Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Spiropali në pritjen e fundvitit: Fuqizojmë diasporën si një trup i vetëm nga Tirana në mbarë botën

30 December 2025 at 17:50

TIRANË, 30 dhjetor /ATSH/ Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, zhvilloi sot pritjen e fundvitit me gazetarë, diplomatë dhe ekipin drejtues të MEPJ-së.

Gjatë fjalës së saj, ministrja theksoi se “e gjithë energjia jonë, dhe të gjitha kapacitetet tona do të investohen në arritjen e objektivit strategjik, mbylljen e negociatave të anëtarësimit brenda 2027 dhe anëtarësimin në BE brenda dekadës”.

Spiropali shtoi se “rruga jonë evropiane është e nxitur nga një ide e thjeshtë, që sot është zgjidhja dhe zgjedhja jonë e vetme: Shqipëria në Evropë”.

Sipas ministres, anëtarësimi në BE, mbetet vokacioni kombëtar i popullit shqiptar dhe mbi të gjitha, një proces i thellë transformues.

Duke bërë një bilanc të vitit që po mbyllet, ministrja e Jashtme theksoi se 2025-a ishte një vit jashtëzakonisht i mbarë për Shqipërinë dhe diplomacinë shqiptare.

“33 kapituj të hapur në 13 muaj. Askush nuk ka ditur të ecë kaq shpejt më parë. Prandaj, në 2026-n, mbështesim njehsimin e mëtejshëm të shpejtësisë së negociatave, në shpejtësinë e avancimit të reformave dhe mbylljes së grupkapitujve”, tha Spiropali.

Në vitin që po lëmë pas, shtoi Ministrja, avancuam rolin e Shqipërisë dhe shqiptarëve në vendet tona partnere dhe më gjerë, në botë.

“Prandaj, ligji i ri i diasporës fuqizon bashkëpunimin midis autoriteteve shtetërore dhe diasporës. Për herë të parë, kemi një mekanizëm të qartë koordinues, që nga Tirana, bashkërendon si një trup i vetëm me diasporën tonë nga Kalifornia deri në Sidnej. Kemi krijuar mekanizma të rinj mbrojtje të gjuhës, identitetit dhe trashëgimisë”, deklaroi Spiropali.

Spiropali ndau bindjen se ligji i ri “Për shërbimin e jashtëm”, përmirësimi i mëtejshëm i kushteve financiare, por edhe statusit të diplomatit, do ta vendosë diplomacinë shqiptare në kushtet e duhura për të udhëhequr pikërisht këtë angazhim historik në rrugën drejt BE-së.

“Në 2026-ën, duhet të bëjmë të mundur, që grimcat e së ardhmes sonë evropiane, të mos jenë më reflektimi, por gjithmonë e më shumë, përditshmëria jonë, normaliteti ynë i ri”, përfundoi Spiropali.

/m.q/a.f/r.e/

The post Spiropali në pritjen e fundvitit: Fuqizojmë diasporën si një trup i vetëm nga Tirana në mbarë botën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Spiropali: Komuna e Tetovës, qendër dinamike arsimore dhe kulturore

23 December 2025 at 16:37

TIRANË, 23 dhjetor /ATSH/ Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Maqedoninë e Veriut vizitoi komunën e Tetovës.

Spiropali u prit fillimisht nga kryetari i komunës Bilall Kasami.

Në fokus të takimit ishte zhvillimi lokal, sfidat e qytetit dhe rolin që Tetova luan sot si një qendër dinamike arsimore, kulturore dhe shoqërore në rajon.

Më tej, Spiropali dhe zyrtarët lokalë ndoqën performancat artistike të të rinjve në shkollën e mesme mjekësore të Tetovës.

“Një gjeneratë e re ruan me pasion vlerat, traditat dhe trashëgiminë që e bëjnë këtë qytet kaq të gjallë, krenar dhe frymëzues për të mirën e përbashkët”, theksoi Spiropali nga shkolla e mesme mjekësore.

Kryediplomatja shprehu emocione nga performancat artistike të të rinjve në shkollën e mesme mjekësore të Tetovës, aty ku, siç theksoi ajo, një gjeneratë e re ruan me pasion vlerat, traditat dhe trashëgiminë.

Ministrja Spiropali zhvilloi një vizitë zyrtare dy ditore në Maqedoninë e Veriut, ku u takua me Presidenten e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, Kryeministrin Hristijan Mickosk dhe zyrtarë të tjerë të lartë të vendit fqinj.

Nga vizita e ministres për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali në Komunën e Tetovës
1 nga 12

/e.i/j.p/

The post Spiropali: Komuna e Tetovës, qendër dinamike arsimore dhe kulturore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Spiropali, vizitë zyrtare dyditore në Maqedoninë e Veriut

21 December 2025 at 15:04

TIRANË, 21 dhjetor /ATSH/ Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, do të zhvillojë vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut në dy ditët e ardhshme, 22 dhe 23 dhjetor.

Spiropali do të pritet në Shkup nga Presidentja e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, Kryeministri Hristijan Mickoski, kryetari i Parlamentit Afrim Gashi dhe ministri për Punë dhe Tregti të Jashtme, Timço Mucunski.

Ditën e hënë në orën 11.30, Spiropali dhe Mucunski do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp.

Gjatë vizitës zyrtare, Spiropali do të theksojë rëndësinë e avancimit të mëtejshëm të lidhjeve dypalëshe e rajonale.

Spiropali do të zhvillojë një darkë pune me zëvendëskryeministrin për Mirëqeverisje dhe Antikorrupsionin, Arben Fetai dhe ministrin e Integrimit në detyrë, Orhan Murtezani.

Spiropali do të rikonfirmojë mbështetjen e fortë për integrimin europian të Maqedonisë së Veriut, duke theksuar se zgjerimi i BE-së mbetet një instrument strategjik për paqe, stabilitet dhe qëndrueshmëri demokratike në Europën Juglindore.

Në fokus të takimeve do të jetë edhe projekti i Korridorit VIII si një projekt strategjik energjetik dhe i sigurisë, që lidh Mesdheun me Detin e Zi.

Ministrja do të takohet në Tetovë me kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, dhe me kryetarin e Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari. Ajo do të zhvillojë gjithashtu një takim edhe me kryetarët e koalicionit qeveritar VLEN, Izet Mexhiti, Bilal Kasami dhe Bekim Sali.

Spiropali do të takohet me kryetarin e Komisionit të Jashtëm të Kuvendit Musa Xhaferri, me zonjat deputete nga të gjitha partitë politike shqiptare dhe me përfaqësues shqiptarë të pushtetit lokal.

Ministrja do të vlerësojë rolin vendimtar të faktorit shqiptar në Maqedoninë e Veriut në ruajtjen e stabilitetit dhe avancimin e proceseve euroatlantike, si dhe rëndësinë e Marrëveshjes së Ohrit si themel i harmonisë shumëetnike dhe kohezionit social.

Spiropali do të zhvillojë një vizitë në Institutin e Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve në Shkup.

Vizita do të përmbyllet me një bashkëbisedim në Universitetin e Tetovës.

/m.q/j.p/

The post Spiropali, vizitë zyrtare dyditore në Maqedoninë e Veriut appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Spiropali pritet nga Dendias: Shqipëria dhe Greqia, bashkëpunim strategjik për sigurinë

17 December 2025 at 09:32

TIRANË, 17 dhjetor /ATSH/ Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, u takua mëngjesin e sotëm në Athinë me ministrin e Mbrojtjes Nikos Dendias, në ditën e dytë të vizitës së saj zyrtare në Athinë.

Takimi u fokusua në bashkëpunimin afatgjatë mes Shqipërisë dhe Greqisë si dy vende partnere në NATO që kontribuojnë aktivisht stabilitetin dhe sigurinë në rajon, në Evropë e më gjerë, ndërkohë që Shqipëria do të presë në vitin 2027 Samitin e NATO-s.

Spiropali theksoi se “marrëdhëniet tona do të vijojnë të zhvillohen nga interesa të përbashkëta strategjike, përmes një agjende iniciativash me fokus njerëzit tanë”.

Këto marrëdhënie, sipas Spiropalit, janë udhëhequr gjithmonë nga perspektiva e përbashkët europiane e të dyja vendeve mike.

Ministri Dendias theksoi se për Greqinë, Shqipëria mbetet një partner i përkushtuar në rrugën e vlerave demokratike, sigurisë dhe mbrojtjes europiane.

Dendias nënvizoi bashkëpunimin e shkëlqyer ndërmjet strukturave të sigurisë dhe mbrojtjes të të dy vendeve, nën koordinimin e NATO-s dhe iniciativave rajonale të mbrojtjes, në të cilat Shqipëria luan një rol domethënës.

/m.q/r.e/ /a.g/

The post Spiropali pritet nga Dendias: Shqipëria dhe Greqia, bashkëpunim strategjik për sigurinë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Spiropali me ambasadorët shqiptarë: Intensifikim i veprimtarisë diplomatike në vendet e BE

9 December 2025 at 17:58

TIRANË, 9 dhjetor /ATSH/ Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, zhvilloi një takim online me ambasadorët shqiptarë të akredituar në vendet e BE.

Takimi periodik vjen në kuadër të përgatitjeve për intensifikimin e veprimtarisë diplomatike në vendet e BE.

Spiropali shkroi në rrjetet sociale se në takim u koordinuan hapat e mëtejshëm të angazhimit dhe komunikimit me institucionet e këtyre vendeve, por edhe me publikun, median dhe komunitetet, për vlerat, potencialin, dhe të gjitha arsyet pse Shqipëria meriton vendin e saj në tryezën e familjes europiane.

1 nga 3

/m.q/j.p/

The post Spiropali me ambasadorët shqiptarë: Intensifikim i veprimtarisë diplomatike në vendet e BE appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Danimarka hap ambasadë në Tiranë, MEPJ: Avancim i dialogut dhe bashkëpunimit

By: redi
5 December 2025 at 21:27

Shqipëria dhe Danimarka po ndërtojnë lidhje më të forta. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme reagoi sot pas lajmit se Danimarka do të hapë ambasadë në Tiranë. “Hapja e Ambasadës Daneze në Tiranë shënon një moment të rëndësishëm në avancimin e dialogut dhe bashkëpunimit”, thekson MEPJ. Duke falënderuar Danimarkën për këtë vendim MEPJ thekson se ky vendim, “ilustron angazhimin danez ndaj…

Source

Danimarka hap ambasadë në Tiranë, MEPJ: Avancim i dialogut dhe bashkëpunimit

5 December 2025 at 20:44

TIRANË, 5 dhjetor /ATSH/ Shqipëria dhe Danimarka po ndërtojnë lidhje më të forta.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme reagoi sot pas lajmit se Danimarka do të hapë ambasadë në Tiranë.

“Hapja e Ambasadës Daneze në Tiranë shënon një moment të rëndësishëm në avancimin e dialogut dhe bashkëpunimit”, thekson MEPJ.

Duke falënderuar Danimarkën për këtë vendim MEPJ thekson se ky vendim, “ilustron angazhimin danez ndaj partneritetit tonë dhe mbështetjen për të ardhmen tonë të përbashkët në BE”.

Ministri i Punëve të Jashtme të Danimarkës, Lars Lokke Rasmussen ka informuar Komitetin e Politikës së Jashtme se Danimarka do të hapë ambasada të reja në Argjentinë dhe Shqipëri në vitin 2026.

Me një ambasadë në Shqipëri, Danimarka do të jetë në gjendje të mbështesë dëshirën e vendit për t’u bërë anëtar i BE-së dhe të forcojë qëndrueshmërinë e tij, përfshirë edhe kundër ndikimit negativ nga Rusia, thuhet në një njoftim të Ministrisë së Jashtme daneze.

/gj.m/r.e/a.f/

The post Danimarka hap ambasadë në Tiranë, MEPJ: Avancim i dialogut dhe bashkëpunimit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Skapi: 3.7 miliardë lekë për MEPJ në vitin 2026, mundëson zbatimin e objektivave

21 November 2025 at 13:53

TIRANË, 21 nëntor /ATSH/ Komisioni për Evropën dhe Punët e Jashtme shqyrtoi sot projektligjin “Për buxhetin e vitit 2026”.

Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Armand Skapi i ftuar në prezantimin e pr/buxhetit për MEPJ u shpreh në fjalën e tij se, buxheti i alokuar për ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme për vitin 2026 është rreth 3.7 miliardë lekë.

“Ky buxhet mundëson zbatimin e strategjive, politikave, objektivave të Shërbimit të Jashtëm si edhe ecurinë normale të përfaqësimit të Shqipërisë në shtete dhe organizatat ndërkombëtarë ku jemi të akredituar”,  theksoi Skapi.

Relatorja e çështjes Bora Muzhaqi, vuri në dukje se projektbuxheti do të vijojë në angazhimin diplomatik me vendet anëtarë të BE për avancimin e negociatave, por edhe me përforcimin e dialogut me institucionet e BE në të gjitha nivelet.

Pas diskutimeve, anëtarët e komisionit e miratuan këtë projektligj nen për nen dhe në tërësi.

Po ashtu, komisioni shqyrtoi edhe projektligjin “Për denoncimin e marrëveshjes së bashkëpunimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe fondacionit Hanns-Seidel të Republikës Federale të Gjermanisë, ratifikuar me ligjin nr.9781, datë 19.7.2007”.

Armand Skapi tha se, ky projektligj ka për qëllim denoncimin e marrëveshjes së bashkëpunimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe fondacionit Hanns-Seidel të Republikës Federale të Gjermanisë, ratifikuar me ligjin nr.9781, datë 19.7.2007. Denoncimi bëhet në bazë të njoftimit të paraqitur nga titullari i fondacionit Hanns-Seidel, Markus Ferber, mbi qëllimin për përfundimin e marrëveshjes, dhe është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, ligjin nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe parashikimet e vetë marrëveshjes, që u jep palëve të drejtën ta përfundojnë atë me njoftim të njëanshëm.

Pas diskutimeve, anëtarët e komisionit e miratuan projektligjin në parim, nen për nen dhe në tërësi. /j.p/

The post Skapi: 3.7 miliardë lekë për MEPJ në vitin 2026, mundëson zbatimin e objektivave appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Spiropali: Integrimi europian shërben si motor reformash për vendin

17 November 2025 at 17:40

TIRANË, 17 nëntor /ATSH/ Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, zhvilloi sot në Tiranë një konferencë të përbashkët me ministrin e Jashtëm të Republikës Federale të Gjermanisë, Johann Wadephul.

E pyetur nëse Shqipëria, për të përshpejtuar rrugën drejt BE-së, do të ishte e gatshme të hiqte dorë nga e drejta e vetos apo nga posti i Komisionerit, Spiropali tha se vendi është plotësisht i përkushtuar, por procesi mbetet meritokratik.

“Shqipëria është e gatshme të anëtarësohet, por pa diskutim duke pasur parasysh që procesi i integrimit është një proces që kalon përmes transformimit të thellë të vendit, reformave, plotësimit të kritereve dhe standardeve”, theksoi ajo.

Ministrja shtoi se integrimi europian shërben si motor reformash për vendin.

“Pavarësisht situatës gjeopolitike, procesi i integrimit na shërben për transformimin e shoqërisë, ekonomisë dhe institucioneve tona.”

Spiropali bëri të ditur se Shqipëria ka hapur të gjithë grup-kapitujt me BE-në dhe po pret raportin e piketave të ndërmjetme, të cilin e cilësoi “shtyllën kurrizore” të procesit.

“Presim raportin e piketave të ndërmjetme, ku përfshihet pavarësia e gjyqësorit, sundimi i ligjit, administrata meritokratike dhe çështje me rëndësi themelore për vendin”, tha ajo.

Ministrja përsëriti objektivin për përfundimin e negociatave teknike brenda dy viteve.

“Shpresojmë që brenda vitit 2027 të kemi mbyllur të gjithë procesin teknik të negociatave.”

Sa i përket përdorimit të vetos, Spiropali deklaroi se Shqipëria është e përkushtuar ndaj vlerave europiane.

“Ne mbajmë qëndrimin se çështjet bilaterale nuk duhet të jenë pengesë për procesin e zgjerimit. Shqipëria është që sot e gatshme të mbajë qëndrimin që nuk do ta përdorë votën apo veton e saj në asnjë rast për të penguar vendimmarrjen e BE-së.”

Ajo shtoi se debati mbi të drejtën e vetos dhe postet në institucionet europiane do të vijë vetëm në faza të mëvonshme.

“Këto çështje mund të diskutohen në një fazë tjetër të procesit të integrimit. Tani jemi të fokusuar tek mbyllja e kapitujve”, tha ajo.

Në mbyllje, ministrja shprehu ambicien që Shqipëria të bëhet pjesë e BE-së brenda kësaj dekade.

“Synojmë që brenda kësaj dekade Shqipëria të jetë anëtare me të drejta të plota e Bashkimit Europian”, u shpreh Spiropali.

/gj.m/r.e/a.f/

The post Spiropali: Integrimi europian shërben si motor reformash për vendin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Spiropali me ambasadorët shqiptarë në BE: Bashkëveprim për ofensivën diplomatike të Integrimit

12 November 2025 at 09:12

TIRANË, 12 nëntor /ATSH/ Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, zhvilloi një takim online me 27 ambasadorët shqiptarë të akredituar në 27 vende të Bashkimit Europian.

Në fokus të takimit, njofton Ministrja, ishte një fazë e re koordinimi e bashkëveprimi në funksion të ofensivës diplomatike e kombëtare të Integrimit.

Dy ditë më parë, gjatë dëgjesës në Komisionin Parlamentar për Europën dhe Punët e Jashtme, ministrja Spiropali deklaroi se, “synimi i politikës sonë të jashtme është të konsolidojë, perceptimin e Shqipërisë si një vend europian, demokratik, të konsoliduar në mirëfunksionimin e institucioneve, respektimin e ligjit e të drejtave të njeriut, e me një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik e social”.

1 nga 4

/gj.m/r.e/a.f/

The post Spiropali me ambasadorët shqiptarë në BE: Bashkëveprim për ofensivën diplomatike të Integrimit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Spiropali: Pasaporta Europiane, agjendë me objektiva konkretë

10 November 2025 at 20:15

TIRANË, 10 nëntor /ATSH/ Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, prezantoi sot në Komisionin Parlamentar për Europën dhe Punët e Jashtme prioritetet e MEPJ për projektbuxhetin për vitin 2026.

“Nëse i gjithë procesi i integrimit evropian është një libër me shumë vëllime, në 2026-ën hymë në kapitullin e tij vendimtar. Është tani momenti në të cilin do të shkruhet epilogu”, tha Spiropali.

“Në 3 mandate radhazi dhe në të katërtin që sapo ka nisur kemi bërë shumë punë për të nxjerrë Shqipërinë nga prapambetja historike dhe irrilevanca e saj diploamtike”, tha Spiropali.

“Ia kemi dalë mbanë kemi kaluar nga të fundit e klasës në të parët që presin në paradhomën e BE-së”, theksoi ministrja.

“Duhet t’i japim vulën e pakthyeshmërisë së gjithë reformave që na kanë sjellë në pikën ku kemi arritur. Mali që kemi përpara nesh është ende i lartë, por duke parë pas, tatëpjeta që kemi ngjitur është edhe më e lartë se sa maja përballë. Nuk jemi në gjysmë të rrugës. Jemi pranë fundit të saj! Për këtë arsye, me një lidership të vendosur, me një vullnet të palëkundur dhe me më shumë energji, duhet të punojmë për të bërë më shumë, dhe për t’u takuar edhe më shpejt me objektivin e pashmangshëm të Pasaportës sonë Europiane”, tha Spiropali.

Spiropali shtoi se “pasaporta Europiane nuk është një slogan politik, por një agjendë konkrete që përkthehet me objektiva konkretë si eliminimi i plotë i kufizimeve të lëvizjes për qytetarin shqiptarë në europë. Më shumë të drejta studimi dhe të drejta pune në çdo vend të BE-së. Investime të huaja që krijojnë vende pune të mirëpaguara, modernizim i arsimit dhe shëndetësisë, inovacion, teknologji, etj”, deklaroi Spiropali.

Synimi i politikës sonë të jashtme, sipas Ministres së Jashtme, është të konsolidojë perceptimin e Shqipërisë si një vend europian, demokratik, të konsoliduar në mirëfunksionimin e institucioneve, respektimin e ligjit e të drejtave të njeriut, e me një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik e social.

Së dyti, tha ajo, faktorizimin e mëtejshëm të vendit si një aktor i besueshëm dhe konsekuent në qëndrimet e tij parimore ndaj zhvillimeve rajonale e globale.

Së treti, vijoi, kryediplomatja shqiptare, rijetëzimi dhe fuqizimi i diplomacisë ekonomike, ku përfaqësitë tona do të përfshihen dhe angazhohen aktivisht në bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar me partnerët strategjikë.

Duke folur për progres raportin, Spiropali theksoi se, “ndihemi veçanërisht të vlerësuar për evidentimin e suksesshëm të grup-kapitullit të parë ‘Themeloret’” i cili vlerësohet si blloku me arritjet më ta larta”.

“Progresraporti reflekton një përparim të qëndrueshëm në reformat kyçe, veçanërisht në reformën në drejtësi. Konfirmohet qartazi fuqizimi i gjyqësorit, rritja e efikasitetit të veprimit të institucioneve të pavarura, ndër të cilat SPAK, i cili ka rritur rezultate të lavdërueshme në goditjen e korrupsionit dhe krimit të organizuar”, tha ajo.

“5 nga 6 grup-kapitujt negociues tashmë janë hapur dhe po punohet për hapjen e grup-kapitullit të fundit brenda nëntorit”, tha ajo.

Duke nisur nga 2026-a, theksoi Spiropali, “do të fuqizojmë diplomacinë shqiptare si një urë lidhëse me botën dhe do të promovojmë më tej vendin tonë si një destinacion që frymëzon jo vetëm për bukuritë e tij por dhe modelin e një shoqërie të hapur, të drejtë dhe demokratike”.

Sa i përket projektbuxhetit, Spiropali tha se, do të mbështesë fuqizimin e rolit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

Gjithashtu do të mbështesë aktivisht fuqizimin e shërbimeve të ofruara në përfaqësitë konsullore dhe diplomatike.

“Do të çohet përpara procesi i dixhitalizimit dhe inovacionit që kanë hapur konsullatat tona duke i shndërruar në qendra të mirëfillta të ofrimit të shërbimeve 24/7”, tha Spiropali.

Ministrja deklaroi se “buxheti i ri i MEPJ për vitin 2026, na jep kapacitetet e nevojshme për t’u ngritur në lartësinë e ambicies sonë dhe për të përmbushur me shpejtësi objektivat tanë politikë dhe strategjikë.”

Buxheti 2026 do të mbështesë edhe Strategjinë Kombëtare të Diasporës Shqiptare, regjistrimin e diasporës dhe rrjetëzimin e grupeve profesioniste në diasporë, modernizimin e shërbimeve të dedikuara për diasporën.

Fokus kyç në punën e MEPJ për vitin e ardhshëm do të jetë hapja e shërbimit diplomatik ndaj të rinjve, veçanërisht ekselencës dhe të rinjve në diasporë.

/gj.m/r.e/

The post Spiropali: Pasaporta Europiane, agjendë me objektiva konkretë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Spiropali me praktikantët në MEPJ: Diplomacia, e hapur ndaj talenteve të reja

7 November 2025 at 15:01

TIRANË, 7 nëntor /ATSH/ Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali zhvilloi sot një takim me të rinjtë që ndjekin Programin Kombëtar të Praktikave të Punës dhe japin kontributin e tyre në Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme.

Spiropali u shpreh se, një diplomaci më e hapur ndaj talenteve të reja është ndër prioritetet e mandatit për Shqipërinë Europiane.

Spiropali nënvizoi se, ligji i ri për shërbimin e jashtëm që do të prezantohet shumë shpejt në Kuvend do të krijojë më shumë hapësira dhe mundësi për të pasuruar diplomacinë shqiptare me potencialin e të rinjve që kanë vokacionin për t’i shërbyer Shqipërisë.

/gj.m/j.p/

The post Spiropali me praktikantët në MEPJ: Diplomacia, e hapur ndaj talenteve të reja appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Spiropali: Tejet e indinjuar nga sulmi i paprecedent ndaj ambasadorit të BE-së

6 November 2025 at 20:49

TIRANË, 6 nëntor /ATSH/ Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali reagoi sot ndaj deklaratave të kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha ndaj ambasadorit të Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato, lidhur me orientimin e tij seksual.

Spiropali u shpreh në një reagim në rrjetin social X, “tejet e indinjuar nga sulmi i paprecedentë ndaj ambasadorit të BE-së dhe ndaj vlerave të BE-së në Parlament ditën e sotme”.

Spiropali theksoi se, “normalizimi i gjuhës së urrejtjes në diskursin politik dhe shtrembërimi i qëllimshëm i fakteve në lidhje me Ligjin jetik për Barazinë Gjinore është krejtësisht i papranueshëm”.

Spiropali u shpreh se, qeveria shqiptare dhe Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme distancohen plotësisht nga retorika dhe qëndrime të tilla.

“Sot, është rasti të përsërisim edhe një herë me zë të lartë se Shqipëria qëndron e bashkuar me Europën. Ky spektakël i pahijshëm nuk do të na dekurajojë nga reformat jetike të integrimit, as nga angazhimi ynë thelbësor për të ngushtuar në Zero hendekun e mundësive për gratë dhe vajzat”, tha Spiropali.

Edhe Komisionerja për Zgjerimin në Bashkimin Europian, Marta Kos, reagoi sot për deklaratat e kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha ndaj ambasadorit të Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato, lidhur me orientimin e tij seksual.

Kos u shpreh se sulme të tilla janë të papranueshme.

“Barazia gjinore dhe mosdiskriminimi janë pjesë integrale e ligjit të BE-së. Përputhja me të është pjesë e procesit të pranimit në BE. Kjo nuk është një kërkesë private e ambasadorit të BE-së në Shqipëri. Çdo sulm ndaj tij është i papranueshëm”, theksoi Kos, në një reagim në rrjetin social X.

Sot në Kuvend, kreu i PD-së Sali Berisha tha se ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato ka kërkuar votimin e projektligjit për barazinë gjinore.

Berisha shtoi se, Gonzato nuk mund t’i imponojë shoqërisë shqiptare bindjet e tij personale.

/gj.m/r.e/

The post Spiropali: Tejet e indinjuar nga sulmi i paprecedent ndaj ambasadorit të BE-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Spiropali takon Thaçin në Hagë: Procesi të sjellë drejtësi historike, jo padrejtësi

3 November 2025 at 19:35

TIRANË, 3 nëntor /ATSH/ Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali zhvilloi sot një takim me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi në mjediset e paraburgimit të Gjykatës Speciale.

Përmes një postimi në rrjete sociale, Spiropali ka ndarë një video të saj nga Haga, teksa shprehet se Thaçi është në gjendje të mirë, dhe se i ka shprehur mbështetjen e qeverisë shqiptare, me shpresën e një vendimi të drejtë nga ana e Gjykatës Speciale.

“Në paraburgimin e Gjykatës Speciale këtu në Hagë, takova presidentin Thaçi dhe përmes tij i dërgova të falat e mia, por edhe të qeverisë shqiptare e besoj të gjithë popullit shqiptar, edhe tre luftëtarëve të tjerë, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit”, tha Spiropali.

“Më vjen mirë që e gjeta presidentin Thaçi në gjendje të mirë. Ndiqte zhvillimet në Shqipëri dhe në Kosovë, sigurisht me dëshirën për të parë dy vendet tona sa më mirë”, theksoi ministrja e Punëve të Jashtme.

Spiropali theksoi se i shprehu Thaçit mbështetjen e Ministrisë së Jashtme, të qeverisë shqiptare, të kryeministrit Edi Rama, për një proces të rregullt dhe të drejtë, i cili në fund të prodhojë drejtësi historike e jo padrejtësi historike.

“Ne urojmë shumë që ai vendim i pjekurisë shtetërore të Kosovës për të votuar dhomat e specializuara dhe Gjykatën Speciale, të mos kthehet në të kundërtën e vetë, por të respektojë procesin e rregullt ligjor, të drejtat e njeriut dhe mbi të gjitha ne urojmë që besimi që Shqipëria, Kosova, por dhe shqiptarët në tërësi kanë në drejtësinë ndërkombëtare të mund të jetë i përligjur deri në fund”, tha Spiropali.

Më tej, ministrja e Jashtme u ndal tek rëndësia e luftës së bërë nga Kosova për të mbrojtur të dashurit e tyre dhe shtëpitë e tyre. Qëllimi i Kosovës nuk ka qenë asnjëherë sulmi ndaj një shteti tjetër, theksoi Spiropali.

“Është me rëndësi të madhe edhe një herë të theksohet që populli i Kosovës, djemtë e vajzat e Kosovës, u ngritën në luftë për të mbrojtur shtëpitë e tyre, për të mbrojtur njerëzit e tyre, për të mbrojtur jetën në atë vend, e kurrsesi për të agresuar apo sulmuar një popullatë apo një vend tjetër. Kjo luftë për liri nuk mund të njolloset. Kjo luftë për ekzistencë nuk mund të përbaltet, dhe këto dy procese duhet të ndahen shumë qartë në mënyrë që e vërteta historike, drejtësia, dhe sakrificat e një populli të tërë, të mos shkelen me këmbë”, tha Spiropali.

Ministrja shprehu bindjen që “pas dëshmive të dhëna këtu, e pas një procesi të rregullt ligjor, ne do mund të shohim drejtësi për luftëtarët, drejtësi për Kosovën dhe të vërtetën e saj”.

/gj.m/r.e/a.f/

The post Spiropali takon Thaçin në Hagë: Procesi të sjellë drejtësi historike, jo padrejtësi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Spiropali: Shqipëria, rol strategjik në Ballkanin Perëndimor dhe në rajonin e Mesdheut

17 October 2025 at 21:57

TIRANË, 17 tetor /ATSH/ “Shqipëria luan një rol strategjik në Ballkanin Perëndimor dhe në rajonin e Mesdheut, posaçërisht tani në stadin e ri dinamik të kuadrit negociues me BE-në”.

Kvshtu u shpreh ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali në panelin për sigurinë e përbashkët- Mesdheu Global: nga udhëkryq në hapësirë strategjike.

Ky panel mblodhi drejtues nga shtete të ndryshme në kuadër të konferencës për Dialogun Mesdhetar MED2025.

“Jemi tërësisht të angazhuar për nxitjen e ndërlidhjes rajonale, sigurinë energjitike, trazicionin digjital dhe investimet e përbashkëta, që krijojnë më shumë mirëqënie për qytetarët tanë dhe stabilitet rajonal”, tha Spiropali.

Dialogu Mesdhetar MED është një konferencë vjetore e nivelit të lartë që fokusohet në sfidat dhe mundësitë gjeopolitike në rajonin e gjerë të Mesdheut. Qëllimi i saj është të promovojë një “agjendë pozitive” për Mesdheun përmes dialogut shumëpalësh, rishikimit të qasjeve tradicionale ndaj sigurisë rajonale, prosperitetit, migracionit dhe lidhjeve kulturore, si dhe luftimit të fragmentimit përmes diskutimeve gjithëpërfshirëse ndërmjet qeverive, shoqërisë civile, akademisë, biznesit dhe medias.

/e.i/j.p/

The post Spiropali: Shqipëria, rol strategjik në Ballkanin Perëndimor dhe në rajonin e Mesdheut appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Spiropali takime me ambasadorë: Ndërtim i urave të forta

13 October 2025 at 19:42

TIRANË, 13 tetor /ATSH/ Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali zhvilloi takime me disa nga ambasadorët e akredituar në vendin tonë.

Spiropali priti ambasadorët e Austrisë, Greqisë, Kroacis , Rumanisë dhe Kosovës të akredituar në Tiranë.

“Dialog i hapur dhe ndërtim i urave të forta me miqtë dhe partnerët tanë ndërkombëtarë. Momente të ditëve të fundit përgjatë takimeve me ambasadorët e Austrisë, Greqisë, Kroacisë, Rumanisë dhe Kosovës në Tiranë”, shkroi Spiropali në një postim në rrjetet sociale.

Më herët, Spiropali ka pritur në takime edhe ambasadorin italian, Marco Alberti, ambasadorin britanik Nick Abbott, Të Ngarkuarën me Punë të SHBA-së, Nancy VanHorn, ambasadoren e Francës, Catherine Suard, ambasadorin e Gjermanisë, Karl Bergner si dhe pjesëtarë të tjerë të trupit diplomatik të akredituar në vendin tonë.

Elisa Spiropali mori detyrën e ministres për Evropën dhe Punët e Jashtme në kabinetin e ri qeveritar të formuar pas zgjedhjeve parlamentare të 11 majit. Më parë, ajo mbante detyrën e kryetares së Kuvendit.

/gj.m/j.p/

The post Spiropali takime me ambasadorë: Ndërtim i urave të forta appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Spiropali pret Superti-n: Vijojmë përmbushjen e detyrimeve për çeljen e kapitujve të fundit

13 October 2025 at 10:52

TIRANË, 13 tetor /ATSH/ Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali mirëpriti sot drejtoren për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme për Zgjerimin dhe Fqinjësinë Lindore pranë Komisionit Evropian, Valentina Superti, e cila ndodhet në Tiranë për Forumin e Investimeve BE – Ballkani Perëndimor që mbahet për herë të parë në Shqipëri.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Spiropali thekson se po “vijojmë intensivisht përmbushjen e detyrimeve për çeljen e kapitujve të fundit, negociatat për mbylljen e kapitujve të hapur, mbërritjen e standardeve për përfitimin e mbështetjes financiare të BE-së përmes Planit të ri të Rritjes, si mjet i integrimit dhe fuqizimit rajonal”.

Forumi i parë i Investimeve Bashkimi Europian-Ballkani Perëndimor, një iniciativë e mbështetur nga Komisioni Europian, ka për qëllim të forcojë bashkëpunimin ekonomik dhe të nxisë mundësi të reja investimi midis vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Europian.

Kryeministri Rama dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen do t’i drejtohen me një fjalë këtij forumi, i cili mbledh në Tiranë përfaqësues të lartë qeveritarë nga Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, si dhe vendimmarrës, institucione financiare ndërkombëtare, investitorë strategjikë dhe kompani lidere nga BE-ja dhe më gjerë.

1 nga 5

/m.q/r.e//a.f/

The post Spiropali pret Superti-n: Vijojmë përmbushjen e detyrimeve për çeljen e kapitujve të fundit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Deklarata e Serbisë, MEPJ: Çdo përpjekje për të ndërruar rolet e viktimës me të agresorit, e papranueshme

7 October 2025 at 11:15

TIRANË, 7 tetor/ATSH/ Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme shprehu sot keqardhjen e thellë për deklaratën e Ministrisë së Jashtme të Republikës së Serbisë, të datës 4 tetor 2025, e cila përpiqet të rikthejë hijet e së shkuarës mbi një rajon që po përpiqet të ecë drejt së ardhmes.

Përmes një deklarate për shtyp, MEPJ thekson se “në këtë deklaratë ngrihen një seri akuzash dhe pretendimesh të pabaza, të cilat Shqipëria i hedh poshtë me forcë dhe vendosmëri”.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme i kujton Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë disa të vërteta historike, që lidhen me shkaktarët e vërtetë të ngjarjeve tragjike të vitit 1999, ngjarje që sollën vrasje, spastrime etnike dhe dëbimin me forcë të rreth një milion shqiptarëve të Kosovës nga shtëpitë e tyre.

“Është për të ardhur keq që deklarata e Ministrisë së Jashtme të Serbisë mbështetet ende mbi një raport tashmë të diskredituar të Dik Martit, kur faktet e hetuara nga autoritetet vendase dhe ndërkombëtare kanë dëshmuar qartë se pretendimet e ngritura aty janë një fabrikim i pastër, pa asnjë provë faktike”, thuhet në reagimin e MEPJ-së.

MEPJ thekson se këto të pavërteta, të njohura ndërkombëtarisht si përpjekje për të njollosur imazhin e Shqipërisë dhe të Kosovës, nuk mund të përdoren më për t’iu shmangur përgjegjësisë së historisë. Historia nuk rishkruhet me retorikë, ajo mbahet mend me përgjegjësi.

Në këtë kontekst, MEPJ nënvizon se “çdo përpjekje për të përmbysur të vërtetën dhe për të ndërruar rolet e viktimës me të agresorit është e papranueshme dhe bie ndesh me çdo frymë të paqes e pajtimit që rajoni ynë kërkon e meriton”.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë shpreh bindjen e thellë se rajoni ynë ka nevojë për pajtim, respekt të ndërsjellë dhe bashkëpunim të sinqertë në frymën e fqinjësisë së mirë, jo për rikthim tek gjuha e akuzave e viktimizimit.

“Vetëm kështu mund të çlirohemi përfundimisht nga hijet e së shkuarës dhe të ndërtojmë së bashku një të ardhme në paqe, siguri dhe prosperitet një Ballkan të bashkuar në familjen tonë evropiane, ku përkasim nga rrënjët dhe aspiratat”, thuhet në deklaratë.

MEPJ thekson po ashtu se “Shqipëria ka qenë dhe do të mbetet e gatshme për një bashkëpunim gjithëpërfshirës rajonal, në frymën e miqësisë së mirë, dinjitetit dhe përgjegjësisë ndaj qytetarëve tanë”.

Në deklaratën që mban datën 4 tetor, Ministria e Punëve të Jashtme të Serbisë flet për “persekutim sistematik të serbëve në Kosovë dhe Metohi” dhe “spastrime etnike të vazhdueshme prej dekadash”.

Në deklaratë përmendet gjithashtu raporti i vitit 2011 i Këshillit të Evropës, i hartuar nga Dick Marty, për të cilin Beogradi pretendon se përmban “dëshmi konkrete” për rrëmbime dhe trajtime çnjerëzore ndaj serbëve gjatë dhe pas luftës së vitit 1999, si dhe “akuza për trafik organesh në Shqipëri”.

/m.m/j.p/

The post Deklarata e Serbisë, MEPJ: Çdo përpjekje për të ndërruar rolet e viktimës me të agresorit, e papranueshme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Spiropali: Diplomacia ekonomike, prioritet për Shqipërinë 2030

6 October 2025 at 15:10

TIRANË, 6 tetor /ATSH/ Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali  përshëndeti sot në mjediset e MEPJ nëpunës të shërbimit të jashtëm të Shqipërisë, të cilët po marrin pjesë në trajnimin e Diplomacisë Ekonomike.

I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe ambasadori i Mbretërisë së Holandës në Shqipëri, Reinout Caspar Vos.

Spiropali e konsideron Diplomacinë Ekonomike si prioritet për Shqipërinë 2030 ndërsa ndau momente nga takimi.

“Përgatitja e trupës së shërbimit të jashtëm me aftësitë praktike në promovimin e profilit ekonomik të vendit është pjesë e vizionit për forcimin e rrjetit të atasheve ekonomikë dhe ndërtimin e një platforme unike për investitorët e huaj në vend”, u shpreh ajo.

Lidhur me këtë çështje, kryeministri Edi Rama ka kërkuar që diplomacia ekonomike të jetë aspekt prioritar i përfaqësive diplomatike.

 

1 nga 4

/gj.m/j.p/

The post Spiropali: Diplomacia ekonomike, prioritet për Shqipërinë 2030 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MEPJ: Shqipëria nuk u citua nga kryediplomatja e Ekuadorit në OKB

26 September 2025 at 18:39

TIRANË, 26 shtator /ATSH/ Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme reagoi sot, pas disa lajmeve që qarkulluan gjatë ditës në medie, lidhur me një deklaratë të ministres së Jashtme të Ekuadorit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Zyra e shtypit pranë Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme shprehet në njoftim se “ka ndjekur keqinformimin e disa medieve online gjatë ditës së sotme, mbi faktin plotësisht të pavërtetë të përmendjes së Shqipërisë apo shqiptarëve, në fjalën kombëtare të Ekuadorit, nga Ministrja e Jashtme e Ekuadorit, në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së”.

“Ky është një fakt tërësisht i sajuar, pa asnjë vërtetësi, pasi as Shqipëria dhe as shqiptarët nuk përmenden në këtë fjalim, i cili është publik, i aksesueshëm në faqen zyrtare të OKB-së”, thuhet në njoftim.

Sipas reagimit të MEPJ, “fjala e ministres mund të lexohet nga çdokush që nuk përpiqet të keqpërdorë këto forume të larta ndërkombëtare duke sajuar fakte të paqena, për të ulur dinjitetin, reputacionin dhe imazhin që Shqipëria ka ndërtuar me sukses në arenën ndërkombëtare”.

/e.i/r.e/a.f/

The post MEPJ: Shqipëria nuk u citua nga kryediplomatja e Ekuadorit në OKB appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌