Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Punëtorët e KEK-ut kërkojnë rritje pagash

24 December 2025 at 13:22


Sindikata e Re e Korporatës Energjetike të Kosovës (SRKEK) sot ka mbajtur një protestë në sheshin “Nënë Terezë”, saktësisht para zyrave qendrore të ndërmarrjes.

Protesta u mbajt me kërkesën për rritje pagash, ku punëtorët kërkojnë trajtim më të drejtë dhe përmirësim të kushteve ekonomike në përputhje me përgjegjësitë dhe rrezikun e punës së tyre.

Më poshtë mund t’i shihni fotografitë nga protesta.








Pallati i Rinisë ndan 600 euro shpërblim për secilin punëtor

16 December 2025 at 14:45


Bordi i Drejtorëve të Pallatit të Rinisë ka vendosur që t’u ndajë nga 600 euro shpërblim secilit punëtor, si vlerësim për kontributin dhe përkushtimin e treguar gjatë vitit 2025.

Lajmi është konfirmuar për Telegrafin nga Pallati i Rinisë, ndërsa vendimi është marrë dje në mbledhjen e Bordit të Drejtorëve.

Sipas këtij institucioni, vendimi është marrë duke u bazuar në performancën pozitive financiare të Ndërmarrjes.

Kjo shumë përfaqëson një rritje krahasuar me vitin e kaluar, ndërsa Bordi ka theksuar se synimi është që, në vazhdën e përmirësimeve të vazhdueshme dhe standardeve të vendosura gjatë tre viteve të fundit, vlera e shpërblimit të rritet çdo vit.

Nga Bordi i Drejtorëve kanë bërë të ditur se gjendja financiare e Pallatit të Rinisë është stabile dhe pozitive, me të hyra që kanë tejkaluar planifikimin vjetor për 16.35 për qind. /Telegrafi/

​Këta deputetë kanë aplikuar për pagë kalimtare në Kuvend, privilegje të tilla kërkohet të largohen

12 December 2025 at 13:24


Në bazë të Ligjit për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit, ligjvënësve kosovarë u takon të marrin pagë kalimtare për 12 muaj pasi ta kryejnë mandatin, me kusht që nuk kanë të hyra të tjera gjatë kësaj kohe.

Një gjë të tillë, pas shpërndarjes së legjislaturës së nëntë e kanë shfrytëzuar 67 deputetë, ani pse të njëjtit sipas shoqërisë civile nuk e kanë kryer asnjë punë gjatë kësaj periudhe. Privilegje të tilla nga monitorues të punës së Kuvendit po konsiderohen si të tepërta, derisa kërkojnë që të njëjtat të largohen dhe ligji të ndryshohet. Paga bazë e një deputeti është 1 mijë e 913 euro.

Në bazë të përgjigjes së Kuvendit të Kosovës për KosovaPress, del në pah se 27 deputetë të koalicionit Lëvizja Vetëvendosje, Guxo dhe Alternativa kanë aplikuar për pagën kalimtare nga gjithsej 48 deputetë që ka pasur ky koalicion.

Në Partinë Demokratike të Kosovës kanë aplikuar 14 deputetë për pagë kalimtare nga gjithsej 24 deputetë sa ishin në legjislaturën e kaluar.

Kurse 12 ish-deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë aplikuar për pagë kalimtare nga gjithsej 20 sa ka pasur. Në AAK kanë aplikuar katër deputetë për pagë kalimtare nga pesë sosh sa kanë qenë. Ndërkaq në Nisma Socialdemokrate vetëm deputetja Arbëresha Krasniqi ka aplikuar për pagë kalimtare, kurse ish-deputetët Fatmir Limaj dhe Xhevahire Izmaku nuk kanë aplikuar në bazë të të dhënave të Kuvendit. Nga komunitetet jo-serbe kanë aplikuar shtatë deputetë, kurse nga radhët e komunitetit serb ka aplikuar për pagë kalimtare vetëm një deputet nga legjislatura e kaluar.

Deputetët e legjislaturës së nëntë janë betuar më 19 prill të vitit 2025, ndërkaq konstituimi i Kuvendit ka ndodhur pas gjashtë muajsh më 10 tetor, si pasojë e krizës politike. Pasi LVV-ja si partia e parë në zgjedhjet e 9 shkurtit dështoi dy herë të formojë qeverinë, Kuvendi u shpërnda më 20 nëntor dhe tashmë janë shpallur zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen më 28 dhjetor.

Nga Lëvizja Vetëvendosje për pagën kalimtare kanë aplikuar këta deputetë të legjislaturës së kaluar: Glauk Konjufca, Ilir Kërçeli, Adriana Matoshi, Arbër Rexhaj, Arbëresha Kryeziu-Hyseni, Arjeta Rexhepi, Arjeta Fejza, Armend Muja, Artan Abrashi, Adelina Grainca, Avni Dehari, Bajram Mavriqi, Drita Pajaziti, Driton Hyseni, Fatmire Kollçaku, Fitim Haziri, Fitore Pacolli, Fjolla Ujkani, Jeta Statovci, Labinot Demi-Murtezi, Mefail Bajqinovci, Mimoza Kusari-Lila, Nezir Kraki, Salih Zyba, Saranda Bogujevci, Shqipe Mehmeti-Selimi, Valon Hoti dhe Valon Ramadani.

Në anën tjetër, nga Partia Demokratike e Kosovës për pagë kalimtare kanë aplikuar ish-deputetët: Abelard Tahiri, Altin Krasniqi, Arbnore Salihu, Ariana Musliu-Shoshi, Artan Behrami, Eliza Hoxha, Elmi Reçica, Ganimete Musliu, Kosovare Murseli, Memli Krasniqi, Nait Hasani, Rashit Qalaj, Rrahman Rama dhe Sala Jashari.

Edhe ish-deputetë të Lidhjes Demokratike kanë aplikuar për pagë kalimtare: Alban Zogaj, Arben Gashi, Arjeta Abazi, Armend Zemaj, Besian Mustafa, Doarsa Kica-Xhelili, Hykmete Bajrami, Hysen Çekaj, Jehona Lushaku-Sadriu, Krenar Xhaferi, Lutfi Haziri dhe Paris Guri.

Te Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës këta ish-deputetë kanë aplikuar për pagën kalimtare: Bekë Berisha, Time Kadrijaj, Lahi Brahimaj dhe Daut Haradinaj, ndërsa nuk ka aplikuar ish-deputeti, njëherësh kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj. Kurse te Nisma Socialdemokrate ka aplikuar vetëm ish-deputetja Arbëresha Krasniqi, kurse Fatmir Limaj dhe Xhevahire Izmaku nuk kanë aplikuar.

Për pagën kalimtare kanë aplikuar edhe deputetët nga komunitetet jo-serbe, të cilët janë: Adem Hoxha, Albert Kinolli, Artan Asllani, Duda Balje, Fidan Jilta, Rasim Demiri dhe Veton Berisha. Kurse nga komuniteti serb ka aplikuar vetëm ish-deputeti Branislav Nikoliq.

E këto privilegje të deputetëve, hulumtuesi në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Melos Kolshi, thotë se janë të rregulluara me ligj, mirëpo sipas tij paga kalimtare duhet t’i jepet me meritë një deputeti e jo siç ka ndodhur në legjislaturën e kaluar kur të njëjtit refuzojnë të konstituojnë Kuvendin.

Sipas tij, deputetët e legjislaturës së kaluar nuk e kanë merituar as pagën bazë e aq më pak pagën kalimtare për 12 muaj.

“Këto secila prej tyre janë rregullime ligjore të cilat kur janë hartuar ligjet si të tilla nuk është menduar që deputetët do të refuzojnë të vetë konstituohen. Po ashtu edhe partia më e madhe refuzon apo bën përpjekje për të mos formuar qeverinë. Një gjë e tillë nuk është menduar nga hartuesit e ligjit dhe problemet e tilla... Paga kalimtare kur të jepet t’i jepet një deputeti me meritë dhe jo një deputeti siç ka ndodhur në legjislaturën e nëntë kur nuk ka merituar as pagën bazë që e merr përveç pagës kalimtare. Paga që e merr nga buxheti i Kosovës duhet të shpërblehet me punë dhe ndershmëri”, thekson ai.

Përkitazi me këtë, Kolshi thotë se duke parë zhvillimet në legjislaturën e kaluar, ligji duhet të rishikohet dhe t’i përshtatet edhe rrethanave të tilla ku Kuvendi për 1 vit mund të mos jetë funksional.

“Duke parë këto zhvillime që kanë ndodhur në legjislaturën e nëntë, nuk besoj se ka ndonjë arsyetim logjik që të arsyetohet paga kalimtare dhe t’iu jepet deputetëve të kësaj legjislature, duke pasur parasysh mospunën e tyre. Një gjë e tillë patjetër që duhet të rishikohet dhe vlerësohet e mandej të hartohet një ligj apo disa ndryshime ligjore që do të jenë përkitazi me të drejtat dhe përgjegjësitë e deputetit dhe jo mospunën e tij”, deklaron Kolshi.

Pas shpërndarjes së legjislaturës së nëntë, i vetmi organ që e ruan vijimësinë e punës së Kuvendit deri në konstituimin e legjislaturës së re është Kryesia e Kuvendit. /Kp/

Buxheti 2026/ Kryeministri Rama: Pagat dhe pensionet do të shënojnë përsëri rritje

By: V K
7 December 2025 at 10:16

Ditën e sotme, në podcastin “Flasim”, kryeministri i vendit Edi Rama, ka folur sërish për buxhetin e vitit 2026.

Rama tha se pagat dhe pensionet do të shënojnë përsëri rritje, duke theksuar se Shqipëria tashmë është në një nivel tjetër.

“Edhe gjatë kësaj jave, kemi qenë në dispozicion të qytetarëve, me parashtresat në detaje, përmes dëgjesave publike, të buxhetit të vitit që është në prag, një vit, që hyn me këmbë të mbarë për shqiptarët sa i përket të ardhurave në radhë të parë, në paga e pensione, por edhe sa i përket investimeve publike, që do të shënojnë përsëri, të gjitha këto së bashku, një rritje historike.

Tanimë, Shqipëria është në një nivel tjetër. Ky është një fakt që do të bëhet çdo vit dhe më i prekshëm në jetën e përditshme të njerëzve tanë, të atyre që jetojnë me punë, qoftë në sektorin publik, qoftë në atë privat, në jetën e përditshme të pensionistëve, gjyshërve dhe gjysheve tona, në jetën e përditshme të atyre më në nevojë, për të cilët mbështetja, mbrojtja sociale, vjen duke u rritur. Sepse ata që na dhanë besimin e jashtëzakonshëm, me 83 mandate, një mbështetje e paprecedentë, për Shqipërinë 2030, jo vetëm meritojnë çdo vit e më shumë, por do të kenë çdo vit e më shumë, pasi barra e borxhit ndaj tyre është e tillë që do të na bëjë të vazhdojmë të rrisim punën tonë përditë e përditë”, tha Rama.

The post Buxheti 2026/ Kryeministri Rama: Pagat dhe pensionet do të shënojnë përsëri rritje appeared first on Albeu.com.

SPAK kërkon nga kandidatët për kryeministër rritjen e vlerës së koeficientit për 50%

1 December 2025 at 13:48


Sindikata e Pavarur e Administratës së Kosovës (SPAK) me një letër i është drejtuar kandidatëve për kryeministër të Republikës së Kosovës për gjendjen në të cilën ndodhet shërbimi civil i Kosovës.

Përmes kësaj letre ata kërkojnë rritjen e vlerës së koeficientit së paku për 50%, me qëllim sigurimin e një page dinjitoze dhe konkurruese si dhe një sërë çështjesh tjera.

"Procedimi urgjent i plotësimit dhe ndryshimit të Ligjit për Pagat, si dhe plotësimi dhe ndryshimi i Ligjit për Zyrtarët Publikë. Funksionalizimi i menjëhershëm i Këshillit Ekonomiko-Social, si mekanizëm i domosdoshëm i dialogut social. Nënshkrimi i Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive dhe atyre sektoriale", thuhet në letër.

Për më shumë lexoni letrën e plotë të Sindikatës së Pavarur të Administratës së Kosovës:

Letër e hapur - drejtuar kandidatëve për Kryeministër të Republikës së Kosovës

Të nderuar kandidatë për Kryeministër,

Në emër të Sindikatës së Pavarur të Administratës së Kosovës – SPAK, ju drejtohemi me këtë letër të hapur për të shprehur shqetësimet tona të thella, si dhe disa nga kërkesat urgjente që lidhen me gjendjen e rëndë në të cilën ndodhet shërbimi civil në Republikën e Kosovës. Pavarësisht angazhimit të palëkundur dhe nivelit të lartë të përgjegjësisë profesionale, shërbyesit civilë çdo ditë po përballen me sfida serioze, të cilat tashmë janë bërë të pashmangshme dhe të papranueshme, siç janë:

1. Pagat e ulëta dhe të padinjitetshme, të cilat nuk pasqyrojnë koston reale të jetesës.

2. Mungesa e harmonizimit të vendeve të punës, ku pozitat e njëjta ose të ngjashme kompensohen në mënyrë të pabarabartë.

3. Kushtet e papërshtatshme të punës, që ndikojnë drejtpërdrejt në performancë dhe mirëqenie.

4. Mungesa e ligjit për sigurimin shëndetësor dhe shoqëror, duke lënë shërbyesit civilë pa mbrojtje adekuate nga rreziqet në punë.

5. Mungesa e Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive, çka na rendit ndër vendet e pakta pa një instrument të tillë social.

6. Mosfunksionalizimi i Këshillit Ekonomiko- Social (KES), i cili pengon koordinimin dhe dialogun institucional mes partnerëve socialë.

Këto probleme nuk janë më çështje durimi për punëtorët; ato përbëjnë rrezik serioz për funksionimin efikas të institucioneve të Republikës së Kosovës. Investimi në shërbimin civil nuk është privilegj, por domosdoshmëri. SPAK-u, gjatë konsultimeve të vazhdueshme me përfaqësuesit sindikalë dhe vetë shërbyesit civilë, ka identifikuar një sërë kërkesash kryesore, të cilat pasqyrojnë nevojat reale dhe parimore për përmirësimin e kushteve të shërbyesve civilë, siç janë:

1. Rritja e vlerës së koeficientit së paku për 50%, me qëllim sigurimin e një page dinjitoze dhe konkurruese.

2. Procedimi urgjent i plotësimit dhe ndryshimit të Ligjit për Pagat, si dhe plotësimi dhe ndryshimi i Ligjit për Zyrtarët Publikë.

3. Funksionalizimi i menjëhershëm i Këshillit Ekonomiko-Social, si mekanizëm i domosdoshëm i dialogut social.

4. Nënshkrimi i Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive dhe atyre sektoriale.

5. Përfshirja e përfaqësuesve sindikalë në procesin e hartimit të legjislacionit që ndikon në shërbimin civil.

6. Caktimi i përfaqësuesit sindikal në KPMSHC.

7. Fillimi i zbatimit të Ligjit për Sigurimin Shëndetësor, pa vonesa të mëtejshme.

8. Hartimi i ligjit pensional për të punësuarit pas luftës së viteve 1998–1999, me qëllim garantimin e një trajtimi të drejtë pensional.

9. Zgjidhja e menjëhershme e problemeve teknike dhe procedurale në platformën E- Kosova, që lidhen me anëtarësimin dhe funksionimin e sindikatave.

Të nderuar kandidatë, koha e premtimeve të përgjithshme ka kaluar. Administrata publike kërkon angazhim të qartë, politika konkrete dhe vendimmarrje të guximshme.

Vetëm me masa reale mund të ndërtojmë një shërbim civil modern, profesional dhe të respektuar; dhe vetëm atëherë qytetarët e Republikës së Kosovës do të përfitojnë shërbime më cilësore e më efikase, në përputhje me pritjet dhe nevojat e tyre. /Telegrafi/

Një milion e 515 mijë euro për deputetët pa asnjë ligj të miratuar, askush s’hoqi dorë nga paga

28 November 2025 at 19:30


Mbi 7 muaj mandat, asnjë ligj i miratuar, rreth 1860 euro mesatarisht pagë për çdo muaj, rreth 13 mijë euro mesatarisht për secilin deputet - kjo është vlera e parave që përfituan 120 deputetët të cilët nuk e votuan asnjë ligj në Kuvendin e Kosovës, një herë për shkak të bllokadës, e pastaj sepse nuk u krijua Qeveria. Të dhënat e Kuvendit të Kosovës, tregojnë se buxheti të shtetit legjislatura që u shpërnda më 20 nëntor i kushtoi mbi 1.5 milion euro.

Deputetët e legjislaturës së lX e cila u shpërbë më 20 nëntor, nuk e miratuan asnjë ligj, pas konstituimit nuk u arrit të formohet Qeveria e te funksionalizohet krejtësisht Kuvendi.

Ata punuan pak e hiq por fituan shumë – 7 rroga të plota i morën nga Kuvendi. Disa edhe një pagë të muajit prill, 8 paga të plota.

Nga 19 prilli e deri më 20 nëntor sa zgjati mandati i 120 deputetëve, buxhetit të Kosovës pagat dhe mëditjet e tyre, i kushtuan 1 milion e 515 mijë e 490 euro.

Këto të dhëna Dukagjini i ka siguruar përmes qasjes në dokumente publike të Kuvendit.

Mesatarisht një deputet, me pjesëmarrje pesë minutëshe në seancë, për 7 muaj i mori rreth 13 mijë euro.

Ndonëse mandatin e deputeti e morën më 20 prill, një pjesë e legjislaturës ishin deputet e një pjesë ishin pjesë e Qeverisë, gjë që bëri që në listën e pagave të jenë 50 deputetë, që nuk mbetën pa një pagë të plotë, mbi 95 mijë euro gjithsej.

Por, muaji maj në kontot e 120 deputetëve i solli pagat e plota, 1859 euro pagën bazë, dhe shtesat varësisht prej përvojës.

Gati 235 mijë euro paga u ekzekutuan në muajin maj.

Edhe në qershor kosto për 120 deputetët nuk ndryshoi shumë, të gjithë së bashku i morën rreth 200 mijë euro.

Edhe për muajt, korrik, gusht e shtator, shuma e paguar për çdo muaj, për pagat e 120 deputetëve silelt tek vlera 200 mijë euro.

Për udhëtime jashtë shtetit, shuma e paguar është simbolike. 588 euro mëditje për udhëtime në Londër dhe Gjermani u paguan për tre deputetë.

Për udhëtimin në Londër, deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami dhe deputeti serb, Nenad Rashiq u paguan nga 234 euro.

Ndërkaq për udhëtimin zyrtar në Gjermani, Emilija Redzepi mori 120 euro mëditje.

Megjithëse, legjislatura e lX për krejt çka do të mbahet ne mend është kryesisht bllokada e gjatë për muaj rresht, asnjë deputet i saj nuk hoqi dorë nga paga.

Bllokada e parë e më e gjata erdhi për emrin e kryetarit të Kuvendit pastaj për nënkryetarët e komuniteteve dhe krejt në fudn u dështua dy herë të votohet qeverinë, një herë Albin Kurti e pastaj edhe mandatari i dytë, Glauk Konjufca.

Si rrjedhojë e kësaj, me dekret Presidentja Osmani me 20 nëntor e shpërndau legjislaturën që nuk e miratoi asnjë ligj, duke i shpallur zgjedhjet e parakohshme në fund të vitit./Tv Dukagjini/

- YouTube youtu.be

Ndahen mbi 4 milionë euro për pagat e 700 punëtorëve të RTK-së, Kurti e quan improvizim të detyruar

27 November 2025 at 12:51


Qeveria në detyrë e Kosovës në mbledhjen e sotme ka marrë vendim për ndarjen e 4 milionë e 480 mijë euro për ekzekutimin e pagave për 700 punëtorët e RTK-së, të cilët tash e disa ditë janë në grevë.

Kryeministri në detyrë Albin Kurti tha se ky është ipmrovizim i detyruar.

“Siç e ka paralajmëruar këtë të hënën në konferencë ministri Hekuran Murati kemi shqyrtuar disa opsione për të dalë nga kjo situatë. Sot këto mjete po ndahen nga kategoria e kursimeve, kjo zgjidhje e sotshme apo më mirë të themi kjo mënyrë e tanishme është vetëm një improvizim i detyruar pas përpjekeve tona të vazhdueshme në Kuvendin e Kosovës për të miratuar aty buxhetin për RTK-në”, tha Kurti.

Kurse ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati bëri të ditur se këto mjete janë marrë si kursime nga projektet ekzistuese.

“Ndarja e 4 milionë e 480 mijë euro për RTK të cilat është dashur të kursehen ose merren si kursime nga projekte ekzistuese në kuadër të organizatave tjera buxhetore për shkak se në Kuvend u refuzua të krijohet Komisioni për Buxhet dhe të votohej buxheti për RTK. Në pamundësi që të sigurohen pagat e punëtorëve tash e sa kohë nga ana e Kuvendit si themelues i RTK-së na është dashur neve si Qeveri të marrim këtë hap improvizues që të gjendet një zgjidhje emergjente dhe të sigurohen pagat për transmetuesin publik”, tha Murati. /Telegrafi/

Punëtorët e RTK-së tre muaj pa paga, Sindikata paralajmëron bojkot të plotë të punës

26 November 2025 at 09:39


Situata në Radio Televizionin e Kosovës po përkeqësohet teksa punëtorët kanë hyrë në muajin e tretë pa marrë pagat e tyre.

Në një komunikatë të lëshuar sot, Sindikata e Punëtorëve të RTK-së (SPERTK) ka bërë të ditur se institucionet po i injorojnë kërkesat e punonjësve, ndërsa gjendja e tyre sociale dhe funksionimi i transmetuesit publik po rëndohen çdo ditë e më shumë.

Sindikata ka bërë të qartë se greva nuk do të ndalet, duke kërkuar mbështetje të plotë nga të gjithë punëtorët e mediumit.

Ajo paralajmëroi se brenda kësaj jave do të marrë qëndrim për bojkot të plotë të punës, përfshirë ndaljen e mbulimit të ngjarjeve politike dhe të fushatës elektorale.

“Po hyjmë në muajin e tretë pa paga. Institucionet po na injorojnë plotësisht, ndërsa gjendja e punëtorëve dhe vetë transmetuesit publik është e rënduar në skaj,” thuhet në komunikatë.

Sindikata pyet se “Si është e mundur të gjenden para për zgjedhje, e të mos gjenden për bukën e gojës së 700 familjeve?”

SPERTK i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës të zgjidhë urgjent problemin e alokimit të buxhetit, duke theksuar se ajo është njoftuar “dhjetëra herë” për këtë situatë, por pa përgjigje.

Sipas sindikatës, pas konstituimit të legjislaturës së re, duhet të miratohet pa vonesë ligji për financimin e pavarur të RTK-së dhe të adresohet çështja e pronës, për të garantuar funksionim të qëndrueshëm të transmetuesit publik.

Në komunikatë theksohet gjithashtu se, ndonëse buxheti i RTK-së është më i vogli në rajon për televizionet publike, “jo vetëm që nuk kemi marrë rritjen 0.7% nga buxheti nacional, por na janë hequr edhe 2.2 milionë euro nga buxheti”.

Sindikata ka njoftuar menaxhmentin se kërkon zyrtarisht ndërprerjen e mbulimit të ngjarjeve politike dhe të fushatës elektorale, përderisa nuk ka një vendim nga qeveria. Vendimi përfundimtar pritet në fund të kësaj jave, me mundësinë që bojkoti të hyjë menjëherë në fuqi.

Greva në RTK ndërkohë vazhdon pa afat. /Telegrafi/

Kumbaro: Rritje pagash për mësuesit në 2026, nis projekti i liceut franko–shqiptar në Korçë

By: melisa
17 November 2025 at 14:58

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, vizitoi sot shkollën “Raqi Qirinxhi” në Korçë, ku u njoh nga afër me mjediset e institucionit dhe programet pas shkollore. Gjatë vizitës, Kumbaro vlerësoi historinë dhe traditën e shkollës, e cila lidhet me liceun francez të viteve ’30, duke theksuar se suksesi i saj qëndron tek pasioni dhe puna e mësuesve dhe nxënësve. “Kjo është një nga shkollat më të…

Source

Osmani kërkon formimin urgjent të Komisionit për Buxhet për pagat në RTK

15 November 2025 at 13:27


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dërguar një letër Kryetarit të Kuvendit, Dimal Basha, për të adresuar vonesat në pagesat e mbi 700 punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës, si pasojë e mosformimit të Komisionit për Buxhet dhe Financa në legjislaturën e re.

Në letër, Osmani njofton se mbi 700 punëtorë të RTK-së kanë mbetur pa paga për shkak të mosformimit të Komisionit për Buxhet dhe Financa në legjislaturën e re të Kuvendit.

Sipas Ligjit Nr. 08/L-332 për vitin 2025, vetëm ky komision ka kompetencën për të miratuar alokimin dhe transferimin e mjeteve financiare për RTK-në. Mungesa e këtij komisioni ka bllokuar procedimin e fondeve, duke krijuar një situatë të rëndë sociale për familjet e punëtorëve.

Për këtë arsye, Presidentja bën thirrje që grupet parlamentare të gjejnë kompromis dhe të formojnë urgjentisht komisionet e përhershme, përfshirë Komisionin për Buxhet dhe Financa, për të siguruar pagesat dhe stabilitetin institucional dhe financiar të vendit, raporton RTK.

Ajo kërkon që deputetët të ndërmarrin sa më shpejt hapat e nevojshëm për të shmangur vonesa të mëtejshme në këtë proces jetik.

Sindikata e Punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës (SPERTK) i është drejtuar me një letër Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ku e falënderon për vëmendjen e kushtuar situatës së rëndë financiare në të cilën ndodhet RTK-ja, por njëkohësisht thekson se hapat aktualë nuk ofrojnë zgjidhje urgjente.

Në letrën e tyre, Sindikata thekson se kriza financiare ka arritur në pikën kritike, duke theksuar se krijimi i Komisionit për Buxhet dhe Financa, i propozuar si mekanizëm për adresimin e problemit, nuk është masë që sjell zgjidhje të menjëhershme për mbi 700 punëtorët e transmetuesit publik.

Sipas SPERTK-së, edhe sikur komisioni të ishte funksional, “nuk do të ishte dashur të lejohej që situata të përshkallëzohej deri në këtë nivel”. Sindikata thekson se punëtorët janë në gjendje të rënduar sociale dhe ekonomike dhe nuk mund të presin më gjatë.

SPERTK i bën thirrje Qeverisë së Kosovës që të ndërhyjë urgjentisht, duke përdorur mekanizmat ligjorë dhe institucionalë për të bërë të mundur ekzekutimin e pagave dhe stabilizimin e situatës brenda RTK-së.

Në fund të letrës, Sindikata nënvizon se zgjidhja duhet të vijë para formimit të komisionit të përhershëm për Buxhet dhe Transfere, pasi çdo vonesë e mëtejshme vetëm e rëndon gjendjen e punëtorëve.

Punëtorët e RTK-së protestojnë, kërkojnë pagat e tyre

10 November 2025 at 13:12


Sindikata e Pavarur e Radiotelevizionit të Kosovës (SPRTK) dhe Shoqata Sindikale e Radio Kosovës kanë protestuar para Kuvendit të Kosovës, në shenjë pakënaqësie për mospagesën e pagave dhe mos-ekzekutimin e buxhetit të RTK-së nga institucionet përgjegjëse shtetërore.

Kryetar i Shoqatës Sindikale të Radio Kosovës, Pajazit Krasniqi, ka thënë se prej muajsh Radiotelevizioni i Kosovës po përballet me një situatë të rëndë: buxheti për pjesën e dytë të vitit 2025, ndonëse i miratuar me ligj, ende nuk është transferuar nga institucionet përgjegjëse. Dhe sot, ndërsa kalendari shënon datën 10 nëntor, ne, punëtorët e RTK-së, ende nuk i kemi marrë pagat e muajit tetor.

Kjo situatë, sipas tij, po ndodh në një periudhë jashtëzakonisht të ndjeshme dhe të ngarkuar për punëtorët e RTK-së.

"Përkundër vështirësive dhe mungesës së pagave, stafi i RTK-së ka vazhduar me përkushtim realizimin e projekteve madhore profesionale, si: mbulimi medial i zgjedhjeve lokale dhe i balotazhit, përgatitja për mbulimin e zgjedhjeve të reja, potenciale, nacionale, realizimin e Festivalit te Këngës, realizimin dhe transmetimin e ndeshjeve të ekipeve kosovare, pjesëmarrese në kompeticione evropiane, transmetimin e ndeshjeve të Kosovës të vlefshme për kualifikimet e Kampionatit Botëror, si dhe përgatitjet për programet festive të fundvitit. Të gjitha këto janë projekte madhore me rëndësi kombëtare, të cilat po mbahen gjallë vetëm falë përgjegjësisë dhe përkushtimit të punëtorëve të RTK-së", tha ai.

Sipas tij, përkundër gjithë këtij angazhimi voluminoz të stafit, kohëve të fundit jemi dëshmitarë të një neglizhence të papranueshme nga ana e institucioneve të vendit për ta trajtuar me urgjencë çështjen e transferimit të buxhetit të RTK-së.

“Kjo vonesë po rrezikon funksionimin normal të institucionit, po cenon mirëqenien e punëtorëve dhe, mbi të gjitha, po prek të drejtën e qytetarëve për informim të pavarur dhe të paanshëm. Kjo nuk është vetëm padrejtësi, është shkelje e dinjitetit të punëtorit, është cenim i sigurisë ekonomike të familjeve tona dhe, mbi të gjitha, është mosrespektim i ligjit. RTK-ja nuk duhet të mbetet peng i kalkulimeve politike. Buxheti i RTK-së nuk është dhuratë, është obligim ligjor që duhet të ekzekutohet me kohë dhe pa vonesa”, tha ai.

Shoqata Sindikale e Radio Kosovës dhe Sindikata e Pavarur e RTK-së, i bëjnë thirrje Presidentes së Republikës së Kosovës që të shfrytëzojë pozitën dhe kompetencat e saj kushtetuese për të ndërhyrë në këtë situatë të padrejtë dhe të pajustifikueshme.

“Si garantuese e funksionimit të institucioneve dhe e unitetit kushtetues të vendit, kërkojmë nga Presidentja që të ndërmarrë hapa konkretë për të siguruar që Radiotelevizioni i Kosovës të mos mbetet peng i neglizhencës institucionale dhe t’i mundësohet qasje e menjëhershme në buxhetin që i takon me ligj. Në të njëjtën kohë, i drejtojmë thirrjen e fundit Kuvendit dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës që të reflektojnë urgjentisht ndaj kësaj gjendjeje të rëndë, e cila po prek drejtpërdrejt punëtorët e RTK-së dhe funksionimin e vet institucionit, si transmetues publik kushtetues", ka thënë Krasniqi.

Ai ka shtuar se mosveprimi në këtë drejtim, jo vetëm që cenon të drejtat e punëtorëve, por rrezikon vazhdimësinë e një prej shtyllave themelore të informimit publik dhe të demokracisë në vend.

"Është koha që përgjegjësia institucionale të vihet mbi çdo interes politik apo burokratik. Institucionet të reflektojnë dhe ta trajtojnë me seriozitetin më të madh transmetuesin publik si vlerë e çmuar e demokracisë. Nëse sot nuk dëgjohemi, nesër do të jemi më shumë, më të vendosur dhe më të zëshëm, sepse kjo është kauza jonë, kauza për një RTK financiarisht stabile, të pavarur dhe me dinjitet. Prandaj sot, nga kjo protestë, kërkojmë me zë të qartë: Buxheti i RTK-së të transferohet me urgjencë! Pagat tona të paguhen menjëherë”, ka thënë Krasniqi. /RTK/


Rafuna: Nuk ka rrezik për paga në janar dhe shkurt, buxheti i vitit 2025 mund të zbatohet deri në mars 2026

8 November 2025 at 12:44


Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna në “Përballje Podcast”, ka sqaruar se edhe në rast të mungesës së një qeverie apo Kuvendi të konstituuar, Kosova nuk rrezikon krizë buxhetore në fillim të vitit 2026.

Rafuna në “Përballje podcast” që përkrahet nga kompania e derivateve EXFIS tha se buxheti i vitit 2025 mund të zbatohet automatikisht për dy muajt e parë të vitit të ardhshëm, duke garantuar pagesat dhe funksionimin e institucioneve.

“Kemi pas situata të tilla edhe në të kaluarën. Nuk është hera e parë që ndodh. Edhe atëherë, në janar e shkurt nuk ka pasur asnjë problem me pagesat – ato janë kryer normalisht”, shpjegoi Rafuna.

Ai tha se kjo është e përcaktuar qartë në Ligjin për menaxhimin e financave publike, i cili lejon ekzekutimin e një të dymbëdhjetës së buxhetit të vitit paraprak për çdo muaj pa buxhet të ri të miratuar.

“Ligji e përcakton shumë qartë, nëse nuk kemi buxhet të vitit 2026 për shkak se s’ka Kuvend apo Qeveri, atëherë në muajin janar implementohet një e dymbëdhjeta e buxhetit të vitit 2025. Kjo nënkupton që të gjitha shpenzimet rrjedhëse mund të bëhen dhe pagesat ekzekutohen pa asnjë problem. E njëjta vlen edhe për muajin shkurt – pra janari dhe shkurt janë të mbuluar plotësisht”, ka deklaruar ai.

Rafuna theksoi se gjatë kësaj periudhe, drejtori i Thesarit ka të gjitha autorizimet ligjore për të vazhduar pagesat normale, pa pasur nevojë për miratim të ri politik.

“Drejtori i Thesarit i ka të gjitha autorizimet për ekzekutimin e pagesave, nuk ka nevojë për ndonjë vendim të ri të Kuvendit”, shtoi Rafuna.

Kryetari i OEK-ut, Lulzim Rafuna në Përballje Podcast

Megjithatë, ai paralajmëroi se situata mund të bëhet e ndërlikuar pas muajit mars, nëse Kuvendi nuk konstituohet dhe nuk merr vendim për zgjatje.

“Në muajin mars nuk mund të implementohet automatikisht buxheti i vitit 2025. Për atë muaj, Kuvendi duhet të marrë vendim të veçantë. Vendim duhet të merret edhe për prillin, ndërsa në muajin maj ndalen të gjitha pagesat nga buxheti i shtetit, me përjashtim të obligimeve ndërkombëtare si pagesat e borxheve”, thotë Rafuna në “Përballje Podcast”.

Sipas Rafunës, kjo periudhë tranzicioni është ligjërisht e paraparë dhe nuk krijon panik, por vendimmarrja politike duhet të ndodhë në kohë për të shmangur vonesa pas tremujorit të parë të vitit.

“Janari dhe shkurti janë të mbuluar me ligj. Problemi mund të lind vetëm pas marsit, nëse s’ka Kuvend që merr vendim për zgjatje.”

Në përfundim, Rafuna siguroi se pagat dhe shpenzimet e rregullta të institucioneve publike nuk janë në rrezik në fillim të vitit 2026, dhe se çdo shqetësim për “krizë buxhetore” nuk është real.

“Janar–shkurt 2026 nuk ka asnjë problem. Mund të kalohet me buxhetin e vitit 2025. Vetëm nëse Kuvendi s’vendos për mars e prill, atëherë paraqiten vështirësi”, ka përfunduar ai. /Telegrafi/

Tabaku: Rritja e pagave e pamjaftueshme, qytetarët përballen me çmime të larta dhe varfëri

By: Elva
8 November 2025 at 09:47

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka kritikuar deklaratat e qeverisë për rritjen e pagave, duke i cilësuar si një manovër propagandistike që nuk reflekton realitetin ekonomik të shqiptarëve. Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Tabaku theksoi se qeveria ka pranuar më në fund rritjen dramatike të çmimeve të produkteve bazë, që arrijnë […]

The post Tabaku: Rritja e pagave e pamjaftueshme, qytetarët përballen me çmime të larta dhe varfëri appeared first on BoldNews.al.

AGK-ja në përkrahje të punonjësve të RTK-së, kërkon zgjidhje të menjëhershme për pagat

5 November 2025 at 10:58


Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) qëndron në përkrahje të plotë me gazetarët, redaktorët, kameramanët, montazhierët dhe gjithë stafin e Radio Televizionit të Kosovës (RTK), para protestës të së enjtes.

Kështu thuhet në njoftimin e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës.

“AGK-ja shpreh solidaritet me punonjësit e RTK-së, të cilët sërish, brenda pak muajsh, po kërkojnë pagat që u takojnë sipas kontratave të tyre, për punën e kryer.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës shpreson se do të ketë hapësirë për funksionalizimin e plotë të Kuvendit të Kosovës, në mënyrë që komisioni përkatës ta miratojë ndarjen buxhetore për RTK-në. Nëse kjo nuk ndodh, Qeveria në detyrë e Kosovës duhet të eksplorojë të gjitha mundësitë për të bërë, në mënyrë urgjente, një alokim të ngjashëm si ai i korrikut”, thuhet në reagim.

AGK thekson tutje se RTK-ja është përballur tash e disa vjet me presion të vazhdueshëm politik nga Qeveria e Kosovës, ndërsa pasiguria për pagat përbën një presion shtesë financiar.

“AGK-ja angazhohet që anëtarët e saj në RTK dhe të gjithë punonjësit e tjerë aty të jenë në gjendje të kryejnë punën e tyre pa ndërhyrje e pengesa, dhe në interes të publikut. AGK-ja bën thirrje që një qeveri dhe një kuvend i ri të miratojnë pa vonesa një ligj të ri për RTK-në, i cili i siguron Transmetuesit Publik pavarësinë e plotë të veprimit, duke i mundësuar gjithashtu një shtëpi të përhershme për zhvillimin e punës”, thuhet në reagim. /Telegrafi/

RTK pa paga, SPERTK organizon protestë më 6 nëntor

4 November 2025 at 07:39


Sindikata e Punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës (SPERTK) njofton se të enjten, më 06 nëntor 2025, në ora 11:00, do të mbahet protestë para hyrjes së Kanalit të Parë të RTK-së, për shkak të mungesës së pagave.

Në njoftim thuhet se kjo është herë e dytë brenda tre muajve që punëtorët e transmetuesit publik mbesin pa paga, duke u përballur me pasiguri ekonomike dhe duke u rrezikuar funksionimi normal i institucionit.

“RTK aktualisht gjendet para shumë projekteve me rëndësi të madhe, që lidhen drejtpërdrejt me misionin publik të saj, por edhe me interesin e përgjithshëm të vendit. Kriza financiare rrezikon realizimin e këtyre projekteve dhe dëmtimin e rolit të RTK-së si medium publik i pavarur dhe gjithëpërfshirës”, thuhet në reagim.

SPERTK u bën thirrje të gjithë kolegëve, pa asnjë përjashtim, të bashkohen në këtë protestë për të mbrojtur dinjitetin dhe të drejtën e tyre themelore për pagë.

“Ne nënvizojmë se protesta nuk është politike, por një protestë dinjiteti dhe e drejtë ligjore për punën që kryejmë çdo ditë në shërbim të publikut. Nëse gjendja nuk ndryshon pas kësaj proteste, SPERTK do të kërkojë bojkotimin e të gjitha ngjarjeve me peshë publike, si formë presioni për zgjidhjen urgjente të krizës së pagave dhe për garantimin e funksionimit të qëndrueshëm të RTK-së”, thuhet tutje.

SPERTK u bën thirrje të gjitha mediave në Kosovë që ta mbulojnë dhe ta përcjellin këtë protestë, si akt solidariteti dhe mbështetjeje për punëtorët e transmetuesit publik dhe për të drejtën e tyre për paga të rregullta. /Telegrafi/

Punëtorët e RTK-së pa paga, Sindikata paralajmëron grevë nëse nuk ekzekutohet buxheti

3 November 2025 at 10:13


Sindikata e Pavarur e Radiotelevizionit të Kosovës dhe Shoqata Sindikale e Radio Kosovës, kanë reaguar ashpër ndaj mos-transferimit të buxhetit të RTK-së nga institucionet shtetërore, ndonëse ky buxhet është miratuar me ligj qysh para një viti në Kuvendin e Kosovës.

Në reagimin e përbashkët, sindikatat shprehin indinjatën dhe shqetësimin e thellë për mos-transferimin e buxhetit të RTK-së nga ana e institucioneve përkatëse, duke paralajmëruar se vonesat e tilla “po e vënë në rrezik serioz funksionimin e transmetuesit publik dhe po ndikojnë drejtpërdrejt në sigurinë ekonomike e sociale të punëtorëve të mediumit publik”.

Sipas tyre, edhe më 3 nëntor, punëtorët e RTK-së janë pa paga, çka i ka lënë pa mundësi për të kryer obligimet ndaj bankave dhe ato ditore familjare.

Në deklaratë thuhet se përmes këtij veprimi po cenohet jo vetëm e drejta themelore e punëtorëve për pagë të rregullt dhe kushte të dinjitetshme pune, por edhe vetë pavarësia dhe misioni publik i RTK-së.

Sindikata thekson se është e papranueshme që një institucion publik me mision kushtetues të informimit të qytetarëve të vihet në pozitë pasigurie për shkak të mosveprimit të institucioneve:

“Financimi i plotë dhe në kohë i RTK-së nuk është privilegj, por obligim ligjor dhe moral ndaj mediumit publik dhe atyre që çdo ditë mbajnë në funksion këtë institucion”, thuhet në reagim.

Në reagim, sindikatat kërkojnë që RTK të mos përdoret për qëllime politike.

“RTK nuk duhet të shndërrohet në instrument të pazareve politike. Financimi i RTK-se nuk mund të mbetet peng i marrëveshjeve mes partive politike apo të përdoret për kalkulime politike”, thuhet tutje në reagimin e sindikatave.

Duke e cilësuar situatën si urgjente, ato u bëjnë thirrje institucioneve shtetërore që të veprojnë menjëherë.

“Sindikata e Punëtorëve të RTK-së dhe Shoqata Sindikale e Radio Kosovës i bëjnë thirrjen e fundit Kuvendit të Kosovës si themelues, Presidentes së vendit dhe Qeverisë në detyrë që urgjentisht të ndërmarrin hapat e nevojshëm për ekzekutimin e buxhetit të mbetur të RTK-së”, theksohet më tej.

Në fund, sindikatat paralajmërojnë se në mungesë të reagimit institucional, ato nuk përjashtojnë asnjë formë demokratike të reagimit sindikal në rast të moszgjidhjes së menjëhershme të kësaj çështjeje.

“Sindikata e Punëtorëve të RTK-së dhe Shoqata Sindikale e Radio Kosovës mbeten të vendosura në mbrojtjen e drejtave të punëtorëve te RTK-së dhe mbrojtjen e integritetit të transmetuesit publik, duke mos përjashtuar asnjë formë demokratike të reagimit sindikal në rast të moszgjidhjes së menjëhershme të kësaj çështjeje”, thuhet në reagim. /Telegrafi/

Azemi pas takimit me Muratin: U pajtuam që nga janari paga minimale të jetë 500 euro

30 October 2025 at 13:33


Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, pas takimit me ministrin në detyrë të Financave, Hekuran Murati, ka deklaruar se është arritur pajtueshmëri që paga minimale të jetë 500 euro.

Azemi tha se, nëse gjithçka shkon sipas planit, kjo pagë do të fillojë të zbatohet nga janari i vitit të ardhshëm.

“Në takimin e sotëm është diskutuar lidhur për pagën minimale. Normal që ne si udhëheqës i sindikatës së punëtorëve kemi kërkuar që kjo pagë minimale të jetë 600 euro. Unë e kam pa pëlqimin e njerëzve kompetentë, qeverisë në detyrë që vlerësimi i tyre të jetë 500 euro. E kam pyetur decidivisht se nëse gjithçka shkon mirë kur mendoni të fillojë së implementuari”, ka thënë Azemi.

Sipas tij, propozimi për rritjen e shumës në 600 euro nuk është hedhur poshtë plotësisht, pasi është paralajmëruar se për këtë do të ketë diskutime të mëtejshme me palët përkatëse.

Ndërsa Kushtrim Ahmeti nga Dhomat e Tregtisë ka thënë se takimi me Muratin ishte konsultativ e ku thotë të kenë kërkuar që ky proces të shtyhet deri të bëhet një Qeveri të plotë dhe një Kuvend funksional.

“Nuk jemi kundër rritjes së pagës por momentumi dhe situata politike me të cilën po përballet vendi nuk është e favorshme. Ne i kërkuam ministrit, Hekuran Murati që ky proces të shtyhet derisa të ketë një Qeveri fuqiplotë dhe një Kuvend funksional. Dhe të kemi një analizë të thuktë të situatës aktuale ekonomike të cilën e ka vendi. D.m.th duke marrë të gjithë faktorët para se të dilet me propozime”, ka thënë ai.

Ahmeti po ashtu tha se një tjetër kërkesë është që të funksionalizohet Këshilli Ekonomiko-Social i cili vazhdon të mos jetë funksional.

“Të shkojë ky proces i vendosjes së pagës minimale përmes Këshillit Ekonomik-Social siç është bërë përherë, përjashto herën e fundit, ku ne nuk jemi pyetur fare. Ne kërkuam që ky proces të ketë një përfaqësim më të gjerë”, tha ndër të tjera Ahmeti. /Telegrafi/

Naftëtarët e “Bankers Petroleum” zhvendosin protestën në Tiranë

24 October 2025 at 14:33

“Prej më shumë se 10 ditësh naftëtarët e Bankers janë në një grevë të përgjithshme pa afat,” tha sot Kondi Ilia, Koordinator i “Unionit të Sindikatave”.

Në mungesë të ndërhyrjes institucionale për një ndërmjetësim dialogu midis naftëtarëve dhe kompanisë “Bnkers Petroleum”, aktivistë, naftëtarë dhe përfaqësues sindikatash protestuan sot përpara  Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Protesta u thirr nga organizata “Drejtësi Sociale”.

Prej rreth dy javësh naftëtarët e Marinzës, të organizuar nga Sindikata e Sektorit Hidrokarbur janë në grevë për rritje pagash dhe përmirësim të kushteve të punës.

Më tepër se 20 organizata dhe sindikata i drejtuan një letër të hapur kryeministrit Edi Rama, që qeveria të angazhohet në dialog për zgjidhjen e kërkesave të naftëtarëve. Ata kërkojnë rritje të fondit të pagavë nga kompania me 18% dhe shpërndarje e këtij fondi kryesisht te pagat e ulëta.

Grevistët kërkojnë sisteme pagash transparent dhe ngitje në detyrë me mërit.

“Çdo zvarritje në zgjidhjen e konfliktit do të cenonte rëndë jetën dhe shëndetin e punonjësve,” u citua në letrën e hapur.

Renato Tahaj, Inxhinier i Sigurimit Teknik “Bankres Petroleum” analizon se “Bnkers Petroleum” nuk mund të shihet vetëm si kompani private , kur ajo shfrytëzon pasurinë e të gjithë kombit.

“Ju keni studentë të përvitshëm nga Fakulteti i Gjeologji- Minierave dhe nëse ju u gjeni një vend pune, përveç këtyre burimeve që i keni dhënë me koncesion, atëherë do isha dakord; Por nëse këto janë kompani që mund të na paguajnë sa të duan, atëherë na gjeni ju punë ku të shkojmë ne,” tha Tahaj.

Protestuesit përmbyllën se nëse nuk ka asnjë reagim, në javën në vijim grevistët do ta zhvendosin revoltën e tyre përpara Kryeministrisë.

Më 22 tetor, në një reagim zyrtarë Bankers Petroleum shpjegoi se një takim i mbajtur nga ata me punonjësit në grevë, nuk shkoi siç ata parashikuan.

Bankeres vijoi se ata nuk jemi në gjendje të miratojmë ndonjë rritje shtesë, për shkak të presioneve të vazhdueshme financiare, duke përfshirë rënien e çmimeve të naftës në 60 dollarë amerikanë për fuçi dhe parashikimet që sugjerojnë një rënie të mëtejshme vitin e ardhshëm dhe gjithashtu një kurs këmbimi të pafavorshëm të dollarit, i cili ka rritur, sipas tyre, kostot lokale me 30%.

Përshkallëzimi i protestës

Protestat e punonjësve të Bankers nisën fillimisht në fillim të shtatorit, por u ndërprenë pasi u mendua për një zgjidhje konsensuale midis palëve. Punonjës të Bankers i thanë gazetarëve të Citizens, në fund të shtatorit që po ndërmjetësonin një marrëveshje.

Por si duket, mos-arritja në një marrëveshje i çoi naftëtarët drejt një përshkallëzimi të rezistencës ndaj kërkesave të tyre, duke nisur një grevë urie, më 15 tetor.

Nga viti 2004 deri në fund të vitit 2024, Bankers ka deklaruar çdo vit humbje në bilancet e paraqitura ndaj autoriteteve shqiptare.

Por një hetim i Prokurorisë së Fierit ka nxjerrë në pah se kompania ka realizuar shitje dhe eksporte në vlerën mbi 532 miliardë lekë – rreth 5.3 miliardë euro. Kompania është aktualisht nën hetim për evazion fiskal.

Deri tani janë lëshuar 14 masa sigurie, prej të cilave 9 janë ekzekutuar, ndërsa 5 persona – kryesisht të huaj – janë shpallur në kërkim.

Citizens ka raportuar vazhdimisht për ndotjen mjedisore dhe sfidat e banorëve të Patos – Marinzës.

Lexoni gjithashtu:

The post Naftëtarët e “Bankers Petroleum” zhvendosin protestën në Tiranë appeared first on Citizens.al.

Shtatori, muaji “me fat” për deputetët - marrin paga pa asnjë angazhim në Kuvend

2 October 2025 at 10:58


Muaji shtator ka qenë “me fat” për deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës, pasi ata kanë marrë pagat pa kryer asnjë ditë pune në Kuvend.

Kjo ndodhi pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila mori një masë të përkohshme për shkak të ankesës së deputetëve të Listës Serbe lidhur me zgjedhjen e nënkryetarit, transmeton Telegrafi.

Si rezultat, deputetët kanë përfituar në fund të muajit shtator paga prej 1,914 euro, pa asnjë angazhim në Kuvend.

Paga mujore e deputetëve të Kuvendit të Kosovës është përcaktuar nga Ligji për Pagat në Sektorin Publik. Sipas këtij ligji, paga bruto e një deputeti është rreth 1,914 euro.

Ky shumë përfshin pagën bazë dhe përfitime të tjera, si mëditje dhe shpërblime për përvojën e punës.

Ndryshe, që nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare më 9 shkurt, vendi ka mbetur pa institucione të reja të formuara.

Vonesat nisën me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, dhe pas disa muajsh zvarritjeje, subjekti fitues i zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), arriti të zgjedhë Dimal Basha si kryetar të Kuvendit. Megjithatë, Kuvendi nuk u konstitua plotësisht, pasi pengesë u bë zgjedhja e nënkryetarëve nga radhët e komuniteteve jo-shumicë.

Votimi i ndarë për kandidatët për nënkryetarë të Kuvendit nga komunitetet pakicë çoi në ndërhyrjen e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, e cila më 5 shtator vendosi masë të përkohshme.

Më 30 shtator, Gjykata Kushtetuese njoftoi se ankesa e deputetëve të Listës Serbe është pranuar, duke njoftuar se seanca konstituive nuk ka përfunduar pa zgjedhjen e nënkryetarit nga komuniteti serb.

Gjykata ka urdhëruar që seanca konstituive të përfundojë brenda 12 ditësh nga hyrja në fuqi e aktgjykimit. /Telegrafi/

Zjarrfikësi nga Fushë-Arrëzi: Jetojmë me rrezikun çdo ditë, por pagat s’mbajnë familjen

By: D Marku
7 September 2025 at 16:41

Verës së këtij viti Fushë-Arrëzin e kanë shoqëruar dhjetëra vatra zjarresh që dogjën qindra hektarë pyje dhe vunë në rrezik jetën e zjarrfikësve. Mes tyre, edhe 40-vjeçari Gëzim Lika, i cili prej nëntë vitesh shërben në repartin zjarrfikës të qytetit.

“E kishim bërë zakon të nisnim në 6 të mëngjesit dhe ktheheshim në mesnatë. Sa herë kemi ngelur mes tymit dhe kemi menduar se nuk do dilnim gjallë”, rrëfen Lika.
Ai tregon se përveç flakëve, rreziku më i madh kanë qenë municionet e mbetura në mal, të cilat shpërthenin në mes të operacioneve. “Na kanë shpërthyer granata. Ka pasur raste kur kemi thënë se do ta lëmë punën, sepse rreziku ishte i madh”, thotë zjarrfikësi.

Megjithatë, pasioni për profesionin e ka mbajtur në shërbim, ndonëse kushtet janë të vështira dhe paga nuk mjafton. “Me mjete jemi mirë, por me pajisjet që duhen për aksidente jo. Kemi bërë kërkesa shumë herë. Shpresojmë të pajisemi një ditë si repartet e tjera në Shqipëri”, shprehet ai.

Lika shton se rroga e zjarrfikësit nuk mjafton për të mbajtur familjen, por ai dhe kolegët e tij e kanë pritur me kënaqësi lajmin për shpërblimet e premtuara. “S’kemi besë derisa ta shohim të realizuar. Shteti duhet të vërë dorë te pagat dhe pajisjet e zjarrfikësve”, apelon ai.

Me dhjetëra eksperienca të rrezikshme të mbartura ndër vite, Gëzim Lika shpreson se një ditë edhe në Shqipëri profesioni i zjarrfikësit do të marrë vlerësimin që ka në vendet e zhvilluara./Shqiptarja.com

The post Zjarrfikësi nga Fushë-Arrëzi: Jetojmë me rrezikun çdo ditë, por pagat s’mbajnë familjen appeared first on Albeu.com.

❌
❌