Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Balla: Nderim për policët e rënë në krye të detyrës

TIRANË, 7 mars/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla përkujtoi sot Ditën Ndërkombëtare të Dëshmorëve të Policisë, duke nderuar të gjithë efektivët që kanë rënë në krye të detyrës.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Balla theksoi se kjo ditë është një moment reflektimi dhe mirënjohjeje për sakrificën e punonjësve të policisë që kanë mbrojtur jetën e qytetarëve, rendin publik dhe sigurinë e shoqërisë.

“Sot nderojmë me respekt të thellë kujtimin e të gjithë punonjësve të policisë që kanë rënë në krye të detyrës, duke mbrojtur jetën e qytetarëve, rendin publik dhe sigurinë e shoqërisë”, u shpreh Balla.

Ai theksoi se 7 Marsi është shpallur nga INTERPOL si Dita Ndërkombëtare e Dëshmorëve të Policisë, në shenjë nderimi për efektivët që kanë humbur jetën gjatë përmbushjes së detyrës në mbarë botën.

Sipas Ballës, edhe në Shqipëri kujtohen me respekt të veçantë të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit që kanë sakrifikuar jetën për mbrojtjen e ligjit dhe qytetarëve.

“Sakrifica e tyre mbetet një testament i përjetshëm i përkushtimit, kurajos dhe shërbimit ndaj atdheut. Lavdi dhe respekt përjetë dëshmorëve të Policisë!”, përfundon mesazhi i Ballës.

/m.m/r.e/

The post Balla: Nderim për policët e rënë në krye të detyrës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Përkujtohet në 100-vjetorin e lindjes ish-ushtaraku i lartë Begator Kozeli

TIRANË, 7 mars /ATSH/ Në Akademinë e Shkencave u zhvillua sot një aktivitet përkujtimor me rastin e 100-vjetorit të lindjes së ish-ushtarakut të lartë dhe partizanit të Luftës Nacionalçlirimtare, Begator Kozeli.

Aktiviteti u organizua nga Organizata e OVP të LANÇ-it “Nderi i Kombit” dhe Shoqata Labëria “Nderi i Kombit”.

Takimi u moderua nga shkrimtari dhe gazetari Albert Zholi, ndërsa në të morën pjesë studiues, ish-ushtarakë, veteranë, familjarë dhe të ftuar të tjerë.

Në aktivitet referuan profesor doktor Ago Nezha, kryetarja e Organizatës OVP të LANÇ-it Vera Tarifa, Josif Risto, kryetar i shoqatës “Kolonja” dhe dramaturgu Bashkim Kozeli, vëllai i të ndjerit.

Në fjalën e tij, moderatori i aktivitetit, shkrimtari Albert Zholi, vlerësoi figurën dhe kontributin e Begator Kozelit, duke theksuar rolin e tij si edukator dhe model për brezat.

“Begator Kozeli nuk ishte thjesht një revolucionar; ai ishte edukator me shpirt. Fjala e tij kishte peshë, sepse buronte nga përvoja. Ishte i ditur, i matur dhe i drejtë. Ai la gjurmë në breza të rinjsh që formoheshin jo vetëm si ushtarakë, por si qytetarë me karakter. Ai besonte se disiplina pa dije është e zbrazët dhe se atdhedashuria duhet të mbështetet mbi kulturë dhe moral. Edhe pse sot nuk jeton më, kujtimi i tij mbetet i gjallë. Gjurmët që la nuk janë vetëm në dokumente apo fotografi, por edhe në ndërgjegjen e atyre që e njohën dhe mësuan prej tij. Ai i përkiste atij brezi që e shihte detyrën si nder dhe jo privilegj. Më 7 mars 2026, në 100-vjetorin e lindjes së tij, kujtimi për Begator Kozelin merr një domethënie të veçantë. Është Dita e Mësuesit dhe ai, në thelb, ishte mësues i karakterit dhe i përkushtimit. Një shekull pas lindjes, figura e tij qëndron simbol i burrërisë, dijes dhe shërbimit ndaj atdheut”, u shpreh Zholi.

Prof. Dr. Ago Nezha u ndal në jetën dhe veprën e Begator Kozelit, duke theksuar kontributin e tij në Luftën Nacionalçlirimtare dhe në ushtrinë shqiptare.

“Jeta e Begator Kozelit është një jetë e mbushur me lavdi, trimëri dhe burrëri. Unë e kam njohur në rininë time si një ushtarak të suksesshëm, ndërsa heroizmin dhe veprën e tij e kam njohur nga historia e Luftës Nacionalçlirimtare”, u shpreh Nezha.

Duke cituar gjeneral Halim Ramohiton, ai theksoi se, “Begator Kozeli u përfshi në moshë shumë të re, vetëm 17 vjeç, duke vënë në shërbim të çështjes kombëtare dashurinë ndaj atdheut dhe urrejtjen ndaj armikut, duke luftuar gjithmonë me devocion”.

“Bij i krahinës së ndritur të Kolonjës, Begatori ishte luftëtar i lirisë dhe i përparimit shoqëror”, theksoi Nezha, ndërsa përshkroi edhe rrugëtimin e tij të gjatë ushtarak, që nga angazhimi në Luftën Nacional-Çlirimtare deri në emërimin si komisar i Shkollës së Bashkuar të Oficerëve në Tiranë.

“Kudo ku punoi dhe drejtoi gjatë karrierës së tij ushtarake, Begatori u karakterizua nga ndjenja e lartë e përgjegjësisë, ndërgjegjja e pastër, ndershmëria dhe përkushtimi maksimal për të qenë shembull në çdo veprimtari”, tha Nezha.

Ai shtoi se pikërisht këto cilësi e bënë atë të reagojë kundër padrejtësive në ushtri. “Këto cilësi morale dhe karakteriale bënë që ai të reagojë ashpër për katastrofën që ndodhi në ushtri, duke dënuar dënimet e kuadrove të larta ushtarake për motive politike dhe akuza absurde që binin ndesh me realitetin”, tha Nezha.

Sipas tij, Begator Kozeli pati guximin të dilte hapur në mbrojtje të ish-Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, Petrit Dume. “Me ndërgjegje dhe bindje të plotë për padrejtësitë që po u bëheshin kuadrove ushtarake, Begatori ishte i pari që me kurajo të pashoqe iu kundërvu vijës së udhëheqjes së lartë të partisë, një qëndrim i pazakontë për trysninë dhe diktaturën që ushtronte regjimi komunist. Ky qëndrim nuk mund të kalonte pa çmim. Begatori u shkarkua nga detyra, u përjashtua nga partia dhe u dënua me 15 vjet burg. Ai e mbylli jetën në burg pa mbushur të 60-at”, tha Nezha, duke shtuar se vdekja e tij ishte një humbje e madhe për familjen, miqtë dhe Forcat e Armatosura.

Kryetarja e Organizatës OVP të LANÇ-it, Vera Tarifa, theksoi origjinën dhe traditat patriotike të krahinës së Kolonjës. “Begator Kozeli vinte nga Kolonja, një trevë me tradita të mëdha patriotike. Kolonja ka nxjerrë figura të shquara si Petro Nini Luarasi, Themistokli Gërmenji dhe mes tyre edhe Begator Kozelin. Është një vend i patriotëve të vendit”, u shpreh Tarifa.

Ajo solli edhe kujtimet e ish-komandantit të përgjithshëm të aviacionit luftarak shqiptar për vitet 1951-1975, Edip Ohri, i cili kishte qenë bashkëstudent me Kozelin në Shkollën Normale të Elbasanit.

“Që në fillim dallova tek ai thjeshtësinë, çiltërsinë, humorin dhe karakterin. Begatori kishte një vullnet të admirueshëm dhe jo vetëm dallohej në mësime, por ndihmonte edhe të tjerët. Ai kishte iniciativa të mëdha organizative dhe u zgjodh në drejtimin e Organizatës së Rinisë Antifashiste të shkollës. Madje ishte ndër të parët që mori pjesë në lëvizjen studentore antifashiste në verën e vitit 1942”, citoi Tarifa nga kujtimet e Ohrit.

Ajo citoi edhe gazetarin  Fluturak Gërmenji, i cili kishte punuar në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve. “Komisari i shkollës ishte Begator Kozeli. Ndryshimi dukej që në pamje; ambientet, rrugët dhe lulishtet shkëlqenin. Begatori kishte një përvojë të madhe edhe si metodist dhe të impononte respekt e dashuri. Që në takimin e parë na u duk sikur njiheshim prej kohësh”, citoi Tarifa gazetarin Fluturak Gërmenji.

Josif Risto, kryetar i shoqatës “Kolonja”, në fjalën e tij u përqendrua tek figura e babait të Begatorit, Dervish Kozeli.

“Begatori pati fatin dhe përgjegjësinë e madhe të lindte në një vatër ku atdhedashuria ishte bukë e përditshme. Ai ishte biri i Dervish Kozelit, patriot i shquar që nuk kurseu asgjë për lirinë e Kolonjës dhe të Shqipërisë. Shtëpia e tij ishte një tempull i lirisë ku mikpriteshin patriotë të mëdhenj si Çerçiz Topulli dhe Mihal Grameno”, tha Risto.

Ndërsa dramaturgu Bashkim Kozeli, vëllai i Begator Kozelit, falënderoi organizatorët dhe të pranishmit për nderimin e figurës së tij. Ai tregoi se Begatori kishte luajtur rol të madh në jetën e tij personale.

“Begatori më rriti mua pasi mbeta jetim në moshën 10-vjeçare. Edhe kur u martua me Florën dhe lindën fëmijët e tyre, ata më konsideronin djalin e parë. Për mua Begatori ka qenë udhëheqësi moral dhe shpirtëror në të gjitha fazat e jetës sime”, u shpreh ai.

Sipas tij, figura e të vëllait mbetet një model për brezat. “Prej tij mësova se në jetë nuk duhet vetëm guxim, por edhe ekuilibër; jo vetëm aftësi, por edhe disiplinë të brendshme; jo vetëm përkushtim, por edhe humanizëm dhe respekt të thellë për njerëzit”, tha Bashkim Kozeli.

Në përfundim të aktivitetit, ai përshëndeti të pranishmit dhe bashkëluftëtarët e vëllait të tij me poezinë “Çlirimtarët”.

Gjatë diskutimeve, miku i Bashkim Kozelit, sociologu Gëzim Tushi u shpreh se figura si Begator Kozeli duhet të përkujtohen vazhdimisht dhe të kenë vendin e nderuar në historinë e Kombit.

Në këtë përvjetor të 100-të të lindjes së tij, Begator Kozeli u kujtua si një patriot i përkushtuar, një oficer me kulturë dhe një edukator që la gjurmë të thella në breza.

Përkujtohet në 100-vjetorin e lindjes ish-ushtaraku i lartë Begator Kozeli, foto: Andrin Hoxha
1 nga 30

/gj.m/j.p/

The post Përkujtohet në 100-vjetorin e lindjes ish-ushtaraku i lartë Begator Kozeli appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Akademia e Shkencave përkujton akademikun Bahri Beci në 90-vjetorin e lindjes

TIRANË, 6 mars/ATSH/ Me rastin e 90-vjetorit të lindjes së akademikut Bahri Beci (1936-2023), studiues i shquar i gjuhës shqipe, Akademia e Shkencave zhvilloi sot një veprimtari përkujtimore në nder të jetës dhe kontributit të tij shkencor.

Aktiviteti u organizua nga Seksioni i Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike dhe Komisioni i përhershëm i gjuhësisë dhe letërsisë pranë ASHSH-së.

Zëvendëskryetari i Akademisë së Shkencave, akademik Vasil Tole, vlerësoi figurën dhe kontributin e akademikut Beci në studimet albanologjike dhe në zhvillimin e gjuhës shqipe. Ai theksoi dimensionin ndërkombëtar të veprimtarisë së tij shkencore, duke e cilësuar Becin jo vetëm si një studiues të shquar të shqipes, por edhe si një ambasador të saj në hapësirën europiane.

Sipas Toles, botimet e tij në gjuhë të huaja kanë pasuruar bibliografinë gjuhësore të shqipes dhe kanë zgjeruar praninë e saj në auditorin akademik ndërkombëtar. Ai u ndal gjithashtu te kontributi i veçantë i Becit në studimin dhe standardizimin e gjuhës letrare, duke përmendur veprat “Probleme të politikës gjuhësore dhe të planifikimit gjuhësor në Shqipëri” dhe “Historia e standardizimit të shqipes: politika dhe planifikimi gjuhësor në Shqipëri”.

Në këtë veprimtari përshëndeti edhe profesori Tomorr Plangarica, i cili vlerësoi rolin e akademikut Beci në zhvillimin dhe institucionalizimin e studimeve gjuhësore në Shqipëri. Ai theksoi se përmes studimeve të tij, Beci ka dhënë kontribute të rëndësishme në fusha të ndryshme të gjuhësisë, si dialektologjia e shqipes, politika dhe planifikimi gjuhësor, standardizimi i gjuhës dhe norma gjuhësore, si edhe në studimin e variacionit sociolinguistik dhe në mësimdhënien e shqipes si gjuhë amtare dhe për të huajt.

Në vijim, prof. dr. Anila Omari u ndal në mënyrë të veçantë te kontributi i akademikut Beci në studimet e dialekteve të shqipes. Omari theksoi se Beci është marrë që herët me çështjet e historisë së formimit të dialekteve dhe me problemet e lashtësisë së ndarjes dialektore të shqipes, duke përmendur edhe studimet e tij të hershme të viteve ‘60.

Në aktivitet referuan gjithashtu studiuesit Mimoza Kore, Enkelejda Kapia, Plator Gashi, Mimoza Priku, Merita Bruci dhe Valbona Sinanaj, të cilët rikujtuan kontributin e tij të çmuar në zhvillimin e gjuhësisë shqiptare dhe në promovimin e gjuhës shqipe në rrafshin kombëtar dhe ndërkombëtar.

Aktivitetin e përshëndeti edhe vajza e akademikut Bahri Beci, e cila në emër të familjes shprehu mirënjohjen për organizimin e kësaj veprimtarie përkujtimore në nder të jetës dhe veprës së tij.

Aktiviteti i organizuar nga Akademia e Shkencave
1 nga 8

/a.f/r.e/

The post Akademia e Shkencave përkujton akademikun Bahri Beci në 90-vjetorin e lindjes appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Përkujtohet në 75-vjetorin e lindjes aktorja Hajrie Rondo

TIRANË, 1 mars /ATSH/ Përkujtohet sot në 75-vjetorin e ditës së lindjes aktorja Hajrie Rondo, një nga emrat më të ndritur të teatrit dhe filmit shqiptar.

Ajo u rrit dhe u formua artistikisht në Teatrin “Bylis”, ku kontribuoi për 40 vite me radhë. Me talentin dhe pasionin e saj, fitoi vlerësime të shumta brenda dhe jashtë vendit, duke u nderuar me titujt prestigjiozë “Naim Frashëri i Artë” dhe “Mjeshtër i Madh”.

Artistja lindi më 1 mars të vitit 1951 në Delvinë ku edhe mori formimin bazë. Largohet në Qytetin e Fierit ku pas përfundimit të studimeve në “Institutin e Lartë të Arteve” për aktore ajo do të emërohej pranë teatrit të këtij qyteti ku edhe do të zhvillonte karrierën e saj të gjatë.

Në karrierën e saj shumëvjeçare, artistja për shkak të talentit të saj të rrallë arriti të lëvronte në të gjitha zhanret e artit skenik. Gjithashtu artistja njihet edhe për një numër të konsiderueshëm të roleve të saj që i arriti në kinematografi. Edhe sot e kësaj dite artistja identifikohet me rolin e saj brilant që ka realizuar në filmin artistik “Katërmbëdhjetë vjeç dhëndër” që tashmë ka zënë vend të rëndësishëm në historinë e kinemasë shqiptare.

Përveçse një aktore brilante, artistja ka mbajtur edhe funksionin e drejtoreshës së teatrit të Fierit, që në periudhën kur ajo shërbeu u zhvilluan shumë aktivitete dhe festivale të rëndësishme.

Disa nga rolet e saj më të rëndësishëm janë:

Mara, “Vëllezër dhe shokë” 1980

Xifja, “Agimet e stinës së madhe” 1981

Lima, “Nëntori i dytë” 1982

Tana, “Përrallë nga e kaluara” 1987

“Pesha e kohës”, 1988

“Ne dhe Lenini”, 2009

Semihaja, Ballkan Pazar 2011 dhe shumë e shumë role të tjerë.

Në maj 2015 Hajrie Rondo u rikthye sërish në skenë me shfaqjen “Seks vetëm për festa” dhe me filmin “Buka” interpretime, të cilat i realizoi pas një pauze disavjeçare që ajo bëri për shkak të një beteje me një sëmundje të rëndë.

Ajo u nda nga jeta më 9 shtator 2017.

/k.s/r.e/

The post Përkujtohet në 75-vjetorin e lindjes aktorja Hajrie Rondo appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MUZIKË – 32 vjet nga vdekja e Kurt Cobain: Fakte që ndoshta nuk i keni ditur!

20 February 2026 at 19:00

TIRANË, 20 shkurt /ATSH/- I lindur më 20 shkurt 1967, në Aberdeen, Kurt Cobain do të kishte mbushur 59 vjeç në vitin 2026, sipas “Irish Star”.

Ndërsa Cobain mbahet mend si zëri i Gjeneratës X dhe një ikonë e rock-ut, shumë aspekte të panjohura të jetës dhe karrierës së tij formësuan legjendën e grupit “Nirvana”.

Ja disa fakte që ndoshta nuk i keni ditur, në nder të 59-vjetorit të lindjes së Kurt Cobain:

• Cobain punoi si pastrues në shkollën e tij të mesme: Pasi braktisi shkollën “Aberdeen High School: vetëm dy javë para diplomimit, Cobain punoi për një periudhë të shkurtër si pastrues në të njëjtën shkollë për të siguruar jetesën.

• “Smells Like Teen Spirit” i referohet deodorantit “Teen Spirit” që përdorte e dashura e tij e asaj kohe, Tobi Vail. Cobain mendoi se ishte një slogan revolucionar, pa e ditur që ishte markë deodoranti.

• Cobain ishte fans i grupit rock “Pixies” dhe donte të ishte pjesë e tyre: Cobain pranoi se “Smells Like Teen Spirit” ishte një përpjekje për të imituar “Pixies”.

• Gjatë fëmijërisë, Cobain kishte një mik imagjinar me emrin Boddah, dhe letra e tij e vetëvrasjes iu drejtua këtij personazhi.

• Ai ishte një adhurues i madh i maceve: Pavarësisht thashethemeve, Cobain njihej si dashamirës i maceve.

• “Polly” u bazua në një histori të vërtetë: Kënga “Polly” u shkrua nga perspektiva e një vajze 14-vjeçare që u torturua dhe përdhunua në vitin 1987. Pasi e dëgjoi, Bob Dylan thuhet se deklaroi: “Ai djalë ka shpirt”.

•Cobain ishte fans i muzikantit amerikan “Weird Al” Yankovic: Kur Weird Al Yankovic kërkoi leje për të bërë një parodi të “Smells Like Teen Spirit”, Cobain u entuziazmua, duke e konsideruar si shenjë se kishin arritur suksesin e vërtetë.

• Ai luante kitarë me dorën e majtë: Edhe pse shkruante me dorën e djathtë, Cobain luante kitarë si mëngjarash.

• Cobain ishte viktimë e bullizmit: Për shkak se u miqësua me një nxënës homoseksual në shkollë, ai u bullizua sikur të ishte homoseksual.

• Dëshironte të bëhej regjisor: Cobain kishte interes për filmin, përfshirë filmat horror, dhe filmi i fundit që pa para vdekjes ishte “The Piano”.

• Cobain u arrestua një herë në vitin 1985,  për shkrimin “ain’t got no how watchamacallit” në murin e një banke në Aberdeen.

• Ai e urrente zërin e tij: Sipas biografit të librit “Heavier Than Heaven”, Charles R. Cross, Cobain shpesh e kalonte vokalin përmes një pedali “chorus” për të fshehur zërin e tij, të cilin nuk e pëlqente.

• Cobain ishte shofer shumë i ngadaltë: Pavarësisht jetës së tij kaotike, atij iu ndalua të drejtonte furgonin e grupit në turneun e parë, sepse e ngiste mjetin “si një zonjë e moshuar”.

• Ai ishte aktivist “pro-choice”: Cobain ishte mbështetës i hapur i lëvizjes pro-zgjedhjes dhe për këtë mori edhe kërcënime me vdekje.

• “About a Girl” u shkrua për të dashurën e tij pas një ankese: Pasi e dashura e tij, Tracy Marander, e pyeti pse shkruante për gjithçka përveç saj, ai shkroi “About a Girl” për rreth një orë.  //a.i/

The post MUZIKË – 32 vjet nga vdekja e Kurt Cobain: Fakte që ndoshta nuk i keni ditur! appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Përvjetori i masakrës së 3–4 shkurtit 2000, Osmani: Mitrovica qëndroi dhe nuk u thye, ndaj ky krim nuk do të harrohet kurrë

3 February 2026 at 11:40


Presidentja e vendit, Vjosa Osmani në përvjetorin e masakrës së 3–4 shkurtit 2000 në Mitrovicë, ka kujtuar me dhimbje dhe respekt një nga plagët më të rënda të pasluftës.

Sipas një postimi në rrjetin social në Facebook, Osmani ka shkruar se: “Në ato ditë të errëta, bandat kriminale serbe vranë 10 civilë të pafajshëm, plagosën 25 të tjerë dhe dëbuan me dhunë 1 mijë e 564 familje me gjithsej 11 mijë e 364 anëtarë nga shtëpitë e tyre”.

Ajo tha se ky ishte një krim i hapur kundër njerëzimit, një përpjekje brutale për ta thyer shpirtin e një qyteti dhe për ta zhdukur praninë e shqiptarëve në pjesën veriore të këtij qyteti.

“Mitrovica qëndroi dhe nuk u thye, ndaj ky krim nuk do të harrohet kurrë dhe drejtësia do të mbetet kërkesë e pandalshme. Përulemi para viktimave dhe qëndrojmë pranë familjeve të tyre, ngase e vërteta, kujtesa dhe drejtësia janë themeli mbi të cilin ndërtohet paqja e qëndrueshme”, ka shkruar Osmani. /Telegrafi/


Kristo Frashëri, historiani që la një prodhimtari të pasur shkencore nga antikiteti deri në ditët e sotme

TIRANË, 31 janar/ATSH/- Akademia e Shkencave përkujtoi sot me nderim në 10-vjetorin e ndarjes nga jeta, akademik Kristo Frashërin, personalitet i shquar i historisë, kulturës dhe arsimit shqiptar.

Ai lindi në Stamboll më 4 dhjetor 1920 në një familje atdhetare nga Frashëri i Dangëllisë.

U riatdhesua familjarisht dhe u vendos në Tiranë në vitin 1927. Në vitin 1940 kreu shkollën e mesme dhe u regjistrua në Fakultetin e Shkencave Ekonomike në Universitetin e Firences. Më 1942 u burgos dhe u internua nga administrata fashiste e pushtimit dhe në vitin 1943 kaloi në rreshtat partizane.

Në vitin 1945 -1952 punoi në Bankën e Shtetit Shqiptar (sektori i  kreditit). Ndërkohë ndoqi studimet e larta në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë në Institutin e Lartë Pedagogjik (1951–1955).

Prej vitit 1953 ai ishte punonjës shkencor në Institutin e Shkencave. Në vitin 1955 punoi në Institutin e Historisë e të Gjuhësisë dhe më 1957-n në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë të Universitetit të Tiranës. Në vitin 1966 u dënua nga politika e kohës dhe u dërgua për pesë vjet për “riedukim” si mësues në shkollën e mesme të Përmetit. Në vitin më 1971 u emërua përsëri punonjës shkencor në Institutin e Historisë, ku doli në pension (1990).

Në vitin 1997 u emërua zv.kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Kristo Frashëri ka një prodhimtari të pasur shkencore që shtrihet në të gjitha periudhat e historisë së Shqipërisë: Antikiteti, Mesjeta, Rilindja Kombëtare dhe Koha e Sotme. Ka trajtuar tema jo vetëm nga historia politike, por edhe ekonomike, shoqërore e kulturore. Ka marrë pjesë me referate në veprimtari shkencore kombëtare e ndërkombëtare dhe ka botuar artikuj në një varg revistash shkencore, brenda dhe jashtë vendit. Akademiku Frashëri është autor i kapitujve që trajtojnë historinë mesjetare të Shqipërisë dhe periudhën e Rilindjes Kombëtare në “Historinë e Shqipërisë” në dy vëllime (botim i USHT, 1959, 1965).

Në vitin 1954 ka botuar një vështrim mbi jetën dhe veprën e Sami Frashërit dhe më 1958-n një vështrim mbi Gjergj Kastriotin – Skënderbeun; më 1964-ën botoi veprën “Historia e Shqipërisë”, vështrim i përgjithshëm e i përmbledhur që nga parahistoria deri në vitin 1960” (botuar në disa gjuhë të huaja). Është autor i teksteve të historisë së Shqipërisë për shkollat e mesme gjatë viteve ’70 -‘80, bashkautor i “Histoire de l’Albanie” (Lion, 1974). Më 1984-n ka botuar monografinë “Abdyl Frashëri”. Është bashkautor dhe bashkëredaktor i “Historisë së Shqipërisë” vëll. II, 1984 dhe bashkautor i “Historisë së popullit shqiptar” vëll. II, (2002). Vepra të tjera të tij janë: “Lidhja Shqiptare e Prizrenit 1878 -1881” (1997); “Skënderbeu – jeta dhe vepra” (2002); “Historia e Tiranës” (2004); “Burimet historike shqiptare të shek. XV për Skënderbeun” (në origjinal dhe në përkthim shqip) (2005); “Himara dhe përkatësia etnike e banorëve të saj” (2005); “Historia e lëvizjes së majtë në Shqipëri dhe e themelimit të PKSH 1878–1941” (2006); “Identiteti kombëtar shqiptar” (2006); “Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë (28 Nëntor 1912)” (2008); “Historia e qytetërimit shqiptar (Nga kohët e lashta deri në fund të Luftës së Dytë Botërore)” (2008); “Historia e Kosovës. Dardania (Kosova Antike)” (2009); “Skënderbeu i shpërfytyruar “ (2009); “Bajroni në Shqipëri dhe takimet me Ali Pashë Tepelenën (Vjeshtë 1809- 2009); “E vërteta mbi shqiptarët e Maqedonisë dhe shtrembërimet e enciklopedisë së Shkupit” (2010); “Historia e Dibrës” (2012); “Lidhja Shqiptare e Prizrenit 1878-1881” (2012); “Ismail Qemali – Album” (2012); “Etnogjeneza e shqiptarëve Vështrim historik” (2013); “Principata e Arbërisë : 1190-1215” (2014); “Jeta e një historiani” (2014); “Ahmet Zogu : vështrim historik” (2014); “Shqipëria në Konferencën e Paqes, Paris 1946” Vështrim Historik (2015); “Kongresi i Përmetit (24-28 Maj 1944)” Vështrim Historik dhe Burime Dokumentare (2015); “Historia e Çamërisë” (2015).

Si pedagog i historisë së Shqipërisë në Universitetin e Tiranës dhe si punonjës shkencor ka dhënë ndihmesë në përgatitjen e historianëve të rinj.

Ka marrë dy herë Çmimin e Republikës të klasit I (1961, 1984). Është dekoruar me urdhrat “Mjeshtër i Madh” dhe “Nderi i Kombit”.

Akademik Kristo Frashëri u nda nga jeta më 31 janar 2016.

The post Kristo Frashëri, historiani që la një prodhimtari të pasur shkencore nga antikiteti deri në ditët e sotme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Akademia Franceze homazh në nderim të 90-vjetorit të lindjes së Ismail Kadaresë

TIRANË, 27 janar/ATSH/ Me rastin e 90-vjetorit të lindjes së gjeniut të letrave shqipe Ismail Kadare, Akademia Franceze do të organizojë një aktivitet në nderim të tij.

Ky aktivitet vjen si një bashkëpunim midis Akademisë Franceze dhe Ambasadës shqiptare në Francë, i cili do të zhvillohet në Institutin e Francës, Paris, më 29 janar.

Organizatorët e këtij eventi janë Xavier Darcos, kancelari i Institutit të Francës; Bernard Stirn, sekretar i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike; Amin Maalouf, shkrimtar, njëherazi dhe sekretar i Akademisë Franceze, si dhe Dritan Tola, ambasador i Shqipërisë në Francë, lexohet në një shkrim në TvKlan.

Ky aktivitet do të bëjë bashkë disa nga personalitetet më të mëdha të kulturës franceze si Costa Gavras, Angelin Preljocaj, Jacques Attali, Tedi Papavrami. Në aktivitet do të marrë pjesë edhe familja e Ismail Kadaresë.

Kjo nuk është hera e parë që Franca nderon kujtimin e Ismail Kadaresë.

Në tetor të vitit 2025, këshilli bashkiak i Parisit miratoi propozimin që të vendoset një pllakë përkujtimore në ndërtesën ku ka jetuar Kadareja.

Pllaka u vendos në adresën 63 boulevard Saint-Michel në Paris, vendi ku ai dhe familja e tij jetuan për shumë vite dhe ku autori shkroi disa nga faqet më të bukura të letërsisë së tij.

Kolosi i letërsisë shqiptare, Ismail Kadare u nda nga jeta më 1 korrik 2024 në moshën 88-vjeçare.

Ismail Kadare është personalitet qendror i kulturës shqiptare të gjysmës së dytë të shek. XX. Fillimet e tij letrare janë kryesisht në poezi: “Frymëzime Djaloshare”, “Përse mendohen këto male” etj.

Në fushën e prozës, Kadareja lëvroi tregimin, novelën dhe romanin. “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1963) përbën veprën e konfirmimit të talentit të tij.

“Kronikë në gur”, “Prilli i thyer”, “Kamarja e turpit”, “Pashallëqet e mëdha”, “Kush e solli Doruntinën” etj., janë disa nga veprat e tij më të rëndësishme të krijimtarisë së tij letrare.

Veprat e Ismail Kadaresë janë përkthyer e botuar në mbi 45 gjuhë të huaja dhe është shkrimtari shqiptar më i njohur në botë. Në vitin 1994 ai u bë anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike të Francës. Laureati i shumë çmimeve, në 2005-ën, u nderua me “The Booker Prize Man”.

Ismail Kadare është dekoruar me urdhrin “Nderi i Kombit” dhe nga shteti francez me urdhrin “Kryqi i Legjionit të Nderit”, si dhe me çmime e nderime të tjera.

/k.s/a.f/r.e/

The post Akademia Franceze homazh në nderim të 90-vjetorit të lindjes së Ismail Kadaresë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Përkujtimi i Holokaustit, ambasadori gjerman: Shqipëria, shembull vërtet i jashtëzakonshëm

27 January 2026 at 11:04

TIRANË, 27 janar /ATSH/ Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme organizoi sot aktivitetin “Ura që lidh brezat”, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit.

Ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Karl Bergner, theksoi se “Holokausti është kapitulli më i errët në historinë e Gjermanisë. Është një krim që lindi nga urrejtja, mungesa e tolerancës, indiferenca dhe shpërfillja sistematike e dinjitetit njerëzor”.

“Kurrë nuk duhet ta harrojmë vuajtjen që u shkaktuam më shumë se gjashtë milionë grave, burrave dhe fëmijëve hebrenj, si edhe shumë të tjerëve”, tha ai.

“Është detyra jonë morale t’i kujtojmë dhe të sigurohemi që masakra të tilla të mos ndodhin më kurrë”, u shpreh Bergner.

Ambasadori theksoi gjithashtu se është e domosdoshme t’u mësohet fëmijëve historia e Holokaustit, në mënyrë që ata të kuptojnë dhe të mbrojnë vlerat e demokracisë dhe të drejtat e njeriut.

Bergner u shpreh se në Shqipëri gjendet një shembull vërtet i jashtëzakonshëm.

“Shqipëria është një vend ku toleranca dhe respekti për tjetrin kanë një traditë të gjatë. Mikpritja e famshme shqiptare dhe koncepti i ‘Besës’ çuan në strehimin e mijëra hebrenjve gjatë Holokaustit nga të krishterë dhe myslimanë. Një histori mjaft unike”, tha ai.

Ambasadori përmendi edhe figura konkrete të kësaj trashëgimie morale.

“Një prej këtyre heronjve vetëmohues ishte Refik Veseli nga Kruja, i cili organizoi strehimin e dy familjeve hebreje. Më vonë ai u njoh si ‘I Drejtë midis Kombeve’ në Yad Vashem, së bashku me shumë shqiptarë të tjerë”, u shpreh Bergner.

“Dhe është mjaft domethënëse që Kryeministri shqiptar Edi Rama ishte folësi kryesor në një seancë të rrallë të përbashkët në Knesset, në Jeruzalem, ditën e djeshme”, shtoi ai.

Në ceremoni morën pjesë nxënës të Shkollës Gjermane “Refik Veseli” në Berlin dhe të Gjimnazit “Sami Frashëri” në Tiranë, të cilët vendosën në “Pemën e Kujtesës” mesazhe simbolike si shprehje e angazhimit të brezit të ri për ta kthyer kujtesën në veprim.

Ambasadori theksoi se “Refik Veseli dhe veprat e tij frymëzuan edhe një shkollë në Berlin të marrë emrin e tij”.

“Përveç aktiviteteve të sotme, nxënësit do të lidhin një partneritet dhe binjakëzim me shkollën ‘Sami Frashëri’ në Tiranë, për të farkëtuar lidhje të reja mes të rinjve shqiptarë dhe gjermanë”, përfundoi Bergner.

/gj.m/j.p/

The post Përkujtimi i Holokaustit, ambasadori gjerman: Shqipëria, shembull vërtet i jashtëzakonshëm appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kryepeshkop Joani: Të mbajmë të gjallë trashëgiminë që na la Janullatos

TIRANË, 25 janar/ATSH/ Në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” u përkutjua sot 1-vjetori i ndarjes nga jeta të Kryepeshkopit Anastas Janullatos.

Në këtë ditë përkujtimore morën pjesë krerë të komuniteteve fetare, ambasadorë, përfaqësues të lartë të Këshillit Botëror të Kishave, të Komunitetit të Sant’Egidios, të Qendrës së Krishterë Misionare në Amerikë, si dhe besimtarë të shumtë.

Në fjalën e tij, Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e tij imzot Joani, theksoi se përkujtimi vjetor i Kryepeshkopit Anastas është një nevojë shpirtërore për reflektim, falënderim dhe forcim në hirin e Perëndisë Triadik.

Ai vuri në dukje se largimi i njerëzve të mëdhenj lë gjithmonë trishtim dhe boshllëk, por besimi në Ngjalljen e Krishtit dhe përjetësinë e shpirtit sjell ngushëllim dhe shpresë.

“Përkujtimi i Kryepeshkopit të lumur Anastas nuk është thjesht një kthim nostalgjik në të kaluarën, është zgjedhja e vetëdijshme për të mbajtur të gjallë trashëgiminë që ai na la. Jo si eksponat muzeu, por si udhërrëfyes për të sotmen dhe për të ardhmen dhe si një mundësi për meditim të brendshëm dhe për orientimin e jetës sonë. Fjalët e Shën Joan Gojartit: Ata që i duam dhe i humbasim, nuk janë aty ku ishin më parë,, ata janë tani kudo ku jemi ne, – i përshtaten plotësisht Kryepeshkopit Anastas. Ne besojmë dhe e ndiejmë praninë e tij dhe kjo na jep shpresë, kurajë dhe lehtësim”, tha Kryepeshkopi Joan.

Ai tha se “Kryepeshkopi i lumtur na la mësime dhe fjalë të cilat vazhdojnë të ndriçojnë jetën tonë. Do të citoj disa nga këto mësime dhe fjalë të çmuara”.

“Lutemi që Perëndia të na japë forcë e urtësi për të vazhduar rrugën e ndritshme të Kryepeshkopit të lumur Anastas, sepse nderimi më i madh që mund t’i bëjmë atij është të ecim të bashkuar në atë rrugë dhe me të njëjtën frymë”, tha Kryepeshkopi Joan.

Kryepeshkopi Janullatos ndërroi jetë pas një beteje të gjatë shëndetësore më 25 janar të 2025.

Kryepeshkopi Anastas, ishte rindërtuesi dhe rivitalizuesi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, të cilën e ngriti tërësisht nga rrënojat pas rënies së regjimit ateist. Me vizionin e tij hyjnor dhe punën e palodhur, ai rindërtoi jetën kishtare nga themelet, ndërtoi qindra kisha, themeloi institucione arsimore dhe bamirëse dhe formoi një brez të ri klerikësh, duke ofruar shërbim të pafund dhe sakrificë për më shumë se 33 vjet.

/k.s/a.f/

The post Kryepeshkop Joani: Të mbajmë të gjallë trashëgiminë që na la Janullatos appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Begaj përkujton Ibrahim Rugovën: Vizionari i Kosovës së lirë dhe evropiane

21 January 2026 at 12:42

TIRANË, 21 janar /ATSH/ Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka përkujtuar sot Presidentin historik të Kosovës, Ibrahim Rugovën, duke e cilësuar atë si një figurë vizionare që projektoi Kosovën e pavarur dhe të lirë mbi parimet e urtësisë, durimit dhe mençurisë politike.

Në një postim në rrjetin social X, Kreu i Shtetit thekson se Presidenti Rugova e konceptoi të ardhmen e Kosovës të lidhur ngushtë me vlerat evropiane, si demokracia, të drejtat e njeriut, pluralizmi dhe shteti i së drejtës.

Presidenti Begaj nënvizon se vizioni i Rugovës është sot një realitet, ndërsa trashëgimia e tij politike mbetet një dëshmi e qartë se paqja, dialogu dhe orientimi drejt Evropës janë gurthemeli i shtetndërtimit dhe i një të ardhmeje të qëndrueshme për Kosovën.

/gj.m/a.f/

The post Begaj përkujton Ibrahim Rugovën: Vizionari i Kosovës së lirë dhe evropiane appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Përkujtohen viktimat e “21 Janarit”, homazhe në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”

21 January 2026 at 10:46

TIRANË, 21 janar /ATSH/ Sot shënohen 15 vite nga 21 anari 2011, kur gjatë një proteste të Partisë Socialiste, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para Kryeministrisë, u vranë katër protestues nga Garda e Republikës.

Gjatë protestës u vranë Aleks Nika, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Hekuran Deda. Katër viktimat e 21 Janarit 2011 u shpallën Dëshmorë të Atdheut.

Kryeministri Edi Rama, Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ministra të kabinetit qeveritar së bashku me familjarë të katër protestuesve dhe deputetë të PS-së, kryen homazhe në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, pranë vendit ku më 21 Janar 2011 u vranë 4 protestues.

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në ceremoninë e përkujtimit të 4 viktimave të 21 Janarit se, pas 15 vitesh ende nuk është bërë drejtësi për 21 Janarin.

Duke folur përpara familjarëve të 4 viktimave të “21 Janarit”: Aleks Nikës, Ziver Veizit, Faik Myrtajt dhe Hekuran Dedës, Rama u shpreh se, “vetëm Zoti e di se me çfarë guri në zemër unë vij për në këtë godinë kur del drita e ditës së 21 janarit”.

“15 vjet pa drejtësi për 21 Janarin janë 15 vjetët e një padrejtësie të madhe, jo thjesht për disa, por mbi Shqipërinë dhe mbi popullin shqiptar”, u shpreh Rama.

Në korrik të vitit 2024 Prokuroria e Posaçme (SPAK) rinisi zyrtarisht hetimet për 21 Janarin, pasi Gjykata e Strasburgut urdhëroi Strukturën e Posaçme të hetonte kallëzimin e bërë nga Rajmonda Nika, bashkëshortja e Aleks Nikës, ndaj Sali Berishës, ish-kryeministër, Lulzim Bashës, ish-ministër i Brendshëm dhe Ndrea Prendit, ish-kreu i Gardës së Republikës.

Gjykata e Strasburgut e ka cilësuar vrasjen e katër protestuesve si “krim shtetëror që duhej zbardhur”.

/gj.m/r.e/a.f/

The post Përkujtohen viktimat e “21 Janarit”, homazhe në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama për “21 janarin”: Katër të vrarë nuk prehen ende në paqe, drejtësia i ngjan një breshke që lutet për harresë

TIRANË, 21 janar/ATSH/- Kryeministri Edi Rama ka përkujtuar ngjarjen e “21 janarin” ku në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” përballë kryeministrisë mbetën të vrarë katër protestues.

Rama shprehet në një postim në rrjetet sociale se “15 vite më parë ndodhi një krim shtetëror i pashembullt në historinë e demokracisë së re shqiptare”.

Kreu i qeverisë thekson se “katër të vrarë ende nuk prehen dot në paqe dhe drejtësia i ngjan një breshke që lutet për harresë”.

Rama shpreh bindjen se “sado të vonojë drejtësia për 21 janarin nuk do të harrojë”.

Më 21 Janar të vitit 2011 gjatë protestës së PS-së, humbën jetën Aleks Nika, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Hekuran Dedja, të cilët 10 vite më vonë u shpallën “Dëshmorë të Atdheut”.

Gjykata e Lartë ka vendosur në mars të 2024-ës që dosja e “21 janarit” të hetohet nga SPAK duke pranuar kërkesën e familjarëve të viktimave.

The post Rama për “21 janarin”: Katër të vrarë nuk prehen ende në paqe, drejtësia i ngjan një breshke që lutet për harresë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sot shënohen 15 vite nga “21 Janari”, çështja në rihetim nga SPAK

21 January 2026 at 08:38

TIRANË, 21 janar /ATSH/ Sot shënohen 15 vite nga 21 janari 2011, kur gjatë një proteste të Partisë Socialiste, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para Kryeministrisë, u vranë katër protestues.

Gjatë protestës u vranë Aleks Nika, Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Hekuran Deda. Katër viktimat e 21 Janarit 2011 u shpallën Dëshmorë të Atdheut.

Në korrik të vitit 2024 Prokuroria e Posaçme (SPAK) rinisi zyrtarisht hetimet për 21 Janarin, pasi Gjykata e Strasburgut urdhëroi Strukturën e Posaçme të hetonte kallëzimin e bërë nga Rajmonda Nika, bashkëshortja e Aleks Nikës, ndaj Sali Berishës, ish-kryeministër, Lulzim Bashës, ish-ministër i Brendshëm dhe Ndrea Prendit, ish-kreu i Gardës së Republikës.

Gjykata e Strasburgut e ka cilësuar vrasjen e katër protestuesve si “krim shtetëror që duhej zbardhur”.

Drejtues të Partisë Socialiste kanë kërkuar zbatimin e vendimit të GJEDNJ-së për ngjarjen e “21 janarit”. Disa ditë më parë në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së, kreu i grupit Taulant Balla vuri në dukje se presin nga drejtësia, veçanërisht nga Prokuroria e Posaçme, zbatimin e vendimeve të GJEDNJ-së dhe Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë, lidhur me plot aspekte të asaj ngjarjeje.

“Ne nuk kemi hyrë asnjëherë në meritën apo përmbajtjen e dosjeve penale, por Kuvendi i Shqipërisë ka përgjegjësi në kontrollin e zbatimit të vendimeve të GJEDNJ-së bashkë me Ministrinë e Drejtësisë”, theksoi Balla.

/gj.m/j.p/

The post Sot shënohen 15 vite nga “21 Janari”, çështja në rihetim nga SPAK appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MEPJ: Gjergj Kastrioti Skënderbeu, busull e përhershme për brezat

17 January 2026 at 10:57

TIRANË, 17 janar/ATSH/ Sot shënohen 558 vjet nga vdekja e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu (1405-17 janar 1468).

Gjergj Kastrioti Skënderbeu hyri në histori si një nga gjeneralët më të mëdhenj të kohës, si një strateg i shquar i luftimeve mbrojtëse, sepse me një ushtri të vogël mundi të përballonte dhe të shkatërronte taborët e ushtrisë osmane, më të organizuarat dhe më modernet për kohën.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, përkujtoi sot Heroin Kombëtar të shqiptarëve. Në postimin në rrjetet sociale, thuhet se “në historinë shqiptare, figura e tij mbetet një busull e përhershme për brezat”.

MEPJ cilëson se kryeheroi që ndriçoi ndërgjegjen kombëtare, frymëzoi rilindësit dhe u shndërrua në simbol të pavdekshëm të qëndresës, lirisë dhe dinjitetit njerëzor.

“Trashëgimia e tij vijon të na udhëheqë drejt bashkimit, përparimit dhe vizionit europian. Lavdi e përjetshme”, thuhet në postim.

Gjergj Kastrioti ndaloi ekspansionin osman drejt Evropës, duke fituar mirënjohjen e shteteve evropiane dhe të Papatit të Romës, që kur qe gjallë, dhe shumë më tepër pas vdekjes.

/e.i/j.p/

The post MEPJ: Gjergj Kastrioti Skënderbeu, busull e përhershme për brezat appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

27 vjet nga Masakra e Reçakut që tmerroi botën dhe zgjoi ndërgjegjen e diplomacisë botërore

PRISHTINË, 15 janar/ATSH/- Kosova përkujton sot 27-vjetorin e masakrës së Reçakut, ku u vranë mbi 45 civilë të pafajshëm shqiptarë. Ish-shefi i misionit vëzhgues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William Walker, e pati cilësuar Masakrën e Reçakut si krim kundër njerëzimit.

Më 15 janar 1999, në fshatin Reçak u vranë e u masakruan barbarisht 45 shqiptarë të paarmatosur.

Në orët e hershme të mëngjesit të 15 janarit Reçaku u zgjua i rrethuar. Sipas dëshmitarëve, aty rreth orës 6:30 forcat serbe me artileri të rëndë kanë filluar të bombardojnë fshatin. Pas ndërprerjes së bombardimeve, forcat serbe janë futur në fshat dhe kanë filluar bastisjet.

Masakra e Reçakut tmerroi botën dhe zgjoi ndërgjegjen e diplomacisë botërore duke u mobilizuar për Kosovën. Tmerret e shkaktuara në fshatin Reçak sollën në vëmendje të gjithë botën e civilizuar dhe shpalosi të vërtetën rreth planit gjenocidal të ish-kriminelit Sllobodan Millosheviç.

Pas Reçakut, çështja e Kosovës do të jetë në një konferencë ndërkombëtare në Rambuje e në Paris, mossuksesi i të cilës do të ndikonte në ndërhyrjen e NATO-së kundër forcave ushtarake serbe, largimin e tyre nga Kosova dhe vendosjen e administratës ndërkombëtare në Kosovë.

Reçaku atëbotë kishte zënë vend në mediat dhe kancelaritë e shteteve më me ndikim në botë. Ish-sekretarja e Shtetit, Madeleine Albright, e kishte dëgjuar lajmin dhe ishte zgjuar me ankth se ç’do t’i sillnin orët në vijim Kosovës.

Ndërkaq, shefi i misionit të OSBE-së, William Walker kishte shkuar në vendin e krimit shumë shpejt dhe kishte drejtuar gishtin nga lugina e masakrës duke e përcaktuar krimin me tri fjalë: Krim kundër njerëzimit.

Pas Masakrës së Reçakut, rifilluan luftimet 48 orësh mes UÇK-së dhe forcave serbe për marrjen e trupave. Serbia donte t’i zhdukte gjurmët e krimit, por kjo tentativë e tyre dështoi. Bota e pa krimin.

Për herë të parë nga skenat rrëqethëse dhe masakrat barbare që bënë forcat serbe në popullatën civile shqiptare, kishin tmerruar edhe misionarë dhe diplomatë të botës.

/Kosovapress/

The post 27 vjet nga Masakra e Reçakut që tmerroi botën dhe zgjoi ndërgjegjen e diplomacisë botërore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Përkujtohet ditëlindja e regjisorit dhe skenaristit Gjergj Xhuvani

20 December 2025 at 23:53

TIRANË, 20 dhjetor/ Sot kujtohet ditëlindja e regjisorit, skenaristit dhe pedagogut të njohur të filmit shqiptar, Gjergj Xhuvani (1963–2019).

Gjergj Xhuvani mbetet një nga figurat më të rëndësishme të kinematografisë shqiptare, autor i filmave të njohur si “Lindje, Perëndim, Lindje”, “Në kërkim të kujt”, “I dashur armik” dhe “Parrullat”.

Përmes veprës së tij artistike dhe kontributit si pedagog, ai la një trashëgimi të qëndrueshme në zhvillimin e filmit shqiptar dhe në formimin e brezave të rinj të kineastëve.

Kujtimi i tij mbetet i gjallë përmes veprës dhe ndikimit që la në kulturën shqiptare.

The post Përkujtohet ditëlindja e regjisorit dhe skenaristit Gjergj Xhuvani appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Spiropali: Ibrahim Rugova, prijës politik e shpirtëror

TIRANË, 2 dhjetor/ATSH/ Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali përkujtoi sot në 81-vjetorin e lindjes ish-presidentin e parë të Kosovës, Dr.Ibrahima Rugova.

Spiropali tha se “Ibrahim Rugova ishte një prijës politik e shpirtëror misionar”.

“Ndoshta për shkak të emrit Ibrahim/Abraham, në fëmijëri Ibrahim Rugova më fanepsej si profet. Më vonë konstatova se ky politikan nuk ngjante me askënd. Nuk çirrej, nuk mburrej, nuk denigronte kundështarët, nuk rrihte gjoksin, nuk luftonte të ishte kudo pa arsye. Prezenca dhe mungesa e Tij ishin njësoj të rëndësishme”, theksoi Spiropali në një postim në rrjetet sociale.

Kryeparlamentarja Spiropali u shpreh se “Rugova evokonte Dardaninë, rrënjët e identitetit tonë, atë që kemi qenë, atë që duhet të jemi. Butësia e Tij ishte Forcë e papërballueshme vendosmërie dhe pandryshueshmërie. Rugova nuk udhëhiqej nga turmat. Rugova turmat i udhëhiqte nëpër shtigje të panjohura, nga errësira drejt dritës”.

“Kosova dhe Rugova, Rugova dhe Kosova, janë të pandarë në sytë e botës së qytetëruar. Në traditën më të ndritur të Rilindjes, për Rugovën dielli i shqiptarëve lind nga perëndon. Në rrugën e mundimshme të Kosovës drejt Lirisë dhe Pavarësisë, Ibrahim Rugova priu me urtësi dhe vetëdijë atdhetare të palëkundur”, tha Spiropali.

Dr.Ibrahim Rugova lindi më 2 dhjetor 1944 në fshatin Cerrcë të Istogut dhe u diplomua në gjuhë e letërsi shqipe në Prishtinë. Kreu specializim në Paris dhe doktoraturën në Prishtinë në fushën e letërsisë. Për dy dekada punoi si studiues pranë Institutit Albanologjik të Prishtinës.
Në vitin 1988 u zgjodh kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, një qendër e rëndësishme e lëvizjes shqiptare kundër sundimit komunist serb dhe jugosllav.
Hyri në politikë në vitin 1989 si kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ku krijoi bazat ligjore për pavarësinë e vendit. U zgjodh Kryetar i Republikës së Kosovës në 1992 dhe rizgjodh në 1998.
Pas luftës së vitit 1999 u kthye nga Roma për të ndihmuar në ngritjen e institucioneve. U zgjodh President i Republikës së Kosovës në 2002 dhe u rizgjodh në 2004, duke ushtruar detyrën deri më 21 janar 2006, kur u nda nga jeta.

/k.s/j.p/

The post Spiropali: Ibrahim Rugova, prijës politik e shpirtëror appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Osmani kujton komandatin legjendar, Adem Jashari: Ai është i gjallë në çdo zemër shqiptari

28 November 2025 at 14:41

PRISHTINË, 28 nëntor /ATSH/ Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përkujtuar sot komandantin legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jasharin, në 70-vjetorin e lindjes së tij, duke e cilësuar atë si simbol të pavdekshëm të lirisë dhe krenarisë kombëtare.

Osmani përmes një postimi në Facebook ka theksuar se figura e Jasharit mbetet e gjallë në zemrën e çdo shqiptari.

“Ai është i gjallë në çdo zemër shqiptari, frymë e pavdekshme e lirisë dhe krenarisë kombëtare. Në 70 vjetorin e lindjes, si dhe në çdo ditë që frymojmë lirshëm, të përulemi Komandant!”, ka shkruar presidentja.

Në vazhdimësi, institucionet e Kosovës dhe qytetarët e përkujtojnë ditëlindjen e komandantit legjendar, duke nderuar veprën, sakrificën dhe trashëgiminë e tij që mbetet themeli i shtetit dhe lirisë së Kosovës.

/KosovaPress/

The post Osmani kujton komandatin legjendar, Adem Jashari: Ai është i gjallë në çdo zemër shqiptari appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama përkujton ditëlindjen e Adem Jasharit

28 November 2025 at 14:16

TIRANË, 28 nëntor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama përkujtoi sot komandatin legjendar të UÇK-së, Adem Jashari në përvjetorin e tij të lindjes, që përkon me Pavarësinë e Shqipërisë më 28 Nëntor.

Në 70-vjetorin e lindjes së tij, Kryeministri Rama u shpreh në një postim në rrjetet sociale se “Jashari lindi në Ditën e Flamurit dhe u bë vetë flamur i sakrificës, lirisë dhe krenarisë kombëtare”.

Adem Jashari lindi më 28 nëntor 1955 në fshatin Prekaz të Poshtëm të Drenicës (Kosovë) dhe ra dëshmor më 7 mars 1998 në të njëjtin fshat, gjatë sulmit në Prekaz. Ai ishte kryekomandanti dhe themeluesi kryesor i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së). Pas luftës, ai u shpall Hero i Kosovës.

Adem Jashari dhe sakrifica e tij heroike u bënë simboli i pavarësisë për shqiptarët e Kosovës dhe për shqiptarët kudo që janë.

/e.i/r.e/

The post Rama përkujton ditëlindjen e Adem Jasharit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌