Dështimi i formimit të Qeverisë, ka aktivizuar menjëherë presidenten e vendit Vjosa Osmani e cila ka ftuar për sot në një takim të përbashkët konsultativ partitë politike parlamentare.
Takimi pritet të mbahet në orën 10:30, ku do të diskutohet për caktimin e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
Pjesëmarrjen në këtë takim e kanë konfirmuar të gjitha partitë, LVV, LDK, AAK e Nisma Socialdemokrate.
Zëdhënësi i AAK-së, Kushtrim Xhemaili ka konfirmuar për Telegrafin se në takim do të marrë pjesë kryetari Ramush Haradinaj.
“Po kemi pranuar ftesën, në takim do të marrë pjesë kryetari Haradinaj”, tha Xhemaili.
Nga partitë e tjera në këtë takim prezent, do të jenë Lumir Abdixhiku nga LDK, Fatmir Limaj nga Nisma Socialdemokrate, Mimoza Kusari-Lila nga Alternativa.
Nga LVV e PDK zyrtarisht ende nuk kanë konfirmuar se kush do të marrë pjesë në takim, mirëpo Telegrafi mëson se kanë pranuar ftesën.
Ky zhvillim vjen pas seancës së sotme në Kuvend, ku i mandatuari i LVV-së për formimin e Qeverisë, Glauk Konjufca, nuk arriti t’i sigurojë votat e nevojshme për të marrë postin e kryeministrit.
Kjo ishte përpjekja e dytë e Vetëvendosjes për të formuar Qeverinë, pas dështimit të mandatarit të parë, Albin Kurti, më 26 tetor./Telegrafi/
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka paralajmëruar se çdo vonesë nga Presidentja në shpalljen e datës për zgjedhjet e parakohshme rrit rrezikun për funksionimin normal të institucioneve vitin e ardhshëm.
“Çdo ditë e humbur sot i ngushton opsionet ligjore, i shtyn afatet dhe e afron vendin me skenarë të pasigurt kushtetues, politik dhe fiskal,” tha Cakolli.
Ai shtoi se sipas afateve aktuale, edhe pse Kushtetuta dhe Ligji për Zgjedhjet nuk janë plotësisht të harmonizuara, datat reale për mbajtjen e zgjedhjeve mbeten 21 dhe 28 dhjetori.
“Por nëse konsultimet dhe vendimmarrja e Presidentes shtyhen pas 22 nëntorit, edhe 21 dhjetori bie si opsion, duke i shtyrë zgjedhjet potencialisht drejt janarit,” paralajmëroi Cakolli.
Sipas tij, zgjedhjet në janar përbëjnë rrezik shumëfish më të madh, pasi zgjatja automatike e ndarjeve buxhetore vlen vetëm për muajin janar, por jo edhe për shkurt.
Ai theksoi se mbajtja e zgjedhjeve sa më herët në dhjetor është mënyra e vetme për të shmangur kriza të reja dhe për të zvogëluar presionin kohor për formimin e institucioneve, të cilat duhet të përmbyllen patjetër në ditët e para të marsit.
“Sa më shumë të vonohet shpallja e datës, aq më afër skajit të afateve kushtetuese shtyhet vendi, me të gjitha rreziqet që i sjell një skenar i tillë,” përfundoi Cakolli. /Telegrafi/
Lëvizja Vetëvendosje ka dështuar për herë të dytë të formojë Qeverinë. Pas seancës, në të cilën i mandatuari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, nuk i mori votat e nevojshme për t`u bërë kryeministër, ka reaguar nënkryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.
Haxhiu publikoi një fotografi në Facebook, ku shiheshin deputetët e PDK-së duke votuar kundër formimit të Qeverisë.
Mirëpo Haxhiu e shoqëroi këtë fotografi me një mbishkrim “në harmoni të plotë”, duke aluduar tek deputetët e PDK-së dhe Listës Serbe, të cilëve u takojnë ulëset në Kuvend pikërisht mbrapa deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës.
E ky krahasim ka nxitur reagimet e deputetëve të PDK-së. Altin Krasniqi djali i ish-kryeparlamentarit, Jakup Krasniqi reagoi duke shkruar se ish-ministrja ka barazuar deputetët shqiptarë me ata serb me qëllim që t’i njollosë të gjithë.
“Në rreshtin tim, pranë meje është deputeti Fadil Demaku, të cilit gjatë luftës kundër ushtrisë serbe iu vranë vëllai dhe motra. Është Përparim Gruda, të cilit iu vra babai. Po ashtu janë deputetë që janë bashkëluftëtarë të Adem Jasharit. Ndër ta jam edhe unë, Altin Krasniqi, djali i Jakup Krasniqit, njeriut që gjithë jetën e tij është përndjekur nga regjimi fashist i Serbisë dhe që tash e pesë vite qëndron ballëlartë në bankën e të akuzuarve, pikërisht përballë akuzave të fabrikuara nga Serbia”, ka shkruar Krasniqi.
Ai ka shtuar se me bindje të plotë, them se veprimet e juaja publike e tinëzare janë shumëfish më të koordinuara me politikat fashiste të Serbisë sesa çfarëdo vote kundër kësaj qeverie.
Reagim pati edhe nga Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së dhe deputetja, Vlora Çitaku. Çitaku ka shkruar se për nevojat e “një narracioni të ultë politik” nënkryetarja e Kuvendit deri dje ministre e Drejtësisë, i tha mbesës së Adem Jasharit se është “në koordinim me Listën Serbe”.
“Jo vetëm Sala, por secila deputete dhe secili deputet i PDK-së ka më shumë atribut dhe kontribut për shtetin e Kosovës sesa kjo nënkryetare. Diku kemi gabuar, në fakt, që një profil i tillë ka arritur të mbajë pozita të larta shtetërore, kjo është e dukshme. Por uroj që sot të jetë fillimi i fundit të këtij mentaliteti. E turpshme, për besë”, ka shkruar Çitaku. /Telegrafi/
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka reaguar pas seancës së fundit të Kuvendit, duke kritikuar ashpër udhëheqësin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe qeverisjen e tij.
Bajrami tha se sot nuk ishte e pranishme në seancë për shkaqe shëndetësore, por theksoi rëndësinë e ngjarjeve të ditës.
“Sot u pa qartë mashtrimi dhe përbuzja e vullnetit të qytetarëve nga ai që doli i pari në zgjedhjet e fundit dhe mori 48 deputetë,” ka shkruar Bajrami.
Ajo ka akuzuar Kurtin për keqqeverisje, korrupsion, varfërim të qytetarëve dhe dështime në lidhjen e koalicioneve.
“Votuesit do ta ndëshkojnë arrogancën e z. Kurtit, që insistoi dhjetëra herë të votohej një emër i vetëm për kryetare të Parlamentit. Do ta ndëshkojnë z. Kurti dhe Vetëvendosjen që dështuan të lidhin koalicion me cilëndo parti shqiptare për të shmangur zgjedhjet,” ka shtuar ajo.
Bajrami ka kritikuar gjithashtu humbjen e kohës dhe të resurseve shtetërore:
“Thënë troç kjo kastë politike ja humbi Kosovës plot 5 vjet, por fituan shumë ata dhe rrethi i tyre, fituan nga keqpërdorimi i të gjitha resurseve shtetërore në kurriz të qytetarëve për të cilat një ditë do të japin përgjegjësi”, ka shkruar ajo.
Deputetja ka theksuar dështimet e qeverisë në sektorë kyç.
“Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje do të mbahen mend si pushteti i pazareve dhe korrupsionit në energji, si pushteti që rriti çmimet e çdo produkti bazë, që nuk mbajti asnjë premtim - asnjë të vetëm, që nuk përfundoi asnjë rrugë lokale a rajonale, që rrënoi ekonominë, arsimin dhe shëndetësinë; si pushteti që u përpoq të blinte vota me skema të korrupsionit publik. Fillimi i fundit politik të Albin Kurtit ka nisur më 9 shkurt. Vula e këtij fundi do të jetë dita e zgjedhjeve të reja”, ka shkruar Bajrami. /Telegrafi/
Pas dështimit të dytë për formimin e qeverisë, deputetë nga partitë kryesore politike kanë reaguar me qëndrime të ndryshme, duke kërkuar nga presidentja Vjosa Osmani që të ndërmarrë hapat e radhës kushtetues.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovë, Bedri Hamza tha se dështimi i njëpasnjëshëm i dy mandatarëve tregon qartë se qeveria aktuale e ka humbur mbështetjen politike.
"Shumica që doli nga zgjedhjet e fundit është treguar e paaftë t’i krijojë institucionet e reja, duke shkaktuar pasiguri institucionale, politike dhe shtetërore. Sot e kemi vetëm një rrugë të përgjegjshme përpara: zgjedhjet e reja. Presidentja e vendit duhet ta caktojë sa më shpejt datën e tyre, sepse mjaft kohë kemi humbur",shkroi Hamza në Facebook.
E deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, pas seancës tha se tanimë presidentja ka obligim që sa më shpejt të shpallë datën e zgjedhjeve të reja. Ai theksoi se dështimi për formimin e qeverisë ka qenë i paralajmëruar dhe se vendi ka humbur muaj të tërë në një proces pa epilog.
“Kemi mbi nëntë muaj që nga zgjedhjet dhe qytetarët tashmë i kishin thënë ‘jo’ referendumit të Kurtit. Kam paralajmëruar qysh më 27 prill se ky ngërç do të vazhdojë dhe kam kërkuar që vendi të shkojë më herët në zgjedhje. Pas këtij dështimi të paralajmëruar, presidentja është e obliguar të shpallë sa më parë datën e zgjedhjeve. Propagandat e pavërteta të dëgjuara në seancën e parë nuk qëndrojnë – Kosova nuk rrezikon fondet e BE-së, kreditë apo pagat e qytetarëve”, u shpreh Krasniqi.
Edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, e quajti procesin e sotëm një “shfaqje teatrale” nga Lëvizja Vetëvendosje. Ai i bëri thirrje presidentes që të respektojë afatet kohore dhe të mos lejojë ndërhyrje në procedurat kushtetuese.
“Loja me numra këto tetë muaj dhe dështimi i sotëm ishin të paralajmëruar. Vendit nuk i mbetet rrugë tjetër veçse të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme. Është lajm i keq, por i pritshëm”, deklaroi Zemaj.
Ndërkohë, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, akuzoi partitë opozitare se janë bashkuar me Listën Serbe me qëllim të vetëm – kundërshtimin e Albin Kurtit.
“Sot u pa qartë se opozita, bashkë me Listën Serbe, u unifikuan për ta bllokuar Kurtin. Janë të gatshëm të lënë 700 punëtorë të RTK-së pa paga, 85 mijë shërbyes civilë, 400 mijë fëmijë pa shtesa dhe 300 mijë pensionistë pa pensione, vetëm që të mos i mbetet atyre faji. Shpresoj që qytetarët ta kenë parasysh këtë në zgjedhjet që po vijnë”, u shpreh Murati.
Pas dështimit të votimit të mandatarit Glauk Konjufca, vendi pritet të shkojë drejt zgjedhjeve të reja parlamentare.
Kuvendi i Kosovës ka njoftuar se nesër në ora 14:00, do të mbahet seanca e jashtëzakonshme për zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Ndërkohë, nga ora 11:00 do të mbahet një tjetër seancë për formimin e komisioneve parlamentare, ku do të diskutohet për buxhetin, marrëveshjet ndërkombëtare dhe për financimin e RTK-së.
I mandatuari për formimin e qeverisë është Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje, i cili u mandatua nga presidentja Vjosa Osmani më 4 nëntor.
Konjufca ka deklaruar se kërkon mbështetjen e deputetëve për Qeverinë e tij, në mënyrë që të shmangen zgjedhjet parlamentare në dhjetor dhe që vendi të ketë ekzekutiv “së paku” deri në prill, kur duhet të zgjidhet presidenti i ri i vendit.
Megjithatë me ish-opozitën e bashkuar rreth idesë për zgjedhje të reja, gjasat duken minimale që Lëvizjes Vetëvendosje do të arrij të krijoj ekzekutivin në përpjekjen e dytë.
Më 26 tetor, Albin Kurti dështoi të siguronte votat e nevojshme për formimin e qeverisë.
LVV-ja i ka fituar zgjedhjet e 9 shkurtit, por nuk ka siguruar ulëse të mjaftueshme në Kuvend që do t'i mundësonin që të formonte Qeverinë pa bashkëpunim me partitë e tjera.
Nëse edhe nesër nuk arrihet shumica për formimin e Qeverisë, procesi do të çojë automatikisht në zgjedhje të jashtëzakonshme. /Telegrafi/
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për formimin e Qeverisë.
Kurti ka theksuar se hapi më urgjent për institucionet është formimi i komisioneve të përhershme parlamentare.
“I kemi edhe dy ditë deri tek seanca e Kuvendit për mandatarin e radhës. Ajo që mendoj se është urgjente për shtetin e Kosovës, është formimi i katër komisioneve të përhershme parlamentare”, u shpreh Kurti, duke shtuar se mosfunksionalizimi i komisioneve rrezikon proceset institucionale.
Ai theksoi se pas konstituimit të Kuvendit, të gjitha procedurat e tjera duhet të ecin përpara pa vonesa.
“Tash që kemi konstituuar Kuvendin, është gabim politik dhe dëm financiar e social mosprocedimi i mëtejshëm në Kuvend,” tha kryeministri në detyrë.
Ai paralajmëroi se çdo ditë pa komisione funksionale dëmton proceset ligjore, administrative dhe përfitimet qytetare.
“Çështje më urgjente se kjo nuk ka,” u shpreh ai.
Kurti kujtoi gjithashtu se afati 15-ditor për mandatarin e propozuar nga kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, skadon së shpejti.
“Pesëmbëdhjetëditëshi i mandatarit Konjufca vlen deri të mërkurën,” tha ai, duke mos treguar nëse i kanë numrat për formimin e Qeverisë. /Telegrafi/
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka shprehur optimizmin se seanca ku do të votohet mandatar i dytë për kryeministër do të thirret brenda afatit kushtetues, pa pritur deri në ditën e fundit, më 19 nëntor.
“Siç e dini, ftesa për seancë mund të bëhet edhe si seancë e jashtëzakonshme me 40 nënshkrime të deputetëve, dhe jam e bindur që do të ftohet me kohë, në mënyrë që të respektohen afatet kushtetuese. Nuk mund të paragjykoj se cili do të jetë rezultati i votimit. Më rëndësi është që seanca të ftohet brenda atij afati. Më pas, është në duart e deputetëve dhe partive politike se çfarë diskutojnë mes vete,” tha Osmani para gazetarëve.
Presidentja ka theksuar se vlerësimi i saj për kandidatët nuk nënkupton kërkesë për garanci.
“Sa i përket nënshkrimeve, kjo nuk ka qenë çështje garancie. Sikur të ishin dy kandidatë, atëherë do të shihej se cili prej tyre i ka gjasat më të mëdha. Por, kur është vetëm një propozim, shihet nëse ai kandidat i ka gjasat, dhe nga ajo që ka shprehur kandidati për kryeministër, Glauk Konjufca, është vlerësuar nga ana ime se i ka ato gjasa,” tha ajo.
Osmani gjithashtu ka ritheksuar se ka vepruar në përputhje me Kushtetutën dhe nuk ka shkaktuar vonesa në procesin e formimit të qeverisë.
“Kushtetuta është e qartë: nëse dështojnë mandatarët e parë, shkohet te i dyti. Nuk kam bërë asgjë tjetër përveçse kam respektuar Kushtetutën. Mos të harrojmë se ka pasur një vonesë 9-mujore, të cilën nuk e kam kërkuar, as përkrahur e as shkaktuar unë si Presidente. Për 9 muaj i kemi pritur partitë politike. Kam shpresuar se do të tregonin durim edhe për këto dy javë,” shtoi Osmani.
Presidentja ka bërë të qartë se optimizmi i saj për thirrjen e seancës ishte bazuar në bisedat me deputetët dhe partitë, dhe theksoi se çështja e bllokimit të procesit nuk lidhet me Presidencën. /Telegrafi/
Pas emërimit të Glauk Konjufcës si mandatar për formimin e qeverisë nga Presidentja e Kosovës, po afrohet përfundimi i afatit kushtetues prej 15 ditësh për thirrjen e seancës së Kuvendit për votimin e kabinetit të ri qeverisës.
Afati përfundon të mërkurën, ndërsa deri më tani nuk është bërë e ditur nëse do të ftohet një seancë për votimin e qeverisë, gjë që krijon pasiguri mbi të ardhmen e procesit politik.
Situata ka ngjallur reagime nga partitë politike, duke përfshirë NISMA Socialdemokrate.
Albert Maxhuni nga ky subjekt në një prononcim për Telegrafin, ka theksuar se kryetari i kësaj partie Fatmir Limaj, nuk është ftuar në ndonjë takim nga mandatari Glauk Konjufca për të diskutuar rreth formimit të qeverisë.
Ai tha se NISMA ka bërë të qartë qëndrimin e saj që vendi duhet të shkoj në zgjedhje.
"Nuk jemi ftuar, ne e kemi bërë të qartë qëndrimin tonë me kohë: është koha me shku në zgjedhje. Ka pas dakordim edhe në takim me presidenten nga të gjitha subjektet politike shqiptare, përveç LVV-së e cila ka kërkuar kohë, por nuk ka pasur vullnet nga subjektet tjera politike për me pas mandatar të dytë dhe mendoj se nuk është dashur me pas mandatar të dytë fare për shkak se nuk ka shumicë”, tha Maxhuni.
Sa i përket mundësisë së thirrjes së seancës së Kuvendit këto ditë, Maxhuni tha se nuk kanë marrë ende ftesë nga administrata e Kuvendit.
“ Siç e dini, të mërkurën përfundon koha e përcaktuar për seancë, nuk kemi marrë ftesë ende nga administrata e Kuvendit, kështu që mbetet të shihet çfarë do të ndodh këto ditë", u shpreh ai.
Ndryshe, e vetmja parti që tha se është kontaktuar në këtë fazë nga Vetëvendosja, ishte Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, një përpjekje kjo për të koordinuar takime lidhur me votimin e qeverisë.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se ka refuzuar t'i takojë zyrtarët e Vetëvendosjes, sikundër që do të refuzonte edhe nëse do të merrte propozime konkrete për bashkëpunim në qeverisje.
Haradinaj konsideron, se "zgjedhjet e parakohshme janë rrugëdalja e vetme nga ngërçi politik".
Dy partitë e tjera, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), thonë se nuk janë kontaktuar fare nga Vetëvendosja dhe nuk duan të bashkëpunojnë me këtë parti.
Sikundër edhe ato kanë kërkuar që vendi të shkoj në zgjedhje të reja.
Marrë parasysh këto deklarata, procesi politik mbetet i paqartë. Tani mbetet të shihet nëse Kuvendi do të thërrasë seancën e votimit brenda afatit kushtetues, ose nëse vendi do të përballet me zgjedhje të reja. /Telegrafi/
Një ditë pas mandatimit për kryeministër të Glauk Konjufcës, Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar votën e partive të ish-opozitës në Kuvend, siç thonë, për një qeveri kalimtare afatshkurtër për votimin e projektbuxhetit për vitin 2026, si dhe miratimin e fondeve të Bashkimit Evropian.
Mirëpo në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) si dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) thonë se nuk kanë votë për Konjufcën dhe asnjë qeveri të pakicës. Sipas tyre, nuk e kanë asnjë obligim që të votojnë qeverinë e LVV-së pa marrëveshje politike dhe koalicion qeverisës. Madje, vendimin e presidentes Osmani për mandatimin e nënkryetarit të LVV-së për kryeministër më shumë e shohin si zvarritje të qëllimshme për të shtyrë datën e zgjedhjeve të parakohshme.
Në partinë e Memli Krasniqit të martën kanë thënë se mandatimi i Konjufcës për kryeministër vetëm sa e ka thelluar krizën politike.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka dështuar më 26 tetor të formojë qeverinë e re në Kuvend. Ai mori vetëm 56 vota nga 61 të nevojshme për ta formuar ekzekutivin e ri.
Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, ish-deputeti i legjislaturës së kaluar, Adnan Rrustemi, thotë për KosovaPress se pret që partitë e ish-opozitës të rezonojnë arsyeshëm dhe të votojnë kabinetin qeveritar të prezantuar nga Konjufca në Kuvend.
“Ne kemi ofruar një kompromis të madh për opozitën duke mandatuar zotërinë Glauk Konjufca si mandatar për kryeministër, marrë parasysh synimet tona për të shmangur dy elemente: së pari zgjedhjet e menjëhershme parlamentare dhe së dyti të miratohet buxheti për shtetin për vitin e ardhshëm dhe Plani i Rritjes së BE-së... Unë pres që edhe opozita të rezonojë arsyeshëm në këto 15 ditë që i ka zoti Konjufca për ta votuar kabinetin qeveritar. Të votohet qeveria dhe të merren këto vendime... Ne i kemi bërë të qartë se nuk bëhet fjalë për një qeveri afatgjatë, por për një qeveri që do të marrë këto tre-katër vendime që janë në interes të qytetarëve dhe shtetit. Më shumë për të evituar një rrezik real të madh, siç është pamundësia e ekzekutimit të buxhetit për vitin e ardhshëm dhe mos humbja e Planit të Rritjes nga BE-ja. Në situatën e tillë nuk po flasim për një qeveri tipike dhe rrjedhimisht për të diskutuar për koalicione. Ne presim bashkëpunimin me deputetët e opozitës për ta miratuar buxhetin dhe Planin e Rritjes”, thekson ai.
Por kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, theksoi se nuk kanë votë për Konjufcën dhe se Kosova s’ka nevojë për një qeveri të pakicës.
“Glauk Konjufca, me mandatar të trashëguar në rrethanat e tanishme politike, duke kuptuar qartë dhe saktë vullnetin qytetar, duhet të jetë i sinqertë me veten. Më shumë dhe shumë më shumë sesa kryetari i tij. Të konstatojë se nuk ka shumicë për kryeministër”, tha ai të mërkurën në konferencë për media.
Në anën tjetër, deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, thotë për KosovaPress se LVV-ja dhe presidentja Osmani, përmes mandatimit të Glauk Konjufcës për kryeministër, po tentojnë vetëm të përfitojnë kohë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Ajo thekson se AAK-ja nuk ka votë për Konjufcën, derisa shton se asnjë parti politike në Kuvend nuk e ka obligim ta votojë atë pa një marrëveshje politike dhe koalicion qeverisës.
“Ne nuk e kemi parë ndonjë ndryshim të qëndrimeve të partive parlamentare pasi janë të njëjtat qëndrime. Në takimin e fundit që kanë pasur te presidentja, dakordanca ka qenë që, meqë ka dështuar LVV-ja dhe asnjë parti nuk i ka votat për formimin e qeverisë, janë dakorduar për të shkuar në zgjedhje. Kjo është një lojë tjetër e LVV-së... Nuk e di se çfarë po tenton të bëjë LVV-ja. Pa një koalicion askush nuk e voton një mandatar kur nuk kanë një marrëveshje politike apo koalicion politik... Në asnjë formë nuk e ka obligim ndonjë parti e cila nuk është në qeverisje dhe as në ndonjë koalicion ta votojë qeverinë e huaj. Ju e dini se edhe ato oferta që iu kanë bërë Nismës dhe LDK-së nuk kanë qenë oferta serioze, por fyese”, thekson Kadrijaj.
Në anën tjetër, hulumtuesi në KDI, Vullnet Bugaqku, thotë për KosovaPress se presidentja Vjosa Osmani ka vepruar drejt kur e ka mandatuar Konjufcën për kryeministër si të propozuarin e dytë të LVV-së për këtë post.
“Presidentja ka pasur para vetes një mandatar të propozuar nga një parti e cila relativisht është fituese e zgjedhjeve në kuptimin e ulëseve që i ka në Kuvend dhe votave që mund t’i sigurojë në Parlamentin e Kosovës. Është e vetmja që ka provuar dhe po tenton të formojë qeverinë, karshi partive të tjera që kanë refuzuar të japin mandatarin dhe kanë refuzuar të bashkëpunojnë mes veti që shtetit t’i japin një qeveri. Gjykata Kushtetuese, në rastin KO20, e bën të qartë detyrimin që ka presidenti i shtetit që të provohen dhe të shterohen të gjitha mundësitë kushtetuese që të formohen institucionet dhe të krijohet mundësia që sa më shumë të shmangen zgjedhjet...Prandaj unë mendoj se ka vepruar drejt në kuptimin kushtetues. Vlerësoj se duhet të shterohen të gjitha mundësitë kushtetuese dhe të plotësohen të gjitha kushtet që i kërkon neni 82 i Kushtetutës që vendi paraprakisht të përfundojë në zgjedhje pasi të dështojë në rundin e dytë”, deklaron ai.
Në bazë të afateve kushtetuese, Konjufca, si mandatar i dytë, ka afat prej 15 ditësh për t’ia prezantuar Kuvendit kabinetin qeveritar.
Që Konjufca të zgjidhet kryeministër, ai duhet të votohet nga së paku 61 deputetë prej 120 sa ka Kuvendi i Kosovës. Nëse as i mandatuari i dytë nuk arrin që të sigurojë votat e nevojshme për të formuar Qeverinë, vendi duhet të shkojë në zgjedhje. Sipas Kushtetutës, ato duhet që të mbahen brenda 40 ditësh, nga dështimi i të mandatuarit të dytë për kryeministër.
Kosova nuk ka themeluar institucionet e reja edhe më shumë se tetë muaj pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.
Mandatari i dytë i propozuar nga LVV për formimin e qeverisë, Glauk Konjufca ka thënë se nuk synon të bëjë marrëveshje koalicioni me partitë opozitare, por një bashkëpunim në mënyrë që Kosova të dalë nga kriza politike.
“Nuk do të jetë një proces në të cilin ne do të kërkojmë ndonjë marrëveshje koalicioni me partitë politike, ideja ka qenë me kriju një qeveri të re me shmang zgjedhjet e menjëhershme dhe të provojmë të bashkëpunojmë me partitë politike parlamentare për ta miratuar buxhetin 2026”, tha Konjufca pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së ku u propozua për mandatar.
Ai shtoi se nëse këto dyja nuk bëhen nuk do të ishte në të mirë të Kosovës dhe pikërisht për këtë LVV-ja e propozoi si mandatar sot.
“Unë e pranova dhe e tëra që na mbetet është të shohim veprimin e presidentes së Republikës. Unë e thash nëse kjo nuk shmanget atëherë Kosova mund të ketë 5 palë zgjedhje brenda një viti, dhe kostoja është 40 milionë euro. Për t’i shmangur këto, kështu e definova pse është interes publik të shtetit të Kosovës, sepse ta keni parasysh se kur të arrijmë te momenti i presidentit nuk është i sigurt se një parlament i ardhshëm mund ta zgjidhë dhe prapë mund të kemi zgjedhje”, u shpreh Konjufca.
Ish-kryeparlamentari i Kuvendit theksoi se për të shmangur dy palë zgjedhje, maturia shtetërore në këto rrethana dhe moment është që të kemi një qeveri së paku deri në zgjedhjen e presidentit të ri të vendit dhe se kjo do ta përfshinte edhe buxhetin.
“Nevojitet konsensus i të gjitha forcave. Besoj se do të reflektojnë opozita dhe do ta kemi bashkëpunimin pozitiv që këto dy gjëra të ndodhin, që të shmangen zgjedhjet në dhjetor dhe votimi i buxhetit. Do ta kërkoj bashkëpunimin, por jo për qeveri me koalicione, por t’i thirrin mendjes që këto gjëra të kalojnë e pastaj bëjmë bash çka të duam”, tha Konjufca. /Telegrafi/
Pas nominimit të Glauk Konjufcës për mandatar të qeverisë nga Lëvizja Vetëvendosje, ish-kryeministri Albin Kurti pritet të marrë pozitën e Ministrit të Jashtëm në rast se qeveria e re formohet.
Kështu ka bërë të ditur vetë Kurti gjatë mbledhjes së sotme të Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së.
“Kabineti do të vazhdojë me të njëjtin përbërje që unë kam propozuar, ndërsa unë vetë marr vendin e Glaukut dhe Glauk Konjufca merr vendin tim”, tha Kurti.
Ky vendim vjen pas vendimit të LVV-së për të propozuar Konjufcën si kryeministër, duke synuar stabilitet dhe evitimin e zgjedhjeve të parakohshme.
Në deklarimin e tij Konjufca ka theksuar se prioriteti i qeverisë së re do të jetë stabiliteti politik, zbatimi i buxhetit dhe shërbimi ndaj interesit publik. /Telegrafi/
Nënkryetari i LVV-së, Glauk Konjufca ka pranuar nominimin si mandatar i dytë për krijimin e qeverisë nga Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje.
Ai fjalimin e tij e nisi me një mesazh të fortë për kryetarin e LVV-së, Albin Kurti.
“Më lejo të siguroj që populli shumë shpejt pret që ti të rikthehesh më fuqishëm se në vitin 2021,” tha Konjufca, duke marrë duartrokitjet e shumta nga të pranishmit.
Ai shtoi se pa dyshim, Kurti ka qenë dhe do të mbetet kryeministri më i mirë që ka pasur vendi ynë.
"Problemi i nderuari kryetar Albin është që aq sa e ke gëzuar popullin me gjithë këtë mbështetje, në po të njëjtën masë ke nxitur shumë frikë te kundërshtarët e tu politikë që u bashkuan vetëm me një qëllim - të ta pamundësojnë krijimin e një qeverie për herë të tretë. Ama një gjë e dimë të gjithë, nuk ka forcë që e shkëputë apo e ndal lidhmërinë e popullit tanë me Lëvizjen Vetëvendosje”, tha Konjufca.
Me fjalë dhe obligim, Konjufca deklaroi se pranon këtë nominim dhe është i gatshëm të marrë mandatin për kryeministër.
Sipas tij, kjo përgjegjësi është një thirrje nga detyra publike:
“Këtë e bëj si thirrje nga detyra e cila na shndërron në shërbëtor të interesit publik. LVV-ja e ka definuar këtë interes në dy shtylla në rrethanat aktuale. Shmangia e dy palë zgjedhjeve të mundshme brenda tre muajsh dhe së dyti, votimin e buxhetit për vitin 2026, pa të cilin rrezikohen dimensionet vitale të qytetarëve tanë prej mbi 80 mijë pagave të sektorit publik, pensionet e shtesat e fëmijëve, deri te projektet ekzistenciale për shoqërinë tonë. Do të ishte e pafalshme nëse për shkak të tekave të partive politike e humbim mundësinë e përfitimit të benefitve qindra milionëshe duke u krekosur se po shkojmë në zgjedhje. Edhe dy procese tjera nuk na presin, RTK-ja mbet pa pagat e tyre e po ashtu nuk ka kurrfarë afat shtesë për buxhetin e tri komunave", u shpreh Konjufca.
Çështje të tjera që janë me urgjencë për miratim tha se janë Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian, buxheti për transmetuesin publik të Kosovës dhe buxhetet për tri komuna: Prishtina, Gjilani, Zubin Potoku.
"Partitë e tjera e kanë në dorë nëse duan të bëjmë zgjedhje tani. Por, mua më duket se shpata e gjykimit është më e mprehtë se më parë", tha Konjufca./Telegrafi/
Kryeministri në detyrë dhe kryetari i LVV-së, Albin Kurti ka bërë të ditur se pas diskutimeve të zgjeruara dhe të thelluara brenda Lëvizjes, mandati i dytë për krijimin e qeverisë do t’i besohet Glauk Konjufcës.
“Unë dua të bëj një propozim të menduar mirë, e bëj jo për të bërë një lajm,” ka thënë Kurti, duke shtuar se ky vendim është rezultat i vlerësimit dhe besimit të madh që ai dhe gjithë Lëvizja kanë te Glauk Konjufca.
Kurti ka theksuar se Lëvizja është gjithmonë e gatshme për zgjedhje, por po ashtu edhe e përgatitur për to.
“Kemi ofruar mundësi për zgjedhje qysh në qershor, kur e pamë se nuk duan bashkëpunim. Kemi marrë refuzimin e ftesave për bashkëpunim, gjersa na kanë bërë të pamundur çdo qeverisje në koalicion me ta,” ka thënë ai.
Sipas Kurtit ky propozim është gjithashtu një mënyrë për të shkurtuar periudhat e mundshme të zgjedhjeve të parakohshme, duke evituar dy palë zgjedhje në dhjetor dhe prill.
“Po ia japim mundësinë opozitës që t’i kursejë vendit dy palë zgjedhje, sepse mjafton njëherë të shkohet në zgjedhje në prill kur vjen çështja e zgjedhjes së presidentit. Jemi gati për zgjedhje sot, edhe në dhjetor, edhe më shumë gati në prill, por po e japim këtë mundësi si zgjedhje për këtë bllokim të kotë që është bërë,” ka shtuar Kurti.
Ai ka njoftuar gjithashtu se kabineti do të vazhdojë me të njëjtin përbërje që ai ka propozuar, ndërsa ai vetë merr vendin e Glaukut dhe Glauk Konjufca merr vendin e tij.
Ky vendim vjen në një situatë ku Kurti shprehet se realiteti nuk mund të ndryshohet dhe se situata në të cilën jemi vjen përshkak të kalkulimeve të humbësve sepse po përpiqen të zvogëlojnë humbvjet e tyre me këso makinacionesh. /Telegrafi/
Analisti politik, Sadri Ramabaja, ka komentuar situatën pas dështimit të seancës për zgjedhjen e Qeverisë së re, duke thënë se racionaliteti në politikën kosovare “ka migruar dhe është arratisur kaherë”.
Në një prononcim në emisionin Debat Plus, Ramabaja theksoi se marrëveshja mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe disa deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk është realizuar, duke theksuar se politikanët janë fokusuar më shumë në interesat partiake sesa në ato të qytetarëve.
“Nga politika kosovare racionaliteti ka migruar, është arratisur kaherë. Prisja, pasi kisha informacione se kishte pasur bisedime me disa deputetë të LDK-së, që megjithatë do të arrihej një marrëveshje, sidomos nga ata që shpesh thirren në interesin e shtetit dhe qytetarëve. Por, nëse do t’u kishin besuar institucioneve përgjegjëse të LDK-së, ata nuk do të kishin biseduar. Atyre u ka interesuar mbi të gjitha interesi i Republikës,” tha ai.
Ramabaja theksoi se përgjegjësinë për situatën e krijuar e mbajnë të gjitha palët, por veçoi opozitën si më përgjegjëse për zvarritjen e procesit politik.
“Përgjegjësinë e kanë të gjithë, por mbi të gjitha e ka opozita që na ka zvarritur për një kohë të gjatë. Edhe Kurti ka përgjegjësi, pasi ka pasur mundësi që disa çështje që lidhen me votimin e kryeparlamentarit të zgjidheshin më herët,” shtoi Ramabaja.
Pas dështimit të formimit të Qeverisë “Kurti 3” në Kuvendin e Kosovës, presidentja Vjosa Osmani do të nis konsultimet me partitë politike për të mandatuar një kandidat të ri për Kryeministër dhe për të formuar një Qeveri të re.
Ky proces është përaparë edhe në Nenin 95 të Kushtetutës së Kosovës, i cili rregullon procedurat pas zgjedhjes së qeverisë dhe mandateve të Kryeministrit.
Sipas këtij neni, pas çdo procesi zgjedhor, Presidenti propozon kandidatin për Kryeministër në konsultim me partinë ose koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend.
Kandidati i propozuar duhet të paraqesë përbërjen e Qeverisë dhe të kërkojë miratimin e shumicës së deputetëve të Kuvendit.
Nëse kandidati nuk arrin të sigurojë shumicën e votave, Presidenti ka detyrimin që brenda dhjetë ditëve të emërojë një kandidat tjetër, ndërsa në rast se as hera e dytë nuk rezulton me zgjedhjen e Qeverisë, shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë nga dita e shpalljes.
Bekim Kupina, këshilltar për media i Presidentes bëri të ditur se presidentja Osmani do të ftojë partitë në konsultime brenda afatit kushtetues.
Lidhur me situatën aktuale të krijuar, ka reaguar edhe Eugen Cakolli nga KDI duke theksuar mungesën e dialogut dhe kompromisit në procesin politik.
“Ky nuk është modeli politik i funksionimit institucional që duhet ta aspirojë Kosova. S’është normale që, shtatë muaj pas certifikimit të rezultateve, të arrijmë në seancën kryesore – atë të votimit për Qeverinë – pa marrëveshje politike që garanton shumicën në Kuvend dhe pa vullnet të sinqertë për kompromis.
Tanimë është e qartë se, gjatë gjithë kësaj kohe, problemet nuk kanë qenë ligjore apo kushtetuese, por pasojë e përdorimit të qëllimshëm të taktizimeve procedurale dhe të diskursit publik për të zvarritur procesin”, ka shtuar Cakolli.
Ai ka theksuar se mungesa e stabilitetit institucional, rrezikimi i buxhetit dhe i kredibilitetit ndërkombëtar të Kosovës nuk janë shqetësime që lindën sot.
“Ato kanë qenë reale e të njohura prej muajsh – kohë kjo që u harxhua duke shmangur marrëveshjen politike dhe ndërtuar narrativën e viktimizimit”, ka shkruar ai.
Cakolli thekson se vendi ndodhet në një fazë që ngjan me mospranim de facto të rezultateve zgjedhore, për shkak të moskënaqshmërisë me to, dhe se procesi politik është kthyer në një garë për fajësim, duke e çuar Kosovën drejt zgjedhjeve të reja që tashmë duken të pashmangshme.
Ai nënvizon rëndësinë e dialogut, kompromisit dhe respektit ndaj rezultateve zgjedhore për të garantuar funksionimin normal të institucioneve.
Edhe ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ilir Deda ka reaguar ashpër mbi humbjen e kohës dhe përgjegjësinë e aktorëve politikë.
Ai ka shtuar se askush nuk do të mbajë përgjegjësi për tërë këta muaj të humbur.
“Nëntë muaj u humbën që të mbërrihej aty ku dihej se ishte prej 10 shkurtit - në 56 vota në Kuvend. Kujt ja pat gjithë ky vend borxh të humb kaq shumë për lojërat e këtyre që fitoren e shndërruan në humbje? ‘Ne do të qeverisim vet!’. Në ëndrra. Përgjegjësi, normal, që askush nuk do të mbanë. Dhe kështu shkojmë drejt zgjedhjeve të reja. … Zgjedhjet e reja duhet të jenë për dhënie të llogarisë dhe drejtim të ri. Dhe me kurrfarë propagande nuk mund t’i iket kësak”, ka shkruar Deda.
Ndryshe partitë e mëdha shqiptare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kanë thënë paraprakisht se s'kanë votë për Kurtin dhe e kanë akuzuar atë për bllokim të shtetit prej zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.
Sipas tyre, mundësia e vetme për stabilitet janë zgjedhjet e reja. Ngjashëm ka deklaruar edhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj para se të niste seanca për votimin e Qeverisë.
Kjo ishte hera e parë që një mandatar për kryeministër dështon në votim.
Në të gjitha proceset e deritashme të formimit të qeverisë, që nga viti 2001, mandatarët janë zgjedhur me shumicë votash me të parën në propozim: Bajram Rexhepi në 2002-n, Ramush Haradinaj në 2004-n, Bajram Kosumi në 2005-n, Agim Çeku në 2006-ën, Hashim Thaçi në 2008-n dhe 2010-n, Isa Mustafa në 2014-n, Ramush Haradinaj në 2017-n, Albin Kurti në 2020-n dhe 2021-n, si dhe Avdullah Hoti në 2020-ën.
Votimi për Hotin u kontestua, meqë rezultoi se një deputet nuk kishte të drejtë të zgjidhej, e për rrjedhojë vota e tij që ishte përcaktuese për zgjedhjen, u konsiderua jokushtetuese. /Telegrafi/
Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga LVV, Albulena Haxhiu ka komentuar sot situatën politike pas dështimit për formimin e Qeverisë së re. Ajo bëri krahasime me vitin 2020, kur sipas saj, të njëjtët aktorë politikë kishin rrëzuar Qeverinë Kurti 1.
“Fytyra të para, qeshje të njohura. Dita e sotme më kujtoi 25 marsin 2020. Atëherë të gjithë këta bashkë po na rrëzonin, sot pamundësuan ngritjen e Qeverisë së re. Asokohe rrëzonin Kurtin 1, sot pamundësuan Kurtin 3,” tha Haxhiu.
Ajo kritikoi “Klubin e Stërvjetëruar Politik” dhe Listën Serbe për pengimin e votimit të kryeministrit të zgjedhur më së shumti nga qytetarët.
“Në Kuvend, Klubi i Stërvjetëruar Politik pamundësoi votimin e njeriut që populli e ka votuar më së shumti në historinë e Kosovës. Lista Serbe, si gjithnjë, pranë tyre,” theksoi ajo.
Megjithatë, Haxhiu u shpreh optimiste për të ardhmen e Vetëvendosjes dhe theksoi se pengesat janë të përkohshme.
“Shpesh, të njëjtit kanë menduar se e kanë mposhtur përfundimisht VV-në e Albin Kurtin, por dihet ku jemi ne e ku janë ata. Do të kthehemi sërish, me popullin në krah dhe me parimet e pathyeshme,” tha deputetja.
Ajo shtoi se as presioni i grupeve të interesit, as manipulimet e mundshme nuk do të mund të ndalin partinë e saj.
“Ata që nuk marrin mbështetje nga populli, nuk mund të na shantazhojnë me numra. Më nuk ka terminale, ambasada apo tenderë në emër të votës. As populli i Kosovës, e as ne, nuk ua kemi borxh karrigen. Dhe për këtë, VV-në e Albin Kurtin nuk do ta thyeni asnjëherë,” deklaroi Haxhiu.
Deputetja gjithashtu theksoi misionin e Vetëvendosjes për një qeverisje të ndershme dhe transparente.
“Matematikat e tyre nuk do të mund ta mposhtin vullnetin tonë politik. Republika nuk do të punojë për grupet e interesit, por për qytetarët pa dallim. Beteja jonë për një Kosovë me dinjitet, pa krim e pa korrupsion, vazhdon. Edhe më fuqishëm,” përfundoi ajo. /Telegrafi/
Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas dështimit të votimit për formimin e Qeverisë “Kurti 3”, duke deklaruar se “ra perdja e popullizmit”.
“Folëm një herë brenda, ra perdja dhe e patë edhe ju që ra perdja e popullizmit”, tha Abdixhiku në një prononcim për media pas përfundimit të seancës.
Kandidati për kryeministër, Albin Kurti, nuk arriti të sigurojë votat e mjaftueshme në Kuvend për të formuar qeverinë e re. Nga votimi i sotëm, 56 deputetë votuan për, 52 kundër, ndërsa 4 abstenuan.
Pas këtij dështimi, kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, deklaroi se përgjegjësia tani kalon te Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, e cila do të zhvillojë konsultime me subjektet politike.
Brenda një afati prej 10 ditësh, ajo mund të propozojë një kandidat tjetër për kryeministër, sipas procedurave të përcaktuara me Kushtetutë. /Telegrafi/
Pas dështimit të formimit të Qeverisë “Kurti 3”, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka njoftuar se do të ftojë partitë politike për konsultime brenda afatit kushtetues dhe në përputhje me përgjegjësitë e saj kushtetuese.
Lajmin për Telegrafin e bëri të ditur Bekim Kupina, këshilltar për media i Presidentes.
“Presidentja Osmani do t'i ftoj partitë politike për konsultime gjithsesi brenda afatit kushtetues dhe në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese”, ka thënë Kupina.
Dështimi i sotëm shënon një pengesë të madhe në procesin politik në vend, pasi pas tetë muajsh përpjekjesh për të formuar një shumicë parlamentare, kjo nuk u arrit./Telegrafi/
Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të miratojë sot Qeverinë e re të udhëhequr nga Albin Kurti.
Votimi i kryer në mënyrë elektronike, nuk ka siguruar shumicën parlamentare të nevojshme.
Për ishin 56 vota, kundër 48 dhe katër abstenime.
Në votim kanë marrë pjesë 108 deputetë.
Si rezultat partitë politike mund të përballen me zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare, ndërsa disa procese të rëndësishme si miratimi i Buxhetit dhe funksionimi i institucioneve mbeten të pazgjidhura. /Telegrafi/