Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Pavarësia e Shqipërisë festohet edhe në Kiev

30 November 2025 at 16:52

TIRANË, 30 nëntor/ATSH/ Festa Kombëtare e Pavarësisë së Shqipërisë u kremtua në zemër të Ukrainës, në një moment simbolik ku vlerat e lirisë dhe dinjitetit njerëzor marrin kuptim të veçantë.

Në kryeqytetin ukrainas u organizua një aktivitet për të nderuar 113-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, ku morën pjesë përfaqësues diplomatikë, miq të Shqipërisë dhe anëtarë të komunitetit shqiptar.

Ceremonia reflektoi jo vetëm respektin për historinë shqiptare, por edhe solidaritetin me popullin ukrainas, i cili sot po përballet me sfida të rënda për mbrojtjen e sovranitetit dhe lirisë së tij.

Gjatë aktivitetit u vu në dukje se festimi i Pavarësisë së Shqipërisë në Kiev përçon një mesazh të fortë shprese dhe qëndrese, duke theksuar miqësinë mes dy popujve dhe mbështetjen e vazhdueshme të Shqipërisë për Ukrainën në këto kohë të vështira.

Aktiviteti u shoqërua me elemente kulturore dhe simbolike shqiptare, duke sjellë në Ukrainë shpirtin e festës kombëtare. /j.p/

The post Pavarësia e Shqipërisë festohet edhe në Kiev appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Diaspora shqiptare në Turqi feston 28 Nëntorin në rrugët e Stambollit

29 November 2025 at 18:03


Shoqatat që përfaqësojnë diasporën shqiptare në Turqi kanë organizuar aktivitete festive për nder të 28 Nëntorit, duke marshuar në lagje e rrugë të ndryshme të Stambollit me festë.

Me flamurin kuqezi në duar dhe të shoqëruar nga këngë patriotike, dhjetëra pjesëtarë të komunitetit shqiptar kanë defiluar nëpër qytet për të shënuar Ditën e Flamurit dhe të Pavarësisë së Shqipërisë.

“E festuam me krenari 28 Nëntorin! Sot u mblodhëm sepse kjo ditë është simbol i rrënjëve tona, historisë sonë dhe lirisë sonë”, thuhet në njoftimin e shoqatave shqiptare në Turqi.

Organizatorët theksojnë se festa e 28 Nëntorit mbetet një moment i veçantë për komunitetin shqiptar në Stamboll, duke i bashkuar ata rreth identitetit, traditës dhe krenarisë kombëtare./Telegrafi/


Kryeqyteti kuq e zi, pamje nga festa e 28 Nëntorit

29 November 2025 at 11:22


Kryeqyteti i Kosovës mbrëmë është mbushur me qindra qytetarë që kanë festuar Ditën e Flamurit dhe 28 Nëntorin, një nga datat më të rëndësishme të historisë shqiptare.

Festimet përfshinë edhe përkujtimin e ditëlindjes së heroit legjendar Adem Jashari si dhe daljen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka publikuar pamje nga festa, transmeton Telegrafi.

"Kryeqyteti mbrëmë kuq e zi 🇦🇱 Festuam së bashku 28 Nëntorin festën e madhe të shqiptarëve, ditëlindjen e heroit legjendar Adem Jashari dhe daljen publike të UÇK-së! Nën tingujt e bendit Jericho festuan qytetarë nga e gjithë Kosova në sheshin Skënderbeu", ka shkruar Rama./Telegrafi/



Atmosferë festive në rrugët dhe sheshet kryesore të Tiranës për festat e Nëntorit

28 November 2025 at 22:38

TIRANË, 28 nëntor/ATSH/ Festimet për 113-vjetorin e Pavarësisë kanë vijuar deri në orët e vona të mbrëmjes së sotme në rrugët dhe sheshet kryesore të kryeqytetit.

Qindra qytetarë u janë bashkuar aktiviteteve festive për 28-29 Nëntorin të cilat nisën në orën 10:00, me ceremoninë e Nderimit të Flamurit dhe vijuan gjatë ditës me veprimtari kulturore dhe artistike.

Me flamuj në duar dhe simbolet kombëtare, qytetarët kanë ndjekur koncertet festive në disa nga pikat kryesore të Tiranës, përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” deri te sheshi “Skënderbej”.

Fotoreporter Andrin Hoxha

 

Nga festimet e Ditës së Flamurit dhe Nata e Bardhë në Tiranë
1 nga 30

/e.i/

The post Atmosferë festive në rrugët dhe sheshet kryesore të Tiranës për festat e Nëntorit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Begaj: Të çojmë në vend amanetin e të parëve tanë, bashkë drejt integrimit evropian

28 November 2025 at 21:59

TIRANË, 28 nëntor/ATSH/ Presidenti Bajram Begaj, përcolli sot urimin e tij për të gjithë shqiptarët në Shqipëri, Kosovë, në të gjitha trevat rajonale dhe në Diasporë, me rastin e 113-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

Në ceremoninë e pritjes për Ditën e Flamurit në Pallatin e Brigadave, ku të pranishëm ishin Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, Kryeministri Edi Rama me bashkëshorten e tij, Linda Rama, përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në vendin tonë, por edhe familjarë te firmëtarëve të aktit të shpalljes së Pavarësisë, Kreu i Shtetit u fokusua te mesazhet për bashkimin e forcave për integrimin evropian, qëndrueshmërinë dhe orientimin e qartë drejt integrimit evropian.

Begaj u bëri thirrje shqiptarëve të bashkëpunojnë për të përmbushur objektivin historik: anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Ai nënvizoi se vendi ka bërë hapa të rëndësishëm, duke hapur të gjithë grup-kapitujt e negociatave dhe se mbyllja e tyre deri në vitin 2027 është objektiv strategjik për shtetin.

Në fjalimin e tij, Kreu i Shtetit risolli në vëmendje miqësinë dhe partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke vlerësuar mbështetjen e tyre për kombin shqiptar.

Ai theksoi se Shqipëria sot është faktor i besueshëm stabiliteti në rajon dhe aleate e palëkundur e NATO-s.

Presidenti Begaj vuri në dukje rëndësinë e votimit të Diasporës, të realizuar për herë të parë këtë vit, duke e cilësuar si një hap historik që e bën shtetin më gjithëpërfshirës dhe demokracinë më të fortë.

Ai vlerësoi rolin e shqiptarëve kudo në botë si urë e fuqishme me botën dhe burim ekspertize, investimesh dhe diplomacie kulturore.

Gjatë fjalës së tij, Presidenti Begaj u ndal edhe te sfidat kombëtare, duke theksuar se pavarësia matet me standarde, me funksionimin e drejtësisë, cilësinë e shërbimeve publike, besimin e qytetarëve tek institucionet, mundësitë për të rinjtë dhe dinjitetin që shteti garanton për çdo qytetar.

Kreu i Shtetit rikujtoi se “pavarësia është detyrim, është thirrja për të qenë të përgjegjshëm, të bashkuar e vizionarë”, duke kërkuar më shumë dialog dhe kulturë politike që vendos interesin kombëtar mbi atë partiak.

Presidenti i Republikës u kërkoi shqiptarëve të jenë bashkë për të kapërcyer ndasitë që ngadalësojnë rrugëtimin evropian dhe të fokusohen te çështjet e mëdha që çojnë vendin përpara.

Në përmbyllje të fjalës, Kreu i Shtetit risolli amanetin e etërve të Pavarësisë për ruajtjen e identitetit, forcimin e shtetit dhe mbrojtjen e lirisë, ndërsa theksoi se detyra e sotme është ndërtimi i një Shqipërie moderne, të drejtë dhe evropiane.

Presidenti Begaj mbylli fjalimin me urimin tradicional në nder të Ditës së Flamurit, të flamurit kuq e zi dhe të Shqipërisë, duke thënë se “është koha të ngremë një dolli” për kombin dhe të ardhmen e tij.

Fjala e plotë e Presidentit Bajram Begaj:

Të nderuar bashkëkombës kudo ku ndodheni,
Të nderuar miq të Shqipërisë, të nderuar të ftuar!

Në historinë e kombeve, ka një ditë që përmbledh ëndrrat e shekujve.

Për ne shqiptarët, kjo ditë është 28 Nëntori, dita e identitetit, dinjitetit dhe unitetit tonë kombëtar. Përpara kësaj dite, ne përulemi me respekt e krenari.

Sot, si çdo vit, kjo ditë na bashkon rreth flamurit tonë, flamurit kuq e zi, simbol i historisë dhe sakrificës së shqiptarëve, flamurit që bashkon ëndrrat, aspiratat dhe amanetet e të parëve tanë. Ky flamur nuk njeh ndarje, as interesa të ngushta, as kufij mes nesh. Ai njeh vetëm bashkimin dhe përgjegjësinë tonë për ta çuar përpara shtetin që trashëguam nga të parët.

Kjo ditë është kujtesa e një kombi qëndrestar që, edhe në kohët më të vështira, nuk e humbi besimin te vetja dhe tek e ardhmja e tij. Ne kemi ditur të ecim përpara pa pushtuar, pa kërcënuar, pa dhunuar fqinjët e asnjë vend tjetër, duke u bazuar vetëm te sakrificat e betejat tona për vendin tonë, për Shqipërinë.

113 vjet më parë, Ismail Qemali dhe delegatët që u mblodhën në Vlorë i dhanë jetë shtetit të ri shqiptar. Në një botë që po ndryshonte me shpejtësi dhe plot rreziqe, ata patën guxim, largpamësi dhe ndjenjë të thellë përgjegjësie. Në atë ditë të vitit 1912 shqiptarët treguan se kishin një ideal të qartë për lirinë dhe dinjitetin kombëtar dhe, mbi të gjitha, vendosmërinë për ta ndjekur dhe për ta bërë atë realitet.
Sot, ne nderojmë dhe i jemi mirënjohës përjetë Ismail Qemalit, Atir themelues të shtetit tonë modern së bashku me etërit e pavarësisë për aktin e tyre dhe, mbi të gjitha, për amanetin që na lanë: një shtet që u shërben shqiptarëve.

Vit pas viti, dekadë pas dekade, shekull pas shekulli, 28 Nëntori dëshmon se shqiptarët, të bashkuar, diktojnë fatin e tyre dhe ndërtojnë vizione të reja për vendin.
Ky 28 Nëntor na gjen në një moment vendimtar për të ardhmen evropiane të Shqipërisë.

Sot, 113 vjet më vonë, ne jemi sërish pranë një objektivi tjetër historik: anëtarësimit të plotë në familjen evropiane. Kurrë më parë nuk kemi qenë kaq pranë. Jo rastësisht. Falë punës. Falë punës së shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit, falë sakrificave të brezave, falë arritjeve të shqiptarëve në çdo cep të botës dhe po ashtu falë vizionit të qartë Euroatlantik.
Familjes evropiane ne nuk i kërkojmë një vend, por duam të zëmë vendin që na takon.
Shqipëria ka hapur në harkun e një viti të gjithë grup-kapitujt e negociatave me Bashkimin Evropian. Ky është një hap historik.
Mbyllja e kapitujve deri në vitin 2027, me punë të përbashkët, standarde të larta dhe vendimmarrje të përgjegjshme, është objektivi ynë strategjik. Ky objektiv nuk është thjesht një proces teknik, është një mundësi e madhe për të transformuar veten, është thelbi i shtetit modern që duam. Anëtarësimi na kërkon institucione të forta, drejtësi të besueshme, ekonomi konkurruese dhe të qëndrueshme, arsim dhe shëndetësi cilësore dhe një administratë publike profesionale.

Anëtarësimi është një provim që ne duhet ta kalojmë vetëm së bashku si shtet dhe si shoqëri.

Këtë vit shënojmë edhe një moment tjetër historik.

Për herë të parë në historinë e shtetit shqiptar, qytetarët tanë në Diasporë patën mundësi të votonin nga vendet ku jetojnë. Ky ishte hap i rëndësishëm për forcimin e demokracisë sonë. Ai e bën kombin më të plotë, e bën shtetin më gjithëpërfshirës dhe klasën politike më të përgjegjshme.

Diaspora shqiptare, e shpërndarë në çdo kontinent, është një urë e fuqishme me botën, është zemra jonë që rreh larg, është një burim i jashtëzakonshëm ekspertize, investimi dhe diplomacie kulturore.
Detyra jonë si shtet është t’i dëgjojmë, t’i përfshijmë dhe t’u krijojmë hapësira reale pjesëmarrjeje.

Të dashur shqiptarë,

Pavarësia sot nuk matet vetëm me histori.
Pavarësia matet me standarde.
Pavarësia matet me cilësinë e shërbimeve publike.
Pavarësia matet me besimin e qytetarëve tek institucionet.
Pavarësia matet me drejtësi funksionale.
Pavarësia matet me mundësitë që u ofrohen të rinjve.
Pavarësia matet me dinjitetin që shteti garanton për çdo qytetar.
Pavarësia matet me dashurinë për vendin.
Këto janë sfidat që na bashkojnë, pavarësisht bindjeve politike.

Të nderuar bashkëkombës,

Koha e shpalljes së Pavarësisë, bota e Ismail Qemalit, e Isa Boletinit, ishte ajo e përcaktimit të kufijve. Bota e sotme po ndryshon me shpejtësi. Arkitektura e sigurisë globale po rifigurohet me shpejtësinë e evolucionit e teknologjive që ndryshojnë rrënjësisht marrëdhëniet tona me territorin, shtetin, komunitetin, madje dhe me njeri-tjetrin.
Në këto kohë transformimesh e transformuese, na duhet vendosmëri, koherencë dhe vizion për të qenë në krahun e duhur të historisë.

Viti 2025 na gjeti në një mjedis gjeopolitik dinamik.
Tirana mblodhi këtë vit liderët e 47 vendeve dhe organizatave evropiane, ku siguria evropiane dhe agresioni rus ndaj Ukrainës ishin në qendër të agjendës. Sfidat e sotme përmblidhen në moton e këtij samiti: “Evropa e re në një botë të re: unitet, bashkëpunim, veprim i përbashkët”.
Shqipëria ka fituar besueshmëri si vend që kontribuon në paqe, siguri, zhvillim dhe dialog si aleate e NATO-s dhe si aktor i përgjegjshëm në rajon. Shqipëria mbetet partnere fort e besueshme për aleatët tanë Euroatlantikë.

Ne jemi krenarë për miqësinë dhe partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe mirënjohës për mbështetjen që ata i kanë dhënë kombit shqiptar.

Ne jemi krenarë për rolin tonë në stabilitetin rajonal, sepse pa stabilitet nuk ka zhvillim dhe të ardhme evropiane.
Fatet tona u ndanë kundër dëshirës sonë. Sot, fati i Shqipërisë, i Kosovës dhe gjithë shqiptarëve në rajon është në duart tona. Fatet i kemi bashkuar drejt orientimit Euroatlantik, të drejtave të njeriut, mirëqenies dhe begatisë. Çdo arritje e Kosovës dhe komuniteteve shqiptare në rajon e kudo është krenari për ne.
Mbështetja për Kosovën, për konsolidimin e shtetit të saj, për njohje të reja, dialogun dhe integrimin e saj Euroatlantik, është përgjithmonë konstante dhe mbetet një nga përgjegjësitë tona kombëtare.

Sot, kudo ku jetojnë shqiptarët, është ditë feste. Festojnë në Shqipëri e në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut e në Mal të Zi, në Luginën e Preshevës dhe kudo në pesë kontinentet.
Është koha të jemi bashkë, të mbështesim zhvillimin e komuniteteve shqiptare dhe të punojmë që çdo shqiptar, brenda e jashtë kufijve, të ndihet pjesë e një kombi që ecën përpara.

Në këtë ditë të shenjtë për ne shqiptarët, le të kujtojmë se pavarësia është detyrim, është thirrja për të qenë të përgjegjshëm, të bashkuar e vizionarë.
Shqipëria ndërtohet më mirë dhe prosperon më shpejt me dialog, me debat konstruktiv për çështje të mëdha, jo duke humbur kohën me çështje dytësore, me institucione që punojnë, jo me institucione që bllokojnë njëri-tjetrin. Ne kemi nevojë për një kulturë politike që e vendos interesin kombëtar dhe të qytetarit mbi interesin partiak. Ne kemi nevojë të fokusohemi te prioritetet tona kombëtare që e çojnë vendin përpara. Vetëm të përbashkuar, me një qëllim të madh kombëtar, ne mund të shmangim ndasitë që vonojnë rrugëtimin e përbashkët.

Në këtë rrugëtim evropian: çdo reformë ka rëndësi, çdo institucion ka përgjegjësi, çdo qytetar ka rol.
Të nderuar bashkëkombës,
Në këtë ditë të shenjtë nuk duhet të harrojmë se pavarësia është dhe festë, festa e shoqërisë, e familjes, e të rriturve dhe të vegjëlve, e arritjeve të secilit prej nesh.
Uroj të festoni të përmbushur dhe të gëzuar, si qytetarë të një vendi ku vlerat njerëzore e komunitare mbizotërojnë dhe ku entuziazmi për arritjet në vijim është i vërtetë dhe emocionues!

Shqipëria ka ecur shumë, por ka ende për të bërë. Të punojmë së bashku! Unë besoj fort se me maturi, bashkëpunim dhe përgjegjësi të përbashkët, të ndërtojmë vendin që meritojmë e me të cilin krenohemi.

113 vjet më parë, të parët tanë na lanë një amanet të çmuar: të ruajmë identitetin, të forcojmë shtetin dhe të mbrojmë lirinë.
Detyra jonë sot është ta çojmë këtë amanet në një nivel tjetër: ta bëjmë Shqipërinë një vend të drejtë, të sigurt, modern dhe evropian. Për këtë, na duhet guximi i Vlorës së 1912-ës, urtësia e mençuria e Ismail Qemalit dhe vullneti i çdo shqiptari.

Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët!
Zoti i bekoftë miqtë e Shqipërisë!

Është koha të ngremë një dolli dhe, siç e do tradita shqiptare, e kemi me tre urime:
Urimi i parë: Për Ditën e Flamurit! Ta kemi/gëzojmë përjetë!
Urimi i dytë: Për flamurin kuq e zi, flamurin që na bashkon të gjithëve! Ta nderojmë përjetë!
Urimi i tretë: Për Kombin shqiptar. Lavdi përjetë.

/e.i/

The post Begaj: Të çojmë në vend amanetin e të parëve tanë, bashkë drejt integrimit evropian appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Mbrëmja kuqezi organizuar si asnjëherë më parë, prania e Osmanit e bëri festën më kuptimplotë

28 November 2025 at 22:35


Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka publikuar një fotoalbum nga ceremonia e zhvilluar mbrëmjen e sotme, më 28 nëntor, në Presidencë, me rastin e 113-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

Në një postim në rrjetet sociale, Rama tha se pjesëmarrja e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani këtë ceremoni e bëri kuptimplotë.

“Mbrëmja Tradicionale Kuqezi e Ditës së Pavarësisë, organizuar sonte bukur si asnjëherë nën kujdesin e Presidentit të Republikës, me praninë kuptimplotë të Presidentes së Kosovës”, shkroi Rama.

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj theksoi nevojën për një kulturë të re politike në vend, duke vënë në plan të parë interesin kombëtar mbi atë partiak.
“Ne kemi nevojë për një kulturë politike të re, që e vendos interesin kombëtar dhe të qytetarit mbi interesin partiak. Ne kemi nevojë të fokusohemi te prioritetet tona kombëtare, që e çojnë vendin përpara. Vetëm të përbashkuar në një qëllim të madh kombëtar ne mund të shmangim ndasitë që vonojnë rrugëtimin tonë të përbashkët.”, u shpreh ai.

Begaj theksoi rëndësinë e çdo institucioni dhe qytetari në procesin e reformave dhe integrimit europian, duke theksuar se kontributi i secilit është i pazëvendësueshëm.

“113 vjet më parë, të parët tanë na lanë një amanet të çmuar: të ruajmë identitetin, të forcojmë shtetin dhe të mbrojmë lirinë. Detyra jonë sot është ta çojmë këtë amanet në një nivel tjetër, ta bëjmë Shqipërinë të drejtë, të sigurt, moderne dhe europiane. Për këtë na duhet guximi i Vlorës 1912, urtësia e Ismail Qemalit dhe vullneti i shqiptarit”, tha Begaj.



Festa e Flamurit, spektakël dronësh në qiellin e Vlorës

28 November 2025 at 21:33


Spektakël dronësh ka pasur mbrëmjen e sotme në qiellin e qytetit të Vlorës.

Teksa organizimet për shpalljen e pavarësisë vijojnë, qindra banorë të Vlorës, por dhe qytetarë të ardhur nga trevat e vendit kane ndjekur performancën e dronëve.

Në pamje duket Shqiponja dykrenare me rastin e 113 vjetorit të shpalljes së pavarësisë.

Nga ana tjetër, koncerti festiv po vijon për qytetaret e Vlorës./Top Channel

- YouTube youtu.be


Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut festojnë 28 Nëntorin

28 November 2025 at 21:22


Edhe shqiptarët në Maqedoninë e Veriut shënuan festën e 28 nëntorit, ditën e Flamurit Shqiptar.

Me rastin e kësaj feste, disa qytetarë me kuaj, të veshur me tesha kombëtare dhe në duar mbanin flamuj kombëtar, defiluan rrugëve të Tetovës.

Për nder të kësaj date të rëndësishme për kombin shqiptar, aktivitete festive u zhvilluan në shkollat fillore dhe të mesme të Tetovës.

"Në vigjilje të festës së Flamurit, ditës së Pavarësisë së Shqipërisë ne si komunë e Tetovës ,si çdo vit po përkrahim të gjitha aktivitetet që po mbahen thuajse në çdo shkollë fillore dhe të mesme të Komunës së Tetovës", ka thënë Albi Qamili, zëvendëskryetar i Komunës së Tetovës.

28 nëntori në atmosferë festive u shënua edhe në shkollën "Ismail Qemali" në Shkup.

Kësaj ceremonie iu bashkua edhe kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti.

“Kjo ceremoni merr një rëndësi të veçantë sepse zhvillohet në një shkollë që mban emrin e udhëheqësit të pavarësisë Ismail Qemali emri i tij është i lidhur në ditën e sotme po aq sa flamuri që valëvitet me krenari sepse ishte ai që i dha kombit drejtim, vizion, dhe qartësi në momentet më vendimtare të historisë sonë", tha ai.

Për Festën e Flamurit, urimet e tyre për të gjithë shqiptarët, kanë përcjellë të gjithë liderët politikë shqiptarë në Maqedoninë e Veriut.

Elia uron 28 Nëntorin me fotografinë e veçantë të Princeshës Geraldinë: Atdheu janë sytë e çiltër të fëmijëve që na bëjnë njerëz më të mirë

By: M C
28 November 2025 at 19:10

Aktorja Elia Zaharia ka zgjedhur një fotografi të veçantë të së bijës, Princeshës Geraldinë, për të uruar 28 Nëntorin. Në këtë ditë të shënuar të Flamurit kombëtar, ajo i dedikon disa rreshta Atdheut dhe uron çdo shqiptar.

Princeshë Geraldina shfaqet e veshur me ngjyrat kombëtare dhe në dorë mban një flamur kuqezi. Nuk dihet nëse fotografia është e sotme apo është shkrepur më herët, pasi pas ndarjes së çiftit mbretëror, nga postimet në rrjetet sociale duket se Geraldina kalon më shumë kohë me të atin.

“Atdheu është dashuri pa kushte, është thirrja më e fuqishme që buron nga shekujt, që na mbush me frymëzim dhe krenari, që na pulson bashkë me gjakun në damarë! Atdheu është frymë, është familje, është histori e gjallë! Atdheu janë sytë e gjyshërve tanë, dashuria dhe sakrificat e tyre, madhështia brenda thjeshtësisë së tyre!

Atdheu janë sytë e çiltër të fëmijëve, buzëqeshja e tyre që na bën njerëz më të mirë e më të ndërgjegjshëm! Atdheu është natyra e bekuar nga Zoti, lulet e brishta të fushave dhe malet e lartë e të mbushur me legjenda. Atdheu ynë është dhimbje, një dhimbje e ëmbël dashurie, nga ato dashuri që nuk harrohen sado larg të shkosh nëpër botë, sado gjuhë të huaja të flasësh!

Atdheu ynë, gjuha jonë më e bukura në botë, që na bën të ndjejmë si vëlla e motër këdo që na sjell tingujt e saj kur jetojmë larg! Atdheu ynë, Gëzuar 28 Nëntorin, ditën kur Flamuri i gjakut dhe shqiponjës u valëvit i lirë në çdo zemër shqiptare! Zoti e bekoftë vendin tonë”, shkruan Elia Zaharia.

The post Elia uron 28 Nëntorin me fotografinë e veçantë të Princeshës Geraldinë: Atdheu janë sytë e çiltër të fëmijëve që na bëjnë njerëz më të mirë appeared first on Albeu.com.

Spiropali i përgjigjet urimit të Misionit të BE: Përkushtimi i Shqipërisë ndaj integrimit europian i palëkundur

28 November 2025 at 18:22

TIRANË, 28 nëntor/ATSH/ Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali i është përgjigjur sot urimit të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Pavarësisë.

Në një postim në rrjetin social X, Spiropali falënderon misionin e BE-së për urimet e ngrohta.

“Përkushtimi i Shqipërisë ndaj integrimit në BE është i palëkundur; ai është dhe do të mbetet prioriteti ynë kombëtar më i rëndësishëm deri në momentin kur të zëmë vendin tonë të merituar në familjen evropiane”, tha Spiropali.

Ministrja Spiropali nënvizoi se “viti 2025 ka qenë një vit i jashtëzakonshëm, i shënuar nga progres i fortë dhe domethënës në marrëdhëniet tona, që vijojnë të thellohen gjithnjë e më shumë”.

“Asnjëherë më parë bashkëpunimi ynë nuk ka avancuar me kaq ritëm, koherencë dhe përkushtim të përbashkët, në Shqipëri, në Bruksel dhe në mbarë Evropën. Kjo pasqyron bindjen e thellë se vendi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian është një investim i përbashkët strategjik në stabilitetin, paqen dhe kohezionin e kontinentit tonë”, tha Spiropali.

“Ne jemi thellësisht mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme, udhëheqjen dhe përpjekjet e përbashkëta të Komisionit Evropian, përfshirë Delegacionin e BE-së në Shqipëri, ndërsa hedhim hapat e radhës drejt së ardhmes sonë evropiane”, vijoi Spiropali.

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë, uroi sot shqiptarët me rastin e 113-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, një nga datat më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare.

“Gëzuar 28 Nëntorin, Shqipëri! Gëzuar Ditën e Pavarësisë! Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri ju uron festa të gëzuara”, shkruhet në postimin në rrjetet sociale të Delegacionit të BE në vendin tonë.

/e.i/r.e/

The post Spiropali i përgjigjet urimit të Misionit të BE: Përkushtimi i Shqipërisë ndaj integrimit europian i palëkundur appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Elbasani nderon Aqif Pashën, një nga firmëtarët e Pavarësisë

28 November 2025 at 18:18

TIRANË, 28 nëntor/ATSH/ Në kuadër të 113-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 Nëntor, në qytetin e Elbasanit u zhvillua një ceremoni përkujtimore në nder të firmëtarit të Aktit të Pavarësisë, Aqif Pashë Elbasani.

Deputetët e Elbasanit Adi Qose, Aulona Bylykbashi, Sara Mile, Evis Kushi, prefekti i Qarkut Ilir Bejtja, drejtuesi politik i qarkut Arbjan Mazniku, kryetari i bashkisë Gledian Llatja, përfaqësues të pushtetit vendor, qytetarë dhe nxënës të shkollave, vendosën kurora me lule dhe zhvilluan homazhe pranë bustit të Aqif Pashë Elbasanit.

Në fjalën e tij, kreu i bashkisë Gledian Llatja përcolli urimet për Festën e Flamurit dhe Pavarësisë, duke theksuar rolin historik të Elbasanit si një nga djepet e Pavarësisë dhe kontributin e jashtëzakonshëm të Aqif Pashë Elbasanit dhe patriotëve të tjerë elbasanas në themelimin e shtetit shqiptar. Ai nënvizoi se respekti për figurat e historisë është detyrim qytetar dhe institucional, si dhe një mesazh edukues për brezat e rinj.

Edhe drejtuesi politik i qarkut, Arbjan Mazniku, në përshëndetjen e tij, vuri theksin te mirënjohja ndaj firmëtarëve të Pavarësisë dhe uroi qytetarët për 28 Nëntorin, duke theksuar rëndësinë e unitetit dhe vazhdimit të projekteve zhvillimore në Elbasan dhe në mbarë qarkun.

Ceremonia u zhvillua në një atmosferë solemne, ku u bashkuan institucione, përfaqësues politikë dhe qytetarë, duke e kthyer homazhin në një akt simbolik nderimi për historinë, identitetin kombëtar dhe rolin e Elbasanit në Pavarësinë e Shqipërisë.

/e.i/r.e/

The post Elbasani nderon Aqif Pashën, një nga firmëtarët e Pavarësisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama ndan urimin e veçantë nga stafi i maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”

28 November 2025 at 18:10

TIRANË, 28 nëntor/ATSH/ Në Spitalin Universitar Obstetrik Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë”, festa e Pavarësisë ka “trokitur” në një mënyrë shumë origjinale dhe të veçantë.

Në formën e një urimi për festat e Nëntorit, SUOGJ “Mbretëresha Geraldinë”, me një video të realizuar me simbolet kombëtare në ambientet e këtij spitali, duke përcjellë mesazhin e rëndësishëm se “aty lind jeta”.

Kryeministri Edi Rama, ndau në rrjetet sociale këtë video, duke e etiketuar si një urim të veçantë nga Materniteti “Mbretëresha Geraldinë”.

Në festat e 28 dhe 29 Nëntorit, SUOGJ “Mbretëresha Geraldinë”, feston jo vetëm historinë, por edhe nisjen e çdo jete të re, që vjen në këtë botë me shpresë e dritë.

“Çdo foshnje që lind është shpresë, bekim dhe vazhdimësi për popullin dhe Kombin. Bekim për çdo jetë që lind”, thuhet në postimin e SUOGJ “Mbretëresha Geraldinë”.

/e.i/

The post Rama ndan urimin e veçantë nga stafi i maternitetit “Mbretëresha Geraldinë” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kuq e zi në çdo kufi, festë me flamuj e veshje kombëtare nga Morina në Kakavijë - Rama ndan pamjet

28 November 2025 at 17:56


Nga Morina në Kakavijë, shqiptarët i kthyen pikat doganore në ‘arenë’ festë, me valle e këngë.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka ndarë në rrjetet sociale pamjet e festës, ku shihen qytetarët me flamuj në duar e veshje kombëtare.

“8 Nëntor 2025. Atmosferë kuqezi në çdo hyrje të Shqipërisë. Nga Morina në Kakavijë, të gjitha pikat doganore u kthyen në skenë të gëzimit dhe energjisë së bukur shqiptare”, shkruan Rama.



Ndryshe, festimet e Ditës së Pavarësisë përfshinë të gjithë vendin si dhe diasporën shqiptare.

Në Shkodër, mbi 200 të ftuar u mblodhën në “Sofrën e Pavarësisë”, me pjesëmarrjen e Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani dhe ministres Elisa Spiropali.

Mbrëmja solli atmosferë festive, me spektakël dronësh dhe mesazhin: “Mirë se keni ardhur me bukë, kripë e zemër”.

Flamuri kombëtar u ngrit nga Forcat e Armatosura dhe u vendosën kurora pranë monumenteve historike.

“Ashtu si Shkodra u ngrit nga kultura, Kosova u ngrit nga sakrifica ndaj sot ecim bashkë krah për krah drejt një të ardhme më të mirë dhe shpresë plotë” – u shpreh Vjosa Osmani.

“28 Nëntori i Gjergjit tonë të madh, dita e Pavarësisë dhe e Flamurit tonë të shenjtë si dhe një përkim fatlum edhe ditëlindja e Adem Jasharit duhet të jenë jo vetëm një ditë feste por dhe një ditë e fuqishme reflektimi për gjithçka që mund të bëjmë edhe më shumë” – u shpreh Elisa Spiropali.

Në Kukës, ceremonitë u zhvilluan para bashkisë me pjesëmarrjen e veteranëve të LANÇ-it. Në Lezhë, pranë obeliskut të “Besëlidhjes”, kryebashkiaku Pjerin Ndreu dhe prefekti Taulant Malshi vlerësuan sakrificën e të parëve dhe përkushtimin e vazhdueshëm.

Fieri kremtoi me homazhe dhe koncertin patriotik “Bashkë për ty Atdhe” me orkestrën simfonike dhe tenorin Josif Gjipali. Elbasani zhvilloi ceremoninë pranë bustit të firmëtarit Aqif Pasha, me ngritje flamuri, homazhe dhe pjesëmarrje nga të rinjtë dhe autoritetet.

Gjirokastra kujtoi ditën me homazhe në Kodrën e Rilindasve, duke vendosur kurora mbi eshtrat e patriotëve lokalë. Në Korçë, autoritetet dhe qytetarët kryen homazhe pranë bustit të Luftëtarit Kombëtar dhe vendosën kurora me lule.

Festimet u shtrinë edhe në diasporë, pamjet i takojnë festimeve në Detroit ku mbi 150,000 shqiptarë kremtuan Ditën e Flamurit me dinjitet, duke ruajtur lidhjen me atdheun dhe krenarinë kombëtare.

Festat e Nëntorit kremtohen edhe në Preshevë, Bujanoc, Medvegjë dhe Sanxhak

28 November 2025 at 21:55

TIRANË, 28 nëntor/ATSH/ 113-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë dhe festat e Nëntorit, po kremtohen edhe në Preshevë, Bujanoc, Medvegjë dhe Sanxhak.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja tha se për herë të parë, me mbështetjen e Qeverisë Shqiptare dhe Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Festat e Nëntorit po kremtohen më bukur se kurrë në Preshevë, Bujanoc, Medvegjë dhe Sanxhak.

Gonxhja u shpreh se “aktivitete kulturore e artistike, shfaqje teatrale, ekspozita, koncerte dhe panaire artizanësh po sjellin frymën e festave në mbarë Luginën”.

“Festojmë së bashku, kudo që ndodhemi”, shkruan Gonxhja në postim në rrjetet sociale.

Atmosfera festive është shtrirë edhe mes shqiptarëve në Luginën e Preshevës duke përkujtuar sot një ditë të veçantë për shqiptarët, kudo ku ata ndodhen.

/e.i/r.e/

The post Festat e Nëntorit kremtohen edhe në Preshevë, Bujanoc, Medvegjë dhe Sanxhak appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

28 Nëntori, atmosferë kuqezi në të gjitha pikat doganore në vend

28 November 2025 at 15:51

TIRANË, 28 nëntor/ATSH/ Atmosfera festive e 113-vjetorit të Pavarësisë është përcjellë sot në çdo pikë doganore të vendit tonë.

Nën ritmet e muzikës tradicionale shqiptare, me veshje popullore dhe flamuj në duar, grupet artistike kanë dhuruar shfaqje me këngë e valle, të cilave u janë bashkuar edhe qytetarë që kaluan në tokën shqiptare përmes pikave doganore.

Kryeministri Edi Rama, ndau në rrjete sociale një video me rastin e 28 Nëntorit 2025, ndërsa duket atmosfera kuqezi në çdo pikë hyrjeje të Shqipërisë.

“Nga Morina në Kakavijë, të gjitha pikat doganore u kthyen në skenë të gëzimit dhe energjisë së bukur shqiptare”, shkruan Rama.

Grupet artistike u kanë shpërndarë flamuj udhëtarëve që kanë kaluar sot në pikat doganore në vend, ndërsa të rinjtë dhe grup-moshat e tjera u janë bashkuar valleve në sheshet e pikave doganore.

Kjo atmosferë festive kuqezi është përcjellë në çdo pikë hyrje për në Shqipëri.

/e.i/r.e/

The post 28 Nëntori, atmosferë kuqezi në të gjitha pikat doganore në vend appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mattarella, Steinmeier dhe Erdogan urojnë shqiptarët për festën e Pavarësisë

28 November 2025 at 15:16

TIRANË, 28 nëntor/ATSH/ Presidenti i Republikës, Bajram Begaj ka marrë këto ditë telegrame e letra urimi nga e gjithë bota për 28 Nëntorin, Ditën e Flamurit.

Udhëheqës të shteteve rajonale, evropiane dhe botërore kanë përcjellë përmes Presidentit Begaj urimet e tyre për këtë ditë të madhe të shqiptarëve.

Në telegramin e Kreut të Shtetit italian, Sergio Mattarella, shprehen urimet më të mira për Presidentin Begaj dhe për të gjithë popullin shqiptar.

Presidenti italian nënvizon me kënaqësi të veçantë miqësinë vëllazërore gjithnjë e më të madhe dhe gjithnjë e më të begatë mes dy vendeve. Ai thekson se kjo miqësi është spontane falë afërsisë gjeografike dhe është përforcuar nga rrënjë të përbashkëta historike, si dhe nga një partneritet politik dinamik bashkëpunimi në kuadër të Aleancës së Atlantikut dhe marrëdhënieve të frytshme ekonomike e kulturore. Po ashtu, vlerësohet në mënyrë të veçantë kontributi i komuniteteve shqiptare në Itali dhe i komunitetit italian në Shqipëri, si ura të gjalla miqësie mes dy popujve.

Në mesazhin e tij, Presidenti italian përgëzon, gjithashtu, përparimin domethënës që ka bërë Tirana gjatë këtij viti në rrugëtimin e saj drejt integrimit evropian. Italia riafirmon mbështetjen e saj të plotë dhe të qëndrueshme për Shqipërinë, duke inkurajuar aspiratën legjitime të saj për t’u bërë pjesë e BE-së.

Edhe presidenti i Republikës Federale të Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, në telegramin e tij të urimit rikonfirmon mbështetjen për anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në BE, ndërsa e cilëson vendin tonë një partner të ngushtë dhe të besueshëm për Gjermaninë.

“Ne e vlerësojmë angazhimin ndërkombëtar të vendit tuaj, në veçanti punën e tij aktive në Këshillin e të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara dhe përfshirjen e tij në Procesin e Berlinit për bashkëpunim rajonal në Ballkanin Perëndimor. Duke pritur Samitin e Komunitetit Politik Evropian dhe Konferencën e Mbrojtjes Kibernetike të NATO-s në Tiranë, Shqipëria ka marrë një përgjegjësi të veçantë.

Vendi juaj ka bërë përparim të jashtëzakonshëm vitet e fundit në rrugën drejt anëtarësimit në BE. Jam i bindur se proceset e nevojshme të reformave do të vazhdojnë të ndiqen vazhdimisht”, shkruan Frank-Walter Steinmeier, i cili garanton se Gjermania do të vazhdojë ta mbështesë Shqipërinë me të gjitha aftësitë e saj në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan, në mesazhin e urimit dërguar Presidentit të Republikës thekson se “marrëdhëniet e thella me partnerin tonë strategjik, Shqipërinë, si në nivel dypalësh, ashtu edhe në atë rajonal, po zhvillohen çdo ditë”. Erdogan shpreh besimin se ky bashkëpunim i palëkundur, i forcuar nga urat e dashurisë midis popujve tanë, do të bëhet edhe më i fortë, i qëndrueshëm dhe shumëdimensional në periudhën e ardhshme. “Besoj me gjithë zemër se bashkëpunimi midis Turqisë dhe Shqipërisë do të vazhdojë të kontribuojë në paqen, stabilitetin dhe zhvillimin në Ballkan”, shkruan Erdogan.

Presidenti i Kroacisë në urimet e tij thekson bisedën që ka zhvilluar me Presidentin Begaj përgjatë Samitit të Brdo-Brijuni-t të mbajtur në Tiranë. “Jam i kënaqur që shkëmbyem mendime mbi përparimin e mëtejshëm të Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Evropës Juglindore në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian, forcimin e stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal, si dhe sfidat aktuale globale që ndikojnë në sigurinë dhe zhvillimin e rajonit. Besoj se së bashku mund të kontribuojmë në arritjen e këtyre qëllimeve të rëndësishme”, shkruan Presidenti kroat Zoran Milanović.

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj ka marrë gjithashtu telegrame urimi nga Kina, Arabia Saudite, Japonia, Estonia, Azerbajxhani, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe të tjera telegrame vijojnë të mbërrijnë në zyrën e Kreut të Shtetit.

/e.i/r.e/

The post Mattarella, Steinmeier dhe Erdogan urojnë shqiptarët për festën e Pavarësisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama përkujton ditëlindjen e Adem Jasharit

28 November 2025 at 14:16

TIRANË, 28 nëntor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama përkujtoi sot komandatin legjendar të UÇK-së, Adem Jashari në përvjetorin e tij të lindjes, që përkon me Pavarësinë e Shqipërisë më 28 Nëntor.

Në 70-vjetorin e lindjes së tij, Kryeministri Rama u shpreh në një postim në rrjetet sociale se “Jashari lindi në Ditën e Flamurit dhe u bë vetë flamur i sakrificës, lirisë dhe krenarisë kombëtare”.

Adem Jashari lindi më 28 nëntor 1955 në fshatin Prekaz të Poshtëm të Drenicës (Kosovë) dhe ra dëshmor më 7 mars 1998 në të njëjtin fshat, gjatë sulmit në Prekaz. Ai ishte kryekomandanti dhe themeluesi kryesor i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së). Pas luftës, ai u shpall Hero i Kosovës.

Adem Jashari dhe sakrifica e tij heroike u bënë simboli i pavarësisë për shqiptarët e Kosovës dhe për shqiptarët kudo që janë.

/e.i/r.e/

The post Rama përkujton ditëlindjen e Adem Jasharit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

NATO uron Shqipërinë për Ditën e Pavarësisë: Jeni aleati ynë

28 November 2025 at 14:17


NATO ka uruar sot Shqipërinë me rastin e Ditës së Pavarësisë, duke e cilësuar vendin tonë një aleat të rëndësishëm brenda Aleancës.

Në mesazhin e urimit, NATO thotë se Shqipëria është një aleat, duke ftuar të gjithë që ti bashkohen festës, shkruan ATSH.

Postimi është shoqëruar me një imazh ku paraqitet një pjesëtar i FA-ve i pajisur me mjete moderne, duke mbajtur në uniformë flamurin kombëtar shqiptar.

Sot shqiptarët, brenda dhe jashtë vendit, festojnë 113-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

Më 28 Nëntor 1912, Kuvendi Kombëtar i Vlorës, i udhëhequr nga Ismail Qemali, shpalli Pavarësinë, një akt historik që vulosi aspiratat shekullore për liri dhe shtet të pavarur.

Nga ngritja e flamurit të Skënderbeut në Krujë më 28 nëntor 1443, te nënshkrimi i Aktit të Pavarësisë më 1912, kjo datë simbolizon qëndresën, unitetin dhe identitetin kombëtar.

Shqiptarët drejt Greqisë për ditën e Pavarësisë, radhë e gjatë në Kapshticë

28 November 2025 at 13:07


Shqiptarë të shumta kanë vendosur të festojnë ditën e shpalljes së Pavarësisë në Greqi. Shumë shqiptarë janë nisur drejt Greqisë ndërsa raportohet për radhë të gjata në Kapshticë. Radhët shkojnë deri në 1 km dhe drejtuesit e mjeteve kanë pritur deri në 90 minuta për të kaluar në anën tjetër të kufirit.

Për autoritetet tona një fluks i tillë ka qenë i paparashikueshëm, por duket se shqiptarët kanë zgjedhur Greqinë për të kaluar këtë fundjavë.

Policia jonë kufitare po punon me procedurë të përshpejtuar krahas shtimit të sporteleve.

Të njëjtët burime thanë se edhe pala greke ka shtuar numrin e sporteleve me qëllim përpunimin në kohën e duhur të dokumenteve për shqiptarët që vijnë nga Shqipëria në drejtim të vendit të tyre.


Forca të policisë kufitare janë në monitorim të kësaj situate të krijuar si dhe po kontrollojnë lëvizjen e mjeteve për të mos lejuar anomali nga drejtues të mjeteve që kërkojnë të kalojnë pa respektuar të tjerët që qëndrojnë në radhë.

Ndonëse radhë është e gjatë, është menduar për ta duke u sjellë atmosferën e festës në doganë. Një grup të rinjsh të veshur me rroba popullore kanë ndezur atmosferën teksa vallëzojnë. Pas lodhjes së pritjes nga radhe e gjatë, udhëtarët që hyjnë drejt Shqipërisë përballen me festë./euronewsalbania/

Rrugëtimi i Isa Boletinit drejt Vlorës – stërnipi i tij rrëfen vështirësitë e heroit kombëtar

28 November 2025 at 12:28

PRISHTINË, 28 nëntor/ATSH/ Në 28 Nëntor, Kulla e Isa Boletinit në Boletin zgjohet më herët se zakonisht. Flamujt valëviten mbi portën e gurit, ndërsa vizitorët nisen të mbërrijnë një nga një, për të nderuar njeriun që lidhet ngushtë me fjalinë e tij: “Unë jam mirë, kur është mirë Shqipëria.”

Brenda, drita që hyn nga dritaret e ngushta bie mbi fotografitë e zeza e të bardha. Në murin e djathtë qëndron portreti i Isa Boletinit, me vështrimin që të përshkon heshtur. Ciceroni u rrëfen nxënësve për përpjekjet e tij, ndërsa fjalët gërshetohen me dridhjen e zërit që zakonisht i mungon ligjërimit të përditshëm. Kjo ditë, duket qartë, e bën secilin më të kujdesshëm, më të butë, më të vetëdijshëm për atë çfarë po prek.

Gazmend Boletini, stërnipi i Isa Boletinit, teksa ecën mes mureve të gurta të kompleksit, kujton rrënjët e familjes së tij.

“Në fakt, Boletini është shumë i lashtë, i vjetër. Realisht, familjarët e mi, pasardhësit e mi, kanë ardhur nga fshati Isniq, është komuna e Deçanit. Me shumë arsye kanë ardhur këtu në Boletin. Për herë, si familje e madhe që kemi qenë dhe nuk kemi pranuar asnjë veprim kundër kombit tonë, dhe kanë ardhur këtu. Kur kanë ardhur këtu ka qenë vend i pabanuar, por ka qenë jashtëzakonisht i pasur, për arsye se përballë Boletinit gjendet edhe Majdani, pra gurëpunishtja e familjes ku 5 gjeneratat kanë punuar me këtë gur“, ka thënë ai për KosovaPress.

Ai tregon se familja Boletini ka pasur një zhvillim të madh ndër breza, por ishte lindja e Isa Boletinit ajo që shënoi një kthesë të rëndësishme në historinë kombëtare.

“Jeta e familjarëve, jeta e familjes Boletini ka qenë me zhvillim të madh, mirëpo me lindjen e Isa Boletinit, pastaj periudha e tij kohore e ka bërë ndryshime të mëdha në historinë tonë kombëtare, sepse Isa ka lindur në kohën e epokës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe në epokën e pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912. Realisht, jeta e tij qysh në moshën 15-vjeçare pjesëmarrës në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, 17 vjet në betejën e Silvovës dhe kështu nga ajo periudhë kohore deri në vrasjen e tij më 23 janar 1916, janë plotësisht 35 vite. Në fakt, koha e tij ka pasur disa reforma, sepse dihet në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, një nga pikat kryesore që u dërgua telegrami sulltanit apo Portës së Lartë, e cila u refuzua fuqimisht, ishte hapja e shkollave shqipe“, është shprehur ai.

Në Kullat e Boletinëve, ndërsa shëtit mes mureve të gurta që ruajnë historinë e familjes së tij, trashëgimtari i Isa Boletinit tregon për një nga arritjet më të mëdha të heroit të tyre: hapjen e shkollës së parë shqipe në Kosovë.

“Isa e hapi shkollën e parë shqipe këtu në Kosovë, me ministrin e Arsimit, ku më ka interesuar më së shumti hapja e shkollave shqipe në territorin e Kosovës dhe del që kisha shqiptare katolike në Stubull të Epërme e kishin hapur flamurtarët në vitin 1897, dmth shkollën vetëm shkrim-lexim, jo zyrtare, por edhe Isa këtu e hapi shkollën 1899 pas dy viteve dhe ajo nuk ishte zyrtare po ishte private ku e solli Hoxhën dhe përveç fëmijëve të tij dhe nipave të tij i mësoi edhe fëmijët e zonave përreth. Por jo vetëm, sepse 1908 ai bashkë me Hasan Prishtinën do ta hapin edhe një shkollë në Koshtovë të Mitrovicës, ku mësues i parë i saj do të jetë Isuf Rexha, dhe dihet vizioni i Isës ishte se ai nuk ishte vetëm një patriot por ishte edhe një arsimdashës, fëmijët, nipat i shkolloi në shkollat më të mira të Evropës të asaj kohe me fondin e vet, Stamboll, Romë dhe Vienë“, potencoi Gazmend Boletini.

Veprimtaria e Isa Boletinit filloi në 1901, me parandalimin e armatosjes së fshehtë të serbëve. Në 1903 pengoi hapjen e konsullatës ruse në Mitrovicë. Pas kthimit në 1906, organizoi veprimtaritë në Kosovë.

“Kontributi i Isës, pra, fillon në vitin 1901, ç’armatosjen e serbëve që u armatoseshin fshehurazi në vitin 1901 këtu në territorin e Kosovës, pastaj largimin, dëbimin dhe parandalimin e hapjes së konsullatës Ruse në Mitrovicë në fillim të vitit 1903 dhe pastaj dëbimi i Isës 1902-1906, në Stamboll, sepse ai e kundërshtoi. Pas largimit të Isa Boletinit, vritet edhe konsulli rus Gregory në Mitrovicë, dhe kështu kthimi i Isës në Mitrovicë në vitin 1906. Pastaj filloi organizimi i tij nëpër territoret e Kosovës. 1908 ishte pjesëmarrës në Kuvendin e Ferizajit dhe 1910 këtu fillon ajo epoka më e rëndësishme e jetës së tij, sepse ai e bën pajtimin e gjaqeve tek Verrat e Llukës më 4 prill 1910. Me 10 prill, mbas gjashtë ditësh, udhëheq edhe betejën, një nga betejat më të përgjakshme, e cila quhet Beteja e Caralevës, Isa Boletini në Caralevë e Idriz Seferi në Kaqanik“, theksoi ai.

Gazmend Boletini theksoi se, pas arrestimit të krerëve shqiptarë nga Serbia, Isa Boletini mori rrugën drejt Vlorës me njerëzit e tij. Ata udhëtuan për tre ditë në shi dhe borë, duke ndaluar tek miqtë e tyre, dhe më 28 nëntor nisën nga Fieri për të ngritur flamurin e lirisë.

“Ai dhe njerëzit e tij e kishin marrë rrugëtimin e tij drejt Vlorës, do të thotë konakun e parë, që tregon një nip i Isait, e kemi bërë tek Riz Zymeri në fshatin Xhonaj, tek një mik i Isa Boletinit, të dytit tek Selmi Aga në Bicaj, të tretin te Sheh Hasani dhe të katërtin tek miku i tij i armëve Elez Isufi në Dibër, do të thotë tre ditë rresht kanë bërë udhëtim të pandalshëm dhe në kohë shumë të rënda, me shi dhe borë, dhe me datën 28 nëntor herët në mëngjes thotë se jemi nisur nga Fieri drejt Vlorës”, tha Gazmend Boletini.

Flamuri qëndron i vendosur në një dollap, dhe afër tij shtrihet xhamadani i Isa Boletinit, i punuar me duart e nënës Ajshe. Gazmend Boletini rrëfen se gjatë regjimit komunist, kur familja u persekutua dhe u dëbua, këto relike historike u dorëzuan në muze, larg shtëpisë së tyre.

Pas luftës së Kosovës, ato u rikthyen, duke u vendosur sërish aty ku i takonte, si dëshmi e gjallë e qëndrueshmërisë, krenarisë dhe trashëgimisë së pashlyeshme të familjes Boletini.

“Pra, flamuri është nga viti 1910 edhe sot e kemi këtu, kurse afër tjetrit e kemi xhamadanin e Isa Boletinit, xhamadan i cili është punuar nga nana Ajshe, nana e Isa Boletinit, me duart e saj, e cila na vjen nga Zhabari i Mitrovicës. Xhamadani i ka dikun rreth 115 vite, dhe në kohën e regjimit komunist, kur familja jonë u maltretonte, burgoste dhe u dëbua nga vendi jonë, atëherë gratë e shtëpisë e kanë dorëzuar në vitet e 90-ta në muzeun e Mitrovicës. Deri në vitin 99-të, pas luftës së Kosovës, ne kemi arritur me marrë me babën prapë, sepse forcat paramilitare serbe, kur kanë hyrë në muze, aty ka pasur veshje kombëtare të boshnjakëve, turqve e kështu me radhë, dhe kjo ka qenë e përmbysur. Ne e kemi marrë e kemi prurë prapë këtu ku e ka vendin e tij“, tregoi Boletini

Kulla e Boletinit pret vizitorë nga të gjitha trevat dhe jashtë vendit.

“Boletini është i hapur çdo ditë, tash ka kaluar në atraksion; me një fjalë, është një interesim jashtëzakonisht i madh, jo vetëm në ditët e festave në muajin Nëntor, por i kemi edhe në përditshmëri vizitat e shumta që na vijnë, jo vetëm nxënësit, por na vijnë edhe nga niveli akademik, institucione të ndryshme. Kemi vizitorë të shumtë nga të gjitha trevat, por edhe nga jashtë vendit. Na vijnë shumë, por për fund unë doja që të thosha që me datën 30 nëntor, në Neë York, një nga rrugët e Neë Yorkut do të mbajë emrin e Isa Boletinit. Në pamundësi që të jem në këtë ceremoni, unë kam zgjedhur që të jem tek kjo kullë dhe të pres mysafirët e shumtë që na vijnë”, ka përfunduar Boletini.

Kulla e Isa Boletinit nuk është thjesht një monument; ajo është një dritare drejt historisë dhe krenarisë shqiptare. Vizitorët që vijnë çdo ditë, nga çdo cep i vendit dhe i botës, ndjejnë këtë trashëgimi, duke e bërë historinë të gjallë dhe frymëzuese për brezat e rinj.

/Kosovapress/

The post Rrugëtimi i Isa Boletinit drejt Vlorës – stërnipi i tij rrëfen vështirësitë e heroit kombëtar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌