votuan asnjë ligj në Kuvendin e Kosovës, një herë për shkak të bllokadës, e pastaj sepse nuk u krijua Qeveria. Të dhënat e Kuvendit të Kosovës, tregojnë se buxheti të shtetit legjislatura që u shpërnda më 20 nëntor i kushtoi mbi 1.5 milion euro.

Deputetët e legjislaturës së lX e cila u shpërbë më 20 nëntor, nuk e miratuan asnjë ligj, pas konstituimit nuk u arrit të formohet Qeveria e te funksionalizohet krejtësisht Kuvendi.

Ata punuan pak e hiq por fituan shumë – 7 rroga të plota i morën nga Kuvendi. Disa edhe një pagë të muajit prill, 8 paga të plota.

Nga 19 prilli e deri më 20 nëntor sa zgjati mandati i 120 deputetëve, buxhetit të Kosovës pagat dhe mëditjet e tyre, i kushtuan 1 milion e 515 mijë e 490 euro.

Këto të dhëna Dukagjini i ka siguruar përmes qasjes në dokumente publike të Kuvendit.

Mesatarisht një deputet, me pjesëmarrje pesë minutëshe në seancë, për 7 muaj i mori rreth 13 mijë euro.

Ndonëse mandatin e deputeti e morën më 20 prill, një pjesë e legjislaturës ishin deputet e një pjesë ishin pjesë e Qeverisë, gjë që bëri që në listën e pagave të jenë 50 deputetë, që nuk mbetën pa një pagë të plotë, mbi 95 mijë euro gjithsej.

Por, muaji maj në kontot e 120 deputetëve i solli pagat e plota, 1859 euro pagën bazë, dhe shtesat varësisht prej përvojës.

Gati 235 mijë euro paga u ekzekutuan në muajin maj.

Edhe në qershor kosto për 120 deputetët nuk ndryshoi shumë, të gjithë së bashku i morën rreth 200 mijë euro.

Edhe për muajt, korrik, gusht e shtator, shuma e paguar për çdo muaj, për pagat e 120 deputetëve silelt tek vlera 200 mijë euro.

Për udhëtime jashtë shtetit, shuma e paguar është simbolike. 588 euro mëditje për udhëtime në Londër dhe Gjermani u paguan për tre deputetë.

Për udhëtimin në Londër, deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami dhe deputeti serb, Nenad Rashiq u paguan nga 234 euro.

Ndërkaq për udhëtimin zyrtar në Gjermani, Emilija Redzepi mori 120 euro mëditje.

Megjithëse, legjislatura e lX për krejt çka do të mbahet ne mend është kryesisht bllokada e gjatë për muaj rresht, asnjë deputet i saj nuk hoqi dorë nga paga.

Bllokada e parë e më e gjata erdhi për emrin e kryetarit të Kuvendit pastaj për nënkryetarët e komuniteteve dhe krejt në fudn u dështua dy herë të votohet qeverinë, një herë Albin Kurti e pastaj edhe mandatari i dytë, Glauk Konjufca.

Si rrjedhojë e kësaj, me dekret Presidentja Osmani me 20 nëntor e shpërndau legjislaturën që nuk e miratoi asnjë ligj, duke i shpallur zgjedhjet e parakohshme në fund të vitit./Tv Dukagjini/

- YouTube youtu.be

Shpërndarja e Kuvendit sjell kufizime buxhetore, profesionistët paralajmërojnë pasoja serioze për vitin 2026

23 November 2025 at 19:53


Dështimi për formimin e Qeverisë së re dhe shpërndarja e Kuvendit do ta çojnë Kosovën në vitin e ri me kufizime buxhetore, duke i lënë në dispozicion vetëm 1/12-tën e tij në dispozicion. Për të shmangur bllokadën, legjislatura e dhjetë, e cila pritet të dalë nga zgjedhjet e 28 Dhjetorit, duhet të miratojë buxhetin e ri para fundit të shkurtit 2026.

Shpërndarja e legjislaturës së nëntë të Kuvendit pas dështimit për formimin e Qeverisë së re, do të krijojë kufizime në raport me përdorimin e buxhetit nga ky vit në vitin e ri.

Ligji për Menaxhimin e Financave Publike, përcakton kufizimet në ndarjet buxhetore kur vendi hyn në vitin e ri pa e miratuar buxhetin e ri.

Neni 24, saktëson se në rastet kur nuk ka pasur zgjedhje parlamentare në katër muajt e fundit, ligji mbi ndarjet buxhetore, i cili ka qenë në fuqi vitin e mëparshëm do të trajtohet “thuajse është zgjatur për të mbuluar muajin e parë të vitit të tillë fiskal; dhe thuajse siguron një ndarje buxhetore për çdo organizatë buxhetore, që është i barabartë me 8.33 % të ndarjes buxhetore të siguruar për organizatën e tillë buxhetore nga ligji i ndarjeve buxhetore”.

Në këto rrethana, për shmangien e bllokadës në kuletën e shtetit, legjislatura e dhjetë e Kuvendit duhet të miratojë buxhetin e ri para fundit të shkurtit 2026.

Duke i quajtur të papërgjegjshëm vendimmarrësit, profesori Shkumbin Misini listoi një varg pasojash, nisur nga vështirësimi i jetës së qytetarëve e deri te ndikimi në investime.

“Ka deadline të cilat i kanë kompanitë kontraktuese dhe të cilat nëse nuk bëhet pagesa në mënyrë automatike shkojnë me penalti… Ne problemin tjetër do ta kemi pas zgjedhjeve, përsëri një krizë e tillë, ka me shku me muaj të tërë të arrihet ndonjë marrëveshj, sepse nuk e kemi të sigurt, për të arritur deri te konstituimi i Kuvendit. Sepse ne jemi mësu me politikanët tanë, janë të papërgjegjshëm”, ka thënë Shkumbin Misini, profesor i Ekonomisë.

Profesori i ekonomisë Mustafë Kadrijaj, foli për kufizimet buxhetore me të cilat nis viti i ri.

“Këtu nuk ka faj ligji e as institucionet që i mbrojnë ato parime, por ky është vetëm problem politik, që partitë politike e kanë sjellë situatën çfarë është, një situatë aspak e lakmueshme”, ka thënë Mustafë Kadriaj, profesor i Ekonomisë.

Të enjten pasdite, presidentja Vjosa Osmani njoftoi se u kishte propozuar partive politike që, para shpërndarjes së Kuvendit, të mbajnë një seancë ku do të trajtohej edhe çështja e buxhetit dhe zgjatja e tij për së paku tre muaj./Tv Dukagjini

Maratonë pa rezultate konkrete, legjislatura e nëntë shpenzoi 750 minuta punë në 63 seanca

23 November 2025 at 10:22


Kuvendi i Kosovës ka mbajtur gjithsej 63 seanca gjatë një periudhe kohore, ku janë regjistruar rreth 750 minuta punë.

Deputetët e dalë nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit pavarësisht këtyre seancave dhe minutave nuk arritën të zgjedhin një Qeveri të re apo ta miratojnë buxhetin. Madje për konstituimin e Kuvendit iu deshën 60 seanca.

Seancat, që përfshijnë ato konstituive kanë ndodhur kryesisht gjatë muajve Prill, Maj, Qershor dhe Korrik të vitit 2025.

Raporti i publikuar nga REL tregon se shumica e seancave janë zhvilluar me disa orë të shkurtra, ndërsa disa ditë kanë pasur seanca që kanë zgjatur më shumë si në rastin e seancës së 26 Gushtit, ku janë regjistruar minutat më të shumta të kaluara në seancë.

Përveç seancave të zakonshme konstituive, janë shënuar edhe dy seanca që lidhen me "Mandatarin e parë" dhe "Mandatarin e dytë", që janë zhvilluar në fund të muajve Tetor dhe Nëntor, duke përfshirë seanca të jashtëzakonshme për buxhet, të cilat kanë kaluar po ashtu më shumë se 60 minuta.

Kujtojmë se Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani të enjten më 20 nëntor shpërndau legjislaturën e nëntë të Kuvendit, dhe tha se ka vendosur që zgjedhjet e jashtëzakonshme në vend të mbahen më 28 dhjetor. /Telegrafi/

Legjislatura e pagave por pa punuar, Kosova pa vendimmarrje afër një vit

21 November 2025 at 22:45


Vendimet e fundit të Kuvendit të Kosovës datojnë gati një vit më parë, ndërsa në rrethanat aktuale legjislatura e re, që do të dalë nga zgjedhjet e 28 Dhjetorit, mund të konstituohet tek pas disa muajsh nga tash. Kjo nënkupton se vendi do të shkojë në një periudhë prej më shumë se një vit pa vendimmarrje në institucionin më të lartë. Nga monitorues të punës së Kuvendit, 2025-të vlerësohet vit i humbur, do të bartë pasojat edhe në vitin e ri.

Zero është numri i ligjeve të miratuara, anëtarëve të zgjedhur të bordeve, çështjeve të trajtuara apo i mbikëqyrjeve të kryera nga legjislatura e nëntë e Kuvendit të Kosovës, të cilën e shpërndau presidentja të enjten.

Edhe pse nuk kryen asnjë punë, ish-ligjvënësit u paguan nga Prilli, kur u betuan – dhe një pjesë e tyre do të vazhdojnë të gëzojnë të ardhura edhe për një kohë, nga e drejta për kompensim kalimtar.

Paraprakisht, edhe pse ligjërisht kishte mandat deri në Mars 2025, legjislatura e tetë kishte ndalur punën në Dhjetor 2024, dy muaj para zgjedhjeve të rregullta parlamentare që u mbajtën më 9 Shkurt.

Madje pa i votuar marrëveshjet ndërkombëtare, përfshirë ato me Bashkimin Evropian për Planin e Rritjes, nga i cili vendi të mund të përfitonte deri në 882 milionë euro.

Në rrethanat aktuale, shqetësues vlerësohet edhe fakti se Kosova do të mbetet pa vendimmarrje në Kuvend edhe për së paku disa muaj – deri pas konstituimit të legjislaturës së dhjetë, që do të dalë nga zgjedhjet e 28 Dhjetorit.

Hulumtuesi i lartë në IKD, Naim Jakaj, vlerëson pasojat e këtij viti mund të jenë të pariparueshme.

“Ky vit tashmë është i humbur për Kosovën dhe pasojat në disa rrafshe do të mund të jenë të pariparueshme. Për arsye se kemi një vit ku nuk dihet nuk dihet nëse do të kemi buxhet në dy-tre muajt e parë, shkojmë pa marrëveshjet nga Plani i Rritjes, shkojmë pa buxhetin për RTK-në, pa buxhetin për katër komunat që tashmë do duhej të ekzekutoheshin ato buxhete të viti 2025”, tha Jakaj.

Po aq i dëmshëm vlerësohet ndikimi që mund të ketë mungesa e Kuvendit në raport me bordet jofunksionale në 17 agjenci të evidentuara nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, por edhe zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

“Ajo është në minimum të kuorumit. Paramendojeni situatën sikur një gjyqtar të dorëhiqet një gjyqtar apo për arsyet të ndryshme të mos jetë i pranishëm dhe të tërhiqet ose shkarkohet, cila do qoftë arsyeja, atëherë Gjykata mbetet pa kuorum dhe nuk mund të trajtojë lëndë ose të ketë proces të vendimmarrjes”, u shpreh Jakaj.

Vendimet e fundit të Kuvendit, datojnë në fillim të muajit Dhjetor 2024 – shumica e të cilave janë ende të kontestuara në Gjykatën Kushtetuese.

Madje edhe viti 2024 ishte vlerësuar i dobët nga monitoruesit e Kuvendit, me matjet e Institutit Demokratik të Kosovës që tregojnë se rreth 35% e seancave kishin rezultuara me vazhdime, ku ndërprerjet ishin pasojë e mungesës kuorumit./Tv Dukagjini/

Presidentja Osmani shpërndau Kuvendin e Kosovës, publikohet dekreti

20 November 2025 at 12:40


Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka shpërndarë sot Kuvendin e Kosovës, pas shterjes së të gjitha mundësive për konstituimin e mëtejmë të institucioneve bazuar në zgjedhjet e 9 shkurtit.

Osmani dekretin për shpërndarjen e Kuvendit e nënshkroi sot pak minuta pas takimit me krerët e partive parlamentare.

“Në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe legjislacionin në fuqi, si dhe pas pranimit sot të vendimit të Kuvendit të Kosovës lidhur me dështimin e krijimit të Qeverisë edhe nga mandatari i dytë, Presidentja e Republikës së Kosovës ka shpërndarë sot Legjislaturën e nëntë të Republikës së Kosovës”, thuhet në dekret.

Dekreti hyn në fuqi në ditën e nënshkrimit.

Ndryshe, pas takimit me Osmanin, krerët e partive politik kanë dhënë dy opsione për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare, datën 21 dhe 28 dhjetor. /Telegrafi/

Partitë përplasen pas dështimit të formimit të Qeverisë, thirrje urgjente për shpalljen e zgjedhjeve

19 November 2025 at 17:20


Pas dështimit të dytë për formimin e qeverisë, deputetë nga partitë kryesore politike kanë reaguar me qëndrime të ndryshme, duke kërkuar nga presidentja Vjosa Osmani që të ndërmarrë hapat e radhës kushtetues.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovë, Bedri Hamza tha se dështimi i njëpasnjëshëm i dy mandatarëve tregon qartë se qeveria aktuale e ka humbur mbështetjen politike.

"Shumica që doli nga zgjedhjet e fundit është treguar e paaftë t’i krijojë institucionet e reja, duke shkaktuar pasiguri institucionale, politike dhe shtetërore. Sot e kemi vetëm një rrugë të përgjegjshme përpara: zgjedhjet e reja. Presidentja e vendit duhet ta caktojë sa më shpejt datën e tyre, sepse mjaft kohë kemi humbur",shkroi Hamza në Facebook.




E deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, pas seancës tha se tanimë presidentja ka obligim që sa më shpejt të shpallë datën e zgjedhjeve të reja. Ai theksoi se dështimi për formimin e qeverisë ka qenë i paralajmëruar dhe se vendi ka humbur muaj të tërë në një proces pa epilog.

“Kemi mbi nëntë muaj që nga zgjedhjet dhe qytetarët tashmë i kishin thënë ‘jo’ referendumit të Kurtit. Kam paralajmëruar qysh më 27 prill se ky ngërç do të vazhdojë dhe kam kërkuar që vendi të shkojë më herët në zgjedhje. Pas këtij dështimi të paralajmëruar, presidentja është e obliguar të shpallë sa më parë datën e zgjedhjeve. Propagandat e pavërteta të dëgjuara në seancën e parë nuk qëndrojnë – Kosova nuk rrezikon fondet e BE-së, kreditë apo pagat e qytetarëve”, u shpreh Krasniqi.

Edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, e quajti procesin e sotëm një “shfaqje teatrale” nga Lëvizja Vetëvendosje. Ai i bëri thirrje presidentes që të respektojë afatet kohore dhe të mos lejojë ndërhyrje në procedurat kushtetuese.

“Loja me numra këto tetë muaj dhe dështimi i sotëm ishin të paralajmëruar. Vendit nuk i mbetet rrugë tjetër veçse të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme. Është lajm i keq, por i pritshëm”, deklaroi Zemaj.

Ndërkohë, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, akuzoi partitë opozitare se janë bashkuar me Listën Serbe me qëllim të vetëm – kundërshtimin e Albin Kurtit.

“Sot u pa qartë se opozita, bashkë me Listën Serbe, u unifikuan për ta bllokuar Kurtin. Janë të gatshëm të lënë 700 punëtorë të RTK-së pa paga, 85 mijë shërbyes civilë, 400 mijë fëmijë pa shtesa dhe 300 mijë pensionistë pa pensione, vetëm që të mos i mbetet atyre faji. Shpresoj që qytetarët ta kenë parasysh këtë në zgjedhjet që po vijnë”, u shpreh Murati.

Pas dështimit të votimit të mandatarit Glauk Konjufca, vendi pritet të shkojë drejt zgjedhjeve të reja parlamentare.

Kosova drejt zgjedhjeve/ Konjufca dështon me formimin e qeverisë

19 November 2025 at 15:40

Kuvendi i Kosovës ka votuar kundër formimit të qeverisë me kryeministër Glauk Konjufcën.

Pro formimit të propozimit qeverisë nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje votuan vetëm 56 deputetë, 4 abstenuan dhe 53 ishin kundër.

Partitë, PDK, LDK dhe AAK ishin kundër, ndërsa Nisma abstenoi. Tashmë pas dështimit për formimin e qeverisë, vendi shkon në zgjedhje të parakohshme.

Në këtë mënyrë me dështimin e Konjufcës, tani presidentja Vjosa Osmani duhet të shpallë zgjedhjet e parakohshme që duhet të mbahen brenda 40 ditësh nga dita e shpalljes.

Konjufca dështon të bëhet kryeministër - vendi drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme

19 November 2025 at 15:33


Glauk Konjufca, mandatar i dytë i propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, nuk ka arritur të sigurojë votat e mjaftueshme për kryeministër.

Pas këtij dështimi, vendi do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare, transmeton Telegrafi.

Pro Konjufcës votuan 56 ,kundër votuan 53 dhe katër deputetë abstenuan.

Zgjedhjet parlamentare në Kosovë janë mbajtur më 9 shkurt 2025. LVV doli partia e parë, PDK e dyta, dhe LDK e treta.

Që nga 9 shkurti, vendi ka mbetur pa krijimin e institucioneve të reja. /Telegrafi/

Abdixhiku për Kurtin: Një njeri me apetit të pakufizuar për karrige

19 November 2025 at 15:22


Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se duhet bërë gati që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Para deputetëve, Abdixhiku bëri disa kritika ndaj Albin Kurtit, duke thënë " për dallim prej teje, ne i rrisim fëmijët këtu".

Ai shtoi se Kurti nuk po merret me izolimin, barrën e familjeve kosovare , e skandalet korruptive, por që po merret me shpifje.

"Temat që i prekun qytetarët, nuk janë prioritet i tij", deklaroi ai para deputetëve. /Telegrafi/

Ismaili: Nuk ka njeri në Kosovë, dhe as Glauku vetë nuk beson, se ai do të jetë kryeministër e Kurti zëvendësi i tij

19 November 2025 at 15:13


Ka nisur seanca e jashtëzakonshme për votimin e Qeverisë, ku LVV ka propozuar Glauk Konjufcën si mandatar të dytë.

Deputeti i PDK-së, Uran Ismaili tha se " Nuk ka njeri në Kosovë, dhe as Glauku vetë nuk beson, se ai do të jetë kryeministër e Kurti zëvendësi i tij".

PDK ma herët ka deklaruar se nuk do ta votojnë Konjufcën si kryeministër. /Telegrafi/

Kurti: S’ka krizë ekonomike, por rrezikojmë krizë sociale nga kriza buxhetore për shkak të keqpërdorimeve të procedurave

19 November 2025 at 13:15


Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, deklaroi në Kuvend Kosova do të humbë miliona euro nëse nuk miratohen marrëveshjet ndërkombëtare dhe vendi shkon në zgjedhje të parakohshme.

Kurti gjatë fjalimit në Kuvend tha se në Kosovë s’ka krizë ekonomike, prandaj sipas tij, s’ka protesta të qytetarëve por vetëm ankesa të opozitarëve.

“Të nderuar deputetë, në Kosovë nuk ka krizë ekonomike. Rritja ekonomike në tremujorin e dytë sivjet ka qenë 4.5 për qind të bruto produktit vendor. Në këto katër vite sa isha kryeministër e tash edhe sa jam në detyrë, asnjëherë rritja nuk ka qenë nën 4 për qind.

Rritja ekonomike është 6 për qind. Prandaj s’ka protesta të qytetarëve, por vetëm ankesa të opozitarëve. Në Kosovë s’ka krizë ekonomike. Po rrezikojmë krizë sociale nga kriza buxhetore e financiare për shkak të keqpërdorimeve të procedurave. Le të mos keqpërdoren procedurat.

Le të jemi në nivel të përgjegjësisë si përfaqësues të popullit, por edhe si zyrtarë të shtetit, si dikush që personifikon dhe ndërton imazhin e shtetit të pavarur si republikë demokratike. Qëndrimet e subjekteve që nuk janë të pranishme, për besë, nuk kanë alibi. Nëse ne sipas tyre qenkemi vonuar, pse nuk janë këtu që të na lënë neve fajin dhe popullit buxhetin”, shtoi ai.

Duke folur për pagat e RTK-së, siç njofton Kp, Kurti tha se qeveria e ka të pamundur të ofrojë sërish një overdraft për RTK-në, teksa theksoi nevojën që Kuvendi të miratojë raportin e RTK-së.

“Qeveria e ka të pamundur të ofrojë over-draft mbi over-draftin. Kur vetë themeluesi i RTK-së që është Kuvendi refuzon të alokojë buxhetin”, tha ai. /Telegrafi/

Basha thotë se seanca mbetet e hapur në rast se ka ndryshim të qëndrimeve të deputetëve

19 November 2025 at 12:52


Seanca e jashtëzakonshme për komisionet që do i hapnin rrugë shqyrtimit të buxhetit ka mbetur e hapur.

Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, ka deklaruar se seanca do të mbetet e hapur në rast se opozita ndryshon qëndrim.

“Ndërpres diskutimet këtu. Seanca mbetet e hapur në rast se ka ndryshim të qëndrimeve. Ftoj partitë që t’i bashkëngjiten për të mblidhur dhe miratuar këto ligje”, tha Basha.

Seanca u bojkotua nga PDK, LDK dhe AAK. /Telegrafi/


Kurti në Kuvend tregon arsyet pse duhet të votohen Komisionet parlamentare dhe marrëveshjet ndërkombëtare

19 November 2025 at 12:20


Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka folur sot në Kuvendin e Kosovës, gjersa ka treguar arsyet pse duhet të themelohen Komisionet parlamentare dhe pse duhet të votohen marrëveshjet ndërkombëtare.

Ai tha se këto komisione duhet të votohen si trupa të kuvendit, specifikisht katër të përhershmet.

Kurti ka ftuar po ashtu deputetët që të votojnë miratimin e projektligjeve, gjersa ka thënë se nëse nuk votohen ato dhe marrëveshjet ndërkombëtare atëherë mund të humbin miliona euro.

“... Çdo vonesë e mëtutjeshme e rrezikon përfitimin e fondeve... Një kredi me 0 për qind kamatë pret miratimin... do ta kishte lakmi secili shtet dhe as që do të duhej të diskutohej a duhet miratuar a jo”, tha ai, gjersa u ka bërë thirrje deputetëve që të votojnë tri marrëveshjet me Bankën Botërore dhe pikat tjera të rendit të ditës.

Sipas tij, kjo kredi pret ratifikimin në Kuvend për më shumë se një vit.

“... Nëse ka diçka për të cilën do të hyjmë në histori është pikërisht kjo që një kredi me 0 për qind kamatë pret ratifikimin që një vit ndërkohë që nuk do të duhej diskutim fare”, tha ai.

Ndryshe, PDK, LDK dhe AAK nuk po merr pjesë në seancën e nisur rreth orës 11:00.

Më poshtë mund t’i shikoni se cilat ishin pikat e rendit të ditës të kësaj seance.

  • Formimi i komisioneve parlamentare,
  • Shqyrtimi i Projektligjit nr. 09/L-002 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi aranzhimet për zbatimin e përkrahjes së Unionit për Kosovën në kuadër të instrumentit për reforma dhe rritje,
  • Shqyrtimi i Projektligjit nr. 09/L-003 për ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit për Programin e parë për „Financimin e Politikave Zhvillimore për Efektivitetin Fiskal, Konkurrueshmërinë dhe Rritjen e Gjelbër“, ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve si dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim (pjesë e Grupit të Bankës Botërore),
  • Shqyrtimi i Projektligjit nr. 09/L-004 për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë për “Instrumentin për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor” ndërmjet Bashkimit Evropian, që përfaqësohet nga Komisioni Evropian si Huadhënës, dhe Republikës së Kosovës si Huamarrës, dhe Bankës Qendrore të Kosovës si Agjent i Huamarrësit,
  • Shqyrtimi i Projektligjit nr. 09/L-005 për Ratifikimin e Marrëveshjen e Kredisë në mes të Republikës së Kosovës përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Asociacioni Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin “Kompas“-Qasja Gjithëpërfshirëse e Kosovës Për Forcimin E Sistemit Të Shëndetësisë,
  • Shqyrtimi i Projektligjit nr. 09/L-006 për Ratifikimin e Marrëveshjen e Kredisë në mes të Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Asociacioni Ndërkombëtar për Zhvillim (ANZH) për Projektin “Edukimi në fëmijërinë e hershme dhe kujdesi për kapitalin njerëzor të Kosovës”,
  • Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 09/L-001 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026,
  • Miratimi i buxhetit për komunat: Prishtinë, Gjilan dhe Zubin Potok,
  • Çështja e financimit të RTK-së. /Telegrafi/

❌
❌