“Mos heshtni ndaj asnjë forme të dhunës”. Kjo ishte thirrja që nënkryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu dhe ministrja në detyrë, Arbërie Nagavci ia adresuan nxënësve të shkollave të mesme të Prishtinës.
Në kuadër të fushatës globale, “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, të njëjtat pritën nxënësit në sallën plenare të Kuvendit të Kosovës.
Ato theksuan se dhuna ndaj grave dhe vajzave është më e shpërfaqura edhe në Kosovë, raporton
Megjithatë, Haxhiu tha se ndryshimi fillon me të rinjtë ku dhuna nuk mund të pranohet.
“Ndryshimi fillon me ju. Ju keni fuqinë të formoni kulturën e brezit tuaj ku dhuna nuk pranohet. Mos lejoni asnjëherë ndaj çfarëdo dhune. Mos keni frikë”, tha ajo. /Kp/
Një ditë para përfundimit të afatit për finalizimin e listave të kandidatëve për deputetë, partitë politike thonë se po përpiqen të krijojnë një listë konkurruese dhe gjithëpërfshirëse që reflekton diversitetin dhe përvojën brenda strukturave të tyre.
Në Lëvizjen Vetëvendosje, Partinë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës, deklarojnë se janë afër finalizimit të listave, siç shtojnë duke kombinuar edhe emra të rinj me figurat e njohura politike.
Të njëjtit bëjnë të ditur se në listat e kandidatëve për deputetë do të jenë edhe deputetët e zgjedhur të legjislaturës së nëntë, e cila për shkak të krizës politike nuk mori asnjë vendim.
Në anën tjetër, analistët politikë u bëjnë thirrje partive politike që në listat e tyre të kenë njerëz profesionistë dhe energji të reja.
Partitë politike deri tani veç kanë bërë publike disa nga emrat që do të jenë kandidatë për deputetë, por kanë kohë deri më datën 7 dhjetor për t’i dorëzuar listat e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet parlamentare të 12 dhjetorit.
Anëtarja e Kryesisë së LVV-së, Albulena Haxhiu, thotë për KosovaPress, se 50 për qind e listës do të përbëhet nga propozimet që vijnë nga qendrat e partisë, kurse 50 për qind tjetër, do të caktohen nga kryesia dhe kryetari, Albin Kurti.
Ajo nuk tregon se si do të ndahet lista edhe me partnerët e koalicionit, Guxo, Alternativa dhe PShDK.
“Ne jemi në përgatitjet e fundit sa i përket listës zgjedhore. Data 7 është afati i fundit kur ne do të dorëzojmë listën. Natyrisht, ne si LVV kemi pasur thirrjet te të gjithë anëtarët e LVV-së që kanë interes të kandidojnë dhe adresojnë të gjitha procedurat në raport me këtë. 50 për qind e listës përbëhet nga propozimet që vijnë nga qendrat dhe 50 për qind nga kryesia dhe kryetari Albin Kurti. Ende nuk kemi vendosur dhe janë diskutime që po zhvillohen mes Kurtit, Gërvallës dhe Kusari-Lilës. Jemi duke punuar në këtë drejtim. Besoj se të dielën do të jenë të gjitha informacionet sa i përket Lëvizjes Vetëvendosje”, thekson ajo.
Ndërkaq, anëtari i Kryesisë së PDK-së, Artan Behrami, thotë se do të kenë edhe emra të rinj në listën zgjedhore, krahas figurave eminente të partisë.
“Partia Demokratike e Kosovës do të vazhdojë me traditën që lista e saj të ketë emra të rinj. Do të ketë shumë freskime dhe prurje të reja përmes të cilave ne besojmë dhe shpresojmë që do të kemi një votë të re. Ne e kemi kandidatin për kryeministër, Bedri Hamzën, i cili ka treguar se është figurë përbashkuese dhe nuk është figurë përçarëse.
Me këtë energji të mirë dhe me këtë energji të përbashkimit do të hyjmë në fushatë me shpresën që ata që dikur e kanë votuar LVV-në të kthehen rreth vizionit të Bedri Hamzës… Ka qenë praktikë e etabluar në PDK që ata që kanë qenë deputetë mund të garojnë sërish për deputetë. Unë besoj se ky mandat shtatë-tetë mujor nuk ka qenë mandat fare. Për neve që kemi qenë për herë të parë deputetë, fushata zgjedhore e 9 shkurtit nuk ka përfunduar dhe është vazhdimësi e asaj fushate”, thotë Behrami.
Kurse, anëtarja e kryesisë së LDK-së, Jehona Lushaku, thotë për KosovaPress, se janë duke kompletuar listën, e cila sipas saj, është rifreskuar, për dallim nga zgjedhjet e fundit. Ajo konfirmon se në listë do të jenë edhe ish-deputetët e legjislaturës së kaluar.
“LDK-ja është duke kompletuar listën për kandidatë për deputetë, por edhe kandidatët tanë që janë për ekzekutiv dhe udhëheqësin e listës, kryetarin Abdixhiku, që është i nominuar për kryeministër të Kosovës. Mendoj se kësaj here do t’ia dalim shumë më mirë sepse kemi një listë të rifreskuar, një vizion të qartë. Jemi duke bartur një peshë historike për t’ua zgjidhur problemet qytetarëve të Kosovës. Duke marrë parasysh të gjitha këto komponentë, besoj se LDK-ja do të dalë më mirë se kurrë… (ish-deputetët e legjislaturës së nëntë) patjetër që do të jenë, secili prej tyre që ka ambicie do të jetë në këtë listë pasi kanë fituar së voni edhe ata vota”, deklaron Lushaku.
KosovaPress ka kontaktuar edhe me zyrtarë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe të Nisma-s, mirëpo të njëjtit nuk janë përgjigjur pyetjeve rreth listave të tyre zgjedhore.
Ndërsa analisti politik, Artan Muhaxhiri, thotë për KP, se partitë politike duhet të sjellin energji të reja në listat e tyre të kandidatëve për deputetë. Sipas tij, nëse në lista do të jenë të njëjtit njerëz, është e vështirë që skena politike të reformohet.
“Ajo që partitë duhet obligativisht të bëjnë është të sjellin resurse të reja njerëzore, profesionale. Profesionistë të rinj, djem dhe vajza të reja dhe të rifreskojnë edhe skenën politike. Nëse do të jenë të njëjtit njerëz që kanë qenë deri tani, s’ka shumë shpresë që skena politike mund të reformohet dhe të mund të ketë ndonjë ndryshim pozitiv. Prandaj, shpresa e vetme për një rezultat pozitiv edhe pas 28 dhjetorit është që partitë të bëjnë maksimumin në ndryshimin e imazhit të tyre. Po ashtu edhe fuqizimin e aspektit profesional sepse me këtë populizëm ekstrem nuk mund të ketë asnjë perspektivë pozitive”, thekson Muhaxhiri. /kp/
Bashkësia ndërkombëtare duhet të ketë mirëkuptim ndaj qëndrimeve të Lëvizjes Vetëvendosje, në raport me Listën Serbe, thotë Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje.
Disa ditë pasi Ambasada e SHBA-së në Kosovë reagoi karshi LVV-së për shkak të mos certifikimit të Listës Serbe nga KQZ-ja, Haxhiu deklaron se në asnjë vend demokratik nuk do të ishte normale që një subjekt i tillë si Lista Serbe, që kryetar formal e ka kryeterroristin Milan Radoiçiq, të garonte në zgjedhje parlamentare.
Pasi Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa e certifikoi Listën Serbe, ajo thotë se e njëjta nuk duhet të kishte presione, raporton KosovaPress.
KQZ nuk e ka certifikuar Listën Serbe për zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit. Mirëpo pas ankesës së Listës Serbe, PZAP vendosi të premten në favor duke certifikuar të njëjtën për të marrë pjesë në zgjedhjet e 28 dhjetorit.,
Edhe në zgjedhjet e kaluara parlamentare dhe lokale, KQZ nuk ka certifikuar Listën Serbe për të marrë pjesë në zgjedhje, por më pas PZAP e ka certifikuar të njëjtën.
Haxhiu në një intervistë për KosovaPress i kundërpërgjigjet edhe komenteve që ajo i quan fyese të kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtaku, karshi grave të Vetëvendosjes.
Haxhiu tregon se a do të shkarkojë VV-ja anëtarin e saj në KQZ, Sami Kurteshin, për shkak të gjuhës dhe komenteve ofenduese ndaj gazetarëve dhe Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës.
“Edhe partnerët tanë ndërkombëtarë me të cilët kemi komunikime edhe ata e dinë se kush është Lista Serbe. Mendoj se pikërisht duke u përpjekur me çdo kusht që Lista Serbe të konsiderohet si një subjekt demokratik dhe normal në Kosovë mendoj se po e mbysin pluralizimin brenda vet subjekteve të tjera që e përfaqësojnë komunitetin serb...
Partnerët tanë ndërkombëtarë e dinë shumë mirë se cilat janë arsyet dhe ata kanë dokumente të mjaftueshme që ndërlidhen me Listën Serbe. Ata e dinë se kryetari formal i Listës Serbe është kryeterroristi Milan Radoiçiq... Ne kemi pritur që qëndrimet tona të kenë mirëkuptim, por megjithatë kjo nuk nënkupton që ne nuk duam të mbrojmë pozicionin tonë... Nuk e shoh se ka ndonjë kosto. Ne mundohemi t’i fuqizojmë raportet tona. Qëndrimet ndryshe janë normale në një vend si Kosova, pasi asnjë veprim nuk e kemi bërë në mënyrë tinëzare”, thekson ajo.
Sipas saj, Lista Serbe i përfaqëson interesat e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, dhe de-fakto e ka për kryetar kryeterroristin Milan Radoiçiq, i cili është përgjegjës për sulmin terrorist serb në Banjskë.
“Nuk është një subjekt politik, i cili përfaqëson interesat e qytetarëve serb që jetojnë në Kosovë. Vetëvendosje nuk është kundër serbëve dhe partive serbe që e njohin Kosovën dhe nuk e luftojnë sovranitetin dhe integritetin territorial, por kundër Listës Serbe e cila e ka pasur nënkryetar dhe kryetar formal kryeterroristin Milan Radoiçiq që ka bërë sulm terrorist. Në asnjë vend demokratik nuk do të ishte normale që një subjekt i tillë të garonte në zgjedhje... Kam përshtypjen se institucionet që e kanë mandatin të merren me këtë çështje nuk po e kryejnë punën e tyre. Do të duhej të kishte vendim të Gjykatës që Lista Serbe mos të jetë subjekt politik, por fatkeqësisht nuk e kemi një të tillë... PZAP është e vërtetë që ka marrë vendim tjetër dhe kam përshtypjen se po ka presione në këtë institucion dhe jo vetëm, por edhe në Gjykatën Supreme. Ju e dini se këto dy institucione nuk do të duhej të kishin presion nga askush”, thekson ajo.
Haxhiu për KosovaPress, flet edhe për vendimin e PZAP për të shfuqizuar vendimin e KQZ-së që zgjedhjet e dhjetorit në diasporë të zhvillohen edhe në objekte jashtë përfaqësive diplomatike. Sipas saj ky është një interpretim i ngushtë i PZAP-së dhe shpreson që Gjykata Supreme ta rrëzojë të njëjtin.
Përkitazi me këtë ajo thotë se Ligji për zgjedhje nuk e ndalon që mërgata të votojë edhe jashtë përfaqësive diplomatike.
“Unë e kam parë si interpretim tepër të ngushtë të PZAP-it. Uroj që Gjykata Supreme ta korrigjojë këtë vendim. Është e rëndësishme që Kosova të angazhohet që sa më shumë qytetarë brenda dhe jashtë vendit të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese. Në këtë rast asnjë të drejtë më pak nuk e ka mërgata jonë... Edhe ligji për zgjedhjet nuk e ndalon një gjë të tillë. As nuk është e ndaluar dhe as nuk është e theksuar”, tha Haxhiu.
Krahas kësaj, Haxhiu thotë se nuk do ta tërheqin Sami Kurteshin nga KQZ-ja pavarësisht kërkesës së AGK-së pas komenteve fyese dhe ofenduese të Kurteshit karshi mediave.
“Gjithçka kishte lindur te hapësira që është e rezervuar që mediat të qëndrojnë dhe ajo mos të shkelet. Mendoj se me një komunikim të thjeshtë do të mund të anashkalohej situata e tillë nga të dy palët... Kurteshi ka pasur një deklarim të tillë edhe para disa kohësh dhe për këtë është ftuar nga prokuroria që të jep dëshminë e tij. Me sa kam unë informacione, ai e ka dhënë dëshminë e tij dhe presim që prokuroria të thotë fjalën e saj. Nuk ka asnjë arsye që Lëvizja Vetëvendosje të tërheqë Kurteshin nga KQZ-ja. Është tepër e rëndësishme që mos të ketë situata të tilla pasi është e panevojshme”, tha Haxhiu.
Në anën tjetër, Haxhiu kritikon ashpër kryetarin e Skenderajt, Sami Lushtaku, për komentet e tij karshi grave të Lëvizjes Vetëvendosje. Madje ajo thotë se i njëjti “është bërë milioner duke qenë politikan”.
“Është e ditur që zoti Lushtaku vetëm duke qenë politikan është bërë milioner. Ne e kuptojmë plotësisht që një biznesmen mund të pasurohet dhe s’kemi asgjë kundër pasurimit të ligjshëm. Por, kur politikani bëhet milioner vetëm duke qenë politikan kjo është problem serioz. Rasti i tillë është Sami Lushtaku.
Gjuha e tij është gjuhë e papranueshme. Sami Lushtaku i sheh gratë, jo vetëm gratë e LVV-së, pasi mënyra sesi Sami Lushtaku flet kundrejt grave të LVV-së tregon sesi i sheh ai edhe gratë e PDK-së. Për këtë gjuhë nuk do të duhej të kishte heshtje totale nga gratë e PDK-së. Nëse ai neve na sheh, pasi është e rëndë gjuha që ka përdorur ndaj grave dhe tepër fyese. Nëse ai i sheh gratë si objekte që mund t’i kontrollojë, që i lidh dhe zgjidh kurdo ai. Por, e ka gabim Sami Lushtaku nëse mendon se gratë e Vetëvendosjes ia kanë frikën”, përfundon ajo. /kp/
“Jo, Sami, jo. As frika, as presioni nuk funksionojnë te gratë e Lëvizjes. Ti flet me banalitet. PDK: çele guri gojën çele. Asnjë nuk guxon me kundërshtu dhe kjo e bën problemin politik, jo personal. Ne nuk i nënshtrohemi kësaj gjuhe. Nuk lejojmë që ofendimi ndaj grave të kthehet në praktikë politike. Por kjo mendësi po bie. E dini ju krejt se nuk ia dilni me neve”, shkruan ajo. /Telegrafi/
Ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar ndaj deklaratës së Avokatit të Popullit lidhur me moscertifikimin e Listës Serbe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Ajo e ka cilësuar këtë reagim si “çuditshëm dhe të padrejtë”.
“Avokati i Popullit duhet ta përfaqësojë më drejt emrin që mban. Kësaj radhe ky institucion paska reaguar për moscertifikimin e Listës Serbe. Reagim i çuditshëm përveçse i padrejtë,” ka thënë Haxhiu.
Haxhiu ka kritikuar faktin se si një subjekt si Lista Serbe, “që lufton rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, nuk e njeh Kosovën, e ka pasur nënkryetar kryekriminelin Radojçiq dhe nuk është distancuar nga akti terrorist në Banjskë,” mund të mbrohet me kaq lehtësi nga Avokati i Popullit. “Jo vetëm që nuk është distancuar, por ka mbajtur tre ditë zie për terroristët e vrarë aty,” ka theksuar ajo.
Ish-ministrja ka shtuar se Avokati i Popullit nuk ka shprehur shqetësim për vështirësitë që, sipas saj, po u shkaktohen votuesve të mërgatës.
“Avokati i Popullit nuk ka shfaqur asnjë shqetësim për tendencat e vazhdueshme dhe vendimet që po vështirësojnë votimin e mërgatës sonë,” ka deklaruar Haxhiu.
Sipas saj, vendimi i KQZ-së “nuk është kundër subjekteve serbe dhe as qytetarëve serb”, duke theksuar se “KQZ tashmë ka certifikuar disa subjekte serbe” dhe se arsyet për moscertifikimin e Listës Serbe “janë të njohura dhe të justifikuara”.
Mes tjerash, Haxhiu ka akuzuar Avokatin e Popullit për selektivitet.
“IAP nuk duhet të funksionojë me standarde të dyfishta. Ky lloj selektiviteti bie ndesh me parimet e transparencës dhe paanshmërisë që IAP duhet t’i mbrojë,” ka përfunduar ajo.
Ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka reaguar sot lidhur me zhvillimet në Këshillin Prokurorial të Kosovës, ku ditë më parë është shkarkuar nga pozita e ushtruesit të detyrës së kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi.
Haxhiu në një postim në Facebook shkruan se KPK prej kohësh është e kapur nga grupe interesi që nuk e kanë prioritet përmirësimin e sistemit prokurorial, por mbrojtjen e interesave të tyre dhe të individëve jashtë Këshillit.
Sot të gjithë po e shohin qartë atë për të cilën kemi paralajmëruar ndër vite. KPK prej kohësh është e kapur nga grupe interesi që nuk e kanë prioritet përmirësimin e sistemit prokurorial, por mbrojtjen e interesave të tyre dhe të individëve jashtë Këshillit.
Ky është një realitet i hidhur, por i pamohueshëm.
Reforma në KPK pritet të jetësohet në janar 2026, dhe ky është një hap i domosdoshëm për rikthimin e integritetit në institucion.
Që nga viti 2021, kur kemi nisur reformat në drejtësi, synimi ka qenë i qartë, heqja e kontrollit të një rrethi të ngushtë njerëzish, rritja e transparencës dhe llogaridhënies, eliminimi i ndikimit të grupeve të interesit që e kanë përdorur institucionin për interesa personale e grupore, forcimi i meritokracisë mbi lidhjet apo klanet, dhe krijimi i një institucioni që funksionon në shërbim të publikut, jo të individëve të privilegjuar.
Shumicës së anëtarëve aktualë të KPK-së kjo reformë u ka penguar që nga dita e parë. Ata kanë përdorur çdo mjet të mundshëm për ta bllokuar, por nuk ia dolën dhe nuk do t’ia dalin, sepse drejtësia dhe interesi publik nuk mund të ndalen nga grupe të izoluara interesi./Telegrafi/
Më 19 nëntor, Kuvendi i Kosovës nuk arriti të miratojë përbërjen e Qeverisë së re të propozuar nga Vetëvendosje dhe e udhëhequr nga Glauk Konjufca.
Nga 113 deputetë të pranishëm, vetëm 56 votuan për, 53 kundër dhe 4 abstenuan. Para kësaj, më 26 tetor kishte dështuar edhe përpjekja e parë e mandatarit Albin Kurti për të formuar Qeverinë.
Kjo situatë çoi në lëvizjen e Presidentes Vjosa Osmani, e cila më 20 nëntor shpërndau Kuvendin dhe shpalli zgjedhjet e jashtëzakonshme për datën 28 dhjetor, duke konstatuar se Kuvendi nuk kishte arritur të krijonte shumicë qeverisëse pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Në këtë kontekst, ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se Vetëvendosja nuk ka pasur asnjë mundësi reale për të krijuar koalicion, pasi disa prej partive politike e kishin bërë të qartë publikisht se nuk do të bashkëpunonin.
“S’kemi pas përpjekje për koalicion, po. Sepse ne i kemi dëgjuar deklaratat publike edhe të LDK-së edhe të Nismës. Edhe pas mandatimit të tij, menjëherë kanë dal në deklarata. Madje disa prej tyre kanë thënë se është shkelje kushtetuese, se kanë thënë duhen 61 nënshkrime, kanë thënë që vendi duhet të shkoj të zgjedhje menjëherë”, ka thënë Haxhiu.
Ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka folur rreth zgjedhjeve të jashtëzakonshme të shpallura nga Presidentja Vjosa Osmani për më 28 dhjetor.
Sipas saj, qytetarët duhet ta votojnë LVV-në, që ajo të ketë pavarësinë që të qeverisë pa shantazhe nga subjektet tjera politike.
“Unë besoj që tashmë qytetarët e kanë parë që nga muaji prill deri dje, se sa është e rëndësishme që LVV të mos varet prej subjekteve tjera politike të cilat kanë kërkesa në mospërputhje me fuqinë politike. Kanë fuqi politike aq sa qytetarët iu kanë dhënë në zgjedhje, por kërkesat i kanë shumë të mëdha", tha ajo në TV Dukagjini.
"Prandaj në mënyrë që LVV-ja të mos shantazhohet në të ardhmen nga asnjë subjekt politik, jo se ne duam të qeverisim vetëm, sepse e kemi dëshmuar edhe kemi qenë në koalicion më herët në koalicion me LDK-në edhe kemi pasur vullnet para seancës konstituive të 15 prillit që të takohemi me LDK për një koalicion të mundshëm".
"Mendoj që është e rëndësishme që të mos varemi nga këto subjekte politike, të cilat vetëm për shkak të inateve që kanë me LVV-në dhe me Albin Kurtin e lanë edhe vendin pa buxhet, edhe e lanë vendin pa marrëveshje ndërkombëtare, i lanë punëtorët RTK-së pa paga. Vetëm për shkak të kapriçove të tyre politike. Ata nuk udhëhiqen nga parimet…”, ka thënë Haxhiu.
Lëvizja Vetëvendosje ka dështuar për herë të dytë të formojë Qeverinë. Pas seancës, në të cilën i mandatuari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, nuk i mori votat e nevojshme për t`u bërë kryeministër, ka reaguar nënkryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.
Haxhiu publikoi një fotografi në Facebook, ku shiheshin deputetët e PDK-së duke votuar kundër formimit të Qeverisë.
Mirëpo Haxhiu e shoqëroi këtë fotografi me një mbishkrim “në harmoni të plotë”, duke aluduar tek deputetët e PDK-së dhe Listës Serbe, të cilëve u takojnë ulëset në Kuvend pikërisht mbrapa deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës.
E ky krahasim ka nxitur reagimet e deputetëve të PDK-së. Altin Krasniqi djali i ish-kryeparlamentarit, Jakup Krasniqi reagoi duke shkruar se ish-ministrja ka barazuar deputetët shqiptarë me ata serb me qëllim që t’i njollosë të gjithë.
“Në rreshtin tim, pranë meje është deputeti Fadil Demaku, të cilit gjatë luftës kundër ushtrisë serbe iu vranë vëllai dhe motra. Është Përparim Gruda, të cilit iu vra babai. Po ashtu janë deputetë që janë bashkëluftëtarë të Adem Jasharit. Ndër ta jam edhe unë, Altin Krasniqi, djali i Jakup Krasniqit, njeriut që gjithë jetën e tij është përndjekur nga regjimi fashist i Serbisë dhe që tash e pesë vite qëndron ballëlartë në bankën e të akuzuarve, pikërisht përballë akuzave të fabrikuara nga Serbia”, ka shkruar Krasniqi.
Ai ka shtuar se me bindje të plotë, them se veprimet e juaja publike e tinëzare janë shumëfish më të koordinuara me politikat fashiste të Serbisë sesa çfarëdo vote kundër kësaj qeverie.
Reagim pati edhe nga Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së dhe deputetja, Vlora Çitaku. Çitaku ka shkruar se për nevojat e “një narracioni të ultë politik” nënkryetarja e Kuvendit deri dje ministre e Drejtësisë, i tha mbesës së Adem Jasharit se është “në koordinim me Listën Serbe”.
“Jo vetëm Sala, por secila deputete dhe secili deputet i PDK-së ka më shumë atribut dhe kontribut për shtetin e Kosovës sesa kjo nënkryetare. Diku kemi gabuar, në fakt, që një profil i tillë ka arritur të mbajë pozita të larta shtetërore, kjo është e dukshme. Por uroj që sot të jetë fillimi i fundit të këtij mentaliteti. E turpshme, për besë”, ka shkruar Çitaku. /Telegrafi/
Kuvendi i Kosovës ka dështuar sërish të votoj formimin e Qeverisë në krye me Glauk Konjufcën. E pas përfundimit të seancës një përplasje verbale ka ndodhur në hollin e Kuvendit mes nënkryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu dhe deputetit të PDK-së, Uran Ismaili.
E gjithë kjo ndodhi për shkak se Ismaili bëri një krahasim politik duke thënë se Kurti dhe Konjufca janë të njëjtë.
Nënkryetarja Haxhiu iu drejtua Ismailit me tone të ashpra, duke e pyetur:
“A menojshe që Albini e Glauku, si ti me Saminë a? Ani kryetar komune, po çfarë kryetar komune, ti pash Zotin?” dëgjohet Haxhiu teksa i drejtohej Ismailit.
Ismaili dëgjohet teksa i përigjigjet duke i thënë se “ani shyqyr ju u bonët”.
Reagimi i Haxhiut po vazhdon të qarkullojë gjerësisht në platforma online. /Telegrafi/
Agjencia për Barazi Gjinore, në kuadër të Zyrës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës, ka shënuar 20-vjetorin e Agjendës për Barazi Gjinore me konferencën ndër–rajonale “30 vjet pas Pekinit”.
Në këtë ngjarje ka marr pjesë presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri në detyrë Albin Kurti, dhe nënkryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu.
Presidentja Vjosa Osmani u shpreh se barazia gjinore nuk është vetëm premtim apo fjalë në letër, por betim dhe veprim i përditshëm.
Ajo u bëri thirrje institucioneve dhe shoqërisë që të mbështesin vajzat dhe gratë, të thyejnë heshtjen dhe të jenë solidarë kundër padrejtësisë.
"Barazia gjinore asnjë herë nuk është fjalë në letër, nuk është premtim zgjedhor, barazia është një betim dhe veprim i përditshëm. Ne duhet të jemi zëri që thyen heshtjen duart që ngrisin njëra tjetrën, zemrat që nuk dorëzohen kurrë përball padrejtësisë.
Vetëm kështu mund të ecim përpara. Le të qëndrojmë të palëkundur në këtë mision, ku as një vajzë e grua nuk jeton nën hijen e frikës ku asnjë prej tyre nuk mbetet jashtë mundësive dhe ku çdo derë e jetës publike hapet pa dallim pa paragjykim pa asnjë barrierë. Le të ecim bashkë me besim, vendosmëri dhe me guxim sepse kjo është rruga drejt një shteti që i ngjanë idealeve tona të përbashkëta", tha Osmani, raporton KP.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti theksoi se Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë masa konkrete për të thyer ciklin e varfërisë tek gratë, duke bërë të ditur se mbi 12 mijë gra janë punësuar drejtpërdrejt përmes programeve të punësimit.
“Sot teksa shënojmë këtë përvjetor riafirmojmë angazhimin e Kosovës si aleat i palëkundur i të drejtave të grave dhe barazisë gjinore. Edhe pse shumë më e re si Republikë Kosova i ka përkthyer angazhimet e platformës së Pekinit në politika konkrete. Një nga shtyllat e kësaj platformë është eliminimi i varfërisë së grave.
Si qeveri kemi marr masa që e thyejnë këtë cikël, mbi 12 mijë gra të punësuara drejtpërdrejtë nga programet e punësimit. Barazia të jetë praktikë në çdo vend pune për çdo vajzë e grua. Çdo institucion secila ndërmarrje dhe çdo komunitet duhet të jetë aleat për barazinë gjinore për një shoqëri ku potenciali i grave shihet, mbështetet dhe vlerësohet", tha Kurti.
Ndërkaq, nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu tha se janë vendosur themelet e Programit kombëtar për trajtimin e kryerësve të dhunës ndaj grave, janë hartuar kurrikula profesionale, janë forcuar mekanizmat lokal dhe është hapur rruga e punësimit institucional për gratë e mbijetuara nga dhuna – për herë të parë në Ballkan.
“Këtë vit shënojmë dy momente që kanë shënuar politikën ndërkombëtare, Pra siç u përmend 30 vjetorin e deklaratës së veprimit të Pekinit dhe 25 vjetorin e rezolutës 1235 të KS të OKB për gratë paqen dhe sigurinë. Dy dokumente që nuk dhanë vetëm udhërrëfyes, por po ashtu hapën rrugë të reja duke i bërë shtetet përgjegjëse për veprimet të matshme dhe jo vetëm premtime të mira.
Deklarata e Pekinit ishte një pikë kthese historike një kontratë politike globale që detyroi botën të shihte realitetin me sy të hapur se pa gra të mbrojtura të arsimuara të përfaqësuara dhe të fuqizuara ekonomikisht shoqëritë thjesht nuk ecin përpara...”, tha ajo, gjersa tregoi për ligjet dhe strategjitë që janë miratuar.
Prokuroria Speciale e Kosovës të martën ka dorëzuar aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj katër personave nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare” dhe “Ndihma në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Të pandehurit Rozeta Hajdari, I.L. dhe H.G. akuzohen se gjatë muajve shkurt – mars 2022, kanë keqpërdorur detyrat zyrtare me qëllim përfitimi pasuror për persona të tjerë, duke shkaktuar dëm ndaj buxhetit të Republikës së Kosovës prej 2,912,134.78 euro.
Sipas aktakuzës, ata gjithashtu kanë zbuluar fshehtësinë zyrtare të vendndodhjes së rezervave shtetërore, duke ia vënë këtë informacion në dispozicion të pandehurit R.M.
R.M. akuzohet për ndihmë në kryerjen e këtyre veprave penale, duke ndërmjetësuar, negociuar dhe rekomanduar përzgjedhjen e operatorëve ekonomikë në emër të rezervave shtetërore.
Prokuroria thekson se ky proces është pjesë e hetimeve për veprime që kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme për buxhetin e shtetit dhe përbëjnë shkelje të ligjit për rezervat shtetërore të mallrave.
E lidhur me këtë ka shkruar në Facebook, ministrja në detyrë, Rozeta Hajdari.
Ajo përmes një postimi në Facebook bëri të ditur se është njoftuar nga avokati i saj për dorëzimin e aktakuzës në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
“Çdo gjë është pjesë e një procesi tepër të rëndësishëm për të gjithë ne. Sapo të kem pranuar dokumentin e plotë të aktakuzës do të deklarohem më gjerësisht për media”, ka shkruar Hajdari.
Ajo gjithashtu theksoi se ndihet krenare për punën e saj si ministre në sigurimin e rezervave shtetërore me produkte esenciale gjatë muajve shkurt dhe mars 2022, në kohën më të vështirë për vendin.
Pas lajmit për aktakuzë ndaj ministres në detyrë të Industrisë, Rozeta Hajdari ka reaguar ish ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Deputetja Haxhiu ka deklaruar se hetimet ndaj Hajdarit janë “të ndikuara”, ndërsa aktakuza, sipas saj, është “e motivuar politikisht dhe pa bazë reale”.
“Kjo aktakuzë është e motivuar politikisht, pa asnjë bazë reale dhe dukshëm e qëllimshme. Ministrja ka bërë gjithçka që ka qenë në dorën e saj për të mbrojtur interesin e vendit dhe për të siguruar që Kosova të ketë rezerva shtetërore, ndryshe nga qeveritë e kaluara që kishin lënë vendin pa rezerva. Është e qartë se ekziston një tendencë për të njollosur figurën e saj”, ka shkruar Haxhiu në një reagim publik, përcjell Telegrafi.
Po ashtu, reagime ka pasur edhe nga zyrtarë të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Sekretarja e përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku në një postim në rrjetin social Facebook ka theksuar se të gjitha vendimet janë marrë me aprovimin e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, përcjell Telegrafi.
“Në fakt, Rozeta, sikurse edhe të gjithë kolegët e saj në kabinetin Kurti 2, nuk ka bërë as edhe një hap pa dijeninë dhe aprovimin e A.K. Ka qenë e qartë për këdo që A.K. nuk ka pasur ministra me mandat të plotë e me autoritet vendimmarrës. Ka pasur ndihmës, zbatues të urdhrave të tij”, ka shkruar Çitaku.
Edhe deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka reaguar pas ngritjes së aktakuzës ndaj ministres në detyrë të Industrisë, Rozeta Hajdari, në lidhje me kontraktimin e rezervave shtetërore.
Përmes një postimi në Facebook, Bajrami ka thënë se është befasuar që kryeministri Albin Kurti nuk është përfshirë në aktakuzë, duke e akuzuar atë për lejimin e blerjeve dhe tenderëve sekret me vlera të larta.
“Albini ka marrë vendim me ba blerje sekrete të miellit e vajit. Albini ka leju me u nënshkru mbi 2,400 tenderë sekret, në vlerë prej 270 milionë euro. Albini ka leju ‘mafinë energjetike’ dhe rreth 800 milionë euro import të rrymës. Andaj edhe unë dhe gjithë ata që e duan këtë Republikë kemi probleme me Albin Kurtin! U befasova se si ai nuk qenka pjesë e aktakuzës!”, ka shkruar Bajrami. /Telegrafi/
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Albulena Haxhiu, ka reaguar pas ngritjes së aktakuzës ndaj ministres në detyrë të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, në lidhje me menaxhimin e rezervave shtetërore.
Haxhiu ka deklaruar se hetimet ndaj Hajdarit janë “të ndikuara”, ndërsa aktakuza, sipas saj, është “e motivuar politikisht dhe pa bazë reale”.
“Kjo aktakuzë është e motivuar politikisht, pa asnjë bazë reale dhe dukshëm e qëllimshme. Ministrja ka bërë gjithçka që ka qenë në dorën e saj për të mbrojtur interesin e vendit dhe për të siguruar që Kosova të ketë rezerva shtetërore, ndryshe nga qeveritë e kaluara që kishin lënë vendin pa rezerva. Është e qartë se ekziston një tendencë për të njollosur figurën e saj”, ka shkruar Haxhiu në një reagim publik, përcjell Telegrafi.
Aktakuza ndaj ministres Hajdari është ngritur nga Prokuroria Speciale e Kosovës, në lidhje me çështjen e furnizimit dhe menaxhimit të rezervave shtetërore, e cila tashmë është në procedurë gjyqësore. /Telegrafi/
Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e LVV-së, Albulena Haxhiu, ka bërë një reagim sa i përket rezultateve të raundit të dytë të zgjedhjeve në Mitrovicën jugore.
Ajo ka fajësuar PDK-në, duke thënë se po tentohet ta marrin rezultatin në tavolinë, transmeton Telegrafi.
"Vetë e ngritën vorbullën në Mitrovicë duke dashur të sulmojnë njëkohësisht edhe Mitrovicën edhe Albin Kurtin për t’i akuzuar më pas se Mitrovica nuk i vlerëson dhe se nuk është bërë asgjë për të. Por vorbulla u kthye në bumerang. Rezultati u dëshmua qartë dy herë, më 12 tetor dhe më 9 nëntor", thotë Haxhiu.
Tutje, ajo shkroi "Dhe kur dështimi është kaq flagrant, natyrshëm kombinimi i dështimit të PDK-së dhe disa hibridëve del sërish në skenë".
"Tani, meqë nuk arritën të fitojnë as në terren e as përmes studiove televizive, duan ta marrin rezultatin në tavolinë. Por Mitrovica ka folur qartë dhe pastër, aq shumë, sa asnjë insinuatë nuk mund t’u bëjë më punë".
Ndryshe, sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, Faton Peci ka marrë shumicën e votave në Mitrovicë. /Telegrafi
Albulena Haxhiu një prej zërave më të afërt të Albin Kurtit, konfirmon se mandati për krijimin e qeverisë i është dhënë Glauk Konjufcës, ndërsa ka hedhur akuza të forta ndaj opozitës për bllokimin e institucioneve dhe për urrejtje ndaj Vetëvendosjes e Kurtit personalisht. “Konjufca është person unifikues, i dytë më i votuari në vend, dhe propozimi ynë ka ardhur për të shmangur një krizë të re…
Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga LVV, Albulena Haxhiu ka komentuar sot situatën politike pas dështimit për formimin e Qeverisë së re. Ajo bëri krahasime me vitin 2020, kur sipas saj, të njëjtët aktorë politikë kishin rrëzuar Qeverinë Kurti 1.
“Fytyra të para, qeshje të njohura. Dita e sotme më kujtoi 25 marsin 2020. Atëherë të gjithë këta bashkë po na rrëzonin, sot pamundësuan ngritjen e Qeverisë së re. Asokohe rrëzonin Kurtin 1, sot pamundësuan Kurtin 3,” tha Haxhiu.
Ajo kritikoi “Klubin e Stërvjetëruar Politik” dhe Listën Serbe për pengimin e votimit të kryeministrit të zgjedhur më së shumti nga qytetarët.
“Në Kuvend, Klubi i Stërvjetëruar Politik pamundësoi votimin e njeriut që populli e ka votuar më së shumti në historinë e Kosovës. Lista Serbe, si gjithnjë, pranë tyre,” theksoi ajo.
Megjithatë, Haxhiu u shpreh optimiste për të ardhmen e Vetëvendosjes dhe theksoi se pengesat janë të përkohshme.
“Shpesh, të njëjtit kanë menduar se e kanë mposhtur përfundimisht VV-në e Albin Kurtin, por dihet ku jemi ne e ku janë ata. Do të kthehemi sërish, me popullin në krah dhe me parimet e pathyeshme,” tha deputetja.
Ajo shtoi se as presioni i grupeve të interesit, as manipulimet e mundshme nuk do të mund të ndalin partinë e saj.
“Ata që nuk marrin mbështetje nga populli, nuk mund të na shantazhojnë me numra. Më nuk ka terminale, ambasada apo tenderë në emër të votës. As populli i Kosovës, e as ne, nuk ua kemi borxh karrigen. Dhe për këtë, VV-në e Albin Kurtin nuk do ta thyeni asnjëherë,” deklaroi Haxhiu.
Deputetja gjithashtu theksoi misionin e Vetëvendosjes për një qeverisje të ndershme dhe transparente.
“Matematikat e tyre nuk do të mund ta mposhtin vullnetin tonë politik. Republika nuk do të punojë për grupet e interesit, por për qytetarët pa dallim. Beteja jonë për një Kosovë me dinjitet, pa krim e pa korrupsion, vazhdon. Edhe më fuqishëm,” përfundoi ajo. /Telegrafi/
Kuvendi i Kosovës është i konstituuar, tha nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e LVV-së, Albulena Haxhiu.
Ajo pasi u pyet nga KosovaPress në lidhje me ankesën e Listës Serbe në Gjykatën Kushtetuese për seancën konstituive, tha se LVV-ja po pret votimin e qeverisë së re, derisa kanë mbetur edhe gjashtë ditë kohë mandatarit Kurti për ta formuar ekzekutivin e ri.
Më i rezervuar për të komentuar u shfaq kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, i cili nuk ktheu përgjigjje për këtë çështje.
Kujtojmë se Kuvendi i Kosovës me datë 10 tetor zgjodhi nënkryetarin nga radhët e komunitetit serb.
Me 71 vota pro, Nenad Rashiq u emërua nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, pas nominimit të fundit pasi përfunduan kandidaturat e Listës Serbe. /Kp/
Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka reaguar ashpër ndaj marrëveshjes në rastin e grupit famëkeq “AlbKings”, duke e quajtur atë një shembull të qartë të drejtësisë patriarkale dhe të pandjeshme ndaj krimeve me bazë gjinore.
Haxhiu tha se kjo marrëveshje përbën një “legalizim institucional të mosndëshkimit të dhunuesve”, duke theksuar se Prokuroria, në vend se të mbrojë viktimat, ka zgjedhur kompromisin me dhunuesit dhe poshtërimin e tyre.
“Grupi famëkeq ‘AlbKings’ ishte një mekanizëm i organizuar i dhunës digjitale dhe seksuale, i cili për vite ka shkatërruar jetën e shumë vajzave e grave në Kosovë. Me qindra imazhe të publikuara pa pëlqim, përndjekje, kërcënime dhe shantazhe kanë lënë trauma të thella e pasoja të rënda për viktimat”, shkroi Haxhiu.
Ajo iu bashkua thirrjeve të organizatave të shoqërisë civile që kjo marrëveshje të refuzohet dhe që gjykatat të shqiptojnë dënime të rënda, në përputhje me ligjet në fuqi.
Oda e Përmbaruesve Privat të Kosovës ka reaguar ndaj një deklarate të dhënë nga ish ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, gjatë një interviste në emisionin “Debat Plus” në TV .
Sipas reagimit thuhet se Haxhiu ka thënë: “Unë vet si Ministre e Drejtësisë, dy përmbarues i kam shkarkuar për shkak se i kanë marr para më shumë Telekomit se sa kanë pasur për obligim, ndonëse edhe arbitrazhi edhe procedurat që janë zhvilluar me prokurori e gjykata kanë qenë në favor të këtyre oligarkëve....”
Ndërkaq, Oda e Përmbaruesve Privat thekson se kjo deklaratë është tërësisht e pavërtetë dhe tendencioze, ngase arsyet e shkarkimit të dy përmbaruesve nuk janë për lëndën e Telekomit, por për lëndë krejt tjera, përkatësisht për kreditor dhe debitor tjerë, ku për këtë janë vendimet e komisionit disiplinor për shkarkimin e tyre, e më pastaj është prurë vendimi nga Ministrja për lirimin nga detyra.
“Po ashtu e informojmë opinionin, se përmbaruesit inkasimin e shumës në emër të borxhit, nuk është e vërtetë se e kanë bërë më tepër, por në bazë të dokumentit përmbarues, si dhe në bazë të vendimeve të gjykatave, të cilat kanë vendosur sipas mjeteve juridike të cilat palët i kanë shfrytëzuar në procedurën përmbarimore. Sa i përket lëndës së Telekomit, është e vërtetë se ka pasur suspendime të përmbaruesve, mirëpo të njëjtit nga Komisioni Disiplinor kompetent janë shpallur jo përgjegjës, çka ka rezultuar se në të gjitha rastet e tilla, suspendimet kanë qenë të gabuara, ngase janë suspenduar nga një dispozitë ligjore, për të cilën mund të thuhet lirisht se është plotësisht arbitrare dhe se duhet të hiqet sa më parë, sepse mundëson ndërhyrjen e politikës në drejtësi dhe pamundëson trajtimin e mirëfilltë profesional të çështjeve disiplinore”, thuhet në reagim. /Telegrafi/
Nënkryetarja e Kuvendit dhe e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka folur lidhur me aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale ndaj dy ish-zyrtarëve të Komunës së Mitrovicës së Jugut.
Prokuroria ka ngritur aktakuzë ndaj Faruk Mujkës, ish-nënkryetar i Komunës së Mitrovicës së Jugut dhe aktualisht kryeshef ekzekutiv i Bordit të “Ibër-Lepencit”, si dhe ndaj Hysen Muzliukajt, ish-drejtor për Kadastër, Gjeodezi dhe Pronë në të njëjtën komunë, për korrupsion.
Haxhiu është pyetur pse në konferencën e mbajtur gjatë ditës kishte thënë se nuk kishte informacione për këtë rast.
“Jo, nuk jam marrë me këtë çështje. Ajo çfarë unë duhet të theksoj këtu pak a shumë është ajo që e kam thënë në konferencë,” deklaroi Haxhiu në Debat Plus.
Ajo është pyetur nëse e sheh këtë aktakuzë si të rëndësishme.
“Jo, jo, jo, s’jam marrë me të. Unë mendoj që Vetëvendosja do ta trajtojë këtë çështje në komisionin disiplinor të Vetëvendosjes. Nuk jam anëtare e komisionit disiplinor, nuk ndërhyj në pozicionin e komisionit… do ta trajtojë rastin. Unë nuk kam informacione për këtë dhe më vjen keq që nuk kam pasur mundësi të marr informacione.”
Kur u pyet nëse, sikur të ishte në komision, do të rekomandonte përjashtimin e menjëhershëm të Mujkës, Haxhiu tha: “ Në secilin rast që e kemi, derisa të marrim informacione, unë mendoj se duhet suspenduar. Do të thotë, duhet suspenduar. Në vazhdimësi e kam thënë këtë.”